• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RROTACIONI I PUSHTETIT NË MAL TË ZI DHE SHQIPTARËT

September 10, 2020 by dgreca

Zgjedhjet  parlamentare  në Mal të Zi–

RROTACIONI I PUSHTETIT NË MAL TË ZI DHE SHQIPTARËT–

Fitorja e opozitës në zgjedhjet parlamentare  në Mal të Zi të cilat u mbajtën me  30 gusht  2020 definitivisht  ndërpreu  pushtetin e tre dekadave  të Partisë Demokratike të Socialisteve(DPS) të M.Gjukanoviqit, duke bërë rrotacionin politik të pushtetit në mënyrë demokratike që paraqet ngjarje politike te rëndit të parë për regjionin, sepse deri më tash ky ishte i vetmi pushtet i pa ndryshuar  edhe në pluralizëm në vendet e ish kampit socialist  Europën Juglindore.

Shkruan:Nail DRAGA-

Ndonëse zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, janë mbajtur në kohën e virusit Corona-19 dhe në një fushatë zgjedhore të veçantë, qytetarët të cilët morën pjesë në votime, vendosën për rrotacionin e pushtetit jo më dhunë, apo demonstrime në rrugë por me laps, sikurse ndodhë në vendet demokratike, duke i dhënë besimin opozitës e cila fitoj 41 mandate që janë të mjaftueshëm për formuar pushtetin ekzekutiv. 

Në sajë të rezultatëve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve   subjektët politike kanë arritur këto rezultate: Partia Demokratike e Socialistëve 35.10%(143.548 vota), 30 deputet, Koalicioni “Për të ardhmën e Malit të Zi” 32.55%(133.267 vota), 27 deputet, Koalicioni “Paqja është kombi ynë” 12.53%(51.297 vota), 10 deputet, Koalicioni “E bardha në të zezë”, 5.53%(22.649 vota), 4 deputet, Socialdemokratët 4.10%(16.769 vota),3 deputet, Partia Boshnjake 3.98%(16.286 vota), 3 deputet, PSD”Mali i Zi i fuqishëm”, 3.14%(12.839 vota), 2 deputet, Lista shqiptare”Genci Nimanbegu-Nikë Gjeloshaj”, 1.59%(6.488 vota), 1 deputet, Koalicioni shqiptar”Së bashku një za”, 1.14%(4.675 vota) 1 mandat deputeti.

Ndërsa pragun elektoral nuk e kanë kaluar dy subjekte politike që përfaqësojnë pjesëtarët e popullt kroat: HGI 0.27%(1.106 vota) dhe HRS 0.13%(527 vota).

KSHZ-ja ka njoftuar se në Mal të Zi kanë votuar 413.952 qytetarë, ku fletëvotime të vlefshme kanë qenë 409.451, ndërsa të drejtë vote kanë pasur 540.026 qytetarë. Pjesëmarrja në votime ishte 76.65% e votuesve të regjistruar, që ishte më e madhe së në vitin 2016(72.6%).Cekim së Kuvendi i Malit të Zi ka 81 mandate të deputetëve, ndërsa kanë garuar 6 koalicione dhe 5 parti politike.

Fitore e opozitës

Në sajë të rezultatëve të para tre subjekte politike nga opozita Koalicioni  “Për të ardhmën e Malit të Zi”,Koalicioni “Paqja është kombi ynë”  Koalicioni “E bardha në të zezë”, gjithsej kanë siguruar 41 mandate të deputetëve, që janë të mjaftueshëm për të formuar qeverinë e ardhshme. Ishte kjo fitore e opozitës, duke qenë befasi për opinionin e gjerë, duke e sfiduar partinë e DPS-it të M.Gjukanoviqit. Madje ky ishte rezultati më i dobët i tyre në tridhjet vite të pushtetit, duke kaluar në opozitë. Iu mbetet të gjitha partive politike të analizojnë rezultatët e tyre dhe të nxjerrin mësime, për dështimet dhe objektivat e tyre e kjo ka të bëjë në veçanti për ata që ishin pjesë e pushtetit të deritashëm.

Lëvizja qytetare “URA” befasia e zgjedhjeve

Në sajë rezultatëve del së befasia e tyre zgjedhjeve është Lëvizja qytetare”URA” e cila ishte në kuadër të koalicionit”E zeza në të bardhë”, ku me 4 mandate të deputetëve, do të jetë çelsi i qeverisë së re. Eshtë pikërisht udhëheqësi i këtij koalicioni ulqinaku Dritan Abazoviqi i cili do të jetë vendimtarë për qeverinë e re. 

Pikërisht duke marrë seriozitetin e momentit, udhëheqësit e tyre subjektëve opozitare(Z.Krivokapiq, D.Abazoviq dhe A.Beçiq) të hënën me 31 gusht  kanë arritur pelqimin për formimin e qeverisë së përbashkët. Madje në këtë aspekt ata kanë miratuar katër parimet e përbashkëta mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme.

Parimi i parë që është rënë dakord është që qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare. 

Së dyti, që qeveria e re demokratike do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re, demokratike do të jetë nga ekspert, te përbërë nga personel që janë ekspertë në fusha specifike, pavarësisht nga karakteristikat e tyre politike, fetare, kombëtare ose ndonjë karakteristikë tjetër.

Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, me ndryshime në të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Lirinë e Fesë.

Kohabitacioni politik

Në sajë të situatës së krijuar, kësaj here në Mal të Zi do të kemi kohabitacionin politik, dukuri e panjohur deri më tash në pluralizëm në këtë mjedis. Pra, do të kemi një bashkëqeverisje ku presidenti i shtetit I takon një partie tjetër politike, ndërsa ekzekutivi, përkatësisht  qeveria një partie apo koalicioni tjetër politik. Se si do të jenë raportët e tilla është herët të flitet, por shumë çka do të jetë e qartë në muajt në vazhdim. 

Në pluralizëm duhet të mësohemi me dukuri të tilla politike, për të kuptuar dekompozimet politike por edhe raportët pozitë-opozitë, sepse pushteti është i ndryshueshëm, ndërsa shteti është i përhershëm. Sa më parë të kuptohet ky binom, ndryshimet në skenën politike do të përceptohen dhe pranohën më lehtë, si kudo në shoqëritë  me përvojë demokratike.

Shqiptarët fituan dy mandate 

Në këto zgjedhje ndonëse janë bërë përpjekje qe shqiptarët të marrin pjesë me një list zgjedhore, një ide e tillë nuk u realizu. Edhe pse në këtë drejtim janë përpjekur si nga Shqipëria, Kosova e diaspora, shqiptarët dolën në dy lista zgjedhore, duke fituar dy mandate të deputetëve. Nëse  krahasojmë me vitin 2016, ku shqiptarët ishin të përfaqësuar në parlament me një deputet, kësaj here do jenë më dy, duke dëshmuar së pjesëmarrja në zgjedhje me dy lista zgjedhore nuk ishte humbje por një fitore e merituar. Madje 11163 vota të fituara së bashku  dëshmon angazhimin e elektoratit votues shqiptar për të pasur përfaqësimin autentik në Kuvendin e Malit  të Zi. Nëse e krahasojmë më katër vite më parë(2016) kur gjithsej subjektet shqiptare  ndonëse ishin ne tre lista zgjedhore gjithsej  kanë pasur   9790 vota, kësaj here ishte një rritje për  12.3 %.

Ndonëse dëshirat kanë qenë që ky numër votash të jetë edhe më i lartë, duke ditur rrethanat politike në vendbanimet shqiptare nga Ulqini e deri në Rozhajë, nuk ka pasur mundësi për ndonjë rezultat tjetër, por duhet të pajtohemi se ky ishte maksimumi i mundshëm për momentin.  

Me këtë rast  duhet cekur se pengesë ishte ligji zgjedhor  që është diskriminues për shqiptarët, e po ashtu edhe  subjektët politike të ashtuquajtura qytetare sidomos DPS-i që  kanë depertuar në elektoratin votues shqiptar përmes premtimeve dhe mashtrimeve të ndryshme për të siguruar vota  duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë subjektet politike të shqiptarëve, ku rasti i Ulqinit meriton një analizë  të veçantë. 

Pakicat kombëtare  duhet të jenë pjesë e qeverisë

Duke u nisur nga parimet demokratike, subjektët politike të popujve pakicë duhet të jenë pjesë e qeverisë. Pasi në përbërjen e kaluar ishin pjesë e qeverisë  ata duhet ta vlerësojnë pa paragjykime ofertën për pjesëmarrje në qeverinë e re. Pakicat kudo duhet të jenë pjesë e pushtetit ekzekutiv, sepse ata kanë mundësi të prezantojnë çështjet e ndryshme shoqërore, ekonomike e zhvillimore për pjesëtarët e popujve të tyre. Pikërisht   duke marrë parasysh së tash kemi një realitet të ri të pushtetit, çdo refuzim në këtë drejtim do të ishte kundër interesave të popujve pakicë(boshnjakë, shqiptar e kroat). 

Kompromisi  për marrëveshje qeveritare

Andaj, në këtë aspekt duhet biseduar me mandatarin e qeverisë së ardhshme për çështjet të cilat janë të përbashkëta, ndërsa nëse ekzistojnë çështje kontestuese duhet përpjekur për të gjetur kompromisin e mundshëm. Mbetja jashtë institucioneve qeveritare, për hir të disa deklaratave politike nuk është në favor të shqiptarëve, sepse periudha tridhjetëvjeçare, dëshmon se viset shqiptare janë më të pazhvilluarat, ndërsa resurset ekonomike e ato natyrore janë plaçkitur nga matrapazat e oligarkët e ndryshëm  të lidhur me struktura  të pushtetit, që ka ndikuar në papunësi e më këtë në emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme për të mbijetuar. 

E dhëna së Ulqini është qyteti më i pazhvilluar në bregdet, të punësuarit kanë pagat më të ulta në Mal të Zi, ndonëse ka resurse dhe potencial më tepër së asnjë qytet në vend, dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë, andaj duhet gjetur forma për të ndryshuar këtë gjendje depresive në të mirën e përgjithshme shoqërore, sepse shqiptarët nuk duhet të mbesin peng i personave apo politikave të ndryshme.

shtator 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: mal i Zi, Nail Draga, Rrotacioni i pushtetit

PËRPJEKJE BIZANTINE TË KARA ARAPËVE PËR TË DEGRADUAR KOL IDROMENON

September 8, 2020 by dgreca

Pamflet nga  Kolec P. Traboini-

-Foto: Motra tone Nga Kole Idromeno-

 Studiuesit bizantolog e zograf Kara Mustafa Arapit i kemi dhënë një përgjigje që e meriton sëra e tij kur u kërlesh të na mbushte mendjen se “Motra Tone” nuk ishte vepër e Kol Idromenos, por e dikujt që fantazonte ky soj Arapi. Menduam se ai u squll, u zgërlaq e këndell diku me pantallona të shkurtra dhe e mbylli squpin me të cilin birbilonte si më e bukura qyqe behari.  Mirëpo e kishim harruar proverbin “Prej arapit pjell arapi- lesh arapi”. Këtë Mustafa Arapin në kauzën e tij denigruese për Kol Idromenon del e mbron një zonjë që pretendon të jetë studiuese, të ketë marrë edhe titullin Dr., një nga 10 mijë tituj të tillë që ka prodhuar deri në skadencë Shqipëria. Aty ku Kara Mustafaj e ka bërë lesh arapi, nis e shtrohet gërhana e Arapes tjetër. Kjo fare studiuese, një vit më parë, më 2 shtator 2019 në faqet e “Gazeta shqiptare” ka shkarrashkru çfarë i ka ardhur ndër mend, por ne e gjetëm vetëm tani vonë e po marrim mundim t’i gjegjemi në emër të gjithë të afërmeve të Kol Idromenos dhe pasardhësve të vajzave të Motrës Tone.   Sulm zulmin e saj kjo Dr. Arapja e ka lëshuar kundër  Kol Idromenos duke i hequr këmishë e pantallona për ta nxjerr picak, si një mjeran i patalentuar, si një qyq që nuk dinte bënte art. Kështu kuptohen këto përpjekje mjerane prej bizantinësh të kara Arapëve. Kjo përpiqet që nga kuzhina e Arapëve të sjellë argumente kinse “shkencore”, se helbete e kanë vendos me detyrë në Ministri të Kulturës për trashëgiminë kulturore dhe patjetër në Akademinë e degraduar të Shkencave që e kanë nën zap ministri i diktaturës Skënder gjeneral Et’hem Gjinushi. Mjerë kultura e kësaj epoke mjerane. Po çfarë mollois kjo Arapja me shkrimin e vet “Disa konsiderata mbi krijimtarinë e Kol Idromenos”? Kjo turr e vrapja kryekreje  i bën dalje atyre që e kritikonin Kara Mustafa Arapin  me këto fjalë:  “…disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre.” A thua se vetë kjo ka mend jo vetëm për kullën e Arapëve, por për tan botën dhe i teprojnë e ngase ka tepër me gazep, i shpenzon ca energji trunore për t’i zbërthyer pantallonat Kol Idromenos. Kësisoj këngë qyqesh ka vjeshta more shqiptarë. Kola i vdekun tashmë nuk mund të flasë. E ata që e mbrojnë me tituj Prof. e Dr.  janë pak. Na ka mbet neve që jemi në lidhje familjare t’i themi ca fjalë jo vetëm Kara Mustafait, por edhe kësaj Arapes tjetër me doktoratë, që gjasat janë të jenë një familje. Punë e tyre. Ajo që na vë në mendime është, pse ky sulm prej urithësh mbi figurën e Kol Idromenos. Përse ky pasion i verbër për të shkatërruar imazhin e një artisti të madh para të cilit përkulej me nderim Odhise Paskali duke e konsideruar artistin më të madh shqiptar. Mirë po është një fjalë e urtë “I zoti e shet, por tellalli nuk e jep”. Kështu kjo tellallja e kulturës mjerane  me titullin doktor lëshohet e shkruan marrëzi pa cak e pa doganë. Kjo arrin deri atje sa merret me nistoret e kaligrafinë e Kol Idromenos. Kjo konfuze arrin deri atje sa të shprehet si profane me titull Dr. “arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.” Dikush mund te thotë se është mendimi i saj. Po është mendimi i saj, por si Kara Mustafai dhe kjo Arapja tjetër janë në një linjë, në një stil, me të njëjtën dorë e të njëjtin qëllim dhe kjo na shtyn të reagojmë e t’i themi si Kara Mustafa Arapit dhe pinjolles së tij “Kadalë beg se ka hendek!”.  Nuk mundeni ju të tjetërsoni portretin “Motra Tone” të Kol Idromenos. Përpjekjet tuaja janë groteske, por të lidhura në aliazh demagogjik kinse po bëni studim të thellë si specialista që na qënkeni. Me çfarë logjike bufi kërkohet të tjetërsohet vepra e një autori të madh si Kol Idromeno me kësisoj paragrafësh ku analizohet firmosja që i ka bërë Idromeno pikturave të veta, sikur ai t’i ketë bërë pikturat në një ditë dhe duhet të jenë rreptësisht të njëjta. Kjo nuk ka në konsideratë se në jetën e tij një artist mund të ketë ngritje dhe ulje të potencialit krijues për shkak të rrethanave në të cilat jeton, apo të tragjedive që përjeton. Çfarë dritë mund t’i jepte Kol Idromeno një  pikture të cilën e punonte në kohën kur i vetmi fëmijë i tij, djali 2-vjeçar Zefi sapo i kishte vdekur. Njerëz që nuk studiojnë jetën e një artisti as mund ta kuptojnë se çfarë ndodhte me ta dhe nuk gjejnë një arsye për ndryshim,  por thonë si profanë se papritur Kol Idromeno artistikisht kishte shterrun, me këtë rast doktoresha Arapi përdor fjalën dekadencë, për të dalë dukshëm e thekshëm si studiuese, de, duke harruar se dekadenca si fjalë ka qenë një rryme artistike para se të hynte në Shqipëri si një zhargon publicistik apo të bisedave të rëndomta “ti je dekadencë e gjallë”. Po aq e ka edhe Dr. Dorina Arapi, më tej se Kara Mustafaj nuk shkon dot. Le të ndjekim logjikën e saj se pse mendon se Nicola Arseni, apo Kol Arsen Idromeno nuk e ka krijuar portretin  “Motra Tone” por e ka bërë ndonjë Kara Mustafa në Venecia. Ja t’ia lemë paksa fjalën doktoreshës Arapi: “…dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”. Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqëndrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove.” E lexuat? E morët vesh. Me këto naivitete analizash të kaligrafisë na mbërrin jo pak, por në mohimin e veprës së Kol Idromenos. Po të shkonte kjo dr. në Rrmaj e ta lexonte këtë farë shkrimi,  përmbys do të ktheheshin eshtrat e Dajës Kolës, se kështu i kemi thënë të gjithë të afërmit kur i referoheshim figurës së tij në biseda familjare. E po të them ty se studiuesi Mikel Prenushi i tha grupit të filmit Kol Idromeno në vitin 1987 se ky skenaristi (dhe u drejtua nga unë), e ka emrin prej Kol Idromenos, ia ka ngjitur Dada Katrinë, vajza e Motres Tone (është dëshmitar operatori Ibrahim Kasapi), me siguri ti si ta lexosh këtë pasazh do të hapësh gojën si bufi në kënetë. Se aq di për jetën e rrethin e Kol Idromenos e jetës së tij.  Ty të mjafton të rrish para një tabloje e të mendosh me skepticizëm bizantin e të shtjellosh terrinë aty ku ka dritë, aq të mjafton, …dhe sa më shpejt sigurisht. Brumbujt nuk rrinë dot pa bërë toptha sa herë shtegut të livadhit kalon ndonjë lopë e lëshon të shkretën bajgë. E atyre lumëmëdhenjëve brumbuj u duhet një stinë për të bërë punën e tyre. Thoni po deshët se bajgat e lopës nuk janë zahiretë e  tyre të dimrit. Për deri sa ata me tituj doktorë që merren me zhvirgjërimin e panteonit tonë të artit e trumbetojnë, e pse jo?!


Filed Under: Analiza Tagged With: Kol Idromeno, Kolec Traboini, Motra Tone

Gazetarët e APES: Praktika e akreditimit të gazetarëve nga UNIS hedh poshtë nenin 19 të Kartës së Kombeve të Bashkuara

September 8, 2020 by dgreca

VOAL – Komiteti i APES (Shoqatës së Gazetarëve të Huaj në Zvicër) ka marrë disa ankesa nga anëtarët gazetarë rreth vështirësive të hasura në aplikimin për akreditim në Shërbimet e Informacionit të Kombeve të Bashuara (KB) në Gjenevë. APES kërkoi një takim për të diskutuar shqetësimet me UNIS (United Nations Information Service – Zyrën e Informacionit të Kombeve të Bashkuara, Gjenevë). Më 6 korrik, 2020, presidenti dhe nënkryetari i APES u takuan me Znj. Alessandra Vellucci, Drejtore e UNIS. Në atë takim, ata morën konfirmimin nga UNIS për të paktën një praktikë në kundërshtim me Nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Pas këtij takimi, dejtuesit e APES ia dërguan letrën vijuese drejtores së UNIS.

Zonjës së nderuar Alessandra VELLUCCI
Drejtori i UNIS
Palais des Nations / UNOG
1211 Genève 10
Gjenevë, 27 gusht 2020

Në vijim të takimit tuaj me udhëheqjen e APES më 6 korrik 2020

E nderuar Zonjë Drejtore e UNIS,
E dashur Alessandra,
Në emër të APES, unë ju falënderoj që më pritët në zyrën tuaj me zëvendësin tuaj, Rhéal Leblanc, së bashku me nënkryetarin tonë Peter Kenny më 6 korrik.

Ne duam t’ju falënderojmë që pranuat gazetarë të pavarur të cilët paraqesin tetë artikuj për një të vit të veçantë, tani do të jetë në gjendje të zgjedhë nga një larmi mediash, me kusht që i njëjti material të mos botohet në media të ndryshme.

Ne jemi gjithashtu mirënjohës që ju keni rënë dakord të na lejoni të vazhdojmë takimet tona mujore të Komitetit APES në Dhomën e Shtypit 1, me kusht që të mos ndërhyjë në ciklin e konferencave për shtyp. Ne e vlerësojmë fleksibilitetin tuaj – të mirë për marrëdhëniet OKB-media.

Ju e dini mirë që APES përfaqëson korrespondentët e mediave të huaja në Zvicër. Kjo përfshin punën me autoritetet e ndryshme, pra edhe me ato të Gjenevës Ndërkombëtare dhe ato të qeverisë federale Zvicerane, në veçanti me Departamentin e saj të Punëve të Jashtme (DFAE) përmes të cilit ne kemi një marrëveshje për të shpejtuar lëshimin e lejeve të qëndrimit për anëtarët tanë aktivë të gazetarëve. Pra, ne e dimë që UNIS vlerëson tonat kontribut në mbulimin e mirë të sistemit të KB.

Takimi ynë pasoi kërkesën tonë me shkrim për një takim në 11 Mars. Na u desh ta shtyjmë këtë për shkak të pandemisë, e cila ka prekur të gjithë ne. Për të rikuperuar, ne kërkuam sqarime për disa vendime të UNIS me të cilën anëtarët e APES na kërkuan të merremi.

Pikat e sqarimit:
– 1) Nën drejtimin e të cilit nga KB (Gjenevë ose Nju Jork) u mor vendimi për të zvogëluar numrin e gazetarëve në KB në Gjenevë dhe në cilin dokument bazohet? Ne i referohemi emailit tuaj tek APES më 11 mars. Gjithashtu, cili organ i ACANU miratoi një vendim të tillë, si referuar në korrespondencën tuaj për APES, përfshirë atë të 11 marsit, të cituar më lart?

– 2) Gazetarët e APES kanë vërejtur përpjekje të rritura të kontrollit nga UNIS, duke ngritur shqetësime mbi ushtrimin e profesionit tonë dhe lirinë e shtypit siç parashikohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në vijim. Prandaj, ne do të donim të dinim pse pesë gazetarë profesionistë, të gjithë anëtarët e APES, janë të përjashtuar nga KB ose nuk lejohen më të pasqyrojnë ngjarjet në Palais?

– 3) Ndërsa jemi mirënjohës ju tani njihni dy media: Diva/MB dhe Efsyn/Greqi., nuk e dimë dhe nuk e kuptojmë pse UNIS nuk ka akredituar dy gazetarë që përfaqësojnë ato botime. Ato përfshijnë zonjën Ekaterina Pinchevskaya, e cila besojmë se ka kredencialet. Po ashtu edhe z Pierre Blatner, reporter/fotograf. Për shembull, ne pyesim pse OKB e dëboi atë kur ai bëri një hetim të ligjshëm në lidhje me postimin nga ana e tij të një letre të regjistruar dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të UNOG. Ne vërejmë të njëjtin nëpunës të Zyrës Postare që e raportoi atë tek siguria pasi kërkoi informacione të vlefshme për të gjurmuar letrën e tij të regjistruar, kishte marrë një letër të regjistruar drejtuar APES-it në fundi të dhjetorit 2018 dërguar nga Présence Suisse/DFAE. Kjo letër përmbante kupona me vlerë 17,000 CHF të biletave të trenit që u zhdukën pasi ai nëpunës kishte nënshkruar personalisht për ta, por që anëtarët tanë nuk e kanë marrë kurrë. Procedura jonë është ende në proces.

– 4) Ne u habitëm kur ngritët çështjen e APES-it duke vendosur adresën tonë në selinë e KB në Gjenevë në Vjetarin tonë. Shumë gazetarë dhe zyrat e tyre e bëjnë të njëjtën gjë. Kjo adresë ka qenë në Librin tonë vjetor për të paktën 30 vitet e fundit, kështu që dikush mund të thotë se është diçka e mirëkonfirmuar. Ju folët në ekspozitën tonë fotografike të përvjetorit të 90-të në Palais më 2018 dhe asnjëherë nuk e ngritët këtë çështje më parë. Ne ishim mirënjohës që prezantuat disa nga folësit atje, përfshirë drejtorin e Përgjithshëm të atëhershëm të UNOG në atë kohë, Z. Moller.

Pas diskutimeve:
– 1) Ne vërejmë përgjigjen tuaj që direktivat të cilave ju referoheni në korrespondencën tuaj për të zvogëluar numri i gazetarëve në Palais, erdhën nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i UNOG, Michael Moller. Akoma, ne mbetemi të painformuar se kush e nisi zyrtarisht këtë proces nga ana juaj. Nga ato që keni ngritur në lidhje me ACANU në lidhje me këtë çështje, vëmë re thënien tuaj se qenë Komitetet Ekzekutive të mëparshme dhe aktuale të shoqatës ato që miratuan vendime të tilla.
– 2) Ne kemi një shqetësim serioz në lidhje me metodologjinë e akreditimit të UNIS të cilën e shpjeguam, duke u nisur nga standarde të larta gazetarie, e shohin si një praktikë të gabuar përjashtimin e akreditimit për disa gazetarë.

Për shembull, disa agjenci nuk vendosin emrat e gazetarëve në dërgesat e tyre, të njohura si bylines.

Kjo ndodh veçanërisht për profesionistët e pavarur. Ne nuk duam që UNIS të diskriminojë profesionistët e pavarur, pasi ata përbëjnë shumicën e gazetarëve që mbulojnë KB këto ditë. Ne besojmë se kjo praktikë është arbitrare dhe e paarsyeshme. KB duhet të mbështesë gazetarët që punojnë për organizata të vogla si dhe lojtarët e mëdhenj dhe shtetërorë. Disa nga metodologjitë e UNIS shkaktuan vështirësi të mëdha, një gazetar madje duke humbur lejen e qëndrimit zviceran (z. Akhmad Atef Khazh Ali). Me tutje kolegët që kanë mbuluar Palais për vite me radhë kanë parë se akreditimi i tyre është i përkohshëm dhe nuk lëshohet më për një vit, pa dhënë ndonjë arsye serioze.

Për më tepër, dhe më zhgënjyese, na u tha për një praktikë të UNIS në “hetimin” e gazetarëve, siç pranohet në takimin tonë, duke pyetur për shembull një të intervistuar nëse është një gazetar që konsiderohet një “gazetar i mirë”. Kjo nuk mund të jetë një praktikë legjitime nga një zyrtar i KB. Kjo dhunon të drejtën e punës e lirinë dhe është në kundërshtim me nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Duke vijuar, ne kemi vërejtur që ju nuk keni qenë në dijeni të kësaj praktike. Ne ju pyetëm nëse ju e aprovuat atë, por ju nuk u përgjigjët. Ky është një shqetësim i madh siç kemi deklaruar në takim, ne do të dëshironim të shihnim një ndalim të menjëhershëm të një procedure të tillë.

Ky vit shënon 75 vjetorin e KB. Si rendi shumëpalësh, ashtu edhe liria për të raportuar lirshëm përmes mediave është gjithnjë e më shumë nën kërcënim. Për atë arsye, siç kemi thënë, ne duam t’i drejtohemi KB
rreth qasjes në media në një letër që APES do t’i dërgojë Sekretarit të Përgjithshëm për çështje të përgjithshme.

Siç e theksuam në takimin tonë, ne mbështetemi në ndjenjën tuaj të kolegjialitetit dhe mirëkuptimit para se të procedoni.

Faleminderit që na dëgjuat dhe na pritët.

Urimet dhe përshëndetjet tona më të sinqerta.
Jean MUSY
Presidenti i APES

Peter KENNY

Nënpresident i APES

Filed Under: Analiza Tagged With: Alessandra Vellucci, Jean Musy, Komiteti i APES, Nënpresident i APES, Peter Kenny, Presidenti i APES, VOAL

MALI I ZI, FILLON LAMTUMIRA E ZGJATUR E GJUKANOVIÇIT JETËGJATË

September 7, 2020 by dgreca

Nga Francesco Battistini- Përktheu Eugjen Merlika- Filloi të komandojë kur ishte Jugosllavia. Kur Saddami pushtonte Kuvajtin e Gorbaçovi humbiste BRSS. Kur Occhetto fundoste PKI dhe në Brindizi arrinin anijet e para të shqiptarëvet. Ka mbaruar të djelën në darkë: mbas gjashtë kryeministrish e dy kryetarësish, që e kanë këthyer, me tridhjetë vitet e tij të regjimthit, në më jetëgjatin e kryetarëveevropianë të Shtetit  së bashku me mbretëreshën Elizabeta. Milo Gjukanoviç ka humbur zgjedhjet politike. Deri në 2023 do të jetë kryetari i çalë i Malit të Zi, nëse opozitorët do të arrijnë të krijojnë një qeveri shumë të shtrënguar në vota e të çthurin rrjetën e fuqishme të pushtetit e të korrupsionittë endur në tridhjetëvjeçarin gjukanovist. Shumë i aftë t’i rrëshqasë padive të prokurorive italiane, i shpenguar në mohimin e krimeve të luftës e në kalimin nga aleanca me Milosheviçin në Aleancën atllantike që kishte bombarduar Millosheviçin, Milo u palos nga Kovidi dhe nga kriza e turizmit, zëri i parë i ekonomisë. Veçanërisht nga ndeshja politike me Kishën ortodokse filoserbe që në Malin e Zi lëviz një zgjedhës në tre.

            I fundmi autokrat i butë i Evropës perëndimore është përpjekur të sigurojë një votë alla Lukashenko, ka bërë propagandë shtruar në mediat që kontrollon (pothuajse të gjitha), i ka veshur humbjen e parashikuar Putinit dhe kujtdo që nuk i a ka falur kurrë faktin se ka zgjedhur NATO-n. Më kot. Edhe se ndoshta ka diçka të vërtetë në hamëndjet e tij komplotiste, po të kujtohet se sa u zemërua Moska sapo Podgorica braktisi përfundimisht vëllazërinë sllave me Beogradin: kjo pjesë e vogël e Ballkanit është një shtetëth pak më i madh se Trentino Alto Adige e me popullsi më të vogël se Umbria, por për pozitën strategjike n’Adriatik është i hollë e i rëndë si një gjilpërë kandari. Shumica e re, më e shumta filoserbe e filoruse, ka premtuar se do të mbetet e lidhur me BE dhe NATO-n. Një farë dyshimi është. Malazeztë luten si sërbët e shkruajnë si rusët: a do të arsyetojnë si atllantikë dhe evropianë?

            “Corriere della Sera”, 1 shtator 2020       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Mali i Zi, Pierlugi Battista

EBRU TIMTIK, QUHEJ KËSHTU

September 7, 2020 by dgreca

Nga Pierluigi Battista-

Të mundohemi të gdhendim në kujtesë emrin e kësaj martireje turke të lirisë, për vdekjen e së cilës është përgjegjës tirani Erdogan: Ebru Timtik. Të mundohemi të mos t’a harrojmë menjëherë, siç bëjmë zakonisht ne evropianët që recitojmë në mënyrë shtiracake parime lirie, por pastaj për të jetuar qetë bëjmë sikur nuk ka asgjë e lëmë vetëm një veprimtare të të drejtave njerëzore të vdekur mbas 238 ditë greve urie në burg,  për të pasur një gjykim të drejtë dhe jo farsën tragjike që e kishte dënuar.Të mundohemi t’a kujtojmë për pak kohë Ebru Timtik: ku t’a marrësh që ndonjë guximtar të mund t’i kushtonte një shesh, të pagëzonte me emrin e saj një festival, një teatër, një panair libri. Të mundohemi të mos jemi tmerrësisht shtiracakë si gjithmonë: dy ditë zëmërimi për diktaturën në Biellorusi e pastaj heshtje, ndonjë titull gazete për demokratët në Hong Kong pastaj çensurë e heshtje për të mos prishur marrëdhëniet e dobishme me Pekinin, diktaturën që i pëlqen shumë qeverisë sonë, në shumicën e së cilës ka një parti që stoliset madje me mbiemrin “demokratike”.

E dijmë, Evropa duhet të nderojë sulltanin Erdogan sepse, duke e mbushur me para, mbajmë të ruajtur në kampet turke, ne që jemi kaq njerëzorë, bujarë, mikpritës të gjithë të mërguarit që do të mund të na jepnin ndonjë bezdi. Shtiremi sikur nuk ekziston despotizmi i Erdoganit sepse ndoshta mund të na ndihmojë të stabilizojmë Libinë, këtë therje në ijë me të cilën nuk dijmë si të sillemi. Mundohemi t’a injorojmë praninë e Ebru Timtik, që i lejoi vetes të kundërshtonte dhunimin e të drejtave njerëzore në Turqi e për këtë, jo vetëm ajo, është dënuar në mënyrë absurde pa asnjë nga garancitë që parasheh një Shtet i së Drejtës. Të kujtojmë edhe një herë emrin e saj, kaq i bezdisshëm për neve që nuk do të donim që sulltani Erdogan të zemërohej shumë: Ebru Timtik. Ebru Timtik është pasqyra e ndërgjegjes së fëlliqur të një Evrope pa dinjitet që nuk meriton asnjë respekt. Prandaj bëhet garë për t’a harruar. Prandaj kthehemi nga ana tjetër, siç bëjmë me Kinën, para së cilës përulen qeveritë dhe OBSH. Siç bëjmë me Rusinë ku kundërshtarët helmohen. Ebru Timtik, e vdekur e vrarë në heshtjen e përgjithëshme: quhej kështu.

“Corriere della Sera”, 30 gusht 2020        Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Ebru Timtik, Eugjen Merlika, Pierluigi Battista

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 335
  • 336
  • 337
  • 338
  • 339
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT