• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAZARLLËQE PREJ XHAMBAZËSH

September 19, 2015 by dgreca

*Azem SHKRELI-“Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”./

*Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë./

Nga Fadil LUSHI/

Ne Foto:Ukshin Hoti/

  Kritikët letrarë shqiptarë thonë se Azem Shkreli ishte një poet që u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai një herë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane sot e gjithë ditën e Perëndisë gjen shprehje pa fije dyshimi te mediet e shkruara dhe ato elektronike (pro, kundër dhe të “pavarura”) të Shqipërisë politike dhe të Republikës së Kosovës. Nuk do mend se ky “komplot” vihet re brenda shkrimeve, opinioneve, kolumneve, analizave politike, editorialeve a komenteve redaksionale dhe debateve televizive, të gjitha këto të ndërtuara nga opinionbërësit e Tiranës, të Shkupit dhe të Prishtinës.   

         Është e drejtë e gjithsecilit të bëjë analiza politike, vështrime si dhe editoriale ekskluzivisht nga këndvështrimi i tij, mandej në pajtim me higjienën e mendjes po, në instancë të fundit, edhe  në përputhje me interesin e tij. Ne këtë logjikë nuk duam ta kuptojmë ndryshe, andaj as që do ta kontestojmë dhe për këtë arsye në këtë shkrim, për të mos krijuar paqartësi eventuale, nuk do të hapim debate, madje as që e kemi ndërmend të krijojmë tarafllëqe të reja…, e ndiejmë për detyrë, që të jemi më të qartë, më të drejtpërdrejtë, më të afërt me lexuesin aq më tepër kur dihet se komentet a vështrimet tona të deritanishme disi paskan qenë jokomplete, të paqarta dhe mbase edhe paksa paragjykuese. Nëse paragjykimi respektivisht mendimi i gabuar është pjellë e ndjenjës së egoizmit, sidomos  egoizmit profesional, atëherë këtë shkrim të radhës do ta mbështesim në fakte a dëshmi të arsyeshme. Që ne “…të vërtetën mos e ndajmë përgjysmë…”, do të bëjmë përpjekje që ky vështrim gazete, të mos na dalë si ai “pazari i vdekur politik” dhe si historia politike të ca njerëzve të cilët dikur me retorizmat e tyre të varfra  a boshe “ngazëllonin” zemrat e njerëzve në hall e në nevojë…, të njerëzve që shpresat e tyre i mbështetnin te fjalët e politikanëve zhgënjyes, të cilët kur nuk kishin gjë për të thënë, atëherë u referoheshin gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, vetëm e vetëm për të ndërtuar patriotizmin e tyre të sajuar a të rremë…, për të ndërtuar atë filozofinë e politikëbërjes së moderuar, për të ndërtuar një mendje krejt tjetër fare…

         Kohë më parë lexova diku një reagim me sa vijon:  “Jam këtu për të refuzuar një shoqëri autokratike, që në mënyrë arbitrare i vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre. Unë dal të reagoj kundër dhunës, kundër totalitarizmit, që kur të më ndodhë mua fatkeqësia, të ketë një zë që të reagojë për mua”, kishte thënë një shqiptar përndryshe shtetas i Republikës së Maqedonisë, thjesht ishte një përgjigje ndaj një ngacmimi të jashtëm që prodhon padrejtësi ndaj fëmijëve shqiptarë dhe prindërve të tyre. Këtë reagim të tij ne assesi nuk mund ta paragjykojmë, nuk kemi të drejtë ta heshtim e as ta anashkalojmë, por ama, as nuk mund ta konceptojmë si një lloj himni a një kënge solemne që i kushtohet vatanit, që ne sa herë të vihemi në siklet të madh ose sa herë të kemi nevojë për “publicitet”, aq herë ta intonojmë si të tillë. Ne duam të dimë se prej kur daton ky shtet arbitrar, na intereson të dimë se prej kur frymon ky shtet autokratik, prej kur ekziston ky arbitrarizëm që vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre shqiptarë…, jemi kureshtarë të dimë se prej kur frymon fatkeqësia kolektive shqiptare, duam të dimë se a mos vallë i gjithë ky arbitrarizëm, autokratizëm, dhe padrejtësi nuk ekzistonin edhe në kohën kur ca prej nesh ishin ministra, deputetë, drejtorë a diç tjetër…, apo mos vallë të gjitha këto të këqija lindën në momentin kur ju, të nderuar, humbët pushtetin apo u përjashtuat nga partia!? Është humane që të ngremë zërin ndaj padrejtësisë që na bëhet dhe që u “bëhet” ish-politikanëve pushtetmbajtës, por parashtrohet pyetja pse pikërisht ata dikur nuk reaguan, pse heshtnin kur punët i kishin në terezi, pse nuk u rebeluan në kohën kur “tambli u dilte mbi përshesh”, pse nuk reagonin kur arbitrarizmi, autokratizmi dhe padrejtësia, të gjithë ne shqiptarëve na kishin kapur për fyti. Edhe ne dikur moti u detyruam të reagojmë ndaj një dhune institucionale, por ama…, fatkeqësisht nuk u dëgjua asnjë zë reagimi për ne dhe për miqtë tanë…, nuk u dëgjua asnjë fjalëbutë a llaf solidarësie…, dhe, nëse nuk gënjejmë, atëherë ç’kuptim do të kishte kundërshtimi ynë dhe i të tjerëve si ne…, ndaj fatkeqësisë sate të sajuar (??). Besojmë se nuk jua kemi borxh shqetësimin, ne jemi të gatshëm po edhe kemi të drejtë për ta mbrojtur fjalën e lirë…, dhe jo ti, zotërote!?

          Reagime paksa të ngjashme bëhen edhe nga njerëz që dikur bartnin poste politike nga më të ndryshmet dhe, kur mbetën pa to, filluan të ndërtojnë mendjemadhësinë dhe çallëmin e tyre prej daltonizmi dhe prej miopie politike…, politikanë të dështuar që padrejtësisht mëtuan të prekin sedrën tonë, sedrën e bujkut, të patriotit, mësuesit, shehërliut e fshatarit fisnik, akademikut dhe cilitdo qoftë prej nesh…, vetëm e vetëm pse nuk gjetën gjë të përbashkët me votuesit dhe me votën deliberative të tyre…, a me mendimin e tyre…, me fjalët e tyre të folura a të shkruara, fjalë që asnjëherë nuk shkuan në vesh të shurdhët…, fjalë që nuk patën takatin për t’ia ulur hundën dikujt…, politikanë që dikur njiheshin a ishin njësoj me atë lugën e sofrës së miletit dhe korrupsionit.., politikanë që në vend të opingave veshën “këpucë Stambolli”, politikanë të cilët kur kryepari i partisë i shporri jashtë, filluan t’ia shajnë fisin, filluan ta fishkëllejnë me gishta…, prej inatit se humbën pushtetin dhe postin prej ministri, deputeti e tjerë, padrejtësisht filluan t’ia tregojnë gishtin e mesëm të dorës së majtë, fillimisht kryeministrit Nikollë, mandej kryeparëve të partive politike shqiptare, siç janë Abduraman Aliti, Imer Imeri, Arben Xhaferri, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Sot të gjithë ata që sadopak kanë haber nga politika dhe historia e saj, me plotë të drejtë mund të thonë se të ndërrosh mendje, të ndërrosh bajrak partie, është një gjë humane dhe mbase emancipuese, por ama ta bësh atë pa e kthyer borxhin dhe ta bësh me aq shumë kollajllëk, po edhe për hir të mungesës së pushtetit a të një pozicioni të caktuar politik, hiç fare nuk është korrekte. Kosovarët thonë se ndejën a mexhlisin e prishin dy vetë, i mençuri që hesht dhe i marri a budallai që flet. Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azem Shkreli, Fadil Lushi, pazarlleqe xhambazesh, Ukshin Hoti

PËR KË BIEN KAMBANAT?

September 18, 2015 by dgreca

KAMBANAT BIEN PËR TË GJITHË/

NGA BESIM NDREGJONI/

Presidenti i Unionit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë./

 Shqiptarët ndodhen përpara fenomenit më të  rrezikshëm për ecurinë dhe zhvillimet e demokracisë, Ajo përballet  me  mos denimin  e ideollogjisë  kriminale të diktaturës. Sot mazhoranca aktuale po rikthen dhe po trysnon me   pushtetin politik qeverisës simbolet e diktatures komuniste.Mbas 25 vitesh ne përballemi  me një mazhorancë me moshë të re por me mentalitet komunist dhe këmbgulës për të rehabilituar diktatorin dhe simbolet e atij regjimi shfarosëse që vrau dhe torturoi shqiptarë të pafajshëm. Eshtë e pamoralshme që ky parlament i dalë nga zgjedhje e 23 qershorit është parlamenti  i mbushur me ish operative të sigurimit, me bisnesmen të dyshimtë në afera korruptive, dhe me suportin politike të diktaturës. Ne sot kemi një parlament ku drejtues të komisioneve të  këtij parlamenti janë  individë që i kan shërbyer me devotshmëri diktaturës dhe kan gëzuar poste politike në diktaturë. Si Kryetari i Komisionit të ligjeve, Kryetari i komisionit të sigurise kombëtare etj. Kemi ministra që kan qënë hetues të diktaturës e sot drejtojnë drejtësinë. Promovohen në organet e larta të shtetit administratorët me të flakët të pushtetit të djeshëm diktatorial.

Shqipëria përdor  dy standarte në demokraci, ish komunisti nderohet si pjesmarrës në luftën antifashiste dhe ish antikomunisti i vrarë kundra fashizmit  përbuzet.

Fatkeqësisht mbas 25 vitesh është krijuar muri klasor ideologjikë i cili ka ndërtuar suporte urretje  ndaj antikomunistëve ish të përndjekur politikë, dhe promovon në institucjonet ligjëvënse, shtetërore ata që dje,  ishin pjesë e diktaturës dhe direkt pjesmarrës në krimet ndaj të përndjekurve politikë. Fashizmi triumfoi duke promovuar të  rinjtë “balilët” .. fatëkeqesishte mbas 25 vitesh në demokracinë  shqiptare po promovohen “balilët” e Enver Hoxhës.Cdo vitë kjo mazhorancë me “balilët” e saj komuniste i rikthen shoqërise ideologjinë komuniste dhe parqet para opinionit si hero diktatorin. Kriminelët nuk mund të jenë heronj zoti Kryeministër, Kryetari i Parlamentit dhe se fundi “balili” i ri i komunizmit fatëkeqësishtë, Kryetari i Bashkisë  së Kryeqytetit..

Midis ministrive  dhe Bashkisë , Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Velia po ndërtoin një Bunker madhështor që të lidhin tunelin nga shtëpia e “gjetheve” ish e sigurimit të pushtetit komunistë me MB.  Ambasada italiane ka financuar një projekt që ti shërbej tunelit të nëndheshëm, dhe jo të ndërtohet bunkerin  si në kohën e diktatorit HOXHA. Tjetërsojne fondet vetëm që të jëtë nje simbol i komunizmit në qendër të kryeqytetit.. Dhe kjo ndodh nga këta pushtetarë që cdo ditë flasin se nuk janë pjesë e komunizmit etj ..hipokrizi totale e morale e këtyre politikanëve që nga mosha jane të rinj por nga mentaliteti janë me diktatorin e diktaturën..

Ne ish të përndjëkurit politikë që kemi kaluar tortura cnjerzore nga diktatura kemi kërkuar   të  zhvillohet një  seancë parlamentare e Kuvendit të Shqipërisë për dënimin  e  aktiviteti kriminal  të Enver Hoxhës mbi bazën e Konventës kundër Torturës. Regjimi i Enver Hoxhës kishte në metodën e tij drejtuese torturën si element të mbajtjes së pushtetit. Heshtje,  vetëm heshtje për kërkesën tonë të drejtë dhe ligjore. Parlamenti aktual diktatorin e quan hero..kurse ne antikomunistëve armiq të partisë.

Opozita shqiptare,  pjesmarrjen e saj në parlament  duhet ta ketë moto të ditës në kalendarin e saj,   përfshirjen e denimit të krimeve të komunizmit, por dhe ajo i mbështetet heshtjes. Jemi i vetmi vend në botë që nuk i denojmë krimet e komunistave që kan kryer për 45 vite mbi ne, dhe  ish prokuror apo operativa sigurimi , hetues , administator të lartë të diktaturës komuniste ,  krenohen me aktivitetet e tyre kriminale në pushtetin e diktatures duke denuar qytetar deri në marrje jete. Për një ish antikomunistë të përndjekur politikë është e ndaluar të jetë në drejtimin e shtetit apo në administraten shtetërore , kurse për ata që i kan shërbyer diktatures janë të hapura promovimet në administratë dhe shtet. Para disa ditësh ne i kemi dhënë afat parlamentit dhe qeverisë të denoj me ligj krimet e diktaturës.. por heshtja vazhdon.. cdo heshtje ndaj kërkesës tonë të drejte do të jetë një bumerang për këtë mazhorancë  dhe për gjithë klasën politike. Ne nuk do të  lejomë që misioni antikomunist të dështoj sic ka ndodhur për 25 vite të këtij pluralizmi komunist shqiptarë. Cdo krim duhet të denohet me ligj, në Shqipëri ndodh e kundërta, krimi komunist denohet me demagogji.

I ftojmë ambasadorët e akredituar në Tirane, në respekt të misionit të tyre . në respekt të lirive dhe të drejtatave të njeriut, të mos jenë indiferent për  denimin e krimeve të komunizmit shqiptar.. apo klasës antikomuniste shqiptare që është pjesa më fisnike e qëndrestare dhe miqësore e vendeve që ata përfaqësojnë. Mos të harrojnë se para 25 vitesh ata ishin armiq për pushtetin e diktaturës. Të gjithë ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të Shqipërise kemi kaluar mbi njëmije vite burgje në  kampe të punës së  detyrueshme. Vetëm se mbronim të drejtat dhe liritë e njeriut .Sot kur pushteti që i përbuz mbështetet në kapitalin moral të ish përndjekurve politike këto viktima e shohin veten si “lecka të hedhura poshtë” , nga ata që nuk pranojnë të trazohen nga tregimet e bëmat e tyre , historira të kaluara  që u kujtojnë pushtetarëve karierat gjatë regjimit komunistë . Qeveritarët, fytyrat e të cilëve ndritin nga dhjami  apo si Kryetari i Bashkise Tiranës që mbrenda 40 ditëve të qeverisjes   përdor fondet publike për të promovuar një ngjarje ideologjike të diktaturës , duke u krenuar me fotot e diktatorit dhe bërjen e një bukeri simbol të diktaturës komunise. E pakta në një sistem demokratikë këto veprime anti demokratike do ta detyronin Kryeministrin dhe Kryetarin e Bashkise të jëpnin dorëheqje për promovimim të simboleve komuniste.. Godina e MB,  ku dyshja Rama –Veliaj po ndërtoin bunkerin me fondet e ambasadës italiane, pikrishtë tek kjo godinë , ku qindra shqiptarë u torturuan u masakruan vetëm se deshën Shqipërine demokratike, për të  i bërë karrshillëk viktimave të komunizmit,   nderim për  xhelatin dhe përbuzje për  viktimën.  A  mund të ndërtojmë  raporte të drejta për zhvillimin normal të demoracisë  më këtë sjëllje të kësaj qeverie. Ekulibrat në një shoqëri ruhen kur ato kan të përbashkët mbrotjen e lirive e të mendimit ndryshe. Me ruajtjen e ketyre ekulibrave ndërtojme shtet të së drejtës.

E ftojmë median pamvrësisht mbi trysnine politike që ajo ka nga pushteti politike  të jete  promotore e kësaj lëvizje kombëtare të përndjekurve politikë  për të denuar të keqen që mban peng demokracine tonë të brishtë. Për të i thënë ndal promovimit të simboleve të diktaturës ku akoma nuk është tharë gjaku i mijëra shqiptarëve që akoma nuk u janë gjëtur eshtrat e shqiptarëve të mirë që i vrau diktatura me simbolet e krimit.. I bëjmë apel gjithë shqiptarëve “Këmbanat bien për të gjithë.. diktatura po troket nga indiferenca jonë. Heshtja vret lirinë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Ndregjoni, bien per te gjithe, Kembanat

Why Putin Wants To Tar IS And All Assad’s Enemies With The Same Brush

September 18, 2015 by dgreca

By Joanna Paraszczuk/

Earlier this week, we noted how a pro-Kremlin website claimed the extremist group Islamic State (IS) had sent Chechen militants to Latakia province in Syria.The report was incorrect — the Chechen group is not part of IS.But it was almost certainly an intentional obfuscation.Russia’s conflation of all armed opposition groups with extremist Islamist militants is an integral part of a narrative that has evolved during the Syrian conflict.Its goals are to keep Syrian President Bashar al-Assad in power, counter the United States, and maintain influence in the Middle East.The “IS threat” narrative contains several arguments that Moscow puts forward in support of these aims.

1. ‘There Are No ‘Moderate’ Rebels’

According to Moscow, the vast majority of groups fighting Assad are foreign-backed terrorists, not “moderate rebels.”

“The Free Syrian Army does not exist,” Russia’s ambassador to international organizations in Geneva, Aleksei Borodavkin, told the United Nations a year ago, referring to the Western-backed umbrella of moderate rebel forces.

This narrative is partly true. In the north and increasingly the center of Syria, rebel factions are mostly Islamist or Islamist-influenced. Some, like the Al-Nusra Front and the foreign fighter groups, are Salafist-jihadist.

U.S. attempts to bolster moderate rebels have gone awry. The first group to receive U.S. weapons collapsed in March and the United States said this week that there are only “four or five” U.S.-trained rebels fighting IS.

But moderate rebels are still influential in some parts of Syria’s far south, where Jordan’s intelligence services are active.

2. ‘IS Wants To Destroy Syria’

Moscow has warned that IS and other Islamist groups are threatening to turn Syria into a “terror state.”Therefore, eradicating these groups is more important than ousting Assad, according to Russian Foreign Minister Sergei Lavrov.

3. ‘Assad Has To Be Part Of Fight Against IS’

Russia has insisted that Assad must be part of the fight against IS, claiming that Syrian armed forces are “the most effective military force on the ground.”Meanwhile, Russia has frequently slammed the U.S.-led anti-IS coalition, saying that it is both illegal (because it has not asked Assad’s permission to operate) and ineffective.

4. ‘Rebels Should Unite With Assad Against IS’

Both Russia and Assad argue that the threat posed by Islamic State is so great, rebels should unite with government forces to counter the militants.

On September 16, Assad used an interview with Russian news outlets to call on rebels to stop fighting him and help him defeat IS.

Only then can Syrians work on a political solution to the conflict, Assad explained.

Assad’s call may seem unrealistic. But it is not a new tactic.

Moscow first put forward the idea nearly two years ago.

“Everything must be done to create a battle-worthy alliance of the government and the patriotic opposition against the terrorist interlopers who flock to Syria from around the world,” Lavrov told Russian TV in December 2013.

4. ‘The West Is Responsible For IS’

Both Moscow and Damascus have blamed the West for the rise of IS (and other Islamist groups in Syria), saying that while Washington is quick to say Islamic State is a terror group, it has backed other armed groups against Assad.

In February, Putin said the rise of IS was the result of Western “interference” in Syria as well as “double standards” over who it deemed terrorists.

Assad repeated this narrative in an interview with Russian media this week.

“What are IS and the other groups? A Western extremist project,” the Syrian leader said.

5. ‘Russia’s Military Build Up In Latakia Is To Fight IS’

The claim that Assad is essential to countering the IS threat has provided Russia with an argument for its military buildup in Syria — which is causing increasing alarm from the United States.

“We support the government of Syria in its effort to counter terrorist aggression,” is how Putin explained the Russian military expansion in Latakia at a September 15 security summit in Tajikistan.

The Real Threat To Assad

As Russia continues its military build-up in Syria, it has also stepped up its use of the “IS threat” narrative.

But these moves are only partly about IS.

While Islamic State is a threat, a bigger problem for Assad is the advance of other radical Islamist battalions, particularly Al-Qaeda’s Syrian affiliate — the Al-Nusra Front — and Ahrar al-Sham, one of the most powerful rebel groups in Syria.

Part of the Jaish al-Fatah military operations coalition, Nusra and Ahrar have driven out government forces from almost all of Idlib province.

And they now threaten Latakia, Assad’s coastal stronghold.

But the war is not being fought on the battlefield alone.

Russia’s best chance to save its ally in Damascus could be an agreement with the West that while Assad should go or at least be demoted, most of his regime remains in place.

And the only way to achieve that is by persuading Washington and its allies that this would be the best way to fight IS.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asad, Isis, Putin, Siri

Kriza e “refugjatëve” do të ndryshojë Evropën

September 18, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*

OKB: “Migracioni është një nga problemet më të mëdha të botës dhe çon në tensione etnike dhe fetare.”/

Ndoshta Bashkimit Evropian nuk i konvenon humbja e ISIS në Siri, sepse atëherë do të detyrohet të sigurojë mbrojtje dhe japi azil kriminelëve të ISIS që do iknin për në Evropë nga mbizotërimi i atyre 7000-8000 fiseve tjera ndërluftuese arabe që me shekuj do ta sakatojnë njëri-tjetrin.

***Ushtria shqiptare duhet të jetë e gatshme për të mbrojtur me nder dhe vendosmëri kufijtë e Atdheut tonë të përbashkët për shkak të situatave të trazuara nga “refugjatët” të cilët sa më shumë që burrat e vdekur të BE-së i ftojnë dhe tolerojnë aq më tepër probleme shkaktojnë.

Këta “refugjatë” që janë duke pushtuar Evropën nuk janë të gjithë nga Siria. Vijnë nga 25 shtete të ndryshme afrikane/aziatike ku nuk ka aspak luftë, dhe ku kryet dhe një jetesë solide e kanë të sigurt. 75% prej tyre janë burra të moshës 20-40 vjeçare.

Shqiptarë! Vendojeni Kombin atje ku e ka vendin, para fesë, dhe mos identifikoni fenë e juaj me fiset arabike sepse do ta hani me krip speci. Zgjohuni, përforconi dhe avanconi ndjenjat Kombëtare ndërkaq zbehni ato fetare – e keni  tepruar shumë. Përndryshe, harrojeni edhe ju idenë e “Shtetit Komb”. Kriza e “refugjatëve” do ta tjetërsoj dhe shndërroj Evropën në një shoqëri kozmopolite të emigracionit. Në të ardhmen, imazhi ynë mendor i Evropës do të jetë nga Shtetet Anëtare të një unioni politik mbi-kombëtar.

***

PS: Me lutjen dhe dëshirën e një kolegut tim egjiptian, shtetas në Angli, do të citojë disa rreshta nga BBC të cilat ai i ka caktuar dhe unë shkurtimisht, nga anglishtja i kam përkthyer për ju:  

http://www.bbc.com/news/world-europe-11139345

E martë 31. gusht 2010

Lideri libian Muamar Gadafi beson se imigracioni i paligjshëm në Evropë është një problem serioz. Ai është i gatshëm për të ndihmuar në përpjekjet për të ndaluar emigracionin në qoftë se BE-ja do të kontribuojë të paktën me 5 miliardë euro në vit për të shmangur një “Evropë të zezë”.

Nëse ky emigracion shumë i rrezikshëm nuk do të ndalohet, Evropa mund të bëhet një Afrikë e re, paralajmëron ai.

–  Ndoshta nesër Evropa nuk do të jetë më evropiane, dhe ndoshta madje e zezë, sepse ka miliona afrikanë që duan për të hyrë, tha udhëheqësi libian, kur ai të hënën vizitoi kryeqytetin e Italisë, Romën.

– Ne nuk e dimë se si evropianët e bardhë dhe të krishterë do të reagojnë për këtë fluks të afrikanëve të uritur dhe injorantë. Ne nuk e dimë nëse Evropa do të mbetet kontinent i një lloji të avancuar dhe bashkuar, apo ajo do të shkatërrohet siç ndodhi me invadimet barbare,  – tha ai.

***

Fluksi masiv i “refugjatëve” të rremë do ta ndryshojë peizazhin politik të BE-së dhe Evropës në përgjithësi. Kriza është aq e rëndë se ajo mund të shkaktojë shpërbërjen e sajë dhe për t’u dhënë forcë partive euro-skeptike. Ne gjithashtu shohim se tashmë kemi një debat krejt të re për “refugjatët”. Tani gjithnjë e më shumë flitet se kinse Evropa ka nevojë për emigrantët. Ideja e kufijve të hapur dhe emigracioni masiv i pakontrolluar joligjor duhet të jetë për të thyer shtetin kombëtar dhe identitetin tonë si një komb dhe kulturë.

***

Gjermania nëpërmes procesi të ashtuquajturës “integrimit evropian” me dekada të tëra ka ndihmuar për të minuar sovranitetin e shteteve kombëtare evropiane.

Sovraniteti i Shteteve Nacionale në kohët e fundit është tërësisht në përbuzje dhe poshtërim. Sepse është një tipar i rëndësishëm i sovranitetit të kombit që thotë se ata mund të mbrojnë kufijtë e tyre kundër inkursioneve nga shtete ose persona të tjerë të cilët ilegalisht kalojnë kufirin. Rrugaçë afrikan/aziatik që aspak nuk i plotësojnë kushtet të quhen refugjatë hyjnë me dhunë në shtetet evropiane (sidomos Hungari). Stil i papranueshëm jetese e këtyre rrugaçëve shihet qartazi; çdo pëllëmbë toke evropiane në të cilën kanë qëndruar një kohë mbetet e mbushur me plehra prej më të pistave, të prodhuara nga vetë ata para se me vazhduar rrugën për në “tokën e premtuar” nga Merkel.

Nga “dashuria” personale e Merkel-it për “refugjatët” e rremë, ajo i detyron shtetet tjera të BE-së të veprojnë sipas urdhrave të saj, duke e reduktuar në një shaka sovranitetin e tyre. Ashtu që, më së fundi kjo zonjë tërthorazi ka thyer të drejtën ndërkombëtare, e cila thekson se shtetet duhet të respektojnë sovranitetin e shteteve të tjera. Ajo kështu ka krijuar anarki të pastër.

***

I lexoj diskutimet e qytetarëve të rëndomtë të BE-së. Shumica e tyre reagon ashpër kundër situatës. Kur qeveritë evropiane e tradhtojnë popullin e tyre dhe i japin prioritet popullsisë së vendit të huaj joevropian, është kjo një tradhti që krijon dëshpërimin, ekstremizmin, urrejtjen, kundërveprimin. Agjenda e neo-komunistëve evropian për të thyer, shpërbërë shtetet kombëtare dhe shkatërrimin e bazës ekonomike dhe kulturore evropiane ritet me shpejtësi. Mos të habitemi shumë nëse vjen kundërveprimi. Ajo përfundon në luftërat civile, grusht shteti dhe shpërbërjen e BE-së.

***

Shtetet e Gjirit nuk marrin asnjë refugjatë, asnjë emigrantë! Asnjë! Arabia Saudite që posedon një territor shumë të madh dhe ka pasuri astronomike nuk strehon asnjë refugjat përkundër faktit se pothuajse ekskluzivisht janë arabët e tyre mysliman që ikin në Evropë. Kampet më moderne për tre milionë njerëz janë bosh (përdoren vetëm 4-5 ditë në vjet nga haxhilerët) në vendin që nuk i strehon as përkohësisht nevojtarët e gjakut, gjuhës, fesë dhe kulturës së vetë. Çudi!? Ne nuk dëgjojmë për asnjë presion të BE-së mbi këtë vend të “bekuar” nga Perëndia.   

Si përgjigjet Arabia Saudite për kaosin që ata vetë e kanë krijuar? Hap kufijtë? A strehojnë refugjatë? Jo, ata marrin 0. Zero. Asnjë.Megjithatë, Arabia Saudite është e gatshme për të financuar xhamia në Evropë, dhe nuk flasim për imtësia. Regjimi terrorist në Riad dëshiron të ndërtojë 200 xhami vetëm për ”refugjatët” sirian në Gjermani.

Kjo nuk është vetëm paturpësi, ne po flasim për një abuzim, ndëshkim, sulm krejt të ri.

Ne e dimë se çfarë lloj i xhamive financohet nga Arabia Saudite. Ajo është, me pak fjalë, lloji më i keq.

*ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, do të ndryshojë, Evropën, Kriza e “refugjatëve”

Z.Rama, mos e humbni autokontrollin!

September 18, 2015 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ishte një konferencë që zgjati jo më shumë se një orë gjysmë e që pati pesë folësa. U hap nga Ministri i Brendshëm dhe u mbyll nga Kryeministri, me një regji, por pa teatër. Mihal Luarasi sot kishte thënë se nuk mund të kemi teatër kombëtar pa dramë kombëtare. Kështu edhe puna e qeverisë Rama. Tashmë 24 muajshe, pak më e madhe se Zaho, që ka nisur të eci vetë, ndërsa qeveria e babit të tij nuk ec dot më me paterica.

Qëllimi dhe shenjestra e Konferencës, e dy aktorëve, njëri që e hapi e tjetri që e mbylli, nuk ishte opozita apo lapsi, por Perëndimi, Parlamenti Europian, OSBE, SHBA, Gjermania, të gjitha së bashku. Ishte një konferencë kllouniadë në përgjigje të konkluzioneve të PE për zgjedhjet vendore, të cilat u cilësuan as të lira dhe as të ndershme, në përgjigje të raporteve jozyrtare që i disponon zyra e OSBE-së në Tiranë e Vjenë ku krerët e politikës karakterizohen si kopukë e të korruptuar.

Konferenca u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, me pompozitet dhe skenar, por u hap me fjalimin e rëndomtë të Ministrit të Brendshëm që ishte një inskenim me ato skenat e foltores së Parlamentit të Shqipërisë me sharje me nënë e babë. Ministri i Brendshëm është i akuzuar për trafik droge nga një ish-oficer i policisë dhe nervozizmi i tij komentohet si shqetësim. Nëse dikasteri që ai drejton ka një listë suksesesh, përse nervozohet aq fort ministri Tahiri. Kur pretendon se nuk e ka mizën nën kësulë, ç’ka!

Përpara se ta bënte epilogun e Konferencës kryeministri, fjalën e mori Ambasadori i SHBA. Ai ishte lakonik, dashamir, foli shqip dhe qartë në më pak se dy minuta, vuri në dukje hapin e stërmadh në Lazarat dhe në përgjithësi në luftën kundër drogave e krimit të organizuar si një bashkëpunim midis Guarda di Finanza, Universitetit të Napolit dhe Policisë Shqiptare. Pastaj ai iu kthye politikës shqiptare. „Si maxhoranca dhe opozita e kanë kritikuar njëra-tjetrën për lidhje me krimin. Më lejoni të them se të dyja palët e bashkëndajnë këtë problem.“ Por, përfundoi Ambasadori Lu: „Shqipëria ka nevojë për të gjithë udhëheqësit e saj të punojnë së bashku për të luftuar kriminelët, trafikuesit e narkotikëve dhe zyrtarët e korruptuar. Shqipëria mund të mbështetet në përkrahjen e SHBA-ve në këtë luftë historike.’’

Ishte një fjalim shumë korrekt, pa sulme, pa provokime, pa nënkuptime dhe nuk ishte arsye që Rama të humbiste autokontrollin.

Edi Rama foli pa letër, fjalimin e improvizoi aty për aty. Një improvizim i çastit dhe i keq. Vazhdoi aty ku e kishte lënë ministri i tij xhuxh që Rama me shtatlartësinë e tij i bëhet bodyguard.

Rama duhej ta kishte marrë shtruar dhe me qetësi. Një kryeministër me tre deputetë të deklaruar si kriminelë, vrasës, trafikantë e të përfshirë në krimin e organizuar, duhej të reflektonte e ta fillonte fjalimin e tij me një ndjesë. Ia dha të gatshme formulën e ia kujtoi një ditë më parë edhe ish-presidenti Mejdani, kur i tha se ai duhet t’i kërkojë falje elektoratit për deputetët e dënuar. Por Edi Rama reagoi gjithë arrogancë dhe megallomani : «Është bërë modë këtu në Shqipëri, tha ai,  edhe unë i mirëkuptoj edhe miqtë e partnerët tanë që e kanë përfaqësuar këtë modë se të gjithë janë njësoj, të dy palët kanë faj, të dy palët kanë shumë arsye për tu ndjerë keq para popullit shqiptar, etj etj, por s’po i hyj kësaj. Kjo është një modë që unë e kam neveritur dhe vazhdoj ta neveris.»Edi Rama me tre deputetë të akuzuar si trafikantë neverit partnerët e Shqipërisë ! Kur do të duhej të neveriste personat e inkriminuar në partinë e tij, që ai i futi në lista deputetësh dhe kryetarësh bashkie. Në fakt Edi Rama duhej ta niste fjalimin e tij duke thënë se atij i vinte turp për faktin se Eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein Parlamenti Shqiptar u kujton historitë me kauboj nga Perëndimi i Egër.

Por ajo që duhet të bëjë detyrimisht Kryeministri Rama është se ai duhet të ruajë autokontrollin. Nuk është aspak e pranueshme ironia dhe humori me Ambasadorin Amerikan kur, në fund të fjalimit, Edi Rama i thotë se shpreson « që mos ta fusin ambasadorin amerikan te ligji për dekriminalizimin’. Humori i zi dhe ironia vulgare e kryeministri Rama me Ambasadorin Lu tejkaloi çdo masë të etiketës shtetërore dhe njerëzore. Edi Rama përfaqëson Shqipërinë dhe duhet të ketë sjellje të denja për një shtetar.

Nuk ia ka fajin kush veç Edi Rama Edi Ramës që në partinë e tij ka deputetë me rekorde kriminale. Nëse vetë është i pastër, të mos mbajë baltën e të tjerëve, por të tregojë përgjegjshmëri.

Sepse arroganca e tij, është ai ajo arroganca paralajmëruese që disa ditë më parë Edi Rama iu kishte drejtuar ministrave arrogantë të qeverisë së tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Kryemiistri Rama, vetkontrolli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 754
  • 755
  • 756
  • 757
  • 758
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT