Nga Eugjen MERLIKA/
“Ne vetë, kur marrim vendime, shqyrtojmë me kujdes ngjarjet : jemi të bindur se nuk janë rrahjet e mendimeve që dëmtojnë veprimet, por mos grumbullimi i njohurive të nevojshme, nëpërmjet diskutimit, para se të kalohet në veprim.”
Perikliu : Bisedë me Athinasit në vitin 430 para Krishtit.
Java e shkuar qe ndër më të trazuarat e kohëve të fundit për Shqipërinë. Ajo u mbyll me një lajm që bëri punën e një bari qetësues mbi plagën e hapur : “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”. Këto ishin fjalët që mbyllën daljen e Kryeministrit Edi Rama në televizion, para bashkatdhetarëve të tij, e që qetësuan qindra mijra prej tyre që, prej disa ditësh shprehnin kundërshtinë e vendosur ndaj mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin e Vëndit të tyre. Lajmi kishte filtruar nga një deklaratë e Ministrit të Jashtëm, Bushati, në Paris.
Përhapja e tij krijoi natyrshëm një gjëndje shqetësimi që përshkoi gjithë shoqërinë shqiptare, që nga institucionet më të larta shtetërore e deri tek qytetarët e thjeshtë. Kundërveprimi qe i menjëhershëm, i prirë nga elementë të shoqërië civile, të jetës intelektuale, të botës studentore e të Opozitës kuvendore. Dalja e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit me parullat “Jo armëve kimike” dhe mijra mesazhet në rrjetin elektronik, shprehnin një ankth që buronte nga frika e një dukurie tmerrndjellëse, ndotjes së ajrit me helme kimike, që do të kishte pasoja shkatërruese në jetën e shqiptarëve për sot e për t’ardhmen. Në këtë drejtim ata tubime shënuan një hap para në zhvillimin e koncepteve shtet – shoqëri, treguan ndërgjegjësimin e kësaj të fundit në mbrojtjen e interesave madhore të saj, në rastet kur i pari nuk është në lartësinë e detyrës, në pohimin e një të vërtete të madhe, se në një Vend demokratik, duhet të marrë pjesë populli drejt për së drejti, në vendime që i përkasin jetës e shëndetit të tij. Ky ishte morali dhe mesazhi i atyre ditëve.
Por ka diçka në historinë e tyre që le shteg për t’u thelluar n’arsyetimin, mbasi lind një mëdyshje, që na ve para pikpyetjesh, të cilave duhet të mundohemi t’u gjejmë përgjigjet me urtësi e gjakftohtësi sot e për t’ardhmen : A ishte real kërcënimi që ushqente shqetësimin, deri në dëshpërim, të qytetarëve shqiptarë ? Cili ishte motivi që përcaktonte propozimin amerikan, për të shkatërruar në Shqipëri armët kimike të Sirisë, ideja se Vendi ynë është “kazan plehrash” i Evropës, siç u shkruajt e u tha nga shumë anë n’ato ditë, apo një “partneritet ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë”, siç u shpreh ish ambasadori Arvizu në televizion ? Çfarë dobie do të kishte Shqipëria në këtë operacion të një rëndësie të veçantë ? Cili qe roli i politikës, në tërësi, dhe i Opozitës, në veçanti, në këtë kuadër ngjarjesh ? A përputhet ai me parimet bazë të një demokracie të arrirë në përballimin e problematikave të tilla ?
Mungesa e informacionit të plotë e të tejdukshëm, lidhur me problemin, e vështirëson mjaft përgjigjen e këtyre pyetjeve, por do të mundohem të gjej “fillin e Arianës”, për të dalë nga ky labirint, duke u bazuar në ata elementë që na japin fjala e Kryeministrit më 15 nëndor dhe intervista e z. Arvizu më 14 nëndor. Thelbi i gjithë problemit, kyçi i tij, përmblidhet në përgjigjen e pyetjes së parë, që mund të coptohet në mjaft të tilla e që, së mbrami, përfundon në pohimin e një koncepti themelor : siguria e mbrojtjes së mjedisit nga ndotja kimike e, për pasojë, e shëndetit të banorëve të tokës shqiptare sot e në t’ardhmen. Kryeministri, në fjalën e tij, bën një pohim tejet të rëndësishëm, edhe se pak të vonuar :
“Ky ishte njëri nga mesazhet që u lexova partnerëve tanë gjatë diskutimeve dhe në fund, të gjithë ranë dakord se Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit-po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Prrenjas, Burrel e me rradhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor….. “
“Shtetet e Bashkuara e shohin Shqipërinë si një aleat shumë besnik ; e në fund të fundit s’po kërkojnë asgjë nga Shqipëria përveç një pike mbështetjeje në tokë – një bazë ushtarake tërësisht të izoluar në dispozicion të tyre, ku lëndët vijnë, asgjësohen dhe ikin për t’u djegur e varrosur gjetkë. Jashtë Shqipërisë.”
Nëse kjo është e vërteta e mirëfilltë, paragjykimi e shqetësimi skajor për rrezikun e proçesit, zvogëlohet shumë, madje zhduket fare. Pra motivi i kundërshtimeve kthehet në një faktor tjetër : besueshmëria. A duhet t’i besojmë sigurisë që na japin SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë,në lidhje me mjedisin tonë e mbrojtjen e tij ? Lënda është tepër teknike e opinionet mbi të nga njerëz profanë, që mund të bëjnë levë vetëm mbi panikun që mund të shkaktojë edhe vetëm mendimi i shlirimit të gazit sarin apo të tjerë produkte helmuese në mjedisin tonë, nuk janë të besueshme. Kryeministri, në fjalën e tij, është i qartë dhe vendimi përfundimtar i tij i kuptueshëm, edhe se jo plotësisht i justifikueshëm, më shumë rrjedhojë e emocioneve të çastit se sa e logjikës së ftohtë. Nëse ai ishte i bindur në sigurinë që merrte nga autoritetet amerikane, në nivelet më të larta, nëse shihte n’atë propozim një dobi për Vendin e tij, duhet të kishte qenë më këmbëngulës në sqarimin e situatës, edhe se mbeti mjaft i veçuar në qëndrimin e tij. Jo rrallë vendimet e rëndësishme, sidomos të kësaj fushe, nuk merren me miratime të shumicave dërmuese por, nëse janë dobiprurëse, marrin vlera historike.
Në kuadrin e këtij vendimi ka vend për të folur edhe për rolin e politikës, në përgjithësi, e të Opozitës, në veçanti. Në situata të këtilla, kur Vendi përballohet me një kërkesë lidhur me një gjëndje të ndërlikuar ndërkombëtare, për më tepër kur kjo kërkesë vjen nga “aleati strategjik” më i fuqishëm, por është mjaft e diskutueshme për brishtësinë e saj në opinionin publik, përgjigja e politikës, Shumicë e Opozitë, duhet të jetë e njëzëshme. Nuk u tregua pjekuri politike nga Opozita, në qëndrimin e saj, as në sytë e shqiptarëve, aq më tepër në ata të aleatëve e të botës së huaj. Ambasadori amerikan foli shkoqur për bisedën që kishte zhvilluar me Kryetarin e PD-së, prandaj prania e e tij në mes të tubuesve, i shërbente jo imazhit të Shqipërisë, as perspektivës së saj, por vetëm lojrave të ngushta politike të interesave të pushtetit. Nuk është e justifikuar kërkesa e ish Kryeministrit për dorëheqjen e Z. Rama, vetëm sepse ai kishte marrë në shqyrtim një propozim të aleatit kryesor. Ishte detyrë e Kryeministrit të ndante me udhëheqësit e Opozitës trajtimin e problemit dhe vendimin përkatës. Nuk e di nëse e ka bërë por, në një demokraci të vërtetë, kjo duhet të jetë etika e jetës politike, jo instrumentalizim vënd e pa vënd i problemeve, e paraqitje e tyre në mënyrë të shtrembër, vetëm në funksion të fitimit të votave.
Politika e jashtëme e një Vendi është e bazuar mbi një trategji të përpunuar mbi parimet kryesore të pranuara, por dhe mbi interesat e tij afatgjata. Kjo strategji, në Vende serioze, bëhet urdhëruese për të gjithë segmentet e politikës, pavarësisht se kush drejton pushtetin. Çështjet me rëndësi të politikës së Shtetit tonë të vogël në fushën ndërkombëtare nuk duhet të bëhen objekte të luftës provinciale të partive për pushtet, por duhet të kenë një trajtim të përbashkët, në përputhje me interesat kombëtare. Diskutimet në Kuvend, që i ngjante më shumë “Këshillit të ndrikullave”, se sa institucionit madhor të vendimarrjes, dëshmuan krejt të kundërtën e parimeve të mësipërme, duke shtuar tymnajën që zotëronte mjedisin politik.
Problemet e ndotjes së ambientit nuk kanë shqetësuar kurrë qeveritarët tanë. Përndryshe nuk do të kishim “31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara”, që përkojnë me të gjitha zonat industriale të regjimit komunist dhe qytete të reja të pajetueshme, ku është ndërtuar pa mbajtur parasysh asnjë kriter të detyrueshëm të raporteve njerëz – hapësira. Në atë drejtim, në këta 23 vjet, nuk është bërë asgjë, me përjashtim të vendimit të Qeverisë aktuale për të bërë të pavlefshëm një tjetër vendim absurd për importimin e plehrave nga Italia. Shpresojmë që vala e kundërshtimeve ndaj armëve kimike të shtrihet edhe në këta fronte të përherëshme të mbrojtjes së mjedisit.
Ngjarjet e këtyre ditëve kanë bërë të flitet për fitues e humbës. Secili, simbas këndvështrimit, i ka përcaktuar ata, përkatësisht në shoqërinë civile e në institucionet. Nëse premtimet ,për mbarështimin e proçesit të shkatërrimit të armëve kimike, janë të vërteta, pra nëse ai do të bëhej nën mbikqyrjen e ekspertëve më të mirë të botës (personalisht besoj se do të ishte kështu), nuk më duket se ka ndonjë fitues, sepse frikën tonë, që mund të jetë e ligjëshme, në kushtet e mungesës së informacionit dhe të besimit, do t’a paguajmë shtrenjtë. Jo vetëm me humbjen e besueshmërisë së aleatëve në nivel politik, pavarësisht deklaratave “qetësuese” të ndonjë zëdhënësi të huaj, me humbjen e rastit për t’u bërë pjesë në proçeset e rëndësishme të politikës botërore, por edhe me shkelmimin e mundësisë për të bonifikuar zonat e ndotjes kimike të mjediseve tona.
Nga ana tjetër, kemi fituar “qetësinë” që sjell shmangia e rrezikut, qoftë dhe hipotetik, e njëkohësisht, kënaqësinë që vjen nga ideja e “të qenit Zot në Vendin e vet”, së bashku me detyrimin e Shtetit, si rrallë herë në historinë tonë, për të mos marrë një vendim në kundërshtim me opinionin e shoqërisë civile. Madje ministri Tahiri sheh edhe një tjetër dobi se “me urdhër të Kryeministrit nuk do të ketë asnjë ndjekje penale për organizatorët e tubimevet”, a thua se është një gjë e zakonshme ndjekja e tyre. Ministri duket se nuk është i vetëdijshëm për funksionin që ka. Harron se në një demokraci normale, nuk mund të ketë ndjekje penale për manifestues paqësorë, cilido qoftë objekti i tubimit. Ngatërron dhe kompetencat e institucioneve kur i vesh Kryeministrit të drejtën të japë urdhëra në një fushë që është e Prokurorisë.
Në përfundim të bilancit të këtyre ditëve, nuk më duket se ka vend për entuziazëm. Nëse dikush sheh flamuj fitoreje, ajo më duket si fitorja e Pirros. Koha shpejt do të na thotë nëse sot ne e ndihmuam t’ardhmen tonë, apo e dëmtuam atë. Të tjerë, bëhet fjalë për Francën, Belgjikën apo Danimarkën, do të kryejnë në territoret e tyre shkatërrimin e armëve siriane. Ajo përvojë e të tjerëve do të na japë saktësisht përmasat e mënçurisë apo të mungesës së saj, në këtë ditë vendimi.
Nëndor 2013
Antiamerikanizmi ç’gafë e pafalshme Imzot!
Nga Gëzim Llojdia/
1.
Antiamerikanizmi i shfaqur ditët e fundit tregoi degradimin e një pakice të politikës shqiptare e cila futur në qorrsokakun e madh kërkonte dritësim në tunelin që bash kishte ndërtuar vet. Antiamerikanizmi që u perceptua nga kundërshtitë e mëdha (bashkimi i çuditshëm në shesh) ngjasonte në këto ditë vjeshte me kohët kur liderët e shtetit komunist në vitet ‘60 sulmonin Hrushovin, për braktisje të kampit socialist në fakt halli i madh i tyre ishte te qëndrimi i këtij të fundit për ndryshime në udhëheqje. Ndryshimi, që përfshiu vendin e vogël ballkanik në verën e vitit 2013 nuk mund të mos krijonte pasoja dhe ata liderët e vjetruar që ikjen e tyre nuk do të perceptonin dot aq më keq kur ikja e tyre u kërkua nga shteti më demokratik i botës.
2.
Çdo komb do ta kishte ëndërruar si fat qëndrimin në krahë të një popull të madh. Po të analizojmë qëndrimin amerikan karshi kombit tonë në jetë të jetëve ne dhe fëmijët tanë dhe pasardhësit tanë u detyrohen SHBA,për qëndrimin që ajo ka mbajtur. Në mënyre konsekuente qëndrimi i saj ka qenë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë perëndimore të kombit tonë. Po ta shqyrtosh këtë fakt do të zbulosh pikërisht qëndrim të SHBA, karshi kombit shqiptar. Kam gjetur disa numra të gazetës “Flamuri”një gazetë periodike e emigracionit shqiptar ,botohej në shtetin fqinj Itali e cila hedh dritë dhe zbulon mjaftë prej atyre rrengave që drejtuesit e shtetit komunist u krijonin anglo-amerikanëve ,e habitshme ishte një koalicion i përbashkët anti-fashistë në luftën e dytë botërore.
Çështja që përvijohet qartazi dhe hollësisht e mundshme për tu zbërthyer aleatët e luftës dhe pas qëndrimi me ta. Shkruan gazeta Flamuri:” Gjemia lëkundet dhe nga vjen era fillon lëvizjen. Më 3 nëntor 1943 gjejmë aty se KQ i PKSH u ka shpërndarë një qarkore,kuptohet të fshehtë. Fjalitë ku duhej përqendruar : duhet ti kem sytë të kthyer nga Moska, edhe ta shikojmë çdo gjë, në prizmin e luftës që po bënë Bashkimi Sovjetik. Duhet të krijojmë në popull dashuri dhe respekt për Bashkimin sovjetik,Ushtrinë e kuqe dhe Stalinin..Ka qarkulluar një qarkore gati e fshehtë që është firmosur prej” Shpatit” më të dhëna 9 shtator 1943 ku rreshtohen disa radhë kundër qeverisë angleze dhe reaksionit imperialist, që në rast të një zbarkimi do ti ndihmonte çetat e Ballit Kombëtar i cili njihej për tendencën antikomuniste dhe antifashiste. Të mëvonshme ngjarjet janë një konsekuencë rrjedhojë e logjikës,shkruan gazeta “Flamuri”.
Më tej gazetë ne fjalë vijon raportimin e saj:Një erë e ndezur që do të godiste anglo-amerikanët filluan me fjalimet e drejtuesve të shtetit të atij regjimi. Çfarë ngjau? Ardhja në fuqi e laburistëve në Angli sikur ngrohu shpresat që u shuan po kaq me shpejtësi. Germë për germë shkruhet kështu tek gazeta në vitet ’50 të shekullit të shkuar. “Kështu me mjeshtrin djallëzore dëbuan Nuncin Apostolik të Papës Mgr Nigris.Nga fundi i marsit të vitit 45 shtrënguan konsullin turk të fshihet në misionin Englez dhe të largohet fshehtas nga Shqipëria,mbasi e atakuan deri më gurë brenda në konsullatë. Filluan ti qesin pengime zyrtarëve të UNRRA,të cilët i shikofshin si agjentë të demokracive perëndimore. Disa nga ata si Mrs Pennington shqiptarofile e njoftuan,i dëbuan me forcë nga Shqipëria. Në fund përgatitën sulmet kundër misioneve ushtarake anglo-amerikane .Këto misione të mbikëqyrura vazhdimisht nga policia e Koci Xoxes nuk kishin liri udhëtimi nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë dhe njerëzit që bijnshin në kontakte me ta shënoheshin nga agjentë të veçantë për tu përgatitur një ditë burgimin e tyre. Misionet aleate e humbën një ditë lirin me kërkue vorrezet e ushtarëve dhe oficerëve aleat të vramë gjatë luftës në tokën shqiptare…
Shkrimtari disident Petro Marko shkruan tek botimi i tij voluminoz për këtë situatë:Furnizimet filluan te vinin. Midis tyre ishte edhe letra rotative për gazetën. Te gjitha duhej te jepeshin falas -ushqime, veshmbathje, po qeveria nisi t’i shiste dhe ata të UNRRA-s vinin tek unë dhe kundërshtonin. Unë thosha se te gjitha ishin dhënë sipas rregullave të përcaktuara nga UNRRA. Njeri me tha: Pame ne Sarande dy vaporë sovjetike qe ngarkoheshin me grurin qe UNRRA sjelle për ju”! Njeri prej tyre, një burrë i thyer në moshë e, fisnik dhe i thate si anglezet, u martua me një shume te bukur shqiptare, te cilën e mori me vete në Londër. Më vonë, kur erdhën te gjitha furnizimet, gjysmat e ve me siguri shkuan tek Titoja, dhe delegatet e – UNRRA s u larguan, filloi fushata e arrestimeve për të gjithë ata që kishin lidhje me oficerët e UNRRA…
Me gjithë këto presione,sharje gjithfarë gjërash, që ju provokua ,SHBA në vitin ‘91 u rikthye e vendosur për të kthyer këtë vend midis vendeve të tjera me fytyrë perëndimore.
3.
Ç’praj asaj kohe ndihma dhe kontributi i SHBA për kombin tonë ka mbetur jetik. Bombat e NATO në Kosovë, dhe çlirimi i saj nga pushtuesi serb,futja në NATO,përkrahja për në BE. Shume vizitat e shtetarë shqiptarë të pritur në shtypin e Bardhë,ardhja e Bushit dhe gjithë sekretarëve të shtetit amerikan tregon se Shqipëria ka pasur dorën e ngrohtë të këtij shteti në të gjitha hapat e tij drejt demokracisë dhe qytetërimeve perëndimor. Mirëpo shfaqja e antiamerikanizmit nxori edhe një herë në shesh primitivizmat të cilët nuk njohin gjuhë tjetër veç asaj të tribadizmit ballkanik.
Pra ky lloj antiamerikanizmi u shfaqur tek disa çfarë ishte Imzot,ç’gafë të pafalshme bëre Imzot!
Rrjedhja e informacionit çoj në dështimin e projektit të armëve kimike në Shqipëri
Shkruan: Arben LLALLA/
Të gjithë folën gjatë për ardhjen e asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, folën analistë të pjekur dhe të papjekur, të gjithëve ju dëgjua zëri i kundërshtimit nga adoleshentët e deri tek politikanët e pensionuar dhe të dështuar. Por askush deri ditën e premte para se të thoshte JO-n kryeministri ynë nuk e mori guximin të sqaronte përfitimet e këtij projekti.
Shqiptarët si një popull i vrullshëm që kanë të zhvilluar më shumë ndjenjën e kundërshtimit se sa atë të kompromisit reaguan nëpër rrugë dhe media për projektin për asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri pa bërë llogarinë e përfitimeve afatgjate politike dhe ekonomike si komb. Por përse gjithë ai kundërshtim i rrufeshëm nëpër rrugë dhe media? Kush qëndronin pas kësaj nxitje? Përse vendet fqinje me Shqipërinë nuk reaguan drejtpërdrejtë, por ishin fshehur pas protestuesve dhe disa medieve?
Sinjalin e parë për kundërshtimin e projektin të SHBA për asgjësimin e armëve kimike e dha Rusia nëpërmjet zëvendësministrit të jashtëm të saj Gennady Gatilov më 31 Tetor, i cili deklarojë se Rusia do jepte rreth 2 milion dollarë ndihmë financiare ose teknike Shqipërisë. Kjo deklaratë e rusëve u kuptuar si poshtërim ndaj shqiptarëve të cilët janë populli më pro-amerikan në botë. Më tej mediat shqiptare që financohen në përgjithësi nga agjenturat e ndryshme në bashkëpunim me disa analistë të dalë mode filluar nxitjen e turmave kundër armëve kimike. Nga ana tjetër politikanët shqiptar të pozitës dhe opozitës që kishin dijeni për këtë projekt duke bërë gabim llogaritë e tyre nxituan për ta kundërshtuar hapët idenë dhe projektin e SHBA me shpresën se kështu do të dëmtonin personalisht Edi Ramën.
Si pasoj kryeministri Rama u gjend papritur përballë një presioni të turmave që më shumë ishin adoleshentë që s’kanë të drejtë vote se sa njerëzve me logjikë të shëndoshë. Në nxitjen e adoleshentëve të shkollave fillore dhe të mesme mund të kenë gisht edhe ato pedagog që vijnë nga opozita të cilëve u interesonte një dalje në rrugë të nxënësve. Gabimi i parë për realizimin e projektit për asgjësimin e armëve kimike në Shqipërisë qëndron tek z.Rama i cli në fillim nuk krijojë ambientin proasgjesimit të armëve me anë të medieve dhe reklamave se sa dëmtohet Shqipëria edhe sa përfitojmë si popull nga ana ekonomike ashtu edhe politike afatgjatë. Për ta bërë këtë gjë z.Rama kishte në dispozicion rreth 10 ditë që nga 31 Tetori, kur Rusia deklarojë se do ti jepte 2 milion dollarët. Gabimi i dytë i kryeministrit ishte se ai nxitoj të thoshte JO-n e armëve kimike, duke anashkaluar votën në Kuvendin e Shqipërisë dhe Referendumit, gjë që do ti jepte shansin të përfitonte kohë për uljen e tensioneve të turmave kundërshtuese.
Nuk e di në të ardhmen se si do të reagojmë si komb nëse SHBA propozon të dhurojë ndonjë bombë atomike Shqipërisë si vend me strategji të veçantë? Por nëse kemi këto mend në kokë dhe këta politikan që nuk shohin përtej hundës së tyre diktatoriale, besoj se përsëri do reagojmë si një popull euforik dhe i vrullshëm që mund ti biem murin me kokë atëherë kur nuk e pret, sepse kot nuk thonë grekët: QEFALE ARVANITI.
Shpresojmë që kryeministri mori një mësim të mirë nga ata që ai u kishte besuar në minutat e para këtë projekt dhe që pati rrjedhje informacioni të parakohshme, ndërsa populli ynë shqiptar tregoj edhe njëherë se nuk di të gjendet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
A ËSHTË KY BREZI I NDRYSHIMEVE?
Nga Frank Shkreli/
Në një prej shkrimeve të mia nja një javë më parë duke shprehur mendimin tim ndaj planeve ndërkombëtare për të shkatërruar armët kimike të Sirisë në Shqipëri, u shpreha se është për tu admiruar fakti se grupe të rinisë, organizatash civile dhe jo qeveritare kishin filluar të protestonin kundër këtij propozimi, dhe njëkohësisht kërkuan diskutim të hapur dhe transparencë te plotë në lidhje me kapacitetet që ka Shqipëria për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, si dhe për një debat të hapur mbi pasojat e rënda që mund të rrjedhnin nga një operacion i tillë. Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama, pas një heshtjeje të gjatë dhe hesitimesh — nën presionin e protestave të mbrendshme nga dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të grupeve të ndryshme të shoqërisë civile, kryesisht të rinjë e të reja universitarë, i tha më në fund Jo propozimit të ndërkombëtarëve, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin shqiptar. Analistë, komentues dhe politikanë të të gjitha ngjyrave po shkruajnë dhe komentojnë se kush “fitoi” dhe kush “humbi” nga ngjarjet e javës së kaluar. Është e qartë se duke gjykuar për nga mënyra se si u morën me këtë çështje autoritetet shqiptare, ”humbëse” ishte kryesisht politika shqiptare, si pozita ashtu edhe opozita, por dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, pasi nuk kishte asnjë koordinim midis tyre për miratimin e një qendrimi të përbashkët, pro ose kundër — për një çështje kaq të rëndësishme — siç ishte tranferimi i armëve kimike siriane për tu shkatërruar në Shqipëri. Por, aty ku dështoi politika shqiptare, fatbardhësisht, besoj se doli fituese Shqipëria dhe shqiptarët. Doli fituese e ardhmja e Shqipërisë dhe veçanërisht shoqëria civile shqiptare, e cila deri me ketë rast ndoshta ekzistonte vetëm në emër. Në mungesë të një bashkrendimi politik zyrtar dhe në një boshllëk të plotë transparence nga zyrtarët shqiptarë, organizimi i protestave dhe i demonstratave paqësore kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, ishte roli më i mirë që mund të luanin këto organizata civile në këtë rast. Ndonëse si të tilla, javën që kaloi, ato ndoshta fillimisht pa ditur, ushtruan një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin dhe përforcimin e mëtejshëm të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.
Gjithashtu, ditët e fundit është folur e përfolur aq shumë edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në këtë mes dhe për ndikimin që vendimi i Kryeministrit shqiptar Z. Edi Rama, për të mos lejuar dërgimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, mund të ketë në marrëdhënjet shqiptaro-amerikane, tani dhe në të ardhmen. Duhet theksuar se Departmenti Amerikan i Shtetit, nepërmjet zëdhënses së tij, u prononcua të premtën se JO-ja e Kryeministrit Rama nuk do të ketë asnjë ndikim në marrëdhënjet e shkëlqyeshme midis dy vendeve. Nuk mund të ishte ndryshe! Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kishin se si të jenë as të zhgënjyera nga vendimi i vonuar kundër që mori Kryeministri Rama nën presionin e protestave paqësore dhe spontane të mijëra shqiptarëve kundër transportimit dhe shkatërrimit të armëve kimike siriane në tokën shqiptare. Sepse dihet botërisht se Amerika është ”nëna” e të gjitha demonstratave dhe protestave civile për kauza të llojlojshme, të mbrendshme dhe të jashtëme. Për më tepër, janë Shtetet e Bashkuara ato që me dekada tani kanë financuar me fondet e taksa-paguesve amerikanë shoqëri civile anë e mbanë botës, e sidomos kanë mbështetur krijimin e organizatave jo-qeveritare në vendet ish-komuniste gjatë 20-vjetëve të fundit, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, me besimin se në asnjë vend, e sidomos në vendet e pas diktaturës komuniste, nuk mund të ketë demokraci vërtetë funksionale, pa një shoqëri civile efektive. Si të tilla, bëhet fjalë për organizata vërtetë të shoqërisë civile, që veprojnë një demokraci funksionale, ku ato respektojnë ligjin dhe të drejtat e të tjerëve, tolerantë ndaj pikpamjeve të kundërta dhe të cilat punojnë në mbrojtje të interesave të përbashkëta të shoqërisë civile dhe të shtetit. Si të tilla, dhe për nga natyra, ato duhet pa tjetër të jenë të pavarura nga politika dhe nga qeveria. Ka ndodhur që në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, grupe që e kanë quajtur veten të shoqërisë civile kanë vepruar për llogari të njërës ose tjetrës palë politike. Grupe të tilla nuk mund të konsiderohen organizata të shoqërisë civile, të pakën në kuptimin e fjalës siç kuptohet këtu në Amerikë, por vegla të partive. Roli kryesor i organizatave të vërteta të shoqërisë civile, është që nepërmjet veprimtarisë së tyre, të kufizojnë dhe të kontrollojnë pushtetin qeveritar, të udhëheqsve dhe të zyrtarëve politikë, dhe njëkohësisht të kërkojnë informacion dhe transparencë nga organet qeveritare për çështje madhore të interesit publik, ashtuqë këto ente jo-qeveritare të jenë të afta të kryejnë misionin e tyre të caktuar, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, dhe njëkohësisht për të inkurajuar dhe për të lehtësuar debatin publik mbi çështjet jetike të vendit duke shprehur mendimin e tyre lirisht dhe pa frikë ndëshkimi. Gjatë karjerës time kam marrë pjesë në disa trajnime të anëtarve të shoqërive civile nga Europa lindore dhe më kujtohet se ekspertët flisnin për organizatat e shoqërisë civile edhe si ente për trajnimin e udhëheqësve të ardhëshëm politikë, pasi ata si anëtarë të shoqërive civile nën rrethana normale veprimtarie dhe të pavarur nga influencat politike, merren me zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme në interes të publikut, në një atmosferë tolerance e mirëkuptimi, ndryshe nga politikanët e karjerës.
Protestat paqësore të grupeve jo-qeveritare të shoqërisë civile dhe të rinisë që u zhvilluan javën e kaluar anë e mbanë Shqipërisë, e që filluan si rrjedhim i mungesës së informacionit zyrtar, ndihmuan në informimin e publikut shqiptar dhe botëror mbi një çështje tepër me rëndësi për shoqërinë shqiptare, por edhe për botën, dmth., të transportimit dhe të shkatërrimit të mundshëm të armëve kimike siriane në territorin shqiptar. Ky brez i ri i shqiptarëve, kryesisht të lindur pas rënjes së komunizmit pak më shumë se 20-vjetë më parë, me protestat e javës që kaloi, tregoi se është i gatëshëm të luaj rolin e tij efektiv dhe legjitim si një katalist udhëheqës për ndryshim, ndoshta epokal, si dhe për zhvillimin e marrëdhënjeve më të mira midis shtetit dhe qytetarëve, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë.
Protestat paqësore të organizatave jo-qeveritare të javës së kaluar anë e mbanë Shqipërisë, ka mundësi nëqoftse me të vërtetë mbeten të pavarura nga politika, të kenë shënuar një këthesë historike për vendin, që do të mbahet mend si mbarimi i diçkaje të vjetër dhe fillimi i diçkaje të re. Ishte ky një triumf i papritur por i mirëseardhur. Siç ka thënë edhe ish-Presidenti amerikan Xhon Kenedi, “Në historinë e gjatë të botës, vetëm disa gjeneratave u është dhënë mundësia të luajnë rolin e tyre në mbrojtje të lirisë, në momentin e kanosjes së rrezikut më të madh ndaj saj.” A është ky brezi i ri i shqiptarëve ai që do të luaj këtë rol historik për kombin e vet?
Ky brez i ri shqiptarësh, përsëri sipas fjalëve të arta të Xhon Kenedi, me protestat e organizuara javën e kaluar, tregoi se kur e lypi nevoja, ata nuk kërkuan se çfarë mund të bëjë vendi i tyre për ta, por çfarë mund të bëjnë ata për Atdheun e vet dhe për të ardhmen e kombit shqiptar, në një moment kur vendi kishte nevojën e intervenimit të këtij brezi për mbrojtjen e interesave të përbashkëta. Le të shpresojmë se kësaj gjenerate të re shqiptare, siç ka thënë Xhon Kenedi, i është dorëzuar stafeta e lirisë dhe e demokracisë së vërtetë — këtij brezi të rinjsh dhe të rejash shqiptare, të lindur pas rënjës së komunizmit, krenarë të prejardhjes së tyre ilire, të gatshëm për të mbrojtur interesat e Atdheut dhe të kombit, mbështetës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për veten dhe për bashkombasit e vet — të drejta këto që historikisht u janë mohuar të parëve të tyre ndër shekuj. Qartë, ndihet nevoja e një përtërirjeje rrënjësore, pas shumë zhgënjimesh dhe mjerimesh. Ndihet nevoja edhe për një xhveshje njëherë e mirë nga tradita dhe kultura politike e një ideologjie të huaj e cila ka lënë aq shumë plagë në trup të kombit gjatë 50-viteve të fundit. A është këjo kryengritja e të rinjve ndaj kësaj kulture politike? A është ky brezi i ri i lindur pas rrëximit të komunizmit, ai i cili do të shpërvjelë mëngët dhe i cili do të ndërtojë shtetin e ri modern, duke i dëshmuar botës dinjitetin e pashoqtë kombëtar të shqiptarëve?
GABOVE, ZOTI RAMA,… PROVOKOVE DASHURINE SHQIPTARO-AMERIKANE!
Provokove shqiptarët, provokove ndërkombëtarët, provokove fisnikërinë shqiptare e dashurinë shqiptaro-amerikane. Na provokove të Gjithëve. Provokove edhe Vetëveten. Gabove, zoti Rama!/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Gabove, zoti Rama edhe para dy orëve teksa në FB e Twiter fjalathue: “Sot në 17.00 do të mbaj publikisht qëndrimin tim mbi çështjen e armëve kimike”(!), sepse na le me pritë shumë gjatë e po i bie tepër shkurt. Mijëra shqiptarë në të gjitha qarqet e Shqipërisë, në kryeqytetet e Prishtinës e të Shkupit, prej ditësh rrijnë në protesta me ideale e sakrifica dhe nuk ua thue dy fjalë të përbotshme: Faleminderit! Më falni! Faleminderit që u batë pjesë e një vendimmarrjeje kombëtare, politike, qytetare! Më falni, se unë jam “pro” demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri! Apo ndryshe: Na falni për shqetësimin e këtyre ditëve! Ju zoti kryeministër, pse keni 85 vota mazhoritare në Parlament, nuk duhej t’i linit protestuesit rreth 85 orë rrugëve e shesheve të Shqipërisë për pa iu përgjigj atyre me përgjegjësi shtetare për një javë rrjesht. Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama, pasi stërgjatje të tilla kohore politike, sipas një klasiku britanik, janë “shkolla pabesie”. Kie mbetë në udhëkryq. Me ba hap para për miratimin qeveritar të ardhjes së plehrave kimike tregohesh i pabesë me popullin tand. Me ba hap mbrapa për mos miratimin e ardhjes së tyre tregohesh i pabesë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Nuk është faji i popullit tonë dhe as i miqëve tanë ndërkombëtarë. Kryekëput është faji yt. I bane disi kundra të dy palët: edhe popullin shqiptar, edhe miqtë euro-atlantik. Basketbollove për kosh në të dy anët mbi gropen e armëve kimike, po re vet mbrenda. Ju nuk mund ta futni Shqipërinë si “sanduiç” në mes Europës e Amerikës, pasi nuk ka asnjë ndarje të tillë në integrimet shqiptare drejt NATO-s e Bashkimit Europian. As ju, zoti Rama, nuk mund të rriteni si lis politik mbi ato plehra kimike siriane. Ka ndodh ndonjëherë ndër vite në ndonjë shkrim me të ra në qafë si tepër, çka iu kërkoj të falur, po ju kësaj rradhe na keni ra në qafë të gjithëve. Na vjen keq trefish: për popullin tonë, për miqtë tanë ndërkombëtarë, për kryeministrin e vendit tonë. Na vjen keq se u bane politikan “Gërdec”! Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama, sepse provokove popullin shqiptar në Shqipërinë Londineze e në krejt Shqipërinë Natyrale, mbi të gjitha provokove popullin ma pro-amerikan në botën e sotme. Provokove trashëgiminë e thesartë e të pacënueshme Uashingtoniane e Linkolniane, Uillsioniane e Ruzveltiane, të dy Bushëve e dy Klintonëve, të Obamës, që me fjalët e veprat e tyre e mbrojtën e lartësuan Shqipërinë, Kosovën euro-atlantike, Çështjen Shqiptare në Ballkan. Provokove duke fol me kode politike, duke ba rebuse politike, duke hy në labirinthe politike. Ju nuk mund të na pultoni e as të na cënoni astenji fije si anglo-sakson, nga përkushtimi ynë shpirtëror pro-amerikan. U fute në këtë çështje me dëshirë e do të dalësh me pahir! Tashti kie me mendue si me i monopolue e interpertue këto protesta qytetare shqiptare, ose me ua lanë fajin etërve bio-politikë, ose meritën bijëve bio-politikë, ose me ia lanë fajin opozitës së djathtë, ose…me e ba fajtor të rradhës ambasadorin Arvizu….? Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama. Çelsi i kodit tand (jo)politik ka dy fjalë: “qëndrimin tim”. Ju nuk jeni fuqi mbinatyrore e kësaj Shqipërie të mirë. Ju jeni në detyrën e kryeministërit si jetëdhënës i obligimeve e projekteve qeveritare në të drejtë e në të mirë të shqiptarëve dhe astenjë grimë si jetëmarrës i tyre me plehrat kimike siriane. Po ju, kryeministri ynë, mund të sakrifikoni jetë shqiptare, miqësinë shqiptaro-amerikane për karrierën tande politike që thue se do me lanë gjurmë në historinë shqiptare. Doni të baheni i madh, po jeni duke mbet i vogël si në rastin famëkeq: “plehrat kimike siriane”. Ndërmorët një nismë vetjake, me vullnetin tand të lirë, para disa javësh duke vetkërkue ardhjen e këtyre plehrave kimike në Shqipëri, sepse duke e krye këtë akt mendoni se Amerika do të japin liçensën: Baj çka të duash në Shqipërinë Londineze…!!! Po, ju zoti kryeministër i vendit tim, nuk merrni për shembull Presidentin Obama, i cili me të drejtën kushtetuese amerikane mund të dekretonte luftën me Sirinë, po ia kaloi këtë të drejtë Kongresit e Senatit Amerikan, arriti deri tek çarmatosja politike, ushtarake e kimike të Sirisë! Kjo nuk ndodh tek ju, kryeministri ynë, pasi veproni duke menduar e gabuar se mund të merreni qëndrime vetjake edhe për një akt kaq madhor ndërkombëtar, edhe për jetët e njerëzve të thjeshtë.
Gabove, zoti Rama! E di pse? Në Twiter ju bani një njoftim deklarativ me 14 fjalë, po aty keni keqshkruar gjuhën Shqipe. Aty mungojnë pesë shkronjë “ë” dhe një “ç” (!) E përmenda këtë fakt se vet kryeministri Rama fjalaflet në Shqipëri e jashtë saj se po sakatosej Shqipja nga mazhoranca e tetë viteve të maparshme nga mosshkruarja e saj me këto germa. Nuk është puna se po duam ta “kapim” këtë gabim ma tepër se ortografik. Si në këtë rast ka veprue me (ndër)kombëtarët edhe për çështjen e plehrave kimike siriane. Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama. Këto sfida politike e ekologjike i përjetove dje, më 15 nëntor 2013, edhe në Podgoricë. Jo vetëm se shqiptarët etnikë i quajte “pakicë shqiptare”(!), po për faktin se ndërkohë që përballë kryeministrisë në Tiranë protestonin shqiptarët kundër plehërave kimike të Sirisë, të cilëve nuk iu ktheje përgjigje njerëzore e as zyrtare, ju përballë homologut tuaj malazez, kryeministrit kundërshqiptar, Milo Gjukanoviç, në konferencë shtypi, po flisni për projekte të pastrimit ekologjik të ujërave në pjesën e Malit të Zi të shkaktuara bërllok edhe nga prurje të Drinit, etj. Ju zoti Rama tashma jeni kryeministri ynë, kryeministri i Shqipërisë tonë dhe nuk mund të bani politikë (ndër)kombëtare sikur të lyenit fasada të pallateve treanëshe me shigjeta vetëm në anët që i shohin udhëtarët, ndaj duhet të mbështeteni ma shumë jo vetëm politikisht tek Meta i bashkëqeverisjes, të bashkëpunoni denjësisht në të tilla sipërmarrje me një anglo-sakson si Basha i opozitës, të besoni ma shpirtërisht e me besë me popullin tuaj, të mos luani basketboll politik me ndërkombëtarët. Të mendosh se ti je Shqipëria është tepër herët, edhe pse na drejtohesh në mënyrë disi brutale e antikushtetuese “qëndrimin tim”. Po se kush është në të vërtetë politikani Edi Rama, do ta mësojmë sot në orën 17.00 të pragmbramjes. Provokove shqiptarët, provokove ndërkombëtarët, provokove fisnikërinë shqiptare e dashurinë shqiptaro-amerikane. Na provokove të Gjithëve. Provokove edhe Vetëveten. Gabove, zoti Rama!
(Foto :Kortezi Ora News TV)
- « Previous Page
- 1
- …
- 945
- 946
- 947
- 948
- 949
- …
- 988
- Next Page »