Nga Dionis Xhafa/
Shoqëritë e Lindjes po vënë bazat e atyre shoqërive, ku marrëdhëniet konfliktuale rregullohen përmes tre konceptesh kryesore. Kështu, Bulaç tregon tre konfliktet që ka sot njeriu i parimeve të Lindjes. Njeriu ka tre konflikte bazë, të cilat janë: (1) Konflikti i njeriut me natyrën. (2) Konflikti me vetveten. (3) Konflikte morale, politike ose juridike. Laicizmi i shteteve lidnore shprehet për zgjidhje konkrete dhe për zgjidhje të plotë të proceseve historike që kalon një shoqëri. Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e ndikuar ndjeshëm nga historia e Lindjes në disa etapa historike evolutive të saj është e aftë dhe madje disa nga këta parime ka arritur ti instalojë si norma morale dhe si rregullatore të shoqërisë. Gjithashtu lartpërmendëm si element me rëndësi të jashtëzakonshëm laicizmin e shtetit dhe në një shoqëri si ajo shqiptare, me një popullësi dërrmuese të besimit islam, por shtet laik, një përzierje “e frikshme” për ti dhënë një hov cilësor lëvizjeve të gjëra civile. Si një demosdoshmëri e gjallimit të demokracisë në zhvillim. Mendimtarë të Lindjes mendojnë se sqarimet e Perëndimit mbi demokracinë kanë humbur fuqinë e përmirësimit. Francis Fukyama, mjeshtër i shkencave të politikës dhe një autor mjaft i njohur, në kryeveprën e tij, “Fundi i Historisë..” thotë se Perëndimi po shkon drejt fundit të qytetërimit të vet dhe fundi i qytetërimit vlen vetëm për Perëndimin dhe jo pjesën tjetër të botës. Në demokracitë e vendeve Lindore, ku hyn edhe demokracia shqiptare, vërtetë nuk kemi demokraci të përsosor, por ama nuk është një demokraci e ngrirë siç ndodh në Perëndim, ku ka arritur perfesioni dhe gjithçka është stopuar. Hipoteza e autorit është se në kohëzgjatje, ky lloj modernizimi që ka Perëndimi do të vijë një kohë që do të thyhet, ashtu sikundër u thye njëherë e një kohë Perandoria Osmane, fuqia më e madhe për shekuj me rradhë dhe fundi i saj erdhi pikërisht kur ajo arriti në perfeksion dhe në kulmin e fuqisë. Shoqëria shqiptare, ndryshe nga panoramat e “fotove të ngrira” të vendeve perëndimore, ku sistemet janë të palëvizshme, sistemi demokratik është në lëvizje, është dinamik, ka progres, jetë, gjallëri. Si përfundim, mund të thuhet se hipoteza e famshme lindore është se ndërsa Perëndimi është në fillimit e fundit të përsosmërisë, Lindja është në fundin e fillimit të saj.
DREJTORI I RI I FBI-së URDHËRON AGJENTËT TË VIZITOJNË MONUMENTIN E MARTIN LUTHER KINGU-ut
Ne Foto: Monumenti i Martin Luther King-ut në Uashington/
Nga Frank Shkreli/
Këtë javë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama instaloi drejtorin e ri dhe të 7-të të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Zotin Xhejms Komi (James Comey), duke e paraqitur atë në kryeqendrën e FBI-së si një njeri dhe profesionist që e dallon mirë të drejtën nga e padrejta dhe si i tillë gjithmonë vepron në mbështetje të së drejtës. Drejtori i ri i FBI-së më parë ka shëbyer si Zevëndës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në adminstratën e ish-Presidentit Xhorxh Bush. Presidenti Obama iu drejtua agjentëve dhe nëpunësve të FBI-së duke thënë se “Ju, çdo ditë punoni pa u lodhur duke përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat përballet kombi ynë.” Ju, tha Presidenti Obama, e kryeni këtë detyrë me guxim dhe me integritet, duke mbrojtur amerikanët mbrenda dhe jashtë vendit, duke ruajtur vlerat më të mira njerëzore dhe duke respektuar ligjin. Presidenti Obama duke u kujtuar atyre se motoja e FBI-së është, “Besnikëria, Guximi dhe Integriteti”, paraqiti drejtorin e ri të këtij institucioni, Zotin Xhejms Komi, i cili sipas Z. Obama “çdo ditë jeton dhe vepron bazuar në këto parime”. Presidenti Obama shtoi se, drejtori i ri i FBI-së ia ka dedikuar jetën e tij mbrojtjes së ligjeve, duke siguruar në këtë mënyrë që “të gjithë amerikanët të mund të besojnë në sistemin tonë ligjor dhe të drejtësisë, në mbështetje të të drejtave dhe mirëqenjes së tyre”.
Edhe Drejtori i ri i FBI-së, Xhejms Komi iu drejtua të pranishmëve duke theksuar zbatimin e fjalëve të motos së entit që ai do të kryesojë për dhjetë vitet e ardhëshme, dmth., “Besnikërinë, Guximin dhe Integritetin”. Gjatë fjalimit të tij, drejtori i ri i FBI-së tha se do t’u kërkojë agjentëve të ri të FBI-së që të vizitojnë monumentin e posa ndërtuar të ish-udhëheqsit të të drejtave civile, Martin Luther King në Uashington, me qëllim për tu sjellur në mendë dhe për tu kujtuar atyre kufizimet e detyrës si edhe përgjegjësitë që kanë ndaj mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Këjo për arsye se marrëdhënjet e FBI-së me ish-udhëheqsin e të drejtave civile në Amerikë gjatë 1960-ve dhe 1970-ave, mbetet gjithnjë një pikë e zezë në historinë e këtij enti qeveritar. Ish-drejtori i atëhershëm i FBI-së, J. Edgard Huver, kishte urdhëruar jo vetëm përgjimin e aktiviteteve të Martin Luther Kingut, por kishte dhënë urdhër për minimin e veprimtarive dhe lëvizjes së tij në mbështetje të të drejtave civile të barabarta për të gjithë, përfshirë zezakët. Para-ardhësi i drejtorit Komi, gjatë 1990-ave, drejtori Luis Fri kishte urdhëruar agjentët e ri të FBI-së, që si pjesë e trajnimit të tyre të vizitonin Muzeumin e Holokaustit në Uashington, sipas tij, për të parë se ç’ndodhë kur abuzohet pushteti i qeverisë dhe shtetit. Drejtori i ri i FBI-së njoftoi se po e mbështetë këtë traditë duke detyruar agjentët e ri dhe analistët që edhe këta si pjesë e trajnimit të tyre, të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, në një kohë kur po shprehen shqetësime serioze nga Kongresi, media dhe nga populli amerikan, mbi përgjimet nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar, e të cilat u zbuluan kohë më parë nga Eduard Snouden, një ish-kontraktor i këtij enti qeveritar. Zoti Komi tha gjatë fjalimit të tij se do të urdhëroj agjentët e rij të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, ashtuqë që ata të reflektojnë mbi “abuzimet dhe masat e tepëruara” nga FBI-ja në të kaluarën, duke cituar paradhësin e tij Luis Fri, që kishte urdhëruar agjentët e rij të vizitonin Muzeumin e Holokaustit, “me qëllim që ata të shohin, të dëgjojnë dhe të ndjejnë në një mënyrë të prekshme pasojat që rrjedhin nga abuzimi i pushtetit në një shkallë masive dhe pothuaj të pa-imagjinueshme.”
Drejtori i ri i FBI-së tha se vitet e para të agjensisë që ai do kryesojë tani, ishin një periudhë “progresi dhe arritjesh të mëdha”, por më vonë reputacioni dhe historia e FBI-së u mjegullua nga “abuzimet dhe masat e tepruara të agjentëve të saj, sidomos përsa i përket Martin Luther Kingut dhe të tjerëve që në atë kohë konsideroheshin si kërcënues ndaj sigurimit të mbrendëshëm të këtij vendi.”
Qëllimi i këtij urdhëri, që agjentët e FBI-së dhe analistët e rijë të këtij enti qeveritar të vizitojnë monumentin ish-udhëheqsit amerikan të të drejtave civile, Martin Luther King dhe Muzeumin e Hollokaustit në fillim të trajnimit, është sipas fjalëve të ish drejtorit të FBI-së Lui Fri, që tu “kujtojmë atyre tmerret dhe të keqën që rezulton kur, jo vetëm, qeveria por edhe agjensi që me ligj duhet të jenë mbrojtëse të zbatimit të ligjit si FBI-ja, heqin dorë nga misioni i tyre kryesor, që është mbrojtja e të drejtave të barabarta të qytetarëve – dhe përkundrazi bëhen mjete të shtypjes”.
Shtetet e Bashkuara si shtet dhe si shoqëri nuk kanë dhe as nuk pretendojnë të kenë një histori pa probleme në fushën e të drejtave civile dhe të barabarta për të gjithë. Në të vërtetë, janë vet udhëheqsit e këtij vendi që kanë pranuar dhe pranojnë se Amerika nuk është një vend i perfeksionuar. Ka të meta dhe probleme sa të duash, historikisht dhe tani. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të kësaj bote — siç ka thënë edhe Presidenti i tanishëm amerikan, Barak Obama në një fjalim në Moskë më 2009 — “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta për të demonstruar, ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të protestojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta, në një kohë kur ato iu mohoheshin atyre. Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit. Media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë qeverinë.” Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, “na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre. Nëqoftse demokracia jonë nuk do të mbronte dhe të avanconte këto të drejta, atëherë unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara. Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin të drejta … por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Gjëja, pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë historisë së tyre, nuk kanë bërë gabime mbrenda dhe jashtë vendit. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është fakti se ajo i pranon gabimet historike kundër të vetëve dhe kundër të tjerëve. Mëson nga këto mangësi e gabime dhe vazhdon të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave të barabarta për të gjithë. Urdhëri i drejtorit të ri të FBI-së që agjentët dhe analistët e rijë gjatë trajnimit të tyre, që të vizitojnë muzeume si ai i Holokaustit dhe monumentin e Martin Luther Kingut –është pikërisht në përputhje dhe pjesë e këtij reflektimi që Amerika bën gjithmonë në mbështetje të vlerave universale për të drejta të barabarta për të gjithë, mbrenda dhe jashtë vendit.
Mos harroni, jemi edhe ne!
Nga Reshat Kripa/Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/
Shqipëria sot jeton në botën e çudirave. Përse do të thoni ju, të nderuar lexues? Sepse kushdo, i djathtë apo i majtë, politikan apo i paparti (nuk e di nëse mund te ketë në vendin tonë ndonjë që nuk i përket asnjë partie), analist apo gazetar është përfshirë në vorbullën e kësaj Shqipërie të çuditshme. Sot, në vendin tonë je i lirë të shprehësh çdo lloj mbroçkullash që të do zemra, të çdo lloj ngjyrash të jenë ato dhe turma, si një kope e bindur, beson ato që i vinë më për shtat. Është për të ardhur keq, por sot vendin kryesor e zenë mashtrimet dhe llafollogjia propagandistike e trashëguar nga regjimi i përmbysur dhe kjo fillon që nga kupola drejtuese dhe deri në shtresat më të ulta të popullsisë.
Një sentencë e njohur thotë: “Oh, drejtësi, drejtësi, shumë krime kryhen nën emrin tënd!” A është e vleshme kjo sentencë për vendin tonë? Unë mendoj se po. Përse? Sepse këtu ekziston demagodgjia e premtimeve të pambajtura dhe më e keqja, ata që premtuan, nuk kanë as pikën e turpit për të përgënjeshtruar thëniet e tyre. Kjo është Shqipëria e sotme.
Flitet dhe çfarë nuk flitet. Flitet që rendi në Shqipëri paska qenë për tokë dhe tani e tutje do të gjejë vendin e merituar. Sa do të dëshironim që një gjë e tillë të realizohej! Madje për këtë u shkarkuan edhe qindra kuadro të nomenklaturës së kaluar. Por në të vërtetë ne shohim se për çdo ditë në rrugët e vendit ndodhin vrasje nga më të padëgjuarat ndonjëherë. Është herët shpejt për zgjidhjen e këtij problemi, thonë drejtuesit e shtetit. Edhe unë jam dakord me ta. Do të presim dhe do të shohim. Por, nëqoftëse , me kalimin e kohës, asnjë ndryshim nuk do të ndodhë, çfarë do të thonë zotërinjtë e kupolës drejtuese?
Para disa ditësh pesë të rinj të moshës 17-18 vjeç humbën jetën në një aksident automobilistik. Aksidente të tjera po ndodhin në rrugët e adheut. Të tjerë persona po humbasin jetën. Çfarë po bënë policia rrugore për parandalimin e tyre? Asgjë. Vazhdon e njejta gjendje si në të kaluarën. Atëherë, çfarë shërbyen zëvendësimet e gati njëqind kuadrove të policisë rrugore Koha tregoi se asgjë.
Solla vetëm dy shembuj të jetës së përditshme dhe mund të vazhdoja edhe më tej. Por nuk dua të zgjatem. Dua të përqëndrohem në problemet që i përkasin shresës time, që unë i përkas, shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Çfarë ndryshimi do të sjellë ndërrimi i pushteteve në Shqipëri për këtë shtresë? Gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm bënë shumë premtime. Natyrisht, në rast se do t’i realizojnë këto, kjo do të ishte një tregues se edhe e majta shqiptare është e interesuar për këtë shtresë. Kjo do të tregonte se nuk është vetëm e djathta që i ka përkrahur. Kjo do të ishte një përmbysje e mentalitetit të deri tanishëm dhe kjo do të ishte një gjë e mirë.
Por si paraqitet gjendja reale në vendin tonë? Ne konstatojmë se, në rradhët e të pezulluarve nga puna, një pjesë e mirë e tyre i përkasin pikërisht kësaj shtrese. Unë mund t’i cilësoja me emrat përkatës, por po e le për një herë tjetër, në rast se pala e prekur do e kërkonte një gjë të tillë. Gjithashtu, në rradhët e të emëruarve të rinj në institucionet e ndryshme nuk shohim asnjë të propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë. Drejtuesit e sotëm mund të shpikin lloj-lloj shoqatash inekzistente që, në përbërjen e tyre, kanë vetëm një individ që nuk përfaqëson asgjë përveç emrit të tij të përlyer. Në rast se ekzistojnë të tilla shoqata do t’ju lutesha të na paraqisnin vendimin e gjykatës që i ka miratuar, përbërjen e saj, degët e rretheve, selitë përkatëse dhe elementë të tjerë që vërtetojnë ekzistencën e tyre. Për fat të keq, shoqata të tilla me këto të dhëna janë fare pak, për të mos thënë vetëm një, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, anëtare me të drejta të plota e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin.
I shkruaj këto se gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm krijuan edhe një “grup me të përndjekur politikë” për të hartuar një program për këtë shtresë dhe, në të vërtetë, ky program u hartua dhe u shpallën publikisht shifrat e tij. Më lejoni t’ju paraqes disa pika të këtij programi:
- Ngritja e masës së dëmshpërblimit financiar nga 2000 lekë për ditë dënimi në 25 euro
ose 3500 lekë për ditë dënimi.
- Pagesa në mënyrë të menjëhershme e atyre që kanë mbushur moshën 75 vjeç për burrat
dhe 70 vjeç për gratë.
- Përfundimi i dëmshpërblimit financiar për të përndjekurit politikë në një periudhë prej
dy vjetësh.
Këto ishin tre premtimet kryesore të drejtuesve të sotëm. Deri tani, megjithse kanë kaluar gati dy muaj nga marrja e pushtetit nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, në asnjërën nga konferencat e shumta të zhvilluara prej tyre, për këto çështje. As edhe një premtim të vetëm se çfarë do të bëhet në të ardhmen për këtë shtresë. Kjo na lë një shije të hidhur, na lë përshtypjen se gjithshka ishte një demagogji e shpifur, njëlloj si ato të sistemit të përmbysur që u mundua, më kot, të na diskriminonte dhe të na zhdukte fare nga faqja e dheut, por që nuk mundi t’ia arrinte kurrë. Lidhur me sa më sipër, më vjen keq edhe për ata “ish-të përndjekur politikë” që u përdorën si manekinë në duart e mjeshtërve të mashtrimit dhe që sot nuk e ngrenë më zërin.
Pak më sipër citova tre premtimet e bëra nga drejtuesit e pushtetit të sotëm. Por, kërkesat e të përndjekurve politikë nuk janë vetëm këto, madje unë do të thoja se këto do të ishin të fundit e kërkesave të tyre. Para tyre unë do të rendisja ato më themeloret të sanksionuara në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të miratuar në vitin 2006, pamvarësisht se sundimtarët e sotëm dolën jashtë salle kur miratohej ajo rezolutë. Le t’i rendisim ato:
Dënoni diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit diktatorial komunist në Europën Lindore.
Hapni dosjet e ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.
Akordoni një fond për gjetjen e të rënëve nga diktatura komuniste për arsye politike dhe rivarrosjen e tyre në një varrezë të veçantë, si në vendet e tjera të Europës Lindore, ku të afermit të mund të vendosin një tufë me lule apo të dredhin dy pika lot për kujtim të tyre.
Bëni rishikimin e historisë së Shqipërisë për të paraqitur realitetin e asaj periudhe të manipuluar dhe rishikoni tekstet shkollore të mbushura me propagandën komuniste.
Hapni muzetë në qendrat kryesore të persekutimit politikë dhe ngrini memorialin qëndror të të rënëve nga diktatura për të cilin ka vite që është marrë vendim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundi organizoni konferncën kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist. Sot shohim që zhvillohen konferenca edhe per romët apo për gejt. Nuk e di nëse këta konsiderohen më të rëndësishëm se të përndjekurit politikë.
Në rast se do të bëni këto, ju do të tregoni se jeni me të vërtetë ashtu siç keni premtuar. Në të kundërt do të mbeteni sharlatanë gënjeshtarë të pamoralshëm që atë që premtojnë sot nuk e kanë për turp ta mohojnë nesër.
Ne jemi në pritje.
Mashtrimi i ri turko-serb : “ Ma mirë turki se shkau” !
I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”. (I.Kadare )
Shkruan: Fahri Xharra/Gjakove/
Pse u mashtruam? Si po vepron bashkëpunimi turko- serb ndaj çështjes shqiptare?Se si po i ndihmon Turqia Serbisë që ajo të ketë primatin në këto anë ,po shihet qartazi . Ndihma e Turqisë që i ipet Serbisë ,në kudër të bashkëpunimit të tyre të ndësjelltë ,për shuarjen e një kombi është e mënyrave të ndryshme.Më e reja por në kuadër të së vjetrës dhe e cila kishte dhënë rezultate shumë të mira në projektin e tmerrshëm në shuarjen tonë , ishte dhe është përçarja fetare e shqiptarëve. ”.Ato (agjitatoret musliman)..duhet të ndezin fanatizmin fetar të masave dhe të zgjojnë krenarinë për shtetin turk.”( Çubriloviq).
Ishte Çubriloviqi që thoshte kështu dhe ashtu u veprua gjithëmonë. Por sot?
” Duke pasur këtë që u tha në konsideratë, në pah na del edhe një e vërtet tjetër se me gjithë përpjekjet e mëdha të disa ‘patriotëve’ për ta zbehur vizitën e Erdoganit në Kosovë dhe për të irrituar shqiptarët nga personaliteti i tij, megjithatë ai vazhdon të gëzojë një autoritet shumë të madh në mesin e popullit tonë, saqë kam bindjen se po të kandidonte për president të Kosovës do të fitonte më shumë vota se shumë vendas kosovarë. ( Shefqet Krasniqi ). A nuk është kjo vazhdimësi e ”zgjimit të krenarisë” për shtetin turk?
Nëse s’do të duam të përsëritet historia, duhen marrë masa ndaj këtij lloji të propagandës që është akoma e brishtë( e vjetër në kohëra t’ reja,,) përndryshe na pret një periudhë e errët historike. Historia jonë është e mbushur me raste të tilla fatkeqe, por mjaft më me hedhjen e fajit tjetërkujt. Në fund të fundit duhet ta ndihmosh vetë fatin dhe të mos rrish duarkryq e të përqyrresh se nuk të ndihmonn fati. Është koha për të dalë nga plogështia dhe t’i vihet dryri këtyre dordolecëve të propagandës çubriloviqiane që çojnë në realizimin e planeve turko-serbe.
Çka parashifshin planet dikur dhe a i ngjajnë ato këtyre të sotmës që po shihen ” ashiqare”:
”.. Turqia ofron pafundësi kolonizimi. Është e ditur që masat e myslymanëve janë në përgjithësi lehtësisht të influencuara nga feja. …Prandaj ne duhet të bëjmë për vete në rradhë të parë klerikët (hoxhë, imam , myftij)) dhe njerëz me influencë, nepërmjet parave dhe kërcënimeve…..(Çubriloviq) Në planet e përbashkëta qëndron edhe kjo:”Gjithashtu duhet te gjinden sa më parë që të jetë e mundur agjitatorë sidomos nga Turqia, për të promovuar dashurinë ndaj Turqisë , duke u bazuar në të kaluarën ” e përbashkët historike ” dhe në zhvillimin ekonomik të saj.
“Me kalimin e shekujve, jo veç të huajt, por shqiptarët vetë, gati-gati po besonin se Shqipëria nuk rrethohej më nga vise europiane, siç ishte në të vërtetë, por ishte zhvendosur drejt daljes së kontinentit të vet, në kufi me Azinë. Si e tillë, si hapësirë ndërprerëse a urë kalimi aziatiko-europiane, përftohej ajo që e kishte Azinë rreth një mijë kilometra larg. Ky status gjysmak, ky as-as (as Europë, as Azi), nuk do t’i ndahej Shqipërisë edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane. Nuk ishte metaforë, por gërmadha e projektit makabër për shuarjen e një kombi”(Kadare)
“Ka popuj në kufijtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjerësisht, bazuar në fatet, të bëmat dhe cilësitë që shfaqin. “ thuhej për ne . Po kufijtë e botës së qytetruar ku qenkan.? A qenkemi ne ata që po e ndajmë qytetrërimin nga jo qytetrimi.? Po .
Sipas planeve turko-serbe ashtu duhet të mbetet. Derisa Erdogani çirret se Kosova është Turqi , të nesërmen dalin serbët se Kosova është Serbi , atëherë automatikisht arrihet të përfundimi : ” Ja një popull që e dëshiron errësirën, na leni neve se vetëm ne dijmë të menaxhojmë me këto bisha të historikisht të papërmirësuara” Deris turku çirret për të kaluaren e përbashkët , ne e pranojmë si të tillë , Kur serbi thot se Kosova është Serbi ne reagojmë vrullshëm( e që duhet) ,atëherë është kulmi i suksesit në strategjinë: “ Më mirë turki se serbi”.
Teoria “ më mirë turku se sa serbi “ është bipolare : ” sa më afër turkut , aq më largë Europës ” dhe kjo i shkon përshtati Serbisë në arsyetimet e saja në botë. Europa nuk duron Azi në mbrendinë e saj.. Jo ore , Jo. as Serbi e as Turqi !
Është e ditur që masat e shqiptarëve muslimanë janë në përgjithësi lehtësisht të influencuara nga feja.Dhe sot a po e kryejnë agjitatorët e fesë muslimane këtë influencim , duke na e përzier fenë muslimane me kombin turk.? Të jesh musliman nuk do të thot të jesh turk.
“Në këtë luftë maskash, kombi shqiptar humbte çdo stinë e çdo vit. Shfaqeshin çdo stinë shqiptarë me famë dhe pasuri, por, ashtu si në përrallat me kapërcim të ylberit, fill pas kapërcimit, pra matanë ylberit, ata s’ishin më shqiptarë. Rrallëherë në histori kishte qëlluar që fama dhe lavdia vetjake e personazheve, në vend që t’i vinte në ndihmë kombit që i përkisnin, ktheheshin kundër tij. Do të mjaftonte vetëm shembulli i postit të kryeministrit perandorak, që iu dha shqiptarëve, prej të njëjtit shtet që ndalonte me dekret shkrimin e gjuhës shqipe, për të kuptuar se në ç’nyjë tragjike kishte hyrë fati shqiptar (Kadare) . Po sot , e njejta .-
Populli turk dhe ai i Kosovës e kan të njejtën histori,thot Erdogani duke shtuar se
“ gjuha ,feja ,pupulli mund të jenë të ndryshëm “ por “ që të gjithë jemi fëmijtë e të njetit vend “ i raportonte Tanjug-u botës. Edhe kjo është nga plani i përbashkët turko-serb.
“Pastaj a më mirë t’i ndjesh njerëzit si të afërm, miq e vëllezër apo si armiq e kundërshtarë? Sa më shumë miq e vëllezër që ka njeriu aq më i fortë do të jetë, kjo nuk do koment. Por unë mendoj se ky frustrim dhe reagim i pakontrolluar emocional që po u bëhet “vëllezërve” është i qëllimtë dhe tendencioz, pra çështja lidhet kryekëput me atë se vëllai në këtë rast është turku, ‘ish-pushtuesi’.(Dr.Shefqeti)”……” Prandaj ne duhet të bëjmë për vete në rradhë të parë klerikët (hoxhë, imam , myftij)) dhe njerëz me influencë, nepërmjet parave dhe kërcënimeve QË ATO TË NA MBËSHTESIN …..(Çubriloviq).
TURQIA, SHTETET SHQIPTARE DHE EVROPA
Shkruan: Eugjen Merlika/
23 tetori 2013 qe një ditë e pazakontë për hapësirën shqiptare, kryesisht për Kosovën. Në afërsi të Prishtinës u përurua aeroporti i ri i shtetit më të ri t’Evropës. Një vepër bashkëkohore që dëshmon përparimin e Kosovës nga një anë dhe pozicionimin zyrtar të saj, në kontekstin gjeopolitik të një periudhe jo të qetë për Evropën, nga ana tjetër.
Aeroporti, që mban emrin e heroit të UÇK-së e të Kosovës, Adem Jasharit, u ndërtua nga një shoqëri franko – turke që quhet “Limak Aeroport de Lyon”, me sponsorizimin e Qeverisë turke. Ai është marrë në konçesion prej kësaj shoqërie për një periudhë prej njëzet vitesh. Kjo është mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën zhvillimit në Vende që janë në hapat e para të tij. Shumë vite më parë qe këshilluar edhe për Shqipërinë pas komuniste, por pa asnjë rezultat. Klasa politike shqiptare nuk pati përfytyresën e duhur, u tregua jo larpamëse dhe krijuese në strategjinë e saj të zhvillimit, duke mos pranuar dhënien e konçesioneve, në emër të një ideje shterpë e të gabuar të interesave kombëtare. Ajo e bazoi rimëkëmbjen ekonomike të Vendit në huatë e në “kapitalin” vendas, me përfundime aspak të kënaqëshme, në krahasim me Vende të tjera të nisura në kushte të përafërta.
Ceremonitë e 23 tetorit shpalosën një simbolikë që le shteg për të interpretuar mendimin politik që zotëron sot në një pjesë të mirë të kosovarëve. Skena politike, në të cilën u zhvillua ngjarja, u zotërua nga tri figura : në plan të parë ishte Kryeministri turk Erdogan e mbas tij dyshja kryeministrore e shqiptarëve, Thaçi – Rama. Në dukje është diçka e zakonëshme, një ceremoni zyrtare në prani të Kryetarëve të Qeverive të Vendeve t’interesuara në veprën së cilës i pritej shiriti. Parë më në thellësi, dukuria nxjerr në pah elementë që lejojnë të nxirren përfundimet mbi gjëndjen politike të Kosovës e të Shqipërisë dhe prirjet e tyre në marredhëniet ndërkombëtare të së sotmes e të s’ardhmes. Në Prishtinë mungonte Kryetarja e Shtetit e cila, jo shumë ditë më parë, u shpreh hapur kundër vënies së shamive në kokat e studenteve në mjediset e shkollave, duke e përligjur këtë zgjedhje me shprehjen “Kosova është një shtet laik”. Në përurim mungonte dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, njëkohësisht Kryetar i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, Isa Mustafa, një mungesë cilësore që vërteton një farë njëanshmërie të ceremonisë, më shumë e prirur të nxjerrë në pah marredhëniet përparësore me Turqinë dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime zgjedhore. Por n’atë ceremoni, simbas shtypit, nuk ishin as përfaqësuesit e Eulexit, misionit evropian në Kosovë, dhe as ata të ambasadës amerikane, që përfaqëson mikun më të mirë të republikës së re. Mendoj se këto mungesa nuk janë thjesht rastësi, por kanë domethënien e tyre.
Emërtimi i aeroportit, me gjithë respektin e padiskutueshëm për emrin e dëshmorit të Kosovës bashkëkohore, tregon se udhëheqja aktuale kosovare, në një farë mënyre, ka bërë një shkëputje nga tradita historike e Vendit dhe është e prirur të vlerësojë më shumë periudhën e fundit, që lidhet me luftën e UÇK-së, bijë e së cilës është ajo vetë. Fakti që, për simbol të një vepre madhore të Kosovës bashkëkohore, nuk u huajt nga historia asnjë nga figurat e shumta të saj, personazhe të shquara të historisë kombëtare shqiptare si Ymer Prizreni, Nexhip Draga, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Dervish Mitrovica, Tahir Zajmi, Xhaferr Deva, Rexhep Mitrovica, Iljaz Agushi, për të përmendur vetëm disa prej tyre, tregon pikërisht atë prirje. Në këtë kuadër hyn edhe lënia disi në hije e emrit dhe ndihmesës së Presidentit të parë të Kosovës, të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova. Sigurisht, një orientim i tillë është i lidhur me një mëdyshje që shqiptarët kanë qenë të detyruar t’a përballojnë në shumë etapa të historisë së tyre, atë të animit nga Lindja apo nga Perëndimi. Pa hyrë në analizën e motiveve dhe arsyeve të këtyre zgjedhjeve, të cilat janë shumë komplekse e paraqesin dritë – hije të pakundërshtueshme në rrjedhë të shekujve, duket qartë se ndikimi i Qeverisë aktuale turke në Kosovën e pavarur vjen duke u rritur.
Më 23 tetor Kryeministri Erdogan, në krye të një dërgate prej 600 vetësh, ku përfshihej gjysma e kabinetit qeveritar, u prit në Prishtinë e Prizren me një ngrohtësi të jashtzakonshme, jo nga pakica turke, por nga populli i Kosovës shqiptare. Nuk është një dukuri e pazakontë kjo, madje e gjithë historia jonë e gjysmës së dytë të shekullit të fundit, paraqet skena të tilla. Mjafton të kujtojmë pritjet e udhëheqësve komunistë të B.S. apo të Kinës në regjimin komunist dhe atë të jashtzakonshmen e Sekretarit amerikan të Shtetit më 1991. Këto pritje nuk janë vetëm shprehje e prirjes tradicionale të respektimit të mikut, por edhe e më shumë e shpresës që lind nga fuqia ekonomike e shtetit që përfaqëson, e iluzionit se vetëm të huajt mund të zgjidhin problemet tona. Ky koncept vazhdon të jetojë ende sot, edhe për inerci të kundërveprimit ndaj teorisë së “mbështetjes në forcat tona” të komunizmit enverian, zbatimi i së cilës solli mjerimin më skajor në historinë e shqiptarëve.
Por a është Erdogani “shpëtimtari i atdheut” që do të zhdukë varfërinë e Kosovës? E cili do të ishte çmimi eventual i një ndërmarrjeje të tillë? Sa do t’ishin t’interesuara Kosova e Shqipëria t’i jepnin përparësi këtij opsioni, kundrejt synimit të tyre për t’u bërë pjesë integrale e Bashkësisë evropiane ? Janë pyetje që klasa politike në Kosovë, kryesisht, por edhe në Shqipëri, duhet t’u përgjigjen. 23 tetori në Prishtinë e në Prizren, në kuadrin e deklaratave të drejtuesve të tre qeverive, i shtron më me forcë.
Turqia konsiderohet sot prej shumë kujt një mbifuqi ekonomike rajonale, një shtet i rëndësishëm i NATO-s, një faktor qëndrueshmërie në Lindjen e Afërt e të Mesme, në një zonë ku kundërshtitë janë gjithmonë të pranishme e ku luftërat mund të jenë përherë në pritë, madje edhe në zhvillim siç është ajo në Siri. Elementi i parë i këtij konstatimi besoj se meriton një analizë më të hollësishme të shifrave. Turqia ka një popullsi prej 74 milion banorësh, me një PPI prej 789,3 miliard dollarë dhe t’ardhura për frymë 10830 dollarë në vit. Përkatësisht këto shifra, simbas BB janë : për Gjermaninë 3400 miliardë dhe 44000 dollarë ; për Francën 2813 miliardë dhe 41770 dollarë; për Britaninë e Madhe 2435 miliardë dhe 38250 dollarë ; për Italinë 2013 miliardë dhe 33840 dollarë. Po të bëjmë krahasimin me Vëndet kryesore evropiane nuk besoj se fjala mbifuqi ekonomike qëndron në këmbë, mbetet më shumë frut i një propagande se sa një realitet i prekshëm. Ajo ka një rritje të PPI në masën 2,2 %, që nuk është një shifër dragojsh ekonomikë.
Që nga viti 2005 Turqia ka bërë kërkesën për të hyrë në BE. Ishte një kërkesë që, në 2004, gëzonte miratimin e 73 % të opinionit publik turk e që këtë vit ka zbritur në 44 %. Por bisedimet kanë ngecur pa bërë përparime, si pasojë e kërkesave, gjithënjë në rritje të evropianëve kundërshtarë (Franca e Gjermania kryesisht), por edhe për një delir madhështie të Qeverisë islamike të Erdoganit, që ëndërronte një neoperandori otomane në salsë bashkëkohore. Koha duket se i ka zvogëluar këto motive, madje në Ankara nuk është më në plan të parë ministri i jashtëm Davutoglu, idhtar i “neootomanizmit”, por Egemen Baris, ministri për marredhëniet me BE. Në këtë drejtim vlen të përmëndet fakti se numuri i shteteve të BE-së, që miratojnë praninë turke n’Evropë, është shtuar. Nëse do t’i përshtasnim një klasifikim termik opinioneve të antarëve të BE-së, rezulton se të ngrohtë ndaj hyrjes së Turqisë janë sot Suedia, Finlanda, Estonia, Letonia, Irlanda, Britania e Madhe, Hollanda, Belgjika, Portugalia, Spanja, Italia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria ; të vakët janë Lituania, Polonia, R. Çeke dhe Franca ; të ftohtë janë Danimarka, Gjermania, Austria, Hungaria, Greqia dhe Qipro.
Dështimet në politikën rajonale, në marredhëniet me Izraelin, Egjyptin apo Sirinë e bëjnë Qeverinë turke të kërkojë zona ndikimi në Ballkanin ish otoman, kryesisht në shtetet me popullsi myslimane si Bosnja, Kosova, apo Shqipëria. Prirja për t’u kthyer aty ku kanë qenë para më shumë se njëqind vitesh mund të duket si një dukuri e zakontë që haset shpesh në marredhëniet e ish fuqive koloniale me ish kolonitë e tyre. Por në rastin tonë nuk mund të zbatohet ai parim.
Deklarata e Erdoganit në Prizren se “Kosova është Turqi e se Turqia është Kosovë”, në rastin më të mirë është një lajthitje e në më të keqin një demagogji bajate, që mund të hyjë vetëm në trutë e fanatikëve apo të padijshmëve, sepse nuk mban parasysh historinë e njëqind viteve të fundit e jo vetëm atë. Kryeministri turk “harron” faktin se shqiptarët kanë një shekull që janë të ndarë në katër shtete kufitarë e që problemi kombëtar, me gjithë kufizimet që koha dhe prirjet bashkuese të kontinentit i kanë vënë, mbetet gjithmonë i gjallë në vetëdijen dhe strategjinë e tyre politike. Por në fjalimet e Prishtinës e të Prizrenit asnjë gjysëm fjale nuk doli që t’a kujtonte “dertin” shqiptar të një shekulli. Erdogani shtrembëron edhe historinë, të cilën na ka kërkuar t’a rishkruajmë në frymën që “për shekuj me rradhë kemi jetuar në vëllazëri dhe në unitet në këto toka.”. Me “shkopin magjik” të prestigjiatorit politik kërkon të na paraqesë një realitet historik të paqenë, që le në harresë 54 kryengritje, gjatë më shumë se katër shekuj pushtimi, në të cilët nuk është lejuar të hapet as edhe një shkollë në gjuhën shqipe. Feja, normalisht motiv bashkimi i njerëzve, u kthye në një mjet ndarës, veçimi e dallimi mes folësve të të njëjtës gjuhë. Ndihmesa e shumë shqiptarëve në jetën administrative e kulturore të Perandorisë otomane, është më shumë shprehje e ambicjeve dhe arritjeve vetiake të tyre, se sa një parapëlqim i institucioneve kundrejt tyre.
“Historia na mëson e vetë me sŷt t’anë po shohim se Shqiptarët, megjithë qi atdheun e vet e kanë ruejtun vetëm ata vetë me gjakun e çëmueshëm të tyne, megjithë qi deri vetë jeta e mbretnis otomane qëndron me sakrificat e tyne, me gjithë këto, po themi, Shqiptarët po gjinden të ndrydhun prej padrejtis mâ të padurueshme, prej sundimit mâ të neveriçëm.” Janë fjalët e një shqiptari që ishte diplomuar në Mylkijen e Stambollit e që mbajnë datën 2 korrik 1912. Vlejnë edhe sot si dëshmi e një historie që nuk mund të tjetërsohet.
Por të gjitha këto konsiderata nuk duhet të paragjykojnë marredhëniet me shtetin turk që duhet të jenë të mira, shumë të mira, por gjithmonë në kuadrin e respektimit të vlerave e të interesave të ndërsjellta, pa kaluar caqet e identitetit e traditës së secilit. Nëse rruga jonë drejt Evropës është e përbashkët, nuk shoh asnjë fitim që atë t’a bëjmë nën ombrellën e Erdoganit, edhe nëse na premtohet ndonjë lëmoshë. Nëse shqetësimi i tij është i sinqertë e pa interes (e vështirë për t’u besuar), nëse ai “nuk mund të durojë dot të shohë Ballkanin të derdhë lot si në të kaluarën”, por bujarisht përpiqet të japë ndihmesën të shërojë plagët e tij, askush nuk duhet të ushqejë paragjykimin për të mos e pranuar a priori atë ndihmë. E kemi ende të gjallë para syve një mospranim të tillë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia kundrejt dorës së shtrirë të Shtrausit e Gensherit, ndërsa shqiptarët ftoheshin “të hanin bar” për të ruajtur ideologjinë kriminale të tyre.
Por ky pranim eventual i ndihmës nuk mund të kushtëzojë në asnjë mënyrë zgjedhjet, traditat, konceptet, historinë, synimet e projektet tona, që nuk mund të jenë të tjera, veç përkatësisë në Bashkësinë e kontinentit në të cilin bëjmë pjesë, në historinë e qytetërimin e tij.
Në traditën shqiptare miku është vënë gjithmonë në krye të sofrës apo të oxhakut, por nuk është bërë kurrë zot shtëpije. Komunizmi u mundua t’a tjetërsojë atë duke bërë zot shtëpije Titon, Stalinin, Mao Ce Dunin. Drejtuesit e shqiptarëve pas komunistë, edhe në ushtrimin e retorikës më të zjarrtë në marredhëniet me të tjerët, duhet t’a mbajnë para sysh atë parim të urtë të të parëve tanë.
Tetor 2013
- « Previous Page
- 1
- …
- 943
- 944
- 945
- 946
- 947
- …
- 980
- Next Page »