• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLONITË HELENE NË EPIR DHE NË ILIRI

September 23, 2020 by dgreca

Tema e kolonive helene në brigjet e Mesdheut, me krijimin e shtetit grek në fillim të shekullit të XIX, është bërë një temë e nxehtë, ku qarqet e vetëquajtura greke, apo akoma më keq, helene, e trajtojnë në një mënyrë shoviniste, politikisht; demagogjike dhe sofiste, nga pikëpamja shkencore; dhe, cinike e të paturpshme nga pikëpamja morale. Por pas kësaj “lehje helene”, këto 150 vjetët e fundit, gjithmonë kanë qëndruar Fuqitë e Mëdha, ose e thënë ndryshe shtete të caktuara të Europës, të cilat,mbështetur në këto dogma dhe demagogji helene të të ashtuquajturave koloni helene, vazhdimisht e kanë “ndërsyer” Greqinë kundër shteteve si Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia, duke mëtuar territore, brigje, ishuj, pjesë të deteve dhe shelfeve detare.
        Si është puna e kolonive? Në historinë e lashtë kolonitë e para në brigjet e Mesdheut janë ngritur apo krijuar fillimisht nga pellazgët. Pellazgët, të ndarë në fise, apo popuj të ndryshëm, siç e kemi thënë në kapitujt paraardhës, kanë luzmuar në parahistori në të gjitha brigjet e Mesdheut, Detit të Zi, Kaukazit, Lindjes së Afërme, etj. Ata në lëvizjet e tyre kanë qënë të pranueshëm nga fiset e tjera. Por ka pasur raste që kanë zaptuar territore të tjera edhe me luftë. Të tilla kanë qënë pushtimet e skithëve, që okupuan pothuajse krejt brigjet e Detit të Zi dhe atij Kaspik, duke krijuar një turbullirë të madhe tek popujt që banonin në ato brigje si Kimerët, por edhe të tjerë. Historia flet gjithashtu për zbarkimet e Hiksosve në deltën e Nilit, ku ngritën koloni për qindra vjet në Egjiptin e lashtë. Por historia flet për zbarkime dhe imbarkime të shumta nga ishulli i Kretës. Një nga rastet e mundshme është edhe ajo e zbarkimit të Karianëve kretanë në brigjet lindore të Mesdheut. Qiprua, gjithashtu, ka qënë vend zbarkimesh dhe imbarkimesh të shumta në parahistori. Madje, flitet se ajo, për mjaft kohë, ka qënë edhe koloni e egjiptianëve. Lemnosi, Imbrosi dhe ishuj të quajtur grekë tani, kanë qënë ishuj të banuar nga pellazgët, dhe, tek ata ka pasur zbarkime të ndryshme gjatë gjithë periudhës së parahistorisë, por edhe anitikitetit. Më e famshmja nga ato është zbarkimi i lidianëve, popull pellazg i bregut lindor të Mesdheut, të cilët Lemnosin e përdorën si plasdarmë për të “sulmuar” gadishullin Apenin. Historia flet mjaft për ngritjen prej tyre  të kolonive në bregun perëndimor të Apenineve nën udhëheqjen e mbretit të tyre, Tirrenit, prej nga ku prej këtij mbreti lidian trashëgojmë sot emrin e Detit Tirren në Itali. 
        Në parahistori kemi edhe dy lëvizje të mëdha popujsh; Kadmianët dhe Danajtë, të cilët “mësynë” atë që në shekullin e XIX të erës sonë do të bëhej Greqi. Kadmianët krijuan shtetin e fuqishëm të Tebës, ndërsa Danajtë sunduan mbi shtetin e fuqishëm të Argosit Arkadhian. Për këto dy popuj “mysafirë” shkrimtarët antikë grekë si Sofokliu dhe Eskili  kanë shkruar dhe veprat me të mëdha dramaturgjike botërore si: Edipi mbret, Edipi në Kolonë, Antigona, Të shtatë kundër Tebës dhe Lutëset. Madje Kadmi solli qytetërim tek fiset pellazge të Beotisë, Atikës, etj, duke sjellë alfabetin me të cilin u shkruajt helenishtja, ku në saj të mësimit të kësaj gjuhe të re, pra vetëm  në sajë të ndryshimit të gjuhës; nga pellazgjishtja tek helenishtja. ata do të shndëroheshin nga pellazgë në helenë.
        Më pas janë shquar shumë si një “perandori kolonizatore” Fenikasit e quajtur të tillë nga helenët, por ata e quanin veten Kananë, dhe, ishin një popull i shquar pellazg, të cilët së bashku me Karianët dhe Lidianët, sollën qytetërimin në perëndim (gadishujt Helenik, Apenin, Iberik, Libi dhe jugun e Galëve), duke filluar nga alfabetet pragmatiste dhe deri tek të rejat shkencore për kohën. Kolonitë e tyre shtriheshin në të gjitha brigjet e Mesdheut, por më të shquarat ishin Tartesi, Kartagjena dhe Marseja.
        Ndërsa helenët ngritën koloni nga shekulli i VIII p.e.s e këndej, duke u mbivendosur tek kolonitë fenikase, ose duke krijuar të reja në jugun Apenin, brigjet e detit Jon dhe Adriatik; si duke u kthyer vizitën lidianëve, karianëve etj në brigjet lindore të Mesdheut. 
        Që në fillim, nuk do të isha i mendimit që kolonitë helene janë krijuar në brigjet e Epirit dhe Ilirisë nëpërmjet pushtimit. Lufta edhe mund të jetë përdorur në ndonjë rast, por e përgjithshmja është se këta të ashtuquajtur kolonistë helenë duhet të kenë ardhur pa luftë, ata janë pranuar miqësisht nga vendasit si “jabanxhinj”. Kolonitë helene, nëqoftëse do t’i shikonim me syrin e sotëm, fare mirë mund t’i quanim zona të lira, ku biznesmenët helenë ngritën bizneset e tyre.
        Këta kolonistë kanë qënë kryesisht tregtarë dhe zejtarë. Edhe nëqoftëse do të pranonim se një grusht kolonistësh i kanë pushtuar këto qytete ose territore; ata nuk do të mund t’i mbanin dot ato për një kohë të gjatë, sepse vendësit me ndihmën e vellezërve të tyre të prapatokës, do t’i kishin hedhur në det miqtë e paftuar. Mjaft autorë flasin për ngritjen e kolonive në Epir, kryesisht në Thesproti, por ata thonë me vendosmëri, se në këto koloni nuk u përmbys rendi etnik.
        Koloni nuk ngritën vetëm helenët, por koloni ngritën edhe Ilirët, ku më të shquarit në këtë drejtim janë Liburnët. Ata ngritën koloni në të dy brigjet e detit Adriatik, atij Apenin dhe atij Ilirik. Ata, si një fuqi e madhe detare (talasokraci), ishin për një farë kohe zotërues të Korkyrës, por edhe të Epidamnit, Lisit, Skodrinit, e deri në veri në bregun Dalmat. Madje, siç e kemi thëne edhe më parë kur flasim për Ilirët e Jugut, ekzistenca e kolonive liburne në qytetet e tyre ka sjellë pështjellim tek mjaft autorë në kohët moderne, që disa nga perënditë liburne, t’i ngatërojnë dhe t’i quajnë perëndi të Ilirëve të Jugut, si Redoni, Bindusi etj. Madje, vetë Kepi i Rodonit, për pozicionin e tij të shkëlqyer strategjik, mund të ketë qënë një pikë e fortifikuar e Liburnëve në Adriatik, të cilët këtij kepi i kanë vendosur edhe emrin e perëndisë së tyre të detit.
        Pra, nga të gjitha këto që thamë më lart, nuk kanë ngritur koloni vetëm helenët, por të gjitha ato qytete shtete nga të gjitha brigjet e Mesdheut dhe deteve që ishin pjesë e tij, të cilat ishin të zhvilluara, të fuqishme dhe të pasura, ku ato në të njëjtën kohë, në sajë të zhvillimit të tregtisë, u bënë edhe fuqi detare. Për të qënë më i qartë, afrohemi rreth dymijë vjet në kohë, ku shëmbulli më klasik në mesjetë, është Republika e Venedikut, e cila edhe ajo ngriti koloni, por ndryshe nga të lashtët, ajo këto qytete të fortifikuara bregdetare të Mesdheut i mori me forcën e armëve.
        Në Epir dhe Ilirinë e Jugut  qytetet më kryesore, që janë emërtuar koloni helene, nga shkenca zyrtare greke, por edhe ajo shqiptare, janë: Korkyra, Butrinti, Apollonia, Dyrrahu etj. Historiani Kristo Frashëri në librin e vet “Historia e qytetërimit shqiptar”, i cili është një studim nën mbikqyrjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në paragrafin, “Kolonitë helene të Shqipërisë” thotë:
“Në çerekun e tretë të shekullit VIII p.e.s (720 p.e.s B.I) flota e Korintit zboi liburnët nga ishulli i Korkyrës dhe themeloi aty koloninë e parë tregtare…Pak më vonë, kolonistët korkyras-korinthas zbarkuan në stere, në tokën e kaonëve dhe pushtuan vendbanimin e tyre të lashtë, Buthrotin. Kolonistë të tjerë helenë, të ardhur nga Fokida, pushtuan Orikun në Gjirin e Vlorës, i cili ishte stacioni i fisit ilir të amantëve. Në shekullin e VII p.e.s, rreth vitit 627 p.e.s, kolonistët e Korkyrës pushtuan me luftë Durrësin, skelën e taulantëve, të cilin ata e quajtën Epidamn dhe romakët më vonë Dyrrah. Rreth 40 vjet më vonë, kolonistët e Durrësit, themeluan Apolloninë…”
 
        Në këtë paragraf, në të cilin nuk pasqyrohet vetëm mendimi shkencor i autorit, por dhe i vetë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si kujdestare e këtij botimi, në mënyrë kategorike thuhet, se kolonitë helene në trojet e Epirit dhe të Ilirisë së Jugut, që autori çuditërisht i quan, kolonitë helene të brigjeve të Shqipërisë (se nga e gjeti këtë Shqipërinë ai në shekujt e VIII dhe të VII p.e.s, këtë e di ai dhe Akademia) janë realizuar nëpërmjet pushtimit ushtarak!!! Por autori nuk përmend asnjë betejë për pushtimin e tyre. Dhe për më tepër, as autorët e lashtë grekë, si Herodoti dhe Tuqididi, nuk flasin për pushtime ushtarake, apo për beteja. Dhe për të qënë më bindës, vetë Tuqididi, kur flet për Luftën e Peloponezit,  përmend hollësisht përplasjet ushtarake në Epidamn midis demosit nga njera anë dhe oligarkëve e taulantëve nga ana tjetër.
 
        Për të kundërshtuar mendimin se Epidamni është marrë më luftë, dhe, që ka qënë një koloni e sunduar nga helenët, këtë na e thotë vetë Tuqididi, oligarkët, sunduesit e qytetit bashkëpunuan me ilirat taulantë të prapatokës. Pra oligarkët kanë qënë vendas dhe ka qënë paria ose fisnikëria e qytetit, shtresa më e pasur dhe njëkohësisht shtresa sunduese e tij. Si një argument më shumë në këtë drejtim, mund të sillet edhe fakti, se sunduesit e këtyre qyteteve ishin me prirje monarkike; ndërkohë që kolonët duke qënë se bënin pjesë ne shtresat e ulëta të shoqërisë (demosi: tregtarë dhe zejtarë), si dhe fakti që vinin nga qytete ku sundonte demokracia, automatikisht do të ishin me prirje demokratike. Mbi bazën e kësaj llogjike mbetet që sunduesit e këtyre qyteteve të ishin vendës dhe për  Epidamnin kjo është e dokumentuar nga lufta që u zhvillua aty. Në këtë luftë Ilirët autoktonë aristokratë të qytetit, me ndihmën e vëllezërve të tyre Taulantë të prapatokës, rivendosën me dhunë të drejtat e tyre duke shtypur revoltën e kolonëve helenë dhe bashkëpunëtoreve të tyre nga shtresat popullore qytetare autoktone ilire (banuese në këtë qytet). Kjo vërteton më së miri atë që këto qytete janë drejtuar dhe sunduar dhe banuar nga vendësit Ilirë, ku kolonistët helenë kanë qënë minoritet dhe bënin pjesë në shtresat e dorës së dytë të shoqërisë së tyre. 
        Por këtu duhet të ndalemi edhe tek një koncept të gabuar shkencërisht, i cili ka zenë vend në termilogjinë shkencore të historisë: koloni helene. Për mendimin tim nuk ka pasur në antikitet koloni helene në brigjet e Epirit dhe ato të Ilirisë së Jugut. Pra, për të qënë më të saktë: Nuk ka pasur qytete të themeluara dhe të banuara vetëm nga helenët. Ka pasur vetëm kolonistë helenë të ardhur në qytetet Epirote dhe  ato Ilire. Koncepti, koloni helene; është krejt i ndryshëm nga, kolonistë helenë.
        Në argumentim të kësaj, është vërtetuar shkencërisht se të ashtuquajtura qytete koloni helene, kanë ekzistuar para se të vinin kolonistët helenë, si qytete epirote apo ilire. Butrinti, Foinike, Oriku, Apollonia, Epidamni etj, shekuj më parë se të vinin vizitorët helenë kanë qënë të themeluar dhe banuar nga vendasit, Prasaibët, Kaonët, Amantinët, Bylinët apo Parthinët dhe Taulantët.
        Vetë Korkyra që mbahet si koloni e mirëfilltë helene, mbështetur në ato që thotë Neritan Ceka, i cili kur flet për monedhat e Korkyrës, na jep një të dhënë brilante për përkatësinë etnike të korkyrasve, të cilët, nga të gjithë autorët, pa përjashtim, quhen helenë. Por në fakt janë pasardhësit e Feakasve pellazgë të Skeries. Ja edhe informata: “…prerjen e monedhave të Apolonisë dhe Dyrrahut në gjysmën e dytë të shek të V p.e.s…Simbolet e tyre përsërisin ato të Korkyrës, duke pasur  në faqe një lopë me viçin duke pirë qumësht, ndërsa në shpinë një katror me ornamente- të shpjeguar si kopshtet e lulëzuara të Alkinout, mbretit homerik të ishullit të feakëve, që besohej të ishte Korkyra…”. 
        Pra, si ka mundësi që këta helenë të Korkyrës, por edhe të Apollonisë dhe Dyrrahut, të prisnin monedha me simbolet e Alkinout, mbretit epirot pellazg të Skerisë së lashtë pellazge, dhe të mos prisnin monedha me figurën e mbretërve të Korintit, ku për hir të së drejtës nuk kanë qënë pak?!!! Një nga ata ka qënë tirani Periandër. Pra në Korkyrën epirote zbarkuan korinthasit helenë. Prandaj edhe kur korkyrasit, nga ana e tyre, ndoshta edhe me disa korinthas, zbarkuan në Apolloni, Orik, Dyrrah, apo edhe në ndonjë qytet tjetër me përkatësi epirote apo ilire, nuk zbarkuan si helenë, por zbarkuan si epirotë tek epirotët, apo si epirotë tek ilirët. Këto qytete në antikitet ishin si qytetet metropol sot në botë, pra kishin edhe banorë të etnive të ndryshme, pavarësisht faktit, se këta të huaj gjithmonë kanë qënë minoritet në to. Nuk mund të themi sot, se shumicën e banorëve të qyteteve metropole si: Parisi, Londra, Berlini, Roma, Vjena, Amsterdami, Lisbona, etj, e përbëjnë të huajt dhe vendasit janë në minorancë!! Kështu ka qënë edhe në lashtësi. Vetë Dyrrahu, dhe më pas Durrësi, deri në mesjetë vonë ka qënë një qytet metropolitan.
        Edhe nëqoftëse do të flitet për shkrime apo mbishkrime të gjetura në greqisht, apo në latinisht në këto qytete; këto nuk përcaktojnë as etninë e këtyre qyteteve, por as etninë e kolonistëve; pasi këto ishin gjuhë ndërkombëtare (dhe për më tepër shkruheshin), dhe një qytet metropol dhe kozmopolit në atë kohë do të ishte i vdekur pa këto gjuhë. Kjo nuk ka përjashtuar faktin që në këto qytete ka pasur shkrime në Ilirisht, por me alfabet grek ose latin dhe ndoshta edhe me alfabetin ilir ose pellazg.
        Në mbështetje të mendimeve të mësipërme, po përpiqemi të japim disa fakte për disa nga këto qytete. Fillojmë me të ashtuquajturën koloni helene të Butrintit. Për këtë po i drejtohemi fillimisht arkeologut Neritan Ceka, i cili na thotë:
“Më 1805 Butrinti vizitohet nga konsulli francez në Janinë, F.Pukëvil (Pouqeville), i cili ka lënë një përshkrim të mureve pelazgjike në akropol…burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përvç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s..”     
      Nga studiuesi Aleks Trushaj na vjen një njoftim interesant, ku sipas tij, murin e akropolit të Butrintit, Ugolini (L’Acropoli di Butrinto, f,262) e ka quajtur “pellazgjik”
-Pra, dy personalitete, Pukëvili dhe Ugolini i kanë quajtur muret e lashta të akropolit të Butrintit, pellazgjike. Atëhere si ka mundësi, që një qytet i ndërtuar nga pellagët kaonë, del i themeluar nga helenët, dhe, duhet të njihet edhe si koloni helene!!! 
-Sipas Neritan Cekës, pranë gërmadhave të tempullit të Asklepit në Butrint, ka gërmadha më të lashta të një tempulli parak më të lashtë, kuptohet pellazgjik, por që nuk është evidentuar se kush ka qënë. Pra ky qytet pellazg ka pasur edhe një tempull para se të vinin helenët, pra në këtë qytet pellazg ka pasur civilizim, dhe, këtë nuk e sollën helenët kolonistë. Gjithashtu Neritan Ceka na thotë, se jeta urbane në akropolin e qytetit ka ekzistuar në periudhën e hershme të hekurit, shek XI-X p.e.s, d.m.th, menjëherë pas Luftës së Trojës. Gjë që na lidhet edhe me legjenda të tjera, që flasin për ekzistencën e Buthrotit në atë periudhë.
        Vazhdojmë me Apolloninë. Neritan Ceka para rreth 40 vjetësh ka nxjerrë një libër me emër kuptimplotë “Apolonia e Ilirisë”. Kemi shkëputur disa pjesë nga ky libër: “Në kohën antike ka pasur  të paktën 30 qytete me egidën e Apolonit. Për këtë arësye Apoloninë tonë, për ta dalluar nga të tjerat, shkrimtarët antikë e quajnë Apolonia e Ilirisë, Jonit apo Epirit…Këtë qytet të Ilirisë, shkruan Stefan Bizantini në mesin e shekullit të VI të e.s., e banonin ilirët si edhe Epidamnin. Pastaj u dërguan 200 kolonistë korinthas me në krye Gylakun…Gjatë gërmimeve në Apoloni u gjetën fragmente qeramike dhe vegla hekuri dhe bronzi, që i takonin fundit të periudhës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit. Ato ishin sende tipike ilire që i përkisnin një popullsie, e cila kishte banuar aty shumë kohë para ardhjes së kolonistëve. Apollodori shkruan se “mbasi vdiq Helenofori në Trojë, ata që ishin me të, duke u fshehur buzë gjirit Jon, u vendosën në Apoloninë e Epirit”…Plutarku jep edhe datën e saktë: në vitin 583 p.e.s…kolonistët e parë ishin korinthas të larguar gjatë sundimit të tiranit Periandër (fundi i shekullit të VII – fillimi i shekullit të VI p.e.s.)…Straboni shkruan se së bashku me korinthasit në Apoloni u vendosën edhe korkyrasit, gjë që dëshmohet edhe nga Skymni dhe Pauzania. Korkyra, që ishte vetë koloni e Korinthit (737p.e.s.), luajti më pas një rol të veçantë kolonizues në bregdetin Jon dhe Adriatik (pra në Epir dhe Iliri.B.I.). Ka shumë mundësi që prej saj të jenë nisur edhe kolonistët e parë  të Dyrrahut dhe Apolonisë…për derisa kolonia e re kishte një karakter zejtar-tregtar, ajo mund të ekzistonte në marrëveshje të plotë me vendasit…”.
        Nga i gjithë ky perifrazim i gjatë nxjerrim disa përfundime:
Nga autorët antikë Apolonia cilësohej e Ilirisë apo dhe e Epirit, dhe në asnjë rast nuk quhej Apolonia helene. Më shumë cilësohej qytet i Ilirisë dhe banohej nga ilirët. Pra nuk banohej nga helenët.
Gjetjet arkeologjike të arkeologëve tanë në këtë qytet i takojnë fundit të periudhës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit. Pra shekujve XII-X p.e.s, shumë kohë më parë se të vinte Gylaku nga Korinthi në shekullin e VI p.e,s. Kjo vërtetohet edhe nga legjenda, që luftëtarët e Luftës së Trojës, kur kanë ardhur në Epir (pasi Iliria nuk njihej në atë kohë me këtë emërtim) e kanë gjetur të ngritur qytetin e Apolonisë.
Siç e kemi thënë edhe më parë ne, këtu thuhet qartësisht se kolonistët e parë, jo vetëm që u vendosën në një qëndër urbane të banuar nga vendasit, por këta kolonistë ishin zejtarë dhe tregtarë, pra në kuptimin e sotëm biznesmenë të huaj që vijnë për punë në një qytet. Pra këta nuk kanë ardhur me luftë dhe me formacion luftarak, siç thotë Kristo Frashëri, dhe e kanë pushtuar Apoloninë, Dyrrahum, apo edhe ndonjë qytet tjetër të Epirit apo Ilirisë.
        Tani për sa i përket qytetit të Epidamnit, për të cilin historiani Kristo Frashëri shprehet se, “kolonistët e Korkyrës pushtuan me luftë Durrësin, skelën e taulantëve, të cilin ata e quajtën Epidamn dhe romakët më vonë Dyrrah.” Ajo shprehja “me luftë” bie nga ato që u thanë më lart. Ndërsa për emërtimin e qytetit me dy emra, ku historiani i mësipërm ua shpërndan si pa të keq  helenëve dhe romakëve, do të flasim më poshtë.
        Nuk jam i mendimit se emrin EPIDAMN të qytetit e kanë vendosur kolonët helenë, siç thuhet në tekst. Ai është emri që i kane vendosur vendësit qytetit të tyre. Ndoshta ky qytet ishte sipër në kodër. Ndoshta  nga zhvillimi që mori, tregtia, porti, ai polli ndën vete edhe birin e vet  DYRRAHUN. Ndoshta, kjo pjesë e poshtëme u quajt nga vendësit  DY-RRAH, sepse për çudi ai ndodhet midis dy rraheve (rrëzë kodrash, ku është edhe sot e kësaj dite edhe qyteti i sotëm i Durresit). “Rrah” në shqip quhet një vend në faqe, ose rrëzë kodrave, a malit i shpyllëzuar, ose  përkarshi diellit. 
         Meqënëse Dyrrahu ishte qytet-port, kundrejt Epidamnit qe ishte qytet-kala, gjetja e gjurmëve të portit nga arkeologët në kohën e sotme do të sqarojë shumë gjëra. Ndërsa, po të bënim një përpjekje për të shpjeguar edhe emrin EPIDAMN me anë të shqipes, trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e ilirishtes; atëhere do të zgjidhej edhe enigma e emrit të dyfishtë, që mbart ky qytet. “Ep” në shqip do të thotë jep, por përdoret edhe në kuptimin epmë, më jep mua. “Dhashë”  ose “Dhashtë” në shqip përdoret në shumës të kohës së shkuar “Dhamë”, në toskërisht përdoret edhe “Dhamnë”; njësoj si fjalët “bëhet” dhe “bënet” që kanë të njëjtin kuptim. Atëhere një qytet në një pikë strategjike në detin Jon, siç ishte Epidamni në lashtësi; ku lidhej Lindja me Perëndimin (gjë që më vonë e vërtetoi edhe  ndërtimi i rrugës  Egnatia) detyrimisht do të ishte edhe një qëndër tregtie, ku merrej dhe jipej. EP(më) dhe  I D(H)AMNE, ku germa “H” gjatë kohës mund të ketë humbur (ose ndoshta, më saktë, nuk përdorej, dhe “D” shqiptohej si “DH”, apo “damë” kishte kuptimin që “Dhamë”) dhe rezultati del  EP-I-DAMNE. 
        Analog mund të jetë aresyetimi si për qytetin tjetër bregdetar dhe tregtar të Mesdheut, koloninë fenikase (kananase), Marsile (MARR + SILLE). Por për të gjitha këto shpjegime fjalën e fundit duhet ta  thonë gjuhëtaret. 
        Për mendimin tim, kemi të bëjme me një qytet por me  emërtim të dyfishtë, dhe kjo lidhet me fazat e ndryshme të zhvillimit të tij; ku më i vjetër në moshë është Epidamni pasi lidhet me fazën e parë të tij, kur qyteti ishte në kodër; dhe më pas me shtimin e tij ai doli jashtë mureve dhe u zhvillua poshtë, rrëzë kodrave e pranë portit, dhe kjo pjesë e qytetit mori një emërtim te ri  Dyrrah (pavarësisht legjendës se Dyrrahu ishte nipi i Epidamnit); duke zbehur dhe errësuar shkëlqimin e të parit. Pasojë e kësaj është edhe fakti, që emri i dytë Dyrrah mbeti më vonë edhe si emër i qytetit. Ndoshta kjo mund të lidhet edhe me pushtuesit romakë.
        Në librin e sipërpërmendur historiani Kristo Frashëri fut tek kolonitë helene edhe Foiniken, të cilin, çuditërisht dhe besoj jo rastësisht, e emërton me emrin e fshatit të sotëm “Finiq” të banuar nga vllaho-grekë, fshat i cili ndodhet pranë kalasë së lavdishme të Foinkes së lashtë. Qyteti i Foinikes në lashtësi ndodhej brenda mureve të kalasë në një madhësi prej 70 ha, dhe nuk ka asnjë lidhje me fshatin e sotëm, përveç shndërimit të emrit të tij në greqisht, Finiq.
        Nejse, t’i lemë këto “lajthitje” të historianit dhe të flasim për vetë qytetin e lashtë, të cilin Polibi (II, 11, 7) e ka quajtur: qyteti më i pasur, më i fuqishmi dhe më i fortifikuari i Epirit. Polibi në një nga librat e tij, kur flet për sulmin e ilirëve të Teutës ndaj Foinikes, nuk e quan atë koloni helene, dhe, për më tepër nuk i zë ngoje ata, megjithëse ai vetë ishte grek. Ai banorët e Foinikes, por edhe të gjithë banorëve përreth deri në Antigone, i quan thjesht epirotë. 
     Ndjekim Polibin: “…Megjithatë, kur kjo flotë (flota ilire) qëndroi në Foinike në Epir, ata zbritën për të marrë furnizime. Atje ndeshën me disa ushtarë Galë, rreth tetëqind sosh, të vendosur (si garnizon mbrojtës) në Foinike, duke qënë në pagesë të epirotëve. Këta kontraktuan me ta, që ata të tradhëtonin e lëshonin vendin në duart e tyre. Pasi kishin bërë këtë pazar, zbritën nga anijet e morën qytetin dhe gjithshka në të me goditjen e parë. Kur ky lajm u bë i ditur, epirotasit bënë një rekrutim të përgjithshëm dhe erdhën me nxitim për t’i shpëtuar…”.
         Që Foinike nuk ka qënë asnjëherë helene, dhe për më tepër është pellazge e stërlashtë, po i drejtohemi vetëm  At Shtjefën Gjeçovi, i cili tek “Hylli i Dritës” shkruan: 
“…e ndër hyjni të panjehuna, po i përmendi nja disa të cilave s’ua shkulë rraja nëne prej tokës shqyptare…Për nder të Kronit shqyptarët (Kaonët) ngrehen nji kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cili gjëndet në fushë t’Finikut ku u gjet edhe qytet i Kronit. Sot n’at vend asht fshati Krongji, në rrethinë të Delvinës. Përmbi fshat Krongji gjënden gërmadhat e montueme (Foinike e lashtë) të kohës së pellazgëve…”       
        Gjithashtu në tekst thuhet që edhe Bylysi dhe Amantia qënkërkan koloni greke bija! Kjo më duket një çudi e madhe. Të paktën deri më sot këtë gjë e dëgjojmë për herë të parë. Historikisht këto dy qytete kanë qënë edhe jashtë Lidhjes Molose, pra nuk kane bërë pjesë në atë që në lashtësi quhej Epir, dhe jo më të ishin koloni helene bija. Çuditërisht, dymbëdhjetë vjet më vonë, pas publikimit të ideve të Kristo Frashërit, vjen një misionar i helenizmit, një farë “Zgërboje”, dhe thotë se teatri i Bylist, pra edhe vetë qyteti, është helen!!
        Nga të gjitha këto që u thanë më lart u përpoqëm të argumentojmë,  se të ashtuquajturat koloni helene në Epir dhe Iliri në lashtësi, nuk mund të vërtetojnë teoritë e sotme antishkencore dhe antishqiptare, se helenët në lashtësi i kanë krijuar dhe zotëruar këto qytete tërësisht: Buthrotin, Apoloninë, Dyrrahun, Orikun, Bylisin etj; dhe për më tepër  kanë qënë banorë të  këtyre qyteteve në mënyrë të vazhdueshme deri në ditët e sotme, ku nga kjo, këta myteberët e sotëm të ashtuquajtur grekë i mëtojnë si qytetet të tyre dhe si territore të tyre që nga lashtësia. Rrjedhimisht, sipas tyre ato duhet të futen, me hir apo me pahir, brenda kufirit të shtetit të sotëm grek!!! Pra shkurt, Shqipëria e Jugut deri në Shkumbin, përfshirë edhe Durrësin, duhet të kalojë me Greqinë!!! Amin.
        Të vjen keq, që dashje pa dashje, historianë dhe akademikë shqiptarë bëhen zëdhënës të këtyre tezave të rrezikshme që cënojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë.
Besnik Imeri 22 shtator 2020  (pjesë nga studimi Epiri Pellazgjik)

Filed Under: Analiza Tagged With: Besnik Imeri, KOLONITË HELENE, NË EPIR DHE NË ILIRI

Presidenti Donald Trump me ndërmjetësinë për njohjen e Kosovës nga Izraeli shkundi Perëndimin, shqiptarët dhe serbët!

September 21, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj-

Më 3 shtator, një ditë përpara se Presidenti i SHBA Donald Trump të zhvillonte takimin mes dy delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, unë u përpoqa të imagjinoj me trurin e magjistarëve dhe iluzionistëve më të famshëm të njerëzimit me fuqi supernatyrale, spiritualistë, mistikë nga ata që bëjnë trike, fakeçudira tek ata që bëjnë mrekullira prej Ali Babës, personazhi i Një mijë e një netëve, Magjistari Oz tek David Copperfield se çfarë mund të ndodhte në Zyrën Ovale një ditë më pas.

Ishte një dyshim që lidhej me ata që do të priste Presidenti i SHBA, Donald Trump.

Nuk prisja që Presidenti serb Aleksandër Vuçiç të çlirohej nga klishetë dhe mitomania e kohës kur ishte ministër i propagandës për ta pranuar Kosovën e 4 shtatorit 2020 sipas tre datave  të sanksionuara:

Në 9 qershor 1999, data kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që e detyronte Milosheviçin si humbës të largonte nga Kosova ushtrinë pushtuese dhe makinerinë e luftës që kishte shkaktuar mijra viktima të civilëve të pafajshëm dhe kishte spastruar etnikisht rreth 1 milionë shqiptarë;

Në 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur sot nga 116 shtete prej 192 sa janë anëtare të OKB;

Në 22 korrik 2010, dita e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e njohu si legjitim aktin e shpalljen së pavarësisë të shtetit të Kosovës.

Kanë kaluar mbi 21 vjet nga përfundimi i konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi dhe paranoja mitomane ndaj Kosovës e mban gjithë rajonin peng të Serbisë, e cila ka angazhuar gjithë makinerinë shtetërore dhe diplomatike që shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën, ta çnjohin, dhe ato që nuk e kanë njohur të vazhdojnë të mos e njohin. Serbia synon kështu që ta kthejë Kosovën mbrapsht nga shekulli XXI në shekullin XX, më të ziun për kujtesën e njerëzimit, që dallohet nga dy Luftra Botërore, nga Holokausti, nga Srebrenica, nga diktaturat totalitare gjakatare naziste dhe staliniste që kanë shkaktuar mbi 200 milionë viktima!

9 qershori 1999, 17 shkurti 2008 dhe 22 qershori 2010 janë vija demarkacioni që ndajnë të shkuarën e përgjakur nga çmenduritë e Milosheviçit me të ardhmen e përbashkët demokratike të gjithë rajonit, të cilën e mban peng Serbia e Vuçiçit dhe kasta e politikanëve shqiptarë të skaduar, që kishin sjellë në Washington DC në Shtëpinë e Bardhë tek Presidenti i SHBA përfaqësuesit e tyre, por jo përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës.

Natyrisht që shqiptarët i kanë ata që përfaqësojnë me dinjitet. Më i shquari është ish Kongresmeni arbëresho-amerikan Joe DioGuardi, me të njëjtën origjinë si Regis Philbi, miku i Presidentit Donald Trump. Joe DioGuardi është Skënderbeu i kohëve moderne. Prej mbi tre dekada ai ka bashkëpunuar ngushtë me figurat me të shkëlqyera të Senatit e Kongresit Amerikan po ashtu edhe me lobin hebre në SHBA! Joe DioGuardi meritonte i pari të ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe të jetë ndërmjetës midis shqiptarëve dhe Presidentit Donald Trump.

Por megjithë situatën e 4 shtatorit 2020 në dukje e pashpresë dhe mediokre, Presidenti Donald Trump i la me gojë hapur të madh e të vogël, shqiptarë e serbë, Prishtinën e Beogradin, Brukselin, Strasbourg-n, Berlinin, Parisin, thinktank-ët, diplomatët e politologët e të gjitha ngjyrave dhe niveleve. Këtë efekt pati njohja që kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu i bëri shtetit të Kosovës, që ishte e papritura madhështore e pritur prej 12 vitesh të bëhej realitet, e lobuar nga të gjitha administratat pararendëse të SHBA por e arritur direkt prej Presidentit të 45-të të SHBA.

Njohja që Izraeli i bëri shtetit të Kosovës i shkon për shtat sloganit MAGA – Make America Great Again.

SHBA fituan menjëherë vemendje pozitive nga bota që me Marrëveshjen në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme, e nënshkruar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e arritur po përmes rolit të Trump. Po ashtu edhe njohja e Kosovës nga Izraeli ka një ndikim shumë të fuqishëm për paqen në Ballkan. Si reagim ndaj arrogancës serbe, sepse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e shkeli pikēn e 15 të Marrëveshjes nënshkruar në Zyrën Ovale, sapo u kthye në Beograd, duke iu shprehur palestinezëve, në takimin me ambasadorin e tyre, mirënjohjen që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Tash shqiptarët ëndërrojnë që Presidenti Trump t’ia mbushi mendjen Papa Françeskut që edhe Vatikani ta njohë pavarësinë e Kosovës! Përse të mos e njohë Vatikani shtetin e pavarur të Kosovës?! Paqja nuk vjen vetëm me lutje por edhe me veprime!

SHBA janë si një Melting Pot gjigand. Shtetasit amerikanë me origjinë migratore janë nga të gjitha shtetet e globit. Kjo e mban të lidhur pazgjidhshmërisht Amerikën me fatet e njerëzimit. Mua më mahnit Ura e Bruklinit e dizajnuar nga një amerikano-gjerman me mendje të ndritur si John Augustus Roebling, por më ka mahnitur edhe më tepër ura e Korridorit Ajror të Berlinit Airlift ( 26 qershor 1948 – 30 shtator 1949), kur Amerikanët hanin nga një racion mish më pak për t’iu dërguar ushqime dhe qymyr për ngrohje e çka u nevojitej qytetareve gjermanë në Berlinin Perëndimor, ku forcat aleate me në krye SHBA përballuan një nga krizat më kritike të Luftës së Ftohtë duke e mbuluar këtë urë korridor me rreth 280 mijē fluturime që mposhti më në fund bllokadën dhe rrethimin e Berlinit Perëndimor nga BRSS.

Në fund të shekullit XX SHBA me aleatët e NATO-n ndalën një Holokaust të ri ndaj shqiptarëve të Kosovës që janë trashëgimtarët e Skënderbeut, Nënë Terezës dhe i vetmi vend që u kanë dhënë hebrejve strehë e mbrojtje, kur Europa i dorëzonte në Kampet e Përqendrimit në Auschwitz, Mauthausen e Treblinka.

Johanna Neumann, një zonjë hebreje që e kishte provuar mikpritjen e thjeshtë shqiptare me “bukë e kripë e zemër” përsëriste se “Moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët”. Nuk ndodhi kurrë dhe nuk ka asnjë hebre të dorëzuar tek gjermanët nga shqiptarët, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte nën pushtimin nazist. Johanna Neumann, për t’i shpëtuar Shoah, u largua nga Hamburgu kur ishte 10 vjeçe bashkë me nënën dhe babain e saj. Familja me tre anëtarë, sikur shumë hebrej që u vendosēn aty, jetuan në Shqipëri 5 vjet dhe me mbarimin e luftës gjetën strehë në SHBA. Zonja Johanna ka tre vjet që është larguar nga kjo botë, por nuk ka asnjë dyshim se prej Parajse ajo, një nga Ëngjëjt Mbrojtës të Shqiptarëve, e ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Izraeli me ndërmjetësinë e Presidentit të SHBA.

Të mos diskutohet pastaj mirënjohja e shqiptarëve ndaj Presidentit Trump për këtë njohje kaq të rëndësishme.

Por ndërkohë shqiptarët e Kosovës janë duke përjetuar hutimin dhe ngërçin më të madh që nga vdekja e Ibrahim Rugovës. Në vend të faktorizimit dhe integrimit, janë të defaktorizuar dhe të dezintegruar. Nga lufta në Kosovë dolën të plagosur, por u kthyen në shtëpitë e tyre, ndërsa ranë në fatkeqësinë e sundimit nga kasta politike e korruptuar dhe inkriminuar. E njëjta kastë si në Kosovë, është edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, që ka uzurpuar pushtetin përt të qenë e përjetëshme si Llukashenko dhe miliardere si Silvio Berlusconi apo Donald Trump, pa trashëguar asgjë e pa derdhur asnjë pikë djerse, vetëm duke vjedhur pasuritë e vendit në stanjacion të plotë ekonomik.

Kastat dhe regjimet e korruptuara politike përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit njëlloj si regjimet totalitariste.

Nuk ka stabilitet nën regjimet e kastave. Ka diktatura mafioze, regjime hibride, ndërsa stabiliteti është fake.

Po ashtu nuk ka as shpresë për zhvillim ekonomik në regjimin e kastave, sepse shpërdorin pushtetin dhe shkelin ligjin, i cili është far udhëheqës në ekonominë e tregut. Nuk mund të ketë ekonomi të lirë tregu në Kosovën ku shteti është i kapur nga politikanë të konsumuar shtershēm, të korruptuar dhe të komprometuar përfundimisht si përçudnues të demokracisë dhe votës së popullit.

Por shpresë për Kosovën ka. Populli i Kosovës është vetë shpresa që e ka nxjerrë jashtë loje këtë kastë politike.

Njohja e Kosovës nga Izraeli në Zyrën Ovale të Presidentit Trump ishte një shkundje për të gjithë Perëndimin, sepse vetizolimi nga Covid e ka futur të gjithin në një kafaz izolacionist, sipas sloganit seicili për vete e Zoti për të gjithë! Presidenti Donald Trump doli nga kafazi izolacionist!

A do ta njihte Izraeli shtetin e Kosovës?

Normalisht do të duhej të ishte nga shtetet e para, sikur e njohën SHBA dhe vendet kryesore të BE, por u deshën 12 vjet nga administratat e presidentëve George W.Bush, Barak Obama deri tek Presidenti Donald Trump.

Ndikimi direkt i Presidentit Trump për njohjen e shtetit të Kosovës nga Izraeli iu dha fund gjithashtu edhe teorive konspirative dhe i shkundi shqiptarët nga dyshimet dhe apatia.

Prandaj ishte historik takimi i 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale!

Shqiptarët do të donin që me abrakadabra Presidenti Donald Trump, Kancelarja Merkel, Presidenti Macron me aleatë të bëhen bashkë e t’i shpëtojnë edhe prej kronizmit, favoritivizmit, nepotizmit, klientelizmit, të kastës së korruptuar e të inkriminuar që ka si aleate nëntokën e krimit dhe për pushtet e kall rishtas Ballkanin në flakë.

Natyrisht që SHBA me aleatë duhet të marrin në dorë fatin e demokracisë në Ballkan, të rrezikuar seriozisht nga kjo kastë e bashkërenduar me krimin e nëntokës që janë duke krijuar rendin e ri mafioz, e cila  harxhon para të majme për ta falimentuar sistemin demokratik duke korruptuar dhe komprometuar zyrtarë të lartë të institucioneve Perëndimore ! Fatin e tyre duhet ta marrin në dorë edhe vetë shqiptarët, duke mbledhur forcat për të krijuar një dialog të denjë me Perëndimin, me përfaqësuesit e duhur si dhe për të të mbrojtur vlerën e shenjtë që ka vota e popullit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleksandër Vuçiç, Elida Buçpapaj, Ish-Kongresmeni Joe DioGuardi, Johanna Jutta Neumann, Presidenti Donald Trump, presidenti i Serbisë, Shtëpia e Bardhë, Zyra Ovale

Relievi Shqiptar – Toponimet dhe Emrat si pjesë e identitetit dhe lidhjeve me gjuhën dhe kulturën Shqiptare…

September 21, 2020 by dgreca

Nga Enela Markja *-

Mësimdhënia e gjuhës amtare në diasporë ka qenë dhe mbetet një ndër sfidat kryesore të Diasporës duke vënë në lëvizje dhe bashkëpunim aktorë dhe faktorë në Diasporë si dhe vendet mëmë Kosovë-Shqipëri.Përcjellja e njohurive nëpërmjet gjuhës dhe përdorimi i elementëve lidhës të historisë, gjeografisë, traditave, folkorin dhe shumë faktorëve  tjerë kulturorë është qëllimi i cdo mësimdhënësi.Që kjo gjë është e mundur  sot e faktojnë Arbereshët e Italisë dhe modeli i tyre kulturor.

Me zhvillimin e botës Digitale (jo vetëm për shkak të Pandemisë) dhe shtimin e rrjeteve sociale bëhet e mundur një bashkëpunim, shkëmbim e komunikim intensiv mbarë botëror mbi baza të shëndetshme tematike, siç është në këtë rast mësimdhënia e gjuhës shqipe, duke i dhënë diasporës nuanca dhe karakteristika tematike. 

Mësimi i gjuhës shqipe në Diasporë është i varur nga forca dhe përbërja e komunitetit shqiptar si dhe nga zhvillimi i tij social në vendin ku komuniteti jeton, por gjithashtu një rol të rëndësishëm luajnë dhe kornizat dhe kushtet të cilat vendi atij i ofron. 

Koha e mësimdhëniës është një tjetër problematikë me të cilën ndeshet cdo mësues në diasporë. Duke pasur parasysh që tek fëmijët detyrimet shkollore si dhe aktivitetet jashtë shkollore janë shumë të domosdoshëm për zhvillimin e tyre dhe integrimin e plotë të fëmijëve në shoqërinë ku ata jetojnë, janë dy orë mësim suplementar në javë; të realizuara në këtë format mësimor, vlerësoj se kjo përbën një ngarkesë për fëmijët, si dhe për mësuesin është një kohë shumë e shkurtër për ezaurimin e lëndës mësimore. 

Një rol shumë të rëndësishëm në mesimin dhe perdorimin e gjuhës luan dhe komunikimi ne familje dhe edukata familjare. 

Mësimi i gjuhës amtare nuk duhet parë si pengesë në integrimin e fëmijëve në shoqërinë ku jetojnë, përkundrazi, – nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare, arrihen të konsolidohen disa tipare shumë të rëndësishme të individit, si: 

  • Zhvillohet aftësia për të përvetësuar gjuhë të huaja dhe kombinuar kulturat përkatëse;
  • Shumëgjuhësia promovon mirëkuptimin brënda një shoqërie të karakterizuar nga diversiteti
    kulturor dhe gjuhesor;
  • Zotërimi i gjuhës amtare është kualifikim i vlefshëm për jetën shoqërore dhe zhvillimin ekonomik;
  • Ndërgjegjësimi për vlerën e kompetencës së gjuhës amtare shton motivimin dhe vetëbesimin e nxënësve dhe ndihmon integrimin e tyre; 

Mësimi i gjuhës amtare luan një rol jashtzakonisht të rëndësishëm në forcimin e personalitetit të fëmijëve dhe kështu ato pranojnë dhe kapërcejnë më lehte sfidën e adoleshencës duke ditur se kush janë dhe çfarë prejardhje kanë.  

Metodat e mësimdhënies në Diasporë kanë një diapazon të gjerë gjuhësor, kulturor dhe historik. Ndërthurja sa më e natyrshme e tyre, bën të arrihen nivele të larta në mësimdhënie duke rritur efektivitetin e të nxënit.

Në këtë aspekt, një histori mbreslënëse më shoqëron gati një vit dhe më bën të kërkoj vazhdimisht gjetjen e mënyrave të mësimdhënies sa më efektive me qëllim rruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës. Gjatë pushimeve me familjen verës që kaloi në Sarandë (Gusht 2019), dëgjoj një bisedë në gjermanisht mes dy vajzave të reja rreth 20 vjeç. Kurioze, mbase dhe nga profesioni, i pyes gjithashtu në gjermanisht se cili ishte motivi i tyre për të vizituar Shqipërinë dhe konkretisht Sarandën.  Njëra nga vajzat m’u përgjigj që ka lindur dhe jeton në Frankfurt dhe i ati i saj shqiptar, i ka dhuruar emrin „Saranda“! Vajza ishte shumë kurioze të mbledhë sa më shumë informacione rreth emrit, rreth vendit, prejardhjes, kulturës; U ndjeva e gëzuar por ndërkohë evidentoja që po flisja me një vajzë me orgjinë nga Shqipëria të quajtur „Saranda“ në gjuhën Gjermane…. elementi lidhës shumë i rëndësishëm në këtë bashkëbisedim mungonte – Gjuha!  

Dhurimi i emrave të vendeve tek njerëzit është një karakteristikë e veçantë shqiptare, që për mendimin tim ka ndodhur për disa arsye: 

  • Shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë, mbartnin në këtë mënyre, si pjesë e qënies së tyre një copë Atdhe – duke pasur parasysh që toponimet janë tregues të denjë të autoktonisë shqiptare, dhe ruhen nga njeri brez në tjetrin pa asnjë ndikim fetar apo politik.
  • Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, për mendimin tim, me “dhurimin” e emrave të lumenjve (Drin, Erzen, Valbonë, Vjosë, etc), deteve (Jon dhe Adriatik), maleve (Korab, Tomorr, Jezerce, etc), krijuan një panvarësi nga feja (përmend këtu moton “Feja e shqiptarit është shqiptaria”) duke mbartur këto toponime që kanë një jetëgjatësi shekullore dhe tregojnë bukuritë të natyrës shqiptare.

Duke u nisur nga Emrat që ne mbartim, mendoj që trajtimi i toponimeve gjatë orës së mësimit është metoda për të lidhur gjuhen me gjeografinë, kulturën, traditat, veçoritë dhe karakteristikat e zonave. 

Si shembull mund të marr lumin e Valbonës dhe emrin e të cilit e mbartin shumë vajza shqiptare, – ku Valbona është një nga lumejntë më të rrëmbyeshëm të Alpeve shqiptare. Pjesa lindore e tyre me 12 maja mbi 2000 m ka një natyre dhe pamje solemne dhe mitologjike duke qenë kështu atdheu i eposit shqiptar. Nëse Jezerca do te ishte mbreti i Alpeve shqiptare, atëherë është Valbona që buron pikërisht nga kjo zonë, mbretëresha e tyre. Përbërja gëlqerore e shkëmbinjeve si dhe veprimtaria gryrëse e përrenjve dhe lumenjve, krijojnë lugina mjaft të thella dhe me pamje mahnitëse. Në pjesën e gjerë të luginës se Valbones gjenden fshatrat Dragobi, Shoshan, Bujan dhe më poshtë përshkon Valbona dhe qytetin e Bajram Currit para se të derdhet në liqenin e Fierzës. Karakteristikë e kësaj zone jane pyjet e dendura me gështenja dhe me një botë të pasur shtazore.

Duke shqyrtuar karakteristikat e zonës, traditat e historitë që mbartin ato treva, festat, këngët dhe vallet me kostumet e tyre shumëngjyrëshe, përcjellim tek nxënësit jo vetëm mësimin e gërmave, shkrimin dhe leximin, por për të mos e përsëritur të gjitha fjalët – përcjellim atë që ne na bën të ndjehemi shqiptar.

*Trajtesë për Seminarin e tretë arsimor “ Arritjedhe perspektiva të mësimit të gjuhës amtare në Diasporë “ – Nju Jork, 12 shtator 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Enelja Markja, IDENTITETI, Toponimet

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës

September 18, 2020 by dgreca

-Në Kuvend, një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën kryeministri Hoti ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës/

-Kosova ka gjithësej 38 komuna, nga 10 komunat me shumicë serbe  5  janë të reja sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së/

-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj./

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

PRISHTINË, 18 Shtator 2020/ Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ishte në axhendën e seacës plenare të Kuvendit Kosovar, me shumë debat që u zhvillua dje deri në orët e mbrëmjes dhe do vijojë edhe sot edhe me një draft-rezolutë së paralajmëruar.

“Republika e Kosovës, e 17 Shkurtit 2008, është projekt i patjetërsueshëm, i mbrojtur nga Kushtetuta”, ka theksuar Kryeministri Hoti.

Një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën Kryeministri ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës Kryeministri Hoti mes tjerash tha:

“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi i jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog, pasi ka një marrëveshje të arritur për këtë më 2013, që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj, ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionin dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Për të gjitha temat që diskutohen në Bruksel, vlen parimi se ‘Asgjë nuk dakordohemi derisa nuk dakordohemi për të gjitha’.

Pra, asgjë nuk nënshkruhet derisa të dakordohet marrëveshja e plotë, përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, që përfshinë njohjen reciproke.

Marrëveshja përfundimtare do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve pas njohjes reciproke.

Kjo marrëveshje nuk do të ofrojë zgjidhje kreative të çështjeve të hapura në mes të vendeve. Por, do të ofrojë zgjidhje sistematike, bazuar në konventat ndërkombëtare.

Marrëveshja nuk do të ofroje zgjidhje të përkohshme apo afatgjate, por zgjidhje të përhershme.

Ndryshe nuk do të ketë marrëveshje.”

Koordinatori Shtetëror i Kosovës në dialogun me Serbinë, Skender Hyseni pas takimit dje në Bruksel me delegacionin e Serbisë, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, deklaroi se nuk është diskutuar fare për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe delegacioni Kosovar ka refuzuar përpjekjen serbe për ta hapur këtë temë

“Natyrisht se delegacioni serb bëri përpjekje që ta hapë këtë temë, por ne e refuzuam kategorikisht”, ka theksuar Hyseni.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia  – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, nga krerët e atëhershëm të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në raundin e 28-të të dialogut në nivel kryeministrash.

Në marrëveshje, që në fillim përcaktohet:

“Korniza ligjore

1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës.

2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet legal i definuar nga statuti i tij, që do të përbëhet së paku nga elementet e mëposhtme:

3) Statuti do të aprovohet nga kuvendi themelues të përbëra nga anëtarët e votuar të kuvendeve të komunave pjesëmarrëse. “

Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.   

Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.

Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.

Kosova ka gjithësej 38 komuna. Nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë  5  janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.

Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas një regjistri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për zgjedhjet lokale 2017, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asociacioni i Komunave, Behlul Jashari

Prisni Zonja Vjosa,se ka dava Janina!

September 18, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof.dr. Eshref Ymeri–

Në faqen e internetit “Radio Evropa e Lirë”, të datës 11 shtator, u njoha me intervistën e Zonjës Vjosa Osmani, me titull “Rrezik nga një Republika Srpska në veri të Kosovës”. 

Në atë intervistë shtroheshin shumë probleme serioze për ekzistencën e Kosovës, si një shtet sovran dhe funksional. Zonja Vjosa, si një politikane, e brumosur me vetëdije të lartë kombëtare, ka folur me autoritetin e një intelektualeje të kultivuar, për të cilën mbrojtja e interesave jetike të Republikës së Kosovës përballë epsheve të pashuara shoviniste serbosllave, edhe më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës, është detyrë mbi të gjitha detyrat, është shenjtëri mbi të gjitha shenjtëritë.

Për Marrëveshjen e Vashingtonit janë shprehur analistë, opinionistë, publicistë, qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë në atdheun amë. Mendoj se peshorja e vlerësimit të asaj marrëveshjeje ka anuar nga negativizmi. Por vlerësimi që  bën Zonja Vjosa Osmani, është i një rëndësie të veçantë, sepse ajo është një politikane me emër të nderuar në skenën politike kosovare. 

Nga intervista e saj rezulton se Marrëveshja e Vashingtonit është një dështim i plotë i delegacionit kosovar që drejtonte kryeministri Hoti.

Në atë intervistë, Zonja Vjosa ka nxjerrë në pah disa qëndrime skandaloze të atij kryeministri.

Së pari, delegacioni kosovar paska pranuar që Republikës së Kosovës “t’i referohet vetëm si Kosovo”, çka do të thotë se Prishtina zyrtare pranon tërësisht qëndrimin e Beogradit se Kosova u dashka që të mbajë jo emrin “Republika e Kosovës”, sipas Kushtetutës, po emrin serbosllav “Kosovo”. Në këtë mënyrë, kryeministri Hoti dhe delegacioni i tij respektojnë plotësisht kushtetutën serbe, sipas së cilës Republika e Kosovës është pjesë e Serbisë. Një qëndrim i tillë i kryeministrit Hoti nuk mund të vlerësohet ndryshe, përveçse si tradhti e kulluar.

Së dyti, kryeministri Hoti, sipas zonjës Vjosa Osmani, “është i vetmi zyrtar publik i Kosovës, që ka pranuar deri më sot që të rihapet tema e Asociacionit të komunave (me shumicë) serbe”. Dhe, çuditërisht, kryeministrit Hoti s’ia bën syri tërr, që, me këtë deklaratë, po aq skandaloze, është ngritur kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, e cila nuk e pati pranuar krjimin e atij asociacioni. Përsëri kryeministri Hoti ka kryer një akt tradhtie të kulluar. Aq më tepër kur më 10 shtator, siç rezulton nga intervista e Zonjës Vjosa Osmani, kryeministri Hoti paska deklaruar publikisht në Parlamentin Evropian se “do ta zbatojë plotësisht Marrëveshjen për Asociacionin të vitit 2015”, çka është katërcipërisht në kundërshtim flagrant me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë, kryeministri Hoti ka shkelur rëndë rendin kushtetues në Republikën e Kosovës, sepse, siç e thekson zonja Vjosa, ai, harbutërisht, paska deklaruar “unë nuk flas kurrë për Kushtetutën”. Normalisht, në një shtet me dinjtet kombëtar, në një shtet ligjor, ku mbi ligjin themeltar nuk mund të ngrihet kurrkush, kryemistrin e vendit, pas deklaratave të tilla antikombëtare, organi më i lartë ligjvënës e shkarkon menjëherë nga posti i tij dhe e padit në organet e drejtësisë për tradhti të pastër. Fakti që Kuvendi luan rolin e soditësit të paanshëm para qëndrimeve antikushtetuese të kryeministrit Hoti, dëshmon më së miri se në Republikën e Kosovës nuk ekziston absolutisht shteti sovran dhe funksional, se vendi nuk është i pavarur, se atje ekziston një republikë bananesh, ku ligjin e bën pakica serbe dhe Beogradi. Prandaj, siç theksohet në faqen e internetit “Syri” të datës 04 shtator, “në një fjalim para zgjedhjeve presidenciale, kandidati demokrat për president të SHBA-së Joe Biden, tha se Kosova duhet të jetë një shtet i pavarur, e jo pjesë e Serbisë”. Pra, Kosova pavarësinë e ka formale, jo faktike, siç rezultoi nga Marrëveshja e Vashingtonit. Kjo është një fatkeqësi e rëndë, ky është një mjerim i madh politik jo vetëm për popullin shqiptar të Republikës së Kosovës, por edhe për mbarë kombin shqiptar.

Me qëndrimet e veta tradhtare ndaj krijimit të Asociacionit të komunave serbe, kryeministri Hoti ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë me besnikëri hullinë e tradhtisë së Thaçit gjatë periudhës së bisedimeve me përfaqësuesit serb në Bruksel, qoftë kur ishte kryeministër, qoftë si president. Sepse krijimi i asociacionit në fjalë nuk është gjë tjetër, veçse një strukturë me kompetenca ekzekutive, e cila nuk e njeh autoritetin e Prishtinës dhe funksionon si një shtet brenda shtetit. 

Kryeministri Hoti le ta shtrojë në Parlamentin Evropian çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, se atje do të gjejë mbështetjen e fuqishme të brukselizmit, i cili, si trashëgimtar i zellshëm i kasapëve të Konferencës së Londrës që copëtuan trojet tona etnike në vitin 1913, nuk është ngopur ende me rrudhosjen e tyre tragjike deri në ditët tona. Kujtoni këmbënguljen e brukselizmit për kalimin nën juridiksionin e Malit të Zi të 8200 ha tokë shqiptare, me premtimin për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës, premtim që nuk e mbajti absolutisht, duke mashtruar në mënyrën më të pahijshme.

Në intervistën e vet, Zonja Osmani ka prekur edhe çështjen e kishave serbe. Dihet që Beogradi ka kërkuar me kohë dhe vazhdon të kërkojë me ngulm një status të veçantë për kishat, manastiret dhe “pronat e tyre”, të grabitura në trojet e Dardanisë. Etnia shqiptare, që kryeherazi, ka qenë, është dhe gjasat janë se do të vazhdojë të jetë pa zot edhe në të ardhmen. Se po të  kishte pasur zot, ardhacakët serbë nuk duhet t’i kishte lejuar të grabitnin objektet e kultit katolik që filluan të ngriheshin në Dardani në shekujt që pasuan pas Ediktit të Milanos të perandorit Konstantin të vitit 313, kur ilirët, të parët në gadishullin tonë, përqafuan krishterimin perëndimor. Por iliroshqiptarët, si etnia tragjikisht më e përçarë në Gadishullin Ilirik, nuk ua vunë veshin kërkesave të Papa Benediktit XI dhe Papa Klementit V, dërguar mbretit Milutin dhe Stefan Dushanit më 1346, duke urdhëruar që të lirojnë kishat katolike, të uzurpuara në Graçanicë,  Artane, Janjevë, Pejë, Deçan dhe Prizren. Sikur Republika e Kosovës të kishte zot, kërkesave të Beogradit për një status të veçantë të të ashtuquajturave kisha dhe manastire serbe, duhej t’u përgjigjej me një kundërkërkesë për lirimin e tyre, se ato janë kisha dhe manastire katolike, të cilat pushtuesit serbë i shndërruan në ortodokse. Statusi i veçantë i kishave serbe që kërkon Beogradi, është një objektiv me qitje të largët, për çka do të bëhet fjalë më poshtë.

Siç rezulton nga intervista, Zonja Vjosa Osmani ka një meritë të jashtëzakonshme në këmbënguljen e saj për rivendosjen në vend të dinjitetit kombëtar të Republikës së Kosovës në qëndrimin ndaj Serbisë. Në këndvështrimin tim, ajo është e para politikane e formatit nacionalist, e cila ka bërë publike një të vërtetë tragjike për vetëposhtërimin e kastës politike kosovare me lëshimet skandaloze që ajo i ka bërë shovinizmit kriminal serb. Ajo ka deklaruar:

“…lista e koncesioneve të Kosovës do t’ju marrë ditë të tëra që ta lexoni, kurse listën e Serbisë do ta lexoni për dy sekonda, sepse janë të vogla dhe, për më shumë, nuk i ka zbatuar as ato pak që i ka bërë. Pra, Serbia nuk është duke bërë fare, asnjë kompromis”.

Së dyti, ajo është e vetmja politikane që ka deklaruar se “Kosova bën kompromis me vetë faktin që ulet përballë një agresori, i cili ka kryer gjenocid në Kosovë”. 

Vetë fakti i pranimit nga kasta politike kosovare të kompromisit për t’u ulur në bisedime me një shtet agresor, armik të betuar jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të mbarë kombit shqiptar, është lëshim vetëposhtërues, përderisa ai shtet armik nuk e di se çdo të thotë institucion i pendesës publike për krimet e kryera. Këtë lëshim kaq të rëndë, kasta politike kosovare e ka bërë, sepse, faktikisht, ka pasur dhe vazhdon të ketë në krye mercenarë të regjur të Beogradit dhe servilë të pështirë të brukselizmit, si Thaçi me bandën e tij.

Problemi më shqetësues, sipas meje, që shtron Zonja Vjosa Osmani në intervistën e vet, ka të bëjë me Veriun e Mitrovicës. shqetësim që bie në sy edhe në titullin e intervistës “Rrezik nga një Republika Srpska në veri të Kosovës”. Nga një gjykim gjakftohtë dhe objektiv, del vetvetiu përfundimi se Republika Srpska në veri të Kosovës, faktikisht, është krijuar me kohë e me vakt, paçka se ajo nuk figuron e pranuar publikisht dhe e zyrtarizuar. Themelet e krijimit të asaj republike i hodhi tradhtari Thaçi, i cili, siç deklaron Prof.dr. Enver Bytyçi, njohës i mirë i problemeve të Republikës së Kosovës dhe i realiteteve kosovare në tërësi, ka deklaruar:

“Askush nuk i tha atij (Hashim Thaçit – E.Y.) pse në qershor 1999 e ndaloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të çlironte veriun e Mitrovicës dhe në vend që rojet serbe, urën ta kontrollonte UÇK! A ishte ky akt i tij preludi i projektit të ndarjes së Kosovës, të cilin e propagandon sot?!” (Citohet sipas: Prof.dr. Enver Bytyçi.  “Hashim Thaçi në rolin e çakallit sipas skenarit serb të Beogradit!”. Faqja e internetit “xhafershatri.info”. 24 maj 2019).

Pra, që prej qershorit të vitit 1999, veriu i Kosovës nuk u vu kurrë nën juridiksionin e Prishtinës, qoftë para shpalljes, qoftë pas shpalljes së pavarërisë. Prandaj edhe sot e kësaj dite, atje qeverisin sebët në qejfin e vet. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i besuan verbërisht shtabit të saj drejtues dhe, siç e kanë pasur traditë brez pas brezi shqiptarët, atyre u mungoi aftësia vetorganizuese për të zbuluar tradhtinë e Thaçit dhe të bandës rreth tij. Për pasojë të mungesës së vetorganizimit, populli i Mitrovicës së Jugut dhe banorët përreth, nuk u ngritën më këmbë me armë në dorë dhe të turreshin drejt Mitrovicës së Veriut, për t’u vënë drunë serbëve, si bashkëpunëtorë të ngushtë të bandave të Arkanit dhe të Sheshelit që kryen masakra të tmerrshme në mbarë Kosovën. Por atë që s’e bëri Hashim Thaçi për çlirimin e Veriut të Mitrovicës, e bënë serbët, të cilët e çliruan Veriun e Mitrovicës nga shqiptarët, banorët rrënjës të asaj treve, duke i dëbuar mijëra syresh nga vatrat e tyre amtare. Si troje pa zot që kanë qenë mbarë trojet tona etnike që prej lashtësisë, edhe në rastin e Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’u dilte kush zot në qershorin e vitit 1999, kur Thaçi kreu aktin e tradhtisë lartë ndaj Kosovës, akt që shpjegohet me rekrutimin e tij në vitet ’90  nga një oficer francez, siç e ka denoncuar nacionalisti i diasporës në Gjermani Xhafer Leci, në një analizë me titull “Thaçi nën hijen e Millosheviçit”, të botuar në faqen e internetit “Zemra Shqiptare”, 22 prill 2014. Për shkak të tradhtisë së Thaçit, jo rastësisht trupat franceze të KFOR-it u vendosën në Mitrovcën e Veriut. Për pasojë, – thekson Xhafer Leci, – “përpjekjet e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës, u penguan nga trupat franceze më 3 korrik 1999”. Nuk mund të ndodhte ndryshe, nuk mund të ndodhte si në Kroaci, në një vend me zot, siç ishte presidenti i nderuar Franjo Tuxhman (Franjo Tudjman  1922-1999), i cili, si një udhëheqës, i kalitur me ndjenja nacionalizmi të jashtëzakonshëm, bëri që ushtria kroate, Republikën e Krajinës Serbe brenda territorit kroat, ta zhdukte nga faqja e dheut midis 4 dhe 7 gushtit të vitit 1995.

Dhe çfarë ndodhi në vitet në vazhdim pas tradhtisë së Thaçit? Publicistja Kimete Berisha, në një analizë që pati botuar në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 04 maj 2020, sqaron se si, pa një marrëveshje me Kosovën, “Serbia po i kthen në Kosovë serbët që kurrë s’kanë qenë në Kosovë, u ka ndërtuar shtëpia në veriun e vendit, shumica e pronave të shqiptarëve në Veri janë blerë nga qeveria serbe, kurse nga Lugina ikin shqiptarët”. 

Për tradhtinë e lartë që kreu Thaçi ndaj Mitrovicës së Veriut dhe mbarë Kosovës, për krimet e tij të rënda, ka dëshmuar zotëria i nderuar me bindje nacionaliste Naim Miftari, ish shefi i ZKZ dhe që ishte prezent në sigurimin e Thaçit atë ditë kur ky i fundit shkoi në Mitrovicë. Ai, ndër të tjera, ka shkruar, duke iu drejtuar Thaçit publikisht:

“Nuk shpjeguat rolin tuaj në 2 dhe 3 shkurt 2000 kur e pastruat veriun e Kosovës nga shqiptarët, në koordinim me shefin tuaj francez, Denjear Arnaud dhe me republikën e Serbisë që kishte sjellë me autobusë paramilitarë, mercenarë dhe MUP-ovca (ishin vendosë si pacientë kinse në spitalin e Mitrovicës) disa ditë më herët, kur edhe ishte bërë plani për dëbimin, vrasjen, plaçkitjen, rrahjen e mbi 14.500 shqiptarëve që jetonin në Mitrovicën e Veriut”.

Lexuesit atdhetarë, me bindje nacionaliste, mund ta gjejnë të plotë reagimin e zotërisë së nderuar Naim Miftari, ku mund të njihen edhe me shumë krime të tjera të Thaçit. Reagimi  tij titullohet: “Demantohet Thaçi, personi që ishte prezent në sigurimin e tij, zbulon gjithçka se çfarë ndodhi në Mitrovicë”. Faqja e internetit  e gazetës “Bota Sot”. 09 qershor 2019.

Është me të vërtetë për të vënë kujën që Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka anashkaluar tradhtinë e rëndë të Thaçit dhe ka lejuar që ai të mbajë postet më të larta në krye të vendit, si deri tani. Një gjë e tillë, me siguri, ka ndodhur për arsye se Thaçi dhe banda e tij, me kohë, janë kujdesur tej  mase që shumica e deputetëve të përbëhet nga njerëz pa kurrfarë morali kombëtar, nga mercenarë në shërbim të Beogradit. Lexuesit e nderuar le të kujtojnë rastin e deputetit Haxhi Shala, i cili një ditë më parë ishte shprehur kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti. Gjatë votimit në Kuvend, vota e deputetit Haxhi Shala do të ishte vendimtare, se nëse ai edhe në Kuvend do të votonte kundër, qeveria Kurti nuk do të ishte rrëzuar. Por Thaçi, bashkë me mercenarin e vet moralhumbur Ramush Haradinaj, i shkoi natën në shtëpi Haxhi Shalës për t’i mbushur mendjen që të votonte pro mocionit. Dhe Haxhi Shala e tradhtoi Kurtin, pa iu skuqur faqja. Nuk dihet arsyeja e vërtetë se pse Haxhi Shala mbajti atë qëndrim të turpshëm: e bleu Thaçi me ndonjë shumë të majme parash apo e kërcënoi? Në një analizë, kushtuar rrëzimit të qeverisë Kurti, publicisti i njohur nacionalist shqiptaro-amerikan në Nju Jork, anëar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Hafiz Shala, e pati demaskuar mirë votën kundër të Haxhi Shalës, duke përdorur shprehjen e famshme “çdo fis e ka një pis”.

Me humbjen e Mitrovicës së Veriut, Kosova mbetet “pa kokë”, Ujmani dhe minierat e Trepçës janë “truri” ushques i Kosovës. Por e keqja s’mbaron me kaq, sepse duhet pritur se ka dava Janina (dardha e ka bishtin prapa).

Me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe me statusin e kishave “ortodokse” që shtrihen në mbarë vendin, Republika e Kosovës mbetet edhe pa “mushkëri”. Pra, ajo do të shndërrohet në një pseudoshtet-robot, pultet e komandimit të të cilit i ka në dorë Beogradi. Dhe ç’duhet të bëjë paskëtaj? Derisa Kuvendi i Kosovës, fill pas shpalljes së pavarësisë, nuk mori vendimin e dytë për hedhjen në koshin e mbeturinave të Pakos Ahtisaari dhe nuk organizoi menjëherë zhvillimin e referendumit për ribashkimin me atdheun amë, nuk mund të shpresohet kurrsesi që Kosova mund të bëhet ndonjëherë e pavarur. Kryepeshkopi Irinej, i cili qëndron vendosmërisht pas perdes së politikës shoviniste serbe, duke e njohur mirë natyrën mercenariste dhe servile të kastës politike të deritanishme në Kosovë, në raport me Beogradin, sidomos rolin e saj për shpopullimin e Kosovës përmes varfërimit të njerëzve, nuk ka pasë deklaruar kot se Serbia do të kthehet në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh.

A do të arrijnë Vetëvendosja dhe formacioni i ri politik që do të formatojë Zonja Vjosa Osmani, që, në zgjedhjet e ardhshme, të krijojnë një tjetër klasë politike me vetëdije të lartë kombëtare, ta rikthejnë Veriun e Mitrovicës në gjirin e Kosovës dhe t’i thonë publikisht minoritetit serb, që, nëse dëshiron të bashkëjetojë me shqiptarët – mirë, nëse nuk dëshiron – të largohet për në Serbi? Ardhja në pushtet e kësaj klase të re politike me dinjitet të lartë kombëtar, në këndvështrimin tim, do të ishte baras me një shpallje të dytë të pavarësisë së vërtetë të Kosovës, për të pasur një shtet me të vërtetë sovran dhe funksional dhe për ta nxjerrë Hashim Thaçin para organeve të drejtësisë për tradhtinë e rëndë që ka kryer në Mitrovicën e Veriut.

Analistët, opinionistët dhe publicistët me vetëdije të lartë kombëtare, përsëri në këndvështrimin tim, duhet të jenë të bindur përfundimisht për një gjë: nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, në krye të një klase të re politike, nesër do të vijnë pushtet, ata nuk duhet të zhvillojnë kurrfarë bisedimesh me Beogradin, përderisa ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk kërkon ndjesë publike para opinionit ndërkombëtar për krimet e kryera dhe nuk jep kurrfarë përgjigjeje për të zhdukurit. Bisedimet, pa përmbushjen e këtyre tre kushteve, janë vazhdim i vetëposhtërimeve të klasës së vjetër politike të Republikës së Kosovës para shovinizmit serbokriminal.

Është në dorën e popullit shqiptar të Republikës së Kosovës se për kë do të votojë në zgjedhjet e ardhshme: për klasën e vjetër kriminale mercenariste, apo për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Nëse, në shumicën e vet, populli do të votojë për bandën e Thaçit, të Mustafës dhe  të Hotit, atëherë do të duhet të pranojmë se ai popull ka parapëlqyer sundimin e shqiptarëve prej shqiptarëve, i cili, siç e ka vlerësuar profesori i nderuar Vedat Kokona, ka qenë më i rëndë se sundimi i huaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, kosova, Prof.dr.Eshref Ymeri, veriu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 327
  • 328
  • 329
  • 330
  • 331
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT