• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

144 VJETORI I PUSHTIMIT TË ULQINIT NGA FUQITË E MËDHA EUROPIANE PËR T’IA BASHKËNGJITË SHTETIT “KOPIL” TË MALIT TË ZI, QË “LINDI” NGA FLIRTET DASHURORE TË EUROPË PLAKË ME RUSINË

November 27, 2024 by s p

(26 nëntor 1880-26 nëntor 2024).

NGA NDUE BACAJ

Kongresi I Berlinit dhe fuqitë e mëdha Europiane kishin vendosur, me pa të drejtë të zgjeronin me troje etnike shqiptare, principatën e ardhacakëve të Malit të Zi, të zbritur sëvoni nga Uralet. Meqense projektet e para të kongresit të Berlinit dhe fuqive të mëdha të Europës dështuan në dorzimin Plavës e Gucisë, si dhe të Hotit e Grudës e më gjërë, për shkak të mbrojtjes heroike që u bënë shqiptarët trojeve tyre. Në këto kushta ata vendosen që në vend të këtyre trojeve, Malit të Zi t’i japin Ulqinin, Ulqinin historik të banuar prej mijëra vitesh nga banorët autokton Iliro-Shqiptar. Mjerisht edhe pushtuesi shekullor turko-osman u ishte bashkuar këtyre vendimeve të padrejta të fuqive të mëdha, të cilët sëbashku kishin vendosur dorzimin e Ulqinit duke përdorur edhe forcat e tyre ushtarake kundër mbrojtësve shqiptar të trojeve të tyre. Shqiptarët e Ulqinit, Shkodres, Malësisë Madhe e më gjërë nuk ishin dakord me këto vendime famëkëqia antishqiptare, të atyre që kishin forcën, por kurr të drejten. Për t’i dalur para kësaj fatkeqësie kombëtare, shqiptarët që me 10 qershor 1878 kishin organizuar e themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila do të merrte trajtat e një qeverie mbarëkombëtare shqiptare,si dhe kishte themeluar degët e saja thuajse në të gjitha trojet etnike shqiptare, por edhe kishte bërë organizime ushtarake në mbrojtje me psuhkë të këtyre trojeve. Kjo mbrojtje me armë ishte shoqërar gjithnjë edhe me protesta, kërkesa e memorandume (lokale e kombëtare) që u drejtoheshin kongresit të Berlinit e fuqive të mëdha Europiane, por ato gjithnjë jo vetëm heshtnin por, Fuqitë e Mëdha që nga qershori i vitit 1880 i kishin kërkuar Portës së Lartë t’i dorzonte Ulqinin Malit të Zi, duke përdorur edhe armët kundër shqiptarëve. Madje e kërcënuan se do të zhvillonin një demostratë detare në bregdetin shqiptar. Nga ana tjetër, Lidhja Shqiptare dhe kuvendet e saj i kishin përsëritë disa herë Portës së Lartë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur Ulqinin. E ndodhur në një presion të dyfishtë, Porta e Lartë në fillim bëri përpjekje duke pëdorur të hollat, premtimet dhe kërcënimet, për t’i bindur shqiptarët që të hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur, por nuk ia arriti qëllimit. Duke iu përgjigjur thirrjes së Lidhjes , forcat vullnetare, nën drejtimin e Isuf Sokolit, Haxhi Mehmet Becit, Mehmet Gjylit etjerë, rrethuan Ulqinin, e shtinë në dorë atë dhe deklaruan se do ta mbronin deri në fund. Ushtria osmane u detyrua të largohej nga Ulqini… (Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.107, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994).
Për të perkujtuar sado pak ditët fatkëqia që para 144 viteve fuqitë e mëdha Europiane me Malin e Zi, pushtuan e na grabitën me forcën e armëve Ulqinin, mendova të kujtoj së pari luftën me pendë të trimave mbrojtës të Ulqinit, e pastaj luftën me armë, siç u a kishin bërë të ditur fuqive të mëdha Europiane në protestat, kërkesat e memorandumet e tyre…

“LUFTA ME PENDË” NË MBROJTJE TË ULQINIT!
15 SHTATOR 1880 KOMITETI I LIDHJES SHQIPTARE NË ULQIN:

Protestë Konsullatës Austro-Hungareze në Shkodër, kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për t’ia lëshuar Malit të Zi, qytetin e Ulqinit. Komiteti Deklaron se populli do t’a mbrojë atdheun e vet me luftë deri në vdekje. Në këtë protestë ndër të tjera shkruhet: “… Me hillërim mësuam se është vendosur që t’i jepet Malit të Zi atdheu ynë i shtrenjtë, qyteti i Ulqinit dhe se lidhur me këtë, në ditët e ardhshme do të vijë në ujrat e Ulqinit flota e Fuqive të Mëdha europiane për të pushtuar qytetin e Ulqinit dhe për t’ua dorzuar malazezve. Por popullsia e vuajtur , e cila prej kaq shekujsh ka qenë në sundimin e shtetit Osman dhe që ndryshon prej malazezve nga mënyra e jetesës, nga veshjet, nga gjuha, zakonet dhe besimi, e gjitha, në mënyrë të njëzëshme, preferon më mirë të zhduket duke u flijuar se sa t’i nështrohet administrates barbare të Malit të Zi… Prandaj në rast se Brenda kufijve tanë ndodhë ndonjë konflikt midis ushtrisë sonë që është grumbulluar dhe ushtrisë të Malit të Zi, atëherë përgjigjësia do të bjerë mbi ata që janë shkaktarë, mbi malazeztë. Ju lutemi me lotë në sy që të zgjidhet kjo çeshtje drejt dhe sa më parë, duke na lënë (njohur) të drejtat tona të lashta dhe shpresojmë se të gjithë ne nga shteti juaj me rastin e paraqitjes së kësaj proteste… Më 3 shtator të vitit 1296 (15 shtator 1880).

Nënshkruajnë Protesten: Myderizi i qytetit të Ulqinit-Salih Efendi, Komandanti i ushtrisë së Lidhjes së Ulqinit-Mehmet, Kryetari i Lidhjes së Ulqinit-Qerim, antarë…. Kasem, Selim…, Nga paria e Ulqinit…., Jusuf Rexhep, Ahmet, Mustafa. Nga personeli i administrates së qytetit: …. Sulejman, Ali Abdi, ….. Mustafa, Mahmud, Osman, Osman, B.H. F.C.,… G.N., C.P… (HHStA, PA, Mali i Zi, çeshtja e Gucisë,XVII/40, shtojcë e informacionit të konsullit austro-hungarez në Shkodër nr.105, date 19 shtator 1880; AIH, mf. A-741, f. 94; Xh.Belegu, v.p. f.121-122, përkthyer nga orgjinali turqisht. Akte te Rilindjes Kombetare Shqiptare 1878 – 1912 , fq.113, perg.nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, botim i Akademise se Shkencave…Instituti i Historisë).

Përsëri rreth një muaj para pushtimit të Ulqinit nga ushtritë e fuqive të mëdha dhe me ndihmen e perandorisë pushtuese turke-osmane, Komiteti i Lidhjes të Ulqinit u drejton një Protestë konsujve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, kundër vendimit të qeverisë osmane për të derguar forca ushtarake për dorzimin me dhunë të Ulqinit, Malit të Zi. Komiteti deklaron se popullsia do ta mbrojë me luftë atdheun e saj. (Më hollësisht shih: Akte te Rilindjes Kombetare Shqiptare 1878 – 1912 , fq.117). Me 16 nëntor 1880 Komiteti i Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e Ulqinit, (11 ditë para pushtimit të Ulqinit), u drejton një Protestë konsujve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, kundër masave ushtarake të Dervish pashës për t’ua dorzuar me dhunë Ulqinin Malazezëve. Gjithshtu Komiteti deklaron se popullsia do ta kundërshtojë atë me luftë deri në vdekje. Në këtë Protestë thuhet: “Edhe në një rast të më parshëm ju kemi paraqitur dhe kumtuar çeshtjen se në bazë të beslidhjes së lidhur ndërmjet nesh , muslimanëve dhe jomuslimanëve, do të kundërshtojmë cilindo që të vijë për t’u dorzuar malazezëve atdheun tonë të dashur, qytetin e Ulqini, dhe do të luftojmë derisa të shuhemi të gjithë me gra e fëmijë. Këtë herë shkelqësia e tij Dervish pasha me një numër të madh batalionesh po marshon kundër nesh, dhe, duke mbyllur të gjitha rrugët midis Ulqinit dhe Shkodrës, ka ndaluar qarkullimin e udhëtarëve dhe i ka kthyer ata prapa. Në qoftëse Dervish pasha vihet në lëvizje me batalionet e ushtrisë perandorake që ka në dispozicion dhe sulmon kufijët e Ulqinit për t’ia dorzuar atë malazezve, është e kuptueshme se ne do të ngrihemi patjetër dhe me ndihmën e Zotit do ta dëbojmë dhe do ta ndëshkojmë atë me luftë. Gjithashtu parashikohet se ndalimi i kalimit të udhëtarëve nëpër rrugët që ai ka mbyllur, do të ketë si pasojë gjëra të papërshtatshme dhe do të krijojë situatë të vështira deri në luftime me armë. Prandaj ne e lajmruam zyrtarisht shkelqësinë e tij se për këto arësye përgjigjësia dhe mëkati në këtë botë dhe në atë të përtjemen do të bjerë mbi atë. Këto po jua njoftojmë edhe shkelqësive tuaja me qellim që të jeni dëshmitarë në rast nevoje. Kjo protestë dërgohet në emër të Komitetit të Lidhjes së Ulqinit (vula), 16 nëntor 1880 (4 teshrini sani 1296). (HHStA, PA, Mali i Zi, çeshtja e Gucisë, nëntor 1880, XVII/43, shtojcë e informacionit të konsullit austro-hungarez në Shkodër Lipih nr.137, date 19 nëntor 1880; AIH, mf. A-742, f.112-114. Përkthyer nga orgjinali turqisht. Akte te Rilindjes Kombetare Shqiptare 1878 – 1912 , fq.118). Përpara se të kujtoj pak nga historia e betejave luftarake të shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre etnike nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mendova të citoj dy personalitete britanike, se si ata e konsiderojnë krijiminin e një Shqipërie të bashkueme e të pavarun në vitet e Lidhjes së Prizrenit: Ambasadori britanik në Stambollë, Lord Goshen, i shkruante ministrit të jashtëm në Londër: “Po të krijohet një Shqipni e pavarun atëherë ndonjë fuqi europiane, nuk do të ketë arësye mjaft të fortë me okupua tokat në rast se shkatërrohet perandoria otomane. Me krijimin e një Shqipnie të bashkueme , Gadishulli i Ballkanit do të jetë në duart e popujve që e banojnë atje…. Në përfundim mund të them se një komb shqiptar i bashkuem dhe i lirë do të paksojë për së tepërmi mundësinë e ndërhyrjes së Europës në punët e shteteve të Ballkanit”… Po ky ambasador (Lord Goshen) i shkruante përsëri ministrit të jashtëm, Lord Granville në Londër në vitin 1880: “Shqiptarët, një racë e vjetër që dallohen nga çdo pikpamje prej racave fqinje, kanë vezhgue me pezmatim se si gadishulli Ballkanik është nda pjesë-pjesë në mes të popujve që e banojnë…. Nga ana tjetër shqiptarët kanë konstatue me dëshprim se parimi i të drejtës të vetvendosjes të kombësive nuk është zbatue me rastin e tyne. Të drejtat e tyne janë marrë nëpër këmbë. Tokat e banueme nga shqiptarët i janë dhurua Malit të Zi që ka Rusinë si mbrojtëse, dhe Greqisë që perkrahet nga Britania e Madhe dhe nga Franca. Duhet evitue tash e mbrapa çdo masë që mund të pengojë formimin e një province shqiptare të vetqeverisun..”… (Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.176-177, botues Phoenix-shtëpia e librit, botim i dytë 1998, me reference të njerrë prej librit të J.Swire “ALBANIA, The Rise of a Kindom”).

PAK NGA LUFTA ME ARMË PËR MBROJTEN E ULQINIT

Fuqitë e Mëdha për me gjetë një zgjidhje tjetër ngarkuan kryekonsullin e Austrohungarisë dhe konsullin e Anglisë në Shkodër, për të caktuar një krahinë tjetër në vend të Hotit e Grudës. Këta dy përfaqësues mbas vezhgimeve e bisedimeve që bënë , mbetën dakord që në vend të Grudës e të Hotit t’i japin Malit të Zi, Ulqinin me rrethet deri në Bunë!. Në rast kundështimi prej shqiptarëve, me i ndihmua Malit të Zi me disa anije luftarake… Dega e Lidhjes së Prizrenit në Shkodër u zotua për mbrojtjen e Ulqinit, ku përveç forcave të veta u dergoi telegrame Durrësit, Tiranës, Kavajës për me çua fuqi ushtarake në mbrojtje të Ulqinit, gjithashtu dha kushtrimin edhe në Malësi. Meqense në mes antarëve të Degës së Lidhjes në Shkodër kishte ndryshime mendimesh përsa i përket mbrojtjes të Ulqinit me pushkë, pjesa më luftarake kërkonin me u qëndrua vendimeve të marrura për mos dorzimin e asnjë pëllëmbe vend nga tokat shqiptare. Në këtë mosmarrveshje u zhvillua një mbledhje në shtëpinë e Haxhi Nag Drishtit në lagjen Dudas. Në këtë mbledhje u vendos përsëritja e besës së dhanë për mbrojtjen e trojeve shqiptare…. Mbasi Hodo Begu nuk u lejua nga turqit për të qenë komandant i forcave vullnetare të Ulqinit, Dega e Lidhjes zgjodhi në vendin e tij Jusuf agë Sokolin. Ky u vu në krye të 300 shkodranëve, me të cilët u bashkuen rreth 300 luftëtarë ulqinakë me prijës Haxhi Mehmet Becin, Haxhi Bet Gjylin e ndonjë tjetër, të cilët e mbajtën këtë fuqi luftëtarësh me shpenzimet e veta. Fuqia shkodrane shtohej për ditë, shkuan atje edhe Bektash agë Kazazi, Himë Kastrati, Abdyl Hoti, Pjetër Çeka, Gjon Deda etjerë… Edhe Prizreni i njoftoi Degës së Shkodres telegraisht se po i dërgonte 1200 vetë, kurse në realitet ata nuk qenë më tepër se 280 vetë. Kur turqit u informuan mirë mbi dërgimin e një flote luftarake ndër ujrat e Ulqinit nga pushtetet e Mëdha , i dhanë një rëndësi të veçantë çeshtjes. Për me bindë shqiptarët se ajo do të përdorte forcën në rast kundështimi, dërgoi një Komisar të naltë, një pashë. Për këtë mision u zgjodhë Marshalli Riza Pasha, i cili solli me vete 2000 ushtarë e 900 rekrutë. (Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet, fq.431-434-435, vëll.I. Shkoder -1998).
Por me gjithë keto masa mbrojtësit e Ulqinit nuk po tërhiqeshin, madje ata po shtoheshin dita ditës, nga qindra në mijëra vullnetarë, jo vetëm nga Ulqini me rrethinat , por edhe nga Shkodra, Malësia dhe trojet të tjera etnike shqiptare. Në këto kushte Fuqitë e Mëdha Europiane e humbën durimin dhe në fillim të shtatorit , sipas marrveshjes që kishin, luftanijet e tyre u mblodhen në Raguzë. Austria dhe Anglia dërguan nga katër luftanije, Franca tri, Italia tri, Gjermania një e Rusia dy luftanije. Kjo fuqi detare u vu nën komanden e admiralit anglez Seymur. Flota me 20 shtator 1880 arriti në Ulqin, këtu qëndroi dy muaj pa ba asnjë veprim. Gjatë kësaj kohe Porta e Lartë kishte zevendësua edhe Riza Pashën me marshallin Dervish Pasha që kishte në dispozicion 21 batalione me 10.000 ushtarë… Dervish Pasha erdhi në Shkodër me 3 nëntor 1880, dhe të nesërmen takoi trupin kosullor. Ndërsa mbas dy ditëve që erdhi thirri Këshillin e Degës së Lidhjes dhe disa nga të parisë së vendit. Dervishi në tavolinen e tij , kishte vendosë dy revole, me të cilat mendonte ta trembte parinë e Shkodrës… Ndërsa po i kërcnonte të ftuemit për mos dorzimin e Ulqinit , njëri nga antarët e komisionit, Selim Efendi Çoba sillet dhe i thotë: “Pasha, në qoftëse keni ardhë me u vra me ne , as na nuk jemi pa gja në brez po qe se dëshironi provohena; prandaj të lutem , mbaje pak gojen e të merremi vesh pa u zemrue”. Pas këtyre fjalëve burrnore Pasha e ndryshoi bisedën dhe taktin e të folunit. Me 12 nentor (1880) përsëri Pasha, e thirri parinë e vendit, perveç këtyre ai ftoi edhe nëpunësit dhe oficerët që të bashkëpunojnë për përfundimin e dorzimit të Ulqinit Malit të Zi. Mirpo Paria nuk iu pergjigj aspak asaj thirrje. Dervish pasha si e pa se nuk ishte e mundur me bindë shqiptarët shpalli shtetrrethimin dhe ngriti gjyqin ushtarak. Mbas kësaj shpallje 360 tetovas , që kishin ardhë për mbrojtje e Ulqinit , hapen fjalën që po niseshin për në vendin e tyre, por në anën tjetër gjetën mënyrën dhe shkuan në Ulqin… Dervish Pasha mori masa pergaditore ushtarake për me shkua në Ulqin. Ai urdhëroi të ndreqen anijet për të transportuar trupat e ushtrisë dhe ndërtoi një urë druri për me kalua topat. Me 21 nentor u nis edhe ai vet në Ulqin…. Me 22 nentor, Dervish Pasha dha urdhër të marshonte ushtria për në Ulqin… Shqiptarëve, mbrojtës të Ulqinit u mungonin mjetet e nevojshme për luftë. Atyre u mungonin topat, armët shumica i kishin “kapaklije”, barotin e kishin me pakicë e të keq…. Osman Pasha i dha urdhër ushtrisë të sulmonte , në fillim kjo ushtri u thye, por arriti ndihma tjetër dhe ushtria turke vazhdoi mësymjen. Mbas një luftimi të rreptë mes palëve, llogoret e shqiptarëve u prishen nga të shtënat e artilerisë turke. Shqiptarët , kur e panë se nuk mund t’i bënin ballë fuqisë së ushtrisë turke (dhe asaj të fuqive të Mëdha) u tërhoqën… Me gjithë qëndresën heroike të mbi 3 mijë mbrojtësve vullnetarë shqiptar të Ulqinit, forcat turko-osmane që kishin epërsi të madhe ushtarake, dhe mbeshtetjen e forcave të Fuqive të Mëdha , hynë në Ulqin dhe ua dorzuan malazezëve me 26 nëntor 1880. Dervish Pasha ia dorzoi Ulqinin Bozha Petroviqit, komandantit malaze, i cili me 28 nëntor (1880) në mengjez hyri personalisht në qytetin e Ulqinit. Në këtë luftë shqiptarët lanë dhjetra të vrarë e të plagosur. Edhe Jusuf Agë Sokoli i plagosur në këtë luftë, sapo u suell në Shkodër vdiq… Dervish Pasha , mbasi e kreu misionin e dorzimit të Ulqinit Malit të Zi, u kthye në Shkodër dhe filloi të përndjekë nismëtarët e luftës mbrojtëse të trojeve etnike shqiptare. Nga këta patriot shqiptar arriti të arrestoi Daut Boriçin, Hodo Begun, Jusuf Krajën….. Cufën, Fetah Çelen , Prekë Pashen etjerë, të cilët i internoi në Turqi… (Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet, fq.437-439, vëll.I. Shkoder -1998. Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.108, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994).
Kështu pra , para 144 viteve (26 nëntor 1880) fuqitë e mëdha Europiane na grabiten Ulqinin (si dhe troje të tjera etnike shqiptare) për t’ia dhënë principatës së vogël të Malit të Zi. Në të vertet fuqitë e mëdha tjetersuan troje etnike shqiptare në favor fqinjëve, por nuk munden e as nuk do të arrijnë kurrë të tjetrersojnë autoktoninë etnike Iliroro-Shqiptare të kë tyre trojeve, në favor të ardhacakëve sllav…

Filed Under: Analiza

KUR KOMUNITETI SHQIPTAR FESTONTE DITËN E PAVARËSISË (FLAMURIT) NË AUSTRALINË E LARGËT MË 1945 DHE 1946

November 27, 2024 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Nëntor 2024

Gazetat australiane të kohës kanë botuar dy shkrime mbi festimin e Ditës së Pavarësisë (Flamurit) nga komuniteti shqiptare atje, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqiptarët festojnë festën kombëtare (ditën e pavarësisë)

The Shepparton Advertiser, e martë, 4 dhjetor 1945, ballinë : 

Ishte dëshira e shqiptarëve që të identifikoheshin me bashkëqytetarët e tyre australianë, të mësonin gjuhën, zakonet e tyre dhe të bëheshin australianë të vërtetë, tha Kryetari i Lëvizjes se organizatës shqiptare të Victoria-s, z. Y. S. Birangi, kur të dielën u festua Festa Kombëtare e shqiptarëve.

Më herët, një kortezh patriotësh kishte marshuar nëpër rrugë, i udhëhequr nga grupi i Shepparton-it dhe me grupe që mbanin flamurin australian dhe shqiptar.

Duke lexuar një fjalim të z. Birangi, z. Hetem Sherifi u shpreh se shqiptarët ishin shumë mirënjohës për shtëpinë që u kishte dhënë Australia dhe autoriteteve të rrethit për mundësitë që u kishin dhënë. Ai shtoi se vendet e vogla si Shqipëria kishin vuajtur më keq se shumica gjatë rrugës. Shumë prej tyre kishin dhënë jetën në luftën kundër nazizmit.

Një apel nga z. J. Dobrani nga Shepparton East, për një ndihmë për spitalin Mooroopna mblodhi 50£. Festa përfundoi me këndimin e këngës së Flamurit të Kombit në gjuhën amtare.

Shqiptarët e Perth-it festojnë

The West Australian, e shtunë, 30 nëntor 1946, faqe n°6 : 

Anëtarët e komunitetit shqiptar në Australinë Perëndimore në Perth festuan të enjten Ditën e Pavarësisë Kombëtare me këngë dhe valle. Valltarët në foto janë Nako Sotir dhe Dhosi Vani, të cilët për këtë rast kanë veshur kostumin tradicional (mbi 700 vjeçar).

Filed Under: Fejton

Çdo të thotë armëpushimi në luftën Izrael-Hezbollah?

November 27, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi 

 (Sipas agjencive të lajmeve)

Një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah duket se po mbahet ndërsa banorët u kthyen drejt Libanit jugor, pavarësisht paralajmërimeve nga ushtria izraelite dhe libaneze që ata qëndrojnë larg zonave të caktuara. Nëse qëndron, armëpushimi do t’i jepte fund luftimeve gati 14 muajsh midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Ja çfarë duhet të dini:

1 Çfarë ka në marrëveshjen e armëpushimit? Marrëveshja kërkon një ndalesë fillestare dy-mujore të luftimeve dhe do të kërkonte që Hezbollahu t’i jepte fund pranisë së tij të armatosur në pjesën më të madhe të Libanit jugor, ndërsa trupat izraelite do të ktheheshin në anën e tyre të kufirit. Por zbatimi mbetet i paqartë.

2 Po luftimet në Gaza? Marrëveshja nuk trajton luftën shkatërruese në Gaza, ku Hamasi mban ende dhjetëra pengje. SHBA Presidenti Joe Biden tha se administrata e tij do të bëjë një shtytje të përtërirë për një armëpushim në Gaza në ditët në vijim.

3 Çfarë ndodh nëse prishet armëpushimi? “Nëse Hezbollahu thyen marrëveshjen dhe përpiqet të riarmatoset, ne do të sulmojmë”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu. “Për çdo shkelje, ne do të sulmojmë me forcë”.

Armëpushimi, i cili filloi në orën 4:00 të mëngjesit (02:00 GMT), duhet të ndalojë një luftë që ka detyruar dhjetëra mijëra njerëz në Izrael dhe qindra mijëra të tjerë në Liban të largohen nga shtëpitë e tyre.

Lufta ka parë një pjesë të Libanit të goditur nga sulmet ajrore dhe trupat izraelite të dislokuara përtej kufirit për të luftuar militantët e Hezbollahut.

Filloi me fillimin e sulmeve ndërkufitare të Hezbollahut në mbështetje të aleatit të saj palestinez Hamasit pas sulmit të tij më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit.

Presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi marrëveshjen e armëpushimit të martën, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ministrat e tij kishin rënë dakord për një ndalesë.

Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor dhe mbështetësi ushtarak i Izraelit dhe Biden e përshëndeti marrëveshjen si “lajm të mirë” dhe një “fillim të ri” për Libanin.

Netanyahu falënderoi Biden për përfshirjen e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe tha se kjo do t’i lejonte Izraelit të përqëndrohet në Hamasin në Gaza dhe Iran.

Sipas kushteve të armëpushimit të Libanit, Izraeli do të ruajë lirinë “e plotë” për të vepruar kundër Hezbollahut nëse grupi i mbështetur nga Irani paraqet ndonjë kërcënim të ri, tha Netanyahu.

Libani thotë se të paktën 3,823 njerëz janë vrarë në vend që nga fillimi i shkëmbimeve të zjarrit në tetor 2023, shumica e tyre në javët e fundit kur Izraeli përshkallëzoi fushatën e tij kundër Hezbollahut.

Nga ana izraelite, armiqësitë me Hezbollahun kanë vrarë të paktën 82 ushtarë dhe 47 civilë, thonë autoritetet.

Orët para hyrjes në fuqi të armëpushimit ishin disa nga më të dhunshmet në luftë.

Izraeli kreu një sërë sulmesh në zemër të kryeqytetit libanez të martën, ndërsa Hezbollah mori përsipër sulme në Izraelin verior pas shpalljes së armëpushimit. Hezbollahu nuk mori pjesë në asnjë bisedë të drejtpërdrejtë për armëpushimin, me kryetarin e parlamentit libanez Nabih Berri që ndërmjetësoi në emër të tij.

Përqëndrimi tek Irani

Lufta në Liban e ka lënë Hezbollahun të dobësuar masivisht, por jo shtypur atë . Ai humbi liderin e tij afatgjatë Hassan Nasrallah në një sulm ajror masiv në shtator, si dhe një varg komandantësh të lartë në sulme të tjera.

Një armëpushim në Liban, tha Netanyahu, do të lejojë Izraelin të ridrejtojë përpjekjet e tij në Gaza, ku ka qenë në luftë me Hamasin që nga tetori i vitit të kaluar.

“Kur Hezbollahu është jashtë skenës, Hamasi mbetet i vetëm në luftë. Presioni ynë mbi të do të intensifikohet”, tha Netanyahu.

Marrëveshja gjithashtu do të mundësojë “përqendrimin në kërcënimin iranian” dhe do t’i japë kohë ushtrisë izraelite për të rifurnizuar, shtoi ai. Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut dhe Hamasit, si dhe përfaqësuesve të tjerë rajonalë që pretendojnë se janë në luftë me Izraelin.

Vetë Irani ka gjuajtur dy herë  breshëri raketash dhe dronësh drejt Izraelit që nga shpërthimi i luftës në Gaza, shumica e të cilave u kapën nga Izraeli ose aleatët e tij.

Sulmet e Hezbollahut në veri të Izraelit detyruan dhjetëra mijëra izraelitë të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe zyrtarët izraelitë kanë thënë se po luftojnë që të mund të kthehen të sigurt.

Disa banorë të veriut pyetën nëse kjo do të ishte e mundur nën një armëpushim.

“Për mendimin tim, do të ishte një gabim serioz të nënshkruhej një marrëveshje për sa kohë që Hezbollahu nuk është eliminuar plotësisht,” tha Maryam Younnes, 29 vjeç, një studente nga Maalot-Tarshiha.

E hedhur në erë 

Në Liban, lufta ka detyruar rreth 900,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, thotë OKB.

Biden tha se marrëveshja e armëpushimit ishte projektuar për të qenë një “ndërprerje e përhershme e armiqësive” midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Sipas marrëveshjes, ushtria libaneze do të marrë kontrollin e zonës kufitare në anën e tyre dhe “ajo që ka mbetur nga Hezbollahu dhe organizata të tjera terroriste nuk do të lejohet… të kërcënojë përsëri sigurinë e Izraelit”, tha ai.

Hezbollahu ishte i vetmi grup i armatosur që refuzoi të dorëzonte armët pas përfundimit të luftës civile libaneze të viteve 1975-1990.

Deri më sot, grupi ka mbajtur një prani të fortë në pjesë të Libanit dhe arsenali i tij besohet të jetë më i fuqishëm se ai i ushtrisë kombëtare. Libani i ndarë ka qenë në krizë prej vitesh dhe do të luftojë për t’u kthyer në një pamje normale edhe pas një armëpushimi.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të siguronin që marrëveshja të zbatohej plotësisht, tha Biden.

Netanyahu tha në fjalimin e tij se Izraeli do të ruajë lirinë “e plotë” për të vepruar, edhe pas armëpushimit.

Njoftimet pasuan një mori sulmesh në Bejrutin qendror si dhe në bastionin e Hezbollahut në periferitë jugore. Një goditje goditi lagjen normalisht të ngarkuar Hamra, shtëpia e ndërtesave të banimit, restoranteve, zyrave, dyqaneve, Universiteti Amerikan i Bejrutit dhe spitali i lidhur me të.

Më herët, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se tre sulme goditën lagjen qendrore Nëeiri dhe shkatërruan një “ndërtesë katërkatëshe që strehonte njerëz të zhvendosur”.

Ministria e shëndetësisë tha se një nga ato sulme vrau shtatë persona dhe plagosi.

Në mesin e libanezëve që shpresojnë të kthehen në shtëpi pas një armëpushimi midis Izraelit dhe Hezbollahut janë mijëra që ishin larguar nga lufta në Siri.

Familjet me sende të mbushura me nxitim të mërkurën kaluan nën shiun e dendur nga Siria në Libanin lindor. Rruga, e dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore izraelite, është në riparim. 

Mariam Mawla, nga Bazouria në Libanin jugor, ishte e emocionuar që po kthehej në shtëpi pas dy muajsh në kryeqytetin sirian Damask. Ndërsa priste në trafik në vendkalim, ajo tha për Associated Press se shpresonte ta gjente shtëpinë e saj të paprekur.

“Kam dëgjuar se mund të ketë ndonjë dëm, por sido që të jetë, falënderojmë Zotin që po kthehemi në shtëpi”, tha Mawla.

Filed Under: Komente

TUZ E MALESI, “PRTE PRITE SKENDERBEUN”

November 27, 2024 by s p

Gjekë Gjonlekaj / New York/

Në ditën e pavarësisë së Shqipërisë festës më të dashur dhe më të shejtë të kombit shqipar në Tuz të Malësisë do të të vendoset permendorja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot – Skenderbeut. Ky është dhe do të mbetet një hap gjigant që do të nderohet nëpër shekuj. Është vepra më e madhe historike dhe kulturorë që shqipëtarët e kësaj republike realizuan qysh se iu shkëputën kombit nënë para një shekullii e gjysmë. Qysh atëherë e sot nuk pushuan kurrë sulmet kundër trimit tonë të madh i cili për shekuj të tërë e nderua si njëri prej trimave më shquar të Evopës dhe më gjerë, Njëra prej 5 motrave të tij ikishte qënë e martuar në familjen e principatës së Cërnojeviqëve të Malit Zi dhe për asrsy të lidhjeve familjare nuk përjashtohet mundësia që heroi ynë kombëtar të mos ket kaluar udhët e asaj kohe qofshin nëpër tokë ose iqe e det. Skenderbeu disa nga vizitat e tij në vendet e Mesdheut i fillonte në Raguzë (Dubrovnik). Dy pasardhës të Skenderbeut që kanë lidhje farefisi me heron tonë tregojnë shumë të dhëna për lidhjet e tij familjare. Para dy dekadah ata kishin vizituar Shqipërinë dhe Malin e Zi duke tregauar interesim dhe kurajo për të mësuar më shumë për stërgjyshin e tyre të kahershëm por jo të harruar kurrë. Ata kishin vizituar kullat e Vraninës dhe disa objekte historike per rreth. Gjerg Kastroti duhet të ketë pas ldhje me Shkodrën dhe Malësinë e Madhe sepse kur viziton Muzeun Historik të Krujës aty shihen shumë artifakte nga trojet ona si për shëmbull xhubleta e xhamadani dhe disa orendi të të tjera.

Për tonë kombëtar kisha mësuar qysh në fëmiërinë e hershme ngase portretin e tij kryesor e mnante gjithëmonë në dhoëm ne tij të pritjess Kolë Preloka Gegaj, vëllau i Lucë Prelokës Gegaj i cili për pothuajse një shekull njihet me emërin Athanas Gegaj. Sot e kësaj dite Athanas Gegaj nderohet si njëri prej histrianëve më të mirë të kombit shqiptar. Ai e kishte mbrojtur disetacionin e ti të doktoratit në Universitetin Luen të Belgjikes dhe një vit më vonë ky disertacion ishte botuar në Paris. Ky kishte qënë njëri prej nipave tonë të dashur. Imigrimin tim në Shtetet e Bashkura në vitin 1970 e priti mirë duke më kushtuar një shënim të shkurtër në gazetën “Dielli”, Menjëhërë fillova bashkëpunimin dhe korrespondencën më të, duke më këshilluar për jetën në këtë vend. Edhe pas botimit të disertaciont të doktoratit: Invazioni Turk në Shqipëri në Shelln XV, zotëri Gegaj u mor seriozish me të kalurën e tij, duke bërë studime në shumë vise të Italisë e vecanarisht në Rotondon ku kishte jetuar familja e Skenderbeut.

Por ngjarjen më të bukur dhe më madheshtore që kisha parë në jetë kishte qënë festimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut më 17 janar të vitit 1968 në Prishtinë, Në këtë simpozium tri ditësh kishin marrë pjesë historianë të njohur nga Shqipëria Kosova dhe shumë vende të botës bile edhe.nga Shtetet e Bashkuara. Delegacionn e Shqipërisë e drejtonte Profesor Dr. Aleks Buda. Ata kishin sjellur me vete filmin “Skenderbeu” dhe disa vepra historike dhe letrare për heroin tonë kombëtar. E gjithë kjo veprimtari solli një frymë të re patriotizmi në Kosovë. Shumica e frymzimmeve clirimtare të Kosvës e kishin zanafilllen tek historia e këtij trimi legendar. Gjatë qëndrimit tim tranzit në Itali për në Shtetet e Bashkuara disa herë e kisha vizituar në Romë Sheshin ” Albania” dhe monumentin Skenderbeu. Ky shesh dhe monument ishin pikë bashkimi për shqiptarët e Romës dhe Italisë. Para një gjysmë sekulli një shqiptaro-amerikan kishte bërë thirrje me shkrim për ndërtimin e nje përmendoreje të Skenderbeut në Amerikë. Unë e mbështeta shumë këtë ide duke botuar një shkrim në gazetën “Dielli”. Bile e kujtoj si hapin tim të parë drejtë kësaj veprimtarie. E fillova karrierën time me këtë burrë legjendar dhe sot pas një gjysmë shekulli përsëri me këtë burrë titanik.

Vendimi i Malësisë së Tuzit për të vendosur heroin tonë kombëtar në kryqytetin e tyre Tuz është vepër historike,artstike dhe kulturore. Ëashte vendim për liri për bahkim dhe vëllazërim të popullit shqiptarë. Tuzit dhe Malësisë i ka hije kjo vepër sepse Skenderbeu nga që është vendosur do të vështrojë Malin e Deciqit ku për herë të parë u ngrit flamuri i tij pas pothuajse 500-vjetësh. Ismail Kadare ka thënë kryengrtjet antiotomane fillojnë me Skenderbeun dhe mbarojnë me Dedë Gjo Lulin. Diaspora shqiptare e Amerikës meriton nderime për kontributin e saj financiar. Meritojnë gjithashtu respekt edhe udhëheqja politike e Tuzit dhe Malësisë të cilët patën fuqi morale dhe politike për të ia arritur këtij qëllimi. Prijësit e Tuzit dhe Malësisië u treguan shumë seriozë dhe patriotë kur është fjala për këtë vepër të madhe. Urime Tuz, urime Malësi urime diasporë për këtë vepër madhështore.

Filed Under: Histori

Vatra Maimi bën histori, ngre për herë të parë flamurin shqiptar në Floridën e Jugut me 7 milion banorë

November 26, 2024 by s p

Për herë të parë në historinë e Floridës së Jugut, Flamuri Shqiptar u ngrit zyrtarisht në qytetin e Hollywood-it, një moment ky i rëndësishëm për komunitetin shqiptar të zonës. Ceremonia, organizuar nga Vatra Miami, u zhvillua në një atmosferë qe mblodhi së bashku anëtarë të komunitetit dhe përfaqësues të institucioneve lokale.

Një hap historik për komunitetin shqiptar

Kryetarja e Vatra Miami, zonja Iris Halili, hapi eventin me një fjalim ku nënvizoi rëndësinë e kësaj ceremonie për shqiptarët që jetojnë në Floridën e Jugut. Ajo kujtoi binjakëzimin e qytetit të Hollywood-it me qytetin e Vlorës në vitin 1994, duke lidhur simbolikisht këtë ngjarje me momentin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

“Ky flamur nuk është thjesht një simbol,” tha ajo. “Është një kujtesë e rrënjëve tona dhe një shenjë e përkushtimit për t’i ruajtur ato, ndërkohë që jemi pjesë aktive e shoqërisë amerikane”.

Mbështetje nga autoritetet lokale

Kryetari i Bashkisë së Hollywood-it, Josh Levy, mori pjesë në ceremoni dhe mbajti një fjalim të përzemërt, duke falenderuar komunitetin shqiptar për kontributin e tyre në qytet. Ai propozoi që ceremonia e ngritjes së flamurit të bëhet një traditë e përvitshme, duke e parë këtë si një mundësi për të thelluar lidhjet mes komunitetit dhe autoriteteve lokale. Gjithashtu, zonja Marie Paule Woodson, Përfaqësuese e Parlamentit të Shtetit të Floridës, Zoti Adam Gruber, Komisioner i Distriktit 4, vlerësuan nismën e Vatra Miami dhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur projekte të ngjashme në të ardhmen. Woodson e quajti komunitetin shqiptar “një shembull të shkëlqyer të solidaritetit dhe ruajtjes së traditave.”

Një ngjarje që bashkon dhe frymëzon

Ceremonia kulmoi me ngritjen e flamurit nga fëmijët e Klubit Flas Shqip dhe Kryetarit të Bashkisë së Hollywood , dhe vazhdoi me diskutime të hapura dhe ide mbi bashkëpunimin e ardhshëm, duke krijuar një urë të re komunikimi dhe mirëkuptimi mes komunitetit shqiptar dhe autoriteteve lokale. Përfaqësues të biznesit Shqiptar në Floridën e Jugut ishin te pranishëm në këtë event dhe duket se kjo ngjarje u pa edhe si një pikënisje për tradita të reja që nderojnë identitetin shqiptar dhe vendin që ata zënë në shoqërinë amerikane.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 783
  • 784
  • 785
  • 786
  • 787
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT