• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKANER RRËQETHËS I SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST

August 26, 2024 by s p

Kosta Nake/

Objekti i veprës janë ngjarje me peshë historike e filozofike, sjellë me një ton tërësisht të ndryshëm nga librat e tjerë, “përbuzje” nga mjetet dhe teknikat e zgjedhura për sjelljen e karaktereve të sigurimsave dhe bëmave të tyre, një doktrinë për të ndryshuar disa kalke historike dhe botëkuptimore që këto vite tranzicioni vetëm sa i kanë këqyrur nga jashtë qelqnajës së trashë mbrojtëse dhe shumë pak janë prekur.

Përbuzja

Sipas meje, është e para vepër letrare ku shoqëria shqiptare e viteve të diktaturës komuniste dhe organizimi shtetëror i është nënshtruar një përzgjedhjeje të vëmendshme se si propoganda e atëhershme i shikonte klasat e përmbysura dhe forcat politike kundërshtare: “Ata kishin me vete policinë, pushtetin, simpatinë e shoqërisë dhe, sigurisht, halabakët. Na e nginjën trurin e njomë me parrulla, me idole, me gatishmëri, me shkencë e skolastikë, me materializëm dhe domosdoshmëri historike, me shkak-pasojë dhe besim në Njeriun e Ri… Tani në kokat tona ka vetëm shkretëtirë të paskajtë, xhungël mbijetese.” Për ushtarakët përdoren karakterizimet qafëgic, qafëderri, fytyrëbytha, thatan, turiqena, zemërbisha, lukuni qensh të unshëm, si gostia e një zogorie qensh mbi pirg kockash.

Autori atakon drejtpërdrejt partinë që kishte marrë përsipër të luante rolin udhëheqës në gjithë jetën e vendit: “Partia është një sekt satanist, si çdo religjion e di për mrekulli se ç’është në gjendje të bëjë miti tmerronjës e lebetitës i frikës dhe demonizimit… Jo mirësia, jo ndriçimi, jo dashuria e përvujtnia, por ankthi, mizoria, ndëshkimi i përgjakur e absurd i nënshtron turmat… Njerëzit duan të jetojnë, frika e ankthi i rraskapit, i sfilit. … Çmenduria dhe egërsia vjen një çast dhe të lodhin.” Gjithë kjo ngarkesë negative shkarkohet mbi dy qëndrestarë: Martin Gega si mbrojtës i kauzës antikomuniste, Ljuba Borisovna si mbrojtëse e dashurisë së vërtetë.

Kompozicioni

Rrëfimit të autorit i bashkohen edhe rrëfimet e karaktereve duke shkrirë kufirin midis vetës së tretë me vetën e parë njëjës. Kompozicioni i përngjan një prizmi ku e njëjta ndodhi dhe i njëjti karakter këqyren dhe rishikohen nga sy dhe kënde të ndryshëm shikimi. Ai bëhet edhe objekt diskutimi në vepër: “Çështja e kompozicionit është tortura më e madhe për një shkrimtar dhe jo procesi i shkrimit… Kompozicioni është në thelb loja me kohën, sepse suksesi i një arkitekti të mirë është organizimi harmonik i hapësirës dhe triumfi mbi kohën: ja se çfarë e mban një rrëfim dhe çfarë i jep dramacitet fatit të protagonistëve në një histori.”

Romani hapet me prologun që i ngjan një amaneti për të rrëfyer një tragjedi që nuk është thjesht fati i një familje, por pikënisje për ta ndarë me dhimbjen e të tjerëve. Kaq mjafton që autori të sjellë në përmasa të ndryshme pesë modele të grave ruse që e lidhën fatin e tyre me atë të burrave shqiptarë: Zinaida që bashkëpunon me pushtetin komunist dhe ruan pozitën e lartë në fushën e artit dramatik, Ljuba që përballet me dinjitet me përndjekjen nga Sigurimi i Shtetit, Olja që e largojnë djallëzisht nga Shqipëria, Elena që qëndron larg rrymave të rrezikshme të ekspozimit politik, Ljudmilla që bëhet viktimë e burgut në Qytetin Stalin.

Pjesa e parë e romanit “Ofelia s’del në skenë” fillon me Ljubën që qëndron para pasqyrës, bukuria fizike e saj do të jetë edhe karrem vuajtjeje sepse nga njëra anë do të lakmohet marrëzisht nga Viktori që është mik dhe armik i burrit të saj dhe nga ana tjetër do të tentohet të depersonalizohet nga punonjësit e sigurimit. Duke e vendosur Ljuba Borisovnën në qendër të veprës, autori hap dy shtigje për linjat e subjektit: Të zbulojë fantazmat dhe përbindshat që bashkëjetojnë me njeriun, i nxjerrin kthetrat dhe përgjakin shpirtrat edhe në rrethet e ngushta familjare dhe shoqërore siç ilustrohet me rrëfimin e Zinaidës për motrën e saj Ira dhe burrin e saj Misha, po ashtu marrëdhëniet e Ljubës me Lev Kashkinin, Viktor Sallakun dhe Martin Gegën. Kjo i shërben autorit si indicje për ta shtruar marrëdhënien seksuale në një rrafsh filozofik si raport mes vullnetit dhe dhunës, pranimit me dëshirë dhe detyrimit.

Martin Gega, i diplomuar si inxhinier gjeolog në Bashkimin Sovjetik, nuk pranon të ndahet nga bashkëshortja ruse dhe kaq mjafton që Sigurimi i Shtetit të gjejë pretekste ose të sigurojë dëshmitarë ta burgosë dhe ta vrasë pa gjyq për veprimtari armiqësore. Kur Ljubës i ofrohet roli i Ofelisë nga tragjedia “Hamlet”, Martini ka katër muaj që ndodhet në burg. Regjisorja Zinaida Mihajllovna e këshillon që të dalë nga pozicioni i vështirë duke filluar me joshjen seksuale dhe kurvërimin selektiv. Pikërisht këtu fillon heqja e tabusë për foljen e aktit seksual, përdorimi pa pika, pa asteriks, madje duke u ndalur në trajtën veprore dhe vetevetore, duke e kthyer në një nga veçoritë e punës së Sigurimit të Shtetit për depersonalizimin e njerëzve. Atmosfera e nderë që përfton veprimtaria subversive e Sigurimit të Shtetit ka antipodin zbutës erotik që kalon paralelisht fund e krye veprës.

Një roman brenda romanit

Qëkur ishte student në Moskë, Martini kishte shkruar një roman dhe dorëshkrimi i tij kishte arritur edhe te duart e poetit Samuil Ismari. Ishte një sprovë e hedhjes në letër të jetës së vet të rinisë. I ati e pati dërguar Martinin 15-vjeçar të çonte me kalë trasta me ushqime në majë të Çoparit, te Logjet e Zanave ku ishte çeta antikomuniste e Jup Ndreut. Atje ra në pritë dhe ndodhi një masakër. “Kjo që po na bajnë komunistat s’ka mal që e mban mbi kurriz…. Nuk po lëmë me na bo zap do morra të partishëm. Ky pushtet mbushë me xhahila dhe këlyshë të anmikut shekulluer.”

Pasqyrimi i asaj masakre dhe pakënaqësia që s’mund të fshihet, e kthente atë roman jo vetëm në një krijim të pabotueshëm, por edhe të rrezikshëm për fatin e vetë autorit. Shoku i tij student, Viktor Sallaku, ka një parahistori antagonizmi me Martinin që te prindërit: I ati i Viktorit është shpallur dëshmor edhe pse “është vrarë duke vjedhur bostan”, kurse i ati i Martinit është pushkatuar pa gjyq dhe është klasifikuar si reaksionar. Ljuba u lidh së pari me Viktorin, pastaj iu dorëzua Martinit duke filluar një rivalitet dashuror që vjen duke u rritur, edhe pse Viktori krijoi një lidhje tjetër me Olja Pisarjevën. Këtyre dy shkaqeve u shtohet edhe termi “malok” që Viktori e përdor për Martinin duke përftuar racizëm brendashqiptar dhe patologji të urrejtjes. Kaq mjafton që Viktori ta bëjë Martinin pre të Sigurimit të Shtetit duke i zbuluar Nesho Dragoit se ai ka shkruar një roman të dyshimtë. Si rezultat Neshua i thotë Viktorit: “Martini ka karakter dhe bindje antipushtet. Ai nuk është njeriu ynë.”

Tragjedia “Hamlet” në një vështrim të ri

Rishikimi i trashëgimisë letrare botërore, siç ndodh në këtë vepër me tragjedinë ‘Hamlet’, përbën një veçori të kësaj vepre që e ndeshim gjerësisht dhe mjeshtërisht në Veprën e Ismail Kadaresë. Sipas autorit, Klaudit nuk i duhej mbretëria e të vëllait, po mbretëresha Gertrudë, jo froni por shtrati. Nga ana tjetër edhe Gertruda mund të jetë joshur fillimisht nga Klaudi, pastaj ka zgjedhur fronin. Mos mbreti ishte i paaftë në shtrat? Pse u zgjodh helmi në vesh? Kujtohet paralelizmi me Egjistin e Klitemnestrën te Sofokliu, Paolon dhe Françeskën te “Komedia” e Dantes. Duket qartë se autori jo vetëm se e ka rilexuar tragjedinë e shqipëruar nga Noli, por ka parë edhe variantin rus të Pasternakut. Një detaj ilustrues: Noli përkthen “qyqe” kurse Pasternaku “kukuvajkë.” Qyqja dhe kukuvajka bashkohen te vetmia, por qyqja këndon ditën dhe kukuvajka natën. Noli e quan Ofelinë “zonjë”, kur ajo është “zonjushë”, kurse Pastërnaku e quan “ëmbëloshe.” Së fundi, autori ka vënë re se fjalët “mos të të rrejë mendja dhe dije mirë” nuk janë fare te përkthimi i Nolit.

Shkrimtari Samuil Ismari

Pjesa e fundit e romanit “Ç’lajme na sjell, Hermes?” i kushtohet shkrimtarit Samuil Ismari, por ai shfaqet gjatë gjithë romanit, duke filluar që në pjesën e parë. Ka ndonjë detaj që na bën ta lidhim me një shkrimtar real, që ishte ende i gjallë para dy muajsh: “Samuil Ismarit iu zmadhuan bebet e syve poshtë qelqeve të syzave optike.” Kur shkrimtari rrëmbehet nga policia, shtrohet pyetja: “Kush do t’i dilte krah? Prindërit atje, në qytetin e Jugut.” Duket qartë në vepër se autori është reshtuar në anën e adhuruesve të këtij shkrimtari. Kur Martini e pati takuar Samuilin në Moskë, i patën thënë se “është ylli në ngjitje i letërsisë së re shqipe,” kurse Martini i thotë Ljubës se “është një fenomen i letërsisë më të re.” Shumë besojnë se Ismari është i shenjuar me talent, andaj një palë mundohen t’ia hanë kokën dhe një palë tjetër ta mbrojnë. Madhështinë ia njohin edhe ata që nuk e duan ose janë dyshues: “Një qiellor me flatra, dhelpër e rafinuar… S’e dija që qenka karagjoz kaq i madh ky Samuil Ismari… Ai është një pusht karizmatik, sa çdo femër e bukur do të ëndërronte një histori dashurie me të, në mos më shumë, një flirt… Samuili është i talentuar… më i talentuari, por ama edhe me prirjet më të rrezikshme.”

Shkrimtari Tufa nuk është kufizuar vetëm me vlerësimet, por është i pari që e fton për të qenë pjesë e subjektit të veprës. Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për të shtënë në dorë romanin e birit të reaksionarit, arrijnë deri te marrja forcërisht e shkrimtarit Ismari nga policia dhe agjentët e sigurimit. Edhe pse shkrimtari Samuil përballet me dinjitet me represionin, autori gjen rast të bëjë edhe deklarimin e vet: “Nuk ka asgjë heroike në përballimin e torturave dhe nuk mund t’ia kërkosh askujt një heroizëm të tillë.” Ka dhe një shpjegim për titullin e kësaj pjese: Hermes është hyu që zbret në ballkonin e Samuilit dhe sjell “kumtet e qiejve.”

Kjo pjesë e fundit shfrytëzohet për të na çuar të shohim një galeri figurash nga Lidhja e Shkrimtarëve, disa prej të cilëve janë lehtësisht të identifikueshëm: Poeti hundëfajkua Dritan Agalliu – një yll fushor në ngjitje në qiellin e poezisë së angazhuar shqipe, me namin e Ezopit, që ia thotë për dolli. Kryetari i lidhjes, shoku Shute. Dafina Luçi – anëtare e detashmentit “Engjëjt e hekurt”, e re, tunduese, alturiste, gjithë sharm, stil dhe dell aventuresk. Nasihat Toçaj – prozator me subjekte sigurimsash, ambicioz i madh, servil, mediokër.

Historia

Agron Tufa i pari autor që në rrafshin artistik bën një luftë fyt për fyt e dhëmb për dhëmb me sistemin e diktaturës komuniste duke u ndalur në pikat më të zeza të atij sistemi. Ai guxon të heqë nga lista e temave tabu edhe çështje shumë të ndjeshme që lidhen me historinë e re të Shqipërisë, duke filluar nga lufta çlirimtare kur deklaron: “Historia do të vazhdojë të mbetet një bijë bastarde e kohës, përderisa atë do të vazhdojnë ta shkruajnë fitimtarët, sepse pergamena ku e shkruajnë do të jetë po e njëjta: lëkura e të mundurve.”

Në gojën e Martinit ai vë akuzën: “Pushteti ynë politik ka ardhur në qeverisje duke kryer krime gjatë dhe pas luftës.” Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u shfaqën dy palë me qasje të ndryshme ndaj pushtuesit, por të dyja palët kanë dhënë jetën për qëllimin më të epërm në emër të atdhedashurisë. Pse disa quhen “dëshmorë” dhe të tjerët “tradhëtarë”? Pse disave u ngrihen lapidarë e të tjerëve nuk u gjendet eshtrat?

Shtatzania e Ljubës

Shtatzania e Ljubës pasi Martini është asgjësuar dhe pa kontakt me ndonjë mashkull tjetër, i ka dhënë titullin krejt romanit. A kishte aftësi koitale dorëshkrimi i Martinit që gëlltiti për të sjellë ngjizjen e papërlyeme? A është një mrekulli? “Asnjëra prej fjalëve nuk e shpreh gjendjen e saktë të një gruaje, së cilës ia kanë thithur me shiringë shpresën deri në pikën e fundit.” Autori ka krijuar një linjë speciale subjekti për këtë rrjedhë të pazakontë të fatit të saj tragjik. Si gjithçka tjetër në mjedisin shqiptar, dukuria bëhet pronë e thashethemnajës, ajo kapërcen cakun e shqetësimit familjar, hyn te rrethi shoqëror, madje autori thërret në skenë mjekun Zef Sheldia si zëdhënës shkencor i kësaj ngjizjeje të papërlyeme, na fut në hullitë e shkencës dhe alkimisë dhe në labirinthet e partenogjenezës dhe telegonisë, e vendos nën lupën e orgazmës dhe regjistrimit të materialit trashëgimor.

Mjedisi rus

Një përkthim i romanit në gjuhën ruse do të tërhiqte vëmendjen në Rusi, sepse shtohet një tjetër shkrimtar shqiptar që ka qëndruar disa vite në Moskë i cili sjell detaje me toponime që provojnë njohjen e kryeqytetit rus, sjell krahasime gjuhësore që e tregojnë si njohës të gjuhës ruse. Mbi të gjitha është vendosja e një gruaje ruse në qendër të veprës dhe ngritja e saj në piedestalin e heroinës që mund të rishtrijë strukturën metalike mbi urën e dëmtuar nga agresioni rus në Ukrainë.

(Romani “Ngjizja e papërlyeme” i Agron Tufës, Onufri 2021)

Filed Under: Komente

T’fikunit e nji ylli

August 26, 2024 by s p

Albert Vataj/

Tuberkulozi e kishte përndjekur vite të gjata, si një demon i pamëshirshëm, “shenjtorin” e poezisë shqipe. Por hapat e tij fundit nisën gushtin e 86 viteve më parë, hapa të cilët rendën gjëmimshëm në zbrazëtinë që do të gërryente grahma e tij e mbrame. Më 12 gusht 1938 Migjeni shtrohet në sanatoriumin San Luigi, pranë Torinos. Tre ditë më vonë, “poeti i mjerimit” i nënshtrohet një operacioni të rëndë, ku i hiqet një pjesë e madhe e mushkërisë. Më 15 gusht 1938 bie në koma, për të mos u përmendur më. Gjendja e tij në koma vazhdoi plot 11 ditë.

Më 26 gusht 1938, afër mesnatës zemra e Migjenit kishte ndaluar. Fiket për me mbet nji prej kushtrimeve ma t’zashme të kohës. Ai iku për me mbet i gjall në përjetësinë e momenteve gjëmuese. Shkodrën e deshti dhe s’drashtu tue i dhan njaq dashni e adhurim, njaq amëlci e idhnim, njaq andrra dhe gazmim, anipse t’vdirun prej lëngimit qi e përndoqi… Kjau, e kangës i’a dha me za shpirti, qeshi e u mner, heshti dhe foli… jo nuk foli por gjimoi, siç nji krahnuer din me gjimu nën peshën e rand t’dhimbjes qi s’mujti me e kaërdi, pa i’a lshu piskamës, pa guxu malit me i’a ngjesh, grushtin e paligjshëm.

Përmes penës së tij, prej andjes dhe zemrës, kaq shumë të dhanun ligshtimit, ai skaliti me zjarm rrufeje vargje dhe strofa, poezi dhe himne, t’cillat kan met urdhnuese e kushtrus në vetëdijen e brezave. E kush erdhi këso jete e u mëkue prej kësaj fryme të shenjtë, e nuk u ba një zelltar i përkushtuem i këtij shenjtori, këtij besimi, kësaj force përtrimjet, këtij shkasi motivimesh t’epërme e ngulmesh t’zjarmta.

May be an image of 1 person

See insights and ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: LETERSI

Si u mbulua arkivoli i një pashai katolik shqiptar Bib Dod Pashës me flamurin francez

August 26, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

Bib Dodë Pasha (1820-1868) ishte një ndër pinjollët më në zë të familjes së Kapedanëve në Mirditë. Ai ishte i biri i Preng Lleshit i cili e la të vogël, pasi vdes në Dubrovnik, si pasojë e një helmimi që kishte marrë që në Shkodër. Për meritat e tij, në vitin 1849 Bib Dodës iu dha titulli “Pasha” dhe iu njoh e drejta të komandonte një ushtri prej 10 mijë ushtarësh. Ai njihet si i pari pasha i krishter. Në vitin 1852, në përkrahje të forcave osmane të Omer Pashës, ai bllokoi ushtritë malazeze. Ndërsa në vitin 1854, Doda merr pjesë në luftën ruso-turke, ku tregoi trimëri e aftësi të rralla.

Për këto arsye, sulltan Abdylmexhiti e gradoi Bib Dodën “gjeneral brigade”. Ndërsa Napoleoni III që luftonte krah osmanëve i dhuroi “Shpatën e Argjentë”, në shenjë miqësie. Kjo shpatë në vitin 1959 iu dhurua Hrushovit gjatë vizitës që ai bëri në Shqipëri. Përveç administratës osmane Bib Doda u vlerësua nga Papa me “Urdhrin e Shën Gregorit” dhe shtete të tjera të kohës.

Më 18 korrik 1868, kreu i Mirditës, vdiq në Shkodër ku kishte ardhur për t`u kuruar nga një sëmundje kronike e mëlçisë. Varrimi u bë më datë 19 me një ceromoni madhështore. Me bandën ushtarake në krye, kortezhi përbëhej nga një gjeneral, trupi konsullor, gjithë kleri dhe parësia e vendit. Këto nderime që iu bënë një kreu të krishterë, shtetas osman, shkaktuan përshtypjen më të mirë. Bib Doda kishte fituar emër ushtarak gjatë luftës së Krimesë në vitin 1854, ku ai u dërgua në krye të 3000 mirditasve. Për këtë ai mori gradën e gjeneralit të brigades me një pagë mujore prej 7000 piastrash. Ai la një vajzë 15 vjeçare dhe një djalë 10 vjeçar (Preng Bib Dodën).

Ajo që i bëri përshtypje diplomatëve të huaj dhe të pranishmëve që morën pjesë në ceremoninë mortore ishte se mbi arkivolin e Bib Dodës u vu re flamuri francez. Ndërsa qeveria franceze urdhëroi konsujt e saj që të mos lejonin që privilegjet e mirditasve të prekeshin sado pak nga qeveria osmane.

Filed Under: Histori

100 vjet më parë, Ernest Hemingway parashikoi rënien e shoqërisë sonë

August 26, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

Në romanin e tij ” The Sun Also Rises” (1926), Ernest Hemingway eksploron erozionin e moralit përmes jetës së zhgënjyer dhe pa qëllim të personazheve të tij, të cilët janë pjesë e “Brezit të Humbur” që u shfaq pas Luftës së Parë Botërore. Romani përshkruan një botë ku vlerat tradicionale janë shkatërruar nga trauma e luftës, duke çuar në një ndjenjë të prishjes morale dhe dëshpërimit ekzistencial.

Konsiderohet si vepra me e rendesishme e tij.

Personazhet e Hemingway, si Jake Barnes dhe Lady Brett Ashley, lundrojnë në një peizazh ku kodet e vjetra morale nuk zbatohen më. Jetët e tyre karakterizohen nga një ndjekje e kënaqësive kalimtare – alkooli, seksi dhe udhëtimi – ndërsa përpiqen të gjejnë kuptim në një botë pa siguritë morale që dikur i udhëhiqnin. Kjo ndjekje shpesh çon në sjellje vetëshkatërruese dhe një ndjenjë të thellë zbrazëtie.

Portretizimi i moralit në roman është i lidhur ngushtë me përshkrimin e tij të dashurisë dhe marrëdhënieve.

Aferat e shumta të Brett dhe dinamika e ndërlikuar mes personazheve nënvizojnë një humbje të lidhjes dhe përkushtimit të vërtetë. Paaftësia e personazheve për të gjetur përmbushje në këto marrëdhënie pasqyron ndjenjën më të gjerë të konfuzionit moral dhe prishjes së vlerave tradicionale.

Proza e rrallë dhe e drejtpërdrejtë e Hemingway pasqyron realitetin e zymtë të kësaj rënie morale, duke kapur betejat e brendshme të personazheve dhe ndjenjën e përhapur të zhgënjimit.

Nëpërmjet përvojave të tyre, “The Sun Also Rises” paraqet një koment të fuqishëm mbi vdekjen e moralit në një botë të pasluftës, ku strukturat e vjetra të kuptimit janë shembur, duke i lënë individët të hutuar dhe në kërkim të formave të reja të qëllimit.

Filed Under: ESSE

GJON MILI NЁ HOLLIVUD – 1942

August 26, 2024 by s p

KRISTI 11 (1).png

Kristaq BALLI  

Ёshtë viti 1942. Gjon Mili ka hedhur  themele solide  profesionale e artistike në revistën LIFE, madje është  bërë i famshëm me një shpejtësi të furishme. Në Janar të këtij viti ai ka çelur ekspozitën vetiake “Dancers in Movement” (Valltarët në Lëvizje) në Muzeun e Artit Modern MoMA, Nju Jork, e cila është konsideruar si një ngjarje e rëndësishme artistike për zhvillimet e reja në fotografinë artistike në lëvizje.  Sidoqoftë po të kthehemi pas në kohë, do të na  kujtohet ai djaloshi i gjatë, i brishtë, me syze, vegimtar që, duke u përgatitur për të ardhur në 

Amerikë të studionte inxhinieri, kishte edhe pengun  e pasionit të tij për Hollivudin. Ndoshta, sepse, gjatë asaj kohe,  Hollivudi ishte bërë sinonim i zhvillimit dhe rrezatimit të ngjarjeve botërore kulturore dhe i  shpërthimit të  avangardës së artistëve  më të mëdhenj të planetit. Veçanërisht kinematografisë. Një ëndërr e lakmuar për rininë. E njëjtësuar me industrinë më të madhe  botërore të filmit, përballja me këtë realitet metropolitan,  ku arti kinematografik ishte një prej industrive më të mëdha artistike dhe limfa e jetës sociale me kultura e mendësi të skajshme jetese e krijuese, arena konkuruese e dhjetra filmave promotorë  dhe studiove prodhuese të  tyre si Metro-Goldwyn-Mayer. Paramount Pictures,, 20th Century Fox, MGM., Warner Bros., Walt Disney Pictures(animation), etj., e tejkalonte imagjinatën e  çdo njeriu.  Gjon Milit nuk i shqitej nga mendja vlerësimi i  Faik Konicës mbi vendin dhe rolin udhëtregues  të kinematografisë si një art kolektiv e kompleks  pamor në formimin kulturor të shoqërisë.

D:\KRISTAQ\VITI 2021\A. LIBER MBI GJON MILIN\GJON MILI SHPERTHYESI I KOHES 24 Tetor 2023\1. LIBRI SIPAS KAPITUJVE\6. HOLLIVUD\FOTOT\alfred hitchock copy.jpg+.pngPara pak kohësh në Los Axhelos  kishte mbërritur  edhe një prej regjisorëve anglezë  më të njohur në botë, Alfred Hitçkok,  për të realizuar një prej filmave të tij thriller. Pra ishte kjo arsyeja pse revista LIFE kishte dërguar Gjon Milin për të fotografuar Hitçkok-un dhe filmin e tij në sheshxhirim në Santa Rosa, por edhe si një motiv më tepër që, nëpërmjet Gjon Milit, të promovohej jo vetëm mjeshtëria e tij, por edhe risitë  dhe evolucioni i teknologjisë së sofistikuar dhe aparaturave   grafike të reja të  revistës LIFE,  që në ato vite botohej me një tirazh të madh. Ja si e ka përjetuar  vetë Gjon Mili mbërritjen  dhe aktivitetin  në Hollivud:

“Ishte kurioziteti dhe një rizgjim i ëndrrës sime të vjetër për filmin që më bëri të shkoj përmes kontinentit në Hollivud në vitin 1942. U ktheva tek vendi i pasioneve të mia rinore. Tërhiqja zvarrë  “një qerre” me paisje elektronike.

Të gjithë ishin të entusiazmuar për teknikat e reja, siç u shpreh një prej tyre: “një vështrim i ri për klishe të vjetra”. (Gjon Mili: Movies, Photographs & Recollection p. 68)

Suksesi fotografik i  Milit në Hollivud ishte i epërm për artistët që iu ofruan eksperimenteve të këtij fotografi të magjishëm. Ai fotografoi me teknikat e tij stroboskopike, jo edhe aq  të njohura në  ato sheshe xhirimi, aktorë, balerina, fëmijë kuriozë, skenografi e skena xhirimi,   regjisorin Alfred Hitçkok, etj., duke habitur gjithkënd, por duke kaluar edhe vetë një kohë të mrekullueshme e të frutshme që pati jehonë surprizuese në  mediat e kohës. Në artikullin e botuar posaçërisht në revistën “LIFE” – “High-Speed Camera Goes to Hollywood” (Aparati Fotografik me Shpejtësi të Lartë Shkon në Hollivud – Gjon Mili i bën yjet të ngrijnë), midis të tjerash shkruhet: “…Në Hollivud puna e aparatit me me blic  nuk ishte diçka e re, por Mili që  ishte gjysmë fotograf dhe gjysmë inxhinier, bëri shumë më shumë se sa  fotografimi i topave fishkëllyes të tenisit dhe zhdukjen e bliceve të  dritës. Duke fotografuar aktoren Aleksis Smith  në një piruetë në ajër, ai demonstroi që mund të kapte në një kuadrat filmi negativ më  shumë hijeshi e bukuri sesa mund të përfshinte në shumë metro film një kameraman i Hollivudit. Sekreti i  i aksionit “të ngrirë” është drita stroboskopike e zbuluar teknikisht nga profesori i M.I.T. Harold E. Edgerton  dhe e çuar përpara me  fuqinë më të madhe  editoriale nga Mili. Për të bërë këto fotografi, një dritë si vetëtimë sinkronizohet nga blici me intervale. Ekspozimet bëhen sa herë blici ndriçon dhe shpejtësia e tij është e barabartë  me atë të objektit, në këtë mënyrë objekti duket sikur  është  i ndalur.

Duke punuar në studio filmash, Gjon Mili vulosi zotërimin e metodës  me njohuritë e tij inxhinierike,  yjet  me një fotografi të tipit të ri për albumet e tyre. Mbi të gjitha ai i detyroi regjisorët të ulen dhe të mbajnë shënime,  sepse  në  fotografitë e tij me “ngrirje”  të aksionit ata panë diçka që mund t’i çonte  në një nisje të re për studimin e teknikës  dramatike. Për shembull…, fundja, shikoni ekspozimet “stroboskopike”  të Gjon Milit mbi  veprimin më universal në një film,  puthjen.”          ( “High-Speed Camera Goes to Hollywood”: LIFE December 24, 1942, pp. 35-37) 

D:\KRISTAQ\VITI 2021\A. LIBER MBI GJON MILIN\GJON MILI SHPERTHYESI I KOHES 24 Tetor 2023\1. LIBRI SIPAS KAPITUJVE\6. HOLLIVUD\FOTOT\eb62910379f377f5ae00a061947340d6 copy.jpg+.jpg Atë verë  kur në Santa Rosa  xhirohej filmi “Shadow of a Doubt” (Hije dyshimi) i Hitçkokut me aktorët  Teresa Wright dhe Joseph Cotten, i cili për vetë regjisorin Hitçkok  ishte filmi më favorit personal nga të gjithë të tjerët, Gjon Mili realizoi fotoreportazhin stroboskopik  për Hitçkok-un, të cilin vetë regjisori e shndrroi në një  insert aksioni filmografik, por edhe të një atmosfere gazmore.      Mili, mjeshtërisht, e shfrytëzoi pamjen dhe karakterin e tij për të realizuar me një shije të hollë artistike setin e fotove të kineastit hollivudian, që befasoi mediat e shkruara amerikane për origjinalitetin dhe personalitetin human e profesional të të dy artistëve. Ai gjithashtu, u fotografua me vajzën e tij të vetme, Patricia, si dhe me aktoren e vogël Edna May  Wonacott, pjesëmarrëse në film. “Në Hollivud  takova Alfred Hitçkok, i cili  idenë e të qenurit i drejtuar (komanduar)  nga një regjisor e konsideroi zbavitëse dhe u soll në mënyrë korrekte”  (Gjon Mili: Movies, Photographs & Recollection p. 68)

 Fotografi strobe të një sinkronizimi preçiz e estetik  të veçantë, Gjon Mili realizoi me aktoren   21 vjeçare Alexis Smith, si dhe me çiftet e aktorëve Nancy Coleman dhe  Helmut Dantine nga filmi “Edge of Darkness” (Skaji i Errësirës) dhe “Action in the North Atlantic” (Aksion  në Atlantikun e Veriut). 

  Një foto skenografike të një skene masive i kushtoi Mili  filmit të Hitçkok në process xhirimi  “Shadow of a Doubt” (Hija e Dyshimit).

Vizitës  së Gjon Milit në Hollivud, revista tjetër shumë e njohur amerikane e modës “Vogue”  i ka kushtuar dy faqe të plota me foto stroboskopike të Alfred Hiçkok 

dhe Edna May duke provuar rolin: “Fotot tregojnë veprimet e Hiçkokut që ngutet të nxjerrë shaminë, të qajë, të fshijë sytë.  Ekspert suprem anglez, ai solli  në Hollivud një famë të madhe, duke e kordinuar trupin e tij të rrumbullt  për drejtimin e hijshëm të veprës “39 Hapat”.  Filmi i tij i fundit është “Hija e  Dyshimit”. Por  Hitçkoku bën më shumë  se zakonisht: ai luan çdo rol.  Nëpërmjet fytyrës së tij buçkane regëtin hija e lehtë e emocionit, duart e tij  bëjnë një gjest “Madonna”, këmbët e tij kërcejnë si një i  ri. Këtu ai i  tregon një dhjetëvjeçareje  si të qajë, si të fshijë lotët…(Alfred Hittchcock Directs to Young Edna May Wonacott: Vogue 1 May 1943, f.8)

7.jpg

        Jehonë të  posaçme  i ka bërë  Gjon Milit dhe  fotove të tij në Hollivud gazeta  franceze  “Nuit et Joir” (Natë dhe Ditë), e dt. 12 Korrik 1945, e cila  ka botuar në f. 8 një artikull me titull: “Ces Photos On Éttoné Hollywood” (Këto foto kanë çuditur Hollivudin) të shoqëruar edhe me disa foto të Gjon Milit. Midis të tjerash aty thuhet: “Të çudisësh Hollivudin nuk është një performancë dhe aq e zakonshme. Në vendin e superlativës, nuk është e lehtë të emocionosh ose të befasosh dhe duhet një lloj dhurate qiellore për ta bërë një amerikan të lëshojë një “oh”  që shpreh habi për  Alexis Smith me ‘Vallëzimin e maces’ dhe Humphrey Bocaert me Julie Bishop në filmin e tyre të ri : “Action in the north Atlantic”,

…Duke përdorur një proces që mund të duket  relativisht i thjeshtë, Gjon Mili  arriti në këtë rezultat. Duke publikuar në një revistë amerikane  fotot që ne riprodhojmë këtu, ai provokoi në qarqet kinematografike të Hollivudit reagime shumë të gjalla kurioziteti.  Si u realizuan këto foto? 

Gjon Mili, i cili në të njëjtën kohë është inxhinier dhe fotograf, përdori “dritën blic”, e cila është një shpërthim drite e çastit, me një shpejtësi jashtëzakonisht të 

madhe.  Një sistem i shpikjes së tij shkakton hapjen e diafragmës së aparatit të tij sa herë shfaqet kjo dritë, gjë që i lejon atij të ndajë në një numur të madh fraksionesh  një gjest a lëvizje  që mezi zgjat një sekondë… 

…Për ta bërë demonstrimin e procesit të tij më spektakolar, Gjon Mili u kërkoi yjeve më të mëdhenj të Hollivudit që të pozonin për të  dhe zbërthimi i çuditshëm i lëvizjeve që bënë ata para aparatit të tij na lejon të ndjekim në një mënyrë më të vëmendshme sesa në kinema larminë e  shprehjeve që një fytyrë mund të marrë në një kohë që matet në të dhjetat e sekondës.

6ab.png

Ky proces mund të kryejë shërbime të mëdha për kërcimtarët që të studiojnë lëvizjet, dhe për krijuesit e filmave vizatimorë.” (Aurenc Bebja: Gjon Mili, fotografi që çuditi Hollywood-in… Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Përveç revistave të ndryshme disa foto  të Milit për Hitçkok janë vendosur si ilustrime në librin  gjithëpërfshirës  “Alfred Hitchcoock – The Complete Films” me botues Paul Duncan. (Paul Duncan: Alfred – “The Complete Films”, Taschen, 2019)

 Përvoja e suksesit dhe famës së Gjon Milit në Hollivud do të përsëritet dy vite më vonë, kur ai do të realizonte aty filmin e tij të famshëm “Jammin’ the Blues”. 

        ▪▪▪

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 959
  • 960
  • 961
  • 962
  • 963
  • …
  • 2951
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT