• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRANI ANTON RAJA NDEROHET NË TIRANË NË SPEKTAKLIN “SHËN TEREZA SHQIPTARJA E GJITHË BOTËS”

July 6, 2024 by s p

Sokol Paja/

Veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vatrani z.Anton Raja u nderua në Tiranë në spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” organizuar nga Qendra Guga Production me mbështetjene Tv Klan Plus në nderim të veprës së shkëlqyer të patriotëve tanë të mërgatës. Ai u nderua krahas shumë personaliteteve shqiptare që veprojnë jashtë atdheut. Në fjalën falenderuese z.Raja u shpreh: “Me lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për ndarjen e kësaj njohjeje të veçantë. Jam thellësisht i prekur nga vlerësimi juaj dhe kjo më jep një motivim të shtuar për të vazhduar të jap më të mirën time. Mirënjohja juaj është një nder i madh për mua dhe një kujtesë e rëndësishme se puna ime vlerësohet. Faleminderit shumë për këtë njohje dhe për mbështetjen tuaj të vazhdueshme” përfundoi z.Raja.

Kush është Anton Raja?

Ai ka lindur në Podujevë, Kosovë më 23 Maj 1956. Në vitin 1969 largohet familjarisht nga Kosova për në Itali dhe dhe në vitin 1972 zhvendoset familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Raja shquhet për shpirtin e tij human e fisnik ku ka ndihmuar familjet në nevojë, invalidë të luftës së Kosovës, institucionet fetare e kulturore apo individë të ndryshëm në vështirësi ekonomike. Z.Raja ndihmoi në mbledhjen e fondeve për UÇK-në para e gjatë luftës e ndihmoi financiarisht të prekur nga lufta. Z.Raja është sipërmarrës i suksesshëm, inovator, atdhetar e besimtar i devotshëm. Në New York prej më shumë se 10 vitesh ka formuar Shoqatën e Golfit ku të gjitha të ardhurat nga turnetë ia dhuron katedrales së Prishtinës Nënë Tereza. Z.Raja është ndër mërgimtarët më aktivë në shërbim të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës duke marrë pjesë në të gjitha protestat pro kombit shqiptar në New York, Uashington, në ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare në Amerikë. Z.Raja është aktiv në të gjitha ngjarjet patriotike e komunitare të mërgatës shqiptare duke udhëhequr aktivitetet kulturore, sociale e patriotike. Z.Raja në dekadën e fundit ka qenë ndër protagonistët kryesorë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra dhe veprimtarisë së saj patriotike.

Z.Anton Raja është emër i nderuar në mërgatën shqiptare të Amerikës dhe pjesë e shkëlqyer e trashëgimisë materiale, shpirtërore e atdhetare në komunitetin shqiptar të mërguar përtej Atlantikut.

Filed Under: Featured

Vështrim kronologjik rreth librit “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, të autorit Dr. Paulin Marku

July 6, 2024 by s p

Hamid Alaj

New York/

Hedhja në dritë apo zbardhja e dokumentave arkivorë, të ç’farëdo qofshin ato, si historike, diplomatite, arkeologjike, etnografike, historiografike, fetare, gjuhësore dhe jo vetëm, lëshojnë rrezet e veta për ndriçimin sa më shumë të historisë së një kombi dhe në veçanti të një shteti, ashtu sikur dielli lëshon rrezet e veta për driçimin e planetit tonë.

Çdo dokument i degëve të cekura në rreshtat e sipër është më se i nevojshëm të njihemi me mardhëniet e një shteti me një shtet tjetër, të njihemi me luftrat në mes dy shteteve, me diplomacin në mes shteteve dhe qeverive të shteteve në përgjithësi, të cilat hyjnë në punë për të njohur sa më shumë historin e shteti, në këtë aspekt të shtetit tonë shqiptarë.

Në përgjithësi dokumentat arkivore të zbardhura për historiografin e shtetit shqiptarë radhiten në periudha të ndryshme kohore e deri në ditët e sotit dhe do të radhitën edhe në ditët në vijim. Studimi i historisë dhe degëve të tjera shkencore rreth shqiptarëve dhe për shtetin amë Shqipërin është prioritet dhe detyrë që çdo studiues i ç’farëdo dege shkencore t’i përkasë duhet ta ketë për detyra që të vjelë, hulumtojë dhe kërkojë në arkivat shtetrore brenda shtetit amë por edhe në arkivat e shteteve tjera, duke gjurmuar arkiv më arkiv, në mënyrë që historiografia e shtetit dhe popullit shqiptarë të ndriçojë dhe të pasurohet sa më shumë që të jetë e mundur me ngjarje dhe fakte shkencore-historike. Një gjë të tillë e bëri Dr. Paulin Marku në librin e tij “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, të sistemuar deri më tani në një vëllim (Vëll. I.).

Kur kontaktova për herë të parë me librin “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I, të autorit Dr. Paulin Marku, më shtyri t’i thellohem leximit dhe t’i kushtoj një vëmendje pak më shumë se disa librave të tjerë nga se vetë titulli i librit len të mendosh në atë mënyrë duke e ditur se ka të bëjë me dokumente arkivore diplomatike në mes shtetit amë Shqipërisë dhe atij fqinjë të Italisë. Puna e Dr. Paulinit në këtë libër mendoj se ka të bëjë me një punë dhe vullnet të qartë të zbardhjes së këtyre dokumentave arkivore në mes dy shteteve Shqipërisë dhe Italisë. Edhe pse libri zbardhë një periudhë kohore disa mujore (janar-qershor) të vitit 1912, vit të cilin shteti shqiptar shpalli pavarësin e vet, këto dokumenta bëjnë fjalë në periudhën para shpalljes së pavarësis.

Libri i Dr. Paulin Markut “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I., është një përpjekje modeste për të hedhur dritë mbi zbulimin e këtyre dokumentave, të cilat nuk kanë qenë të sistemuara deri më tani në një vëllim të tillë, siç e bëri mendja e ndritur dora e artë e Dr. Paulinit. Gjithsesi, zbardhja e kësaj faze historike të këtyre dokumentave diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve, do të mbetën sot e kësaj dite një bazë e fuqishme e ndiçimit të këtyre dokumentave arkivorë që studimi dhe hulumtimi i tyre nga Dr. Paulin Marku përbëjnë një obligim shkencorë të tij. Materiali i këtij vëllimi është mjaft i pasur në të dhëna historike, të cilat sjellin të njohuri me vlerë për historiografin shqiptare, duke e plotësuar me të dhëna dokumentare italiane gjë që bënë të mundur të hidhet dritë mbi zhvillimin politik të vendit për periudhën kohore gjashtë mujore janarë-qershor të vitit 1912, periudhë kjo e shoqëruar me ngjarje mbi Kryengritjen e Pergjithshme të atij viti (1912) që shënon ndarjen përfundimtare të shqiptarëve nga Perandoria Osmane.

Vëllimi “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I, i autorit Dr. Paulin Marku, përmbledhur sipas arkivave italiane është një burim dhe një plotësim i çmuar që i shtohet materialeve arkivore të kësaj gjinie të botuara kohëve të fundit, i cili vëllim lidhet ngusht me zbardhjen e mëtejme të njohurive mbi historinë e shqiptarëve në bazë të dokumentave përkatëse. Libri ka një numër të madh dokumentesh, që ka karakterizuar autorin, duke shfletuar dokumentacionin përkatës, që ka gjetur dhe konsultuar në arkiva të ndryshme italiane, për ngjarjet e kohës që ai i ka kushtuar. Dokumentet e botuara në këtë vëllim janë të rangjëve të ndryshme. Kemi të bëjmë me dokumenta ku jipen informacione për takime të ndryshme të udhëheqësve kryengritës shqiptarë. Sa më shumë që thellohej në leximin e këtij libri, në brendin e tij lexuesi hasën në shumë dokumenta ku bëjnë fjalë lidhjet dhe kontaktet e vazhdueshme të disa krerëve shqiptarë si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Bibë Doda etj., me kancelarit e huaja. Në këtë seri dokumentash gjenden të dhënë të rëndësishme rreth mënyrës dhe organizimit të njoftimit të krerëve shqiptarë nga konsuj të ndryshëm evropian, për situatën e vendit të tyre të cilët vazhdimisht kërkonin ndihmë financiare e armatim për kryengritje të pëgjithshme kundër pushtuesit osman.

Studimi dhe sistemimi i këtyre dokumentave në përgjithësi mbëtetet në një bazë të gjërë burimore siç janë arkivat shtetrore italiane. Në këtë llibër janë grumbulluar dokomente si bie fjala: telegrame, raporte, informacione etj., ku qeveria italiane e asaj kohe u dërgonte, konsujve, zavendëskonsujve, ambasadorëve italian në shtetet fqinje, legatave italiane, Ministrisë së Jashtme Italiane etj., ku u bëhej me dije për gjendjen e krijuar në shtetin shqiptarë. Këto dokumente bukur mirë diti t’i sistemojë në një vëllim (Vëll. I.) mendja e ndritur dhe dora e artë e Dr. Paulin Markut. Ky libër me gjithë këto vjelje dokumentesh përbën një bukuri të pafundme dhe histori të shumta në veten e vet, që u kanë mbijetuar viteve të pa botuara deri më tani. Ato me pak vëmendje të zgjojnë kurreshtje për të vazhduar edhe më tej në hulumtime dhe sistemime të dokumentave të tillë, jo vetëm në arkivat italiane, siç ka bërë Dr. Paulini por edhe në arkivat e shteteve tjera evropiane, gjë që nuk mungon, por a duhet më të bëhet në këtë fushë besoj se po, sepse dokumentet e tilla nuk mund të sistemohen në një vëllim apo dy vëllime, në një libër apo një broshurë, dhe do ishte mirë që edhe studiues të tjerë të ndiqnin rrugën e Dr. Paulinit. Kjo nuk do të thotë se është bërë pak në këtë fushë, por nënkupton se sa më shumë ta njohësh dhe t’i njohësh arkivat e shteteve tjera pa shmangur ato shqiptare, aq më shumë thellohesh në njohjen e historiografisë shqiptare dhe pastaj nuk e ke lehtë të shkëputesh prej saj.

Telegramet, informacionet, raportet, të gjitha këto ishin të dërguara nga qendra të ndryshme evropiane dhe ballkanike, si bie fjala nga: Sofia, Roma, Beogradi, Cetina, Korfuzi, Athina, Shkodra, Fiume (Rijeka), Tivari, Parisi, Londra, Viena. Pastaj kemi telegram nga konsullata italiane në Kajro, dërguar ministrit të jashtëm italian, informacion i zvendëskonsullit italian në Tivar dërguar të ngarkuarit me punë në Cetinë, dhe shumë telegrame dhe informacione të tjera dërguar ambasadorëve, konsjve, zavendëskonsujve, Ministrisë së Jashtme Italiane, legatave etj., ku bukur mirë diti si vjelë dhe sistemoj në këtë libër Dr. Paulin Marku.

Libri i Dr. Paulin Markut “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I., ka rëndësin e vet në fushën e zbulimit të dokumentacioneve arkivore e cila qëndron edhe mbi faktin se këto dokumente arkivore vijnë tashmë për studiuesit e historisë si të plota në gjuhën shqipe të përzgjedhura, përkthyera dhe të përgaditura për botin nga Dr. Paulini, të cilat përbëjnë një ndihmesë të madhe, ku jo të gjithë studiuesit e interesuar mund të kenë hulumtuar në arkivat italiane dhe mund të kenë qasje kaq të rëndësishme që hedhin dritë për një periudhë vendimtare të historiografis shqiptare. Gjatë përkthimit të dokumenteve nga gjuha italiane autori i librit ka pasur parasysh që t’i qëndrojë besnik dhe sa më afër tekstit origjinal. Pastaj, renditja e dokumenteve është bërë sipas kriterit kronologjik në përputhje me brendin e tekstit.

Këto dokumente gjithashtu do të krijojnë mundësi që studiuesit e mirëfilltë duke përdorur metoda të ndryshme krahasimtare të mund të gjejnë të përbashkëtat dhe dallimet në mes burimeve arkivore shqiptare dhe atyre italiane, gjë që bën të mundur gjetjen e të vërtetave historike të zhvillimit të ngjarjeve në territoret shqiptare. Këto të dhëna dokumentare do të jenë në shërbim të studiuesve të historisë shqiptare, pra të fushës së historisë dhe shkencave të tjera që do të bënte me të njohur historiografin shqiptare, njohjen e zhvillimive politike, gjeostrategjike, ekonomike dhe ushtarake. Prandaj, lirisht mund të themi se Dr. Paulini me botimin dhe daljen në dritë të këtyre dokumenteve arkivore italiane ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për shkencën e historisë, sidomos për historin e shqiptarëve të asaj periudhe. Ashtu siç shprehet vet edhe autori i librit Dr. Paulin Marku se: “Dokumentet e huaja na japin mundësin të shohim në brendësi politikën e një shteti dhe të hulumtojmë në mënyrë të detajuar qëndrimin politiko-diplomatik ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve tjera” të asaj periudhe që i përkasin dokumentet në fjalë, bën që studiuesit e mirëfilltë ta kenë këtë libër si manuel udhëzues për njohuri më të thella të ngjarjeve kohore edhe pse janë botuar dokunente të ndryshme nga arkivat shqiptare dhe të huaja po jo nga ato italiane.

Materiali i këtij vëllimi është mbështetur në arkivat burimore italiane që zënë një vend të rëndësishëm në këtë punim e cila ka shërbyer dhe ka bërë të mundur për të arritur në konkluzione më të sakta të vjeljes së tyre dhe zbardhjes së mëtejshme të serisë së dokumenteve arkivore mbi historin e popullit dhe shtetit shqiptar në përgjithësi.

Libri i tiulluar “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, Vëll. I., i autorit Dr. Paulin Marku, është vërtetë një libër shumë interesant dhe më interesant është kur lexuesi e merr në dorë dhe e lexon me vëmendje dhe në mendjen e tij i bën një analizë kronike, atëherë të duket shumë interesent nga falkti që të habit me durimin dhe këmbënguljen e autorit për të hulumtuar, zbuluar, evidentuar dhe sistemuar një arsenal të tërë dokumentesh arkivore italiane në të mirë dhe për të pasuruar fondet e tilla dokumentesh mbi historiografin shqiptare.

Autori i librit ka bërë një punë të mirë në shfetimin e dokumenteve në përgjithësi si bie fjala: telegramëve, raporteve e informacioneve të ndryshme duke u dhënë vendin e duhur gjatë renditjes së materialit për botim në një vëllim të veçantë. Autori mendoj se ka bërë punë të mirë duke hedhur në dritë një botim me shumë rëndësi siç janë hulumtimi dhe sistemimi i dokumentave italiane për historiografin shqiptare që sigurisht se edhe ai vetë ka hasur në vështirësi të ndryshme gjatë hulumtimit, sepse puna e tillë ka nevojë për durim, kujdes dhe kohë të mjaftueshme për të zbardhur diçka me rëndësi siç ka bërë Dr. Paulin Marku.

Dr. Paulin Marku me grumbullimin dhe botimin e këtyre dokumenteve, që nuk janë të pakta, në një vëllim të veçantë i ka dhënë mundësi të gjithëve që të lexojnë një libër shumë interesant të dalur nga arkivat italiane, dhe njiherit duhet lavdëruar për punën e bërë dhe guximin për të ndëmarrë një iniciativ dhe punë të tillë. Autorin e këtij libri në radhë të parë duhet përgëzuar për veprën e dhënë me kaqë rëndësi për historiografin shqiptare, por edhe për vullnetin e tij për punë, hulumtim të thelluar, durim mahnitës gjatë punës, përkushtim të jashtëzakonshëm të aftësisë profesionale gjatë punës hulumtuese dhe kërkuese, të një njeriu me karakter të vendosur për të çuar në fund punën e nisur deri në botimin e pëgjithshëm të librit.

Autori i këtyre rreshtave me përzemërsi e falenderon autorin e librit Dr. Paulin Markun për veprën që na botoi, njiherit urojmë suksese edhe në jetë dhe në daljen në dritë edhe të shumë veprave tjera nga dora dhe mendjea e ndritur e tij.

New York 5 Korrik 2024

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Politike Tagged With: Hamid Alaj, Paulin Marku

Zhvillimi i arsimit në trevat shqiptare gjatë Mesjetës

July 6, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Studimet për historinë e arsimit në trojet shqiptare janë përqëndruar kryesisht pas fillimit të shkrimit shqip dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pa i ndërprerë studimet për këtë periudhë, është e nevojshme që historianët tanë në përgjithësi dhe sidomos ata që merren me studimin e historisë së pedagogjisë të përqëndrohen më shumë në arsimin në trevat shqiptare në kohën e Vjetër dhe të Mesme, të njohura si periudhat e arsimit në gjuhë të huaj, kur si gjuhë e shkollës dhe mësimit përdoreshin greqishtja dhe latinishtja. Pavarësisht nga mangësitë e theksuara formuese dhe informuese, arsimi mesjetar edhe në trevat shqiptare u bë pararendës i arsimit në gjuhën e popullit(shqipe), që u zhvillua përmes vështirësish për shkak të pushtimit osman.

Niveli i zhvillimit arsimor të një vendi është tregues i qartë i zhvillimit shoqëror të tij. Me këtë shqetësim duhet t’i shohim studimet tona edhe për arsimin mesjetar. Ndërkohë që Evropa po shkon drejt unifikimit, ajo është e vëmendëshme ndaj ndihmesës që jep secili vend në kulturën e përbashkët. Shqiptarët po kërkojnë të integrohen si bartës të një gjuhe dhe kulture të veçantë në Evropën multikulturore.

Në Mesjetë u krijua për herë të parë një hapësirë kulturore europiane. Paraardhësit tanë, jetuan në këtë hapësirë si banorë të barabartë me fqinjët e tyre. Por ata jetuan si ilirë, arbër dhe shqiptarë, në një zonë tampon midis kulturave, që e begatoi edhe më shumë këtë hapësirë, duke i dhënë disa përparësi krahasuar me territoret e brendëshme monokulturore.

Duke lexuar veprën “Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, (grup autorësh, Tiranë 2003) dhe librat e disa studiuesve të shquar: Jashar Rexhepagiç, “Zhvillimi i arsimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918.” (Prishtinë, 1970); Hajrullah Koliqi, “Historia e Arsimit dhe e Mendimit pedagogjik Shqiptar,” (Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Prishtinë, 2002); Ludovik Shllaku, “Shkollat klerikale”, (Shtëpia Botuese Camaj-Pipa 2002 ), që janë marrë posaçërisht me historikun e arsimit shqiptar, si dhe studiues të tjerë, që e kanë trajtuar këtë temë, shihet se periudhës së Mesjetës i lihet shumë pak hapësirë. Pa shumë pretendime, do të parashtroj edhe ndonjë fakt të ri, apo dhe ide, që do të ndihmojë sadopak në studimet e ardhëshme.

…

Që nga fillimi i Mesjetës së herëshme dhe deri në prag të Rilindjes Evropiane është një periudhë e gjatë kohore që në shkencën e historisë është quajtur Koha e Mesme. Studiuesit e historisë së arsimit shqiptar, mbështetur në të dhënat arkeologjike dhe dokumentet historike, kanë sjellë të dhëna për institucionet arsimore mesjetare në trevat shqiptare. Studimet e tyre janë një bazë e mirë për punën, që do të bëhet në të ardhmen. Si arritje të historisë së pedagogjisë sonë mund të theksohen tezat se manastiret baziliane bizantine dhe benediktine katolike kanë qenë edhe në vendin tonë qendra të dijes dhe të kulturës, se në trevat shqiptare janë krijuar shkolla pranë manastireve, katedraleve dhe famullive, të cilat kanë arsimuar një masë njerëzish për nevoja fetare, por edhe nevoja të tjera, se veprimtaria e urdhërave domenikanë dhe françeskanë ka qenë mjaft e rëndësishme, pasi u bënë nismëtarë të zhvillimit të arsimit elementar, të mesëm dhe të lartë, si dhe të shkrimit e arsimit shqip.

Megjithatë, të dhënat për periudhën mesjetare lejojnë që të nxirren edhe përfundime të tjera të rëndësishme. Duke qenë se arësimi mesjetar ka qenë kishtar, ose i ndikuar nga kisha, studimet për arsimin në trevat shqiptare duhen parë në lidhje me studimet për zhvillimin e krishtërimit. Në Mesjetë, deri në pushtimin turk, niveli i zhvillimit shoqëror dhe kulturor i trevave shqiptare ishte i krahasueshëm me vendet e tjera të Evropës. Në prag të pushtimit osman në territoret shqiptare kishte 80 seli peshkopatash, me manastire, katedrale, abaci e kisha të tjera. Në ato rrethana arsimimi ka qenë shumë i përhapur dhe i hapur për të gjithë ata që donin të bëheshin klerikë. Edhe fëmijët e kultivuesve të tokës mund ta vazhdonin shkollën. Ndërsa për aristokracinë krahas arsimimit monasticik, përdorej edhe të mësuarit në kështjellë, i cili ndonëse kishte për qëllim formimin e kastës sunduese, në thelbin e vet ishte kishtar.

…

Dokumentat e oborreve princërore shqiptare dëshmojnë se aristokracia e trevave tona ishte e arsimuar dhe zotëronte një apo më shumë gjuhë të kulturës. Kështu në oborrin princëror të Muzakajve përdorej si gjuhë zyrtare greqishtja, te Balshajt latinishtja dhe sllavishtja, ndërsa te Kastriotët të tre gjuhët, ndonëse sllavishtja kishte ndikim shumë më të vogël se dy gjuhët e tjera. Formimi i klasës aristokratike me nivelin më të përparuar për kohën është dëshmi e një shoqërie të zhvilluar. Këtë zhvillim të oborrit princëror duhet ta shohim në lidhje me zhvillimin e përgjithshëm që egzistonte në vend, pasi nëpunësit ishin pjesë e atij populli. Nga ana tjetër dinjiteti i princërve nuk lidhej vetëm me nivelin kulturor të oborreve, por edhe të subjekteve të tyre, një pjesë e të cilëve padyshim ishin të arsimuar.

Në trojet shqiptare janë formuar gjatë Mesjetës disa qendra të rëndësishme fetare me rëndësi për të gjithë gadishullin tonë. Justiniana Prima ishte seli e Vikarit Apostolik që kishte në varësi kishat e një pjese të madhe të Ballkanit; ndërsa pas pushtimit të qytetit prej barbarëve kjo seli u transferua në Ohër. Patriarkati i Ohrit kishte nën juridiksion në shekullin X popullësinë greke bullgare dhe serbe. Qyteti i rëndësishëm bregdetar i Durrësit deri në shekullin X ishte seli metropolite me juridiksion mbi 15 ipeshkëvi të tjera. Ndërsa Arqipeshkëvia e Tivarit kishte nën juridiksionin e saj 12 ipeshkëvi katolike në territoret e Shqipërisë, Dalmacisë dhe Serbisë. Këto qendra të rëndësishme klerikale, krahas problemeve të tjera të formimit shpirtëror të njerëzve, janë marrë edhe me arsimimin e popullsisë.

Në rrethinat e Ohrit, gjatë sundimit të mbretit Simeon, Klementi dhe Naumi, nxënësit e Cirilit dhe të Metodit kryen veprimtari misionare për përhapjen e shkrimit sllav. Klementi hapi në trojet shqiptare një numër kishash, manastiresh dhe shkollash. Brenda shtatë vjetësh 3500 nxënës të këtyre shkollash u bënë priftërinj, mësues, e tjerë. Ky numër i madh i nxënësve të punësuar, si dhe të tjerëve të papunësuar dëshmon se në këtë rajon kishte një rrjet të gjërë institucionesh fetare dhe arsimore, pavarësisht se shkollat mund të kenë qenë për një rajon më të gjërë, ndoshta për të gjitha viset nën juridiksionin e Patrikanës së Ohrit.

Në Durrës, në vitet tetëdhjetë të shekullit XIV është themeluar njëri ndër universitetet e para të Evropës; universiteti i parë mesjetar në Ballkan, (Studium generale) me 9 magjistra dhe 100 nxënës, i cili shërbente si qendër studimesh edhe për Bosnjën, Dalmacinë dhe Hungarinë. Veprimtaria e Universitetit të Durrësit u ndërpre në vitin 1501, kur hordhitë osmane pushtuan qytetin.

Ndërsa qendra arqipeshkvnore e Tivarit ka shkollën e parë benediktine në trojet shqiptare, që në shekullin XI. Pas saj në atë qytet u ngritën edhe shkolla të tjera episkopale, rregulltare, qytetëse, zejtare, e tjerë. Ky rrjet i gjërë shkollash ka ndikuar në përgatitjen e klerikëve,murgjëve, noterëve, shkruesve, e të tjerë, që nevojiteshin shumë në atë periudhë të zhvillimit të disa qyteteve bregdetare shqiptare dhe dalmate.

Një veçori e trojeve shqiptare është se u trashëguan shumë qytete antike, të cilat në Kohën e Vjetër patën arritur nivel të lartë zhvillimi. Qytete të tilla si Durrësi, Shkodra, Lezha, Ulqini, Vlora, Orikumi, Berati, mbetën qendra të rëndësishme urbane, të arsimit dhe kulturës.

Duke kaluar në Mesjetë, ato u transformuan. Dihet se qyteti mesjetar ishte në radhë të parë, qytet ipeshkvnor, seli e ipeshkëvit dhe vendi i një manastiri të rëndësishëm.

…

Nëpër territoret shqiptare kalonte kufiri kulturor midis botës romake, greke dhe pas vitit 880 , kur sllavishtja u njoh si gjuhë liturgjike prej Papës Gjoni VIII edhe i botës sllave. Kështu territoret shqiptare u gjenden në mes të presionit të tre kulturave të ndryshme, që luftonin gjithësecila për dominim. Në Shqipërinë e Veriut mbizotëronte riti latin dhe latinishtja, në Shqipërinë e Jugut riti grek dhe greqishtja, në Shqipërinë e Mesme diku njëra gjuhë e diku tjetra. Pushtimet bullgare e serbe bënë që të përdoret për pak kohë në disa treva edhe shkrimi sllav. Ky rivalitet bëri që trojet shqiptare të jenë në qendrën e vëmendjes së palëve, duke mos u parë si periferi e ndonjë hapësire kulturore të veçantë, por si një qendër ku përplaseshin ritet, kulturat dhe gjuhët e ndryshme.

Për vetë rrethanat, çdo sundues i ri, pas pushtimit ose rritjes së ndikimit politik në vend, ka zhvilluar edhe veprimtari misionare. Rolin më të madh në përhapjen e krishterimit, dijes dhe kulturës në trevat shqiptare gjatë Mesjetës, si kudo në Evropë e kanë patur manastiret. Termi monasticizëm vjen prej greqishtes “monachos”, që do të thotë person i vetmuar dhe shpreh rrugën e jetës që zgjidhnin burra dhe gra të caktuara, që tërhiqeshin nga jeta e përditëshme tokësore dhe i përkushtoheshin shërbimit shpirtëror.

Në fillim monasticizmi u zhvillua në Lindje, që në shekullin IV, pastaj në gjysmën e parë të shekullit VI u përhap edhe në Perëndim. Për egzistencën e tij në trevat shqiptare dëshmon Codex purpureus i shekullit VI dhe Codex aurum i shekullit X, të gjetur në manastirin e Beratit, si dhe shumë dorëshkrime që gjenden në Arkivin e Shtetit dhe tetë arkivat rajonalë në vendin tonë, shkrime biblike, liturgjike (gregoriane, ambroziane, bizantine), martirologji në gjuhët greke, latine, perse, arabe. Gjithashtu egzistenca e shkruesve në shekullin X në Berat, Korçë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër është e dokumentuar nga pikëpamja paleografike.

Dokumenta me rëndësi të madhe për historinë e Mesjetës së herëshme në Ballkan janë “Analet e priftit të Dioklesë”. Vetë autori i Analeve duhet të ketë patur një nivel të lartë kulture. Gjithashtu gjetja e dorëshkrimeve të gjuhëve lindore në trevat shqiptare dëshmon se ka patur manastire të rëndësishme kristiane. Në manastirin e shejtorëve Serge e Bacchus, pranë Shkodrës vinin të qëndronin mbretërit dhe princët kishin varret e tyre. Mbretëresha Helena e Serbisë, një franceze katolike, ndërtoi për françeskanët kishën dhe manastirin e Shën Mërisë në Shkodër dhe manastirin e Shën Markut në Ulqin. Këto manastire që gëzonin përkujdesje mbretërore ishin padyshim më të njohura se të tjerët.

Sipas dokumentave, në Shqipëri ka patur 30 manastire benediktine, ndër të cilët në Shirgj pranë Shkodrës, si dhe në Durrës, Rubik, Orosh, Bokjan, Ndërfanë, Kurbin, e tjerë. Sipas Shuflajt benediktinët i ndërtuan manastiret jashtë qyteteve, në zemër të popullsisë shqiptare.

Pavarësisht nga ndryshimet në rit midis manastireve baziliane lindore dhe benediktine perëndimore, kishte shumë gjëra të përbashkëta: murgjit ishin të angazhuar me lutje, punë, veprimtari kulturore dhe arsimore si lexim, shkrim, kopjim, mësim përmendësh i psallmeve, e tjerë. Si te bazilianët edhe te benediktinët studiohej literatura e etërve të kishës, botoheshin libra dhe kishte biblioteka.

Në fillim manastiret ishin të vetmet institucione arsimore dhe kishin monopolin e arësimit. Sapo fëmija bënte 6 vjeç, prindi e dorëzonte në manastir, ku ai edukohej për t’u përgatitur për klerik .Arsimi ishte falas. Falë Biblës mësoheshin leximi, kënga, psallmet. Një ekip ekspertësh të UNESCO-s, që u bëri studimin në vend dorëshkrimeve të vjetra, të zbuluara në trevat shqiptare, e konsideron Arkivin Qendror të Shtetit si “njërin ndër më të rëndësishmit në Ballkan”. Veprimtaria e rëndësishme e krijimit dhe kopjimit, që është zhvilluar ndër manastiret shqiptare ka qenë një veprimtari e mirëfilltë arsimore për kohën, domethënë rezulton se në trevat tona kanë qenë disa nga qendrat më të rëndësishme ballkanike të kulturës.

Arsimi monasticik i përket periudhës së Mesjetës së herëshme, kur shoqëria ishte rurale dhe shqetësimi kryesor ishte përgatitja e klerikëve. Me rritjen e qyteteve, manastiret gradualisht humbën monopolin mbi arsimin. Me legjislacion kishtar u krijuan shkollat e katedraleve dhe famullive. Koncili III i Lateranit këshillonte mbajtjen e një mësuesi të gramatikës në çdo katedrale dhe në Koncilin IV kjo masë u zgjerua në të gjitha kishat e mëdha. Në vazhdim të këtyre masave çdo kishë metropolite u udhëzua të mbante një mësues teologjie, për të mësuar klerin lokal. Pranë famullive u vendos të zhvilloheshin kurse të shkrimit dhe të leximit me të rinjtë, për t’i aftësuar ata që të shkruajnë dhe të lexojnë. Për herë të parë në arsim bëhet një revolucion i madh dhe kisha del jashtë problematikës së saj, duke menduar për arsimimin e një numri sa më të madh njerëzish. Në shkollat e katedraleve jepej lexim gramatikë, latinisht, shkrimet e shejta, astronomi që nevojitej për njohjen e festave të lëvizëshme. Sipas konceptit të kohës, dija ishte e rëndëndësishme, se shërbente si mjet për të njohur zotin. Në Mesjetë Bibla ishte mbi të tjerat. Shën Augustini, njëri ndër etërit e kishës pati thënë se “ muzika, numrat, bimët, kafshët, gurët e çmuar dhe të gjithë të tjerat ndihmojnë për të kuptuar më mirë Biblën”.

Të dhënat e dokumentuara për praninë e shkollave shqiptare datojnë prej shekullit X e këtej. Në këtë periudhë kemi një stabilizim të hapësirave të ndikimit të sejcilit rit fetar, me katolikët në veri dhe ortodoksit në jug, të cilët kanë patur një zhvillim të përafërt arsimor.

Disa shkolla ortodokse sllave kanë egzistuar midis liqenit të Ohrit dhe të Prespës që në shekullin X. Por shkolla më e vjetër ortodokse e dokumentuar në trojet shqiptare është e manastirit të Spanojt në liqenin e Janinës, e ngritur që më 1206 prej themeluesit të despotatit të Epirit, Mihal I Ëngjëlli. Afërsisht i kësaj periudhe është edhe manastiri i Ardenicës me shkollën e vet të shekullit XIII, … ku mësonin të gjithë klerikët e Myzeqesë dhe të Beratit, shkollë e cila ka vazhduar deri më 1684, kur është mbyllur. Përmenden edhe shkollat e manastireve të Shën Ion Theollogut të Kamenicës, Navaricës dhe Stillos, të hapura që në vitin 1275, shkolla e manastirit të Zvërnecit në Vlorë, që ka egzistuar deri në vitin 1376. Me vendimin e sinodit të Konstandinopojës, klerikët ishin të detyruar të jeprnin mësim falas.

Në krahinat veriore dhe verilindore të Shqipërisë gjatë kohës së sundimit të mbretërve serbë filloi të përdoret edhe shkrimi në gjuhën slave. Në zonën e Shkodrës në këtë periudhë u ndeshën të tre kulturat: bizantine, slave dhe latine.

Asnjëherë nuk u shua ndikimi perëndimor në trojet shqiptare. “Latinët” e Dyrrachiumit, që egzistuan gjithnjë, u shtuan me rënjen e Perandorisë Bizantine në vitin 1204 dhe sidomos në periudhën që vijon me krijimin prej Anzhuinëve të “Mbretërisë së Shqipërisë” në vitet 1273-1304.

Vepër e benediktinëve ishte kthimi i Shqipërisë së Veriut në katolicizëm, ndërtimi i një numëri të madh manastiresh, dhe objektesh të tjera të kultit dhe përgatitja e murgjëve dhe klerikëve të tjerë për shërbesat fetare. Pas tyre erdhën domenikanët dhe françeskanët, të cilët trashëguan prej benediktinëve përvujtësinë dhe dashurinë për dijen dhe kulturën, por ishin më të lidhur se ata me njerëzit. Ata i dhanë hov të madh zhvillimit të arësimit. Në kohën e domenikanëve dhe françeskanëve trojet shqiptare u mbushën me objekte kulti dhe shkolla. Klerikët dhe murgjit shqiptarë shërbyen edhe në vendet e tjera. Studiuesi i njohur i Mesjetës shqiptare Milan Sufflay e përshkruan kështu Ndërfanën dhe Shën Palin e asaj periudhe“më në jug fare, ndër gjind shqiptarë, ndërmjet dy lumenjëve të Fanëve, në krahinën prej nga në të katërmbëdhjetin shekull dilnin priftërinjë për krejt Dalmacinë, gjendeshin Abacia e Shën Palit dhe Abacia Shën Mëria e Ndërfanës.” Prania e klerikëve shqiptarë në trevat dalmate është tregues i pranisë në vendin tonë të qendrave të nevojëshme arsimore për përgatitjen e klerikëve, si dhe i nivelit të kënaqshëm të formimit të tyre, sa morën përsipër edhe funksione të larta drejtuese. Mungesa e klerit vendas në Raguzë në shekujt XIV-XV u plotësua me priftërinjë dhe rregulltarë nga Shqipëria e Veriut. Kuvendi i Raguzës ishte i mbushur me rregulltarë shqiptarë; Guardiani dhe Kustodi i françeskanëve ishin shkodranë dhe Priori i domenikanëve ishte ulqinak. Në vitin 1385, Provinciali i françeskanëve të Sllavonisë ishte një shqiptar.

Qendrat arsimore të domenikanëve dhe të françeskanëve në Shqipëri qenë të shumta. Falë veprimtarisë së tyre funksionuan shkollat: në Ulqin në vitin 1258-1571, në Kotorr në vitin 1266-1591, në Durrës më1278, në Shkodër më 1345-1487 Në Lezhë më 1483-1512, në Tivar nga gjysma e dytë e shekullit XI, si dhe në Drisht, Novobërdë, e tjerë. Sufflay përmend shkollat e Shën Barbarës dhe Shën Crasie në Shkodër dhe shkollat e Shën Crucis, Shën Gjergjit dhe Shën Mërisë në Drisht.

Në shekullin XIII-XV, disa qytete bregdetare si Durrësi, Shkodra, Ulqini, Kotorri kishin arritur në një nivel të lartë zhvillimi për kohën. Ata kishin njëfarë vetqeverisje, statutin, monedhën dhe administratën e vet. Ky nivel zhvillimi kërkoi kualifikimin e njerëzve për të organizuar jetën qytetare, duke nxitur zhvillimin e shkollave urbane, që u panë si përpjekje për organizimin e jetës qytetare me ligje dhe statute.

Krahas rasimit fetar u zhvillua arsimi urban, në shkolla të pavarura për noterë dhe tregëtarë, etj. Lëndët mësimore konsideroheshin si ndihmëse të doktrinës së shejtë. Shkollat urbane në fillim ndryshuan vendin, pastaj përmbajtjen. Ato krijuan një traditë të mirë dhe u bënë të nevojëshme për banorët, veçanërisht të qyteteve. Duket se arsimi privat u përhap shumë në Veriun e Shqipërisë. Me zhvillimin e shoqërisë qytetare u bë njëfarë ndarje shoqërore e punës, ku tregëtaret dhe zejtarët ishin të interesuar të merrnin me pagesë mësues për fëmijët e tyre. Ndërkohë kishte një shtresë intelektualësh që jetonin, përmes shkrimeve e kopjimeve. Nga trevat shqiptare kishte edhe njerëz të interesuar për të gjetur mësues privat, ashtu edhe mësues të interesuar për të fituar përmes profesionit të mësimdhënjes. Magistër Johani, doktor në gramatikë deklaron se i premton dhe i detyrohet presbiterit Andrea nga Shën Pali i Pultit se do t’i mësojë nipin e tij Nikollën të lexojë dhe të shkruajë sipës mënyrës tregëtare dhe do t’i mësojë atij Donatin dhe Katonin që të dijnë të përkthejnë. Falë nivelit të lartë të mësuarit, një pjesë e madhe e 24 noterëve dhe shkruesve në Raguzë ishin shqiptarë. Por nuk mungonin as mësuesit privatë. Këshilli i madh i Republikës i caktoi 10 perperë Teodorë Nikollës nga Drishti, për të paguar qiranë e lokalit, ku do të mësonte fëmijët e Stanjës. Qytetarët këmbëngulnin në ruajtjen e shkollave laike urbane. Pas pushtimit të Ulqinit prej Venedikut më 1406, një përfaqësi e qytetarëve paraqiti kërkesën për të mbajtur për nevojat e qytetarëve një noter që do të shërbente për të shkruar dokumentet e tyre, si dhe do t’u mësonte fëmijët.

Të dhënat e deritanishme lejojnë të nxirret konkluzion për nivelin e intelektualëve arbër të kohës. Prifti Nikollë Durrësaku, më 1250 ishte sekretar i papës Inoçenti IV. Në një letër të Inoçentit IV më 1254 urdhërohet Provinciali i Françeskanëve të Kalabrisë të paraqesë për ipeshkëv të Kratones magistrum Nicolaum de Durachio. I ardhur prej vendit të tij, doktori në Teologji, fra Nikolla de Samaxis u paraqit si legat, përfaqësues i Balshës II te Senati i Venedikut. Kjo traditë e pasur intelektuale e shqiptarëve do të jepte më vonë humanistët e mëdhenj shqiptarë të Rilindjes Evropiane, të cilët qëndrojnë denjësisht përkrah njerëzve më të ditur të Evropës së atëherëshme.

Pas shekullit XII, fryma poetike dhe bukuria e latinishtes u zbehën nën ndikimin e zhvillimit të shkollave dhe të universiteteve, që e bënë gjithnjë e më shumë gjuhë të shkollës dhe të teknikës, të profesorëve, nxënësve,priftërinjëve,sekretarëve, e tjerë. Askush nuk mendonte më në latinisht, por shkruante në atë gjuhë. Rënia e latinishtes u shoqërua me rritjen e përdorimit të gjuhëve kombëtare. Krahas mësimeve që merrnin në shkollë, prindërit u transmetonin gojarisht fëmijëve, baladat, legjendat, jetën e shejtorëve në gjuhët popullore. Ky lloj mësimi e paraqiste botën lokale përmes traditës dhe mitit. Tradita popullore u transmetua gojarisht brez pas brezi, deri sa u shkrua. Poemat u krijuan në vendet me kërcënimin më të madh, në gadishullin Iberik dhe gadishullin Ballkanik. Për nje periudhë kohe në Europë u përdor dygjuhësia, latinishtja së bashku me gjuhët popullore. Pastaj latinishtja ua lëshoi vendi këtyre gjuhëve.

Trojet shqiptare ndoqën të njejtën rrugë, veçse në kushtet e pushtimit osman, procesi i përhapjes së leximit dhe shkrimit shqip zgjati më shumë në kohë. Kështu në vitin 1584, në Letnicë të Shkupit dhe pak më vonë, në Stubëll të Gjilanit kanë funksionuar kolegje fetare(shkolla të larta), ku përveç teologjisë studiohej edhe filozofia e klasikët. Ndërkohë kishte filluar mësimi i shqipes në Kurbin, Pdhanë, Velë, Blinisht, Janievë të paktën nga shekulli XVII, ndërkohë që për arsimimin fetar të klerikëve të ardhshëm ishte përdorur gjuha e vendit(shqipe) si gjuhë ndihmëse në vijimësi e pandërprerje.

Rënien e latinishtes e favorizoi shpikja e shtypshkronjës, e cila bëri që të shtohen shumë shtypshkrimet dhe të rritet numri i librave në gjuhët popullore që ishin në qarkullim. Përkthimet e librave të shejtë dhe librat me karakter fetarë ishin tekstet e para të përdorura në gjuhët popullore.

Arsimimi në gjuhën shqipe i pati fillesat në kohën e lindjes së gjuhëve popullore në Evropë. Por në kushtet e pushtimit turk, ky proces eci ngadalë dhe përmes vështirësishë të shumta. Ishin klerikët shqiptarë që përdorën të parët gjuhën shqipe, dhe që ngritën shkollat e para shqipe në trojet tona dhe në kushtet e veçanta të vendit nën pushtim u detyruan për tre shekuj rrjesht të ishin edhe mësuesit e vetëm të shqipes në vend. Në fillim u hapen shkollat shqipe pranë kuvendeve, katedraleve dhe kishave, pastaj u hapën edhe shkolla private shqip, ndonëse numri i tyre mbeti i kufizuar.

Filed Under: Analiza

DORËSHKRIMET DHE VEPRA TË TJERA TË PABOTUARA E TË BOTUARA TË ENGJËLLORËVE GJATË MESJETËS

July 6, 2024 by s p

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies,

Budapest/

Familja e Engjëllorëve është e njohur për dorëshkrimet dhe veprat e shumta të botuara dhe të pabotuara që ka prodhurat gjatë historisë së ekzistencës së saj. Është një familje që përmendet shpesh për fallsifikate, por rrallë është shkruar për bibliotekën që ajo ka prodhuar dhe për pasuritë e shumta intelektuale që na ka lënë trashëgimi, por që nuk janë hulumtuar dhe aq më pak mbledhur deri më sot. Kisha katolike kishte një rol shumë të rëndësishëm dhe pothuajse vendimtar në mbështetjen e Skenderbeut në sferën politke, ekonomike[1] dhe ushtarake (veçaërnisht duke ndihmuar në mobilizimin e shqiptarëve si pjesë e luftëtarëve të Skenderbeut), pa lënë anash këtu edhe sferën shpirtërore. Deri me sot, pothuajse ka mbetur pa u trajtur në mënyrë shkencore, të pa anshme dhe sipas burimeve arkivore kjo çështje, ku do të dëshmohej roli i saj në dinamikat e zhvillimeve dramatike të luftës kundër perandorisë Osmane në shekullin e XV-të. I vetmi studiues që është marrë me këtë problematikë deri me sot, është medievisti kroat, me origjinë gjermane, Milan von Sufflay[2] në disa nga stuimet e tija, të cilat, edhepse të shkruara e botuara në shkeullin e kaluar, edhe sot e kësaj dite, janë të patejkaluara.[3]

Pos Vatikanit, ndikimin më të madh në bregdetin e Adriatikut në përgjithësi dhe në veçanti në Shqipëri e në fund-shekullin e XIV-të dhe shekullin e XV-të kishte Republika e Venedikut, e cila duke marrë Durrësin në sundim nga Gjergj Topia[4] në vitin 1392,[5] filloi të shtrinte ndikimin e saj edhe në territore tjera shqiptare, duke u bërë kështu mbrojtëse e interesave të vendasve dhe njëkohësisht duke garantuar paqe e siguri ndaj sulmeve të shpeshta që vinin nga Osmanët.

Ishte një plejadë e tërë e prelatëve shqiptarë, të përgaditur në fushën teologjike, diplomatike, filozofike, të drejtë kanonike e deri në mardhënjet ndërkombëtare, në qendrat më të njohura të kohës si. Padova, Venediku, Roma… e deri Konstantinopoli. Një pjesë e mirë e tyre, qëndroi në atdhe, duke shërbyer jo vetëm për fenë por edhe duke rrokur armët në raste të veçanta, një pjesë tjetër u mor me punë diplomatike, të tjerët ishin scribes – noter, levitë e kanonikë, të tjerët mësues nëpër selitë ipeshkvnore shqiptare[6] dhe një pjesë e mirë e kësaj kaste të prelatëve shqiptarë shërbeu në Raguzë, në funskione të ndryshme dhe profesione të ndryshme, në Padovë, Venedik, Mantovë, Firence, Romë, Napoli.. etj, në raste të caktuara si ambasadorë, të Skednerebut por edhe të finsikëve të kombësive tjera, si mjek, jurist, porfesor universitetesh, piktorë, skulptor, kancelar, astronom, etj. Do të duhej një hapsirë shumë e madhe për të rreshtuar emrat dhe profesionet e të gjithë prelatëve shqiptarë që vepruan në Shqipëri dhe Europë.[7]

Në mes të shekullit XV, në kohën para kthimit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Krujë dhe në vitet e para pas kthimit të tij, gjeografia kishtare në trojet etnike shqiptare ishte e ndarë në tre besime të ndryshme: territoret veriore dhe verilindore ishte nën ndikim e kishës katolike të krishterë, e cila administrohej, organizohej dhe mbikqyrej për ritet, të drejten kanonike, për klerin dhe gjendjen e përgjithshme të besimtarëve nga Selia e Shejtë, territoret jugore dhe juglindore ishin nën ndikimin dhe administrimin e Kishës Ortodokse me qendër Patriarkanën e Kosntantinopojës dhe viset e tjera ishin nën ndikim e të ashtuqujaturës “kishë uniate” e cila e merr këtë emër disa dekada më vonë, por këtu zbatohej liturgjia dhe ritet bizantine, në raste të caktuara, disa terriore ishin në administrimin e kishës sllave ortodokse e cila ishte mjaft agresive në zbatimin e të drejtës kanonike, ritualeve dhe liturgjisë e cila duhej patjetër të ishte në gjuhën sllave, përderisa organizimin e ndarjes së parë shërbehej në gjuhën dhe liturgjinë latine, në të dytën me gjuhën dhe liturgjinë greke.[8]

Në vijim po japim vetëm një pjesë të vogël të disa prej veprave të familjes së Engjëllorëve, vetëm për të tërhequr vëmendjen te këto pasuri që presin të rivlerësohen në dritën reale të kontributit që kanë pasur në kohën kur janë prodhuar e sigurisht edhe më vonë.

STATUTET DHE URDHËRESAT E KAPITULLIT TË KISHËS KATEDRALE TË DRISHTIT (STATUTA ET ORDINATIONES CAPITULI ECCLESIAE CATHEDRALIS

DRIVASTENSIS)

Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis e përkthyer në shqip si Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale të Drishtit, e ruajtur në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës (Det Kongelige Bibliotek – København), është pa dyshim vepra më e famshme e familjes së Engjëllorëve dhe më i vjetri monument i shkruar që na ka ardhur i plotë deri në ditët e sotme.[9]

Dorëshkrimi i Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis është shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys me 12 janar 1468.[10] Ai ka bërë edhe përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464[11] nga libri i noterit[12] dhe kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros,[13] që njëkohësisht ka qenë edhe sekretar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit.[14]

Kushtetuta-statuti që zyrtarizoi katedralia e Drishtit më 12 janar të vitit 1468 nuk ishte tjetër veçse përmbledhja e rregullave kishtare dhe pjesërisht të së drejtës zakonore shqiptare, që ishin në fuqi prej një kohe të gjatë në Drisht dhe në territoret përreth. Zbatimi i tyre u zyrtarizua dhe u institucionalizua në formë zyrtare fillimisht nga Selia e Shenjtë, që ishte autoriteti i vetëm që lejonte apo miratonte dokumente të tilla, të cilat pastaj autoritetet vendore i studionin, përpunonin dhe plotësonin, duke i bërë publike.

Variantin e Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis nga viti 1464 e kishin punuar kanonikët nga Drishti, të cilët ishin të ditur dhe njihnin rrethanat, situatën dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me katedralen dhe me zakonet e Drishtit në të kaluarën. Për zakonet e lashta të katedrales së Drishtit flet vetë teksti në mënyrë eksplicite: laudabilem consuetudinem antiquorum nostrorum immitantesi[15] pastaj: antiquissimam constuetudinem imminantes[16] dhe antiquissima et observata consuetudine”[17] si dhe “secundum morem et consuetudinem antiquorum.[18] Pra, përveç përvojës, njohurive dhe njohjes së situatës së përgjithshme, kanonikët nga Drishti, kishin si shembull edhe këto statute të lashta a maioribus nostris quasdam constitutiones traditas,[19] që datonin të paktën nga viti 1397.[20]

Sipas të dhënave të tjera arkivore, mësohet se ky statut ishte edituar më 10 qershor të vitit 1456, [21] kur papa Kalisti III, i kishte dhënë autorizimin ipeshkvit të Sapës Gjergjit [ipeshkv në Sapë gjatë viteve: 1440-459][22] për një veprim të tillë, ipsique capitulum et canonici nonnulla statuta ediderunt.”[23] Shkaku se pse ky editim nuk u njoh zyrtarisht ishte vdekja e papës Kalisti III. Ndërkohë, në vitin 1459, vdiq edhe ipeshkvi i Sapës Gjergji, kështu që papa Piu II, pas një lutjeje me shkrim të bërë nga katedralja e Drishtit në vitin 1463,[24] emëron dy persona autoritarë për të verifikuar dhe nëse ka nevojë për të plotësuar statutin ekzistues të Katedrales së Drishtit. Këta ishin, kryeipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli dhe kryedhjaku i Shkodrës, emri i të cilit nuk na bëhet e njohur në statute.[25]

Pas një pune të kujdesshme, të kryeipeshkvit dhe kryedhjakut, më 21 nëntor të vitit 1464,[26] në manastirin benediktin të shën Theodori de Elohiero bëhet njohja zyrtare e Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis në prani të z. at Nikollë Lalemit, abatit të manastirit në fjalë dhe në praninë e z. Gjergj Topia dhe të burrave të nderuar, z. Pjetër, rektorit të shën Demetrij de Plumsis dhe të z. Gjin, rektorit të shën Venere de Managastis dhe në prani të dëshmitarëve dhe të të ftuarve të tjerë edhe të rogatëve (publikues të ligjeve).”[27]

Teksti i dorëshkrimi është shkruan në pergamen të butë,[28] fin dhe është i tëri në gjuhën latine.[29] Kopertina është diçka më e trashë se faqet e tjera. I tërë dorëshkrimi është shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme.

Dorëshkrimi ka gjithsej 37 faqe tekst, 66 iniciale dekorative të madhësive dhe formave të ndryshme. Zakonisht në iniciale janë përdorur tre ngjyra: e kuqja, kafeja dhe bluja e mbyllur![30] Në tekst ka 54 kapituj, me 922 rreshta: 32 faqe kanë nga 27 rreshta, dy faqe nga 26 rreshta [f. 14v dhe 17v] dhe një faqe 6 rreshta [f. 18r]. Dimensionet e dorëshkrimit origjinal janë: 17.5 x 25.7 cm.[31]

Dorëshkrimi origjinal në pergamen ka dy lloj faqosjesh. Njërin lart në të djathtë, që fillon nga nr. 1r dhe vazhdon deri në nr. 18v[32] dhe faqosjen e dytë poshtë në djathtë, që fillon nga nr. 9r dhe përfundon në nr. 26v. Të dyja faqosjet janë të kohës së dorëshkrimit. Mesa duket ky dorëshkrim ka qenë pjesë e një apo më shumë dorëshkrimeve tjera të lidhura së bashku. Në faqen e fundit të dorëshkrimit është një gjenealogji e familjes së Engjëllorëve, e cila lexohet me vështirësi sepse është shumë e zverdhur. Kopertina e fundit e dorëshkrimit është mjaft e dëmtuar. Në të ka disa rreshta me shënime në fund të faqes, që janë shumë të dëmtuara nga koha dhe leximi i tyre është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur.

Me një fjalë, Statutet janë ligje në të cilat është saktësuar, përkatësish është rregulluar ose sanksionuar e drejta e individëve dhe shoqërisë si tërësi si dhe marrëdhëniet e tyre të përbashkëta apo të veçanta. Nëse i shikojmë si strukturë, Statutet janë të ndarë në libra, të cilat në brendi të tyre janë të ndara pastaj në kapituj. Çdo libër në vetvete përmban rregulla të përcaktuara saktë të një fushe përkatëse të drejtësisë, ndërsa kapitujt me terminologjinë praktike të sotme mund t’i quajmë nenet përkatëse të një ligji të caktuar. Përveç fazës së parë të krijimit të Statutit, (zyrtarizimit të tij të parë), kemi edhe pjesët shtesë të Statuteve, të cilat zëvendësojnë një normë përkatëse ose reformojnë atë që ka filluar të vjetërohet apo të tejkalohet.

DORËSHKRIMI NGA BIBLIOTECA NAZIONALE MARCIANA

Në Bibliotheca Nazionale Marciana, Biblioteka e Shën Markut, në Venecie ruhet një kodik prej pergameni me 46 faqe ose 23 fletë me paginim 1r-23v. Dorëshkrimi është në fletët 1r-19v, përkatësisht në 38 faqet e pergamenit fin, që vjen mesi i shekullit të shtatëmbëdhjetë.[26] Kodiku ka kopertina të forta lëkure, të kuqe, me një dekorim floriri në mes, në formë të stemës, por pa shenja heraldike. Lart në mes të kopertinës është shënuar me laps të kuq: no 50. Edhe kopertina tjetër ka në mes të njëjtin dekorim. Nuk ka shënime të tjera në kopertina. Kopertinat janë të mbështjella me një mbështjellës special të fillimshekullit të njëzetë, me ngjyrë jeshile.

Në kopertinë brenda ka dy etiketa me shenime nga biblioteka Marciana: Mss. Latini Cl. 10. Nr. 232. Porvenienza. Morelli Giaci 261; dhe etiketa e dytë: Collazione: 3732. Më poshtë, në mes, është një shënim i shkruar me dorë: Morelli 261; Clasis X; Cod. CCXXXII. Në fund, në mes, është një gravurë me stemën e Shën Markut me libër. Fleta në vazhdim është e papaginuar/e panumëruar dhe ka të shënuar me laps plumbi lart në të majtë nr. 39 dhe pak më poshtë në të djathtë po ashtu me laps plumbi: XCVII/5. Faqja në verso e kësaj fletë është bosh.

Në vazhdim është dorëshkrimi i Kodikut, i cili është i paginuar vetëm në recto, lart, djathtas, me të njëjtën dorë që është shkruar edhe dorëshkrimi; paginimi është i kohës së krijimit të dorëshkrimit. Pas përfundimit të dorëshrkimit kemi edhe fletët bosh: 19v-23v, si dhe një fletë kartoni e cila është e papaginuar dhe nuk ka asnjë shënim. Shenime nuk ka as kopertinat e brendshme.

Ky kodik përmban një gjenealogi dhe i tëri është shkruar nga një dorë e vetme.

Dorëshkrimi fillon:

f. (1r) “ANDREAS ANGELUS. Dei gratia Iureque successionis Sanguinis atque hereditariam actionis ex Genitura …”

dhe përfundon:

“Aneas autem iamdictus Aquilam auream bino capit coronatam quapropter uocati sunt Flauii anno 2310. ante aduentum Domini .1650. in Vexillo suo posuit camque in Regio Latii exaltauit. Qui fuit .XIIII. Auus Constantini Flauii Maximi imperatoris silicet grad. 34. atque annis .4267. Christi uero .307. Igitur quos Deus concessit, seu donauit homo non reuocet et sic quos Deus coniunxit homo non separet et ideo nemo in terra potest dinspensarem seu disponerem contra Ius Diuinum. Matheus. Cap. XIX.”

Në mënyrë përmbledhëse sjellim përshkrimin fizik të dorëshkrimit të Kodikut të Bilbiotekës Nacionale Marciana: Mss. Lat. X, 232 (=3732):

f. 1r – është shkruar me flori emri i Anderas Angelus, dy herë.

f. 7v – në mes numrave 75 e 76, një dorë e dytë ka shkruan këtë fjali: “Andronicum Angelum ob: an: Christi 1116.

f. 8v – në marginë është një shenjë që tregon se emrat e personave në numrat rendorë 59 e 60 janë vëllëzër. Është edhe fjala latine për vëllezërit: fratres.

f. 15r – Është një stemë shumë e bukur, në të cilën gjendet një shqiponjë ngjyrë ari, me kurorë mbretërore sipër kokave të shqiponjës si dhe një kurorë e trefishtë mbretërore në mes të dy kokave. Sfondi është i kuq, oker. Teksti sipër stemës është: Anno Mundi ad Computum Musaisum 2310. Ante uero Aduentum Domini D.C.L. dhe poshtë stemës: Tuscus Princeps Tusciae a quo Tuscia uocata est habebat huiusmodi Aquilam Auream et deinde Aeneas. X. Descendens ab Eo ac Successores eius.

f. 15v – Është një stemë shumë të bukur. Stema është e njëtë me atë f. 15r, por ndryshojnë ngjyrat. Sfondi është i florinjtë dhe shqiponja është e zezë . Teksti sipër stemës është si vijon:

Anno mundi ad Computum iamdiem 4267. Poshtë stemës është: Constantinus Maximus Imperator Flauius Augustus ac Pontifex ultimus Romanus habuit Crucem a Domino contra Maxentium Tyranum qui habeat dictam Aquilam Auream; et anno .XIII. sui Imperii habuit Victoriam in Aquilonae et propter talem Victoriam fecit et fieri Aquilam nigram similem coronatam in campo aureo, id est flavo et prout uidetur anno 4278. Christi vero 318.)

f. 16r – Emri i Andreas Angelvs është i shkruar me grafema floriri.

f. 18v – Me shkronja floriri është shkruar shënimi: Constantine in hoc vince.

Disa rreshta më poshtë në të njëjtën faqe kemi edhe tre kryqa me ngjyrë të kuqe; të tre të dekoruar në forma të ndryshme.

KSOMBLLA ANTIKUAR E PAL ENGJËLLIT

(NIPIT TË KRYEIEPSHKVIT TË DURRËSIT, PAL ENGJËLLIT SENIOR)

Kjo ksombëll është botuar në Venecie më 7 maj 1524, me titull: Epistola Pauli Angeli: Ad Sanctissimum in Christo patrem et dominum nostrum dominum [d.n.d] Clementem diuina Prouidentia Papam Septimum…”[27] Ksomblla është e shkruar në latinisht dhe italisht. Ka një gjuhë të rrjedhshme, të qartë. Përmban letrat e autorit drejtuar Papa Klementit VII dhe studime të tjera. Në ksombëll është edhe një stemë e Engjëllorëve. Ksomblla ka gjithsej 98 faqe tekst. Pas përfundimit të teksti janë 2 fletë (katër faqe) boshe dhe kopertina e veshur nga brenda me letër të hollë të kohës. Ksomblla është e ndarë në dy pjesë dhe tre kapituj.

Kjo ksombëll është dëshmia më e mirë se intelektualët shqiptarë, kudo që kanë jetuar e vepruar, kanë lënë gjurmët e tyre, në formë të shkruar, duke treguar përgatitje të lartë profesionale, pjekuri filozofiko-teologjike dhe mendjemprehtësi të lakmueshme. Autori, Pal Engjëlli junior, komunikon përmes fjalës së shkruar me bashkëkohësit, duke na lënë dëshmi të forta për nivelin e lartë intelektual që kishte, njëkohësisht duke bërë që të ndihemi krenarë, kur shfletojmë libra të tillë antikuarë, të cilët mbartin në vetvete barrën e fatit të autorit, familjes së tij dhe vetë shqiptarëve për shekuj të tërë.

Kjo ksombël është e panjohur për albanologët dhe studiuesit shqiptarë. Ajo ruhet të paktën në nëntë kopje të botimit të parë nga viti 1524, dhe në një kopje të ribotimit të dytë nga viti 1525.

Përshkrimi fizik i ksombllës nga viti 1524

Të gjitha ksombllat e librit antikuar të Pal Engjëllit të botuara më me 7 maj të vitit 1524, janë të lidhura me kopertina të forta pergameni të bardhë. Në asnjërën prej 9 (nëntë) ksombllave që njohim ne, nuk ka shënime në kopertinë, as dekorime apo ndonjë vizatim. Menjëherë pas kopertinës janë 2 fletë boshe dhe pastaj vjen frontespici i cili është i shënuar në gjysëm-faqe. Ksombllat nuk kanë asnjë ndryshim nga njëra-tjetra, në asnjërën prej ksombllave që njohim ne, nga botimi i parë i vitit 1524. Të gjitha janë identike dhe kanë dimensione 21 x 14,5cm.

Përsa i përket botimit të dytë të librit antikuar të Pal Engjëllit, nga viti 1525, njohim vetëm një ksombël deri tani. Ndryshimi i vetëm është te dimensionet. Dimensionet e ksombllës janë më të vogla, përkatësisht 15 x 10cm. Poashtu edhe madhësia e grafemave është më e vogël, ndërsa është ruajtur e njëjta renditje si edhe te botimi i parë, i rreshtave në faqe, i paginimit, titullit dhe gjithçkaje tjetër. Faqja e frontespicit është e papaginuar. Në pjesën sipër tekstit është stema e Papës Klementi VII, e cila është e vendosur në kronizë katrore. Ksomblla nuk ka titull të shkurtër apo të veçantë, por fillon me një inicial, me grafemën “E” e cila është e shtrirë vertikalisht në tre reshta. Teksti i frontespicit përbëhet nga 14 rreshta.

Në frontespic nuk është shënuar vendi i botimit, as botuesi apo data, muaji apo viti i botimit i ksombllës, por këto shënime i gjejmë në faqen e fundit të saj (f. 49v). Nuk është shënuar as emri i botuesit e as vendi i botimit. Për vendin e botimit mund të pohojmë me siguri se është Venediku pas kërkimeve tona të bëra atje dhe literaturës së konsultuar.

Faqet janë të paginuara lart në të majtë. Dy faqet që janë të renditura menjëherë pas frontespicit nuk janë të paginuara, ndërsa fletët e tjera janë të paginuara edhe pse në disa raste numrat nuk vërehen, për arsye se ngjyra është e fshirë apo kur është bërë prerja e margjinave të faqeve të ksombllës.

Teksti i ksombllës që është në 98 faqe tekst është i ndarë në dy pjesë dhe tre kapituj. Pjesa e parë është e ndarë në dy kapituj të gjërë.

Kapitulli i parë është i ndarë në pesë nën kapituj:

f. 1r-8v nënkapitulli i parë; f. 9r-12v i dytë; f. 13r-15v i tretë; f. 16r-v i katërti; f. 17r-v i pesti;

Kapitulli i dytë është i ndarë në 12 nënkapituj:

f. 18r-20v i pari; f. 20v-22v i dyti; f. 23r-26r i treti; f. 26r-v i katërti; f. 26v-28v i pesti; f. 29r-30v i gjashti; f. 31r-v i shtati; f. 31v-33r i teti; f. 33r-v i nënti; f. 33v-34v i dhjeti; f. 35r-v i njëmbëdhjeti; f. 35v-39v i dyëmbëdhjeti.

Në f. 40r është përmbajtja tabelare e lëndës. Në f. 40v është stema e Pal Ëngjëllit. Stema është e vendosur në një shqyt, ndërsa shqyti brenda një katërkëndëshi. Nuk ka dekorime. Brenda shqytit të stemës është një engjëll që mban në dorën e djathtë një degë palme, ndërsa në kokë ka një kurorë mbretëore. Engjëlli i ka krahët të ngritur lart dhe është i gjunjëzuar dhe i kthyer në të majtë. Sipër shqytit është një kryq me dekorime të varfëra.

Pjesa e dytë e ksombllës fillon në f. 41r dhe ka këtë titull: Epistola Salutifera charitatis: Pauli cognomento Angeli. Në fillim të tekstit është një inicial me dekorime floreale ku dominon hardhia e rrushit me frut dhe gjethe të shumta, kurse brenda grafemës ‘E’ është një zog me krahë të hapur dhe kokën e kthyer në të majtë. Kjo pjesë nuk është e ndarë në kapituj, por paraqet një tërësi të vetme përmbajtësore dhe tematike. Siç thamë fillon në f. 41r dhe vazhdon deri në fund të ksombllës në f. 49v. Në fund të faqes 49v, është data, muaji dhe viti i botimit të ksombllës, pra ksomblla ka gjithesj 98 faqe.

E tërë ksomblla ka 107 iniciale (nistore), me dimensione dhe forma të ndryshme. Nga këto iniciale 3 janë me dekorime floreale, 68 e janë unicial dhe 38 janë grafema të vogla të tipit minuskul (italike).

Ksomblla që kemi në dorë fillon me letrën që autori i drejton papës Klementi VII, për të vijuar pastaj edhe me dy të tjera për të njejtin adresant. Letrat kanë karakter teologjik dhe trajtojnë probleme thellësisht fetare, aktuale për kohën. Edhe pjesa tjetër e ksombllës trajton të njejtën problematikë, në disa raste me një trajtim filozofiko-historik të problemit, ku vërehet thellësia e mendimit dhe euridicioni i gjërë i Pal Engjëllit.

Autori në më shumë se një vend shënon vitin 1524, por edhe muajt mars dhe datat kur ai shkruan letrat-debat, të cilat duhen studiuar e analizuar secila individualisht për porosinë dhe anën përmbajtësore shumë të pasur.

Veprat e tjera të panjohura të Pal Engjëllit junior

Ksombllat e librit antikuar të Pal Engjëllit ruhen në bibliotekën: Seminario vescovile–Como, në Biblioteca Statale di Cremona, në Biblioteca Nazionale Vittorio Emanuele III në Napoli, në Biblioteca Comunale Augusta në Perugia, në Biblioteca Angelica në Romë, në Biblioteca Vallicelliana në Romë, në Biblioteca Universitaria Alessandrina në Romë; në Biblioteca Civica në Padova dhe në Biblioteca Civica A. Hortis në Trieste. Gjatë kërkimeve dhe hulumtimeve tona shkencore, i kemi konsultuar këto ksomblla dhe kemi riprodhimet e tyre në letër në CD dhe në mikrofilm.

Pal Engjëlli është autor i gjashtë librave të botuara në periudhën kohore 1520-1544. Nga këta tituj, vetëm njëri është i njohur për studiuesit, albanologët dhe historianët shqiptarë dhe ai, vetëm si titull i përshkruar nga studiuesit e huaj, sepse studiuesit shqiptarë nuk e kanë pasur asnjëherë në dorë ksombllën origjinale me titull: Epistola Pauli Angeli ad Saracenos: cum libello contra Alcoranum: pro proudia: preuiaque dispositione conuersionis infidelium omnium mirabiliter: et fere repente: ad Iesum Christum Dominum Deum nostrum, uiam, ueritatem, et vitam plene satietatis: cui soli sit emper omnis laus, honor, et gloria, nobis autem obedientia fidelis, et pura tantum. Amen. Venezia: Alessandro Bindoni, 1520.”

Ksombllat e tjera janë si vijon:

“Epistola Pauli Angeli: ad Sanctissimum in Christo patrem et Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. In Sathan ruinam Tyranidis et in salutiferi supersubstantialis panis quottidiani Christicolarum gloriosam resurrectionem triumhatem iterum in omnem terram. Item prefato eiusdem Paulum Angeli [P. A.] in summam angelicam ordinatiori transmutatione capitulorum iam reformatam pro quacumque etiam summam consimilim et prefato summi Pontifici suoque sacro Concistoriali Senatui corrigendam submissam, cum enucleata veraci, apertiorique declaratione perfectae detegenda… [Venezia, m.a.] Datum in Domo Domino Nostro Iesu Christi in peregrinatione nostratis, Anno Domini M.D.XXII, nonis Maii [7 maj 1524];

“Epistola Pauli Angeli ad Sanctissimum Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. Venezia: Bernardino Viani da Lissona, 1525;

“Apologia: vel quasi exorcismus aduersus illorum hostium Dei peruersam: & ualde malignam intentionem: qui nuperrime triginta illas hamatiuas conclusiones Vuittemberge sic publice coaxare non horruerunt. Venezia: da Bartolomeo Zannetti, 1537;

“In transmutationis Summae angelicae orationem Pauli Angeli nouissima satiusque reordinata connexio. Venezia, 1543.

“Pauli cognomento Angeli Apologia aduersus Lutheranae perfidiae nonnullas versutas palliatas & impias conclusiones. Venezia: da Bartolomeo Zanetti, 1544.

Ksomblla e Pal Engjëllit ka një vlerë të veçantë për vetë faktin se renditet ndër librat e paktë të njohur deri me sot me autor shqiptar. Nëse e shikojmë në këtë kuadër, atëherë kjo ksombël me botimin e saj të parë (1524) dhe atë të dytë (1525) është një fillim i mbarë (së bashku edhe me titujt e tjerë të Pal Engjëllit për plotësimin e një boshllëku shekullor të krijimeve autoriale shqiptare në latinisht dhe italisht. Së bashku me paraardhësit ose bashkëkohësit, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Mikel Marulin, Mikel Trkanjotin, Gjon Gazulin, Domenik Topinë, Dhimitër Frangun, Gjon Muzakën e ndonjë tjetër, Pal Engjëlli junior, me 6 veprat e tij, është njëri ndër autorët më frytdhënës me vepra kryesisht teologjike e përkthime, por edhe krijime të mirëfillta në latinisht dhe italisht.

*************

Referencat:

[1] Oliver Jens Schmitt, Paul Angelus, Erzbischof von Durazzo und seine Bedeutung für den Turkenkampf Skanderbegs. Thesaurismata. Bollettino dell’Instituo Ellenico di Studi Bizantini e Postbizantini. Venezia: Instituto Ellenico di Studi Bizantini e Postbizantini, 2000, anno XXX, 127- 161, këtu 129.

[2] Millan von Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët. (Pasqyra e këtyne në kohën e mesme). Me parathânjë të St. Stanojeviqit, prof. i Universitetit në Belgrad. Përkthyer prej slavishtes nga Zef Fekeçi e Karl Gurakuqi. Tiranë, 1926; shih edhe: Serbët dhe Shqiptarët. /Historija e shqiptarëve të veriut. [Përktheu: Zekeria Cana, 23-75]. Serbët e shqiptarët/. Prishtinë: Rilindja, 1968; Millan von Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërin; paraturke. Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike. Botim II. (Shqip nga Edmond Malaj). Shkodër: Botimet Françeskane, 2016; Millan von Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në mesjetë. (Städte un Burgen Albaniens hauptsäschlich während des Mittelalters). Përgatiti për botim Luan Malltëzi. Tiranë: Onufri, 2009.

[3] Viteve të fundit kjo problematikë është trajtuar nga Gjon Berisha dhe Gaspër Gjini, por vetëm për terriotrin e Kosovë. Shih: Gjon Berisha, Organizimi kishtar në Kosovë gjatë mesjetës. (Ecclesiastical organization in Kosova during the Middle Ages). Prishtinë: Instituti i Hisotrisë “Ali Hadri”, 2014; Gjon Berisha, Arbërorët ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjatë shekujve XI-XV. (Albanian betwen the western and eastern Church during the 11th – 15th centuries). Prishitnë: Instituti i Hisotrisë “Ali Hadri,” 2015; Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup Prirzen nëpër shkeuj. Ferizaj: Drita, 1992; [e njëjta vepër është përkthyer në anglisht në vitin 2000: “The Shkup – Prizren Diocese thorugh centuries.” (Translated by: Avni Spahiu). Ferizaj: Drita, 2000]., gjithnjë duke mbetur studime lokale për territore të kufizuara.

[4] Për më shumë rreth kësaj teme shih: Dorëshkrimin e Kodikut Ashb 1167, f. 25r-27v: dokumentin: “Konventat dhe paktet e bëra midis të ndriturit dhe të fuqishmit Dukës, zotit Gjergj Topisë, sunduesit të Durrësit dhe zotit Saracen Dandulit në emër të shumë të ndriturës Sinjori së Venedikut nga kështjella e Durrësit,” shih edhe: Schmitt, Paul Angelus, 129.

[5] Ky dokument ruhet në original në: Archivio di Stato di Venezia. Venezia, Libri Commemoriales, VIII, f. 163v-164r, (Olim 165v-166r); ndërsa është botuar edhe nga: Šime Ljubić, Lisitne o odnošajih izmedju južnoga slavenstva i Mletačke Republike. Knjiga IV. Od godine 1358 do 1403. (Monumenta spectantia historiam Slavorum Meridonalium. Volumen IV.). Zagreb: Jugoslavenska Akademija Znanosti i Umjetonsti, 1874, vëll. IV, 293-295, dok, 324 (18 gusht 1392); AA, vëll. II, 120A-B, dok. 480; [përmbledhje e shkurtër e dokumentit e shoqëruar me koment nga Sufflay]; Josephi Valentini S.J., Acta Albaniae Veneta saeculorum XIV et XV. Partis primae. Saeculum XIV complectens. Tomus secundus. Ab anno MCCCLXXXIV ad annum MCCCXCVI. Mediolani: Typis P. I. M. E., 1968, vëll. II, 154-157, dok. 451, (18. VIII. 1392), e boton komplet dokumentin.

[6] Siç ishte rasti me “të tri shkollat e mëdha: e shën Kryqit, e shën Gjergjit, e shën Mërisë” të Dirshtit, për të cilat bëher fjalë me rastin e dorëzimit të Drishtit nën sundit të Senjorisë së Venedikut, te dokumenti: “Konventat dhe paktet e bëra me zotin Françesk Kuirinon nga bujarët drishtianë që po i nënshtrohen atij nën emrin e shumë të Ndriturës Sinjorisë së Venedikut.” Shih: Dorëshkrmi i Kodikur Ashb 1167, f. 22v-25r, për shkollat shih f. 23v të dorëshkrimit; Shih edhe Schmitt, Paul Angelus, 133; Valentini, Acta Albaniae…, XVII, 227, nr. 4057.

[7] Etleva Lala, Klerikët shqiptarë të mesjetës. Zbulime befasuese nga arkivat e Dubrovnikut. Në: Rilindasi. (Suplementi i së dielës te Shqiptarja.com). Tiranë, 10 mars 2013, viti III, nr. 10, 13-15; Etleva Lala, Diplomacia e Selisë së Shenjtë dhe trojet shqiptare gjatë mesjetës sipas burimeve dokumentare nga Archivio Segreto Vaticano. Spiritus. /E përjavshme jo vetëm kulturore e gazetës Albania. 23 qershor 2007, viti I, nr. 6, 4-5./ Albania. /E përditshme kombëtare/. Tiranë, 23 qershor 2007, viti 13, nr. 143 (3584).

[8] Ibid., 186-187.

[9] Dorëshkrimi origjinal i Kodikut të: Statuteteve dhe Urdhëresave të Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit (Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis, sot ruhet në sektorin e dorëshkrimeve të: Det Kongelige Bibliotek, Håndskriftsafdelingen, København, sektori i dorëshkrimeve, me signaturë/vendodhje: Ny kgl. S. 1822. Është botuar me facsimile, transkriptim dhe përkthim në gjuhën shqipe nga Musa Ahmeti dhe Etleva Lala, Statutet dhe Urdhëresat e Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit. (Statuta et ordinationes capituli Ecclesiae cathedralis Drivastensis) (Tiranë: Shtëpia e Librit Ombra GVG, 2009).

[10] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat e Drishtit, 183, (në dorëshkrimin origjinal f. 18r).

[11] Šufflay, “Städte und Burgen Albaniens,” 68A, ref. 94; Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182 (në dorëshkrimin origjinal f. 17v).

[12] Për përgjegjësinë, detyrat, obligimet dhe fushëveprimtarinë e noterit gjatë shekujve XIII [1286] – XVI [1586] është me vlerë të veçantë studimi i Padauin, Capitulare notariorum, 2-86; shih edhe Milan Šufflay, Dalmatinsko hrvatska srednjovjekovna listina. Povjest hrvatskog notariata od XI. do XV. stoljeća. /Prijevod s njemačkoga originala. Uredio, proslovnom pripremom popratio i preveo s njemačkoga Darko Sagrak/ (Zagreb: Darko Sagrak, 2000).

[13] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182 (në dorëshkrimin origjinal f. 17v). Sipas informacioneve gë jep noteri Simon Dromasys, kolegu i tij Gjon Mauro kishte vdekur në vitin 1468.

[14] Kushtet e punës së noterit, veçanërisht në qytetet bregdetare të Adriatikut janë të përcaktuara me saktësi në studimin: “Tassatione, over limitatione delli pretii che dienno havere li Nodari,” 2-11.

[15] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 144, kap. II (në dorëshkrimin origjinal f. 3r).

[16] Ibid., 162, kap. XXXIX (në origjinal f. 9r).

[17] Ibid., 164, kap. XLIV (në origjinal f. 9v).

[18] Ibid., 169, kap. XLVI (në origjinal f. 11v).

[11] Ibid., 142 (në origjinal f. 2v).

[19] Šufflay, “Städte und Burgen Albaniens,” 68A.

[20] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 141, kap. II (në dorëshkrimin origjinal f. 3v). Në dorëshkrimin origjinal dhe në transkriptim tonë është e shënuar: MCCCCLVI quattro Idus Junii. Për llogaritjen e kësaj date veprohet sipas formulës mesjetare të mëposhtme: nga Idus Junii që është 13 qershor heqim shifrën 4 që qëndron përpara Idus Junii, dhe datës 9 që del i shtojmë 1. Për mënyrën e llogaritjes së datës së cekur dhe datave të tjera rekomandojmë të konsultohen: Adriano Cappelli, Cronologia, Cronografia e Calendario Perpetuo dal Principio dell’èra Cristiana ai nostri giorni. Tavole gronologico-sincrone e quadri sinottici per verificare le date storiche. Sesta edizione aggiornata. (A. Cappeli, Archivista-Paleografo. Direttore emerito dell’archivio di Stato di Parma) (Milano: Editore Ulrico Hopeli, 1988), 173 e f. 272; Torstein Jørgensen dhe Gastone Saletnich, Synder og Pavemakt. Botsbrev fra Den Norske Kirkeprovins og Suderøyene til Pavestolen 1438-1531. Diplomatarium Poenitentiariae Norvegicum (Stavanger, Norway: Misjonshøgskolens forlag, 2004), 212-213.

[21] Farlati, Coleti, Illyricum Sacrum VII, f. 277B-278A; Eubel, Hierachia Catholica II, f. 229; Gams, Series episcoporum, f. 416.

[22] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 139 (në origjinal f. 1v).

[23] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 19.

[24] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 19.

[25] Ahmeti & Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182, (në origjinal f. 17v).

[26] Ahmeti &Lala, Statutet dhe Urdhëresat, 182, (në origjinal f. 17v).

[20] Ellen Jørgensen, Catalogus Codicum Latinorum Medii Aeivi Biblioethecae Regiae Hafniensis (Hafniae: Prostat in Aedibus Gyldendalianis, 1926), 401; Musa Ahmeti, “Shqipëria një kushtetutë që në Mesjetë. /Mesjeta shqiptare pasurohet edhe me një dorëshkrim origjinal burimor nga viti 1468 me vlera të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe albanologjinë” Shekulli viti IX, nr. 56 (2508), (Tiranë, 28 shkurt 2005): 21.

[27] “Duke qenë se shqiptarët e mesjetës nuk i kishin organizuar fuqitë e tyre në një shtet të tyrin, të vetëm, në këtë mes përjashtohen a priori akte shtetërore e administrative në gjuhë të vendit. Gjithashtu nuk mund të mendohet për ekzistencën e teksteve juridike shtetërore, siç i kishte mbretëria e perandoria serbe mesjteare, ku gjuha sllave ishte gjuhë e njohur dhe e pranuar zyrtarisht nga Perandoria dhe Kisha bizantine. Duke kombinuar të dhënat e historisë me lajmet e kohës, na del se gjuha zyrtare në shqiptarëve të mesjetës (gjuha e kancelarive të oborreve princore, aktet noteriale nëpër qytete etj) ka qenë e huaj. Shih edhe Eqrem Çabej, Studime gjuhësore VI. (Gjon Buzuku dhe gjuha e tij). Botim i dytë. /Gjon Buzuku. 1. Rrethanat historike/. Prishtinë 1988, vëll. VI, f. 18.

[28] Musa Ahmeti, “Gjendet dorëshkrimi origjinal i Statutit të Katedralës së Drishtit i vitit 1468.” Gjurmë historike. Kultura. Javore për kulturë, mediale e argëtuese (26 shkurt 2005), nr. 73, viti III; Zëri. Prishtinë (26 shkurt 2005), viti VII, nr. 1583, 20.

[29] Të dhënat e botuara në katalogun e Jørgensen, Catalogus Codicum, 401, për dimensionet 24,7 x 17, nuk janë të sakta.

[30] Ahmeti, “Gjendet dorëshkrimi,” 18.

[25] Në katalogun e Jørgensen, Catalogus Codicum, 401 gjejmë këtë përshkrim: “Ny kgl. S. 1822 fol. membr., saec. XV, ff. 19, cm. 24,7 x 17. Litt. Init. f. 1-18: Statuta et ordinationes ecclesie Drivastenis anno 1464 ab archiepiscopo Dyrrhachiensi Paulo Angelo confirmata. f. 19: Stemma Pauli Angeli archiepiscopo Dyrrachiensis. Prov. Illyricum. – Poss. Earl of Guilford. (Segnatura in inferiore parte tegumenti). – Sir Thomas Philipps. (In inferiore parte tegumenti: “Phillipps Ms. 7308”). – Empt. Lipsie anno 1920”.

[31] Në f. 19r gjejmë këtë shënim: “ante aduentum Domini 1650.”

[32] “Epistola Pauli Angeli: ad Sanctissimum in Christo patrem et Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. In Sathan ruinam Tyranidis et in salutiferi supersubstantialis panis quottidiani Christicolarum gloriosam resurrectionem triumhatem iterum in omnem terram. Item prefato eiusdem Paulum Angeli [P. A.] in summam angelicam ordinatiori transmutatione capitulorum iam reformatam pro quacumque etiam summam consimilim et prefato summi Pontifici suoque sacro Concistoriali Senatui corrigendam submissam, cum enucleata veraci, apertiorique declaratione perfectae detegenda… [Venezia, m.a.] Datum in Domo Domino Nostro Iesu Christi in peregrinatione nostratis, Anno Domini M.D.XXII, nonis Maii [7 maj 1524].

Filed Under: Kulture

LILIANA GJIKA, HEROINA E BIBLIOTEKËS SË VLORËS

July 6, 2024 by s p

Albert HABAZAJ/

Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Drita e ngohtë njerëzore

Jo vetëm në Vlorë, por edhe në Fier, Durrës, Elbasan, patjetër në Tiranë e gjektë, po u përmend emri i Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës, kolegëve dhe miqve të librit, u del para syve portreti me dritë të ngrohtë njerëzore i zonjës fisnike Liliana Gjika. Fuqia e imazhit të saj është mbresëlënës dhe nuk është thjeshtë rrjedhojë e punës shumë vjeçare si specialiste shembullore dhe drejtuese model në Bibliotekën e qytetit të madh të Shqipërsië Jugperëndimore, sepse bibliotekat shqiptare kanë plot të tillë që e bëjnë punën me përgjegëjsi të lartë, humanizëm, përkushtim dhe ndershmëri profesionale. Vetëm falë virtyteve të larta njerëzore që mbart dhe aftësive teorike – praktike në fushën e Bibliotekomonisë, mund të jesh punëtor i mirë i librit (në çdo pozicion të organigramës).

Jetëshkrimi i Lilianës dhe i Bibliotekave të Vlorës

Liliana Lako Gjika ka lindur në Pojan të Fierit më 19 Shtator 1950. Pas mësimeve në shkollën e mesme Pedagogjike, u emërua mësuese në fshatin Cakran. Kreu studimet e larta në Fakultetin Histori – Filologji, dega Gjuhë – Letërsi, 1971-1975, si dhe kursin dyvjeçar të Bibliotekës, 1975-1977. U emërua në Bibliotekën Publike të qytetit të Vlorës, në sektorin e Periodit Shqip dhe të Huaj, ku u mor edhe me studime albanologjike. Në vitet 1990-2000 u emërua drejtore e Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë. Ka shkruar mjaft artikuj publicistikë për rolin e shtypit në jetën njerëzore dhe për autorë të njohur të letërsisë dhe artit. Ka botuar librat: “Pavarësia kombëtare dhe Ismail Qemali në shtypin e viteve 1990-1982 (1983), “Autorë të huaj për Vlorën” (1987), “Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” (2006), “Njeriu me respekt te malet” (2016).

Emrin e saj e përmendin me shumë nderim e mirënjohje ish – kolegët mësues dhe ish-nxënësit e saj, jo pak nga të cilët sot janë emra të dëgjuar në fusha të ndryshme të jetës, ekonomisë, arsimit, kulturës dhe politikës shqiptare.

Emri i saj është i lidhur ngushtë si pakkush tjetër me institucionin ku ka punuar; ajo me Bibliotekën e qytetit të Vlorës. Dashamirësisht, duke marrë shkas nga dy vargje të Majakovskit, po heq një paralele: “Kur themi Liliana Gjika nënkuptojmë Bibliotekën e Vlorës, kur themi Biblioteka e Vlorës, nënkuptojmë Liliana Gjikën”.

Në qytetin e Vlorës dhe hapësirat e saj, tradita e bibliotekave është e hershme, pasuria e dokumenteve dhe dorëshkrimeve shfaqet qysh në Mesjetë me Bibliotekën e Manastririt të Kllogjrit në Kaninë, dhe Manastirin e Zvërnecit. Gjurmët e bibliotekave të Vlorës gjenden qysh në shek. XV-XVI me Bibliotekat Fetare, Bibliotekat e Himarës (shek XVI) etj. Kodikët e Vlorës janë dorëshkrime të rralla, më të vjetrat që janë ruajtur në hapësirën vlonjate, që si shkrime ungjillore dhe biblike në Shqipëri janë pjesë e historisë botërore të shkrimit; pjesë e historisë së zhvillimit progresiv të mendimit dhe të kulturës njerëzore… Historiku i Bibliotekave të Vlorës ka të regjistruar Bibliotekën e Mekatit (1672), ka Bibliotekën e Familjes Vlora, e përmendur qysh në mesin e shek. XVII, ndër më të njohurat dhe në Ballkan, po ashtu ka Bibliotekën e Odës së Tregtisë (krijuar më nëntor 1920), Bibliotekën e intelektualit Lluka Karafili (1912), Bibliotekën e Arsimtarëve (Biblioteka e vogël – 29.09.1936, ndërsa në ndërtesë më vete – më 7 Mars 1939), Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” (1994), si dhe biblitekat e fakulteteve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

Biblioteka e Vlorës, që më vonë mori emrin Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë u themelua më 22 gusht 1946. Me fondin e librave të “Bibliotekës së Arsimtarëve” rreth 5156 libra, si dhe atë të familjes së Eqerem bej Vlorës, u krijua ky institucion kulturor, i cili më pas u pasurua edhe me dhurimin e librave dhe revistave nga intelektualët e shquar të qytetit: Ibrahim Shyti, Ali Asllani, Musa Jonuzi, Dr. Ali Mihali, Jani Minga etj. Deri në vitin 1974, biblioteka e kryente verpimtarinë e saj në godinën e Eqerem bej Vlorës. Po këtë vit, ajo u vendos në godinën e familjes hebreje Matathia. Në vitin 1993, u vendos në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, por me kërkesën e intelektualëve të qytetit, u bë e mundur vendosja në mjediset e godinës së ish- Bankës Agrare, ku gjendet sot. Eh, moj bibliotekë e Vlorës! Ku s’të hodhën e ku s’të degdisën!…Pavarësisht nga kushtet, njerëzit, që i shërbyen e bënë një filigran të artë shkronjor për qytetarët

Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë zhvillon një veprimtari të gjerë në shërbimin ndaj lexuesit për dhënien e një informacioni të gjerë kulturor, artistik e shkencor. Drejtimi kryesor i veprimtarisë së saj ka qenë pasurimi i fondeve, përpunimi tekniko-shkencor, diskutimi dhe promovimi i librave të autorëve të letërsisë shqipe e asaj të huaj. Deri në vitin 1995 në fondin e kësaj biblioteke gjendeshin 120.000 ekzemplarë (kopje/ copë). Në vitin e mprapshtë 1997, biblioteka e Vlorës u dëmtua rëndë nga trazirat e atiij viti të zi, jo vetëm për Vlorën, por për gjithë Shqipërinë. Me vendosjen e Bibliotekës në mjediset e reja, sipas vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u bë rikonstruksioni i saj me financimin dhe ndihmën e fondacionit Soros. Mjediset e reja të Bibliotekës janë të një standardi bashkëkohor, për të shfrytëzuar të gjitha pasuritë e fondeve që gjenden aty. Brenda kësaj hapësire ndodhet edhe mjedisi për fëmijët, i cili është mjaft i këndshëm për të vetëvepruar në sallën e vetë. Biblioteka i shërben një popullsie mbi 180 mijë banorë. Ajo ka lidhje e bashkëpunim me shkolla, shoqata, personalitete të shquara, me Universitetin “Ismail Qemali” etj., duke zhvilluar një sërë veprimtarish kulturore e shkencore. Ajo afron shërbime me fonde të hapura në të gjithë sektorët e saj. Kohët e fundit janë bërë përpjekje për të afruar shërbime audiovizuale, internet etj.

Në gjerdanin e bukur të bibliotekave të qytetit, vlen të nderojmë të gjithë punonjësit dhe stafet që kanë punuar në sektorët përkatës të të librit dhe periodikut, të materialeve libra dhe jolibra, domosdosmërisht drejtorët e bibliotekave të Vlorës në vite: nga fillimet 1936-’44 e mbas Çlirimit: Rauf Zaimi, Ibrahim Kushta, Musa Muho e Mihal Peço; nga vitet ’45-’47 Afërdita Thanasi; ’47-’48 Jakup Gallanxhi; ’48-’50 Valdete Gorishti; ’50-’54 Tana Nesho; ’54-‘57 Fotini Jupi; ‘57-’64 Timo Vojniku; ’64-’65 Irfan Bregu; ’65-’68 Agron Grabova; ‘68-’91 Nezahet Braka; nga vitet 1991-2009 Liliana Gjika. Drejtues të bibliotekës së qytetit në vijim kanë qenë: shkrimtari Çlirim Hoxha, poetja Elma Rama dhe aktualisht ish – pedagogia e italishtes Iltana Koleka.

Liliana Gjika feks

Të gjitha ato zonja apo zotërinj që punojnë me librin, për mendimin tim, janë më të mirët, më të përkushtuarit, më të ndershmit, që me dashuri profesionale dhe buzëqeshje prilli, bëjnë miq të librit qytetarët e gjithë grupmoshave dhe niveleve të ndryshme arsimore, sepse libri është diell dhe specialistët dhe drejtuesit e bibliotekave i duan rrezet e diellit për qytetarët e tyre. Lajtmotivi ynë është: Bibliotekat ndërtojnë komunitetin. Komuniteti ushqen familjet. Familjet pasurojnë jetën. Jeta kërkon lirinë. Liria respekton dijen. Dija ushqen të kuptuarit. Të kuptuarit prodhon ide. Idetë mbëstesin komunitetet. Komunitetet kanë nevojë për bibliotekat. Bibliotekat ndërtojnë komunitetin. [ALA =Shoqata Amerikane e Bibliotekave, 1999].

Në bibliotekën e qytetit të Vlorës, për një kohë 35 vjeçare (1974-2009) ka punuar dhe për gati 20 vjet (1991-2009) ka drejtuar me kulturë dhe dashamirësi zonja Liliana Lako Gjika, sa që i dha kësaj Mëmëzonje të rëndë e fisnike rreth 90 vjeçare – Bibliotekës së nderuar të qytetit tonë fytyrën e saj me dritë, imazhin e saj me dashuri për librin dhe ëmbëlsi për njeriun, duke u shndërruar në ikonë të bibliotekave tona, si drejtoresha historike e bibliotekës së Vlorës. E përkushtuara Lilianë – e bukur në shpirt, në mendim, në veprim, sa e thjeshtë aq e ndritshme, është një model për t’u ndjekur jo vetëm në Vlorë, por, me siguri e them, edhe sot e kësaj dite, është një shembull për t’u ndjekur nga Biblioteka shqiptare dhe nga shkenca e Bibliotekonomisë. Ajo më jep shembëlltyrën e Uratës së Perëndisë së Librit në tokë. Ajo u fal buzëqeshje zogjve në pemë, jo më njerëzve në tokë që i përmirëson çdo çast e më tepër me shembullin dhe imazhin e saj. E ndritshmja Liliana Lako Gjika është pagëzuar me emrin qytetar Amazona e Bibliotekës së Vlorës. Për qytetarët tanë, ajo është Mikeshë me Vlera të Larta Njerëzore. Zonja Liliana Gjika nderohet dhe vlerësohet shumë nga qytetarët si drejtoresha historike e Bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, e veçantë në mirësitë e saj dhe vizionin e qartë. Ajo ka dhe dy emra të bukur: Amazona e Bibliotekës së Vlorës – Heroina e librit. Kështu i flasin miqtë e saj, që i ka po aq të mirë sa vetja. Kam mendimin se dy janë faktorët që ndikojnë në këtë largpamësi humane; së pari është gjeneza fisnike, së dyti drita e Bibliotekës që na dha dhe i dhamë.

Liliana Lako Gjika është regjistruar në kujtesën sociale si sinonim i Bibliotekës së Vlorës, kur Vlora dhe Durrësi ishin model në Shqipëri në fushën e Bibliotekonomisë dhe shërbestarisë humane ndaj komunitetit qytetar. Vlera e vërtetë ka folur në heshtje. Dhe nëpërmjet punës flet. Floririn mund ta mbulojnë edhe me hi, por floriri përsëri ngelet flori. Kur drejtonte veprimtaritë Liliana, dilte ylli e shkëlqente çdo imtësi e çdo sekondë të kohës së asaj veprimtarie… Po ku ka njerëz, që sapo takohesh, t’i qeshë fytyra e t’i ndriçojë aq hijshëm tërë nur?! Është Liliana e Bibliotekës. Kështu thonë dhe sot e kësaj dite.

Emri i saj është përfshirë në enciklopedinë e qytetit “Vlora – fjalor enciklopedik”, Tiranë, Maluka, 2023, f. 555-556, përgatitur nga prof.dr. Bardhosh Gaçe.

Heroina e librit më ’97 – ën

Ka ca realitete njeriu, që kur i kujton, thotë me vete: “Vërtet unë kam qenë, që kam mbajtur këtë qëndrim, që kam bërë këtë veprim? Vërtet…?”

Në rastin e këtij shkrimi të thjeshtë nderimtarie për Klloçkën e shkrimtarëve, poetëve, artistëve dhe libërdashësve të shumtë vlonjatë, jemi në krahët epikë të pabesueshmërisë së trimërisë së përditësuar qytetare: Liliana Gjika është ajo kapetane shqiptare, që në mes të ’97- ës, mori Bibliotekën e qytetit dhe, duke e parë plumbin drejt e në ballë, eci nëpër rrugët e Vlorës, të mbushura me plumba e gëzhoja dhe shpëtoi Bibliotekën hallemadhe të Vlorës sonë.

Në kohë lufte ata që ranë për liri u shpallën Dëshmorë të Atdheut. Ata që udhëhoqën me trimëri, atdhetarizëm dhe mençuri dhe u shquan për bëma të rralla u shpallën heronj të popullit. Liliana Gjika jetoi dhe punoi me devotshmëri, ndershmëri dhe profesionalizëm në kohë paqeje. Në fakt, qe një segment kohor fatal, i zi, më keq se në kohë lufte. Ajo, për dritën e mendimit dhe veprimt qytetar, është e vërteta Heroinë e Popullit (e gjallë). Është Kryezonja e Librit në qytetin e Pavarësisë Kombëtare. Kapedane bashkë me familjen e saj të mrekullueshme, me fëmijët, që i bëri pjesë të skuadrës së Shpëtimit të Librit, ku në ballë të zjarrit ishte bashkëshorti i saj shembullor, Viron Shamet Gjika, që për librat i qante zemra si për njerëzit më të afërm. Kemi përjetuar një realitet tej çdo lloj imagjinate njerëzore, si në një ëndërr të zezë llahtarie. Vërtet një histori e pazakontë e një gruaje epike në kohë moderne, kohë që u infektuan aq keq e u hidhëruan aq shumë. Detashmenti i familjes Gjika, i murosën librat për t’i shpëtuar nga vandalizmat barbare të ca palo bashkëkohësve tanë të egër. Edhe pse kanë kaluar 27 vjet, nuk rrëfehet pa drithërimë e pa lot në sy “Odiseja” e ’97-ës, ajo ngjarje sa e rrezikshme aq e bukur, ajo histori aq frymëzuese e një mësuesje, e një shqiponje të librit, kur, në një kohë shumë të trazuar për shqiptarët, Liliana bër përpjekjet më heroike të mundshme për të shpëtuar librat; kreu atë akt të lartë, që mund të shkonte deri në sakrificën sublime të saj dhe familjes, që vuri në dispozicion të shpëtimit të kulturës shkrimore.

Shtypi shqiptar i ka bërë jehonë të gjerë veprës së saj të vyer. Për “Destinacionin” tonë mund të përmendim shkrimet nderuese që janë botuar në gazetat “Panorama”, “Koha jonë”, “Ballkan”, “Labëria”, “Nacional”, “Kushtrim brezash” etj., apo emisionet televizive në mediet e vendit apo edhe të huaja për Lilianën dhe famijen e saj, që, sikur t’i kishte në organikë, i vuri në shërbim të jetës dhe shëndetit të librit dhe bibliotekës së qytetit. Dhe ia arriti. I shpëtoi. Fatkeqësisht pati dhe shumë libra të lënduar, madje dhe të vrarë nga banditët e patru e të pashpirt.

Modeli Lilianë. Shembull për njerëzit në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë. Unë, ne, bibliotekat e Vlorës qytetarët tanë të mirë, Atë e kanë në zemër, në shpirt, në sy, në mendje, sepse është NDERI I VLORËS… Qytetarët e njohin shumë mirë dhe e vlerësojnë shumë. Udhëtimi i saj në bibliotekë është Rrugëtimi i Ndritur që ka bërë me Nder e Dinjitet. Dhe, në thjeshtësinë e saj bujare, në thelb, është ajo që shfaqet dhe ndihet krenare për atë që është. Për punën e saj, shkëlqimin e punës së specializuar e profesionale që ka bërë për 35 vjet në atë Bibliotekë, e cila ishte ndër bibliotekat më të mira në vend, ku janë kryer edhe shumë seminare nga rajoni etj., Liliana Lako Gjika është vlerësuar për ndihmesën e shquar në edukimin e brezave, si intelektuale ee shquar e qytetit të Vlorës, e cila ka dhënë një ndihmesë të veçantë për zhvilimin e kulturës dhe traditave kombëtare. Ajo është se e meriton “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”, titull që i është dhënë më 22.11.2012. Ajo është se e meriton “Mirënjohje e Qytetit”. Edhe “Mirënjohje e Labërisë”. Ajo është nderuar edhe me çmime e tituj të tjerë lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë, ku mund të përmend shumë çmime të tjera nga Ministria e Kulturës, 2 herë nga Ambasada Amerikane etj. Ajo është vlerësuar edhe me çmimin e lartë ndërkombëtar “Best Prektis”, 2006. Ajo nuk kërkon, por meriton më shumë, se i bën dritë librit, i fal mirësi të bukur qytetarisë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 870
  • 871
  • 872
  • 873
  • 874
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT