• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALBANIA AFER AFGANISTANIT

August 16, 2021 by s p

Nga: Perparim Gjeka/


Sa herë kërkoja vendin tonë në radhitjen alfabetike të shteteve dhe me dilte i pari Afganistani, aq herë mendoja se sikur të mos ekzistonte ky shtet Albania do ishte e para, prandaj e kisha marre inat. Pastaj kur u poqa pak me shumë, dhe kuptova se ky vend jo vetëm është afër nesh në rend alfabetik, por edhe në rende të tjera ekonomike si një nga vendet me pasuri të mëdha e me varfëri të madhe, mendoja sa mirë që ka edhe shtete poshtë nesh si Afganistani, si nje lloj vetngushellimi. Kjo afërsi vitet e fundit u shtua sepse Afganistani zinte vendin e parë në botë si prodhues i një lloj droge, kurse Albania vendin e parë në Europe në një lloj tjetër droge. Afërsi të tjera të ngjashme ka plot si përshembull vendi atje kontrollohet faktikisht nga katër klane ose shure kurse Albania sipas ambasadorit amerikan Lu nga ekzaktesisht katër familje mafioze. Por afërsia më serioze nuk është përmendur nga askush seriozisht publikisht dhe po e ndiej detyrim moral ta ndaj me publikun shqiptar. Le ta trajtojmë si gjithmonë logjikisht situaten e tërheqjes amerikane dhe fitoren e talebaneve. Ushtria dhe fuqia amerikane bashkë me ate qeveritare afgane nuk ka asnje mundesi teorike dhe praktike të jetë më pak e fortë se në vitin 2001 kur u hap kjo luftë dhe Talebanet e tanishem nuk ka asnje mundesi teorike dhe praktike të jenë më të fortë se sa ishin ateherë kur kontrollonin vendin dhe kishin mik Bin Ladenin. Pra Amerika nuk mund ta humbte këtë luftë, por e ka braktisur atë kryesisht sepse u arrit qëllimi kryesor; të ndeshej me terroristët në vendet e tyre dhe jo të mbrohej nga ata në vendet e veta, keshtu që Sekretari Blinken nuk gabon kur thotë se ajo lufte ishte sukses në prizmin amerikan. Dhe këtë arsye e thonë hapur. Ajo që nuk thonë është arsyeja pse e lanë qeverinë afgane vetëm edhe kur u kuptua qartë që talebanët ishin më të fortë ushtarakisht e organizativisht se sa qeveria. Dhe këtu vijmë te afërsia e neveritshme e sjelljes së qeverive e liderve afgane në 20 vjet me qeveritë tona në Shqipëri e Kosovë; korrupsion galopant, bashkepunim me krimin e organizuar, flirtim me kundërshtarët, shtypje e shfrytëzim për masat popullore, luftë bërrylash për dominim tarafesh brenda pushtetit, kaos në çdo hapësirë të jetës shoqërore, e mbi të gjitha dyfytyrësi, hilera, mashtrime, “grid” dhe mosmirënjohje me amerikanet. Ajo që mund t’i ketë vënë vulën “fed up-it” amerikan ose shqip tejlodhjes me këta mosmirenjohës e plangprishës është mosdakordimi në bisedime për bashkëqeverisje me talebanet, bisedime te cilat u ndermjetësuan nga amerikanet e ndoshta përgjegjësia ka rënë mbi kapadaillekun e liderve qeveritarë. Dhe amerikanet i lanë në meshirë të fatit për të parë sa u vlen lëkura pa ndihmen amerikane me të cilën u mesuan dhe e patën pa kursim. Këta njerëz të vegjel me orekse të medha, këta funderrina morale të një Kombi luftëtar si ai afgan janë përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së sotme afgane bashkë me talebanet. Sa afër me dy shtetet tona, sa afër po na e sjellin tejlodhjen e braktisjen e mbrojtjes amerikane këta liderucat tanë, në qeveri e opozitë, me cic micet e tyre të pështira, duke kujtuar se ua hedhin amerikaneve, duke kujtuar se vetëm këta janë të zgjuar, vetëm këta janë të pafajshëm, gjithë faji është i kundershtarit politik e në mos i popullit të paemancipuar sa të kuptojë këta. Dhe mos më thoni që është faji i Amerikës se jemi tejlodhur. Se Amerika çliroi, ndihmoi e njohu shtet edhe Gjermaninë, Korenë e Japoninë, jo vetëm Kosoven, Shqipërinë e Afganistanin. Pse ne nuk zgjedhim të jemi afër me Gjermaninë por jemi afër me Afganistanin?

Filed Under: Analiza Tagged With: albania, Perparim Gjeka

Diskursi demografik / Regjistrimi i popullsisë duhet të mbahet me elementët e identitetit

August 13, 2021 by s p

Vetëm ata të cilët kanë manipuluar në të kalurën me statistikat reale të popullsisë sidomos me strukturën kombëtare të saj, iu pengon realiteti demografik në Mal të Zi, duke harruar se koha e manipulimeve nuk mund të jetë e përhershme, e sidomos tash kur këtu ka ndodhur rotacioni i pushtetit, që ofron mundësi reale të prezantimit të elementëve të identitetit të popullsisë si në vend dhe në botën e jashtme

Nga Nail  Draga

Çështja e regjistrimit të popullsisë në çdo vend paraqet moment të veçantë jo vetëm statistikor por edhe  shoqëror, sepse ofrohen të dhëna më interes të përgjithshëm për planifikimin dhe  zhvillimin e vendit. Pra, kemi të bëjmë me një çështje serioze me peshë shtetërore, ku formohen ekipe të veçanta që merrën me këtë proces statistikor.

Por, procesi i regjistrimit të popullsisë varët shumë nga rrethanat shoqëroe e politike në mjedisin përkatës. Në veçanti ka të bëjë me mjediset heterogjene në aspektin kombëtar, të cilat nuk janë të konsoliduara në sajë të raportëve shoqërore. Një dukuri e tillë ka të bëjë në veçanti me Malin e Zi, duke qenë ndër vendet me multinacionale në Europën Juglindore. Në këtë aspekt  këtu nuk mund të anashkalohet qasja  politike e cila është dominuese në këtë çëshje demografike. Dhe një dukuri e tillë është e pranishme nga viti 1990 e më miratimin  e pluralizmit, ku çështjet demografike morën përmasa politike, që u dëshmu edhe në regjistrimet e popullsisë.

Në sajë të përvojës së mëhershme regjistrimi  i popullsisë është mbajtur çdo dhjetë vjet, duke mbetur aksiomë edhe për kohën e pluralizmit. Por, në rrethana të reja në pluralizëm, kemi përjashtime që dëshmohet me regjistrimin e vitit 2001. Ishte ky vit me turbulenca politike në Mal të Zi, ku nga një situatë e tillë nuk u mbajt regjistrimi i regullt por është shtyer për vitin 2002, ndërsa më së fundi u realizu  në vitin 2003.

Pasi regjistrimi vijues i popullsisë u mbajt në vitin 2011, sipas  praktikës regjistrimi i radhës duhet të mbahet në vitin 2021. Por, në sajë të disa pengesave teknike, siç është mosmiratimi i ligjit për regjsitrimin e popullsisë dhe miratimit të buxhetit për vitin 2021, u vendos që regjistrimi i popullsisë të mos mbahet në muajin prill të këtij viti, por ai të shtyhet për fund të vitit.

Pasi ditë më parë, ndonëse me vonesë  u miratu buxheti për këtë vit, nuk ka pengesa subjektive për ta realizuar regjistrimin e popullsisë, andaj janë gjasat reale të mbahet deri në fund të vitit. Por, duke marrë parasysh se regjistrimi i popullsisë këtu ka peshë të veçantë politike, se kur realisht do të mbahet do të varët  nga partitë politike, përkatësisht shumica parlamentare në Mal të Zi.

Regjistrimi duhet të jetë i kompletuar

Më herët kemi pasur rast të dëgjojmë nga individë apo subjekte të ndryshme  të shoqërisë civile, që në regjistrimin e popullsisë të mos evidentohen elementët identitare. Fjala është për strukturën kombëtare, gjuhësore dhe fetare të popullsisë si elemente identitare për çdo individ apo popull si kudo në botën e qytetëruar. Ishte ky paralajmërim absurd dhe konfuz i cili nuk është pritur mirë nga partitë politike si dhe opinioni i gjerë, sepse çdo individ ka emrin e mbiemrin, gjuhën dhe fenë e vet.

Nuk ka dilemë se çdo mohim i tyre elementëve paraqet diskriminim individual dhe kolektiv dhe si i tillë i është i pa pranueshëm. Propozuesit e tillë  kanë dështuar sepse pjesëtarët e popujve në Mal të Zi, deri më tash janë regjistruar të kompletuar me strukturat e tyre. Ndërsa është  çështë tjetër sa kanë qenë të sakta të dhënat nga regjistrimet e popullsisë, duke ditur se në monizëm janë bërë manipulime të ndryshme të kësaj natyre.

Regjistrimisi proces statistikor

Nëse analizojmë në detaje regjistrimet e popullsisë(1948-1991) sipas përkatësisë kombëtare, gjuhësore e fetare vërehen ndryshime të theksuara, duke kriuar dyshime në realitetin në terren. Në këtë aspekt kanë qenë të diskriminuar serbët, popullsia me përkatësi të fesë islame së cilës i është mohuar përkatësia kombëtare, ndërsa emërtimi boshnjake është definuar nga viti 1993. Po ashtu në këtë aspekt në pozitë të pavolitshme kanë qenë edhe shqiptarët, sepse statsitika shtetërore i ka evidentuar sipas dëshirës së tyre e jo sa realisht kanë qenë në terren.

Pikërisht, në lidhje me këtë çështje nëse analizojmë të dhënat në regjistrimet e popullsisë në kohën e monizmit, popullsia serbe është paraqitur në mënyrë simbolike, që nuk ka treguar realitetin demografik në aspektin nacional. Por, në këtë aspekt për serbët u bë kthesë e madhe në regjistrimin e vitit 2003 e 2011, duke dëshmuar se  regjistrimet e mëhershme kanë qenë të programuara me qellime të caktuara nga ana e pushtetit. Sepse nuk mund të quhet ndryshe e dhëna se serb në aspektin kombëtar në vitin 1948 janë deklaruar 1.78%, ndërsa malazez 90.67%, ndërsa në vitin 2003, serb janë deklaruar 31.99%, ndërsa malazez   43.16%. Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar realitetin demografik në Mal të Zi, sepse për këtë periudhë kohore(1948-2003), numri i serbëve është rritur për 30.21%, ndërsa i malazezëve ka rënë për 47.51%, që është dëshmi transparente e manipulimit të pushtetit me strukturën nacionale të popullsisë në këtë mjedis.

Në këtë aspekt nuk kanë bërë përjashtim as shqiptarët, boshnjakët e kroatët. Andaj në rrethana të reja shoqërore e politike regjistrimin e ardhshëm të popullsisë duhet trajtuar si proces statistikor e jo manipulues. Vetëm me një qasje të tillë do të kemi një realitet objektiv  demografik, duke e paraqitur strukturën reale në këtë mjedis multinacional si nder më të veçantit në regjion.

Diaspora ka identitetin e vet

Sipas informacionëve të cilat disponojmë  në regjistrimin e popullsisë i cili do të zhvillohet në fund të këtij viti, sikurse në vitin 2011  diaspora do të regjistrohet vetëm në aspektin numërik, do të thot  pa përkatësinë nacionale, gjuhës amtare dhe ate konfesionale që është paradoks i llojit të vet, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet.

Por, pas rotacionit të pushtetit të ndodhur me 30 gusht 2020, shpresojmë se në këtë aspekt duhet të ndodhin ndryshime cilësore ku nuk duhet të përjashtohet as diaspora, sepse ajo është pjesë e pandarë e popullsisë në vend, ndonëse janë me dekada në botën e jashtme. Mohimi i të drejtës për tu regjistruar në këtë proces statistikor dëshmon se shteti nuk i trajton të gjithë qytetarët përkatësisht shtetasit e vet të barabartë. Në këtë aspekt dallohen vendet më popullsi heterogjene nacionale, ku shëmbull tipik është Mali i Zi.  Por, kësaj here besojmë se do të angazhohen jo vetëm partite politike por edhe nga shoqëria civile, që defekti I vitit 2011  të eliminohet, në favor te të gjithëve në përgjithësi e diasporës në veçanti.

Sepse nuk ka diasporë pa identitet kombëtar, gjuhësor e fetar, pavarësisht se ku punojnë e jetojnë. E kundërta ndodhë vetëm të ata popuj me kompleksin e tyre të cilët e kanë të rrezikuar identitetin e tyre nacional dhe gjuhësor. Nga ana tjetër shqiptarët në ketë aspekt kanë qenë të përmbajtur nga fakti së janë të vetmit që nuk i përkasin korpusit të popujve sllavë, dhe së nuk i kemi komplekset e atyre popujve në Mal të Zi.

Në lidhje me këtë çështje mbetet të presim reagimin nga Monstat–i i cili do të merret me regjistrimin e popullsisë, në muajt në vijim, kur do të kemi mundësi të kemi kopjen e fletëregjistrimin e popullsisë, ku do të evidentohet edhe diaspora. Vetëm atëherë duhet të kemi mundësi të japim vërejtjet në lidhje me çështjet kontestuese, ku diaspora mbetën çështje e cila kërkon zgjidhje e jo të mohohet sikurse në regjistrimin e fundit të popullsisë(2011). Sepse mohimi i të drejtës së diasporës bie ndesh me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe standartët demokratike, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet nacional, gjuhësor dhe konfesional. Kujtojmë me këtë rast se në regjistrimin e popullsisë në vitin 2003, janë evidentuar 52511 banorësh nga Mali i Zi në botën e jashtme, apo 7.8% e popullsisë së përgjithshme.

Një e treta e diasporës është shqiptare                     

Nuk ka dilemë se një të dhënë të tillë duhet analizuar më tërë spektrin e vet  nacional, gjuhësor dhe konfesional, sepse atëherë do të kemi mundësi të japim disa përfundime. Kështu nëse analizojmë këtë numër sipas strukturës nacionale të popullsisë del qartë së në botën e jashtme janë 16519 pjesëtarë të kombësisë shqiptare, nga del së çdo i treti shqiptarë është në botën e jashtme. E dhëna së shqiptarët paraqesin  1/3 e diasporës së përgjithshme te Malit të Zi, është diçka e jashtëzakonshme kur dihet së shqiptarët në vitin 2003 kanë  marrë pjesë më 7.09% në kuadrin e popullsisë të përgjithshme.

Ndërsa pjesa tjetër e diasporës nga Mali i Zi i takon pjesëtarëve të popullit boshnjak, e më së paku atij malazez apo serb, duke dëshmuar në mënyrë transparente gjendjen faktike të diasporës  ku  popujt të cilët janë numërikisht më të pakët përbëjnë pjesën më të madhe të diasporës nga Mali i Zi. Pikërisht një e dhënë e tillë dëshmon qartë statusin e tyre social dhe politik të popujve përkatës në Mal të Zi. Sepse nuk ka mundësi të shpjegohet ndryshe që pjesëtarët e popujve numërikisht më të pakët janë pjesëtarët më të mëdhënj të diasporës.

Për ndryshime duhet vullnet  politik

Andaj duke marrë parasysh këto të dhëna mendoj së hartuesit e pyetjeve në fletëregjistrimin e popullsisë në vitin 2011, kanë vendosur me qellim  eliminimin e deklarimit te diasporës  sipas përkatësisë nacionale, gjuhës amtare e asaj konfesionale. Pikërisht  nga një veprim i tillë del qartë qellimi, më çka dëshmohet së ky regjistrim i popullsisë është politizuar në përmasa të jashtëzakonshme nga Monstat-i në Mal të Zi.

Përfundimisht nëse ekziston vullneti politik, defektet nga regjistrimi i diasporës mund dhe duhet të përmirësohen në regjistrimin e popullsisë  që parashihet të mbahet në fund të këtij viti, duke dëshmuar profesionalizëm në respektin ndaj diasporës e cila është ndërgjegja kombëtare e çdo vendi.

Shpërndarjaterritoriale e popullsisënë Mal të Zi sipas përkatësisë kombëtare(2003)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, Shqiptaret ne Mal te Zi

NDËRMJET SHBA DHE RUSISË NJË NDESHJE E RE NË AFGANISTAN

August 9, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI

“Corriere della Sera”, 3 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Afganistani është I njohur për kartvizitat e tij vdekjeprurëse. Shumë e quajnë “Varri I perandorive”, sepse ka mundur anglezët, sovjetikët e tani amerikanët. Të tjerë kujtojnë Lojën e Madhe (The Great Game) që gjatë gjithë shekullit XIX vuri në kundërshtim Britaninë e Madhe me Rusinë cariste. Britanikët, që deshën të krijonin një Shtet-jastëk në Afganistan, pësuan humbje të mëdha e i u desh të braktisnin Kabulin më 1842. Po mirë, Loja e Madhe ka rifilluar. Protagonistë janë Rusia e Putinit dhe Amerika e Biden-it. Ky i fundit është në vështirësi më të mëdha. Jo sepse opinion public i ShBA është kundër tërheqjes, por më shumë sepse i duket e papranueshme një humbje shumë e bujëshme, shumë afër palosjes. Biden-i duhet të fitojë së paku një vit në të cilin talebanët të mos hyjnë ushtarakisht në Kabul dhe dhunimet e sigurta të të drejtave njerëzore (mbi të gjitha kundër grave) duhet të largohen sa më shumë të jetë e mundur.

Ndërsa talebanët përparojnë gjithandej dhe rrethojnë qytetet (edhe Heratin, ku ishin italianët), është e dukëshme që trupat afgane nuk janë në gjëndje të qëndrojnë për kohën që i duhet Biden-it. E vetmja zgjidhje, atëherë do të jetë sigurimi i një mbështetje të gjërë ajrore. Por nga do të nisej, mbasi është braktisur baza e stërmadhe e Bagramit? Ndoshta nga Emiratet. Ndoshta nga Katari. Por do të shërbente një bazë e re m’e afërt. Në Uzbekistan, në Kirgizi? SHBA janë në ndjekje të rrezikut të zemërimit të një tjetër lojtari. Putini don të përfitojë nga tërheqja amerikane, megjithë kujtimin e shëmtuar të tërheqjes sovjetike nga vetë Afganistani më 1989. Lëviz në të gjithë zonën për të fuqizuar ndikimin e tij, për të thënë se Rusia, jo Amerika në ikje, duhet të jetë garanti i sigurisë së rajonit. E ndërkaq miklon talebanët, për t’i përdorur kundër Islamit fondamentalist që kërcënoka Azinë Qëndrore të “tij”. Ne evropianët shohim nga larg.

“Corriere della Sera”, 3 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Rusia, SHBA

Lojërat politike në kurriz të shqiptarëve

August 5, 2021 by s p

Skënder MULLIQI 

Në politikë po rreshtohen ata që po bëhën gjithnjë e më të rrezikshem për shtet dhe për interesa nacionale. Më fjalë dhe veprime në vepër po e pushkatojnë ngadalë të ardhmën tonë. Janë rrështuar në eshalonin e parë , ata që janë duke i futur shqiptarët në telashe të mëdha. Fatkeqësitë nuk janë vetëm natyrore , ato vijnë edhe nga njerëzitë e pa përgjergjshem të politikës. Thirrjët për konflikte dhe revanshizma  të ndërsjella që shumë kohë , mund të  na  sjellin vetëm tragjedi të reja . Arsyetimet së këto veprime  po i bëjnë për të mirën e shtetit, janë të pa argumentuara dhe janë   banale.Kur shënjestrohet para së të shtrohet pyetja për temën e caktuar , kjo nuk i kontribuon të mirës. Nuk është e mjaftueshme besatimi i rremë , nuk është i mjaftueshme betimi në të vertëten , në menqurinë , kulturën, shkollimin , kur punët flasin krejt ndryshe , me keq. Rreshtimi në radhën e parë të pushkatimit medial para të cilit shpesh po gjenden dy shtet tona , kësaj nuk i thonë të bërit politikë ! A janë fajtorë njerëzit e caktuar të politikës , apo jemi fajtorë të gjithë ne?! Sigurishtë fajtor për lëshime dhe gabime të mëdha apo të vogla janë njerëzit e politikës shqiptare , të cilët para interesave përsonale e kan humbur torruan dhe arsyen. Po futën në gjëra të këqija , pa e pyetur sovranin popull, dhe këtë po e bëjnë edhe kur janë në pyetje interesat nacionale.Mos të në shesin dushkë për gogla, së nuk ka më budallenjë në këtë botë që mos ti kuptojnë  manipulmet dhe rrenat e tilla . Shqiptarët në trojët etnike sigurishtrë së nuk i kan merituar  disa nga strukturat e tilla politike .Duhet të pranojë  shumë kush së nuk e meriton të gjenden në rreshtin e parë të politkibërjës shqiptare.Duhet  të largohën nga aty ku gjenden , së i kan vu seriozisht në pëshore interesat e  shteteve shqiptare dhe i kan vu në pëshore edhe interesat e viseve tjera etnike. Nese dikush është ushtruar për manovrime  të tilla  , mos të mëndon së gjithmonë do ti ecë kungulli mbi ujë…!Kemi ardhur në një situatë kur nuk po jemi veq të robnuar politikisht , por po jemi  edhe viktima! Pushoni të na mbani fjalë  së  së jeni njerëz të politikës , kur nuk jeni.

Filed Under: Analiza Tagged With: shqiptaret, Skender Mulliqi

“BALLKANI I HAPUR” DHE AMBICIET EKSPANSIONISTE TË BEOGRADIT NUK SHKOJNË BASHKË

August 3, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, sipas pseudo-historianëve serbë, ushtria serbe paska marshuar triumfalisht prej Selaniku deri në Alpe. Si rezultat i fitores serbe qenkësh çliruar “një pjesë e mirë e Ballkanit”. Parullë kryesore e asaj kohe ka qenë “Ballkani ballkanasve”.  Sipas serbëve, me këtë parullë do t’i jepej fund pushtimit të Ballkanit nga Fuqitë e Mëdha dhe hegjemonisë së tyre.

Sipas ideologëve serbë të fillimit të shekullit XX, në Ballkan duan të shtrijnë hegjemoninë e tyre Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Anglia. 

Për ideologët serbë të asaj kohe, Rusia nuk është pushtuese e Ballkanit dhe nuk synon të shtrijë hegjemoninë e saj në të. Me fjalë të tjera, Rusia është mike dhe aleate e natyrshme e Serbisë, ndaj prania e saj në rajon nuk paraqet pushtim as hegjemoni. 

Parulla serbe “Ballkani Ballkanasve” nënkupton parandalimin e hyrjes së ShBA-së dhe të Gjermanisë në gadishull. Sipas kësaj parulle, penetrimi dhe ndikimi i Rusisë në rajon është i mirëseardhur, i dobishëm, i nevojshëm dhe i domosdoshëm. 

Me rastin e krijimit të të ashtuquajturit Shengen i vogël, kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq (1970 -) e përsëriti sintagmën e sipërthënë “Ballkani ballkanasve”. Sipas kësaj parulle, fuqive perëndimore duhet t’u mbyllen dyert e gadishullit, ndërsa për Moskën, dyert e rajonit duhet të mbeten të hapura. Përpos kësaj Serbia pandeh se pa Uashingtonin dhe Berlinin, Serbia lehtë mund t’ia dalë me vendet e Ballkanit perëndimor. 

Sipas ideologëve serbë, Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Londra natyrshëm anojnë nga shqiptarët dhe nga kroatët. Për këtë arsye, dyert e gadishullit duhet të mbyllen për to. Shengeni i vogël ndërkaq apo “Ballkani i hapur” janë mundësi e mirë për ta arritur këtë. 

Sipas serbëve, situata sot na qenkësh e njëjtë me atë të kohës së luftërave ballkanike – 1912-1913. Strategjia e Fuqive të Mëdha të sotme, d.m.th. e fuqive perëndimore, ndaj popujve të Ballkanit na qenkësh  identike me atë të fillimit të shekullit XX. Me një fjalë, strategjia e fuqive perëndimore e fillimit të shekullit XX ndaj serbëve na qenkësh identike me atë të sotmen. Me Marrëveshjen e Dejtonit (1995), Bosnja na qenkësh aneksuar përsëri, mu si në kohën e Kongresit të Berlinit (1878), kur kalon nën administrimin e Vjenës. .    

Luftërat çlirimtare në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, të viteve 1991-1999, nuk kanë qenë luftëra çlirimtare por fetare. Luftërat çlirimtare të sipërthëna, për serbët paraqesin përsëritje të Luftës së Dytë Ballkanike. Sipas tyre, popujt e këtyre hapësirave paskëshin luftuar kundër njëri-tjetrit. Kjo s’është dot e vërtetë. E vërteta është se sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, në vitet 1991-1999 kanë bërë luftë çlirimtare kundër pushtuesve, militaristëve, hegjemonistëve, ekspansionistëve dhe kolonialistëve serbë. Fuqitë perëndimore ndërkaq, në periudhën e sipërthënë kanë mbështetur luftën e drejtë të popujve të lartpërmendur. Për fat të keq, ndërhyrja e perëndimorëve në Bosnjë e Hercegovinë ishte e vonuar, gjë që pati si pasojë numrin e madh të viktimave.   

Sipas serbëve, sot paskëshim inversionin e historisë së Luftës së Parë Ballkanike, d.m.th. sot paskëshim konflikte dhe luftëra të nxitura nga jashtë. Sipas Beogradit, nxitës nga jashtë janë fuqitë perëndimore. Kur përzihen fuqitë e jashtëm, popujt e rajonit e humbkan lirinë dhe pavarësinë. Kjo s’është e vërtetë. E vërtetë është se në saje të mbështetjes së fuqive perëndimore Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova fitojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Mali i Zi dhe Maqedonia ndërkaq, mbrojnë pavarësinë nga synimet hegjemoniste serbomadhe. 

Sipas serbëve, sot s’paskëshim “Ballkan ballkanasve”. Sot paskëshim “Ballkani të huajve”. Të huaj dihet kush janë – fuqitë perëndimore. Rusia s’është e huaj, ajo është aleate, mike. Nëpërmjet saj, Serbia do të shtrijë hegjemoninë dhe dominimin e vet në Ballkanin perëndimor, pa lënë jashtë as Kroacinë. 

*   *   *

Nëpërmjet Shengenit të vogël apo të ashtuquajturit Ballkan i hapur, synon ta rikthejë dhe ta ringjallë parullën e vjetër “Ballkani ballkanasve”. Kjo strategji i mundëson Serbisë dominim në Ballkanin Perëndimor dhe lehtësira për të dalë në Adriatikun shqiptar.

*   *   *

Ballkani i hapur i Aleksandër Vuçiqit të përkujton edhe “Federatën ballkanike”. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndërmjet pushteteve komuniste të reja – RPF të Jugosllavisë, RP të Bullgarisë, RP të Rumanisë dhe RP të Shqipërisë, me pjesëmarrjen aktive të BRSS-së, u shqyrtua bashkimi në Republikën Federative Ballkanike, në të cilën do të përfshihej edhe Greqia, po qe se në luftën civile greke do të fitonin partizanët. Në këtë kohë Josip Broz Titoja punonte me të madhe për krijimin e Federatës ballkanike. Jugosllavia u ndihmonte partizanëve grekë dhe punonte për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. 

Pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit komunistë Josip Broz Tito (1892-1980) dhe Gjergj Dimitrovi (Georgi Dimitrov, 1882-1949) punuan në projektin e bashkimit të të dy vendeve – Jugosllavisë dhe Bullgarisë – në Republikën Federative të Ballkanit. Si lëshim për palën jugosllave, autoritetet bullgare ishin pajtuar të njohin dallimin midis kombësisë dhe gjuhës bullgare nga kombësia dhe gjuha maqedonase. Ky ka qenë një prej kushteve për Marrëveshjen e Bledit (qytet në Slloveni) të nënshkruar midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë, më 1 tetor 1947. Në nëntor 1947, nën trysnin e Bashkimit Sovjetik, Bullgaria  nënshkruan marrëveshje për miqësi me Jugosllavinë. Qeveria bullgare ishte e detyruar që qëndrimet e veta përsëri t’ua përshtatë interesave sovjetike në Ballkan. Duhet shtuar se Titoja e shihte veten si një lider, përkatësisht si një udhëheqës potencial të shteteve të rajonit.       

*   *   *

I ashtuquajturi Ballkan i hapur, për shqiptarët është një bashkësi e panatyrshme. Shqiptarët nuk mund të jenë në një bashkësi politike dhe ekonomike me sllavët e jugut, me të cilët, jo vetëm në të kaluarën, por edhe sot janë në konflikt. 

Shengeni i vogël apo i ashtuquajturi Ballkan i hapur, s’ka sesi mos të ta rikujtojë Jugosllavinë e AVNOJ-it apo të Titos, atë të Aleksandër Ranokviqit, përkatësisht të Sllobodan Millosheviqit. Në atë Jugosllavi tre milionë shqiptarë kanë qenë të shtypur, të shkelur, të sunduar, të dominuar, të shfrytëzuar, të kolonizuar. Shtypës i egër ka qenë boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë).

Në fillim të shekullit XX Serbia e konsideronte veten Piemont të “luftës ballkanike për liri”. Edhe pse në vitet 1991-1999 shkaktoi katër luftëra në ish-Jugosllavi, Serbia ende shpreson se mund të luajë rolin e Piemontit në Ballkanin Perëndimor. Serbia pandeh se forca e saj integruese në rajon është më e madhe se ajo e shteteve të tjera të gadishullit. Si e tillë, ajo u dashka të luajë rolin udhëheqës.  

Përfshirja e Shqipërisë në Ballkanin e hapur që nënkupton rimëkëmbjen e amalgamës jugosllave, s’ka sesi mos të ta rikujtojë tendencën e Josip Brozit, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, për shndërrimin e Shqipërisë në republikë të shtatë të serbosllavisë.   

*   *    *

Për çfarë Ballkan të hapur flet Vuçiqi, kur vendi të cilin e udhëheq, është destabilizuesi kryesor i gadishullit?! Nuk mund të ketë Ballkan të hapur në një rajon të cilin Beogradi synon ta shndërrojë në fuçi baruti, mu si në fillim të shekullit XX. 

Për ta vënë në dyshim konceptin e një Ballkani të hapur, nuk ka nevojë të kthehemi në histori, t’i kthehemi ideologjisë dhe politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste serbe. Për të mos i besuar konceptit të Ballkanit të hapur, s’ka nevojë t’u kthehemi krimeve dhe gjenocidit serb të vitit 1877-1878; krimeve dhe gjenocidit serb të kohës së luftërave ballkanike apo të kohës së Luftës së Parë Botërore; krimeve dhe gjenocidit serb të periudhës midis dy luftërave botërore, kur Beogradi, për ta ndryshuar strukturën etnike të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Mbretërinë Jugosllave, sillte aty kolonë serbë dhe malazezë. S’ka nevojë t’i kthehemi elaboratit të Vaso Çubrilloviqit (1897-1990) për dëbimin e shqiptarëve për në Anadolli; s’ka nevojë t’u kthehemi krimeve serbe të pas Luftës së Dytë Botërore; s’ka nevojë t’i kthehemi kohës së Aleksandër Rankoviqit (1909-1983); të Sllobodan Millosheviqit (1941-2006), të Vojisllav Sheshelit (1954 -) apo të Vojisllav Koshtunicës (1944 -); s’ka nevojë t’u kthehemi krimeve të viteve 1998-1999, dëbimit të një milion shqiptarëve prej vatrave të veta. 

Sikundër shihet, në përputhje me planet e Çubrilloviqit dhe të Ivo Andriqit (1892-1975), shqiptarët u dëbuan nga trojet e veta edhe në Jugosllavinë socialiste. T’i shpërngulim shqiptarët nga Rrafshi i Dukagjinit, nga Kosova dhe nga rajoni i Pollogut. Masat e dëbimit, të deportimit apo të shpërnguljes do t’i justifikojmë si veprime kundër “shqiptarëve reaksionarë”, “kundërrevolucionarë” dhe “bashkëpunëtorë të okupatorit”. Me këtë akuzë u dëbuan edhe gjermanët nga Vojvodina.     

Sidoqoftë, të mos kthehemi në të kaluarën për arsye se ka të tillë që thonë: “Mos u ktheni në të shkuarën, në të kaluarën. Mos u kthe në histori, ta lëmë historinë mënjanë, të shikojmë para, të shikojmë të tashmen për një të ardhme më të mirë…” 

Atëherë po shikojmë të sotmen, të tashmen. Pra, për ta vënë në dyshim konceptin mbi një Ballkan të hapur, mjafton të ndalemi në kohën e përtashme, në kohën e Vuçiqit. 

Për çfarë Ballkani të hapur mund flitet, përderisa Serbia:

– ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, ndërkaq Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh kishën sllavo-maqedonase;

– thotë se Kosova është Serbi;

– thotë se kurrë s’ka për t njohur pavarësinë e Kosovës;

– ka pretendime territoriale ndaj Kosovës;

– nuk e njeh realitetin e ri në Kosovë;

– është në kundërshti me parimet e BE-së, për pandryshueshmërinë e kufijve;

– ndaj Kosovës ndjek luftë speciale dhe luftë psikologjike;

– përdor retorikën luftënxitëse;

– ndjek politikën e forcës;

– mu afër kufijve të Kosovës zhvillon manovra ushtarake dhe demonstron forcë;

– armatoset me armatime nga Rusia dhe i rrit potencialet luftarake;

– është përçuese e interesit rus në rajon;

– është satelite politike, historike e Rusisë;

– përqendron arsenal luftarak dhe forca ushtarake mu afër kufirit të Kosovës;

– cenon tërësinë e tokave dhe sovranitetin e Kosovës;

– e instrumentalizon pakicën serbe në Kosovë;

– ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe i detyron të shpërngulen prej vatrave të tyre;

– parandalon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare;

– punon për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet të cilat tanimë e kanë njohur;

– nuk e ndryshon kushtetutën e vet, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë;

– nuk miraton në Kuvendin e vet një rezolutë, ku do t’u kërkohej falje shqiptarëve për krimet e luftës dhe për gjenocidin e kryer, që nga koha e Krizës së dytë lindore e deri në vitin 1999; 

– nuk i paguan Kosovës zhdëmtim për politikën kolonialiste dhe për shfrytëzimin e egër të Kosovës;

– nuk i nxjerr para drejtësisë vrasësit serbë të cilët gjatë luftës së vitit 1998-1999 kanë vrarë popullsi civile shqiptare, përfshi edhe gra dhe fëmijë;

– nuk i nxjerrë para organeve të drejtësisë kriminelët serbë të cilët gjatë luftës së viteve 1998-1999 kanë përdhunuar femrat shqiptare;

– nuk bashkëpunon mirëfilli për sqarimin e fatit të të pagjeturve, etj.   

*   *   *

Ndaj shqiptarëve, Serbia ndjek një politikë djallëzore: me Shqipërinë, hiqet sikur e çon mirë, Kosovës ndërkaq, i kanoset forcërisht. Vuçiqi duhet ta dijë se rruga e Beogradit për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Për të shpresuar një të ardhme më të mirë, puna e parë që duhet të bëjë Serbia është të turpërohet nga e kaluara e vet. Po qe se Vuçiqi e sheh veten si një politikan me vizion, atëherë le të tregohet burrë shteti dhe le ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pas kësaj dhe vetëm pas kësaj do të mund të flitej për zhvillimin e proceseve të fqinjësisë së mirë. Vetëm pas kësaj, dy popujt – shqiptarët dhe serbët – do të mund të shikonin para dhe të ecnin para. Pa Kosovën s’mund të ketë kurrfarë Ballkani të hapur. Krizë e Ballkanit nuk është Kosova. Krizë e rajonit është Serbia me synimet e saj hegjemoniste dhe ekspansioniste dhe me politikën e saj luftënxitëse.      

Franca dhe Gjermania kanë luftuar tri herë gjatë historisë së kohës më të re: një herë në shekullin XIX dhe dy herë – në qindvjeçarin XX. Këto dy fuqi të mëdha të kontinentit të vjetër u dhanë fund konflikteve midis tyre, vetëm pasi e njohën njëra-tjetrën. 

Për një të ashtuquajtur Ballkan të hapur, Serbia paraprakisht: 

– duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të respektojë tërësinë tokësore të saj dhe sovranitetin e saj; si dhe

– duhet t’i japë fund gjenocidit të heshtur të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegje).

Ballkani i hapur, me një Serbi si pjesë e tij, është një koncept bizar, grotesk, i panatyrshëm dhe absurd. Një absurditet të tillë s’e has dot as edhe në dramat e irlandezit Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989).

Edhe Bashkimi apo Unioni Evropian është themeluar vetëm pasi fuqitë historike të kontinentit të vjetër kanë arritur një marrëveshje historike paqeje, që nënkupton:

– mosndryshimin e kufijve; dhe 

– respektimin e lirive dhe të të drejtave të minoriteteve.

Për çfarë Ballkani të hapur mund të flitet përderisa integritetin territorial të Kosovës, e   e garanton dhe e mbron nga pretendimet hegjemoniste dhe ekspansioniste serbe – ShBA-ja.

*   *   *

Pjesëmarrja e Shqipërisë në të ashtuquajturin Ballkan i hapur, e dobëson pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Lidhur me mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, shqiptarët duhet të sillen dhe të veprojnë si një komb i bashkuar. Për çfarë Ballkani të hapur mund të flitet kur kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi s’ka ditë të mos deklarojë – tërthorazi – se Serbia përgatitet për luftë. 

Në vend të pjesëmarrjes në një Ballkan të hapur, që nuk është veçse një nocion fiktiv, mu si Shengeni i vogël, në Gjykatën ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, Tirana duhet të ngre padi ndaj Serbisë për gjenocidin e heshtur të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).  

Këto që u thanë më sipër duhet t’i ketë parasysh qendra botërore e qytetërimit – Amerika si dhe Gjermania. Serbia, ndonëse i ka humbur luftërat e viteve 1991-1999 në territoret e ish-Jugosllavisë, përsëri tenton të dalë fitues. Shtetit që ka shkaktuar luftëra pushtuese dhe  i ka humbur ato, i vihen frena.  

Nuk ulesh dot në të njëjtën tryezë me vrasësin tënd, përderisa ai nuk e pranon krimin e kryer, nuk pendohet, nuk kërkon falje dhe nuk tregon gatishmëri për zhdëmtim. 

*   *   *

Shqiptarët nuk duhet ta humbin orientimin në hapësirë dhe në kohë. Të jesh në të njëjtën bashkësi me sllavët e jugut, me të cilët ke qenë dhe je në konflikt, do të thotë ta rrënosh identitetin tënd. Si një popull i vjetër dhe me identitet të padiskutueshëm, shqiptarët e kanë vendin në familjen perëndimore dhe jo nën tendën e sllavëve të jugut me të cilët s’i lidh dot gjë, përpos një historie qëndrese për liri dhe pavarësi. Ruajtja e kujtesës historike nuk është pengesë për krijimin e shtetit demokratik. Shlyerja e kujtesës historike, e ideve dhe e idealeve nuk mund të jetë kusht për krijimin e kombit modern.  

Ata që i injorojnë mësimet e mëdha të historisë, do të shndërrohen në përsëritës të saj dhe do të flaken nga historia. Shqiptarët i vë në lëvizje, jo Ballkani i hapur por objektivi i drejtë, d.m.th. synimi për t’u bërë pjesë e familjes perëndimore. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani I hapur, Ballkani Perendimor, Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 249
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT