• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?

February 11, 2026 by s p

Nga Arian Galdini/

Në demokracitë e brishta rrëshqitja rrallë shpallet me dhunë të hapur, ajo ndodh kur monedha e republikës ndërrohet pa u vënë re. Energjia zë vendin e detyrueshmërisë, zëri zë vendin e llogarisë. Shoqëria ndizet dhe bind veten se po vepron, pushteti ftohet dhe bind veten se po zgjat. Në atë çast, fjala vazhdon të qarkullojë, por humb peshë, sheshi vazhdon të mbushet, por humb kosto, kundërshtimi vazhdon të ekzistojë, por humb aftësinë për ta bërë shmangien të pagueshme.Dallimi themelor rri mes urgjencës si çast dhe urgjencës si regjim. 

Urgjenca si çast është reagim moral i ligjshëm, një padrejtësi e freskët, një rrezik real, një dhimbje që kërkon përgjigje. Urgjenca si regjim është mënyrë e përhershme legjitimiteti, industri e ritmit dhe ekonomi e shpejtësisë, rrugë e shkurtër drejt legjitimitetit të shpejtë pa detyrim. Në regjim, morali kërkohet i menjëhershëm, identiteti moral kërkohet i shpejtë, prova trajtohet si ngadalësi, standardi i njëjtë trajtohet si luks. Vlera zhvendoset nga kriteri te skenari, nga llogaria te atmosfera, nga vendimi te shfryrja. 

Në atë zhvendosje, edhe kundërshtimi më i drejtë fillon të marrë formë të lexueshme për pushtetin.Forma e lexueshme i jep pushtetit një avantazh që nuk blihet me votë dhe nuk fitohet me debat. Ajo që lexohet lehtë futet në llogaritje, ajo që futet në llogaritje kthehet në menaxhim, ajo që menaxhohet priret të padëmsohet. Padëmshmëria është emri i butë i mos-pasojës. Në mos-pasojë rritet një hapësirë që për pushtetin vlen më shumë se çdo deklaratë, hapësira e vonesës pa pagesë. Në vendet ku llogaria është e brishtë, vonesa është forma më e lirë e pushtetit, sepse e shtyn rendin në një “më vonë” që nuk paguan. 

Një pushtet që fiton të drejtën për ta shtyrë kthimin pa kosto reale fiton jetën e vet politike. Kjo e shpjegon pse ritmi i revoltës, kur shndërrohet në regjim, prodhon më shumë jetëgjatësi pushteti sesa ndryshim rendi. Ritmi, kur bëhet industri, i jep pushtetit parashikueshmëri. Parashikueshmëria është monedhë politike, e parashikueshmja administrohet, e paparashikueshmja, në kuptimin e detyrimit demokratik, ia shkurton pushtetit luksin e vonesës. Parashikueshmëria e konfliktit e bën pushtetin administrator të valës, detyrimi i standardit e detyron pushtetin të japë llogari.

Kjo gjë sot ka emër të qartë dhe peshë të matshme, inflacioni i protestës. Protesta është e drejtë, inflacioni i protestës është shkatërrimi i saj. Kur ritmi shtohet dhe kostoja e shmangies s’rritet, protesta zhvlerësohet. Në pamje të parë duket fuqi, prodhon konsum. Sa më shumë qarkullon pa pasojë, aq më pak detyron. Ky zhvlerësim nuk është vetëm një çështje taktike, është ndryshim antropologjik. Riti shpërblen reagimin e shpejtë dhe e bën provën të papërdorshme politikisht. Në këtë klimë, heshtja e të urtëve dhe ngritja e militantit nuk janë ankesë morale, por ligj shoqëror, nuanca ndëshkohet si dobësi, ndërsa skenari shpërblehet si vërtetësi. 

Mendimi kritik nuk ndalohet, thjesht mbetet pa vend ku të bjerë. 

Në atë boshllëk pushteti fiton menaxhueshmëri shoqërore, fiton aftësinë për ta parashikuar zemërimin dhe për ta kthyer në rutinë.

Protesta e paralajmëruar e këtij 10 shkurti e bën këtë mekanikë të prekshme. 

Është shpallur mobilizim publik për këtë datë, i paraqitur si vijimësi dhe përshkallëzim presioni. 

Pesha e kësaj nuk rri te lajmi, rri te forma. 

Forma e shpallur i jep politikës një pasqyrë të ftohtë, prodhohet kosto reale mbi shmangien ose prodhohet vetëm lexueshmëri e konfliktit. 

Në një regjim ku pushteti jeton duke zvarritur llogarinë, lexueshmëria është dhuratë, detyrimi është kërcënim.

Qëndrimi im ndaj qeverisjes së Edi Ramës mbetet i plotë, i ashpër, i pandryshueshëm. 

Ky pushtet e ka lidhur jetëgjatësinë e vet me një kulturë vonese, shpërndarje përgjegjësie, zvarritje llogarie, kthim të zëvendësuar me rrëfim, konflikt të zgjatur si atmosferë. 

Për këtë arsye, forma e kundërshtimit merr peshë doktrinore, një formë që i lë pushtetit hapësirë vonese pa pagesë punon kundër qëllimit të vet, edhe kur mban në gojë fjalorin e kundër-pushtetit. 

Ky vëzhgim nuk e dobëson kundërshtimin, e mbron kundërshtimin nga një metodë që e kthen në dekor.

Pikërisht këtu vendoset dallimi mes Legjitimitetit të Temperaturës dhe Legjitimitetit të Llogarisë. 

I pari lind shpejt, prodhon virtyt të çastit, përkatësi të menjëhershme, qetësim ankthi, ndjesi se “po bëhet diçka”. 

I dyti lind ngadalë, kërkon standard të njëjtë, provë të kontrollueshme, kosto reale, vendim, kthim të verifikueshëm. 

Njëri shpërblen shfaqjen, tjetri shpërblen pasojën. 

Njëri e bën shoqërinë të lexueshme, tjetri e bën shoqërinë të padurueshme për menaxhim, sepse e kthen energjinë në detyrim. 

Legjitimiteti i shpejtë është i rrezikshëm, sepse legjitimon pa provë, legjitimiteti i llogarisë legjitimon vetëm pasi prova të jetë e kontrollueshme edhe nga kundërshtari, e vlefshme edhe kur ndryshon kampi, e pagueshme edhe kur pushteti shmang.

Një kundër-argument pro përshkallëzimit mbetet i fortë dhe i denjë, në shoqëri të kapura pushteti shpesh lëviz vetëm kur ndihet i rrezikuar, jo kur kritikohet, trysnia e vazhdueshme shihet si gjuha e vetme që dëgjohet. 

Ky argument nuk është karikaturë, është ankth qytetar i përkthyer në metodë. 

Pas kësaj, dallimi vendimtar nuk është midis sheshit dhe zyrës, është midis formës që e rrit koston e shmangies dhe formës që e rrit vetëm temperaturën. 

Forma e dytë e bën presionin të dukshëm, por e lë shmangien të lirë. 

Liria e shmangies është jetëgjatësi pushteti.

Në demokraci të brishta pushteti fiton shpesh me administrim vëmendjeje dhe menaxhim risku. 

Ai fiton kur energjia shoqërore bëhet e lexueshme si model. 

E lexueshmja kthehet në procedurë, procedura kthehet në padëmshmëri, padëmshmëria kthehet në zgjatje. 

Kështu prodhohet ndarja e ftohtë mes zërit dhe rrezikut, zëri mund të durohet, rreziku detyron. 

Zëri, kur nuk prodhon detyrim, bëhet pjesë e klimës që pushteti e administron. 

Rreziku, kur është demokratik dhe i lidhur me standardin, ia shkurton pushtetit luksin e vonesës.

Kriteri që e mban këtë argument në tokë republike është hapësira e vonesës pa pagesë. 

Kjo hapësirë është diferenca midis energjisë së shpenzuar nga shoqëria dhe detyrimit institucional të prodhuar mbi pushtetin, hapësira ku llogaria mund të shtyhet pa kosto reale. 

Sa më e madhe kjo hapësirë, aq më i lirë pushteti të mos kthehet, sa më e vogël, aq më i ngushtë shtegu i shmangies. 

Hapësira lexohet nga sa shpesh pushteti mund të shtyjë pa paguar në reputacion, në vendim dhe në manovër.

Hapësira dallohet në një rrjedhë të vetme rendi, shmangia, vendimi, ligji. 

Shmangia paguan kur ngushtohet manovra e ekzekutivit dhe e administratës, kur nuk lejohet kalimi nga fjala te mos-kthimi pa kosto reale. 

Vendimi afrohet kur fjala e përditshme nuk zë vendin e aktit dhe vonesa nuk shitet si kujdes. 

Ligji mbetet kriter i njëjtë kur nuk kthehet në objekt kampi, sepse në çastin që çdo akt drejtësie lexohet si pozicion, vendimi fillon të ketë frikë nga leximi, frika prodhon vonesë, vonesa prodhon alibi, alibia prodhon kohë.

Në një javë të tillë, debati publik rreth marrëdhënies mes ekzekutivit dhe standardit kushtetues u bë i dukshëm edhe në çështje konkrete të përfolura gjerësisht, përfshirë atë të Belinda Ballukut. 

Në nivel doktrinar rëndon vetëm një gjë, kur standardi institucional prek ekzekutivin, hapësira e vonesës ngushtohet, kur politika e kthen standardin në temperaturë, hapësira e vonesës kërkon të zgjerohet. 

Në atë përplasje ndihet dallimi mes republikës që mban rregull të njëjtë dhe regjimit që kërkon kohë.

Prandaj 10 shkurti fiton peshë jo si datë, por si provë e formës. 

Nëse forma e përshkallëzimit rrit nxehtësinë pa rritur kostot reale të shmangies, hapësira e vonesës pa pagesë zgjerohet. 

Nëse forma e përshkallëzimit rrit kostot reale të shmangies, hapësira e vonesës ngushtohet. 

Ky ndryshim peshon më shumë se çdo duel retorik, sepse është ndryshim i rendit, jo ndryshim i zërit.

Në këtë klimë shfaqet edhe rreziku i dhunës si metodë, jo si ndjenjë. 

Zemërimi moral mund të jetë sinjal drejtësie, dhuna si metodë priret të kthehet në alibi të dyfishtë për pushtetin, brenda, si arsyetim rendi, jashtë, si kredi garancie funksionale. 

Ajo e zhvendos pyetjen nga llogaria te frika. Frika e ngre çmimin e ndryshimit dhe e ul çmimin e vonesës, sepse vonesa fillon të shitet si kujdes dhe vendimi të duket si rrezik. 

Në vendet ku pushteti jeton nga vonesa, kjo zhvendosje e qendrës së debatit është shërbim për pushtetin, pavarësisht justifikimit.

Prandaj kritika ndaj urgjencës si regjim nuk është kritikë ndaj lirisë. 

Ajo është mbrojtje e kundërshtimit që detyron. 

Është mbrojtje e barazisë si rend, jo si emocion. 

Është mbrojtje e një republike që nuk matet me sa herë ndizet, por me sa herë e bën shmangien të pagueshme.

Në fund, standardi i republikës del pa retorikë, pas një cikli përshkallëzimi, kostoja reale e shmangies lëviz, vendimi afrohet, ligji mbrohet si kriter i njëjtë, jo si kamp. 

Kur këto lëvizje nuk ndodhin, hapësira e vonesës pa pagesë zgjerohet dhe urgjenca mbetet regjim. 

Kur këto lëvizje ndodhin, urgjenca kthehet në çast të drejtë dhe demokracia kthehet në rend.

Kur hapësira e vonesës pa pagesë shteron, pushteti detyrohet. 

Kur nuk shteron, pushteti zgjatet.

Filed Under: Analiza

“Nomos”

February 11, 2026 by s p

Fitim Zekthi/

Ne kemi një klasë politike e cila nuk mund të pranojë të hetohet dhe të gjykohet. Është e ngulitur në qenien e kësaj klase ideja se ajo mund të bëjë ç’të dojë, se gjykata dhe prokuroria janë vetëm në shërbim të saj. Gjykata dhe prokuroria ekzistojnë vetëm për të hetuar dhe gjykuar popullin, njerëzit e zakonshëm, hallexhinjtë. Është një mendësi që vjen nga komunizmi, që vjen nga forma shumë të ulëta dhe kriminale të mendimit politik.

Që nga Aristoteli e deri te Carl Schmitt, që nga besimet e mëdha te kultura të ndryshme, nga judaizmi te krishterimi e deri te islami, politika mendohet si veprim brenda një rendi normativ. Grekët e quanin nomos.

Kur një grup nuk e pranon të drejtën, atëherë ai nuk lufton vetëm ligjet dhe normat konkrete, por edhe parimin që konfliktet zgjidhen përmes rregullit dhe jo forcës.

Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është thjesht një luftë e ulët dhe e poshtër e atyre që janë habitur e tronditur që prokuroria apo gjykata mund t’i hetojnë apo t’i dënojnë. Kjo vihet re, teksa deri dje prokuroria dhe gjykata ishin të mira vetëm nëse nuk i preknin ata. Po u prekën ata, atëherë gjykata dhe prokuroria duhen ndryshuar, ligjet duhen ndryshuar, nomos-i duhet ndryshuar.

Është një konvulsion i brendshëm dhe i thellë i një klase politike të ulët që nuk pranon kurrë të jetë subjekt i së drejtës, një lloj si ajo komuniste.

Filed Under: Analiza

Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

February 11, 2026 by s p

Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe skandaleve që e kanë përfshirë së fundmi atë.

protesta e opozites

Associated Press, The Telegraph dhe Washington Post shkruajnë se mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë për të kërkuar largimin e qeverisë së Ramës, pas akuzave të ngritura nga drejtësia ndaj zëvendës kryeministres së pezulluar Belinda Balluku.

Mediat vënë theksin edhe te përdorimi i gazit lotsjellës dhe uji nga policia ndaj protestuesve, ndërsa këta të fundit hodhën molotov.

“Qeveria e kryeministrit Edi Rama është kritikuar ashpër për akuzat për korrupsion që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, por Rama i ka rezistuar thirrjeve për ta shkarkuar atë. Ka pasur kërkesa në rritje që ligjvënësit t’i heqin imunitetin Ballukut nga ndjekja penale, gjë që mund të bëhet vetëm me votim parlamentar.”, kanë shkruar mediat.

Vihet theksi gjithashtu edhe te akuzat ndaj Ballukut si edhe kërkesa nga ana e SPAK për t’i hequr imunitetin dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj.

“Prokurorët antikorrupsion e kanë akuzuar Ballukun, e cila është gjithashtu ministre e energjisë dhe infrastrukturës, për ndërhyrje në prokurimin publik për projektet e ndërtimit për të favorizuar kompani të caktuara dhe kanë kërkuar heqjen e imunitetit të saj.”, thuhet më tej në artikuj.

Në protestën e së martës morën pjesë mijëra njerëz, thuhet në artikujt, duke shtuar se kjo ishte demonstrata e tretë e tillë në muajt e fundit që kërkonte dorëheqjen e Ramës. Më shumë se 1,300 oficerë policie ishin vendosur për të garantuar sigurinë.

“Kreu i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, një ish-kryeministër i cili është përballur edhe vetë me akuza për korrupsion, e përshkroi protestën si një “kryengritje paqësore” në një moment kritik për Shqipërinë. Duke folur në protestë, ai akuzoi Ramën se “i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë”.”

1
2
12

Filed Under: Analiza

EUROINTEGRIMI I PENGUAR DHE DEFAKTORIZIMI I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT

February 9, 2026 by s p

Një shtet që mohon bashkëthemeluesit e tij nuk mund të integrohet në një bashkësi të ndërtuar mbi barazi, konsensus dhe sundim të ligjit. Marrëveshja e Ohrit paraqitet si testi themelor i pjekurisë demokratike të shtetit: çdo tentativë për relativizimin ose zhbërjen e saj është sinjal regresi politik dhe alarm strategjik për Bashkimin Evropian.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut nuk përfaqëson më një rrugëtim linear drejt konsolidimit demokratik, por një model të qëndrueshëm të ndërprerjeve të qëllimshme strategjike, ku dobësitë e brendshme strukturore ndërthuren me projekte gjeopolitike të jashtme për të prodhuar një gjendje të përhershme provizoriumi shtetëror. Që nga fillimi, eurointegrimi nuk është trajtuar si projekt transformues i rendit kushtetues dhe institucional, por si instrument menaxhimi krizash dhe si monedhë shkëmbimi në balancat e brishta të pushtetit rajonal dhe ndërkombëtar. Në këtë konfigurim, shteti nuk reformohet, por mbahet funksional vetëm aq sa të mos shpërbëhet, ndërsa perspektiva evropiane shndërrohet në premtim të përhershëm, kurrë të realizuar.

Tranzicioni pluralist i viteve ’90 krijoi iluzionin e një korrigjimi historik, veçanërisht për shqiptarët, të cilët legalizimin e pluralizmit politik e përjetuan si fund të marginalizimit strukturor. Në realitet, pluralizmi mbeti formal dhe jo substancial. Fragmentimi ekstrem i spektrit politik shqiptar, mungesa e një doktrine të qartë shtetformuese dhe instrumentalizimi sistematik nga elitat maqedonase e reduktuan përfaqësimin shqiptar në rol funksional: amortizues të pakënaqësisë sociale dhe garantues të stabilitetit minimal, por jo faktor transformues të rendit kushtetues. Barazia nuk u konceptua si parim themelor i shtetit, por u trajtua si koncesion politik i përkohshëm, i varur nga ciklet elektorale dhe nga vullneti i shumicës etnike.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet u shndërrua gradualisht në zëvendësim për rikonceptimin e shtetit. Arkitektura monoetnike mbeti e paprekur, ndërsa përfshirja shqiptare u përdor si dekor institucional për të dëshmuar një multietnicitet formal, pa prodhuar barazi reale kushtetuese dhe institucionale.

Ky devijim strukturor krijoi terrenin për krizën e mëvonshme.

Lufta e vitit 2001 dhe Marrëveshja e Ohrit përfaqësojnë momentin e fundit historik kur shtetformësia shqiptare u artikulua si projekt politik i qartë dhe i pashmangshëm. Marrëveshja nuk ishte vetëm mekanizëm për ndaljen e konfliktit, por akt themeltar që e detyroi shtetin të pranojë një realitet të mohuar për dekada: Maqedonia e Veriut nuk mund të funksionojë si shtet pa shqiptarët si faktor bashkëthemelues. Megjithatë, ky akt u trajtua nga elitat maqedonase jo si kontratë e re shoqërore, por si koncesion i imponuar nga rrethanat ndërkombëtare, i destinuar të zhbëhet gradualisht në praktikë.

Fragmentimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit përbën një nga momentet më të ndjeshme të trajektores politike dhe kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sepse procesi që duhej të përmbyllej me institucionalizimin e barazisë u shndërrua gradualisht në një mekanizëm të përkohshëm kompromisi.

Dështimi strategjik u shfaq në çastin kur subjekti politik i dalë nga lufta nuk arriti ta konsolidojë Marrëveshjen e Ohrit si normë kushtetuese të pakthyeshme dhe si themel të ri të rendit shtetëror, duke lënë hapësirë që ajo të relativizohej në praktikën politike dhe institucionale. Marrëveshja e majit 2007 e vulosi këtë regres historik dhe institucional, duke e zhvendosur konceptin e barazisë shqiptare nga sfera e së drejtës së garantuar juridikisht në fushën e vullnetit politik të shumicës, ku të drejtat kolektive mbeten të kushtëzuara nga konjukturat e pushtetit dhe jo nga arkitektura kushtetuese e shtetit. Nga ky moment, procesi i shtetformësisë shqiptare kaloi nga logjika e avancimit në logjikën e mbrojtjes, duke humbur iniciativën strategjike dhe duke u ekspozuar njëkohësisht ndaj instrumentalizimeve të brendshme politike dhe presioneve të jashtme gjeopolitike, çka prodhoi një realitet të ri në të cilin barazia formale mbeti e shkëputur nga barazia substanciale dhe Marrëveshja e Ohrit nga dokument themeltar u reduktua në referencë politike të negociueshme.

Ky dobësim i brendshëm u bë terren ideal për ndërhyrje gjeopolitike.

Procesi i integrimit evropian u shndërrua në instrument presioni dhe destabilizimi, ku pengesat nuk lidhen më me kriteret teknike të Kopenhagës, por me projekte strategjike që synojnë mbajtjen e Ballkanit Perëndimor jashtë strukturave euroatlantike. Në këtë kontekst, strategjia ruse për frenimin e zgjerimit të BE-së gjeti shprehjen e saj konkrete në zhvendosjen e konfliktit në fushën e historisë, gjuhës dhe identitetit përmes marrëdhënieve maqedono-bullgare.

Hedhja e konfliktit në dimensionin historiko-identitar nuk ishte një zhvillim spontan i marrëdhënieve ndërfqinjësore, por pjesë e një arkitekture të menduar presioni politik që synonte ta zhvendoste procesin e integrimit evropian nga kriteret demokratike dhe institucionale në terrenin e kontesteve historike të pazgjidhshme, duke e transformuar historinë nga fushë studimi në instrument negociues dhe identitetin në monedhë politike. Në këtë kontekst, krijimi i Komisionit të përbashkët historik u paraqit publikisht si mekanizëm dialogu dhe pajtimi, ndërsa në praktikë funksionoi si një strukturë e institucionalizuar bllokimi, e aftë të prodhonte tensione ciklike sa herë që Maqedonia e Veriut afrohej drejt fazave vendimtare të integrimit evropian.

Kjo logjikë e “evropianizimit të konfliktit historik” u ndërthur me dobësinë e kohezionit të brendshëm politik, duke e përfshirë gradualisht edhe faktorin shqiptar në një dinamikë që nuk buronte nga interesat e tij historike apo politike. Përfshirja e partisë shqiptare në qeveri në këtë komision nuk mund të lexohet si pjesëmarrje teknike apo neutrale, por si hyrje në një proces të konceptuar për prodhimin e krizave identitare dhe për zvarritjen e integrimit evropian. Në këtë kuadër, përfshirja e faktorëve shqiptarë në komision përbën një kapitull të veçantë të këtij projekti të kamufluar: fillimisht, kërkesa për delegimin e një historiani shqiptar u refuzua një veprim që në retrospektivë shfaqet si politikisht i matur por më vonë, nën presione të ndryshme politike, pranimi për të deleguar një përfaqësues shqiptar e futi faktorin shqiptar në një proces pa kontroll strategjik dhe me përgjegjësi të shpërndara, duke e kapur atë në “karremin” e një mekanizmi që nuk e kishte dizajnuar dhe që nuk e kontrollonte.

Pranimi i këtij roli, i shoqëruar me kompensime institucionale simbolike, si drejtimi i diplomacisë shtetërore, e ekspozoi faktorin shqiptar ndaj një rreziku strategjik të dyfishtë: nga njëra anë e vendosi në një proces që nuk lidhej drejtpërdrejt me interesin e tij politik dhe historik, ndërsa nga ana tjetër kontribuoi në ndërtimin e një narrative rajonale problematike, sipas së cilës shqiptarët paraqiten si faktor instrumental në konfliktet identitare dhe si subjekt i gatshëm për kompromis mbi çështje të ndjeshme të kujtesës historike. Në këtë mënyrë, dimensioni historik i kontestit u shndërrua në një mekanizëm presioni politik shumëplanësh, ku integrimi evropian mbeti peng i krizave të prodhuara, i interpretimeve konkurruese të së kaluarës dhe i ekuilibrave të brishtë gjeopolitikë që vazhdojnë ta mbajnë procesin integrues në një gjendje pezullimi strukturor.

Sa herë që Maqedonia e Veriut i afrohej hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, aq më tepër ashpërsohej retorika e këtij komisioni, duke e shndërruar atë në një pengesë pa rrugëdalje për integrimin.

Reagimet tona të vazhdueshme kanë qenë të qarta dhe konsistente: konteksti historik dhe identitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk mund dhe nuk duhet të zgjidhet sipas modeleve ruse të shekujve të kaluar, por sipas standardeve evropiane të pajtimit dhe tejkalimit të konflikteve, ashtu siç kanë vepruar Gjermania dhe Franca pas Luftës së Dytë Botërore. Zgjidhja nuk duhej të mbetej peng i një komisioni bilateral, por të transferohej në kornizën evropiane, si pjesë e procesit të integrimit.

Përfshirja e faktorit shqiptar në këtë proces përbën kapitull të veçantë të gabimit strategjik. Pranimi për të qenë pjesë e një mekanizmi të dizajnuar për prodhimin e krizave identitare e futi faktorin shqiptar në një narrativë që nuk e kishte ndërtuar vetë. Kjo krijoi perceptimin publik se shqiptarët janë faktor destabilizues dhe aktorë që ndërhyjnë në identitete që nuk u përkasin. Kjo narrativë u instrumentalizua drejtpërdrejt në zgjedhjet e vitit 2024, duke ushqyer nacionalizmin dhe duke hapur hapësirë për depërtimin e interesave serbe, ruse dhe kineze.

Pas një sërë sugjerimesh dhe ndërhyrjesh përmes shkrimeve dhe analizave publike, ky qëndrim filloi të marrë formë institucionale. Procesi u zhvendos drejt kornizës evropiane, duke hapur rrugën për deblokim, çka solli edhe njohjen dhe konfirmimin e identitetit maqedonas përmes vendimeve dhe votimeve në disa parlamente të shteteve evropiane. Me këtë akt, projekti fillestar rus mori një goditje vendimtare, pasi u zhvesh nga mekanizmi i tij kryesor bllokues.

Edhe pse zhvendosja e procesit në kornizën evropiane i dha goditje projektit fillestar bllokues, ndërhyrjet nuk u ndalën. U aktivizua një projekt rezervë: sulmi frontal ndaj Marrëveshjes së Ohrit, relativizimi i pozitës kushtetuese të shqiptarëve dhe eliminimi politik i subjektit që doli nga ajo. Ky proces u shoqërua me dhunë diskursive, institucionale dhe kushtetuese, duke e reduktuar shqiptarin nga bashkëthemelues ( shtetformues) në “problem politik”.

Gjykata Kushtetuese, në këtë fazë të re të zhvillimeve politike dhe institucionale, po shfaqet si një instrument kyç në arkitekturën e një strategjie më të gjerë që prodhon tension të kontrolluar institucional dhe politik. Duke vënë në rend dite çështje që prekin drejtpërdrejt parimin e barazisë kushtetuese dhe themelet e Marrëveshjes së Ohrit, ky institucion është pozicionuar si katalizator i një dinamike që synon të provokojë reagim politik dhe qytetar në komunitetin shqiptar. Ky reagim, i nxitur përmes rikthimit të temave të ndjeshme dhe të konsideruara të mbyllura përfshirë edhe çështje që lidhen me juridiksionin ndërkombëtar dhe rastet e Hagës instrumentalizohet më pas në diskursin politik si dëshmi e “paqëndrueshmërisë së brendshme”, duke krijuar një alibi për ngadalësimin ose bllokimin e procesit të integrimit evropian dhe për justifikimin e regresit demokratik. Efektet e kësaj qasjeje u reflektuan edhe në ciklet e fundit zgjedhore parlamentare dhe lokale, ku fragmentarizimi dhe deatomizimi i spektrit politik shqiptar prodhuan dobësim të dukshëm të peshës përfaqësuese në vendimmarrjen shtetërore. Në këtë kontekst, ndërveprimi midis instrumentalizimit institucional, polarizimit politik dhe retorikës konfrontuese shfaqet si pjesë e një projekti më të sofistikuar politik, i cili, nën petkun e legalitetit formal, rikonfiguron raportet e brendshme ndëretnike dhe devijon vëmendjen nga standardet demokratike dhe obligimet që burojnë nga perspektiva evropiane e shtetit.

Në këtë kontekst, krijimi i një këshilli mbipartiak shqiptar nuk është manovër politike, por domosdoshmëri strategjike. Vetëm një platformë e përbashkët mund të ndalë procesin e defaktorizimit dhe të rikthejë shqiptarët si faktor shtetformues. Historia ka dëshmuar se shtetformësia shqiptare nuk zhduket me mohime institucionale; ajo reziston dhe prodhon kriza më të thella për vetë shtetin që tenton ta anashkalojë.

Heshtja përballë këtij procesi nuk është maturi diplomatike, por bashkëpërgjegjësi historike. Kjo analizë strategjike nuk është paralajmërim retorik, por alarm strategjik për një shtet që rrezikon të mbetet peng i projekteve gjeopolitike antievropiane dhe i një rendi të brendshëm që prodhon destabilitet permanent.

Në përmbyllje, kjo analizë strategjike argumenton se pengimi i eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut nuk është pasojë e dështimeve teknike apo e rastësive diplomatike, por rezultat i një ndërthurjeje të qëllimshme midis dobësive të brendshme strukturore dhe projekteve gjeopolitike që synojnë ta mbajnë shtetin në gjendje të përhershme provizoriumi. Defaktorizimi gradual i shqiptarëve nga subjekt shtetformues në variabël politike të menaxhueshme përbën jo vetëm shkelje të barazisë kushtetuese, por edhe bllokadë reale të rrugës evropiane, sepse një shtet që mohon bashkëthemeluesit e tij nuk mund të integrohet në një bashkësi të ndërtuar mbi barazi, konsensus dhe sundim të ligjit.

Marrëveshja e Ohrit paraqitet si testi themelor i pjekurisë demokratike të shtetit: çdo tentativë për relativizimin ose zhbërjen e saj është sinjal regresi politik dhe alarm strategjik për Bashkimin Evropian. Mesazhi është i qartë dhe i dyfishtë: për shqiptarët, uniteti strategjik dhe rikthimi i vetëdijes shtetformuese janë parakusht i mbijetesës politike dhe i avancimit historik; për procesin eurointegrues, përfshirja reale dhe e pakthyeshme e shqiptarëve nuk është pengesë, por kusht themelor për stabilitet, funksionalitet dhe të ardhme evropiane të Maqedonisë së Veriut. Heshtja ndaj këtij realiteti nuk prodhon stabilitet, por e shtyn krizën në kohë; ndërsa veprimi i koordinuar sot mbetet alternativa e vetme për të shmangur një devijim strategjik me pasoja afatgjata për shtetin dhe rajonin.

Filed Under: Analiza

ZBARKIMI I POLITIKANËVE TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË NË WASHINGTON

February 9, 2026 by s p

Orientimi pro-amerikan i popullit dhe shteteve shqiptare ka rëndësi jetike për kombin shqiptar. Historikisht, Amerika është i vetmi vend që e ka ndihmuar vazhdimisht ekzistencën e popullit shqiptar në rrethana jashtëzakonisht të vështira, i rrethuar nga fqinjë grabitqarë dhe shkatërrues.

Në shikim të parë, vërshimi i kohëve të fundit i politikanëve nga Kosova dhe Shqipëria drejt Washingtonit është i mirëpritur. Prania e tyre e madhe në organizime dhe takime në nivele të ndryshme është, në shumë raste, afirmuese.

Veçanërisht ishte i theksuar numri i politikanëve që udhëtuan për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, i cili mbahet çdo vit të enjten e parë të muajit shkurt në Washington.

Nga kjo lëvizje e madhe dalin shumë pyetje të rëndësishme, të cilat kërkojnë analizë të thellë për të vlerësuar rëndësinë dhe arritjet e këtyre vizitave: nëse ato i shërbejnë interesave shtetërore dhe kombëtare apo vetëm promovimit personal, si dhe nëse duhet të realizohen në një numër kaq të madh.

Tendencat për përdorimin e Amerikës për mashtrimin e opinionit publik dhe promovimin e interesave personale e partiake, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, kanë kaluar çdo kufi.

Një numër i madh i atyre që morën pjesë në Mëngjesin e Lutjeve i përkisnin kësaj kategorie. Problemi i tyre është se e kanë të vështirë ta mashtrojnë popullin, sidomos atë të Kosovës, me improvizime, fotografi nëpër korridore dhe shtrëngime duarsh kalimthi. Vetë pjesëmarrja në këtë organizim nuk ka ndonjë vlerë politike dhe nuk i bën ata të rëndësishëm.

Shtrohet pyetja nëse ia vlen të bëhen gjithë ato shpenzime për vizita simbolike, për të marrë pjesë në një tubim me mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota, i cili ka më shumë karakter shpirtëror sesa rëndësi politike.

Lajmi i mirë është se disa prej tyre patën takime të veçanta me ndonjë senator, kongresmen apo zyrtar të nivelit më të ulët të administratës amerikane. Vlera e vërtetë e këtyre takimeve do të përcaktohet nga rezultatet e tyre në të ardhmen.

Kontributi i aktivistëve të komunitetit shqiptaro-amerikan në organizimin e takimeve të ndryshme dhe pjesëmarrjen në Mëngjesin e Lutjeve ishte i rëndësishëm dhe duhet përshëndetur, edhe pse jo të gjitha ishin në interes të popullit dhe shteteve tona.

Megjithatë, përpjekjet për ta paraqitur një takim të vetëm si të jashtëzakonshëm dhe me rëndësi ekzistenciale për çështjen kombëtare janë plotësisht të pavend. Me Amerikën duhet bashkëpunuar gjerësisht, përmes shumë takimeve dhe në mënyrë të vazhdueshme.

Problemi bëhet edhe më i madh kur disa politikanë përpiqen t’i përdorin këto takime për të kërkuar mbështetje personale apo partiake nga pala amerikane, duke sharë dhe përgojuar kundërshtarët e tyre politikë dhe madje edhe vendin e tyre. Ata harrojnë se për fatin e tyre politik vendos populli i Kosovës dhe Shqipërisë, jo zyrtarët amerikanë.

Gjëja më e keqe dhe më e dëmshme janë takimet me përfaqësues amerikanë që janë lobistë ose mbështetës të dokumentuar të armiqve të Kosovës, në krye me regjimin kriminal, racist dhe hegjemonist serb, siç janë ish-ambasadorët Grenell dhe Hill. Pretendimet se ata mund të ndryshojnë në favor të Kosovës apo Shqipërisë janë absurde.

Akuzat e ndërsjella se kush është pro-amerikan dhe kush jo janë bërë të mërzitshme dhe nganjëherë qesharake. Veçanërisht shqetësuese është kur këto akuza përdoren nga politikanë të korruptuar, karrieristë dhe antikombëtarë. Populli e di shumë mirë kush janë ata.

Amerika është destinacioni ynë. Miqësia me Amerikën është e shenjtë dhe e pazëvendësueshme.

Agim Aliçkaj

Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

New York, 8 shkurt 2026

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 979
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT