• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur do të dënohen krimet e komunizmit?

November 9, 2013 by dgreca

Komunistët midis nesh: Bota shqiptare, për arsye të robërisë komuniste, në të dy anët e kufirit, duke marrë parasysh krimet e tmerrshme që janë bërë, ka nevojë më se të domosdoshme që ta hapë çështjen e krimeve të bëra për dekada me radhë ndaj popullit dhe përfaqësuesve të tij liridashës e patriotë, antikomunistë, e sidomos intelektualë të shquar. Viktimat janë me mijëra, që nga ditët e para të marrjes së pushtetit nga komunistët. Këtu po japim dy dokumente të cilat pak a shumë e japin atmosferën e tmerreve të ditëve të para të qeverisjes së komunistëve. Këto krime arrijnë deri në ditët e vona dhe fajtorët janë të shumtë. Prandaj, pushtetet shqiptare, me anë të ligjeve, duhet të jenë të mbrojtura nga kategoria e tillë e dhunuesve të lirisë./

 Nga Skënder Blakaj/

 Sipas një statistike të organeve të pushtetit, gjatë vitit 1945, u eliminuan 1.416 të arratisur, prej të cilëve 292 u vranë, 148 u zunë, ndërsa 195 u dorëzuan. Për ata muaj të burgosjeve dënimeve dhe ekzekutimeve shifrat, natyrisht, janë të ndryshme dhe është e vështirë të saktësohen.

Halim Spahia, për shembull, u kap nga regjimi i Enver Hoxhës dhe iu dorëzua Jugosllavisë. Bashkë me të, nga fundi i qershorit, 1945, u arrestuan edhe anëtarët e KQ të ONDSH dhe komiteteve qarkore të Prizrenit, Rahovecit, Therandës etj. H. Spahiu u akuzua si organizator kryesor i KQ dhe strumbullar i gjithë organizatës.

Gjyqi… në Prizren, me vendimin e shpallur më 27 shtator 1945 e dënoi Halim Spahinë dhe 5 të tjerë me vdekje-pushkatim.

Gazeta “Rilindja” e dt. 14 shkurt 1946, ndër të tjera shkruante: “U pushkatuan Halim Spahija, Tahir Deda, Rifat Krasniqi, Kajtaz Ramadani dhe Rexhep Kabashi – organizatorë të organizatës pro-fashiste “Komiteti nacional – demokratik” e cila pregaditte kryengritje t’armatosun kundra pushtetit popullor”.

PROCESVERBAL

I KRYERJES SË EKZEKUTIMIT ME VDEKJE TË TË DËNUAR­VE MARIE SHLLAKU, BERNARD LLU­­PI, KOLË PARUBI dhe GJERGJ MARTINI, më 24. XI. 1946, në vendin e ngjarjes.

Dënimin me vdekje e kryen Sektori i punëve të brendshme i mbrojtjes popullore (M.P) të rrethit, përmes organeve të Milicisë Popullore.

Në ekzekutim marrin pjesë:

1. Shefi i sektorit të punëve të brendshme pranë MP-së së rrethit të Prizrenit, Nijazi Maloku.

2. Zyrtari i Degës së punëve të brendshme të pranë MP-së së Qarkut të Kosmetit, si delegat i caktuar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të R. P. të Serbisë, shoku Gligorije Sharanoviç.

3. Ndihmësi i Prokurorit Publik për Kosmet, shoku Sadri Doçi.

4. Mjeku i qarkut, shoku Matroni Luciano.

Para ekzekutimit të dënimit me vde­kje u konstatua:

1. Që janë sjellë nga burgu i qarkut të dënuarit: Marie Shllaku, Kolë Parubi, Bernard Llupi dhe Gjergj Martini. Të lartpërmendurit janë sjellë në vendin e ekzekutimit, me duar të lidhura. Në momentin e fundit, të dënuarit e përmendur, kanë kërkuar të falen, e më së shumti është ankuar Marie Shllaku.

2. U konstatua që këta persona, të dënuar me vdekje me pushkatim, nga Gjyqi i qarkut në Prizren, me aktvendimin nr. K. 21/46 15 korrik 1946 dhe që ky gjykim u konfirmua nga Gjyqi Suprem i Republikës Popullore të Serbisë me aktvendimin Kz. 1276/46 të datës së 19 shtatorit 1946 sa u përket të dënuarve të lartpërmendur;

3. Konstatohet se të dënuarit kanë kërkuar falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RFPJ dhe se Presidiumi i ka refuzuar lutjet e tyre-me vendimin e vet nr. 16698/46, të datës 8 nëntor 1946;

4. Konstatohet se dje, më 23 nëntor 1946, të dënuarve u është komunikuar që lutja e tyre për falje nuk është marrë në konsiderim dhe se dënimi me vdekje ndaj tyre do të ekzekutohet me pushkatim, siç e parashohin këtë vendimet gjyqësore, sot më 24 nëntor 1946, prandaj duhet të përgatiten për vdekje;

5. Konstatohet edhe se të gjithë të dënuarit janë të shëndoshë, kështu që në këtë drejtim, por dhe në asnjë tjetër, nuk ka kurrfarë pengesash për ekzekutimin e dënimit me vdekje.

Mbas kësaj, në vendin ku është caktuar të bëhet dënimi me vdekje-me pushkatim ka filluar edhe vetë ekzekutimi, ndërsa këtë e ka zbatuar një njësi e milicisë popullore nën komandën e njërit nga eprorët e vet më të ulët, me batare pushkësh, njëkohësisht mbi të gjithë të dënuarit, mbasi paraprakisht ishin vendosur buzë gropës së përbashkët tashmë të hapur.

Mjeku, në praninë e të përmendurve më lart, konstatoi se të gjithë të pushkatuarit vdiqën dhe menjëherë u varrosen në vend të ngjarjes.

Pushkatimi u krye saktësisht në orën 6.30 të mëngjesit pa praninë e publikut

Për ekzekutimin e  dënimit t’i raportohet kujt të duhet, në kuptimin e urdhrit të veçantë të kryerjes së dënimit.

VËRTETOJNË

SHEFI I SEKTORIT TË PUNËVE
TË BRENDSHME

Nënshkrimi: Nijazi Maloku

Nënshkrimet:

1.      Sadri Doçi

2.      G. Sharanoviç

3.      L. Matroni

 

Gjykata e Qarkut në Shkup (janar/shkurt 1947) dënoi:

 

1) Azem Idriz Morana, pushkatim,

2) Hysni Muharrem Rudi, pushkatim,

3) Mehmet Nezir Bushi, pushkatim,

4) Qemal Ali Skënderi, pushkatim, i shndërrohet në 20 vjet burg të rëndë,

5) Hasan Bilalli, 20 vjet,

6) Dr. Qeram Zllatku, 20 vjet,

7) Mitat Tërshana, 18 vjet,

8) Gjemail Fazli Kasemi, 15 vjet,

9) Mexhid Haki Zyberi, 10 vjet

10) Jonuz Balla, 8 vjet,

11) Mahmut Dumani, 4 vjet,

12) Spiro Harilla, 3 vjet.

 

 

…Pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor publik në ditët 22, (Prokurori pub­lik për Kosovë Ali Shukrija lexon Aktakuzën) 23, 24, 25, 26 dhe 27 prill 1947, aktakuza kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallën fajtorë dhe të gjykohen me dënime të merituara…

…

1. Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 30 prill 1947 dënoi:

 

1) Ukë Sadikun, me vdekje-pushkatim,

2)  Ajet Gërgurin, me vdekje-pushkatim,

3)  Gjon Serreqin, me vdekje-pushkatim,

4) Osman Bunjakun, me vdekje-pushkatim,

5)  Hilmi Zariqi, me vdekje-pushkatim, por dënimi i shndërrohet në 20 vjet burg të rëndë,

6)  Zhukë Haxhia (1885), me 20 vjet burg,

7) Din Hoxha, me 15 vjet burg,

8) Abdullah Musliu, me 10 vjet burg,

9) Ali Riza, me 10 vjet burg,

10) Hamit Emini, me 7 vjet burg.

 

2. Të gjithë të dënuarit  t’i paguajnë shpenzimet sipas llogarisë që do të paraqitet ndërsa Ukë Sadiku dhe Osman Bunjaku t’i paguajnë shpenzimet për dëshmitarët: Nezir Baliu nga Gjurgjeviku, Mateja Simiq nga Rahoveci, Dimitrije Gërkoviq nga Rahoveci, Jevta Jeriq nga Opterusha, Stevan Bllagojeviq nga Ognjishta, Nedi Dizdareviq nga Dërniku, Hajrush Dragusha nga Rahoveci, Nezir Aliu nga Samadrexha, Bajram Rexhepi nga Smrekovnica, Fejzullah Shabani nga Gumnishta, Sahit Hamdiu nga Bradashi, Nebih Smajli nga Bradashi, Marko Sllavkoviq nga Samadrexha, të gjithëve nga 200 (dyqind) dinarë.

 

T’i paguajnë shpenzimet e ek­ze­kutimit sipas kostos së tyre.

 

… Gazeta “Rilindja” që botohej në Prishtinë, më 30 mars 1947 paralajmëronte: “Në vigjilje të dënimeve të organizatorëve të bandave ba­llis­te…” paralajmëronte gjykimin prej 22-27 të grupit të Ajet Gërgurit etj. Ndërkaq, “Ri­lindja” e dt. 1 maj 1947 me autor Asllan Fazliu, boton shkrimin “Mbështetjen kryesore për krimet e veta e kanë pasur tek çetnikët, monarko-fashistët grekë dhe reaksioni i jashtëm”. (Cituar nga Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare…, f. 164-165).

…

 

PROCESVERBALI

 

I EKZEKUTIMIT TË DËNIMIT ME VDEKJE NDAJ TË TË DËNUARVE: UKË SADIKU, AJET GËRGURI, GJON SERREQI DHE OSMAN BUNJAKU, i përpiluar më 31 gusht 1947, në vend të ngjarjes.

 

Dënimin me vdekje e ka ekzekutuar Seksioni i Punëve të Brendshme pranë K. P. Rr. përmes organeve të Policisë popullore.

 

Në ekzekutim janë të pranishëm:

 

1) Shefi i Seksionit të Punëve të Bre­ndshme pranë K. P. Q., Hashim Mustafa,

2) Nëpunësi i Seksionit të Punëve të Brendshme pranë KAKM, Gllisho Sharanoviq, major, në cilësinë e të deleguarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të R. P.  të Serbisë.

3) Zëvendës prokurori publik për Kosmet, Sadri Doçi,

4) Mjeku i Rrethit, Dr. Vaso Jovanoviq.

4 a. Para ekzekutimit të dënimit me vdekje është konstatuar:

 

1) Se nga Burgu i Qarkut janë sjellë këta të  dënuar: Ukë Sadiku,  babai Sadik dhe nëna Fadile, i lindur më 1903 në fshatin Gjurgjevik i Madh, rrethi i Podrimes, shqiptar, i  besimit islam, shtetas i RP të Shqipërisë; 2) AJET GëRGURI, babai Fazli dhe nëna Mihanja e lindur Selimi, i lindur më 1905 në fshatin Dubofc (Gjytet) KPV Prekaz i rrethit të Drenicës, i martuar, shqiptar, i fesë islame, shtetas i RFPJ-së; 3) GJON SERREQI, babai Gjergj dhe nëna Anica, e lindur Kurti, i lindur më 11 shkurt 1920 në Ferizaj, shqiptar, i  besimit katolik, shtetas i RFPJ-së, dhe 4) OSMAN BUNJAKU,  babai Mustafë dhe nëna Gjylije, i lindur më 1909 në fshatin Samadrexhë, rrethi i Vushtrrisë, i martuar, shqiptar, i besimit islam, shtetas i RP të Shqipërisë.

2) U konstatua se të gjithë personat e lartpërmendur, të cilët janë dënuar me vdekje, pushkatim, nga ana e Gjyqit Popullor të Qarkut, në Prishtinë, me aktgjykimin  P. Nr. 66/47 dt. 30 prill 1947 dhe aktgjykimin e vërtetuar nga ana e Gjykatës Supreme të Republikës Popullore të Serbisë Nr. AP – 989 dt. 3 korrik 1947, sa u përket të lartpërmendurve.

3) Është konstatuar se të gjithë të dënuarit kanë kërkuar nga Presidiumi i Kuvendit  Popullor të RFPJ-së që t’u falët dënimi dhe se Presidiumi i ka refuzuar lutjet e tyre – nuk i ka miratuar – me vendimin e vet Sekret Nr. 3207 dt. 13 gusht 1947.

4) Konstatohet se dje, më 30 gusht 1947, të dënuarve u është kumtuar se nuk janë miratuar lutjet e tyre për t’iu falur dënimi dhe se dënimi me vdekje do të ekzekutohet me pushkatimin e tyre, sikurse parashihet me aktgjykimet gjyqësore, të nesërmen më 31 gusht 1947, prandaj duhet të përgatitën për vdekje.

5) Konstatohet se të gjithë të dënuarit janë të shëndoshë, pran­daj për këtë ose ndonjë aspekt tjetër, nuk ekzistojnë kurrfarë pengesash për të ekzekutuar dënimin me vdekje.

 

Pas kësaj, në vendin e caktuar për ekzekutimin e dënimit me vdekje – pushkatim ka filluar ekzekutimi dhe  këtë e ka kryer një njësi e Policisë popullore, e  komanduar nga një prej eprorëve të ulët, me të shtënë nga pushkët, njëkohësisht kundër të gjithë të dënuarve, pasi që më parë i kishin  rreshtuar skaj një varri të përbashkët të gropuar më herët.

 

Mjeku, në praninë e të lartpërmendurve, ka konstatuar se të gjithë të pushkatuarit kanë vdekur menjëherë dhe janë varrosur menjëherë aty.

Pushkatimi është ekzekutuar saktësisht në orën 3, pa praninë e publikut.

 

Për ekzekutimin e dënimit të njoftohen ata që duhet, në pajtim me Udhëzimin e përkohshëm për ekzekutimin e dënimeve.

 

VËRTETOJNË:

 

Shefi i Seksionit të Punëve të Brendshme

 

Hashim Mustafa (Nënshkrimi në shqip)

Nënshkrimet:

1. Glligorije Sharanoviq

2. Sadri Doçi

3. Dr. Vaso Jovanoviq

 

Krimet e komunizmit:

Konkluzionet kryesore të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare  të Këshillit të Evropës:

 

1) Asambleja Parlamentare konkludon se të gjitha regjimet komuniste totalitare të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore në vendet e Evropës Lindore e Qendrore, dhe qe ekzistojnë aktualisht edhe në disa vende të ndryshme të botës, janë karakterizuar pa përjashtim nga dhunime masive të të drejtave të njeriut.

2) Nga raporti rezulton se nuk ka asnjë dyshim se të gjitha krimet e kryera prej regjimeve komuniste janë justifikuar në emër të teorisë së luftës së klasave dhe parimeve të diktaturës së proletariatit.

3) Asambleja Parlamentare ka bërë kujdes për të evidentuar dallimin e qartë mes partive komuniste lindore me partitë komuniste të Evropës Perëndimore, duke pranuar për këto të fundit të kenë dhënë kontribut në ndërtimin e demokracisë në vendet e tyre.

4) Asambleja Parlamentare sugjeron që synimi kryesor i këtij debati të lidhet me ndërgjegjësimin në nivel ndërkombëtar të publikut për krimet e kryera nga regjimet totalitare në të kaluarën me qellim që të evitohet çdo tentativë për përsëritjen qoftë edhe të elementeve të tyre në të ardhmen, në kuptimin që një pozicion i qartë i bashkësisë ndërkombëtare për të kaluarën mund të shërbejë si një referencë për të ardhmen.

5) Asambleja Parlamen­tare gjithashtu shpreh mirë­njohje të thellë dhe respekt për vuajtjet, sakrificat e të gjitha viktimave të regjimeve komuniste, si dhe të familjeve të tyre, duke bërë homazhe në funksion të riparimit të tyre moral.

6) Asambleja Parlamentare po ashtu bën thirrje për kujdes, duke qartësuar se bëhet fjalë për dënimin e krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste dhe nuk bëhet fjalë aspak për të dënuar një vend konkret, ndërkohë që në të gjitha vendet ish-komuniste, në nivele e intensitete të ndryshme janë kryer krime masive.

7) Me besimin e plotë për rëndësinë e këtij debati, Asambleja shpreh besimin dhe njëkohësisht bën sugjerimin se zhvillimi i një debati racional në nivel nacional, jo vetëm politikisht nga parlamentet, do të shërbente për arritjen e një pajtimi dhe mirëkuptimi solid të bazuar mbi të vërtetat historike, i cili po ashtu do të ndihmonte në kuptimin dhe shkrimin e historisë së vërtetë.

Filed Under: Analiza Tagged With: komunistet midis nesh, krimet e komunizmit, kur do te denohen, Skender Blakaj

Armët kimike nga Siria e largët…

November 9, 2013 by dgreca

Nga Zaim Kuçi /      

 Shumë vite më parë Gjenerali MacArthur do të shkruante për Amerikën shumë miljonëshe «Unë jam i shqetësuar për sigurinë e kombit të madh, jo aq shumë për shkak të ndonjë çështje nga jashtë por për shkak të forcave tinëzare që punojnë nga brenda ».

Në se vlerësohen konfliktet e sotme të kudondodhura në botë, ato kanë për bazë dhe vijnë nga shkaktarët e kësaj dhënie të shumë viteve më parë.

Le t’i kthehemi problemit të armëve kimike siriane që ka përfshirë tashmë politikën globale për shkatërrimin e tyre.

Tashmë është hedhur në tavolinë shkatërrimi i tyre jashtë territorit sirian, kjo vetëm për masa sigurie dhe është projektuar një nga shtetet “bamirëse” për këtë operacion dhe RSH me motivacionin se RSH mbështet gjitthmonë aleatin e saj strategjik SHBA dhe duke i shtuar dhe opinionit se ka experience për të bërë këtë operacion. Personalisht, mbetëm vërtet në të parën opsion, të ruajmë aleatin tonë strategjik, por….

Në këtë situatë diskutimesh shtrohet pyetja, a ka skenarë të tjerë për të kryer këtë operacion luftarak?

Për një hapësirë diskutimi, sjell si fakt se, e përgjithshmja e shteteve është se armët kimike janë pjesë të kompletit luftarak të forcave të armatosura, madje me sasi dhe fuqi më të mëdha se këto të Sirisë. Shtrohet pyetja, cili organizëm sigurie botërore do të sigurojë që nesër nuk do të ketë lëvizje popullore në ndonjë shtet tjetër siç po ndodh në Siri? Dhe se, këto armë kimike të këtyre shteteve prapë do kërkojnë terren jashtë kufijve të tyre? A do të ketë zgjidhje të paramenduar nga organizmat botërorë të sigurisë për këtë problem global?

Nesër mund t’i vijë radha dhe Koresë së Veriut, e cila udhëhiqet nga një diktator që kërcënon hapur superfuqinë, SHBA me deklarata absurde për përdorimin e këtyre armeve madje më të rrezikshme se ato siriane (nuklerare). Ky vend është tejvarfëruar dhe nuk është çudi që të ketë edhe lëvizje të tilla të brendshme. Po nuklearet iraniane… po Egjypti i trazuar… e të tjera shtete që janë të tejngopur me armë kimike dhe janë në konflikte të brendshme? Në botë ka zhvillime, paqëndrueshmëri, pasiguri që padyshim kërkojnë angazhimin e organizmave botërore të sigurisë të veprojnë duke parashikuar shmangien për përdorim të lëndeve kimike me ligje imponuese për shtetet bartëse të këtyre armëve që mund të përfshihen nesër në konflikt.

Le të vlerësojmë situatën në konfliktin sirian. Për më shumë se dy vjet në këtë vend ka një luftë të tmerrshme, kaotike dhe e dhunshme. Kuptohet se depot e këtyre armëve janë po në këtë vatër lufte që prej dy vjet. Aq sa jam në dijeni, as dhe një armë kimike nuk është tentuar të përdoret nga forcat të opozitës apo rebele. Atmosfera e helmuar është vepruese, vdekjeprurëse, si për forcat e regjimit dhe për ata që kërkojnë ta rrëzojnë atë, por dhe për terroristët. Është ky argument i mosprekjes të tyre. Është konstatuar se këto armë janë përdorur vetëm nga regjimi dhe jo nga forcat e tjera. Në situatën “sot” largimi i këtyre armëve nga toka siriane do të organizohet nga përdoruesi i këtyre armëve, presidenti i sirianëve, me argumentin mungesë “sigurie” në vendin e tij, që kupton ka kohë për veprim më të arsyeshëm.

 

Në analizë të situatës shtrohet pyetja a ka alternativë për një shkatërrim të armëve kimike në territorin sirian? Sipas meje është e mundshme, madje do të thoja më e pranueshme, më pak e rrezikshme dhe më pak e kushtueshme.

Në mbështetje të opsionit të shkatërrimit të armëve kimike në territorin sirian, le të analizojmë situatën ashtu siç është. Fakti që këto armë nuk kanë qënë target për “luftëtarët” e dy palëve por janë përdorur me urdhër dhe se ato janë ruajtur me forca të shtetit sirian, sigurisht në situatë edhe më të vështirë dhe për më keq këto forca ruajtëse nuk kanë ose nuk janë të kompletuara me mjete mbrojtëse të nivelit të lartë. Kjo eksperiencë e deritanishme të afron opsionin se këto armë mund të vazhdojnë të ruhen në këtë territor, të demontohen, të groposen aty duke rritur dhe rivlerësuar masat e sigurisë në zonën e veprimit, të përforcuara me armatim dhe logjistikë të sofistikuar. E rëndësishme është marrja e vendimit për shkatërrim të tyre.

Faktori kohë për stabilizimin e situatës. Organizmat ndërkombëtare po bëjmë përpjekje që kjo situatë të marrë fund, për më tepër të dy palët janë të konsumuara dhe të tejlodhura, duket se po kërkohen rrugë negociata, aq më tepër që kemi të bejmë me një konflikt të brendshëm dhe se nuk do të jetë vonë zgjidhja siriane.  Koha për të shkatërruar këtë arsenal llogaritet dhe dy vjet. Në rastin e shkatërrimit në Siri, atëherë le të pritet ndoshta deri në një përmirësim apo stabilizim të situatës dhe më pas të fillojë demontimi.

Faktori terren. A ka mundësi që Siria të bëjë këtë operacion? Sigurisht që po. Hapësira siriane është shumë herë më e madhe se sa e shteteve që mendohen të futen në këtë rrezik të shtuar. Në Siri gjenden territore periferike që nuk janë përfshirë në luftën civile.

Faktori transport strategjik. A është parashikuar që, gjatë transportit të tyre mund të ketë aksidente të vet karakterit të natyrës dhe teknike si gjatë fluturimit dhe navigimit dhe kush do të mbajë përgjegjësi për viktimat e pafajshëm të këtij aksidenti qoftë dhe të pavullnetshëm.

I ashtu vlerësuari Faktori ekonomi. Me një Siri të shkatërruar nuk do të ishte më mirë që vet sirianët të angazhoheshin në këtë operacion për përfitime ekonomike (siç gjoja për vendin tonë jepet opsion se fitojmë ekonomi).

 

Si mund të realizohet Skenari i shkatërrimit të armëve në Siri.

 

Do ta dëshiroja dakordësine e shteteve elitë apo dhe të organizmave të sigurisë për një transportim, magazinim, demontim dhe ruajtje të armëve kimike në vende të sigurisë brenda territorit sirian me forca dhe mjete të këtyre shteteve dhe ato siriane.

Në se në Irak, Afganistan dhe në vende të tjera u përdorën mjete të shumta dhe më shumë se 100 mijë trupa, në Siri për të kryer këtë operacion nuk duhen më shumë se forcat e një brigade të përforcuar. Forcat e ruajtjes të vendeve kontribuese të këtij objekti do të konsiderohen si forca në luftim, pra do të marrin risk por ato do të jenë më pak të riskuar se forcat luftarake në Mali, Afganistan, Irak etj. Shpallja e zonës, e përcaktuar për këtë objekt si “zonë e ndaluar mbrohet nga OKB” apo ndonjë organizëm tjetër, do të minimizojë veprimet terroriste ndaj kësaj zone. Ruajtja strategjike e këtij objekti të rëndësisë së veçantë e skalionuar, blinduar nuk do të jetë objekt sulmi i terroristëve, me argumentin bindës se tashmë kjo alternativë është e vërtetuar që prej më shumë se dy vjetësh, objekti i të cilit mbrohet  dhe sigurohet vetëm nga forcat siriane.

Për më tepër, për këtë operacion janë parashikuar forca sigurie nga vendet e angazhuara, të cilat do të përdoren për transportimin e armëve kimike jashte territorit sirian si dhe do të organizojnë ruajtjen e objektit në vendin pritës deri në shkatërrimin e tyre. Jam i mendimit se grupet terroriste më lehtë do të veprojnë në ato vende ku do të bëhet depozitimi i tyre se sa në Siri, me arësyetimin se grupi terrorist do të veprojë në gjirin e popullatës, kështu ai bëhet më diskret për të vepruar.

 

 

 

Skenari i shkatërrimit të armëve kimike jashtë territorit sirian

 

A duhet që RSH të bëhet pjesë e këtij skenari? Personalisht mbetëm në atë që përveç se  RSH mbështet gjitthmonë aleatin e saj strategjik SHBA, që jam pro, asgjë nuk e detyron RSH të angazhohet, qoftë ky humanitar (RSH duhet të humbase dhe të sakrifikojë për humanizmin sirian) dhe aq më keq se vlerësohemi se kemi experience për të bërë këtë operacion.

RSH nuk është aspak në pozicionin e favorshëm gjeostrategjik për këtë kontribut të servirur sipas meje aspak nga Nato_ja ku aderojnë 28 vende me ekonomi më tepër të zhvilluar, gjeografikisht më afër se RSH me Sirinë dhe me eksperiencë demontimi më të avancuar se vendi ynë, apo nga një organizëm tjetër sigurie. OKB ligjërisht drejton operacionin. 

Nato-ja ndjek e shqetësuar zhvillimet në Siri por deri tani nuk ka as dhe një angazhim për të ndarë me vendet e saj. Janë organizmat e tjerë në proces vendimarrje. Çështja siriane duket se po kalon më shumë në dakordësinë e superfuqive SHBA-Rusi- Kinë, se sa një çështje organizme sigurie botërore, në këtë dakordësi shtetesh politika shqiptare duhet të mirëpozicionohet, është një mundësi për t’ju shmangur ndoshta një katastrofe të pritshme.

Edhe në se do të vlerësohet një operacion i Nato-s, RSH nuk ndodhet në zonën e mundshme për mbështetje logjistike, është larg vendit të objektit. Janë disa shtete të tjera më pranë objektit si : Itali, Turqi, Greqi, Bullgari, pranë konsiderohet dhe shtete të tjera evropiane si me rrugë detare dhe ato ajrore etj.

Nuk mund të përkrahet inisiativa ruse e cila edhe pse ndodhet gjeografikisht më pranë Sirisë dhe ka hapësira të pafundme, madje dhe të lira dhe eksperiencë të madhe demontimi pasi këto armë janë të prodhimit rus, ia faturon këtë operacion një vendi të vogël si psh vendi ynë.

Për një parapritje edhe të supozuar, RSH i duhet një studim për një vlerësim të propozimit të pritshëm duke përfshirë elementë nga vlerësime strategjike deri në ato rutinë për pritjen, shkatërrimin dhe groposjen e lëndëve kimike.

Në rastin e supozuar sipas meje, procesi i demontimit të këtyre armëve kimike, vlerësuar në sasi dhe në përbërje kimike janë krejt ndryshe nga lëndët helmuese luftarake shqiptare, ato kërkojnë hapësira të mëdha dhe të papopulluar. Në se shikojmë hartën e popullimit të RSH, ajo është e tejngopur e kudopopulluar.

RSH nuk ka më territor të lirë, hapësirë demontimi (për parrezikshmëri duhet 20-30 km hapësirë bosh), civilizim të shoqërisë (rasti Gërdec), varfëri dhe pamjafueshmëri njohurish për këto armë të reja. RSH vlerësohet si një vend ujor, që kupton, rrjeti i burimeve nënujore  është premisë kontaminimi.

Të shprehesh se RSH ka eksperiencë për demontim, kjo është pavertetësi. Po Turqia dhe Italia e të tjera vende, afër këtyre armëve, që kanë ngritur me kohë sisteme demontimi, nuk e kanë fituar eksperiencën e duhur? Armët kimike siriane janë të pas viteve edhe 2000 tepër të rezikshme, shumëllojshme, ndërsa ato shqiptare datojnë pas viteve 60-të me efekte më të dobëta vepruese pasi kishin humbur vetitë kimike, për më tepër specialistët tanë edhe për këto arme u stërvitën nga të huajt.

Shtetet me potenciale radioktive-kimike më të fuqishme, herë herë demontojnë sasi të mëdha të armëve bërthamore, kimike (më të fuqishme se ato siriane) të cilat kanë mbushur vitet në shërbim, pa llogaritur, termocentralet, uzinat të prodhimit kimik, bërthamor/nuclear etj. të cilat dalin nga shërbimi.

Vendet prodhuese dhe poseduese të armëve të dëmtimit në masë, kanë marrë masa të forta sigurie të përhershme në zonat ku kanë prodhuar dhe kanë bërë demontimin e tyre, ato janë apo konsiderohen zona të vdekura për këto shtete.

Do të ishte rast më i pranueshëm që t’u shtohet dhe kjo sasi lëndë kimike siriane, demontimi dhe groposja në këto vende të sigurisë së lartë, ku infrastruktura është e ngritur, moderne dhe e sigurisë së lartë.

Do të shtoja për vendimmarrësit edhe efektin emotiv, psikologjik, opinionin e pasigurisë që tashmë egziston tek ne shqiptarët, pasi pak kohë më parë ne prodhuam një luftë me këtë demontim. Përzgjedhja e largët (RSH), duke kaluar shume shtete aleate, tejmediatizimi nga shtypi më prestigjioz botëror, hezitimi i shteteve që kanë hapësira të mëdha dhe eksperiencë disa herë më shumë se vendi ynë, ka një domethënie që realisht merr përmasa vlerësimi negativ me të drejtë prej shqiptarëve.

Në se aleatëve tanë strategjik u thuhet e verteta se RSH ka vullnetin e mirë por nuk plotëson standardin e kërkuar për pritjen, demontimin dhe ruajtjen e tyre, nuk ka zona të lira për hapësirën e kërkuar, për më tepër kemi tejngopje të ambientit me atë çfarë kemi bërë deri tani. Në këtë rast sinqeriteti ynë do të fitojë respektin e tyre.

“Gjithësesi”, ajo që i duhet kësaj kontrate është studimi racional nga një ekip i përbashkët specialistësh, shqiptarë dhe të Nato_s, për të vlerësuar mjetet tona të demontimit të përdorura në vitin 2007, të dhënat teknike dhe taktike të LHL -ve, me qëllim përcaktimi të venddemontimit dhe parashikimin e pasojave në rast aksidenti të pavullnetshëm apo në ndonjë rast sulmi terrorist ndaj kësaj depoje grumbullimi në vendin tonë (tashmë ne jemi një vend target sulmi i botës islamike për shkak të angazhimeve tona).

RSH konsiderohet si vend islamik dhe si e tillë duhen mirëpeshuar efekshmëria e ketyre armëve, masat e parrezikshmërisë në territorin tonë, groposja e tyre dhe efektet prapavepruese të masës apo lëndës kimike në vitet e ardhshme etj.

Vendimarrësit e RSH (në se u kërkohet) para se të vendosin për të këtë operacion, sipas meje luftarak, duhet të kenë të qartë se praktikisht, teknikisht është një operacion tepër i rrezikshëm deri në kufijtë i pamundur. Ky operacion nuk duhet ngatërruar me atë eksperiencë që ne krijuam gjatë viteve 2007-08,

Ai kërkon një punë dhe ekspertizë ndryshe, hapësirë dhe masa të tjera sigurie, duhen të tjerë specialiste me njohuri të lartë inxhinieriko- kimike- teknike. Vendimarrësit shqiptarë duhet të mirëllogarisin edhe procesin postdemontimit, pasi vëllimi i kërkuar për depozitim i mbetjeve duhet të jetë 2-3 herë më i madh se ai fillestar.

Ky arsenal kërkon të tjera procese pune, hapësirë demontimi ( deri 20 km e më shumë nga zona e populluar), groposje dhe ruajtje të sigurisë së lartë, makineri dhe pajisje të kohës që t’i përgjigjen llojshmërisë dhe rrezikshmërisë së lartë të tyre, ajo që mbetet problem shqetësues është aparatura filtruese dhe përgjegjësia për filtrimin e duhur të ajrit, kjo në aspektin mjete filtrimi modern dhe ndërgjegjësi qytetare. LHL “lozin” në atmosferë.

Më shumë se kaq, RSH duhet të vlerësojë dhe të përcaktojë një kohë zgjatje të konsiderueshme për procesin e shkatërrimit të arsenalit kimik (transport), e cila kthehet dhe kjo një rrezikshmëri e madhe për vendin.

Shqipëria duhet të punojë për një plan veprimi për të marrë një pozicion të ri dominues, të favorshëm gjeostrategjik në rajon, me çmimin “Nobel” që tashmë e kemi marrë pikërisht për natyrën e bukur, kushtet klimaterike, me diversitetin e terrenit, me detet, liqenet, lumenjtë, kështjellat e bukura, duke i shtuar mikpritjes shqiptare që do të thithin turrizmin si lëndën e parë strategjike për zhvillimin ekonomik të RSH, të cilat kanë marrë kohët e fundit rrugën e shpresuar. Shtypi elitar botëror ka bërë komente dhe vlerësime të shumta për këto armë, gjë që memoria e njerëzve nuk do të humbasë lehtë opinionin se ky vend është i kontaminuar; edhe ky është një rrezik që duhet vlerësuar.

RSH i duhet e ardhmja e pastër, territori i së cilës ka filluar të pastrohet dhe të ecë.

Tirane, Nentor 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: armet kimike, shqiperia, Siria, Zaim Kuci

A KA VLERË JETA E NJERIUT NË SHQIPËRI?

November 7, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Mediat shqiptare njoftuan për një tragjedi në Pogradec ku 5 të rinjë humbën jetën të asfiksuar në një minierë të asaj zone dhe më vonë u njoftua edhe për një tjetër aksident tragjik ku dy punëtorë humbën gjithashtu jetën në një minierë të Librazhdit, pasi u mbuluan nga dheu mbrenda minierës.Fatkeqsia e Pogradecit bëhet edhe më tragjike, pasi njoftohet se 5 të rinjtë që humbën jetën atje ishin nga mosha 23 deri 28 vjeçare dhe të gjithë kushërinjë të afërm të një trungu familjar.  Të rinjët ishin duke mbledhur skrap në një përpjekje sado të vogël dhe të vështirë për të siguruar kafshatën e bukës madje edhe duke rrezikuar jetën duke u futur nën tokë për të mbijetuar në një gjëndje jashtzakonisht të vështirë ekonomike.

Këjo, natyrisht, është një tragjedi e madhe për familjet e këtyre të rinjve dhe thellësisht tronditëse për çdo shqiptar kudo, ama reagimet e para të politikës shqiptare në lidhje me këtë humbje, janë një tragjedi tjetër për shoqërinë shqiptare.  Reagimet ishin të shpejta, por siç e kanë bërë traditë, shumica qeveritare dhe pakica në opozitë, në vend që së bashku të punojnë për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen, drejtuan menjëherë gishtin akuzues ndaj njëra tjetrës.  Kryeministri i ri Z. Edi Rama deklaroi në parlamentin shqiptar se, “5 të rinjtë humbën jetën në tentativë për të shpëtuar nga varfëria,  të cilën nuk e solli kjo mazhorancë, por qeveria e mëparshme”.   Ndërkohë që akuzoi qeverinë e ish-Kryeministrit Berisha se, “Paratë e bukës së gojës i keni harxhuar të tëra ju, duke i bërë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit.   Duhet të ulni kokën” shtoi ai, “sepse i keni bërë grosh dhe pilaf ushqimet që i duhen njerëzve në rast fatkeqësie,” u shpreh Kryeministri shqiptar duke reaguar në lidhje me humbjen e jetës së 5 të rinjve në një minjerë afër Pogradecit.

Ndërsa opozita demokrate në reagimin e parë për shtyp, nepërmjet zëdhënses së saj Laura Vorpsi u shpreh se, “Partia Demokrate akuzon qeverinë si përgjegjëse direkte për këtë humbje të rëndë të jetës së këtyre të rinjve.”  Zëdhënsja e demokratëve shtoi në deklaratën e saj për shtypin se, “Të gjithë e mbajnë mend, se Edi Rama hidhte valle sa herë që ndodhte ndonjë incident në minierat tona, dhe të gjithë e kujtojmë se Edi Rama ka premtuar siguri në miniera”, u shpreh ajo.

Megjithëse tragjedi të tilla si këjo në Pogradec duhej të preknin thellë politikën dhe shoqërinë shqiptare,  shihet se, ashtu si edhe në të kaluarën, as kësaj radhe nuk ka as vullnet dhe asnjë përpjekje të përbashkët nga politika shqiptare për të mbrojtur jetën e qytetarëve nga tragjedi të tilla,  megjithëse këjo është detyra numër një e çdo  pushteti qeveritar dhe shtetëror.  Të gjithë e kufizojnë angazhimin e tyre,  vetëm duke akuzuar njëri tjetrin për përgjegjësi dhe njëkohësisht  duke bërë thirrje që “përgjegjësit”, cilëtdo qofshin ata, të shkojnë para gjyqit.   Për të evituar tragjedi si këjo në Pogradec, çdo qeveri e ka për detyrë të bëjë ç’mos që të krijojë dhe të zhvillojë një rend ekonomik i cili plotëson nevojat bazë të mbijetesës së qytetarve të saj, pasi ekonomia afekton drejtë për së drejti jetesën dhe mënyrat për sigurimin e bukës, madje duke rrezikuar edhe jetën për sigurimin e kafshatës së gojës.

Siguria e jetës së qytetarëve pa dallim — qoftë nga rreziqet e mbrendshme ose të jashtëme — është përgjegjësia numër një e çdo qeverie dhe këjo duhet të realizohet në bazë të disa parimeve bazë të pranuara nga të gjithë.   Shkrimtari i njohur romak Publius Sirius ka thënë se, “vlera e diçkaje është ajo që je i gatëshëm të paguash për të.”  Atëherë, si matet vlera e jetës së një njeriu në Shqipëri?  A vendos qeveria, shteti apo shoqëria se cila është vlera e jetës së këtyre pesë të rinjve që humbën jetën nën tokë në Pogradec  dhe dy të tjerëve në Librazhd?   Apo e atyre që humbën jetën në Gërdec, dhe shumë e shumë raste të tjera, përfshirë përgjakjen e rrugëve nga aksidentet automobilistike, anë e mbanë vendit.   Kur shteti, përgjegjësia e të cilit është mbrojtja e jetës së çdo personi, nuk merr masat e nevojshme për sigurinë e jetës së çdo individi duke parandaluar tragjedi si këjo në Pogradec, atëherë arrihet në përfundimin se qeveria dhe shteti nuk mendojnë se jeta e këtyre të rinjve mund kishte ndonjë vlerë që meritonte ndërhyrjen e shtetit për tu mbrojtur. Fatkeqsisht,  mos respektimi ndaj vlerës së jetës së njeriut  është një trashëgimi e sistemit komunist, kur jeta e personit nuk vlente pesë pare.   Ndërkohë që shoqëria dhe qeveritë e këtyre 20-viteve të fundit,  me mos angazhimin e tyre serioz në mbrojtje të jetës së individit nga katastrofat dhe tragjeditë e ndryshme — kanë bërë të qartë se vlera e jetës së shqiptarit, në mbështetje të së cilës ato kanë qenë gati të bëjnë diçka –historikisht ka qenë, asgjë. Njëra prej të vërtetave të ekzistencës tonë në këtë botë është se njeriu dhe qeveritë kanë detyrime morale ndaj njëri tjetrit.Një prej këtyre detyrimeve morale themelore të qeverisë është siguria e jetës së qytetarëve, mbi të cilët ajo ushtron pushtetin e saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: a ka vlere, Frank shkreli, jeta e njeriut, ne Shqiperi

Rezoluta e Idrizit dhe vizita e Papuliasit

November 7, 2013 by dgreca

NGA ARTUR ZHEJI/

Më në fund, edhe Presidenti karizmatik helen, Papulias, ashtu si ministri i Jashtëm ca ditë më parë, dëgjoi dhe preku një realitet të ri të qasjes së autoriteteve shqiptare.
Një qasje e bazuar mbi interesat kombëtare dhe mbi të drejtën ndërkombëtare, e cila qëndron në themel të politikës së jashtme të një vendi.
Ndonëse Papulias, që në ndërtimin e axhendës së vet, duke takuar të parët hirësinë e tij kryepeshkopin Janullatos dhe kryetarin e PBDNJ, nënkryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, u përpoq të jepte mesazhin e vet preferencial, sipas një metodike të vjetër, sërish mund të themi se, përtej urtësisë dhe thinjave të tij të fisme, vizita presidenciale helene u “ndesh” me një realitet solid dhe të harmonizuar të palës shqiptare.
Ky realitet, pra, ka të bëjë me një korsi preferenciale të axhendave të politikës së jashtme shqiptare. Me ekzistencën, pra, edhe të çështjes çame, rreptësisht e injoruar nga pala greke në çdo nivel, si dhe me rrjedhimet që burojnë prej saj. Si parakusht për një marrëdhënie të sinqertë dhe të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë ndërmjet dy shteteve.
Dhe ky pa dyshim është një hap i ri dhe i rëndësishëm në kronikën e politikës sonë të jashtme shqiptare.
Presidenti shqiptar, Bujar Nishani, me kthjelltësi dhe me sintaksë perfekte politike dhe juridike, artikuloi me vendosmëri dhe i patrazuar ngërçin që mundon prej vitesh marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Domosdoshmërinë e shfuqizimit të Ligjit të Luftës, që mbetet në fuqi, thjesht e tinëzisht për të mbajtur nën sekuestro konservative të “përjetshme’ pronat e çamëve. E pra edhe një herë, e me këtë rast, u nënvizua nga kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani, që “ngrohja” e marrëdhënieve shqiptaro-greke, ndonëse askush nuk e di që qenkëshin veçanërisht të ftohura, mision ky i cituar të ishte dhe qëllimi kryesor i misionit të z. Papulias, kjo ngrohje pra, nuk buron më thjesht nga fjalët dhe buzëqeshjet, por nga interesat dhe nga vendosja e Drejtësisë së Drejtë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Fjalët e ngrohta dhe sasia e buzëqeshjeve apo shpatullrrahjes miqësore është miqësi gjestuale. Shtetet mbështeten mbi miqësi substanciale. Mbi themele të drejta, të vetmet themele të qëndrueshme.
Karizma e padyshimtë e Presidentit Papulias ndeshi në racionalitetin e Nishanit, e më pas të të gjitha autoriteteve që ai takoi.
Jo vetëm kaq, por Nishani dhe më pas edhe lideri i opozitës, Basha, kërkuan, ndoshta për herë të parë në publik dhe praninë e një autoriteti kaq të lartë, “ndikimin” e z. President të Greqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Njohje e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme për shqiptarët.
Pra, ka rënë një tabu e rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, pala shqiptare nuk flet më me fjalë të rrumbullakosura e vezake, me drojën se mos na mërziten fqinjët, për borxhet dhe detyrimet, që ata, fqinjët, na kanë.
Se mos mërziten pra, ata, vëllezërit jugorë, që mbajnë, përkrah Traktatit të Miqësisë ndërmjet dy vendeve, edhe Ligjin e Luftës me Shqipërinë. E që nuk njohin në mënyrë arbitrare pronat e shqiptarëve, mbështetur pikërisht në rrjedhojat e këtij Ligji Lufte, që nuk njohin Kosovën, “nuk dihet se përse” dhe që nuk kënaqen kurrë dhe asnjëherë me standardet e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Pavarësisht se përfaqësuesi i tyre politik e minoritar, Vangjel Dule, është edhe nënkryetar Kuvendi.
Ndonëse Shpëtim Idrizi zgjodhi të ishte në shesh me simpatizantët e tij të shumtë, duke dyshuar që rezoluta çame ndoshta do të mund të anashkalohej, në të vërtetë, beteja e tij politike, e partisë së tij dhe e të gjithë mbështetësve pa parti, të kësaj çështjeje të madhe kombëtare, fitoi edhe në këtë rast vendin që duhej.
Duket pra se në këtë periudhë të tranzicionit shqiptar po fillon gradualisht dhe me hapa normalë një ballafaqim të vërtetash ndërmjet dy vendeve, që të gjithë duam që të jenë dy vende mike.
Edhe Papuliasi, edhe Nishani.
Edhe grekët, edhe shqiptarët, pa dyshim.
Mirëpo kjo miqësi, duke respektuar thelbësisht kuptimin e mbramë të këtij termi dhe jo thjesht formën, ka tashmë edhe një akt tjetër politik mbi tryezë, që ka marrë shumicën e votave të Kuvendit shqiptar, rezolutën e Shpëtim Idrizit. Ose e thënë ndryshe, një rezolutë që formalizon dhe shndërron në ligj një aspiratë kombëtare shumëvjeçare, të cilën PDIU ia doli ta shndërrojë në një dokument zyrtar që duhet zbatuar pashmangshmërisht.
Ndoshta Papuliasi fisnik, ashtu si dhe Venizelosi pak ditë më parë në takimet zyrtare me ministrin Bushati, do ta kenë nënvleftësuar këtë fakt. Ndoshta dikush në Athinë ia ka interpretuar gabimisht miqve helenë se rezoluta çame, pikë thelbësore e së cilës është edhe shfuqizimi i Ligjit të Luftës ndërmjet dy vendeve dhe derivatet e tij, është pra, sipas këtij interpretimi të gabuar, një “fashikull formal” me efekt elektoral. Mirëpo presioni i konsoliduar i shqiptarëve nga njëra anë dhe artikulimi pa ekuivok i Presidentit Nishani, nga ana tjetër, si dhe protesta simbolike dhe e fuqishme e Shpëtim Idrizit, e kthyen vizitën e zotit Papulias në një mision vërtet të vlertë. Madje me shumë vlera, e sidomos për palën shqiptare.
Sepse u fol hapur dhe pa hipokrizi.
Në nivelet më të larta institucionale të të dyja vendeve tona ballkanike, dy anëtare të NATO-s dhe me predispozicion europianist të padyshimtë, u vunë edhe një herë në tryezën e bashkëbisedimeve “ngërçet” tona historike, që me sa duket, në interes të të dyja palëve, është e domosdoshme të zgjidhen.
Sepse sot, dukshëm, pesha negociuese e shqiptarëve është ndjeshëm dhe natyrshëm më e madhe dhe meriton një vëmendje tjetër nga fqinji ynë. Në fund të fundit, për më shumë paqe dhe themele drejtësie flitet dhe asgjë më tepër.
Si dhe për një tabu që helenët duhet ta kapërcejnë. Për të mirën e tyre në radhë të parë.

* E dergoi per Diellin, z. Sali Bollati

Filed Under: Analiza Tagged With: Artur Zheji, Rezoluta e Idrizit, vizita e papuliasit

SALI BERISHA, INSTITUCION I TREFISHTË

November 7, 2013 by dgreca

SHKRUAN: RAMIZ LUSHAJ/

1.

Lideri Sali Berisha duke qënë Sali Berishë dhe për të qëndruar Sali Berishë kreu edhe aktin e dorëheqjes së tij si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë më 26 qershor 2013, tre ditë pas humbjes së kësaj force politike të djathtë në ma të fundmen elektoriadë parlamentare. Ky akt ishte një nga vendimet ma të zgjuara dhe ma të dhimbshme të karierës politike të Sali Berishës të nisur qyshse më 20 maj 1990 me intervistën ndikimtare si (r)evolucion të botuar në gazetën “Drita” të Tiranës.

Sali Berisha po vetlargohej nga drejtimi me sakrifica e sfida i partisë së parë opozitare postkomuniste, i partisë me fytyrë, frymë e veprimtarim perëndimor euro-atlantik drejt Uashingtonit e Brukselit, i partisë të aderuar në EPP, EDU, CDIU.

Sali Berisha i prini si flamurtar misionar politik e kombëtar kësaj partie në përmbysjen e regjimit komunist prej Dhjetorit  ’90, në përballjen me rebelimin komunist më ’97, duke e çue në katër fitore mandatore në qeverisjen e Shqipërisë më 1992, 1996, 2005, 2009; ndërtoi sistemin demokratik  bazuar në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, shtetin ligjor, pronën private dhe ekonominë e lirë të tregut dhe lartngriti zhvillimin ekonomik në shtetin ma diktatorial e ma të prapambetur të Europës.

Sali Berisha po vetlargohej nga kreu i PD që e çoi Shqipërinë dinjitare në integrimet euro-atlantike: antarësimin në KiE, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në BE, antarësimin në NATO, Lëvizjen e Lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësira gjeopolitike të zonës “Shengen”, në prag marrjen finale të statusit të vendit kandidat në BE, etj.

Sali Berisha si lider i dimensioneve të larta e i trashëgimisë së madhe kombëtare e demokratike mirëditi ta lexojnë me dinjitet, mençuri e guxim, me përulësi ndërgjegjësore  mësimin e Sovranit në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Sali Berisha nuk fitoi në 31 marsin 1991 të akullnajës komuniste bolshevike të Enveriadës, por triumfoi më 22 mars 1992, në pranverën e demokracisë shqiptare euro-atlantike. Sali Berisha humbi në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 29 qershor 1997 në kohën gjak e flakë të rebelimit dhe në ato të 24 qershorit 2001 me modelin e shpikur e të shpifur të “dushkut”, por i fitoi dy mandate rradhazi më 3 korrik 2005 dhe më 28 qershor 2009.

Partia e as Statuti i saj nuk po ia kërkonin dorëheqjen liderit të saj. As vet Sali Berisha nuk ndjente lodhje fizike e intelektuale prej moshës 69 vjeçare. Kjo nuk kishte të bënte as me plotësime afatesh kohore të tij në udhëheqje të PD.

Sali Berisha, edhe sot po të ishte në krye të PD formati i tij politik do t’i bante nder kësaj partie. Mirëpo, e bani zgjedhjen e tij: duke u larguar nga kreu i PD, për çka do të mbetet edhe ma i nderuar për kohën e sotme, për angazhimet e tij të tanishme e të pritshme.

Në epokën e sotme dixhitale shqiptare, lideri historik Sali Berisha, shenjoi për herë të parë një rekord të pazakontë. Ka ma shumë fansa në fejsbukun e tij se sa ka votues krejt Partia Demokratike në elektoriadën  2013. Një kuotë të tillë krahasimore nuk e kanë kap asnjë nga liderët e partive lidere: as Edi Rama, as Hashim Thaçi, as Ilir Meta, as Ali Ahmeti, as Isa Mustafa. Dihet se të gjithë fansat e Berishës nuk janë antarësi e PD dhe as vetëm nga Shqipëria Londineze, ndonëse flitet se fejsbuki ka mbi 1.4 milionë përdorues vetëm në Republikën e Shqipërisë.  Mirëpo dritëron edhe fakti tjetër. Kryeministri e kryetari i PD, Sali Berisha, pikërisht në syçelje të 23 qershorit 2013 kishte 575 mijë fansa në fejsbuk, ndërsa tashti, megjithëse katër muaj në opozitë, numëron  733 mijë miq. Një rritje me mbi 158 mijë fansa ma shumë.

Pra, Sali Berisha edhe pas humbjes së thellë elektorale, edhe pas ikjes nga posti i kryeministrit, edhe pas dorëheqjes si kryetar i Partisë Demokratike, ka mbetë prapë Sali Berisha, me miq, autoritet e veprimtari në rritje.

2.

Nëse Sali Berisha do të vazhdonte të qëndronte në krye të Partisë Demokratike edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, atëherë Shqipëria Londineze e Natyrale nuk do të kishte institucionin e trefishtë “Berisha”, si ish-president, si ish-kryeministër, si ish kryetar i PD.

Astenjiherë në historinë politike të shtetit modern shqiptar nuk gjendet një rast i ngjashëm si ky i Sali Berishës, që të jetë njëherash edhe një nga themeltarët e PD më 12 dhjetor 1990 dhe kryetar i saj pothuaj në tri dekada, President i Republikës në dy mandate, kryeministër i Shqipërisë në dy mandate, deputet i Parlamentit të Shqipërisë prej 31 marsit 1991, etj.

Nësë Sali Berisha do ta rihumbte këtë të drejte ligjore të statusit të trefishtë “Berisha” duke qëndruar kryetar i PD-së, kjo do të ishte edhe një humbje e madhe për demokracinë shqiptare, po ma së parit për vet Partinë Demokratike në opozitë.

Realisht, tani, pas elektoriadës parlamentare të fundit, këto tri institucione sëbashku formojnë si një të vetëm  Institucionin “Berisha”, që na ka munguar prej kohësh, që nuk duhet shpërdoruar në ecje, lartësim e ndikim  kombëtar, politik, shoqëror. Patjetër, ky institucion i ri duhet lartësuar nga vet lideri Sali Berisha dhe nga faktorë politik e diplomatik në hapësirat mbarëshqiptare e në botën euro-atlantike.

3.

Pas 24 korrikut 1997 Shqipërisë i mungoi institucioni “Berisha” i ish Presidentit të Republikës, pasi kreu i shtetit Sali Berisha u rikthye kryetar “de jure” i PD, pasi prej saj Presidenti Berisha nuk kishte hequr dorë astenjëherë, sepse ishte ma shumë se antar Kryesie legjitim i saj.

Pothuaj njësoj edhe presidenti i fundit, Bamir Topi, e hupi të drejtën e ngritjes së institucionit “Topi” si ish president, pasi e krijoi dhe po e formaton partinë kurrizthyer FRD (Fryma e Re Demokratike), që sapo filloi patinazh politik majtas. Kuptohet: Topi e ka të drejtë ligjore mbajtjen e këtij statusi, por ia ka zbeh panfund e ia ka tkurr krejtësisht funksioni i tij si lider partiak, veçanarisht luhamat sa djathtas, sa majtas. Presidentët Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, pas përfundimit të mandatit të tyre presidencial, e ngritën ligjërisht institucionin e ish Presidentit të Republikës. Të dy, veçanarisht Moisiu, nuk u banë pjesë aktive politike e partive që i propozuan për këtë detyrë të lartë, të dy ishin të pranishëm e risor në masmedia, në qëndrime të ndryshme kombëtare e politike, me botime memorialistike, etj.

Të tre presidentët e pas daljes së ligjit për Statusin e ish Presidentit të Republikës, Meidani, Moisiu e Topi, nuk i patën kontributet e atributet e sotme të Sali Berishës. Në prill të vitit 1992 Sali Berisha u parazgjodh ma herët e me një votë plebishitare President i Republikës, sikur të ishte krye enkas ndonjë referendum, biles i atillë që vështirë të përseritet në historinë politike shqiptare për shumë kohë. Sali Berisha shkonte President i Republikës nga posti i lartë i të parës parti politike opozitare poskomuniste, ndërsa këta tre presidentë ishin zgjedh nga partitë e tyre në poste dy apo tretësore apo të paangazhuar në forume partiake. Sali Berisha gjatë kryerjes së mandateve të tij presidenciale pati kompetenca të mëdha e të shumta, çka presidentëve pasardhës iu hoqën apo zbehën shumica e tyre, pasi  Fatos Nano ua mori ato  ligjërisht për të rritë fuqinë e tij si kryeministër i Shqipërisë. Sali Berisha i pati dy mandate presidenciale, ku në të dytin u detyrue nga rebelimi ideologjik, politik e ushtarak, për me dhanë dorëheqje më 24 korrik 1997, ndërsa tre presidentëve pasardhës iu mundësia vetëm një mandat presidencial plotor. Gjithashtu, pavarësisht dëshirës politike të ndonjërit, asnjani nga këta ish presidentë nuk mundi të zgjidhej kryetar i partive të cilat ua dhanë mandatin presidencial.

Tufalakimi i të gjitha këtyne atributeve të ish presidentit Berisha dhe kontributet e tij të mapasme i japin fuqi të derisotme Sali Berishës për ta mbajt ende në kambë e dinjitar edhe statusin si ish President i Republikës.

Pas dorëheqjes si President i Republikës statusi si ish presidentit i ndihmoi edhe personalisht Sali Berishës në kryerjen e detyrave si kryetar i Partisë Demokratike dhe në imunitetin diplomatik e politik të tij gjatë qëndrimit në opozitën e vështirë të viteve 1997-2005, po pati ndikimet e veta diplomatike edhe gjatë dy mandateve të tij kryeministrore 2005-2013.

Tani e në ardhmëri, kur Sali Berisha nuk ka funksionin e kryministrit e të liderit partiak, statusi i ish Presidentit të Republikës i shërben ma së shumti Shqipërisë Londineze e Kombit Shqiptar, Partisë Demokratike dhe të djathtës në opozitën e sotme tejet të vështirë. Kjo mvaret shumë edhe nga ndërgjegjia politike e vullneti politik i vet Sali Berishës.

4.

Nëse kryeministri Sali Berisha edhe pas humbjes të 23 qershorit 2013 do të mbante postin e lart politik të kryetarit të PD-së, atëherë pas 15 shtatorit 2015, ditëlargimit të Berishës nga detyra ekzekutive e kryeministrit, nuk do të kishim institucionin legjitim “Berisha” të ish-kryeministrit.

Në historinë e shtetit shqiptar Sali Berisha rekordon si i vetmi rast kur një kryetar partie zgjidhet dy herë President i Republikës (1992-1996, 1996-1997) dhe njëherash, ma pas, edhe kryeministër në dy mandate (2005-2009, 2009-2013).

Asnjë kryeministër, përveç Fatos Nanos, nuk mundi të ngrejnë institucionin e ish kryeministrit, të kenë status institucional si ish kryeministër. Kjo jo dhe aq për pamundësitë e tyre. Aleksandër Meksi, pas dy mandateve jo të plota kryeministrore (1992-1997), iu përkushtue biznesit privat dhe kur iu ba ftesë e iu mbush mendja të hynte në garë politike për deputet në Parlamentin e Shqipërisë në elektoriadën 2005 ai kishte humbë elektoratin e tij të dikurshëm. Bashkim Fino, kryeministri 4 mujor i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar nuk luajti në asnjë legjislaturë e mapasme nga deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pandeli Majko, dy herë kryeministër  (shtator 1998-tetor 1999 dhe shkurt-korrik 2002) gëzoi vetëm statusin moral si  ish kryeministër, pasi u angazhue si ministër i Mbrojtjes (korrik 2002-shtator 2005) kur e majta qeverisëse mbeti në opozitë. Ilir Meta, kryeministër në dy mandate (nëntor 1999-shtator 2001 dhe shtator 2001-shkurt 2002) nuk arriti të ngrejnë institucionin e ish kryeministrit, pasi u zgjodh zv/kryeministër e ministër i Jashtëm (2002-2003) në Qeverinë e rradhës “Nano”, po statusi moral i këtij institucioni i ndihmatoi atij politikisht e publikisht kur dha dorëheqje nga detyra ekzekutive e partiake në PS dhe për ma tepër dhuntive e aftësive të tij politike e prijëtare iu dha fuqi shtytëse e ringritëse kur formoi Lëvizjen Socialiste për Integrim (shtator 2004). Askush si dhe sa Ilir Meta, dy herë kryeministër e tre herë zv/kryeministër, nuk është ma afër një mandati kryeministror në këtë koalicion të majtë qeverisës apo në ndonjë koalicion tjetër të detyruar apo të provokuar prej tij apo të tjerëve. Mjeshtri politik Fatos Nano, pas dorëheqjes si  kryetar i PS më 3 korrik 2005 dhe si kryeministër më 1 shtator 2005, e mbajti si domosdoshmëri të tij politike e jetësore institucionin e ish kryeministrit duke aktkrye deri edhe akrobaci politike të (pa)kushtueshme në karierën e tij, si për thyerje bojkoti më 2007, duel politik, ideologjik e diplomatik me Edi Ramën e Ilir Metën, përballje politike me Sali Berishën, përpjekjet e dyhershme për t’u zgjedh President i Republikës, etj.

Pas 15 shtatorit 2013 Sali Berisha e ngriti menjëherë institucionin e ish kryeministrit, sipas statusit ligjor, duke e kthyer në një institucion tepër aktiv, falë energjive e ambicieve të tij, në saje të përkushtimit e kohës dixhitale, në ecje me të njëjtat valë të kërkesave aktuale të lidershipit euro-atlantik, duke u përballë me realitete politike, kombëtare, sociale, etj. pothuajse çdo ditë e shpeshtas edhe disa herë në ditë. Ma së forti si opozitë e Qeverisë Rama-Meta.

Askush ma tepër e ma mirë se vet  Sali Berisha nuk e ka në dorë këtë institucion për t’ia ruajt ngjyrat kombëtare, për të mos e futur në labirinthe politike të ditës, për të përcjellë prognoza ardhmërie, kulturë qytetare, realitete perspektive, etj. Ky institucion mund të ketë për shembullim modelin amerikan, ndoshta edhe me asistencë të derës politike të Bushëve; të dimensionojë struktura e drejtime të punës, të aplikojë e jetësojë projekte kombëtare, të ngrejnë një fondacion sipas praktikave të presidentëve euro-atlantik, etj.

Ky institucion “Berisha”, institucioni i tij si ish president dhe ish kryeministër i Shqipërisë, me “seli’ (zyra) tek kulla e lart  “ABA Center” në Tiranë, formon një trekandësh të baraslarguar me Presidencën dhe me Kryeministrinë. Kjo nuk është risi dhe as rastësi. Ky institucioni i tanishëm “Berisha” është këndi i tretë i karierës së tij politike, por jo i fundmi.  Nesër, Sali Berisha mund të jenë “këndi 1”- ai i Presidencës, si dikur në fillimet e karierës së tij politike në pozitë. Nuk i dihet politikës shqiptare e ndikimeve ndërkombëtare. Ndoshta, Sali Berisha, rikthehet edhe tek “këndi 2” – ai i Kryeministrit drejt të cilit po ecin edhe Lulzim Basha, edhe Ilir Meta, po ndoshta do të mbetet deri në fund të mandatit 4-vjeçar edhe kryeministri aktual, Edi Rama, që ka nxanë rranjë thellë e po lëshon degë të forta çdo ditë, po betonon klanin e tij politik të prejkohshëm.

5.

Prapë po e ricekim: Dorëheqja e Sali Berishës përban një nder të dyfishtë: edhe për Partinë Demokratike, edhe për vet Sali Berishën – liderin e saj të derisotëm.

Sa ma shumë t’i lëshojë hapësira liderit të ri e ekipit të tij kryesues aq ma shumë e ma mirë do të ecin ky lidership pasardhës. Aq ma shpejt do të ringrihet kjo parti historike, aq ma e shpejtë do të jetë edhe fitorja e saj e pritshme, krejtësisht e mundshme. Sali Berisha nuk është pengesë reale e PD në këtë etapë të re të saj, pavarësisht çka flasin kundërshtarët e tij politik nga llogoret apo gropat e veta. Çështja qëndron kështu: lidershipi i PD të mos ngjajë as në vizion politik e publik si një shqiponjë me dy koka, siç është tek e majta dyshja qeverisëse  Rama-Meta. Ndoshta, kjo parti euro-atlantike, mund të ketë në simbolikën e vet joemblematike elefantin e Partisë Republikane Amerikane, pasi elefanti është një nga katër kafshët ma të zgjuara të tokës, ujit e qiellit. Në këtë rast flasim në kuptimin që një “elefant politik” po ikën nga lidershipi i PD dhe tjetri “elefant politik” po vjen drejt lartësimit si lidership i PD. Në simbolikë, ky krahasim, duhet parë edhe kësisoj: PD duhet të ketë ecjen e elefantit me hap të qëndrueshëm e qëndrestar. Nuk ka nevojë që ta marrin me turravrap lidershipi i PD teksa është duke ecë ngadalë e ngultas, drejtë e qartë si elefanti politik në rrugën e rikthimit të saj në pushtet.

Në Partinë Demokratike vetëm Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 dhe kryetar i Komisionit Nismëtar të PD (përndryshe: kryetari i parë i PD) e mbajti deri edhe pas vdekjes së tij martire për Demokracinë e Kombin statusin e atributin e tij edhe si ish themeltar e kryetar i PD. Kjo u duk qartë edhe në rivarrimin e tij në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit më 12 shtator 2013.  Një tagër të tillë, këtë atribut e status si “ish kryetar i PD”, mund ta mbajnë vetëm Sali Berisha, lideri “de jure” e “de facto” i derisotëm i kësaj partie të djathtë. Dhe kjo iu mundësua vetëm tani pas dorëhehqjes së tij nga kreu i PD.

Gjithkush duhet ta mirëkuptojnë faktin politik e moral se sa të vështirë e ka lidershipi i sotëm Lulzim Basha që në partinë e dy figurave të tilla historike si Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari dhe legjenda e gjallë Sali Berisha të ngrihet menjëherë si lidership i ri në realitete kohore e në vizionin e PD-së e të Shqiptarisë. Përveç kësaj, Lulzim Basha rrugën në PD e ka ma të hapur se Azem Hajdari dhe ma të vështirë se Sali Berisha. Përndryshe, Lulzim Basha e ka profilin e formatin e tij në PD e jashtë saj deri në kancelari euro-atlantike, e ka frymën e imazhin e tij në PD e jashtë saj, e ka historikun e vet në PD nga gjimnazist pjesmarrës në mitinge e protesta të PD në vitet 1990-1991, nga vëzhgues i PD në zgjedhjet e marsit 1992, antar e zëdhenës i saj më 2005, ma i votuari në Këshillin Kombëtar të PD, lideri i saj me mbi 80 për qind të votave të antarësisë, etj. Çështja shtrohet: Lulzim Basha, kryepolitikan i shek. XXI për të PD e aleancën e të djathtës shqiptare, i treti lider faktik në krye të PD, a do të mbetet i treti kryelider i saj edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2015, edhe në dekadën e tretë të këtij shekulli të ri?

Tani ma shumë se kurrë dhe ma mirë se asnjëherë, një lider i përmasave mbarëkombëtare dhe i dimensioneve euro-atlantike si Sali Berisha mundet ta kthejnë në institucion statusin e tij si ish kryetar i PD. Këtë po e kryen në përditmëri. Kjo është një vlerë e madhe për Partinë Demokratike.

Kjo duhet vlerësue nga lidershipi aktual i PD, veçanarisht nga disa figura të saj të promovuara si pjesë e legjislativit dhe ekzekutivit shqiptar ndër vite. Përndryshe, do të ngjasë si me LDK-në e liderit Ibrahim Rugova në Kosovë, veçse me një ndryshim: në gjallje të vet Sali Berisha do të jetë e bëhet garant i fortë.

6.

Sali Berisha, ky mal politik, ky thesar i PD-së, po shkon drejt largimit përditësor nga kreu i PD-së pa i marrë pjesë kurrkujt, pa i ba hije askujt. Përkundrazi: në malin politik Sali Berisha kanë lisnue e po lisnojnë figura të sotme politike të Partisë Demokratike, me përjashtim të veçantë pjesor si rasti e fenomeni Lulzim Basha që është listue e lisnue si një figurë euro-atlantike e politikës shqiptare qyshse në kohën kur ishte në Kosovë, në struktura të OKB si UNMIK-u apo në grupin themeltar të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës.  Merreni me mend: pas një mali politik të madh si Sali Berisha, sa të vështirë e ka Lulzim Basha të lartësojnë shpejt malin e tij politik në formësim e në rritje politike në ringritjen e PD, në riardhjen në pushtet.

Me Sali Berishën po ngjet si me malet: sa më shumë që na largohen si vizion aq ma madhështor na duken përballë. E pse po ngjet kjo dukuri politike reale?

Lideri Sali Berisha po ecë drejt një starti e stadi të ri politik: po kthehet në Simbol i PD. Kjo është koha ma ideale që PD të ketë një lartësi të tillë, një simbol të tillë.

Kjo ndihet tepër e nevojshme në këtë kohë të riardhjes në pushtet të PS, kur kjo po e rinxjerr në skenë simbolin e saj: Enver Hoxhën. Kjo duket në teori e në praktikë: në struktura të partisë, qeverisë, etj. sepse partia e etërve bolshevikë po bahet e bijëve të tyre socialistë.

Sali Berisha po shkëputet gradualisht nga roli organizativ e ekzekutiv në PD. Edhe po të dojnë vet nuk mund të largohet aq shpejt pasi syri e mendja e figurave politike të PD e antarësisë së saj nuk mund të mësohen me largimin e tij. Gjithashtu, vlerësimi e mirënjohja nga figura politike e nga antarësia e thjeshtë e PD e ofrojnë vazhdimisht në vizion, kujtesë, shembëllime.

Të mësuarit e PD me Sali Berishën si simbol i saj merr kohë. Kjo ka arsyet e veta. Sali Berisha nuk është i keqpërdorur si simbol si Fatos Nano të cilin etërit e 8 nëntorit ’41 e deshën për imazh politik të pluralizmit e tranzicionit, donin ta kthenin në simbol për kohor, por e flakën me kërcenime  jete në vapën e korrikut 2005, dhe, pas dorëheqjes si kryeministër, iku në Vjenë për t’i hapë dritëudhë politike Edi Ramës, të përzgjedhurit si lidership i së majtës. Sot, ndryshe nga Lulzim Basha në PD apo Edi Rama në PS, Ilir Meta është i vetmi politikan që e ka partinë si “hipotekë”politike të tij. Ky e themeloi me autoritetin e tij, e drejton me fuqinë e tij, po nuk mund të jetë simbol i kësaj partie, pasi ende është lider politik, ekzekutiv e organizativ i saj. Sali Berisha në gjallje të vet arriti të bahet simbol i partisë së tij.

PD e ka shembëllimin me simbolet tek partitë e së djathtës historike, si tek Partia Levizja e Legalitetit dhe tek Balli Kombëtar.  Ka tre breza që PLL (OKL) i mban si simbole të saj Mbretin Zog, Mbretin Leka I, Familjen Mbretërore Shqiptare. Ka rreth shtatë dekada që prej vitit 1949, Partia e Ballit Kombëtar e mban si Simbol të saj Mit’hat Bej Frashërin, ish kryetarin e saj, djalin e Abdyl Frashërit. Përndryshe, nistue edhe nga ky fakt, duhet të theksojmë se një nga dobësitë e obligimet e liderit Sali Berisha është e mbetet edhe promovimi politik i pasardhësve të tij dybreznor, ndërkohë që fjala vjen, vajza e tij, gjimnaziste, Argita Berisha (Malltezi), vlerësohet në shtypin e kohës (Zëri i Rinisë) qyshse më 30 qershor 1990 si “një e re me ambicie, njohuri e pasione të mëdha”, ishte ndër të parat e në vitet e para të PD, etj. Nuk flasim për katapultime të tyre, por iu duhet hapur rruga atyre, sepse ka shembuj në Parlament, si tek LSI, si çifti politik emblematik Meta-Kryemadhi.

 

7.

Lideri Sali Berisha përban rastin e vetëm në politikën shqiptare postkomuniste që edhe kohë pas largimit nga detyra e lartë e Presidentit të Republikës të jetë i zgjedhur deputet në Parlamentin e Shqipërisë. As Alia, as Meidani, as Moisiu, as Topi, astenjani nga këta ish-presidentë, për arsye të ndryshme nuk ia mbrrinë të zgjidhen deputetë.

Sali Berisha sivjet e ka thye një tjetër rekord: deputeti ma i vjetër në moshë në Parlamentin e shtatorit 2013. Po ka energjinë dhe vitalitetin e brezit 40-50 vjeçar të liderëve të partive të sotme parlamentare.

Rekordi tjetër i Sali Berishës. Vet i pesti, me Gramoz Ruçin, Kastriot Islamin, Namik Doklen e Ilir Metën janë deputetët ma jetëgjatë të Parlamentit Shqiptar, të zgjedhur në ma shumë legjislatura. Berisha, nga marsi i vitit 1991 ka pasë vetëm një shkëputje rikthyese, kur u zgjodh President i Republikës (9 prill 1992-24 korrik 1997).

I katërti rekord i Sali Berishës si ish kryeministër. Në historinë e parlamentit të dekadave të fundit të demokracisë, sëbashku me ish kryeministrat Bashkim Fino, Pandeli Majko e Ilir Meta, kanë mbijetuar mirë e aktiv në jetën parlamentare deri në legjislaturën e fundit. Ndonjëri prej tyre si Ilir Meta u lartangrit në kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Këto katër rekorde të vetme apo të përbashkta të Sali Berishës dhe përballjet e tij të forta në Parlament ndikojnë në opinionin politik e publik. Ndaj, nisur edhe nga ky fakt, e majta në pushtet edhe me vetdashje e djallëzi akuzon për bashkëkryetarësi në drejtimin e Partisë Demokratike, ndërsa tek qytetarë e simpatizantë të PD nganjëherë ka edhe keqkuptime, të cilat do të kapërcehen me kalimin e kohës.

 

8.

Dorëheqja pa lamtumirë e Sali Berishës nga kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë ishte vullnet i lirë politik, kulturë politike e afirmuar prej kohësh në karierën e tij politike e qytetare.  Sali Berisha dha dorëheqje si mjek po mbeti profesor doktor i shkencave mjekësore. Dha dorëheqje si kryetar i PD në pozitë dhe u ba President i Republikës. Dha dorëheqje nga posti i shenjtë i Presidentit dhe u rikthye tek PD, tek partia ku ishte një nga themeltarët historik e prijtarët ma të guximshëm, ma të suksesshëm të tranziocionit të tejzgjatur shqiptar, të demokracisë së re shqiptare. Dha dorëheqje si kryetar i PD e si kryeministër i Shqipërisë, po mbeti e po mbetet ish-President, ish-Kryeministër, ish-kryetar i PD. Një institucion i trefishtë. I pazëvendsueshëm, duan apo s’duan politikanë të ’41-shit, të ’91-shit, të 2013-tës.

Sali Berisha, ky lider epokal, e lexoi në çdo gjuhë e në çdo fjalë humbjen e thellë të 23 qershorit 2013. Po rrallëkush në forume drejtuese të PD po e (ri)lexon kryefund, fjalëpasfjale, dorëheqjen e Sali Berishës të 26 qershorit 2013, e cila do t’iu kujtesoj e përkthej shumë realitete në dimensione kohore nga e shkuara, në të sotmen e drejt të nesërmes.  Fjalathaniet e dorëheqjes së Sali Berishës nuk janë as si Bibël e as si Kuran, po aktdorëheqjen e Sali Berishës asnjë klan apo flamë brenda apo jashtë PD-së e sistemit të sotëm demokratik shqiptar e euro-atlantik nuk mund ta bajnë “kurban”. Akti e teksti i dorëheqjes së Sali Berishës nuk kanë nevojë për  intrigime po për integrime, nuk lypin konspektime po reflektime, nuk duhen si citate, po për hapa politik, nuk ka nevojë për nostalgji e apelime figurash, po për ringritje të PD e lidershipit të saj prijtar Lulzim Basha me ekipin e tij në formësim e formatim afatgjatë.

Diçka duhet kuptue ma qartë: Sali Berisha ishte e mbetet i fuqishëm përderisa ishte themeltar e prijëtar i PD, e cila i dha fuqi Sali Berishës të bahet kryetar i saj, President i Republikës, Kryeministër i Shqipërisë, të ketë sot një institucion të trefishtë: “Institucioni Sali Berisha”. Erdhi një kohë, kjo e fundmja, kur Sali Berisha po e mbante me fuqinë e tij Partinë Demokratike. Dhe shumë herë ia doli mbarë, po jo vazhdimisht e tepër gjatë, sepse shpeshtas PD nuk po i jepte fuqinë e duhur  Sali Berishës dhe as Qeverisë  “Berisha 2”, si në elektoriadën e  23 qershorit 2013.

Timonierit Sali Berisha nuk iu mbyt me fundosje titanike anija politike PD në detin e pastër e të pistë të politikës së sotme shqiptare. Sali Berishën asnjë dallgë e politikës nuk e tejhodhi përtej anijes së tij, nuk e përcolli në brigje përtej politikës së sotme e të nesërme. Ai është në PD me profilin e formatin e tij të madh, me trashëgiminë e tij të vyer. Ai është ende në Kryesinë e PD-së. Ai do të jetë në Këshillin e saj Kombëtar të viteve në vazhdim edhe si ish kryetar i PD-së. Ai është deputet i PD në Parlamentin Shqiptar.  Sali Berisha nuk po ikën nga kjo anije e PD për t’u rikthye me nëndetëse në krye të saj.

Sali Berisha tashma është Simbol i Partisë Demokratike; tashma ka institucionin e tij të trefishtë: ish president, ish kryeminister, ish kryetar i PD; tashma është deputet “senator” i Parlamentit Shqiptar, ma i vjetri në këtë legjislaturë, ma aktivi në të gjitha legjislaturat e tij.

Historia e dekadave të fundit na dëshmon se Parta Demokratike e Dhjetorit ’90 nuk është parti e një dite dhe as e një viti, qoftë ky edhe viti 1997 i rebelimit të armatosur, qoftë ky edhe viti 2013 i mashtrimit elektoral ajzberig e i politikës eksplozive të së majtës.

PD  me kryetar të ri Lulzim Bashën ka një historik që të ban krenar, ka figura e simbole politike si Sali Berisha e Azem Hajdari që i bajnë nder; ka një trashëgimi që e ban të fortë, ka potenciale  e vlera njerëzore që i japin jetë, ka parime të larta, ide të pashterrshme, projekte të mëdha që të japin shpresë e udhë, të bajnë me krahë dinjitar.

Tani Partia Demokratike ka një lidership të ri: Lulzim Bashën, një figurë emblematike kombëtare-shqiptare dhe euro-atlantike, që premton e veprimtaron për një fillim të ri të kësaj partie që bani epokë. Lideri i ri Lulzim Basha tani në përditmëri po e kthen PD në një mazhorancë morale dhe së shpejti edhe në një mazhorancë zyrtare.

Sidoqoftë,  Partia Demokratike me Lidershipin e Ri, në këtë Fillim të Ri, duhet të ruajnë ngjyrat e saj politike e kombëtare, rrënjët e saj politike e kombëtare, lidershipin e saj të derisotëm politik e kombëtar.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Berisha-institucion i trefishte, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 948
  • 949
  • 950
  • 951
  • 952
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT