• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjala e Lirë: Gazetari i dy epokave për një epokë

January 3, 2026 by s p

Dr Fatmir Terziu/

Ashtu sikurse në shumë media online dhe në print, dhe tek media që drejtoj unë në Londër, „Fjala e Lirë“ dhe revista „Albanian Post“, prezenca dhe shkrimet e tij më kanë dhën ëtë qartë të kuptoj se Frank Shkreli nuk u bë gazetar rastësisht. Ai erdhi nga një realitet ku fjala mund të kishte pasoja, prandaj e mësoi herët se liria nuk është dhuratë automatike. Kur jeta e çoi në Shtetet e Bashkuara, ai gjeti jo vetëm hapësirën për të folur lirshëm, por edhe përgjegjësinë që kjo liri sjell. Në redaksinë e Zërit të Amerikës, ai nuk u kufizua të përcillte lajme; ai u përpoq t’u jepte kuptim. Për shumë shqiptarë, programet ku ai punonte ishin dritarja e vetme për të parë se si funksionon një shoqëri e lirë.

Por historia e tij nuk mbaron me mbylljen e mikrofonit. Pas daljes në pension, Frank Shkreli mund të ishte tërhequr në qetësi. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të vazhdojë të flasë këtë herë përmes publicistikës së pavarur. Artikujt e tij sot lexohen në media brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe kanë një tipar të përbashkët. Nuk i shërbejnë asnjë pale, veç lexuesit. Ai kritikon kur duhet, lavdëron kur është e merituar dhe mbi të gjitha kërkon që shoqëria të mos pajtohet me mediokritetin.

Një pjesë e mirë e këtyre shkrimeve u përmblodhën në librin “Demokracia nuk pret”. Titulli është tepër domethënës. Demokracia nuk është një ritual që kryejmë gjatë zgjedhjeve dhe pastaj e harrojmë. Ajo kërkon kujdes të përditshëm, vëmendje, guxim dhe përgjegjësi qytetare. Në faqet e këtij libri, Shkreli flet për politikën, mediat, diasporën, moralin publik, por mbi të gjitha flet për njeriun dhe për rolin që secili prej nesh ka në mbrojtjen e lirisë.

Ajo që e dallon Frank Shkrelin nuk është retorika e madhe, por qartësia e arsyetimit. Ai nuk kërkon të fitojë debat me çdo kusht; kërkon të nxisë reflektim. Edhe kur kritikon ashpër, ai ruan një ton qytetar. Edhe kur paralajmëron për rreziqe, ai nuk humb shpresën. Në shkrimet e tij ndien gjithmonë një mesazh të nënkuptuar: Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë, por kjo varet nga ne. Në një kohë kur gazetaria shpesh ngatërrohet me propagandën, shembuj si ai i Frank Shkrelit janë të rrallë. Ai na kujton se gazetari nuk është thjesht raportues i ngjarjeve, por rojtar i së vërtetës publike. Dhe për aq kohë sa do të ketë zëra që flasin me ndershmëri, demokracia ka ende shpresë. Kjo është arsyeja pse Frank Shkreli mbetet aktual edhe sot. Dhe kjo jo sepse Frank Shkreli e flet më fort se të tjerët, por sepse flet me ndërgjegje. Dhe në një botë ku zhurma është e madhe, ndërgjegjja është luks, dhe domosdoshmëri njëkohësisht.

ree

Mbi të gjitha tri vëllimet “Demokracia nuk pret” nuk janë thjesht libra, por janë kujtesë se liria kërkon përditë angazhim. Përmes analizave të tij, Frank Shkreli na tregon se demokracia nuk funksionon pa qytetarë aktivë, pa media të përgjegjshme dhe pa moral publik. Në fund, lexuesi mbetet me një mesazh të thjeshtë, por të domosdoshëm: ndryshimi është i mundur, por vetëm nëse nuk presim që ta bëjnë të tjerët.

Në fund, arsyeja pse zgjedh të shkruaj për Frank Shkrelin është e thjeshtë. Ajo dallon, sepse na duhen njerëz që na kujtojnë se fjala ka përgjegjësi. Në një kohë kur shumë gjëra relativizohen, ai mbetet dëshmi se gazetaria mund të jetë e ndershme pa qenë naïve, kritike pa qenë cinike dhe e fortë pa qenë e zhurmshme. Shkrimet e tij nuk na japin receta, por na ftojnë të mendojmë. Dhe kjo, për mua, është vlera më e madhe.

Filed Under: Analiza

Shërbimi Inteligjent Europian, Koha e Maturisë Strategjike të BE-së

January 3, 2026 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Propozimi i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për ngritjen e një Njësie të re Inteligjence pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Komisionit është një sinjal serioz për fazën e re ku po hyn Bashkimi Europian. BE po kalon në fazën e maturimit strategjik. Europa po kërkon të parandalojë goditjen e radhës.

Pyetja që shtrohet është, se si mund të ndërtohet ky shërbim informativ pa cenuar sovranitetin e shteteve anëtare?! Bazuar në përvojat e strukturuara të vendeve kryesore europiane, arkitektura aktuale e inteligjencës në BE nuk është më e përshtatshme për rreziqet e shekullit XXI. Nga ana tjetër, BE nuk vuan nga mungesa e informacionit, por nga mungesa e kohezionit.

Europa prodhon shumë informacion, por shumë pak strategji. Ka shumë agjenci dhe shumë protokolle. Ka pak centralizim, pak standardizim dhe pak përgjegjshmëri.

Sistemi aktual përbëhet nga INTCEN, Europol, ENISA dhe strukturat e mbrojtjes kibernetike. Njëzetë e shtatë shërbimet kombëtare kanë kultura, prioritete dhe kufizime të ndryshme. Sistemi nuk funksionon si një arkitekturë e integruar strategjike.

Në kushtet e sotme gjeopolitike, ndryshimi është domosdoshmëri. Lufta në Ukrainë e ka shkatërruar iluzionin e sigurisë europiane. Rreziku i një tërheqjeje të pjesshme amerikane nga mbrojtja europiane po e çon BE-në drejt autonomisë strategjike. Kërcënimet hibride, nga ndërhyrjet kibernetike deri te operacionet e influencimit, nuk i respektojnë kufijtë kombëtarë. Ato nuk i përshtaten as modelit tradicional të inteligjencës së decentralizuar.

Duhet të qartësojmë se propozimi nuk bën fjalë për krijimin e një shërbimi informativ klasik, pra një “CIA europiane”. Nuk flitet për një strukturë operative që mund të përplaset me shërbimet kombëtare. Flitet për një qendër të nivelit strategjik.

Megjithatë, një sistem inteligjence ka nevojë për një mekanizëm të posaçëm për mbikëqyrjen. Ai duhet që të jetë i ngjashëm me komisionet parlamentare kombëtare. Ky mekanizëm është i domosdoshëm, sepse siguron legjitimitet demokratik, garanton proporcionalitetit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Njëkohësisht, ai parandalon abuzimet politike. Pa këto element çdo reformë e inteligjencës europiane do të ngjall dyshim të madh në opinionin publik.

BE duhet të zgjedhë mes copëzimit apo fuqisë. Debati rreth krijimit të një shërbimi inteligjent europian është një çështje politike madhore. Ai lidhet me pyetjen ekzistenciale, nëse BE dëshiron që të jetë thjesht një treg apo një fuqi?!

Nëse Europa synon autonomi strategjike të vërtetë, ajo ka nevojë për një qendër komande të përbashkët. Pa analizë të integruar, nuk ka parandalim. Pa parandalim, nuk ka siguri. Kompetencat e ndara e bëjnë Bashkimin Europian të dobët. Jo sepse shtetet anëtare janë të vogla, por sepse ato nuk mendojnë së bashku si një organizëm unik.

Njësia e propozuar është një hap i parë i drejtë, por jo i mjaftueshëm. BE-së i duhet një arkitekturë strategjike e unifikuar. Një mekanizëm mbikëqyrës i pavarur dhe një kulturë e re inteligjence. Siguria duhet parë si një përgjegjësi e përbashkët, jo si një monopol kombëtar. 

Në epokën e rreziqeve të përditshme, Europa nuk mund të lejojë më luksin e moskoordinimit. Nëse kontinenti dëshiron të mbijetojë politikisht dhe strategjikisht, ai duhet që të mendojë si një trup i vetëm. Dhe inteligjenca është vendi nga ku ky transformim duhet të fillojë.

Njësia e inteligjencës në Komision paraqitet si zgjidhje ndaj rreziqeve hibride, infiltrimeve ruse, presionit kinez dhe mungesës së paralajmërimit strategjik. Por realiteti tregon se, problemi i BE-së nuk është mungesa e strukturave. Është mungesa e besimit dhe integrimit. Që njësia e re e inteligjencës të mos jetë një fasadë, duhet një ndryshim konceptual.

Europa ka INTCEN. Ka EUMS INT. Pra, ka mekanizma. Ajo që mungon është një analizë e unifikuar. Mungon një kulturë strategjike dhe një ambient ku shtetet ti besojnë mjaftueshëm njeri-tjetrit për të ndarë inteligjencë me peshë. BE nuk vuan nga boshllëku institucional, por nga boshllëku analitik. BE vuan nga fragmentimi, jo nga mungesa e strukturave.

INTCEN dhe EUMS INT funksionojnë si dy botë paralele. Kanë dy lidershipe dhe dy cikle prodhimi. Të dyja kanë ekspertizë, por asnjëra nuk ka autoritetin e duhur për të prodhuar një pamje të unifikuar strategjike të Europës. Në fakt, Europa ka inteligjencë. Ajo që mungon është sinteza.

Zgjidhja e propozuar duket se diagnostikon simptomat, por nuk shëron sëmundjen. BE nuk ka integrim analitik. Nuk ka kulturë të përdorimit të inteligjencës në vendimmarrje. Nuk ka peshë politike dhe mekanizmat për t’i detyruar shtetet që të ndajnë të dhëna thelbësore. Nuk ka garanci se informacioni i ndarë nuk do të përdoret politikisht. Dhe mungon ritmi strategjik për ta përfshirë inteligjencën në politik-bërje.

Inteligjenca është zemra e sovranitetit kombëtar. Nuk ndahet lehtë. Nuk centralizohet shpejt. Në fushat ku BE ka më shumë nevojë për informacion si, energjia, ekonomia, politika e brendshme dhe rreziqet hibride, shtetet anëtare janë më pak të gatshme ta ndajnë atë.Asnjë logo e re në Bruksel nuk mund ta ndryshoj lehtësisht këtë psikologji. 

BE-ja ngriu së fundmi 247 miliardë dollarë asete ruse. Ky vendim ka hapur rrugën për një hua gati 200 miliardë dollarëshe për Ukrainën. Kjo garanton financim shumëvjeçar të Ukrainës, pavarësisht mbështetjes nga Uashingtoni.

Për herë të parë që nga fillimi i luftës, është Europa dhe Ukraina, jo SHBA-të, që do të kenë më shumë ndikim në përcaktimin e fatit të luftës. Megjithatë, kjo rritje e peshës gjeopolitike përkon me një moment të brishtë për vetë BE-në. Sepse kemi ekonomi të ngadalta. Politikë të përçarë. Kapacitete mbrojtjeje të dobëta. Presion amerikan që ushqen euroskepticizmin. Pyetja që ngrihet natyrshëm është, si mund të pretendojë Europa një rol strategjik në luftë, nëse mbetet e verbër në inteligjencë?

Një “njësi e re” nuk do ta ndryshoj këtë realitet psikologjik dhe politik. Por, nëse nxjerrim një mësimi nga NATO. Ai është që bashkimi funksionoi, sepse u bashkuan strukturat, jo sepse u shtuan. Zgjidhja nuk ishte krijimi i një agjencie të tretë, por shkrirja e plotë e tyre. 

Ndërkohë, NATO dhe BE duhet të integrojnë më mirë kapacitet e tyre të inteligjencës. Çështjet e sigurisë nuk duhet të instrumentalizohen nga politika. Europës i duhen aftësi reale, jo struktura boshe. 

Filed Under: Analiza

Nëna e Isës dhe naçallniku serb

December 31, 2025 by s p

Prof.dr. Sylë Ukshini/

Diplomati austriak Umlauf në një raport nga Mitrovica drejtuar ministrit të Jashtëm austro-hungarez Berchtold-it, më 24 tetor 1913, ofron një dëshmi domethënëse mbi përdorimin e presionit administrativ dhe shantazhit familjar nga autoritetet serbe si instrument politik kundër figurave kryesore të rezistencës shqiptare. Kërcënimi i drejtpërdrejtë ndaj nënës së Isa Boletini, me deportim të detyruar nëse ajo nuk ndërmjetësonte kthimin e të birit, zbulon një praktikë represive që synonte thyerjen morale dhe shoqërore përmes ndëshkimit kolektiv.

Nëna e Isës, e cila më është përshkruar si një grua e thjeshtë, por inteligjente dhe energjike, thuhet se i ka dhënë nëpunësit të deleguar këtë përgjigje:

“Vendndodhja e djalit tim nuk më është e njohur dhe, për rrjedhojë, nuk do të ndërmarr asgjë për ta bindur të kthehet. Dijeni se unë jam nëna e Isa Beut. Ju deklaroj se askush nuk mund të na detyrojë të largohemi nga shtëpia jonë. Jeni të lirë të na pushkatoni ose t’ua vini flakën shtëpisë mbi kokë, por të gjallë nuk do të mund të na nxirrni nga shtëpia!”

Në vazhdim të këtij raporti tim të përulur lejoj veten të shtoj se Pop (Prota) Angjelko, i cili, në interes të familjes së Isa Beut dhe, në përgjithësi, në interes të myslimanëve të shtypur, ka dalë gjithmonë hapur përballë autoriteteve serbe, para dhjetë ditësh është përplasur me Naçelnikun e qarkut këtu për shkak të familjes së Isës. Pop Angjelko është nisur menjëherë, i veshur me rroba shqiptare dhe me disa shoqërues, drejt Drenicës. E konsideroj krejt të mundshme që ky prift ortodoks, i cili ishte sekretari, furnizuesi me armë dhe miku i Isa Beut, të kalojë plotësisht në anën e shqiptarëve.

Filed Under: Analiza

Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme

December 30, 2025 by s p

Prof.dr.Muhamet Racaj
Universiteti”Nënë Tereza”,Shkup
Foto: Reporter.al/

Lufta në Ukrainë ka tejkaluar përmasat e një konflikti rajonal, duke u shndërruar në një arenë globale ku testohen doktrina ushtarake, sisteme armatimi dhe strategji gjeopolitike të fuqive të mëdha. Ky punim analizon tezën se Ukraina është shndërruar në një poligon të armëve të vjetruara botërore, përmes donacioneve masive ushtarake nga SHBA-ja, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, si dhe përmes aktivizimit të kapaciteteve të saj të prodhimit vendor. Në fokus janë pasojat afatgjata të këtij realiteti mbi sigurinë rajonale, stabilitetin evropian dhe perspektivën e paqes. Argumentohet se grumbullimi i mbetjeve të armatimit dhe militarizimi i vazhdueshëm i territorit ukrainas e bëjnë paqen afatshkurtër pothuajse të pamundur.

• Hyrje

Që nga shpërthimi i luftës Rusi–Ukrainë, Ukraina është shndërruar në epiqendrën e përplasjes gjeopolitike ndërmjet Perëndimit dhe Federatës Ruse. Konflikti nuk përfaqëson vetëm një luftë territoriale, por një përballje strategjike ku Ukraina shërben si terren operacional për konsumimin e kapaciteteve ushtarake globale. Në këtë kontekst, shtrohet pyetja thelbësore: a është Ukraina duke u shndërruar në një poligon të armëve të vjetruara botërore dhe çfarë nënkupton kjo për paqen dhe jetën normale në rajon?

• Donacionet ushtarake si instrument strategjik

2.1 Roli i SHBA-së
Shtetet e Bashkuara kanë qenë donatori kryesor i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj ndihme përbëhet nga sisteme armatimi të prodhuara dekada më parë, të cilat në kushte normale do të kërkonin çmontim ose modernizim të kushtueshëm. Dërgimi i tyre në Ukrainë i shërben njëkohësisht:
zbrazjes së depove ushtarake amerikane,
testimit real të efikasitetit të armëve në kushte lufte,
dobësimit strategjik të Rusisë pa përfshirje direkte.

2.2 NATO dhe dimensioni kolektiv

Për NATO-n, Ukraina është shndërruar në një zonë tampon ku doktrina e mbrojtjes kolektive zbatohet në mënyrë indirekte. Aleanca ka transferuar armë të gjeneratave të mëparshme nga shtetet anëtare të Evropës Lindore, duke i zëvendësuar ato më pas me sisteme moderne perëndimore. Ky proces ka thelluar militarizimin e Ukrainës, duke e shndërruar atë në një depo të hapur të armatimit të konsumuar.

2.3 Bashkimi Evropian dhe dilema morale
BE-ja, megjithëse e ndërtuar mbi parimet e paqes dhe diplomacisë, ka hyrë në një fazë të re ku financimi i armëve shihet si domosdoshmëri strategjike. Megjithatë, dërgimi i armëve të vjetruara krijon rrezik afatgjatë për sigurinë civile, mjedisin dhe rindërtimin pas konfliktit.

• Prodhimi vendor ushtarak i Ukrainës
Në kushtet e luftës së zgjatur, Ukraina ka aktivizuar dhe zgjeruar kapacitetet e saj të prodhimit ushtarak. Kjo përfshin:
riparimin e armëve të dëmtuara,
prodhimin e municioneve,
adaptimin e teknologjive ekzistuese për nevoja të menjëhershme.
Megjithëse ky zhvillim rrit autonominë mbrojtëse të vendit, ai e ngulit Ukrainën edhe më thellë në një ekonomi lufte, duke e bërë tranzicionin drejt paqes jashtëzakonisht të vështirë.
• Ukraina si depo globale e mbetjeve të armëve
Territori ukrainas po grumbullon një sasi të jashtëzakonshme të:
armëve të dëmtuara ose jashtë funksionit,
municioneve të pashpërthyera,
mbetjeve toksike ushtarake.
Këto mbetje përbëjnë rrezik serioz për popullsinë civile dhe do të kërkojnë dekada për pastrim dhe neutralizim. Përvoja nga konfliktet e mëparshme tregon se rajone të tilla mbeten të paqëndrueshme për një kohë shumë të gjatë.
• Perspektiva e paqes dhe jetës normale në rajon
Duke marrë parasysh nivelin e militarizimit, sasinë e armëve të pranishme dhe interesat gjeopolitike të aktorëve ndërkombëtarë, perspektiva e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë mbetet e zymtë. Edhe në rast të ndalimit formal të luftimeve, prania masive e armëve do të vazhdojë të prodhojë pasiguri, kriminalitet të armatosur dhe tensione të reja rajonale.

3.Të Dhëna Statistike për Armatimet dhe Ndihmën Ushtarake për Ukrainën

3.1. Ukraina si importues kryesor i armëve në botë (2020-2024)
📌 Sipas Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI), midis viteve 2020 dhe 2024, Ukraina mori 8.8 % të importeve globale të armëve — duke u renditur si importuesi më i madh në botë për këtë periudhë.
Kjo tregon një rritje historike të kërkesës për armë gjatë luftës së vazhdueshme.
SIPRI
📌 Nga armët që iu dërguan Ukrainës, 45 % erdhën nga Shtetet e Bashkuara, 12 % nga Gjermania dhe 11 % nga Polonia.
Kommersant Ukraine
2. Rritja e importeve evropiane dhe ndikimi amerikan
📊 Në periudhën afër 2019-2023, Ukraina përbënte rreth 23 % të importeve të armëve të Evropës, duke u bërë importuesi më i madh kontinentit dhe i katërti në botë për importet e armatimit.
IntelliNews
📌 Sipas analizave, 71 % e armatimit amerikan të dërguar në Evropë për Ukrainë ishte marrë nga depo ushtarake ekzistuese, pra shumë prej këtyre armëve janë të përdorura ose të vjetruara — një indikator i qartë për tezën se Ukraina shërben si poligon për “armë të dorës së dytë”.

Defense News

3. Ndihma ushtarake totale (vlera monetare)
📌 Instituti Kiel ka mbledhur të dhëna të ndihmës për Ukrainën që nga fillimi i luftës:
Deri në fund të qershorit 2025, vendet e Evropës kishin alokuar të paktën €35.1 miliardë në ndihmë ushtarake për Ukrainë — më shumë se SHBA-ja gjatë të njëjtës periudhë.
United24 Media
📌 Ndërkohë, sipas raporteve të tjera, ndihma totale ushtarake amerikane që nga fillimi i luftës është shumë e lartë dhe përfshin miliona runde artilerie, sisteme raketore, tanke dhe mjete të tjera.
Business Insider
4. Shifrat e transferimit fizik të armatimit amerikan
📦 Transportet e SHBA-së për Ukrainë që nga fillimi i luftës përfshijnë:
rreth 3 milionë runde artilerie dhe
mbi 471 milionë runde armë të vogla deri në janar 2025.
Këto të dhëna janë të mbledhura nga Statista—një platformë e bazuar në burime të DoD dhe të tjera të besueshme.
Statista
5. Transferime të mëtejshme dhe transparenca
📊 Sipas ATT Monitor 2024, të paktën 26 shtete transferuan armë në Ukrainë vetëm në vitin 2022, me 118 transferime të ndryshme duke përfshirë armë të lehta, artileri dhe tanke.
attmonitor.org
📌 Si t’i Përdorësh këto të Dhëna në Artikullin Akademik
Kur të përfshish këto statistika në punimin tënd, mund t’i paraqes si:
Shembull teze me fusnota
*Ndërmjet viteve 2020-2024, Ukraina mori rreth 8.8 % të importeve globale të armëve, duke u bërë importuesi kryesor në botë — me 45 % të furnizimeve që vinin nga SHBA-ja, 12 % nga Gjermania dhe 11 % nga Polonia.*¹
*Për më tepër, 71 % e armatimit amerikan të transportuar në Evropë për Ukrainën ishte marrë nga depo ushtarake ekzistuese për shpejtësi dorëzimi.*²

• Përfundime

Ukraina sot përfaqëson më shumë se një shtet në luftë; ajo është shndërruar në një poligon global të armëve të vjetruara dhe interesave strategjike ndërkombëtare. Donacionet ushtarake nga SHBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja, të kombinuara me prodhimin vendor, e kanë futur vendin në një cikël të thellë militarizimi. Në këto rrethana, paqja e qëndrueshme dhe rikthimi i jetës normale në rajon mbeten sfida afatgjata, që kërkojnë jo vetëm armëpushim, por edhe një strategji gjithëpërfshirëse çmilitarizimi dhe rindërtimi.

Filed Under: Analiza

“Çamëria… heshtja që vret”

December 29, 2025 by s p

Albert HABAZAJ/

Kujtesa vjeshtore e Çamërisë në Vlorë

Me krenari, dhembje e përgjegjësi jo vetëm çamët e Qarkut Vlorë, nga Panajaja në Konispol, nga Rrogozhina në Elbasan, nga Durrësi në Shkodër, nga Tirana në Fier e kudo që jetojnë bijtë e bijat e kësaj krahine të pastër shqiptare, por gjithë labët e ulqinakët, fusharakët e malësorët, dardanët e iliridasit, mbarë Shqiptaria, SHQIPËRIA E PARË do të thosha me zjarr, dëshirë e vërtetësi, është mirë të kujtojmë atë ditë të 30 nëntorit 2025, kur në ambientet e Hotel “Bolonja” në Vlorë, u zhvillua promovimi i veprës “Çamëria – Heshtja që vret” i autorit dhe studiuesit të njohur çam, z. Hyqmet Zane. Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e ish – deputetit çam, z. Dashamir Tahiri. Mori pjesë dhe deputeti i Vlorës, dr. Bujar Leskaj.

Aktiviteti u moderua nga pedagogia Prof. Dr. Monika Hasani, e cila udhëhoqi diskutimet.

Në këtë promovim morën pjesë qytetarë vlonjatë, të cilët mbështetën promovimin e veprës dhe shprehën vlerësimin për punën e autorit. Gjatë aktivitetit, mbajtën fjalën studiuesi z. Ahmet Mehmeti, zj. Monika Hasani, z. Albert Habazaj, zj. Barie Isufi dhe z. Bari Zanaj, të cilët ndanë mendimet dhe analizat e tyre për rëndësinë e veprës dhe trashëgimisë çame.

Gjithashtu u prezantua projekti i veçantë për ndërtimin e një Muzeu Dixhital, me foto dhe kujtime të çamëve në vite, projekt i iniciuar nga Prof.Dr.Monika Hasani; si dhe projekti i nominimit të valles së Osman Takës, si trashëgimi në UNESCO.

Aktiviteti u shoqërua me motive çame, këngë dhe valle tradicionale, nën kujdesin e koreografit çam, z. Sali Nuredini, i cili ndihmoi për të krijuar një atmosferë të veçantë dhe të gjallë. Pjesëmarrës në këtë promovim ishte gjithashtu “Marubi i Çamërisë”, z. Skënder Beqiri, i njohur për fotografitë e tij historike të kapura gjatë shpërnguljes së popullsisë çame në vitin 1944. Ai ruan kujtime të jashtëzakonshme me vlera historike të pamatshme, të cilat janë të rëndësishme për ruajtjen dhe dokumentimin e shpërnguljes së popullsisë çame.

Ky aktivitet, i pasuruar me elemente kulturore dhe historike, shërbeu për të nderuar trashëgiminë e popullsisë çame, si një popull vital, patriot, krenar e me dinjitet, si dhe për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së vyer çame.

Vepra “Çamëria – Heshtja që Vret” vjen si një akt i rëndësishëm për të sjellë në vëmendje historinë e një populli që ka vuajtur shumë, por që ka mbijetuar me krenari dhe dinjitet, duke ruajtur traditat e tij unike.

Në përfundim të aktivitetit, mbështetur financiarisht nga z. Gaz Demi, autori i librit, studiuesi z. Hyqmet Zane shpërndau (me autograf ) kopjet e librit “Çamëria-Heshtja që vret”.

Mesazhi i Profesores Monika Hasani Hoshafi: “Në atmosferën e festave të nëntorit, në ambientet e hotel “Bolonja”, Vlorë, u organizua promovimi i librit”Çamëria, heshtja që vret” me autor Hyqmet Zane, pinjoll i familjes Zane, nga Filati i Çamërisë. Aktiviteti mblodhi bashkë patriotë çamë e labë nga tē gjitha ngjyrat politike. Gjatë moderimit të aktivitetit theksova se ky botim pavarësisht karakterit të tij publicistik, përshkruhet nga nje dashuri sipërore e autorit për krahinën e Çamërisë dhe nga një përulësi krenarie për njerëzit e saj. Në libër shpërfaqet identiteti historik, shpirtëror e kulturor i Çamërisë me të gjithë koliritin e saj. Krenari që gjatë moderimit të kisha pranë figurën e z. Skënder Beqiri, i njohur si Marubi i Çamërisë, fotograf i masakrave ndaj popullësisë çame. Aktiviteti u shoqërua me një mozaik kulturor të traditave të kēsaj krahine.

Elma Zeqiri, vajza e zgalemit të detit dhe shkrimtarit Fadil Zeqiri u shpreh:

Më bëhet qejfi Monika që keni organizuar një ditë kaq të këndshme dhe me ngjyra e tradita Çamërie, po më duket që mungojnë shumë zonja çame aty që do i jepnin akoma më ndriçim, kulturë e histori asaj festeje. Të rejat e bëjnë shumë bukur, e vijojnë stafetën me freski e besnikëri.

Fjala labe për Çamërinë

Të dashur vëllezër dhe motra çame! Unë, Albert Habazaj nga Tërbaçi i Labërisë së Lumit të Vlorës – Himarë Vlorë me shpirt ndihem çam po sa ju.

Kam dëshirën dhe nderin tim, që si një bir Labërie ta nis fjalëzën time me vargjet e një vjershe të vjetër botur në vëllimin poetik “Buzëqeshje të grisura”. Një strofë është, dy distikë, “Dy motra” titullohet: “Çamëria, Labëria,/ Lule shege, gjak në rrënjë./ Labëria – Çamëria, janë dy motra bërë një nënë”. Nëna Shqipëri është mëma e gjithë shqiptarëve këtu, në këtë dhè e këto troje, jashtë kufijve politikë e kudo, në rajon, nëpër kontinent e nëpër botë, ku është shpëndarë mërgata e luleve shqipe…

Ndihem shumë i vlerësuar që marr pjesë në këtë manifestim shpirtëror kaq simbolik e domethënës, siç është përurimi (dhe më shumë se aq) i librit “Çamëria… heshtja që vret” e studiuesit të njohur shqiptar, publicistit dhe intelektualit çam, autorit Hyqmet Zane.

Ju faleminderit të gjithëve për mirëpritjen dhe i shpreh mirënjohje vëllazërore Saliut, artistit të përkushtuar çamo – vlonjate Sali Nuredini për vëmendjen ndaj ftesës sime.

Dua të flas e të shkruaj pafundësisht për Çamërinë tuaj, për Çamërinë time; po aq dua të flas pafundësisht për këtë visar të shpirtit çam, për këtë kushtrim të gjakut të bijve dhe bijave më të mira të Çamërisë, prurë me vërtetësi, dashuri e dinjitet nga biri juaj e vëllai ynë Hyqmeti. Por nuk mundem. Nuk mundem se as Hyqmet Zane, edhe pse bëri këtë libër të madh me 93 shkrime në 426 faqe, botuar përgjatë këtij çerek shekullit të fundit në faqet e shtypit të shkruar në gazetat më prestigjioze të vendit, nuk i ka thënë dot të gjitha… Ai do të vazhdojë të thërrasë për kushtrim, deri sa krahu i majtë i Shqiponjës të shërohet, se është lënduar rëndë e gjaku kullon dhembje, aq më keq kur heshtja vret më shumë se plumbi. Vetëm kur të shërohet krahu i majtë i Shqiponjës (se edhe krahu i djathtë Kosova dardane ende dhemb jo pak); pra kur të shërohen të dy krahët e saj, Shqiponja do të fluturojë e lirë dhe krenare, thjeshtë e qytetarisht drejt Perëndimit, drejt botës, drejt jetës dhe këtyre trojeve të lashta do t’i themi me krenari e dinjitet: SHQIPËRIA E PARË.

E kam lexuar librin me vëmendje e dashuri, aty ndihesha entuziast, aty drithërohesha , aty ndihesha kryelartë, aty tkurresha, aty ndihesha i madh, aty mpakesha… Dhe, herë pas here, rikthehesha tek faqja e parë poshtë titullit e sytë më mbusheshin me lot, gati sa të klithja tek lexoja Ahmet Mehmetin me apelin vërtetësisht pikëllues: “Atë që dje e bëri me armët më mizore, sot e bën me heshtej mortore”

Të dashur motra dhe vëllezër çamë! Mendoj se e njoh mirë Çamërinë, se përveç afërsisë gjeografike, historike, etnografike e folklorike, dokeve, zakoneve, traditave të përbashkëta, perlave të shpirtit popullor aq të mrekullueshme, patjetër dhe virtyteve aq të mira që kemi, (por edhe të veseve po ashtu), vetëm unë kam hallën (i ndrittë shpirti ku prehet!) që ka qenë nuse e një djali çamë, ndërkohë që një bilë çame e kam nuse për djalë… Po ashtu kam rreth një gjysmë shekulli njohje e miqësi me të paharruarin Fadil Zeqiri – zgalemin e Çamërisë, me intelektualët e paharrimtë, prof. Selman Sheme e prof. Agim Bido, me poetin e shkëlqyer të Çamërisë Xhemil Lato (i dritëroftë shpirti, atje ku prehet tek në hijen e ullinjve e Panajasë. Siç e nisa miqësinë të dëlirë në vitin 1977 e vijon dhe sot e kësaj dite, madje më të fortë, me lisin e pashkulur nga furtunat, gati shekullorin tonë të paulur pa bastun Marubin e Vlorës dhe Çamërisë Skënder Damin Beqirin e Vrohonait, 97 vjeç djalë… Dhe nga të pesë këta kam mësuar shumë, i kam dëgjuar dhe më kanë dëgjuar. Por kuptova që, me gjithë dëshirën, mundësinë dhe dashurinë, ende nuk e paskam njohur sa dhe si duhet motrën martire të Labërisë – Çamërinë, që u bë therore për Lirinë.

Autori, si besnik i së vërtetës, dallohet për qëndrimet konsekuente dhe na jep një panoramë të vërtetash historie dhe vlerësime dhe për Heroin e Popullit Ali Demi dhe dëshmorët e tjerë nga Çamëria që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, po ashtu edhe pjesëmarrjen e djemve çamë në brigadat partizane, dëshmi kjo e antifashizmit të bijve të kësaj treve, në kundërshtim të dokumentuar me tezën greke të “bashkëpunimit me nazistët”

Hyqmet i dashur! Të falënderoj me shpirt për këtë horizont që më çele me librin tënd të madh “Çamëria… heshtja që vret”, edhe pse shumë shkrime të tua i kam lexuar, se i ndjek me ëndje tek “Telegrafi” ynë. Me këtë rast, para jush, motra e vëllezër çamë e labë, para publikut vlonjate e atij shqiptar, dua të falënderoj drejtorin deh kryeredaktorin bujar të gazetës “Telegraf”, vizionarin atdhetar Engjëll Musai për hapësirat që na le në faqet e kësaj gazete me emër jo vetëm Hyqmetit e mua, por edhe publicistëve të tjerë të përkushtuar për Çështjen kombëtare, për Shqiptarinë.

Do të më falni për kohën, por më ka lënë mbresa të pashlyeshme shkrimi i Hymetit “Kujtesë pas 60 vjetësh nga vrasja e të ashtuquajturit “grupi i Teme Sejkos” dhe Tahir Demit.

Vërtetësia, logjika e ftohtë dhe natyrshmëria e rrëfimit hyqmetian të bën të futesh në personazhet dhe ngjarjet që shkruan e lë testament brezave që ngrihen, pa e shmangur, pa e retushuar. As kuajt nuk trajtoheshin siç janë trajtuar bijtë e mirë të Çamërisë së begatë nga togat e pushkatimit që zbraznin karikatorët e armëve të tyre pa pikë mëshire mbi bijtë idealistë e të pafajshëm shqiptarë të nënave çame. Ato ditë të zeza të 30 dhe 31 majit 1961. Dhe gjyqi bëhej me altoparlant, që të përhapej sa më shumë në popull e të linte gjurmë të liga demaskimi i tyre, për atë që s’kishte ndodhur kurrë. Asnjë falje për ata 63 njerëz nga Çamëria dhe pjesa brenda kufirit shtetëror përfshirë në atë gjyq monstruoz për të ashtuquajturit “grupe armiqësore” inekzistente të sajuara. Të pushkatuarit dhe të dënuarit llogariten me 1250 vite burgim pa pasur asnjë faj. I mirënjohuri komandant i çetës antifashiste “Çamëria” Haki Rushiti u dënua 3 herë me vdekje në mungesë. Kush mban përgjegjësi për këtë gjëmë për martirët e Çamërisë, që u bënë dëm, sikur të ishin kecër dhe jo atdhetarë dhe bij nënash? Kush do të përgjigjet për këtë çmenduri fatale?! Kush duhet t’u kërkojë falje Presidenti, drejtësia, shteti im çapaçul apo akoma vrëngër do t’i shikojmë vëllezërit tanë jugorë, duke i lënë në mëshirë të fatit, në gojë të ujqve, apo dhe duke i hedhur benzinë zjarrit të stisur midis vedit?! Kërkohet shpagim me faljen që është domosdoshmëri për t’ua bërë në emër të drejtësisë njerëzore dhe jo sorollatje, shushatje e tallje dhelpërive djallëzore. Shovenët grekë i vranë, i torturuan dhe i dëbuan mizorisht nga trojet e tyre stërgjyshore.

Të shkruash për të vërtetat e atyre ngjarjeve që ndodhën – na jep mesazhin intelektuali atdhetar Hyqmet Zane – nuk është çështje e një shkrimi, se shumë e shumë herë janë shkruar e dokumentuar pabesitë e bëra dhe barbaritë e zbatuara nga shovenët grekë dhe emisarët e tyre. Ajo që të vjen keq edhe mbas kaq shumë dekadash është: ende edhe sot e kësaj dite nuk është hequr balta që u hodh padrejtësisht mbi këtë popullatë të pafajshme, por edhe mbi viktimat e çamët e Shqipërisë janë trajtuar si hebrenjtë e Europës, por pa u zgjidhur çështja e Çamërisë, çështja kombëtare është sëmurë. “Plag’ e gjak e shpirt që dhëmb,/ Aty ngrehu, aty shëmb,/ Dritë besimi, trimërie,/Marathonomak lirie!”

Tragjedia e krahinës shqiptare të Çamërisë bën apel dhe sikur flet: Mund të më vrasësh mua, por ideali nuk vritet dot. Ai kalon si frymë kombëtare nga brezi në brez.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 979
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT