• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontrollimi i pakënaqësisë popullore

November 13, 2013 by dgreca

Shkruan: Habib Morina/

Një gjendje e keqe mund të ndryshohet vetëm nga pakënaqësia. Njeriu i pakënaqur dhe populli i pakënaqur e kanë të garantuar ndryshimin. Popujt edhe janë çliruar kur pakënaqësia e tyre është rritur, sepse përkundër aktit të pushtimit ku forca luan rolin kryesor, tek mbajtja nën pushtim, shkalla e pakënaqësisë popullore është pothuaj përcaktuese në zgjatjen apo ndërprerjen e pushtimit, prandaj kontrollimi i saj është i një rëndësie të veqant. Edhe tek pushteti i zgjedhur apo i imponuar ku pushtetaret i takojnë të njëjtit popull, mbajtja nën kontroll e pakënaqësisë popullore është e rëndësishme, sidomos kur pushtetarët kane interesa qe jane ne shperputhje me interesin e popullit.

Mbajtja nën kontroll e pakënaqësisë popullore për një kohë të gjatë ka qenë detyrë e fesë, detyrë të cilën feja e ka kryer me sukses, e për këtë pushteti i ka krijuar gjithmonë lehtësira, ndërsa sot me ndryshimin e rregullimit shtetror, këtë rol e luan opozita, por edhe mediat e kontrolluara të cilave gjithashtu u krijohen lehtësira. Megjithatë përkudër fesë, e cila ishte si një grua e mirë e në të cilën pushteti me të drejt ishte dashuruar, opozita synon pushtetin e ky është interes që nuk mund të harmonizohet, por që nuk pengon harmonizimin e interesave të tjere. Pushteti mund t’i krijoj opozitës qasje në përfitimet e paligjshme sepse kështu është më rehat meqë e siguron edhe pasurinë e vetë gjithashtu të fituar paligjshëm. Mund të toleroj shkeljet ligjore të opozitarëve, edhe kjo me interes të dyanshëm, dhe kur këto raporte krijohen, ato vetvetiu sjellin kontrollimin e pakënaqësisë popullore nga ana e opozitës, e cila meqë ka hise në keqpërdorime nuk mund të luftoj keqpërdorimet që bënë pushteti. Opozita në njëfarë mënyre ka monopolin e pakënaqësisë popullore sepse përfaqson të pakënaqurit me pushtetin aktual dhe mosveprimi i saj mundëson që keqpërdorimet të rrjedhin pa pengesa. Megjithatë një luftë sa për sy e faqe edhe bëhet sepse sikur të pakënaqurit të kishin bindjen që opozita nuk i përfaqëson atëherë nuk do të kishte kontrollim të pakënaqësisë së tyre.

Në Kosovë, fillimisht ishte bashkësia ndërkombëtare që kontrollimin e pakënaqësisë popullore e bëri shkencë për qeverisje. Dhe kudo që qeverisin ndërkombëtarët kanë qëllim parësor ruajtjen e qetësisë, dhe siq thonë ata respektimin e të drejtave të njeriut. Dhe ç’është më e rëndësishmja respektimin e të drejtave të minoriteteve. Ku qeverisin ndërkombëtarët edhe nëse s’ka minoritet, ata e shpikin. Ky është çmimi që paguan secili popull që bëhet për ndihmën e tyre. Ata ndërtojnë shtete jofunksionale që kanë nevojë për mbikqyrjen e tyre të vazhdueshme.

Në Kosovë bashkësia ndërkombëtare kishte ardhur me synimin që Kosovën ta bëjë shtet shqiptaro-serb dhe veprimet apo mosveprimet e tyre  ishin ne funksion të këtij qëlllimi. Në funksion të këtij qëllimi ishte edhe lënja serbëve e pjesës përtej Ibrit ku ata do të kishin një pjesë kompakte dhe në kufi me Serbinë, mandej harrimi I ngadalshëm e I pandërprerë I krimeve serbe dhe ndjekja e shqiptarëve për krime lufte për të barazpeshuar përgjegjësinë për aq sa është e mundur, kjo për të bërë më të lehtë pajtimin (duke vënë ne pah krimet e te dyja paleve) që do t’I shërbente qëllimit të përmendur.

Por që shqiptarëve tu bëheshin padrejtësi të reja pas gjithë atyre krimeve e padrejtësive e që kjo të kalonte sa më qetësisht, nevojitej kontrollimi I pakënaqësisë popullore e kjo bëhej vetëm me ndihmën e vetë shqiptarëve, përkatësisht  liderëve të tyre, të cilët për këtë qëllim u lejuan, madje mund të thuhet se edhe u nxitën që të bënin gjithçka tjetër përveqse të mos bënin asgjë kundër këtij projekti të bashkësisë ndërkombëtare. Liderët shqiptarë të cilët me vetë faktin se bënë shumçka në kundërshtim me ligjin në sy të ndërkombtarëve që ishin eprorë të tyre, u bënë  bashkëpuntorë në qëllime që nuk mund të ishin të shumicës që ata përfaqësonin.

Meqë çështja e Kosovës ishte e pazgjidhur, bashkësia ndërkombëtare organizoi bisedime nga ku doli Plani I Ahtisarit, si prodhim I dialogimit në mes vete I fuqive botërore të interesuara dhe I dialogimit shqiptaro-serb. Ne planin e Ahtisarit, lidërët shqiptarë, me shumë lehtësi bënë lëshime që populli shqiptar zor s’e do t’I pranonte.

Bashkësia ndërkomtare zgjodhi që këto lëshime t’i bënin të tri partitë kryesore politike, gjegjësisht Lidhja demokratike e Kosovës, Partia demokratike e Kosovës dhe Aleanca për ardhmërinë e Kosovës, sepse kundërshtimi I njërës nga këto parti do të mund të sillte situata vështirë të menagjueshme dhe do ta bënte të kotë investimin e bashkësisë ndërkombtëtare për krijimin e një shteti ku shumica barazohet me një pakicë të papërfillshme, e të ruante qetësinë duke mbajtur nën kontroll pakënaqësinë popullore. Këto tri parti që u  bënë bashkë për të bërë lëshimet, patjetër do të nxirrnin në skenë një grupim që do t’I kundërshtonte dhe mënyra se si këta do t’I qaseshin problemit e si do ta shpjegonin atë, do të provokonte një reagim popullor, prandaj pikërisht ky grupim që do të shfaqej për t’I kundërshtuar këto lëshime, duhej të mbahej nën kontroll e përmes tij edhe populli.

Në skenë u paraqit lëvizja Vetvendosje e cila mund të thuhet se kishte qëllime të mira, por meqë monopolizoi kundërshtimin e negociatave dhe rezultatin e tyre dhe meqë kundërshimi I tyre shpesh herë ishte I shoqëruar me dhunë të panevojshme, nuk arriti të nxiste kundërshtimin edhe te masës, madje e amortizoi atë. Dihet që veprimet mbahen mend e tërheqin vëmendjen më shumë se fjalët, e këta me veprimet e tyre irrituan shumë shqiptarë. Njëkohësisht me anë të zhurmës së tyre mbytën gjithë zërat tjerë kundërshtues e të cilët mund të kishin tërhequr vëmendje e rrjedhimisht edhe njerëz. Kësisoj këta pamundësuan organizimin e njerëzve në kundërshtim te leshimeve qe beheshin e të planit Ahtisari, ndërsa  për shkak të mosbashkëpunimit që e karakterizon këtë lëvizje,  as vetë nuk u rritën deri në atë masë sa të ndalonin ndonjë të keqe që I kanosej vendit.

Në të njëjtën kohë, me kundërshtimin e planit Ahtisari, lëvizja Vetëvendosje promovoi bashkimin kombëtar, temë me të cilën shumë shqiptarë I kanë shtuar vetes  pikë patriotike , e e cila kishte efektin e shpërqëndrimit të vëmendjes dhe ishte e panevojshme në atë kohë.

Por çfarë efekti ka pasur fushata e Vetëvendosjes për kundërshtimin e planit Ahtisari?. Mendoj që efekti ishte I papërfillshëm. Me gjithë atë zhurmë e me gjithë ato shpjegime që u dhanë, populli I Kosovës nuk e di se çka përmban plani Ahtisari, e nuk e ka ditur as atëherë kur këto shpjegime ishin të freskëta. Lëvizja Vetëvendosje, ose lideri I saj dhe një grup njerëzish që përpiqeshin ta imitonin nuk ia arritën qëllimit, ose arritën krejt të kundërtën e asaj që synonin.

Shpesh herë gjërat nuk janë ashtu siq duken, bëhen shumë manipulime me synim mbajtjen nën kontroll të pakënaqësisë popullore, sepse zemërimi popullor mund të prish shumë  plane e mund të bëjë shumë ndryshime, prandaj mjegullohen pamjet, e zhurmë bëjnë ata që dëshirojnë diçka të fshehin.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Habib Morina, Kontrollimi i pakenaqesise, popullore

AMERIKA NUK DO T’I IMPONOJË SHQIPËRISË SHKATËRRIMIN E ARMËVE KIMIKE TË SIRISË

November 12, 2013 by dgreca

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje./

Nga Frank Shkreli/

Siç është njoftuar dhe komentuar ditë e fundit në median shqiptare dhe botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime me Shqipërinë dhe me disa vende të tjera europiane për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Janë bërë komente se Shtetet e Bashkuara do t’ia imponojnë Shqipërisë një gjë të tillë, pasi Shqipëria na qenka ”vasale” e Shteteve të Bashkuara dhe se autoritetet shqiptare gjithmonë i thonë, ”Po” Amerikës për çdo kërkersë që ajo u bën atyre, pa marrë parasyshë interesat e vendit.   E vërteta është se Shqipëria si anëtare e NATO-s është tani në valle dhe si e tillë konsultohet dhe shqyrtohen mundësitë për kontributin e saj për sigurinë e përbashkët të vendeve aleate dhe të paqës në botë.  Por  Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë, as ndonjë vendi tjetër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Ky është dhe duhet të jetë një vendim, ekskluzivisht, i popullit shqiptar dhe i qeverisë që e përfaqëson atë, bazuar në sigurinë dhe interesat kombëtare të vendit.  As NATO as Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, nëqoftse Tirana zyrtare e konsideron një gjë të tillë si diçka që është kundër interesave të saja.   Nuk është në natyrën e NATO-s që t’i imponojë gjëra të tilla një vendi anëtar, as nuk është në natyrën e Shteteteve të Bashkuara që t’i imponojnë një gjë kaq serioze një vendi mik si siç është Shqipëria.  Ështe e pa-imagjinueshme që Shtetet e Bashkuara të tërheqin armët kimike nga Siria për të shpëtuar sirianët dhe t’i dërgojnë ato  në Shqipëri për të dëmtuar shqiptarët.   Siç tha edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë një vizite dje në Kukës, në lidhje me këtë, nuk është marrë asnjë vendim, por sipas tij, “Gjëja jetike është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve”  duke shtuar se, “mirëqenia e popullit shqiptar,  është një ndër konsideratat më të rëndësishme të Amerikës. Dhe kjo përfshin edhe dinjitetin e vendit e të qytetarëve të tij”, tha përfaqsuesi amerikan në Tiranë.

Por siç sugjeron edhe ish-ministri jashtëm i Shqipërisë, Marko Bello në faqen e tij në “Facebook”, se këjo zhurmë e madhe në lidhje me këtë çështje mund të jetë shkaktuar nga zelli i tepëruar i  autoriteteve shqiptare, duke zmadhuar dhe ekzagjeruar situatën.   Këjo situatë bëhet edhe më e vështirë nga mungesa e transparencës zyrtare në lidhje me këtë çështje, pasi në një boshllëk të tillë informacioni, të pavërtetat dhe thashë-e-themet përhapen shumë shpejt dhe bëhen realitet.  Jam i sigurt se qeveria shqiptare, në konsultime me aleatët në NATO dhe me Shtetet e Bashkuara – dhe nëqoftse i kërkohet një gjë e tillë zyrtarisht — do të arrijë vendimin e duhur, në interesin e shëndetit dhe mirëqenjes së qytetarve si dhe  në interesin e kombit dhe të marrëdhënjeve të mira me aleatët dhe njëkohsisht të paqës dhe të një bote pa armë kimike.  Shkaërrimi i armëve kimike në Shqipëri mund të jetë një ndërmarrje tepër e madhe për mundësitë logjistike dhe teknike që ka Shqipëria në këtë fushë, e nëqoftse është kështu, atëherë autoritete qeveritare në Tiranë duhet t’i thonë, JO qoftë dhe mikes më të ngushtë, Amerikës dhe NATO-s, duke thënë në mënyrë transparente për publikun, se nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë, për këtë e këtë arsye.  Jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian nuk do e përdorin këtë refuzim kundër Shqipërisë në të ardhmen.

Por siç ndodhë gjithmonë me probleme të mëdha rajonale ose botërore, janë Shtetet e Bashkuara ato që — në mungesë të të tjerëve, ose kur të tjerët rrinë duar kryq — marrin përsipër zgjidhjen e sfidave ndaj sigurimit botëror dhe në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, siç është  shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë.  Dhe si rrjedhim Uashingtoni akuzohet për motive të mbrapshta që nuk kanë të bëjnë me realitetin.  Armët kimike në Siri janë një problem i madh për të gjithë botën, sepse nëqoftse këto armë bien në dorë të terroristëve dhe personave ose orgnizatave të pa-autorizuara, pasojat janë të pa-parashikueshme për të gjithë.   Si e tillë këjo është një emergjencë — jo vetëm për Amerikën, NATO-n,  Bashkimin Europian, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat po bisedohet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por është një çështje edhe  e sigurimit ndërkombëtar, pikërisht një çështje me të cilën, që po të ishte e mbara, do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ndonëse ishte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ai që shtatorin e kaluar miratoi rezolutën për të siguruar dhe për të shkatërruar armët kimike të Sirisë me qëllim që t’i tërheqë ato nga zona e luftës.

Vendimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë e ka adresën, jo në Tiranë as në ndonjë vend tjetër të Europës, por tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, megjithë shantazhet e Rusisë dhe të Kinës brenda këtij këshilli.  Në lidhje me këtë, agjencia japoneze e lajmeve Kyodo citoi dje Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se ai është duke marrë në konsiderim  t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin që Siria vet të shkatërrojë armët e saja kimike, brenda territorit të saj.  “Jam duke marrë në konsideratë që t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjiherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta mbrenda Sirisë ku mund të vendosen dhe ku njëkohsisht mund të shkatërrohen ato armë.”  Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, ndërkohë që Rusia, aleate e dikatorit sirian Assad dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, ndërsa deri tani në atë vend kanë humbur jetën më shumë se 110,000 njerëz.

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, Frank shkreli, nuk do ta detyroje, per armet kimike, shqiperine

FUSHATA ZGJEDHORE NE KOSOVE DHE ZHURMA RRETH SHAMIVE…

November 12, 2013 by dgreca

Nga Asllan DIBRANI*art@asllandibrani.com/ Shtutgard/

Fushatë  elektorale ” Unë ty shaminë, ti mua votën”  qe po sjellin përçarje shantazhime  denigruese   dhe huti në  botën e  femrës shqiptare, por edhe në rrafshin kombëtar!?.

-Garë e rrallë elektorale është duke u zhvilluar në Kosovë, nga e cila mobilizimi  partiak,individual dhe  grupor të përfitojnë sa më shumë masën në forma të ndryshme, që ende si trup zgjedhor është tejet i brishtë kur është në pyetje vota?
-Të paktën partitë politike  me orientim  laik  deri në zgjedhjet e këtij viti, asnjëherë nuk janë vërejtur të bëjnë një fushatë të hapur për t’ia fituar zemrat këtij elektorati  në stilin garues” Unë ty shaminë, ti mua votën”. Por, krijimi i problemit të shamive, si duket ka nxitur që partitë në pushtet të  shfrytëzoj  instrumentin  shtetëror  apo institutin  për përçarje shantazhuese dhe denigruese  në  botën e  femrës shqiptare, por edhe në rrafshin kombëtar?

-Nuk është gjithçka e nevojshme për debat,por partitë politike dhe udhëheqja e jonë kurrë nuk janë të motivuar që të trajtojnë, debatojnë   rreth problemeve  kyçe,për të cilat ka nevojë të bisedohet dhe të mënjanohet e keqja në shoqërinë shqiptare .

Anarkia e ka kapluar Kosovën duke e ngulfatur  sepse ,grupe, lëvizje, banda, klane të ndryshme kanë venë nën kontroll komunitetet e tyre apo tentojnë qe ti përfitojnë  me mashtrime  shantazhe ,dhënien e  drekave apo darkave për vota!

-Temat dhe debatet   për çështjen  fetare apo shaminë , duket  se  janë disa  tema sekondare ,  me çka nuk trajtohen  tema  qe përfshijnë   elementet e formimit të shtetit dhe përforcimin e  tij!Nuk mbizotëron ligji në Kosovë i sanksionuar në barometrin  kombëtar për një rregullore  për tu zbatuar në praktikë.  Anarkia e ka kapluar Kosovën duke e ngulfatur  sepse ,grupe, lëvizje, banda, klane të ndryshme kanë venë nën kontroll komunitetet e tyre apo tentojnë qe ti përfitojnë  me mashtrime  shantazhe ,dhënien e  drekave apo darkave për te përfituar  votën  e pa merituar.   Këto   forca  politike  nuk e vrasin  mendjen  në    mjerimin qe e ka  përfshirë   shoqërinë kosovare. Kështu këta anarkistë manipulojnë   në emër të lirisë  me shtresën ma të madhe të    besimit fetar  islamik, duke  i ndërsyer disa  shërbëtor  me orientime  çorientuese  në interesin   e prapambetjes   qe i ka mbuluar disa  shtete aziatike, po edhe  fqiun tonë Serbinë, qe natë e ditë  veprojnë kundër populli shqiptar  të lashtë dhe me vlera  ndërkombëtare  me kulturën e vet.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri i cili  ka premtuar se me ardhjen në pushtet do të lejoj  shaminë dhe  degradimin  në shkollat e Gjilanit ,po çka bënë Lutfiu me  Prishtinen ,Mitrovicën , Ferizajn dhe  rajone tjera?,kësaj i thonë  përçarje me vetëdije apo pa vetëdije!!!

– Tani mos të flasim për çështje urbane, infrastrukturë, ambient ,shkencë, kulturë  teknologji si elemente   jetësor ,qe  rrallë kush   e diskuton apo e hedh në qendrën e vëmendjes   si problem  në shoqërinë kosovare për papunësia   qe  e ka prekë në palcë  Kosovën!

-Në këtë  fushatë  propagandimi , të lejimit, apo mos lejimit të vënies  së shamisë në shkolla dhe vende publike, sikur janë    futur në  forma kolektive si parti, apo  grupe, po edhe    në  mënyra personale siç ishte rasti i  kandidati të LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri i cili  ka premtuar se me ardhjen në pushtet do të lejojë nxënëset e mbuluara të vijojnë mësimet nëpër shkollat publike të Gjilanit, një gjë  absurde  dhe anakronike , me çka  ai ka  lëshuar zërin e përçarjes  dhe ndezjes së zjarrit në   shtresën  ma të pa vetëdijshme     të  shoqërisë shqiptare , në shtresën  me pak të  arsimuar,siç është rasti i besimtareve    në fenë    e besimit   mysliman .Madje shkon edhe ma larg duke u përjargur  në rast  nevoje  thekson ,do të ulem edhe unë  me to në banka .Vallë lind pyetje nga kush po i mbrojka ky   politikan   nxënëset  e shkollave shqipe në Kosovë?

Hazdret Haxhi Lutfi  Efendi Hazirit-shkurt Luta ” i   Gjilanit foli për qefin e Shefqet Krasniqit

Në këto tema  aq  të pa vlera hyjnë edhe  disa   projektues me synime  të errëta nga   këndi i  ekstremizmit fetar ,  siç dolën në   këtë   momente   parregullsitë   në zgjedhjet aktuale në Kosove nga të cilat shumica e  komunave  mbeten në balotazh siç është edhe  rasti i  ” hazdret Haxhi Lutfi  Efendi Hazirit-shkurt Luta ” i   Gjilanit.

Haxhi Lutfi Hazir-Luta,   sikur e trimëroj Shefqet Krasniqin qe i lëshoj shumë komplimente  i  cili ka thënë se është pro bartjes së shamisë nëpër shkolla!

-Shefqet Krasniqit si shkas u bë Luta dhe   ju vërsul  Ministrisë kosovare të Arsimit qe nuk po e miratojnë një  gjë te tillë.

-Shefqet Kraniqi , madje  hyni edhe ne  shkallë vendi duke krijuar përçarje në popull duke i përkrahur disa kodosh    politikanë që  po ja respektojnë fenë. Si  të përkëdhelur të Shefqet Efendi Krasniqit ishin, Refki Suma në Han të Elezit, Ragip Begaj në Malishevë, e disa të tjerë të skenës politike me çka  kane arritur deri në  foltoret e Parlamentit të Kosovës.
-Si Lutfi Haziri  të ndyrë për pushtet  ka Kosova sa të duash ,duke filluar të partitë e mëdha  , pastaj të AKR-ja, Vetëvendosja  e mos të flasim për Ferid Haxhi Aganin  nga partia e Drejtësisë  qe  kryet e ka  në Turqi dhe  bashkëpunëtorin serbo-arab-turk Fuad Ramiqin qe u zbulua këto dite   nga inteligjenca e Kosovës. Këta po e shfrytëzojnë   varfërinë ekstreme, po edhe të gjitha resurset nga  taborët politike për një të keq e që po i ndjellin popullit shqiptar, duke ja  mihur varrin shqiptareve kudo qe janë. Në vend se të  hartohen programe ekonomike prosperuese, drejt  zhvillimit ata,   sjellin dhe mbjellin kob, skamje dhe përçarje  .    Partitë politike  aspak të sinqerta ,luftojnë për atë pushtet të mallkuam dhe gjithsesi me korrupsion deri në fyt .

Shumë , pashallarë janë lajmëruar si mburoje  e kombit shqiptar përmes  shamisë dhe fesë!

Fatkeqësia e jonë, e kombit shqiptar është se shumë , pashallarë janë lajmëruar si mburoje  e kombit shqiptar përmes  shamisë me çka po e cenojnë  të kaluarën dhe vlerat  emancipuese  të femrës shqiptare.

-Fatalitet qe përsëritet si tragjedi, gjithmonë ne historinë tone Kombëtare. Shamia është diç retrograde, e prapambetur dhe poshtërues për femrën shqiptare. Prandaj duhet me një zë dhe në mënyrë energjike të hiqet kjo copë e mallkuar tekstili nomado-arabe nga kokat e femrës së bukur shqiptare. Gjinia mashkullore  këtu duhej të ishte ma me   ndikim , por rolin vendimtar  duhet  ta merrnim femra e guximshme   intelektuale dhe të emancipuara siç janë zonjat Atifete Jahjaga,Alma Lama, Vlora Çitaku etj

Këto ngjarje po reflektohet negativisht edhe ne arenën ndërkombëtare me një epitet  të çuditshëm për shaqiptaret !…

-Po befasohem me këto diskutime rreth shamive të cilat as që duhet fol rreth tyre, këto janë gjëra shumë  të pa vlere dhe pa kur far dobie .Këto lecka as që duhet diskutuar, sepse janë gjëra qe s’kanë kurrë një të mirë,  pos përçarjes. Po ma kujtojnë këto veprime  propagandën antishqiptare të Serbisë, duke e  përsëritë se shqiptarët janë  fundamentalist  nga e cila synimet e saj janë edhe sot e kësaj dite, ta shndërroje  këtë popull në atë  trend çorientues drejt degjenerimit , qe do të jetë një pasojë  fatale dhe vetëvrasje  dhe   tragjedi  për popullin tonë. Këto momente sjellin huti dhe   injorancë në popull, nga e cila po reflektohet negativisht edhe në arenën ndërkombëtare me një epitet  të çuditshëm !…

Nëntor 2013 Shtutgard

*Falenderojme autorin qe e dergoi kete analize per DIELLIN

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, zhurma rreth shamive

SHQIPËRIA DHE ARMËT KIMIKE TË SIRISË

November 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Shaktërrimi i armëve kimike të Sirisë është një proces që ka filluar Shtatorin që kaloi, i shtyrë nga disa marrveshje ndërkombëtare, përfshirë edhe rezolutën 2118 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila detyron Sirinë të shkatërrojë armët kimike si edhe fabrikat për prodhimin e këtyre armëve.   Në bazë të një marrveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Siria pranoi se do të shkatërrojë të gjitha armët kimike dhe programin për prodhimin e tyre deri në mesin e vitit 2014.   Këjo marrveshje, siç dihet, mënjanoi sulmet arjore kundër Sirisë, sulme të cilat Washingtoni kërcënoi se do t’i ndërmirrte pas një sulmi me armë kimike në periferi të Damaskut, nga icili gjetën vdekjen qindra civilë.   Thuhet se shaktërrimi i këtyre armëve kimike në Siri, e cila është zhytur në një luftë të thellë civile, është tepër i rrezikshëm në kushte lufte dhe si rrjedhim po kërkohet një vend, jashtë Sirisë, ku të transportohen këto armë për shkatërrim.   Ndërkohë që shumë vende janë duke ofruar fonde the ekspertë për shaktërrimin e këtyre armëve, asnjë vend ende nuk ka vendosur që të pranojë shkatërrimin e tyre në territorin e vet.

Shtetet e Bashkuara, si vendi që po kryeson këtë përpjekje, kanë thënë se kanë kontaktuar një numër vendesh që mund të jenë të gatëshme të pranojnë vendosjen e mjeteve për neutralizimin dhe shkatërrimin e këtyre armëve shumë të rrezikshme, përfshirë Shqipërinë, Belgjikën, Francën dhe Norvegjinë.  Këtë e vërtetoi edhe një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme belge i cili i tha agjencisë së lajmeve AFP se “Shtetetet e Bashkuara ”kanë mbajtur një takim eksplorues në fillim të tetorit me Belgjikën, Francën, Shqipërinë dhe Norvegjinë për të parë se çfarë kapacitetesh ka secili vend për shkatërimin e armëve kimike”, të Sirisë.

Gazeta, norvegjeze, Norwej Post citon Ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Norvegjisë  të ketë thënë se një grup ekspertësh është duke studiuar mënyrat se si  vendi i tij mund të ndihmojë në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë dhe nëse një gjë e tillë është e mundur  të realizohet në Norvegji.  Ministri i jashtëm norvegjez,  Borge Brende tha çështja e armëve kimike të Sirisë ishte subjekt i takimit që ai pati javën e kaluar me Sekretarin Amerikan të Shtetit Xhon Kerri.  Ministri norvegjez shtoi se ajo që është e rëndësishme është që armët kimike të transportohen jashtë Sirisë dhe të shkatërrohen.

Shtetet e Bashkuara, si vendi që po kryeson përpjekjet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, kanë kontaktuar ndër vende të tjera edhe Shqipërinë.  Edhe në të kaluarën, Shqipëria u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të Amerikës, siç ishte rasti i pranimit të të burgosurve Uigir nga Guantanamo, të cilët nuk mund të këtheheshin në Kinë, dhe kohët e fundit Shqipëria u ofroi strehim nja 210 anëtarve të grupit dissident Iranian.  Megjithëse, sipas Global Security Newswire, që citon një burim të Kombeve të Bashkuara, ishte Rusia ajo që e para kontaktoi Tiranën zyrtare në lidhje me këtë kërkesë,  përsëri Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë aleatës së saj pranë Adriatikut që të studiojë mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë Brenda territorit të saj.   Këjo kërkesë drejtuar Tiranës zyrtare u njoftua nga Administrata e presidentit Obama dhe u vërtetua njëkohsisht edhe nga zyrtarët më të lartë të Shqipërisë.   Ndërsa Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të shtetit, Xhon kerri, Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati  tha për median shqiptare se në lidhje me këtë çështje nuk ka vend për alarm, pasi sipas tij, nuk është marrë ndonjë vendim dhe se as nuk po zhvillohen bisedime teknike në lidhje me këtë subjekt.  Ndërkaq, për këtë çështje u prononcua edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili  në një intervistë televizive vuri në dyshim mundësitë e vendit të tij për të shkatërruar armët kimike siriane, por Shqipëria, shtoi ai, si “anëtare e NATO-s duhet të marrë përgjegjësitë që janë në gjëndje të mbajnë supet e saj”.  Në të vërtetë, Shqipëria ka përvojë në këtë fushë, pasi është vendi i parë në botë, i cili me ndihmën financiare dhe teknike  të Shteteve të Bashkuara, vite më parë, ka shaktërruar të gjithë arsenalin e e saj të armëve kimike, në përputhje me Koncventën e Armëve Kimike.

Megjithë deklaratat e mësipërme të zyrtarëve shqiptarë, gazeta amerikane Los Angjeles Tajms citon një zyrtar europian i cili është në dijeni të bisedimeve dhe kontakteve mbi këtë çështje, t’i ketë thënë gazetës amerikane se, “Nga Shqipëria ka patur disa shënja pozitive”, por megjithëkëtë, ”këjo është një çështje tepër sensitive atje.”  Ndërkaq, gazeta Los Angjeles Tajms citon ish-ambasadorin e Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Adrian Neritanin, tani avokat në New York, se Shtetet e Bashkuara shpenzuan  $45 million dollarë për shkatërrimin e 18 ton gaz helmues të Shqipërisë të kohës së regjimit komunist dhe sipas tij shkatërrimi i arsenalit shumë të madh të armëve kimike të Sirisë do t’i sillte Shqipërisë fonde dhe mjete të reja nga Perendimi.  Për këtë qëllim, shtoi ish-ambasadori shqiptar, “natyrisht ka fonde, megjithëse nuk dihet shuma e tyre….por nëqoftse këjo është një mënyrë që Shqipëria të ofrojë ndihmën e saj dhe të tregojë se është një anëtare e denjë e komunitetit ndërkombëtar, pse jo?”

Por enti amerikan i lajmeve, Bloomberg News, thotë se edhe nëqoftse Shqipëria pranon kërkesën për shkatërrimin në territorin e saj të armëve kimike të Sirisë dhe nëqoftse ato mund të transportohen pa ndonjë problem,  Shqipëria prapseprapë përballet me shumë probleme logjistike dhe të sigurisë,  nëqoftse më në fund vendoset se aty do të shkatërrohen armët kimike të Sirisë.  Bloomberg News thotë se, “Shqipëria është një vend i varfër. Bota duhej ta paguante mirë atë për realizimin e  këtij qëllimi.  Siguria dhe korrupcioni janë problem.  Shqipëria është një qëndër  e kontrabandës dhe krimit të organizuar”, thuhet në artikullin e agjencisë Bloomberg.  Por megjithkëtë Bloomberg News thotë se përvoja e Shqipërisë në shkatërrimin e armëve të saj kimike gjatë dekadës së kaluar e bënë atë, në parim, “opcionin më pak të keq”, ku mund të shkatërrohen armët kimike të Sirisë.

Armët kimike dhe shkatërrimi i tyre nuk janë lojë.  Qeveria dhe shteti shqiptar duhet të jenë tepër të kujdesshëm në marrjen e vendimit të tyre në lidhje me këtë çështje aq serioze.  Është për tu admiruar fakti se grupe organizatash civile po protestojnë duke kërkuar diskutim të hapur dhe transparencë te plotë në lidhje me mundësitë që ka Shqipëria për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por për më tepër, mbi për pasojat e rënda që mund të rrjedhin nga një operacion i tillë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Shqiperia dhe armet Kimike, Siria

Jo ushqimimit të pa arsyeshëm të panikut

November 10, 2013 by dgreca

Nga  Bardhyl Ukcamaj/

Në botën e rrjeteve sociale ka nisur fushata shqiptare sezonale anti-kimike. Dëshiroj të besoj se shumica motivohet nga dashuria (përfshi edhe disa miq të mij) dhe friga e justifikueshme, kur ende ka mungesë informacioni. Duhet të ketë transparence të plotë. Ka syresh, sidomos ata që trashin më shumë zërin, që as duan të dinë se për çfarë bëhet fjalë, për çfarë po diskutohet dhe, në këto kushte, kanë mbërritur menjëherë te kundërshtimi. Të habit zelli me të cilin keta te fundit përpiqen të perhapin alarmin se SHBA dhe NATO, në aleancë të fshehtë me Edi Ramën po “punojnë në errësirë për të shkatërruar Shqipërinë, jetën e tyre dhe të femijëve”.

NATO dhe SHBA me ose pa vetëdije na paraqiten me këtë rast, si organizata terroriste, të cilat, nga njëra anë, largokan armët kimike të një diktatori arab për të shfarosur në masë femijët e një vendi evropian, anëtar i vetë NATO-s. Edi Rama si Esat Pasha. Disa thonë se Edi po përfiton, të tjerë thone se Edi po dorëzohet. Burra e gra në këmbë para zyrës së Kryeministrit, për të shkatërrur komplotin e fshehtë ndërkombëtar Evropë-SHBA që po përgatitet kundër Shqipërisë. Më tingëllon e njohur si melodi!

Kjo turmë laramane e protestuesëve me flamur sirian para kryeministrisë përbën atë që përfaqëson “botën e lirisë civile dhe ambientaliste”. Ka aty, për fat të keq, edhe politikanë, ka fshatarë e banorë të grumbullimeve urbane, shkollarë e të pa shkollë, kryesisht të papunë, pa përjashtuar abonentët e të të gjitha llojeve të demonstratave. Dhe në këtë botë larushe shndërit përkufzimi i një “analisti” protestues i kudondodhur dhe asgjëkund mbetur Fatos L, sipas të cilit, “angazhimi i Shqipërisë në problemin e armëve kimike të Sirisë është një servilizëm i turpshëm ndaj Amerikës”. Shkohet edhe me tej: organizatorët “kërcënojnë” me demonstratë edhe para Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Demonstratë përpara Ambasadës Amerikane…? Ky do të ishte një TURP kombëtar! Megjithatë, nuk do të habitesha nëse do të udhëhiqet nga një grusht ”intelektualësh” të tipit Fatos L….! Ky është personazh tipik mediokër i shoqërisë ende të tramatizuar ballkanike, pas lufëtrash të përgjakura, shembje sistemesh dikatoriale e konfliktesh qytetrimore e zhvillimore. Pa asnjë vepër të dallueshme në fushën e dijes, më pak se gjysmë i shkolluar, ky “analist” i gjithckaje e dijetar i pakgjëje, ka pasur mundësinë, që nga frëngjia e një televizioni në Tiranë javë per javë (pas transmetimit të “Sulejmani i Madherishem”), të përbuzë lidhjen dhe krenarinë kombëtare të shqiptarëve për Gjergj Kastriotin e Nënë Terezën; të denoncojë Tribunalin e Hagës për pafajsinë që ky Tribunal shpalli për njërin nga luftëtarët e lirisë së Kosovës Ramush Hajredinaj; të shërbejë si tellall politik i Zani Qaushit. Po ky ish-pjesëtar i hiearkisë së lartë të familjeve të diktaturës, më pas viktimë tragjike e saj, duket se ushqen një mungese patologjike respekti ndaj popullit linguistik, që i perket dhe traditës së tij të vjetër qytetrimore!

Demonstratë përpara Ambasadës Amerikane në Shqipëri…? E turpshme, thjesht edhe të mendohet. Nëse ekziston një gjë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, pas atdheut e flamurit të tyre, ajo është aleanca shqiptaro-amerikane dhe ideali euro-prëndimor.

Po për çfarë demonstrohet. Thuhet se do të ketë një marrëveshje të Shqipërisë me faktorin ndërkombëtar për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në tokën shqiptare. Ka pasur diskutime, disa shkrime kryesisht të botës së Rusisë me një premtim dymilionësh, lehtësisht të lexueshëm për të nxitur reagime anti-amerikane dhe disa sqarime të ministrit të Jashtëm shqiptar. Shtypi njofton edhe për një bisedë mes kryeministrit Rama dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Deri më tash kemi një qëndrim të njohur, për tu përshëndetur, të kryeministrit Rama lidhur me pastërtinë e ambientit. Kaq kemi parë e kaq dimë! Kemi qindra shembuj se SHBA-ja ka mbeshtetur më shumë se udheheqësit e vendit, Shqipërine dhe shqiptarët në rajon në rrugën e demokracisë dhe zhvillimit dhe asnjë rast që përligj paragjykim. Më është dukur serioz qëndrimi i kryetarit të Partisë Demokratike lidhur me këtë diskutim publik dhe e mbështes plotësisht në këtë rast. Por ky nuk është si duket qëndrimi i pjesës tjetër të PD-së. Opozita duhet të ketë një qëndrim zyrtar.

Jam i një mendjeje me një mikun tim, i cili në FB shkruante: “Unë mendoj se askush, aq më pak SHBA apo NATO, nuk po përpiqet ta bëjë vendin tonë një vend të pajetueshëm apo të rrezikshëm, nuk po duan të shkatërrojnë jetën tonë sot, dhe as të fëmijëve nesër”! Ky është qëndrimi i përgjithshëm, i përgjegjshëm e normal.

Sa i përket SHBA-së, ju kujtoj se me paratë dhe ekspertizën e tyre janë shkatërruar armët kimike shqiptare, dhe jo siriane, në vitet e post komunizmit, kujtoni iniciativen Lugar. SHBA-ja është atdheu i lirisë, demokracisë dhe garantues i rendit botëror. Përgjegjësitë e këtij vendi të madh jane globale dhe ne shqiptarët jemi të bekuar me mbështetjen e tyre historike. Pra nga rrjedh gjithë kjo mungese besimi ? Nga historia, jo…!

Po, Shqipëria ka nevojë të shfaqet si një shtet serioz, që merr përgjegjësi dhe krijon një imazh pozitiv për veten brenda rajonit dhe më gjerë. Po, Shqipëria ka përfitime dhe detyrime nga anëtaresia në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe duhet të marrë përsipër sigurisht brënda mundësive të saj edhe përgjegjësi globale. Jemi apo jo anëtar të NATO-s?

Prisni, e më pas le të nisin diskutimet, pikësëpari të specialistëve e më pas demonstrojmë, apo të duartrokasim ne të tjerët. Në të gjitha rastet drejtimi i ketij operacioni nga NATO dhe SHBA jep garanci të plota sigurie. Nuk ka asnjë arsye për panik !

 

9:06am

Bardhyl Ukcamaj

Nje shkrim per Diellin…!!! te pershendes miku im…!!!

Today

 

1:43pm

Bardhyl Ukcamaj

Jo ushqimimit të pa arsyeshëm të panikut. Bardhyl Ukcamaj

Në botën e rrjeteve sociale ka nisur fushata shqiptare sezonale anti-kimike. Dëshiroj të besoj se shumica motivohet nga dashuria (përfshi edhe disa miq të mij) dhe friga e justifikueshme, kur ende ka mungesë informacioni. Duhet të ketë transparence të plotë. Ka syresh, sidomos ata që trashin më shumë zërin, që as duan të dinë se për çfarë bëhet fjalë, për çfarë po diskutohet dhe, në këto kushte, kanë mbërritur menjëherë te kundërshtimi. Të habit zelli me të cilin keta te fundit përpiqen të perhapin alarmin se SHBA dhe NATO, në aleancë të fshehtë me Edi Ramën po “punojnë në errësirë për të shkatërruar Shqipërinë, jetën e tyre dhe të femijëve”.

NATO dhe SHBA me ose pa vetëdije na paraqiten me këtë rast, si organizata terroriste, të cilat, nga njëra anë, largokan armët kimike të një diktatori arab për të shfarosur në masë femijët e një vendi evropian, anëtar i vetë NATO-s. Edi Rama si Esat Pasha. Disa thonë se Edi po përfiton, të tjerë thone se Edi po dorëzohet. Burra e gra në këmbë para zyrës së Kryeministrit, për të shkatërrur komplotin e fshehtë ndërkombëtar Evropë-SHBA që po përgatitet kundër Shqipërisë. Më tingëllon e njohur si melodi!

Kjo turmë laramane e protestuesëve me flamur sirian para kryeministrisë përbën atë që përfaqëson “botën e lirisë civile dhe ambientaliste”. Ka aty, për fat të keq, edhe politikanë, ka fshatarë e banorë të grumbullimeve urbane, shkollarë e të pa shkollë, kryesisht të papunë, pa përjashtuar abonentët e të të gjitha llojeve të demonstratave. Dhe në këtë botë larushe shndërit përkufzimi i një “analisti” protestues i kudondodhur dhe asgjëkund mbetur Fatos L, sipas të cilit, “angazhimi i Shqipërisë në problemin e armëve kimike të Sirisë është një servilizëm i turpshëm ndaj Amerikës”. Shkohet edhe me tej: organizatorët “kërcënojnë” me demonstratë edhe para Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Demonstratë përpara Ambasadës Amerikane…? Ky do të ishte një TURP kombëtar! Megjithatë, nuk do të habitesha nëse do të udhëhiqet nga një grusht ”intelektualësh” të tipit Fatos L….! Ky është personazh tipik mediokër i shoqërisë ende të tramatizuar ballkanike, pas lufëtrash të përgjakura, shembje sistemesh dikatoriale e konfliktesh qytetrimore e zhvillimore. Pa asnjë vepër të dallueshme në fushën e dijes, më pak se gjysmë i shkolluar, ky “analist” i gjithckaje e dijetar i pakgjëje, ka pasur mundësinë, që nga frëngjia e një televizioni në Tiranë javë per javë (pas transmetimit të “Sulejmani i Madherishem”), të përbuzë lidhjen dhe krenarinë kombëtare të shqiptarëve për Gjergj Kastriotin e Nënë Terezën; të denoncojë Tribunalin e Hagës për pafajsinë që ky Tribunal shpalli për njërin nga luftëtarët e lirisë së Kosovës Ramush Hajredinaj; të shërbejë si tellall politik i Zani Qaushit. Po ky ish-pjesëtar i hiearkisë së lartë të familjeve të diktaturës, më pas viktimë tragjike e saj, duket se ushqen një mungese patologjike respekti ndaj popullit linguistik, që i perket dhe traditës së tij të vjetër qytetrimore!

Demonstratë përpara Ambasadës Amerikane në Shqipëri…? E turpshme, thjesht edhe të mendohet. Nëse ekziston një gjë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, pas atdheut e flamurit të tyre, ajo është aleanca shqiptaro-amerikane dhe ideali euro-prëndimor.

Po për çfarë demonstrohet. Thuhet se do të ketë një marrëveshje të Shqipërisë me faktorin ndërkombëtar për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në tokën shqiptare. Ka pasur diskutime, disa shkrime kryesisht të botës së Rusisë me një premtim dymilionësh, lehtësisht të lexueshëm për të nxitur reagime anti-amerikane dhe disa sqarime të ministrit të Jashtëm shqiptar. Shtypi njofton edhe për një bisedë mes kryeministrit Rama dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Deri më tash kemi një qëndrim të njohur, për tu përshëndetur, të kryeministrit Rama lidhur me pastërtinë e ambientit. Kaq kemi parë e kaq dimë! Kemi qindra shembuj se SHBA-ja ka mbeshtetur më shumë se udheheqësit e vendit, Shqipërine dhe shqiptarët në rajon në rrugën e demokracisë dhe zhvillimit dhe asnjë rast që përligj paragjykim. Më është dukur serioz qëndrimi i kryetarit të Partisë Demokratike lidhur me këtë diskutim publik dhe e mbështes plotësisht në këtë rast. Por ky nuk është si duket qëndrimi i pjesës tjetër të PD-së. Opozita duhet të ketë një qëndrim zyrtar.

Jam i një mendjeje me një mikun tim, i cili në FB shkruante: “Unë mendoj se askush, aq më pak SHBA apo NATO, nuk po përpiqet ta bëjë vendin tonë një vend të pajetueshëm apo të rrezikshëm, nuk po duan të shkatërrojnë jetën tonë sot, dhe as të fëmijëve nesër”! Ky është qëndrimi i përgjithshëm, i përgjegjshëm e normal.

Sa i përket SHBA-së, ju kujtoj se me paratë dhe ekspertizën e tyre janë shkatërruar armët kimike shqiptare, dhe jo siriane, në vitet e post komunizmit, kujtoni iniciativen Lugar. SHBA-ja është atdheu i lirisë, demokracisë dhe garantues i rendit botëror. Përgjegjësitë e këtij vendi të madh jane globale dhe ne shqiptarët jemi të bekuar me mbështetjen e tyre historike. Pra nga rrjedh gjithë kjo mungese besimi ? Nga historia, jo…!

Po, Shqipëria ka nevojë të shfaqet si një shtet serioz, që merr përgjegjësi dhe krijon një imazh pozitiv për veten brenda rajonit dhe më gjerë. Po, Shqipëria ka përfitime dhe detyrime nga anëtaresia në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe duhet të marrë përsipër sigurisht brënda mundësive të saj edhe përgjegjësi globale. Jemi apo jo anëtar të NATO-s?

Prisni, e më pas le të nisin diskutimet, pikësëpari të specialistëve e më pas demonstrojmë, apo të duartrokasim ne të tjerët. Në të gjitha rastet drejtimi i ketij operacioni nga NATO dhe SHBA jep garanci sigurie. Nuk ka arsye për panik !

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Ukcamaj, Jo panikut, lendet Kimike, Opozita, shqiperi, Siri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 947
  • 948
  • 949
  • 950
  • 951
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT