• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

51-VJET NGA REVOLTA E SPAÇIT – Pajtim e Paqe midis shqiptarëve!

May 22, 2024 by s p

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”, ishte kjo  

            thirrja për solidaritet, që ndezi revoltën e Spaçit – 51 -vjet më parë!

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”, ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit.  Të martën u shënua në Shqipëri 51-vjetori i revoltës anti-komuniste prej tre ditësh, me 21 maj, 1973, në njërin prej burgjeve më të çnjerzore të regjimit komunist gjysëm shekullor të Enver Hoxhës. T’a kujtojmë këtë ditë me fjalët e At Zef Pllumit, njërit prej të burgosurve në Spaç.

Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, françeskani shqiptar At Zef Pllumi e kujton kështu revoltën e Spaçit: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit.  Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllavëve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”

At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij që kishte takuar në burg: “Me 21 maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi.  Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë.  Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!” 

Mbas asaj thirrje dëshprimi, tregon At Zef Pllumi: “U çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin.  Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut — pa yllin komunist — duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste.  Siç mund të merret me mendë, revolta u shtyp me dhunë e gjak, shkruan At Pllumi.  Përfundimi i shtypjes së revoltës ishte: katër nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të burgosur u ri-dënuan me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë kanë qenë Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai. 

Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, vazhdon të presë me durim të Jobit biblik në këtë 51-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, më në fund, t’i përgjigjet me vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes-kushtrim të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 51-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?”  Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie që pretendon të jetë e lirë e demokratike.  Për hir të vërtetës historike! Për hir të drejtësisë dhe të drejtave bazë të njeriut, për të gjithë shqiptarët pa dallim.

Krimet e regjimit komunist kanë lenë pas një trashëgimi dhe gjurmë të tmershme dhe të pashërueshme që dallohen qartë edhe sot në shoqërinë e sotme shqiptare, në drejtësi dhe në politikën kunfliktuale të ditës.

Qeveritë e njëpasnjëshme të dy partive kryesore në Shqipëri, për më shumë se 30-vjet tashti, nuk kanë pasur guximin moral as vullnetin politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, për të dënuar krimet e komunizmit, madje as për të caktuar një ditë në vit – ashtu siç ka bërë e gjithë Evropa ish-komuniste – për të kujtuar viktimat e pafajshme të barbarizmit komunist në Shqipëri, siç janë të pushkatuarit e regjimit në Spaç.  51-vjet nga revolat e Spaçit, Shqipëria e sotme, megjithëse anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO, e që aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore/Qendrore që nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste.  Nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar komuniste. Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar- komunist të Enver Hoxhës.  Dhe Kuvendi i Shqipërisp nuk ka caktuar ende një ditë përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, me përjashtim të Rusisë. Prandaj, ka ardhur koha, që ashtu siç hoqën yllin komunist nga Flamuri i Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, revoltuesit anti-komunist të Spaçit 51-vjet më parë, të shembet njëherë e përgjithmonë edhe “muri i fundit ideologjik i Berlinit” në Evropë. Ai “Muri i Berlinit” midis shqiptarëve. Ashtu që ajo histori barbare të mos përsëritet. Dyertë e ferrit komunist si ato të burgut të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! 

Prandaj është me vend që në kujtim të atyre që u pushkatuan dhe vuajtën tmeret në revoltën e Spaçit 51-vjet më parë për liri e demokraci, por edhe të gjithë të burgosurve të regjimit barbar sllavo-komunist të Enver Hoxhës, anë e mbanë Shqipërisë, të vazhdojmë të shpresojmë – ashtu siç shpresonin ata — për ditë më të mira për të gjithë shqiptarët pa dallim: për një Shqipëri të së vërtetës historike dhe të drejtësisë. Dhe për Pajtim e Paqë midis shqiptarëve!

Sidomos sot, në kujtim të përgjithmonshëm të heronjve të pushkatuar të revoltës anti-komuniste të Spaçit, 51-vjet më parë: Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pasha.

I përjetëshëm qoftë kujtimi i tyre ndër breza!

Frank Shkreli

       Foto-Kujtime nga ceremonia e 50-vjetorit të revoltës së Spaçit, 21 maj, 2023

Presidenti Bajram Begaj me udhëheqsit fetarë të Shqipërisë, Spaç, 21 maj, 2023

A couple of banners with text

Description automatically generated
A group of men in suits talking

Description automatically generated
A group of people standing together

Description automatically generated
A group of people standing on a ledge

Description automatically generated
A group of people posing for a picture

Description automatically generated
A group of men in suits

Description automatically generated
A person and person standing together

Description automatically generated

Autori me Znj. Gentiana Sula, Kryetarja e Autoriteteit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetetit  

Filed Under: Komente

Kryeministri Kurti përkujtoi me homazhe të vrarët në masakrën e Dubravës

May 22, 2024 by s p

Dubravë, Istog 22 maj 2024/

Në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi dhe përkujtoi me homazhe të vrarët në mënyrë mizore në masakrën e Dubravës, nga forcat armike serbe.

Pranverën e majit, nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999, u vranë e u masakruan 116 të burgosur dhe një u zhduk, nga 980 sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës. Prej tyre 771 i mbijetuan kësaj masakre, ndërsa 185 mbetën të plagosur nga forcat serbe.

Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i së vërtetës së Kosovës, tha kryeministri, teksa theksoi se emrat e skalitur në memorialin e 116 të vrarëve në këtë masakër, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës.

Kryeministri theksoi se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur.

Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të qëndresës së popullit tonë, tha Kryeministri.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe tri gjeneratat që përfshijnë të burgosurit politikë përgjatë tri dekadave, gjatë viteve ’50-të, ’60-të, e të viteve të ’70-të; gjenerata e dytë, e quajtur edhe Brezi ’81, që përfshinë të burgosurit politikë pas demonstratave studentore të vitit 1981, si dhe gjenerata e tretë e viteve ’90-të, duke përfshirë edhe të burgosurit gjatë luftës. “Këtu bëj pjesë dhe vetë unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë”, shtoi kryeministri.

Të pranishëm në këto homazhe, organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin organizativ të ish të burgosurve politikë të Burgut të Dubravës, ishin Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, Enver Dugolli, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Nait Hasani, ish i burgosur politik, Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, deputetë të Kuvendit, anëtarë të kabinetit qeveritar, familjarë të të vrarëve, dëshmorëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Dubravës.

Filed Under: Rajon

SHQIPTARËT E GREQISË KËRKOJNË VOTËN E DIASPORËS

May 22, 2024 by s p

Aktivisti i komunitetit shqiptar në diasporën shqiptare të Greqisë z.Lulzim Cina në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli” organ i Federatës Vatra në New York, shpjegon në detaje organizimin e diasporës së Greqisë, punën e shoqatave shqiptare në Kretë, aktivitetet komunitare e atdhetare në ndihmë të shkollës shqipe të Kretës dhe peticionin drejtuar qeverisë shqiptare në ridimensionimin e politikave në ndihmë të shqiptarëve në Greqi.

Me z.Lulzim Cina bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHQIPTARËT E GREQISË KËRKOJNË VOTËN E DIASPORËS

Lidhja Shqiptare e Kretës me gjithë Shoqatat e saj ka mbledhur mbi 10.000 firma në një peticion drejtuar të gjitha instancave shtetërore dhe diplomatike ku është kërkuar disa pika bazike që shqetësojnë jo vetëm jetën e bashkatdhetarëve por dhe mbarëvajtjen dhe funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Pikat kryesore të peticionit janë :

1-Të drejtën legjitime të votës së Diasporës Shqiptare në zgjedhjet Parlamentare dhe lokale në Shqipëri. Një e drejtë e pa realizuar për 30-vite.

2-Garantimin e mësidhënies së gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Diasporë nën kujdesin dhe financimin nga Qeveria Shqiptare.

3-Lehtësimin e procedurave që shqetësojnë emigrantët në lejet e qëndrimit në Greqi.

4-Marrëveshjen midis dy qeverive për pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi.

5-Mosndërhyrjen dhe pavarësinë e çdo organizimi shqiptarë në Greqi nga sekserë apo “paterica diplomatike” për qëllime partiake dhe elektorale, të cilat mbajnë peng Shqipërinë por dhe integrimin e shqiptarëve në Greqi dhe në vëndet tjera të Bashkimit Europian. Këto janë disa nga problemet dhe pikat e panegociushme të Lidhjes Shqiptare të Kretës dhe këto do jenë busulla orientuese në të ardhmen e Diasporës Shqiptare në Greqi.

ORGANIZIMI I DIASPORËS SHQIPTARE TË GREQISË

Si e bekuar nga Zoti lindi dhe ideja e krijimit përfundimtar të organizimit të “Diasporës Shqiptare të Greqisë”. Kur qëllimi i qartë dhe i kthjellët takon burra të urtë por të vëndosur si Lulzim Cina, Klement Osmanllari, Angjel Alizoti, Kristo Dule, Petrit Jushi, Vangjel Halili, Flober Baholli, Eleni Ikonomi dhe Elvir Belbaj ku suksesi dhe lartësimi shqiptarë është i pathyshëm dhe i sukseshëm madje edhe në një vënd skeptik ballkanik si Greqia. Mrekullia gjithë -shqiptare ndodhi në gjithë Greqinë me dt 21-Prill -2024 në Athinë duke themeluar de-fakto dhe de_juro” Diaspora Shqiptare e Greqisë” ku u mblodh për herë të parë Kuvendi i -I- i Diasporës me një pjesmarrje nga shumica e gjithë shoqatave shqiptare e Greqisë, por dhe përfaqësusë të Parlamentit Grek dhe Partive politike Greke dhe Ambasadës Shqiptare në Athinë dhe intelektualë shqiptarë. Nën drejtimin e pesë intelektualëve dhe supër aktivistave shqiptarë dhe drejtues të Organizimeve të shkallës dytë Shqiptare ato janë:

1-Dr. Luan Zyka (Komuniteti Shqiptar Selanik).

2- Z. Lulzim Cina (Kryetari i Lidhjes së Kretës)

3-Z. Edmond Guri (Ish-kryetari Federatës Shqiptare në Greqi)

4-z.Ardian Daullja (Unioni Shqiptarë Greqi).

5-z.Iliaz Bobaj (Studiues, profesor dhe aktivist i hershëm në Komunitetin Shqiptar Patra).

Pra Diaspora shqiptare udhëhiqet e sigurtë drejt sfidave të reja të kohës nga “Pentagoni shqiptar” që simbolizon qëndresën dhe pathyshmërinë shqiptare në Greqi. Modeli i bashkimit shqiptarë në Kretë dhe shtrirja e saj në gjithë Greqinë nga Lidhja Shqiptare e Kretës kërkon një qasje të vazhdimësisë në këtë rrugë, duke patur parasysh sfidat e reja që kërkojnë një vizion të ri në projektimin e shqiptarit bashkohor në një shoqëri hibride europiane greke dhe padyshim me rrënjë shqiptare të origjinës. Nga Lidhja shqiptare e Kretës ka lindur binomi i dy sfidave që ballafaqohen shqiptarët jo vetëm në Greqi por dhe në Europë: integrimi dhe mos-asimilim. Këto janë të ndërlidhura me njëra -tjetrën në ekzistencën tonë jashtë kufijvë Arbnorë duke sjellë një “risi” të re edhe në marrëdhëniet midis shtetit amë dhe vëndeve fqinjë por dhe Integrimin Europian të Shqipërisë në EU.

QEVERIA SHQIPTARE TË NDËRTOJË POLITIKA REALE PËR EMIGRACIONIN

Do ti kërkohet dhe do ti propozohet qeverive shqiptare të ndërtojnë politika reale për Emigracionin shqiptar në Greqi, pasi deri tani kemi një jo politikë, një inekzistencë të shtetitt shqiptarë për sa i përket kujdesit të saj për emigracionin shqiptar në Greqi. Nuk është aspak produktive, prezenca patetike dhe folklorike, biles sporadike dhe pa asnjë “bereqet” e disa deklarata të politikës së vjetër të shtetit Amë vetëm për përdorur Diasporën si shportë elektorale të radhës. Nga kjo bisedë u bëjmë thirrje Tiranës zyrtare; mos u frikësoni nga votat e Diasporës Shqiptare dhe vota jonë do jetë në të mirën e Mëmëdheut dhe vëndlinjes tone, Shqipëri.

SHQIPTARËT NË ISHULLIN E KRETËS

Ishulli i Kretës është një ndër ishujt më të mëdhenj të Greqisë me një sipërfaqe prej mbi 15,000 km katror dhe laget nga tre dete kryesore të mesdheut, nga deti Egje, nga deti Libik që e lidh me Afrikën e veriut dhe deti Jon. Mbas viteve 1990 dhe në vazhdimësi filluan zbarkimet e para të emigrantëve Shqiptarë në ishullin e Kretës. Ishulli i Kretës lidhet me pjesën tjetër të Greqisë, me Athinën nëpërmjet rrugëve detare dhe Aeroportet e saj në Iraklio, dhe Hania. Ishulli ka një Qeverisje lokale në shkallë Qarku (Periferia) dhe nga qeveria Greke, kështu dhe shqiptarët janë të vëndosur në gjithë qytetet kryesore të saj Iraklio, Rethimno, Hanja dhe Agio Nikolao dhe Irapetra, Mesara dhe Paliohora. Në gjithë këto qytete të Kretës llogaritet të jetojnë rreth 33.000 shqiptarë të cilët janë të punësuar në turizëm, ndërtim dhe bujqësi. Fillimet e para të organizimeve shqiptarë fillojnë pas viteve 1998 dhe krijimi i organizimit të parë shqiptarë filloi në Hanja në kontributin e tim ku arritëm të hapim shkollën e parë të gjuhës shqipe në Hania të vitit 2000. Gjithashtu kam ndihmuar e kontribuar edhe në vendlindjen time në Pukë për njerëzit në nevojë e vështirësi ekstreme. Do vazhdoj ta bëj pasi ndjej kënaqësi shpirtërore kur dikujt ia lehtësoj një hall apo ia kaloj një vështirësi.

SHKOLLA E PARË SHQIPE NË KRETË MË 2000

Kështu filloi “Odiseja “ e bukur e organizimeve shqiptare në Kretë pas viteve 2000 dhe në saj të përpjekjeve të mia e miqve të mi u arrit shfaqja e parë artistike e Ansamblit Kombëtarë Shqiptarë në qytetin e hanijas dhe pastaj në Kalanë Forteza Rethimno në vitin 2003 në saj edhe të ndihmës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë Kulturës Shqipërisë dhe me ndihmën e z. Luan Zyka (sot Kryetar i Diasporës Shqiptare Selanik). Në çdo qytet të Kretës funksionojnë Shoqata të Ligjëruar dhe me një aktivitet të fuqishëm kulturor dhe kombëtar dhe me kurse të gjuhës Shqipe pranë çdo Shoqate Shqiptare. Konsolidimi i vazhdueshëm i Shoqatave Shqiptare në qytetet e Kretës dhe problematikave të njëjta të tyre lindi ideja e bashkëveprimit të ndërsjelltë midis tyre. Harmonizimi i përbashkët të shoqatave bëri që bashkërisht në bashkëpunim me shoqatën e Hanijas që është një nga më aktivet në diasporë z.Klement Osmanllari, Angjel Alizoti, Kristo Dule dhe shumë bashkatdhetarë dhe aktivistë të tjerë e udhëhoqëm në një Lidhje të përbashkët duke themelur një organizim të shkallës së dytë dhe të fundit në Kretë.

“LIDHJA E SHOQATAVE SHQIPTARE TË KRETËS”

Me lindjen e diellit në mëngjesin e ditës 1 nëntor 2020 lindi dhe u themelua “Lidhja e Shoqatave Shqiptare të Kretës” ku morën pjesë katër shoqata të ligjëruara deri në atë ditë në Hania të Kretës: Bashkimi Shqiptar Iraklio me kryetar z.Vangjel Halili, Shoqata Shqiptare Hania me kryetarë z.Klement Osmanllari, Shoqata Shqiptare Rethimno dhe Shoqata Shqiptare Kasteli. Jehona dhe përçafimi i problematikave shqiptare në Kretë në fillimet e saj i dha zgjidhje shumë problemeve akute që shqetësoni bashkatdhetarët në ishull. Lidhja Shqiptare e Kretës arriti që për herë të parë të sjellë në Kretë një ekip konsullor nga Ambasada Shqiptare në Athinë për të bërë aplikimet për pasaporta dhe karta identiteti në Kretë dhe në Rodos duke vazhduar për çdo vit në Projekt për Kretën dhe Ishujt. Kështu shqiptarët në kretë nuk duhet të udhëtojnë me tragete dhe duke kursuer jo pak të holla për të udhëtzar drejt Athinës vetëm për tu paisur me një Pasaportë biometrike. Lidhja e Kretës arriti të bëjë kontakte të vazhdushme me të gjithë kryebashkiakët e qyteteve të Kretës duke hapur rrugën e kurseve të gjuhës shqipe pranë çdo shoqate dhe çdo qyteti, kjo edhe në saj të bashkëpunimit me Ambasadën Shqiptare.

MËSIMI DHE HAPJA E KURSEVE TË GJUHËS SHQIPE

Mësimi dhe hapja e kurseve të gjuhës shqipe është prioriteti kryesor për Lidhjen Shqiptare të Kretës. E gjithë Isomorfia pozitive e Lidhjes Shqiptare u pa me një dashamirësi dhe përtej Detit në pjesën tjetër të Greqisë nga Shoqatat motra në Athinë, Patra dhe Selanik. Kështu kryetari i Lidhjes Kretës me këshillin drejtus krijojë kontakte dhe takime me faktorin gjithë-shqiptarë në Greqi. Nuk do të ndalemi asnjëherë në shërbim të kombit e çështjes kombetare duke ndihmuar bashkëvendasit tanë, bashkëqytetarët tanë e çdo shqiptar në Greqi.

MIRËNJOHJE PËR “VATRËN” E “DIELLIN”

Më lejoni në emër të bashkatdhetarëve në Kretë dhe Lidhjes Shoqatave Shqiptare të Kretës të përcjellim ngrohtësisht dhe vëllazërisht bekimet tona hyjnore për të gjithë vëllezërit tanë shqiptarë në SHBA. Falenderimet tona e mirënjohja jonë shkon veçanërisht për Federatën Pan-Shqiptare VATRA në Amerikë dhe gazetën “Dielli” për punën e jashtëzakonshme në të mirë të popullit e kombit shqiptar. Jeni frymëzim për çdo shqiptar anëkënd botës. Ju jemi mirënjohës përjetë që historikisht i keni qëndruar kaq pranë kombit dhe atdheut.

Filed Under: Politike

Noli Film Festival Press Release

May 22, 2024 by s p

The inaugural Noli Film Festival (NFF), a pioneering event celebrating Albanian cinema in the United States, will take place at St. George Albanian Orthodox Cathedral, 523 E. Broadway in South Boston, from May 31 to June 2. The festival producers are Erand Sojli/Sojli Art Production and Bujar Alimani/90 Production.

Showcasing an eclectic mix of Albanian films by talented Albanian filmmakers, the festival lineup includes eight feature films, seven shorts, five documentaries, and three animated films. The festival kicks off on May 31 at 5:30 PM with a reception in the Cathedral’s garden, followed by the premiere of a documentary on the life of Fan S. Noli. Noli, a preeminent figure in Albanian history, will be honored throughout the festival.

Over the course of the three-day event, attendees will engage with directors and actors who will share their unique insights into their work. Feature films will be screened on the second floor in the Athanas Auditorium (named for the family of Boston’s Anthony Athanas of Pier 4 fame, who was a world-renowned restauranteur). The Auditorium is professionally fitted by Boston Audio, offering an unparalleled cinematic experience, while documentaries and animations will be shown on the first floor.

This festival is the first Albanian film festival to be held in Massachusetts, a state with deep historical ties to the Albanian community. The state was the first home for many Albanian immigrants who arrived in the early 1900s. The NFF will highlight the creative talents of professionals filmmakers from Kosovo, Albania, Macedonia and the U.S. The organizers hope this festival will be the first of many, mirroring other significant Albanian firsts in Boston, including the first Albanian Orthodox Church, the oldest Albanian-American newspaper (Dielli/ The Sun), and the first Albanian American Bar Association.

The festival is named in honor of Archbishop Fan S. Noli, a towering figure in Albanian history. Noli founded the first Albanian Orthodox Church, served as the first democratically elected prime minister of Albania, and was a prolific poet and literary scholar who translated numerous works, from the New Testament to Shakespeare. He wrote the definitive biography of the Albanian national hero, Scanderbeg. He earned degrees from Harvard University, Boston University, and the New England Conservatory. Noli’s contributions to literature and the arts are universally celebrated among Albanians. The festival’s start date, May 31, commemorates the 118th anniversary of his arrival in the United States, while the conclusion on June 2 marks the anniversary of his poem “Jepni për Nënën” (“Give to Mother”), which rallied support for Albania’s independence after World War I. Noli’s representation of Albania at the League of Nations, where he secured the country’s independence, is considered his greatest political achievement.

Admission to the festival’s screenings is free with required registration on the NFF website. The public is invited to experience Albanian culture through these films. Donations to support the Fan S. Noli Library & Cultural Center and Albanians Fighting Cancer are welcome.

A closing Gala and Award Ceremony will be held at Alba on 53, Leo Keka’s Albanian-owned restaurant in Hanover, at 7PM Sunday, June 2. Tickets are $118 per person.

For more information and to register for screenings, visit the NFF website. https://nolifilmfestival.com

Filed Under: Kulture

Grupi artistik “Skënderbej” shkëlqen në rrugën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Nju Jork

May 22, 2024 by s p

Luljeta Xhediku/

E diela e 19 majit në Bronx të Nju Jorkut ishte mjaft e veçantë për komunitetin shqiptar në Nju Jork, pasi për të tretin vit radhazi nën kujdesin e veçantë të z. Mark Gjonaj, aktivist i mirënjohur, kryetar koordinues i Diasporës, ish-anëtar i Asamblesë shtetit të Nju Jorkut, dhe personazheve të tjera të shquara e biznesmenëve të suksesshëm shqiptarë u mbajt panairi i tretë në rrugën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në këtë panair mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut z. Erik Adams, anëtarë të këshillit bashkiak të qytetit të Nju Jorkut, biznesmeni Harry Bajraktari, si dhe ministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janina etj. Mbajtja e këtij panairi ka si mision ruajtjen e kulturës, vlerave e traditave shqiptare. Kjo rrugë ishte mbushur plot e për plot me shqiptarë aq sa nuk kishe ku të vije këmbën. Vëmendjen në fillim të kësaj rruge ta tërhiqte pastori i kishës ungjillore shqiptare, Beni Pango, i cili ishte veshur si Skënderbeu dhe pothuajse që të gjithë ndalonin për të shkrepur një fotografi me të. Në panair ishin të reklamuara biznese të ndryshme shqiptare kryesisht kulinaria e vendit tonë, por edhe libra e simbole të tjera që flasin për kulturën shqiptare. Në programin e gjatë që u mbajt për nder të këtij panairi performuan grupe artistike si edhe këngëtarë e artistë që ishin ftuar për të argëtuar të pranishmit. Për shoqatën shqiptaro-amerikane “ Skënderbej” Inc. ishte një ditë e rëndësisë së veçantë, pasi grupi artistik “Skënderbej” mori pjesë për herë të parë në këtë event ku edhe shkëlqeu me performancën e tij. Atmosfera e grupit artistik “Skënderbej” ishte magjike, drithëruese për nga emocionet që përcolli në skenë dhe interpretimit të shkëlqyer të vallëtarëve të këtij grupi e sidomos dy balerinëve profesionistë Klevis Tafaj e Bianka Skënderi, të cilët janë edhe pjesë e “Ajkun Ballet”. Pjesëmarrja në këtë aktivitet u bë e mundur nga puna e palodhshme e dy zonjave që drejtojnë këtë grup znj. Adelina Lacaj dhe znj. Gela Bulku, koreografit artistik z. Klevis Tafaj, balerinës profesioniste Bianka Skënderi, si dhe kërcimtarëve të tjerë të grupit si: Anja Kojku, Jori Lamçe, Jessica Ndregjoni, Klaus Veshi, Eneo Rustani, Jonathan Ndregjoni dhe Kelvin Rustani. Gjatë interpretimit në skenë u ngjitën edhe kryetari i shoqatës z. Imer Lacaj, nënkryetari i shoqatës, Lekë Preçi, sekretarja e shoqatës, znj Alketa Veshi dhe anëtarë e dashamirës të kësaj shoqate, të cilët e shoqëruan grupin artistik “Skënderbej” me valëvitje flamujsh shqiptarë. Grupi “Skënderbej” interpretoi kërcimin nën tingujt e këngës “Jena Gzu” dhe këngës “Rrisim jetën tonë”. Të dyja interpretimet u duartrokitën shumë fort nga publiku. I urojmë shumë suksese grupit artistik “Skënderbej”, si dhe ngjitje në skena edhe më të mëdha! Për të festuar suksesin e merituar të grupit “Skënderbej” u shtrua një drekë simbolike në lokalin me pronar shqiptar “O Ccaffe”.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 956
  • 957
  • 958
  • 959
  • 960
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT