Rubrika e Diellit: Tingellime vendemrash Ilire/
Nga NELSON ÇABEJ/
Është pranuar përgjithësisht se emri i Beratit ka dalë nga emri Belgrad që i vuri këtij qyteti administrate bullgare dikur në shekujt IX-XI dhe ka vazhduar të dalë në burimet bizantine dhe turke deri në fillim tw shekullit XX. Le ta themi që në fillim: prejardhja e vëndemrit Berat nga Belgrad është një hamëndje, sado evidente, që ende nuk është vërtetuar e madje është vështirë të vërtetohet sepse ajo kërkon shndërrimin e -gr- në -r-, që është i vwshtirw, nw mos i pamundur, në shqip. Në dy raste analoge që njohim, në vëndemrat Bozhigrad (del Bushigrad te Leake1) dhe Pogradec (Pogradaş te Evlia Çelepia) ai grup është ruajtur.
Por edhe sikur hamëndja e mësipërme të qëndrojë, ajo nuk na ndihmon të gjejmë si quhej Berati për rreth 15 shekuj që nga koha kur u themelua (shekulli VI p.e.s.) deri në kohën kur trojet shqiptare ranë nën sundimin bullgar të shekujve IX-XI, kur mendohet se ai mund të jetë ripagëzuar si Belgrad.
Historianët dhe arkeologët e kanë identifikuar Beratin me një qytet që në burimet e lashtësisë klasike del me emrin Antipatrea, qytet të cilin S. Bizantini nuk e përmënd fare edhe pse Tit Livi (59 p.e.s. – 17) flet për një qytet të fortifikuar në një grykë të ngushtë, të quajtur Antipatrea, të cilin studiuesit shqiptarë dhe të huaj e kanë identifikuar me Beratin e sotëm1. Thuhet se këtë emwr qytetit ia vuri Kasandri, udhëheqësi ushtarak i Maqedonisë, nga fundi i shekullit IV për nder të atit të tij, Antipatrit, themeluesit të dinastisë Antipatride. Por si quhej ky qytet më parë?
Emri Antipatrea, i përkthyer, do të thotë kundrejt ose përballë Patrea-s. Në burimet e lashta nuk përmëndet ndonjë qytet me emrin Patrea dhe i vetmi emër që afrohet me këtë është emri qytetit Parthus, që përmëndet nga Polibi dhe Tit Livi. Polibi njofton se romakët i lanë Pleuratit Liknidin (Ohrin e sotëm) dhe Parthusin, që kishin qënë nën sundimin maqedon2. Këtë njoftim e gjejmë edhe te Tit Livi, i cili shton edhe se të dy ata ishin qytete ilirë3. Plini përmënd një qytet Parthia, emër të cilin Malte Brun e lidh me fjalën shqipe ‘(i, e) bardhë’ dhe mendon se Ptolemeu mund ta ketë përkthyer këtë emër në Albanopolis ‘qytet i bardhë’4, që mendohet të ketë qënë kryeqendër e fisit ilir të albanëve. Edhe Stefan Bizantini në shekullin VI përmënd një qytet ilir të quajtur Parthos, të cilin ai e ka gjetur te Kronika e Apollodorit e shekullit II p.e.s. si qytet i fisit Parthenus5.
Në Komentarin e De Bello Civili kur përshkruhet fushata e Jul Cezarit kundër Pompeut, gjithashtu flitet për një qytet të parthinëve, Parthinorum oppidum: “Kur Cezari, mori lajmin se Pompeu ishte në Asparag, ai u nis në atë drejtim me ushtërinë dhe duke kapur gjatë marshimit kryeqyetin e Partinëve, që mbrohej nga një garnizon i Pompeit, e arriti Pompeun në ditën e tretë në Maqedoni”6.
Në burimet bizantine të mesjetës së hershme qyteti ilir del me emrin e letrarizuar Pulkeriopolis, që në latinisht do të thotë ‘qytet i bukur’7 dhe më vonë me emrin sllavisht Belgrad, që, sipas sllavistit të mirënjohur çek, Pavel J. Šafařik (1795–1861), do të thotë “kështjellë e bardhë ose e bukur” dhe “nuk është tjetër veç përkthim literal i emrit të mëparshëm bizantin Pulkeriopolis”8. Ideja se emri i qytetit vjen nga emri i Pulcheria’s, motrës së perandorit bizantin me prejardhje spanjolle, Theodosi II (401-450), nuk është e bazuar në ndonjë burim primar. Fakti që Stefan Bizantini në shekullin VI nuk e përmënd fare këtë qytet të rëndësishëm mund të tregojë se qytetit ky emër i ri i është vënë pas shekullit VI, çka do të ishtë një argument tjetër kunder idesë se ky emër mund t’i jetë vënë qytetit për nder të motrës së perandorit më tepër se një shekull pas vdekjes së tij.
Mendohet se gjatë kohës së sundimit bullgar, në shekujt IX-XI, qytetit ia ndërruan emrin letrar-administrativ nga Pulkeriopolis (Πουλχεριούπολις) në Belgrad, por akoma në shekullin X, nën sundimin e perandorit bizantin, Konstantinit të Shtatë Porfirogeneti (905-959), ky qytet del nën jurisdiksionin e temës së Epirit të Ri me emrin Πουλχεριούπολις, krahas qyteteve të tjerë të temës së Epirit të Ri si Durrësi, Skampa, Apollonia, Ballshi, Vlora, Amantia dhe Ohri9.
Në lashtësi në rajonin rreth Beratit banonin fiset ilire të partinëve (Παρθῖνοι) ose partenatëve (Παρθεηνᾶται) dhe të dasaretëve. Në perëndim partinët kufizoheshin me taualantët kurse në lindje me desaretët10,11, të cilët shtriheshin në rrjedhjen e sipërme të Osumit deri në kufirin perëndimor të Maqedonisë12. Nga këto të dhëna duket se rajoni i Beratit në lashtësi banohej nga fisi i partinëve.
Emri etnik partinët, si dhe çdo emër etnik ilir, ka pasur një kuptim e ka një prejardhje. Në çdo përpjekje për të gjetur prejardhjen e emrave të fiseve ilire duhen mbajtur parasysh edhe veçoritë e shkrimit të emrave ilirë në greqisht dhe latinisht. Në rastin e emrit të fisit partinë duhet mbajtur parasysh se nganjëherë fjalët ilire që fillojnë me b në greqisht transpriptohen me p. Në qoftë kështu edhe në rastin e emrit etnik të partinëve (partinatëve), atëhere origjinali ilir i emrit të fisit do të ishte *Barthini. Kjo fjalë përmban rrënjën barth, e cila çuditërisht është e njëjtë me fjaln e konstruktuar lilire *barth, ‘i,e bardhë’, që gjejmë në fjalorin e indoeuropianishtes të Pokornit, e cila rrjedh nga rrënja indoeuropiane *bherǝĝ-, bhrēĝ- “shkëlqen, i bardhë”13. Kjo fjalë *barth të kujton menjëherë emrin e një qyteti të lashtë, ende të paidentifikuar Baretion, që del te Stefan Bizantini, i cili thotë se e ka gjetur atë te libri i 52të i Theopompit. S. Bizantini jep vetëm këtë njoftim të shkurtër: “Baretion, një vënd në drejtim të Adriatikut, siç shkruan Theopompi në librin e pesëdhjetedytë. Fisi quhet Baretinos ose Brentesinos.”14. Të vihet re se autori thotë në drejtim të (πρὸς) dhe në përkthimin latin afër (prope)15 Adriatikut dhe jo në Adriatik, që mund të interpretohet si qytet jobregdetar. Nga fjala e rikonstruktuar ilire *barth (Pokorny) mund të dilte regullisht emri Baretion, me prapashtesën -ion, që është tipike për formimin e emrave të qyteteve në Iliri. Megjithatë, ky argumentim gjuhësor, kjo lidhje prejardhjeje midis fjalës ilire *barth, emrit të fisit partinët dhe emrit të qytetit Baretion është sigurisht e pamjaftueshme për të arritur një përfundim të sigurtë, sepse Stefan Bizantini jep edhe një qytet Parthos si qendër e fisit ilir të partinëve. Në të mirë të identifikimit të Beratit me Baretion-in e Teopompit flet edhe fakti që thuajse 10 shekuj më vonë, në shekullin VI, Prokopi i Cezaresë, në listën e kështjellave që rindërtoi Justiniani në shekullin VI, përmënd qytetin Paretion (Παρέτιον)16, që është i njëjtë po të mirret parasysh prirja e greqishtes për alternimin b-p.
Në burimet e mesjetës së mesme dhe të vonë e madje deri në shekullin XX emri i qytetit vazhdon të dalë Belgrad ndonëse është dokumentuar se vëndasit e kanë përdorur emrin Berat, të paktën që nga shekulli XVII. Nga mesi i shekullit XVII, historiani turk Evlia Çelepi (1611 – 1682), që vizitoi këtë qytet, e shënon emrin e qytetit në formën e sotme shqip Berat dhe vetëm brënda kllapave shënon variantin Belgradi shqiptar (Arnavutluk Belgradı)17. Nga fundi i atij shekulli emrin shqip të qytetit e zgjodhi si emër letrar poeti Nezim Berati (1680-1760), i cili i këndoi Beratit dhe thoshte se vatani i tij është Berati18. Emrin e qytetit e gjejmë edhe si mbiemër të murgut Kostë Berati në shekujt XVIII –XIX. Në shekullin XIX studiuesi britanik W.M. Leake e jep emrin e Beratit si sinonim të Belgradit19 , kurse në 1843 emri Berat del edhe lidhur me marrjen në vitin 1809 nga Ali Pasha Tepelena të këtij qyteti, që deri në atë kohë i takonte sanxhakut të Vlorës20.
Kështu ne kemi në dorë një fakt që nuk mund të nënvlerësohet. Në qoftë se të paktën për tre shekuj me radhë historianët dhe burimet e tjera dokumentare vazhdojnë ta quajnë Belgrad qytetin që vëndasit e quajnë Berat unë nuk shoh ndonjë arsye përse nuk mund të ketë ndodhur kështu edhe në shekujt e mëparshëm, d.m.th. që emri Berat mund të jetë përdorur pa ndërprerje nga banorët vëndas që nga lashtësia. Vëndemrat grek, latin dhe bullgar, pwrkatwsisht, Antipatrea, Pulcheriopolis dhe Bel(e)grad, mund të kenë qënë terma letrarë (eksonime), që kanë gjetur përdorim vetëm në dokumentacionet zyrtare me të cilat punonin historiografët e huaj, sepse të gjithë ata emra joilirë nuk u shkruan nga vëndas. Dhe, në të vërtëtë, është vështirë të besohet se brenda 15 shekujve të fundit banorët e këtij qyteti kanë përdorur 4 emra të ndryshëm për qytetin e tyre.
Për të dalë nga kjo vështirësi unë parashtroj këtu se emri Berat i këtij qyteti mund të jetë forma e evoluar e emrit të lashtë ilir (Baretion i Stefan Bizantinit ose një variant tjetër) të qytetit, që mund të jetë ruajtur në të folurën e popullit dhe mbijetoi deri në ditët tona, duke evoluar në bazë të ligjeve fonetike të shqipes, ndërkohë që format e mëvonëshmë letrare dhe administrative zëvëndësuan njera tjetrën dhe humbën.
Kundër dyshimeve që mund të ngjallë ideja ekzistencës paralele kaq të gjatë të formave të huaja (ekzonimeve) dhe të formës vëndase të vëndemrit (endonimit) Berat, flasin shëmbuj të shumtë të ekzistencës paralele të endonimeve që përdoren nga vëndësit dhe eksonimeve që përdoren nga bota dhe historiografët e huaj (Gjermani për Deutschland, Finland për Suomi, Hungary për Magyar, Greqi për Hellas, etj. etj.)
Gjatë tërë shekullit XIX shumica e studiuesve që kanë shëtitur dhe njohur nga afër Shqipërinë dhe Beratin, ndonëse përmëndin emrin Belgradit vetëm, ose krahas emrit Berat, lumin që kalon pranë tij përgjithësisht e quajnë Beratino kurse Ami Boué e shënon atë thjesht “ Lumi ose Lumi i Beratit”21. Në vitin 1805 Pouqueville thotë se lumi i lashtësisë Apsus quhet Beratino “Apsus is called Beratino”22 e po kështu Urquhart23, Leake24, Hani25, Tozer26, Bevan e Smith27, Mēliopoulos28 dhe Ami Boué29. Ami Boué, Leake dhe Hahn e japin emrin e lumit Beratino edhe si sinonim të Osumit (Uzum). Nuk dimë që Apsusi (Osumi) të jetë quajtur ndonjëherë lumi i Belgradit.
Vetë paqëndrueshmëria dhe zëvëndësimi i njëpasnjëshem i emrave Antipatrea, Pulkeriopolis dhe Bel(e)grad duket sikur provon se të treja ato kanë qënë emërtime letrare-administrative, që janë përdorur përkatësisht në kohën e sundimeve romake, bullgare, bizantine dhe turke. Të gjitha këto të shtyjnë të mendosh se në tërë këto periudha të sundimeve të huaja në Shqipëri administratet përkatëse ka përdorur njeri pas tjetrit emërtimet Antipatrea, Pulkeriopol dhe Bel(e)grad ndërkohë që emdi i lashtë Baretion ka vazhduar të ruhet në gjuhën e popullit duke ardhur deri në ditët tona në formën Berat.
Fakti që bejtexhiu i parë shqiptar Nezim Berati nga zgjodhi si mbiemër emrin e vëndlindjes së tij dhe i ka kënduar Beratit tregon se ky emër është përdorur të poaktën që nga shekuli XVII. Në shekullin XVIII aty ka jetuar edhe murgu Kostë Berati (1745-1825). Kur kujtojmë se paralel me këtë emër në burimet e shkruara deri në fillim të shekullit XX del edhe emri Belgrad, mëndja të shkon menjëherë se kjo ekzistencë paralele e një emri letrar-administrativ dhe një emri në të folurën popullore mund të jetë e lashtë. Mund të mendohet se një formë e lashtë e emrit Berat (Baretion oas Parta/Barta) mund të ketë pasjetuar format e njëpasnjëshme letrare administrative AntiPatrea, Pulkeriopolis dhe Beligrad. Ndënë sipërfaqen e emërtimeve të huaja ka vazhduar të rrjedhë emri i lashtë ilir i qytetit për të dalë në mënyrë simbolike si mbijetues dhe pasjetues i tërë atyre emërtimeve të huaja.
Referimet
1. Titus Livius (Livy), The History of Rome, Libri XXXI, 27.
2. Polybius Histories, 18, 47
3. Titus Livius Histories, Libri 33, 34: “pleurato Lychnidus et Parthini dati; Illyriorum utraque gens sub dicione Philippi fuerant”.
4. Malte-Brun, C. (1829). Universal Geography: Or A Description of All Parts of the World …, vol. 4, Philadelphia, 1829, f. 105.
5. Stephanus of Byzantium, Stephanus de Urbibus. Que Primus Thomas de Pinedo, 1725.
6. C. J. Caesar, Julius Caesar’s War Commentaries De bello civili (Civil Ëars): Book 3, 41. Harper & Brothers: Neë York, 1869: “As soon as Caesar heard that Pompey was at Asparagium, he set out for that place with his army, and having taken the capital of the Parthinians on his march, where there was a garrison of Pompey’s”.
7. Elsie, R. (2010). Historical Dictionary of Albania. The Scarecrow Press, Inc., f. 46.
8. Tozer, H.F. (1869) (rishtypur në 2013), Researches in the Highlands of Turkey: Including Visits to Mounts Ida, Athos … II, Forgotten Books, f. 221.
9. Corpus Scriptorium Historiae Byzantinae. Constantinus Porphyrogenitus, III. Ed. B.G. Niebuhr, Weber, Bonn, 1840, f. 393.
10. Cabanes, P. (2008). Greek Colonisation in the Adriatic. Në Greek Colonisation – An account of Greek colonies and other settlements poverseas II, Red. G.R. Tsetskhladze, Brill, Leiden-Boston. f. 155-185 (173).
11. Cabanes, P. (2013). Parthini. Brill’s New Pauly. Antiquity volumes Red. H. Cancik dhe H. Schneider. Brill Online, 2013. Reference. 17 September 2013 http://ëëë.encquran.brill.nl/entries/brill-s-neë-pauly/parthini-e909150).
12. Šašel Kos, M.. Dassaretia. Brill’s New Pauly. Antiquity Volumes. Red. H. Cancik dhe H. Schneider. Brill Online17 September 2013
<http://referenceworks.brillonline.com/entries/brill-s-neë-pauly/dassaretia-e311520>)
13. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Francke, Bern, 1959-1969.
14. Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt. Red. A. Meineke, Reimer, Berlin (1849).
15. Stephanus of Byzantium, Stephanus de Urbibus. Que Primus Thomas de Pinedo, 1725.
16. Procopius De Aedificiis, Libri IV, 4.
17. Evliya Çelebi ile Beraber Rumeli Gezisi Internet: http://www.balkanpazar.org/rumeli_evliyacelebi.asp më 10 tetor, 2013.
18. Nezim Berati, mendimtar dhe poet mistik. Internet 8.18.2013: http://orientalizmi.wordpress.com/category/poezi-shqipe/
19. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I. J. Rodwell, New Bond Street, London, f. 49.
20. The Biographical Dictionary of the Society for the Diffusion of Useful Knowledge, Volume 2, Issue 1, Longman, Brown, London, f. 14518.
21. Ami Boué (1854). Recueil d’itineraires dans la Turquie d’Europe II, Vienne, f. 26.
22. Pouqueville, F. (1820). Travels in Epirus, Albania, Macedonia, and Thessaly. R. Phillips, London, f. 21.
23. Urquhart, D. (1838). The Spirit of the East: Illustrated in a Journal of Travels Through Roumeli During an Eventful Period II, H. Colburn, London, f. 304.
24. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece I, J. Rodwell, London, f. 363.
“Beratino or Uzumi”
25. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien, F. Mauko, Jena, f. 10: “der aus der Vereinigung der in der Centralkette entspringenden Fliisse Dewol (Eordaicus) und Uzum oder Beratino (Apsus?)”; edhe f. 56.
26. Tozer, H.F.(1869). Vep. përm. f. 218.
27. Bevan, W. L., Smith, W. (1875). The Student’s Manual of Ancient Geography. John Murray, London, f. 674.
28. Mēliopoulos, I.P. (1894). Lexikon tourkoellēnikon: meta procheirou geōgraphikou lexikou. Constantinopol, f. 839.
29. Ami Boué (1854). Vep. përm. f. 31
E vleresoj punenen e vlefshme te autorit dhe analizen qe ka bere per kete teme shume interesante te gjetjes se rrenjes se emrit te sotem Berat. Une jam amator ne kete fushe por me lejon kultura ime si gjeolog (analiza e autorit dhe profesioni i gjeologut kane te perbashket interpretimin e fakteve)mendoj se megjthese pushtuesit kane bere emerimet e tyre te vendbanimeve (kete e shohim ne shume vend banime te tjera si Visoke, Novosele, Corrovode, Leshnice, etje) banoret i jane kthyer dhe kane perdorur emrin baze historik.
Pra emri Berat eshte vazhdimesia e Baraton. Une mbeshtes kete interpretim.
Me respekt
Gj.Kruja
Cleveland, OH