• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PATRIOTI AZIS ÇAMI – ME GUXIM DENONCON POLITIKËN ANTIKOMBËTARE TË PUSHTUESVE ITALIANË DHE TË QEVERISË

October 28, 2024 by s p

Nga Enver MEMISHAJ

Azis Çami  iu  përgjegj  thirrjes  së  artdheut  në    kohë  shumë kritike  për  fatet  e  popullit  tone. Në ato kohëra ishte trimëri e madhe të ishe shqiptar, por ishte trimëri edhe më e madhe të ishe ushtar dhe major Azis Çami ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit ushtar besnik dhe i pathyeshëm i atdheut.

Azis Çami komandant i artilerisë në Luftën e Vlorës, më 1920. Azis Çami (1893-1943) Vjenë 1931.

Azis Çami 81893 1943) i shkruan kryeministrit Mustafa Kruja:

Tani populli është i preokupuar vetëm me mejtimin se ku shkon Atdheu dhe cila është e ardhmja e tij.

“REZERVAT PERSONAL”

Zoti Kryeministër!

Erdha në Korçë dhe pa vonesë u drejtuash në Zyrën e Kuesturës, ku mora në dorëzim detyrën.

Në këtë kohë vija me një mejtim, se do të gjeja diçka delikate në këtë zyrë, diçka sekrete, ose si të them më mirë vija me një mejtim se do gjeja të paktën një zyrë që t’i ngjiste një institucioni shtetëror, me një farë soj dinjiteti e prestigji.

Por fatëkeqësisht gjeta një godinë të thatë, pa kurrëfarë gjallërie dhe në një çrregullim të përsosur.

Nuk m’u desht shumë kohë që të konstatoj se personeli që përbën këtë institucion nuk vlen asgjë.

Agjentët shqiptarë të pazotë, por italianët shumë më të kqinj. Në kohën e kaluar kur ma donte detyra që të inspektoja ose rastësisht të vizitoja nonjë postkomandë të humbur më ndonjë kënd të Shqipërisë ju siguroj se edhe atje kam gjetur një rregull shumë më të mirë e më dinjitoz, rregull që është i domozdoshëm për zyrat e sigurimit publik.

Nga një rregull i tillë edhe unë si shef i atyre postkomandave edhe populli vetë ishin të kënaqur nga veprimi. Sidomos populli, e kishte  mëndjen të mbledhur dhe shpirtin e qetë, sepse jeta, pasuria dhe nderi tij ishte ndër duart e njerëzve të zot, e të ndërgjegjshëm.

Sot populli nuk i ka këto, në të kundërtën është i pasigurtë dhe i çqetësuar.

Qyteti i Korçës, sikur të kishte fatin, që në vend të kësaj të ashtuquajture polici, të kishte një kapter shqiptar me njëzet gjindarm të tillë, nuk do të kishte pse të rronte me një shpirt kaq të trembur dhe me një panik në zemër.Ay do të qe i sigurtë se kapteri shqiptar me zotësin e tij të provuar e të zakonëshme do ja mbronte domozdo jetën, nderin e pasurinë.

Personeli i përbërë prej njëzet e disa vetave të tërë të pavlefshëm, është okupuar gjithnjë me punëra të brendshme të zyrës dhe vetëm tre ose katër agjenta mund të disponohen për sigurimin e patrullave të qytetit.

Tipike është kjo: Marshalli i policisë mban gjithëmonë në shtëpi një agjent që e ruan dhe këtë e mban pranë vetes ditën e natën. Sa për organizatorin është njeri i mirë i sjellshëm por jo për funksionar në polici.

Prandaj duke qëndruar punërat kështu nuk e ka jetën të sigurtë as Prefekti, as Kuestori, as Gjyqtari dhe as populli përgjithësisht.

Në këto kondita në mos më keq është edhe arma e karabinerisë. Katundi të digjet dhe pushka të vlojë në të katër anët, njerzia të vriten, karabinierët e postës nuk dalin jashtë. Dalin vetëm në mëngjes kur del dielli. Karabinierët shqipëtarë janë bërë indiferent sepse shokët e tyre

italianë i përbuzin dhe i keqpërdorin.

Mbasi dhamë shpegime të shkurtëra dhe ndofta të pamjaftueshme më sipër, për sa i përket sigurimit publik, le të vijmë tani edhe në ngjarjen e hidhur e të urrejtur të vrasjes së të ndyerit Skënder Çami.

Vrasja e Skënderit ka bërë përshtypje të hidhur e të poshtër në tërë popullin. Provë për këtë ka qenë marrja pjesë në varrimin e tij e tërë popullit pa ndryshim klase e feje.

Për zbulimin e guximtarëve si dhe për hetimet mbi këtë çështje, policia e këtushme nuk ka njerëz që të mund të ngarkohen me një detyrë të tillë. Hetimet i ka filluar karabineria. Unë bëja ç’është e mundur me mënyrat e mia private për ta kjartësuar çështjen. Gjer tani kam ardhur te këto konstatime: vrasjen e ka bërë ndonjë kriminel I  stërvitur ndër krime, me gjak të ftohtë dhe shumë i zoti në përdorimin e armëve.

Vrasja është përgatitur mundësisht prej ndonjë organizate të jashtëme e infiltruar brenda në tokën tonë, duke ardhur në kontakt me elementë turbullonjës. Elementë trubullonjës kanë gjithnjë mundësinë të futen në tokën shqiptare, sepse njerëzit që e ruajnë kufinë janë bërë shok me kondrabandistët shqiptarë e grekë. Nuk i preokupon këta njerës detyra e ruajtjes së tyre por i preokupon vetëm hajdutllëku i pa ngopur.

Një gjë duhet marrë para sysh, vrasja është përgatitur me një rreth tepër të ngushtë. Për ta qitur në shesh kompllotin e organizuar qoftë jashtë, qoftë brenda në tokën tonë, duhen njerës me zotësi policore të jashtëzakonëshme. Këtë zbulim, të zorshëm e bën fakti që populli është krejt indiferent dhe i zëmruar nga Qeveria e tij.

Në qoftë se dikush di gjikafsh këtë nuk e kallzon, sepse nëpunësit e administratës nuk i tregojnë atij asnjëherë politikën e Qeverisë. Përkundrazi disa prej këtyre në kohën e kaluar mundoheshin që Qeverinë ta kompromentonin me veprat e sjelljet e tyre. Këta popullin e keqpërdornin dhe e vidhnin. Tani populli është i preokupuar vetëm me mejtimin se ku shkon Atdheu dhe cila është e ardhmja e tij. Indiferencën e sidomos zëmërimin e popullit e ka shkakëtuar me teper Zef Kadareja kur qe regjent i Komisariatit të Jashtzakonëshëm. Veprimet e tij kanë  qenë, skandaloze, aq imorale dhe aq në kundërshtim me interest kombëtare sa që duhet të kalojnë shumë kohë që të harrohen. Ky kishte marrëveshje vetëm me njerëz të poshtër anti patriotë dhe hajdutë që vithnin sheshit e spekullonin bashkë me Kadarenë. Patriotët jo vetëm i kishte lënë pas dore por edhe i ndiqte me anën e afijeve dhe me anën e miqve të tij anti kombtarë.

Mbasandej indiferenca është shtuar dhe po shtohet dita ditës nga kjo: Disa kohë më parë pa ardhur në krye të Qeverisë zotria juaj keni mbajtur një fjalim të transmetuar me anë të radjos. Ky fjalim qe dëgjur prej tërë popullit. Thatë atëherë se Shqipëria ishte shtet indipendent dhe me statut që e cakton shprehimisht indipedencën dhe individualitetin e tij. Do të kishte Gjindërmari, Polici e Administratë krejt shqipëtare.

Priti që të shihte këto por nuk i pa. Kur arthtë Zotria Juaj në krye të Qeverisë populli besojë dhe u bind se këto do ti fitonte, por duke mos i parë akoma është gjë e zorshme që të besojë dhe të bindet për to, deri sa të mos shohë fakte dhe vepra. Një herë që këto t’i jepen ka për të parë kushdo se sa bashkëpunëtor i mirë dhe i sinqertë i Qeverisë do të bëhet populli shqipëtar.

Kam pasur bashkëf jalime me persona të njohur dhe në kohërat e kaluara persona prej qytetit të Korçës dhe prej katundeve. Që të tërë më kanë shfaqur një mosbesim sepse presin vepra që të garantojnë indipedencën dhe ekzistencën e Shqipërisë.

Tani Zoti Kryeministër e shoh të arsyeshme që t’ju them se qëndrimi jem – këtu në Kuesturë me të tillë elementa dhe të tillë kondita është i kotë. Në qoftë se Zotria Juaj do të mundeni që të më vini në dispozicion, personel shqipëtar e thjesht shqipëtar atëhere marr përsipër riorganizimin e një policie thjesht shqipëtare, duke marrë përsipër tërë përgjegjësitë ndaj Qeverisë dhe Popullit.

Përndryshe ju lutem të më shkarkoni nga detyra sepse jam i bindur që Qeverisë së Zotrisë tuaj do ti shërbej më mirë si privat se sa si i tillë.

Më shumë do më dëgjohet fjala atëhere se sa tani. Para se të mbaroj vlen t’ju shënoj se në mënyrën e administrimit është bërë një anarshi e plotë. Nuk dihet se kush është superiori

dhe kush është inferiori, kush është përgjegjës dhe kush nuk është përgjegjes. Tërë zyrat përzihen në veprime me njëri tjetërin. Për një veprim përzihet: Fashio, Milicia fashiste, Milicia e Rrugës dhe e Pyjeve, Karabineria, Rojet e Financës, S.I.M. etj. etj. dhe bile edhe njerëz që nuk kanë asnjë cilësi zyrtare intrigojnë brenda veprimeve të këtyre organeve dhe kështu në tërë anët e Shqipërisë jam i sigurtë se në këto mënyra veprohet.

Në lidhje me vrasjen e Skënderit karabineria propozon rreshtimin në masë të njerëzve të pafajshëm dhe që kanë shprehur hidhërimin e tyre për këtë ngjarje.Jemi të mejtimit që të mos rreshtohet askush, por përkundrazi edhe disa që janë marrë nën vrejtje të lirohen. Çështja do

të zbulohet më mirë në heshtje e ngadalësi se sa duke e alarmuar. Kjo do të provokonte jo vetëm hidhërim por do të kishte edhe rezultate të papëlqyera.

Jam i mejtimit që hetimet për vrasjen e Skënderit ti ngarkohen Gjykatës Hetuese të këtushme e cila disponon një zotësi psikologjike dhe ajo do të mundi të zbulojë shumë hollësira, ose të paktën zbulimin do e bëjë shumë më lehtë, duke i vënë në dispozicion një officer gjindërmarije shqipëtar dhe organet e duhura. 

Musa Kranjën, neto komunistin, siç e kanë cilësuar disa, e lirova nga burgu, mbasi u sigurova që i përmënduri nuk ka asnjë lidhje me ideollogjinë komuniste dhe për këtë jam garant vetë.

Pranoni ju lutem Zoti Kryeministër nderimet e mia të sinqerta.

Korçë, më 15 mars 1942 – XX –

Aziz Çami

AQSH, F. 149-I, D. 281, f. 1 – 5. 

Dokumenti është i daktilografuar në 5 faqe dhe ka këtë shënim: “Marrë nga Kartoteka e Degës së Historisë Ushtarake nr. dokumenti 530”

K O M E N T

Shqetësimi atdhetar i Azis Çamit për fatin e popullit të tij dhe denoncimi i politikës së pushtuesit dhe qeverisë del fare qartë në këtë leter private që ai i bën kryeministrit Mustafa Kruja, por unë dua të theksoj dhe nënvizoj sa më poshtë:

Azis Çami në këtë letër që i dërgon shokut tij të vuajtjeve të mërgimit 15 vjeçar, kryeministrit Kruja, me guxim denoncon politikën antikombëtare të pushtuesve italianë dhe të qeverisë.

Kështu Azis Çami na ka lënë pas një dokument shumë të rëndësishëm jo vetëm për të njohur personalitetin e tij, për të gjykuar mbi personalitetin dhe shërbimet që ai i ka sjellë vendit të tij, por kryesisht ai me kompetencë profesionale analizon plagët e vendit nën pushtimin italian: pa aftësinë e autoriteteve të sigurimit publik për të mbrojtur jetën, pasurinë dhe nderin e shtetasve dhe korrupsionin. Nëpunësit “Nuk i preokupon detyra, por i preokupon vetëm hajdutllëku i pa ngopur”, “Karabinierët shqiptarë janë bërë indifferent sepse shokët e tyre italianë i përbuzin dhe i keqpërdorin”, shkruan Azizi.

Dhe jo vetëm analizon plagët por jep edhe orientime se si mund të dilet nga ky kaos dhe amulli.

Azis Çami flet qartë dhe shprehet kundër politikës antikombëtare të pushtuesve italianë, por edhe të qeverisë së kohës: “populli është krejt indiferent dhe i zëmruar nga Qeveria e tij”.

Si sillen nëpunësit e shtetit dhe autoritetet e sigurimit publik, sipas Azizit?

“Këta popullin e keqpërdornin dhe e vidhnin… Tani populli është i preokupuar vetëm me mejtimin se ku shkon Atdheu dhe cila është e ardhmja e tij…”

Ndërsa përkrahen të korruptuarit “Patriotët jo vetëm i kishte lënë pas dore por edhe i ndiqte me anën e afijeve dhe me anën e miqve të tij antikombtarë”.

Burimi i gjithë të këqijave është politika antikombëtare, prandaj ai denoncon hapur politikën e pushtuesit dhe qeverisë kur thotë:

“Thatë atëherë se Shqipëria ishte shtet indipendent dhe me statut që e cakton shprehimisht indipedencën dhe individualitetin e tij. Do të kishte Gjindërmari, Polici e Administratë krejt shqipëtare. Priti që të shihte këto por nuk i pa…

Kam pasur bashkëkfjalime me persona të njohur dhe në kohërat e kaluara, persona prej qytetit të Korçës dhe prej katundeve. Që të tërë më kanë shfaqur një mosbesim sepse presin vepra që të garantojnë indipedencën dhe ekzistencën e Shqipërisë”.

Në radhë të parë e mbi të gjitha ne kuptojmë shpirtin atdhetar dhe preokupacionin e tij për t’i shërbyer vendit të tij. Ai i shkruan Kryeministrit Mustafa Kruja jo me cilësinë e ofiqeve që mban si kuestor dhe me gradën major, por me cilësinë e një atdhetari me emrin Azis Çami.

Aftësia e lartë e arsyetimit të Azis Çamit dhe vlera e konkluzioneve të tij qëndron në faktin se ai arrin në përfundimin se ai nuk flet e ngre shqetësime për Korçën por “kështu është në tërë anët e Shqipërisë, jam i sigurtë se në këto mënyra veprohet”.

Për Zef Kadarenë Azis Çami shkruan: “Indiferencën e sidomos zëmërimin e popullit e ka shkakëtuar me teper Zef Kadareja kur qe regjent i Komisariatit të Jashtzakonëshëm. Veprimet e tij kanë qenë, skandaloze, aq imorale dhe aq në kundërshtim me interesat kombëtare sa që duhet të kalojnë shumë kohë që të harrohen”.

Dhe si reagoi qeveria për këtë denoncim skandalos?

Më 22 mars 1942, e ngriti në përgjegjësi: “Z. Zef Kadarja emnohet Inspektor i Përgjithshëm pranë Kryesis së Këshillit të Ministrave. Francesco Jacomonf d. v.”

“Fletorja Zyrtare”, Tiranë, nr. 38, dt. 7.4.1942, f. 4

Karakteri dhe ndershmëria e Azis Çamit, nuk mund të pajtohej e nuk mund të pranonte detyrën e kuestorit, në këtë administratë të pa moralëshme, prandaj ai jep dorëheqjen.

Fjala e fundit e Azis Çmit:

“Tani Zoti Kryeministër e shoh të arsyeshme që t’ju them se qëndrimi jem – këtu në Kuesturë me të tillë elementa dhe të tillë kondita është i kotë. Në qoftë se Zotria Juaj do të mundeni që të më vini në dispozicion, personel shqipëtar e thjesht shqipëtar atëhere marr përsipër

riorganizimin e një policie thjesht shqipëtare, duke marrë përsipër tërë përgjegjësitë ndaj Qeverisë dhe Popullit.

Përndryshe ju lutem të më shkarkoni nga detyra sepse jam i bindur që Qeverisë së Zotrisë tuaj do ti shërbej më mirë si privat se sa si i tillë.

Më shumë do më dëgjohet fjala atëhere se sa tani”.

*

Zef Kadarja (Shkodër, 7 janar 1892 – Tiranë, 13 prill 1945) ka qenë nëpunës karriere, anëtar i Komitetit Administrativ të Përkohshëm pas pushtimit italian. Drejtor i Policisë së Sigurimit Botnor (1940-1942). U dënua me pushkatim nga Gjyqi Special i Tiranës dhe u pushkatua në

vitin 1945.

Musa Kranja ose Kranji (1905-1951) Ish-oficer i xhandarmërisë, kryesues i revoltës së Fierit, 1935, toger në ushtrisë shqiptare, atdhetar dhe i mirënjohur si aktivist të Balli Kombëtarit në Prespë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Kronike

SHARAFANI SI SIMBOL I NDRYSHEMIVE TË REJA NË KOSOVËN E SHEK.XVI

October 28, 2024 by s p

Muhamed Mufaku/

Viteve të fundit kemi libra që tërheqin vëmenje me anë të promovimeve, pa marrë parasysh çfarë vlerë kanë, dhe kemi libra me vlerë që kalojnë në hestje pa hetuar megjithçse autorët e tyre janë historianë të institucioneve tona që njihen jashtë trekëndshi Prishtinë-Shkup-Tiranë. Kështu, është dashur që të kalojnë disa vjet deri kur na erdhi sivjet në Seminarin ndërkombëtar për gjuhë, letërsinë e kulturanin shqiptare historian austriak Oliver Schmit dhe përmendi në një rast tre historianë kosovarë që sjellin risi,në mesin e tyre edhe Ylber Hyën. Kuptohet, Y.Hysa nuk merret me tekste shkollore ose me një temë të sponzuara, por vërtetë merret me gjurmime serioze dhe pasuron historiografinë tonë me kontribute origjinale. I tillë ështe libri i tij “Shafrani në Kaçanik” që doli në Prishtë (Bard Books 2019) me një parathënje të Ag Apolonit dhe mbeti i pahetuar në trekënshëm Prishtinë-Shkup-Tiranë për kundër risive që na sjell.
Siç duket nga tituuli, libri merret me historinë ekomiko-shoqërore dhe kulturore të Kosovës në shek.XVI, përkatësisht me ngritjen e një bërthamë të re ubanistike në jug të Kosovës (Kaçanik) që soli risi me monumente të reja dhe profesione të reja si dhe me elemente të reja në kuzhinën e Kosovës si Shafrani, që ishte i njohur vetëm në sofrat e familjeve të pasura jashtë Kosovës kurse tani në Kaçanik shërbehej falas në sofrat e Imaretit në Kaçanik që e nërtoi Sinan Pashë Topojani (1506-1596),i cili me meritë u quajt “Themelluesi i Kaçanikut”. Sinan pasha ishte ndër figurat e njohur të shek.XVI pasiqë ishte i vetmi që zuri pesë herë postin e sedriazemit më Perandorinë osmane dhe ishte vali në disa vende në Lindjen e mesme (Egjipt,Siri etj) ku la shumë vepra monumentale duke përfshirë edhe dy qytete në Siri (Kutajfa në Veri të Damaskut dhe Sa’sa në jug të Damaskut).
Si i tillë, Sinan pasha tërhoqi shumë vëmendje të historianëve në mesin e tyre edhe historiani francez Jean Paul Pascual , i cili ia kushtoi atij një hapësirë të madhe në librin e tij për zhvillimin e Damasku në shek.XVI që u botua më 1985. Libir i Y.Hysës duket si version kosovar për Kaçanikun sepse të dy historinët kanë një qasje metotologjike: të ndriçhoet historia ekonomiko-shoqërore dhe kultuore në bazë të dokumentëve të vakëfit. Mirëpo, pioneri i kësaj qasje te ne ishte Hasan Kaleshi (1922-1976), i cili u dokturua më 1960 dhe disertacioni i tij ( që botua në Prishtinë më 1973 dhe 2012) na inspiroi herët me këtë qasje të re në studimet tona. Vetë Y.Hysa u mbështet në studimin e Kaleshit “Veziri i madh Koxha Sinan pasha, vakufet e tij dhe vaukufnamat e tyre” që u botua më 1965 në revistëm Gjurmime albanologjike, ku përmban një botim kritik të vakufnamën që ka të bëjë me Kaçanikun që u legalizua më 23 korrik 1586. Vërtetë,Y.Hysa e trajtoi këtë temë në librin “Shqiptarët dhe të tjerët”(2009), kurse tani e trajton në mënyrë më të gjerë duke ubazuar në burime dhe stidime në gjuhë të ndryshme (shqip, serbokroatisht, anglisht e gjermanisht) për ta na sjell një histori më ndryshe të Kaçanikut.
Qysh në fillim të librit (f.9) Y.Hysa nuk mohon se ai nuk është i parë po merret me vakëfin e Sinan pashës në Kaçanik, por ai e trajton më ndryshe nga se është fjala për një vakëfin që na soli të vetëmën “fortifikatë-qytet e mdërtuar nga themelli në Kosovë gjatë sundimit osman”, për çka ështuë ruajtur vakufnamja e tij (e legalizuar më 23.7.1586) që “zbërthen shumë fakte nga natyrza historike, juridike, ekonomike dhe kulturore”.
Më tutje, autori flet gjerë e gjatë për themelluesin Sinan pashë Topojani (1506-1596), duke e dalluar atë nga Sinanë pashë Vila (të dytë nga Luma) që e ngriti i një vakuf në Prizren me xhaminë e bukur që e dallon edhe sot qytetin, e duke treguar karrierën e pasur si komadant ushtarak, si vali në disa vende e si vetmi njëri që u bë 5 herë vezir i madh (sedriazem) në Perandorinë osmane duke lanë shumë monumente në disa vende.
Nga ana tjetër, në kaptinën “Dy kaçanikat”, që reflektojnë tani “Kaçanikun e vjetër” dhe “Kaçanikun e e ri” autori vë në pah disa gjurmë dardane e romake për rreth, e sidomos kalldërimi romak në gryekë të Kaçanikut dhe stacioni romak në Kaçanikun e vjetër. Mirëpo, Sinan pasha për kala-qytetin e ri shkoi më poshtë, atje ku takohen Nerodima dhe Lepenci dhe ku fillon gryeka që ndan Sharrin nga Karadaku. Y.Hysa vëren si kjo pozitë e re reflekton sensin stratigjik të Sinan pashës si komdanti i burrështeti sepse gryeka dominon një segment me rendësi të rrugës së vjetër Nish-Shkup që vazhdon deri në Selanik. Duke u mbështetur në shënimet e udhëtatarit francez Ph.Caney nga 1579 del se atje kalimi i kësaj rruge ka qenë shumë i rrezikshëm për udhtarët dhe tregëtarët, ndaj u ndie nevoja për një ndërmmarje të këtillë që do ta sjellte sigurimin për këtë rrugë rajonale dhe lulëzimin e vendbanimit të ri.
Për vendbanimin e tij autori kishte një burim të dorës së parë (vakufnamën), që tregon të gjitha objeltet e reja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore që u ndërtuan atëherë dhe u bënë bazë e qytetit të ri.
Për të kuptuar më mirë natyrën e vakëfit duhet të kemi parasysh se vakëfi përbën dy llojë objekte: objekte që ofrojnë shërbime falas popullsisë (xhamia, medresja, teqja, hani, imareti/kuzhina popullore etj) si dhe objekte ekonomike që shfrytëzohen me qira dhe mbulojnë shpenzimet e objekteve të para. Kështu, në bazë të këtij burimi del se Sinan pasha ndërtoi në Kaçanik dhe rreth tij : një xhami, një medrese, dy hane, një hamam, një imaret, 27 mullijn e tjera. Në këto objekte tani u paraqiten 37 profesione të reja me 60 punojnës që i prezenton veç e veç autori me pagat e tyre (f.57-60).
Në mesin e ktyre objekteve kemi pasur një risi : imareti ose kuzhina pupullore që ofronte ushqim falas dy herë në dite studentëve,të varëfërve në Kaçanik e rrethin, punojnësëve në objektet e reja si dhe udhëtarëve që ndalen e pushojnë në Kaçanik. Ky institucion i ri, që u paraqit më herët në Shkup dhe ishte i pari në Kaçanik/Kosovë, tërhiqte interesimin e udhëtarëve evropinanë pasiqë që gëzonin ushqim falas dhe më ndytshe.
Mu për këtë, Y.Hysa përqendrohet me anë të ktij institucioni të ri në ndryshimet e reja në kuzhinën e Kosovës me elemente të reja që u bënë të përhershme, prej nga është edhe titulli i këtij libri. Një prej këtyre elementeve është orizi që jo vetëm që u konsumua në Kosovë por edhe u kultivua më vonë në Ballkan, për çka flet gjatë autori në kaptinën “Orizi si udhqim stratigjik”(f.97-100). Nga ana tjetër, risia tjetër ishte paraqitja e Shafranit në ushqimin e afruar në imaretin e Kaçanikut që reflektonte një domethënje të madhe, sepse shafrani ishte simbol i sofrave të familjave të pasura në Orient dhe më vonë në Evropë, kurse tani ai ofrohej të gjithëve falas me embëlsirën e quajtur Zerde, me origjinë nga Persia, në të cilën shafrani është esenca e dukja e saj, për çka flet autor më shumë në kaptinën “Zerde më shumë se ëmbëlsirë”.
Më këto të dhëna domethënse mund të themi se në këtë libër të Y.Hysës nuk kemi tema të mëdha të stërpërsëritua por ai përqendrohet në një hapësirë të vogël (Kaçaniku) me një qasje të re (në bazë të vakufnamës të 1586) për ta parqitur një histori më pak të njohur për gjeneratën e re të historianëve.

Filed Under: Histori

Kombi ka me jua dijtë për nder tanë jetën…

October 28, 2024 by s p

Frano Kulli*/

Fort i dashur dr. Paulin Marku, të nderuar ju pjesëmarrës në atë takim të të rrallë e të veçantë ! Urime me gjithë zemër për shkollën shqipe që pagëzoni sot atje në Amerikë!

Hapja e një shkolle shqipe në Long Island, NY, pa mëdyshje është ngjarje, është një ndër lajmet më të mira që vjen këto ditë nga përtej Oqeanit këtu në Shqipërinë tonë të vogël. Një ngjarje, që jam i sigurtë se përhap gëzim e kënaqësi kudo në shqiptari.

Dr. Paulin Marku, njëri prej studiuesve të spikatur shqiptarë me kontribute të veçanta në fushën e albanologjisë është edhe themeluesi i kësaj shkolle, së bashku me zonjën e tij Fabjola Gjinaj. Shumë urime për këtë sipërmarrje pasionante me rëndësi kombëtare. Hapja e një shkolle kërkon, me të vërtetë pasion të madh. Porse, një shkollë shqipe në Amerikë, si edhe kudo në Evropë, kërkon pasion e përkushtim të madh, e kur ajo bahet realitet është edhe mision. Mision rrezatues.

Shkollën shqipe, Paulini e Fabjola e kanë pagëzuar me emrin “Gjergj Fishta”. Meritueshëm e bukur, sa s’bahet.

Fishta, ashti i shqiptarisë, Poeti ynë kombëtar, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare për një gjysmë shekulli, akademik por edhe mësues e pedagog, qysh në vitin 1902, në liceun françeskan, që drejtonte vetë pati futë për herë të parë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, kur gjuha zyrtare e shkollës deri atëherë ishte italishtja. Por, për herë të parë, gjithashtu, në sallat e asaj shkolle, shfaqjet filluan të jepeshin vetëm në një gjuhë për një publik të gjanë që ishte gjuha shqipe, pra. E kjo ndodhte atëherë kur Shqipëria ishte ende një cep i Perandorisë Osmane dhe vetë gjuha shqipe e shkruar ende e pa formësuar. Më vonë, pas gati 30 vjetësh kur shkollën ia mbyllën, atë shkollë që tashmë ishte, përpos se qendër mësimi e dijeje, ishte edhe qendra më e rëndësishme e kulturës së shkruar kombëtare shqiptare, ai ngulmoi me vullnet të paepur deri në Gjykatën e Lartë Evropiane dhe ia mbërriti ta rihapte liceun e famshëm Ilyricum.

Me 1917, kur do të botohej “Juvenilia” e sivëllaut të tij Poet, Ndre Mjedja ai do të shkruante: “…Prandej kjo veper ka me qenë domosdo e nevojshme me u perdorue nsi tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheut ka me ja ditë per nder mundin qi ka hjekë në perpilim t’ksaj vepre”.

Fort i dashtun dr. Paulini! Unë mendoj e kam bindjen e plotë se shkollat shqipe në diasporën tonë sot, si kultivueset e gjuhës së shkruar shqipe, janë e vetmja shpresë që nuk kanë me e lanë me u shprishë kombin tonë. Globalizmi që po dominon sot boten mbarë, e kërkon si imperativin parësor mbrojtjen e ruajtjen e gjuhës sonë sot, si elementi ma i rëndësishëm i identitetit tonë. Nuk kishte me qenë trashëgimi e pasuri më e madhe për brezin e ri që jeton sot në diasporë e brezat që do të vijnë sesa ruajtja e kultivimi i gjuhës shqipe. Po ku ma mirë, mund të ruhet e kultivohet ajo se sa në shkollat shqipe.

E ju që po bëni të mundur këtë, kombi ka me jua dijtë për nder tanë jetën.

*Letër përgëzimi me rastin e hapjes së shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, Long Island, New York.

Filed Under: ESSE

SOFRA SHQIPTARE NË SHTËPINË E BEN PLLUMAJ NË MICHIGAN

October 28, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Zemra e bardhë dhe shpirti fisnik i Ben Pllumaj hapën dyert e mikpritjes, duke ftuar e mbledhur në sofër miq të nderuar në zemër të Michiganit. Eh moj Shkodër ta marrsha t’keqen! Sa fisnikëri ke mbrujtur në brumosjen dhe formimin e bijve të tu, të lindur e rritur në djepin e kulturës tënde mijëravjeçare.

Ishin këto mendimet që më erdhën në mëndje sapo zbrita nga makina në oborrin e vilës së z. Ben Pllumaj për t’iu bashkuar darkës bujare të shtruar në nder të kremtimit të Natës së Zojës së Shkodrës, si dhe nderimit të vizitës baritore të Arqipeshkvit të Dioqezës Shkodër – Pult, Monsinior Anxhelo Masafra në Michigan, i ftuar nderi në këtë sofër bujare.

E quaj veten të privilegjuar pse jo edhe të vlersuar që mes këtij rrethi të ngushtë miqësor, intelektualësh dhe përfaqësuesish të disa prej institucioneve komunitare më me zë të kësaj kohe, laike e fetare, bashkë me përfaqësuesit e mediave lokale të Michiganit, isha ftuar edhe unë që të merrja pjesë.

Në shtëpinë e zotit Pllumaj u shtrua një sofër tipike shqiptare, e cila pasqyronte të gjitha karakteristikat dhe virtutet tradicionale të bujarisë shkodrane, modelin e fisnikëve mbretërorë në kalatë e lashta ilire, të cilët dikur motit shtronin gosti festive për miqtë që kishin për kokë. Por kot nuk thonë miqësia e vjetër, si vena e vjetër, që veç i rritet vlera në të shijuar e në të vlerësuar.

I tretur në këto mendime, bashkë me të ftuarit e tjerë, hymë brenda të shoqëruar me nderim e respekt të jashtzakonshëm nga i zoti i shtëpisë dhe familjarët e tij. Në ngrohtësinë e fjalëve mikpritëse “Mirë se erdhët! Shpia e Zotit dhe e mikut” hymë brenda në një sallë të madhe të mbushur plot me miq.

Sigurisht që unë nuk e kam të mundur t’i përmbledh të gjitha sukseset e këtij shkodrani që bëri dhe po bën emër në Amerikën e Largët, por e quaj veten me fat që që kam qenë i ftuar në disa edicione në Festivalin Shqiptaro-Amerikan në Detroit, ku z. Ben Pllumaj ka qenë drejtor i këtij festivali që si qëllim ka pasur bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një proces që ka nisur prej vitesh në këtë komunitet, ku arti dhe kultura, kombi dhe flamuri, janë rruga e bashkimit kombëtar, jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë brezat e ardhshëm shqiptaro-amerikan.

Si i pranishëm, por dhe si skenarist, konstatova më së miri se ky mesazh ishte edhe shprehje e atij programi që shqiptarët e formulojnë dhe zbatojnë si asnjë Komb tjetër në Botë, sepse në atë komunitet pamë cilësi të jashtëzakonshme të Kombit Shqiptar, bashkëpunimin në mes të Kishës Katolike Shqiptare, të Kishës Ortodokse Shqiptare, Qendrës Islamike Shqiptare, Qendrës së Bektashive Shqiptarë, televizioneve shqiptare, si dhe organizatave, shoqatave dhe bizneseve, që të gjitha shqiptare.Kjo marrëdhënie në emër të Kombit na bën krenar për bijtë tanë kudo që janë.

Z. Ben Pllumaj, në nderim të Natës së Zojës së Shkodrës, shtroi një sofër të madhe ku i bashkoi të gjithë. Arqipeshkëvi i Dioqezës Shkodër – Pult, Monsinior Anxhelo Masafra, i ftuar nderi në këtë sofër bujare nga vetë z. Ben Pllumaj, Dom Fred Kalaj, Famullitar i Kishës së Shën Palit, Dom Dino Çekrezi, Famullitar i Kishës “Zoja Pajtore”, Babai i Teqes Bektashiane, Elidon Pashaj, nën Kryetari i “Vatrës” z. Alfons Grishaj, Drejtori i Degëve të Vatrave në Amerikë z. Mondi Rakaj, si dhe Drejtori i Televizionit ALBTVUSA z. Gani Vila, etj., të cilët zunë vënd pranë njëri-tjetrit sikur të ishin miq prej vitesh. Respekt i peshuar në vlera dhe dinjitet njerëzor, e mbi të gjitha thellësisht shqiptar, të cilin e mishëronte secili prej miqve të pranishëm.

Një mikpritje dhe respekt të tillë e gjen kudo në familjet shqiptare, por me miq dhe personalitete të tilla të rastisë rrallë të darkosh, për vetë faktin se larmia e bisedave ishte në nivele të larta jo vetëm miqësore e vëllazërore, por edhe intelektuale, pasi secili prej nesh kishte kuriozitet për punën dhe aktivitetin e tjetrit. Kureshtje e cila do të thoja se është me interes edhe për lexuesit, ndaj për kënaqsinë e tyre po i pasqyrojmë në këtë shkrim.

Michigan

Tetor 2024

Filed Under: Komunitet

Familja Pani, një jetë për mëmëdhenë

October 28, 2024 by s p

Vatra Boston/

Në sallën e Kishës Ortodokse Shqiptare Shën Maria në Uster, sot kujtuam veprimtarinë dhe patriotizmin e familjes Pani në Boston. Me iniciativën e Shoqërisë Dardhare “Dardha Society” dhe të sponsorizuar nga trashëgimtarët e familjes Pani, vatranët z. Vasil dhe z. Andrea Pani, si dhe nga “Bruko Broadcast Radio”, u shfaq dokumentari i “RTSH Korça” me temë “Pan Patriotizmi Shqiptar.”

Dokumentari, që për mbi një orë tregoi historinë e familjes Josif, Vasil e Sotir Pani, të cilët dhanë një kontribut të madh për çështjet kombëtare në Shqipëri dhe Amerikë!

Gjatë këtij eventi, shumë veprimtarë të çështjes kombëtare kujtuan edhe momente dhe kujtime me Sotir Panin.

Në emër të VATRËS, dega Boston, përshëndeti kryetari z.Mentor Maksutaj, i cili gjithashtu foli edhe në emër të kryetares së VATRES dega Uster, znj. Efi Qeleshi. Z. Maksutaj vlerësoi figurat e familjes Pani dhe kontributin e tyre në çështjet kombëtare dhe VATËR, si dhe përmendi pasardhësit e tyre, Andrea dhe Vasil Pani, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë në degën e VATRES në Boston.

Nga ana tjetër kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha dërgoi një telegram përshëndetës në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra dhe të gazetës Dielli duke theksuar se Familja Pani nga Dardha e Korçës është ndër familjet më të shquara patriotike shqiptare që i kanë dhënë shumë atdheut dhe komunitetit shqiptar në Boston.

Nga dega e VATRËS në Boston ishin të pranishëm kryetari z.Mentor Maksutaj, sekretari z.Flamur Vezaj, anëtarë të kryesisë znj.Edlira Çako, z.Petrit Alibeaj e z.Subi Çako si dhe vatranët Fuat Memelli e Artur Vrekaj!

Eventi u moderua nga dardhari Kristi Melka, ndërsa dokumentari ishte ideuar dhe realizuar nga vatran dhe veterani i gazetarisë, Fuat Memelli, dhe gazetarja Eriona Pambuku.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 679
  • 680
  • 681
  • 682
  • 683
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT