NGA ASLLAN BUSHATI/
Duke ndjekur këto javët e fundit ,mediat e poratalet on line për Kosovën,kam një përzierje mendimesh e ndjenjash deri ne kakofoni britjesh e thirrjes të brendëshme, që më trazojnë shpirtin e qetësin sa më bëjnë të thërras,të bërtas e të uluras deri në kup të qellit se cka po ndodh ,cpo bëhet dhe ku po shkojmë me avanturizmin dhe prakticizmin foshnjarak.Kjo më trysnon po ashtu të mendoj se investimi që kanë bërë disa brezni para nesh, që brezi yne dhe ndërkombëtarët kanë bërë për Kosovën, është apo nuk është produktiv dhe kombëtar? I kompleton aspiratat dhe ndiesitë e kombit apo i dyzon dhe i dyshon ato? Po shkojmë drejt demokracisë e shtetit ligjor në Kosovë, apo derejt një autokracije që mund ti veshë cdo emër, por që më i pranueshmi do të ishte autoritarizëm primitive i kohëve modern.
Duke patur para syshë faktin që pas zgjedhjeve te qershorit të 2014-tës pati pështjellim, pati një vakum pas zgjedhor qeverisjeje për gjashtë muaj dhe me shumë vështirësi u gjet nga ndërkombëtarët një formulë gjysëm e pranueshme ( qeverisja LDK dhe PDK), tregon se zgjidhja ndërkombëtare ka brenda qefmbetje opozitare dhe mllefi i sotëm politik është pjesë e kësaj zgjidhjeje pas zgjedhore. Por qefmbetja e opozitës ka dhe emra të vecantë si Mustafa e LDK të cilat i konsideron tradhëtare të kauzës opozitare, kurse Thacin e PDK-në tradhëtare të interesave të Kosovës. Madje ka disa që Zotin Mustafa pas 9 dhjetorit 2014 e quajnë “ ish Mustafa” sikur kemi të bëjmë me një dyftyrësi të pa imagjinueshme që e ndanë një datë e vetme sic është 9 dhjetori i 2014-ës.
Por le ti marrim gjerat me radhe dhe ti shohim nga këndshikimi i sejcilit aktor dhe nga interesi publik. Po e nisim me opozitën e cila ka zbritur në sheshbetejë me trysninë për tërheqjen e dokumentave të firmosura për të ashtuquajturat “zajednica” ose e thënë ndryshe “Bashkësia e komunave serbe në Kosovë”. Sipas saj ky document tradhëton interest kombëtare të Kosovës sepse krijon një shtet serb brenda shtetit të Kosovës, i cili me këtë marrveshje i merr Kosovës gati tridhjetë përqind të sipërfaqes së saj.N.q.se është tërësisht kështu, shqetësimi i opozitës është legjitim dhe mbron interesin publik. Problemi i dytë që opozita ngre është ai i “demarkacionit” (vija kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi). Sipas saj Kosova nga firmosja e kësaj marrveshje ka humbur nje sasi të konsiderueshme kilometrash katrore. Edhe nga kjo qasje në se është tërësisht keshtu, opozita ka të drejtë.
Por, ndërkombëtarët, qeveria dhe shumica parlamentare thonë se cdo marrveshje midis Kosovës dhe Serbisë është e paraparë nga përmbajtja e Kushtetutës së Kosovës.Po ashtu dihet se Kushtetuta e Kosovës, sipas projektit të Ahtisarit, ka cungimet e veta për arsyet që dihen e që nuk mund të ribëhen sot në një Kosovë të pa formësur mirë organizativisht e demokratikisht. Marrveshjet janë zgjidhje praktike ku asnjera palë (kosovare apo serbe) nuk ka përfitimet maksimale, por përfitimet janë optimale , që u lejon palëve të bëjnë pak lëshime, por të ndërtojnë urat e së ardhmes për në Eoropën e Bashkuar. Po ashtu ata thonë se tërheqja nga një marrveshje e nënshkruar është absurditet, sepse ajo është një fakt i kryer dhe i pa tjetërsueshëm. Por shtojnë se marrveshjet nuk mund të hyjnë në fuqi pa një vendim të Parlamentit të Kosovës dhe në këto kushte pozita thotë hajdeni ta diskutojmë në parlament. Edhe marrveshja për vijën kufitare me Malin e Zi është bërë sipas kushtetutës së 1974-ës të ish Jugosllavisë ,document sipas të cilit Kosovën e njeh dhe e administron Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Parë nga ky këndshikimi edhe pozita dhe ndërkombëtarët kanë një farë të drejte.
Të gjitha palët interin e përgjithëshëm,kërkojnë ta bëjë pronë të tyre. Ka përqasje që thonë shiheni përputhjen e plotë dhe identike të vijës e qëndrimeve tona politike me interesat kombëtare të Kosovës , duke aluduar se e palës tjetër është anti kombëtare.Por nga ana tjetër veprimtaria normale e parlamentit është e bllokuar, mungesa e respektit reciprok është në kulm, përdori i masmedias për etiketime perspnale është këthyer në modë të përditëshme, përdorimi i mjeteve zhurmuese vend e pa vend e deri tek përdorimi i gazit lotsjellës brenda sallës së parlamentit, nuk janë fenomene të castit e për dy problemet që pikësohen këto javët e fundit, por mendoj se janë grumbullime të mllefeve politike të së shkuarës jo të largët. Sepse edhe parlamenti si tempull i demokracisë jo rrallë ka dhunuar me maxhoritetin e kartonave duke mos i lënë hapsirën e nevojëshmë mendimit alternative e duke votuar ligje për të cilat ka patur kontestime që lidhen me interesat jetike të Kosovës. Po tu shtosh këtyre edhe korrupsionin masiv, papunësinë e madhe, mungesën e hapsirave perspektive për të ardhmen, dhe keq qeverisjen pothuaj në të gjitha nivelet e deri tek përdorimi jo rrallë i pushtetit si armë kundër kundërshtarëve , po e cojnë Kosovën në prag të një kolapsi , fundi i të cilit mund të jetë drithërues.
Nisur nga të gjitha këto, por edhe për shumë të tjera, ndjehem tërësisht i shqetësua,sepse shoh që klasa politike në Kosovë po humbet shumë kohë për ta bërë Kosovën shtet demokratik e veprues. Ajo me paaftësinë që tregon në drejtim, po e shtynë vetë me duart e saja kohën e integrimit në strukturat euro-atlantike. Në gjykimin tim kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë kështu,sepse kjo po e con Kosovën në destabilitet të pa shmangëshëm.Përgjegjësia mendoj se është e të gjithë aktorëve veprues pa përjashtim në pozitë e në opozitë,nga Presidentja, Qeveria, Parlamenti e deri tek të zgjedhurit vendor.
Personalisht mendoj se është koha për refleksion të menjëhershëm. E përkrah veprimin e Presidentes Jahjaga për bisedimet që bëri me krerët e partive politike dhe shpresoj e besoj të ketë patur sukses. Por hapi më i rëndësishëm është, normalizimi i veprimtarisë së parlamentit. Populli duhet të dëgjojë argumentat dhe kundër argumentat e të dyja palëve. Prej debatit duhet të dilet në disa përfundime të përbashkëta qe përbëjnë caqet e interesave kombëtare të periudhës afat mesme të Kosovës, caqe të cilat nuk mund ti shkeli askush dhe për asnjë lloji arsyeje. Po ashtu mendoj se ngërci politik mund të zgjidhet nëse lihet mënjanë mllefi politik i grumbulluar, i cili është gërryes i unitetit e paqëtimit të brendëshëm dhe bariera kryesore e ecjes përpara.
Për ata që bënë luftën në Kosovë, populli ju ka ngritur lapidare e ju a ka njohur të githa meritat deri në maksimalizim, por askush nuk duhet të abuzojë me to dhe askush prej tyre nuk është gjeni, i jashtëzakonshëm, gjithfuqiplotë e i pa zëvëndësueshëm dhe i destinuari i përjetëshëm për të qënë në krye të Kosovës. Sot është koha për të bërë paqen, demokracinë, ekonominë dhe lumturinë e njerëzve. Edhe opozita ka gjithë mundësitë për të vepruar në përputhe me Kushtetutën,ligjin dhe rregullat e miratuara dhe prej tyre të korrë sukseset që dëshiron. Jo të marrë vezët në dorë e të qellojë me to kush i del perpara në rrugë të madhe i shoqëruar me gra e femijë duke krijuar kështu përshtypjen e rrugacrisë. Si hap i pare ajo le të pranojë diskutimin në parlament. Në se humbet me forcën e kartonave le ta cojë ceshtjen në Gjykatën Kushtetuese. Në se nuk e fiton edhe atje të mbjedh firmat per referendum. Në referendum eshte vota e popullit dhe ajo do ti thotë gjithkujtë se me kë është e drejta.
Autori është zv/Kryetar i Vatrës
KOSOVA, RREZIKU I IZOLIMIT
-Delawie- Veseli: Kosova rrezikon të izolohet nga komuniteti euro-atlantik/
-Ambasadori i SHBA: Për ata njerëz që sjellin armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euro-atlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, prit sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.
Ambasadori amerikan konfirmoi përkrahjen e tij për kryetarin Veseli në vazhdimin e seancës së nesërme plenare, duke e konsideruar të rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të vazhdojë punën dhe të miratojë ligje që janë qenësore për Kosovën.
“Unë jam këtu për të shprehur përkrahjen time për Parlamentin e Kosovës. Ne kemi biseduar se sa e rëndësishme është për Kuvendin që të mbajë seancë nesër, në mënyrë që të miratohen ligje që janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha ambasadori Delawie, në adresimin para gazetarëve.
Duke i konsideruar veprimet e partive opozitare si të dëmshme për vendin dhe demokracinë e Kosovës, Delawie kërkoi nga deputetët e tyre që të qëndrojnë në Kuvend dhe të mos përdorin dhunë. Ai tha se investitorët po i shohin imazhet e dhunës, dhe se kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën.
“Duhet të them se njerëz nga mbarë bota, janë duke parë në televizor imazhe të dhunës dhe kaosit në institucionet më të rëndësishme dhe demokratike të Kosovës. Kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën. Për ata njerëz që sjellin armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euro-atlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja”, theksoi ambasadori amerikan.
Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për qëllim ta ndihmojnë Kosovën që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë dhe të trajtohen të barabartë para ligjit.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se është një shqetësim i të gjithë miqve që kanë ndihmuar në shtetndërtimin e Kosovës se me veprimet e fundit demokracia e saj po dëmtohet. Kryetari Veseli falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për Kosovën dhe veçanërisht Kuvendin e saj, duke shtuar se Kosova do të jetë storie e suksesit, si një shtet ligjor dhe demokratik.
Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në Kuvend dhe që së bashku të punojnë për të mirën e vendit. Kryetari Veseli theksoi se Kuvendi nuk ka nënshkruar asgjë dhe nuk duhet të jetë pjesë e bllokimit, por vend i diskutimeve dhe debatit, nga i cili nuk do të prodhohen skenarë që destabilizojnë vendin.
Kryetari i Kuvendit i konsideroi të dobët dhe që nuk ia duan të mirën këtij vendi të gjithë ata të cilët krijojnë situata dobësie dhe konflikti në Kuvendin e Kosovës.
“Unë dëshiroj të sigurojë ambasadorin e SHBA-së se investimi i partnerëve tanë, veçanërisht i SHBA-së në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe demokracinë kosovare ka qenë i drejtë dhe Kosova do të jetë storie e suksesit, një shtet ligjor, stabil, demokratik dhe i zhvilluar ekonomikisht”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Mbledhja plenare e Kuvendit, e ndërprerë më 15 tetor, do të vazhdojë të premten, më 23 tetor, në orën 16:00, ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, kurse munguan ata të partive opozitare.
“Thirrja e seancës së Kuvendit të Kosovës është provokim dhe papërgjegjëshmëri politike”, ka deklaruar opozita kosovare.
Opozita paralajmëron se, “nuk do të ketë vazhdim të seancës për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet”.
“Protestën nuk do ta ndalim pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit. Qeveria e ka sjellur këtë situatë jashtëzakonshmërie në Kosovë. Ne si deputetë të Opozitës as nuk do të zbrapsemi e as nuk do të pushojmë deri sa të tërhiqen marrëveshjet që e cungojnë Republikën dhe territorin e saj”, thuhet në deklaratën e opozites.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor është i bllokuar nga opozita. “Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
KORRUPSIONI DHE MORALI
NGA ILIR HASHORVA-New York/
Duke përdorur një shprehje matematike, mund të themi se korrupsioni dhe morali kanë korrelacion negativ: kur ulet njëri, ngrihet tjetri: kur ulet morali, korrupsioni ngrihet.
Në universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës një pedagog i fakultetit juridik, për të kaluar një student në dy provime, kërkoi dhe mori prej tij 500 euro. Një turp i shumëfishtë, së pari, se pedagogu ishte jurist dhe, së dyti, sepse ishte arsimtar. Në një vend normal, në çast ministri i Drejtësisë do të ndiente përgjegjësi dhe do të jepte dorëheqjen dhe, po ashtu, edhe ministri i Arsimit. Por vendi ynë nuk është normal dhe të dy ministrat vazhduan punën, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Po ashtu, opinioni publik, që mund të dëgjohet përmes shtypit, heshti. Heshti, ose sepse skandale të tilla tashmë konsiderohen si ngjarje të rëndomta prej të cilave jemi imunizuar dhe nuk na bëjnë përshtypje, ose sepse nuk arrimë të kuptojë pasojat e tyre.
Pedagogu i universitetit të Shkodrës mund të jetë një jurist i përkryer, një profesionist i mbaruar, por profesionalizmi i tij, edhe në qoftë se e ka, gjë që unë nuk besoj, me sjelljen që bën, jo vetëm që nuk shërben, por dëmton. Një pedagog i drejtësisë që shet provimin bën dy herë krim: së pari, sepse i prish moralin një studenti, një njeriu të së ardhshmes dhe, së dyti, sepse ai student, që nesër do të bëhet jurist dhe do të gjykojë të tjerët, edhe sikur të dojë, do të jetë krejt i paaftë për të gjykuar mirë e drejtë.
Me rastin e ardhjes në Tiranë të shahistit Gari Kasparov ca kohë më parë, i cili u prit me nderime të mëdha nga zyrtarë të lartë të qeverisë, duke përfshirë edhe kryeministrin, Edi Rama, dhe ministren e tij të Arsimit, Lindita Nikolla, dhe, siç e kemi zakon kur entuziazmohemi, bëjmë deklarata të bujshme të cilat i harrojmë që të nesërmen, aty për aty vendosën që lojën e shahut ta vinin në programet shkollore. Për këtë ngjarje bëra një shkrim në të cilin theksoja se në shkollat tona, për kushtet ku ndodhemi, duhen vënë, përveç të tjerave, jo shahu, por lëndë të tilla si edukata morale dhe ajo qytetare. Shkrimi u përkrah, por edhe u kritikua. Një ndër kritikuesit, shkruante: “Cfare kujton autori (domethënë, unë) se ne Korene e Jugut nxenesve u mesojne rregullat e miresjelljes ne restorant, apo si te kuptojne pikturat e Pikassos dhe muziken e Stravinskit? Jo or jo, u mesojne matematike, fizike, kimi, elektronike, programim kompjuterash etj kesisoji dhe po u teproi kohe, ose vete nxenesit sipas prirjeve dhe deshirave perfshihen ne kurrikula opsionale per formimin e pergjithshem kulturor”. Ky është sot mendim dominues në shoqërinë tonë: “të ngrihemi profesionalisht”, sepse “ashtu përparojmë dhe përfitojmë”, të tjerat nuk kanë rëndësi. Por, siç thotë Ajnshtajni, pa moral, nuk ngrihemi dot as profesionalisht, sepse “Cilësitë morale të personaliteteve të shquara janë shumë më të rëndësishme, sesa arritjet e tyre intelektuale. Madje edhe arritjet intelektuale janë të varura më shumë nga ç’mendohet nga karakteri i personit”.
Sot, me që kemi një rast të pastër korrupsioni, si pasojë e një morali të dobët shoqëror, po sqaroj sepse mendoj se edukimi moral i njerëzve është i një rëndësie të dorës së parë sidomos, duke pasur parasysh edhe se vendet më të pastra moralisht, vendet më pak të korruptuara, janë edhe vendet më të zhvilluara dhe më të lumtura të botës dhe se vendet më të korruptuara janë edhe vendet më të prapambetura dhe më të zymta të botës.
Sipas Transparency International, korrupsioni është një problem për të gjitha vendet, ndonëse jo njëlloj për të gjitha, madje me ndryshime të mëdha, dhe ka të bëjë me ryshfetin, me mosdënimin e të korruptuarve, me marrëveshjet e fshehta midis atyre që kanë në dorë fatet e vendit etj. Korrupsioni jo vetëm që shkakton vjedhjen e të ardhurave të pjesës më të lëndueshme të popullsisë, por minon drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit si dhe dëmton besimin publik mbi qeverinë dhe udhëheqësit e saj. Po sipas Transparency International, në vitin 2014, ndër 174 vende të botës, vendet e para për mungesë korrupsioni i zinin këto 7 shtete: Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Singapori. Këto janë njëkohësisht edhe nga vendet më të zhvilluara, më të pasura dhe më të lumtura të botës. Shqipëria në atë renditje zinte vendin e njëqind e dhjetë, pra shumë poshtë mesatares botërore.
Për moralin në Korenë e Jugut, vend të cilin e përmend edhe kritikuesi i shkrimit tim, si dhe për atë në Japoni, po them se, para se të bëheshin vende të zhvilluara, patën kujdes ngritjen morale të popullsisë së tyre dhe për këtë po tregoj dy ngjarje domethënëse e tepër të çuditshme, sidomos për ne, që kanë lidhje me moralin.
Në Korënë e Jugut (sipas gazetës “Finacial Times, 29.12.1997 dhe sipas BBC, 15.1.1998)
Koreja e Jugut është një shtet që në 50 vitet e fundit, ka arritur të shtojë rreth 17 herë të ardhurat për frymë, duke arritur një nivel të lartë jetese si dhe një prodhim global të konsiderueshëm. Në disa degë prodhimi ajo është udhëheqëse botërore. Kohët e fundit, për shkak të disa të metave të politikës së saj ekonomike e financiare (është fjala për vitet 1997-1998), sidomos në investimet e huaja në ekonominë e saj, politikë e cila pasi i siguroi Koresë një prodhim, bollëk dhe fitim të jashtëzakonshëm për gjysmë shekulli, e hodhi sot në një krizë të përgjithshme monetare. Koreja e Jugut iu drejtuar disa organizmave financiare botërore si FMN dhe BB për ndihmë. Por, ja se ç’ndodhi:
Populli korean e ndjeu veten të fyer që qeveria e tij iu drejtua organizmave ndërkombëtare për ndihmë financiare. Ai e konsideroi këtë si një turp kombëtar i cili duhej shlyer me kontributin e të gjithë popullit. Kështu, populli vendosi të ndihmonte shtetin e tij me çdo gjë të çmuar që kishte. U hapën kudo qendra të pranimit të kontributeve të qytetarëve. Njerëzit zunë radhën në këto qendra për të dorëzuar te shteti, tek i cili, natyrisht, kishin besim të plotë, sendet e vyera që kishin: gratë e vajzat dorëzuan bizhuteritë, sendet e zbukurimit, apo ato që marrin vlera të shenjta kur kalojnë nga një brez te tjetri, apo kur dhurohen nga një njeri i dashur; sportistë dorëzuan kupat e arta, medaljet e arta, trofetë dhe suveniret e ndryshme; biznesmenët e të moshuarit dorëzuan çelësat e artë, simbole koreane të suksesit ose të jetëgjatësisë.
Sa popull krenar! Për një vend tjetër, sigurimi i huave nga FMN-ja apo nga BB-ja do t’i paraqitej popullit si një sukses i qeverisë dhe populli do të kënaqej për këtë.
Në Japoni (sipas gazetës Corriere della Sera, 14. 12. 1997):
Ky vend, i ngritur mbi katër ishuj relativisht të vegjël shkëmborë, pa asnjë pasuri natyrore, me një dendësi të madhe popullsie, zë vendin e dytë (sot të tretin) në botë për prodhim të përgjithshëm dhe është udhëheqës botëror në shumë degë të teknologjisë e të kërkimit shkencor. Popullsia e tij është tepër nacionaliste e tradicionaliste. Ai vend vetëm në shekullin e kaluar u hap ndaj botës. Tregimi që po japim dëshmon për një veçanti në moral që mund të jetë shkak për një mori të tjera dallimesh me rëndësi kundrejt popujve të tjerë, që ndikojnë pastaj në zhvillimin e atij vendi dhe të atij populli. Ky tregim i vërtetë dëshmon për një popull që nuk e njeh dhe nuk e pranon hilen, mashtrimin, dredhinë, frikën, egoizmin, madje i lufton rreptë ato.
Në vitin 1939, vdiq në Japoni me zemër të thyer, tepër i dëshpëruar nga përbuzja dhe braktisja Masabuni Hosono. Ishte i vetmi burrë japonez që u ndodh në të famshmin “Titanik” dhe shpëtoi nga vdekja natën e vitit 1912, kur bashkë me anijen, u mbytën dhe rreth 1500 pasagjerë.
Në një nga varkat e fundit të shpëtimit që lëshoi Titaniku, pasi zunë vend gratë dhe fëmijët, ngelën edhe dy vende bosh. Marinari që drejtonte varkën kërkoi që të ziheshin edhe ato dy vende. Një burrë u hodh i pari dhe zuri një nga vendet. Hosono, japonezi, u hodh i dyti dhe zuri vendin e fundit të lirë. Japonezi shpëtoi së bashku me 705 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë. Një gazetë amerikane e kohës shkroi për këtë ngjarje një artikull me titull “Japonezi me fat”. Ai japonez u bë në Japoni një nga më fatzinjtë. Sipas moralit japonez, ai vërtet shpëtoi jetën, por humbi nderin dhe jeta pa nder nuk i duhej kujt. Hosono nuk iu shmang dot për gjithë jetën përbuzjes së popullit dhe të afërme të tij. Ata nuk e falën kurrë atë, sepse, duke qenë burrë, kishte shpëtuar jetën e tij e cila u takonte vetëm grave dhe fëmijëve. Ai kishte tradhtuar sensin japonez të nderit. Ai për ta ishte bërë shembull i gjallë i një sjellje të poshtër, një sjellje frikacaku e egoisti të cilën nuk do ta pranonte asnjë japonez tjetër. Me shpëtimin që siguroi duke u hedhur në varkën e shpëtimit, ai tradhtoi shpirtin e vetësakrifikimit që dallonte një “samurai japonez” dhe që i jepte atij një vend nderi mbi atë të një njeriu të zakonshëm. Kur Hosono vdiq në vitin 1939, ishte kthyer në një njeri krejtësisht të dërmuar. Edhe familja e tij ndjehej e turpëruar për atë që kishte bërë ai: për mbijetesën e tij “të turpshme”.
E, pra, me popuj të edukuar në masë me moral, etikë e atdhedashuri si këta që përmendëm, vendi mund të bëjë çudira. Janë rregulla të shkruara e të pashkruara, por të zbatuara, etike e morale, të vendosura nga filozofë, moralistë e nga vetë shteti që përpunojnë moralisht mendësinë e njerëzve dhe që bëhen shkak më pas për shumë veprime të tjera me rëndësi të dorës së parë në zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të një populli dhe që e bëjnë atë që të zërë një vend nderi midis popujve të tjerë të botës.
Kur unë sugjeroja që në shkollat tona të rivihej si lëndë mësimore morali, ashtu siç kishte qenë dikur, dhe duhet të pranojmë që të parët tanë kanë qenë me moral shumë më të ngritur se ne, fëmijët e tyre, nuk pretendoja se ai do të ndryshonte gjendjen plotësisht dhe menjëherë. Ajo lëndë do të ndihmonte natyrisht, por janë edhe plot mekanizma të tjerë që ka në dorë shoqëria dhe shteti të cilat duhen venë në lëvizje, në mënyrë që gjendja të ndryshojë. Por vendosja e asaj lënde, do të tregonte, të paktën, se kemi një problem dhe se duam të ndryshojmë, se duam të bëhemi më të mirë, se duam të bëhemi më të moralshëm, se duam të dimë të dallojmë të mirën nga e keqja, gjë që sot edhe këtë e kemi vështirë ta bëjmë.
Nju Jork, 15.10.2015 Ilir Hashorva
Serbia mbetet pa puplat e rrenës, Kosova në UNESCO!
Nga Fahri XHARRA/
(Ja edhe një arsye që Serbisë t`i shemben gënjeshtrat : Nije “šota” šiptarska( Vallja e “Shotes” nuk është shqiptare ).
Për derisa Ahmet Qeriqi,shkruan: Vallja e shotës, valle autoktone shqiptare e Kosovës, që përshkoi si rrymë tëra vendet e Ballkanit e më gjerë’ Vallja e Shotës, është njëra ndër vallet e cila luhet, por edhe këndohet në Kosovë, Shqipëri, në Bosnje, në Serbi, Kroaci, Maqedoni, Turqi, Bullgari e madje edhe në Greqi, jo vetëm te arvanitasit. Nuk besoj të jetë shënuar në muzikën e popujve ballkanikë një valle aq e luajtur dhe aq e përhapur sa “Shota”, e cila është e vetmja valle, që ka depërtuar edhe në muzikën
serbe, ndërsa në muzikën boshnjake është po aq e mbase edhe më e përhapur se te ne. Nuk e saktësojmë dot kohën kur është luajtur për herë të parë në Shqipëri, por e dimë me siguri se në Kosovë është luajtur edhe para luftës së Dytë Botërore. Gjyshet tona, një pjesë e madhe prej tyre, sidomos në Drenicë, kanë ditur ta luajnë vallen dhe e kanë luajtur e kënduar nëpër dasma.‘
Serbët shkruajnë :” ŠOTA nije albanska reč, ni albanska pesma, to je čisto srpska pesma, Šotka i Šotan su srpski bračni par koji očekuje prinovu.” ( Shota nuk është fjalë shqipe e as këngë shqipe, kjo është këngë e pastër serbe. Shotka dhe Shotani tek serbet quhet çifti i ri bashkëshortor , që e pret lindjen e fëmiu të parë).
Më tej në burimet serbe lexojmë: “ Të fillojmë nga emri. Emri “Shota” nuk ekziston në gjuhën shqipe dhe nuk e ka asnjë kuptim. Cili është ai popull normal ,i cili e quan një valle të tij kombëtare , emri is ë cilë në atë gjuhë nuk do të thot gjë? Edhe nëse kjo është valle shqiptare (šiptarska igra ), atëherë pse shqiptarët nuk e kanë asnjë valle tjetër kombëtare. Pse nuk ditën të bëjnë diçka tjetër të mrekullueshëm si vallen e Shotës? Ndoshta ka lindur ndonjë kompozitor tjetër që të bënë një “Shotë” të re? Shqiptarët(Šiptari ) nuk kanë vargje të shkruara në gjuhën shqipe që të krijojnë një vepër të tillë arti , si vallja “Shota” . Cili popull i bën këngët e tija kombëtare në një gjuhë tjetër , e cilat bile as që nuk ngjajnë ndër veti ? ( Upss “Anila Omari dhe gjuha shqipe , fxh ) ? Nisu, valjda, Šiptari pravili pesme na srpskom jeziku?( Vallë , shqiptarët të bëjnë një këngë në gjuhën serbe ?)
Burimet shqiptare:“Shota është një valle karakteristike e luajtur nga valltarët, me tërë energjinë dhe me ritëm të shpejtë, e cila zakonisht luhet nga dy valltarë, mashkull femër, (apo edhe në më shumë çifte), është valle që përshkohet me një ritëm impresionues që zgjon peshë emocionet si nga lëvizjet e shpejta ritmike, që nuk është mjaft karakteristikë e valleve shqiptare, por në këtë valle kemi karakteristika të cilat mendojmë se kanë disa veçori, që paksa dallojnë nga vendi në vend.” Vallja e Shotës ka qenë edhe në repertorin e Orkestrës Filharmonike të Beogradit, versioni i përpunuar nga kompozitori i njohur kroat, Josip Sllavenski, pastaj Rexho Mulliqi e të tjerë.”.
Pastaj lexojmë : Në emër të kësaj valleje, e cila ka simbolizuar dhe shprehimisht ka nënkuptuar Shote Galicën, Lidhja Socialiste e Popullit punonjës të Kosovës, qysh në vitet e para të pushtetit popullor jugosllav e kishte themeluar ansamblin e këngëve dhe valleve, dhe qysh atëherë ishte emërtuar Ansambli me emrin, “Shota”, ansambël i cili aktualisht financohet nga Kuvendi i Kosovës, por nuk ka një aktivitet të përhershëm në paraqitje para publikut. Ky ansambël tipik aktivizohet shumë rrallë dhe nuk ka arritur ta ruajë vazhdimësinë dhe simpatinë e shikuesve që kishte pasur dikur. Edhe pse i konceptuar si ansambël i këngëve dhe valleve të kombeve dhe kombësive të Kosovë-Metohisë, ky ansambël tuboi rreth vetes valltarë virtuozë dhe këngëtarë të njohur nga Kosova e më gjerë, por nuk e ka arritur asnjëherë nivelin e Ansamblit të Këngëve dhe valleve të Shqipërisë, apo ansambleve të tjera kombëtare të popujve të Ballkanit, në radhë të parë për shkak të mungesë së profesionalizmit dhe konceptit të qartë kombëtar.
Ky ansambël po thuajse në çdo shfaqje fillon me ekzekutimin dhe interpretimin e valles së “Shotës” vallja më karakteristike dhe më e njohur te të gjithë popujt e Ballkanit, e vetmja valle që ka depërtuar te të gjithë popujt dhe që mbijeton edhe sot, çuditërisht po thuajse edhe në të gjitha shoqëritë kulturore e muzikore të Serbisë. “ (» Ahmet Qeriqi: Vallja e shotës, valle autoktone shqiptare e Kosovës, që përshkoi si korrent tëra vendet e Ballkanit e më gjerë )
Duke parë se kjo valle është futur aq thellë në popull dhe duke qenë se nuk ka grup folkloristik që nuk e kishte pasur, dhe nuk e ka në mesin e këngëve e valleve për interpretim, publiku serb, duke mos pasur rrugë tjetër, ka filluar ta përvetësojë si valle të moçme të serbëve të Kosovës, duke u mbështetur në emrin e valles e cila sipas tyre i përket gjuhës serbe.
Histeria serbe vazhdon: “ Sikur të pyenin të huja se e kujt është Shota” Pergjegja kishte me qenë : e serbëve. Fjala “„šota” në folmen e serbëve te Kosovës (žargonu kosmetskih Srba) do të thot gruaja shtatëzanë që i ngeh këmët si “shota” Kënga e “Shotës ka lindur në rrethin e Prizrenit , luhet në taktin 7/8 sikur se kënget tjera serbe të kosmetit : „Razgranala grana jorgovana”, „Cveto, kalušo”, „Baš mi je merak”.Edhe unë kisha dashur që të konsultohet këgëtari i Prizrenit ( shqiptar ortodoks) Jordan Nikoliqi i cili sipas serbëve paska qenë themelues i Ansamblit “Shota “ se e kujt është kënga dhe vallja “Shota”.
Ne serbëve iu themi : Fenomeni dhe tipologjia muzikore artistike e ritmike e kësaj valleje, e cila me lehtësi i ka përballuar kohës, duke u radhitur si valle emblemë, në mesin e valleve si “Vallja e shqipeve”, “Vallja e burrave” “Vallja e shpatave” dhe valle të tjera karakteristike, ka veçantitë dhe veçoritë e veta në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni. Fakti se kjo valle luhet dhe këndohet te të gjithë popujt e Ballkanit e më gjerë, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fenomen që nuk është vetëm muzikor, aq më pak i rastit, por sipas mendimit tim lidhet me traditën historike, me një apo disa personalitete të caktuara të historisë së rezistencës shqiptare, e cila i akordon traditës të pashkëputur të historisë sonë kombëtare, e njohur për kontributin madhor që ka thënë femra në jetën shoqërore, dokesore, në historinë e shtetit, të rezistencës dhe të luftërave çlirimtare. Në të gjitha luftërat tona çlirimtare prej kohës së Skënderbeut e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, femra ka luajtur rolin e vet historik, të pamohueshëm.
Ne serbëve iu themi, mos e rreni botën se edhe vallja “Shota “ si dhe hanjitë tjera që ia keni bërë këtij populli , me të futur Kosova në Unesko , do të iu dalin në shesh . Po i kuptoj të mjerët se ndoshta përfundimisht e vërteta shqiptare e Kosovës në mënyrë të dokumentuar do të del në shesh.
Unë po e vazhdoj shkrimin tim me karakteristikat e popullit tonë e në këtë rast të “shotëgalicave: historike shqiptare: “Po ta krahasojmë këtë fenomen me rolin e femrave te popujt e tjerë, sidomos te popujt ballkanikë, vërehet pa dyshim se roli i femrës shqiptarë në luftë dhe në rezistencë, që nga koha ilire, fuqimisht ka qenë më i shprehur, sesa roli i femrës bullgare, serbe, rumune, kroate e të tjerë. (Ahmet Qeriqi ) Vetëm në kohën antike, femra ka lënë emër të paharrueshëm dhe të pakrahasueshëm. Femrat e njohura të asaj kohe, sipas Homerit dhe dramaturgëve grekë janë: Helena, Andromaka, Elektra,Penelopa, Antigona, Medea e shumë të tjera. Në luftërat e Greqisë kundër Turqisë njihet vetëm një femër, Bubulina Laskarina, por ajo është me origjinë suljote, arvanitase. “
Pra , puplat apo pen`lat e rrenave kanë filluar të biejnë për tokë , ato mbanin nxehtë por ishin të huajat.
Kosova sot votohet për UNESCO
– Thaçi nga Parisi: Edhe pak orë na ndajnë nga vota e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Fushata jonë pozitive është përshëndetur nga shumë miq të Kosovës/
-Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO janë të angazhuara së bashku pozita dhe opozita kosovare/
-Sopranoja Inva Mula, këngëtarja Rita Ora dhe shkencëtari Ferid Murad janë vetëm disa nga figurat eminente globale që kanë shkruar kolumne ku kanë ftuar mbarë komunitetin ndërkombëtar për të përkrahur aderimin e Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNESCO/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Tetor2015/ Kosova sot votohet për kandidaturën e pranimit në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate të OKB-së, në Paris, prej nga kryediplomati kosovar Hashim Thaçi jep mesazhin: “Të jemi aty ku meritojmë – të barabartë”.
“Edhe pak orë na ndajnë nga vota e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Fushata jonë pozitive është përshëndetur nga shumë miq të Kosovës”, shpreht ai.
Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të votojë sot për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB, ndërsa në fillim të nëntorit pritet që Asambleja e Përgjithshme e saj të votojë anëtarësimin përfundimtar. Një javë më parë, Bordi Ekzekutiv ka aprovuar axhendën përfundimtare, ku është përfshirë edhe anëtarësimi i Kosovës në organizatë, pikë kjo e bashkësponsorizuar nga 47 shtete anëtarë të UNESCO-s.
Për anëtarësim, Kosova aplikoi para pak më shumë se tre muajëve, në 16 korrik.
“Sapo aplikuam për anëtarësi në UNESCO, agjencionin e OKB për arsim, shkencë dhe kulturë”, bënte të ditur zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. “Ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s që kemi zhvilluar vetëm këtë vit”, theksonte ai.
“Është ky një hap që fuqimisht zgjëron interaksionin tonë global”, vlerësonte kreu i diplomacisë së Kosovës.
Ndërsa, më pas kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se ishte njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO.
“Përgëzoj ministrin e Jashtëm, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një punë të madhe dhe me përkushtim”, shprehej ai.
“Në takime me liderë evropianë dhe botërorë kam marrë zotime se Kosova do të përkrahet fuqishëm në këtë proces. Jemi zotuar, po ashtu , se edhe ne do të përmbushim detyrimet tona ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ky është një zhvillim i rëndësishëm diplomatik për Kosovën”, theksonte Mustafa.
Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaronte në12 shtator Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi vlerësonte se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.
“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksonte ai.
“Ambasadorja në delegacionin e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare ka luajtur një rol thelbësor. Ekipet tona, imi dhe i saj, kanë qenë të ngjizura, prej tre muajsh kemi kontakt ditor, madje gati çdo orë, sidomos në periudhën e fundit dyjavore, kur për shkak të mosqasjes së Kosovës në UNESCO, Shqipëria ka marrë një rol shumë aktiv të mbledhjes së nënshkrimeve”, shpreehej zv/ministi i Jashtëm kosovar, Selimi.
Më tej në deklaratë, numri dy i MPJ-së kosovare për ambasadoren Kadare vlerësonte se është “një diplomate që ka emër, eksperiencë dhe reputacion të mirë, është zëvendëspresidente e Komitetit Ekzekutv dhe si e tillë mund të them se ka luajtur një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara”.
Zv/ministri Selimi shprehej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim gjatë verës përmes Nju Jorkut, sipas rekomandimeve nga vetë agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara.
“OKB-ja në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, theksonte ai. Selmi bënte të ditur se drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka përcjellë më tej aplikimin e Kosovës në Boordin Ekzekutiv të UNESCO-s. “Ky zhvillim ka hapur dyert që Kosova të futet në axhendën e Bordit Ekzekutiv”, theksonte ai duke shtuar se duhet shumica e thjeshtë për t’u votuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, në javën e parë të nëntorit, me ç’rast do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin në këtë agjenci të OKB-së.
Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO janë të angazhuara së bashku pozita dhe opozita kosovare. “Kosova ka vlera të panumërta që mund t’i ofrojë komunitetit ndërkombëtar”, shprehet AAKdhe fton qytetarët e Kosovës që, “të nënshkruajnë peticionin për pranimin e Kosovës në UNESCO, në mënyrë që zëri ynë të jetë më i fuqishëm se zëri i kundërshtarëve të këtij procesi”.
Ndërkohë, mbi tridhjetë medie të shkruara, elektronike dhe online të Kosovës i kanë dërguar një letër drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në mbështetje të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.
Letrën e kanë nënshkruar pronarë, kryeredaktorë apo gazetarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Kjo mbështetje e rëndësishme e komunitetit mediatik vjen pas angazhimit të një sërë institucionesh dhe personaliteteve me famë botërore të cilët i janë bashkuar aspiratës së shtetit kosovar për anëtarësim në UNESCO”, thekson MPJ e Kosovës.
“Ne vazhdimisht e vëzhgojmë punën e qeverive tona dhe jemi zëri kryesor kritik ndaj tyre kur ato dështojnë të japin rezultatet e duhura – qoftë në luftë kundër korrupsionit, reformën e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimit, apo në rritjen ekonomike… Që Kosova vërtetë të ketë sukses në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të fortë, demokratike dhe të hapur, me respekt të plotë për liritë individuale dhe të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e patjetërsueshme të shprehjes, ne na duhen mundësi të barabarta. Dhënia e mundësive dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për të rinjtë tanë në arsim, shkencë dhe kulturë mund të jetë e dobishme për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne sot ju nxisim që të mbështetni kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, thuhet në letrën e mediave.
Sopranoja Inva Mula, këngëtarja Rita Ora dhe shkencëtari Ferid Murad janë vetëm disa nga figurat eminente globale që kanë shkruar kolumne ku kanë ftuar mbarë komunitetin ndërkombëtar për të përkrahur aderimin e Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNESCO.
Kosova, shteti më i ri evropian, me pavarësinë e shpallur para shtatë vitësh, në 17 shkurtin historik 2008, deri tash është njohur nga mëse 110 vende anëtare të OKB-së.–
Atifete Jahjaga
18 hrs ·
Kosovo protects its cultural heritage and is proud of its values and diversity. Kosovo deserves to be in UNESCO. All for #KOSOVOinUNESCO
Hashim Thaçi updated their cover photo.
13 hrs · Edited ·
Edhe pak orë na ndajnë nga vota e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Fushata jonë pozitive është përshëndetur nga shumë miq të Kosovës. Ndihmoni edhe ju. Postoni foto në Facebook, Twitter, Flicker, të Kosovës sonë të bukur dhe të shenjtë. Autori i fotos më të mirë me hashtag#KosovoinUnesco fiton një udhëtim në Paris. Me pozitivitet, pa ofendime, kryeneç të jemi aty ku meritojmë – të barabartë. Bashkangjitu fushatës. HTH
- « Previous Page
- 1
- …
- 753
- 754
- 755
- 756
- 757
- …
- 986
- Next Page »