• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHËMBULLI MOLDAV DHE HIPOKRIZIA E POLITIKËS SHQIPTARE

November 19, 2020 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA- Ditët e fundit u zhvilluan votimet për kryetarin e Shtetit moldav. Belegu zhvillohej ndërmjet kryetarit të socialistëve, të kudondodhur në të gjithë Vendet ish komuniste, Igor Dodonit, që përkrahej nga filorusët dhe drejtueses së partisë “Veprim e solidaritet”, Maia Sandu, një ekonomiste e shkëlqyer, e diplomuar në universitetin e njohur të Harvardit, që ka lënë punën e saj në Bankën Botërore, për të hyrë në politikën e Vendit të saj me të gjithë peshën e formimit të saj e përvojës  në njërin ndër institucionet më të rëndësishme të botës financiare. Belegu përfundoi me fitoren e Maia Sandu-t me 57,75 % të votave kundrejt 42,25 % të kundërshtarit të saj.

Shumë nga Vendet ish socialiste kanë përqafuar në kushtetutat e tyre sistemin presidencial në përcaktimin e Kryetarit të Shtetit. Kjo mënyrë zgjedhjeje i jep më shumë mundësi larmisë së pushteteve e krijon hapësirë për të gjithë spektrin politik, i cili gjen mundësinë të shprehë vullnetin e tij jo vetëm në votimet parlamentare, por dhe n’ata presidenciale. Ndodh që të dy këta votime mos të përkojnë në përfundimet e tyre sepse në rastin e Kryetarit të Shtetit imponohet më shumë personaliteti i kandidatit se sa besimi politik të cilit i përket. Para disa vitesh në Rumani me votë popullore u zgjodh një president që gëzonte shumë popullaritet për ndershmërinë e tij, edhe se i përkiste pakicës hungareze e nuk vinte nga asnjë forcë politike. Edhe presidentja e zgjedhur në Sllovaki kërë vit vinte nga klasa intelektuale e Vendit. Dy vjet më parë presidenti austriak u zgjodh, duke mundur kandidatin e partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Në Shqipëri është parapëlqyer nga hartuesit e Kushtetutës sistemi i zgjedhjes së kryetarit të Shtetit nga parlamenti që deri tani nuk ka prodhuar asnjë personalitet të spikatur n’atë vënd, por në më të shumtën e rasteve, ka qënë shprehje e autokracive të kryetarëve të partive në pushtet, ose i kompromiseve politike të tyre, që kanë emëruar njerëzit më të padëmshëm për ta. Ndoshta në këtë drejtim ka bërë zgjedhjen e gabuar Rama në 2017, them ndoshta sepse “sherret” e fundit mes tij e Metës i shëmbëllejnë më shumë një marrëveshjeje për të ruajtur gjëndjen ekzistuese.

 Presidentia e zgjedhur në Moldavi, ku është në fuqi ligji për votimin e të mërguarve, ka marrë një pjesë të mirë të votave të 1,2 milion qytetarëve moldavë që jetojnë e punojnë jashtë Vendit, kryesisht në BE. Simbas gazetës ruse “Komersant” kanë votuar rreth 260.000 zgjedhës të mërguar, nga të cilët rreth 88 % të tyre kanë votuar për të. Gjithënjë simbas asaj gazete, pa ato vota fitorja e saj do të kishtë qënë shumë e shtrënguar, me rreth 3 %. Përgëzime votuesve moldavë që ndërmjet një aparatçiku të vjetër komunist e një gruaje të suksesëshme në mjediset e Harvardit e të Bankës Botërore, ka zgjedhur këtë të dytën. Në deklaratën e parë për shtypin mbas zgjedhjes zonja Sandu pohoi: “ Kam ndërmënd të çoj përpara një politikë të Jashtëme të barazpeshuar dhe një dialog pragmatik me të gjithë Vendet, përfshirë edhe Rusinë”. Jo rastësisht, nga të parët që përgëzuan Presidenten e re 48 vjeçare moldave qe Presidenti rus Putin, i cili me mesazhin e tij i “preu krahët” edhe filorusit Dodon, që kërkon të verë në dyshim vërtetësinë e hapjes së votave, duke bërë paditë në gjyqe, simbas një mode të ditëve të fundit. Zonja Sandu është e vendosur të zhvillojë fuqishëm lidhjet me BE, nga i cili shpreson të ketë edhe ndonjë ndihmë tepër të dobishme për Vendin e saj, të varfëruar nga qeverisje socialiste, të mangëta në ide e programe. Përgëzimet nga udhëheqësit evropianë nuk kanë munguar, duke filluar nga Kryetari i Parlamentit evropian, italiani Davide Sassoli. Sa për integrimin në BE nuk bëhet fjalë sepse Moldavia ka një problem të mprehtë me krahinën e Transnistrisë që është shkëputur nga Shteti moldav.

Ndonjeri që mund të lexojë këtë shkrim mund të vërejë se çfarë interesi mund të ketë për shqiptarët kjo përvojë e bukur e Moldavisë, një ish republike sovjetike me një popullsi prej 3,5 milion banorësh, pak a shumë në kushtet tona. Them, përvojë e bukur, sepse e tillë duhet quajtur një vendim popullor, që ve në krye të Shtetit një grua, duke i besuar aftësisë së saj të provuar e përkushtimit atdhetar që dëshmohet nga lënia e një posti të nderuar në Bankën Botërore e zotimit për të përballuar problemet jo të thjeshta të Vendit të saj.

Ngjajshmëritë ndërmjet Shqipërisë e Moldavisë nuk janë të pakta. Të dy Vendet vijnë nga përvoja komuniste ortodokse. Të dy kanë probleme kombëtare. Të dy Vendet kanë një sasi të madhe mërgimtarësh, kanë parti socialiste të fuqishme që vazhdojnë të kushtëzojnë jetën e popujve të tyre. Por ndërmjet të tyre ka edhe ndryshime, për mendimin tim thelbësore, që mund të përcaktojnë kahe të ndryshme të zhvillimeve të tyre. Së pari kanë një sistem presidencial që i jep mundësi popullit të votojë drejtpërsëdrejti për Kryetarin e Shtetit, gjë të cilën ne nuk e kemi e po e shohim përditë e më tepër dëmin që rrjedh prej mungesës së tij. Me gjithë përpjekjet, mendimet e propozimet që janë bërë në gjithë këta vite nga shumë anë të opinionit publik shqiptar, “reformat” zgjedhore nuk e kanë vënë asnjëherë në diskutim mundësinë e ndryshimit të kushtetutës sa i përket zgjedhjes së presidentit. Kjo ndodh sepse demokratura e jonë nuk don të lerë asnjë shteg për të ripërtërirë pushtetin që ajo e mban prej tridhjetë vitesh nën diktatin e saj. Madje do t’a quaja të udhës që t’i jepet mundësi popullit, nëpërmjet një referendumi me një pyetje të përcaktuar qartë e jo me një impiant kushtetues të plotë, për të vendosur mbi këtë pikë. Por me që këtu vendim-marrja është atribut i shumë pak njerëzve të partitokracisë, asnjë nuk vendos të tërheqë mendimin e vërtetë të qytetarëve, të cilët  me shumë gjasë, ndërmjet vendimit të pak njerëzve të nomenklaturës e votës së tyre të drejtpërdrejtë, do të pëlqenin këtë të fundit.

Ndryshim tjetër i rëndësishëm mes dy Vëndeve është se Moldavia, në kundërshtim me Shqipërinë, i njeh qytetarëve të saj të mërguar të votojnë e, me votën e tyre të japin mendimin e tyre për ata që do të qeverisin Vendin e tye. Në Shqipëri, ku klasa politike, në shumicën dërmuese, është emblemë hipokrizie të mirëfilltë, ka dhjetëvjeçarë që flitet për votat e të mërguarve, madje nuk kanë munguar as premtimet e bujshme të politikanëve të ndryshëm para çdo fushate zgjedhore n’atë drejtim, për të përgënjeshtruar ndyrësisht vetveten mbas zgjedhjeve. Kështu ndodhi edhe sivjet, kur “Këshilli politik” në përfundimet e tij të firmosura, çuditërisht, në një ambasadë të huaj, qoftë dhe ajo e SHBA, la si porosi që “të shihet mundësia e votës së emigrantëve”. Ajo porosi kaloi si një top tenisi nga Këshilli politik tek Kolegji zgjedhor e që aty tek parlamenti e Kryetari i Shtetit, i cili, çuditërisht, pati mjaft për të thënë kundër shkeljeve të Kushtetutës, por nuk foli kurrë për votat e të mërguarve, edhe se kishte buçitur shumë vite më parë për ta. Lindi përkohësisht një shpresë e zbehtë tek Opozita kuvendore që e vuri fillimisht votën e të mërguarve si njërën ndër tre kërkesat e saj kryesore për të votuar ndryshimet zgjedhore. Por në bisedat me kryeministrin, kjo kërkesë u mpak deri në heqjen e saj nga programi.

Kështu edhe Opozita kuvendore, që ishte shquar deri atëherë për ndonjë replikë apo padi të dobishme, u uniformua me mendimin e përgjithshëm, duke flijuar në sallën e Kuvendit votat e të mërguarvet për të marrë të drejtën mjerane të përfaqësimit me 1% të votave, duke fituar një apo dy vënde në kuvendin e ardhshëm, për t’u siguruar ndonjë drejtuesi rrogën kuvendore. Nuk bëjnë përjashtim në këtë kor të kamufluar e të përgjithshëm kundër votës së të mërguarve, as mediat në shumicën e tyre, të cilat në larminë e tyre nuk lënë asnjë problem pa shqyrtuar, me të ftuar disa puthadorë të politikës, apo partizanë të njërit apo tjetrit, e që nuk e quajnë të dobishëm diskutimin e paditjen e kësaj dukurie, që përjetëson gjëndjen e sotme e i mbyll të gjitha shtigjet ndryshimeve thelbësore, aq të domosdoshme për jetënn institucionale shqiptare.

Fatkeqësisht, kemi mbetur ende të fundit, si para tridhjetë vitesh, kur mbas rrëzimit të Murit të Berlinit miratonim ligje për të mbrojtur përmendoret e Stalinit e vrisnim në kufi djemtë që dëshironin të shkonin e të jetonin në një botë tjetër. Ka tridhjetë vite që kemi ngelur në vend, përsa i përket drejtimit politik, në mëshirë të pak njerëzve që i kanë vënë tapitë karierave politike, drejtues të improvizuar pa asnjë cilësi shtetari, pa asnjë meritë të spikatur, veç demagogjisë, mashtrimit e përrallave me mbret, mbi të cilët rëndojnë padi të hamendësuara për pasuri prrallore, të përfituara me mjete e mënyra të paligjëshme, të cilat presin verifikimet e nevojshme institucionale.

Shqipëria ka nevojë për njerëz të aftë e të ndershëm, sidomos në jetën politike e n’administrimin e institucioneve. Le të shërbejë shëmbulli i Moldavisë për t’a zgjuar nga letargjia pothuajse shekullore e të zbulojë në gjirin e saj më të mirët për t’i vënë në drejtimin e saj.

Nëndor 2020  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, hipokrizia shqiptare, Shembulli moldav

MIKLIMET N’EVROPË MBI SHTETET E BASHKUARA TË BIDEN-IT

November 15, 2020 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO/

E përktheu nga Corriere della Sera” Eugjen Merlika /

Përgjigje ende nuk ka. Por ndoshta, të paktën mund të hartohen pyetjet e drejta.

Çfarë pëfaqëson për ne evropianët kryesia Biden? Është faqja amerikane e medaljes dhe ajo evropiane. Bëhet fjalë, në rradhë të parë, të kuptohet nëse Administrata Biden do të ketë apo jo fuqinë për të qepur lidhjet ndëratllantike të shqyera nga kombëtarizmi trumpian. Nuk do të kishte vetëm pasoja për politikat e brëndëshme, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Amerikës nëse, simbas shumë parashikimeve , Biden-i do të vërtetonte se do t’ishte një president i dobët, një mbret tra i hollë, i pazoti të përballë sa skajshmërinë e “radikalëve”(krahut skajor të së majtës) të partisë së tij, po aq sa dhe republikanët pro – Trump. Kush e di? Ndoshta parashikimet nuk do të dalin të sakta e Biden-i nuk do të shkojë të zgjasë listën e presidentëve të dobët të historisë amerikane. Ndonjë herë është detyra e marrë përsipër që i jep shtysën një njeriu. Në rradhë të dytë duhet të kuptohet se si do të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Administratës dhe Kongresit. Parashikimi I përgjithshëm është për një polarizim politik – që nga një anë përsiat e nga tjetra ashpërson, polarizimi I shoqërisë amerikane – që do t’a bënte shumë të vështirë çdo lëvizje të Administratës. Ndoshta po e ndoshta jo. Nuk është e sigurtë se do t’ishte një dëm për Biden-in nëse republikanët do të ruanin kontrollin e Senatit ( varet nga votimi i dytë në janar në Gjeorgji). 

Nuk është e pamundur që republikanë të ndryshëm, mbas humbjes së Trump-it, të jenë të gatshëm të shkëputen nga qëndrimet e tij. Nëse, mbas pak kohësh, do të dëgjojmë Trump-in të shajë “tradhëtarët”, do të thotë se së paku një pjesë e republikanëve do të jetë ripozicionuar në pritje të një riorganizimi të partisë. Nuk duhet harruar se pavarësisht nga pasuesit e shumtë që ka, Trump-i është gjithsesi një i mundur (a do të kishtë qënë kështu pa Covidin?) dhe humbja shtyp e dobëson karizmën e humbësit. Në këto kushte, një kontroll republikan mbi Senatin dhe nevoja e traktativave të vazhdueshme ndërmjet Administratës e senatorëve republikanë do të mund të ndihmonin Biden-in t’a mbante drejt timonin e politikave të tij, duke mbajtur larg krahun e majtë të Partisë demokratike.

Në çdo rast, është e dukëshme që Biden sidoqoftë i leverdis Evropës. Do të mundohet të qepë marrëdhëniet ndëratllantike, duke filluar prej atyre mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Për një Evropë që edhe mbas aqë thirrjesh nuk është në gjëndje të kujdeset për sigurine e saj, ky sidoqoftë është një lajm i mirë. Por nuk duhen bërë shumë miklime. Lidhjet ndëratllantike janë të domosdoshme për Evropën por, me gjasë, nuk do të kenë më karakterin e dikurshëm. Është e vështirë që udhëheqja amerikane të jetë kaq e fuqishme dhe e efektëshme, siç ishte në kohën e luftës së ftohtë dhe ende më tepër, në periudhën “njëpolare” (dhjetëvjeçarët që pasuan fundin e Bashkimit Sovjetik).

Rënia relative e fuqisë amerikane (shprehje të së cilës, në mënyra të ndryshme, kanë qënë si presidenca Obama po ashtu si dhe ajo Trump) ndoshta mund të ngadalësohet nga Biden-i. Por është e pamundur të ketë ndryshim prirjeje. Kemi hyrë, për të qëndruar, në një epokë shumë polëshe: sot lëvizin në mënyrë të pavarur disa fuqi të mëdha e të mesme, siç nuk do të kishin mundur t’a bënin n’epokën e mbizotërimit amerikan dhe ushqejnë ëndrra rish-perandorake. Qepja e lidhjeve ndëratllantike, megjithëse e domosdoshme, nuk do të mjaftojë të sigurojë Evropën përballë belegëve e rreziqeve të shumëpolësisë së re.

Faqja tjetër e medaljes lidhet me atë që mund të bëjë në këto kushte Evropa. Mund të thuhej: mos pyet se çfarë mund të bëjë Amerika për Evropën. Pyet se çfarë mund të bëjë Evropa për vetveten dhe botën perëndimore në tërësinë e saj. Edhe këtu përgjigjet e mundëshme janë mjaft të ndryshme. Le të marrim vetëm temën e sigurisë. Ndjellamirët përfytyrojnë një Evropë që, e vetëdijshme për rreziqet dhe për faktin se një aleancë e ripërtërirë me Shtetet e Bashkuara, nuk do të mjaftojë për të garantuar sigurinë, do të rimarrë shpejt udhën e bashkimit politik, me të gjitha pasojat e nevojshme: edhe me themelimin e “aparateve” t’efektëshme evropiane të forcës që të përforcojnë ose t’i qëndrojnë krah për krah ndihmesës evropiane për NATO-n. Por sa realiste është shpresa e ndjellamirëve? Për shembull, cili politikan do të shkojë e t’u tregojë votuesve evropianë, duke mbajtur ndonjë shpresë t’arsyeshme për t’u rizgjedhur, se ata duhet të heqin dorë nga një pjesë e mirëqënies për të financuar “mbrojtjen evropiane”? Për më tepër: fuqia kryesore ushtarake e Evropës, Britania e Madhe, ka braktisur Bashkimin ndërsa Vëndi më i fuqishëm ekonomikisht, Gjermania, (mbas tre të katërtat të shekullit) nuk ka kaluar ende traumën e nazizmit e të luftës së Dytë botërore. Italia – Vëndi tjetër i mundur në luftë – nuk është më mirë. Mbetet vetëm Franca. Është i vetmi Shtet evropian – siç dëshmon prova e forcës me turkun Erdogan – i aftë t’i kundërvihet jo vetëm me lloqe kërcënimeve të mujsharëve. Ose që së paku përpiqet. Por nuk është realiste të përfytyrohet një Evropë që, në fushën e sigurisë të struket mbas Francës ose të pranojë me qejf një bashkëzotërim franko-amerikan. Mungojnë kushtet për të rigjetur, duke i a përshtatur kohëve, siç do të dëshëronte Macroni (por pa kundëramerikanizmin e de Gaulle-it) ëndrrën e lashtë goliste të një zotërimi francez mbi kontinentin e Vjetër.

Qepja e lidhjeve ndëratllantike i shërben përfytyresës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, sigurisë së Evropës edhe shëndetit të mirë të shoqërive liberale (perëndimore. Por nuk mjafton. Do të duhej edhe një përpjekje e Evropës që nuk duket se ka rezervat e nevojshme morale e psikologjike. Ngritja e problemit është e thjeshtë. Zgjidhja nuk është ashtu.

!Corriere della Sera”, 10 nëndor 2020      E përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Fitorja e Biden, Miklimet

MË MIRË NJË FUND I ANKTHSHËM SE SA NJË ANKTH PA FUND

November 15, 2020 by dgreca

Shkruan:EUGJEN MERLIKA/

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

MË MIRË NJË FUND I ANKTHSHËM SE SA NJË ANKTH PA FUND/

Më 1974, në moshën tridhjetë vjeç, u martova me një vajzë të re që, kundra opinionit, pranoi të lidhë jetën me mua. Ajo sapo mbaroi atë vit shkollën e mesme dhe ne filluam jetën së bashku, në vështirësi për banesë, por me shpresë për një jetë më të qetë. Mendonim t’a ndërtonim atë jetë mbi frutin e djersës sonë të ndershme e, mbi të gjitha, të gjenim ngushëllim në harmoninë familjare. Mbaj mend vetëm një dhjetëditor të bukur në plazhin e Durrësit, pastaj retë e zeza e mbuluan, duke paralajmëruar shtrëngatën dhe një dimër të zgjatur pa fund.  

Me atë periudhë të vështirë lidhen dhe kujtimet e vajzës së xhaxhait që ne e kishim rritur në shtëpinë tonë dhe e kishim si fëmijën tonë. Ajo vazhdonte vitin e parë të gjimnazit në Lushnjë. Është e paimagjinueshme për botën e qytetëruar dhe aktualisht e pabesueshme dhe për rininë tonë, që një nxënëse në klasën e nëntë të përjashtohet nga shkolla vetëm sepse një shoqe e saj i kishte treguar në klasë një fletë reviste që paraqiste një femër në plazh me rroba banjoje! Ky ishte “sakrilegji”  që do të gjente si shkak këshilli pedagogjik e organizata e partisë për të këputur dëshirat e dy vajzave ende të parritura mirë, për të vazhduar mësimet. Kështu plotësohej “plani” i viktimave të luftës ideologjike e politike kundër “shfaqjeve të huaja”. Ky ishte versioni zyrtar i përjashtimit nga shkolla të Silvës. E vërteta ishte një tjetër, sa dramatike aq dhe e rëndomtë në sistemin kriminal në të cilin jetonim : Sigurimi i shtetit kishte dashur të bënte bashkëpuntore të saj Klorën, nënën e vajzës.  Kundërshtimit të saj për të bërë punën e spiunes ata i u përgjigjën me urdhërin e përjashtimit të vajzës nga shkolla. Ai urdhër u zbatua nga drejtuesit e shkollës, që merrnin mbi ndërgjegje një krim : atë të dënimit me mohimin e së drejtës për të vazhduar shkollën të një fëmije të pafajshëm. Do t’isha kurioz të di nëse i ka munduar ndonjëherë në vetvete ky fakt, apo është kaluar thjesht me justifikimin e zbatimit të një urdhëri që vinte nga organe që s’kishin asnjë lidhje me arsimin…..

Duhet të pohoj me sinqeritet se për mua qe një dhimbje e thellë kthimi i motrës tek prindërit e saj në Gradishtë e që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare të kapte kazmën për të rrëmihur tokën e për të nxjerrë bukën e gojës. Mbaj mend se më shpëtuan lot nga sytë, kur shumë rrallë në jetën time prej burri, qoftë dhe në vdekjet, kam derdhur lotë.

Më 1975 filluan pushimet nga puna. Në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, unë dhe shokët e mi, specialistë ndërtimi me kategori të lartë u kaluam në bujqësi si punëtorë fushe. Kjo ishte llogjika e Rrapi Gjermenit që, për të plotësuar numrin e “burokratëve” të hequr nga aparatet, simbas orientimit të Komitetit Qendror, fuste emrat tanë në listat e shkurtimeve. Dëmi ekonomik i

shtetit ishte i dukshëm. Ne kishim mbajtur peshë në brigadat e ndërtimit me punën tonë të ndërgjegjshme e të kualifikuar, dhe papritmas këto brigada cungoheshin. Vërejtjeve të personelit inxhiniero-teknik në këtë drejtim iu kundërvu “lufta e klasave” në emër të së cilës merreshin këto masa, e për të cilën askush nuk mund të kundërshtonte. Kjo ishte një nga të këqijat e vogla në krahasim me ato që na prisnin në vitet e ardhme.

Në mars 1975 u arrestua Kurt Kola, një mik i imi. Filloi ajo periudhë ankthi që zgjati plot gjashtë vjet. “Më mirë një fund i ankthshëm se sa një ankth pa fund”. Nuk më kujtohet tani se kujt i përkasin këto fjalë; por gjatë këtyre viteve unë dhe shokët e mi të kampeve, e sigurisht familjet e tyre, e kemi vërtetuar plotësisht saktësinë e shprehjes. Çdo tre muaj arrestohej njëri prej nesh, në sektorë të ndryshëm të fermës së Lushnjës ku ishim shpërndarë. Më duket se diçka më shtrëngon fytin e s’më lë të mbushem me frymë dhe tani që i kujtoj ato vite të llahtarshme. Çdo ditë kur niseshim për në punë përshëndeteshim në heshtje me njerëzit e shtëpisë se ndoshta nuk ktheheshim në darkë. Ishte një torturë cfilitëse mendimi se nga një çast në tjetrin do mund të të viheshin hekurat në duar, për të të shkëputur nga gjiri i familjes. Më e tmerrshmja ishte se nuk dije si t’i ruheshe së keqes. Proçeset bëheshin për agjitacion e propagandë, dhe ky përcaktim ishte kaq i gjërë, sa që mund të të fajësonin edhe pa hapur gojën fare, mjafton të shikoje me bisht të syrit një bukë të djegur apo një domate të kalbur në banakun e shitësit. Këtu gjenin terren të aktivizoheshin dhe fundërrinat e shoqërisë, njerëzit pa kurrfarë vlere veç poshtërsisë që, vullnetarisht, e vinin në shërbim të së keqes, për të mbjellë dëshpërimin e personave, të familjeve, të fëmijëve, të mbarë shoqërisë. Kishte mes tyre dhe shokë nga tanët, që i quanim njerëz të mirë, shokë të vuajtjeve që nga fëmijëria, njerëz që i respektonim, i prisnim e i shkonim në shtëpi, por që, fatkeqësisht, ishin kthyer në varrmihësit tanë. Provokatorët gjenin mënyrat më të ndryshme për të zbatuar  detyrat e tyre, e ne u kthyem në memecë. Çdo gjë për të cilën bisedohej, nga punimi i tokës, tek vegla e punës, tek brigadieri, tek muzika, tek filmi, tek mallrat e dyqaneve, shërbimet e ndryshme, gjithçka që thuhej futej në veprimtari armiqësore. Prandaj e vetmja bisedë pa zarar ishte sporti e veçanërisht futbolli, për të cilin diskutonim me orë të tëra, pa kaluar në tema të tjera që ishin bërë tabu të paprekshme. Nuk guxonim të dilnim në qytet se mos “binim në sy”. Ishte problem rasti i vdekjeve ose i dasmave në shoqëri, ku grumbulloheshin shumë njerëz, sepse një fjalë e thënë pa qëllim mund të raportohej brenda pak orëve e stërholluar nga disa persona.

Për vite të tëra nuk shkova njëherë me gruan në kinema. I shmangeshim takimit me shokët, vetmia e trishtuar ishte e vetmja gjëndje normale e jona. Ndiqnim me sy të zgurdulluar çdo gaz që kalonte rrugës e sidomos targat 6701 e 6702 të cilat ishin bërë për ne si kuçedra që përpinin njerëz. Ankthi përpinte gjithë sektorin kur vinin ata me oficerët e Sigurimit brenda. Kush e kish rradhën sot? Kjo pyetje si një varré binte mbi trurin e secilit dhe vetëm kur largohej makina, lirohej frymëmarrja. Gjëndja bëhej tragjikomike po të merrej parasysh se secili e kishte atë ankth në shpirt e nuk guxonte t’ia shprehte askujt, as shokut përbri, as familjarëve vetë… Ndërkaq muajt e vitet kalonin duke gllabëruar në burgun e zi shokët tanë me radhë. Mbas Kurtit, Ahmeti, Eqeremi, Qemali, Fatmiri, Naimi, Mojsi, Deda, Leka…

Tashmë ankthi kishte marrë një tjetër formë torture. Frikës së arrestimit i shtohej presioni shkatërrues në të gjitha format, për t’u degjeneruar e për t’u bërë bashkëpunëtorë në krim, për të spiunuar dhe akuzuar shokun, mikun, deri dhe njeriun e afërm të gjakut. Ishte veprimtaria e Sigurimit të Shtetit, e njerëzve zotër të këtij vendi, që gëzonin të gjitha privilegjet, i shërbenin me zell këtyre privilegjeve dhe atyre që ua kishin dhënë. Përballimi i luftës me ta kërkonte gjakftohtësi, përvojë, vendosmëri, e mbi të gjitha karakter të fortë. Njerëzit me karakter të dobët u dorëzuan në këtë luftë, për t’i shpëtuar së keqes së tyre projektuan shkatërrimin e shokut, burgosjen e tij. Ishte një luftë e ashpër që i bëhej  ndërgjegjes së njerëzve, ishte përpjekja për të shkatërruar në themel gjithçka pozitive kishte shpirti i shqiptarit, e në rradhë të parë besën e mikpritjen. Ishte një tërmet që lëkundte themelet e kombit e krijonte një çarje vertikale që shkonte deri në thellësi të ndërgjegjes. I hiqej karakterit kombëtar ajo forcë që e kishte bërë të përballonte furtunat e historisë së bashku, mbillej përçarja, urrejtja, lufta mes njëri-tjetrit.

Këtë trysni, që për vite me rradhë kushtëzoi qënien time, vendosa ta shmang me një vendim skajor: të pranoj arrestimin dhe pasojat e tij për veten dhe familjen. Lija në shtëpi tre pleq, gruan dhe dy vajza të vogla. Në dorën e Zotit!

Arrestimi u krye më 25 Prill 1980, në punë. Erdhi Gazi i Degës me gjashtë veta, oficerë dhe policë. Ende sot ato gra lushnjare që punonin aty në stallat e Institutit e kujtojnë atë skenë. Shefi i sigurimit Kosta Ndini më pyeti: “Ti je nipi i Mustafa Krujës?”. Përgjigjes time pohuese ia ktheu me formulën e zakonshme: “Në emër të popullit je i arrestuar”. Tani që sjell para syve të mendjes atë çast fatkeq, më kujtohet shprehja e famshme e zonjës Roland para gijotinës: “Popull! Sa krime bëhen në emrin tënd!..”

Mbas arrestimit u paraqita te hetuesi. Ky ishte një djalë i ri nga Skrapari. Hetuesinë me të e kalova mirë. Ndryshe nga shumë shokë të mij që i urrenin hetuesit e tyre, unë për Bashkim Cakën nuk kam as zemërimin më të vogël; nesër po ta takoj mund të rri me të e të pi ndonjë gotë birrë.

Tensionit të ditëve të para për akuzën, i zuri vendin zhgënjimi i plotë kur mora vesh se shoku im i ngushtë ishte akuzuesi kryesor për krimin tim të “agjitacionit e të propagandës, për minimin e rrëzimin e pushtetit popullor”.

Si një film më kalonte para sysh jeta jonë. Njohja jonë datonte para më shumë se një të katërt shekulli. Kishim qenë bashkë shokë klase që në të parën gjimnaz, shokë vuajtjesh në të njëjtat kushte të internimit. Kishim ndarë bashkë kafshatën e gojës, gëzimet dhe hidhërimet. Me të vërtetë rrugët tona u ndanë, sepse ai u bë arsimtar dhe vazhdoi universitetin me korrespondencë, ndërsa unë u bëra murator dhe s’pata mundësi të vazhdoja shkollën e lartë. Por ne mbetëm shokë, miq. Nuk kishte tavolinë që të shtrohej në shtëpinë time pa praninë e tij. Unë nuk dyshoja se mbas sjelljes së tij prej Urjah Hipi fshihej pabesia, nuk mund t’a merrnja me mend se shoku im e ngrinte ndërtesën e pozitës së tij shoqërore si arsimtar mbi gërmadhat e fatkeqësisë sime apo të shokëve të tjerë. Kur ishte ai ushtar unë sa herë e pata ndihmuar, isha pranë tij në fatkeqësinë e burgosjes së të atit. Ai ishte i zgjuar, me kulturë, plot mirësjellje e dhembshuri me njerëzit e familjes sime; si kishte mundësi të më groposte mua? Në emër të çfarë ideali arrinte ai në këtë humnerë shoqërore, si flinte i qetë në shtratin e tij bashkëshortor? Si i duronte shikimet e pafajshme të vogëlusheve të mia? Si mund të dilte para nënës sime, për të cilën thoshte se kishte shumë respekt? A ekzistonte Ferri i Makbetit për tipa të tillë?

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Fund i ankthshem, se nje ankth pa fund

Deklarata për luftë e A. Vuçiqit është kopje e deklaratës së Tomislav Nikoliqit (2012) !

November 13, 2020 by dgreca

-Natyrisht se e do luftën për Kosovën, edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, ashtu sikurse Tomislav Nikoliqi, Vuk Jeremqi, Aleksandar Vulini, Ivica Daçiqi, patriarku serb Irinej, se “Kosovën, mos me paqe, do ta kthejmë me luftë”, sepse vetë politika e gabuar dhe miope e Prishtinës ka pranuar të hyjë në dialogë me Beogradin zyrtar, duke mos e penguar dhe, duke mos e gjykuar asnjëherë përpara ndërkombëtarëve parullën e rrezkishme të opsionit të hapur të luftës=”KOSOV JE SRBIJA” !?

Prandaj, nuk është sensacionale, as e para e as  fundit !

Sepse vetë togfjalëshi kolonial gjeopolitik  serbomadh:”Kosovo je Srbija”, do të thotë opsionin e   hapur të luftës mes Kosovës dhe Serbisë, mos sot, nesër(!)

Kush nuk e kupton kështu, do të thotë nuk është i vetëdijshëm për rrezikun permanent, që po i kanoset Kosovës së lirë dhe të pavarur nga Serbia kolonialiste dhe imperialiste (1912-2020).

Prandaj,  vetë e keni fajin dhe përgjegjësinë, që po dialogoni dhe po lidhni marrëveshje të kota me Aleksandar Vuçiqin, në dëm të interesave vitale të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. –Derisa të bisedoni dhe të lidhni marrëveshje me Vuçiqin, ai vazhdimisht , do t’ua rikujtojë se “Kosova është Serbi”, se “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën” , se “Kosovën do ta kthejmë o me paqe, o me force” etj.

Lidhur me këtë pretendim dhe kërcënim të vazhdueshëm të liderëve politikë të Serbisë, sikurse që është presidenti aktual Aleksandar Vuçiq, që Kosovën  e duan me çdo kusht, qoftë edhe me luftë, shtrohet kjo pyetje, po, cili  burrë shteti në botë, do të kishte pranuar që të ulej me të për të negociur statusin e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008)? – Përgjigja është kjo,- ASNJË lider politik në botë nuk do të kishte pranuar , që të ulej në tryezën e bisedimeve me Aleksandar Vuçiqin, i cili sikurse Slobodan Milosheviqi po kërcënon se “Kosovo je Srbija, milom ili silom”!

Së këndejmi, prapë lind pyetja serioze, ku është morali  njerëzor, politik, kombëtar, shtetëror dhe patriotik i atyre që  po “çajnë kopalla” në Bruksel me Aleksandar Vuçiqin për copëtimin e Kosovës?

-E, tash, kinse po brengosem dhe po frikësohen shumë nga deklarata e luftës së  Aleksandar Vuçiqit.

Ndonëse reagim i qëlluar i titullarëve të institucioneve shtetërore të Kosovës kundër deklaratës kërcënuese  të Vuçiqit, por është tejet i vonuar jo më pak se 20 vjet. Mirëpo, në këtë moment mund të shërbejë si pretekst për pezullimin e Dialogut të Brukselit (2011-2020), nëse NATO-ja, BE-ja, OKB-ja dhe Amerika e marrën në konsideratë, duke e vlerësuar si provokim serioz të kërcënimit të paqes dhe të sigurisë në Ballkan, në Eropë dhe më gjerë në kontekstin e sigurisë së marrdhënieve ndërkombëtare.

Ndërkaq,  politika, propaganda dhe diplomacia e lidershipit të Kosovës, nuk ka nevojë të përdorë të njëjtin fjalor  të politikës kërcënuese të kolonializimit militarist serb, por, duhet t’i kryejë “detyrat e shtëpisë” në mbrojtjen dhe në ruajtjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, duke qëndruar sa më larg kontakteve me Serbinë derisa kjo nuk e njeh Kosovën), sepse që nga përmbysja e regjimit pushtues të Slobodan Milosheviqit, të gjithë presidentët, kryeministrat, kryekuvendarët dhe ministrat serbë trumbetojnë luftën me shqiptarët në Kosovë, duke pohuar si në kor të përbashkët : “Ne priznajemo Kosovo, Kosovo je nashe, Kosovo je Srbija” !?

-Emëruesi i të gjitha këtyre parullave, do të thotë se Serbia është në luftë të hapur me Kosovën.

Ja, kjo është substanca dhe mesazhi i përmbajtjes së deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  “nëse Kosovën nuk mund ta kthejmë me paqe, atëherë me luftë”.

Kështu si Vuçiqi, tetë vjet më parë (2012)pati deklaruar edhe  Tomislav Nikoliq (ish-president i Serbisë) se “Nëse shfaqet nevoja, Kosovën do ta kthejmë edhe me luftë…”

Mirëpo, asnjëri e as tjetri nuk “kanë faj” pse shprehen për opsionin e luftës në Kosovë, për shkak se liderët politikë shtetërorë të Kosovës kanë pranuar të dialogojnë me ta në Brukesel e gjetiu(2011-2020), të cilët, asnjëherë deri më tash, nuk e kanë bërë çështje para partnerëve ndërkombëtarë evropianë dhe amerikanë, as para BE-së e as para Kombeve të Bashkuara, PARULLËN “KOSOVA ËSHTË SERBI”, që nënkupton OPSIONIN E HAPUR TË LUFTËS NË KOSOVË. Gjithashtu, nuk e kanë problematizuar as Kushtetutën e Serbisë (2006), sipas së cilës, “Kosova është e Serbisë” !?

Me gjithë këtë rrezik permanent të politikës kërcënuese të përdorimit të forcës dhe të ndërhyjres së Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Edita Tahiri, Enver Hoxhaj…etj., kanë pranuar që të hyjnë në Dialogun e Brukselit me Serbinë (2011-2020).

Ky ishte gabimi fatal politik dhe shtetëror, që sot po i kushton shtrenjtë  pavarësisë së Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që Serbia e Aleksandar Vuçiqit po i sfidon dhe po i gjykon në Dialogun e Brukselit dhe në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë të Holandës.

Pas këtyre dy proceseve politike dhe juridike ndërkombëtare, që kontestojnë dhe e vën në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës dhe luftën çlirimtare antikoloniale të UÇK-së,  as politika,as diplomacia e as propaganda  e Prishtinës zyrtare nuk duhet të tregohen infantile dhe krejtësisht të “pakokë”, që të  kërkojnë vazhdimin e Dialogut të Brukselit e as vazhdimin e procesit gjykues të Speciales në Hagë, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën, derisa presidenti Aleksandar Vuçiq e kërcënon  me luftë Kosovën për fshirjen e saj nga harta gjeopolitike e Ballkanit.

Ne jemi për paqe, por nuk i trembemi luftës me Serbinë kolonialiste

Pavarësisht nga kërcënimet e këtilla paralajmëruese luftarake të  presidentit të Serbisë, Alekandar Vuçiq dhe të ish-presidnetit paraprak serb Tomislav Nikoliq në adresë të Kosovës  ( nga ushtrimi i strategjisë dhe i taktikës së frikësimit, si dhe nga aksionet subversive dhe terroriste të Serbisë, të demonstruara qe 20 vjet në pjesën veriore të Kosovës), kjo, në asnjë mënyrë, nuk do të thotë se  shqiptarët i tremben luftës kërcënuese të Serbisë së vuçiqëve, të nikoliqëve, të daçiqëve, të vulinëve, të bërnabiqëve dhe të vuk jeremiqëve…etj.

Përkundrazi, shqiptarët së bashku me partnerët dhe me miqtë e tyre amerikanë dhe evropianë, nuk do të qëndrojnë indiferentë e as në vonesë, nëse Kosova, do të sulmohej nga Serbia. Këtë fakt, duhet ta mbajnë parasysh zjarrvënësit çetniko-fashistë të Sllobodan Milosheviqit dhe të Vojslav Sheshelit mbase Kosova nuk është më plaçkë koloniale e Serbisë, por një shtet i pavarur dhe sovran (edhe pse si shkak dhe pasojë e veto-s së Rusisë në KS, ende nuk është njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara), që mbështetet dirket dhe indirekt nga një superfuqi botërore-Amerika, nga Aleanca e Atlantikut Verior (NATO), si dhe nga 22 vende të Bashkimit Evropian (BE).

Si rrejdhim, në rastin më  të skajshëm dhe më imagjinar spekulues  astrologjik, ndoshta, një ditë, Ballkani do të mund të shndërrohej në ndonjë  det adriatik ( si pasojë e tërmeteve tektonike natyrore), por Kosova të rikthehet nën Serbinë kolonialiste, ajo nuk do të ndodhë më kurrë në historinë e Ballkanit.Jeni trembur shumë nga deklarata e luftës së presidentit serb A.Vuçiq !?
–Pse, ashtu, Kosova më nuk është e vetmuar dhe në “mëshirnë” e Serbisë së A.Vuçiqit, por nën mbrojtjen e hekurt të Amerikës dhe të NATO-s. -Çdo provokim i armatosur i Serbisë, mund të shkaktojë luftën e tretë botërore.

-Pse ashtu, të shkaktohet panik dhe frikë e panevojshme  në popull, kur ky prononcim i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk  është diç “fenomen i ri” politiko-propagandistik për shqiptarët e Kosovës, por vetëm një refren i përsëritur me dhjetra e qindra herë nga liderët politikë shtetërorë serbë të Beogradit dhe të popave të Kishës Ortodokse Serbe (1999-2020).

Deklarata kërcënuese për luftë e Vuçiqit nuk është sensacionale për  ish-koloninë e Serbisë !

Mirëpo, si duket  i ka trembur shumë qarqet drejtuese të shtetit të Kosovës, të cilat menjëherë me të drejtë kanë reaguar te ndërkombëtarët e pranishëm në Kosovë, te NATO dhe te BE-ja etj., që të marrin masa kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq që ka deklaruar se “nëse pala shqiptare nuk do kompromis me paqe, atëherë Serbia do të përdorë forcën”!?

Po, kjo nuk është diç e re, as fare befasuese në fjalorin politik, diplomatik dhe propagandistik të presidentit Aleksandar Vuçiq, sepse që nga përfundimi i luftës në Kosovë (12 qershor 1999), Serbia ka filluar të përgatitet për një luftë të re në Kosovë, sidomos kur Slobodan Milosheviqi ekstradohet në Hagë, më 2002.

-Që atëherë e deri më sot (2020) ushtria e Serbisë është modernizuar dhe pajisur me armë dhe me arsenal të lloj-llojshëm ushtarak të importuar nga Rusia, nga Kina dhe nga disa vende të tjera.

Mirëpo, këtë duhet kuptuar shumë seriozisht, sepse mund të prodhojë efekte negative, duke shkaktuar ndonjë konflikt ndërshtetëror(me intesitet të ulët a të lartë apo sporadik të konfrontimit sikurse konflikti mes Indisë dhe Pakistanit për shkak të Kashmirit)  mes Serbisë dhe Kosovës, me qëllim që ta detyrojë Rusinë e Putinit që të involvohet në këtë konflikt.  Mirëpo, nëse Serbia e Aleksandar Vuçiqit, është duke përgatitur  ndonjë ndërhyrje të armatosur në Kosovë, llogaria dhe çmimi i saj, do të jenë të gabueshme dhe me pasoja të mëdha për Serbinë, mbase nuk jemi në vitet ’90 të shekullit XX, kur Kosova ishte e pambrojtur nga Shqipëria, nga Evropa dhe nga e gjithë bota.

Edhe Vuçiqi si Shesheli, si Milosheviqi, si Nikoliqi nuk është demokrat, sepse “Kosovën e quan Serbi” !?

Prandaj, kjo është një nga arsyet kryesore, që nuk duhet të negociohet me të për Kosovën, sepse ka të njëjtin bagazh ideologjik të nacionalshovinizmit çetniko-fashist dhe etnocentrik të Slobodan Milosheviqit, të Vojislav Sheshelit dhe të Tomislav Nikoliqit. Me këtë lider politik regresiv antidemokratik dhe antipaqësor, nuk do të duhej të komunikonin e as të bashkëpunonin as lidershipi i Kosovës, as i Shqipërisë, as i BE-së e as i Amerikës, sepse ky, tanimë është rreshtuar në anën e koalicionit  ruso-kinez. Këtë e dëshmon edhe importi i armëve dhe i arsenalit ushtarak  nga këto dy fuqi botërore.

 Çetnikët fashistë  serbë kurrë nuk  kanë qenë demokratë e as paqësorë, por vetëm piromanë të Ballkanit.

Këtë e ka provuar edhe historia e luftërave ballkanike (1912-1913); Lufta e Parë Botëtore (1914-1918), shkaktare e së cilës ishte Serbia, Lufta e Dytë Botërore, ku Serbia me kryeçtnikun Drazha Mihajloviq ishte në anën e  boshtit nazifashist të Hitlerit dhe të Benito Musolinit, si dhe tri luftërat dhe agresionet e saj kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1990- 1999) me Slobodan Milosheviqin në krye.

Pikërisht, për shkak të ndikimit të kësaj ideologjie çetniko-fashiste historiko-politike tradicionale, presidenti Aleksandar Vuçiq, tash së fundi ka paralajmëruar se do të ketë luftë në Kosovë !?

Fundja, të gjithë ata që besojnë se presidenti i Serbisë është demokrat dhe paqësor gabohen keq, mbase ai është “student” i shkollës ideologjike çetniko-fashiste të kriminelëve Vojislav Sheshel, Tomislav Nikoliq dhe   Slobodan Milosheviq  (1990 – 2001). 

Se ky njeri nuk do t’i sjellë kurrëfarë paqeje Serbisë dhe rajonit, e dëshmoi edhe kjo deklaratë e tij kërcënuese ndaj Kosovës : “

Tërë bota mund të pësojë metamorfozë për mirë, për paqe, për demokraci, për integrim dhe për prosperitet në frymën globaliste dhe altruiste, por çetnikët kolonialistë dhe etnocentristë kurrë nuk mund të bëhen demokratë dhe paqësorë, sepse që nga mosha më e re edukohen  në frymën e nacionalizmit shovinist dhe racistë nga priftërinjtë e tyre të Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka themeluar  gjuhën, kombin dhe shtetin serb në Ballkan. Këtë e ka provuar historia, politika dhe praktika e derisotme e Kishës Ortodokse Serbe, e cila qysh nën  sundimin  500-vjeçar të Perandorisë Osmane te serbët ka arritur që t’iu rrënjosë vetëdijen kombëtare deri në stadin më të lartë të patriotizmit nacionalshovinist dhe racist negativ.

Thjesht, kjo është aryseja, pse as çetniku i  kriminelit Vojislav Sheshel, dhe ish-ministri i Informacioneve të qeverisë së Slobodan Milosheviqit, Aleksandar Vuçiq (president aktual i Serbisë) kurrë nuk mund të bëhet demokrat e as paqësor, sepse ashtu është edukuar dhe arsmiuar nga mësimet e Kishës Ortodokse Serbe.

Pandaj, nuk duhet befasuar e as çuditur pse presidenti Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar  me luftë Kosovën, duke  e krahasuar me konfliktin e armatosur “ Nagorno-Karbah” mes Azarbejxhanit dhe Armenisë, se gjoja ” kur dikush del dhe e shkrin konfliktin e ngrirë, mund të jetë katastrofik. Prandaj, mesazhi i Serbisë është vazhdimi i Dialogut me Prishtinën. Më mirë të arrihet ndonjë kompromis sa më parë, sepse ndryshe mund të na ndodhë ndonjë konflikt. Prandaj, duhet të nxjerrim mësime nga vitet ‘90”.(https://direktno.rs/politika/313874/aleksandar-vucic-kosovo-i-metohija.html ).

Ne duam paqe me Serbinë, jo luftë me Serbinë!

Këtë e kemi pohuar me qindra herë brenda 20-vjeçarit të fundit (2000-2020), se populli shqiptar i Kosovës dëshiron të ketë fqinjësi të mirë me Serbinë (por, kuptohet secili zot në shtëpinë e vet, si dy popuj të barabartë paqësorë dhe si dy shtete të barabarta të pavarura dhe sovrane),  por kjo varet nga vetë politika zyrtare serbe e Beogradit, jo nga shqiptarët, as nga Shqipëria.  Një kaptinë e re e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të hapet vetëm  atëherë, kur Serbia ta njohë Republikën e Kosovës.

Ndryshe çdo  dialog politik me Serbinë shpie në  kontestimin dhe  në mohimin gradual të pavarësisë së Kosovës, e (ndoshta) edhe në ndonjë konflikt të ri të armatosur siç ka deklaruar presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke e krahasuar Kosovën me “Nagorno Karabah), i cili nuk ka asnjë ngjashmëri me Kosovën, sepse Kosova ishte koloni 100-vjeçare e Serbisë kolonialiste dhe imperialiste.  Këtë “mandat” kolonizues, Serbia e ka humbur në luftën e saj të fundit në Kosovë, me gjithë gjenocidin e kryer mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë (1989-1999).

Serbia në Kosovë ka vetëm një minoritet serb (pjesëtarët e të cilit kanë të gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut sipas Kushtetutës dhe sipas së drejtës ndërkombëtare), varrezat, disa kisha dhe manastire serbe. Asgjë tjetër.

Prandaj, serbët e Serbisë nuk kanë pse të venë për të luftuar dhe për të vdekur në Kosovë, kur kjo nuk është e Serbisë, por tokë autoktone  e shqiptarëve dhe e Shqipërisë etnike.  Ndaj, do të ishte çmenduri të vdiset për tokë të huaj, siç thoshte dikur kryebashkiaku i Beogradit, akademiku urtak, altruist, demokrat, vizionar dhe paqësor, Bogdan Bogdanoviq, arkitekti me famë botërore, i cili si humanist i madh dhe i guximshëm,  i tha, – JO politikës diskriminuese, raciste, fashiste dhe gjencidale të regjimit autoritar imperialist serb të Slobodan Milosheviqit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Deklarata per Lufte, Prof.Dr. Mehdi Hyseni, Vucic

Më pak i varur

November 12, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Pse vetëvrasja quhet e paligjshme? – ishte pyetja që iu bë Sokratit. Mos u shqetëso – u përgjigjigj ai – do të vijë dita kur gjërat e këqija të jenë të mira, dhe kur vdekja të bëhet rruga e vetme. Kur njeriu është më mirë i vdekur, duhet të presë dorën e tjetrit, sepse nuk lejohet të jetë bamirësi i vetes. Idea që pëshpëritet është se njeriu është një i burgosur që nuk ka të drejtë të hapi derën për të ikur; Zoti, a dikushi, është roja dhe njeriu është zotërim i tij. Mendo, nëse një nga zotërimet tuaja, një lopë ose një gomar a mushkë, për shembull, do të dilte nga rruga kundër dëshirës suaj, a nuk do të zemëroheshit? Do t’a mallkonit, do t’a godisnit, dhe një vend për varrim do t’i mohonit. Kështu ndodhi me qindra mijëra njerëz në kohën e diktaturës.
Shteti që njohim është si një magazinier. Njerëzit e magazinuar përbëjnë shqetësim pafund, për shkak të kërkesës së thjeshtë për ushqim, mjekim e të gjitha nevojat, dhe mosplotësimi i tyre e pengon njeriun në kërkimin e qenies së vërtetë; e mbushin plot dashuri, frikë dhe fantazi të të gjitha llojeve, mashtrime pafund, dhe në fakt, siç thonë, marrin fuqinë e të menduarit. Nga vijnë luftërat, dhe fraksionet përveç se nga dashuria për para, dhe paratë duhet të gjenden për hir e në shërbim të trupit. Për shkak të të gjitha këtyre pengesave njeriu nuk ka kohë t’i jepet mendimit. Dhe e fundit dhe më e keqja nga të gjitha – edhe nëse është në kohë të lirë dhe e tradhton veten me disa spekulime – trupi a pushteti gjithnjë depërton, me rregulla, dekrete e ligji, duke shkaktuar trazira dhe konfuzione sa që e pengon të shohë të vërtetën. Është vërtetuar nga përvoja se nëse do të kishim mendime të pastra për ndonjë gjë, duhet të shkëputeshim nga trupi – shpirti vetë duhet t’i shohë gjërat në vetvete – pastaj njeriu do të arrijë mençurinë që dëshiron dhe për të cilën thotë se është i dashuruar. Në këtë jetë të tanishme, mendoj, ne e bëjmë qasjen më të afërt të dijes kur kemi marrëdhënie ose bashkim sa më pak të mundshme me trupin dhe nuk jemi të njësuar me natyrën trupore, por e mbajmë veten të pastër deri në orën kur dyert hapen dhe na jepet liria. Dhe kështu, duke hequr qafe marrëzinë e trupit a shtetit, ne do të jemi të pastër dhe do të flasim me të pastrit dhe do të njohim nga vetja dritën e pastër, e cila nuk është tjetër përveç drita e së vërtetës. Papastërtitë nuk lejohen. Këto janë llojet e fjalëve, të cilat dashamirët e vërtetë të dijes mund t’i thonë njëri-tjetrit dhe të mendojnë se si të varen më pak nga pushteti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Më pak i varur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 320
  • 321
  • 322
  • 323
  • 324
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT