• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Patrioti Tefik Rogu, flaka e dijes dhe sakrificës për Atdheun

November 27, 2025 by s p

Liliana Pere/

Shpallja e Pavarësisë dhe detyrat në Qeverinë e Vlorës (1912–1913)

Më 28 nëntor 1912, Tefiku u drejtua për në Vlorë dhe takoi Ismail Qemalin, nga i cili mori detyra për organizimin e gardës dhe policisë së Vlorës. Ai ngriti edhe strukturat e xhandarmërisë në Korçë, Ohër, Elbasan, Berat dhe Durrës.

Përballë sfidave të Esat Pashë Toptanit, Tefiku raportoi çdo ngjarje, duke treguar aftësi strategjike dhe përkushtim ndaj vendit. Ai organizoi fshatarë dhe u përkujdes për mbrojtjen e Skraparit kundër sulmeve greke, duke dhënë një shembull të rrallë të lidhjes midis dijes, strategjisë dhe veprës patriotike.️

Lidhja me Ismail Qemalin dhe letra e 16 qershor 1919

Edhe pas periudhave të gjata të mërgimit dhe burgjeve, Tefik Rogu nuk humbi kurrë lidhjen me vendlindjen dhe figurat kryesore të lëvizjes kombëtare. Më 16 qershor 1919, ai i shkruante një miku të afërt në Shqipëri, duke u interesuar për gjendjen e shokëve dhe bashkëfshatarëve të tij. Në këtë letër shprehet qartë dëshira për t’u kthyer në Vlorë ose Shkodër, duke kërkuar që të marrë autorizime nga qeveria austriake që ta lejonin të hynte në Shqipëri.

Letra është më shumë se një komunikim praktik; ajo është një manifest shpirtëror i përkushtimit ndaj atdheut. Në çdo fjalë ndihet urgjenca e detyrës dhe dashuria e thellë për vendin. Ajo tregon se patriotizmi nuk është vetëm veprim ushtarak, por edhe një marrëdhënie e vazhdueshme mendore dhe shpirtërore me identitetin kombëtar.

Lidhja me Ismail Beun dhe kushtet patriotike

Në këtë periudhë, Tefiku ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Ismail Qemalin, të cilit i kishte bashkëpunuar që nga Stambolli dhe Manastiri. Qemali nuk ishte vetëm mik dhe mentor, por edhe një referencë për legitimimin e veprimtarisë së Tefikut, si për karrierën e tij jashtë vendit, ashtu edhe për kthimin e sigurt në Shqipëri.

Kushtet e Tefikut për të rikthyer aktivitetin në atdhe lidhen me:

1. Sigurinë personale – duke marrë leje nga autoritetet që të mos pengohej nga forcat të ndryshme të okupacionit ose qeveritë e përkohshme.

2. Kontinuitetin e veprimtarisë patriotike – Tefiku kërkonte që kthimi i tij të mundësonte të vazhdonte punën për arsimin, organizimin dhe mbrojtjen e vendit, jo thjesht të ishte një kthim personal.

3. Mbështetja morale dhe politike nga Ismail Qemali – çdo hap i tij duhet të pasqyronte frymën e Qeverisë së Vlorës dhe idealet e lëvizjes për pavarësi.

filozofik-estetik: Këto letra nuk janë thjesht dokumente administrative; ato janë dëshmi të një marrëdhënieje intime midis dy shpirtërash patriotë, ku respekti, besimi dhe dashuria për atdheun ndërthuren në një rrjet të brendshëm moral dhe estetik. Letrat funksionojnë si ura midis së kaluarës dhe së ardhmes, si një formë e letërsisë së veprimit patriotik.

Letra si instrument organizativ dhe edukativ

Përtej aspektit personal, letërkëmbimi me Ismail Beun dhe miqtë shërbente si instrument koordinimi:

Organizonte kthimin e personelit dhe mbrojtjen e zonave kyçe.

Siguronte mbërritjen e librave, abetareve dhe materialeve për arsimin shqip.

Lejonte Tefikun të mbante lidhje me bashkëpunëtorët brenda dhe jashtë vendit, duke ruajtur rrjetin e patriotëve.

Letra e Tefikut shfaq bukurinë e mendimit strategjik dhe shpirtëror. Ajo tregon se çdo dokument, kur shërben për çështje të mëdha njerëzore, nuk është thjesht letër; është instrument për të përmbushur një mision etiko-kulturor.

Në thelb, llidhja me Ismail Qemalin nuk ishte vetëm politike, por edhe një marrëdhënie shpirtërore që lidhte dijen, guximin, veprën dhe moralin, duke i dhënë çdo vendimi të Tefikut një dimension estetik dhe filozofik: çdo veprim i tij nuk ishte thjesht praktik, por një akt i bukur patriotik, ku ideali dhe veprimi bashkohen në harmoni.️

Veprimtaria politike dhe rezistenca lokale (1921–1924)

Pas kthimit përfundimtar në Shqipëri më 1921, Tefiku u emërua komandant i policisë së prefekturës së Beratit. Ai u angazhua në aktivitete politike dhe ushtarake, duke mbështetur Grupin Nacional Demokrat dhe duke sfiduar klasën e bejlerëve të Beratit.

Në këtë kohë, ai shkroi artikuj për gazetën “Shqipëria e Re”, ku analizonte qeverisjen dhe theksonte: “Duhet të jetë e qartë që nuk bëjnë qeveritë popujt, por bëjnë popujt qeveri.”

Fjalia reflekton një kuptim filozofik të historisë: individët dhe popujt janë të lidhur në një rrjet të pashkëputshëm përgjegjësie. Artikulimi i tij është një veprim estetik i mendimit, ku fjala dhe veprimi bashkohen për të formuar një moral politik.

Familja dhe pjesëmarrja në luftërat antifashiste (1920–1945)

Familja e Tefikut pati një rol të spikatur në luftrat antifashiste: djali Hysen, vajzat Bukuria dhe Liria, dhe e shoqja Hazbija, morën pjesë në njësitë partizane, kongreset e rinisë dhe gruas. Shtëpia e tij u bë një qendër organizative për luften Nac-Clirimtare të Çepanit te Skraparit.

Tefiku vdiq më 15 prill 1945, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme që lidhte arsimin, veprimtarinë patriotike dhe përgjegjësinë familjare. Për 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ️Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi Urdhrin për Veprimtari Patriotike.

 Jeta e Tefik Rogut është një simfoni e ndërthurjes midis dijes, veprës dhe trashëgimisë. Çdo akt, qoftë edukimi, lufta, apo përkujdesja ndaj familjes, është një pjesë e një kompozimi të madh, ku estetika e virtytit shfaqet në harmoni me historinë dhe moralin.

Historia e Tefik Rogut për familjen dhe Shqipërinë është një rrëfim i përjetshëm i sakrificës dhe besnikërisë: ai mbajti gjallë flakën e atdhedashurisë, duke u bërë urë mes dijes dhe veprës patriotike. Për familjen, ai ishte mbështetje dhe frymëzim, një emër që përfaqëson nderin dhe sakrificën e brezave. Për Shqipërinë, çdo veprim i tij – nga shkollat shqipe te mbrojtja e kombit – ishte një testament i përkushtimit të pakufishëm ndaj lirisë dhe unitetit…botuar me shkurtime.

Filed Under: Emigracion

SHEFQET DAIU, FIRMËTARI I PAVARËSISË NGA ELBASANI

November 27, 2025 by s p

Prof. dr. Roland Gjini

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit/

Shefqet Daiu, avokat në profesion, ishte një ndër katër delegatët e Elbasanit, së bashku me Lef Nosin, Qemal Karaosmanin dhe Mid’hat Frashërin, që morën pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosën aktin e Pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912. Ndërsa Dervish Bej Biçaku, një figurë tjetër e Elbasanit që firmosi këtë akt, përfaqësonte Peqinin në këtë kuvend. Shefqet Daiu lindi në Elbasan në vitin 1882 në një familje me tradita të njohura qytetare e atdhetare. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në shkollën “Idadie”. Arsimohet më tej në Stamboll dhe në vitin 1905 nis po këtu studimet për drejtësi. Gjatë viteve që studioi e ndejti në Stamboll ai kreu një aktivitet të dallueshëm atdhetar. Kështu, mbështeti dhe përshëndeti mbajtjen e Kongreseve të Alfabetit në Manastir në nëntor të vitit 1908 dhe të Kongresit të Shkollave Shqipe të Elbasanit të shtatorit të vitit 1909. Pas Përfundimit të studimeve dhe diplomimit, kthehet në Atdhe. Fillimisht emërohet prefekt në Skrapar e, më pas, në Pogradec. Gjatë kësaj kohe nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me qytetin e tij të lindjes, Elbasanin. Ndihmoi dukshëm në organizimin e Kongresit të Elbasanit si dhe kontribuoi edhe financiarisht në ngritjen dhe funksionimin e shkollës Normale të këtij qyteti.

Kryengritja antiosmane e vitetve 1910-1912 e gjen në zonën e Dibrës, ku këtu krahas aktivitetit të tij politik si mbështës i kryegritësve shqiptarë të kësaj krahine, punon fuqimisht për përhapjen e shkollave dhe arsimit shqip, duke shpërndarë tekste në gjuhën shqipe. Përkrahu aktin e shpalljes së pavarësisë ne Elbasan më 25 nëntor të vitit 1912. Ishte ky aktivitet i spikatur patriotik i tij, që populli i Elbasanit e zgjodhi si një ndër katër delegatët që do t’a përfaqësonte në Kuvendin e Vlorës. Duke e ndjerë veten të vlerësuar, ai në pak ditë arriti të udhëtonte në një kohë rekord, në kushtet e transportit të asaj kohe, nga Dibra e të arrijë në Vlorë në momentin e duhur. Në këtë kuvend roli i tij nuk u kufizua thjesht në nënshkrimin e Aktit të Pavarësisë. Kongresi e caktoi atë si shkrues të dytë, përkrah Luigj Gurakuqit, ku Shefqet Daiu shkroi në turqisht aktet dhe procesverbalet e këtij Kuvendi.

Pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar ai do ta përjetonte me një emocion të thellë, gjë e cila la gjurmë të thella për një kohë të gjatë në kujtesën e ndërgjegjen e tij. Kjo duket qartë në një shkrim të tijin, me titull Flamuri e Dita 28 Nanduer, të botuar në gazetën “Elbasani” të datës 28 nëntor 1922, me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Përveç përjetimit të brendshëm emocional për këtë ngjarje, në këtë shkrim, me një elbasanishte të pastër, ai përcjell edhe vlerësimet më të mëdha për rolin e Ismail Qemalit të këtë kuvend. Ja disa pjesë nga ky shkrim: “Tepër i thyer nga rryma e luftës, shumë i lodhshëm nga mundimi i udhëtimit, fort i menduem për plotësimin e detyrës, por ne me një shpresë të fortë qi bante të harrojë çdo gja tjetër, ndodhesha i kërrus’ ndë tryes’, gati për të shkrue, nji për nji bisedimet e kongresit të primë e të mbledhëm ndën kryesin’ e të paharrushmit z. Ismail Qemal Vlorës.

Një heshtje e mirë, një qetësi e plotë kishte pushtue sallonin. Delegatët pritshin fjalën e kryetarit qi s’vonojë ma në të hapmen e kongresit… Fjala nisi dhe kur ishte në mbarim, kur po thohesh “Shqipni mbë vehte” “Shtet i pa varëm”, një brohori e madhe, një “Po Besa Bes’” e përsëritsme prej të gjithë kongresistvet, bani Shqiponjën, at’ minutë, të hapi krahët për herë të parë pas një robnie afro pesë shekujsh dhe të valojë me madhështin’ e parë të Krujës. Tashi ma edhe vaja e nanavet, motrave e nusevet qi kishin lanë të dashmit e tyne në luftë, u kthye në gas e brohori…Gëzimi i përgjithshëm ishte i madh sot dhit’ vjet kur sundimi i Flamurit ishte kufizuem me qeverinë e përkohshme istorike të Vlonës; por sot asht ene shumë më i math kur shofim se ideali komtar mbërrini nëpër udhë të natyrshme, deri në shkallën institucionale qi po lëshon rraja për dit’ si në për fusha ashtu në malsina.

Asht i math themi gëzimi sot se Shqiponja simjet i hapi krahët e saja mbi gjithë kufinin e caktuem padrejtësisht më 1913 dhe e thuri çerdhen me gur kufini. Flamuri me valimin e vet të lirë e përhapi sundimin mbi tokën e lanme shqiptare,… i mbështetëm mbi të drejtat ndërkombëtare, sot po i thotë Adriatikut: “Jam ende un’ sundues” i tat, si ma para.

Sikur nomerisht aji qi sundon nji pasuni të kufizume, ka të drejtë në gjith’ ç’ka ndodhet ndën atë pasuni, kështu ene populli shqiptar, sot, po munt të vërtetoj’ at’soj të drejte me ofertat që i bahen qeveris’ së tië për konçesionet e metalevet të tokës Shqiptare.

Simjet, në fund të vitit të dhittë të ngritjes së Flamurit, populli shqiptar me ndihmën e vet bujare, shef të përhidhet Flamuri, ene për er’, naltë mbi areopllane qi çajnë qillin, si me dash me i çu të fala dhe shpresa vllazënve të ronbuem… Shefqet Daji”

Në këtë shkrim, Daiu, përveç se ngre lart veprën e Ismail Qemalit dhe Ditën e Pavarësisë, në mënyrë konçize e të drejtpërdrejtë thekson dëmin që iu bë Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbi gjysmën e popullsisë e trojeve shqiptare, duke e cilësuar vendimin e tyre të padrejtë.

Nga ana tjetër, vlerëson politikën shqiptare të kohës, e cila me maturi, për të përligjur e legalizuar pavarësinë e Shqipërisë ndoqi rrugën institucionale dhe zbatoi në drejtën ndërkombëtare në ngritjen e shtetit të saj sovran. Gjithashtu, ai përmend edhe faktin tjetër, që tashmë shqiptarët janë zot të vetes dhe janë të aftë të përdorin për vete pasuritë natyrore të vendit të tyre dhe të mos bien pre e lakmive të vendeve të huaja, të clët me anë të konçesioneve kërkojnë rrëmbimin e këtyre pasurive. Aktin historik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ai e vlerëson si një shembull frymëzimi për popujt e tjerë ende të sunduar nga ndonjë fuqi tjetër sot në botë. Kjo duket në fjalët e shkruara në këtë artikull: “… shef të përhidhet Flamuri, ene për er’, naltë mbi aeropllanë qi çajnë qillin, si me dash me i çu të fala dhe shpresa vllazënve të ronbuem”.

Pas Kuvendit, Qeveria e përkohshme Vlorës, në shtator të vitit 1913, e emëron Shefqet Daiun nënprefekt të Fierit. Në vitet 1914-1920, përveç se ushtroi profesionin e avokatit, ai punoi me vullnet edhe për përhapjen e arsimit kombëtar në Elbasan e më gjerë. Sipas studiuesit Kujtim Bevapi, në vitin 1919 Daiu hartoi dhe botoi veprën “Abetare për shkollat fillore t’ulta djemsh e vajzash”. Ky tekst shkollor dallohet për një metodikë të veçantë dhe të re, të zbatuar për herë të parë në shkollat tona fillore.

Vlerësoi mbajtjen e Kongresit të Lushnjes dhe vendimet e marra nga ky kongres. Në vitet 1921-1923 u zgjodh deputet i Parlamentit të parë shqiptar, duke u rreshtuar në grupimin politik “Pleqësuer”, përkrah Shefqet Vërlacit, i cili drejtonte këtë forcë politike në Elbasan. Veprimtarinë e tij politike dhe letrare ai nuk e reshti gjatë edhe viteve ’20-30-të të shekullit të kaluar. Për rreth 20 vjet ishte deputet në parlament si përfaqësues i Elbasanit. Duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, si turqisht dhe italisht, Daiu publikoi disa artikuj e studime të karakterit sa politik aq edhe social në shtypin e kohës, veçanërisht në revistën “Kopështi letrar”. Bashkëpunoi me Aleksandër Xhuvanin dhe organizuan shoqërinë kulturore “Qarku Letrar”, e cila botonte edhe revistën e sipërpërmendur. Në vitin 1938 bëri një sprovë si përkthyes me vëllimin “Ç’është Kurani”, duke e pajisur atë edhe me një pasthënie për ta bërë atë më të qartë para lexuesit.

Gjatë Luftës Antifashiste vazhdoi të ushtrojë profesionin e avokati.

Megjithëse ishe përkrahës i Shefqet Vërlacit, i cili u bë kryeministër i vendit menjëherë pas pushtimit nga Italia fashiste, Shefqet Daiu nuk u angazhua në asnjë post apo detyrë shtetërore. Me mbarimin e Luftës, ishte ndër të parët të cilit iu sekuestrua pasuria e paluajtëshme, edhe shtëpia. Duke mos u mjaftuar me kaq, regjimi i ri që erdhi në fuqi e arrestoi dhe e burgosi në vitin 1945 me akuzën e “kolaboracionistit”, vetëm se kishte qenë përkrahës i vijës politike të Shefqet Vërlacit. U dënua me 30 vjet burgim. Kushtet e vështira të burgut dhe qëndrimi i ashpër që u mbajt ndaj tij, bënë që një vit më pas, në vitin 1946, të ndahet nga jeta brenda ambienteve të burgut, në moshën 64 vjeçare.

Sistemi i ri politik i vendosur pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pra regjimi komunist, figurën e tij, ashtu si të shumicës së firmëtarëve të aktit të Pavarësisë, e denigroi, ndërsa familjarët e tij përjetuan përndjekjen dhe luftën klasore. Vetëm pas ardhjes së demokracisë, pra pas vitit 1992, Shefqet Daiu mori vlerësimin dhe meritat që i takonin. Për këtë ai është nderuar e dekoruar nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit dhe nga Presidenti i Republikës.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Emigracion

Dy fjalë zemre për Jorgo Bulon (1939-2015) e paharruar, në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta

November 27, 2025 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Dy ishin preokupimet e mëdha të akademikut Jorgo Bulo: fati i atdheut dhe zhvillimi i shkencave tona.

Ai i përkiste llojit të Rilindësave të cilët besonin tek dashuria pa kushte për vendin si një gjë e shenjtë, aq të shenjtë, sa ta konsideronin atë herë me emrin e atit, pra Atdhe dhe herë me emrin e mëmës, pra Mëmëdhe! Jorgo Bulo ishte bir i denjë i prindërve të Tij zagoritë por dhe i Atit-Atdhe ashtu edhe i Mëmës-Mëmëdhe!

Ai gjithashtu besonte tek sakrifica dhe gjaku i të rënëve patriotë të të gjitha kohëve, e posaçërisht i akteve sublime të dëshmorëve për të bërë një Shqipëri evropiane. Eshtë proverbiale thënia e Tij në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit:…nderojini dëshmorët se nuk është faji i tyre që ne të gjallët nuk ditëm të bënin një Shqipëri më të mirë për ta e për vete.

Në të gjithë veprën e Tij të gjerë mbizotëron dashuria për vendin, për gjuhën shqipe, për krijuesit dhe studiuesit shqiptarë të të gjitha kohërave, kudo ku ata jetuan e punuan, pavarësisht emrit dhe besimit që kishin.

Mbi të gjitha ai e donte dhe i besonte popullit të vet. Ai gjente tek njerëzit frymëzimin e përditshëm për të ngritur, për ta e me ta, murin e vështirë të dijes e të kulturës duke vendosur në të edhe Veprat e tij që sot të gjithë i shohin si “investime” të jashtëzakonshme kulturore e shkencore për vendin. Dhe ashtu është.

Edhe rruga e Tij e fundit, pa kthim, ishte një nga itineraret e shumta që Ai bënte në Shqipëri e jashtë saj për të komunikuar, për tu dhënë shpresë, për të popullarizuar shkencën dhe kulturën për njerëzit. Për tu thënë atyre që vendi duhet pa interes dhe se një jetë pa kulturë e shkencë është akoma më e varfër se sa vetë varfëria, për të krjuar një shoqëri të drejtë dhe të denjë e cila mbështetet dhe frymëzohet nga dija dhe jo nga injoranca!

Pikërisht për këto të vërteta njerëzit e donin, e donin për mënçurinë, për fjalën e ngrohtë shqipe, për shpresën që ngjallte tek ta, për të vërtetat që thoshte hapur dhe pa anësi. Prandaj kuvendet ku fliste Jorgo Bulo ishin plot, se Ai ja kishte dalë të bëhej shpirti i fjalës për ta.

Jorgo Bulo ishte intelektual dhe akademik modern. Ai besonte se “themelet” që hidhen përmes veprave madhore shkencore janë më të forta sesa themelet e çdo lloj ndërtimi që bëhet në tokë. Ai vërtet lindi në vendin e penës në Zagorie, u shkollua në vendin e kulturës në Gjirokastër por Ai u formua në mes të oborrit të akademikëve shqiptarë të pas Luftës së II-të Botërore. Ai në jetën dhe veprën e Tij krahas cilësive të rralla personale, reflektoi edhe standardin profesional dhe njerëzor të Aleks Budës, Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Cabejt, Mahir Domit, Androkli Kostallarit etj, të cilët panë tek Jorgo kolegun e tyre më të ri. Koha e provoi që kishin të drejtë. Ai e vazhdoi dhe mbrojti me dashuri dhe profesionalizëm trashëgiminë e tyre të madhe vetiake dhe institucionale, pa frikë dhe hezitim, deri në ditën e fundit të jetës.

Jorgo Bulo pa tek krijimi i Akademisë së Shkencave dhe tek institutet kërkimore shkencore realizimin e ëndrës së Rilindësave për të bërë një shtet modern, me institucione albanologjike, pika referimi në nivel rajonal e më gjerë. Zëri dhe personaliteti i Tij kundërshtoi me konseguencë në të gjitha rastet, projektet e politikës që synonin ta cënonin këtë trashëgimi të shenjtë për shqiptarët dhe për atë vetë. Ai foli për to kudo ku nevojitej: në foltoret e Kuvendit të Shqipërisë, të Ministrive, në rrugë dhe sheshe publike kur arroganca shtetërore të mbyllte dyert. Me largimin fizik, amaneti i Tij është bashkuar me atë të mëdhenjve të shkencës sonë: që shkencat tona ti paraprijnë zhvillimit ekonomik, social e kulturor të vendit; që shkencëtarët, intelektualët dhe kërkimi shkencor të jenë faktor kyç i zhvillimit të vendit.

Jorgo Bulo vdiq në kohën e gabuar, por në vendin e duhur, në Përmet në tokën e Rilindasve të mëdhenj. Duket sikur Ai zgjodhi për të ikur prej aty, në shpinë të malit ku kishte lindur, buzë Vjosës, duke folur për letërsinë e kulturën shqiptare, fare pak metra larg skulpturave të Odhise Paskalit.

Qofsh i paharuar MIKU ynë!

www.vasiltole.com

Filed Under: Kulture

25 vite nga ndarja nga jeta e filozofit, shkrimtarit, politikanit vlonjat, Professor emeritus, Isuf Luzaj

November 27, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Isuf Luzaj lindi më 21 shkurt 1913 në Kaninë të Vlorës; ndërroi jetë në 25 nëntor 2000 në Çikago. U varros, sipas amanetit të lënë, në vendlindjen e tij, në Kaninë.

Shkollën fillore e kreu në Vlorë ndërsa gjimnazin në Shkodër. Në vitin 1933 u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në Paris, por për shkaqe ekonomike i ndërpreu studimet e tij. Në vitin 1936 u kthye në Shqipëri për të punuar si mësues i gjuhës franceze në Elbasan e në Korçë. Nga viti 1940 deri në vitin 1941 u burgos në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri ku spikat si antifashist. Ka qenë drejtues i Ballit Kombëtar në zonën e jugut të Shqipërisë dhe përfaqësues i Ballit në Konferencën e Mukjes, në gusht 1943.

Ai ka një kontribut të madh në vitin 1944 në themelimin e Partisë Social-Demokrate në Shkodër, Tiranë e Vlorë së bashku me Musine Kokalarin, Skënder Muçon etj. Në 1944 largohet nga Shqipëria drejt Italisë.

Në vitin 1948 u largua në Argjentinë ku punoi në Ministrinë e Arsimit si përkthyes dhe në 1957 u diplomua në letërsi dhe filozofi. Gjatë periudhës 1960-1970 mbajti poste të rëndësishme: si drejtor i Institutit Francez “La France à l’étranger”, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit në Argjentinë.

Në SHBA punon profesor i filozofisë dhe gjuhës franceze në Universitetin e New Hampshire, shef katedre në po të njëjtin universitet; Drejtor i Përgjithshëm i Gjuhëve të Huaja në Barat College-Lake Forest, Ilinois si dhe shef katedre në Universitetin e Indiana-s.

U vlerësua me tituj të rëndësishëm si: “Professor emeritus” në SHBA dorëzuar nga Presidenti Ronald Regan, me medalje “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike” në SHBA dhe medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires-it.

Disa nga veprat e tij janë: “Rrëfimet”, “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, “Lumenjtë derdhen të kuq”,”Metodologjia për studimet e filozofisë”, “Lamtumira e yjeve”, etj.

Vepra e tij u bë e njohur në Shqipëri pas viteve ’90.

Mijëra faqe të veprës së tij janë prezantuar përpara lexuesit shqiptar nga puna pasionante dhe e përkushtuar e shkrimtarit Xhevat Beqiraj.

Në vitin 2007, presidenti Bamir Topi e nderon me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.

Më 19 qershor 2017 Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i akordoi Isuf Luzajt, dekoratën “Nder i Kombit” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm shumëvjeçar, të dhënë në Shqipëri dhe jashtë saj për Pavarësinë dhe demokracinë e vendit, përmes luftës antifashiste e antikomuniste të pareshtur, si dhe për aktivitetin e gjatë e të shquar intelektual e pedagogjik në fushën e shkencave letrare e linguistike, duke u vlerësuar me tituj nderi dhe akademikë nga shumë universitete të njohura në botë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Filed Under: Komunitet

Prof. Elindë Dibra vizitë në Federatën Vatra

November 27, 2025 by s p

Sokol Paja/

Prof. asoc. dr. Elindë Dibra, lektore pranë Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” vizitoi Federatën Vatra. Ajo u prit nga editori i Diellit dhe anëtari anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi. Prof. Dibra u njoh në detaje me historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe rolin e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dobi të çështjes kombëtare. Prof. Dibra shqyrtoi materiale dhe dokumente mbi arkivën e Vatrës e Diellit dhe ekzemplarë të veçantë që gjenden në Bibliotekën Shkencore të Vatrës. Prof. asoc. dr. Elindë Dibra ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një vizite studimore dhe kërkimore disa ditore në arkivin e Vatrës me fokus fushën e identitetit, medias, diasporës, kujtesës historike dhe bashkëpunimit akademik.

Mikpritja në Vatër, përbën një moment me domethënie të veçantë, jo vetëm për dimensionin institucional të vizitës, por edhe për lidhjet njerëzore, kulturore dhe historike mes Vatrës si institucion, diasporës dhe atdheut. Prof.Dibra u shpreh se Vatra është një ndër thesaret më të rëndësishme dokumentare të historisë shqiptare në mërgim. Ky fond jashtëzakonisht i pasur përfshin libra, gazeta, dokumente, fotografi, dorëshkrime, deklarata, komunikata, veprimtari e komunikime dhe dëshmi të vyera historike, që pasqyrojnë historinë dhe rrugëtimin e shqiptarëve në Amerikë, përpjekjet e tyre të shumta për ruajtjen e identitetit kombëtar, për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe për afirmimin e vlerave kulturore ndër breza.

Arkivi i Vatrës nuk është thjesht një fond historik, sipas Prof.Dibrës por një burim i vyer dijesh që mund t’i shërbejë kërkimit shkencor bashkëkohor, studimeve mbi diasporën, identitetin, multikulturalizmin, letërsinë dhe historinë e mendimit shqiptar jashtë kufijve të atdheut.

Puna kërkimore në fushën e identitetit dhe multikulturalizmit gjen në veprimtarinë e Vatrës një rast studimor ideal dhe një terren të pasur për analizë, reflektim dhe pasurim shkencor theksoi ndër të tjera Prof. Dibra.

Vizita përkon gjithashtu me përgatitjet për organizimin e Panairit të Parë të Librit Shqiptar të organizuar nga Vatra, një nismë kulturore me rëndësi të veçantë për promovimin e librit shqip, autorëve shqiptarë dhe trashëgimisë intelektuale në diasporë. Në kuadër të këtij aktiviteti, profesoresha do të jetë e ftuar në panelet e diskutimit, ku do të trajtojë çështje që lidhen me rolin e diasporës në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe me rëndësinë e ndërtimit të urave të komunikimit mes studiuesve në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Amerikë.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 2828
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT