• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Moska në kurthin e vet: Pse Rusia nuk po fiton në Ukrainë!?

August 14, 2025 by s p

Nisur nga zhvillimet e fundit ndërkombëtare për ti dhenë fund luftës në Ukrainë, nuk duhet të harrojmë asnjëherë arsyet se pse kjo luftë filloi. Nga dita e parë e pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt 2022, ishte e qartë se operacioni ushtarak i Kremlinit ishte konceptuar mbi një premisë të gabuar, me idenë se kjo do të ishte një luftë e shpejtë. Vladimir Putin dhe rrethi i tij i ngushtë besuan se Kievi do të binte brenda disa ditësh, se udhëheqësia ukrainase do të dorëzohej ose do të arratisej, dhe se popullsia do të priste “çlirimtarët” rusë me lule. Historia na mëson se iluzione të tilla kanë qenë gjithmonë pararendëse të disfatës.

Tre agjencitë kryesore të inteligjencës ruse, FSB (Shërbimi Federal i Sigurisë), SVR (Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme) dhe GRU (Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake), ishin të përfshira thellë në planifikimin e agresionit. Në doktrinën e tyre, Ukraina dhe shtetet e tjera ish-sovjetike përbëjnë atë që quhet “të afërm të jashtëm” (near abroad), hapësira ku Moska pretendon interes të përhershëm politik, kulturor dhe strategjik.

Historikisht, Rusia nuk e kanë pranuar kurrë realisht pavarësinë e republikave ish-sovjetike. Për ta, këto vende janë thjesht provinca të humbura të një perandorie që duhet rikthyer. Ky mentalitet, i përforcuar nga retorika e Putinit se “shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe e shekullit XX”, e përgatiti terrenin për një aventurë të rrezikshme.

Shërbimet ruse kanë qenë tradiconalisht tepër të afta për të organizuar operacione për elemimin e kundërshtarëve politik brenda e jashtë vendit, si edhe për të shtypur çdo formë rezistence të brendshme. Ato shfaqen shumë të afta në organizimin e represionit të brendshëm, por të paafta për analiza strategjike. Një paradigmë kjo e njohur për vendet ku mungon liria.

Një mësim klasik nga historia është se askush nuk e nis një konflikt të madh të armatosur nëse nuk beson se do ta fitojë shpejt. Nëse udhëheqësit do të parashikonin një luftë të gjatë e të kushtueshme, ata do të kërkonin rrugë alternative për të arritur objektivat. Por, pse Rusia ishte e bindur se do ta mposhte Ukrainën brenda pak ditësh? Pse ky parashikim doli krejtësisht i gabuar? Kush e ushqeu këtë iluzion? Përgjigjja gjendet në vetë zemrën e sistemit të inteligjencës ruse. Gjithçka fillon me keqvlerësimin e shpirtit të rezistencës ukrainase. Mjafton që të shikoni dokumentarin në Netflix “Winter on Fire: Ukraine’s Fight for Freedom”, për të kuptuar sadopak betejën për liri dhe shpirtin e pathyeshëm të ukrainasve.

FSB-ja, e ngarkuar me operacionet politike dhe të brendshme në Ukrainë, kishte ndërtuar një narrativë të rreme për dobësinë e shtetit ukrainas, korrupsionin e lartë dhe pakënaqësinë popullore ndaj udhëheqjes së Kievit. Informacioni ishte filtruar dhe “përshtatur” për t’i pëlqyer Putinit, jo për të pasqyruar realitetin. Nga ana tjetër, SVR e nënvlerësoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe NATO-s për të mbështetur Ukrainën.

Supozimi ishte se Perëndimi do të reagonte me protesta diplomatike, por jo me ndihmë masive ushtarake. Supozimet e gabuara taktike të GRU-së, se operacioni “blitzkrieg” do të thyente shpejt mbrojtjen ukrainase dhe se njësitë elitare ruse do të hynin në Kiev pa rezistencë serioze, e thelluan më tej perceptimin e gabuar rus. Në realitet, logjistika ruse u rrëzua brenda pak ditësh dhe ofensiva ngeci.

Lufta në Ukrainë nxori në pah pasojat e kulturës së frikës që mbizotëron në Rusi. Mjafton që të rikujtoni dialogun e famëkeq midis Putinit dhe një siloviku, ish-shok i tij i klasës në shkollën e KGB-së, shefi aktual i SVR-së Sergei Naryshkin, pak ditë para fillimit të luftës në Ukrainë. Shërbimet ruse operojnë në një sistem ku e vërteta mund të ketë pasoja fatale për karrierën, madje edhe për vetë jetën. Kjo “kulturë e miratimit” të dëshirave të udhëheqjes, bëri që Putini të ishte i bindur se kishte përballë një Ukrainë të brishtë dhe një Perëndim të pavendosur. Por, realiteti në terren e rrëzoi shpejt këtë iluzion, duke kaluar nga dështimi i shpejtë tek lufta e gjatë.

Rezistenca ukrainase, mobilizimi i shpejtë i Perëndimit dhe dështimet e dukshme logjistike e strategjike e kthyen “operacionin special” rus në një luftë të gjatë e rraskapitëse. Këtë skenar nuk do të pranonte asnjë, nëse do ta parashikonte që në fillim. Rasti i Ukrainës është një kazus klasik për rreziqet që sjell informacioni i shtrembëruar dhe inteligjenca e politizuar. Ai tregon se edhe një fuqi e madhe ushtarake mund të futet në kurth nga iluzionet e veta, kur realiteti zëvendësohet me propagandë.

Shërbimet ruse, në vend që të ishin sytë dhe veshët e udhëheqjes, u kthyen në pasqyrë që reflektonte vetëm dëshirat e Putinit. Rezultati është një luftë e përgjakshme, një ushtri e dobësuar dhe një Rusi e izoluar, që po përpiqet sot e gjithë ditën që ta ndryshoj këtë situatë. Le të shpresojmë që takimi i Alaskës, do të shënoj një hap përpara në përfundimin e luftës dhe garantimin e një paqeje të drejtë…

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Analiza

Përurohet shtatorja e dom Mikel Beltojës, meshtari i fundit i pushkatuar nga regjimi komunist

August 12, 2025 by s p

Në fshatin Beltojë, vetëm pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, është përuruar shtatorja e një prej bijve më të shquar të këtij vendi, martirit të Kishës Katolike, dom Mikel Beltoja, meshtari i fundit i pushkatuar nga regjimi komunist.

Në ceremoninë e përurimit, përfaqësuesit e lartë të klerit katolik në Shqipëri e vlerësuan figurën e dom Mikelit si një pasuri të madhe historike, kombëtare, kishtare dhe shpirtërore. Ata theksuan se, edhe pas shpalljes së shtetit ateist në Shqipëri, ai nuk reshti kurrë së kryeri me përkushtim misionin e meshtarit.

“Vendimin për tu bërë meshtar ai e mori pasi pa me sytë e tij pushkatimin e pjesës më të madhe të meshtarëve, njëri pas tjetrit. Ai e përballoi hapur diktaturën komuniste për të treguar se kur Zoti është pasuria dhe themeli i ekzistencës njerëzore asgjë nuk mund të na mposhtë,” tha Giovanni Peragine, argjipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult.

“Dom Mikel Gjergji jetoi, qëndroi dhe vdiq pikërisht për dinjitet e për identitet. Për identitetin si shqiptar, si i krishterë dhe si njeri i lirë. Prandaj edhe vdiq duke thirrë ‘Rroftë Krishti mbret e rroftë Shqipnia’,” tregoi dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Shtatorja prej bronzi është vepër e skulptorit Sadik Spahija, i cili u shpreh se frymëzimi për këtë krijim ka ardhur nga vetë personaliteti dhe qëndresa e dom Mikel Beltojës.

“Shtatorja duhet të kishte përkushtimin e thellë, mirësinë dhe përvuajtjen, forcën dhe besimin e trupëzuar në të gjithë figurën, gjestin e duhur, ndjesinë e të qenët në kishën e tij, në tokën e tij, në grishën e tij,” tha z. Spahija.

Dom Mikel Beltoja shërbeu si famullitar në Dajç të Bregut të Bunës dhe Barbullush. Në vitin 1973, ai u arrestua nga regjimi komunist dhe pasi mbrojti haptas idealet e tij fetare në gjyqin që iu bë, u pushkatua në vitin 1974 në moshën 39-vjeçare.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/

Filed Under: Analiza

Kur media e hapur, e lirë dhe profesionale goditet me dhunë policore

August 9, 2025 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Ajo që po ndodh sot me mediat “News 24”, “ Panorama”, “Balkanweb” , “Gazeta Shqiptare” është në kufijtë e të pabesueshmes. Sulmi ndaj tyre është grusht në fytyren e çdo qytetari. Mesazhi është i qartë Shqiperia po humbet me shpejtësi atë që ka fituar me shumë mundim dekadë pas dekade duke u ngritur, rrezuar e ringritur. Një media e hapur, e lirë dhe profesionale po goditet me dhunë policore. Kjo qeveri po shkel me këmbë masken e vet të kinse liberalizmit që deri më sot e mbante me shumë zor. Policia në dyert e medias është sfidë ndaj lirisë, heqje dorë nga demokracia si parim, shkelmim i integrimit si ënderr shekullore. Keto janë metoda fashiste e komuniste!

Shqiperia e diktatures ishte me e ndershme në qellimet e veta shtypese nuk fshihej! Ambasadoret e vendosur asokohe në vendin tonë e dinin që ishin në një vend diktatorial e pranonin statusquonë!

Ata që sot punojnë në Tirane duke perfaqesuar vendet e tyre demokratike e perendimore nuk mund të sillen sikur gjinden në një vend anetar të Natos , në një vend që synon anëtaresimin në BE. Sulmi i sotem synon “verberine” e “shurdherinë” e shoqerisë shqiptare.

At Zef Pllumi në deshperimin ku e çuan honet e historisë pat leshuar maksimen “ këtij populli me i shti opangen në gojë nuk bzan”!

Filed Under: Analiza

URAN BUTKA NË RRUGËN E NDRITUR TË TË PARËVE TË TIJ*

August 8, 2025 by s p

Shpendi Topollaj/

Me të vërtetë është për t`u çuditur me ne shqiptarët: ka shumë nga ata që më lehtë pranuan krimet e diktaturës komuniste sesa demaskimin e tyre kur demokracia ua krijoi mundësitë për ta parë dhe për ta thënë të vërtetën. Kjo është edhe arsyeja pse ende nuk miratohen nga të gjithë as librat që japin faktet tronditëse të bëmave të atij sistemi dhe as autorët që me përgjegjësi qytetare, intelektuale, profesionale dhe atdhetare, mbledhin fakte, dëshmi e dokumente të pakundërshtueshme të asaj periudhe ose që korrigjojnë historinë e falsifikuar. Njeri prej atyre që në rrethe të ngushta vihet në dyshim, shpesh edhe pa e nxjerrë fjalën nga goja është edhe studiuesi, shkrimtari dhe politikani i urtë dhe i ditur, pinjolli i nderuar i një familjeje të shquar, Uran Butka. Por kushdo që lexon librat e tij do të bindet lehtë se ai është një autor skrupuloz e qëllimmirë i cili e ka kuptuar qartë, sikurse shprehet edhe vetë te libri i tij “Masakra e Tivarit” se: “Një komb nuk mund të jetë plotësisht i lirë, nëse nuk njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me vetveten dhe ne të tjerët…” Dhe kjo bije në sy edhe te libri i tij “Ringjallje” ku genocidi komunist, sikurse thotë në parathënie ish i dënuari politik, artisti Maks Velo e mbyti vendin në një lumë gjaku, pasi “Partia Komuniste vepronte si një organizatë mafioze që zhdukte tërë kundërshtarët dhe sidomos ata që bartnin vlera të veçanta intelektuale dhe morale.” Ndofta më saktë e ka përcaktuar Bernd J. Fischer te “Diktatorët e Ballkanit” atë që ngjau me popullin tonë, kur thotë se “Shqiptarët qenë të shtërnguar të hiqnin në kurriz një makth shtypjeje politike – një botë e përbërë nga policia e fshehtë, ekzekutime, informatorë, arrestime të kryera në mesnatë, kampe pune dhe varfëri.”

Patjetër që për ato ngjarje rrëqethëse, për vuajtje, dhimbje, përbuzje, burgosje kanë shkruar edhe të tjerë. Madje ka libra që rivalizojnë autorë të njohur botërisht si fjala vjen A. Solzhenicin. Por në raport me ato makabritete që kanë ndodhur te ne, pra po t`i referohesh konstatimit të T. Barberit në botimin e tij te “The Indipendent” në Londër më 1993 se “Shqipëria ishte një farë vendi ku të merrte të qarët nga gazi surrealist”, arti i të shkruarit, pra historianët dhe shkrimtarët i detyrohen ende shumë të sotmes dhe sidomos të ardhmes tonë. Se a nuk ishte historian dhe filozofi gjerman, nobelisti Theodor Mommseni ai që te “Historia e Romës së Lashtë”, teksa fliste për Katilinën, mësonte se poshtërsitë e tij meritojnë të regjistrohen në librin e akteve kriminale dhe jo në atë të historisë”? E ç`bën më shumë se kaq Uran Butka me figurën e urryer të shkaktarit të gjithë tragjedisë tonë kombëtare, Enver Hoxhës? Veçse e vendos atje ku e ka vendin; në koshin e burrave më megallomanë, më të pashpirt, më të pabesë, më terrorist e më gjakatar që ka njohur Shqipëria. Spiro Mela e quan Ali Pashën, figurë shpesh e urryer, të ashpër dhe barbar, por dhe dinak si Meterniku që nuk i mungonte asnjë prej veseve të tmerrshme dhe të neveritshme që i kanë faturuar Neronit. Aliu sipas tij përfaqsonte tiranin, frikën, tmerrin dhe shkatërrimin për të gjithë ata që i prisnin rrugën me dashje apo pa dashje, me dijeninë e tyre apo duke mos ia pasur fare idenë…

Po a kanë të krahasuar vrasjet prapa shpine deri dhe të shokëve të tij të idealit, dënimet dragoniane të intelektualëve dhe patriotëve, pa gjyqe apo me gjyqe të stisura, varfërimi i popullit të tij dhe shndërrimi i tyre në bagëti të bindura, moslejimi i fjalës së lirë, përgjimi e spiunimi i njerëzve deri brenda familjes, zhvillimi i pafund, i ashpër dhe absurd i luftës së klasave, përçarja mes tyre, prishja e kishave dhe xhamive, burgosja e klerikëve dhe atyre që mund të praktikonin ndonjë rit fetar, izolimi i pashembullt i vendit, dhe armiqësia me gjithë botën, me historitë e Ali Pashës? Jo or jo! Se nuk të lenë të arsyetosh ndryshe Mustafa Gjinishët, Muharrem Bajraktarët, Skënder Muçot, Hysni Lepenicat, At Gjergj Fishtat, Faik Konicat, Mirash Ivanajt, Kryezinjtë, Thoma Orogollatë, Sejfulla Malëshovat, Sulejman Vuçiternat, Myzafer Pipat, Drita Kosturet, Xhelal Koprenckat, Musine Kokalaret, Genc Lekat, Vilson Blloshmat, viktimat e Tivarit, dëshmorët e Gërhotit, të masakruarit e Martaneshit, të pushkatuarit e Postribës, martirët e ambasadës sovjetike etj. etj. të cilët janë personazhe të këtij libri.

Autori, gjithmonë me synimin për t`u hequr baltën që historiografia komuniste u hodhi për afro gjysmë shekulli, i pikturon ata si të ishin gjallë: të bukur, të kulturuar, të ndershëm, atdhetarë, besnikë, mirënjohës, trima dhe të vendosur në idealet e tyre më së shumti oksidentale. I kishin shërbyer, dhe të tjera shërbime mund t`i kishin bërë vendit të tyre, zhvillimit të demokracisë, përparimit, mirëqenies dhe paraqitjes evropiane të fytyrës së Shqipërisë që rilindasit e quanin Zonjë e Randë. Uran Butka është bindës në pasqyrimin e mendimeve të veta. Por ai më shumë i jep rëndësi faktit, ilustrimit dokumentar të atyre ngjarjeve dhe njerëzve që përshkruan. Këtë ka bërë edhe te libri monografik kushtuar të atit, Safet Butkës, njeri i shquar, veprimtaria e të cilit në interes të arsimimit të popullit, mbetet një nga shembujt e rrallë të dashurisë për atdhe. Ndaj dhe nuk kam parë ndokënd që t`i kundërvihet atij hapur apo të debatojë në shtyp rreth veprimtarisë së Safetit. E njejta gjë ngjet edhe me këtë libër që i botuar plot dhjetë vjet më pare, nuk ka qenë objekt polemikash a kundërvëniesh të dukshme. Kjo ka ardhur në radhë të parë se Urani hulumton, gjen dhe publikon dokumente të pakontestueshme arkivash. Pastaj, s`duhet harruar se ai di të vlerësojë cilindo që luftoi dhe dha jetën për liri, pavarësisht bindjeve të tij. Në asnjë rresht ai nuk vë në dyshim rolin e ushtrisë nacional – çlirimtare në fitoren mbi pushtuesit nazi – fashistë. Ai vetëm se i mëshon faktit se kjo fitore do të qe edhe më e lavdishme dhe më me pak humbje, sikur etja për pushtet të mos sillte përçarje që çoi deri në ndeshje me armë.

Shihni sa kuptimplotë është letra e av. S. Muços e datës 12.9.1943. Po ashtu, ai thekson se ku na shpuri bashkëpunimi në emër të ideologjisë me PK të Jugosllavisë, nënshtrimi ndaj Titos dhe emisarëve të tij Popoviç, Mugosha, Tempo, Stojniç me shokë. Sa për urdhrat e Enver Hoxhës për t`u futur nga një plumb kresë si udhëheqësve të luftës, ashtu dhe njerëzve me influencë apo kundërshtarëve që nuk pranonin të rreshtoheshin në një front me të, gjersa ai bashkëpunonte me armiqtë tanë të vjetër, ato flasin vetë. Tek Uran Butka si njeri, si politikan apo si shkrimtar ka një koherencë që bie në sy menjëherë. I qetë, i matur, i arsyeshëm, i thjeshtë, aspak imponues, madje mjaft i këndshëm dhe i pëlqyeshëm për këdo që e ka njohur, ai edhe në ato që shkruan, mbetet mjaft paqësor. Jo pa qëllim, ai në kapitullin “Dënimi i krimit është akt kulture” ka zgjedhur fjalët e poetit të dënuar me vite të gjata burgu Visar Zhiti: “I kam falur të gjithë ata që më kanë burgosur, por dua të di se cilët janë ata, që t`i përdëllej e të ndihem edhe vetë i lumtur që i kam falur.” Edhe çelja dhe drejtimi nga ana e tij i Institutit “Lumo Skëndo” tregon fare mirë formimin qytetar, karakterin atdhetar dhe shpirtin demokratik të këtij pinjolli të një sage që me shërbimet e veta dhe vlerat e larta morale e kulturore i ka bërë nder Shqipërisë me pushkë dhe me penë në dorë. Ndaj ta dëgjojmë me arsye dhe respekt fjalën e mençur dhe dashamirëse të tij se sot më shumë se kurrë kemi nevojë për mirëkuptim e dashuri.

*(Rreth librit “Ringjallje”)

Filed Under: Analiza

Pse Gjykata Speciale është e dëmshme dhe e anshme ose përse duhet protestuar kundër saj

August 7, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës u parapri nga publikimi i një raporti thellësisht të kontestuar, me prirje raciste dhe antishqiptare, të hartuar nga senatori zviceran Dick Marty, i cili mbështetej në akuza të pabazuara dhe të paprovuara më herët nga ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte. Siç ka argumentuar Nevenka Tromp në veprën e saj Prosecuting Slobodan Milošević: The Unfinished Trial (2016), Carla Del Ponte ka luajtur një rol të diskutueshëm dhe shpeshherë problematik në raport me Serbinë, duke ndihmuar në errësimin e fakteve lidhur me autorësinë e krimeve dhe duke kontribuar në mjegullimin e dallimeve midis viktimës dhe agresorit.

Veprimtaria e Del Ponte-s gjatë mandatit të saj si kryeprokurore ka pasur efekte të dëmshme për përpjekjet për drejtësi dhe vërtetim të së vërtetës historike në kontekstin e luftës në Kosovë. Në vend që të theksonte rolin e shtetit serb si autor i një fushate të gjerë të spastrimit etnik, Del Ponte zgjodhi të amplifikonte vuajtjet e komunitetit serb në Kosovë – një komunitet i cili, në masë të madhe, kishte qenë pjesë përbërëse e aparatit shtetëror të dhunës të udhëhequr nga regjimi i Milošević-it dhe që, në shumë raste, u largua nga Kosova bashkë me forcat ushtarake e policore serbe në qershor 1999.

Kjo qasje kontribuoi në ndërtimin e një kundër-narrative nga Serbia, e cila synonte të relativizonte përgjegjësinë për krimet e luftës dhe të paraqiste konfliktin përmes një prizmi të paqartë moral, ku palët ndaheshin në “të gjithë janë njëkohësisht viktima dhe kriminelë”. Një narrativë e tillë e ngjyrës gri, që zëvendësonte analizën e qartë të strukturave të dhunës shtetërore me një qasje simetrike, i shërbeu objektivave strategjike të Serbisë për të shmangur përgjegjësinë ndërkombëtare dhe për të ruajtur mundësinë e ripërtëritjes së projekteve të saj hegjemoniste, përfshirë idenë e “bashkimit të të gjithë serbëve”.

Një element kyç në këtë dinamikë ishte edhe marrëveshja e arritur në prill të vitit 2003 ndërmjet Carla Del Ponte-s dhe autoriteteve të Beogradit, e cila i mundësoi Serbisë të mos dorëzonte një pjesë të rëndësishme të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes, dokumente që do të kishin mundur të inkriminonin drejtpërdrejt strukturat më të larta të regjimit të Milosheeviq-it në krime kundër njerëzimit dhe në akte të mundshme gjenocidi. Ky bashkëpunim i ngushtë mes Prokurorisë dhe autoriteteve serbe e minoi seriozisht aftësinë e Tribunalit për të adresuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë krimet e kryera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe e vendosi në pikëpyetje paanshmërinë e procesit të drejtësisë ndërkombëtare.

1. Fshehja e krimeve dhe dokumenteve nga ana e Serbisë

Një nga pengesat më të mëdha në procesin e ndjekjes penale të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi ka qenë mungesa e bashkëpunimit të plotë nga ana e Serbisë, sidomos në raport me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Edhe pas përfundimit të regjimit të Slobodan Milošević-it, autoritetet serbe refuzuan të dorëzonin dokumente kyçe që ndodheshin në arkivat e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes – dokumente të cilat mund të kishin shërbyer si prova të drejtpërdrejta për përfshirjen e strukturave më të larta shtetërore në krimet e organizuara gjatë konflikteve në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.

Nevenka Tromp, në analizën e saj të detajuar mbi procesin ndaj Milošević-it, vë në dukje se:

“Provat që përmbaheshin në dokumentet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes do të kishin ndihmuar për të vërtetuar ndërmarrjen e përbashkët kriminale që përfshinte udhëheqjen më të lartë në Beograd.” (Tromp, 2016)

Megjithatë, ish-kryeprokurorja Carla Del Ponte nuk ushtroi presion të mjaftueshëm institucional për të detyruar Serbinë të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin, as duke kërkuar masa ndëshkuese ndaj saj. Kjo qasje ka krijuar përshtypjen se mungonte vullneti i nevojshëm për të ballafaquar shtetin serb me përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë për krimet e kryera në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, e cila përfshinte elementë të qartë të dhunës së organizuar, sistematike dhe me karakter shtetëror.

Ky dështim institucional për të siguruar prova kyçe nga Serbia ka pasur pasoja të rënda në kuptimin e drejtësisë ndërkombëtare dhe të dokumentimit të së vërtetës historike për rolin e Beogradit në krimet e luftës në Kosovë dhe rajon.

2. Mungesa e aktakuzës për gjenocid në Kosovë

Një ndër mangësitë më të rëndësishme në procesin penal ndaj Slobodan Milošević-it ka qenë mospërfshirja e akuzës për gjenocid në rastin e Kosovës, pavarësisht ekzistencës së provave të shumta që dëshmonin për një fushatë të organizuar të spastrimit etnik dhe për krime të natyrës sistematike kundër shqiptarëve të Kosovës. Në vend të ngritjes së një akuze për gjenocid – që do të kishte reflektuar më saktë shkallën dhe qëllimin e dhunës së ushtruar – Prokuroria e Tribunalit nën udhëheqjen e Carla Del Ponte-s zgjodhi të kufizojë akuzat në krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Nevenka Tromp e interpreton këtë vendim si rezultat i një llogaritjeje politike dhe strategjike, që në vend se të forconte pozicionin e Prokurorisë, e dobësoi rëndë fuqinë e ndjekjes penale dhe e pamundësoi krijimin e një narrative juridike të qartë mbi përmasat dhe karakterin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve. Ajo thekson:

“Aktakuza për Kosovën ndaj Milosheviq-it nuk përfshinte akuzën për gjenocid, pavarësisht provave të konsiderueshme që tregonin për një qëllim gjenocidal.” (Tromp, 2016).

Argumenti thelbësor i punimit të Peter Ronayne, ” Genocide in Kosovo. Human Rights Review, 5(4), 57–71,” është se veprimet e forcave serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 përbënin gjenocid sipas përkufizimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin të vitit 1948, pavarësisht hezitimit të komunitetit ndërkombëtar dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) për ta përdorur këtë term në akuzat kundër Slobodan Millosheviçit për Kosovën. Ronayne thekson se shkalla dhe natyra e dhunës — përfshirë vrasjet masive, dëmtimet e rënda fizike dhe mendore, dhe shkaktimin e kushteve të jetës të llogaritura për të sjellë shkatërrimin fizik të shqiptarëve të Kosovës — përshtateshin saktësisht me kriteret ligjore të gjenocidit. Ai gjithashtu argumenton se ndërhyrja e NATO-s, megjithë sfidat e saj ligjore dhe morale, ishte një përgjigje e domosdoshme ndaj kësaj krize humanitare dhe shërbeu si një hap i rëndësishëm në evolucionin e normave ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit.

Një pjesë thelbësore e argumentit të Ronayne-s është cilësimi i veprimeve serbe si gjenocid, pavarësisht hezitimit ligjor dhe politik. Ai dokumenton se si Millosheviçi, ndërsa merrte pjesë në “teatër politik” në Rambouillet, kishte përgatitur një plan sekret, të koduar “Operacioni Patkoi” (Operation Horseshoe), për të dëbuar shqiptarët e Kosovës nga atdheu i tyre. Përshkrimi i dëbimeve masive (rreth 1.5 milionë njerëz), djegia dhe plaçkitja e vendbanimeve, masakrat me varre masive, shkatërrimi sistematik i xhamive dhe institucioneve fetare/arsimore, si dhe ripërdorimi i përdhunimit si mjet terrori, janë dëshmi empirike që Ronayne i përdor për të argumentuar se këto veprime ishin “plotësisht të qëllimshme, të planifikuara dhe sistematike.” Këtu, autori përdor termin “g-word” (fjalën G – gjenocid) për të theksuar ngurrimin e komunitetit ndërkombëtar, madje edhe të SHBA-së dhe Britanisë, për ta përdorur këtë term në fillim, pavarësisht provave.

Mosndjekja penale për gjenocid në Kosovë ka kontribuar në një zbrazje të diskursit ndërkombëtar mbi përmasat reale të dhunës dhe ka lënë të paprekur një aspekt thelbësor të përgjegjësisë penale për krimet që ndodhën gjatë fushatës së ushtrisë dhe policisë serbe në vitet 1998–1999. Kjo përjashtim është konsideruar nga shumë studiues dhe aktorë politikë si një dështim serioz i drejtësisë ndërkombëtare për të emërtuar dhe ndëshkuar krimet në përputhje me peshën e tyre reale.

3. Presioni politik dhe ndërtimi i narrativës së barazimit moral: Hetimet ndaj UÇK-së

Në periudhën pas luftës së Kosovës, Prokuroria e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), nën drejtimin e Carla Del Ponte-s, u përball me presione të konsiderueshme ndërkombëtare për të ndjekur penalisht edhe anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me synimin për të krijuar një lloj balancimi formal të përgjegjësive në konflikt. Këto presione u ushtruan veçanërisht nga aktorë si Serbia dhe Rusia dhe, sipas Nevenka Tromp, ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në orientimin e hetimeve të Tribunalit:

“Del Ponte iu nënshtrua presionit politik për të hapur hetime mbi krimet e pretenduara të UÇK-së, gjë që e dobësoi perceptimin e paanshmërisë së Tribunalit.” (Tromp, 2016)

Kjo qasje e ashtuquajtur e “ekuilibrimit artificial të përgjegjësive” i hapi rrugë Serbisë për të ndërtuar një kundër-narrativë, sipas së cilës përgjegjësia për krimet e luftës ndahej në mënyrë të barabartë mes palëve ndërluftuese. Kësisoj, u zbehën përmasat e përgjegjësisë shtetërore të Serbisë për dhunën sistematike ndaj shqiptarëve dhe u vendos theksi te krimet e pretenduara të UÇK-së, pa marrë parasysh karakterin asimetrik të konfliktit – ku Serbia vepronte si një agresor shtetëror me kapacitete të plota ushtarake e policore, ndërsa UÇK-ja përbënte një forcë rezistence të brendshme.

Në këtë kontekst duhet të kuptohet edhe përhapja e akuzave për ekzistencën e të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimi i organeve nga pjesëtarë të UÇK-së – akuza që, ndonëse më vonë u shpallën të pabazuara, u instrumentalizuan në kohë të ndjeshme politike. Ato u artikuluan pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe kulmuan me raportin e Dick Marty-t në vitin 2011, vetëm disa muaj pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës. Këto zhvillime sugjerojnë se agjenda pas këtyre hetimeve nuk ishte e motivuar vetëm nga drejtësia penale, por edhe nga interesa politike që synonin të delegjitimonin luftën çlirimtare të Kosovës dhe të relativizonin përgjegjësinë e Serbisë.

Për më tepër, brenda diskursit vendor dhe ndërkombëtar, ndihmoi edhe një qasje elitare e një pjese të opinionit që e kishte parë luftën çlirimtare me skepticizëm që nga fillimi, shpesh duke e maskuar refuzimin e saj si kundërshtim ndaj “komandantëve” apo “fshatarëve”, ndërkohë që në thelb përfaqësonte një lloj nostalgjie elitare për monopolin moral të periudhës para luftës. Në këtë ambient politik dhe diskursiv, publikimi i librit të Del Ponte-s në vitin 2008 u mirëprit nga këto qarqe si një konfirmim i bindjeve të tyre, duke shërbyer si gur themeli në ndërtimin e një narrative që e vinte në pikëpyetje legjitimitetin moral dhe historik të UÇK-së.

Pas publikimit të raportit të Dick Marty-t dhe miratimit të shpejtë të Rezolutës së Këshillit të Evropës, krijimi i Dhomave të Specializuara (Gjykatës Speciale) u bë një proces i pashmangshëm. Çdo kundërshtim ndaj këtij procesi shoqërohej me stigmatizim të menjëhershëm, duke nënkuptuar se kushdo që kundërshtonte formimin e saj, duhej të kishte arsye të fshehta apo qëllime të pandershme.

Aktakuza e Dhomave të Specializuara ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është kritikuar nga ekspertë si Ana di Lellio për mënyrën se si shtrembëron të kaluarën historike dhe përdor një gjuhë të paqartë e të njëanshme, duke vendosur UÇK-në në një pozitë të barasvlershme, madje më të rënduar se ajo e forcave pushtuese serbe.

Në aktakuzë, konflikti i armatosur me Serbinë – që ishte pranuar si i tillë nga vetë Tribunalit i Hagës në çështjen Milutinović dhe të tjerët (par. 820) – përshkruhet si një përplasje mes dy palëve rivale. Kjo paraqitje është faktikisht e gabuar: në fillim të vitit 1998, Serbia vendosi në Kosovë një aparat të tërë shtetëror dhune, përfshirë forca të rregullta, rezerviste, njësi speciale dhe grupe paramilitare që kishin marrë pjesë në gjenocidin në Bosnjë. UÇK-ja, në atë kohë, përbëhej nga një numër i vogël individësh të armatosur dobët.

Për më tepër, narrativa e aktakuzës përpiqet të paraqesë çdo veprim të forcave serbe si një përgjigje ndaj një kryengritjeje, ndërkohë që provat historike dhe juridike tregojnë se masakrat, përdhunimet dhe dëbimet masive ishin të përhapura edhe në zona ku UÇK-ja nuk ishte aktive, dhe aty ku ishte, reagimi shtetëror serb ishte thellësisht joproporcional. Siç është konstatuar edhe nga ICTY, udhëheqja shtetërore serbe veproi në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me qëllim ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës.

Madje edhe mënyra si përshkruhet kthimi i refugjatëve shqiptarë dhe pjesëtarëve të UÇK-së pas përfundimit të luftës – si “hyrje në zonat e mëparshme të kontrolluara nga RFJ-ja” – krijon perceptimin e një lloj pushtimi, duke injoruar faktin se ata njerëz po ktheheshin në shtëpitë e tyre, ashtu si forcat serbe u tërhoqën në territorin e Serbisë.

Kjo paraqitje e ngarkuar me paqartësi dhe anshmëri e dobëson jo vetëm besueshmërinë e ndjekjes penale, por edhe legjitimitetin e vetë gjykatës dhe vlerësimin e drejtësisë ndërkombëtare si mekanizëm i paanshëm dhe universal.

4. Pranimi i provave nga strukturat shtetërore serbe dhe sfidimi i parimeve të drejtësisë ndërkombëtare

Pas dështimit për të konfirmuar pretendimet e ngritura nga ish-kryeprokurorja e ICTY-së Carla Del Ponte dhe raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, Dhomat e Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale) kanë ndjekur një trajektore që në literaturën kritike përshkruhet si largim nga parimet e drejtësisë penale ndërkombëtare, për të përqafuar një logjikë procedurale që evokon praktikat e drejtësisë selektive të periudhave autoritare.

Një ndër aspektet më problematike në këtë drejtim është pranimi i dokumenteve të lëshuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MUP) dhe Komandën e ashtuquajtur të Përbashkët për “Kosovën dhe Metohinë” – struktura që sipas aktgjykimeve të ICTY-së kanë qenë të përfshira në planifikimin dhe zbatimin e krimeve të luftës, përfshirë spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Në vendimin e bërë publik nga Paneli Gjyqësor, theksohet:

“Paneli është i bindur se raportet serbe janë prima facie autentike,” dhe se dokumentet përmbajnë tituj zyrtarë, numra reference, klasifikime dhe nënshkrime që i bëjnë ato të pranueshme në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në mesin e këtyre dokumenteve përfshihen shënime të mbajtura në takime zyrtare të Komandës së Përbashkët për “Kosovën dhe Metohinë”, dokumente të nënshkruara nga përfaqësues të MUP-it dhe materiale të tjera të klasifikuara të lëshuara nga Shërbimi Sekret Serb. Këto prova, sipas Prokurorisë së Specializuar, kanë vlerë për të mbështetur pretendimet ndaj të akuzuarve. Megjithatë, vetë fakti që këto dokumente burojnë nga struktura që kanë qenë objekt i hetimeve për krime kundër njerëzimit dhe përfshirje në ndërmarrje kriminale, ngre shqetësime serioze për besueshmërinë dhe paanshmërinë e provave të pranuara.

Kjo praktikë ka ngjallur kritika të ashpra nga mbrojtja dhe nga opinionistë të shumtë juridikë e politikë, të cilët e konsiderojnë se pranimi i dokumenteve nga autoritetet që kanë qenë pjesë e aparatit shtetëror serb gjatë luftës nuk i përmbahet standardeve të drejtësisë tranzicionale dhe minon parimin e barazisë së palëve në proces.

Nëse shteti serb, përmes MUP-it dhe strukturave të sigurisë, ka qenë vetë i përfshirë në krime të dokumentuara – siç e konfirmon aktgjykimi në çështjen Milutinović et al. – atëherë përdorimi i dokumenteve të lëshuara nga ato struktura për të ndërtuar aktakuza ndaj UÇK-së përbën jo vetëm një konflikt të thellë burimi, por edhe një rrezik për rishkrimin e narrativës së konfliktit, ku agresori shtetëror përfaqësohet si burim i së vërtetës, ndërsa viktima kriminalizohet në bazë të materialeve të prodhuara nga vetë strukturat shtypëse.

Veç kësaj, mungesa e transparencës në veprimtarinë e Gjykatës, sidomos pas zhdukjes së akuzës për trafik organesh – mbi të cilën u mbështet formimi i saj – e ka shtuar skepticizmin ndaj misionit të saj të shpallur. Siç nënvizon literatura kritike, nëse hetimi për “Shtëpinë e Verdhë” u mbyll pa rezultat dhe gjyqtari Williamson deklaroi se nuk kishte prova të mjaftueshme, atëherë vetë ekzistenca e kësaj gjykate duhej të vihej në pikëpyetje. Megjithatë, ajo jo vetëm që vazhdoi veprimtarinë, por e thelloi diskursin ndëshkues ndaj UÇK-së, duke e paraqitur luftën çlirimtare si burim të destabilitetit, ndërsa Serbia si palë e besueshme që kontribuon me “prova zyrtare”.

Në këtë kontekst, Gjykata Speciale shihet gjithnjë e më shumë si një mekanizëm që jo vetëm e ndëshkon njërën palë të konfliktit, por edhe minon përpjekjet për normalizim dhe pajtim, duke favorizuar de facto agresorin dhe duke e trajtuar viktimën si të barasfajshme apo edhe më të rënduar. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta në kuptimin politik të drejtësisë, sepse përmbys hierarkinë morale të konfliktit dhe kontribuon në ndërtimin e një kujtese të shtrembëruar historike, ku viktima shqiptare kriminalizohet në bazë të dokumenteve të prodhuara nga aparati i dhunës shtetërore.

Për rrjedhojë, kërkesat që lidershipi kosovar të rishqyrtojë qëndrimin ndaj kësaj gjykate nuk janë thjesht deklarative, por burojnë nga një nevojë e thellë për të garantuar që drejtësia ndërkombëtare të mos shndërrohet në një instrument të legjitimimit të dhunës strukturore, por të qëndrojë në funksion të së vërtetës, pajtimit dhe barazisë para ligjit.

Përmbledhje

Mungesa e bashkëpunimit të Serbisë dhe dështimi i prokurorisë: Carla Del Ponte, në cilësinë e Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, dështoi të sigurojë dokumente kyçe nga autoritetet serbe, përfshirë ato të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, të cilat do të kishin qenë thelbësore për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në ndërmarrjen e përbashkët kriminale gjatë luftës në Kosovë. Ky dështim dobësoi ndjeshëm bazën faktike dhe juridike të aktakuzës kundër Slobodan Milosheviq-it.

Mospërfshirja e akuzës për gjenocid në Kosovë: Pavarësisht provave substanciale për spastrimin etnik dhe qëllimin gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës, Del Ponte nuk ngriti aktakuzë për gjenocid. Kjo u perceptua si një vendim me ngjyrim politik, që i solli dëm ndjekjes penale dhe legjitimitetit të Tribunalit.

Presioni politik dhe balancimi i rremë i përgjegjësisë: Nën ndikimin e presioneve ndërkombëtare, veçanërisht nga Rusia dhe Serbia, Del Ponte hapi hetime ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u përpjekur të krijojë një lloj “ekuilibri” formal të fajësisë. Kjo qasje kontribuoi në ndërtimin e një narrative të rrejshme, që barazon përgjegjësinë mes agresorit shtetëror dhe viktimës së dhunës strukturore.

Legjitimimi i provave nga aparati shtetëror serb dhe delegjitimimi i drejtësisë: Pranimi nga Dhomat e Specializuara i dokumenteve të lëshuara nga shërbimet sekrete dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë – institucione përgjegjëse për organizimin dhe zbatimin e krimeve në Kosovë – ka dëmtuar rëndë besueshmërinë dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor. Kjo praktikë jo vetëm që minon drejtësinë tranzicionale, por shton kërkesën legjitime për rishqyrtimin dhe potencialisht shfuqizimin e kësaj gjykate, e cila shihet si instrument politik që ndëshkon viktimën dhe favorizon agresorin.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 976
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐞𝐨𝐫𝐠𝐞 𝐖𝐚𝐬𝐡𝐢𝐧𝐠𝐭𝐨𝐧 𝐬𝐢 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀
  • “VOA” DHE SHQIPËRIA
  • Grenlanda, rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA
  • AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT
  • “Eksodi i zogjve të Çamërisë”, poema e re e Luan Ramës
  • Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve
  • Abaz Kupi, Legaliteti dhe Operacioni BGFIEND — Një Pasqyrë Kritike Historike
  • NJE JETE E MOHUAR…NJE VLERESIM I   MUNGUAR
  • Koha, Barazia dhe Urtia, kundër-rendi ndaj pushtetit të vonesës dhe shterimit të emergjencës!
  • Anton Çehov, mjeku që u bë gjeni i novelës, që u rrit me kamxhikun e të atit dhe varfërinë e familjes
  • Rileximi i Ernest Koliqit: Një udhëtim zbulese
  • NJË LETËRKËMBIM MES SULLTAN MEHMETIT DHE SKËNDERBEUT
  • Parashqevi Qiriazi, e vërteta historike
  • Rauf Fico – Diplomacia shqiptare si kulturë shtetërore, ndërgjegje morale dhe vizion europian
  • Me rastin e 102-vjetorit të ndarjes nga jeta, nderojmë jetën dhe veprën e Woodrow Wilson, Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT