• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Armiku i Edi Ramës është një grua

May 10, 2017 by dgreca

Armiku i Edi Ramës është Monika Kryemadhi!/

1-elida-bucpapaj-300x130Nga Elida Buçpapaj/

Armiku i Edi Ramës nuk është Sali Berisha.

As Lulzim Basha!

As Ben Blushi apo Koço Kokëdhima,

Bile as Ilir Meta!

Armiku i Edi Ramës është…një grua

Natyrisht jo nga ato gratë e veta, deputetet, ministreshat, drejtoreshat, fotografeshat, që e adhurojnë si të ishte Zot!

Armiku i Edi Ramës është Monika Kryemadhi!

Harrojeni atë proverbin që thotë se koha i shëron plagët!

Se bashkëqeverisja ja shëroi pezmin Monikës!

Koha dhe durimi, sipas Lev Tolstoit, janë dy luftëtarë të fuqishëm, për t’u hakmarrë.

Në Shqipëri nuk ka drejtësi,  ka hakmarrje.

Edi Rama ku ta gjente që të kishte armik njërin prej atyre të përmendurve më sipër, ose të ndeshej me të gjithë ata së bashku, veç me Monika Kryemadhin të mos kishte të bënte, së cilës i ka ardhur ora që t’i lajë hesapet me Edi Ramën për vitin e mbrapshtë kur Ilir Meta u detyrua të japë dorëheqjen dhe të heqë dorë nga imuniteti.

Të jetë për Monika Kryemadhin, ajo bëhet menjëherë me Berishën dhe e kalon në opozitë Edi Ramën, që tashmë ka kaluar në opozitë.

Të jetë për Monika Kryemadhin, Edi Rama ishte djegur në turrën e druve, metaforikisht.

Dhe me të drejtë, sepse asaj i del në ëndërr si makth dhe ankth 2010  kulmuar me janar-shkurtin e vitit 2011 kur PS kishte dalë në demonstrata me në krye Edi Ramën, pasi Dritan Prifti shfaqi videon e famshme dhe opinioni shqiptar u ngrit në këmbë.

Nuk e harron atë kohë apokaliptike Monika Kryemadhi, që e bëri të urrente në heshtje dhe me durim Edi Ramën dhe t’i ishte mirënjohëse për gjithë jetën Sali Berishës!

Edhe në intervistën e saj më të freskët, kur Edi Rama tashmë e ka luajtur kartën fatale, që e bëri Ilir Metën President të Republikës, Monika Kryemadhi shpërtheu pa doreza fare!

Iu bëri thirrje gjithë simpatizantëve të PS të votojnë për LSI, pastaj si kryetare partie, sepse Petrit Vasili është sa për sy e faqe, i doli hapur dhe ballë për ballë.

Tani që Ilir Meta ka siguruar vendin e Presidentit të Republikës, paçka se e shkel çdo ditë Kushtetutën e vendit, duke bërë fushatë për LSI, Monika Kryemadhi e ka ngrehur shpatën kundër Edi Ramës. Mllefet e kohëve të shkuara, të grumbulluara nëpër vite dhe me durim tani ka ardhur koha që t’i shprehë lirshëm.

Edhe Monika Kryemadhi është shkelëse e  Kushtetutës, sepse ka konflikt të hapur interesi. Kushtetueshmërisht Presidenti duhet të shprehë unitetin kombëtar, dhe nuk ka sesi, kur bashkëshortja është kryetare e LSI-së, partia, që bashkëshortët e trajtojnë si pronën e tyre të patundëshme.

Por në  Shqipëri nuk ka shtet ligjor! Dhe deri kur të vendoset shteti ligjor, kupola e faktorëve politikë që kanë 26 vjet duke e hequr zvarrë këtë vend, e bëjnë vetë ligjin!

Dhe Monika Kryemadhi e ka nënshkruar fermamin, për ta nxjerrë jashtë loje Edi Ramën, të cilit i ka shpallur hapur luftë.

Do të vijë një kohë, shumë shpejt, kur Edi Rama do të mbetet pa kryeministrinë dhe pa partinë, veç me lapsat për të zhgarravuar!

Nuk i ka fajin kush! As atij dhe as Berishës!

Edi Rama deri tani e ka patur kohën e të përpjetës. Tani i vjen rradha kohës së tatëpjesës, kur rënia është sikur e thonë italianët me fjalën e tyre më të gjatë me 11 rrokje e 26 gërma, precipitevolissimevolmente, por që ka kuptimin e kohës skajshmërisht të limituar, të zvogëluar e të shkurtër, që shqip thuhet, do të bjerë sa hap e mbyll sytë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Armiku, Elida Buçpapaj, Lulzim Basha, Rama, Sali berisha

KOSOVË-KUVENDI RRËZOI QEVERINË

May 10, 2017 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës, mungesë votash për mosrrëzimin e qeverisë së koalicionit të dy partive më të mëdha/1 kuvendi rrezim qev

-Kuvendi i Kosovës shpërndahet dhe nuk mund të ketë seancë e votim për demarkacionin/

-Kuvendi në seancë mocioni mosbesimi për qeverinë, në një ditë të gjatë politike pritjesh edhe për zhvillime tjera/

PRISHTINË, 10 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme me replika e përplasje të mëdha edhe mes partnerëve kryesorë të koalicionit të dy partive më të mëdha nuk kishte vota të mjaftueshme për “mbrojtjen” e qeverisë së udhëhequr nga LDK nga rrëzimi – mocioni i mosbesimit të opozitës, të përkrahur me vota e deklarime edhe nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK.

Qeveria e kryeministrit Isa Mustafa u rrëzua me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallën e seancës së Kuvendit të Kosovës  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh.

“Shihemi në zgjedhje të reja të parakohëshme”, ishte mesazhi i fundit i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës që përfundon mandatin edhe me akuza e kundërakuza për njëri-tjetrin.

Kuvendi i Kosovës nisi sot me vonesë rreth 45 minutëshe një seancë plenare, të paralajmëruar për në orën 10:00, me të vetmen pikë në axhendë: “Shqyrtimi i Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mbështetur nga 42 deputetë”.

Për të rrëzuar qeverinë duheshin së paku edhe 19 vota për të arritur numrin 61 – një më shumë se gjysmën e Kuvendit të Kosovës me gjithësej 120 deputetë. Ndërkohë që deri në mëngjesin e sotëm nuk kishte deklarime tjera publike për votë pro mocionit të mosbesimit, votimi rriti numrin e votave kundër qeverisë apo për t’i dhënë fund udhëheqjes së saj nga partia e dytë me numrin e deputetëve-LDK, ndërsa pritej edhe çfarë do jetë qëndrimi i partisë së parë-PDK, e cila ditën e sotme politike në Kosovë, që pritet të jetë e gjatë edhe me zhvillime tjera, e ka nisur me një takim të udhëheqjes për të marrë vendime për çështjet e aktualitetit. Vendimin e PDK-së për mocionin e mosbesimit për qeverinë e bëri të ditur grupi parlamentar i saj gjatë seancës së Kuvendit, vonesa e të cilit në një takim vonoi edhe nisjen e seancës.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht Partia Demokratike e Kosovës kishte 36 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 33, Lëvizja Vetëvendosje 16, Lista Serbe 11, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, Gjashtë Plus (i komuniteteve pakicë) 6, Nisma për Kosovën 6, ndërsa pa grup parlamentar ishin 4 deputetë.

Qeveria e Kosovës pas shtyrjes së mbledhjes së të hënës së kësaj jave, ku sipas axhendës pritej procedimi i demarkacionit, ka parlajmëruar se do e mbajë pas ditës së sotme të seancës së Kuvendit të mocionit të mosbesimit. Por Kuvendi i Kosovës shpërndahet dhe nuk mund të ketë votim për demarkacionin.

“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën”, bënte të ditur komunikata e të hënës dërguar nga qeveria e drejtuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Ndërsa, në një komunikatë mbrëmë dërguar nga Kuvendi i Kosovës theksohej kërkesa që të procedohet me demarkacionin këtë të mërkurë para mocionit të mosbesimit të qeverisë.

“Në rast të mos procedimit të demarkacionit para mocionit ndaj qeverisë, duhet të lëvizet përpara në rrugëzgjidhje tjera”, paralajmëronte komunikata e dërguar  nga Kuvendi i Kosovës, i drejtuar nga lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Projekligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ishte në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria derisa opozita e kundërshtonte edhe me protesta e mungonte Lista Serbe dhe nuk ishte e sigurt se për miratim do arriheshin të paktën 80 vota.

Ky numër i nevojshëm i votave – dy të tretat e totalit të deputetëve nuk mund të arrihej edhe nëse votojnë pro të gjithë nga grupet parlamentare të dy partitve më të mëdha të koalicionit qeverisës PDK e LDK me gjithësej 69 deputetë, e edhe nëse atyre u bashkohen edhe 6 deputetët e Gjashtë Plus të minoriteteve dhe 4 deputetët pa grup, në numrin total 79 do ishte mangu një votë dhe kjo do pamundësonte ratifikimin e demarkacionit.

Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kishin paralajmëruar votim kundër dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën e Kuvendit Kosovën e çonte poashtu në zgjedhje të parakohëshme, fillimisht në shpërndarjen e parlamentit.

 

Vetëshpërndarje të Kuvendit të Kosovës kishte edhe në legjislaturën e kaluar, të katërt  në liri, pas kërkesës së nënshkruar nga 57 deputetë, në një seancë të jashtëzakonshme në 7 maj 2014 me 90 vota pro, 4 kundër, 3  abstenime dhe menjëherë u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në momentin e votimit, prezenca fizike në seancë ishte 111 deputetë nga 120 anëtarët e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten së paku dy të tretat e të gjithë deputetëve kosovarë. Vendimi i Kuvendit për vetëshpërndarje është përcjellë edhe me duartrokitje të deputetëvëve.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, të cilat ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVË-KUVENDI, Kuvendi rrezoi Qeverine, RRËZOI QEVERINË

A do të thotë, imponimi i demarkimit të dyshimtë, luftë për shqiptarët ?!

May 9, 2017 by dgreca

Nga Gani Qarri/

Ka mbi një vit apo ndoshta edhe më tepër, që kryeministri aktual, ngado që sillet dhe rrotullohet, vetëm në një gjë aludon, atë të Demarkacionit me Malin e Zi.Nuk e di pse ka rënë kaq në siklet ky njeri me një punë që nuk e ka nisë ai, as mund ta përfundojë i vetëm, sidomos kaq të diskutueshëm dhe në këtë formë të deformuar, gjithsesi jo!E dhimbshme por dhe e frikshme njëkohësisht, se si disa nga politikë-bërësit kryesor të joshur nga pozitat në pushtet edhe në situata të tilla, humbin tërësisht sensin e veprimit parimor, respektin ndaj atdheut, tokave shqiptare, shtetit mezi të çliruar të Kosovës dhe çdo gjëje kombëtare. Një fenomen i tillë , nuk bënë përjashtim tek asnjë parti, por së fundmi, ai paraqitet më i theksuar pikërisht nga z. Mustafa dhe klani që atë mbështet symbyllazi ,për çdo gjë që ky kryeministër propozon.

 Ky klan, ktheu përfundimisht edhe LDK-n, e Dr. Ibrahim Rugovës, nga një Lëvizje gjithë-popullore, në një grupim përulës “shërbyesish” gati apolitik.  Veçantë, sjelljet autoritare të kryeministrit aktual edhe sa i takon çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, vërtetë kanë kaluar çdo kufi të normalitetit dhe degraduar në degjenerim antishtetëror dhe antikombëtar, të cilin siç duket vetëm ai nuk po mundet ta shohë as kuptojë.Përsëritjet e shpeshta të banalizuara edhe me shfaqje diktati për votimin me detyrim nga deputetët e LDK-s, të opsionit disa herë të refuzuar të demarkacionit , shkojnë deri në penalizëm dhe akt autoritar, ngjashëm me veprimet e sistemit sllavo-komunist, ish pjesëtar aktiv i të cilit ishte edhe vet z. Mustafa.Fatkeqësia qëndron edhe në faktin se pikërisht këto krijesa tanimë të konsumuara dhe të jashtë-kohëshme, që interesi i ka tjetërsuar tërësisht, zhveshur nga idealizmi e sinqeriteti kombëtar dhe kthyer në robotë të Isa Mustafës, të cilët sado që nuk kanë më asgjë të mirë ti ofrojnë LDK-s, me cinizëm janë ngulitur përjetshëm në kryesinë e kësaj partie, dhe vetëm ngrenë duart- për çdo diktat të kryetarit të tyre. Këto klane të vjetra proletare, jo vetëm se janë ngurtësuara përjetësisht në kryesinë e LDK-s, por, ata po e mbysin nga brenda edhe demokracinë në këtë parti dhe dërgojnë atë çdo ditë e më tepër, drejtë humnerës dhe defragmentarizimit të sigurt, duke mos hezituar edhe në imponim vendimesh të dyshimta me të cilat rrezikohet tërësia territoriale e vendit tonë edhe ashtu të vogël e të kafshuar në të tri anët nga shtetet shoviniste sllave.Ata kanë shndërruar LDK-n, thuajse në një “Eskortë” banale për rregullim klandestin rezultatesh dhe kurdisje mafioze votimesh, përmes të cilës, kryeministri aktual para disa kohësh katapultoi Hashim Thaqin president, kurse tani përpiqet ta imponoi me detyrim edhe opsionin e dyshimtë të demarkacionit me Malin e Zi, me ç ‘rast Kosova do të humbte mijëra hektar territor.Fatkeqësisht, të njëjtit masakrojnë edhe faktet e prof. dr. Shpejtim Bulliqit dhe shkelin me të dy këmbët mbi të gjitha argumentet dhe dëshmitë e ofruara nga ekspertë profesionistë, që vërtetojnë bindshëm humbjen e mbi 8 mijë hektarëve tokë të territorit të Kosovës, me opsionin e dyshimtë aktual për demarkacion me Malin e Zi, vetëm pse një pjesë e tyre megjithëse nomad politik, për shërbimet ndaj kryetarit, -ngrihen e katapultohen nga partia në pozitat më të mira të mundshme për përfitime sa më të majme personale.Figura të tilla klandestine, me gjithë palavdinë endacake dhe ngjitjet prostituive në lartësi, tanimë jo vetëm se janë fuqizuar së tepërmi në kryesi të LDK-s, por edhe bërë forca dominuese në këtë parti, e që me gatishmërinë për dhënien e votës së tyre të pa studiuar sa duhet, rrezikojnë seriozisht edhe territorin e Kosovës.

Më 1887, Forcat Kryengritëse të Lidhjes, mbrojtën heroikisht kufijtë kombëtar ,nga po ky Mal i Zi, i cili edhe asokohe synonte okupimin me forcë të Plavës e Gucisë dhe trojeve tjera shqiptare, por për ndryshim nga koha e tanishme, atëbotë vendimet e pa drejta vinin si prodhim i Kongresit të Berlinit, për të cilat thuhet se nuk ishin pyetur fare shqiptarët. Kurse sot, kontesti qëndron krejt ndryshe. Nuk është më Kongresi i Berlinit, Konferenca e Versajës, as Vendimet e Ambasadorëve në Londër, që kanë vendosur përsëri ti shkëputet Kosovës edhe më tej territor, por është Komisioni i Hashim Thaqit dhe vendimet autoritare të Isa Mustafës, që me diktat dhe imponime, këmbëngulin që në mënyrë klandestine ti falen edhe mijëra hektar tjerë toke të Kosovës- Malit të Zi.  Madje, atëherë patriotët e kombit, nën drejtimin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit, jo vetëm se kundërshtuan me forcë dhënien e tokave kombëtare këtij shteti hegjemonist i cili zuri fill dhe u rrit e zgjerua, po në trojet tona, por vranë edhe të dërguarin e Perandorisë turke Mareshalin Mehmert Ali Pashë Maxharin bashkë me ushtarët që e përcillnin dhe tradhtarët vendorë, të cilët i kishte marrë nën mbrojtje në kullën e tij renegati Abdullah pashë Dreni-Kryeziu, nga Gjakova.Maxhar pasha, më 12 gusht të vitit 1878, nga Porta( e lartë) ishte emëruar emisar për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe dorëzimin e tokave shqiptare Malit të Zi dhe Serbisë. Por më 31 gusht të atij viti, gjatë udhëtimit me eskortën e vet, nga Prizreni në drejtim të Malit të Zi, nga kryengritësit e Lidhjes, atij do ti ndërpritej rruga në Gjakovë, me ç`rast  për të shpëtuar kokën nga ta, u strehua në kullën e mikut të tij Abdullah pashë Drenit.

Me gjithë bisedimet e zhvilluara më 1 dhe 2 shtator 1878,gjatë të cilave nga luftëtarët e Lidhjes, pashait turk iu kërkua fuqishëm që të hiqte dorë nga misioni që kishte marrë përsipër dhe kthehej në Stamboll, ai këmbëngulte që me forcë t`ia dorëzonte tokat e premtuara shqiptare Malit të Zi.Ndaj ndërmjet kryengritësve të Lidhjes Kombëtare Shqiptare dhe mbrojtësve të Maxharr Pashës, shpërthyen luftime të ashpra të cilat zgjatën deri më 6 shtator 1878, ditën kur luftëtarët shqiptar, përfundimisht dogjën kullën e Abdullah Drenit-Kryeziut, vranë atë vet si dhe mareshalin osman Maxhar Pasha bashkë me ushtarët që e shoqëronin dhe mbrojtësit vendor të këtij emisari të huaj, me ç ‘rast thuhet se në luftimet e zhvilluara ranë heroikisht edhe rreth 400 luftëtar të Lidhjes për parandalimin e faljes së Plavës dhe Gucisë Malit të Zi.Pas vrasjes së mareshalit osman, i cili kishte udhëtuar enkas në Kosovë për jetësimin me dhunë të pazarit të arritur ndërmjet Perandorisë turke dhe këtij mini-shteti shovinist sllav, forcat shqiptare jo vetëm se, mbrojtën me sukses nga sulmet e pareshtura ushtarake, që nga tetori i vitit 1879, Plavën dhe Gucinë,por më 8 janar të vitit 1880,ata thyen përfundimisht edhe ushtrinë malazeze të udhëhequra nga Mark Milani, betejë kjo vendimtare dhe më e përgjakshmja e luftimeve gati tre-mujore, në të cilën u vra edhe Jakup Ferri, njëri nga udhëheqësit kryesor i kryengritjes shqiptare.

Po tani, çfarë do të ndodhë, nëse edhe në kohën tonë moderne, vet “gjeneralët” vendor me në krye “emisarin” Isa “pashë” Mustafa, këmbëngulin që gjithsesi, të imponojnë përsëri tjetërsimin e më tejmë ehe të këtyre tokave shqiptare dhe faljen e tyre me çdo kusht Malit të Zi, ashtu siç tani e sa kohë pareshtur ata pretendojnë?!….Vet tendenca-për një akt të tillë të pa precedent, edhe nëse nuk votohet demarkacion i dyshimtë aktual as në Kuvend, druaj seriozisht se; Pa një Konsensus Kombëtar!…edhe tani mund të nxisë a shkaktojë luftë civile në Kosovë!, e cila nuk do të ishte e mirëseardhur as për vet kryeministrin autoritar, ngase zjarri i saj, mund ta rrezikojë edhe kokën e tij, si protagonisti kryesor i imponimit me diktat të pazareve më të reja antikombëtare në këto troje të mbrumura me gjak e luftë, për mbrojtjen e tyre përgjatë gjithë historisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani Qarri, Jo Demarkacionit

Ministri grek Kotzias i skërmit dhëmbët Shqipërisë

May 8, 2017 by dgreca

arbenNga Arben Llalla/Deklarata e ministrit të jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias për Real News, ku ndër të tjera shprehu shkoqur shantazhin që pritet Greqia t’i bëj Shqipërisë për votën pro të saj për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ministri Kotzias shprehu edhe një herë pendesën e Greqisë për votën pro të saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pa marrë diçka në shkëmbim.

Siç duket Greqia për të larë borxhet e saj kërkon shpërblim për votën pro ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ky është një turp për Greqinë, një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së. Pra, disa vende të BE-së, nuk promovojnë demokracinë, fqinjësinë e mirë, paqen midis popujve për anëtarësim të vendeve të tjera, por kërkojnë të përfitojnë. Kjo quhet tregti dhe të bësh tregti me vlerat europiane është krim jo vetëm ekonomik.

Ky është kërcënim i hapët, ku qartazi Kotzias shprehu me nënkuptime pretendimet territoriale të Greqisë ndaj Shqipërisë. E kam thënë dhe jam i bindur që Greqia për votën pro në BE do kërkojë aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Gjithsesi, unë hyj tek ata që mendoj se procesi i integrimit europian është humbje kohe, përderisa ka për të ngjarë shpërbërja e BE-së dhe jo anëtarësimi në këtë Union.

Me tej, në intervistën e tij Nikos Kotzias deklaroi se Greqia nuk lejon ndryshimin e kufijve. Në fakt, shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë deklaruar kurrë se janë për ndryshim kufijsh. Propaganda për Shqipërinë e Madhe është një trillim i mediave serbe, ruse dhe greke. Nikos Kotzias e di fort mirë që shqiptarët asnjëherë nuk kanë kërkuar ndryshim të kufijve me fqinjët e tyre Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë. Përkundrazi, institucionet shtetërore dhe fetare të Greqisë promovojnë pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Nuk ka përse të harrojmë britmat kërcënuese të vazhdueshme të ushtrisë greke gjatë paradave të festave kombëtare dhe fetare të saj. Në Greqi dhe jugun e Shqipërisë funksionojnë me dhjetëra shoqata greke që provokojnë shqiptarët me promovimin për aneksimin e jugut të Shqipërisë.

Greqia si një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së nuk njeh zyrtarisht asnjë minoritet etnik brenda saj siç janë shqiptarët, turqit, pomakët, sllavo-maqedonasit, bullgarët, vllehët, romët dhe egjyptasit.

Në Greqi jeton pakica shqiptare e njohur me Marrëveshjen e Lozanës 1923-24, pa folur për arvanitasit.

Në përfundim zoti Kotzias, meqë është profesor i historisë, nuk bën keq të lexojë shënimet diplomatike të parardhësve të tij, të cilët kanë thënë: “Stabiliteti i Shqipërisë përbën një interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan.

Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë hartës së Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbën një mburojë natyrore të madhe, kundër çdo sulmi nga Veriu.”

Prandaj, ministri i jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias do të bënte mirë të hiqte dorë nga gjuha e kërcënimit për votën pro për në BE me shpërblim, por të ulet më diplomatët shqiptarë për të gjetur rrugët për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë midis dy vendeve, në veçanti të Çështjes Çame, sepse pa zgjidhjen saj s’do të ketë asnjëherë fqinjësi të mirë e të sinqertë midis dy popujve.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, kercenimet e ministrit grek, Kotzias

Kosova javën e ardhëshme me zhvillime që priten

May 7, 2017 by dgreca

– Në Kuvendin e Kosovës, votim për demarkacionin dhe mocion mosbesimi për qeverinë. A do ketë zgjedhje të parakohëshme?/

1 Kos Kuvend -Pikërisht para tre viteve, në 7 maj 2014, Kuvendi i Kosovës është vetëshpërndarë, e më pas u mbajtën zgjedhjt e parakohëshme parlamentare në 8 qershor 2014/
3 Prishtina
 PRISHTINË, 7 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë javën e ardhëshme priten zhvillime që mund të qojnë  në zgjedhje të parakohëshme, fillimisht në shpërndarjen e Kuvendit, i cili edhe në legjislaturën e kaluar ishte vetëshpërndarë, pikërisht para tre viteve, në 7 maj 2014.
Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar se, qeveria do të mblidhet të hënën t’ia procedojë Kuvendit Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ky Projektligj, ishte në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria derisa opozita e kundërshtonte edhe me protesta e mungonte Lista Serbe dhe nuk ishte e sigurt se për miratim do arriheshin të paktën 80 vota të parlamentit 120 anëtarësh.
Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kanë paralajmëruar votim kundër edhe për riprocedimin në Kuvend dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën që pritet të thirret të hënën Kosovën e çon në zgjedhje të parakohëshme.
Poashtu, në zgjedhje të parakohëshme mund të çojë një seancë tjetër e jashtëzakonshme e Kuvendit për mbajtjen e së cilës të mërkurën e ardhëshme – në 10 maj, u vendos të premtën e kaluar – në 5 maj, në një mbledhje të thirrur urgjent të Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare pasi partitë e opozitës, Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për mocion të mosbesimit për qeverinë e Kosovës dorëzuan kërkesën me 42 nënshkrime, 8 nga të cilat nga grupe parlamentare të koaliciomit qeverisës – Partisë Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe të Grupit Gjashtë Plus të komuniteteve tjera pakicë.
Duhen së paku 61 vota të parlamentit 120 anëtarësh për t’u rrëzuar qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e cila është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, të cilat ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi.

Kuvendi i Kosovës, i legjislaturës së kaluar, të katërt  në liri, pas kërkesës së nënshkruar nga 57 deputetë, mbështetur edhe nga partia më e madhe e maxhorancës-PDK edhe nga partia më e madhe e opozitës-LDK, u vetëshpërnda në një seancë të jashtëzakonshme në 7 maj 2014 me 90 vota pro, 4 kundër, 3  abstenime dhe menjëherë u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në momentin e votimit, prezenca fizike në seancë ishte 111 deputetë nga 120 anëtarët e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten së paku dy të tretat e të gjithë deputetëve kosovarë. Vendimi i Kuvendit për vetëshpërndarje është përcjellë edhe me duartrokitje të deputetëvëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova javën e ardhëshme, me zhvillime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 569
  • 570
  • 571
  • 572
  • 573
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT