
Shqetësim i Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA.
Pamjet e raportuara nëpër rrjetet sociale, ku gjatë protestës në Tiranë mes britmave rrëmbehet me forcë nga individë të paidentifikuar një vajzë e re, futet me dhunë në një furgon pa identifikim të qartë zyrtar dhe largohet në destinacion të paditur, kanë tronditur gjithë opinionin publik.
Është e kuptueshme shqetësimi ndaj çdo ngjarjeje që përfshin dhunë, cenim të të drejtave të njeriut apo veprime që tejkalojnë kornizën ligjore, duke përfshirë edhe indinjatën e organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA. Shoqërimi i qytetarëve nga persona pa uniformë dhe të pa identifikuar si punonjës policie, dhe përdorimi i automjeteve të paidentifikuara, krijon pasiguri të thellë te qytetarët.
Si gra, si nëna ngremë zërin tonë ndaj këtyre akteve barbare ndodhura në mes të kryeqytetit shqiptar. Pamje të këtij lloji ngrenë me të drejtë shqetësim të madh për sigurinë e shoqërisë sonë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e lirive themelore. Çdo veprim i forcave të rendit ose i organeve ligjzbatuese duhet të bëhet në përputhje të plotë me ligjin, duke respektuar të drejtat e njeriut, procedurat e qarta të ndalimit dhe identifikimin e zyrtarëve.
Veprimet si përdorimi i automjeteve pa dokumente të qarkullimit ligjor apo ndalimet e dhunshme pa identifikim duhet të sqarohen me urgjencë nga autoritetet përkatëse, policia e shtetit, prokuroria dhe Avokati i Popullit, si dhe organizatave për të drejtat e njeriut. Dhuna, qoftë ndaj protestuesve, qoftë ndaj institucioneve apo pronës publike e private, dëmton proceset demokratike dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.
Këto skena horror të regjistruara gjatë protestave në kryeqytet kanë rindezur një debat të fortë mbi kufijtë e organeve ligjzbatuese. Pamjet e publikuara, ku një vajzë e re shoqërohet me forcë nga persona me veshje civile dhe futet në një automjet pa targa zyrtare mes klithmave dhe reagimit të qytetarëve, kanë shkaktuar reagime të forta shqetësimi edhe tek ne, opinionin e gjerë shqiptar e më tej.
Nëse këto procedura anashkalohen ose nuk sqarohen publikisht, besimi i publikut te institucionet e rendit minohet seriozisht. Ngjarje të tilla nuk mund të shihen të shkëputura nga kuadri ligjor, pasi dënimi i çdo forme dhune është një parakusht për mbarëvajtjen e shoqërisë. Nga njëra anë, shkatërrimi i pronës publike apo private dhe përshkallëzimi i dhunës gjatë protestave dëmton shkakun e të drejtave qytetare dhe cenon sigurinë e përgjithshme.