Arben Iliazi/
Përvjetoret e shkrimtarëve janë seanca spiritizmi, ku shpirti i të ikurve vjen në përmjet kujtesës, duke qenë element substancial i saj. Më 2 dhjetor mbushen 18 vjet që shkrimtari i shquar Qamil Buxheli komunikon me të gjallët, qoftë për të verifikuar testamentin e tij letrar, qoftë për të parë atë që nuk mundi ta shihte në të gjallë. Kjo është një e vërtetë që u përket shkrimtarëve të vërtetë. Vdekëtarët e rëndomtë, po të perifrazonim Homerin, nuk mund të luajnë rolin e pasvdekjes. Vdektarët e pazakontë si Qamil Buxheli patjetër mund ta luajnë.
Të shkruash për Qamil Buxhelin është një sipërmarrje e vështirë dhe me risk, pasi pesha specifike e tij është e madhe. Qamil Buxheli është një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, vepra e të cilit, ndonëse e shkruar në shekullin e XX-të, ka fituar vlera të përjetshme në historinë e letërsisë shqipe. Prodhimi letrar i Qamil Buxhelit është i madh. Krijimtaria e tij letrare është shumë e hershme dhe shumëdimensionale, në aspektin e gjinive letrare. Ai ka dhënë kontribut në të gjitha gjinitë letrare, në epikë, humor e satirë, lirikë, dramatikë e publicistikë. Qamil Buxheli është mjeshtër i fjalës së shkruar, por është edhe nxitës për të parë dritën në fytyrën e njëri – tjetrit. Ky shkrimtar përherë mëton të na kumtojë se të keqen e kemi në mesin tonë. Vepra e tij, po të lexohet me kujdes, na tregon rrugën, por jo me patetizëm e partishmëri.
“Buxheli përfaqësonte shtyllën më solide të satirës në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi. Nga një anëtar potencial për Byronë Politike, ai shkelmoi të gjitha ambiciet komuniste dhe iu fal shkrimtarisë të humorit, asaj zeje shpesh të përbuzur, por të shëndetshme që mban gjallë prushin e jetës”, shkruan shkruan regjisori dhe dramaturgu i shquar Pë llumb Kulla. (P. Kulla: Një shkrimtar si Qamil Buxheli, Gazeta Tema 19 janar 2024).
Kundruar sipas veprimtarisë letrare mund të themi se personaliteti letar i Qamil Buxhelit është ndërtuar në tri periudha. Pra Buxheli është krijues i tri periudhave letrare historike, apo i tri sistemeve politikë, historikë e socialë, dhe të githë sistemeve u ka qëndruar stoik. “Qamili u lind më 8 shkurt 1924 në Pandalejmon, një fshat ky piktoresk majë kodre, me Butrintin në horizont, që të ngjan si një lloj porte për të hyrë pastaj në gjerdanin e universit të Çamërisë, të shtrirë mes malit e detit, me shumë fshatra e qytete, që vazhdojnë me bukuri të rrallë, deri tutje në Artë e Prevezë, përkëtej e matanë kufirit politik të Shqipërisë. Kjo trevë e bekuar për nga natyra, e begatë, me histori lokale dhe kombëtare, ishte vendlindja biologjike, por edhe tërheqja e fortë shpirtërore, që nuk njohu mbarim për shkrimtarin, ku e lidhnin kujtimet e të gjallëve dhe të ikurve, gëzimet dhe dramat, endërrat dhe zhgënjimet”…, shkruan Prof. Ymer Çiraku. (Y. Çiraku, gazeta Dita, 29 janar 2024: Shkrimtari i shquar humorist Qamil Buxheli)
Fillimisht Buxheli mendonte se ishte një politikan, një reformator social, që u radhit në luftë në moshë rinore, së bashku me vëllezërit dhe motrat e tij. U angazhua si pjesë e rinisë komuniste në jetën politike të kohës gjatë shkurtit 1942 – prill 1943. Më 16 prill doli partizan, ndërsa në korrik 1944 ishte komisar politik i Çetës së Rinisë, prefektura Gjirokastër. Sekretar organizativ i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste Gjirokastër 1944-1945, anëtar e sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste etj. Po në atë vit, 1944, plagoset në një pritë nga zervistët grekë. Ndërsa në vitin 1947 e përjashtuan nga PPSH.
Që në luftë Buxheli nisi të shkruante vjersha, por edhe përralla, të cilat vetë autori i kujtonte me nostalgji. Qysh në vjershat dhe elegjitë e para u dukën shkëndijat e talentit që po vinte, një talent jo si të tjerët. Fatet e shokëve të tij të luftës ishin të jashtëzakonshme, të pabesueshme. Lufta ishte “Ferrparajsa” e Qamil Buxhelit, që do t’i jepte brumin për shumë vepra.
Në vitet e hershme të rinisë, kur ishte 18 vjeç, si pjesëmarrës i betejave të Mezhgoranit, ka shkruar poezi me figuracion të pasur, siç është ajo kushtuar Asim Zenelit (korrik 1943), e cila u bë këngë me titull “Një zë po del nga Gryk’e Mezhgoranit”, dhe “Kënga e Ali Demit” (1944).
Me një jetë jo egoiste dhe të pastër, në vitet pas çlirimit të vendit, Q. Buxheli ishte i gatshëm për të sakrifikuar në rrugën e letërsisë, duke hequr dorë nga politika. Në vitin 1955 shkoi për studime letrare në Moskë, të cilat i përfundoi në Institutin e Lartë Letrar “Maksim Gorki” në vitin 1960. Gjatë studimeve në “Gorki”, megjithë sprovat e sukseshmë në publicistikë, ai po rendëte i dalldisur drejt satirës dhe humorit. Pas kthimit në Shqipëri në vitet e para merret me publicistikë si redaktor i “Zërit të Popullit”, kryeredaktor i “Zërit të Rinisë”, kryeredaktor i revistës “Ylli”. Nuk i interesonin postet shtetërore e politike.
“Punët e politikës janë si ato të femrave. Femra ose të jepet shpejt, ose merret nëpër këmbë, ose braktiset po aq shpejt”, do të shkruante Buxheli pak vite më vonë. Xhorxh Oruelli ka thënë se: “një shkrimtar s’mund të jetë anëtar besnik i një partie politike”. Buxheli nuk mund të bëhej një funksionar i lartë regjimi. Ishte tjetër brume. Tjetër materie. Ishte në lidhje dashurie me fantazinë, me trillin, ishte dashuruar me letërsinë deri në vdekje. Tallej me gënjeshtrën dhe ngadhënjeu mbi të me buzëqeshjen e tij. Po të perifrazonim akademikun dhe filozofin e shquar italian Umberto Eko (1932-2016), mund të shpreheshim se: “Arti i tij kishte pushtetin për ta bërë të dashur shëmtinë”. Prof. Ymer Çiraku, shkruan: “Q. Buxheli bën pjesë ndër ata intelektualë, i cili, mes karrierës zyrtare (që e kishte të ofruar në nivelet më të larta të kohës) dhe misionit letrar, pa mëdyshje, iu përkushtua tërësisht këtij të fundit, i cili, dihet se aso kohe, përcillej edhe me mjaft konseguenca, po të kemi parasysh se çdo shkrimtari i kërkohej ta realizonte veprën e tij sipas klisheve të realizmit socialist. Madje në letërsi, ai iu përkushtua specifikisht zhanrit të humorit dhe satirës, që përbën një vështirësi më vete suplementare.”
Krijimtaria letrare e Buxhelit pas luftës fillon me një vëllim përshtypjsh udhëtimi, “Në Kinën e popullit” (1949). Por fantazia e tij nuk kishte cak. Pasi kish kaluar provat tragjike të jetës, epizmin e luftës, hipokrizinë e idealeve e doktrinave, ju afrua portave të rënda të satirës dhe humorit me natyrshmëri dhe sinqeritet, duke shpërfillur peshën e rrezikut. Në vitin 1960 mbrojti diplomën me romanin “Kali i mbretit dhe kalorës të rinj”, i cili u botua me rekomandim të Komisionit Shtetëror të provimeve.
“Kali i mbretit dhe kalorës të rinj”, kjo vepër e rinisë së hershme të autorit, që vezullon me një bukuri të tejdukshme, ishte preludi i asaj që do të vinte më pas. “S’ka nevojë të pish tërë fuçinë që të marrësh vesh se ç’verë është” – shkruan autori. “Kali i mbretit dhe kalorës të rinj” është konsideruar si portret i jashtëzakonshëm real i jetës provinciale shqiptare, vulgaritetit dhe madhështisë boshe, si satirë e pamëshirshme e zyrtarëve mehmurë, të korruptuar e mendjeshkurtër të një province, duke i gërshetuar me ngjyrime sa apokaliptike aq dhe absurde. “- Ç’zanat ke? -Tani partizan. Bam këtu, e bam atje…”. Studiuesi i njohur prof. Josif Papagjoni, shkruan: “Mbaj mend se kur kam lexuar librin e tij me tregime “Një ndodhi në plazh”, (1962) apo novelën tjetër “Komandanti dhe ushtari”, (1968), qeshja me vete rrugëve si budalla, kaq të forta ishin mbresat e ndodhive dhe personazheve të tij në atë plazh ku shkonin mijëra vetë, të veshur e të zhveshur (sigurisht plazhi i Durrësit). Një galeri e vërtetë karakteresh, ku humori lëvizte aq bukur në shpengimin e vet, te fjalët dhe dialogët humoristikë, te situatat e krijuara, me njerëz nopranë e të çuditshëm, snobë dhe të paditur, zyrtarë me huqe e katundarë me një thes turpesh e paragjykimesh. I gjithë ky vëllim ka në thep të hostenit një shoqëri dhe një Shqipëri që ecte jo pa vështirësi në rrugën e kulturimit të saj, një Shqipëri ende e vjetër, ende fshatarake, ende nën trysninë e normave mesjetare të trashëgueshme”. (Josif Papagjoni : Qamil Buxheli, më e bukura mendje e humorit, Ex libris, 29 janar 2024).
Më vonë pasuan veprat: “Tregime humoristike”, 1962, “Varka e të dymbëdhjetëve” (1964),“Rrugë të tërthorta”, dramë 1966, “Komandanti dhe ushtari”, novelë 1968, “Stafeta e kuqe”, 1969, “Faraonë dhe firaunë”, tregime humoristike, 1969, “Dueli”, dramë 1963, “Kur qesh tërë qyteti”, roman humoristik, 1970, “ I pazëvëndësueshmi”, komedi, 1972, “Pjesë të zgjedhura”, 1972, “Karriera e zotit Maksut”, roman satirik, “Kameleoni në hall”, 1978, “Perënditë bien nga fiku”, 1979, “Abeli, unë dhe Paganini”, Satirë humor 1984, “Maratona e vdekjes”, roman 1983, “Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash”, 1997. “Nusja nga Europa”, 2002. “Amanetet e Kasandrës”(2004).
Buxheli qëndroi në xhunglën e realizmit socialist si një martir, si Humori i tij ishte kurora e artë, e praruar, rrezatuese, e epokës së hirtë, me vulgaritetin dhe skamjen e përditshme, të zhytura në hipertrofi kronike.
Duket sikur krijimtaria, gjith jeta e tij, është një betejë për fjalën e lirë. Ai nuk jetoi për opinionin e tjerëve, ndryshe do ishte i vdekur përjetësisht dhe askush nuk do kujtohej për të. Buxheli në asnjë rast nuk i ndrydhi apo kontrolloi ndjenjat dhe fantazinë e tij, duke i lënë të zhvilloheshin të lira në tekat e tyre. Me veprat e tij ai u jepte njerëzve një shpresë…Lum ai që kishte gjith ata armiq, se ndryshe nuk mund ta dimë a do ta kuptonte vlerën e vetes. Buxheli ishte një antikonformist i lindur, i dhembshur, njerëzor, i thjeshtë. Tallej me euforinë, krenarinë boshe dhe fodullëkun e zyrtarëve të çdo rrangu. Nuk kishte asnjë detyrim për të qenë konformist e lajkatar i regjimit.
Buxheli erdhi me furi si një shkrimtar novator, atipik, i kulturuar, sqimatar dhe popullor, dhe kurrë nuk u përpoq të bënte moral me krijimet e tij. Nuk i ndau kurrë idetë nga vlerat, duke sjellë një formë mendore të veprimit. Të gjitha mjetet letrare i vuri në punë me nikoqirllëk në laboratorin krijues, me një pikëpamje të qartë mbi vendin e tij midis vlerave modeste të letërsisë. E vuri talentin e tij në shërbim të morfologjisë shoqërore, të aspekteve të jetës shoqërore që i kundërviheshin njëri-tjetrit, duke bërë qartë dallimin mes subjektit dhe objektit.
Në humorin dhe satirën e Buxhelit miti ia ka dorëzuar armët arsyes dhe kjo ngjarje do të shënonte fillimin e letërsisë moderne satirike në Shqipëri, duke e futur individin brenda botës shoqërore ku jetonte.
“Ai ishte vërtet një figurë e pazakontë e humorit dhe satirës, më i miri prej nesh – tregonte Dritëro Agolli – një vesvesli i pashoq që gjithmonë hapte telashe. Me një stil të shkëlqyer sfidant e përbuzës, ironik deri në sarkazëm, polemist i pashoq, sarkazma e tij ishte një dush i ftohtë për regjimin, kundër cinizmit të gjyqtarëve dhe burokracisë shtetërore. Ai kishte një tallje therëse, plagosëse, që të trulloste duke qeshur”.
Përtej euforisë dhe vetëlëvdatave, me të cilat merreshin një aradhë e tërë shkrimtarësh shqiptarë, Buxheli vërejti një tjetër realitet të trishtë, dhe iu qas me ndjeshmëri e dhimbje, si rrallëkush deri atherë. Iu qas me idealizëm, për të rregulluar diçka, jo me mburrje e poza e ndjenjë madhështie.
Ai popullonte me personazhe tronditës hapësirën e humorit dhe satirës, me një guxim prej të marri, sa shpesh njerëzve të udhëheqjes u ngriheshin leshrat e kokës përpjetë. Personazhet e tij ishin magjepsës, të çuditshëm. Sa realistë, aq dhe groteskë, të gdhendura nga një dorë mjeshtri. Ai krijoi mitin e njeriut të veçantë shqiptar, duke ndriçuar anë të ndryshme të karakterit të tij.
I bindur dhe i ndërgjegjshëm për artin e tij, Qamil Buxheli nuk u bë kurrë një shkrimtar i parapëlqyer i regjimit. Talenti nuk e lejonte të bëhej një “guru” i socrealizmit, megjithëse mori goditjet e para. Satira e ka një mënyrë për t’i vënë përdoruesit e saj në skajin e politikës, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën.
Kësisoj Buxheli ka jetuar gjithmonë në pragun e rreziqeve. Në pushtetin komunist kontrollohej çdo veprimtari shoqërore, e në veçanti aktivitet e shkrimtarëve dhe intelektualëve, sepse ata përbënin rrezikun më të madh për sistemin socialist.
Satira , në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër, do ta vinte përdoruesit e saj Qamil Buxhelin, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën.
“Pushteti totalitar në filozofinë e vet, e refuzonte oponencën, ose e pranonte atë vetëm si lustër demagogjike dhe të orientuar. Vitet që erdhën më pas, treguan pikërisht se shkrimtari, pati jo pak konseguenca, që u shfaqën me heqje veprash të tij nga qarkullimi, me kritika në forumet e larta partiake të kohës, me shkarkime nga funksione zyrtare, e deri dy herë largime nga vendbanimi në Tiranë”, shkruan Prof. Ymer Çiraku .
Në ndeshjen shekullore mes satiristëve dhe politikës amorale, dihet se kush fiton. Në komunizëm ironitë nuk janë të lehta. Njerëzit e klikës elitare komuniste (të njohur për mungesë humori) nuk e duronin dot talljen me fenomenet që vetë ata i kishin prodhuar.
Lloji i satirës buxheliane në një Shqipëri distopike dhe të dhunshme, ku ironitë dhe sarkazmat nuk ishin të lehta, padyshim do i zemëronte autokratët politikë, por duhet thënë se është fat që mbeti gjallë e shëndosh e mirë.
Megjithëse ai u përpoq që ta shmangte censurën, duke gjetur mënyra indirekte për të kritikuar fenomenet sociale, politikën dhe shoqërinë shqiptare, rrallë ia doli, pasi stili i tij ishte eksperimental dhe absurd.
Buxheli krijoi kundërshtarë shumë të mëdhenj, por megjithatë ai vazhdoi të shkruante. Askush nuk e merrte me mend se ky shkrimtar i zakonshëm, me një qësëndi të ngecur në cepin e buzës, do të zinte vend nderi në letërsinë shqipe, kur horizonti i letërsisë ishte mjaft i vrenjtur. Diktatura mund ta kishte futur edhe në burg, por nuk e bëri këtë gabim, se do do të rezultonte fatal karshi opinionit publik, për një shkrimtar kaq popullor e të dashur. Kësisoj diktatura zgjodhi t’i heqë kurajon krijuese.
Por u gabuan. Buxhelit nuk ia hoqën dot nga koka kurorën si patriark i humorit dhe satirës shqiptare. Ai kishte llogaritur çdo gjë. Edhe sikur të ishte në rrethin e fundit të Ferrit. Gjersa e lanë gjallë ai do të jetonte, bashkë me krijimtarinë e tij.
Qamili ishte një nga shkrimtarët e lënë në hije që nuk pushoi kurrë së shkruari dhe ëndërruari. Pikërisht te ëndërrimi ishte liria e tij. Kështu përsosi stilin e tij të bukur, pasuroi gjuhën, duke bërë një letërsi të një lloji tjetër, sa hijerëndë, aq dhe të bukur e të hijshme, duke i dhënë risi e dimension të ri klimës letrare të kohës. Shkrimtari Vangjush Saro, i cili e ka njohur mirë këtë realitet, shprehet: “Buxheli ishte Gjenerali i humorit shqiptar, megjithëse u përpoqin t’i hiqnin gradat. Të flasësh për humorin dhe satirën shqiptare nuk ka se si të mos përmendësh yllin e satirës shqiptare në disa dhjetëvjeçarë, Qamil Buxhelin. Vlera e krijuesve të humorit qëndron te mbajtja gjallë e flakës së revoltës, që mbron moralin përmes satirës…”
Krijimtaria e Qamil Buxhelit ishte evropiane dhe homogjene. Ai ishte vendimmarrës në fatin e letërsisë që do të krijonte. Zot i vlerave të tij letrare, pavarësisht nga furtunat ideologjike që u ngritën para tij. Punonte ditë e natë për të gdhendur karakteristikat e personazheve të tij, me seriozitet e përkushtim, i lirë dhe shkumëzues, pavarësisht nga kritikat e mediokërve anonimë.
E gjith jeta e tij ka qenë një dedikim i plotë ndaj letërsisë dhe së vërtetës. Ishte shembulli i shkrimtarit që sakrifikoi gjith jetën për të modernizuar humorin shqiptar dhe për t’i dhënë atij një dimension tjetër, si dhe për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të gjente udhën e lartësimit shpirtëror dhe ringritjen morale.
Buxheli ka ndjekur me vëmendje të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet sociale shqiptare të kohës së tij, duke zbuluar elementet universale të shoqërisë, e prandaj, vepra e tij u flet edhe lexuesëve të sotëm si një e dhënë faktike. Në ditët e sotme shkruhet shumë pak letërsi e zejes së humorit e satirës. Edhe ajo që shkruhet është e një cilësie mjaft të dobët. Po të perifrazonim veprën e Buxhelit “Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash” (Tiranë , 1997), mund të shpreheshim: Buxhelë nuk kemi, humoristë sa të duash!