Ne Foto: Adolf Hitler dhe Eva Braun/
Eva Braun, bashkëshortja e Adolf Hitlerit, kishte pasur origjinë hebreje, sipas analizave të ADN-së kryer për një dokumentar që do të publikohet të mërkurën nga stacioni televiziv britanik ”Channel 4”. Kjo tezë mbështetet mbi analizën e flokëve që vinin nga një krëhër i gjetur në Berghof, residenca e Hitlerit në Bavari, ku Eva Braun ka kaluar pjesën më të madhe të kohës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në flokët e saj, studiuesit gjetën një sekuencë specifike të ADN-së, shumë të ngjashme me hebrenjtë e Europës Qendrore, që përbëjnë rreth 80 për qind të popullsisë hebreje.
Në Gjermani, shumë hebrenj të Europës Qendrore janë kthyer në katolikë në shekullin e 19-të. “Ky është një zbulim turbullues. Nuk kisha ëndërruar kurrë se do mund të gjeja një rezultat kaq të jashtëzakonshëm”, është shprehur Mark Evans, prezantuesi i emisionit “The Dead Famous DNA” për Channel 4.
Sipas realizuesve të dokumentarit, është e sigurt se flokët e analizuara i përkasin Eva Braunit. Por i vetmi mjet për ta provuar zyrtarisht do të ishte krahasimi i flokëve me dy pasardhësit e saj, por këta të fundit kanë refuzuar t’i nënshtrohen testit.
Eva Braun ka qenë e dashura e Hitlerit për shumë vite, para se çifti të martohej më 29 prill 1945, një ditë para vetvrasjes së tyre në bunkerin e Fyhrerit në Berlin./