Kosova pret rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizmin e vizave Schengen për qytetarët e Kosovës.
Ministria për Integrime Evropian në qevrerinë e Kosovës ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë dokument janë përfshirë aspektet teknike dhe pakot ligjore të domosdoshme për këtë proces.
Tani, Çollaku pret që Bashkimi Evropian t’i ndërmarrë veprimet e veta, ku ndër të tjera përfshihet dërgimi i një misioni të ri vlerësues në Kosovë.
“Pastaj, bazuar në të gjeturat e këtij misioni vlerësues do të bëhet një raport tjetër nga ana e Komisionit Evropian, i cili do të shqyrtohet nga Komisioni Evropian dhe normalisht nga shtetet anëtare dhe më pastaj do të shohim se cilët do të jenë hapat pasues”.
“Ne presim që misioni vlerësues i Bashkimit Evropian të bëjë një vlerësim korrekt, meritor të punës që është bërë në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe bazuar mbi këtë meritë ne pastaj të marrim edhe një rekomandim pozitiv nga ana e Komisionit Evropian”, ka thënë Çollaku.
Ministri Çollaku pret që procedurat që do të aplikojë Brukseli për këtë rast, të përmbyllen deri në fund të këtij viti.
Megjithatë, zyrtarë të Bashkimit Evropian, përveç kritereve teknike në shumë raste kanë përmendur edhe çështje tjera që ndërlidhen me reformat në administratë apo edhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shefi i sektorit të politikës, ekonomisë dhe integrimit evropian në Zyrën e Bashkimin Evropian, Thomas Gnocchi ka thënë se Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave, por sipas tij, kriza gjashtëmujore politike si dhe ajo e migrimit ilegal kanë ndikuar shumë negativisht, sa i përket udhëtimit të kosovarëve në vendet e BE-së pa viza.
“Para së gjithash është paragrafi numër tre, rendi publik ligjor dhe siguria, ku ka më së shumti rekomandime, e të cilat mendoj se ndërlidhen me adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Gnocchi.
Por, ministri Bekim Çollaku, thotë në anën tjetër se reformat apo edhe çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit nuk mund të përmbyllen me përmbushjen e kritereve teknike për liberalizim të vizave, ngase ato do të vazhdojnë tutje si një angazhim i përhershëm ngjashëm me shtetet tjera.
“Çështjet tjera që ndërlidhen me reformat dhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë çështje që nuk përmbyllen me procesin e liberalizimit të vizave. Ato janë çështje permanente që do ta përcjellin Kosovën jo vetëm deri në momentin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, mirëpo edhe më tutje”, ka theksuar ministri Çollaku.
“Është bërë punë e madhe në ndërmarrjen e reformave të ndryshme si në drejtësi, administratë publike, në ekonomi e sektor të ndryshëm, por këto reforma nuk kanë përfunduar. Ato janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë në të ardhmen. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, ka thënë Çollaku.
Pritjet e institucioneve të Kosovës janë që nga mesi i vitit 2016 qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq në rast se Brukseli vendos kritere shtesë, atëherë kjo besohet se do ta shtynte këtë proces dhe këtë pritje për të paktën edhe një vit tjetër.(Zijadin GASHI)
Eksperimentet ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë
Praktika gjyqësore e shqiptuar për të akuzuarin Sami Lushtaku nuk mund të jetë analoge bazuar me hetimet e zhvilluara dhe dëshmitë e ofruara/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Procesi gjyqësor në shkallën e parë për grupin e Drenicës përfundoi. Përfundoj “ pamëshirshëm “ dhe me fakte jo të bindshme që i kishte në shqyrtim trupi gjykues i EULEX-it. Pra, ndaj tyre u shqiptuan 65 vjet burg. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se a e” mirituan” këtë dënim kaq të rëndë këta luftëtar të lirisë. Ka edhe shumëçka për të thënë e për të dyshuar se mos vallë është ky një proces i montuar politik i porositur nga “kuzhinat” e Beogradit që shpifin e hartojnë skenar të rrezikshëm kundër shqiptarëve e sidomos ndaj ushtarëve e eprorëve të UÇK-së. I gjithë opinioni jo vetëm i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar e di se ende qëndrojnë akuzat e ngritura nga gjykatat serbe për udhëheqësit e ushtrisë çlirimtare, akuza këto që janë shpërndar në të gjitha institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe të organeve tjera ndjekëse.
“ Trillimi” rreth praktikës gjyqësore
Në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në fushën e gjyqësisë janë të parapara në rastet e rralla edhe praktika gjyqësore, ashtu siç po arsyetohet EULEX-i për rastin e Sami Lushtakut, kryetar aktual i komunës së Skenderajt. Mirëpo, për t’u bërë kjo gjë rasti duhet të hetohet e argumentohet me fakte përmbajtësore në shumë dimensione që ofron drejtësia “ moderne”, të cilat me në fund do të mund t’ua mbushin mendjen jo vetëm gjyqtarit por edhe opinionit të gjerë. Do të thotë se rasti konkret është hetuar aq shumë sa që janë hequr të gjitha dilemat se vrasja është kryer nga i akuzuari. Edhe EULEX-i kishte angazhuar hetues të shumtë dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur të nxjerr e të gjejë fakte nga banorët e atyre tri fshatrave të Drenicës, në mesin e të cilave pretendohet se është kryer vepra. Posaçërisht hetuesit nuk kanë mundur të argumentojnë se në këto fshatra është vrarë bashkëfshatari i tyre në vendin e supozuar nga EULEX-i. Së këndejmi, një praktikë gjyqësore e marrë parasysh nga trupi gjykues i EULEX-it ndaj Sami Lushtakut, komandant i Zonës së Drenicës në kohën e luftës çlirimtare, nuk ka mundur të aplikohet sepse nuk është analog karshi gjithë procedurës hetimore që është zhvilluar dhe u paraqitën në seancën gjyqësore. Pra, nuk mund të aplikohet një praktikë gjyqësore e bazuar vetëm në dëshmitë e një dëshmitari, i cili do të mund t’i hynte kësaj aventure kundër këtij eprori për çështje hakmarrëse, inati apo për çështje të tjera personale. Do të duhej të dëshmonin edhe përcjellësit e Sami Lushtakut, sepse si një komandant që ishte ai në asnjë rrethanë nuk ka mundur të ishte i vetëm gjatë rrugëtimit të tij dhe drejtimit të operacioneve luftarake në terren. Kjo gjë me sa e kam përcjell me vëmendje këtë proces gjyqësor nuk është bërë.
Përse më shumë po ndiçën ushtarët shqiptar se sa kriminelet serb
Është numër i madh i të vrarëve shqiptar gjatë luftës së pabarabartë të zhvilluar në Kosovë. Janë vrarë rreth 15 mijë shqiptarë. Të zhdukur edhe rreth dy mijë të tjerë. Edhe më keq: u përdhunuan rreth 20 mijë vajza e gra, shumë prej tyre u vranë e u masakruan në mënyrën më mizore. U dogjën e u shkatërruan me themel mbi 180 mijë shtëpi. U plagosen, u torturuan e ndoqën nga trojet e tyre mbi një milion shqiptarë. Për të gjitha këto krime të luftës dihet me emër e mbiemër se kush i ka krye e kush i ka urdhëruar të kryhen. Këtë gjë e dëshmojnë edhe pjesëmarrësit serb në ato krime, në atë tragjedi shqiptare, në atë skenar të kobshëm për shqiptarët. Edhe këta, pra, e drejtojnë gishtin kah ata që kanë kryer krime, i kanë paraqitur në prokurori të ndryshme serbe, por edhe i kanë njoftuar edhe organet e drejtësisë evropiane me emër e mbiemër se kush janë ata gjakpirës që kryen aq shumë krime në Kosovë. Mirëpo, për çudi askush nuk ndërmerr asgjë. Këto dëshmi nuk i merr parasysh askush. Organet gjyqësore e hetimore serbe jo se jo, por as ato evropiane e ndërkombëtare nuk po bëjnë asgjë, po e injorojnë këtë gjë. Më shumë po iu intereson, disave qarqeve, që para bankës së të akuzuarëve të dalin luftëtarët e lirisë së Kosovës se sa ata që kryen krime të rënda lufte në kosovë. Pra, kriminelet serb shëtisin të lirë, bile mbajnë edhe poste të rëndësishme në Serbi siç është rasti me eprorin e lartë të ushtrisë serbe Dikoviq, ndërsa ushtarët e UÇK-së tash po edhe në të ardhmen do të përballen me akuza të pa argumentuara sa e si i kërkon një sistem i mirëfillt i drejtësisë.
Nisur nga një pabarazi e tejdukshme që po ndodh pas luftës së zhvilluar në Kosovë në aspektin e ndjekjes së atyre që kryen krime, është e kuptueshme që edhe reagimi i qytetarëve është i arsyeshëm të cilët pyesin: si është e mundur që për luftëtarët e lirisë të formohen kaq shumë gjyqe paralele, ndërsa për kriminelet serb iu është besuar që me ta merren organet e atij shteti që ishte nxitësi i luftës dhe ushtria si dhe të gjitha grupet e ndryshme kriminale kryen gjenocid mbi popullatën shqiptare dhe popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. Këto eksperimente të një sistemi të këtillë të drejtësisë mund të ndodhin vetëm në Kosovë e akund tjetër. Në emër të asaj se ju kemi ndihmuar për t’u çliruar nga okupuesi serb, kjo nuk do të duhej të ndodh. Tehu i aktivitetit do të duhet të orientohet shumë më tepër kah kapja e dënimi i atyre që vranë e masakruan qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, që përdhunuan mijëra vajza e gra, që shkatërruan e pasurinë e qytetarëve, që shumë vështirë e patën të mëkëmben. Nuk pretendoj t’i mbroj ata që eventualisht kanë kryer ndonjë vepër të ndëshkueshme, por siç thotë një fjalë popullore “ katundi që shihet kallauz nuk do”.
Si mund të jetë në paqe me veten Kristaq Gerveni?
Nga Myslym Pashaj-Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës/
Këto ditë, pas problemeve të acarimit të marrëdhënieve me Greqinë për shfrytëzimin e hidrokarbureve në detin Jon, u afrua edhe marrëveshja e ndarjes së kufijve detarë. Doli nga istikamet një negociator i rëndësishëm (por jo kryenegociator), ai që përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes nga Forcat Detare, i shfaqur pas gjashtë vjetësh tek çelte një dritare të prishur… që, për kujtesën e bashkësisë, ka një gjurmë të shënuar.
Emrin e këtij negociatori nuk e kam përmendur kurrë, por kur erdhi koha kam debatuar ballë për ballë, dhe ajo betejë nuk ka qenë asnjëherë personale. Kam paraqitur kundërshti në mënyrë të drejtpërdrejtë, më shumë se 130 shkrime analiza, në disa mediume të shkruara shqiptare, si dhe intervista e debate në mediumet pamore. Në një kohë të shkurtër, sapo Marrëveshja shkoi në Kushtetuese, botova librin “Deti që nuk falet”, 320 faqe, duke qenë i hapur dhe në përgjegjësinë shkencore të studimit.
Negociatori në fjalë, në hapësirën kohore prej gjashtë vjetësh është përfolur kaq shumë (jo nga unë), edhe pse qëndronte në grada të larta e funksione, të cilat i mori pas mbrojtjes që i bëri marrëveshjes.
Dhe ja … bëri fësht… e doli në “Ora News”, duke e drejtuar në mënyrë keqdashëse shënjestrën e tij të prishur ndaj një oponenti të pavarur, pa e nuhatur se kështu ia kish kthyer vetvetes.
Nuk tha asnjë fjalë se beteja, e cila kish përfshirë një formacion shumë të gjerë intelektual, mbaroi në Gjykatën Kushtetuese, ku u dha gjykimi i epërm që e mbylli veprën famëkeqe.
Në fund të asaj beteje të turpshme, ai pat deklaruar: “I dhamë më shumë det Greqisë se ka flotë detare më të madhe!”
Ata që ishin të pranishëm ia bënë “Ëh! Ëh!”
Kjo ishte njolla që s’shlyhet kurrë. Para saj, Berisha kish marrë kompasin në dorë, për ta ndihmuar njeriun që në detin e madh kish zgjedhur një shkëmb detar strukjeje.
Kush ia rriti frymëzimin këtij njeriu që të dalë në opinion pikërisht në këtë kohë kur “vepra” është dëshmi reale se i ka prishur edhe më shumë marrëdhëniet midis fqinjëve?
Deklarata vjen në një vijë bashkuese të Athinës, së cilës i doli natyrshëm në kohë turbullirash negociatori i dikurshëm që të deklaronte se shkaku origjinë është që një oponent i pavarur në manipulim të hartave “…ka dashur të krijojë një trekëndësh për t’u tallur me ndjenjat e njerëzve”. Sikur oponenti të kish aftësi sugjestioni! Konteksti ka lidhje me “nacionalizmat”, ku negociatori kërkon transhe për t’u mbrojtur. A nuk foli kështu edhe Bakojanis, Berisha etj.? Në të njëjtën fill.
Prej kësaj del natyrshëm përfundimi se Kushtetuesja qenka molepsur nga ky sindrom…
Në të gjithë dokumentacionin e paraqitur në Kushtetuese nuk ka asnjë dëshmi hartografike që t’i irritojë shqiptarët, çka është tanimë e vërtetueshme lehtësisht. Nuk ka asnjë hartë nga ato që paska ruajtur në sirtarin e tij negociatori.
Ka veç një dashamirësi ndaj detarit… që mund ta ruante sërish figurën e tij, duke iu qasur atij realiteti që u prodhua nga shkaqe që ai vetë i di.
Ndërkaq, Forca Detare ku ai ka shërbyer e komanduar dhe opinione të kohëve të fundit (shikoni kap. Meçollari apo kap. Petoshati) me urtësi dhe argumente për aq sa arrijnë të çmojnë, sjellin dyshime themelore për rolin e tij shumë të dukshëm duke anashkaluar FD.
Me naivitet (sërish më vjen keq tek e shpreh) kujton se gjithë kjo histori na qenka “e tija” dhe “e oponentit” , kur ajo fitoi një tejdukshmëri aq të madhe, kombëtare, ndërkombëtare, por edhe profesionale.
Del në pah se brenda tij negociatori ka një karakter tjetër …forca e të cilit e bën zap dhe nuk e lë të meditojë ndershmërisht me vetveten, është ajo, që në kahjen e keqe e kapërcen aktin e epërm të Kushtetueses, e cila nuk ka emrin e një oponenti, por gjykimin më gjakftohtë juridik e shkencor, që e hodhi poshtë atë pakt detgrabitës.
Prandaj, ai lypsej të merrej ndershëm me argumentet që sjell Kushtetuesja, të cilat duhet t’i ketë lexuar, por ka gjasa se i kanë lënë një mbresë vërtetësie aq goditëse, ndaj u largohet dhe u fshihet, si kurrë nuk duhet ta bëjë një kundëradmiral.
Teksa shprehem kështu, ndonëse ndodhem larg e nuk e kam parë hartën që ai shpjegon, them se “si vallë nuk i dridhet timoni i anijes dhe nuk i çrregullohet busulla në orientimin e saj, kur kalon lehtësisht te shkëmbi i Pleshtit (Barketa), ku ai braktis të vërtetën shqiptare historike të ‘pushtimit’ të këtij shkëmbi, ku u vendos kompasi i baraslargësisë dhe deri në vijën bazore të gjirit të Tetranisit na ngelën afërsisht 780 metra?
Si nuk i dridhet timoni teksa dëgjon kumtin “qorr” të baraslargësisë që e hedhin në hartë fqinjët dhe shmang metodën tjetër “equitable solution” që e rekomandon UNCLOS, për rrethanat aq komplekse që ka kufiri ynë detar me Greqinë dhe rri në “paqe me veten”?
Sa ka të tilla për të thënë, por këtu s’është vendi.
Mbajtja ende në dorë e kompasit politik, duke përmendur Lulzim Bashën që ishte në krye të ekipit të “përkushtuar”, çka sollën atë ngjarje unikale në dramën e kufijve tanë historikë, është një dimension tjetër i turpshëm, që lë jo vetëm shije të keqe, por edhe një damkë që shndërrohet sërish në bumerang.
Kristaq Gerveni (është hera e parë që po e përmend në shkrimet e mia kritike-teknike) ndodhet tani në paqe me veten…!
A nuk ju duket groteske!?
Ai pret që të bëhen rinegociata dhe ekipi i ri “të përfitojë më shumë sesa mori ai…”
Për të gjithë shoqërinë, kjo duhet të jetë dëshpëruese.
Aq më shumë me organizimin e shtetit dhe funksionimin e tij, se, siç shihet, fjala u ka ngelur atyre që e ndërtuan atë pakt të riflasin dhe riargumentojnë dështimin e madh, kur institucionet e shtetit s’kanë thënë ende gjysmë fjale, veçse kanë kallëzuar në Prokurori negociatorët, pas gjashtë vjetësh…
*Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës(Kortezi(Panorama)
Obama foli si shqiptar!
Ilir Levonja-Florida/
Dje në mbrëmje, ndërsa shfletoja faqet e The Daily Caller (Të rejat nga dita) në internet. Erdhi si lajmi më i fundit deklarata e presidentit Obama, në lidhje me pozitat e Shteteve të Bashkuara midis vendeve të tjera në botë. Përfshi këtu jo vetëm ato me potencial ekonomik dhe ushtarak. Por edhe të vegjlit, që ndahen në miq dhe partnerë, etj.
Midis të tjerave ai ngriti si trofe, fundin e luftës në Irak dhe Afganistan. Lidhjet e saposhme me Kubën e vëllezërve Kastro. Si dhe fundin e ankthit të armatimit bërthamor me Iranin. Fjalë për fjalë Obama tha: ”Nën qeverisjen time Amerika u bë vëndi më i respektuar në botë”.
Titulli i parë që u përhap qe, këputja president. Çfarëdo që të thuash ne të besojmë. Një ironi e hidhët. Mbasandaj me mijra komente. Njerëzit ishin të indinjuar. I tërhiqnin veshin. Komentet shoheshin vrullshëm. Shifra rritej, rende. Pjesa më e madhe quanin jo vetëm politikan të dështuar, por edhe aktor komik i dështuar.
Megjithatë kur vjen momenti final, këta njerëz votojnë të qetë. Këta burra shteti ndërrohen plot respekt. Vendi mban frymën. I respekton.
1)Nuk kam një njohje të thellë për sa Obama premtoi dhe sa arriti. Por nga kontaktet me njerëzit, ndiej efektin e një zhgënjimi të madh në raport me ardhjen në pushtet të tij. Ato vite djali nga Hau’ai, u bë një lloj simboli i njeriut që do bënte realitet Eldoradon e Perëndimit. Sidomos në politikat sociale, përkrahja dhe siguracionet shëndetësore etj. Kjo sapo ka filluar të aplikohet. I bie plot 6 vjet më pas nga fushata e dimrit të 2009-ës.
Por ai qe dhe një risi, madje një ëndërr e njerëzve me ngjyrë për të patur një president nga soji i tyre.
Atë kohë vendi vinte si i demoralizuar nga kriza ekonomike e 2008-ës. Kështu në atë dimër vërtet të ftohtë, ai u bë një mesie. Dhe disa politika sociale, apo edhe ekonomike dhanë efektet e duhura. Si lëvrimi i kreditimit duke simuluar blerësit, në marrëdhënie me bankat.
Por ashtu si në mjeksi, efekti anësor i ilaçeve, edhe këto reforma kanë sjellë disa pasoja. Më e përfolura, stimulimi kartave ushqimore tek njerëzit me të ardhura të pakta. Ku pjesa dërmuese e tyre përbëhen nga njerëz që nuk duan të punojnë. Nga femra, qofshin me ngjyrë apo pa ngjyrë, që krijojnë familje me shumë fëmijë dhe baballarë të ndryshëm. Kjo për të përfitur. Të drejta studimi, qera të ulëta dhe kujdestari etj. Gjen me shumicë gjyshe tridhjetë e pesë vjeçare. Dhe njëzetë vjeçare me dy fëmijë apo tre fëmijë. Vetëm për të përfituar nga këto të ardhura nga ndihma sociale. Ku sipas shumë njerëzve, konsiderohet si degradimit i vatrës familjare amerikane. Shpesh plot nga të njohurit, tregojnë raste kur mblidhen në ndonjë event familjar, babai i motrës së madhe, babai djalit dhe burri i radhës. Madje, ky i djalit të lidhet me shoqen e vajzës së babait tjetër.
Shkurt, Obama me politikat e tij, nuk i parandaloi. Por i simuloi.
2)Për sa i përket politikës së jashtme, mbarimit të luftës në Irak apo Afganistan. Lidhjet me Kubën. Ka akoma më shumë indinjatë.
E para, për faktin se disa mendojnë se tërheqja nga lindja e mesme, nuk dha rezultatin e pritshëm. Sot Iraku është një shtet i pastabilizuar. I paftë të qeveriset. Po ashtu Afganistani. Lindi konflikti sirian, pranvera arabe apo dhe së fundi Isis.
Pra mbarimi i luftës, që në fakt ishte tërheqja e trupave nga andej, nuk solli pritshmërinë e duhur.
E dyta. Kina sapo i tregoi forcën në detet rreth saj. Me Moskën marrëdhëniet janë të ngrira për efekt të ndërhyrjes në influencën ruse. Konflikti i Ukrainës. Strehimi që i dha Eduard Snouden-it. Njeriut që nxorri të dhënat kompjuterike etj.
Kuba nuk është asgjë tjetër veç një legjitim për ata kubanezë që jetojnë këtu,të privuar nga regjimi komunist. Një lëshim i Guantanamos. Apo hapja e portave nga Raul Kastro do të shtojë prurjet e refugjatëve. Kubës i ka vajtur atje ku nuk mban më.
Madje shumë e konsiderojnë si një lëvizje të padobishme edhe për faktin se duket sikur po ndihmojnë vëllezërit Kastro, nga një largim i butë prej pushtetit.
Si përmbledhje e të gjithë kësaj vërshime komentesh e ironish të hidhta. Eshtë retorika e Obamës ajo që nuk u pëlqen njerëzve. Për ta realiteti nuk është ai që thotë Presidenti.
Ndjesia njerëzore nuk është ajo. Amerikanët ndihen të zhgënjyer. Dhe kanë filluar të thërrasin bufon. Butaforik. Qënie e komanduar skenike. Jo mesia me ngjyrë që i ngriti më këmbë.
Pra ata, nuk ndihen të respektuar. Për rrjedhojë as Amerika.
3)Si shqiptar mua gjithmonë më vete mëndja në vendin tim. Bëj krahasime. Përfytyroj. Madje i frymëzuar nga një kalim pushteti. Nga një debat televiziv, nga mënyra se si bëhet fushata. Si flasin kundërshtarët me njëri-tjetrin. Hidhem ëndërrues edhe në vendin tim. U kam shkruar personalisht edhe pushtetarëve aty se si të ndërrojnë pushtetin. I shkruajta Berishës që të priste Ramën tek dera e Kryeministrisë. Pasi gjykoja, gjykoj edhe sot se ai vend ka nevojë tashmë për një risi në politikë bërje. Po gjithmonë mbeta naivi. Ai që nuk e kupton se çfarë është komunikimi ndër kundërshtarë në politikë.
Madje nuk shoh as reagime të tipit Daily Caller. Ku njerëzit t’i kujtojnë politikanëve se ku dallon retorika nga realiteti. Nga jeta e tyre. Por aty ka vetëm thirrje e lavdi. Rroftë, pa pushim. Rroftë përjetësisht. Ka manovra se si të marrim edhe Lefterinë e të japim Blushin. Si të përplasim dy kuksianë demokratë, për një kryqëzim në dalje të Tiranës.
Nxjerrja nga arkivat e ndonjë fotoje me një të burgosur. Kilet e Nanos në tragetin e liqenit të Fierzës.
Në ato pak sekuenca vizive fushate. Dominon retorika e ndërsimit të turmës me turmën. Marrja nëpër gojë e kundërshtarit, me mllefin e shpirtit, jo planet konkrete. Se si të dali nga depresioni vendi i ”lulëzuar” i Edi Ramës. Një retorikë e tillë si ajo e ditës së diel në Vlorë. Përpara…, një grupi simpatizantëve, jo popullit. Kuvajti, do na japi miliarda. Dhe ky djali këtu, di si t’i kollondrisi.
Po frymëzojmë një popull me ndjesinë e pritjes. Për para kredish, para të dhuruara. Me pritjen e një shiu parash nga qielli. Por më e keqja, me pasionin për të shpërfytyruar njëri-tjetrin. Të bindur se kështu bëjmë reforma.
Të dekriminalizohet kuvendi!
NGA ILIR HASHORVA,New York/
Ç’do të thotë të dekriminalizohet kuvendi?
“Të largohen apo të mos mund të bëhen dot deputetë disa persona me të shkuar kriminale, disa persona me veprimtari si të Al Kapones,” – është mendimi i përgjithshëm. Por, në qoftë se do të largohen apo do t’u pengohet hyrja në kuvend këtyre personave, vërtet do të përmirësohet ai kuvend, vërtet do të dekriminalizohet?
Mendoj se të kuptuarit e çështjes në këtë mënyrë është shumë e cektë. Kriminel nuk është vetëm ai klasiku, ai që të ngul thikën para apo pas shpine; ai që të vjedh apo të grabit në kundërshtim me ligjin; ai që të rrëmben, të mban peng apo të përdhunon; por është edhe ai që, pa shkelur ligjin, madje, në emër të tij, pa e kuptuar edhe ti vetë, të dëmton dhe të dëmton rëndë.
Kur Ali Pasha ishte ende në mal, kur vidhte e grabiste, kur vriste e përdhunonte, një ditë, pasi kishin vjedhur një cjap së bashku me bashkëluftëtarin e tij, Sulon, pasi e poqën dhe filluan ta hanin, nisën një bisedë:
– Sulo, kështu do të hamë përditë, prit sa të marrim kryen e vendit.
– Po atëherë, nuk do të vjedhim dot, se do të na shohin e do të jetë turp.
– Do të vjedhim Sulo, do të vjedhim e nuk do të na shohin, do të vjedhim me ligj.
Të dekriminalizojmë vërtet kuvendin, do të thotë që ai kuvend të paraqesë, të diskutojë dhe të miratojë ligje të drejta e morale; do të thotë që kuvendarët, para se të miratojnë një ligj, të mos pyesin: “ç’përfitoj unë nga ky ligj?”; do të thotë që kuvendarët të mos miratojnë ligje që u vinë në ndihmë kusarëve, grabitësve e mashtruesve se, po bënë kështu, bëhen të gjithë ata vetë kriminelë dhe kuvendi mbetet i kriminalizuar.
Nuk ish gjë hajduti malit, ai vidhte atje ku kish, por hajduti brenda gardhit, të thyen brinjë e kërbisht, – thotë populli.
Dhe kuvendi ynë, që nga ai i pari i vitit 1992, ka miratuar disa ligje që në vetvete janë kriminale dhe është për t’u habitur se të gjithë: “të majtë” e të “djathtë”, edhe pse për ligje të tjera krejt të parëndësishme kacafyten keqas me njëri tjetrin, për këto ligje (po të përdorim një neologjizëm të Edi Ramës) janë në “dakordësi” të plotë.
Disa prej këtyre ligjeve po i rendis më poshtë.
Një kuvend që ka miratuar ligjet e pronave që kemi, është kuvend kriminal. Të vendosësh që pronën e X-it, që ia ka marrë apo grabitur Y-i, t’ia ligjërosh Y-it dhe t’i thuash X-it se po ia “kompenson” financiarisht, ke hartuar dhe ke miratuar një ligj të pastër kriminal. Përse? Së pari, se ke promovuar vjedhjen dhe grabitjen dhe ke vrarë ligjshmërinë, ke mbrojtur shkelësin e ligjit dhe ke dënuar respektuesin e ligjit. Së dyti, ç’të drejtë ke ti që të marrësh paret e taksapaguesve shqiptarë dhe, në vend që t’i shpenzosh ato në dobi të vendit, në dobi të përgjithshme, shkon e ua jep atyre të cilëve u ke marrë pronat për t’ua dhënë të tjerëve? Së treti, vetë pronaret, të cilëve u ke marrë pronat, nuk duan shuma qesharake parash kompensimi, para që shumica nuk do t’i marrin në jetë të jetëve. Ata duan pronat e tyre. Së katërti, metoda e kompensimit financiar nuk është krijuar për të dëmshpërblyer vërtet në njëfarë mënyrë të gjithë ata të cilëve u janë grabitur pronat, por për të ngushëlluar me pak para një grusht të vogël ish-pronarësh të afërt me pushtetin si dhe për të shpërblyer një numër zyrtarësh, përsëri të lidhur me pushtetin, të cilët e shfrytëzojnë postin e tyre për të marrë ryshfete prej atyre të cilëve u akordojnë njëfarë kompensimi. Ka edhe aspekte të tjera shumë negative që lidhën me tjetërsimin e pronave, por edhe kaq mjafton për ta karakterizuar ligjet e pronave si kriminale dhe kuvendin tonë që ka miratuar ato ligje si kriminal. Të mos harrojmë se ligjet e pronave janë hartuar që në vitin 1992. Që në këtë kohë kuvendi mori fytyrën e një institucioni kriminal dhe që në këtë kohë u ka dhënë të drejtën kryetarëve të qeverive, por edhe zyrtarëve të rangjeve më të ulëta, që të dalin e të mburren lart e poshtë nëpër Shqipëri, duke shpërndarë vërtetime pronësie për pronësi të grabitura, madje të futen edhe në garë për numrin e vërtetimeve që ka lëshuar njëri apo tjetri dhe të lënë dyerve të zyrave të shtetit dhe të gjykatave që prej 25 vjetësh ata të cilëve iu grabitën pronat. Ç’interes kanë për këtë? Ata përdorin pronat e grabitura për të blerë votat.
Një kuvend që miraton ligje për të shtuar herë pas here pagat dhe privilegjet e anëtarëve të tij, në një kohë kur niveli i jetës së shtetasve ulet e taksat ngrihen, është kriminal. Anëtarët e kuvendit janë bërë nga njerëzit më të pasur të këtij populli të varfër. Që në vitin 1992, nga ligjet e para që miratoi kuvendi, ishte ai i pagave dhe i privilegjeve të deputetëve. Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, ua ktheu mbrapsht kërkesën deputetëve dhe një deputet i zemëruar i asaj kohe, tha: “Vetëm zogu knon pa lekë”. Sipas tij, fjalët që thonë deputetët në kuvend janë perla e kaluar perlave që duhen paguar dhe duhen paguar mirë. Kuvendi e miratoi ligjin për përfitimet e deputetëve dhe që nga ajo kohë ato përfitime u shtuan herë pas here.
Një kuvend që, në vend që të merret me ideimin dhe hartimin e ligjeve të mira e të drejta për popullin dhe vendit, merret me grindjet rrugaçësore midis anëtarëve të tij, është kriminal. Ja një grindje e kohëve të fundit e zhvilluar në kuvend:
Koço Kokëdhima: “Fillimisht dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për z. Ristani, i cili u zgjodh të përdoret nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim. Gjyshi i Ristanit ishte Pllatua. Pllatua ishte kushëri i parë me gjyshin tim. Pllatonin e kishte bërë Baxhia, motra e Mitros. Mund të kishte zgjedhur Saliu një burrë tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristan, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë Komision. Ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë. Një herë si nip në fshatin tim, njëherë si kushëri i imi dhe një herë si deputet i opozitës” (të gjithë anëtarët e shumicës në parlament gajasen).
Arben Ristani: “Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Kokëdhimën m’u kujtua një shprehje e të parëve të mi që thoshin: “Në fshat ka qenë një rregull që mos të bënin krushqi me Kokëdhimat”. Tani që po e shikoj Kokëdhimën, e kuptoj se pse ata kishin të drejtë” (të gjithë anëtarët e pakicës në parlament gajasen).
Në vend që deputetët të vlerësohen nga idetë që hedhin dhe nga mbrojtja e atyre ideve, vlerësohen nga sharjet që shkëmbejnë midis tyre kur grinden, nga ato që quhen “batuta” e që janë thjesht budallallëqe e banalitete. Për këto marrin ato paga të larta dhe sigurojnë një mori privilegjesh të tjera, të gjitha të paguara nga populli i varfër shqiptar.
Një kuvend që vendos të ketë 140 përfaqësues në një vend të varfër me më pak se 3 milionë banorë, dhe këta t’i mbajë me të gjitha të mirat, është kriminal. Vende shumë më të mëdha me popullsi se Shqipëria dhe me shumë më shumë probleme reale se Shqipëria, kanë shumë më pak përfaqësues. Përveç kësaj, mbi gjysma e deputetëve janë thjesht parazitë, janë thjesht mumie që, as nuk japin dhe as nuk marrin, as nuk flasin as nuk dëgjojnë, as rrinë e as ikin. Edhe të tjerët që flasin jo se kanë ndonjë mendim personal, ata thjesht shquhen në zotësi për të mbështetur ato që thotë i pari i tyre.
Një kuvend që miraton ligje për financimin e partive politike si dhe të fushatave të tyre zgjedhore tepër të kushtueshme, është kuvend kriminal. Përse duhet të paguajnë shqiptarët para për të mbajtur ato farë partish politike? Përse duhet të paguajnë shqiptarët fushatat zgjedhore të atyre partive të cilat mbledhin dhe paguajnë mijëra njerëz që të dëgjojnë e t’u bëjnë dekor disa injorantëve që mbajnë gjoja fjalime në të cilat përsërisin pa pushim budallallëqe e banalitete të neveritshme? Dhe, të mos harrojmë: financimi i partive politike shtohet nga viti në vit, ashtu siç shtohen dhe pagat dhe privilegjet e deputetëve. Partitë të vetëfinancohen nga anëtarët e tyre dhe të mos marrin asnjë lek nga buxheti i shtetit, nga paratë e popullit, përndryshe, parlamenti mbetet kriminal.
Një kuvend që nuk është në gjendje të nxjerrë një ligj për të qenë për të zbuluar krimet dhe kriminelët e komunizmit, është vetë kriminal. Ka 25 vjet që flitet për hapjen e dosjeve, për gjënë më të lehtë që mund të bënte shoqëria shqiptare, për të zbuluar dhe për t’u ndarë me të shkuarën mizore komuniste dhe kuvendi nuk e bën.
Për deri sa kuvendi do të vazhdojë në këtë mënyrë, sado Mark Froqër të largojë apo të fusë në burg, ai është dhe do të mbetet kriminal.
Nju Jork, 26.05.2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 793
- 794
- 795
- 796
- 797
- …
- 975
- Next Page »