Nga Frank Shkreli/
Disa ditë më parë, gazeta e Tiranës Telegraf njoftonte për gjëndjen e mjeruar të shtëpisë ku ka jetuar poeti kombëtar At Gjergj Fishta, duke thënë se vetëm disa ditë para 144 vjetorit të ditlëlindjes së Fishtës më 23 tetor, janë disa foto të hedhura në facebook që na kujtojnë gjëndjen e mjerueshme të shtëpisë ku ka banuar poeti dhe rilindasi shqiptar. Gazeta vazhdon duke theksuar se ndonëse busti i Fishtës ndodhet përpara shtëpisë, mbrenda saj është një gjëndje me të vërtetë e mjerueshme dhe për të ardhur keq, ndërkohë që dhomat e shtëpisë janë këthyer në magazinë për kallamishtët e misrit, shkruante gazeta Telegraf.
Nuk është hera e parë që shtëpia, në rrënim e sipër, ku ka banuar At Gjergj Fishta bie në sytë e medias dhe të publikut. Tetorin e vitit të kaluar biznismeni nga Kosova Sabri Maxhuni u kishte propozuar autoriteteve qëndrore në Tiranë dhe administratës vendore në Shkodër restaurimin e shtëpisë, duke ofruar që shpenzimet për restaurimin e banesës së atit të letrave shqipe t’i merrte ai vet përsipër, ndërsa kishte deklaruar se projektin për një nismë të tillë e kishte gati, duke u shprehur se do i kushtohej vëmendja më e madhe rujatjes së orgjinalitetit të shtëpisë. Në atë kohë Z. Maxhuni kishte deklaruar për median se nuk duhej të përballej me ndonjë pengesë për miratimin e këtij projekti, por duket se e kundërta ka ndodhur, pasi ka kaluar më shumë se një vit dhe asgjë nuk ka ndodhur, madje as ndonjë prononcim nga autoritetet, në favor ose kundër. Sipas lajmeve të asaj kohe, Sabri Maxhuninuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe asnga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër. Në të vërtetë, ai kishte paralajmëruar se autoritetet shqiptare mund t’i qisnin probleme, ndërsa pat deklaruar se, “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë”, së At Gjergj Fishtës.Por Sabri Maxhuni megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mundi të përballonte burokracinë anti-fishtjane të Shqipërisë post-komuniste.
Për arsye të mungesës së transparencës nga autoritetet, është e pamundur të thuhet se çfarë komunikimesh mund të ketë pasur midis Sabri Maxhunit dhe autoriteteve përkatëse shqiptare në lidhje me këtë projekt dhe se ku mund të qëndrojë problem. Por ajo që duket e qartë sot, sipas lajmeve në median shqiptare, del se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar. Përkundrazi, ajo që është e qartë, është se përveç mungesës së vullnetit të mirë zyrtar për ta restauruar shtëpinë e Gjergj Fishtes, ajo banesë në të vërtetë po denigrohet, duke u këthyer në një magazinë për kallamishtët e misrit. Vendi ka përvojë 50-vjeçare nën komunizëm për të këthyer monumentet dhe qëndrat e kulturës shqiptare në magazina dhe salla sporti e për kallamishte misri!Mos prononcimi i deritanishëm zyrtar në lidhje me banesën e At Gjergj Fishtës, në të vërtetë, tregon mos interesim dhe heshtjearrogante të autoriteteve për këtë projekt. Si e tillë, nuk mund të cilësohet më thjeshtësi një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje. Kjo tregon një mos respekt të theksuar dhe të kalkuluar mirë nga autoritetet shtetërore, ndaj Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij me vlera kombëtare, në një kohë kur në midis të Tiranës ndërtohet një bunker, gjoja për t’i kujtuar brezave të ardhëshëm kohën e komunizmit, ndërkohë që anë e mbanë Shqipërisë ka ende me mijëra bunkere të asaj kohe.Bunkerat, këto simbole të izolimit të Shqipërisë dhe të një politike absurde të udhëheqjes së saj komuniste, gjoja për t’u mbrojtur nga armiqë që nuk ekzistonin!
Megjithë absurditetin e shpenzimeve për ndërtimin e një bunkeri mu në qëndër të Tiranës, është e vërtetë se shteti nuk mund dhe nuk duhet të financojë lloj projektesh, por ama janë disa projekte dhe figura të historisë kombëtare që duhet të kujtohen dhe vlera e vepravedhe kontributi historik i tyre të përjetësohen për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve por edhe si pasurim i historisë dhe kulturës shqiptare edhe për të tjerët. Një i tillë është dhe duhet të jetë At Gjergj Fishta,në mirënjohje ndaj tij dhe në kujtim të kontributit historik kombëtar në përgjithësi, të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave të shumëta letrare e sidomos të epopesë kombëtare, Lahutës së Malësisë: të kësaj kënge, që sipas At Daniel Gjeçajt, “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel alpet e mjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit”.
Për më tepër, At Daniel Gjecaj ka shkruar në parathanjën e Lahutës së Malësisë të cilë ai e kishte botuar në Romë më 1958 se kjo vepër e At Gjergj Fishtës,është një thesar i vlerave stërgjyshore të kombitshqiptar, është terësia e tipareve morale të shqiptarit, të cilat janë çmuar dhe çmohen nga bota.“Ashtë shkolla e votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës u ruajt, deri më sot nderi, burrënia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese e racës , bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqetsi shembull heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës, fëtyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo’ Lulit, fisnikëria e virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At Daniel Gjeçaj në paraqitjen e botimit të Lahutës më 1958 në Romë.
Fatkeqësia — që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë edhe sot At Gjergj Fishta është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm shekulli. Nga vet kombi i vet të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbit të gjitha, t’i ruante ato dhe në veprat e tija të pavdekshmetë përjetësonte vlerat kombëtare të fisit të shqiptarit.
Megjithëkëtë, kundër At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij vazhdon “përdhunimi historik”, harresa dhe denigrimi, nga një grup siç duket gjithnjë me influence në vendimarrje të tilla, nga një grup historianësh politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese si si “fashist” e “tradhëtar’’. Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian – dhe nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave kombëtare – të një familjeje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.
Fishta i kishte thënë Konferencës së Parisit se nga kjo familje rrjedhë kombi i sotëm shqiptar, “aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë”. Ndonëse, At Gjergj Fishta, gjithë jetën mbrojti të drejtat dhe vlerat e shqiptarit që historikisht gjykohej aq zi në Europë dhe nga armiqët e tij për rreth, lind pyetja se kush do të dalë sot zot e të mbrojë Gjergj Fishtën dhe trashëgiminë e tij nga harresa, denigrimi dhe “përdhunimi historik” nga vet populli tij, zakonet, tiparet dhe vlerat e të cilit ai i përjetësoi, i bëri të pavdekshme!!!!!!????????
Kujtimi, vepra dhe kontributi i At Gjergj Fishtës në historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe duhet të ruhen dhe të kultivohen, sepse kështu do të ruhen vetë vlerat shekullore të shqiptarëve. Vlerat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar – simbol i të cilave ishte Fishta — duhet të shpëtohen nepërmjet kujtesës së trashëgimisë së At Gjergj Fishtës,vlera të cilat ai i përjetësoi në vargjet e pavdekshme të Lahutës së Malëcisë dhe veprave të tjera. Restaurimi i banesës ku ka jetuar At Gjergj Fishta do të ishte një hap i nevojshëm në këtë drejtim. Fatkeqsia është se ushtarët e lodhur dhe mbështetsit në këtë përpjekje — janë të pakët në numër — për të mos thënë në zhdukje e sipër, e me ta edhe kujtesa ndaj poetit kombëtar, At Gjergj Fishta.
Kosova në UNESCO, Nikoliqi kërcon me luftë!
Nga Fahri XHARRA/
Në pamundësi diplomatike për ta evituar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, liderët serbë kanë nisur ta ashpërsojnë fjalorin dhe të kërcënojnë me konflikte dhe luftëra në qoftë se Kosova arrin të anëtarësohet, me arsyetimin se trashëgimia kulturore serbe në Kosovë do të jetë në duar të gabuara. Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç në një tryezë diskutimi përpara diplomatëve të huaj në Beograd ka thënë se pranimi i Kosovës në UNESO ndikon negativisht në dialogun Prishtinë-Beograd, si dhe e përgatit terrenin për një konflikt të ardhshëm.
Zoti Nikoliq dhe e gjithë Serbia e mashtruar nga propaganda kishtare pravosllave serbe mendojnë që me çdo kusht të mbrojnë të vjedhurën ,përvetësuarën dhe çfrytëzimin e të huajës për të vetë,
“Imagjinoni sikur në vendet e juaja, trashëgiminë kulturore ta posedojë dikush që nuk e ka krijuar dhe vazhdimisht tenton ta shkatërroj.- iu thoshte Nikoliqi ambasadorëve të huaj në Beograd , duke harruar të thotë “ imagjinoni sikur dikush të vij në vendet tuaja dhe të përvetëson tërë atë që e ka krijuar historia e juaj. “ Shqiptarët janë në vështirësi të mëdha – kisha thënë unë.
Në Kosovë ruhet kutura e vjetër autoktone dardano-shqiptare por edhe trashëgimia europiane e një nisme të civilizimit të saj dhe një vrapi të madh i një qytetërimi unik botëror.
Kosova ishte vendi i vetëm në Europë që pas një pushtimi 500 vjeçar otoman që edhe për 100 vjetë të tjera iu ndërrua pushtuesi ; i cili vetëm shkatërroj identitetin shqiptar mijëra vjeçar të kësaj toke por edhe e përvetësoi kulturën dhe trashëgiminë e saj mijëra vjeçare.
Nëse me ndërmjetësimin e Bashkësisë Ndërkombëtare , Kosova pranoi që të futet në bisedime me Serbinë për të rregulluar çështjet ordinere që janë të zakonshme pas çdo lufteje : Kosova nuk do të lëshoj pe dhe të mohon të tërë atë që historia shqiptare ia la trashëgim.
“Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianizimin shqiptar . Gjeografia, shkenca më kokëfortë na dokumenton që ne jemi europian, pasi banojmë në ato troje ku më para banonin ilirët kjo pasohet nga histori e cila nuk jep asnjë dëshmi ardhjeje nga ndonjë fis tjetër europian në kronikat e kronikanëve greko-romak. Kultura merret si element bazë i identitetit të një kombi dhe pikërisht ky fat e bën kulturën antike pjesë të studimit tonë e kjo, sepse kultura antike është pasaporta autentike e kulturës kombëtare.- e thotë Kadare . Por kësaj gjeografie i shtohet edhe arkeologjia atëherë dihet pronari .
Bota e di shumë mirë dëmin që na e ka shkaktuar otomanizmi !
“Nëse shikohen me kujdes burimet historike të kohës, si dhe gjetjet arkeologjike, është e qartë se këtu kemi të bëjmë me përvetësimin serb të monumenteve të kultit iliro-shqiptar të periudhës romake e bizantine, një dukuri që është bërë praktikë që nga koha e sundimit nemanjid. Me fjalë të tjera, monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si Kisha e Manastirit të Deçanit, Graçanica, Shenjtorët Mihal e Gabriel në rrethe të Prizrenit, Kisha e Zojës Prenë në Prizren, kompleksi i Patrikanës së Pejës, Kisha e Shën Shtjefnit në rrethet e Mitrovicës, janë të moçme, si për shqiptarët autoktonë, ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë, meqë deri më sot, nga studiues seriozë, askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret në fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine “- e shkruan J.Dranqolli.
Përgjegjësve të UNESCOS dhe shteteve që na mbështesin për “ Kosovën në UNESCO “ iu rikujtojmë se
” Kisha e Manastirit të Deçanit është vepra më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria shqiptaro–dalmate e ardhur nga bregdeti. Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendet edhe mbishkrimi i gdhendur i arkitektit shqiptar atë Vita Kuçi – Cuci. Për jetën dhe veprën e tij, kohëve të fundit, në regjistrat e Arkivit Historik të Kotorrit, kemi gjetur njoftime interesante. Sipas një të dhëne që del nga zyra noteriale e Kotorrit, françeskani atë Vita Kuçi ishte rektor apo kryemurg i kishës “
Edhe këte s`duhet harruar :” Gjithashtu, edhe Manastiri i Shënjtorëve Mihal e Gabriel është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348. Kontribut të madh në ndërtimin e tij kanë dhënë tregtarët katolikë raguzianë, që jetonin e
vepronin në Prizren. “Arkeologët, në rrënojat e këtij manastiri, kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romanik dhe gotik. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku, që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik të punuar në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e katedrales Santa Maria në Firence. Në kishën e këtij manastiri ruhet dhe varri i kryezotëruesit shqiptar, Strazimir Balsha, nga viti 1372. “
Ekspertët e UNESCOS e dine shumë mirë që “Në fillim të shek. XIII u ndërtua Kisha e apostujve në Pejë. Në të vërtetë, kjo kishë, që sot gjendet në kuadër të kompleksit të kishave të Patrikanës së Pejës, sikur këto dy të parat, është rikonstruktim i një ndërtimi të moçëm, të cilit iu dha forma e ndonjë kishe të kohës. Në fasadat e kësaj kishe, me një anijatë, vërehet edhe mënyra romanike e punimit, stilit në të cilin u realizuan objektet sakrale në bregdetin dalmatin dhe shqiptar. Mënyra e punimit me gurë të imët dhe të gdhendur, elementet perëndimore të stilit romanik, romaniko–gotik, dalin në të gjitha objektet e karakterit sakral, të ndërtuara gjatë gjithë mesjetës së zhvilluar në Kosovë. “
Ekspertët e Unescos e dine edhe kate:“Rrënimet dhe përvetësimi e kishave të moçme nga pushtuesit e mëvonshëm serbë, si dhe nëpërkëmbjet e priftërinjve shqiptarë, ndiqen edhe përmes dokumenteve të shkruara të kohës. Vargu i tyre është i gjatë. Janë mbresëlënëse njoftimet e shkrimtarit anonim nga viti 1308; letra e bujarëve shqiptarë dërguar papës, Gjoni XXII, në vitin 1319; relacioni i dominikanit Guillelmus Adae, arqipeshkëv i Tivarit rreth vitit 1330; Kodit të Dushanit nga vitet 1349, 1354; letërpendimi i perandorit Dushan, dërguar papës Inoçenti VI në vitin 1354, etj Njoftimet zyrtare të kancelarive dhe noterive, që vijnë nga këto qendra, sidomos kur bëhet fjalë për veprimtarinë ekonomike dhe organizimin e jetës në këto anë .
Shteteve që janë ende të pa vendosur për “Po , Kosova në UNESCO “ iu themi që në këtë aspekt, sipas letrës së papës Benedikti XI, nga viti 1303, përmendet Kisha famullitare në Rudnik, Rogozinë, Graçanicë dhe Trepçë. Gjithashtu, edhe në letrën e papës Klementi VI, nga viti 1346, përmenden një sërë kishash famullitare katolike në trevat e Kosovës së sotme. Vargu i tyre nis me kishën famullitare në Prizren, për të vazhduar me kishën famullitare në Novobërdë, Janjevë, Kopriç dhe Ostrac. Shumë kisha katolike mesjetare në Kosovë zihen ngojë edhe në relacionet e burrave të shquar të kishës papnore gjatë shekujve XVI–XVIII. Qenia e disa kishave që u përmenden më sipër provohet edhe nga dokumentacioni i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, në Prishtinë.”
Etnogjeneza e shqiptarëve, si etni, shihet e ndërlidhur me Pellazgët, një si perandori me shumë mbretëri, ndër të cilat më të rëndësishme janë ajo dardane me Trojën, mbretëria maqedone, ajo epirote, si dhe mbretëritë ilire. Ky kundrim, nuk e dëmton teorinë e deritanishme ilire, pos që e plotëson në kuadrin e perandorisë pellazge, që ishte botërore dhe themel i qytetërimit antik. Nga trashëgimia pellazge lindën dhe u zhvilluan edhe dy perandoritë e mëdha: ajo e Romës (nga Dardanët, Galabrët dhe Etruskët) si dhe Bizanti (kryesisht nga dardano-ilirët).
Jusuf Buxhovi e thotë : Zemërimi i historianëve dhe i akademikëve serbë është i arsyeshëm, se për herë të parë, ndeshën me një historiografi, e cila rrënon gënjeshtrat e tyre rreth shqiptarëve, me të cilat ata kanë ushqyer edhe programet e njohura hegjemoniste kundër shqiptarëve, me të cilat politika serbomadhe ka ushtruar katër gjenocide kundër shqiptarëve (i pari në vitet 1877/8, i dyti në vitet 1912/’13, i treti në vitin 1944/45 dhe i katërti në vitin 1998/’99). Historianët serbë i ka zemëruar teza pellazge, pastaj pamja e rolit shtetfromues në Bizant, si dhe mohimi i shtetit mesjetar serb në Kosovë, që nuk ka ekzistuar kurrë (pos zhupanive dhe organizimeve të tjera fisnore-fetare, që i kanë pas edhe të tjerët). Po ashtu, akademikët serbë i ka hidhëruar së tepërmi, se në Kosovë nuk ka pas kishë ortodokse serbe, por vetëm krishterim të ritit katolik apo ortodoks, dhe se shqiptarët, krishterimin e kanë marrë nga shekulli i tretë, ndërsa sllavët në shekullin dhjetë. Kjo çështje demanton mitin për Kosovën djep “shpirtëror serbë” dhe të ngjashme, me të cilat historiografia serbe është plot e për plot dhe për fat të keq ia ka dalë të mashtrojë edhe qendrat e vendosjes, dje, por edhe sot… Janë, pra faktet, që më mbrojnë nga akuzat serbe, fakte këto që edhe ata i dinë, por nuk dëshirojnë të heqin dorë prej tyre, ngaqë u bie koncepti hegjemonist serbomadh, me të cilin edhe sot e gjithë ditën përpiqen ta destabilizojnë Ballkanin dhe veçmas shqiptarët. “
Pra , përfundimisht Kosova në UNESCO !
Referencat ; shtypi ditor serb , shtypi i Kosovës , librat e jusuf Buxhovit dhe shkrimet e J.
Dranqollit
Fahri Xharra, 19.10.15
Gjakovë
Kosovë-Heqja e barrikadës nga Ura e Mitrovicës
-Zbatimi i Marrëveshjes për heqjen e barrikadës nga ura e Mitrovicës/
-Tahiri: BE dhe Grupi Punues do të monitorojnë rregullisht së bashku me dy kryetarët e komunave gjendjen politike dhe sigurisë gjatë procesit të revitalizimit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Tetor 2015/ Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit ka nis zbatimin më 17 tetor 2015. Bashkimi Evropian përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje ka nisur punimet e revitalizimit të urës e cila do të zgjasë deri në qershor të vitit tjetër kur ura e Mitrovicës do të hapet për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete.
Më këtë rast ministrja për Dialog dhe kryenegociatore e dialogut teknik në Bruksel, Edita Tahiri, ka vlerësuar lartë nismën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje duke theksuar rëndësinë e saj politike dhe të sigurisë për Kosovën.
Ajo ka thënë se, “më 17 tetor 2015 ka nisur zyrtarisht heqja e barrikadës nga Ura e Mitrovicës, e cila pas një periudhe të gjatë të negociatave në Bruksel më në fund ka marrë rrugën e mbarë për të krijuar lëvizjen e plotë të lirë në Urën e Ibrit”.
Ministrja Edita Tahiri ka theksuar se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për vendin, sepse heqja e barrikadës nga ana e Bashkimit Evropian i jep fund ndarjes së Mitrovicës, dhe kjo urë prej një ure ndarëse po bëhet urë bashkimi për Mitrovicën dhe Kosovën.
“Në kohën kur e fituam lirinë në 1999, mbase asnjëri nuk e kishte besuar se do të duheshin 15 vjet për ta bashkuar Mitrovicën, dhe nuk është se kanë munguar përpjekjet e qeverive të kaluara për ta realizuar këtë qëllim, mirëpo munguan rezultatet, shkaqet e të cilave të gjithë i dimë. Prandaj, fal dialogut të Brukselit, qëllimi jonë u arrit, në frymë dialogu dhe në mënyrë paqësore. Tani e tutje Ura e Ibrit do të jetë si çdo urë tjetër në botë, një sinonim i bashkimit. Nuk do të ndjejmë më dhimbje kur përmendet ura e Ibrit por do të ndjejmë gëzim dhe liri ashtu siç e ndjejmë lirinë që e fituam pas një shekulli lufte e sakrificash të mëdha kombëtare”, ka thënë ministrja Tahiri, cituar në deklaratën e dërguar.
Tahiri ka vlerësuar se heqja e barrikadës dhe revitalizimi i urës do të sjellin stabilitet politik dhe siguri për të gjithë qytetarët, gjë e cila u dëshmua edhe me nismën e punimeve në këtë urë. Natyrisht, kërkohet një mirëkuptim dhe durim që punimet të përfundojnë me sukses dhe në qershor të vitit 2016, që të përjetojmë një fund për atë që nuk e deshëm dhe një fillim për atë që duam.
Ministrja Tahiri po ashtu ka folur edhe për hapat tjerë drejtë bashkimit të qytetit të Mitrovicës. Ajo ka thënë se, “qeveria e Kosovës po punon për të konsoliduar bashkëpunimin mes dy komunave të Mitrovicës dhe në periudhën vijuese do të krijohet edhe Bordi i përbashkët për menaxhimin e çështjeve lokale, bord ky i paraparë me Planin e Ahtisaarit”.
Në lidhje me vijën administrative mes dy komunave, ministrja Tahiri theksoi se vija administrative mes Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore është e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe Planin e Ahtisaarit dhe kjo vijë është mbi lumin Ibër në pjesën veriore të saj. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është kompetente për të përcaktuar zonat kadastrale të fshatrave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut, sipas hartave të caktuara nga Plani i Ahtisaarit, dhe ky proces po zhvillohet në bashkëpunim me kryetarët e dy komunave, për të cilën do të bëhet edhe një Memorandum mirëkuptimi. Ajo po ashtu ka thënë se, “qeveria e Kosovës siguron qytetarët e fshatrave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut se do të respektohen ligjet e Kosovës në lidhje me vijën administrative mes dy komunave dhe se nuk ka vend për shqetësime në këto çështje”.
“Proceset e shtetndërtimit në një vend siç është Kosova me një histori lufte të rëndë dhe shkatërruese, po tregohen jo të lehta, por me një angazhim siç po e bëjmë si institucione shtetërore dhe partneritet me aleatët tanë ndërkombëtarë SHBA-të dhe BE-në, Kosova po dëshmon fuqinë e saj për të përballuar çdo sfidë drejt vizionit për t’u bërë një shtet euroatlantik”, shprehet Tahiri.
Ajo thekson heqjen e barrikadës (“parkut të paqes”) nga ura e lumit Ibër në Mitrovicë nga ana e BE-së.
“Revitalizimi i Urës realizohet dhe financohet nga BE-ja, sipas një plani të dakorduar simetrik në të dyja anët e lumit Ibër. Ura do të hapet për automjete dhe këmbësor jo më larg se fundi i qershorit 2016”, thotë Tahiri.
Po ashtu, vijon ajo, kjo marrëveshje i jep fund ndërtimeve të egra dhe pretendimeve serbe për të ndryshuar strukturën etnike në fshatrat e Suhadollit dhe Kroit të Vitakut, duke i dhënë mbështetje Memorandumit të Mirëkuptimit mbi Planin e Zhvillimit Komunal mes Ministrisë së Ambientit e Planifikimit Hapësinor dhe dy kryetarëve të komunave të Mitrovicës, në pajtim me hartat e linjave administrative të zonave kadastrale të të dyja fshatrave, të përcaktuara me ligjet e Republikës së Kosovës.
“BE dhe Grupi Punues do të monitorojnë rregullisht së bashku me dy kryetarët e komunave gjendjen politike dhe sigurisë gjatë procesit të revitalizimit”, përfundon deklarata.
Në 15 shtator 2011 bëhej e ditur se, “në Mitrovicë natën e kaluar serbët kanë barrikaduar edhe urën kryesore mes veriut dhe jugut, mbi lumin Ibër, ku është ndërprerë trafiku i automjeteve, ndërsa sot kalojnë vetëm këmbësorët”.
Është raportuar edhe se, në 18 qershor 2014, “herët në mëngjes, serbët larguan barrikadën në anën veriore të urës mbi lumin Ibër, tre vjet pas vendosjes, e më pas po nga ajo anë e po aty vendosën në mesditë ‘Parkun e paqes’ prej fidanësh të mbjellur në vazo betoni, çka shkaktoi reagime në jug kundër rimbylljes së urës për lëvizjen e lirë me barrikadën e re në një formë tjetër”.
Kosova, shpronësime edhe për Rilindjen
-Buxheti i Shtetit të Kosovës në vitin 2016, për shpronësimet 27 milionë euro/
-Shpronësim edhe Pallatit Rilindja. Dhe në pritje të ridaljes së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të privatizuar/
-Gazeta Rilindja në Kosovë ka nisë të dalë para 70 viteve si gazeta Dielli në SHBA para 106 viteve – në muajin shkurt/
-Ministri Hoti në konferencë shtypi: Qeveria e Kosovës po punon në rritjen e transparencës dhe menaxhimin efikas të parasë publike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Tetor 2015/ Qeveria e Kosovës në Buxhetin e Shtetit për vitin 2016 pret të ketë 27 milionë euro për shpronësimet, që kryesisht i dedikohen trasesë së autostradës nga Prishtina në Han të Elezit-kufiri me Maqedoninë drejt Shkupit, bëri të ditur ministri i Financave, Avdullah Hoti, i pyetur nga korrespondenti i gazetes Dielli në Prishtinë në një konferencë për shtyp.
“Ne këtë vit kemi pasur 27 milionë euro për shpronësime. Edhe vitin e arshshëm i kemi 27 milionë euro, kryesisht janë të lidhura me shpronësimet e ndërtimit të autostradës për në Shkup dhe me kontrata nëpër ministri të ndryshme për rrugë, shkolla dhe projekteve tjera publike”, theksoi ai.
Në një mbledhje të qeverisë muajin e kaluar, ministri i Financave, Hoti, ka informuar për situatën në buxhetin e planifikuar për shpronësimet për interes publik, i cili për këtë vit është shpenzuar dhe, siç u theksua, “vendimet e ardhshme duhet të vlerësohen dhe shqyrtohen me vëmendje”.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
“Sa i përket shpronësimit të Pallatit të Rilindjes është çështje e dakordimit të veprimit me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sepse në atë rast ne paguajme vetëm 20 përqindëshin që u takon punëtorëve”, tha ministri i Financave, Avdullah Hoti, i pyetur nga korrespondenti, duke shtuar se nuk kishte edhe detaje të tjera.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 70 vitesh, në 12 shkurt 1945. Në shkurt si edhe gazeta Dielli në SHBA, gazeta me e vjetër shqiptare ne botë, e cila nisi të dalë para106 viteve – nga 15 shkurti 1909.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur para 13 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.
Në konferencën e sotme për shtyp, ministri Avdullah Hoti theksoi se, qeveria e Kosovës po punon në rritjen e transparencës dhe menaxhimin efikas të parasë publike.
HARTOHET PROJEKTLIGJI PËR PLOTËSIMIN DHE NDRYSHIMIN E LIGJIT PËR PROKURIMIN PUBLIK TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Ministri Hoti bëri të ditur se, Ministria Financave, së bashku me të gjithë akterët relevantë, ka hartuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.
“Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik avancon prokurimin publik, duke e bërë procesin më efikas përmes freskimit të procedurave ekzistuese dhe inkuadrimit të mekanizmave dhe procedurave të reja. Këto modifikime janë bazuar në nevojat e identifikuara gjatë zbatimit të ligjit ekzistues, si dhe në legjislacionin përkatës të Bashkësisë Evropiane”, theksoi ai.
Ndryshimet që do t’i sjell ky Projektligj, vijoi Hoti, do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit, transparencës, cilësisë së punëve dhe materiale që prokurohen, në shmangien e procedurave të komplikuara dhe në shtimin e vlerës së parasë.
“Krahasuar me ligjin aktual, Projektligji rregullon më në detaje prokurimin në fushën e sigurimit dhe mbrojtjes, duke siguruar që vetëm për mallrat që janë specifike mund të evitohen procedurat e prokurimit standard, dhe kjo në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Dhe gjithashtu mundëson ndarjen e kontratave publike në llote homogjene dhe heterogjene, me qëllim të përfshirjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregun kombëtar të prokurimit publik”, ka thënë ministri Hoti.
Ministri i Financave, Hoti gjithashtu bëri të ditur se në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Financave implementimi i këtij Projektligji nuk do të sjell kosto shtesë financiare për institucionet e zbatimit të ligjit. “Përkundrazi, do të krijojë kursime”, shtoi ai.
PERFORMANCË E JASHTËZAKONSHME E TË HYRAVE TATIMORE
Në konferencën për shtyp, ministri Avdullah Hoti prezantoi gjithashtu të hyrat dhe shpenzimet e qeverisë për periudhën Janar – Shtator 2015. “Ka pasur një performancë të jashtëzakonshme të të hyrave tatimore, në mesatare kemi një rritje prej 7.8% të të hyrave, prej të cilave 11.1 % ka rritje të të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe 7.3% ka rritje të të hyrave në Dogana. Në një situatë ku ekonomia e Kosovës po rritet me një normë mesatare rreth 3%, pra kemi trefish më shumë të hyra se sa rritja nominale vjetore e aktivitetit ekonomik në vend, që është shenjë e luftimit të informalitetit dhe rritje së ekonomisë formale”, theksoi ai.
“Po vazhdojmë me disiplinimin e kursimeve, si rezultat kemi pas kursime prej 4.8% në shpenzimet për mallra dhe shërbime, në kategoritë e tjera shpenzimet po shkojnë sipas trendit dhe ne besojmë se do ta përmbyllim vitin ashtu siç e kemi planifikuar me rishikimin e Buxhetit në muajin korrik”, u shpreh në konferencën për shtyp ministri Hoti.
NIKOLIQI “ZBULON” HISTORINE E RE TE KOSOVES
Nikoliqi “pajtohet“ me shqiptarët:Historia e Kosovës është 50 vjeçare !/
Nga Fahri XHARRA/
E shihni ju , burra të botës që i madh e vogël u zgjuat me një histori të re ; e shihni ju argatët e Serbisë që u munduan të na “zbuloni” Kombin Kosovar ; e shihni ju burra të botës që na “ mbushet “ mendjen që ne flasim e duhet të flasim kosovarishten e juaj.
E shihni ju burra të botës që na e “krijuat” identitetin fetar turk , duke e mohuar çdo gjë shqiptare ?
E shihni ju burra të botës se sa shumë material iu përgatitët nikoliqëve dhe daciqëve ; që ata me fjalët e juaja iu dokumentojnë ambasadorëve te huaj se : “Shekujt tanë shihen në gurë, e nuk e di ku shihen, ku gjeni gjurmë të pranisë shqiptare në Kosovë e Metohi më të vjetër se 50 vjeç” ka thënë Nikoliq duke përmendur në këtë kontekst xhamitë, të cilat të gjitha janë të reja. ( Tomislav Nikoliq )
Ju ishit autoriteti i Kosovës , juve ju shifnim ne çdo mbrëmje në ekranet televizive duke na e mbushur mendjen se ne nuk ishim dikur as 1 % e popullsisë së këtyre anëve, . Pra si po e shihni , ju të pa nderuar (më vjen mërzi dhe turbullim në lukth t`iu përmendi emërat) , ju mohues të kombit , të historisë e të vetvetes , ju errësues të çdo gjëje shqiptare , se sa leht i çelet goja dikujt , se sa lehtë i hapet gryka armikut . Tani kënaquni , se atë që e tha Nikoliqi e keni thënë vet ju . Ai nuk po çpifet ; ai po e flet atë që e flitshit ju në këto 16 vjetët e fundit .
Secili nga ju e nga ne mundohej ta shponim qiellin sa më lartë ,; edhe shtresa e ozonit ishte në rrezik nga dëshira e juaj dhe e jona.
Donim t`i tregonim botës që nuk jemi ata që menduat ju ; por jemi shumë të njomë në këto anë. !
– Srbija je jedina zemlja u Evropi kojoj, pored otimanja dela teritorije, proterivanja građana, nekažnjenog ubijanja i takozvane žetve organa, sada pokušavaju da otmu i kulturnu baštinu pod zaštitom Uneska – rekao je Nikolić u svom govoru ambasadorima.” e shkrova serbisht , për të gjithë mohuesit sepse ata dine shumë mirë se për kë dhe me urdhër të kujt flisnin.
Paramendoni , mbledhjes e thirrur nga Tomislav Nikoliqi iu përgjegjen pozitivisht rreth 80 përfaqësues diplomatik dhe pesë organizata ndërkombëtare ( Govor predsednika Srbija prati oko 80 diplomatskih predstavnika i predstavnici pet međunarodnih organizacija. Kako saznajemo, skupu su se odazvali svi koji su bili pozvani.)
“ Ta leni kulturën “tonë “ ( serbe , pra ) në duar të shqiptarëve në Kosovë , është një lloj siku t`ia besoni qengjin ujkut “ – paska thënë Nikoliq. Mirë e ka pasur , pse jo ne e mohuam çdo gjë antike shqiptare , ne falëm trashëgimin kulturore – kishtare, dhe e “ filluam “ historinë” si na e diktonte turku .
Ambasadorëve të pranishëm iu shpërnda libri “”Hrišćanska baština na Kosovu i Metohiji – istorijska i duhovna postojbina srpskog naroda” (E kaluara shpirtërore serbe )
(Ambasadorima je podeljena knjiga “Hrišćanska baština na Kosovu i Metohiji – istorijska i duhovna postojbina srpskog naroda”. Nikolić je po knjigu preko ambasadora poklonio i šefovima njihovih država i međunarodnih organizacija.)
Duke mohuar vetveten , ia japim të drejtën Nikoliqit të thotë: “Kulturna baština na Kosovu je povezana sa živom istorijom i vekovnim prisustvom srpskog naroda na ovim prostorima. “ ( Trashëgimia kulturore serbe është ngushtë e lidhur me historinë shekullore të popullit serb në këto anë )
“Në Kosovë dhe Metohi qenkan shkatërruar 134 objekte fetare , 33 përmendore kulturo- historike, janë vjedhur bi 10 . 000 ikona dhe objekte të ndryshme fetare serbe. Janë shkatërruar mbi 5.261 gurë varresh dhe varre pravoslave serbe “ – iu tha Nikoliqi ambasadorëve të thirrur . E tha sepse ne asnjë herë nuk ditëm të themi që trashëgimia ortodokse në Kosovë ishte dhe është shqiptare.
Edhe një herë ju falemnderit juve që na e “ zbuluat “ identitetin fetar të shqiptarëve , që donit të na leni në b…. kosovarishten dhe popullin kosovar !
Fahri Xharra . 18.10 .15
Gjakovë
- « Previous Page
- 1
- …
- 754
- 755
- 756
- 757
- 758
- …
- 986
- Next Page »