• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkelqimi i Kryeministrise dhe mjerimi i popullsise ­ qeverisje kozmetike

August 29, 2015 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI*/
Shkelqimi i Kryeministrise dhe mjerimi i popullsise ­ qeverisje kozmetike Dite me pare u trumpetua ne shtypin shqiptar per meremetimin (rinovimin), rregullimin e nderteses se Kryeministrise. Kati i pare u shnderrua ne galeri e librari. Ndoshta ketu nuk ka asgje te keqe, por ndertesat qe kane vlera arkitektonike, historike duhet t’u nenshtrohen disa kritereve qe nuk ia cenojne vlerat origjinale arkitektoniuke. Kryeministria ne radhe te pare duhet te jete ne sherbim te kryerjes sa me funkcionale te puneve te qeverise, te kryeje funkcionin e saj te mirefillte. Nese Tirana ka nevoje per nje galeri, librari, atehere le te ndertohet nje librari, galeri che jo Kryeministria te shnderrohet ne galeri, librari. Kryeministria si dhe te gjitha ndertesat tjera qeveritare, shteterore, akademike, kulturore, deri diku jane pasqyre e zhvillimit te nje shteti, gjendjes, nivelit te tij shoqeror e kulturor. Prandaj, edhe ato duhet te kene nje nivel te lakmueshem arkitektonik, funkcional dhe te jene te mirembajtura si duhet.
Arti e shpreh shpirtin e nje kombi, e fisnikeron shpirtin e njeriut, por ndryshimet qe ka bere zoti Rama ne Kryeministri, jane vetem ndryshime kozmetike dhe nuk cojne fort peshe ne kandarin e mireqenies se popullit shqiptar. Te gjithe e dime qe Kryeministri na paraqitet si nje njeri qe ka shije artistike, por ceshtja qendron diku tjeter: keto ndryshime kozmertike, Kryeministri dhe njerezit rreth tij i marrin si nje sukses, arritje te qeverise, vetem per t’u hedhur shqiptareve hi syve, per t’i mbuluar mosarritjet e premtimeve te dhena gjate fushates zgjedhore. Zoti Rama eshte zgjedhur Kryeminister i Shqiperise dhe jo kryepiktor, kryeartist i Shqiperise. Ai e filloi detyrten mbrapsht, pikerisht duke postuar ne Facebook disa fotografi se gjoja Kryeministria na paskesh qene ne nje gjendje te mjerueshme. Kryeministrit te nje vendi nuk i ka hije te merret me marrezira te tilla, ta leshoje veten ne nivele aq te uleta. Arroganca e Kryeministrit dhe e qeverise se tij u pa haptas kur u refuzua kerkesa e Kryetarit (Presidentit) Nishani per t’i kaluar pushimet ne nje pushimore shteterore/qeveritare. Kur kreu i shtetit trajtohet ne kete menyre, atehere vetem mund ta marrim me mend se si trajtohet qytetari i rendomte.
Shqiperia e roberuar, e sunduar me shekuj nga te huajt dhe Shqiperia e pavarur e keqqeverisur nga vete shqiptaret, tani me shume se kurre ndonjehere me pare, ka nevoje per nje qeverisje demokratike, te perkushtuar per te ecur perpara, per ta kompenzuar kohen e humbur. Shqiperia ka nevoje per ndryshime, reforma rrenjesore dhe jo per nderhyrje kozmetike e reforma sa per sy e faqe. Gjendja e pergjithshme ekonomike, politike, fiskale, siguria e qytetareve nuk jane duke u permiresuar, por duke u perkeqesuar. Gjate fushates zgjedhore kandidati Rama premtoi 300 mije vende te reja pune, ndersa tani Kryeministri Rama eshte shume larg permbushjes se atij premtimi zgjedhor. Shqiptaret e zhgenjyer me gjendjen e rende e te paperspektive ne Shqiperi, perseri kane filluar t’i marrin rruget e botes, duke kerkuar mireqenien, shpetimin e tyre ne vendet e Europes Perendimore. Kur i pyes bashkatdhetaret qe po kthehen nga Shqiperia, se si eshte gjendja atje, te gjithe pergjigjen se, koheve te fundit nuk kane pare, deshperim, varferi me te madhe se sa kete radhe. Mireqenia ekonomike, sundimi i ligjit, administrata funksionale, shkalla e ulet e korrupsionit jane nder faktoret kryesore qe e percaktojne qendrueshmerine e nje shteti, nje shoqerie. Kandidati Rama premtoi edhe sherbim/sigurim shendetesor falas, por tani Kryeministri Rama as qe e ze ne goje kete ceshtje. Gjate ketyre dy viteve te fundit nuk eshte ndertuar asnje veper madhore ne shkalle kombetare. Sic u njoftua diteve te fundit ne shtypin shqiptar, edhe grumbullimi i te ardhurave nga tatimet dhe doganat jane nen nivelin e parashikuar. Krimi ne rruge, krimi ekonomik, krimi i organizuar, pasiguria e qytetareve, korrupsioni i larte jane duke ia zene frymen shoqerise shqiptare. Por qeveritaret tane nuk shqetesohen fare, ndoshta atyre keto dukuri shume negative u duken krejt normale! Ujku do mjegull, thote nje fjale e urte.
Me premtime te zbrazeta (boshe), me deklarata demagogjike, me arrogance e injorance, nuk mireqeveriset vendi. Autori i ketij shkrimi i cmon shume njerezit qer kane nje kulture te gjere, njohuri te pergjithshme, jane te gjithanshem, por ne radhe te pare ata duhet te shkelqejne ne lemine e tyre paresore, kryesore. Te jene te afte qe t’i kryejne funksionet, detyrat per te cilat jane zgjedhur, ose jane caktuar. Shpesh degjojme e lexojme neper shkrime te ndryshme se, filan kryeministri i Shqiperise ka qene kryeministri me i kulturuar i Ballkanit. Shume mire, por a ka qene kryeministri me i zoti, me i afti i Ballkanit dhe si e ka kryer detyren per te cilen eshte ngarkuar? Udheheqja e nje vendi, qeverisja e nje vendi jane art, shkence me vete. Ne krye te iunstitucioneve, organeve udheheqese duhet te vijne njerez qe jane te pergatitur mire profesionalisht, te afte per t’u ballafaquar me sfidat e shumta e nga me te ndryshmet, njerez qe gezojne autoritetin, respektin, perkrahjen e popullit ­ njerez qe i kane ngarkuar vetes nje mision fisnik e atdhetar per te bere dicka me shume se vetja e tyre. Po, njerez te brumosur me ndjenjat e atdhedashurise, qe e duan Shqiperine dhe jane ne gjendje te sakrifikojne per Shqiperine! Mireqenia e Shqiperise, mireqenia e qytetareve gjithmone duhet te jene ne mendjen, ne veprimet e cdo udheheqesi, qeveritari, deputeti dhe jo mireqenia e tyre vetjake (personale), klanore e partiake, qe per fat te keq gati gjitghmone e ka karakterizuar qeverisjen e Shqiperise.Qe nga Shpallja e Pavaresise se Shqiperise e gjer me tani, gati asnjehere nuk patem nje qeveri qe ishte ne nivelin e duhur te funksionimit te saj, “per mashalla”, sic thote populli.
Deshiroj qe cdo qeveri shqiptare te jete e suksesshme, sepse kur deshton qeverisja e mire, deshton Shqiperia, vuan populli. Askush te mos i ferkoje duart e t’i gezohet deshtimit te nje qeverie, sepse kembana bie edhe per ta. Shpesh me shkon mendja te Rilindesit tane mendjendritur qe sakrifikuan shume per te krijuar nje Shqiperi te lire e te perparuar ku shqiptaret e shumevuajtur me ne fund e drejtojne shtetin e tyre, fatin e tyre. Ata e sakrifikuan edhe jeten, e shkrine tere pasurine e tyre per ta bere Shqiperine, ndersa sundimtaret e sotem pasurohen ne kurriz te popullit, ne kurriz te Shqiperise, e shkaterrojne pronen e Shqiperise. Ata na lane nje Shqiperi te lire, ndersa tani eshte radha jone qe ta ndertojme, ta perparojme vendin tone. Shqiperia i ka te gjitha potencialet per te qene nje vend i begate, por i mungon nje faktor shume i rendesishem, vendimtar ­ faktori njeri,njerezit e vendosur, te perkushtuar e te paisur me nje etike te larte pune. I mungon klasa politike e ndergjegjshme, e vetedijshme, e ndershme, qe misheron vlerat kombetare, mbron interesat kombetare.
Filadelfia, 28 gusht, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro ­ amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: ­ qeverisje kozmetike, Sadik Elshani, Shkelqimi i Kryeministrise dhe mjerimi i popullsise

Shpifjet për shqiptarët dhe e vërteta morale serbe

August 27, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
A jemi shqiptarët zot të vetvetes , apo duhet të qëndrojmë gjithmonë kokë ulur ndaj një kombi tjetër,të cilit ia kemi parë përherë “sherrin “? Propaganda e tyre ka qenë aq e fuqishme sa që i ka mbushur mendjen të gjithëve që iu janë drejtuar.Shpifjet e tyre nga më të ndryshmet , të cilat e kishin qëllimin e qartë : Ky popull nuk është shtetbëres!Me keqardhje duhet të pranojmë se në disa moment kyçe për fatin tonë jemi treguar shumë të dobët.
Dikur , dhe vazhdimisht “Vladan Gjorgjeviqit ndoshta i është dukur vetja si Circja homerike, që, me një prekje të shkopit të tij, t’i shndërrojë shqiptarët në derra, që zhgrryhen në flligshti plehu e gjaku, t’i shohë të zhytur në sëmundjet më të rënda të tokës dhe të mbërthyer nga zjarrmia e vrasjes, vetëvrasjes dhe epsheve kanibaleske. Të harruar nga zoti e robi, këto krijesa të përçudnuara, sipas tij, na vikan drejtpërdrejt nga prehistoria njerëzore, deri para do kohësh, madje i kishin parë tek mbaheshin me bishtin e tyre nëpër pemë. Egërsirat, doemos, nuk mund të kishin gjuhë, as histori, as figura historike. Artin dhe ndjenjat njerëzore nuk i njihnin. As lirikën, as epikën.Të ndarë më dysh atje ku ndaheshin së lashti ilirët dhe epirotët, gegët dhe toskët kishin shkuar aq larg në ndarje sa ngordhnin nga dëshira për të vrarë e zhdukur njëri- tjetrin. “ Sa kemi “ luftuar “ kundër kësaj , e cila ka folur në të gjitha gjuhët e Europës për ne ?
Ata mundoheshin që duke ua vjedhur e përçudnuar të kaluarën, shpresohej që shqiptarëve tu errësohej dhe e ardhmja . Deri diku kishin sukses.
Europës në çastet kritike për i shkonte ky mesazh:” Pra, meqë dashkeni t’i vini re, edhe unë po e pranoj se ka shqiptarë dhe po ua tregoj ashtu siç nuk i dini. Shqiptarë, thjesht si njerëz, si individë anarkistë me nam, por edhe si shtëpi të shpërndara larg njëra –tjetrës një të shtënë pushke, si katunde të ndara, qoftë edhe si fise fundja, por aspak më tepër. Kurrsesi si vend, si popull a qoftë larg si shtet. Kurrën e kurrës. Shteti i tyre i mëvetësishëm kurrë s’paskësh qenë dëshirë e këtyre njerëzve. As ëndërr, as zhgjëndërr. As në historinë e largët, as në të sotmen “
Shqiptarët, sipas tij, nuk kanë kurrfarë ndërgjegje kombëtare; ata nuk përfaqësojnë komb ngase nuk i posedojnë cilësitë e një kombi. Pastaj ai bën tentim që edhe “shkencërisht” të bëjë njëfarë ndarje antropologjike në mes të shqiptarëve të veriut dhe të jugut. Për të parët thotë se janë brakicefalë (kokëshkurtër), kurse ata të dytët qenkan doliqefalë (kokëgjatë). Sa i përket gjuhës, ai vetë bën pyetje: Vallë kanë shqiptarët gjuhë kombëtare të veçantë (ndoshta vallë, mendon se mund ta kenë të huazuar-kush e di?!)? Gjorgjeviq thotë se në shqipen ka pesë dialekte të ndryshme që dallohen ndërmjet tyre! Prej tyre dy janë kryesorë dhe më të përhapur: gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug. Që të dy këto dialekte nuk paskan lidhje njëri-tjetrin. Nëse ai i jugut shkon në veri duhet të ketë përkthyes se nuk e kupton atë të veriut. Pastaj, shkon akoma më tutje, ku thotë: “Shqipja e sodëshme asht nji lamsh gjuhësh të përzieme nga ma të ndryshmet. Kjo çorbë gjuhnash mund të krahasohet ndofta ma tepër me jevgenishten” (një urrejtje patologjike e paskrupullt!). Për alfabetin shqip thotë se shqiptarët kanë marrë një alfabet të huaj që të mund të shkruajnë. Këtë ata e kanë bërë më 1908 në Kongresin e Manastirit. – sa rëndë e sa të pafytyrë ! Por nuk kishim , besa edhe sot nuk kemi kundërzëra të fortë që buçasin dhe e tundin të vërtetën tonë deri në qiell .
Por nga ana malazeze mund të gjejshë të vërtetën moralo -etike të serbëve; kurse ne nuk e dinim , edhe nëse po ,nuk e thoshim se pse nuk guxonim .
Ličimo li više na očeve ili na Turke ponavljao je, pitajući se, Džadžić . A ngjajmë në etrit tonë a po më shumë në turqit ? pyeste Xhaxhiqi

“Serbët janë të zhveshur nga tradita etike dhe morale , dhe janë të ngarkuar me hipotekën dhe kompleksin e natës së parë të martesës (Ius Primus Nocti) -shkruan Borislav Cimeša: Neki običaji kod Srba – ANTINOMIJE ETOSA I INTERESA ( Disa zakone të serbëve- Antinomia e Etosit dhe e Interesit )
Trashëgimtarët e rajes turke , gjithmonë i jepnin kalit ujë dhe i lanin opingat përderisa turku ëmbëlsohej me grate e tyre. Pr kjo dhënje uji kalit dhe larje e opingave përcillej përherë me vuajtjen e mëshehjës së dëshmisë dhe ruajtjen me ngulm të shpresës që e vërteta nuk del në shesh. Turqit e kishin çpikur patentin e paqës me ta “uzmi Srbinu ženu “ merrja gruan serbit !

Jovan Cviqi që shkruante aq keq për ne e dinte të vërteten e moralit serb dhe shkruante se konkubinati i grave serbe me turqit ishte i zakonshëm. Konkubinati , incesti dhe “haramllaku”janë
zakonet themelore të tfaditës serbe , të cilat në çdo kohë pëcilleshin me hipokrizi morale dhe me kozmetikë. ,(Etnolog, geograf i antropolog Jovan Cvijić pisao je, zato, da konkubinat srpskih žena i Turaka nije zazoran. Konkubinat, incest i haremluk postali su temeljni običaji srpske tradicije ispunjene moralnom hipokrizijom i kozmetikom.)
Petar Xhaxhiqi në librin e tij “Homo Balkanikusu – Homo Heroikusu” , i përshkruan në detaje këtë moralitet serb.

Edhe diçka” “ për incestin dhe natyrën “etike “ dhe karakterin serb , e ka ber të pavdekshëm edhe gazeta “politika “ e Beogradit , duke e komentuar ““Snahočestvo”-n ( nga sllavishtja : snaha -nusja , gruaja e vëllaut apo e djalit ) e cila e përshkruan zakonin e mrredhënjeve intime të vjehrrit me nusen e të birit. Martesat e këtij shembulli janë kryer me nus e të pjekur në moshë dhe çunin e papjekur . (Politika, broj 28752, god. hc, 26. 10. 1993. str22 )
Nuk është e thjeshtë, “Snohacestvon” e tregon shembulli në vijim , kënga që ende këndohet ndër serbët :
„Brate moj O vellu im
moje žene sin djali i gruas sime
trči, reci ocu shko e tregoi babës
da mu ide sin.“ se i erdhi djali
E kuptuat ?
Këngën e ka kënduar djali më i ri, i cili është vëlla prej babe i vllahut të tij me të madh duke ja përsëritur këto vargje që i kishte thënë vëllau i madh, kur ai po kthehej nga ushtria, gjatë të cilës kohë baba i tij kish jetuar me të renë e vet n]ë marrëdhënie martesore të njëlloj konkubinati . Kështu vëllai më i ri (përsëritësi i këngës së vëllait)për vëllaun e madh (që po kthehej nga ushtria) ishte edhe djali i gruas së tij.
O shqiptar ku je ?
Gjakovë, 26.08.15

Filed Under: Analiza Tagged With: e vërteta morale, Fahri Xharra, Serbe, Shpifjet për shqiptarët dhe

Demarkacion,pazare apo kontrabandim

August 26, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat ngrehina xhuxhe malazeze dhe ende nuk qenka ngopë, duke u rritur panatyrshëm me grabitjen e hapsirave shqiptare,që nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava e Gucia deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë-tokë shtesë, male,bregore dhe kullosa të bjeshkëve më të bukura të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm dhe poshtëroj në mënyrën më të ulët mu ata të cilët qindra vite luftuan trimërisht dhe u bënë ballë pareshtur orekseve të pashuara pushtuese sllavo-malazeze, si rugovasit trima dhe bashkëkombësit tanë tjerë,pronarët autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Një nga shprehjet më të vlerësuara të ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln, përkufizohet në ketë mënyrë: “Nëse doni ta njihni karakterin e një njeriu, epni atij pushtetin”
Pikërisht këtu, bënë konak e patrazuar, tash e qindra vjet, dobësia kryesore e prijësve tanë kombëtar e shtetëror, ku ata jo vetëm thjeshtë tregojnë veten, por thënë realisht, shumica e udhëheqësve shqiptar, pothuajse dështojnë plotësisht.
Tanimë, është fshehtësi e njohur botërisht për të gjithë ne, se si tradicionalisht, që nga Hamzai e këndej, një pjesë jo e vogël e udhëheqësve të hapësirave tona etnike, për vite e dekada bënë emër dhe fituan grada, pikërisht duke shitur interesat e kombit dhe pjesët më të bukura të atdheut.
Edhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Fuqitë e Mëdha më 1878, për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë ,Malit të Zi, ishte Populli Shqiptar ai që kundërshtoi me forcë dhe vendosmëri, çfarëdo ndryshimi kufijsh në dëm të tokave të tij.
Kjo u bë shkak, që atëbotë të caktohej një tubim i krerëve të Dukagjinit, Gjakovës dhe atyre të Malësisë, në vendin e quajtur, “fushat e Bajram Pashës” për marrjen e hapave të nevojshëm në mënyrë që të organizohet mbrojtja e këtyre trojeve.
Por Riza beg Kryeziu, babai i Cana begut të “famshëm”dhe ish prijës i Gjakovës, i dërguar nga organet pushtuese otomane si bashkëpunëtorë i tyre, për të prishur tubimin dhe përçarë shqiptarët në mes veti, që në fillim të fjalës së tij, shprehet se shqiptarët nuk munden dhe as nuk duhet ti kundërvihen pushtimit të Plavës e Gucisë nga Mali i Zi sepse Stambolli paska vendosur për dorëzimin e tyre, vetëm atëherë, kur nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, ndaj ai me bashkëpunëtorë, janë kundër konfrontimit me malazezët dhe nxjerrjen e telasheve të reja Perandorisë.
Populli i dëshpëruar nisë të mallkojë e shajë Riza beg Kryeziun dhe kërkon që ai të zbres nga bina, e në vend të tij, e të flasë dikush tjetër. Pas kësaj ngjarjeje, në binën e improvizuar ngjitet patrioti i mirënjohur, Ali Ibër Neza, i cili,gëzon të gjithë atdhetarët e vërtetë që kishin ndarë mendjen për ti dalë zot vendit, me fjalët e thëna dhe vendosmërinë e treguar, duke u shprehur plot ideal dhe energji kombëtare:
Vëllezër- ne do ta mbrojmë Plavën dhe Gucinë!.
E sa i takon Riza begut, mos çuditeni me të, sepse vetëm gruaja e tij, i mbanë mbi “tre kilogram dukat të turkut në qafë” do të vazhdonte Ali Ibra, ndaj Rizai frikohet se po hyni në luftë pa “izën” e turkut, do ta humb të gjithë pasurinë.
Kurse ne, nuk kemi asgjë, përveç këtij trolli të begatë, e atë do ta mbrojmë deri në fund dhe kurrë nuk ia lëshojmë tokën tonë, Karadakut (Malit të zi)pa u derdh gjak për këtë vend.
Neve asnjëherë nuk na ka ndihmuar e dhënë armë- mbreti as Perandoria, por gjithmonë kemi luftuar burrnisht me gjithqka kemi mundur…
Ndaj edhe sot, secili prej nesh, ka nga diçka, asnjë nuk jemi krejt pa armë, ja unë për shembull, kam pushkë e kobure por edhe sopat e këmesë te shtëpia, ndaj vet do të luftoj me pushkë, Djalit do t`ia jap Koburen, Gruas sakicën, kurse Çikës sime këmesën dhe kështu do të luftojmë të gjithë së bashku, derisa të vdesim,por asnjë pëllëmbë të tokës sonë, nuk do t`ua lëshojmë malazezve pa gjak.
Turma e entuziazmuar nis të urojë Ali Ibër Nezën dhe mallkoj tradhtarë e beglerë, si bashkëpunëtorë të pushtetit otoman. Riza beg Kryeziu, i turpëruar,fillon të ndihet keq, dhe tani tenton ta ulë e nënvlerësoi qëllimshëm problemin e vërtetë kombëtar duke u munduar ta zhvlerësoj dhe jap kahje krejt tjetër edhe tubimit, sikur mos të ishin në pyetje pjesë të vlershme të atdheut,që duhej të kalonin dhunshëm nën sovranitetin e një shteti pushtues, si ai malazez.
Ndaj,me bindjen se edhe vet dielli ndrinte vetëm për të, ai fton bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij për të lëshuar këtë tubim me arsyetimin banal, se; “Opinga e Katundit, e mundi Begun e Shehrit”!.
Mjerisht, historia jonë e dhembshme, edhe në këtë shekull ,sërish po përsëritet për të keq,për faktin se edhe “beglerët” e rinj, edhe pse të ardhur rishtas në “shehër” (qytet), në vend se para BE-s, dhe Bashkësisë Ndërkombëtare të kërkojnë korrigjimin e kufijve në dobi të trojeve shqiptare të pushtuara me forcë dhe padrejtësisht nga shtetet hegjemoniste fqinje, qysh nga koha e Kongresit të Berlinit, ata u falin atyre pa asnjë ndrojtje edhe dhjetëra mijëra hektar tjerë- tokë arbërore, nga pjesa e tejrrudhur-po nga këta akter-kavaler, e atdheut tonë të gjymtuar.

Kështu, vetëm një ditë para fillimit të samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Vjenë të Austrisë, më 26 gusht 2015, Mali i Zi, paralajmëron se Marrëveshjen (për ne të dëmshme) kufitare, do ta nënshkruajë me Kosovën, sipas së cilës pjesë të konsiderueshme të vendit, nën Çakor në Grykën e Rugovës dhe te Kulla afër Rozhajës,për mbrojtjen e të cilave, në të kaluarën, disa herë ka shkuar gjaku përrua, tani në mënyrë të vullnetshme, “bujarisht”,dhe me vetëm një nënshkrim sa hap e mbyllë sytë, do të falen dhe futen si në një ëndërr të keqe, nën sovranitetin malazez nga vet shqiptarët.

Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat dhe ende nuk qenka ngopë me grabitjen e trojeve shqiptare republika malazeze,duke filluar nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava dhe Gucia,e deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë tokë shtesë, male e kullosa të bjeshkëve të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm rugovasit trima dhe bashkëkombnsit tanë tjerë, pronar autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Madje, kjo po ndodhë para syve tanë, pa bërë asnjë kundërshtim të dukshëm, sado formal nga pala shqiptare, përkundër humbjes së gjithë këtij territori, përderisa vetëm për një të ashtuquajtur asociacion të komunave serbe, shkohet për bisedime edhe me përfaqësuesit evropianë, deri në Bruksel,ndërsa politik-bërësit e Kosovës, në mënyrë të pashembullt, falin tokat e atdheut për pesë pare dhe atë nga dhjetëra mijëra hektar për një herë,dhe me vetëm një nënshkrim.

Ç`është kjo? Demarkacion, shitje apo plaqkitje?!

Dhembja bëhet edhe më madhe kur dihet se vetëm për të jetësuar një të ashtuquajtur “asociacion komunash”, serbët në veri, ka disa vite që kanë bllokuar Urën mbi Lumin Ibër dhe sot e asaj dite ,përkundër qindra premtimeve boshe, ende nuk lejohet heqja e barrikadës së mbjellë me “hithër të Serbisë”, të cilat vazhdojnë ta “djegin” të drejtën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në tërësinë (e “garantuar”) territoriale të Republikës së Kosovës, edhe në veri!

Sot u deklarua,sikur qenkan pajtuar për heqjen e saj,por vetëm pas arritjes së qëllimit final dhe nënshkrimit të marrveshjes nga pala shqiptare në Bruksel,për krijimin e “asociacionit të komunave serbe”.

Ndaj shqetësimi rritet edhe një herë më tepër, për faktin se vetëm para pak ditësh Josip Manoliq, një ish-funksionar i lartë kroat, deklaroi se në udhëheqjet e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, si në Kosovë , FYROM dhe Serbi, ende ka një numër të konsiderueshëm të bashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilët edhe sot mbajnë pozita të larta institucionale në të gjitha këto shtete.

Mjerisht, kjo shqetëson pa masë, ngase ka shumë paqartësi në këto histori nënshkrimesh e marrëveshjesh të pa qarta për opinionin publik.
Një skenar i ngjashëm u luajt edhe në një rast të më hershëm,me FYROM-in, kur megjithëse administrata,ushtria dhe policia serbe ishin përzënë nga Kosova rreth dy vite më parë, sllavo-maqedonët më 2001,lidhën një marrëveshje më Serbinë për përvetësimin e një pjesë të territorit të Kosovës.

Madje, mjerisht kjo nuk ishte e gjithë e keqja, tragjedia e vërtetë ndodhi pikërisht atëherë, kur edhe liderët shqiptar, u pajtuan me një marrëveshje të tillë antishqiptare të dy shtetveve hegjemoniste fqinje dhe me dorën e tyre,nënshkruan pa asnjë hezitim, aneksimin e mbi 2500 hektarëve tokë të vlershme të Kosovës, nga shteti sllavo-maqedon.

Këto vendime të çuditshme të politik-bërësve aktual, jo vetëm se po krijojnë situata të paqarta e tejet dëshpëruese,por po lënë pa mend dhe vrasin çdo fije shprese të bashkëkombësve se këtu ende ka të ardhme për familjet dhe fëmijët e tyre!

Nënshkrime të tilla të mjegulluara, nuk janë thjeshtë vetëm akte ndëshkimi ndaj pronarëve por dhe tradhti e paskrupullt kombëtare, ndaj është koha e fundit dhe momenti vendimtar që dikush të marrë rolin e Ali Ibrës dhe përfundimisht të ngrihet e mbrojë tokat tona,pronën dhe të drejtat e shqiptarëve në këto troje.

Vende të shenjta me plot kronika të qëndresave më të përgjakshme kombëtare, që njeh historia, nuk meritojnë tu hiqen kaq lehtë nga dora shqiptarëve dhe të shiten aq lirë, falen apo dorëzohen në këtë mënyrë të turpshme malazezve

Mjerisht politik-bërësit aktual edhe një herë më tepër po dëshmojnë se me zhvendosje të tilla marramendëse të “megjëve” ndërshtetërore, në shtrirje kaq shumëkilometërshe dhe tejet të mëdha hapësinore, në brendësi të thella të atdheut tonë, duke tkurr pariparueshëm, kufijtë e Kosovës, për plotësimin e orekseve të pafund të vendeve hegjemoniste sllave, po vihen plotësisht në shërbim të ish pushtuesve të tokave tona dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë tërësinë territoriale dhe hapësirën tonë tokësore e kombëtare.

Ata,ndoshta padrejtësisht ëndërrojnë se me kalimin e viteve, lëshimet e tyre, do të trajtohen vetëm si mashtrime të thjeshta në momente të caktuara politike, të cilat edhe si të tilla, mund të jenë mjaft tragjike, por tradhtitë historike që me, apo pavetëdije po bëjnë, mbeten gjithmonë të dënueshme, të pandreqshme dhe fatale për kombin tonë!
E shitja sado e kamufluar e pjesëve të vendit nga kushdo qoftë, falja apo tjetërsimi i hapsirës etnike të atdheut, është dhe mbetet, përgjithmonë tradhti e lartë kombëtare, dhe nuk do të mund ti shpëtoj për kohë të gjatë, gjykimit.

Historia gjithmonë ka dëshmuar se këto troje ishin tonat-shqiptare, ndaj me namin që lanë politikanët aktual, me lojëra “demarkacionesh” dhe vizatime “kufijsh” sipas dëshirës së lirë të ish vendeve pushtuese dhe hegjemoniste fqinje, lind pyetja; athua vallë deri ku do të arrijnë dhe ku do të mund ti ndalojnë shqiptarët kufijtë e Serbisë nesër, pas demarkacionit që duhet të ndodhë edhe me këtë shtet, nëse vazhdohet me falje të tilla territoresh kombëtare në stil të gjerë, siç është bërë fatkeqësisht, tanimë traditë e politikanëve aktual, kur dihet se pretendimet më të mëdha territoriale ndaj tokave tona dhe Kosovës në përgjithësi, i ka pikërisht Serbia?!
Ndaj, është koha e fundit që dikush të ngrihet, jo për të na dhënë këshilla pa-mbulesë dhe ofruar siguri false mbi kronikën e hidhur të nënshkrimeve të tilla të dyshimta , siç bëjnë sot shumë pushtetarë aktual, por të sqaroi përfundimisht se çfarë në të vërtetë po ndodhë me trojet tona, mbrojë realisht ato dhe gjithë atë që neve na takon, si dhe tu jap fund historive të pa-qarta, që vazhdimisht rrezikojnë shqiptarët, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, shënoi mundësisht sa më drejtë , qartë dhe arsyeshëm kufijtë duke treguar kujdesin më të madh të mundshëm dhe maksimal ,sidomos tek ata me shtetet e pangopura hegjemoniste sllave.

Gani Qarri Cyrih, 26 gusht 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni, Gani Qarri

Xhamitë e Çamërisë dhe kishëza e Dhërmiut

August 26, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/
Ka një debat të çudtshëm këto ditë të pasqyruar në shtypin shqiptar për një kishëz në Dhërmi, e cila ligjërisht është ndërtim pa leje. Kjo kishëz u rrënua plotësisht gjatë shekujve dhe mbi të pas viteve 90-të është ndërtuar një si biçim ngrehine një katëshe me blloqe dhe e pasuvatuar, që shërbeka si vend ku falen dhërmijasit. Kjo kishëz-haur është ndërtuar mbi rrënojat e kishës së Shën Thanasit pa marrë leje nga askush, duke e konsideruar objekt kulti ku njerëzit e asaj ane shkojnë e falen. Nga qeveria shqiptare është menduar që kjo kishë të rindërtohet dhe të sillet në gjendjen që ka ka qenë qindra vjet më parë si një objekt kulti. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përkundrazi. Po gjithmonë do të gjenden andej dhe këndej kufirit surratqenë dhe antishqiptarë që do ta bëjnë qimen tra dhe do të kërkojnë sherr atje ku nuk ka shkaqe për të ndodhur ndonjë gjë e pazakontë.Çudia në të vërtetë është kur kjo ngjarje e stisur merret ‘’seriozisht’’ nga qeveria greke që me anë të zëdhënësit të saj të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kostandinos Kutras, kërkonte sqarime nga qeveria shqiptare lidhur me këtë incident dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave greke. Reagimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare ishte i menjëhershëm, duke e cilësuar deklaratën e zëdhënësit Kutras, të nxituar dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Ndërkaq filogrekët e Dhërmiut, po shprehin solidaritet të plotë për mbrojtjen e kishës-haur.
Por janë dy pika që nuk duhen anashkaluar në këtë mikro-betejë të stërpërsëritur dhe të shplarë me provokacione dhe mohim të drejtash.
E para: në Dhërmi ka njerëz të besimit ortodoks që falen si gjithë besimtaret në objektet e tyre të kultit por jo pakica greke e minoritarë. Në Dhërmi jetojnë shqiptarë njëzetekatër karatë dhe jo pakica greke. Shqiptarë të konvertuar në grekë për një pension apo një pjatë supë mund të gjesh edhe sot edhe nesër. Këta palo-njerëz ia kanë shitur shpirtin parasë (jo grekut) e nuk e kanë për gjë të krijojnë incidente e protesta false, mjafton të paguhen. Këta lapanjozë i sheh rëndom në raste të tilla duke bërë trimin e besimtarin e devotshëm, por të gjithë e dinë që ata përdoren nga qarqe shoviniste sa herë u nevojiten. Përdorimi i fjalëve ‘’të mbrohen të drejtat e pakicave’’, është një hile e vjetër greke, ashtu si dhe ato të tjerat me varreza ushtarësh imagjinarë, që mbushen me kocka të gjithfarëllojshme. Ky fakt nuk duhet t’i kishte shpëtuar zëdhënësit shqiptar të Ministrisë së Punëve të Jashtme që duhet të theksonte që në Dhërmi nuk ka pakica greke.
E dyta: është rasti të përmendim që në krahinën e Çamërisë gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve është bërë kërdia me varret e xhamitë e myslimanëve. Pa marrë leje, pa respektuar të vdekurit e të gjallët, varrezave çame u është vënë buldozeri për të hapur tokë të re, për ndërtime vilash, hotelesh, kurse xhamitë nuk duken më gjëkundi. Ministria e Jashtëme shqiptare është në dijeni por nuk është ndjerë me ato arsyet idjote që sot ta shpifin, se grekët po na mbajnë me bukë, se kemi atje gjysëm milioni refugjatë, se nuk është çasti për polemika e servilizma të tjera që të kallin krupën. Disa vjet më parë deputeti çam Dashamir Tahiri, foli për një fakt rëqethës. ‘’Në Volë’’ deklaroi ai ‘’ mbi një varrezë çame është ngritur një hotel, dhe fadromat i shpërndanë kockat gjithandej’’
A nuk do të ishte normale që të thirreshin të afërmit andej dhe këndej kufirit e të bëhej një transferim i kësaj varreze në një parcelë tjetër? Po objektet e kultit, xhamitë e çamëve të besimit mysliman pse janë rrafshuar? Nuk mund të ketë dy standarde në të drejtat dhe liritë njerëzore. Konventat ndërkombëtare e shprehin shumë qartë këtë gjë. Ndoshta ishte një rast i përshtatshëm për krerët e PDIU-së të bënin një deklaratë të paktën sa për të shplarë gojën. Por si duket krerët janë të zënë me kërkesat për një kompozim të ri të qeverisë Rama, ku çamët në pozicione ministrash e drejtuesish të japin kontributin e tyre shembullor si në qeverinë Berisha.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe kishëza e Dhërmiut, Gezim Zilja, Xhamitë e Çamërisë

KEMI BASHKEJETESË FETARE-S’KEMI TURIZËM FETAR

August 25, 2015 by dgreca

Ne Foto: Kreret fetare nga trojet shqiptare dhe diaspora ne 100 vjetorin e themelimit te Federates Panshqiptare te Amerikes”Vatra” ne Nju Jork, 28-29 Prill 2012. Kjo foto e perbashket iu eshte derguar te institucioneve fetare ne Shqiperi e Kosove/
Nga Gëzim Llojdia/
Turizmi fetar është një nga format, që mund të quhet në zanafillë të turizmit. Studimet thonë se: ideja e pelegrinazhit fetar fillon pothuajse me agimin e njerëzimit. Pothuajse që nga agimi i historisë të qenieve njerëzore kanë udhëtuar në vendet e shenjta. Dhe sigurisht, kjo është një shenjë e mirë për njerëzinë dhe shtegtarët e kësaj udhe shpirtërore. Ne jemi një vend ku bashkëjetesa fetare i cilësuar si i vetmi rast unikal në botë, ku fetë bashkëjetojnë me njëra-tjetrën në një harmoni të përkryer. Mirëpo për çudi të kësaj bashkëjetesa ne nuk kemi në atë masë që duhet turizmin fetar,ndërkaq që kemi vende të shenjta.
Mirëpo ideja më lindi për ta trajtuar këtë temë, kur mjaftë banorë të qytetit të Vlorës dhe prej shumë qyteteve të vendit tonë, praktikonin një lloj pelegrinazhi fetar në një prej vendeve në veri të Ballkanit. Turizm fetar,pra pelegrinazhi përfshinte udhëtimin nga Vlora, apo Tirana drejt qytetit Medjugorje, sipas të dhënave është një qytet, që ndodhet në rajonin e Bosnjës, rreth 25 km në jugperëndim të Mostarit dhe në afërsi të kufirit të Kroacisë. Qyteti është pjesë e komunës së Čitluk. Që nga viti 1981, ajo është bërë një vend popullor i pelegrinazhit katolik për shkak të raporteve të shfaqurit e pretenduara të Virgjëreshës Mari. Thuhet se adoleshentë në Medugorje, Bosnje, pretendojnë se kanë parë një formë të bardhë që mbante një fëmijë. “Zonja jonë”, tha se njerëzit duhet të pranojnë Jezusin, dhe bëri profecitë e caktuara.
Emri Međugorje fjalë për fjalë do të thotë “në mes të maleve”. Në një lartësi prej 200 m mbi nivelin e detit, qyteti përbëhet nga pesë fshatra fqinje: Medjugorje, Bijakovići, Vionica, Miletina dhe Šurmanci. Këtë vend të shenjtë e kanë vizituar mjaftë pelegrinë nga qyteti i Vlorës, por edhe nga disa qytete shqiptare. A ka Shqipëria vende të shenjta? Shumë vende të kësaj natyre në vendin tonë pretendojnë, që i përkasin këtij emërtimi: vend i shenjtë. Pelegrinazhi në Kishën e Shna-ndoit Laç, tre të marta në muajin qershor, pelegrinazhi në 25 gusht në Abaz Ali në malin e Tomorit, pelegrinazhi në 15 gusht në Manastirin e Zvernecit, në Sari Salltëk festat fetare në Dropull dhe më pak në disa vende të tjera. Në botën perëndimore, thuhet në një studim, për këtë qellim qytete të tilla si: Jeruzalemi, Roma dhe Meka vazhdojnë të tërheqin miliona vizitorë në baza vjetore. Në vitet e fundit, megjithatë, udhëtimi fetar dhe turizmi është zhvilluar në një treg shumë më të madh dhe më të segmentuar. Turizmi fetar mund të shpjerë në atë që mund të quhet turizëm gjithë-vjetër së bashku me turizmin malor. Turizmi fetar tërheqë jo vetëm besimtarët e një religjioni fetar, por edhe të tjerë që nuk kanë lidhje me këtë besim. Thuhet se: Vatikani ka domethënie të veçantë për pasuesit e besimit katolik, miliona jo-katolikëve e vizitojë Vatikanin si për spiritualitetin dhe për bukurinë e tij arkitektonike. Për shekuj me radhë, vizionet e Marisë, nëna e Jezusit, janë raportuar rreth botës. Shfaqurit më të rëndësishme përfshijnë: Guadalupe, Meksika (1531); Fatimen, Portugalinë (1917); Lourdes, Francë (1858); Gietrzuald, Polonia (1877), në mesin e të tjerëve. Kërkesat e të fituarit vazhdojnë sot e kësaj dite në Medjugorje.
Turizmi fetar ka disa avantazhe, preferohet nga të gjitha moshat dhe vizitohet në grupe. Një studim i kësaj fushe thotë se: Tregu fetare dhe besimi i bazuar ka avantazhin tërheqës për njerëzit nga e gjithë bota, të gjitha moshave dhe të gjitha kombësive. Turizëm dhe udhëtime profesionistët duhet të jenë të vetëdijshëm se ky treg mund edhe të jetë dyfishtë deri në vitin 2020. Për të shtuar në këtë numër shumë udhëtarë me bazë fetare preferojnë të udhëtojnë në grupe dhe jo si individë. Nëse do ta shohim më konkretisht disa lloj pelegrinazhi që zhvillohen në disa vende të shenjta. Kisha e Laçit kisha e Shna-Ndout (Shën-Antonit) në Laç. Agjencia e lajmeve Reuters në vitin 2009, shkruante për kishën magjike, e cila vizitohet çdo ditë nga qindra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria. Siç shprehet Reuters, ajo që besimtarët kërkojnë në këtë kishë është shpëtimi fizik dhe shpirtëror. Vendndodhja e objektit fetar është një atraksion vendosur në një kodër të lartë buzë një rrëpire. Nga perëndimi i objektit fetar janë shkallët për të zbritur te guva,që ndodhet në lindje të Laçit, 250 m mbi nivelin e detit e gjatë disa metra, e lartë 2-3 m, e gjerë 1-4 m. Në këtë strehim gjenden në tavanin e saj tre guva. Ritualet fetare mbahen në kishë .Pelegrinët qëndrojnë tre të marta duke filluar nga data 13 qershor .Numri i besimtarëve dhe jo besimtarëve është i madh. Misteret, që përfshin këtë kisha janë të lidhura më kohën kur u ndalua besimet fetare në Shqipëri. b-Pelegrinazhi në Tomor është një vend i shenjtë që përdoret nga besimtarët bektashinj në data 22-25 gusht .Pelegrinazhi përfshinë kurbanet dhe vizitat në varrin e Abaz Aliut në majën e Tomorit. Nën cipën e hënës, ndriçimi i gjallë i yjeve , shugatej duke të ndjell ëndërrime. Misteri i Tomorit është përshkruar nga shumë studiues. Nga torba e Kristoforidhit:Vështroni o shok vështroni se si qenka mbuluar majë e malit të Tomorit me mjegull e re. Shih ,shih si shkrep mali xixa xixa e nxjerr shkëndija t’ arta e të argjendta…
Një pelegrinazh i fshehtë zhvillohej në kohën e diktaturës në Manastirin e Zvërnecit kushtuar Shën Mërisë dhe në disa kisha të zonës së Himarës. Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses”. Studiuesi shqiptar A. Meksi argumenton se kisha i përket shek XIII-XIV. Ndërsa çifti i studiuesve austriake Helmut dhe Herta Bushhausen mendon se koha e ndërtimit i përket shek. te X. Kurse një tjetër studiues Krauthemeri mendon se ky tip e ka marre stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qendrave urbane midis shekujve X-XI. Në të këtë objekt kryhen ritual fetaret ndër më të përmendurat është 15 gushti në ditëlindjen e Shën Mërisë e cila festohet qysh nga mbrëmja dhe fjetja në territorin e ishullit pas ritualeve të shumta të kishës dhe shoqërimi në mëngjes me degën e dafinës. Funksioni tjetër është turizmi kulturor, që tërheq mjaftë vizitorë. Turizmi i bazuar në besim mund të ekzistojnë pothuajse kudo, shprehen specialistët e kësaj fushe. Jemi të vetëdijshëm se në kohët e paqëndrueshme ekonomike udhëtimi fetare është i shpeshtë dhe i prirur për uljet dhe ngritjet ekonomike. Sepse udhëtarët me bazë fetare, janë udhëtarët e përkushtuar, ata kanë tendencë për të ruajtur këto përvoja fetare apo shpirtërore dhe të udhëtimit pavarësisht nga gjendja e ekonomisë. Udhëtarët e besimit priren të kenë motive të ndryshme për të udhëtuar pastaj të bëjnë udhëtarin për arsye të tjera. Për shembull, udhëtari i bazuar në besim shpesh udhëton si pjesë e një detyrimi fetar, për të përmbushur një mision shpirtëror ose për të treguar mbështetje për një qëllim të caktuar. Gjatë kohëve të vështira ekonomike udhëtimi i bazuar në besim mund të sigurojë një rrjedhje të qëndrueshme të të ardhurave në një ekonomi të turizmit lokal. Edhe pse çdo profesionistët i turizmit duhet të jenë në gjendje për të trajtuar këtë treg ata që kanë një vlerësim të fesë dhe spiritualitetit priren të bëjmë më shumë me udhëtarët në këtë treg. Është thelbësore që të jetë sensitve me larmi të madhe të nevojave të veçanta të udhëtimit brenda këtij tregu. Ka edhe mjaftë vende të shenjta lokale në Shqipëri ,të cilat mund të shfrytëzohen për turizmin fetar. Në këto vende mund të organizojnë këtë lloj turizmi fetar gati të veçantë duke njohur edhe faktin që Shqipëria është vend i njohur në botë, për tolerancën fetare. Bumi i udhëtimit fetarë, gjithashtu do të thotë se është më e lehtë për turistët e kërkimit në udhëtimet e tyre dhe për të gjetur një pushim të përshtatshme për nevojat e tyre, për të parë vepra të veçanta të artit ose për të mësuar në lidhje me kulturën lokale. Në jug lindje të majës shkëmbore të Ploçes, afërsisht 200-300 m. poshtë saj, gjendet një pllaje jo shumé e madhe, një ta­rracé e sajuar, té cilën banorét e fshatit e quajnë Lémi i Pecit. Një pllakë e vogël guri e zbuluar në Amantia i kushtohet në një farë mënyre Afrodita Pandemia, në qytetin Amantas ka pasur një tempull. Tempuj të tjerë gjenden në territorin e vendit. Pelegrinazh pagan është 14 marsi në Elbasan, njohur si dita e verës. 22Marsi është e integruar te bektashinjtë si dita e verës,lindja e Imam Aliut,e njohur si dita e Sulltan Nevruzit. Ditë kur kryen pelegrinazhe.
Vende të shenjta ku janë kryer procesione qysh nga kohët e hershme sot janë harruar . Bazilika paleokristiane janë të kohës kur nisi krishterimi. Krishterimi në Iliri i ka fillimet që nga vitet apo­stolike, thuhet në një studim, d.m.th që në shekullin e parë pas Krish­tit. Apostull Pavli gjatë udhëtimeve të tij misio­nare ka predikuar krishterimin në Iliri. Gjatë udhëtimit të tretë misionar, që e filloi në pranverën e vitit 53 dhe e përfundoi në verën e vitit 56. Kjo dëshmi përmendet te letra drejtuar Romanëve (15;19): “Nga Jerusalemi deri në Ili­ri kam kryer shërbimin e Krishtit”. Nga periudha e Biblës qendra të rëndësishme fetare ishte bërë jo vetëm një pjesë e peizazhit kulturor, por edhe ata ishin bërë lojtarët të mëdhenj në marketingun lokal dhe pjesë të rëndësishme të ekonomisë nga këto qytete, që presin pelegrinë dhe aktualisht janë qendra fetare. Teqe dhe xhami,kulte e vende,lumenj, qafa malesh,përroska, gjithfarë vende që quhen të shenjta duhen të jenë në objektiv të turizmit fetar ,që duhen të nxiten nga komunitetet fetare ,por edhe bashkitë e qyteteve të vendit tonë .Përvoja botërore është një tregues për të zhvilluar turizmin fetar si një mundësi që ka vendi ynë me ku bashkëjetesa fetare është shembull në gjithë botën,kur kemi vende të shenjta, por që i mungon pelegrinazhi fetar.

Filed Under: Analiza Tagged With: -S’KEMI, fetare, Gezim Llojdia, KEMI BASHKEJETESË, TURIZËM FETAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 759
  • 760
  • 761
  • 762
  • 763
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT