Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi e cilësoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lejimin e komisionit hetimor për skandalin e serverit të tatimeve, si fitore të parlamentarizmit.
Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi u shpreh se, “Sot, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e saj unanim me të cilin shpall si antikushtetues vendimin e Kuvendit për t’i mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për hetim në skandalin e ndërhyrjes së paligjshme në serverat e tatimeve dhe vjedhjes dhe fshirjes se miliona të dhënave konfidenciale të bizneseve dhe qytetarëve të vendit. Edi Rama dhe Ilir Meta, të terrorizuar nga dalja në dritë e këtij skandali, urdhëruan bllokimin nga Kuvendi me forcën e kartonave, të hetimit të tij”.
Sipas tij, “me këtë vendim Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi një të drejtë kushtetuese të opozitës. Kjo është një fitore e madhe e parlamentarizmit në Shqipëri, dhe e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, veçanërisht kontrollit nga opozita”.
Sipas Bylykbashit, “ndërhyrja e paligjshme e njerëzve të besuar të kësaj dysheje në bazën e të dhënave të tatimpaguesve shqiptarë, kopjimi dhe zhdukja e miliona deklaratave tatimore është një skandal i paprecedent. Ky skandal jo vetëm minon integritetin dhe besueshmërinë e sistemit tatimor të shtetit, por cënon rëndë të drejtat e subjekteve, i hap rrugën njerëzve të dyshes Rama-Meta për t’i bërë presion bizneseve apo për të zhdukur detyrimet e klientëve të kësaj dysheje”.
“Sapo të hyjë në fuqi vendimi i Gjykatës, ne do të paraqesim kërkesën e re për ngritjen e komisionit hetimor e për të analizuar në thellësi, në përputhje me Kushtetutën, këtë skandal, për të zbardhur moszbatimin e ligjit nga kjo mazhorancë, për t’i vënë fre kësaj arrogance antikushtetuese e për vënien para drejtësisë të porositësve dhe ekzekutorëve të këtij skandali”, tha Bylykbashi.