• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zoti Papulias, Çamëria pret zgjidhje!

November 3, 2013 by dgreca

Nga Tahir Muhedini/

Zoti Karolios Papulias, në një takim të viteve të para të tranzicionit, asokohe në postin e ministrit të jashtëm, duke iu referuar problemit çam, i tha homologut Alfred Serreqi se, “këto janë probleme që duhen ballafaquar pas 20 vjetësh, pasi sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke”.

E pra, sot kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe çështje si ajo e çamëve, e pronave të shqiptarëve, duhen diskutuar dhe çuar drejt zgjidhjes përfundimtare. Edhe shqiptarët nuk janë më ata të vitit 1991: janë anëtarë të NATO-s dhe së shpejti do të bëhen edhe anëtarë të Bashkimit Europian.

Është momenti për reflektim

Kryediplomati grek, zoti Venizellos, gjatë vizitës në Tiranë dhe takimit me homologun shqiptar Bushati, ofroi një qasje jo të drejtë për Çështjen Çame, duke sugjeruar zgjidhjen e çështjes së pronave në mënyrë individuale, nëpërmjet Gjykatës së Strasburgut. Së pari, Çështja Çame nuk është vetëm çështje pronash, ajo është pjesë e një kuadri tërësor të drejtash të dhunuara, përfshi dhe të drejtën e jetës, është çështje e të drejtave të njeriut, që kërkon një zgjidhje kolektive, pra jo vetëm njohje të të drejtave pasurore dhe dëmshpërblimit për pronën e grabitur me dhunë, por dhe riatdhesim të popullsisë së shpërngulur me gjenocid, në bazë të konventave ndërkombëtare. Nuk mund të jetë individuale çështja e dhjetëra mijëra qytetarëve të huaj në territorin e një shteti tjetër. Së dyti, ajo nuk duhet trajtuar vetëm në dimension juridik, sepse nuk është vetëm e tillë. Çështja Çame është çështje politike midis dy vendeve tona, Greqisë dhe Shqipërisë dhe duhet zgjidhur me dialog reciprok politik dhe largpamës, padyshim me praninë e përfaqësuesve të kësaj popullsie. Çështja Çame vjen si rezultat i një qëndrimi absurd të deritanishëm të qeverive greke, por edhe atyre shqiptare, për ta administruar dhe përballuar pa pasione e me realizëm koston politike të zgjidhjes së këtij problemi. Është momenti për reflektime të mëdha si nga shteti i sotëm grek, por dhe ai shqiptar. Është momenti që të merren vendime të guximshme dhe të flaket çdo paragjykim për t’u dhënë fund dilemave dhe përpëlitjeve shpirtërore të dy popujve tanë.

Sikur të mos mjaftonte kjo deklaratë e ministrit Venizelos, vetëm një javë më vonë disa nga diplomatët grekë dhe autoritete të larta greke, në një letër dërguar Kryeministrit Samaras, vazhdojnë ta konsiderojnë si “pjesë të tyre” Jugun e Shqipërisë, që rëndom e cilësojnë “Vorio-Epir”. Ndërkohë që historia provon krejt të kundërtën. Me këto qëndrime shteti dhe qeveria greke po shkojnë më mbrapa akoma sesa paraardhësit e tyre, në fillim të shekullit të 20.

Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe njohës i marrëdhënieve shqiptaro-greke, shpreh keqardhjen time për këto hapa të fundit që do t’i quaja të rrezikshme dhe, duke përfituar nga ky rast, i bëj thirrje z. Papulias të shohë dhe të gjykojë me realizëm Çështjen Çame dhe të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi, si kryetar i një shteti që mbahet si një vend i demokratizuar. Ajo që duhet të jetë konstante e pa zigzage dhe si tipar themelor i marrëdhënieve shqiptaro-greke është dialogu bilateral dhe bashkëpunimi për forcimin e vazhdueshëm të tyre. Në realitet, në sipërfaqe ato duken të mira dhe normale disa raste siç kemi dëgjuar të deklarohet nga disa edhe si të “shkëlqyera”. Nga një vëzhgim i kujdesshëm i historikut të këtyre marrëdhënieve do të konstatohet se këto marrëdhënie, për fat të keq të të dy popujve fqinjë, rezultojnë me zigzage të theksuara, me shumë mosbesim se sa të sinqerta, me skena dhe acarime primitive. Në thellësi ato janë me gropa dhe hone të rrezikshme e akoma të pambyllura, të cilat në momente të caktuara nxjerrin mbi sipërfaqe sulfurin e tyre helmues.

Filoshqiptar apo nacionalist grek?

Zoti Papulias, si personalitet me përvojë të gjatë diplomatike, ka dëshmuar se është nga më të emancipuarit grekë, që kërkon të forcojë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve. Madje, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka dhënë shenja se ka vullnetin të shohë realitetin e ekzistencës së Çështjes Çame. Ai ka pasur fatin të vijë në këtë jetë në një nga fshatrat e Çamërisë. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ka lindur më 1929 në fshatin Voshtina (sot quhet Pogoniani) pranë kufirit me Shqipërinë. Ky fshat ndodhet në krahinën e Çamërisë dhe dikur banohej nga popullsia shqiptare. (Siç dihet në vitet 1913 – 1945 qeveritë greke dëbuan me forcë popullsinë shqiptare nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, qindra bashkëfshatarë të presidentit të sotëm grek u përzunë me dhunë edhe nga fshati i lindjes së tij, Voshtina. Në Voshtinë sipas të dhënave shqiptarët kanë banuar që në shek.XVI, pas përzënies së shqiptarëve myslimanë, në këtë fshat u sollën vlleh dhe “grek” nga Azia e Vogël. Megjithatë, nuk mund të themi se z.Papulias është filoshqiptar. Ai është thjesht një nacionalist grek, që më shumë se pragmatizmin dhe realpolitikën, ka mbështetur deri në fanatizëm interesat greke, shpeshherë të ekzagjeruara dhe pa asnjë bazë historike dhe ligjore. Shpresojmë që në këtë vizitë në Tiranë Presidenti grek të mos jetë një bashkëbisedues i vështirë dhe të ofrojë një qasje dhe këndvështrim realist në marrëdhëniet Shqipëri – Greqi, si dhe në çështje të mbetura pezull, siç është Çështja Çame e cila, siç ka deklaruar ministri ynë i Jashtëm zoti Bushati, tashmë është pjesë e dosjes diplomatike shqiptare.

Ballafaqimi i parë shqiptaro-grek në nivel ekspertësh

Karolos Papulias gjithnjë ka qenë çelësi i zhbllokimeve të marrëdhënieve të krizave të ngrira të politikës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Atij i takon merita se ideoi në fillim të viteve 1980 heqjen e ligjit të gjendjes së Luftës me Shqipërinë, por ky ligj nuk u miratua nga Kuvendi i Greqisë. Tre vjet pas hapjes së Shqipërisë, më 3 maj 1994, në ”Hotelin Eden au Lac” në Zyrih të Zvicrës u zhvillua takimi Serreqi-Papulias, ku u rrok si temë bisedimi edhe Çështja Çame, çka do të shënonte atë që mund të cilësohet si uverturë e “ballafaqimit shqiptaro- grek me Çështjen Çame në nivel ekspertesh”.

Ministri i Jashtëm grek z. Papulias u shpreh se “Për problemin çam dua të bëj një vërejtje…Dua të bëj një diferencim historik. Populli shqiptar dhe minoriteti grek kanë luftuar për çlirimin e Shqipërisë kundër fashizmit dhe nazizmit. Kurse çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë. Unë këtë e di mirë se kam qenë 14 vjeç dhe kam luftuar në ato anë. Ekziston problemi i pronave dhe besoj se e mbani mend se kam thënë që shërbimet e të dyja ministrive të Jashtme të studiojnë këtë problem”. Ministri i Jashtëm shqiptar, z. Serreqi, kundërshtoi këtë opinion që fyente çamët dhe e cilësoi si jo real atë, si një qëndrim që nuk bazohej në realitetin historik të së vërtetës së ngjarjeve. “Nuk e vë në dyshim se ashtu si në radhët e grekëve – replikoi z.Serreqi, …edhe midis çamëve, të cilët gjithashtu luftuan kundra okupatorëve, ka pasur bashkëpunëtorë. Dihet historia. Nga Greqia ikën ata që bashkëpunuan me italianët dhe ata që deshën të vendosnin komunizmin. Tani kanë kaluar të paktën dy gjenerata, është absurd të ngulësh këmbë në mënyrë të tillë, domethënë të përvetësosh teorinë e luftës së klasave të zhvilluar gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Akuza nuk qëndron për të gjithë çamët, por edhe në kohë ajo s’mund të zbatohet. Qëndrimi që mban qeveria greke sot nuk mund të mbahet”.

(Këtu është vendi të bëhet një parantezë: deklaratat e vitit 2008 të historianëve grekë, prezantuar në Universitetin e Pantios në Athinë, me fakte të bazuara nga dokumentet dhe filmime të kohës, dëshmojnë falsitetin e qëndrimit zyrtar grek dhe hedhin dritë mbi pafajësinë e çamëve dhe pohojnë implikimet e minoritetit grek me pushtuesit kundër shqiptarëve).

Por një vit më vonë ndodhi një zhvillim tjetër, i papritur.

Papulias – Serreqi dhe Komisionet e Përbashkëta

Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, më 13-14 mars 1995, Zoti Papulias,  në takim me homologun e tij, z. Alfred Serreqi, pranoi ekzistencën e Çështjes Çame. Me insistim të ministrit shqiptar të Jashtëm, z.Papulias pranoi diskutimin e çështjes së pronave të çamëve në nivel ekspertësh, në kuadër të Komisionit dhe nënkomisioneve të përbashkëta shqiptaro-greke, për trajtimin e problemeve që ekzistonin midis dy vendeve. Nën udhëzimet e dy ministrave të Jashtëm u ngritën këto komisione dhe u realizua takimi i parë në Tiranë i nënkomisionit Juridik dhe Konsullor në nivel ekspertësh, ku u diskutuan pretendimet pasurore të të dyja palëve. Pala shqiptare trajtoi çështjen e zgjidhjes së pretendimeve pasurore të shtetasve shqiptarë të bllokuara nga i ashtuquajturi “ligji i luftës”, për të cilën pala greke pranoi se ka kthyer disa pasuri dhe do të shihte më konkretisht, rast pas rasti, pretendimin e dokumentuar nga ekspertët shqiptarë. Në lidhje me çështjen e pronave të çamëve, si çështje që nuk ka të bëjë aspak me “ligjin e luftës” e që u trajtua nga të dyja palët si pretendim i veçantë, pala greke fillimisht tentoi të acarojë artificialisht situatën, duke u shprehur në kundërshtim me direktivën e dhënë nga dy MJ, se “po të diskutohet për një çështje që nuk ekziston ne mund të tensionojmë marrëdhëniet përsëri”. Pala shqiptare, me gjakftohtësi, nuk ra pre e këtij provokacioni, por me maturi dhe me fakte e dokumente autentike greke e rrëzoi akuzën e përfaqësuesve grekë ndaj çamëve. Për herë të parë në këtë takim është deklaruar përfundimisht se çamët qëndrojnë në historinë e tyre të pafajshëm dhe ndaj tyre ka vetëm akuzë politike. Pasi palës greke iu paraqitën fakte kokëforta, iu kërkua miqësisht një pozicionim i qartë për kthimin e të drejtave pasurore të çamëve për çka u ra dakord për një takim të ardhshëm.

Mos u trembni nga shoqata “Çamëria”

Çuditërisht nuk ka pasur më pas një zhvillim të ri pozitiv në zgjidhjen e një problemi të pranuar nga të dyja palët si ekzistues, por siç dëshmohet edhe sot ka një kthim të rrezikshëm mbrapa në qëndrimin e injorimit dhe vazhdimit të mbulimit të problemit të të drejtave të njeriut me të gjitha përmasat humane të tij, hapa të cilat janë jo të sinqerta dhe nuk ndihmojnë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe dy popujve. Për të sjellë në vëmendjen e opinionit është ngjarja e 1 nëntorit 2005, kur Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, do të takohej me homologun shqiptar, Alfred Moisiu, në Sarandë. Papulias kërkoi që më parë të shkonte në konsullatën e Gjirokastrës, por në hyrje të saj protestues të shoqatës “Çamëria” kishin vendosur parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre. Papulias e interpretoi këtë si një provokim dhe anuloi takimin me Moisiun në Sarandë. Zoti Papulias u detyrua të bëjë kështu një nga gjestet më të paprecedentë, aspak miqësor dhe diplomatik: atë të rikthimit në “mes të rrugës” nga një vizitë e cilësuar miqësore. Papulias ra në kurthin e asaj fryme dhe veprimi grek të njohura si “qarqe apo segmente shoviniste greke”, frymë që ka brejtur dhe po i bren vazhdimisht vlerat e vërteta civilizuese greke dhe ka dëmtuar rëndë miqësinë e vërtetë shqiptaro-greke. Pikërisht kjo frymë projektoi, masakroi dhe dëboi nga vatrat e veta, me dhunë e gjenocid të paparë, shqiptarët e Çamërisë, një nga popullsitë më të vjetra të atyre trojeve.

Nuk kishte asnjë shenjë dhe arsye që z.Papulias ta ndiente veten të pasigurt në Sarandë, ku e prisnin përveç autoriteteve më të larta shqiptare, edhe përfaqësuesit e një populli paqësor, nga më të vuajturit dhe më të diskriminuarit në Europë, çamëve martirë.

Por, siç u komentua nga të gjithë, ajo ishte një ngjarje e inskenuar, që u përdor si pretekst diplomatik, nga ku qarqet shoviniste morën shkas, për të ngritur dhe fajësuar çamët, të cilët propaganda greke menjëherë i cilësoi si ekstremistë.

Z.Papulias ende nuk ka sqaruar nëse ishte frika nga tubimi paqësor që e detyroi të kthehet nga rruga pa mbaruar punë, apo dëshmia e ekzistencës së problemit çam, për të cilin ndoshta në ato moment nuk ka qenë i përgatitur për të dhënë një përgjigje të prerë.

Filozofia çame në marrëdhëniet shqiptaro-greke

Epoka e nisur e integrimit europian, e miqësisë dhe e paqes çon vetvetiu në zgjidhjen e Çështjes Çame. Sa më shpejt që të pranohet kjo, aq më mirë do të jetë për Athinën Zyrtare, por edhe për të dy popujt me lidhje të vjetra historike. Historia ka dëshmuar se shqiptarët e Çamërisë, kanë qenë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në konsolidimin e një shteti grek. Ndaj marrëdhëniet shqiptaro-greke kërkojnë një trajtim tjetër nga ai i deritanishëm.

Tani që është në fuqi edhe një rezolutë për Çështjen Çame, është formësuar një qëndrim zyrtar në politikën e jashtme të shtetit në marrëdhënie me Greqinë, duke u përballuar me të gjitha elementet përbërëse të këtyre marrëdhënieve të trashëguara nga e kaluara e tyre.

Nga ministri ynë i Jashtëm, zoti Bushati, siç e pamë gjatë vizitës së zotit Venizelos, është vënë në dispozicion një formulim preciz dhe korrekt i trajtimit të Çështjes Çame mbi taktikën dhe strategjinë që duhet ndjekur deri në zgjidhjen përfundimtare e plotësuar kjo me dokumente të rëndësishme. Diplomacia shqiptare dalëngadalë po rikonturon dhe pozicionon vetveten për Çështjen Çame dhe po përgatitet seriozisht për ballafaqimin e madh.

Çamëria dhe banorët e saj të lashtë janë gur themeli i pazëvendësueshëm i këtyre marrëdhënieve mijëravjeçare dhe gur themeli që nuk injorohet dot. Koha do të dëshmojë se marrëdhëniet shqiptaro-greke kishin dhe kanë nevojë për ketë kontribut dhe këtë filozofi çame, si një tregues i shkallës së emancipimit të këtyre marrëdhënieve.

Ne 5 deputetët çamë të PDIU-së na pret padyshim një betejë e madhe politike e diplomatike, duke i kërkuar shtetit shqiptar dhe atij grek që përpara se të jenë partnerë në rrugën e integrimit europian, të plotësojnë detyrimin e tyre ndaj çështjes çame. Çamëria pret zgjidh

Filed Under: Analiza Tagged With: cameria pret zgjidhje, Tahir Muhedi, z. Papulias

MONOPOLI I VEPRIMTARISË PLURIPARTITISTE NË POLITIKËN PARAZGJEDHORE

November 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Isuf Bajrami/ Vend i Lekës/

Në Kosovë mund të flitet për pluripartitizëm, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera evropiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur pluripartitizmi politik të mos prezantohej alla kosovarçe.

Pluripartitizmi merr formë në çastin kur me çdo kusht tenton të realizohet dominimi i partitokracistëve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëzohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të titistëve nëpër partitë e “mëdha” të vendit. Disa karakteristika që e dëshmojnë fare mirë këtë janë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen me çdo kusht e kompetencave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike,klanore e familjare; polarizimi i qëllimshëm i politikës. Një nga tiparet universale të pluripartitistëve është edhe monopoli i veprimtarisë së tyre në politikë. Në Kosovë, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive pluripartitiste. Partitë politike nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Tërheqja e partive nga terreni ka pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë tërë hapësirat e jetës sociale. Partitokracistët,rezultojnë kështu,përderisa refuzojnë të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëtojnë se përfaqësojnë legjitimishtë të gjitha instancat shoqërore. Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri më kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të partitokracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë.

Më duhet të them se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive u shndërrua në partitokraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese e centraliste, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Reagensi i partitokracisë identifikohet fillimisht tekpaaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime rrënjësore, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në e së kaluarës. Rrjedhimisht shtrohet pyetja, a i duhen qytetarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri ?!!! Këtu batuta për shkërdhatokracinë e famshme pluri-par–titiste vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë stalinisto-titiste .

Për të përqafuar me optimizëm pluralizmin demokratik, duhet në radhë të parë të sqarohemi nëse pluripartitokracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit stalinisto-titistë, pra nëse nuk është produkt i praktikave socialiste-vetëqeverisëse-titiste në mënyrë shabllone.

Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive nacionale. Në këtë rast mund të thuhej se në “laboratorin Kosovë” po testohet një variant i ri i pluripartitokracisë post totalitare komuniste.

Kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizave të demokracisë së mirëfilltë pluraliste, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalitarizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë shoqërore. Në të kundërtën, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve për të cilën pretendojnë ta përfaqësojnë me qëllim që ta “përmirësojnë”.

Thelbi i sistemit demokratik është qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij,e jo pushteti e monologu. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai mundësia për të abuzuar me të është ma i vogël.

Dialogu është kushti nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre në demokraci. Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lirshëm lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para popullit,para një opinioni publik real, e jo fiktiv apo siç njihet ndryshe publik fantazmë i ardhur nga diku tjetër. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal e praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë të së kaluarës,tashmes dhe të së ardhmes. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdoshmërinë e një publiku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.

Demokracia do të duhej të siguronte disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia do të duhej të siguronte, që shekullarizmi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra,në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ, organ apo parti, askush s’mund të jetë bashkësubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor. Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit-populli. Sikurse ekonomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje për të fituar , ashtu edhe politikanët konkurrojnë për pushtet në “tregjet politike”apo të quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli si në komunizëm.

Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes arsyetimit të aktveprimeve politike.Arsyetimi i aktveprimeve politike në raport me qytetarin është përgjithshmërishtë i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit të përjetshëm. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku, kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (telepolitikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore.

Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjitimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do të duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i akterëve politikë) për të qenë legjitim duhet ,ose do të duhej që vet pushteti të krijon parakushte,ku do të debatohej mbi legjitimen dhe jolegjitimen.

Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që quhet politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimensionit instrumental dhe dimensionit ekspresiv. Dimensioni instrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyrë të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi,që është karakteristikë e politikës së kaluar simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve, etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediat dhe rolin e tyre. Në këtë rast,qytetarët mund të pyesin: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politikë të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra, politika simbolike ,së pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.

Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike,etj.) dhe telepublikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklamës e përdor edhe përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në të njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv të qytetarit. Qytetari, posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së informacionit burimor për nevojën e analizës së tij politike, gjykon në mënyrë adoleshente,fëmijërore. Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe telepolitikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezantuesit e politikës, jo politikbërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërenduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive,e që e tëra akordohet me një telepublik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në tërësi, këto agjenda të bashkërenduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recetë, kod apo plan”hyjnor” që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektualizma, simbole, fraza josubstanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër.

Megjithëkëtë, mund të konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës telepolitikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet përgjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje. Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura,prezantimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipash, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku. Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.

Pra,demokracia e mirëfilltë është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike parademokratike. Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti, ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më e përshtatshme është fushata parazgjedhore.

Vend i Lekës 02 nëntor 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Isuf Bajrami, Monopoli i veprimatrise, pluripartise, politika parazgjedhore

Zgjedhjet Lokale 2013 dhe Urbanizimi i vendbanimeve tona

November 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Ylber Vokshi-Ylli/Prishtine/

 Përfundoi fushata e konkurrences politike për zgjedhjet lokale të vitit 2013. Nga të gjitha subjektet politike premtohen shumë çështje jo reale për funksionimin e një pushteti komunal,posaçërisht në fushën e Planifikimit hapësinor,Urbanizmit dhe Arkitekturës. Gjatë muajit elektoral kishte shumë provokime nga gazetarët dhe moderatorët,me pyetje të ndryshme drejtuar kandidatëve për Kryetar të Komunave. Ishin interesante përgjigjet jo të sakta,shpesh konfuze dhe jo reale të pretendentëve (kandidatëve),nëse komunat do të kishin dokumentet hapësinore të zbatueshme ne të gjitha zonat e tyre.

Janë të kota ato premtime të konkurrentëve komunal të cilat nuk janë të bazuara në plane hapësinore dhe urbane realiste,të punuara në mënyrë profesionale,pasi duke premtuar “ad hoc” projekte të ndryshme e duke u bazuar në premtimet joreale,vetëm krijojnë huti dhe pakënaqësi e madhe të banorët. Për atë është kërkuar,nga ata që e njohin këtë lami,që së pari të përpilohen Planet Zhvillimor Komunal e pastaj Planet Zhvillimor Urbane e Planet tjera Rregulluese Urbane ashtu si janë të definuar shumë mirë në Ligjin e Planifikimit Hapësinor.

Kualiteti i jetës urbane në komunat tona është shumë i varfër,nga mënyra e zhvillimit të qyteteve tona mundësit për një jetë normale janë minimale. Ka shumë deformime urbane nëpër vendbanimet tona ato vërehen dhe preken nga të gjithë ne. Banori i thjeshtë i komunës i ka kërkesat realiste të bazuara në mundësit e Komunave tona. Ai kërkon kushte normale të strehimit,për të jetuar. Është interesant se Komuna nuk investon mjete materiale për obligimet e banimit.

Komunarët shpesh ankohen në mungesën parave në buxhetet komunale për Planifikim hapësinor dhe Urbanizëm,janë këto qëndrime aspak të qëndrueshme pasi thelbi i problemit është menaxhimi (drejtimi) i Komunës. Në esencë është mungesa e përgjegjësisë profesionale dhe asaj ligjore. Kemi raste të shumta që mjetet buxhetore teprojnë (suficit) në fund të vitit,duke mos ditur se çka të bëjnë me mjetet tepricë.

Problematika urbane është e margjinalizuar,as që dihet dhe çmohet rëndësia dhe domosdoja e ekzistimit të këtyre dokumenteve hapësinore,kryesore për funksionimin e një Komune. Edhe atje ku janë punuar ato dokumente as qe ka pasur vullnet dhe interesim politik dhe profesional për t’i zbatuar ato,pasi nuk çmohet rëndësia e tyre nga veprimet e profesionistëve (urbanistëve).Ndryshe si të arsyetohen ndryshimet e planeve ende pa filluar zbatimi i tyre pas aprovimit,                             duke mos respektuar së paku procedurat aktuale ligjore.

Mendohet dhe përfolët se ato munden me qenë vetëm pengesë për vazhdimësinë e abuzimeve shumëvjeçare me hapësirën komunale çka nuk përket me të vërtetën. Interesat e përbashkëta as që trajtohen,vetëm interesat i individuale janë të rëndësishme. Janë bërë keqpërdorime të mëdha me tokën ndërtimore,ka uzurpime të tokës shtetërore e të huaj,ka ndryshime dhe përvetësime të pa imagjinueshme të pronës kadastrale,të gjitha këto janë delikte të rënda të cilat në të ardhmen duhet trajtuar nga organet kompetente shtetërore.

Planet Rregulluese urbane sipas ligjeve aktuale duhej të ishin bazë për dhënien e lejeve ndërtimore, por përpilimi i tyre,ne shumicën e rasteve,nuk është punuar sipas ligjit dhe akteve nënligjore dhe si të tilla nuk i kanë shërbye qëllimit për çka janë paguar para të mëdha.

Kryesorët janë profesionistët ata që kanë “detyruar” banorët e Kosovës të ndërtojnë dhe të blejnë objekte të ndërtuara pa kontroll profesional shtetëror,                        ashtu si veprohet në të gjitha shoqëritë e civilizuara pjesë e të cilës kemi menduar se jemi. Kush i ka ndaluar Komunat të punohet me ligjet e planifikimit dhe ndërtimit,përse nuk veprojnë ato ?. Cili profesionist do të lejonte ndërtim në një hapësirë ku do të dëmtohen edhe ata që janë lejuar të ndërtojnë pa leje. Ma të dëmtuari do të jenë banorët e vjetër të qyteteve tona, është e pa qartë kush do të jetoj në ato objekte pasi as ata nuk do të kenë rehati,që banimi kolektiv në një vendbanim kërkon.

Deri me tani në Kosovë janë “prodhuar” vetëm dokumente hapësinore dhe urbane qe janë pluhurosur në raftet komunale,pasi nuk ishin realiste dhe nuk janë realizuar,si është duke ngjarë me disa plane rregulluese të cilët kanë kushtuar shumë KOHË të humbur,ngjashëm si ka ngjarë më pare gjatë planifikimit centralist – konvencional. Mos respektimi i kohës është shkaktari kryesor i tërë katrahurës urbane në Kosovë,ku interesat individuale janë si duket ende dhe do të jenë më të rëndësishme se ato të përbashkëta.

Në kohen kur në tërë botën preferohet SHKARKIMI i qyteteve si e vetmja mundësi e mbetur për tejkalimin e kaosit urbanistik që i kanoset gati të gjitha metropoleve botërore. Në Kosovë janë propozuar disa koncepte të tejkaluara që vetëm sjellin pasoja të pa riparueshme urbane,si modele plotësisht të tejkaluara,                               si zonat industriale në afërsi të zonave të banimit duke i harruar parqet industriale si njëra prej formave ma të sigurta për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të qyteteve tona.

Është domosdoshmëri të respektohet zhvillimi POLICENTRIK i qyteteve si një prej principeve themelore në planifikimin aktual hapësinor dhe urban në tërë rruzullin tokësor. Kjo nënkupton shkarkimin e qyteteve,por kështu nuk është duke u vepruar. Këto sugjerime nuk merren seriozisht as nga”ekspertët”e planifikimit edhe se ato ishin direktiva ndërkombëtare (ESDP-1999) që duhet respektuar nëse pretendojmë të jemi të barabartë me qytetet tjera Evropiane.

Më duhet theksuar se ajo çka është duke ngjarë në Kosovë nuk ka lidhje me Planifikimin Hapësinor,Urbanizmin dhe Arkitekturën,pasi kjo veprimtari esenciale për një komunë duhet vënë nën kontroll shtetëror e jo të veprohet si deri me tani. Duhen intervenime urbane,legalizime shumë të  dhimbshme,                                                përpilime dhe aprovime të dokumenteve hapësinore si një domosdoshmëri e cila sado-kudo do të kanalizoi problematikën esenciale për funksionimin e një komune.

Jo të ndërtojmë pa kontroll shtetërore,ku elementi i SIGURISË duhej të ishte esencial e jo mos të kemi,qasje te ekipeve shpëtimtare në raste emergjente të zjarreve,vërshimeve,rrëshqitje të dheut apo erërave si ka ngjarë në vitet e fundit. Të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë rrënimet dhe vërshime të ndryshme sa herë të bijën shi apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike.

Qëllimi i komunës duhej të ishte që të gjithë të interesuarit të ndërtojnë me rregulla dhe ligje. Që moti ka kaluar koha kur banorët janë refuzuar me arsyetime banale se “nuk kemi plane”, atëherë ata janë detyruar të ndërtojnë pa leje në shekullin XXI. Metodat e vjetra të planifikimit konvencional me ndalesa janë të tejkaluara,sot bota preferon Planifikimin Hapësinor dhe Urban STRATEGJIK me respektimin e ligjeve në fuqi. Askush nuk ka të drejtë morale që tërë një shoqëri të dërgoi në greminën e një humnere të pa imagjinueshme,duke shikuar vetëm interesat e veta apo të një grupi të caktuar për një kohë të caktuar të cilët për përfitime personale marrin pjesë në këto procese jetike për një shtet.

Prishtinë    arch. Ylber Vokshi-Ylli/arkitekt i pavarur

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Kosove, urbanizimi i vendbanimeve, Ylber Vokshi, Ylber Vokshi-Ylli, zgjedhjet lokale

KY KOALICION QEVERISES DO TE ECIN SI TRAKTORI I PARE SHQIPTAR

November 2, 2013 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/

E majta e riardhun në qeverisje, me pushtete e struktura të saj, iu ka turr opozitës së djathtë tue kangurue me tepri politike e qytetarie: Basha e Berisha–bashkëkryetarë të Partisë Demokratike. Në fakt diçka tjetër po duket ashiqare: mazhoranca e ka hallin e vet. Po i tutet duelit politik mbi 15 vjeçar Rama-Meta. “Kali i Trojës” po iu lodron në thelluta e thepnaja të ortakërisë ajzberige. Patjetër, njani prej të dyve, ndoshta dhe pas një shkrirje aliazhore të natyrshme PS-LSI, ka me ia mbrri shpejt për me u ulë në krye të “llozhës rozë” të pushtetit politik të trefishtë. I pari hap, ma i arritshëm: Rama të bahet ish-kryeministër. Hapi i dytë i të (pa)mundurës është yshtja e Ramës nga kreu i PS. I treti vjen vet: kryetar i aleancës të së majtës shqiptare. Duket se nuk ka tjetër rrugëzgjidhje politike, pasi kësisoj ky koalicion ka me ecë si traktori i parë shqiptar. Përndryshe, lypsen të tjera mejdane politike: zgjedhjet lokale të rradhës më 2015 apo ato të (para)kohshme parlamentare, që do të ndryshojnë raportet e forcave politike dhe priten përgjegjësi e angazhime të reja kombëtare politike.

Kryesocialisti e kryeministri Fatos Nano, disi i pa mëvetësuar plotërisht po i motivuar e i (vet)detyruar pothuaj tërësisht nga kushte e rrethana të (prapa)skenës politike të ditës e të perspektivës, si një mjeshtër i sprovuar i skemave kësodore, iu dha Ilir Metës e Edi Ramës poste ministrore në qeverinë “Nano 4” të 24 prillit 1998. Pavarësisht faktit se kjo qeveri e re vinte pas krizës së qeverisë të maparshmes të 25 korrikut 1997, u syshfaq publikisht sikur u riformatua vetëm për këto dy fytyra politike të reja të ekzekutivit shqiptar, Meta e Rama, pasi emrat e ekipit qeveritar 18 antarësh ishin pothuaj të njëjtit.

Rama dhe Meta ishin qeveritar me fat për karrierën e tyre politike, sepse për gjashtë muaj kontribuan dhe mbijetuan në këtë qeveri të përveçuar si tepër aktive, vorbullnajë enigmatike, autokrate ekstreme, mafioze e ashpër, me laryshi politike, tejet problematike. Njëherash, ishte qeveria që ka prit e përcjellë ma shumë personalitete në historinë e tranzicionit shqiptar, si: Nano, Rama, Meta, K. Islami–ish kryetar i Kuvendit, A. Imami–një ndër themeluesit e PD dhe nënkryetar i PD e kryetar i grupit të saj parlamentar (1990-1992), B. Fino–ish kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (1997), ministri A. Malaj–tashti antar partie jashtë partisë së tij, A. Angjeli–ish ministër i kahershëm i lekut që në qeverinë “Nano 2” (1991) dhe i rikthyem së vonit deputet i Ramës, etj. Në vite të ardhshme (jo)elektorale 6 ministra të kësaj qeverie të majtë u (ri)kthyen tek PD si në aleanca para e pas zgjedhore, antarë ose deputetë e ministra të saj.Kësokohe, Nano me të tijët, i la Metën e Ramën në “bangot e fundit” të qeverisë “Nano 4”, pasi i duheshin ma së forti për frymë e imazh (ndër)kombëtar. Prania e këtyre dy “pëllumbave”politik flatrahapur në këtë qeveri ishte një farë çertifikate e garancie që Fatos Nano të rrinte në krye të pushtetit të trefishtë: ekzekutiv, partiak e atë të koalicionit qeverisës.

Këta dy lider të së ardhmes, nistue në Qeverinë “Majko 1” dhe “Meta 1” dhe veçmas kur Meta rizgjidhjet për së dyti herë rradhazi kryeministër dhe kur Rama u zgjodh për herë të parë kryebashkiak i Tiranës, u kthyen në “skifterë të politikës”, pasi ndaj tyre dhanë ndikimet e veta edhe Lufta e Kosovës (1998-1999), ngjarjet e shtatorit 1998, rivaliteti gjithëfarësh i Nanos për rikthim në krye të ekzekutivit sidomos pasi gjyqësori i dha pafajësi për vitet e burgimit në Bënçë dhe PS e rizgjodhi kryetar të saj në Tiranë, rikthimi konservator e brutal i ish-ëve të PPSH, lufta e hapur e të rinjëve e të vjetërve në qeveri e struktura të larta të PS e të aleatëve të saj, etj.

Mirëpo, Rama e Meta, pos valëve të përplasjeve politike ndërveti, po edhe me të tjerët në PS e jashtë dhe larg saj, të dy mirëditën me ia mbrri të dalin të parët e vendit të shqipeve në elektoriadën e veçantë të qershorit 2013. Sigurisht, Rama dhe Meta, ishin të projektuar, promovuar e faktorizuar qyshse herët për një kohë të tillë të pritshme qeverisjeje të së majtës në Shqipërinë Londineze të shek. XXI.

Këta të dy, Rama e Meta, tashma në këtë mandat të ri qeverisës po bahen “dinosaurë” të rinj të politikës shqiptare.  Po i betonojnë klanet e tyre në politikë. Përplasja e re e tyre është në ardhje të  frikshme e eksplozive para e drejt nesh.

Edhe këta të dy liderë të rinj, Rama e Meta, jo pak personaliteteve politike shqiptare, ndër ta edhe kryesocialistit e kryeministrit Nano, ua dhanë “faturat” politike me veti. Tani, edhe pas 15-viteve, prapë kanë “llogari” politike ndërveti, aqsa gjithandej e shpeshtas edhe jashtë të majtës shtrohet (krye)pyetja e heshtur apo e hapur: Rama apo Meta? Meta apo Rama? Ndaj industria politike e të majtës aleancore produkton për eksport politik drejt të djathtës shqiptare e në instuticione euro-atlantike hamendësime të qëllimta: Basha apo Berisha në krye të PD, edhe pas 26 qershorit 2013 të dorëheqjes së Berishës si kryetar i saj.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: koalicioni imajte, qeverises, Ramiz Lushaj, traktori i pare

KADELIZMI NË PD, PARLAMENT DHE SHOQËRI

November 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ne Foto: Gjovalin Kadeli me ish Kryeministrin dhe Kryetarin e PD, dr. Sali Berisha/

Merkatoja në Parlamentin e Shqipërisë e bëri deputetin e PD Gjovalin Kadeli të shitej rishtas. Është e treta shitje rradhazi. Brenda disa muajsh, ai kaloi nga deputet i PS, tek PD dhe tani tek LSI. Për këto lëvizje kaq energjike sa majtas djathtas e prapë majtas, Kadeli përbën prototipin e trafikut të deputetëve – ose ndryshe fenomenin e kadelizmit, i cili ka depërtuar në çdo qelizë të jetës shqiptare, duke filluar nga PD, Parlamenti dhe shoqëria, që është shit-blerja pa asnjë moral, vetëm me qëllim përfitimi personal.
E nisim nga PD – e cila u dënua nga verdikti i sovranit më 23 qershor sepse e aplikoi pa asnjë limit fenomenin e kadelizmit. Kopje si Kadeli, PD ka të paktën disa deputetë, që përfaqësojnë kahe të ndryshme politike, por e kanë fituar karriken e deputetit me votuesin e PD. Kastriot Islami është një tjetër syresh. Nard Ndoka po ashtu. Koncentruar tek numri dhe aspak tek vlerat, nga PD e 22 marsit 1992 nuk ka mbetur më asnjë shenjë. Tani ka filluar të përjetojë të tatëpjetën, konsekuencat dhe pasojat e makiavelizmit vulgar, se për hir të pushtetit nuk ka asnjë ligj dhe parim që e ndalon. PD jo vetëm që nuk blen më dot deputetë, por as nuk është në gjendje që t’i mbajë as ata që ka blerë dhe as të vetët, sepse merkatoja ka rënë fare, deri aty sa PD nuk e preferon më as skota Kadeli. Degradim, deklin, disfatë quaje si të duash. Pa ideale dhe me fuqi blerëse zero, sepse PD tani s’ka më kolltukë, s’ka më tendera, s’ka më as kredibilitet, s’ka më miq, s’ka më asgjë. Edhe nga këta 40 deputetë që ka de jure, shumica janë pa asnjë lloj kontributi, veç të katapultuar nga ish-lideri historik, të cilit klanet brenda PD-së ia llogarisin edhe blerjen e Kadelit. Edhe Kadeli vetë ashtu thotë për gazetat. „Kisha kontratë me Berishën“! Gallatë e madhe! 
Kadeli nga një ish-deputet mediokër, tashmë është kthyer në një figurë interesante për kryetitujt dhe faqet e para të gazetave e lajmeve të televizioneve të Tiranës. Në fakt, ky është modeli bruto i deputetit të parlamentit të Shqipërisë. Që gdhihet majtas e ngryset djathtas, e pastaj mesnata e gjen në një tjetër parti. Kadeli po përrallis se largimi i tij nga PD tek LSI është kthim në origjinë. Tani problem është origjina e PD-së. Një gjë është e sigurt, se PD e sotme nuk ka lidhje me PD e para 23 viteve, kur populli i besonte dhe kur rreth saj afroheshin figura dhe njerëz me vlera, si Pjetër Arbnori me shokë. PD e sodit e ka kredibilitetin e Kadelit. 
Ndërkohë largimi i Kadelit, i ka kthyer në shurdh-memecë, ata që u tradhtuan më së fundmi prej tij. Heshti edhe ai që e bëri për vete Kadelin përpara disa muajsh. Vetëm kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se „Kadeli iku për interesa vetjake, por nuk e dëmton PDnë“! Nuk ka deklaratë më qesharake se kjo. Ndërsa të tjerët në PD menduan se mbrojtja më e mirë për t’ia bërë vetes së tyre nga Afera Kadeli është rritja e agresivitetit të deklaratave kundër maxhorancës. Berishës i takonte të parit që të bënte një koment. Sepse ai i ka shumë qejf komentet. Kujtoni se me çfarë triumfalizmi folklorik ish-kryeministri do të shpallte deri në Facebook fitoren e votës së blerë të Kadelit. Ja çfarë prodhoi largpamësia e liderit historik. Shiheni vetë se si Kadeli fluturoi nga ish-blerësi tek blerësi i ri dhe kadelizmi është kthyer në sindromën malinje të politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Në muajin prill 2013 Sali Berisha ishte në ekstazë nga blerja e Kadelit, ndërsa tani në fundtetori 2013 hesht. Në fillim prilli Berisha ishte në apoteozë të retorikës, ndërsa tani rastin Kadeli e kalon në retiçensë të plotë. Po ku i shkoi ironia Berishës? Ku i vajtën kalamburet? Sepse largimi i Kadelit meriton një koment prej oratorisë së tij gjëmuese. Koment pritej edhe prej Jozefina Topallit, e cila na pozon rezëllitëse në Facebook nga një zyrë luksoze që posa ia ka dhuruar Ilir Meta. Me meritokraci padyshim! Se e çoi Shkodrën në humbje! Por opinioni publik dëshiron që t‘ia dëgjojë zërin se si zonja Topalli do ta komentojë trafikimin më të freskët të Kadelit, i cili sot është deputet i LSI, me votat e PD-së. E pra, flisni, ku shkoi elokuenca e lidërshipit të PD-së, ku mbetën shpotitë, talljet, rromuzet. Kllouniadat ku mbetën. Apo prapë në sulm për t’u mbrojtur, duke e përçunduar moton e njohur të gjeneralit dhe strategut ushtarak prusian Carl von Clausewitz sipas të cilit “Sulmi është Mbrojtja më e mirë” – “Der Angriff ist die beste Verteidigung.” Carl von Clausawitz ishte shefi i shtabit në luftrat Franko-Prusiane kundër Napoleonit deri në betejën përfundimtare të Waterlosë. Teoria e tij e luftës mbështetej në një moral të pastër, por ajo u shfrytëzua si nga marksistë leninistët deri tek akademitë ushtarake sovjetike. Në kuptimin e von Clausewitz, mbrojtja më e mirë bëhet përmes sulmit, por jo si metodologji ortodokse për t’i dezertuar së vërtetës. Ashtu si vepron sot opozita. Së cilës nuk i skuqet më faqja për asgjë.

Këto ditë Presidenti Obama paraqiti shefin e ri të FBI-së. Në mbi 100 vite histori, Jim Comey është shefi i shtatë i Byrosë Federale Investigative. Në takimin prezantues Obama tha se: “Besnikëria, Trimëria dhe Integriteti që është Motoja e këtij institucioni kaq të rëndësishëm për sigurinë e vendit, ndërkohë që Jim Comey, lideri i ri i saj i jeton në çdo moment të ditës principet e përmendura në moton më lart”.
E pra, në fjalorin e politikës shqiptare nuk ekzistojnë më fjalët, “kompetencë”, “aftësi”, “meritokraci”,”talent”, “besnikëri”, “ndershmëri”, “integritet”. Këto fjalë politika i ka hequr edhe nga falori i gjuhës shqipe, duke ushtruar ndikimin fuqishëm që këto fjalë t’i harrojë se ekzistojnë edhe vetë shqoëria shqiptare e cila po ashtu është infektuar nga kadelizmi. Por kësisoj nuk mund të vazhdohet më. Kadelizmi duhet të izolohet në karantinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, kadelizimi i Parlamentit, PD

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 950
  • 951
  • 952
  • 953
  • 954
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT