• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti mirëpriti pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

August 27, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti mëngjesin e sotëm bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ky seminar është themeluar më 1974 dhe këtë vit shënon 50-vjetorin e tij, teksa edicioni i 42-të me radhë, ka mbledhur kësaj here rreth 300 pjesëmarrës, ndër ta dhe albanologë nga e gjithë bota.

Kryeministri Kurti me këtë rast tha se është i nderuar nga kjo vizitë e studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, ndërsa i falënderoi ata për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar përmes pjesëmarrjes në këtë seminar.

Ai shtoi se gjurmët e punës së studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare vërehen gjithandej, qoftë tek njerëzit të cilët punojnë dhe lëvrojnë gjuhën dhe letërsinë tonë, por gjithashtu edhe te veprat të cilat lexohen e botohen. Ndër të tjera, foli edhe për rëndësinë e historisë së gjuhës dhe historinë e popullit tonë, për të cilat shprehu se nuk mund të ndahen apo mësohen veçmas njëra nga tjetra. U diskutua edhe për raportin e përdorimit të gjuhës me zhvillimin e teknologjisë, e sidomos në lidhje me inteligjencën artificiale, shanset dhe rreziqet përkatëse.

Qeveria përmes MAShTI-t e ka mbështetur organizimin e këtij seminari, e këtë vit si rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës, si dhe do të vijojë të përkrahë iniciativa të tjera të cilat shërbejnë për studimin, njohjen dhe zbërthimin e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë sonë.

Sivjet në këtë ngjarje të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt.

Filed Under: Kulture

NË SHKUP, PRISHTINË DHE NË TIRANË FILLOI EDICIONI I KATËRT I MANIFESTIMIT KULTUROR-SHKENCOR “DRITA E GONXHËS”

August 27, 2024 by s p



“Gjithë kauza e saj ishte një rrugë e gjatë mbi të cilën ecnin njerëzit e braktisur dhe të sëmurë, të cilët në fund gjenin ngrohtësinë e fjalës dhe dorës së saj.Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim, dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar”, theksoi drejtori i ITSHKSH-së Prof. dr. Skender Asani.

Shkup, Prishtinë, Tiranë,  27 gusht 2024  – Dje në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me revistën “Drita”, në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovskit dhe të Zv. Kryeministrit të parë, Izet Mexhiti, filloi edicioni i katërt i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, i cili do të zgjasë deri më 5 shtator të këtij viti. Ky manifestim sivjet përkon me 114 vjetorin e lindjes, 27 vjetori  e vdekjes dhe 45 vjetorin e marrjes së Çmimit  Nobel për Paqe të Nënës Tereze.
Duke e shpallur të hapur këtë manifestim, drejtori I ITSHKSH-s, Prof. dr. Skender Asani vuri në dukje se çdo figurë e madhe lind dhe zhvillohet në rrethana  e kontekste të caktuara sociale, historike e kulturore. Në të shumtën e rasteve, figurat e mëdha famën dhe lavdinë  e arrijnë larg vendit të origjinës së tyre. Kështu ndodhi,sipas tij, edhe me Gonxhe Bojaxhiun- Nënën Tereze, e cila afirmimin ndërkombëtar e arriti shumë larg vendlindjes së saj, por kjo nuk ndikoi te ajo që të harrojë se prej nga doli. Përkundrazi, ngado që  shkoi ajo i barti me vete gjenet e trashëguara nga familja dhe frymën e diversitetit social, fetar e etnik të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, tha Asani.

E edukuar në një familje që nuk e kishte larg kishën “Zemra e Krishtit” në lagjen shqiptare katolike të Shkupit, u shpreh Asani, Gonxhe Bojaxhiu qysh në fëmijërinë e hershme sikur e kishte parandje se ky edukim familjar e fetar do të bëhet për të shkollë e jetës. Formimi i mëvonshlm i saj pastaj erdhi natyrshëm si një trung që zhvillohet duke pasur për bazë rrënjët e shëndosha, nënvizoi ai.

“Ne si Institut përmes botimeve të veçanta, por edhe përmes veprimtarive kulturore e shkencore në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, i vetmi ky në botë i kësaj natyre, kemi arritur të krijojmë distancën e nevojshme të qasjes ndaj kësaj figure, duke e liruar atë nga kornizat e ngushta të përkatësisë nacionale, për ta transferuar vëmendjen në një dioptri më të gjerë të vrojtimit të kësaj figure, sepse, fundja, ishte vet ajo që e zgjeroi këtë dioptri në një mënyrë që solidaritetin dhe mirëkuptimin njerëzor e globalizoi, duke i fshi kufijtë e ndasive etnike, reliogjioze e racore. Gjithë kauza e saj ishte një rrugë e gjatë mbi të cilën ecnin njerëzit e braktisur dhe të sëmurë, të cilët në fund gjenin ngrohtësinë e fjalës dhe dorës së saj.Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim, dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar”, theksoi drejtori Asani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Hristijan Mickovski vuri në dukje se Nëna Tereze është sinonim i çdo gjëje fisnike, të ndershme, e cila u angazhua të ndihmojë sinqerisht ata që kanë nevojë për ndihmë nga zemra. Ajo jetoi thjesht gjatë jetës së saj, dhe pas vdekjes së saj, ajo mbeti sinonim i mirësisë në botë. Nënë Tereza , nënvizoi Hristovski, u bë fituese e shumë mirënjohjeve dhe çmimeve për angazhimin e saj jashtëzakonisht njerëzor në kujdesin për më të varfërit e të varfërve, për të cilin mori edhe çmimin Nobel për Paqen. Jeta e saj nuk njihte kufij apo dallime dhe ajo bashkoi kultura të ndryshme, njerëz dhe kombe të ndryshme. Është edhe ura më e mirë lidhëse sot në vendin nga e ka zanafillën – Shkupin, theksoi Kryeministri Mickovski.

Në fjalën e tij Don Lush Gjergji foli për rëndësinë e figurës së kësaj gruaje të madhe në përvejtorin e 45 të marrjers së Çmimit Nobel për Paqe, duke shtuar se Nëna Tereze jetoi në një kohë e cila kishte shumë nevojë për një qasje ndryshe ndaj krizave dhje problemeve në arenën ndërkombëtare.
Pas Shkupit,  karvani i i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” vazhdoi rrugëtimin në Prishtinë dhe në Tiranë, me ç’rast u organizua edhe një ekspozitë nga jeta dhe vepra  e Nënës Tereze në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Sot (e martë) në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës u bë promovimi i katër titujve të botuar nga ITSHKSH dhe ky ishte edhe vazhdimi i aktiviteteve në kuadër të manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”. Drejtoresha e kësaj biblioteke Naime Beqiraj ishte nikoqire e këtij eventi, e cila vuri në dukje se bashkëpunimi me ITSHKSH-në nga Shkupi do të vazhdojë, kurse drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë e qytetit të Prishtinës, Sibela Halimi, u shpreh me fjalë inkurarjuese për bashkëpunimin kulturor në mes të Shkupit dhe Prishtinës, duke u përqëndruar pastaj me disa vlerësime edhe mbi figurën e Nënës Tereze.
Pjesë e këtij promovimi ishte edhe Don Lush Gjergji, i cili foli në cilësinë e autorit të librit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, në bashkëbotim ITSHKSH- “Drita”, Ai elaboroi telegrafikisht tërësinë përmbajtësore të këtij libri dhe u angazhua që figura e Nënës Tereze të jetë vazhdimisht e pranishme në jetën tonë publike e kulturore.
Me këtë rast u promovua edhe libri “Gjona Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë”,  botim ky që është pjesë e një projekti më të madh të ITSHKSH-së që ka të bëjë me gjurmimin e degëve të shpërndara të trungut familjar të Nënës Tereze. Gjon Antoni – protagonist i këtij libri, është një familjar i afërm i Nënës Tereze dhe ai me këtë rast para audiencës përcolli disa emocione nga fëmnijëriua e tij në Shkup dhe nga jeta mërgimtare në Kroaci.
Kryeredaktori i revistës “Drita e Gonxhës”, Emin Azemi,  foli për rëndësinë e kësaj reviste dhe u ndal në shkoqitjen tematike e përmbajtësore  të saj. Në vazhdim ai paraqiti edhe disa vlerësime  edhe për librin “Si dhe pse lindi Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”.
 

Edicioni i katërt i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” do vazhdoj me aktivitete edhe në ditët në vijim dhe me këtë ITSHKSH rrumbullakson një hark të rëndësishëm tematik e problemor në fushëveprimin e Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze.

Filed Under: Analiza

BE-ja luan me dy standarde, sanksione të padrejta për Kosovën

August 27, 2024 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/New York/

Gjendja e tanishme në Veri të Kosovës është shndërruar në një situatë qesharake, të padurueshme dhe të dhimbshme. Shqiptarët në Veri të Dardanisë vazhdojnë të përballen me politikat djallëzore të Serbisë për përvetësim territorial, ekzekutiv dhe administrativ, por, si të mos mjaftonte kjo, gjenden përballë një bashkësie europiane e cila përkëdhel Serbinë, duke shtuar sanksionet në mënyrë të padrejtë ndaj Kosovës. E ashtuquajtura “asociacion i komunave me shumicë serbe”, “molla e sherrit” mes Kosovës dhe Serbisë në politikën e ditëve të sotme, ka nxjerrë edhe një herë më shumë në pah historikisht mosdëshirën apo mosgatishmërinë e autoriteteve të larta europiane për të ndihmuar shqiptarët në situata tejet të nxehta dhe delikate, duke u pozicionuar në vendin që u takon, në mënyrë teknike dhe ligjore. Kujt i shërben asociacioni i komunave me shumicë serbe? Çfarë merr në shkëmbim Kosova, dhe a garanton kjo marrëveshje moscënimin e funksionalitetit dhe integritetit të territorit dhe mosrikthimin e gjendjes së luftës, si 25 vite më parë? Ky është një projekt që duhet të marrë si përgjigje një “Jo” të madhe, në mënyrën se si po kërkon ta realizojë Serbia dhe përballë një sjellje jo serioze, të pakujdeshshme, denigruese të bashkësisë europiane. 

Kosovës i është thyer njëherë besimi me luftën e madhe që krijoi Serbia, e cila ende nuk ka kërkuar falje për varret masive që ka hapur dhe as që nuk ka ndërmend ta bëjë përsa  kohë përkëdhelet nga Europa dhe mbështetja që i jep Rusia. Përvoja e së kaluarës ka lënë një shije tepër të hidhur dhe e ka vulosur se ndërmjet dy shteteve nuk do të ketë marrëveshje dhe as dialog, përsakohë Vuçiç nuk heq dorë nga pretendimet dashakeqe. Serbia është e vendosur për mosnjohjen e Kosovës dhe e ka të shënuar në preambulën e Kushtetutës së saj, dhe as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në organizmat e bashkësisë europiane. Pra, çfarë vlere do të kishte kjo marrëveshje me një sjellje të tillë të Serbisë karshi Kosovës?! Marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe do të arrihej vetëm nëse Bashkimi Europian do të ushtronte presion ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës dhe të heqë dorë nga pretendimet për përvetësimin e territorit. 

Pra, në vend që të shtojë sanksionet ndaj një shteti i cili ka pësuar mjaft dëme njerëzore dhe materiale, BE-ja duhet t’i tërheqë “veshin” Serbisë dhe ta udhëzojë në rrugën e duhur ligjore për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit. Duhet të ekzistojë një dokument zyrtar, me ndërmjetësimin e dy faktorëve të rëndësishëm në dirigjimin e politikës së botës, SHBA-BE, që Serbia të njohë Kosovën, dhe më pas të kalohet në projektin e famshëm të asociacionit. Serbia synon të bashkojë komunat në Veri dhe të marrë kompetencat ekzekutive dhe administrative, duke krijuar një “Serbi të vogël”, pra, ajo nuk i ndahet idesë së saj të hershme se “e gjithë Serbia është Kosovë”. Vuçiç po shkel me të dyja këmbët përpjekjet e figurave të rëndësishme amerikane si Bill Klinton, Marti Ahtisari, Xhorxh Bush, të cilët i dhanë një dimension tjetër në arenën ndërkombëtare çështjes së Kosovës. Dhe ne nuk duhet të sillemi sikur nuk po e kuptojmë. 

Serbët në Veri nuk janë integruar me politikën e Kosovës dhe i kanë lënë hapësirë politikës serbe t’i drejtojë në një tokë që nuk është e tyre.

Është për të ardhur keq se si BE-ja ka vendosur sanksione të rrepta ndaj Kosovës, si pezullimi i përkohshëm i punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndalja e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024, pezullimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, Kosova ka mbetur jashtë Programit të Evropës Digjitale, ku të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor do të ndihmohen nga BE-ja për këtë çështje. Duket shumë qartë se BE-ja po e favorizon Serbinë, pasi nuk merr asnjë masë ndaj saj për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët po përballen me gjuhën e urrejtjes dhe dhunës. Ata nuk gëzojnë asnjë të drejtë, pasi janë të shtypur nga politika albanofobike e Vuçiç, ndërsa e kundërta ndodh me komunitetin serb në Veri të Kosovës, ku respektohen të drejtat e tyre dhe nuk pengohen të integrohen në veprimtari të ndryshme publike. 

Madje, ditë më parë, janë zhvilluar protesta kundër shqiptarëve ne Bujanoc, me pankarta në duar me mbishkrimin “Vdekje shqiptarëve” dhe “Vdekje shqiptarëve, nuk ju duam, Kosova është Serbi”. Këtu nuk ka asnjë reagim nga Beogradi zyrtar për të mos lejuar gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, dhe kjo tregon se projekti i asociacionit është i dështuar pa nisur. Nuk ka asnjë reagim as nga BE-ja dhe nuk është marrë asnjë masë kundër Serbisë. Gjithashtu, sa i takon ngjarjes së një viti më parë, ku pas sulmit të grupeve të armatosura serbë në Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk u mor sërish asnjë masë ndaj Serbisë. Autoritetet e larta europiane po luajnë me dy standarde në kurriz të popullit të Kosovës. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, botën po e çojnë në luftë më të fortët, ndërsa të dobtët duhet të vuajnë pasojat dhe kapriçot politike të klasës së lartë. Ky projekt nuk duhet të miratohet dhe Kosova nuk duhet t’u besojë organizmave europaine.

Filed Under: Komente

GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË LETËRSINË BOTËRORE

August 27, 2024 by s p

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Arbëria, ishte e ndarë midis shumë familjeve fisnike apo principatave të pavarura, të cilat ndodheshin vazhdimisht në gjendje lufte mes tyre, me qëllim për të mbizotëruar Arbërinë. Gjatë kohës që u shfaq familja e Kastriotëve nga krahina e Matit në Shqipërinë e Mesme, bëri që të ndryshojnë ngjarjet dhe situatat historike të kohës si në Arbëri dhe Europë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XV. Ai është i vetmi në të gjithë historinë e popullit tonë, që mban titullin Hero Kombëtar, që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e larta të figurës së tij.Kryetrimi Gjergj, konsiderohet nga historianët dhe ekspertët ushtarakë si një udhëheqës i përsosur betejash ushtarake, mjeshtër taktikash dhe ushtarak i lartë i shquar në beteja të vogla në terren të thyer malorë, sikurse është Shqipëria, në një pjesë të mirë të saj.Në këtë mënyrë Gjergji shfrytëzoi natyrën malore të vendit dhe njohu me hollësi terrenin fushor të betejës. Ai diti gjithnjë t’i impononte armikut planet e tij luftarake, të cilat i kryente me shpejtësi ose i ndryshonte sipas rrethanave që i krijoheshin, duke pasur kështu gjithnjë sukses në çdo betejë.

Gjergj Kastrioti i përkiste fesë së krishterë.U konvertua nga osmanët në mysliman, pasi e morën peng në ushtrinë turke dhe më pas u rikthye përsëri në fenë e të parëve të tij të krishterë.

Gjergji lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogël, dhe fëmia i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe të Vojsavës, familja e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin katër djem (Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën).

Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte e fuqizuar. Osmanët barbarë morën Krujën (1414-1415), që ishte në kufi me Principatën e Kastriotëve. Gjoni, i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng osmanëve (Stanishin), u detyrua edhe tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin.

Për një periudhë rreth 10-vjeçare, Gjergji vazhdoi shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të porsa të nënshtruar e vasalë (të cilët vareshin direkt nga Perandoria Osmane), për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane dhe islame, si komandantë të zotë, islamik të përkushtuar dhe pushtetarë apo feudalë të bindur.

Natyra e kishte pajisur Gjergj Kastriotin më dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i fuqishem, mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua nga të tjerët. Atij iu vu emri mysliman Skënder dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në Ballkan dhe në Azinë e vogël.

Burimi kryesor dhe më i rëndësishëm, për Gjergj Kastriotin, është vepra e Marin Barletit, ku të dhënat kanë ardhur duke u vërtetuar, plotësuar dhe korigjuar në një varg rastesh edhe nga shumë burime të tjera osmane.

Më 1430, pas një deshtimi shkatërrimtar në luftë me otomanët pushtues, Kastriotët humbën thuajse gjithë zotërimet, dhe iu nënshtruan tani regjimit të timarëve, kurse edhe Gjoni vetë u detyrua me dhunë të konvertohej në islam.

Situata në ish zotërimet e tyre mbeti e turbullt. Perandoria Osmane menjëherë ia hoqi të drejtën e trashëgimisë së të atit dhe si masë ndeshkuese osmanët e larguan më 1438 nga posti i qeveritarit të vilajetit të Krujës, të cilën e gëzonte më parë. Kësaj situate jo të mirë Kastriotët u përpoqën t’i përgjigjen me revolt, duke kërkuar mbështetje tek Venediku e Raguza dhe menjëherë fillojnë kontaktet e para të lidhjes me mbretërinë e Napolit.

Në tetor të vitit 1443 trupat e bashkuara polake e hungareze, të komanduara nga kryetrimi hungarez Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin iu drejtuan viseve verilindore shqiptare, dhe, siç shkruante ai, ushtria e tij “…rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.” Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443, në afërsi të Nishit, ku ishte i pranishëm edhe heroi kombëtar shqiptar Gjergj Gjon Kastrioti.

Shpartallimin e forcave osmane në këtë betejë, Gjergj Kastrioti e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkëluftëtarë, pjesmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi, Hamza Kastrioti, Gjergji u nis në drejtim të Principatës së Kastrioteve. Aksioni i tij për tu rikthyer në vendlindje ishte paramenduar shumë mirë, qysh herët.

Në Dibër filloi grumbullimi i forcave antiosmane shqiptare e cila erdhi duke u zgjeruar dora dorës në gjithë vendin. Kjo ishte prova se shqiptarët ishin gati për një kryengritje të përgjithshme.

Në kështjellën e Krujës së çliruar, më 28 nëntor 1443, u ngrit krenar përsëri flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri historik i luftëtarëve për liri të popullit shqipëtar. Pas fitoreve të para të viteve 1443-1444, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, në të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare, në Ohër, Manastir, Kostur e Shkup me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për vit me një rregullsi të paramenduar.

Vetëm në Shqipëri dështoi politika osmane islame e frikësimit, e mbështetur në epërsinë numerike dhe armatimit. Duke shfrytëzuar veçoritë e terrenit shqiptar, luftën tradicionale popullore dhe duke e kombinuar si mjeshtër i artit luftarak me operacione të mëdha strategjike-taktike dhe ndeshje frontale, Gjergj Kastrioti kundërshtarin otoman të lodhur me pusi e kurthe, alarme e shqetësime të vazhdueshme, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe e shkatërronte përfundimisht.

Gjergji e kuptoi se për zhvillimin e luftës antiosmane në Shqipëri ishte i shumë nevojshëm edhe bashkëpunimi me forcat e jashtme europiane, të interesuara për t’iu kundërvënë vërshimit barbar islam osman.

Që më 1443-1444 e më tej 1448-1456 Gjergj Kastrioti krijoi lidhje me udhëheqësin hungarez Janosh Huniadin, për të arritur një front të përbashkët në Kosovë, dhe për t’i ndihmuar forcat hungareze që luftonin në Belgrad.

Ai e zgjeroi bashkëpunimin me sundimtarët e fundit ballkanas, mbretin e Bosnjës, despotët e Sërbisë dhe të Artës, me kryepeshkopin e Ohrit, të cilët qenë në fakt më të interesuar të përfitonin nga lufta që zhvillohej në Shqipëri.

E rëndësishme gjatë kësaj kohe ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit me shtetet perëndimore më të afërta Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, papatin e Romës, duke llogaritur se ishte vetë interesi i këtyre shteteve që të ndihmonin aktivisht, materialisht e ushtarakisht luftën në Shqipëri për të siguruar krahët nga sulmet osmane prej Ballkanit.

Titulli Atleti i Krishtërimit, që iu dha udhëheqësit shqiptar prej papa Nikollës V, u konfirmua më vonë nga pasardhësit e tij Kalisti III, Pius II dhe Pali II. Kështu papa Kalisti III, e vlerëson shumë figurën e heroit tonë, kur shkruan: “Gjergj Kastrioti ishte si një digë e patundur. Ai ndaloi vërshimet e furishme të baticës islame otomane dhe i vuri fre shpërthimit të saj mbi Europën kristiane.” Sot, në botë emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar në Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Zyrihu, Paris, Romë, Chicago, Shkup, etj. Buste dhe shtatore të Gjergj Kastriotit ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Detroit, New York, Milano, Kalabri, Kanada, Kosovë, Tiranë.

Varri i tij, që ndodhej në kishën e shën Nikollës në Lezhë, u dhunua nga pushtuesit dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq. Dy herë, papa Piu II, kërkoi të vinte në Shqipëri, me qëllim kurorëzimin si mbret të Gjergj Kastriotit.

Figura e Skënderbeut bëhet një nga temat qendrore të arteve figurative shqiptare, qysh nga epoka e Rilindjes Kombëtare. Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazë modelesh, më tej shkoi Spiro Xega, autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprash. Edhe ikonografi V. Zengo e ka pikturuar Skënderbeun në një kompozim (1937) sipas një gravure evropiane.

Për figurën e Gjergj Kastriotit në Letërsinë botërore

Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha latinisht prej autorësh italianë, miq të M. Barletit, i cili i vuri në krye të botimit të parë të veprës së tij për heroin.

Këto u pasuan në shek. XVI nga një radhë krijimesh poetike, ndër të cilat më të njohura janë sonetat e poetëve të Rilindjes, si francezi P. Ronsar (1576), që ngre lart bëmat e Skënderbeut dhe anglezi E. Spenser (1596), i cili e krahason Skënderbeun me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Në prozën artistike të kësaj kohe Skënderbeu u shfaq në romanin -Tmerri i turqve – (1548) i italianit Antonio Posenti.

Kujtimi i luftërave heroike të Skënderbeut vijoi të gjente jehonë në veprat letrare edhe të shek. XVII. E kësaj kohe është poema – Skënderbeida (botuar në Romë më 1623) e poeteshës së njohur ilaliane Margerita Sarroki, që e vizatoi Skënderbeun si hero të vërtetë dhe kalorës fisnik.

Cilësitë morale të Skënderbeut si luftëtar i pamposhtur i lartësuan në veprat e tyre edhe: gjermani Jakob Kokert (Kengë mburrëse, 1643) dhe francezi Zhan Bysier (poema – Skënderbeu – 1658). Autori i njohur anglez K. Marlou shkroi veprën – Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të shumtë nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj.

U hartuan një varg dramash, tragjedish dhe librete për opera dhe balete. Shkrimtari i madh spanjoll Lopes de Vega shkroi veprën Princi Skënderbeg, që i takon llojit të komedive të famshme. Për personazhin e tij janë shkruar në të gjithë botën mbi 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestal figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit.

Të huajt për Gjergj Kastriotin

Shumë autorë e kanë parë figurën e Gjergj Kastriotit si një hero, strateg dhe vizionar të madh dhe të papërsëritshëm.

“Heroi ma i madh i të gjitha kohërave, për veprat faktike që ka bërë.” – Julius Pisko, 1894.

Napoleoni I, në kujtimet e tij të treguara në Sh. Helenë, heroin tonë e vë në radhën e katër gjeneralëve më të mëdhenj të botës (Memoiren Napoleons, herausgegeben von F.M. Kircheisen).

“Gjergj Kastrioti… ua kalon të gjithë strategëve të vjetër e modernë, në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse.“ – J. Wolfe.

“Gjergj Kastrioti ishte një ndër gjeneralët më të mëdhenj, që kishte jetuar ndonjëherë.“ – Ludwig Holberg, 1739.

“Gjergj Kastrioti kishte aftësi të rralla, i shpejtë dhe i qartë me intelekt të rrallë, i fuqishëm dhe me një guxim të pathyeshëm, prandaj ai me forcat e tij prej trimi ndali furinë e Perandorisë Osmane.” – Alberto Guglielmotti, 1871.

James Wolfe, heroi i Quebekut, në një letër të tij thotë midis tjerash se “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të vjetër dhe modernë, në prija ushtrishtë të vogla.

Ndërsa filosofi i madh freng, Voltaire, shpreh mendimin se sikur Perandorët bizantinë të kishin qenë si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes mund të kishte shpëtuar.

Filed Under: Histori

Mësimet e dashurisë 

August 27, 2024 by s p

Ndue Ukaj/

Nënë Tereza është shkollë madhështore e dashurisë, pa një të dytë përreth, prandaj, një libër i ri për të, është një shteg që të ecim udhëve të reja e një dritare e re që të shohim pamje të reja; të mësojmë nga ky art i të jetuarit dhe nga kjo shkollë e provuar dashurisë njerëzore. Don Lush Gjergji, si punëtor i palodhshëm kulturor e shpirtëror, tash e sa kohë, punon pareshtur që të çelë shtigje të reja drejt njohjes së Nënën Terezës, të hapë dritare të reja, që të soditet bukuria e jetës, përmes zemrës së Nënë Terezës. Si biografi më i shquar i saj  e studiues i rëndësishëm, tash e sa vjet, ai e shpalos përmasën e dashurisë së pakufishme të Gonxhes sonë dhe na thërret, të mbjellim kopshtin tonë, me dashuri, ngaqë, siç thotë Nënë Tereza e na kujton autori i librit, “dashuria është mjekim për çdo sëmundje.” Libri i porsa botuar, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, me shënimin domethënës, “Në e 45-vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979”, vjen përpara lexuesit si njëlloj navigator i përditësuar dhe e ndihmon atë që të hyjë në botën e madhe të shenjtëreshës shqiptare, duke shpalosë aspekte të rëndësishme të jetë së Shën Nënë Terezës:  botën shpirtërore, dashurinë për njeriun e Jezusin, aftësitë e saj për të zhvilluar dialog, lidhjen me kombin shqiptar, dëshmi që paraqitet në faqet e para, përmes testamentit që Nëna Tereza dha në Oslo, përpara botës, kur pohoi se ishte shqiptare, duke paralajmëruar kështu një përlindje të madhe kombëtare. Dhe 45-vjet pas, ky libër, përveç se aktualizon personalitetin shumëdimensional të Nënë Terezës, vjen mes nesh, edhe si një mësim i mirë kundër harresës.

Duke u nisë nga fakti empirik se mësimi më i mirë është mësimi nga njerëzit e mirë, libri i Don Lushit paraqet përpara lexuesit një njeri të mirë, me vepra e mësime praktike të mira, ku shtjellohen e përditësohen vlerat sublime: dashuria e cila rrezaton si shtylla kryesore e veprimtarisë së Nënës Terezë. Libri na tregon  se “mëkati më i madh është mungesa e dashurisë”  dhe duke na treguar këtë të vërtetë, na grish që të hyjmë në udhën e bukur të mësimeve të Nënë Terezës, të hyjmë në kopshtin e saj të magjishëm e të ushqehemi me vlera jetëdhënëse.

Don Lushi përmes këtij libri të bukur, me fotografi të bukura, e ri sjell portretin e shenjtores, vajzës që doli nga gjiri ynë e nga tokat tona, dhe në kohë trazimesh të mëdha globale, u nis në dhenat e huaja të Indisë, për t’u kthyer në vendin e saj, si nënë frymëzuese. 

Dhe Don Lushi duke qenë bashkudhëtar i saj e njohësi më i përthelluar, porositë e Nënë Terezës, si mësime dobiprurëse, i  sjell mes nesh, që të galdojmë për bukuritë e jetës, sepse, thotë Nënë Tereza: “Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët edhe për ne, është flaka e dashurisë.”

Pra, Gonxhja, ajo vajza e re, që e donte poezinë e këngën, e këputur nga kopshti me lule i tokave të hershme dardane, që herët mbillet si lule diku në një vend të largët të botës, në një mjedis ku varfëria e mjerimi kishin vizatuar fytyrën më të shëmtuar, dhe nga ajo lule e vockël, u bë një kopsht madhështor, që sot lulëzon anë e kënd botës. Gonxhja, vajzë e re, që herët, braktisi hiret e vajzërisë, i dha një lamtumirë të pikëlluar nënës Drane e familjes dhe përmes dallgëve të forta të jetës, në shekullin e egërsisë, u kthye në nënë për gjithë njerëzimin; nënë për të gjitha kombet, gjuhët, fetë e shtresat sociale. Ajo duke vepruar e duke e parë në secilën qenie njerëzore të mirën, i la botës testamentin madhështor të humanizmit; e mësoi njeriun që ta dojë jetën, ashtu siç është,  plotësisht, pa pretendime, siç bëri ajo përditë, me njerëz të uritur, të braktisur, të lënë pasdore, dhe me ta, krijoi simfoninë e shpresës, një himn të dashurisë e të solidaritet njerëzor.

Libri i Don Lushit është një aktualizim domethënës në rrethanat tona, sepse, siç thotë autori, jeta e saj “është një porosi në vazhdimësi për mbarë botën, sidomos për ne shqiptarët”, që të mësojmë se dashuria është mjekimi i çdo sëmundje dhe falja vlerë e epërme njerëzore, sidomos  në një kohë, kur duket sikur sillemi të trullosur përballë botës e vetvetes, në një kohë kur e kemi humbë aftësinë që të bisedojmë me botën e me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt, libri e thërret lexuesin shqiptar, të mendojë udhën e gjatë që bëri kombi ynë, për të fituar lirinë, për çka, Nënë Tereza është shumë meritore, dëshmi kjo e pohuar nga udhëheqës botërorë. 

Shën Nënë Tereze është e përbotshme, por neve si pakkujt na takon të bëhemi nxënës të kësaj shkolle, të mësojmë nga ajo e të marrim energji për të mirën tonë e të njerëzimit, e në ç’drejtim, ky libër ndihmon shumë.

Porositë e Nënë Terezës, këshillat e thjeshta prej nëne, janë vlera ushqyese për zemrën e mendjen njeriut, çdo herë e në çdo kohë, sepse burojnë nga një zemër e madhe e me përvoja të forta, nga një zemër që pati vend për të gjitha dhimbjet dhe gëzimet e botës. Ja një nga to: “Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos më thuaj se njerëzit veniten nga uria. Mos më thuaj se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos më thuaj se njerëzit gërgasin dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“

Nëna Terezë, nuk vulviti flamuj ideologjikë, partiakë, shtetërorë, ajo jetoi e punoi nën flamurin e dashurisë njerëzore, atë flamur ia dhuroi botës, duke e bërë fuqinë e tij të rrezatojë kudo e kurdo, edhe nën rrebeshin e armëve, aty ku dora fuqisë së shkencës, e parasë dhe e politikës, nuk mund të depërtonte. Don Lush Gjergji këtë flamur e ka sjellë mes nesh dhe na pyet: ç’bën ti me të?

Dhe sot, në një ditë si kjo, tek kujtojmë lindjen e shenjtëreshës sonë dhe përurojmë librin e Don Lushit, si shkrimtar, më takon të them pak fjalë për profilin krijues të Nënë Terezës, sepse, ajo kishte një shpirt të madh krijues e artistik. Ajo ishte poete me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i la vargje magjepse e një filozofi mahnitëse. 

Poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për t’i kuruar vuajtët njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti. Në këtë aspekt, siç thotë Papa Gjon Pali i Dytë te “Letra dërguar artistëve”, Nënë Tereza, na shfaqet edhe “një rojtare e së bukurës në botë.” 

Po ashtu, lë të kujtojmë se Nëna Terezë, fal veprimtarisë së Don Lush Gjergjit është bërë pjesë e edukimit të një breznie të tërë, që na vitet nëntëdhjeta, kohë kjo e thyerjeve të mëdha dhe e transformimeve shpirtërore e politike. Asokohe, për ne që jetonim në Kosovë, filloi një kalvar i vërtetë i vuajtjeve, dhe ne, si nga një e çarë qiellore, shihnim një dritëz shprese, të një forcë të epërme, që na injektonte me besim. Ishte Nënë Tereza ajo që u shfaq mes nesh, me mësimet e buta e shpresëdhënëse, të Nënës, dhe siç thoshte presidenti ynë i papërsëritshëm, Ibrahim Rugova, ajo u bë “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.” 

Libri i Don Lushit na ndihmon të ofrohemi me nënën tonë të dashurisë, na mundëson të udhëtojmë në jetën e saj, në historinë e familjes së saj, në kontekstin sociale e kulturor shqiptar, na tregon se “buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë” dhe si i tillë meriton të lexohet, për dashurinë që transmeton te lexuesi, për faktet e meditimet domethënëse rreth përmasës shpirtëror të shenjtës sonë, për gjuhën e rrjedhshme e të qartë me të cilën është shkruar, dhe para se gjithash, për dashurinë e pafund me të cilën Don Lush Gjergji i blatohet Shën Nënë Terezës dhe kombit të tij.

(Përsiatje për librin e Don Lush Gjergjit, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, Drita dhe ITSHKSH, 2024)

(Prishtinë, 26 gusht, 2024, në Akademinë Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës,)

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 956
  • 957
  • 958
  • 959
  • 960
  • …
  • 2951
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT