• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISMAIL KADARE U NIS LART PËR NË BULEVARDIN E GJENIVE

July 3, 2024 by s p

Bujar Skëndo/

Ju i ngritët vetes një memorial planetar me veprën gjeniale të përkthyer në gjuhët e shtatë miliardë banorëve të tokës. Kurse lexuesit tuaj ju ngritën një memorial “jo duarsh”, por fryme e shpirti, të lartë deri në qiell, pikërisht aty ku të presin gjenitë botërorë. Fqinjërove në këtë jetë me Eskilin, humbës i madh, me Danten e pashmangshëm, me Shekspirin e Hamletit, princit të vështirë, me Servantesin e Don Kishotit. Dhe, po ashtu, me Xhorxh Oruellin e Franc Kafkën, të cilët ua kujtove shpesh tërë lexuesve të tu.

Dhe do fqinjërosh sërish atje lart me të gjithë këta, në Bulevardin e Gjenive, ku vendin e nderit e mban, prej 2500 vjetësh, gjeniu i verbër, vetë Homeri…

Askush prej jush atje lart nuk ka marrë me vete asnjë nga kryveprat e veta. Asgjë. Gjithçka e latë dhuratë në tokën mëmë. Të gjitha kryeveprat tuaja, bashkë me dhimbjet, gëzimet, triumfet ua latë lexuesve tuaj. Si një peng? Si një testament suprem? Trashëgimi hyjnore, pa asnjë dyshim, më e çmuara, më e shenjta që njerëzimi ka qysh kur jeta ka lindur në këtë planet të bekuar.

Është tamam sikundër e keni thënë ju. Nuk quhet vdekje. Quhet “jeta jote pa praninë tënde në botë”. Po, është vepra jote gjeniale që jeton nëpër gjenerata e shekuj dhe që në kopertinë mban emrin KADARE!

Kjo është aleanca që gjeniu dhe letërsia e tij gjeniale bën me jetë- vdekjen. Dhe me vdekje- jetën. Prandaj, ndoshta, ke thënë se nuk të tremb vdekja. Ke “zbritur” disa herë atje në Ferr për të zbuluar ëndërrat kriminale të diktaturës komuniste, duart e gjakosura deri në bërryla të “pashallarëve të kuq”… Por edhe sepse jeta këtu lart shpesh kishte qenë më ferr se vetë Ferri.

Luftëtar i lirisë! Gjeni i fjalës së shkruar artistike. Krijues i një vepre voluminoze gjeniale. Njeri i Madhërishëm. Njeri Krenar. Mik i Pashembullt.

Republika e letrave sot është në zi!

Filed Under: Analiza

ME DASHURINË PËR VENDLINDJEN PËRTEJ KUFIRIT TË HEKURT

July 3, 2024 by s p

Prend Ndoja/

-Rreth monografisë “Rrugë jete” të Zef Osmanit- Propaganda komuniste, që e paraqiste Shqipërinë një vend të lulëzuar, gati e vinte djaloshin në kundërshtim me nënën e vet, Lule Colin, e cila ishte rritur në malësitë e Pukës dhe i thoshte djalit të vet: “Hajt bre nanë, se tybe, qysh e di unë, ai vend nuk ka mundësi me u ba lule”. Po djali e kishte vështirë ta thyente brenda vetes atë dashuri që kishte për Shqipërinë e për vendin e të parëve të tij, dashuri që do ta përcillte derisa u rrit e u bë në gjendje të shkonte ta vizitonte Shqipërinë dhe Nikaj Mërturin, dashuri që e përcjell edhe sot, kur i ka kaluar të shtatëdhjetë vitet.

Duke lexuar këtë monografi mendoja me vete se vetëm një njeri me vullnet të hekurt, me formim të thellë intelektual dhe i brumosur me një patriotizëm të rrënjosur në shpirt, mund të ndërmerrte një iniciativë të tillë për të bërë një punë kolosale në reaalizimin e një vepre si kjo. Monografia për familjen e Gjon Mak Imerit, që përbën si të thuash trungun direkt të paraardhjes së familjes së autorit në pemën gjenealogjike 320 vjeqare,e që një pjesë e asajë peme u shpërnda në disa treva të malis së Gjakovës ku jetoinë edhe sotë, Që nuk janë kurrësesi pak. Por Zef Osmani, me pasionin e tij prej studiuesi, ka shkuar edhe nja tre-katër shekuj të tjerë më tej,në epokën e bronxit, duke kërkuar rrënjët e jetës dhe të krijimit të fshatit dhe të krahinës së Nikaj Mërturit, një zonë e njohur e me emër në Malësinë e Gjakovës.

Tek e lexon librin vështron se me çfarë përkujdesjeje ai i sjell emrat e familjeve e të fiseve, duke treguar shkurtimisht historinë e zhvillimit të tyre njerëzor e ekonomik dhe se si lindin një pas një fshatrat e Nikaj Mërturit nga ndarja e këtyre familjeve për shkak të zgjerimit të tyre. Ai nuk ka harruar asnjërën, duke i përmendur thuajse të gjithë me emra, sipas kronologjisë së ardhjes në jetë, që nga krerët e familjeve e deri tek pinjollët më të fundit të tyre. Shumë prej tyre ai arrin edhe t’i portretizojë, duke na dhënë karakteret e tyre, sipas rëndësisë që patën edhe në ngjarjet historike të vendit. Nuk ka se si mos të tërheqë një figurë si Kurtesh Kurti e familja e tij, që bashkëpunoi me Bajram Currin dhe luftoi bashkë me të. Autori na tregon se në këto anë Bajram Curri me luftëtarët e tij gjeti kurdoherë bujari e besë në mikpritje dhe luftëtarë për të forcuar radhët e forcave të tij luftarake. Kjo traditë atdhetare dhe luftarake e familjes së Gjon Mak Imerit dhe pasardhësve të tij u transmetua nga brezi në brez, deri në luftëtarët më të rinj që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb.) Autori Zef Osmani sot është në pension. Por prapa krahëve të vet ai ka një kurikulë të pasur e të shkëlqyer. Ai djali i vogël që lexonte libra ndërsa kulloste lopët, me kalimin e viteve u bë një intelektual me zë e profesor, kuadër i aftë e me peshë në fushën e arsimit dhe të kulturës në Kosovë, poet e shkrimtar i njohur dhe i dashur për lexuesit. Poezitë e dramat e tij janë mirëpritur nga lexuesit dhe nga spektatorët që i kanë ndjekur ato në skenë.Monografia “Rrugë jete” është shprehje e talentit të tij, e pjekurisë së tij artistike, e përvojës së madhe të një njeriu krijues, që edhe në lartësinë e mbi 70 viteve jetë nuk resht së punuari e së shkruari, për t’i dhënë sa më shumë historisë dhe kulturës në Kosovë.

Filed Under: Sofra Poetike

ISA BOLETINI…

July 3, 2024 by s p

Luan Çipi/

Isa Boletini ka lindur në fshatin Boletin të Shalës së Bajgorës të Kosovës, më 15 janar 1864 dhe u vra nga Malazezët në Podgoricë, më 23 janar 1916. Ai rrjedh nga një familje e njohur për patriotizëm si në Mitrovicë ashtu edhe në tërë Vilajetin e Kosovës. Isa është një nga luftëtarët kreshnik të paepur të periudhës së Pavarësisë, legjendë historike për shqiptarët.

Ka qenë ushtarak, në Ushtrinë Osmane, prijës i kryengritjeve popullore shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe figurë e atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar, Hero i Popullit Shqiptar..

Mbiemri i familjes Boletini është Maksutaj, vendosur në fshatin Isniq të Deçanit. Më vonë migruan drejt fshatit Boletin, prej nga merituan edhe mbiemrin.

Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës .

Mbështeti rilindësit shqiptarë, veçanërisht për shkollat, madje ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe për Boletinin e Shalës.

Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë, Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t’i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë.

Në Stamboll më 1902 Isa Boletini nga Sulltan Abdul Hamiti II, ishte emëruar Komandant i Gardës së tij personale, e cila ishte njësia më speciale që kishte Perandoria. Natyrisht, sipas traditës, gardistët gjithmonë ishin shqiptarë të rekrutuar me kujdes. Isa Boletini i kaloi katër vite në këtë detyrë për të cilën gjë Sulltani ia dha titullin bej. Qëndroi në këtë pozitë deri më 1908, kur në nëntor ai i kundërshtoi Sulltanin dhe i dhá përkrahjen Revolucionit Xhonturk. Ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajt (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Po me kohë, zbuloi pabesitë antishqiptare dhe iu kundërvu politikës reaksionare e antishqiptare të xhonturqve. Kur Xhavid Pasha dërgoi 7,000 burra me në krye Dervish pashën drejt Shqipërisë që të nënshtronte Kosovën, Isa Boletini me një grusht burrash organizuan një mbrojtje të guximshme. Gjatë dëbimit trupat osmane dogjën kullën e familjes së tij në shenjë hakmarrje. Armiqësia ndaj serbëve kulmoi më 1908, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus i asaj kohe, të furnizuara me armë po nga Rusia. Në 1909 Boletini udhëhiqte betejat nga Prishtina në Prizren e më tej. Ai luajti rolin qendror si kryetar i kryengritjes të përgjithshme në pranverë të 1910, kur udhëhoqi luftëtarët, në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë, ku turqit thyhen keqas.

U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore anti osmane të viteve 1910-1912. Mbështeti kryengritjen anti osmane të v. 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë më 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Cernalevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.

I zgjedhur si delegat i Kosovës, në krye të 100 luftëtarëve kosovarë ai u nis për në Vlorë në Nëntorin e vitit 1912. Në sheshin e flamurit për herë të parë ai u takua me Ismail Qemalin. Shtrëngimin e dorës së tij Isa Boletini e shoqëroi me urimin “Të lumtë dora Ismail Qemali” dhe mori prej plakut të urtë të Vlorës vlerësimin më të lartë për kontributin që ai kishte dhënë për shpalljen e pavarësisë “Ti më dhe krahun e fuqishëm, Isa Boletini”.Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë Shqiptare, duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqësues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin, shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për copëtimin e Shqipërisë. “Baca Isë” është bërë i njohur edhe për ndodhinë që i ngjau në Londër: Teksa delegacioni shqiptar shkonte të takonte Eduard Grejin, Ministër i Jashtëm i asaj kohe i Mbretërisë, roja i kërkoi Isait me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isai u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë, bëri shaka: “Nesër gazetat do të shkruajnë se atë, që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane, e bëra unë, Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër!” Thonë se Isai është përgjigjur: “Jo besa, as në Londër!” Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver, që e mbante diku fshehur.Në takimet e shpeshta në Londër, “Gjenerali me qeleshe të bardhë”, la një mbresë të fortë të zakoneve shqiptare, ku askush nuk mund ta shihte pa e admiruar atë. Ai u kthye në Shqipëri, dhe më pas, trupat e tij mbrojtën edhe Princ Wilhelm Wiedin, deri në nisjen e tij nga Shqipëria Kjo dhe me mbështetjen e kolonelit holandez Thomson, me të cilin krijon xhandarmërinë e parë shqiptare. Më vonë Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje, po kurdoherë dhe me urtësinë e tij, që i dha gvetes gjithnjë autoritet të madh, si udhëheqës i shquar popullor.Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes dhe krejt pasurinë e tij të konsiderueshme, me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnis. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia!”. Vendimet e padrejta që mori Konferenca e Londrës duke lënë jashtë kufijve më shumë se gjysmën e kombit shqiptar, përforcoi bindjen tek Isai se një padrejtësi të tillë do ta zgjidhte vetë populli shqiptar. Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Isa Boletinin në Malësinë e Gjakovës. Përqendrimi i forcave ushtarake serbe e malazeze në kufirin shqiptar dhe bashkëpunimi i tyre me reaksionin brenda vendit e detyroi Isanë të linte Krasniqen e të zbriste në Shkodër, tashmë në gjendje të rëndë shëndetësore e në kushte tejet të vështira ekonomike, pasi gjithë pasurinë e tij e kishte vënë në shërbim të luftës për liri e pavarësi.Në qershor 1915 forcat malazeze rrethuan Shkodrën. Për të mos rënë në dorë të tyre, Isai kërkoi strehim në Konsullatën Franceze në Shkodër dhe i kërkoi nënkonsullit që ta ndihmonte për t’u larguar në një vend asnjanës ose të ndërhynte pranë qeverisë së Malit të Zi dhe Serbisë që të lejonin kthimin e tij pranë familjes në Mitrovicë. Në qoftë se nuk do t’i realizoheshin kërkesat, Isai kishte vendosur që me çdo sakrificë të çante natën rrethimin e forcave malazeze e të largohej nga Shkodra. Por, qeveria franceze vendosi t’ia dorëzojë Isa Boletinin Malit të Zi, duke u bërë kështu drejtpërdrejtë pjesëmarrëse në krimin e shëmtuar që serbo-malazezët kryen ndaj Isait, te Ura e PodgoricësMë 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin dhe tre luftëtarë të tjerë.Janë madhështore, legjendare e heroike çastet e fundit të jetës së tij: “I futur në kurth, nga Malazezët, Isa Boletini qëllohet nga të gjitha anët me plumba, por nuk bie, teksa arrin të qëllojë deri në fund mbi ekzekutorët e vet. I bërë copë nga predhat, ai nuk shtrihet, nuk nxjerr zë, nuk dridhet, nuk bën asnjë hap pas, si të ishte prej shkëmbi. Dikur plagët e rrëzojnë në gjunjë, por sërish ai arrin të mbajë armën në duar duke qëlluar… Dhe në momentin që dora e djathtë i copëtohet, e kalon revolen në të majtën…”.Vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, njeriut që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë, të urdhëruar nga qeveria e këtij vendi, të cilët edhe pse në luftë për ekzistencë e të mundur keqas nga Austro – Hungarezët, ende si armik kryesor quanin, shqiptarin e rrezikshëm Is Boletini, kurse ata që e prenë në besë atë, ishin disa diplomatë francezë. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas, me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e Ushtrisë Austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”. Eshtrat e tij u transportuan në Boletinin e çliruar, shumë më vonë, më 25 shtator 2004.Isa Boletini i dha kuptim luftës së shqiptarëve për Shqipëri të përbashkët. Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë etninë Shqipëtare. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Sot në Mitrovicë “Kulla e Isë Boletinit” njihet e mirëmbahet si Muze Kombëtar. Gjithashtu ka një batalion special të Ushtrisë Shqiptare, të instaluar në Irak, që mban emrin e Isa Boletini.

Për hartimin e këtij jetëshkrimi simbolik u shfrytëzua interneti, Wikipiedia dhe shkrimet e kujtimet e Tafil Boletinit, Skënder Luarasit, Fatos Baxhakut, Mimoza Dajçit, etj.

Foto: Besian Haklaj

Filed Under: Fejton

“QYTETI PA REKLAMA” RIKTHIM TE KADAREJA I PAVDEKSHËM

July 3, 2024 by s p

Kosta Nake/

Përgjithësisht zhgënjehem në leximin e dytë të një vepre letrare, edhe kur për të ka patur një vlerësim të gjithëpranuar, kurse “Qytetin pa reklama” lexova me kërshërinë e herës së parë, madje kam vënë re edhe gjëra që më kishin kaluar jashtë vëmendjes. I shkruar në moshën 23-vjeçare, romani duket sikur është shkruar posaçërisht për rininë me ato faqet e ndjeshme ku përzihet seksi dhe dashuria. Më shumë se kaq, do ta quaja një muze ku rinia e sotme të zbulojë një tjetër qasje ndaj dashurisë dhe marrëdhënieve seksuale. Ditët e shkurtra të dashurisë mes mësuesit Gjon Kurti dhe gjimnazistes Stela Mezini janë nga më të bukurat e romanit, po aq sa është e hidhur edhe ndarja, pikërisht atëherë kur dukej sikur jeta për Gjonin po merrte kuptim edhe larg kryeqytetit. Bëhet dyfish e hidhur, kur hapja e rrugës për karrierë bëhet nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve historikë ose letrarë. Vdekja e Mërkurit shfrytëzohet si instrument për të përligjur prishjen e papritur mes Gjonit dhe Stelës. Romanca dhe aventura me ca nota sentimentalizmi janë një karem i mirë për të peshkuar në të dy anët e fashës rinore për pak onanizëm.

Portreti më i plotë dhe më i fokusuar është ai i Stela Mezinit që skicohet gradualisht sipas shfaqjes së tij në sytë e mësuesit. Fillon me zërin e ëmbël kur i përgjigjet apelit dhe me kordelen e bardhë në flokë. Rimerret në vështrimin e motrës së saj, Dianës: sytë e saj butësisht të errët, gjinjtë e rrumbullakët, format e belit dhe të këmbëve, qafa e bardhë e lëmuar. Portretet e tjera nuk detajohen që në shfaqjen e tyre të parë, janë të kursyer dhe plotësohen aty-këtu sipas rrethanave që i bëjnë të dukshme.

Autori paraqet dy portrete të njëpasnjëshëm duke i krahasuar siç bën me Mentorin dhe Evgjenin: Mentori: i kishte syzet të trasha dhe sytë i dukeshin shumë të vegjël, me trupin të shkurtër, të mbushur, me fytyrë babaxhane, por inteligjente, që i thyente syzat çdo muaj nga pakujdesia. Evgjeni: i gjatë dhe i thatë, me gropa në fytyra.

Toni sarkastik për qytetin zbulohet edhe te aludimi për veten “Më kot e pritën vendësit e N. djalin e tyre. Ai jo vetëm që nuk u kthye, por në ca shkrime të tij qe tallur paturpësisht me qyetin lindor.

Në leximin tim të dytë rivlerësova deklarimin e Gjon Kurtit: “Njerëzit çajnë rrugët në jetë në mënyra të ndryshme. Shumica e bëjnë karrierën në mënyrë të pandershme, disa e fillojnë, madje me krime, disa me mashtrime, disa duke dërrmuar të tjerët.” (f.112) Ka një debat me Evgjenin që e konsideron falsifikim dhe tallje me historinë përpilimin e një dokumenti të tillë, për dobinë apo dëmin e tij. Ai e siguron transferimin nga provinca që nuk e donte dhe rikthimin në kryeqytet pikërisht duke sajuar një dokument të rremë.

E habitshme është futja e ca thumbave për shoqërinë e kohës: Filmi rifillon nga që nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv erdhi me vonesë në kinema. Linguistët hahen si gjelat me njëri-tjetrin dhe, për të dalë fjalët e tyre, janë gati t’i nxjerrin sytë gjuhës shqipe. Thumbohet kryetari i Akademisë së Shkencave që kërkon të imponohet me mendimin e tij vetjak se toskërishtja është shkruar përpara gegërishtes dhe ironizohet me shprehjen “me të mëdhenjtë duhet ta kemi gjithmonë mirë.” Përqeshet ateizmi i shtetit shqiptar kur dokumenti i sajuar duhet të paraqitet si laik. Kulmi arrihet kur pretendohet të bëhet aluzion për luftën e klasave dhe kur ironizohet me mendimin “Do të rrinte këtu në provincë t’i shërbente vendit të tij, atje ku e kishte dërguar partia.”

PËRSËRITJA SI TIPAR STILISTIK

Përsëritja si rimarrje e togfjalëshave dhe fjalive të njëjta, shërben si shprehje artistike për të vënë në pah, për të përcjellë veçanti në një gjendje emocionale a psikologjike. Përsëritja nuk është pronë ekskluzive e poezisë, ajo mund të përdoret mjeshtërisht edhe në prozë.

Te romani “Qyteti pa reklama” pas marrëdhënies seksuale me Luiza Angonin, Gjon Kurti dyshon se mund të jetë prekur nga sifilizi. Përballja psikologjike me këtë sëmundje jepet përmes pesë përsëritjeve: “Vetëm të mos jetë sifiliz”, “Po sikur vërtet të ishte sifiliz?”, “Ah, skur të mos ishte sifiliz.” “Ah, skur të mos ishte sifiliz.”

Do vinte Stela Mezini në dhomën e Gjonit pas mesnate? Kjo pasiguri sillet rreth formulës “Kur pret diçka në tension, ajo vjen vetëm atëherë kur e humbet shpresën.” Rimerret shtatë herë: “ai po mendonte ta humbte shpresën”, “ai s’mund ta humbte dot shpresën,” “kur arrinte ta mbyste shpresën”, “tani e humba shpresën”, “kur, befas, lindte shpresa”, “sikur ta humbte fare shpresën”, “po ta humbte fare shpresën.”

Vetmia futet dhjetë herë në ingranazhin bluarës të meditimit duke thithur edhe nuancat “vetë”, “i vetëm”: “Gjoni ndjeu vetmi. Ai ndjeu vetmi, jo se ishte i vetëm, por sepse e mori malli për kohën kur s’ishte i vetëm. Të vetmuarit e vërtetë nuk vuajnë nga vetmia. Gjoni s’kishte qenë kurrë i vetëm…Ai nuk e dinte se cila vetmi do të ishte më e tmerrshme: e natës apo e ditës. Por edhe vetmia e ditës nuk durohej. Vetëm hante bukë në restorant, pinte vetëm cigaret e tij, por edhe cigaret e tij s’i pinte më kush, veç atij vetë.”

Përjetimi nga Gjoni i vdekjes së Mërkurit bëhet si kontrast i atij që ndodhet në varr me peshën e baltës dhe mjedisit me njerëz dhe me tym: “Në tavernë kishte shumë njerëz…Edhe tym kishte shumë. Tymi qëndronte lart në tavan sikur s’donte të përzihej me njerëzit. Megjithatë tymi prodhohej nga njerëzit. Sa zhurmë dhe njerëz kishte përreth. Dhe me tym.”

Zhgënjimi i Stelës nga Gjoni i dehur vjen përmes mungesës së përqafimit dhe mëdyshjes është-s”është: “Ai gjithmonë hidhej dhe e përqafonte atje…Ai duhej të hidhej ta përqafonte atje…Ai nuk ishte. Si nuk ishte? S’kishte mundësi të mos ishte. Kjo ishte dhoma e tij dhe ai duhej të ishte. Jo, ai mund të mos ishte, megjithëse kjo ishte dhoma e tij.”

Përsëritja mund të vihet në funksion të qasjes së autorit ndaj sjelljes së karaktereve. Te novela “Ditë kafenesh” kjo i shërben aventurës së dy të studentëve që fillon dhe mbaron si e tillë. Vargun e parë të përsëritjes e përbën fjalia “vendosëm t’i vinim pikë punës me femrat” e cila rimerret me trajtën e anasjelltë “megjithëse punës me femrat i kishim vënë pikë” dhe trajtës fillestare “vendosëm t’i vinim pikë punës me femrat”, vazhdon me trajtën e anasjelltë “megjithëse punës me femrat i kishim vënë pikë”; ndryshon pakëz si trajtë përmbyllëse “kur i vumë pikë punës me femrat” dhe përmbyset duke kaluar në formën kushtore “në qoftë se i kishim vënë pikë punës me femrat.”

Vargu i dytë i përsëritjeve lidhet me titullin e novelës kur vrulli i kërkimit të dokumentave të çmuara të së kaluarës zhvlerësohet dhe çdo herë rrugët e tyre përfundojnë në kafene, menjëherë pas largimit nga shtëpia e xhaxhait të shokut. Madje në një çast të dy vargjet bëjnë masë kur autori në të njëjtën faqe ku i vë pikë punës me femrat, thotë “menduam që, më në fund, po i vëmë pikë jetës së kafeneve.”

Vargun e tretë të përsëritjes e përbën togfjalëshi “person i panjohur” vendosur në gojën e xhaxhit të shokut si shprehje e qëndrimit refraktar ndaj nismave të gjeneratës së re dhe që e përdor si shtrojë për akuzat që u bëhen studentëve nga opinion që formësohet dhe ushqehet nga kafenet. “Ti erdhe këtu me një person të panjohur për mua dhe unë që në fillim, sikur e ndjeva që ardhja juaj kishte një qëllim të dyfishtë”, “Ju erdhët këtu, ti dhe shoku yt, person i panjohur për mua, me qëllime të errëta.” “Ti dhe shoku yt, person i panjohur për mua, e filluat tërë këtë fushatë të dyshimtë natën, në qytetin tone të ndershëm.”

Filed Under: LETERSI

“GAZMEND ZAJMI NJË JETË PËR KOSOVËN”

July 3, 2024 by s p

Fjalimi i Mustafë Krasniqit në promovimin e monografisë “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën”

Të jesh i pranishëm në promovimin e një libri kaq të rëndësishëm, jo vetëm se është kënaqësi, por edhe privilegj, sidomos, aty ku autorit është pjesë e një historie dhe shkruan me ndjenja, qoftë si publicist apo autor i librit. Kur flasim për autorin e librit, konkretisht për Nuhi Bytyçin, nuk mund të mos na kujtohet puna e tij me përvojë të gjatë si publicist e veprimtar i çështjes kombëtare, i cili me një modesti, qoftë si gazetar apo si krijues librash e ka përfitua lexuesin apo më mirë të themi se lexuesit i ka dhuruar vlera të çmuara krijuese.

Autori i dy librave „Libri i luftës“ dhe monografia “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën”, i sjell në memorien e kombit, përmes kronikave apo personazheve, qëndrueshmërinë, guximin e përgjithshëm apo atë individuale të shqiptarit veprimtar dhe të sakrificës, nëpër periudha të ndryshme. Po ashtu me përgjegjësi krijuesi iu ka qasur ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur e përjetuar, nga autori. Qofshin ato të krenarisë, lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që më tej të bëhej realitet ëndrra e kamotshme për bashkimin e kombit, apo duke prekur skenat e dhimbshme, të vrasjeve dhe gjenocidit që ka përjetuar populli shqiptar nën okupimin e pushteti pushtues Serb.

Përmes librit të parë, që është një librin voluminoz me titullin “Libri i luftës“ i botuar në vitin 2019, na flet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ushtri që mbeti figura më sublime për realizimin e Pavarësisë së Kosovës. Libër që përshkruan historinë e luftës, nderon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, heronjtë, martirët dhe të gjithë ata që i kontribuuan luftës për liri.

Kur flasim për autorin nuk mund të i ikim nga një realitet, i cili ishte dhe mbeti një zë i guximshëm në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare. Atëherë kur disa kërkonin të fshiheshin, zotëri Nuhi Bytyçin e shohim kudo në zona të rrezikshme, bashkë me dhimbjen, luftën, gëzimin, krenarinë.

Ky promovim i librit “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën”, që kemi nderin ta kemi në dorë për lexim, është një vlerë e shtuar e histografisë shqiptare, që përmes kësaj figure të rëndësishme kombëtare na paraqet tërë historinë e periudhës së profesor Gazmend Zajmit, e cila ishte vu nën thundrat e çelikta të pushtetit të asaj kohe, të ishe-Federatës Jugosllave.

Sipas autorit, Gazmend Zajmi, përveç se ishte një intelektual i rangut të lartë, ai ishte një intelektual largpamës e vizionar i çështjes kombëtare, themelues i Universitetit të Prishtinës, pjesëmarrës në nxjerrjen e Kushtetutës së vitit 1974 dhe të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.

Duke iu referuar njërit nga titujve e librit në fjalë “Gazmend Zajmi dhe kushtetuta e 1974 – Autonomia e Kosovës”, autori thekson se roli i Gazmend Zajmit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka qenë i rëndësishëm edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974.

Për figurën e profesor Zajmit, autori na jep tablo të rëndësishme, duke nxjerrë në sipërfaqe pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës, që kësaj pjese të historisë i takon edhe vet prof. Zajmi.

Ishte fat atë kohë edhe për Universitetin e Prishtinës, sepse në fund të viteve shtatëdhjetë Akademik Zajmi ishte në krye të saj. Në këtë periudhë filloi bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, si ekspertë shkencorë vinin nga Shqipëria profesorë që ligjëronin në Prishtinë: albanologë, artistë, shkrimtarë dhe ekspertë të shkencave ekzakte.

Ky bashkëpunim me Tiranën e trembi ish-Federatën Jugosllave, kurse ngjarjet e vitit 1981, që atë kohë shpërthyen demonstratat studentore, me parullën dhe kërkesën Kosova Republikë. Periudhë, që i tërë populli iu bashkua kësaj kërkese dhe shqetësoi politikën hegjemoniste Serbe-Jugosllave, e cila zhvilloi një luftë speciale kundër masës së gjerë të shqiptarëve, intelektualëve dhe atyre që flisnin për të drejtën, lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ndër këta të përndjekur ishte edhe Akademik Gazmend Zajmi, njeriu i pathyeshëm, i cili mbronte të drejtën e Kosovës, duke vu në pah vendimet e konferencës së Bujanit, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Gazmend Zajmi, pa frikë e thoshte mendimin e tij për të drejtën e vetëvendosjes dhe për bashkimit të Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë.

Në të gjithë kapitujt e librit, që nga kapitulli i parë e deri tek i XXII, autori na e paraqet realisht kontributin e madh të Gazmend Zajmit, duke marrë edhe mendimin e shumë të intervistuarave, të cilët flisnin me admirim për një njeri të sakrificën dhe i guximshëm kur ishte në pyetje çështja kombëtare.

Profesor Zajmi, kur shumë politikaj të asaj kohe i akuzonin demonstratat studentore, ky guximshëm u doli në mbrojtje kërkesave të demonstratave të vitit 1981, duke shtuar: “unë jam sikur ju, jam i rrezikuar sikur ju, por duhet të qëndrojmë dinjitetshëm….”, duke shtuar tutje “Ne do të marshojmë nëpër qytet, por duhet të jemi të kujdesshëm që me veprimet tona joakademike mos ta dëmtojmë vendin tonë – Kosovën….”.

Përpos shkencës, Akademik Zajmi u mor edhe me muzikë, i cili përpos që ishte kompozitor, ai ishte edhe tekst-shkrues i këngëve, i cili realizoi mbi 200 këngë të zhanreve të ndryshme të muzikës për fëmijë, të asaj popullores dhe argëtuese. Po ashtu u mor edhe me baletin „Vallja pranverore“ që ishte vepër e rangut të lartë në fushën e muzikës. Shkroi këngën “Martesa e lumtur” që deri vonë ka qenë anonime, që është menduar se është këngë popullore, e krijuar dekada më herët. Mirëpo, autor i muzikës dhe i tekstit ishe i prof. Gazmend Zajmi, i cili kishte lindur në Krumë të Shqipërisë, por që nga femëria e deri në vdekje veproi dhe jetoi në Kosovë.

Profesioni i tij ishte jurist – doktor i shkencave juridike, Rektor i Universitetit të Prishtinës, personalitet i respektuar, aktiv në jetën politike e kulturore të Kosovës. Por, që për shkak të kësaj veprimtarie dhe qëndrimeve të tija kombëtare, në vitin 1981 diktatura e pushtuesit Serb e shkarkoi nga detyra e rektorit dhe e izoloi nga të gjitha funksionet publike.

Akademik Zajmi si jurist, profesor, politikolog dhe politikan, publicist e kompozitor, polemisti e stilist i shquar, pas gjitha atyre peripecive që përjetoi, asnjëherë nuk e ndali veprimtarinë e tij krijuese në fushën e shkencës, të mendjes, të dijes, të artit etj., duke mos lenë anash edhe fushën e historisë sonë më të re, që ishte sa tragjike, aq edhe madhështore në qëndrimet, përpjekjet për liri dhe për ta larguar përgjithmonë nga trojet tona armikut shekullor, okupatorin serb.

Në fund të fjalës sime, sinqerisht jua them se pata nderin të flas për monografinë “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën” të publicistit dhe veprimtarit të shquar, Nuhi B, i cili me të drejtë e thotë: “Gazmend Zajmit si shumë shokë tjerë të tij, ndër ta edhe Ali Hadri e Fehmi Agani janë veprimtarë intelektualë, ideorë e shpirtërorë i rëndësishëm të këtyre ngjarjeve, të cilat patjetër do të hyjnë në historinë e kombit dhe do të paraqesin një faqe të ndritshme të historisë më të re shqiptare.”

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 878
  • 879
  • 880
  • 881
  • 882
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT