• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një shekull i ri perëndimor pa Evropën?

February 17, 2026 by s p

Dr. Albulenë Halili/

Ka vite që në Mynih flitet për kriza, për kërcënime hibride, për teknologji përçarëse dhe për sfida të reja. Por, këtë radhë, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e pagëzuar me temën “Në shkatërrim”, atmosfera qe pakëz më ndryshe. Nuk qe thjesht ankth për krizën e radhës, por një ndjesi e qartë se një epoke po i afrohej fundi. Fjalimi i Marco Rubio-s nuk u përqendrua në ruajtjen e rendit liberal siç e kemi njohur pas vitit 1991. Sekretari amerikan u kursye nga korrektesa politike, duke bërë me dije se rendi që kemi njohur deri tani nuk është më korniza e vetëkuptueshme e stabilitetit global.

Për më shumë se tri dekada, Perëndimi u mbështet në një supozim optimist, se zgjerimi i institucioneve, ndërvarësia ekonomike dhe integrimi gradual i rivalëve do ta zbusnin realpolitikën. Siç e ka artikuluar G. John Ikenberry, hegjemonia liberale synonte ta fuste fuqinë amerikane brenda rregullave dhe institucioneve, duke e bërë atë të pranueshme dhe stabilizuese për të tjerët. Zgjerimi i NATO-s shihej si zgjerim i zonës së sigurisë, jo si riformatim i ekuilibrit të fuqive.

Lufta në Ukrainë e shpërbëri këtë narrativë. Ajo riktheu realitetin, të cilin Evropa e kishte zhvendosur në periferi të mendimit strategjik. Rendi ndërkombëtar nuk vetëmbrohet përmes normave, nëse nuk mbështetet nga kapaciteti. Një aktor si Rusia, që është i gatshëm të përdorë forcë për të ndryshuar kufijtë, e vendos sistemin përballë një zgjedhjeje të prerë: kundërekuilibrim ose precedent.

Në këtë pikë, mendimi i Henry Kissinger tingëllon pothuajse i pakëndshëm për këtë kohë. Kissinger e ka theksuar vazhdimisht se stabiliteti ndërkombëtar buron nga një ekuilibër i pranueshëm fuqish, jo nga universalizimi i vlerave. Sa herë që një fuqi arrin epërsi disproporcionale, sistemi hyn në gjendje tensioni, dhe nëse ky tension nuk menaxhohet, ai shndërrohet në konflikt. Ukraina është simptoma më e dukshme e një ekuilibri evropian të lëkundur që nga viti 2014.

Deri në fillim të shekullit XX, ekuilibri i fuqive përcaktohej kryesisht brenda kontinentit. Me hyrjen e SHBA-së në dy luftërat botërore, marrëdhëniet ndërkombëtare u globalizuan dhe ekuilibri i fuqisë mori dimension transatlantik. Sot, për herë të parë pas një shekulli, sfida kryesore ndaj këtij rendi nuk vjen nga Evropa, por nga Azia. Në horizont qëndron Kina dhe me të Indo-Paqësori si qendra e re e gravitetit strategjik. Nëse Rusia përfaqëson kërcënimin e menjëhershëm ndaj ekuilibrit evropian, Kina përfaqëson sfidën strukturore ndaj vetë arkitekturës së fuqisë globale. Kina nuk sfidon me tanke në kufij, por me kapacitete prodhuese, me kontroll të zinxhirëve të furnizimit, me investime masive në teknologjitë e së ardhmes dhe me një projekt të artikuluar për riformatimin gradual të rendit ndërkombëtar. Kështu, Indo-Paqësori është bërë prioriteti strategjik amerikan, meqenëse aty nuk përcaktohet vetëm stabiliteti rajonal, por struktura e fuqisë botërore për dekadat që vijnë.

Në një botë kaq të ndërvarur, Ukraina dhe Kina nuk duhet parë si dy kapituj të ndarë. Ato janë dy faqe të së njëjtës provë. Ukraina teston vullnetin perëndimor për të ruajtur ekuilibrin, ndërkaq Kina – kapacitetin për ta bërë këtë në afatgjatë. Nëse besueshmëria dëmtohet në Evropë, ajo domosdoshmërisht që do të ndikojë në përllogaritjet në Azi. Nëse kapacitetet shpërndahen pa prioritet të qartë strategjik, rreziku i tejshtrirjes bëhet i pashmangshëm.

Arkitektura transatlantike ka lindur pikërisht nga kjo logjikë. NATO nuk është vetëm një marrëveshje politike. Ajo përbën para së gjithash një mekanizëm të institucionalizuar të ekuilibrit të fuqisë në Evropë. Kjo i lejon SHBA-së të projektojë stabilitet pa qenë e detyruar të mbajë barrën e plotë të sigurisë kontinentale. Në këtë kuptim, ajo përfaqëson një formë të institucionalizuar të asaj që teoria realiste e përshkruan si offshore balancing, një strategji ku fuqia detare ruan ekuilibrin në rajonet kyçe duke mbështetur aktorët lokalë dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejt vetëm kur ekuilibri rrezikon të shembet.

Lufta në Ukrainë, qe momenti që e bëri të domosdoshme këtë ndërhyrje, ndonëse në të njëjtën kohë, zhvendosja graduale e vëmendjes drejt Indo-Paqësorit e bën të pashmangshëm një evropianizim më të thellë të sigurisë evropiane. Andaj natyrshëm na vjen pyetja që Joseph Nye bënte përmes titullit të librit të tij “A i ka ardhur fundi shekullit amerikan?”. Aty Nye argumentonte se rënia relative e SHBA-së nuk nënkupton fundin e rolit të saj qendror. SHBA mbetet e vetmja fuqi që kombinon kapacitetin ushtarak global, rrjetin e aleancave dhe soft power-in kulturor e institucional. Njëra nga përgjigjet e përditësuara ndaj kësaj pyetjeje do të ishte se bota po shkon drejt fundit të epokës së unipolaritetit të pakontestuar, por akoma jo drejt fundit të epokës ku roli qendror amerikan në rendin ndërkombëtar mbetet vendimtar. Megjithatë, paralelisht me këtë optimizëm të matur, Ian Bremmer ka paralajmëruar për një botë G-Zero, një sistem ku mungon lidershipi i pakontestuar global dhe ku prirja “every nation for itself” (secili komb për veten e tij) fiton terren. Në një realitet të tillë, shtetet veprojnë mbi interes të ngushtë kombëtar, ndërsa koordinimi global bëhet i brishtë dhe i kushtëzuar.

Evropa sot ndodhet pikërisht midis këtyre dy vizioneve. Nga njëra anë, ajo ka kapital normativ, peshë ekonomike dhe përvojë institucionale. Nga ana tjetër, lufta në Ukrainë dëshmoi qartë se pa SHBA-në, apo më mirë, pa inteligjencën, logjistikën dhe kapacitetin ushtarak amerikan, mbështetja për Kievin do të ishte shumë më e kufizuar, për të mos thënë e pamundur. Sa më shumë që flitet për autonomi strategjike pa rritje të dukshme të kapaciteteve ushtarake dhe industriale, aq më shumë forcohet varësia strukturore.

Në Mynih, Rubio po ashtu shtroi vizionin për ndërtimin e një “shekulli të ri perëndimor”. Një frazë që më shumë se nostalgji për të shkuarën, nënkupton ambicie për konsolidim për të ardhmen. “Shekulli i ri perëndimor” duhet lexuar si vizion amerikan në të cilin Perëndimi duhet të riformatojë kohezionin e vet ekonomik, teknologjik dhe ushtarak përballë konkurrencës me Kinën dhe sfidës së Rusisë, vizion i cili nuk mund të ndërtohet më mbi një arkitekturë ku barra mbetet disproporcionale.

Nëse Ukraina është testi i besueshmërisë perëndimore dhe Kina testi i kapacitetit afatgjatë, atëherë projekti i një shekulli të ri nuk mund të mbështetet në një rend ku Amerika mban disproporcionalisht peshën e sigurisë, ndërsa Evropa mban disproporcionalisht peshën e diskursit normativ. Një Perëndim që synon të mbetet faktor përcaktues në ekuilibrin global nuk mund të funksionojë me një krah strategjik të dobët. Nëse Evropa nuk rrit kapacitetin ushtarak, industrial dhe teknologjik, duke e shoqëruar këtë me vullnet politik dhe vetëdije për përgjegjësinë e saj strategjike, atëherë do ta ketë të vështirë të jetë partner i denjë përballë sfidave të mëdha që përkufizojnë këtë epokë, veçanërisht në një moment kur Amerika po bëhet gjithnjë e më selektive në angazhimet e saj globale dhe gjithnjë e më pak e prirur të mbështesë retorikë pa përmbajtje e veprim të njëmendtë.

Në këtë panoramë të re strategjike, Ballkani rrezikon që nga periferi e vëmendjes të rikthehet në periferi të pasigurisë. Historia e rajonit tregon se sa herë ekuilibri evropian është lëkundur, hapësirat e brishta kanë qenë të parat që e kanë ndjerë pasojën. Në një kontekst ku SHBA-ja po zhvendos gradualisht prioritetin drejt Indo-Paqësorit dhe Evropa ende kërkon formulën e autonomisë së saj strategjike, vakuumet e perceptuara të sigurisë mund të nxisin aktorë të jashtëm si Rusia e Kina, apo edhe fuqi rajonale, që të thellojnë ndikimin përmes mjeteve hibride, ekonomike apo politike. Për Ballkanin Perëndimor, kjo nënkupton se integrimi euroatlantik nuk është vetëm projekt normash, por garanci konkrete stabiliteti në një botë gjithnjë e më të polarizuar. Ndërkaq, për shqiptarët në veçanti, çështja e ekuilibrit transatlantik ka dimension ekzistencial. Roli strategjik i Shqipërisë si anëtare e NATO-s, siguria e Kosovës dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut janë të lidhura drejtpërdrejt me praninë dhe besueshmërinë perëndimore në rajon.

Nëse “shekulli i ri perëndimor” do të ndërtohet mbi një ndarje më të drejtë të barrës strategjike, atëherë shqiptarët, si popull me orientim të qartë euroatlantik, duhet të investojnë jo vetëm në retorikën pro-perëndimore, por në forcimin e institucioneve, kapaciteteve mbrojtëse, industriale dhe teknologjike, si dhe në kohezionin politik ndërshqiptar. Në një botë ku besueshmëria dhe kapaciteti po bëhen monedha kryesore të fuqisë, mbijetesa strategjike e kombeve të vogla varet nga aftësia për t’u ankoruar fuqishëm në arkitekturën e sigurisë dhe për të qenë kontribuues, jo thjesht përfitues të saj.

Filed Under: Komente

Sot, Dita e Presidentëve Amerikanë

February 16, 2026 by s p

Dr. Bledar Kurti

(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)/

Dita e Presidentëve është një festë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara që festohet të hënën e tretë të shkurtit për të nderuar të gjithë personat që shërbyen në detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe një festë federale posaçërisht për të nderuar George Washington, Presidentin e Parë të SHBA dhe Abraham Lincoln, Presidentin e 16-të, té dy të lindur në muajin shkurt.

SHBA është vendi i parë në botë që përcaktoi në Kushtetutë ofiqin e Presidentit, ofiq që më pas u mor edhe nga shtete të tjera.

Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i ShBA, betohet se “unë do e kryej detyrën e Presidentit me të gjithë forcën dhe aftësinë time” dhe se do mbrojë Kushtetutën e vendit.

Presidenti i SHBA ka mandat të kufizuar në dy. Kufizimi i mandateve u caktua vetëm në vitin 1951.

Më 27 shkurt 1951 Kushtetutës Amerikane iu shtua Amendamenti i 22-të. Ky amandament kufizoi efektivisht në 2 (dy) numrin e mandateve që një president i Shteteve të Bashkuara mund të shërbejë në detyrë.

Përpara vitit 1951 Kushtetuta Amerikane nuk e ndalonte numrin e mandateve të Presidentit pasi besohej se nëse do kishte pëlqimin, bekimin dhe mbështetjen e votuesve kjo prevalonte mbi çdo formulë kufizimi. Megjithatë, kishte një rregull të pashkruar, një precedent, lënë nga George Washington, Presidenti i parë i SHBA, i cili pas dy mandateve në detyrë u dorëhoq duke themeluar “de facto” parimin e dy mandateve.

Pati Presidentë të tjerë të mëvonshëm të cilët tentuan të kandidonin për më shumë se dy mandate por ose nuk u pranuan nga partia e tyre ose nuk u zgjodhën. Kjo për shkak se parimi i dy mandateve ishte çimentuar si koncept qeverisjeje.

I vetmi përjashtim ishte Presidenti Franklin D. Roosevelt i cili arriti në katër mandate (u nda nga jeta në të katërtin) kjo për shkak të një përjashtimi dhe mirëkuptimi politik e popullor, pasi periudha në të cilën ai shërbeu përkoi me evente të rënda e të paprecedenta për Amerikën dhe botën, si Depresioni i Madh, Lufta e Dytë Botërore dhe sulmi i Japonisë në Pearl Harbor.

Duhet theksuar që Roosevelt nisi atë që njihet si Presidenca Moderne Amerikane, që do të thotë Presidenti mori kompetenca fuqiplote për shkak të ndryshimeve të vrullshme në luftë dhe ekonomi, të cilat kërkonin vendime e veprime të menjëhershme e jo kohë të gjatë vendimmarrje nga Kongresi. Kjo kompetencë fuqiplote vazhdon edhe sot. Amandamenti i 22-të vetëm kushtëzoi “de jure” numrin e mandateve në detyrë që është 2 (dy).

Në Kushtetutën Amerikane neni që përcakton përgjegjësitë e Presidentit është i shkurtër dhe pa një listim të gjatë funksionesh. Por, për shkak të epokës së Presidencës Moderne Amerikane të nisur nga Roosevelt, Presidenti gëzon sot kompetenca fuqiplote por sigurisht të balancuara nga Kongresi në çështjet themeltare si buxheti. Kjo për arsye sepse etërit amerikanë krijuan një shtet ku asnjë individ të mos e shpallë veten mbret.

Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithē fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.

Kjo është ShBA! Ky është “qyteti mbi kodër”, ai vizioni i pelegrinëve të parë që ia arritën të ndërtonin një shtet tek i cili do përqendroheshin prej shekuj sytë e të gjitha kombeve.

Ky është shembulli sublim i republikës, parimeve demokratike, i shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe shtetarisë.

“Qeverisje e popullit, nga populli, për popullin” tha Abraham Lincoln, një koncept dhe shembull i jetëzuar më së miri në SHBA.

Filed Under: Sofra Poetike

17 SHKURTI – PAVARËSIA E KOSOVËS DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS

February 16, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli

Më 17 shkurt 2008, në Prishtina, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Pavarësinë e Kosovës – një akt historik që kurorëzoi dekada sakrificë, qëndresë dhe përkushtim kombëtar. Për shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, kjo datë nuk është thjesht një përvjetor shtetëror. Ajo është një triumf i përbashkët, një dëshmi e fuqisë së diasporës dhe e miqësisë së pathyeshme të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me përfaqsuesit e saj më të lartë politikë. 

Historia do shënojë se çlirimi me 1999 dhe pavarësia e Republikës së Kosovës, me 17 shkurt 2008 ishte një fitore edhe e shqiptarëve të Amerikës.  Diaspora shqiptaro-amerikane ka qenë shtyllë kyçe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Që nga lobimi i organizatave si Vatra, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e të tjera deri tek angazhimi, i brezave të vjetër e të rinj, në institucionet amerikane, lokale e shtetërore. Zëri i shqiptarëve të Amerikës në Uashington në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës për liri, demokraci e pavarësi, nuk ka munguar asnjëherë.

Gjatë viteve 1980-90-ave, kur Kosova përballej me represionin dictatorial të regjimit sllavo-komunist të Slobodan Milosheviçit, komuniteti shqiptaro-amerikan organizoi protesta, kërkoi sesione dëgjimore në Kongres, fushata të ndryshme ndërgjegjësimi për publikun amerikan mbi gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë dhe takime me ligjvënës amerikanë, pothuaj në çdo shtet e qytet ku kishte komunitete shqiptaro-amerikane, në mbarë Amerikën. Këto përpjekjet të diasporës shqiptare në Amerikë, kontribuan në krijimin e një klime mbështetse në përgjithsi dhe në përpjekjet që çuan, eventualisht, në ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës në Amerikë dhe në botë, në krye me figurën e madhe të Kombit shqiptar,  Presidentin historik Dr Ibrahim Rugova dhe në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E që, më në fund, e gjithë kjo fushatë sensibilizimi të çeshtjes së Kosovës — në nivel kombëtar e ndërkombëtar — prej të pakën dy dekadash, kulmoi me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe, përfundimisht, në Pavarësinë e Republikës së Kosovës, më 17 Shkurt, 2008.

Roli i Shteteve të Bashkuara – aleatit strategjik të përhershëm — në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës është i pakontestueshëm. Nga administrata e Bill Clinton, e cila udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s, e deri tek njohja e menjëhershme e pavarësisë në vitin 2008 nga Administrata e Presidentit Xhorxh Bush i riu, Amerika ka qenë garantuese e sigurisë dhe e shtet-ndërtimit të Kosovës.

Për diasporën, 17 Shkurti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është edhe një ditë falënderimi ndaj këtij partneriteti strategjik me Amerikën – një kujtesë se liria e Kosovës është e lidhur ngushtë me vlerat perëndimore të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Por Dita e Pavarësisë së Kosovës duhet të shërbejë, gjithashtu, edhe si një rast riangazhimi dhe përgjegjësie për brezin e ri të diasporës shqiptaro-amerikane.

Sot, diaspora shqiptare në Amerikë përballet me një sfidë të re: ruajtjen e identitetit dhe forcimin e lidhjeve me Kosovën. 17 Shkurti duhet të jetë më shumë se një festë me flamuj kuqezi.  Duhet të jetë një angazhim konkret për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës, për promovimin e imazhit të saj në qarqet akademike e politike amerikane dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike Kosovë–SHBA. Por një riangazhim i tillë nga komuniteti shqitaro-amerikan — sot shumë më i madh dhe shumë më i përgatitur se përpara — nevojit bashkim politik dhe bashkrendim patriotik të përpjekjeve në mbështetjte të kauzave shqiptare në Washingtonin zyrtar dhe në mbarë Amerikën. Sepse pavarësia, ashtu siç është edhe liria e demokracia, nuk është një akt i përfunduar, pasi mund të zhduket brenda një brezi kohor, siç është shprehur dikur Presidenti amerikan Ronald Reagan. Por është një proces i përhershëm konsolidimi e mbrojtjeje, sidomos, kur të merret parasysh pozita gjeopolitike dhe mahalla në të cilën gjëndet Kosova, përball sulmeve të lloj-llojshme të identitetit të saj iliro-arbëror, nga armiqtë e saj shekullor. 

Prandaj, sot në këtë ditë të shenjtë, kur valëvitet me kreanri flamuri i Kosovës, nderojmë me përulje të gjithë ata që kontribuan për të sjellur Kosovën aty ku është sot — e pavarur, e lirë e demokratike. Sidomos ata që dhanë jetën për këtë ditë. U përulemi nënave që rritën heronj, familjeve që sakrifikuan gjithçka dhe brezave që nuk e humbën kurrë shpresën. Liria e Kosovës sot ka emra, përfshir komunitetin shqiptaro-amerikan, ka histori dhe ka gjak të derdhur anë e mbanë Dardanisë. 17 Shkurti është ditë krenarie, bashkimi dhe besimi në të ardhmen. Kjo ditë është betim se Kosova do të ecë përpara, me dinjitet, me punë dhe me dashuri për Atdheun. Kjo sot nuk varet më as nga Beogradi as nga miqët strategjik të Kosovës dhe shqiptarëve, por nga vet shqiptarët, se si i rregullojnë punët e veta, për të mirën e përbashkët, në interes të Kombit, mbi interesat politike dhe partiake.

Shqiptarët në përgjithsi, anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe diaspora shqiptaro-amerikane duhet të vazhdojnë të kenë detyrimin moral, politik dhe historic. Të jenë të bashkuar me një mendim e me një qëllim rreth interesave afatgjata kombëtare, përtej ndasive partiake, politike, krahinore, fetare, ose cilat do qofshin ato. 

17 Shkurti, është pra, dita kur kujtojmë se liria dhe pavarësia kanë emër, sakrificë, por edhe përgjegjësi politike – sidomos kjo i takon klasës aktuale politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri. Por është edhe dita kur shqiptarët në Amerikë, nga Nju Jorku në Detroit, nga Bostoni në Çikago e deri në Kaliforni e Florida, e ndjejnë Kosovën jo vetëm si atdhe shpirtëror, por edhe si histori të përbashkët të realizuar me besim, këmbëngulje dhe miqësi të madhe dhe të “përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ashtu siç është shprehur dikur Presidenti historik i Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, njëherazi, edhe mik i madh i komunitetit shqiptaro-amerikan ndër dekada – ky komunitet, ku ai ka gjetur gjithmonë mbështetje dhe adhurim.

Gëzuar 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës — simbol i lirisë, krenarisë dhe shpresës për Kosovën dhe mbarë Kombin shqiptar!

Frank Shkreli

*Në mungesë të një redaktori, teksti është përgatitur nga autori me ndihmën e “ai”, si mjet asistues në organizimin dhe formulimin e këtyre rreshtave. Përgjegjësia për përmbajtjen mbetet, ekskluzivisht, e autorit.

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës me Presidentin Ibrahim Rugova dhe mikun e madh të Kosovës dhe të shqiptarëve, ish-kongresistin Eliot Engel, Prishtinë, 2005 

Filed Under: Rajon

Presidenti Trump uron Presidenten Osmani: Mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

February 16, 2026 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e tij drejtuar Presidentes, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e SHBA-ve për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët, si dhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për avancimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë.

Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu falënderimin ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

Në fund të mesazhit, Presidenti Trump shpreh besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Urimi i plotë ⬇️

Filed Under: Ekonomi

“Mos harroni nga keni ardhur, punoni për çështjen kombëtare”, emocione e lot nga DioGuardi në Harvard

February 16, 2026 by s p

Flamur Vezaj

(Mashqip.com)/

“Mos harroni nga keni ardhur dhe punoni për çështjen kombëtare!” – me këtë mesazh që preku zemrat e të pranishmëve dhe me lot në sy, ish-kongresmeni amerikan me origjinë shqiptare Joseph DioGuardi iu drejtua komunitetit shqiptar në Boston gjatë një takimi të veçantë të zhvilluar në ambientet e Universitetit Harvard, në kuadër të aktiviteteve për nder të Pavarësisë së Kosovës.

Aktiviteti u organizua nga VATRA dega Boston në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, duke sjellë në një sallë studentë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit që përjetuan nga afër një nga momentet më emocionale të viteve të fundit.

Në rrëfimin e tij, DioGuardi kujtoi fillimet e vështira të familjes së tij në Shtetet e Bashkuara dhe amanetin e të atit që e ka udhëhequr gjithë jetën: të ndihmojë shqiptarët sepse “është gjaku ynë”. Ai ndau kujtime nga rrugëtimi i tij politik, bashkëpunimet me kongresmenë ndër vite dhe veçanërisht vlerësoi mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin Tom Lantos, si një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të Kosovës në Kongresin Amerikan. Dëshmitë e tij historike përpara Kongresit për krimet e regjimit të Millosheviçit dhe nevojën për të ndihmuar popullin e Kosovës u ndërprenë disa herë nga duartrokitjet e gjata të sallës.

Po aq prekëse ishte fjala e Shirley DioGuardit, e cila kujtoi betejën e gjatë për ndërgjegjësimin e politikës amerikane mbi dhunën në Kosovë, lobimin për njohjen e UÇK-së si forcë çlirimtare dhe punën e pandalur deri në shpalljen e Pavarësisë.

Kryetari i Vatrës – dega Boston, Mentor Maksutaj, e cilësoi familjen DioGuardi si misionarë të çështjes shqiptare dhe ndër njerëzit më të rëndësishëm për lirinë që gëzon sot Kosova, ndërsa ndau edhe kujtime personale nga periudha e luftës dhe rrugëtimi drejt Amerikës.

Në emër të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Harvardit foli Faton Limani, i cili solli dëshmi nga jeta në Kosovën e viteve të regjimit serb dhe theksoi se familja DioGuardi meriton nderim të përjetshëm nga shqiptarët. Ai e mbylli fjalën me vargjet e Fan Nolit: “Mbaju nënë, mos ke frikë, se ke djemtë dhe vajzat në Amerikë.”

Në përmbyllje të aktivitetit, Faton Bislimi falënderoi organizatorët në emër të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ndau mirënjohje për Mentor Maksutajn dhe Faton Limanin. Ndërkohë, Vatra nderoi Joseph dhe Shirley DioGuardin me certifikata mirënjohjeje për kontributin historik për kombin shqiptar, ndërsa mirënjohje u ndanë edhe nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

Fjalë të ngrohta mbajti edhe shkrimtari Namik Selmani, i cili zbuloi se në librin e tij të ardhshëm një vend të veçantë do ta ketë familja DioGuardi, duke e mbyllur aktiviteti me një poezi.

Ky nuk ishte vetëm një takim përkujtimor për Pavarësinë e Kosovës, por një moment frymëzimi dhe bashkimi për shqiptarët e Bostonit – një rikujtim se amaneti për kombin vazhdon dhe se brezat e rinj duhet ta mbajnë gjallë atë.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT