• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çifti Rama – Meta, “gjithë ditën bëjnë demokratin – natën bëjnë komunistin!”

May 27, 2014 by dgreca

Dhe, kë festuan dhe çfarë kujtuan dhe nderuan ! me grushtin lart dhe poertretin e Enver Hoxhës/
Nga Beqir SINA/
BENSONHURST – BROOKLYN NY : Në një kohë, kur kanë ndodhur ndryshime të mëdha në Europën Juglindore dhe në kampin socialist, pothuajse janë zhdukur fare partitë komuniste dhe simbolet e tyre, në Tiranë, “RILINDJA” e Edi Ramës dhe bijët e trashëgimtares – Partisë së Punës së Shqipërisë, pas zgjedhjeve 23 qershorit u “Rilindën” ose u “Ringjallën” edhe një herë, për të treguar të gjithë shqiptarëve, se në Shqipëri ; “Ajo “fara” e keqe e Enver Hoxhës, dhe komunizmit, tashmë ka mbirë mirë dhe nuk ikën kollaj mbasi i ka “rrënjët e thella”.
Nisur nga debati i hapur së fundi me 5 Majin e këtij viti ; nderimi me grusht nga fëmijët e një shkolle në Përmet, por, edhe disa raste të tjera, si ai i Pandeli Majkos, tek monumenti Nënë Shqipëri, me deputet e PS, ajo e Kryeministrit Edi Rama, në llozhat e presidiumit të Parlamentit, dhe Minsitritit të Drejtësisë Nasip Naço, nderimi para portretit të diktatorit Enver Hoxha, tek lapidari, parullat dhe slloganet komuniste dhe shfaqja e portreteve të Enver Hoxhës në datën 24 maj në Përmet, natyrishtë që janë në lidhje të njëpasnjëshme, të këtyre fenomeneve nga më negativet.
Të cilat, i ranë për hise të përcjell shqoqëria shqiptare. një Shqipëri, kjo që ka “mijëra probleme”, ekonomike, dhe çështjeve të tjera, drogës dhe sigurisë, por, ja që tani duhet të merret edhe me komunizmin. Tash që i ato morën edhe vulën më 24 Majit, me aktivitetin e kryekuvendarit të Shqipërisë, Ilir Metës, dhe Gramoz Ruçit, e Arta Dades, në përkujtim të Kongresit të Përmetit, në Shqipëri.
Ato gjeste nga të shëmtuarat e shoqërisë së sotme, nuk janë kurrgjë tjetër, përveçse, se tregojnë se në Shqipëri, janë ngjallur remenishencat e komunizmit, ndërkohë, që demokracisë, me këto shfaqje i është bërë një dënim, dhe ofendim i madh, po në Shqipëri. Edhe, me këto 23 vjet të demokracisë, që megjithse e brishtë, por ka bërë shumë, që Shqipëria – vendi ynë me diktaturën më të egër, të jetë sado pak i lirë, tek e fundit të jetë në NATO dhe të ëndrrojë Europën, Kosovën ta ketë shtet dhe të pavarur.
Mirëpo, për fat-keq, jemi duke parë se çifti Rama – Meta, janë duke na “firshkëlluar” me të madhe në vesh çdo shqiptari, dhe duke na thënë, gati për çdo ditë (megjithse, ata që i votuan( ato 1 milion shuplakat e Ramës, që ai i permend shpesh-her, ai në Parlament nuk duan t’a besojnë) se :” Kujdes, or shqiptarë se ne kemi ardhur ne pushtet – për t’ju trimëruar ju komunistë të parët, dhe ju treguar se ” ne jemi këtu përsëri sa herë që ju të doni – pavarësisht, se çfarë ne bëjmë me njeri tjetrin – por tek e fundit Partinë t’a kemi të fortë”.
Kjo, vjen nga ajo mbasi, dihet dhe e kemi mësuar mirë, se si po bëhet politika dhe se si po funksionin sistemi i demokracisë në Shqipëri. Pëfitimet e tyre elektorale në Shqipëri, i kemi parë në çfarëdolloj mënyrash:” etike apo joetike, moral-politika apo jo – të ndershme apo të pandershme, atdhetare apo jo, nacionaliste apo jo”, të cilat, gjithmonë, i kan dhënë rezultat. Dhe kjo ka qenë sukses vetëm i së majtës, në Shqipëri. Kur ajo sa herë që ka ardhur në pushtet, kujto 44-tën kujto, 91-shin, 97-tën apo edhe 23 qershorin, deri tek kualicioni i “armiqeve të sharë mbarë e mbrapsht” të çiftit Meta – Rama, por, edhe me tre partit komuniste në Shqipëri, miq edhe me socialistët serb të Tadiqit dhe grekët e Papandreut, për të fituar pushtetin nuk pyet fare.
Të majtët në Shqipëri, gjithë ditën flasin si demokratë – ndërsa, gjithë natën i shikon të flenë si komunistë. Dhe, megjithëse, tani nuk, është koha për të luajtur me kartën e komunizmit, dhe është e rrezikëshme kur Shqipëria, pret të kandidohet për në BE, por, kur kjo i duhet, Edi Ramës dhe Ilir Metës, t’i “mbajnë të ndezuara ndjenjat e tyre, se u duhen votat e tyre, dhe ata janë gati të bëjnë edhe demokratin edhe komunistin, edhe për të mbajtur pushtetin por edhe se vitin tjetër janë zgjedhjete lokale.
Pavarësishtë, asaj që shoqëria shqiptare, sot përgjethësisht, menjëherë reagojë, me të drejtë( perjashtim bëjnë këtu, nga ata që nuk reagojnë, ish -sigurimsat, sipunët, dhe ish komunistët dhe bijtë e tyre, gazetar dhe analist politik të majtë) për sjellje të tilla politike, kur ringjallën simbolet, të këtyre njerëzve që, sot fatkeqësisht, u ra të drejtojnë Shqipërinë.
Edhe pse, shfaqja e remenishencave komuniste, rrezikon të përsërisë historinë, si ndodhi me Shqipërinë, mbas 44-ës, që mbeti për 45 vjet jashtë Europës. Pra, edhe sot, që ndoshta nuk jemi në përmasat e komunizimit, të 45 vitetev që sundoi Enver Hoxha, kur ishim vendi më i izoluar në botë, por, ja që jemi në një vend si Shqipëria, ku sundon një klasë politike, jashtë mase e babëzitur, për të u pasuruar dhe sundur me çfarëdolloj mënyre. Duke filluar qysh nga lidhja etyre ideologjike, që ka të bëj me grushtin lart dhe portretin e diktatorit Enver Hoxha, me 29 Nëntorin, 5 Majin dhe 24 Majin, apo përgatitja që po bënë qeveria për 70 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, nga çifti Rama – Meta “, të cilat janë gjithësesi një rrezik i madh për demokracinë në Shqipëri” në sy të Perendimit.
Se nuk është asnjëra prej tyre rastësi, por kjo po bëhet “modë” në Shqipëri. Ashtu si ndodhi më 24 Maj ditën e 70-vjetorit të Kongresit famëkeq të Përmetit, ku dyshja Ilir Meta ( i biri i ish- oficerit komunist dhe një nga ithtarët e komunizmit, ndër poliitikanët e sotëm në Shqipëri) dhe e Gramoz Ruçit (ish-Ministri i fundit i Sigurimit famëkeq të diktaturës), jo pa qëllim e festuan së bashku me një grusht komunistësh fanatik- ditën më të zezë ne historinë tonë kombëtare, dhe tani këndojnë se “nuk ka asnjë lidhje me ata”.
Mirëpo, kë festuan dhe çfarë kujtuan dhe nderuan !
Ata festuan, kujtuan dhe nderuan ditën me të zezë, pikërisht, atë kur u hodhën bazat e diktaturës komuniste. Ku në mesin e shumë pikave, dhe prishjen qysh atëhere arbitrare të raporteve me SHBA dhe Anglinë, janë ato të anulumit të gjitha koncesioneve të atëhershme amerikane e britanike, me vendimet e Kongresit të Permetit. Ato që Enver Hoxha, i quajti historike, deri në prishjen më vonë të marrdhënieve diplomatike me SHBA në 24 maj 1944 Lëvizja Nacionalçlirimtare, ka mbajtur në qytetin e Permetit Kongresin, i cili, zgjodhi qeverinë e përkohshme të Shqipërisë, dhe, që gjatë sundimit komunistë, qyteti Përmetit, për këtë Kongres, i dha titulli i qytetit Hero.
Dhe, për ironi të fatit të shqiptarëve, sot, dekleratat e Edi Ramës, Ilir Metës, Erjon Velisë, Mero Bazes(lexo shkrimet e tij), Skënder Gjinushit, Gramoz Ruçit, Arta Dades, e shumë të tjerëve, janë pyetjet cinike që ata na drejtojnë, kur na pyesin çdo ditë “se pse keni kaq shumë frikë nga Enver Hoxha edhe për së vdekuri!”. Pra, alergjinë që krijonë dhe reagimin e shqiptarëve, këta ithëtar të komunizmit dhe Enver Hoxhës dhe regjimit të tij – e shohin si frikë, jo si ofendim të madh që iu bëhet sot edhe atyre mijërave të pushkatuarve, të burgosurve politik, internuarve dhe të presektuarve, në Shqipëri.
Megjithse, për këtë çfarë po ndodh me komunizmin në Shqipëri, po ta shohësh në një këndëshikim tjetër, me të drejtë, shumica e shqiptarëve janë kundra tyre. Janë kundra nderimeve ideologjike , janë kundra me nostalgjinë për të kaluarën , e cila për çdo shqiptarë, besojë se është një “gangrenë”, frike dhe trishtimi. Sidomos, tani kur pamë me zë dhe figurë, komunistët, socialistët e konvertuar, dhe bijët e tyre(Bllokut), të cilët janë madje edhe në krye të politikës, dhe udhëheqin Shqipërinë, drejt Europës, nderojnë dhe kan nostalgji për atë regjimim që ia bëri gjëmën për gjysmë shekulli Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Mbasi dihet, se pas rrëzimit të komunizmit, lirisë dhe demokracisë, përfëshirë Shqipërinë, mori udhë procesi i krijimit të një modeli të ri të sistemit qeverisës të këtyre vendve. Ku një vend të veçantë zënë edhe lidhja e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos ajo me SHBA, të cilat janë objekt vëzhgimi dhe studimi të gjithë vendeve ish komuniste, për vetë rëndësinë e madhe që ka si princip vetë liria dhe demokracia, për stabilitetin, zhvillimin, paqen e sigurinë botërore.
Në Shqipëria, tani për perendimin, marrin një rëndësi të veçantë edhe shfaqja – nderimi dhe kujtimi i simboleve komuniste, roli i personaliteteve kryesorë, kanë një rëndësi tepër të veçantë.
Shikoni, me kujdes se në çfarë stadi dhe të një rëndësie të veçantë në këtë sistem janë futur, mbas asaj që po ndodh në Ukrainë, në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë. Marrëdhënie, të cilat natyrisht që nuk janë si ato të “Luftës së Ftohtë”! por, aktualisht, ato po kalojnë një situatë problematike, që mundësojnë ndoshta dhe një cilësimë më të ri. Kjo është e lidhur me “pushtimin” nga Rusia, të Krimesë, të ambicies së kahershme të saj, të marrjes së një roli të ri në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në rivalitetin e saj me SHBA-të, dhe e të ndarjes së botës.
Sot, është koha për Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo si në Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare, që të shikohet me rëndësi të veçantë sesi të vështrohet dhe shkohet drejt Europës dhe Perendimit, dhe mbi këtë bazë të drejtohet edhe në Shqipëri e Kosovë. Udhëheqësit, tanë nuk duhet më të kenë qëndrime, me du standarte, por të orientohen vetëm nga Perendimi. Edhe për demokracinë e brishtë, sigurinë e tyre kombëtare, duke i shërbyer edhe stabilitetit në rajon e me gjërë, paqes, për të sotmen dhe për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve. Është, koha të udhëhiqemi nga njerëz, që drejtojnë këtë vend, me një përgjegjshmëri më e lartë, më gjakftohtë, të jenë më poliitikan perendimorë, dhe aspak të pa ideologjizuar dhe të ngjizur mbas komunizmit( grushtit lart dhe simboleve komuniste, dhe protretit te diktatorit Enver Hoxha).

Filed Under: Analiza Tagged With: Brqir Sina, cifti Rama-Meta, diten demokrat, naten komunist

CILI DUHET TË JETË IMAZHI I SHQIPËRISË?

May 27, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nën-Kryeministri në largim i Kosovës dhe njëherazi kryetar i Partisë AKR-së, Behgjet Pacolli vizituan Kazakistanin për të biseduar, siç thanë ata, mbi përspektiva të reja investimesh në Shqipëri. Në njoftimet u tha se udhëheqsit shqiptarë u pritën mirë në Kazakistan, siç duket falë faktit se Behgjet Pacolli, i cili e shoqëroi Kryeministrin Rama në atë vizitë, ka lidhje dhe interesa biznesi me atë vend.
Është normale që Shqipëria dhe Kosova përpiqen që të tërheqin sa më shumë investime të huaja, por ky shkrim i shkurtër e modest nuk ka të bëjë me mundësitë ose jo të investimeve kazake ose të ndonjë vendi tjetër, në Shqipëri dhe në Kosovë. Por me diçka tjetër që më ran në sy nga kjo vizitë. Në faqet e facebook të Behgjet Pacolit dhe Edi Ramës, sipas njoftimeve edhe në media, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev – gjatë bisedimeve me presidentin kazak i cili siç duket nuk ishte i kënaqur me imazhin e Shqipërisë në botë, e këshilloi Kryeministrin Rama që të përmirësojë imazhin e vendit duke përdorur figurën e Gjergj Kastritotit -Skënderbe për një imazh më të mirë për kombit shqiptar në botë. Sipas Behgjet Pacollit, i cili mori pjesë në takimet e delegacionit shqiptar me udhëheqsit kazakë, Presidenti Nazarbajev i tha Edi Ramës tekstualisht se, “Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”. Interesant është fakti se asnjë prej pjesëmarrëseve në atë takim me udhëheqsin kazak, nuk njofton në rrjetët e tyre sociale se cili ishte reagimi i delegacionit shqiptar, përfshirë edhe Kryeministrin Rama. A e falenderuan Nazarbajevin për këtë koment për njohjen e meritave të heroit komëta të Shqiptarëve? A u ndjenë përfaqsuesit shqiptarë krenarë me vlerësimin e Skënderbeut nga një udhëheqës i Azisë Qëndrore?
Fatkeqsisht, ky moment nga vizita në Kazakistan zotërinjve Rama dhe Pacolli pasqyron edhe njeherë faktin se Shqipëria ka një problem serioz me imazhin e saj, dhe kjo jo vetëm në botën perëndimore, por ja tani edhe një despot i Azisë Qendrore ka konstatuar se diçka nuk është në rregull me imazhin e Shqipërisë në botë. Dhe për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, Nazarbajev u sugjeroi shqiptarëve, që të përdorin “figurën e jashtzakonshme të Skënderbeut” për të promovuar një imazh pozitiv në botë për kombin shqiptar. Gati sikurë Nazarbajev u tha, eh ta kishim ne këtë figurë të jashtzakonshme…..sa krenarë do të ishim ne me të.
A ra në veshë të shurdhë ky vlerësim dhe ky sugjerim, ndërsa kohët e fundit po zhvillohet një debat i ashpër politik me fjalë dhe po pasqyrohet me vepra mbi imazhin e Shqipërisë në botë i shoqëruar edhe nga dukuri të portretit të diktatorit Enver Hoxha, përveç problemeve shoqërore, përfshirë korrupsionin dhe grindjet politike, të cilat definitivisht nuk ndihmojnë në promoovimin e një imazhi pozitiv për vendin. Atëherë nëqoftse ky imazh duhet të ndryshojë, siç sugjeroi kohët e fundit edhe presidenti kazak Nazarbajev, cila duhet të jetë rruga që duhet ndjekur, ajo e mburrje me portretin e Enver Hoxhës apo rruga e Gjergj Kastriotit – Skënderbe. A duhet ndjekur Flamuri i Gjergj Kastriotit, ai Flamur i Lirisë, i Nderit, i Burrërisë dhe i Besës, i Besëlidhjes së Lezhës dhe i Lidhjes së Prizrenit? Dhe a do zgjidhë klasa e sotëme politike, rrugën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, që Papa Pali i VI e pat quajtur, “Të Gjithmonshim e fisit tuaj, i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, nderit e të burrërisë….Këto virtyte, Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI në mesazhin e tij drejtuar kombit shqiptar, me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit, në Romë me 25 Prill 1968. A është kjo trashëgimi, a po klasa e sotëme politike, për interesa të ngushta vetjake, partiake e financiare — siç është venë në dukje kohët e fundit — do të vazhdojë t’i mbetet besnike një trashëgime të një diktatori komunist dhe të një ideologjie të huaj që ai i imponoi vendit të vet, dhe e cila i ka kushtuar rëndë dhe vazhdon gjithnjë të rëndojë mbi imazhin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar?
Andaj, a do të ndërtohet Shqipëria e re pas komuniste në bazë të karakterit, moralit dhe të cilësive burrërore të Gjergj Kastriotit Skendërbe, apo duke u bazuar në rrugën dhe në trashëgiminë e Enver Hoxhës? Megjithëse është turp të bëhet krahasimi, por zhvillimet e fundit në Shqipëri, detyrojnë të bëhet pyetja se cilën rrugë dëshiron Shqipëria — madje edhe pothuaj një çerek shekulli pas rënjes së komunizmit — sepse duket se e ka humbur rrugën ose të pakën nuk e ka gjetur drejtimin e përcaktuar nga Gjergj Kastrioti, krenarisë së kombit, i cili bashkoi princat e Arbërit si asnjëherë më parë dhe më pas në një unitet moral kombëtar e shpirtëror, duke i bërë të gjithë krenarë dhe të ndjeheshin anëtarë të një sofre të përbashkët. Kjo është trashëgimia që duhet të mprohet dhe të jetohet nga të gjithë dhe jo trashëgimia e përçarjeve.
Unë jam dakort me Nazarbajevin e Kazakistanit — megjithëse si despot që është nuk kam aspak respekt për të pasi si një udhëheqës diktator ndonëse jo në nivelin enevrist – ai është më afër Enver Hoxhës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Gjergj Kastriotin Skëndrebe — që Shqipëria dhe kombi shqiptar, nëqoftse me të vërtetë dëshirojnë të përmirësojnë imazhin e vet në botë, atëherë, siç tha ai,“Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”.

Në faqën e facebook të Kreministrit Rama vihet re promovimi i një ideje të re “origjinale”, “Ndiq rrugën tënde”, ku ndër të tjera ftohen qytetarët që të ndikojnë me idetë e tyre për një “qeverisje moderne dhe europiane në Shqipëri”, ashtuqë, sipas njoftimit, të jenë pikërisht ata, të cilët “do të përvijojnë Shqipërinë e së ardhmes”. Sugjerimi im është që si fillim, mos u largoni por rrini afër bazës morale dhe interesave madhore të kombit shqiptar të përcaktuara nga heroi i vërtetë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe dhe mos e bazoni të ardhmen e vendit në trashgiminë e heronjëve të rrëjshëm. Kjo do t’u bëjë ju një brez krenar, burim shpresash për liri e bashkim kombëtar — bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të heroit të vërtetë kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe i të gjitha kohërave –Gjergj Kastriotit — për të cilin ka lakmi bota.
Andaj kontributi im ndaj idesë së fushatës së hedhur në facebook-un e Kryeministrit Rama, “Ndiq Rrugën Tënde’’ dhe në përputhje me sugjerimin që vjen nga Azia Qendrore — është që nëqoftse me të vërtetë dëshironi përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në botë — atëherë merrni parasyshë seriozisht sugjerimin e presidentit kazak, Nazarbajev dhe “përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”, të këtij çlirimtari të kombit dhe mbrojtsit të Europës dhe jo portretet dhe imazhet e diktatorit Enver Hoxha. Kjo është e vetmja rrugë për të gjithë Shqiptarët kudo dhe në këtë rrugë, me qëllim dhe vullnet të mirë si dhe me dashuri dhe bashkim me njëri tjetrin, sipas vet Skënderbeut, ”Perëndia, si gjithnjë edhe paskëtaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”

Filed Under: Analiza Tagged With: CILI, DUHET TË JETË IMAZHI, Frank shkreli, i Shqiperise

REVOLUCIONI ME VOTË – KOHA E KOSOVËS

May 26, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare të Republikës së Kosovës bien përafërsisht një vit pas atyre që u mbajtën në Republikën e Shqipërisë. Thuajse e pamundur, pra, të mos e vëresh konotacionin midis këtyre dy datave – 23 qershorit 2013 dhe 8 qershorit 2014, midis këtyre dy zhvillimeve të rëndësishme shqiptare e më gjerë.
Një nga karakterizimet më të qëndrueshme ndaj zgjedhjeve parlamentare të vjetme, nisur – në radhë të parë – nga rezultati, ishte se ato ishin një revolucion me votë. Më metaforik ishte karakterizimi – sinonimik gjithsesi, ngaqë u shpreh me votë – se ai ishte një revolucion i heshtur.
Revolucioni i heshtur, revolucioni me votë ishte zhvillimi më i mirëpritshëm, më i duhur, më i përshtatshëm për realitetin në Republikën e Shqipërisë. Ishte, ndërkaq, zgjidhja më e mençur, më e saktë dhe më komode e gjetur nga uni kolektiv i zgjedhësit. Ishte edhe akti më i përgjegjshëm, më qytetar, më shembullor e njëherësh më detyrues ndaj të zgjedhurve që do të dilnin nga vota popullore, si ndaj atyre që do të vinin në pushtet, si ndaj atyre që do të linin pushtetin.
I pandërlikuar, i qashtër në vetvete, i tejpashëm në shpalosjen e tij, revolucioni me votë i 23 qershorit 2013 është kollaj – tejet kollaj – i interpretueshëm dhe vështirë – tejet vështirë – i ngatërrueshëm në interpretimin e mesazhit të tij, pra të porosisë së tij – njëkohësisht për qeverisjen e re dhe për opozitën e re.
Ky revolucion u mundësua vetëm e thjesht falë pjesëmarrjes masive të votuesit, çka ishte e papritura e madhe brenda së papriturës tjetër – asaj të fitores së thellë të koalicionit PS-LSI dhe humbjes së thellë të PD-së. Në një çast të parë, madje edhe në një kohë të pacaktuar më vonë, është i saktë interpretimi që humbja e PD-së ishte e merituar, ishte më se e merituar.
Nisemi prej këtu, tek pjesëmarrja sa më masive – që do të ishte përmasa e domosdoshme e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 në Republikën e Kosovës. E pikërisht këtu do vënë gjithnjë e më tepër theksi nga të gjithë faktorët e interesuar për një shndërrim të madh, për një transformim të madh në politikën e Prishtinës dhe në jetën e Kosovës pas kësaj date. Pjesëmarrja e lartë, mundësisht sa më e lartë, aktivizimi sot sa më i madh do t’i kursente elektoratit të Kosovës dhe të gjithë vendit energji kolosale të cilat nesër do të shpenzohen për një hop të ri të gjithanshëm dhe nuk do të shpenzohen kundër një vazhdimi të padrejtë të qeverisjes së deritashme.
Populli i Kosovës vetëdijshëm nuk pajtohet se nuk ka si të pajtohet me qeverisjen të cilën e ka pasur këto vite. Nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita superiore, është i kompleksuar ndaj popullit të tij, nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita inferiore, është i kompleksuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare, nuk pajtohet me një lidership të kompleksuar, nga pozita inferiore, ndaj fqinjve, sidomos ndaj Serbisë. Kompleksi që e pengon lidershipin që po e qeveris Kosovën këto vite është lehtësisht i lexueshëm – ky lidership është i korruptuar në çdo qelizë, këtij lidershipi i lexohet korrupsioni, keqbërja, keqqeverisja në çdo sjellje, në çdo paraqitje, në çdo veprim.
Largimi i kësaj qeverisjeje nga pushteti në mënyrë vendimtare është plotësisht i mundshëm pikërisht nëpërmjet votës masive të elektoratit të Kosovës, nëpërmjet rizgjimit të asaj pjese të elektoratit që ka rënë në letargji këto vite. E përsëris, prandaj, faktorëve të interesuar për shndërrime të mëdha, për shndërrime rrënjësore në politikën dhe jetën e Kosovës, iu takon sot të bëjnë maksimalen e tyre për të nxitur, frymëzuar e trimëruar një pjesëmarrje sa më masive të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Një argument i përdorur nga abstenuesit dhe i sponsorizuar tërthor nga pushtetarët e sotëm është se hedhja e votës në kuti është e kotë, pasi atë e vjedhin, e blejnë, e transformojnë ata që e kanë bërë këtë gjë përgjatë këtyre viteve. Këtë teori fataliste e përdorën, pas 23 qershorit në Tiranë, humbësit e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja e lartë, sa më e lartë të jetë – aq më shumë i tut, i step, i ndal në veprën e tyre hajnat e qeverisjes së deritashme, hajnat e deritashëm të votës.
Me slloganin “Pushtetarë hajna, larg duart nga kutitë e votimit”, me vendosmërinë për fitore sa më të thellë kundër qeveritarëve aktualë, Kosova, vetëm me një pjesëmarrje sa më bindëse do të sjellë një humbje bindëse për humbësit dhe një fitore bindëse për fituesit. Ashtu, vetëm ashtu Kosova do të jetë fituesja e vërtetë e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Askush nuk do të guxonte ta cënonte vendimin e shprehur nga populli i Kosovës nëpërmjet votës së tij sa më masive.

Filed Under: Analiza Tagged With: - KOHA E KOSOVËS, REVOLUCIONI ME VOTË, Skender Bucpapaj

E mira dhe e keqja vijnë nga ti dhe unë

May 26, 2014 by dgreca

Shkruan: Uk Lushi/
Një popull nuk është më (i) mirë apo më (i) keq se sa pjesëtarët e tij. Lidhja përmes gjakut, lindjes apo dheut e një grupi njerëzor nuk është më e rëndësishme se sa uniteti i qëllimit rreth idealeve të lirisë, drejtësisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e atij grupi. Qytetar në plotëkuptimin e fjalës është individi që balancon të drejtat dhe përgjegjësitë e tij apo saj kundrejt vetvetes, familjes, fqinjëve, shtetit dhe kombit. Një bashkësi njerëzish përfundimisht nuk mund të arrijë këto qëllime parësore dhe fisnike në dy situata. E para, nëse ajo bie nën sundimin e një apo më shumë bashkësive tjera, dhe e dyta, nëse një pakicë individësh (apo një grupacion nga brenda bashkësisë) shfrytëzon vetëm të drejtat, por jo edhe obligimet qytetare, dhe kështu prish baraspeshën e përgjithshme në favor të vetin. Si situata e parë si e dyta ndodhin si pasojë e mossyçeltësisë dhe mospërmbushjes së përgjegjësive të shumicës dërmuese të individëve të një shoqërie.
Në rastin e popullit tonë, deri më tani, ne kemi përjetuar kryesisht situatën e parë gjegjësisht dominimin nga të tjerët. Mund të thuhet pa drojë që, në masë të madhe, historia jonë ka qenë ashtu siç është, ngase shumica e individëve parardhës tonët nuk kanë bërë krejt çfarë është dashur apo kanë mundur të bëjnë si qytetarë. Fatmirësisht, në dekadat e fundit, falë zgjimit dhe veprimeve të duhura të shumë individëve, ne kemi pasur disa suksese thelbësore dhe më nuk gjendemi nën zgjedhën direkte të të tjerëve. Por, qytetaria nuk arrihet dhe as nuk ruhet pa sakrifica, mundime dhe angazhim të secilit pjesëtar të një populli. Në fakt, në qoftë se në të kaluarën, pengesa e ilimunimit të individit ka qenë zaptimi i shqiptarëve nga grupe tjera, sot rreziku më i madh i përparimit tonë dhe krijimit të një individi si duhet, duket të jenë individë dhe grupacione plangprishëse nga njerëz të llojit tonë.

Nëpër shqiptari vërehet një hazdisje dhe shalakalamendje e çuditshme ndaj përgjegjësisë dhe nevojës së individit të jetë (pro)aktiv. Individi shqiptar pranon nënrenditjen— dhe bile nënshtrimin— ndaj individëve karagjoz, kastave dhe klaneve. Individi ynë ndihet i pafuqishëm; është i painteresuar dhe dorëzues; vajton si kukuvajkë; nuk do të përdor logjikën, reflektimin e arsyeshëm bazuar në soditje dhe analizë studioze; nuk ndërmerr asgjë të informohet përtej çfarë i servohet nga makineria, që, ngadalë, po e shndërron në vidhë të një sistemi të pamëshirshëm dhe jonjerëzor; nuk provon të mendojë me skepticizëm për çfarë e kujton si të vërtetë të ngurtë apo çfarë i thonë të tjerët; dhe, më e keqja, individi shqiptar, shpesh, nuk do të mësojë dhe kuptojë si fuksionon bota moderne dhe si ajo është e mpleksur në një rrjet gjigant të balancave të brishta të interesave të shteteve dhe kombeve.
Njeriu e has këtë zallamahi dhe shkujdesi kudo: në deklarata të udhëheqësve më të lartë shtetëror; në kolumnet e opinionistëve me emër; në TV-të e mbushura me fjalamani dhe spektakël; në shkollat dhe fakultetet ku cak nuk janë dija dhe studimi kritik, por shitja e diplomave. Sot, ndër ne, ka individë që janë të korruptuar deri në fyt të cilët guxojnë të pretendojnë se janë ata ose ato që do të luftojnë korrupsionin; ka individë që i zë në rrenë të inçizuar në kamerë apo diktafon dhe, në vend se të kërkojnë falje apo ulin kokën nën shpatën e dënimit juridik, të këpusin një rrenë tjetër para syve; ka individë që kanë kryer dhe ende vazhdojnë të kryejnë krime që, pa ju bërë syri tërr, quajnë kriminelë ata ose ato që i sfidojnë me fakte dhe llogaridhënie; dhe, më e llahtrashmja akoma, ka ish-bashkëpunëtorë të diktaturave dhe pushtuesve tonë, pra tradhëtarë, që të shiten si patriotë para të cilëve Adem Jashari del një xhuxhmaxhuxh.
Mirëpo cili është shkaku i kësaj rrëmuje? Kush është fajtor për këtë katrahurë? Si u katandisëm kështu? Pse piramida e vlerave është kthyer me maje teposhtë? Arsyet gjithsesi janë të shumta, por një arsye e madhe je ti—individi shqiptar. Ti— që ngurron të fillosh revolucionin e ndryshimit të popullit tonë nga vetvetja. Ti pra… dhe unë. Secili nga ne veç e veç, e personalisht.
Sëkëndejmi, hapi më i rëndësishëm është ndërrimi i perspektivës dhe pranimi i realitetit. Shqiptari individual, përpara ankimit dhe lebetitjes për të tjerët, duhet të pyes vetën: po unë ç’kam bërë, ç’po bëj dhe ç’do të bëj për popullin tim? Kur secili nga ne të jetë përgjigjur sinqerisht në këtë pyetje, pastaj mund të shohim te tjetri dhe te të tjerët. Është lehtë të llomotitet, por vështirë të kontribuohet. Vetëbesimi i popullit shqiptar mund të kthehet vetëm kur individi fillon e beson në vetvete; kur e respekton autoritetin, por nuk e lejon atë t’ ia nëpërkëmbë dinjitetin personal; kur e dëgjon joshqiptarin dhe nuk i përulet thuase ai apo ajo janë mbinjerëzor, por e konsideron të huajin të barabartë si çdo qenie tjetër njerëzore; kur në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Ulqin apo Preshevë, shqiptari nuk pranon të korruptohet sado i madh përfitimi apo sado i vogël tundimi; kur fillon të informohet mbi çdo çështje që e ndikon mirëqenien e tij apo saj dhe njerëzve përreth; kur merr pjesë në procesin demokratik energjikisht dhe nuk ja jep votën atyre që shkelin besimin e zgjedhësve; kur e respekton dhe zbaton ligjin me përpikëri; kur i sheh të drejtat, besimin dhe opinionet e shqiptarëve të tjerë me të njëjtin sy si të vetat; kur paguan taksat me rregull ndërsa kërkon përgjegjësi për secilën qindarkë publike si është shpenzuar; dhe kur tregon gatishmëri të mbrojë atdheun edhe me jetë, nëse paraqitet nevoja.
Individualiteti është qëllimi i lirisë dhe pa individë të pavarur, pastër dhe punëtorë nuk mund të ketë as institucione dhe as popull që realizojnë tërë potencialin dhe aftësinë për të krijuar një civilizim me vlera. E keqja dhe e mira vijnë nga ti… dhe unë. Për të ndryshuar botën gjithmonë duhet filluar nga vetja— një maksimë sa e vjetër, po aq edhe universale, të cilën, më në fund, duhet të fillojmë ta zbatojmë në praktikë edhe ne shqiptarët.

ulushi@msn.com

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe unë, E mira dhe e keqja, Uk Lushi, vijnë nga ti

BASHKIMI EUROPIAN DHE GJUHA SHQIPE JASHTE POLITIKAVE KOMUNITARE

May 25, 2014 by dgreca

BASHKIMI EUROPIAN NUK MUND TË JETË TËRËSISHT E PLOTËRISHT ORGANIZATË PANEUROPIANE DHE KOMUNITET VLERASH DUKE E LËNË JASHTË POLITIKAVE TË TIJ GJUHËN SHQIPE/
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Shqipja, një nga gjuhët ma të moçme të botës, deri më sot, fundmaj 2014, po mbetet e vetmja nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane, (pa CIS), që nuk është gjuhë zyrtare e Bashkimit Europian.
Ky status i munguar nuk iu mundësua Shqipes as në zgjerimet e mëdha të BE në vitet 1995, 2004, 2007, dhe as në afatet me pritje-përcjellje të gjata e të thata të Shqipërisë Londineze në kit’ dekaden e dytë të shek. XXI.
Ndryshe ngjet me organizatën tjetër politiko-ushtarake euroatlantike, NATO-n, e cila ndonëse ka dy gjuhë zyrtare si Anglishten e Frengjishten por në 65 vite të saj i ka të përfaqësuara në gjirin e vet të gjitha gjuhët indo-europiane.
2.Nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane tre familje kryesore të saj romane, gjermanik e sllave kanë mbi 90 për qind degëzime e shtrirje gjeografike në vendet e Bashkimit Europian si dhe i flasin mbi 90 për qind e popullsisë së saj.
Nga familja e gjuhëve romane (anglisht, frengjisht, italisht, spanjisht, portugalisht, rumanisht) në BE kanë hyrë Mbretëria e Bashkuar (1951), Franca (1951), Belgjika (1951), Luksemburgu (1951), Italia (1951), Republika e Irlandës (1973), Spanja (1986), Portugalia (1986), Malta (2004), Rumania (2007).
Nga familja e gjuhëve gjermanike (gjermanisht, hollandisht, danisht, suedisht) në BE kanë hyrë Gjermania Perëndimore (1951) e, Gjermania Lindore, përndryshe si Republika Federale e Gjermanisë (1990), Belgjika (1951), Luksemburgu (1951), Hollanda (1951), Belgjika (1951), Austria (1995), Danimarka (1973), Austria (1995), Suedia (1995), Finlanda (1995).
Nga familja e gjuhëve sllave ( sllovenisht, polonisht, çekisht, bullgarisht, sllovakisht, kroatisht) në BE kanë hyrë Republika Çeke (2004), Sllovenia (2004), Polonia (2004), Bullgaria (2007), Sllovakia (2004), Bullgaria (2007), Kroacia (2013).
Nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane kanë hyrë edhe familja e gjuhëve balltike (letonishtja, lituanishtja) si dhe familja e gjuhëve kelte (irlanishtja) si: Lituania (2004) e Lituania (2004), Republika e Irlandës (e antarësuar më 1973 dhe irlandishtja si gjuhë zyrtare më 2007), Mbretëria e Bashkuar ( Irlanda e Veriut, Skocia e Uellsi), ku gjuhët skoceze e uellsiane kanë status të veçantë në BE. Si degë më vete është edhe Greqishtja, gjuhë zyrtare në Greqi (1981) dhe në Qipro (2004) e cila ka gjuhë zyrtare edhe Turqishten.
3.Bashkimi Europian edhe në koft se e shef Shqipen si kriter politik të “vetin” duhet të marrin në konsideratë me përparësi edhe anën tjetër të medaljes, pasi Shqipja është pjesë e identitetit e komunitetit të vlerave të tij.
Së pari: Gjuha Shqipe, e prejardhur nga ajo pellazgo-ilire, është nga gjuhët më të vjetra të Europës, biles para shumë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Europian, që hodhën rrenjë e lëshuan degë dhe morën hapësira gjeo-politike europiane pas lindjes së Krishtit, si disa nga gjuhët sllave, uralike e altaike, etj.
Së dyti: Shqipja zenë vendin e 79-të në botë, ndër 300 gjuhët e sotme që fliten nga mbi 1 milionë banorë. Në këtë tregues vetëm 12 gjuhë zyrtare të Bashkimit Europian janë para saj, si ajo Angleze, Frenge, Spanjolle, Gjermane, Italiane, Polake, Rumune, Hollandeze, Greke, Hungareze, Çeke e Suedeze.
Së treti: Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare e vetme në Republikën e Shqipërisë, gjuhë zyrtare ( e para për nga popullsia) në Republikën e Kosovës, gjuhë zyrtare e dytë në Republikën e Maqedonisë. Nisur nga ky tregues shtrirje të saj në disa shtete, Gjuha Shqipe, po të krahasohet me gjuhët zyrtare në BE, zenë vend pas gjermanishtes, anglishtes, frengjishtes.
Së katërti: Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane, (bashkë me familjen Indo-Iraniane, etj. dhe degë të veçanta si Armenishtja, Anatolianishtja – Hittët, etj.) ka 449 gjuhë, ku Gjuha Shqipe renditet e 46-ta, çka do të thotë se për nga shtrirja territoriale e numri i shqipfolësve të saj, merr një rëndësi të vecantë.
Së pesti: Italia, si vend antar themelues i BE-së, këto kohët e fundit, e ka njohur Arbërishten e ngulimeve shqiptare në disa zona të saj, si një nga gjuhët e minoriteteve në listen e Bashkimit Europian. Greqia, si vend antar i BE-së dhe fqinjë i Shqipërisë, pamvarësisht se BE i ka apeluar disa herë, nuk po e ndjek shembullin e Italisë, që ta rendisë Arvanishten në listen e gjuhëve të minoriteteve të Bashkimit Europian, pamvarësisht faktit se Krahina e Çamërisë Shqiptare ka Shqipen gjuhë të tokës e të tamblit të vet amtar. Shembulli i Italisë duhet ndjekur me antarësimin e Shqipërisë në BE në kit’ qershor 2014.
Së gjashti: Shqipja po bahet gjuhë panballkanike, pasi me nënshkrimin e Kartës Europiane për Gjuhët e Regjioneve e Minoriteteve, po përdoret edhe në treva etnike shqiptare. Republika e Serbisë (15 shkurt 2006) e njeh Shqipen në Luginën e Preshevës (në tre komunat shqiptare si Preshevë, Bujanov e Medvegjë), etj.; Republika e Malit të Zi (15 shkurt 2006) njeh Shqipen në disa komuna si në Ulqin, etj.; Rumania (24 tetor 2007) e njeh Shqipen si gjuhë në përdorim për diasporen shqiptare në këtë vend.
Tashti ka ardhë koha që Shqipja të jetë edhe një gjuhë paneuropiane, një gjuhë zyrtare e Bashkimit Europian.
4.Në Bashkimin Europian, ka disa shtete antare të tij që nuk i kanë gjuhët zyrtare nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane, si Hungaria në Europën Qëndrore, Finlanda në ishullin Skandinav e Estonia në hapësirat Balltike, pasi këto të tria hyjnë në gjuhët Fino-Ugrike, ashtu sikurse shteti ishullor i Maltës në Mesdhe, me gjuhën malteze, hynë në gjuhët semetike.
Pas këtyre shembujve mund të pyesim: ende do të mbetet jashtë Bashkimit Europian Gjuha Shqipe, rrënjase e Europës kontinentale e ishullore?!
Disa shtete europiane përsa iu përket gjuhëve të regjioneve e minoriteteve të tyre kanë më përparësi në Bashkimin Europian si gjuha Armene në 4 shtete si Bullgari, Qipro, Hungari e Poloni; gjuha Serbe në Austri, Hungari, Gjermani, Rumani e Slloveni; gjuha Kroate në Austri, Republikën Çeke, Hungari, Itali, Sllovaki e Slloveni; gjuha Boshnjake në Austri, Gjermani e Slloveni; etj.
Kur e trajtojmë ballas, hapur e ngultas çështjen e Gjuhës Shqipe në listën e gjuhëve zyrtare apo edhe të regjioneve e minoriteteve të Bashkimit Europian, kam parasysh se nuk po flas për ngulimet ilire në kohën e Aleksandit të Madh, në pllajën e Hundëzës në 2300-2700 m. lartësi mbidetare në Nuristanin e Pakistanit me mbi 50 mijë banorë, aty ku takohen Afganistani, Pakistani, Kina e Taxhikistani, të cilët ende flasin dialektin e tyre Burrushesku (Gjuha e Burrave), me rrënjë e gjurmë të Shqipes.
Gjithësesi e realisht kam parasysh faktin se po flasim për një vend europian si Shqipëria, për një gjuhë të veçantë në Europë e me peshë territoriale e popullsie në Ballkan, që ka fqinjë tokësorë Greqinë e fqinjë detar Italinë antare të Bashkimit Europian, që meriton vëmendje e përparësi, duke e antarësuar vendin tim, Shqipërinë, në BE sa më shpejt të jetë e mundur.
Çështja shtrohet thjeshtë: Shqipja e Shqiptarëve në Ballkan kur do të zerë vendin e merituar në gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian, që materialet dokumentare të BE-së të kenë fatin historik të përkthehen edhe në Gjuhën Shqipe, që Shqipëria të jetë antare e BE-së.
5.Ndërsa ngre çështjen e përdorimit zyrtar të Shqipes në BE kam parasysh edhe faktin tjetër, se Bullgaria ballkanike një vend i porsa pranuar asokohe në BE (2007) e ngriti problem edhe në përdorimin e një germe (shqiptimin e saj) të fjalës “Euro” për t’u shqiptuar sipas gjuhës bullgare “Evro” në të gjitha përkthimet, në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së. Bullgaria arriti deri aty e atje sat ë kërcenoj edhe me Veton e saj. Ndaj u gjet një kompromis: në dokumentet zyrtare të BE-së, të përkthyera në gjuhën bullgare, të mos shkruhet fjala e plotë “Euro” as në variantin roman e as në variantin bullgar “Evro”, por thjeshtë vetëm kodi i saj bankar ndërkombëtar “Eur”, çka, kjo, i mundësoi edhe Malit të Zi të nënshkruante MSA me BE më 15 tetor 2008, etj.
Kur diplomacia e politika e BE ndërhyn e zgjidhë problematika edhe për një gërmë alfabeti gjuhësor, atëherë a mund të bëjnë më shumë e më shpejt edhe për t’i dhënë Gjuhës Shqipe vendin e merituar e të munguar në BE, duke e pranuar Republikën e Shqipërisë, me proçedura të përshpejtuara, jo vetëm si vend kandidat, por edhe antar të tij?!
Prandaj, jo vetëm statusi i pritshëm si vend kandidat në BE në qershor 2014 , por edhe antarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE, nuk është as privilegj dhe as sakrificë, por detyrë e paplotësuar e kohës nisur nga realiteti historik, sepse realiteti i ri gjeo-strategjik, politik e kulturor i Europës e Botës e kërkon edhe Shqipen në Bashkimin Europian. Edhe Bashkimi Europian është organizatë politike, ekonomike e tregtare dhe komunitet vlerash, por e ka lënë jashtë politikave të tij Gjuhën Shqipe, ndonëse e ka të Trungut të vet Indo-Europian, të hapësires gjeo-politike kontinetale të tij.
Tiranë, 25 maj 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Bashkimi Europian, gjuha shqipe, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 897
  • 898
  • 899
  • 900
  • 901
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT