Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar sot Partinë Socialiste se ka shkatërruar me paratë e mafias zgjedhjet në Korçë.
Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se blerja e votave tregoi edhe metodën që është ndjekur nga Partia Socialiste edhe në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit.
“Partia Socialiste e Edi Ramës damkosi dhe shkatërroi me paratë e pista zgjedhjet e së dielës në qytetin e Korçës. Banda e kapur nga kamerat dhe simotrat e saj të vendosura në pika të ndyshme të qytetit për të blerë vota, për të blerë abstenimin e zgjedhësve të supozuar si kundërshtarë të Partisë Socialiste dhe për të ushtruar presion mbi zgjedhësit në përgjithësi, e ushtruan veprimtarinë e tyre kriminale nën hundën dhe me bekimin e Edi Ramës dhe mbarë kupolës së qeveritarëve dhe mercenarëve të tyre që kishin zbarkuar në Korçë dy ditë me radhë për të drejtuar dhe siguruar operacionin e manipulimit të zgjedhjeve me metodën e tyre perverse dhe kriminale të blerjes së votës. Në Korçë Rama dhe të tijtë bënë të dielën një provë të përqendruar të kësaj metode të përdorur edhe në zgjedhjet politike të 23 qershorit, me planin për ta përdorur gjerësisht në zgjedhjet e ardhshme. Ky është shpjegimi i arbitraritet dhe paligjshmërisë që po ngrenë me shpejtësi në sistem në qeverisjen e tyre: eliminimi i zgjedhjeve të lira, eliminimi nëpërmjet blerjes së votës i gjykimit të drejtë popullor” tha Basha.
Duke përsëritur kërkesën për hetim të plotë deri në fund të krimit të blerjes së votës në Korçë ka deklaruar se PD-ja ka gati kerkesën për anulimin e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre sipas ligjit.
“I kërkojmë prokurorisë që në mënyrë urgjente të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korcë. Te kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat në shkëmbim të parave por mbi të gjitha te organizatorëve që perdoren para te mafias për të blerë pushtetin e bashkisë së Korçës. Ky hetim duhet domosdoshmërisht të shtrihet tek burimet e financimit, ku u gjetën paratë, si u transferuan, kush janë financuesit e këtij krimi që tronditi shqiptarët. Vetëm hetimi i plote i këtij krimi dhe parave të krimit do e bëjë të besueshëm këtë proces. Kemi përgatitur dhe do të zyrtarizojmë kërkesën për anullimin e zgjedhjeve botërisht të manipuluara të së dielës në Korçë, dhe krijimin e kushteve për përsëritjen e tyre në një kohë të përshtatshme, me garancitë e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese” tha Basha.
Blerja e votës në Korçë, Prokuroria nis hetimet. Reagon PS: Studentët antarë të FRESSH-it
Prokuroria e Korçës ka regjistruar procedimin penal për “dhënie shpërblimi dhe premtimeve”, pas pamjeve filmike të transmetuara dje, ku disa shtetas dyshohet se jepnin para në këmbim të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Korçë.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë do të shfrytëzojë materialin e prezantuar gjatë emisionit, si edhe do të kryejë hetimet lidhur me personat e përfshirë në këtë veprimtari, të dyshuar si kundërvajtje penale.
Në bazë të nenit 328 të Kodit Penal, “ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale…për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet…”
PS në Korçë: Studentët janë anëtar të FRESSH-it, u janë paguar shpenzimet
Ndërkohë në lidhje me akuzat për blerje vote ka reaguar edhe dega e PS në Korçë.
Në një prononcim për mediat, kreu i saj Ilir Pendavinji ka theksuar se studentëve u janë paguar shpenzimet dhe nuk u është blerë vota.
“Nuk është e vërtetë që PS ka blerë vota gjatë zgjedhjeve të së dielës. Studentët janë të Partisë Socialiste dhe të FRESSH-it të cilëv e u janë paguar shpenzimet e udhëtimit nga Tirana” ka theksuar Ilir Pendavinji.
PD kërkon anulimin e zgjedhjeve
Një ditë më parë, Partia Demokratike kërkoi anullimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Korçës si dhe hetim të gjithanshëm nga Prokuroria.
“PD i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, të sekuestroje të gjithë dokumentacionin që u pa nga të gjithë shqiptarët, dhe të kërkojë ndëshkimin më të ashpër ndaj të gjithë organizatorëve. PD kërkon anullimin e zgjedhjeve në Korçë, me kusht që të afrohen garanci nga vëzhguesit” deklaroi dje ish-ministri i drejtësisë Eduard Halimi.
Ditën e djeshme në një emision investigativ u publikuan pamjet ku studentët merrin 2 mijë lekë të reja në këmbim të votës për kandidatin e majtë, Sotiraq Filo.
Zgjedhjet për bashkinë e Korçës u zhvilluan ditën e dielë ku kandidati I majtë Sotiraq Filoi mori 15953 vota, kundrejt 5283 vota të rivalit të tij Sotiraq Stratobërdha.