

Prof. asoc. dr. Rovena Vata Mikeli/
Vëllimi poetik i Donika Gjonit vjen para lexuesit si një buqetë shumëngjyrëshe ndjenjash dhe përjetimesh, fryt i një përvoje krijuese të konsoliduar dhe i një raporti të thellë me jetën dhe fjalën artistike. Në këtë krijimtari, poezia nuk paraqitet thjesht si një formë shprehje estetike, por si një mënyrë e të jetuarit dhe e të kujtuarit, si një rrëfim i brendshëm shpirtëror, që materializohet në varg. Në këtë këndvështrim, krijimtaria e saj, mund të cilësohet me të drejtë si një “autobiografi në vargje”. Çdo poezi mbart gjurmët e jetës së autores, ndërsa çdo varg shndërrohet në një pasqyrim të përvojave të saj më intime, duke krijuar një udhëtim poetik, ku ndërthuren ndjenja, kujtesa dhe rrënjët e identitetit.
Poezia e Donika Gjonit krijon kështu një hapësirë të pasur lirike, ku emocionet, mendimi dhe përjetimi bashkëjetojnë në një ekuilibër të natyrshëm estetik.
Vargu i saj e artikulon kujtesën njerëzore me një ndjeshmëri të hollë, duke e ngritur përvojën e përditshme në një plan më të lartë kuptimor. Çastet e jetës dhe fragmentet e kujtesës marrin trajtë artistike dhe shndërrohen në përjetime universale, përmes një ligjërimi të qartë, të rrjedhshëm dhe një figuracioni të pasur. Kjo e bën poezinë e saj njëkohësisht të komunikueshme dhe të thellë, ku përjetimi individual kapërcen kufijtë e vetes dhe fiton dimension kolektiv.
Në këtë vëllim, zëri poetik vjen i qetë, por i thellë, duke folur nga brendësia e qenies dhe duke iu drejtuar drejtpërdrejt ndërgjegjes dhe ndjeshmërisë së lexuesit. Poezia nuk synon efektin e menjëhershëm, por depërtimin gradual, përmes një emocioni të përmbajtur dhe një kujtese që nuk shuhet.
Që në tituj e poezive, si: “Vetes”, “Autoportret” dhe “Kur zemra flet”, evidentohet qartë prirja emocionale e autores, e cila ndërton një dialog të vazhdueshëm me vetveten, ku fjala bëhet pasqyrë dhe vargu një instrument njohje. Një dimension i rëndësishëm i kësaj poezie është figura e gruas, e cila paraqitet si një subjekt kompleks dhe shumë planesh: e ndjeshme, e fortë dhe e qëndrueshme. Në poezitë me tituj si: “Në emër të gruas”, “Në hapin e dytë”, “Dritë e çelur” apo “Gruaja subjekt i çdo epoke”, gruaja shndërrohet në simbol të përvojës jetësore, sakrificës dhe dinjitetit, duke reflektuar mbi rolin e saj në strukturën shoqërore dhe familjare.
Lidhja me vendlindjen shfaqet si një frymëmarrje e heshtur që përshkon të gjithë poezinë. Malli për Mirditën rrjedh nëpër vargje si një kujtesë e gjallë, duke e ushqyer shpirtin dhe identitetin e autores. Nuk është thjesht nostalgji, por një prani e brendshme që e ndjek në çdo fjalë, duke i dhënë poezisë dritën e pashuar që buron nga vendlindja.
Dashuria dhe marrëdhëniet familjare përbëjnë thelbin e këtij universi liriko-emocional. Poezitë kushtuar figurës së babait, si: “Atit”, “Letër malli (babait)”, “Vargjet e vona (Atit)” apo “Pranë atit tim” – dhe ato kushtuar nënës: “Të shtrenjtës sime”, “Nënës”, “O nënë, o grua”, “Nënat” apo “Kujtim nusërie”, përçojnë një ndjeshmëri të thellë, ku fjala poetike bëhet njëkohësisht kujtim, mungesë dhe përqafim. Ato funksionojnë si ura lidhëse midis së shkuarës dhe së tashmes, duke mbajtur gjallë vijimësinë e përvojës familjare.
Figura e nënës shfaqet si burim i dashurisë, kujdesit dhe forcës jetësore, ndërsa figura e babait si një udhërrëfyes i heshtur dhe simbol i qëndrueshmërisë morale. Vajza, si pasqyrim i këtyre dy figurave themelore, përjeton botën me ndjeshmëri të thellë dhe e shndërron çdo përvojë në material poetik. Kështu, krijohet një triadë e fuqishme simbolike – babai, nëna dhe vajza, që ndërton thelbin e universit estetik të autores.
Përvoja e amësisë zë një vend të veçantë në këtë krijimtari. Ajo konceptohet si bekimi më i madh që universi i ka dhënë femrës, si një vlerë e shenjtë dhe e pazëvendësueshme. Poezitë me tituj, si: “Bibla ime”, “Fëmijëve” dhe “Ylber i zemrës” dëshmojnë këtë dimension të thellë shpirtëror, duke e paraqitur amësinë si burim drite, dashurie dhe vazhdimësie jetësore. Në të njëjtën kohë, dashuria dhe martesa trajtohen si vlera të qëndrueshme dhe të përjetshme, si forma më e lartë e përkushtimit dhe besnikërisë njerëzore. Në poezitë me tituj, si: “Rrëfim dashurie”, “Dashuri”, “Një gotë verë dashurie”, “Përqafomë” apo “Martesa”, këto ndjenja marrin një dimension intim dhe universal, duke u shndërruar në shtylla të botës lirike të autores.
Në planin stilistik, poezia e Donika Gjonit karakterizohet nga një gjuhë e pastër dhe e rrjedhshme, një figuracion i matur dhe një strukturë e qartë shprehëse. Kjo e bën tekstin të hapur ndaj interpretimeve të ndryshme, duke ruajtur njëkohësisht një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin.
Në tërësinë e tij, ky vëllim poetik nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një dëshmi e një jete të përjetuar thellë, një udhëtim mes kujtesës, dashurisë dhe identitetit. Zëri i Donika Gjonit vjen i pastër dhe autentik, duke lënë gjurmë të qeta, por të qëndrueshme në ndërgjegjen estetike të lexuesit. Poezia e Donika Gjonit nuk lexohet thjesht – ajo përjetohet.