• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mosdënimi i krimeve të diktaturës, pafuqia jonë për të vërtetën!

August 26, 2024 by s p

Agim Baçi/

“Cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish-komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?”. Kështu pyeste politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon-Delsol lidhur me pafuqinë e shumë vendeve ish komuniste për të zbardhur të shkuarën. Një pyetje që sot, në “Ditën e Shiritit të Zi”, që është Dita Evropiane e Kujtesës për viktimat e regjimeve totalitare, ka nevojë ta rishtrojmë për të pohuar atë që nuk mundëm dot ta zbardhnim në këto 34 vite ndryshimesh politike.

Ashtu siç kemi nevojë të mos i shmangemi pyetjeve edhe pyetjeve të tjera: A kemi ditur të përballemi me të shkuarën tonë nën diktaturë? A e kemi parë të shkuarën nën rrëgjimin komunist si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një pjesë të historisë sonë, apo si diçka që ka vijuar të na ndikojë në përditshmërinë tonë edhe sot?

Në Shqipërinë e pas vitit 1990, nga dëshira për të vrapuar drejt asaj që na kish munguar në diktaturë, u praktikua ajo që sociologu Zigmunt Bauman e quan “vetëshfajësim historik”. Në Shqipëri vetëshfajësimi historik u mbështet më së shumti përmes sloganeve “ashtu ishte koha” apo “gjithkush nga ne mund të kishte gabuar” – qëndrime këto që çuan një pjesë të shoqërisë shqiptare deri në refuzim për të dëgjuar çfarë kish ndodhur realisht gjatë diktaturës, duke e lënë të keqen të bredhë lirisht rreth nesh. Si pasojë e këtij “vetëshfajësimi” u krijua, në jo pak raste, ideja sikur debati mbi të shkuarën është thjesht një çështje historie dhe se i përket vetëm studiuesve të historisë apo politologjisë, dhe jo të jetë një çështje e debatit mbarëshoqëror mbi pasojat e asaj së shkuare.

Për pasojë, Shqipëria mbetet ndër vendet e rralla ish diktatoriale që nuk ka të penduar, e për pasojë nuk ka as nga ata që duhej të ishin falësit e ish-xhelatëve të tyre. Kjo për faktin se ne nuk kaluam dot në një gjyq moral, ku atyre që me vetëdije iu bashkuan mbështetjes së regjimit dhe bënë apo duartrokitën krimet makabre, në emër të mbrojtjes së atij sistemi, t’i jepej mundësia e rrëfimit dhe pendesës.

Veprimi i qeverive dhe parlamenteve të pas vitit 1991 në Shqipëri, që mbështetën sloganin “bashkëfajtor-bashkëvajtjes”, sollën shifra alarmante të zgjerimit të nostalgjikëve të ish diktaturës. Mjafton sondazhi i vitit 2016 nga OSBE, ku 45 për qind e të anketuarve vlerësonin pozitivisht figurën e ish-diktatorit, për të ringritur alarmin lidhur me vlerësimin e së shkuarës, ndërkohë që ende shumë familje nuk dinë eshtrat e të vrarëve apo të varurve pa gjyqe, apo me fakte të sajuara në bodrumet e ish sigurimit.

Por, a jemi vonë ne për të debatuar për të shkuarën tonë, siç pretendon një pjesë e shoqërisë? Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, shprehen se, nëse nuk e shohim atë të shkuar kriminale si një tentativë e përhershme e së keqes, si një tentativë për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht. E për aq kohë sa nuk e mendojmë se ajo e shkuar nga ka tërhequr zvarrë në rrugëtimin drejt një shteti të së drejtës, për shkak se nuk u përballëm me të vërtetat e forta të saj, atëherë nostalgjikët nuk do ngurrojnë që nesër të rishohim një sistem të tillë, ose që imiton atë.

Një përgjigje lidhur me moszbardhjen e së shkuarës e ka dhënë nobelisti polak Çesllav Milosh, në librin e tij “Mendja e robëruar” kur shprehej se: “është dëshira jonë e brendshme për të mos besuar se njeriu mund të arrijë në krime aq të tmerrshme që u panë në diktaturat totalitare”. Pra, kemi harruar që fara e së keqes për një shoqëri fshihet pas harresës.

Fatkeqësisht, pavarësisht sjelljes së kujtesës përmes botimeve, aktiviteteve dhe studimeve nga Instituti i Studimeve të Pasojave të Krimeve të Komunizmit (ISKK) dhe aktorë të tjerë që vijojnë të flasin për të shkuarën, ne vijojmë të mund të rrezikojmë ta rishkruajmë historinë pa shumë nga dëshmitarët e së shkuarës. Ky moslexim i së shkuarës me të gjitha të vërtetat rrezikon të humanizojnë të keqen, duke e bërë normale atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë.

Sipas filozofovë, ata që tentojnë ta pengojnë të shkuarën, që të shkruhet me gjuhën e krimeve që kanë ndodhur, kërkojnë që ta rishkruajnë sipas orekseve të tyre, me qëllim që të kontrollojnë të ardhmen sipas të njëjtës ideologji.

Kjo është pasoja kur ne si shoqëri rrezikojmë të kalojmë të shkuarën me “krimet e askujt”, duke mbetur e vetmja shoqëri që nuk kemi të penduar, e, për pasojë, as ata që mund të falnin ata që në emër të diktaturës bënë krime për ta mbajtur gjallë atë sistem çnjerëzor.

“Panorama”

Filed Under: Emigracion

BAJRAKTARI I HOTIT, KRENARIA E SHQIPNISË QË PËRBALLOI TRE DIKTATURA!

August 26, 2024 by s p

Bajraktari i Hotit Mul Deli Bajraktari i përket brezit të shqiptarve të shquar të shekullit njëzet, që dha një kontribut kombëtar jo vetëm në drejtimin e kullës së Cun Mulajt,e bajrakun e Hotit por në ndërtimin e shtetit të parë shqiptar në fushën ushtarake, duke u shquar si një shtetar i palodhur dhe atdhetar! Hoti ka qënë bajrak i parë në Malsi të Madhe, ku ka nxjerrë burra të shquar dhe mbrojtës të Shqipnisë. Përmasat e kësaj kulle kan qënë të njohura që nga pushtimi osman e deri në ditët kur Shqipninë e pushtoi barbaria komuniste nën udhëheqjen e diktatorit kriminel Enver Hoxha. Këto ditë Unioni Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë organizoi dhe kremtoi në Koplik ditën e 23 gushtit dita zyrtare europiane e viktimave të regjimeve totalitare si dhe përkujtoi Masakrën e Koplikut, ku u masakruan 56 burra dhe gra Malsore, si dhe pushkatimin barbar të figurave kombëtare të fesë dhe lirisë Dom Lek Sirdani, Dom Pjetër Cuni, si dhe luftëtarit antifashist Taro Keqi, dhe Malsorin Nik Mark Rexha. Unioni kërkoi nga kjo cermoni, të dënoheshin krimet e komunizmit, të bëheshin publike emrat e xhelatëve që e ban këtë masakër antinjerzore dhe shteti Shqiptar të kërkonte falje publike për krimet e komunizmit, dhe ne si gjithë europa të kishim një ditë kujtese në nderim të shqiptarve antikomunistë. Dhe në emër të Unionit i kërkova Bashkisë së Malsisë Madhe Koplikut të ngrihet një obeliskë për Luftëtarin antifashist, internuemi nga nazizimi, dhe antikomunistin bajraktarin e Hotit Muli Deli Bajraktari, për udhëheqësin e kryengritjes së Malsisë Madhe Llesh Marashin e Shkrelit, si dhe për udhëheqësin e Këlmendit Preng Calin! Kryetari i Unionit të Malsisë Madhe më njofton se në rrjetet sociale ka pasur reagime se pse të nderohet Bajraktari i Hotit, se nuk ka qënë në kryengritjen e parë antikomuniste. Nuk u shqetësova nga këta pseudhistorianë fecbukash, por më tronditi, urretja ndaj figurës së ndritur të Bajraktarit të Hotit, Mule Deli Bajraktarit, dhe mesazhi përçues i fecbuksve të ndarjes katolike musliman meqenëse bajraktari është musliman.

Nuk do të kisha marre kohën time të angazhimeve në mbrotje të kujtesës kombëtare dhe denimit të krimeve të komunizmit për të ju përgjigjur fecbuksave. Detyrimi për të mbajtur gjallë kujtesën përball heshtjes vrastare të poltikës shqiptare që ka një synim: “ Të zhdukin nga kujtesa qëndresën antikomuniste në Shqipëri që brezat e rinj mos të njihen me krimet e komunizmit dhe luftën vëllavrasëse në Shqipëri nga diktatori Enver Hoxha!” Ishte e detyrueshme përgjigja ime ndaj korit të kukuvajkave të politikës komuniste 34 vjecare kur i bashkohen ca individë në Fb që skan as një kontribut në mbrotjen dhe veprimtarinë kundra diktaturës , jo ma në fushën studimore, por as ligjore, që nga përformancat e tyre individuale nuk i njohin dhe familjarët e tyre, këta individë sa të përkujtohet një ngjarje antikomuniste me njëherë do të shkruajnë kundra vlerave dhe kontributeve njerzore të antikomunistave shqiptarë, vetëm të helmojnë brezin e ri duke i shërbyer politikës antikombëtare që ndjekin politikanet dhe partitë politike në Shqipëri siç banë këto ditë kundra Bajraktarit të Hoti, kësaj familje kombëtare me kontribute atdhedashëse dhe prijsit të Malsisë në mbrotje të kombit. Turpi i këtyre fesbukasve që skan asnjë motiv të vërtetë ndaj vlerave antikomuniste, por u mungon dhe ndërgjegjësimi dhe formimi i tyre për të përçmuar kullën e bajraktarit të Hotit, me deklaratat e tyre në rrjetet sociale. Ju kukuvajka të fb Mul Delia ka qëne Ushtarak i lartë i shtetit shqiptar që në vitin 1920 duke dhënë një kontribut të madh për ndërtimin e shtetit shqiptar, ku u shqua në disa krahina të Shqipërise për cilësi të larta shtetrore, dhe ku është nderuar me urdhëra të larta nga shteti i parë shqiptar i udhëhequr nga Mbreti Zogu i Parë! Në vitin 1939 ai ishte udhëheqësi ushtarak në Vlorë dhe e priti fashizmin italian me armë, duke luftuar kundra pushtuesit të Shqipërisë! Ai gjatë periudhës 40- 44 luftoi dhe mbrojti Malsinë e Madhe nga lufta vëllavrase që organizonin komunistat në Malsi, dëshmi e ish pjestarit të rinisë komuniste Caf Jonuzit, i denuar nga partia komuniste me 20 vite burg politike. Me ardhjen e gjermaneve ai u bë kundërshtar i fuqishëm kundra nazizmit, dhe për këtë arsye u internua nga nazizimi, deri kur mbaroi lufta e dytë botërore, i cili ishte i denuar nga diktatura komuniste si ushtarak dhe Bajraktar dhe perfundoi në Siri ku dhe ndrroi jetë. Familja e tijë, djali Kastriot Bajraktari me ardhjen në pushtet të komunistave u internua që nga viti 1945 e deri në vitin 1990. E kulla e tije shekullore ku baheshin kuvende në mbrotje të Shqipnisë, komunizmi e bani haur bagtish për 45 vite diktaturë. Për dijeninë tuaj Bajraktari Mule Delia është nderi i Malsisë Madhe jo vetëm si drejtues i Hotit, por dhe si luftëtar antifashistë, antinazistë, dhe antikomunistë dhe e ka nderua Malsinë me kontributet e tija atdhetare dhe meriton nderim e venerim si një Shqiptar i madh patriot me përmasa kombëtare. Pra ju shpifsa të paskrupullt, kush në Malsi të Madhe ishte kundershtar i fashizmit, nazizmit, dhe komunizmit si bajraktari i Hotit Mul Deli Bajraktari! Nipi i te madhit Cun Mula! Ju shpifsa jeni aq të lig, sa doni të ndani katolik e musliman të malsisë, por gaboni, se i ligu gjithmone gabon, Llesh Marashi ushtaraku antifashist dhe udhëheqësi i kryengritjes së Malsisë Madhe, ka qënë bashkëpuntori ma i madh i bajraktarit të Hotit, Preng Cali udhëheqësi i Këlmendit ka qënë bashkëpuntori ma i madh i Bajraktarit! Ju më akuzoni mua Besim Ndregjonin se desha me i ngrit një përmendore Bajraktarit të Hotit si udhëheqës i kryengritjes së Malsisë , dhe këtu gaboheni unë obeliskun e kam kërkuar për kryengritjen antikomunste të malsorve, dhe drejtuesve të Malsisë për kontributet që kan dhanë kundra komunizmit, fashizmit, dhe nazizmit! Dhe drejtues kundra fashizmit nazizmit dhe komunizmit është Bajraktari i Hotit Mul Deli Bajraktari, Llesh Marash Vata i Shkrelit, dhe legjenda Preng Cali i Kelmendit! Nuk ka dallim Malsia i krishtere apo musliman!

Ky është turpi i juaj i Fb. Tani unë Besim Ndregjoni i drejtohem Vasel Ginës, cfar kontributi ke dhënë ti për Malsinë e Madhe, që më urren mua me fjalorin e Edi Ramës rrumpallë.

Për dijeni tënden dhe të shpifsa ordinere, jam unë ai që e nderova duke lobuar pranë Presidentit të Republikes që kryengritja e Maksisë Madhe të dekorohet me titullin e lartë “Nderi i Kombit,” ku ishe ti? Unë e nderova Llesh Marashin me” Urdhërin e Shqiponjës”, dhe tani po luftoi që në Malsi të Madhe të ngrihet obelisku kushtuar kryengritjes dhe kontributeve të Bajraktarit të Hotit si Antifashist, antinaziste, dhe antikomuniste, gjthashtu dhe për Llesh Marashin. dhe Preng Calin. Për dijeni tënden unë kam dekoruar dhe Gjelosh Lulin. Dhe këto veprimtari i kam ba pa ndihmën e shtetit, as të Bashkise së Malsisë Madhe,dhe të asnjë partie politike. Të vejë në dijeni dhe me 25 tetor 2023 i kam raportuar në Vatikan Shenjtërisë së tij Papa Franceskut luftën antikomuniste të Malsisë ku isha i ftuar nga shenjtëria e Tij ! Çdo datë 24 janar, dhe 15 shkurt i nderoi këto përvjetor duke mbajtur gjallë në vëmendje të brezave luftën antikomuniste të Malsisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që kan luftuar kundra komunizmit. Gjatë tre dekadave nuk ju kam parë të paktën në një përvjetor juve si malsor. Kam nderuar dhjetra familje antikomuniste të Malsise me tituj nderi për kontributet që kan dhëne këto familje. Bahu kontributor në ruatjen e vlerave dhe vuatjeve të malsorve që ishin antikomunista, që nderonin dhe nderojnë burrat dhe gratë sakrifikuese të kombit, kundër diktaturave. Faliminderit malsorve emigrantëve që riparuan dhe e shpallën Muze kullën e bajraktarit të Hotit. Mirnjohje e nderim , lavdi Mul Deli Bajraktarit krenaria e Shqipnisë!

Besim NDREGJONI

Filed Under: Reportazh

“Nuk kemi gjetur një gjuhë indoeuropiane më të dallueshme se gjuha shqipe”

August 26, 2024 by s p

Akademia e Shkencave e Shqipërisë/

Gjuha shqipe është krejt origjinale dhe e dallueshme midis gjuhëve të tjera të familjes që i takon, sepse është monogjuhë: “Nuk kemi gjetur një gjuhë indoeuropiane më të dallueshme se gjuha shqipe”

#Ashsh

#institutetealbanologjise

#paulheggarty

#gjuhashqipe

– “Evolucioni historik i gjuhës shqipe dhe ndryshimet në zhvillimin e saj kanë qenë shumë të shpejta” –

– “Ngjashmëritë midis dy dialekteve të shqipes janë në shkallën për 89.5 për qind”, një nivel shumë i lartë konvergjence –

– Paul Heggarty, autor i parë i artikullit të botuar në revistën shkencore me njohje ndërkombëtare “Science”, mbajti dje një ligjëratë në kuadër të SNGJLK në Prishtinë; në fillim të nëntorit vjen në Tiranë, me ftesë të Akademisë së Shkencave –

– Një bazë e re të dhënash: pema e familjes së gjuhëve i.e. dhe një hipotezë për origjinën e familjes së gjuhëve indoeuropiane: cili është vendi i shqipes –

– Titulli në anglisht: “A new database, family tree and origins hypothesis for the indo-european language family: what place for Albanian” –

– Paralajmërim i zymtë: “Brenda disa dekadash gati gjysma e rreth shtatë mijë gjuhëve dhe të folmeve që ekzistojnë në Botë do të shuhen ose do të jenë më pak të kuptueshme” –

Paul Heggarty, autor i parë i artikullit të botuar vjet në qershor në tribunën e mirënjohur “Science” për fillesat prehistorike të gjuhëve idoeuropiane (në këtë kontekst shqipja merr shumë rëndësi për lashtësinë dhe momentin e parë të shfaqjes “ndryshe” në krahasim me gjuhët më të afërta), ishte një nga ligjëruesit në seminarin e 42-të për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare (20 gusht 2024), njoftohet në faqen e posaçme të Seminarit dhe në shtypin e sotëm të Prishtinës.

Heggarty pohoi në ligjëratën e tij se “gjuha shqipe është krejt e dallueshme midis gjuhëve të tjera të familjes që i takon, sepse është monogjuhë” (gjuhë pa lidhje gjenetike motërie apo filiacioni me të tjera, siç përcaktohet në gjuhësinë tradicionale i.e). “Të gjitha këto gjuhë janë pak a shumë të tilla. Por cili është dallimi i saj me trungun e gjuhës shqipe dhe në krahasim me zhvillimet e ngjashme? Metoda jonë këtë synon të zgjidhë. Çfarë rezulton nga kërkimet tona është se “trungu” i gjuhës shqipe ka ndryshuar me shpejtësi. Kjo shpejtësi ndryshimi në gjuhën shqipe është e pazakontë. Kjo rezulton nga burimet që disponon baza jonë e të dhënave “IE-CoP”, që është themeluar për marrëdhëniet e gjuhëve indoeuropiane mes tyre, për ngjashmëritë e dallimet dhe lashtësinë e tyre”.

Paul Heggarty e ilustroi tezën e tij duke iu referuar projeksioneve në grafikë dhe kronologjizimeve të dukurive në kuadër të zhvillimeve të gjuhëve i.e. dhe origjinës së tyre në momentin e ndarjes nga njëra-tjetra, kur fliteshin përgjatë udhëtimit të tyre nga rajoni i burimit drejt kontinentit tonë, që më pas u indoeuropeizua.

Ai paraqiti fakte interesante në rrafsh të antropogjuhësisë, gjenetogjuhësisë, shqyrtimeve e rishqyrtimeve të historisë së gjuhëve i.e. në prizmin e ADN-së së tyre, para së gjithash për gjuhën shqipe, për ndryshimet që ajo ka pësuar gjatë zhvillimit (pre)historik të saj; për ngjashmëritë dhe dallimet me gjuhë të tjera indoeuropiane; për rreziqet e zhdukjes si gjuhë që i janë shfaqur.

“Të dhënat për burimin e shqipes dhe historinë e zhvillimit të saj kanë bërë bujë të madhe në qarqet shkencore botërore, tha ai. Kjo sepse gjuha shqipe është gjuha më e veçantë nga të gjithë gjuhët indoeuropiane. Është shumë e rëndësishme për gjuhën shqipe që ajo është shumë e dallueshme. Nuk kemi gjetur një gjuhë indoeuropiane më të dallueshme se ajo. Është shumë origjinale dhe ka një arsye për këtë: sepse ajo ka ndryshuar shumë, ka marrë shumë fjalë nga gjuhët e tjera, duke mbetur gjithnjë origjinale”.

Për periudhën “historike” dhe lidhjet e shqipes si pasardhëse e ilirishtes Heggarty tha se, në kuadër të teorisë dhe metodës së tij e të bashkautorëve të artikullit në “Science”, kjo është një çështje dytësore, sepse historia e shqipes është më e thellë. “Më e shumta që mund të themi është se gjuhë si shqipja, greqishtja dhe ndonjë tjetër janë gjuhë për të cilat njohim diçka për burimin e tyre, ndërsa ka gjuhë të tjera për të cilat nuk mund të dimë gjë për to, nuk kemi të dhëna. Ka shumë gjuhë dhe varietete të tyre për të cilat nuk dimë saktësisht se nga vijnë. Dimë se me cilën gjuhë shqipja është më e afërt e me cilën më e largët: p.sh., ngjashmëritë me gjuhën angleze dhe nëndegën e saj janë vetëm në nivelin 7.4 për qind”.

Në lidhje me lashtësinë “absolute”, Heggarty tha se “duhet trajtuar me kujdes”, jo në mënyrë popullore dhe politike.

Paralajmërim i fortë i Paul Heggarty-t:

“Ekzistojnë përafërsisht 7 mijë gjuhë në Botë dhe gjysma e tyre do të shuhen brenda disa dekadash ose do të jenë më pak të kuptueshme”.

Paul Heggarty ka mbrojtur PhD për gjuhësi krahasimtare në Universitetin e Cambidge-it dhe është “scientific senior” në Institutin “Max Planck” të Gjermanisë. Në biografinë e tij shkruhet se ai ka në fokus “mënyrën se si gjuhët hapin një dritare mbi të kaluarën tonë, në ndërveprim me qasjet nga gjenetika, arkeologjia dhe historia”.

“IE-CoR” është themeluar dhe drejtuar nga Paul Heggarty, Cormac Anderson dhe Matthew Scarborough; është licensuar nga

“Creative Commons Attribution 4.0 International License”.

Filed Under: Interviste

NËNA TEREZE, NJË RRUGËTREGUES NGA DUHET TË ECË NJERËZIMI

August 26, 2024 by s p

Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar.

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Çdo figurë e madhe lind dhe zhvillohet në rrethana e kontekste të caktuara sociale, historike e kulturore. Në të shumtën e rasteve, figurat e mëdha famën dhe lavdinë e arrijnë larg vendit të origjinës së tyre. Kështu ndodhi edhe me Gonxhe Bojaxhiun- Nënën Tereze, e cila afirmimin ndërkombëtar e arriti shumë larg vendlindjes së saj, por kjo nuk ndikoi te ajo që të harrojë se prej nga doli. Përkundrazi, ngado që shkoi ajo i barti me vete gjenet e trashëguara nga familja dhe frymën e diversitetit social, fetar e etnik të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Duke qenë e edukuar në një familje që nuk e kishte larg kishën “Zemra e Krishtit” në lagjen shqiptare katolike të Shkupit, Gonxhe Bojaxhiu qysh në fëmijërinë e hershme sikur e kishte parandje se ky edukim familjar e fetar do të bëhet për të shkollë e jetës. Formimi i mëvonshlm i saj pastaj erdhi natyrshëm si një trung që zhvillohet duke pasur për bazë rrënjët e shëndosha.

Për Shën Nënën Tereze kanë folur dhe shkruar me qindra e mijëra njerëz, qofshin ata autorë veprash, apo personalitete të ndryshme. Për këtë grua të madhe ndoshta më së paku kanë folur dhe shkruar njerëzit nga vendi i origjinës së saj, jo pse kanë treguar mungesë respekti ndaj saj, por sepse zakonisht për figurat e mëdha, siç ishte ajo, vlerësimet më të gjithanshme vijnë nga hapësira të ndryshme të globit. Kjo është edhe një dëshmi për efektet që prodhoi ndikimi i saj në rritjen e ndërgjegjes njerëzore ndaj varfërisë, sëmundjeve dhe vetmisë.

Ne si Institut përmes botimeve të veçanta, por edhe përmes veprimtarive kulturore e shkencore në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, i vetmi ky në botë i kësaj natyre, kemi arritur të krijojmë distancën e nevojshme të qasjes ndaj kësaj figure, duke e liruar atë nga kornizat e ngushta të përkatësisë nacionale, për ta transferuar vëmendjen në një dioptri më të gjerë të vrojtimit të kësaj figure, sepse, fundja, ishte vet ajo që e zgjeroi këtë dioptri në një mënyrë që solidaritetin dhe mirëkuptimin njerëzor e globalizoi, duke i fshi kufijtë e ndasive etnike, reliogjioze e racore.

Është Shën Nëna Tereze figura më unike në botë e cila përkatësinë e vet e ndërtoi mbi primesa të humanizmit njerëzor, e jo të ndonjë përkatësie tjetër që do t’ia ngushtonte asaj fushëveprimin.

E gjithë kjo filozofi humane e telologjike e Shën Nënës Tereze nuk ishte një ishull i izoluar nga botëkuptimi i saj si njeri që qysh në rininë e saj ishte përcaktuar për misionin e sakrificës për tjetrin. Gjithë kauza e saj ishte një rrugë e gjatë mbi të cilën ecnin njerëzit e braktisur dhe të sëmurë, të cilët në fund gjenin ngrohtësinë e fjalës dhe dorës së saj.

Sot kur shënojmë disa data nga jeta dhe vepra e saj, përfshi edhe 45 vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, para nesh del një shirit i gjatë filmik në të cilin janë regjistruar momentet kryesore të cilat Shën Nënën Tereze e bëjnë të veçantë jo vetëm për nga fuqia e ndikimit shpirtëror, por edhe për nga praktika krejt unike e origjinale e utilitarizmit dhe humanizmit. Pikërisht kjo komponentë do ta bëjë atë të papërsëritshme dhe burim i pashterrshëm frymëzimi për njerëzimin se cilën rrugë duhet ta ndjekë, sidomos në rrethanat aktuale kur jemi dëshmitarë të konfliketeve të shumta që po përfundojnë me viktima njerëzish dhe me shkatërrime vendbanimesh. Këto ngjarje ndoshta dëshmojnë se bota ende nuk ka mësuar mjaftueshëm nga Shën Nënë Tereza, e cila me shembullin e saj personal arriti të bindë shumë burrshtetas dhe gjeneralë të luftës se dialogu para konfliktit është doktrina më e sukssehme se çfarëdo lloj strategjie ushtarke.

Jeta e njeriut për Shën Nënën Tereze, nuk kishte kurrfarë çmimi që do të vendosej në tregun e gjerë të mirave materiale. Prandaj kur ishte në pyetje jeta njerëzore, ajo bënte çmos që të parandalonte çfarëdo lloj rreziku që i kanosej jetës njerëzore. Sipas saj janë të shumë faktorë që e kanosin jetën njerëzore, por ajo zgjodhi të luftoj me çdo njerin prej këtyre faktorëve në mënyrë që njerëzit të binden se ia vlen që më tepër të harxhosh energji që të parandalosh një rrezik, se sa të punosh pa vetëdije për një ide a projekt të cilët më shpejt mund të sjellin rreziqe të natyrave të ndryshme.

Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim, dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar.

Shkup, 26 gusht, 2024

Filed Under: Kronike

Problemet e ligjit diplomatik

August 26, 2024 by s p

Arben Çejku/

Më 30 gusht përfundon afati i diskutimit publik mbi Projektligjin e ri të Shërbimit të Jashtëm, të hartuar nga MEPJ, i cili, pavarësisht komenteve tona, pritet të miratohet në formën që është, në sesionin vjeshtor të Kuvendit, siç ka ndodhur edhe me ligjin në fuqi, që u miratua në vitin 2015. Ftesa e MEPJ për t’u konsultuar me publikun dhe për të marrë në konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e palëve të interesuara, vjen më shumë si kërkesë e Ligjit 164/ 2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, sesa si ftesë për gjithëpërfshirjen e ekspertëve brenda dhe jashtë këtij dikasteri. MEPJ, në fakt ka zbatuar vetëm një pjesë të vogël të këtij ligji, sepse bazuar në kërkesat e Nenit 2 – pika 4, Nenit 8 – pika b, Nenit 9 – pika c dhe Nenit 17 – pika 1, ajo duhet të kishte bërë pjesë të grupit të punës (qoftë edhe si pjesë këshilluese) të gjitha institucionet joqeveritare që merren me mbrojtjen e interesave të diplomatëve. Megjithatë, edhe kaq hapësirë dhe kjo formë komunikimi (publike) që ka mbetur deri në miratimin e këtij projektligji, mjafton për të dhënë disa vlerësime paraprake në dobi të korrigjimeve dhe gjithëpranimit të një ligji bashkëkohor për shërbimin e jashtëm.

Unë besoj se, edhe diplomatë të tjerë që janë brenda MEPJ kanë shprehur ose do të shprehin qëndrimet e tyre, pavarësisht kufizimeve që kanë. Ditëve në vijim, organizata e personalitete do të shprehin qëndrimet e tyre dhe do t’i takojë MEPJ-së dhe grupit të saj të punës (që ka hartuar draftin) të marrë në konsideratë këto opinione dhe mbi bazën e tyre të rishikojë disa pjesë të dokumentit të shpalosur për konsultim. Nëse vërejtjet, vlerësimet dhe sugjerimet publike do të konvergojnë në disa nga pikat kryesore të ligjit (që edhe unë do t’i cek më poshtë) dhe ato nuk do të merren fare në konsideratë nga MEPJ, atëherë do të duket e qartë që ky projekt nuk ka nisur “si një domosdoshmëri për rregullimin e disa problematikave të hasura nga aplikimi i ligjit aktual”, siç shprehet tani MEPJ, por ky akt synon legjitimimin e abuzimeve të deritanishme dhe shkeljen me ligj të disa parimeve juridike, institucionale dhe morale në shërbimin diplomatik. Por, për të mos e paragjykuar nismën, mund të them që në fillim se Ligji për Shërbimin e Jashtëm i vitit 2015 ka nevojë të ndryshojë dhe të korrigjohet në disa pika, të cilat kanë qenë edhe më të debatueshmet në kohën e miratimit të tij. Koha tregoi se ai nuk i përmbushi premtimet e nismëtarëve të këtij ndryshimi që premtuan “profesionalizmin” në vend të “politizimit.

Nuk e di se si ndjehet sot ish-ministri i asaj kohe, kur kolegu aktual thotë se zbatimi ka pasur probleme… Ligji i vitit 2015 jo vetëm nuk e depolitizoi dhe profesionalizoi diplomacinë tonë, por përkundrazi, nepotizmi, klientelizmi, militantizmi dhe nënshtrimi ndaj grupeve të ndryshme të interesit, la në hije dhe në minorancë elitën profesionale të kësaj ministrie. Edhe projektligji aktual, nëse kthehet nesër në ligj kështu siç është, nuk korrigjon asgjë nga problemet që ka sjellë ligji në raport me nevojën që ka kjo ministri për t’ua kthyer diplomacinë diplomatëve! MEPJ ka treguar mungesë vullneti për të korrigjuar ligjin e mëparshëm dhe për ta kthyer diplomacinë në shinat e saj. Megjithatë, le të përmendim si fillim disa përmirësime (risi) pozitive të këtij drafti, në raport me ligjin aktual. Ky draft ka avancuar në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të diplomatëve brenda sistemit, duke ngritur “Komisionin e Apelimit”, për vendimet që merr Komisioni i Karrierës Diplomatike dhe Disiplinës. Ka rritur moshën e trajtimit të fëmijëve të diplomatëve nga 18 në 23 vjeç dhe mbulon sigurimin shëndetësorë të familjarëve të diplomatëve, kur ata janë në udhëtim.

Emërimi i “koordinatorëve” të MEPJ-së në institucionet kryesore të vendit me një mandat 2-vjeçar. Qartësimin e kompetencave të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili tani është përgjegjës për administrimin e burimeve njerëzore dhe financiare në Shërbimin e Jashtëm. (Për ironi kërkohet të ketë njërin prej dy fakulteve –juridik ose ekonomik!) Përcaktimi më i qartë i fushës së veprimit dhe mbështetjes profesionale për Akademinë Diplomatike në MEPJ, e cila duhet të ndihmojë në trajnimin e diplomatëve të rinj dhe atyre që janë në detyra. I jepet më shumë qartësi dhe kompetencë “misionit të posaçëm”, si mekanizëm diplomatik. Po ashtu, ka një avancim në drejtim të pastrimit të radhëve nga njerëzit e ish-Sigurimit të Shtetit, sepse përveç bashkëpunëtorëve, në propozim përfshihen anëtarët dhe të favorizuarit e tjerë të këtij organi. Pra, në tërësi, grupi i punës, ka synuar të akomodojë disa nga problemet e përditshme të stafit të MEPJ-së, duke synuar rregullime edhe në dhënien e gradave dhe vlerësimin e meritokracisë. Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm, e cila besoj do të pasojë këtë ligj të ri, do të ketë saktësime më të plota për çështjet e mësipërme dhe uroj që diplomatët shqiptarë dhe familjet e tyre të marrin vlerësimin dhe trajtimin e merituar, ashtu sikundër qytetarët meritojnë një shërbim diplomatik e konsullor akoma më të mirë. Tradicionalisht, problemet më serioze në shërbimin diplomatik nuk kanë ardhur nga brenda ministrisë – ato kanë qenë dhe janë rrjedhojë e diktimeve nga jashtë kësaj ministrie. Mazhoranca socialiste ka bërë Ligjin 9095, datë 3.7.2003 dhe Ligjin e vitit 2015.

Nëse Ligji i vitit 2003 do të kishte disa përmirësime që rregullojnë dinamikën e një shërbimi diplomatik modern, do të ishte mirë. Por, ndryshimet e vitit 2015 jo vetëm e shkëputën diplomacinë tonë nga tradita e organizimit dhe funksionimit të saj profesional, brenda disa kritereve kushtetuese dhe në përputhje me Konventën e Vjenës, por e dorëzuan atë tek paradhoma e ekzekutivit, tashmë edhe me ligj! Ekuilibri i shërbimit të jashtëm i rregulluar me ligjet e mëparshme u shemb dhe të gjitha kompetencat kaluan në dorën e kryeministrit, duke i lënë Presidentit vetëm penën për firmosjen e dekreteve. Madje, për herë të parë atij iu vu një ultimatum kohor prej 30 ditësh për të firmosur dekretin e ambasadorit. Pavarësisht se ambasadorët shkojnë në vendet pritëse me kredencialet e kreut të shtetit, në fakt, kredencialet reale janë nga Kryeministri, sepse Presidenti as nuk e pengon emërimin e as nuk e bën dot shkarkimin e një ambasadori. Ligji i ri që pritet të miratohet në Kuvend, jo vetëm nuk ka bërë asnjë korrigjim në krahasim me problemet që solli ai i vitit 2015, por përkundrazi çimenton më shumë fuqinë e ekzekutivit mbi atë të kreut të shtetit, kur është fjala për emërimin e ambasadorëve dhe hap plotësisht portat për prurje nepotike dhe politike në diplomaci.

Në njërën anë kemi “fuqizim” të Akademisë Diplomatike dhe në anën tjetër, hapet porta e madhe për pranime nga administrata jashtë MEPJsë. Me pak fjalë, kemi konsolidimin e Drejtorisë së Çokave, e cila vjen si trashëgimia më e keqe e ish-sistemit komunist, që diktonte emërimet në diplomaci nga klanet byroiste. Kjo traditë, në një farë mënyre vazhdoi edhe kur pushtetet u ndërruan, sepse klanet nepotike dhe lidhjet e vjetra, dolën se ishin më të forta se kriteret e meritokracisë dhe karrierës profesionale. BE ka kërkuar standarde për administratën publike dhe ne, siç shihet po i bëjmë ato në mënyrën tonë. MEPJ (ish-MPJ) është konsideruar shpesh si “vend pëllumbash” dhe si i tillë ky institucion nuk arriti kurrë të reformohet siç duhet, sepse askush nuk ka dashur të merret seriozisht me të.

“Reformat” janë bërë për të justifikuar largime dhe pranime arbitrare, sipas urdhrave politikë, por jo për të përmirësuar shërbimin diplomatik, i cili ka nevojë për më shumë vëmendje dhe konsensus. Diplomacia, policia, drejtësia, shërbimi sekret, sistemi bankar, janë disa nga sektorët ku politika duhet të kishte konsensus për të mos prekur thelbin e këtyre institucioneve dhe të shërbimeve që vijnë prej tyre. Mirëpo, për fat të keq, abuzimet dhe diktatet politike në këto fusha dhe të tjera, janë bërë të shoqëruara me “ligj dhe reformë”. Arbitrariteti duket më i pranueshëm, kur ai nuk “paketohet” me gjoja ligje reformuese. Pas 30 vitesh tranizcion, të gjithë e kemi të qartë falsitetin e gjithë atyre ligjeve, që u miratuan gjoja në emër të reformimit dhe produkti real i tyre qe deformimi. Edhe ligji që propozohet, më duket se është njëri prej tyre. Hartohet dhe vihet në qarkullim në muajin gusht – në kohën kur të gjithë janë me pushime dhe për të shmangur debatet reale rreth tij. Pastaj vjen shtatori i kartonëve parlamentarë dhe pas nja dy tre ditëve zhurmë nëpër studio televizive, ligji kalon dhe diplomacia “reformohet” akoma më shumë duke i ngjarë edhe më qartë zgjatimit politik të ekzekutivit.

Në ligjin e ri, Presidentit i hiqet jo vetëm mundësia për t’u menduar për kandidatët për ambasadorë, por ai as nuk arrin të lexojë opinionet e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, para se të hedhë firmën mbi dekrete. Aktualisht, kandidati për ambasador duhet që, para dekretimit, të dëgjohet në Kuvend. Në ligjin e ri që propozohet dhe në bazë të Nenit 32, pika 4, propozohet që “Pas emërimit nga Presidenti i Republikës, ambasadori paraqet platformën përkatëse në një seancë dëgjimore pranë Komisionit për Politikën e Jashtme”. Kjo pikë shkelmon edhe Presidencën edhe Kuvendin, sepse asnjëri institucion nuk pyetet – të dyja janë formale përballë kandidatit për ambasador. Edhe kërkesa e agrementit, krijon një situatë të paprecedentë, referuar pikës 5 të po këtij neni: “Në vijim të seancës dëgjimore, ministri i kërkon shtetit pritës dhënien e agrementit për ambasadorin”.

Deputetët nuk pyeten fare, siç nuk pyetet as presidenti, por këtu shtrohet një pyetje; çfarë ndodh nëse shteti pritës nuk e jep agrementin për arsyet e tij, ndërkohë që ti e ke dekretuar ambasadorin dhe e ke dërguar në një seancë fake në Parlament për të paraqitur platformën e tij të drejtimit e përfaqësimit në misionin diplomatik në vendin pritës? Kush e mban përgjegjësinë për diskreditimin publik të ambasadorit të dekretuar? Një absurditet tjetër, që sjell ky draft është vendosja e “ambasadorit” të ministrit në misionet diplomatike, ku ka ambasadorë të dekretuar nga Presidenti! Kjo “risi” e padëgjuar kërkon të legjitimohet nga Neni 37, pika 4, që thotë: “Në raste të veçanta, në përbërje të misionit diplomatik pranë organizatave ndërkombëtare, përveç ambasadorit të emëruar nga Presidenti i Republikës, ministri mund të emërojë diplomatë me gradën ‘Ambasador’, të cilët ushtrojnë funksione të kufizuara përfaqësimi, nën autoritetin e kreut të misionit diplomatik”. Pra, duke vendosur “dy kamberë në një derë”, ato historitë komike me sherre nëpër misionet tona do të tejkalojnë çdo parashikim. Deri tani ka ndodhur që, për shkak të lidhjeve të forta me “qendrën”, shumë shoferë dhe nëpunës të nivelit më të ulët, të jenë sjellë si ambasadorë dhe ambasadorët janë përdorur si “valet parking people”.

Pavarësisht debateve “konstruktive” apo “profesionale”, të cilat mund të shoqërojnë miratimin e këtij projektligji, para syve më dalin emrat e deputetëve, zyrtarëve dhe familjarëve të biznesmenëve dhe atyre që kanë nga një rezervat votash, që do të emërohen nëpër ambasada, qoftë si ambasadorë apo qoftë si “diplomatë” e “konsullorë”. Këtë të “drejtë” ua jep qeveria me ligj, me nenin 33, pika 2, që thotë se “Në raste të veçanta, bazuar në interesat e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë, ministri i propozon Kryeministrit kandidatura për kre të misionit diplomatik jashtë sistemit të karrierës diplomatike, personalitete të shquara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të së drejtës, ekonomisë, kulturës, shkencës apo të shoqërisë civile, me lidhje ose marrëdhënie dobiprurëse me shtetin pritës” si dhe Neni 36, pika 3, që thotë se: “Kreu i postit konsullor mund të përzgjidhet edhe nga jashtë sistemit të karrierës diplomatike, sipas kërkesave për pranim në Shërbimin e Jashtëm të parashikuara në nenin 40 të këtij ligji”.

Në përmbyllje të këtij opinioni, shpreh keqardhjen që edhe pas 10 vitesh nga hartimi dhe miratimi militantesk i një ligji për shërbimin e jashtëm, nuk bëmë dot as 10 hapa para për ta korrigjuar atë, por përkundrazi po bëjmë edhe 100 hapa të tjerë pas, në raport me atë që kërkojnë qytetarët dhe diplomatët e karrierës. Janë edhe shumë pjesë të tjera të këtij projekt-ligji që duhen korrigjuar e përmirësuar, por së paku, këto që ceka më lart kërkojnë ndërhyrje urgjente për t’u ndryshuar – së paku kthehuni te Ligji 2003 që një tjetër mazhorancë socialiste e pati miratuar! Kthejani diplomacinë diplomatëve dhe hiqeni Drejtorinë e Qokave Diplomatike!

*Autori është anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 958
  • 959
  • 960
  • 961
  • 962
  • …
  • 2951
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT