PRISHTINË, 5 Qershor 2024-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Prishtina përsëri kryeqytet libri mirëpriti botuesit e botës shqiptare në edicionin e 24-të të Panairit të librit në 25 vjetorin e lirisë së Kosovës.
Nën moton “Përgjigjja është libri”, Panairi i hapur sot mbahet nga 5 deri në 9 Qershor 2024 në ambientet e Pallatit të Rinisë organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës e Drejtoria e Kulturës e Kryeqytetit – Prishtinës.
Para 25 viteve, menjëherë pas luftës në Kosovë nga 17 deri 22 Nëntor 1999, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.