• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me rastin e 102-vjetorit të ndarjes nga jeta, nderojmë jetën dhe veprën e Woodrow Wilson, Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

February 4, 2026 by s p

Në një moment vendimtar të historisë, Presidenti Wilson qëndroi i palëkundur në mbrojtje të parimit se kombet e vogla kanë të drejtë të ekzistojnë dhe të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.

Pas Luftës së Parë Botërore, Shqipërisë padrejtësisht iu morën më shumë se gjysma e trojeve të saj, duke iu dhënë Greqisë dhe ish-Jugosllavisë. Ndërhyrja e Presidentit Wilson ishte vendimtare për të ndalur copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, duke garantuar mbijetesën e shtetit shqiptar nga shpërbërja e plotë. Falë këtij qëndrimi parimor, ekziston Shqipëria që e kemi sot.

Për popullin shqiptar, trashëgimia e Woodrow Wilson shënon fillimin e një miqësie madhështore dhe të shenjtë mes Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar, një miqësi që ka qëndruar e palëkundur në momente kyçe të historisë sonë.

Ajo u dëshmua sërish në vitet ’90, kur populli shqiptar i Kosovës përballej me mizoritë e regjimit serb. Shtetet e Bashkuara qëndruan përsëri në krah të shqiptarëve—me Presidentin Bill Clinton, më pas Presidentin George W. Bush, me Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, si dhe me shumë miq të shquar në Kongres, përfshirë Senatorin Bob Dole, Kongresmenët Eliot Engel, Tom Lantos, Ben Gilman, dhe shumë e shumë të tjerë—pa të cilët çlirimi, pavarësia dhe demokratizimi i Kosovës do të ishin të pamundura.🇽🇰

Rroftë përherë kjo miqësi dhe kjo lidhje e fortë mes popullit amerikan dhe atij shqiptar, dhe Zoti i bekoftë dy popujt tanë.

— Harry Bajraktari

Filed Under: Histori

Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”

February 3, 2026 by s p

Në hulumtimet e mia në një libërth të vogël hasa një shkrim të intelektualit, kritikut dhe mikut të Nolit, Nexhat Peshkëpisë, botuar për herë të parë në vitin 1966 nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”. Ky tekst përbën një nga analizat më serioze dhe më të thelluara mbi figurën poetike të Fan Nolit. Autori e trajton Nolin jo vetëm si poet origjinal, por edhe si poet–përkthyes, duke e vendosur veprën e tij në një kontekst të gjerë letrar, historik dhe kulturor.

Nexhat Peshkopia bën pjesë në brezin e studiuesve shqiptarë të diasporës – krahas Ernest Koliqit, Martin Camajt dhe Arshi Pipës – që zhvilluan një kritikë letrare të pavarur nga doktrina e realizmit socialist, duke ruajtur një qasje akademike, evropiane dhe jo-ideologjike ndaj kulturës shqiptare.

Ky brez veproi kryesisht në Itali, SHBA dhe Evropën Perëndimore, duke krijuar një traditë alternative të mendimit kulturor shqiptar, e cila sot mbetet burim i rëndësishëm për rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe. Në këtë kontekst, Peshkopia shquhet për qasjen e tij analitike, të përmbajtur dhe filologjike, larg retorikës politike. Studimi i tij “Noli si poet e si poet–përkthyes” (Vatra, 1966) synon të vlerësojë veprën e Nolit në dimensionin estetik, kulturor dhe përkthimor, duke e vendosur autorin në një kontekst evropian, jo thjesht kombëtar. Sot po sjellim pjesën që flet për “Nolin si Poet Shqiptar”. Në njё shkrim tjetër do sjellim Nolin si përkthyes.

Në pak fjalë në hyrje me titull një kuvëndim me Fan Nolin ai thotë se e kishte detyrim nolit pasi ia pati premtuar nje vit më pasrë se ai të shuhej “për të dhën paraqitjen e Nolit si letra ashtu sikundër e njoha unë

“Këtë suzim të shkurtë dhe të kufizuar ia kam hua Fan Nolit . I premtova se do ta shkruaja e do t’ia tregoja për të pasur pëlqimin e tij, para se ta botoja . Mallkoj përtacinë time që më bën të ndiej sot një dëshpërim të thellë që se shkrova kur ishte gjallë.”

Nexhat Peshkopia: Noli si poet shqiptar

“Figura e Fan Nolit në letërsinë shqipe zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm. Ai nuk është vetëm poet i frymëzuar, por personalitet i gjithanshëm kulturor, ku poezia lidhet ngushtë me mendimin, historinë dhe përgjegjësinë morale. Në këtë kuptim, Noli shfaqet si poet që nuk i shërben vetëm estetikës, por edhe ndërgjegjes kombëtare.

Në një shkrim përkujtimor mbi Nolin, Ernest Koliqi e radhit atë krah figurave themelore të poezisë shqiptare, si Jeronim De Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta. Sipas tij, Noli zotëron frymëzim të fuqishëm, përgatitje të gjerë kulturore, shije të sigurt letrare dhe një prirje të veçantë për shprehje të mprehta e të prera – tipar që e bën vargun nolian të përmbledhur dhe goditës.

Një tjetër tipar thelbësor i kësaj poezie është gjuha. Noli, me gjithë kulturën e tij të gjerë klasike dhe perëndimore, nuk shkëputet nga burimi popullor i shqipes. Ai e pasuron vargun me ritme dhe intonacione që burojnë nga ligjërimi i gjallë, duke i dhënë poezisë një forcë komunikimi të drejtpërdrejtë dhe një autenticitet të veçantë.

Nuk është epike në kuptimin e plotë të fjalës poezia e Nolit; ajo është sulmuese, e vrullshme dhe e ashpër, edhe atje ku shfaqet (apo duhet të shfaqet) butësia e domosdoshme e elegjisë. Këtë e ndihmon të kuptohet edhe vetë Koliqi, kur vëren se Noli i dhuroi poezisë shqipe tri lirika të larta – “Hymnin e Flamurit” dhe “Syrgjyn-vdekur” dhe Shpellën e Dragobisë” – që ngjiten në qiellin e poezisë, si edhe elegjitë për Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin, ku “çdo fjalë kumbon e shpërthen” me peshë ndjesish dhe mendimesh.”

Pikërisht në këto dy elegji, ndjehet një përmbysje e pritshme e tonit: ato nuk rrinë vetëm në mallëngjim, por marrin frymën e invokimit dhe të mallkimit kundër mizorisë, duke ruajtur brenda vetes një energji morale dhe një tension të fortë shpirtëror.

Në të njëjtën vijë, Mitrush Kuteli vë në dukje se vargu nolian nuk është “vizual”, por “auditiv”: ai i drejtohet veshit, jo syrit. Dhe veshit nuk i drejtohet me ondulacione lirike e shushërima të ëmbla, por me një “arsenal bubullimash e vrungullimash”, me një shtrëngatë fjalësh shqipe “ku buçet ashpërsia teftiane, krutane dhe vlonjate. Këto kulme heroike të racës shqiptare ”. Kjo është një mënyrë për të thënë se Noli e ndërton poezinë si forcë vepruese: fjalë që trondit, zgjon dhe kërkon reagim.

Sidoqoftë, poezinë e Nolit mund ta gjykojmë edhe nga vëllimi i prodhimit. Megjithëse nuk është i madh, ai mbetet poet antologjik: vjersha e tij është e zgjedhur dhe tërheq vëmendjen si nga cilësia e brendshme, si nga argumenti fisnik (shpirtëror e intelektual), ashtu edhe nga mjeshtëria e rimës dhe e ritmit. Me pak fjalë, poezia e Nolit mbetet shembullore në shkallë të poezisë antologjike shqipe. Po citoj përsëri Koliqin, i cili, në “romanin” e tij Shija e bukës së mbrame, i vë në gojë Jorgjit, një intelektual shqiptar i mërguar këtu në Amerikë, këto fjalë: “Kur shfleton Albumin e reciton disa vjersha: ‘Kurrgjâ tjetër mos më i pasë dhurue letrave shqipe Fan Noli veç këtyne dy kryeveprave (dy elegjitë për Currin dhe Gurakuqin), pasi janë të paçmueshme, ai ka tagër me pasun mirënjohjen e përjetshme të shqiptarëve.’”

Studim nga Rafael Floqi

Filed Under: LETERSI

RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE

February 3, 2026 by s p

Prof.Besim Muhadri/

(Studim kritik mbi librin “Ringjallja e baladave” të Besim R. Cengut)

Hyrje

Letërsia bashkëkohore shqiptare ka treguar një interes të vazhdueshëm për rikthimin dhe rishkrimin e trashëgimisë folklorike si mënyrë e ruajtjes sw identitetit kulturor dhe rivendosjes sw dialogut mes traditës dhe modernitetit. Në këtë kontekst, vepra Ringjallja e baladave (rikallëzime në prozë) e Besim R. Cengut përfaqëson një projekt estetik dhe kulturor me rëndësi të veçantë, i cili synon transformimin e baladës popullore nga forma orale kolektive në tekst letrar modern me autorësi të vetëdijshme.

Ky vwshtrim synon të analizojë veprën në aspektin tematik, stilistik dhe strukturor, duke e parë atë si një ndërthurje mes poetikës së folklorit dhe poetikës së prozës moderne, si dhe si një formë narrative që artikulon tragjiken njerëzore dhe kujtesën kolektive.

1. Rikallëzimi i baladës: nga oraliteti në tekst letrar

Një nga veçoritë themelore të librit është procesi i asaj që mund të quhet “transpozim intergjinor”, pra kalimi i baladës nga zhanri poetik oral në një prozë narrative me karakter artistik. Autori nuk vepron si mbledhës folklori, por si krijues, duke e rimodeluar materialin tradicional përmes teknikave të rrëfimit modern: përshkrimit të zgjeruar, analizës psikologjike dhe ndërtimit simbolik të situatave.

Në këtë kuptim, vepra funksionon si një formë e letërsisë së kujtesës, ku teksti letrar bëhet mjet për ruajtjen dhe reinterpretimin e përvojës historike e shpirtërore të një komuniteti. Proza hyrëse “Vdekja e këngës” e shpreh qartë këtë ide, duke simbolizuar zhdukjen e trashëgimisë gojore me vdekjen e bartësve të saj.

2. Tragjikja si kategori estetike dhe ekzistenciale

Nga këndvështrimi teorik, universi narrativ i Cengut ndërtohet mbi kategorinë e tragjikes, në kuptimin klasik dhe modern të saj: përplasja e individit me një rend shoqëror të pandryshueshëm. Personazhet janë të vendosur përballë një fati që nuk e zgjedhin vetë, por që u imponohet nga zakoni, morali patriarkal dhe struktura e mbyllur e komunitetit tradicional.

Baladat e rikrijuara trajtojnë motive të njohura të tragjedisë popullore: dashurinë e ndaluar, martesën pa dëshirë, vrasjen për nder, vetmohimin dhe vdekjen. Në këtë aspekt, autori ndërton një narrativë të dhimbjes kolektive, ku drama individuale shndërrohet në metaforë të një realiteti të gjerë shoqëror.

3. Figura e gruas dhe diskursi kritik ndaj patriarkalizmit

Në qendër të shumicës së rrëfimeve qëndron figura e gruas, e cila shfaqet si subjekt i vuajtjes dhe i sakrificës. Ajo është viktimë e strukturave patriarkale, por njëkohësisht bartëse e një etike të brendshme dhe e një pastërtie morale që e lartëson në plan simbolik.

Nga perspektiva e kritikës letrare bashkëkohore, kjo figurë mund të lexohet si një formë e subjektit tragjik femëror, i cili nuk arrin të artikulojë hapur revoltën, por e shpreh rezistencën përmes durimit, heshtjes dhe qëndrueshmërisë shpirtërore. Në këtë mënyrë, libri fiton edhe një dimension kritik ndaj rendit tradicional, duke ekspozuar pasojat çnjerëzore të tij pa rënë në moralizim të drejtpërdrejtë.

4. Gjuha poetike dhe struktura narrative

Stili i Besim R. Cengut karakterizohet nga një prozë me densitet të lartë poetik, ku metafora, simboli dhe ritmi i fjalisë krijojnë një atmosferë të ngjashme me këngën elegjiake. Kjo e afron tekstin me atë që teoria e quan prozë lirike, një formë hibride mes rrëfimit dhe poezisë.

Përdorimi i elementeve dialektore dhe i detajeve etnografike përforcon autenticitetin kulturor të veprës, por njëkohësisht e vendos tekstin në një hapësirë të lokalizuar fort, duke e bërë atë përfaqësues të një mikrokozmosi kulturor (krahina e Lumës) që, megjithatë, artikulon përvoja universale.

Struktura fragmentare, e ndarë në balada të pavarura, krijon një mozaik narrativ, ku secili rrëfim funksionon si një njësi autonome, por edhe si pjesë e një vizioni të përgjithshëm tragjik mbi jetën.

Përfundim

Ringjallja e baladave e Besim R. Cengut përfaqëson një vepër me rëndësi të dyfishtë: letrare dhe kulturore. Ajo shërben njëkohësisht si akt estetik i rikrijimit të traditës dhe si akt etik i ruajtjes së kujtesës kolektive.

Duke e transformuar baladën popullore në prozë moderne, autori dëshmon se format tradicionale nuk janë relikte të së shkuarës, por struktura narrative të afta për të artikuluar edhe sot tragjiken njerëzore. Në këtë kuptim, libri mund të konsiderohet si një formë e letërsisë së ndërmjetme, që lidh oralitetin me shkrimin, të kaluarën me të tashmen dhe individin me fatin kolektiv.

Vepra e Cengut mbetet një dëshmi se letërsia, përtej funksionit estetik, është edhe një mjet për të ruajtur dinjitetin e përvojës njerëzore dhe për t’i dhënë zë atyre që historia shpesh i ka lënë në heshtje

Filed Under: LETERSI

Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror

February 3, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Shtypja serbe në Kosovë përfaqësonte një regjim të ndërthurur hegjemonik, kolonialist të brendshëm dhe shovinist, i cili kulmoi në represion të hapur  shtetëror dhe spastrim etnik, veçanërisht gjatë viteve 1990.

Filatelia, ndonëse shpesh trajtohet si një veprimtari koleksionuese, përbën një burim të rëndësishëm për studimin e historisë politike, veçanërisht në kontekste pushtimi, sundimi dhe asimilimi kombëtar e kulturor. Pullat postare dhe zarfat e ditës së parë të emetimit (FDC), të krijuara formalisht për komunikim postar ose për përdorim koleksionist, në rrethana të caktuara shndërrohen në mjete të bartjes së ideve politike, nacionaliste dhe racore. Në rastin e Kosovës, filatelia serbe dhe jugosllave ofron shembuj domethënës të përdorimit të simboleve postare për legjitimimin e pushtimit dhe për përhapjen e ideologjisë serbomadhe.                                                        

Ky shkrim analizon tre objekte filatelike të vendosura në vijë kronologjike, me synimin për të kuptuar mënyrën se si filatelia është përdorur për të ndërtuar, forcuar dhe radikalizuar pamjen politike serbe mbi Kosovën.

Fig.1 (1939)  

Zarfi perkujtimor dhe njeheresh i qarkulluar i vitit 1939 ne fig.1, i lëshuar me rastin e 550-vjetorit të Betejës së Kosovës, i përket fazës kulmore të filatelisë së Mbretërisë së Jugosllavisë. Përvjetori lidhet me Vidovdanin, një datë e shume vlersuar historike dhe fetare në kulturën politike serbe, ku beteja e vitit 1389 interpretohet jo si humbje ushtarake. Beteja e humbur kundër Perandorisë Osmane, e zhvilluar nga një koalicion ballkanik, përbën një rast pothuajse unik ne bote, ku humbja ushtarake është mitizuar dhe shndërruar në vlerë morale dhe shpirtërore, e kultivuar për shekuj në diskursin shtetëror serb. Historikisht, rikthimi te ky mit në prag të Luftës së Dytë Botërore synonte krijimin e një ndjenje vazhdimësie dhe stabiliteti simbolik në një Evropë të thellësisht të trazuar. Historia mesjetare u përdor për të justifikuar pushtimin dhe kontrollin shtetëror mbi Kosovën, duke e paraqitur atë si hapësirë “historikisht serbe”. Politikisht imazhi ne fig.1 është produkt i ideologjisë shtetërore të kohës, e cila kërkonte të konsolidonte unitetin e brendshëm përmes një historie të vetme, të dominuar nga elementi serb. Titulli “Kosovska proslava”, përdorimi ekskluziv i gjuhës cirilike dhe ikonografia heroike përjashtojnë çdo prani tjetër historike dhe kulturore, duke e zhveshur Kosovën nga realiteti i saj shumetnik. Nga ana filatelike, objekti është një emetim zyrtar me funksion të plotë postar dhe koleksionues, por ngarkesa nacionaliste dhe raciste e shndërron atë në dokument politik, ne te cilen vulat përkujtimore, shenjat e regjistrimit dhe ikonografia fetare e kthejnë zarfin si mjet i shtypjes nacionaliste përmes simboleve historike. 

Fig.2 (1989)  

Zarfi i vitit 1989, i lëshuar me rastin e 600-vjetorit të së njëjtës betejë, shfaq një fazë të re dhe më agresive të përdorimit politik të filatelisë. Ndryshe nga viti 1939, ky përvjetor përkon me shpërbërjen e Jugosllavisë socialiste, rritjen e nacionalizmit serbomadh dhe krizën e thellë politike në Kosovë. Historikisht, beteja e Kosovës riaktivizohet jo më si kujtesë e largët, por si mit mobilizues, i lidhur drejtpërdrejt me ngjarjet e Gazimestanit dhe me politikat shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës, ne te cilen e kaluara përdoret për të justifikuar veprime konkrete pushtuese në të tashmen. Politikisht fig.2 përfaqëson një shkallëzim të instrumentalizimit të histories, ne te cilen miti shërben për të forcuar pushtimin, për të nxitur ndjenja nacionaliste dhe për të legjitimuar një rend përjashtues, të mbështetur në racizëm dhe dominim etnik. Ikonografia e betejës, gjuha cirilike dhe përzgjedhja e Prizrenit si vend simbolik për vulën postare krijojnë hapësirë ku realiteti historik dhe shumetnik i Kosovës fshihet qëllimisht. Nga këndvështrimi filatelik, fig.2 është një zarf përkujtimor zyrtar (FDC), i pajisur me pullë prej 500 dinarësh, vulë speciale dhe ilustrime të monumenteve fetare, megjithatë, funksioni i tij kryesor nuk është qarkullimi postar, por shërbimi i drejtpërdrejtë i propagandës politike dhe i një interpretimi të shtrembëruar të historisë.Krahasimi me fig.1 tregon një vijimësi ideologjike të qartë, në vitin 1939 miti shërben për konsolidim identitar te rreme, ndërsa në vitin 1989 ai shndërrohet në instrument mobilizimi dhe përgatitjeje për konflikt.

Fig.3  

Fig.3 paraqet një variant me mbishtypje të pullës së vitit 1989, mbi të cilën është shtuar shprehja “Kosova është Serbi” dhe është ndryshuar vlera nominale nga 500 dinarë në 15,00. Ky objekt nuk është më produkt i drejtpërdrejtë i postës shtetërore, por rezultat i ndërhyrjeve private ose politike jashtë institucioneve zyrtare. Nga ana filatelike, fig.3 nuk ka status postar,sepse nuk ekziston dokumentacion zyrtar per kete mbishtypjeje. Për rrjedhojë, ai klasifikohet si variant jozyrtar, pa vlefshmëri postare, por me interes të lartë studimor, per te arritur ne perfundimin, qe pikërisht kjo mungesë zyrtarizimi tregon se filatelia mbetet e ekspozuar ndaj manipulimit ideologjik edhe pas daljes nga kontrolli shtetëror. Historikisht, ndryshimi i vlerës lidhet me hiperinflacionin ekstrem të Jugosllavisë në vitet 1990–1994, duke e kthyer pullën në dëshmi të kolapsit ekonomik dhe institucional të shtetit serb. Politikisht, slogani i drejtpërdrejtë “Kosova është Serbi” përfaqëson një radikalizim të plotë të diskursit nacionalist serb. Ndryshe nga fig.1 dhe fig.2, ku pretendimi territorial maskohet përmes mitit historik dhe simbolikës fetare, këtu ai shfaqet hapur, si pohim përjashtues dhe racist. Ky kalim dëshmon se nacionalizmi serbomadh, në kushte krize politike dhe shoqërore, braktis gjuhën e tërthortë simbolike dhe kalon në deklarata të drejtpërdrejta, të zhveshura nga çdo përpjekje për legjitimim diplomatik. Analiza e fig.1, fig.2 dhe fig.3 tregon se filatelia nuk është një fushë neutrale, por një hapësirë ku historia, politika dhe pushteti ndërthuren. Nga përkujtimi ceremonial i vitit 1939, te mobilizimi nacionalist i vitit 1989 dhe deri te ndërhyrjet propagandistike te nacionalizmit ekstrem të viteve ’90, këto objekte filatelike, dëshmojnë vijimësinë e një ideologjie pushtuese dhe asimiluese ndaj Kosovës. Në këtë kuptim si dokumente te prekshme te nacionalizmit dhe racizmit serbomadh dhe politikave te tij per dominim kulturor i lejon studiuesit të zbërthejnë dhe të denoncojnë mekanizmat simbolikë të pushtimit dhe përjashtimit.

Filed Under: Sociale

SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE

February 3, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

Golgotha Shqiptare

Leo Freundlich, hebreu që protestoi kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912–1913, ishte një nga të parët që denoncoi publikisht atë që ai e quante “Golgotha Shqiptare”. Sipas tij, holokausti mbi shqiptarët u krye nga serbët, të cilët vranë 500,000 njerëz. Libri i tij “Akuza që ulërijnë” përbën dëshminë e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian para atij hebre.¹ Në këtë libër, Freundlich dokumenton masakrat e kryera nga serbët në trojet shqiptare, duke theksuar se mbi 250,000 shqiptarë u masakruan vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtës së vitit 1912.² 

Kopja e vetme e librit të Freundlich “Akuza që ulërijnë”, që përmban protestën ndaj Evropës, e cila nuk reagoi për të mbrojtur shqiptarët gjatë zhdukjes masive, u gjet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit në SHBA në vitin 1982 nga studiuesja Safete Juka, e cila jetonte në Amerikë.³ 

Freundlich, me banim në Vjenë, ishte ndër intelektualët e pakët që mbajtën koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës, të cilat raportonin për shfarosjen e së paku një gjysmë milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912–1913. I revoltuar, ai ngriti zërin kundër asaj që e quante “Golgotha Shqiptare”, e shoqëruar nga masakra që nuk kishin njohur botën më parë. Ai shkruante: “Unë e dënoj dhunën që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk e bën këtë sot, të mos çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgothe tjetër.”⁴ 

Vetëm pas 10 vjetësh, në vitin 1992, ky libër u botua në tri gjuhë, falë ndihmës së jashtëzakonshme të gjermanit Hans Peter Rullmann, me banim në Hamburg. Botimi në anglisht u bë i mundur falë Steve Tomkin, kroat i lindur në Kosovë. Në kroatisht libri u përkthye dhe u botua nga mjeku Dr. S. Leban, i lindur në Bosnje. Ndërkohë që përkthimin në shqip e realizoi Riza Lahi, nën sponsorizimin e Xhaferr Kastratit nga Kosova dhe përkujdesjen e shtypshkronjës “Eurorilindja” në Tiranë.⁵ 

Konteksti historik: Serbia, “macja që kërkon të bëhet luan” 

Pas traktatit të Shën Stefanit mes Perandorisë Osmane (Turqisë) dhe Rusisë, kombi shqiptar u vu në rrezik të jashtëzakonshëm, pasi aleatja ballkanike e Carëve, Serbia, kërkoi të zgjeronte zotërimet e veta për t’u kthyer në një fuqi ballkanike dhe evropiane, megjithëse kishte një popullsi vetëm 900 mijë banorë. Nëse deri në vitin 1911 synimet ruse dhe serbe në Ballkan dështuan, kjo nuk erdhi për meritë të Perandorisë Osmane, por nga fakti se shqiptarët, përmes Lidhjes së Prizrenit më 1878, nuk e lejuan këtë dhe e kundërshtuan me armë.⁶ 

Që nga viti 1906 deri në 1912, një sërë kryengritjesh për pavarësi të shqiptarëve, kryesisht në veri të trojeve etnike shqiptare, u shtypën me dhunë dhe barbarizëm nga ushtritë turke. Me fillimin e luftës ballkanike, Shqipëria ishte gjysmë e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, ndërmorën pushtime të shoqëruara me masakra masive kundër një popullsie të paarmatosur. Sipas shtypit evropian, humbën jetën 250 mijë shqiptarë, ndërsa ka të dhëna që shifra mund të jetë edhe një gjysmë milioni.⁷ 

Nga 180 mijë km² me një popullsi rreth 2 milionë banorë brenda territoreve shqiptare në fund të shekullit XIX, në vitet ’30-të mbetën vetëm 80 mijë km², shumica jashtë shtetit shqiptar.⁸ 

Sipas historianëve modernë, ekspansioni sllav, i shoqëruar me shpërngulje masive dhe ndryshime demografike, mori territore nga popuj të ndryshëm (germanë, hungarezë, shqiptarë, rumunë, armenë etj.), në një sipërfaqe rreth një milion km², prej të cilave një të dhjetën i takonte territoreve shqiptare. Etnia shqiptare, në prag të shkatërrimit të perandorisë osmane, humbi më shumë se gjysmën e territoreve të veta.⁹ 

Zona e Tivarit, Hotit, Grudës, Pazarit të Ri, Sanxhakut, Nishit, rrethinat e Manastrit, si dhe humbja e krahinave të Janinës dhe Çamërisë, të shpopulluara ose të asimilura me forcë nga Greqia, përbëjnë fushatën më të egër të ekspansionit sllav kundër popullit më të vjetër në Ballkan. Njëri ndër librat që hedh dritë mbi shpërnguljet masive të shqiptarëve është libri historik i Leo Freundlich “Golgotha shqiptare”.¹⁰ 

Dëshmitare e krimeve të serbëve në vitin 1912–1913 ka qenë edhe Nënë Tereza, atëherë fëmijë. Ajo pa me sytë e saj sesi serbët i helmuan të atin, ndërkohë që anëtarët e tjerë të familjes shpëtuan duke u arratisur drejt Tiranës.¹¹ 

Shqiptarët në holokaust para hebrenjve (Shënime të gazetarit gjerman Hans Peter Rullmann) 

Më 1913, të dielën e Pashkëve, pak para shpërthimit të Luftës Ballkanike, shkrimtari vjenez, izraeliti Leo Freundlich botoi librin “Akuza që ulërijnë” (Accusation Records). Në të përfshihen dokumenta akuzuese që rrëfejnë barbarizmat masive të bëra nga serbët në krahinat shqiptare të veriut, rreth 80 vite më parë ose rreth 30 vite para Luftës së Dytë Botërore.¹² 

Rullmann argumenton se holokausti i parë evropian u planifikua dhe zbatuar nga Serbia kundër popullit shqiptar. Freundlich përshkruan ngjarjet nga mesi i tetorit 1912 deri në mars 1913. Ai shkruan se brenda pak më pak se pesë muajsh, ushtria serbe dhe bandat çetnike “egërsisht dhe në mënyrën më antihumane që ka shfaqur ndonjëherë çizmja e pushtuesit, bënë barbarizma që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur u therën, gra u përdhunuan, pleq u mbytën, qindra gra u dogjën dhe u rrafshuan për tokë.”¹³ 

Sipas Rullmannit, gjatë luftërave evropiane të shekullit XVIII dhe XIX, nuk ka pasur synime për shfarosjen kolektive të ndonjë kombi. Në rastin më të keq, një vend përpiqej të pushtonte një tjetër. Para luftës serbe kundër shqiptarëve më 1912, askush nuk tentoi të zhdukte një popull të tërë. Në vitin 1912, kur po ndodhte katastrofa, Freundlich kishte një parandjenjë se sundimi serb kundër ekzistencës së një kombi kishte përmasa historike. Ai ishte i vetëdijshëm se ky kthim i papritur kundër qytetërimit dhe shpirtit human nuk do të venitej nëse bota nuk do ta ndëshkonte menjëherë.¹⁴ 

Freundlich përshkruan masakrat 

Mënyra se si ushtria serbe veproi në vitet 1912–1913 ndaj shqiptarëve gjatë luftës ballkanike përbën rastin e parë të një zhdukje masive të një populli nga një tjetër. Megjithëse Mbretëria Serbe u njoftua se Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve do të punonte për përcaktimin e kufijve sapo situata të qetësohej, ushtria serbe nuk i njohu paralajmërimet e fuqive të mëdha dhe vazhdoi pushtimin e territoreve jo-serbe. Më 22 tetor 1912, këmbësoria serbe pushtoi qytetin e Prishtinës në Kosovë. Më pas vazhdoi sulmin në dy drejtime: nga Shkupi dhe nga Prizreni për të hyrë në luginën e Drinit të Zi. Pas një muaji, më 20 nëntor 1912, serbët pushtuan gati gjithë Shqipërinë e veriut dhe më 29 nëntor 1912, pararoja e ushtrisë u vendos në Durrës.¹⁵ 

Lufta e serbëve kundër shqiptarëve nuk kishte karakter pushtues, por karakter të spastrimit etnik, duke synuar që brenda një kohe të shkurtër të tregonte botës se shqiptarët ishin zhdukur nga Ballkani. Pikërisht për këtë arsye, ata i quanin shqiptarët turq dhe me këtë justifikim ose i shpërngulnin ose i masakronin.¹⁶ 

Freundlich përshkruan masakrat serbe në vjeshtën e vitit 1912–pranverën e 1913 në trojet shqiptare (Kosovë, Maqedoni) kështu: 

“Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundën t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si derrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidhnin, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe pasu u nxirrte fëmija nga barku, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit, serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të.”¹⁷ 

Pas krimeve: Edith Durham nis e urren serbët 

Gjatë kohës që shqiptarët masakroheshin në shtëpitë e tyre, anglezja Mary Edith Durham punonte për “Macedonia Relief Organization”. Kur shkeli për herë të parë në Ballkan, historiania dhe antropologia angleze ishte admiratore e popullit serb, si shumë njerëz të tjerë në Perëndim. Por, siç vëren anëtari i Parlamentit anglez, Aubrey Herbert, “ishte vetëm mizoria e serbëve që e ktheu dashurinë e saj në përbuzje.”¹⁸ 

Pas masakrave të njëpasnjëshme, ajo vendosi të dalë hapur kundër serbo-malazezëve: “E mbështolla medaljen e floririt që ma kishte dhënë Krajl Nikolla, duke e bërë të qartë se nuk mund të pranoja një medalje nga ata që kishin miqësi me Abdul Hamidin dhe merrnin dekoratat dhe paratë e tij.”¹⁹ 

Ajo i shkroi krajlit malazez se pasuesit e tij “janë shumë më mizorë sesa turqit” dhe se nuk mund të mbante më dekoratat e “përlyera me gjak të pafajshmish”. Vendimin e saj ajo e komunikoi në shtypin anglez dhe austriak, duke njoftuar se do t’i kthente urdhrin e “Shën Savës” në takimin e parë me Mbretin serb Petër.²⁰ 

Të dhëna mbi shqiptarët, para masakrave serbe (Ami Bue) 

Ami Bue, botanist, gjeograf dhe gjeolog francez, i lindur në Hamburg të Gjermanisë në fillim të shekullit XIX, ndërmori një udhëtim në Ballkan në vitet 1836–1837, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane. Pas kthimit në Gjermani më 1840, Bue përmbledhi në katër volume, secili me rreth 400 faqe, përshtypjet e udhëtimit në Evropën Juglindore. Saktësia shkencore e tij u vlerësua edhe nga serbët. Akademiku Aleksandër Beliç shkroi se “librat e Buesë janë një enciklopedi e vërtetë, të cilat nuk mund të krahasohen nga saktësia me asnjë botim tjetër të këtij lloji.”²¹ 

Sipas Buesë, Serbia në gjysmën e parë të shekullit XIX kishte më pak se 900 mijë banorë, ndërsa Shqipëria mbi 1.6 milionë. Në analizat e tij gjeografike, Shqipëria etnikisht e pastër ishte një hapësirë rreth 180 mijë km². Ai vëren se në gadishull kishte shumë më tepër shqiptarë sesa grekë dhe të paktën dy herë më shumë shqiptarë sesa serbë.²² 

Kronologjia e krimeve serbe ndaj shqiptarëve 

– Pranverë 1912: Rreth 6 mijë familje shqiptare shpërgulen me forcë nga zona e Nishit drejt Turqisë. Në të njëjtën kohë, fillojnë masakrat e malazezëve në Hot dhe Grudë.²³ 

– 12 nëntor 1912: Daily Chronicle shkruan se 2 mijë shqiptarë në krahinën e Shkupit dhe 5 mijë në afërsi të Prizrenit u therën masivisht.²⁴ 

– Dhjetor 1912: Gazeta parisiene Humanité raporton se në Drenicë dhe Palikurë u mbytën të gjithë banorët, dhe u zbuluan varre masive me koka njerëzish si gurë varri.²⁵ 

– 1913: Masakrohen 300 shqiptarë në krahinën e Lumës. Frankfurter Zeitung shkruan se fëmijët u dogjën në kashtë para prindërve, dhe më pas prindërit u masakruan me batare pushkësh dhe bajoneta.²⁶ 

– Pranverë 1945: Vriten 40 mijë shqiptarë në Kosovë me pretekstin se ishin antikomunistë.²⁷ 

– 1930: Përfundon asimilimi i shqiptarëve të Sanxhakut.²⁸ 

– 1949–50: Largohen me forcë rreth 300 mijë shqiptarë nga zonat kufitare të Kosovës Lindore pas marrëveshjes turko-jugosllave.²⁹ 

– 1989: Helmohen në shkolla fillore mbi 6,000 fëmijë shqiptarë nga ushtria serbe.³⁰ 

– Mars 1998: Masakrohen 32 banorë të fshatit Raçak.³¹ 

– Mars–Qershor 1999: Gjatë luftës në Kosovë, përzihen nga shtëpitë rreth 1 milion shqiptarë dhe vriten mbi 12 mijë gra, burra, fëmijë dhe pleq.³² 

– 2000: Kosova Lindore (Preshevë, Medvegjë – Bujanoc) mbetet e pushtuar nga Serbia; mbi 300 shqiptarë vriten nga vera e vitit 1999 deri në verën e 2000.³³ 

Debati historiografik serb dhe perëndimor 

Debati serb 

Historiografia zyrtare serbe dhe shumë studime serbe e paraqesin Luftën Ballkanike si një luftë të drejtë për çlirimin nga Perandoria Osmane dhe minimizojnë dhunën kundër shqiptarëve. Në këtë narrativë, raportet e Freundlich dhe Durham shpesh konsiderohen të njëanshme, të motivuara politikisht ose të ekzagjeruara. Dhuna paraqitet si pasojë e luftës, jo si spastrim etnik i planifikuar.³⁴ 

Debati perëndimor 

Historiografia perëndimore, veçanërisht pas vitit 1990, pranon se dhuna ishte masive, por mbetet e kujdesshme për numrat dhe terminologjinë. Ajo kërkon përdorimin e burimeve të shumta dhe triangulim, por përballet me kufizime për shkak të mungesës së dokumenteve. Autorë si Noel Malcolm, Mark Mazower, Norman Naimark dhe Donald Bloxham theksojnë analizën e dhunës si fenomen rajonal dhe metodologjinë e historisë së dhunës.³⁵ 

Krahasimi i burimeve osmane dhe diplomatike 

Burimet osmane përfshijnë dokumente administrative, raporte prefekturale, statistika dhe raportime konsullore. Ato ofrojnë perspektivën e administratës së brendshme, por janë të kufizuara nga mungesa e dokumentacionit, ndikimi politik dhe sfidat e përkthimit. Burimet diplomatike (raporte konsullore dhe ambasadoriale) ofrojnë perspektiva të jashtme dhe shpesh më të paanshme, por janë të kufizuara nga interesat politike të shteteve raportuese, informacioni i dytë dhe mungesa e aksesit në disa zona.³⁶ 

Metodologjia e historisë së dhunës 

Historia e dhunës kërkon një metodologji specifike, pasi burimet janë shpesh të fragmentuara, të politizuara dhe të ndikuara nga trauma. Metodologjia përfshin: 

Kritikë e burimeve 

– Kush e prodhoi burimin? 

– Për çfarë qëllimi? 

– Cilat janë interesat e autorit? 

– A ka elemente propagande? 

Triangulim i burimeve 

– Krahasimi i burimeve osmane, diplomatike dhe dëshmive bashkëkohore (raporte mjekësore, misione humanitare, gazetarë). 

Analizë demografike 

– Përdorimi i statistikave të popullsisë, kur janë të disponueshme, për të vlerësuar humbjet. 

– Kujdes, sepse regjistrat shpesh janë të paplotë ose të manipuluar. 

Analiza e dhunës si proces 

– Identifikimi i mekanizmave të dhunës (masakra, përdhunime, djegie, shpërngulje). 

– Analiza e organizimit të dhunës (ushtria, çetat, administrata). 

Etika dhe trauma 

– Njohja e traumës kolektive dhe ruajtja e dinjitetit të viktimave. 

– Shmangia e senzacionalizmit dhe politizimit të dhunës. 

Kjo metodologji është thelbësore për të kuptuar se si prodhohet dhe dokumentohet dhuna, veçanërisht kur diskutohen gjenocidi dhe spastrimet etnike.³⁷ 

Terminologjia: Gjenocid vs. spastrim etnik 

Gjenocidi (Konventa e OKB-së 1948) 

Konventa e OKB-së për Gjenocidin (1948) e definon gjenocidin si aktet e kryera me qëllim shfarosjen, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar.³⁸ Gjenocidi kërkon dëshmi të qarta për qëllimin e shfarosjes dhe prova të aktit dhunues të synuar për shkatërrimin e grupit. Në kontekstin e 1912–1913, ka dëshmi për dhunë masive dhe spastrim etnik, por provimi i qëllimit për shfarosje të plotë është i vështirë juridikisht. Megjithatë, disa autorë, përfshirë Shaban Brahan, argumentojnë se dhuna serbe përbën një proces gjenocidal, duke e interpretuar atë si një përpjekje sistematike për të shkatërruar shqiptarët.³⁹ 

Spastrimi etnik 

Spastrimi etnik i referohet përdorimit të dhunës për të ndryshuar përbërjen etnike të një territori. Në këtë kontekst, shpërnguljet me forcë dhe masakrat civile në Kosovë, Maqedoni dhe veri të Shqipërisë janë pjesë e një procesi të qëllimshëm për të ndryshuar demografinë. Ky term është më i përshtatshëm për periudhën, sepse nuk kërkon provë të qëllimit të shkatërrimit të plotë si gjenocidi. Spastrimi etnik lejon analizë më të qartë të proceseve, mekanizmave, shpërnguljeve dhe asimilimit.⁴⁰ 

Holokausti si term historik dhe metaforik 

Termi “Holokaust” historikisht i referohet shfarosjes së hebrenjve nga regjimi nazist. Përdorimi i tij për ngjarjet e 1912–1913 është diskutueshëm, sepse i jep një kuptim juridik dhe historik specifik që nuk i përket asaj periudhe. Në diskursin shqiptar, termi përdoret metaforikisht për të theksuar intensitetin e dhunës dhe traumën kolektive. Për qëllime akademike, është thelbësore të dallohen përdorimi metaforik dhe ai juridik.⁴¹ 

Shaban Braha dhe vlerësimi i gjenocidit 

Shaban Braha, autor i njohur për librin e tij mbi gjenocidin, interpreton dhunën serbe si një proces të qëllimshëm dhe sistematik ndaj shqiptarëve që plotëson elementët e gjenocidit sipas Konventës së OKB-së. Braha argumenton se shpërnguljet masive, masakrat dhe asimilimi i detyruar synonin shkatërrimin e një grupi kombëtar, jo si viktima të rastësishme, por si pjesë e një plani për të fshirë identitetin dhe popullsinë shqiptare në disa zona. Kjo interpretim është pjesë e debatit historiografik më të gjerë, ku disa autorë e shohin procesin si gjenocid, ndërsa të tjerë e shohin si spastrim etnik.⁴² 

Foto: Pashtriku.org

Fusnota 

1. Leo Freundlich, Die Albanische Golgatha (Vienna: 1913). 

2. Freundlich, Die Albanische Golgatha. 

3. Safete Juka, Harvard University Library, 1982 (raporti i gjetjes së kopjes së vetme). 

4. Freundlich, Die Albanische Golgatha. 

5. Hans Peter Rullmann (botimi gjerman), Steve Tomkin (botimi anglisht), Dr. S. Leban (botimi kroat), Riza Lahi (botimi shqip), 1992. 

6. Konteksti historik: Lidhja e Prizrenit (1878) dhe kryengritjet shqiptare; shtypja osmane (1906–1912). 

7. Humbjet demografike dhe territoriale të shqiptarëve deri në vitet ’30. 

8. Historianët modernë për ekspansionin sllav dhe humbjen territoriale. 

9. Freundlich, Die Albanische Golgatha. 

10. Freundlich, Die Albanische Golgatha. 

11. Dëshmia e Nënë Terezës (raportuar në biografi të ndryshme). 

12. Hans Peter Rullmann, shënime mbi botimin e Freundlich në 1913. 

13. Rullmann, shënime mbi barbaritë serbe. 

14. Rullmann, shënime mbi rëndësinë historike. 

15. Freundlich, Die Albanische Golgatha, përshkrimi i avancimit serb. 

16. Freundlich, Die Albanische Golgatha, karakterizimi i spastrimit etnik. 

17. Freundlich, Die Albanische Golgatha, përshkrimi i masakrave dhe torturave. 

18. Aubrey Herbert, citim për Edith Durham. 

19. Edith Durham, High Albania (London, 1909). 

20. Deklarata e Durham në shtypin anglez dhe austriak. 

21. Ami Bue, Reise in den Südslavischen Ländern (Hamburg, 1840). 

22. Bue, analizë gjeografike dhe demografike. 

23. Shpërngulja e familjeve shqiptare nga Nish (pranverë 1912). 

24. Daily Chronicle, 12 nëntor 1912. 

25. Humanité, dhjetor 1912. 

26. Frankfurter Zeitung, 1913. 

27. Vrasjet në Kosovë, pranverë 1945. 

28. Asimilimi i shqiptarëve të Sanxhakut, 1930. 

29. Shpërnguljet e vitit 1949–50 pas marrëveshjes turko-jugosllave. 

30. Helmimi i fëmijëve shqiptarë në 1989. 

31. Masakra e Raçakut, mars 1998. 

32. Lufta e Kosovës, mars–qershor 1999. 

33. Situata e Kosovës Lindore, 2000. 

34. Historiografia serbe që minimizon dhunën. 

35. Historiografia perëndimore: Noel Malcolm, Mark Mazower, Norman Naimark, Donald Bloxham. 

36. Krahasimi i burimeve osmane dhe diplomatike. 

37. Metodologjia e historisë së dhunës. 

38. Konventa e OKB-së për Gjenocidin (1948); interpretimi i Shaban Braha. 

39. Terminologjia e spastrimet etnike. 

40. Përdorimi metaforik i termit “Holokaust” në diskursin shqiptar. 

41. Shaban Braha, Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve (Prishtinë). 

Vendi i Lekës;02.02.2026

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT