Para 35 vitesh shkrimtari, Ismail Kadare, ka në novelën “Kush e solli Doruntinën” ka realizuar një lundrim mistik, filozofik, antropologjik dhe madhështor për institucionin sakral të shqiptareve, “Besën”, më arkaik e më i thellë se vetë krishterimi
Nga Josif Papagjoni/
Ismail Kadare në novelën a romanin e tij “Kush e solli Doruntinën”, shkruar 35 vjet më parë, e ka parë mitin gjegjës të ringjalljes si një materie jo vetëm dhe përjashtimisht sakrale, me një “formulë” logjike të ndërlikuar, ku kuptimësia shpërfaqet në disa rrafshe e sërish ai, miti, mbetet i vetëmbyllur, si rubini brenda guaskës, thuajse hermetik, paçka se zgjidhja sakaq prej shkrimtarit është ofruar. Thuajse i vetëm asaj kohe, Kadare aplikonte poetikat dhe paradigmat letrare moderne (pse jo postmoderne), kur miti risemantizohet dhe në ashtën e tij mbivendosen domethënie të fundme. Afërmendsh se prej mendjes së tij cekej edhe “utopia” politike e kohës, pra Shqipëria e vetme, e kërcënuar nga armiqtë, kishte nevojë për një Besëlidhje mbarëkombëtare, njësoj si institucioni shpirtëror i shqiptarëve i Fjalës së Dhënë, lindur në mugujt e kohërave të mesjetës, më saktë diku në shekullin XII, kur edhe shfaqen arbërit dhe Arbëria në analet e historisë dhe kur dyndjet e fiseve barbare, sidomos sllavët, rrafshonin qytetet dhe tokat e tyre. Por Kadare, siç luante me metaforat dhe nënkuptimet, edhe në këtë novelë-roman nga e vogla shkonte tek e madhja, nga e njënjëshmja drejt të shumëfartës, rrjedhimisht duke i dhënë vetë legjendës dimensione e shtresime të ndryshme e kundërvënëse, falë një procesi përsiatës, zhbirilues dhe të arsyetuarit mbi lindjen e legjendës (apo mitit), për pasojë filozofimit.
I thashë këto, sepse në dramatizimin e novelës-roman të Kadaresë prej Laert Vasilit, vënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ideja bazike e cituar më sipër ishte e njëmendësuar si në pikëpamjen shkrimore, ashtu dhe atë teatrore. E pashë shfaqjen në Gjilan në kuadrin e “Flakës së Janarit”, ku zhvillohet festivali teatror mbarëkombëtar i dramës shqipe. M’u shkrydh mendja nga ai lundrim mistik, filozofik, antropologjik dhe madhështor i Kadaresë për institucionin sakral të shqiptareve, “Besën”, më arkaik e më i thellë se vetë krishterimi. Kjo ide sublime e mendjes së Kadaresë m’u duk se i qëndronte bukur dramatizimit të Laert Vasilit, i cili solli një befasi semantike (domethënieje) të porosisë së novelë-romanit. Regjisori bën një tejkalim të asaj, që shkrimtari ka artikuluar në fund të veprës së vet teksa konkludon se Besa është nevoja dhe thirrja legjitime e kohës për mbijetesë, identitet dhe rezistencë ndaj hordhive politike, antropologjike dhe shtetërore të popujve të tjerë që kishin bujtur kufijve të Arbrit, si gjasë pushtimi, shfarosjeje dhe gëlltitjeje. Përpos kësaj strukture mentale sociohistorike, dramatizuesi dhe regjisori na thotë se ardhja e Doruntinës nga dheu i largët i Bohemisë ku ajo ishte martuar mbetet edhe sot një enigmë rrëqethëse, andaj dhe pyetja se kush e solli atë te zonja Mëmë, i vëllai i vdekur “tre vjet pa tretur”, Kostandini, i cili kishte hapur varrin dhe kishte kalëruar për t’ia sjellë të ëmës, sipas fjalës që i pat dhënë, apo diçka përtej materies, përtej të mundurës, përtej vetë fuqisë së vdekjes (ndonëse Kostandini e sfidon vdekjen dhe del nga varri)? As vetë Besa, si kushtetutë morale e shqiptarëve, nuk shfaqet si argument fundor dhe e vërtetë absolute, tanimë e padyshimtë.
Madje-madje, edhe pse si dramatizues Laert Vasili lë të kuptohet se prurjen e Doruntinës e ka realizuar vetë kapiteni Stres, që dikur e ka dashur fort atë, si regjisor, ndoshta dhe padashje apo me intuitën dhe instinktin e tij artistik, ai na jep një zgjidhje të befasishme: Doruntinën e ka sjellë dashuria. Laerti që luan vetë kapiten Stresin, në mbyllje të shfaqjes, falë një mizanskene mbushur mallëngjim e lirizëm të ngrohtë, e merr për dore Doruntinën duke e sjellë drejt spektatorit, si një kumt përhirimi, si porosi sakrale, si virtyt, dëlirësi e pastërti shpirtërore, por dhe si një Kalorës bojar shqiptar, që me këtë akt duket se kryen një mision historik, ani pse i fshehtë, mbuluar nga tinguj koralë kishash e kambanash, mbetur në mister, si nënshtresë dhe magmë psikoetnologjike, aty ku bulëzon e vërteta dhe vetjakësia e kombit. Doruntinën e kthyer në metaforë, jo thjesht dhe përjashtimisht si Besë, shqiptarët pra do ta kërkojnë gjithmonë, sa herë që të kenë nevojë për kalime dhe transformime të mëdha historike. Kësisoj simboli i legjendës tejkalohet, miti risemantizohet: nga mit parak kthehet në mit letrar dhe teatror. Kjo është një gjetje të bukur regjisoriale, pa qenë më nevoja që simboli të identifikohet as te një personazh si kapiteni Stres apo akti i tij heroik e thuajse i pamundur me kuturisjen e jashtëzakonshme për ta sjellë Doruntinën në dheun e Arbrit, as te Kostandini i vdekur që ngrihet nga varri si bartësi i Besës, as te vetë Besa si institucion antropologjik tashmë e kthyer në nevojë dhe domosdoshmëri ekzistenciale, pra si ontologji e vetë qenies së shqiptarëve dhe si zanafillë identitare, gati etiologjike e tyre. Pikërisht mua kjo më goditi më shumë, sepse dua që koncepti dhe mendimi regjisorial të lundrojë me guxim përtej fanarëve të limituar të veprës dhe përfytyrimit të shkrimtarit.
Në dramatizimin e novelës “Kush e solli Doruntinën”, diku në fillimin e viteve ’80 nga Pirro Mani me regji të Fatos Haxhirajt i kushtohej vëmendje pikërisht shtresës politike të mitit, pra nevoja për përballimin e armikut të jashtëm, nevoja për besnikëri. Shqipëria e vetizoluar komuniste që shpikte armiq të paqenë doemos do ta shndërronte baladën në tapi ideologjike të sajën, duke i hequr nga trupi kuptime e versione të “papranueshme”. Përkundrazi, Laerti i ka dhënë frymë gjithë versioneve dhe gjasave të novelës, këtu edhe versionit të incestit midis Doruntinës dhe Kostandinit që ka, gjithsesi, një përligjje psikologjike, diçka humane që s’mund të përjashtohet, që është e ngjizur në komplekset e njeriut, të cekura qysh nga tragjedianët grekë dhe mitet e hershme, kur shoqëria njerëzore kalonte nga shkalla e barbarisë drejt shkallës së qytetarisë dhe ku endogamia nisi të përjashtohej në kurorat mbretërore për trashëgimin e pushtetit përmes martesave motër-vëlla. Sjellja e versioneve të ndryshme realizohet përmes dy kipcave, alteregove të vetë Stresit (luajnë Mimoza Marjanaku dhe Suela Bako), që krijojnë trysni në mendjen e tij të përnxitur, si në një gjendje jermi a ankthi, për të gjetur të vërtetën dhe për t’i dhënë shpjegim të fshehtës, të pamundurës dhe të paimagjinueshmes. Regjisori ka shfrytëzuar mirë ritualin fjalësor për të vënë në spikamë këtë apo atë ide, frazë, por që mund të rezervohej disi, pasi përsëritjet e shpeshta, edhe pse të mbajtura në një ritëm të lartë e në funksion zhbirilimi psikologjik të ndërdijes apo vetëdijes së Stresit, e humbasin fuqinë e befasisë skenike dhe shndërrohen në lëndë inerte. Veçse, nga ana tjetër, shestimi i këtyre versioneve ka ruajtur të pacenuar filozofimin që shkrimtari ka bërë përmes mitit, arsyetimin dhe thirrjen e logjikës në dobi të përligjjes së aktit të Kostandinit, duke e shndërruar materien mitike në materie morale dhe filozofike.
Shfaqja ka, së paku, tre “goditje” të bukura mizanskenike, ku vibron metafora, përjetimi i thellë aktorial dhe asociacioni teatror. E para, është ardhja e kryepeshkopit, i luajtur me një siguri e ndjeshmëri të brendshme nga aktori i njohur Bujar Lako, që e rriti së tepërmi nivelin dhe i dha konfliktit dimension thuajse kozmik për nga kuptimësia dhe filozofia. Autoriteti kishtar që ai përfaqësonte nuk mund të pranonte një pranëvënie midis ngritjes nga varri të Kostandinit dhe ringjalljes së Krishtit, ky i fundit si guri i themelit i doktrinës së krishterë, si prania e pakontestueshme e mrekullisë hyjnore që e bën Fjalën e Jezuit, më në fund, një Fe të re sunduese monoteiste, paçka se në tri njësi (Ati-Biri-Fryma e shenjtë), ku gjithë dyshimi dhe diskutimi mbi vërtetësinë e ndodhjes do të kthehej më tutje në blasfemi apo anatemë. Të parit iu deshën tre vjet për t’u ngritur nga varri, të dytit tre ditë. Të parin e ngjalli Ati-Zot, të dytin Besa, apo Fjala e Dhënë. Në fakt Fjala, në konceptin biblik, është Zoti, e paradhëna, parakja. Po Fjala e Dhënë te shqiptarët ç’është atëherë: Zoti apo diçka përtej tij? Ja, edhe këtu ne përsiatemi, sepse ftesa e regjisorit është pikërisht sfidante. Aktori B. Lako e zotëron skenën dhe e imponon me argument alternativën e tij, një logjikë thuajse masonike, porse nga ana tjetër, falë një sqime regjisoriale, mendja jonë ka qejf të shkojë në “dhera” të tjera. Feja e shqiptarit është shqiptaria, thoshte i ndrituri rilindës Pashko Vasa. Shqiptaria kuptohet dhe merr pra këtu atributet e Zotit. Laerti nuk na shpie enkas këtu, ani pse shtegu për të shëtitur kësaj ane është dhe mbetet i hapur. Ai na sjell, përkundrazi, te dashuria njerëzore dhe nëpërmjet saj te pranimi reciprok, te nevoja për kompromis, për njohje dhe rinjohje, për një Zot si Frymë dhe jo për një Zot mercenar, që kthehet në doktrinë, në dogmë, në luftë, rrjedhimisht në përjashtimin e tjetrit. Ky është në fakt një laicizëm i fshehur, gjithashtu një kriptokristianizëm ose më saktë një kriptoreligjion i ri, ku Dashuria bëhet guri i Kishës së Re të popujve, të një qytetarie të re. Është një ide e bukur!…
Episodi i dytë ku shfaqja rritet është ai me mashtruesin, i cili luhet me një konkretësi, realizëm dhe hir skenik të veçantë nga aktori i mirënjohur Viktor Zhusti. Akti i jashtëzakonshëm dhe i pamundur i sjelljes së Doruntinës nga vëllai i vdekur rreket të rëndomtësohet, duke u shndërruar në një akt thjesht erotik; ai ndotet qëllimisht, ndoshta nga kleri i kompromentuar si pushtet politik, për t’u zhvlerësuar pikërisht si frymë (si thashethemnajë!!!). Aktori luan me disa plane, por dueti thuajse koreografik me Doruntinën, duke alternuar veprimin e drejtpërdrejtë si rol me veprimin e alternuar narrativ si rrëfyes i ngjarjes, me hyrje dhe daljet e atypëratyshme nga figura dhe vetja, ishte brilant. Fuqinë dhe tragjicitetin e shfaqjes e rriti në mënyrë të ndjeshme edhe loja e doajenes së teatrit shqiptar Margarita Xhepa në rolin e zonjës Mëmë. Dhimbja e saj, ofshama, përjetimi dramatik, klithma dhe mallkimi apokaliptik (si mallkimet e Shën Gjonit), fjala e bukur shqipe në gojën e saj e lartësuan skenën. Episodi i tretë ishte fundi i shfaqjes, një fund i bukur, mallëngjyes: ardhja e Doruntinës si një nuse dhe kumt mesianik njëherit, prania e kryepeshkopit si metafora e pranimit dhe bekimit të saj, Stresi si bartësi i porosisë sakrale dhe etnologjike, por edhe si mbrojtësi i dashurisë, të gjitha këto krijuan një mizanskenë domethënëse e shumëplanëshe.
Përveç tre aktorëve të “vjetër” që përmenda më lart, dua të vlerësoj tani një aktore të re, që luajti Doruntinën: Luljeta Hoxhën. Një aktore që premton, luan mirë në partin e dramatikes, madje edhe të tragjikes, nuk e bërtet ndjenjën por as nuk e fashit atë. Ka hir në skenë, ka thellësi përjetimi, ka energji psikike të mirëadministruara, por vende-vende duhet të bëjë kujdes që fjala, në çastet e piskamave dhe vrullimeve psikike të vijë më e plotë, pa u mbytur nga ofshama. Sepse ja që arti i aktorit fjalën e ka parësore, si ligjërimi në një meshë. Një interpretim në tone të forta dramatike na dha Eralda Çaushi në rolin e të shoqes së Stresit me dyshimin dhe xhelozinë e saj njëkohësisht. Sa i përket Laert Vasilit, i cili luajti rolin kryesor, atë të kapiten Stresit, ai i kushtoi kah, vëmendje dhe ton gati sundues, të thukët, aspektit të brendshëm psikik të personazhit të pushtuar nga jermi, ëndrrat e liga, dyshimet, fanitjet, një mendje e traumatizuar që vuan misterin. Por i zotëruar prej kësaj kahje, jo rrallë ai harron ose anashkalon pjesën e kthjelltësisë dhe të arsyetimit që Stresi i bën situatës dhe ngjarjes së ndodhur, madje gjer edhe aspektit hetimor e vërtetues në raport me personazhet e tjerë. Besoj se një “qetësim” i kllapive apo stresit, edhe pse vetë emrin ai e ka Stres, do t’i bënte mirë jo thjesht lojës së tij, por edhe ekuilibrit ideor të shfaqjes, pranisë së përsiatjes dhe arsyetimit, alegorisë aq ai përcjell. Sepse ky fisnik shqiptar nuk është vetëm dashnori i mundshëm e i përvuajtur, as vetëm oficeri i përgjegjshëm që kërkon ta zgjidhë vetë “nyjën gordiane” të sjelljes së Doruntinës, ca më pak frikacaku nga ndëshkimi i kishës, por edhe bartësi i gjithë asaj filozofie që përvijohet butë-butë e derdhet në një logjikë të rreptë në krejt precedeun rrëfimor të romanit.
Shfaqja ishte totale dhe funksionale në gjithë komponentët e saj. Dekori i punuar nga Stela Laknori, ndonëse i thjeshtë, me ato perde plasmasi, ndriçimin e lokalizuar dhe trajtimin ngjyror të tij, krijoi iluzionin e përrallës, legjendës dhe mitit, duke e ndarë dysh: realen nga ëndrra apo përfytyrimi, të gjallën nga e vdekura, fanitjen nga e njëmendta. Edhe kostumet e punuara po nga S. Laknori qenë interesante, posaçërisht kostumi i kryepeshkopit, ai i Stresit në kuq e zi, por kostumet e dy kipcave a vetjeve të dyta të Stresit nuk m’u dukën të qëlluara, paçka se edhe ato kuq e zi qenë, por të stilizuara keq. Një veshje e hirshme gruaje e asaj kohe, stilime të modelit fustanor arbëror, do ta rrisnin edhe më shumë efektin. Më la mbresë muzika e zgjedhur nga Ambra Marjanaku, nis me një tel violine dhe instrumentisten hipur në skenë, le ta dekodojmë këtë si dhimbja e një nëne me 9 djemtë e vrarë dhe vajzën e vetme martuar larg në viset e Bohemisë, dhe në fund shpërthen një simfoni mbushur dëng e madhërishëm me korin kishtar që pushton sallën, me lutjen “Spiritus Santus”, ku dimensioni i mesazhit regjisorial dhe Besës si pakt moral shenjtërohet, rritet e rritet e shndërrohet në Frymë.
Më vjen fort mirë që kjo shfaqje i qasej me elegancë e mençuri të madhit të letrave shqipe, Kadaresë. Miti i ringjalljes dhe i Fjalës së Dhënë mbetet i pacenuar, një riciklim i asaj që nuk shuhet, me pak purpur mistik përsipër. Kush e solli Doruntinën ndër shqiptarët? Nevoja për të përballuar pushtimet, vetmia, malli, Besa si “fe e re” dhe pakt ndërshqiptar, vetëdija morale? Apo mos ndoshta Dashuria? Le ta zgjidhë mendja e gjithkujt, mjaft që ky institucion sakral ka qenë, është e lipset të jetë mes nesh – kjo ishte oferta e mendimit regjisorial. Pra miti nuk vdes, nuk tejkalohet, ai mbetet sërish aty, midis nesh, në qenësinë dhe vetëdijen tonë, ani pse një zgjidhje dhe shpjegim i tij sidoqoftë na jepet.
Sali Bollati says
Ismail Kadarea I Madhi I Shqiperise Atdhetare e te Kulturuar. Me Ndjenje te Thelle dhe me nje Pershkrim te Persosur, ai na ka bere te njohim Kombin Tone me Krenari. Dhe keto Pershkrime ja ka bere te njohur edhe Botes Mbare
Ne parathenien e Vellimit “Kenge Popullore nga Çameria” mbledhur dhe pergatitur nga I Paharruari Fatos Mero Rrapaj me 1984, I.Kadarea nenvizon:
“Me kete veper perpara lexuesit tone vizatohet e plote fuqia kolektive e nje popullesie heroike, te talentuar, jashtezakonisht vitale,te zgjuar, active, plot kolorit. Si nje tregues I sakte libri jep boten e brendshme te Çameve, jeten e tyre te perditshme dhe ditet etyre te jashtezakonshme, gezimet dhe hidherimet etyre, filozofine, shpresat dhe kroniken e zakonshme, lufterat, vuajtjet dhe se fundi tragjedine tyre te dhimbshme: debimin nga Trojet e tyre. Ato Troje ata I kane kenduar, permendur, e pershkruar ne vjershat e baladat e tyre me nje relief te habitshem.”