• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E MAJTA SHQIPTARE KONSOLIDON LULIN

November 1, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Jemi dëshmitarë të gjithë se qysh e majta shqiptare ka vënë në veprim ekstremin e saj më agresiv për të ndërmarrë një fushatë demonizuese ndaj Lulit, siç po e quaj edhe unë kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, liderin e ri të opozitës së re të Tiranës.

Janë të shumta rastet kur faktorët e jashtëm, qoftë si faktorë objektivë apo subjektivë, respektivisht, pra, joqëllimorë apo qëllimorë kanë ndikim më të madh se faktorët e brendshëm ndaj një dukurie apo ndaj një realiteti të caktuar. Aq më tepër, duke qenë tek rasti konkret, dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është njëherësh faktor i jashtëm dhe faktor i brendshëm për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe anasjelltas. Kjo shpjegohet me rrjedha historike të realitetit të shqiptar, të kristalizuara që nga 8 nëntori 1941.

Faktorët mirëfilli të brendshëm në partinë tashmë opozitare nuk janë dhe nuk kanë për të qenë të aftë që të ndikojnë në konsolidimin ose moskonsolidimin e Lulzim Bashës në krye të saj. Në këto kushte, rolin vendimtar e merr partia pozitare, e cila, për këtë, përdor ekstremin e majtë shqiptar. Në stilin katovicar, folklori denigrues kundër Lulzim Bashës nga kjo guzhinë e propagandës, vetëm sa ndikon për ta bërë sa më interesant në sytë e atyre faktorëve jo të majtë shqiptarë, të cilët ende e shikojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë si mishërim të idealeve të djathta shqiptare, pra si alternativë ndaj socialistëve.

Së majtës shqiptare, mbisunduese absolute në jetën e kombit tonë prej më se shtatë dekadash, i intereson që Partia Demokratike e Shqipërisë të vazhdojë të mishërojë iluzionin e një të djathte. Duke qenë njohëse e psikologjisë së të sunduarve të saj, e majta, pasi e ka krijuar iluzionin, vazhdon ta zhvillojë atë në skenën shqiptare, duke bërë mrekullira të rreme, ashtu si iluzionistët bëjnë në skenat e shfaqjeve të tyre.

Mungesa e një kryetari të konsoliduar të partisë kryesore opozitare, mungesa e një lideri të konsoliduar të opozitës, do të vinte në pikëpyetje nëse ekziston apo jo Partia Demokratike, nëse ekziston apo jo opozita në Tiranë, çka do të bënte urgjente gjithnjë e më shumë lindjen dhe rritjen e një partie të vërtetë opozitare, të një lëvizjeje vërtetë opozitare, rrjedhimisht të një djathte të vërtetë e të mirëfilltë në politikën shqiptare.

E majta jonë është në dijeni të plotë se në realitetin shqiptar ekziston faktori i djathtë. Mirëpo ajo është e interesuar që ky faktor të mos jetë i organizuar në një parti të tijën, por të jetë i përfaqësuar edhe më tej nga një parti tjetër, e përbërë edhe ajo nga klane të majta, si gjatë këtyre viteve të derisotme të të ashtuquajturit tranzicion shqiptar.

Prandaj propaganda e majtë e paraqet tashmë Lulzim Bashën jo vetëm si kopje të Sali Berishës, por edhe si një rimishërim të tij për së gjalli, sikur kemi të bëjmë me të njëjtin embrion, por me dy trajta të tij, të zhvilluara ato në dy epruveta të ndryshme, njëra sosh me faza më të përshpejtuara, ndërsa tjetra sosh me faza më të përngadalësuara, derisa të japin gjendjen e sotme, frytin e sotëm, sado të dyzuar në dukje, gjoja të njëjtë në thelb.

Synimi tjetër po aq kryesor i fushatës që e majta shqiptare ka ndërmarrë me anë të krahut të saj më ekstrem është që t’i shmangë sa më shumë ngjashmëritë në figurën, stilin dhe veprimet e paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e qeverisë. Me çdo kusht, ngjasimet, pra të jenë sa më të mëdha, sa më ekskluzive dhe sa më të imponuara mes paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Dhe sa më pak ose mundësisht fare të mos vihen re këto ngjashmëri midis Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Shkalla e suksesit të fushatës aktuale demonizuese të së majtës shqiptare ndaj Lulzim Bashës do të varet jo aq shumë nga zelli i fushatbërësve dhe nga sofistikimi i makinerisë së saj. Ajo do të varet kryesisht nga mënyra se qysh Lulzim Basha do të bëhet vetë pjesë e lojës. Pra, sa dhe si ai, si pasardhës, do të ketë mësuar në këtë drejtim nga paraardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, sa dhe si ai, do të dëshmojë talentin për të hyrë dhe për të qenë në këtë lojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e majta shqiptare, Lul Basha, Skender Bucpapaj

Me fytyrë nga Lindja

October 30, 2013 by dgreca

Nga Dionis Xhafa/
Shoqëritë e Lindjes po vënë bazat e atyre shoqërive, ku marrëdhëniet konfliktuale rregullohen përmes tre konceptesh kryesore. Kështu, Bulaç tregon tre konfliktet që ka sot njeriu i parimeve të Lindjes. Njeriu ka tre konflikte bazë, të cilat janë: (1) Konflikti i njeriut me natyrën. (2) Konflikti me vetveten. (3) Konflikte morale, politike ose juridike. Laicizmi i shteteve lidnore shprehet për zgjidhje konkrete dhe për zgjidhje të plotë të proceseve historike që kalon një shoqëri. Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e ndikuar ndjeshëm nga historia e Lindjes në disa etapa historike evolutive të saj është e aftë dhe madje disa nga këta parime ka arritur ti instalojë si norma morale dhe si rregullatore të shoqërisë. Gjithashtu lartpërmendëm si element me rëndësi të jashtëzakonshëm laicizmin e shtetit dhe në një shoqëri si ajo shqiptare, me një popullësi dërrmuese të besimit islam, por shtet laik, një përzierje “e frikshme” për ti dhënë një hov cilësor lëvizjeve të gjëra civile. Si një demosdoshmëri e gjallimit të demokracisë në zhvillim. Mendimtarë të Lindjes mendojnë se sqarimet e Perëndimit mbi demokracinë kanë humbur fuqinë e përmirësimit. Francis Fukyama, mjeshtër i shkencave të politikës dhe një autor mjaft i njohur, në kryeveprën e tij, “Fundi i Historisë..” thotë se Perëndimi po shkon drejt fundit të qytetërimit të vet dhe fundi i qytetërimit vlen vetëm për Perëndimin dhe jo pjesën tjetër të botës. Në demokracitë e vendeve Lindore, ku hyn edhe demokracia shqiptare, vërtetë nuk kemi demokraci të përsosor, por ama nuk është një demokraci e ngrirë siç ndodh në Perëndim, ku ka arritur perfesioni dhe gjithçka është stopuar. Hipoteza e autorit është se në kohëzgjatje, ky lloj modernizimi që ka Perëndimi do të vijë një kohë që do të thyhet, ashtu sikundër u thye njëherë e një kohë Perandoria Osmane, fuqia më e madhe për shekuj me rradhë dhe fundi i saj erdhi pikërisht kur ajo arriti në perfeksion dhe në kulmin e fuqisë. Shoqëria shqiptare, ndryshe nga panoramat e “fotove të ngrira” të vendeve perëndimore, ku sistemet janë të palëvizshme, sistemi demokratik është në lëvizje, është dinamik, ka progres, jetë, gjallëri. Si përfundim, mund të thuhet se hipoteza e famshme lindore është se ndërsa Perëndimi është në fillimit e fundit të përsosmërisë, Lindja është në fundin e fillimit të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dionis Xhafa, me fytyre nga Lindja

DREJTORI I RI I FBI-së URDHËRON AGJENTËT TË VIZITOJNË MONUMENTIN E MARTIN LUTHER KINGU-ut

October 30, 2013 by dgreca

Ne Foto: Monumenti i Martin Luther King-ut në Uashington/

Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama instaloi drejtorin e ri dhe të 7-të të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Zotin Xhejms Komi (James Comey), duke e paraqitur atë në kryeqendrën e FBI-së si një njeri dhe profesionist që e dallon mirë të drejtën nga e padrejta dhe si i tillë gjithmonë vepron në mbështetje të së drejtës.  Drejtori  i ri i FBI-së më parë ka shëbyer si Zevëndës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në adminstratën e ish-Presidentit Xhorxh Bush.   Presidenti Obama iu drejtua agjentëve dhe nëpunësve të FBI-së  duke thënë se “Ju, çdo ditë punoni pa u lodhur duke përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat përballet kombi ynë.”  Ju, tha Presidenti Obama, e kryeni këtë detyrë me guxim dhe me integritet, duke mbrojtur amerikanët mbrenda dhe jashtë vendit, duke ruajtur vlerat më të mira njerëzore dhe duke respektuar ligjin.  Presidenti Obama duke u kujtuar atyre se motoja e FBI-së është, “Besnikëria, Guximi dhe Integriteti”, paraqiti drejtorin e ri të këtij institucioni, Zotin Xhejms Komi, i cili sipas Z. Obama “çdo ditë jeton dhe vepron bazuar në këto parime”.  Presidenti Obama shtoi se, drejtori i ri i FBI-së ia ka dedikuar jetën e tij mbrojtjes së ligjeve, duke siguruar në këtë mënyrë që “të gjithë amerikanët të mund të besojnë në sistemin tonë ligjor dhe të drejtësisë, në mbështetje të të drejtave dhe mirëqenjes së tyre”.

Edhe Drejtori i ri i FBI-së, Xhejms Komi iu drejtua të pranishmëve duke theksuar zbatimin e fjalëve të motos së entit që ai do të kryesojë për dhjetë vitet e ardhëshme, dmth.,  “Besnikërinë, Guximin dhe Integritetin”.   Gjatë fjalimit të tij, drejtori i ri i FBI-së tha se do t’u kërkojë agjentëve të ri të FBI-së që të vizitojnë monumentin e posa ndërtuar të ish-udhëheqsit të të drejtave civile, Martin Luther King në Uashington, me qëllim për tu sjellur në mendë dhe për tu kujtuar atyre kufizimet e detyrës si edhe përgjegjësitë që kanë ndaj mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim.  Këjo për arsye se marrëdhënjet e FBI-së me ish-udhëheqsin e të drejtave civile në Amerikë gjatë 1960-ve dhe 1970-ave, mbetet  gjithnjë një pikë e zezë në historinë e këtij enti qeveritar.  Ish-drejtori i atëhershëm i FBI-së, J. Edgard Huver, kishte urdhëruar jo vetëm përgjimin e aktiviteteve të Martin Luther Kingut, por kishte dhënë urdhër për minimin e veprimtarive dhe lëvizjes së tij në mbështetje të të drejtave civile të barabarta për të gjithë, përfshirë zezakët.  Para-ardhësi i drejtorit Komi, gjatë 1990-ave, drejtori Luis Fri kishte urdhëruar agjentët e ri të FBI-së, që si pjesë e trajnimit të tyre të vizitonin Muzeumin e Holokaustit në Uashington, sipas tij, për të parë se ç’ndodhë kur abuzohet pushteti i qeverisë dhe shtetit.   Drejtori i ri i FBI-së njoftoi se po e mbështetë këtë traditë duke detyruar agjentët e ri dhe analistët që edhe këta si pjesë e trajnimit të tyre,  të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, në një kohë kur po shprehen shqetësime serioze nga Kongresi, media dhe nga populli amerikan,  mbi përgjimet nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar, e të cilat u zbuluan kohë më parë nga Eduard Snouden, një ish-kontraktor i këtij enti qeveritar.  Zoti Komi tha gjatë fjalimit të tij se do të urdhëroj agjentët e rij të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, ashtuqë që ata të reflektojnë mbi “abuzimet dhe masat e tepëruara” nga FBI-ja në të kaluarën, duke cituar paradhësin e tij Luis Fri, që kishte urdhëruar agjentët e rij të vizitonin Muzeumin e Holokaustit, “me qëllim që ata të shohin, të dëgjojnë dhe të ndjejnë në një mënyrë të prekshme pasojat që rrjedhin nga  abuzimi i pushtetit në një shkallë masive dhe pothuaj të pa-imagjinueshme.”

Drejtori i ri i FBI-së tha se vitet e para të agjensisë që ai do kryesojë tani, ishin një periudhë “progresi dhe arritjesh të mëdha”, por më vonë reputacioni dhe historia e FBI-së u mjegullua nga “abuzimet dhe masat e tepruara të agjentëve të saj, sidomos përsa i përket Martin Luther Kingut dhe të tjerëve që në atë kohë konsideroheshin si kërcënues ndaj sigurimit të mbrendëshëm të këtij vendi.”

Qëllimi i këtij urdhëri, që agjentët e FBI-së dhe analistët e rijë të këtij enti qeveritar të vizitojnë monumentin ish-udhëheqsit amerikan të të drejtave civile,  Martin Luther King dhe Muzeumin e  Hollokaustit në fillim të trajnimit, është sipas fjalëve të ish drejtorit të FBI-së Lui Fri, që tu “kujtojmë atyre tmerret dhe të keqën që rezulton kur, jo vetëm, qeveria por edhe  agjensi që me ligj duhet të jenë mbrojtëse të zbatimit të ligjit si FBI-ja, heqin dorë nga misioni i tyre kryesor, që është  mbrojtja e të drejtave të barabarta të qytetarëve – dhe përkundrazi bëhen mjete të shtypjes”.

Shtetet e Bashkuara si shtet dhe si shoqëri nuk kanë dhe as nuk pretendojnë  të kenë një histori pa probleme në fushën e të drejtave civile dhe të barabarta për të gjithë. Në të vërtetë,  janë vet udhëheqsit e këtij vendi  që kanë pranuar dhe pranojnë se Amerika nuk është një vend i perfeksionuar.   Ka të meta dhe probleme sa të duash, historikisht dhe tani.   Por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të kësaj bote — siç ka thënë edhe Presidenti i tanishëm amerikan, Barak Obama në një fjalim në Moskë më 2009 — “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë.   Liria e fjalës dhe e drejta për të demonstruar, ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të protestojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta, në një kohë kur ato iu mohoheshin atyre.  Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit.  Media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë qeverinë.”  Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, “na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre.  Nëqoftse demokracia jonë nuk do të mbronte dhe të avanconte këto të drejta, atëherë unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara.  Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin të drejta … por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Gjëja, pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë historisë së tyre, nuk kanë bërë gabime mbrenda dhe jashtë vendit. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është fakti se ajo i pranon gabimet historike kundër të vetëve dhe kundër të tjerëve. Mëson nga këto mangësi e gabime dhe vazhdon të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave të barabarta për të gjithë.   Urdhëri i drejtorit të ri të FBI-së që agjentët dhe analistët e rijë gjatë trajnimit të tyre, që të vizitojnë muzeume si ai i Holokaustit dhe monumentin e Martin Luther Kingut –është pikërisht në përputhje dhe pjesë e këtij reflektimi që Amerika bën gjithmonë në mbështetje të vlerave universale për të drejta të barabarta për të gjithë, mbrenda dhe jashtë vendit.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: drejtori i ri, FBI, Frank shkreli, Martin Luter King, Monumenti

Mos harroni, jemi edhe ne!

October 29, 2013 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/

Shqipëria sot jeton në botën e çudirave. Përse do të thoni ju, të nderuar lexues? Sepse kushdo, i djathtë apo i majtë, politikan apo i paparti (nuk e di nëse mund te ketë në vendin tonë ndonjë që nuk i përket asnjë partie), analist apo gazetar  është përfshirë në vorbullën e kësaj Shqipërie të çuditshme.  Sot, në vendin tonë je i lirë të shprehësh çdo lloj mbroçkullash që të do zemra, të çdo lloj ngjyrash të jenë ato dhe turma, si një kope e bindur, beson ato që i vinë më për shtat. Është për të ardhur keq, por sot vendin kryesor e zenë mashtrimet dhe llafollogjia propagandistike e trashëguar nga regjimi i përmbysur dhe kjo fillon që nga kupola drejtuese dhe deri në shtresat më të ulta të popullsisë.

Një sentencë e njohur thotë: “Oh, drejtësi, drejtësi, shumë krime kryhen nën emrin tënd!” A është e vleshme kjo sentencë për vendin tonë? Unë mendoj se po. Përse? Sepse këtu ekziston demagodgjia e premtimeve të pambajtura dhe më e keqja, ata që premtuan, nuk kanë as pikën e turpit për të përgënjeshtruar thëniet e tyre. Kjo është Shqipëria e sotme.

Flitet dhe çfarë nuk flitet. Flitet që rendi në Shqipëri paska qenë për tokë dhe tani e tutje do të gjejë vendin e merituar. Sa do të dëshironim që një gjë e tillë të realizohej! Madje për këtë u shkarkuan edhe qindra kuadro të nomenklaturës së kaluar. Por  në të vërtetë ne shohim se për çdo ditë në rrugët e vendit ndodhin vrasje nga më të padëgjuarat ndonjëherë. Është herët shpejt për zgjidhjen e këtij problemi, thonë drejtuesit e shtetit. Edhe unë jam dakord me ta. Do të presim dhe do të shohim. Por, nëqoftëse , me kalimin e kohës, asnjë ndryshim nuk do të ndodhë, çfarë do të thonë zotërinjtë e kupolës drejtuese?

Para disa ditësh pesë të rinj të moshës 17-18 vjeç humbën jetën në një aksident automobilistik. Aksidente të tjera po ndodhin në rrugët e  adheut. Të tjerë persona po humbasin jetën. Çfarë po bënë policia rrugore për parandalimin e tyre? Asgjë. Vazhdon e  njejta gjendje si në të kaluarën. Atëherë, çfarë shërbyen zëvendësimet e gati njëqind kuadrove të policisë rrugore Koha tregoi se asgjë.

Solla vetëm dy shembuj të jetës së përditshme dhe mund të vazhdoja edhe më tej. Por nuk dua të zgjatem. Dua të përqëndrohem në problemet që i përkasin shresës time, që unë i përkas, shtresës së ish-të përndjekurve politikë.  Çfarë ndryshimi do të sjellë ndërrimi i pushteteve në Shqipëri për këtë shtresë? Gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm bënë shumë premtime. Natyrisht, në rast se do t’i realizojnë këto, kjo do të ishte një tregues se edhe e majta shqiptare është e interesuar për këtë shtresë. Kjo do të tregonte se nuk është vetëm e djathta që i ka përkrahur. Kjo do të ishte një përmbysje e mentalitetit të deri tanishëm dhe kjo do të ishte një gjë e mirë.

Por si paraqitet gjendja reale në vendin tonë? Ne konstatojmë se, në rradhët e të pezulluarve nga puna, një pjesë e mirë e tyre i përkasin pikërisht kësaj shtrese. Unë mund t’i cilësoja me emrat përkatës, por po e le për një herë tjetër, në rast se pala e prekur do e kërkonte një gjë të tillë. Gjithashtu, në rradhët e të emëruarve të rinj në institucionet e ndryshme nuk shohim asnjë të propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë. Drejtuesit e sotëm mund të shpikin lloj-lloj shoqatash inekzistente që, në përbërjen e tyre, kanë vetëm një individ që nuk përfaqëson asgjë përveç emrit të tij të përlyer. Në rast se ekzistojnë të tilla shoqata do t’ju lutesha të na paraqisnin vendimin e gjykatës që i ka miratuar, përbërjen e saj, degët e rretheve, selitë përkatëse dhe  elementë të tjerë që vërtetojnë ekzistencën e tyre. Për fat të keq, shoqata të tilla me këto  të  dhëna  janë  fare  pak,  për  të  mos  thënë  vetëm  një,  Shoqata  Antikomuniste  e  të Përndjekurve   Politikë   Demokratë  të  Shqipërisë,  anëtare  me  të   drejta   të  plota  e  Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin.

I shkruaj këto se gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm krijuan edhe një “grup me të përndjekur politikë” për të hartuar një program për këtë shtresë dhe, në të vërtetë, ky program u hartua dhe u shpallën publikisht shifrat e tij. Më lejoni t’ju paraqes disa pika të këtij programi:

  1. Ngritja  e  masës  së  dëmshpërblimit  financiar nga 2000 lekë për ditë dënimi në 25 euro

ose 3500 lekë për ditë dënimi.

  1. Pagesa në mënyrë të menjëhershme e atyre që kanë  mbushur  moshën 75 vjeç për burrat

dhe 70 vjeç për gratë.

  1. Përfundimi  i  dëmshpërblimit financiar për të përndjekurit politikë në  një periudhë  prej

dy vjetësh.

Këto ishin tre premtimet kryesore të drejtuesve të sotëm. Deri tani, megjithse kanë kaluar gati dy muaj nga marrja e pushtetit nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, në asnjërën nga konferencat e shumta të zhvilluara prej tyre, për këto çështje. As edhe një premtim të vetëm se çfarë do të bëhet në të ardhmen për këtë shtresë. Kjo na lë një shije të hidhur, na lë përshtypjen se gjithshka ishte një demagogji e shpifur, njëlloj si ato të sistemit të përmbysur që u mundua, më kot, të na diskriminonte dhe të na zhdukte fare nga faqja e dheut, por që nuk mundi t’ia arrinte kurrë. Lidhur me sa më sipër, më vjen keq edhe për ata “ish-të përndjekur politikë” që u përdorën si manekinë në duart e mjeshtërve të mashtrimit dhe që sot nuk e ngrenë më zërin.

Pak më sipër citova tre premtimet e bëra nga drejtuesit e pushtetit të sotëm. Por, kërkesat e të përndjekurve politikë nuk janë vetëm këto, madje unë do të thoja se këto do të ishin të fundit e kërkesave të tyre. Para tyre unë do të rendisja ato më themeloret të sanksionuara në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të miratuar në vitin 2006, pamvarësisht se sundimtarët e sotëm dolën jashtë salle kur miratohej ajo rezolutë. Le t’i rendisim ato:

Dënoni diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit diktatorial komunist në Europën Lindore.

Hapni dosjet e ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

Akordoni një fond për gjetjen e të rënëve nga diktatura komuniste për arsye politike dhe rivarrosjen e tyre në një varrezë të veçantë, si në vendet e tjera të Europës Lindore, ku të afermit të mund të vendosin  një tufë me lule apo të dredhin dy pika lot për kujtim të tyre.

Bëni rishikimin e historisë së Shqipërisë për të paraqitur realitetin e asaj periudhe të manipuluar dhe rishikoni tekstet shkollore të mbushura me propagandën komuniste.

Hapni muzetë në qendrat kryesore të persekutimit politikë dhe ngrini memorialin         qëndror të të rënëve nga diktatura për të cilin ka vite që është marrë vendim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Së fundi organizoni konferncën kombëtare me pjesëmarrjen  e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist. Sot shohim që zhvillohen konferenca edhe per romët apo për gejt. Nuk e di nëse këta konsiderohen më të rëndësishëm se të përndjekurit politikë.

Në rast se do të bëni këto, ju do të tregoni se jeni me të vërtetë ashtu siç keni premtuar. Në të kundërt do të mbeteni sharlatanë gënjeshtarë të pamoralshëm që atë që premtojnë sot nuk e kanë për turp ta mohojnë nesër.

Ne jemi në pritje.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Jemi dhe ne, reshat kripa

Mashtrimi i ri turko-serb : “ Ma mirë turki se shkau” !

October 28, 2013 by dgreca

I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”. (I.Kadare )

Shkruan: Fahri Xharra/Gjakove/

Pse u mashtruam? Si po vepron bashkëpunimi turko- serb ndaj çështjes shqiptare?Se si po i ndihmon Turqia Serbisë  që ajo të ketë primatin në këto anë ,po shihet qartazi . Ndihma e Turqisë  që  i ipet Serbisë ,në kudër të bashkëpunimit të tyre të ndësjelltë ,për shuarjen e një kombi është e mënyrave të ndryshme.Më e reja por në kuadër të së vjetrës dhe e cila kishte dhënë rezultate shumë të mira  në projektin  e tmerrshëm në shuarjen tonë , ishte dhe është përçarja fetare e shqiptarëve. ”.Ato (agjitatoret musliman)..duhet të ndezin fanatizmin fetar të masave dhe të zgjojnë krenarinë për shtetin turk.”( Çubriloviq).

Ishte Çubriloviqi që thoshte kështu dhe ashtu u veprua gjithëmonë. Por sot?
 ” Duke pasur këtë që u tha në konsideratë, në pah na del edhe një e vërtet tjetër se me gjithë përpjekjet e mëdha të disa ‘patriotëve’ për ta zbehur vizitën e Erdoganit në Kosovë dhe për të irrituar shqiptarët nga personaliteti i tij, megjithatë ai vazhdon të gëzojë një autoritet shumë të madh në mesin e popullit tonë, saqë kam bindjen se po të kandidonte për president të Kosovës do të fitonte më shumë vota se shumë vendas kosovarë. ( Shefqet Krasniqi ). A nuk është kjo vazhdimësi e ”zgjimit të krenarisë” për shtetin turk?

 Nëse s’do të duam të përsëritet historia, duhen marrë masa ndaj këtij lloji të propagandës  që është akoma e brishtë( e vjetër në kohëra t’ reja,,) përndryshe na pret një periudhë e errët historike. Historia jonë është e mbushur me raste të tilla fatkeqe, por mjaft më me hedhjen e fajit tjetërkujt. Në fund të fundit duhet ta ndihmosh vetë fatin dhe të mos rrish duarkryq e të përqyrresh se nuk të ndihmonn fati. Është koha për të dalë nga plogështia dhe t’i vihet dryri këtyre dordolecëve  të propagandës çubriloviqiane që çojnë në realizimin e planeve turko-serbe.

Çka parashifshin planet dikur dhe a i ngjajnë ato këtyre të sotmës që po shihen ” ashiqare”:

”.. Turqia ofron pafundësi kolonizimi. Është e ditur që masat e myslymanëve janë në përgjithësi lehtësisht të influencuara nga feja. …Prandaj ne duhet të bëjmë për vete në rradhë të parë klerikët (hoxhë, imam , myftij)) dhe njerëz me influencë, nepërmjet parave  dhe kërcënimeve…..(Çubriloviq)  Në planet e përbashkëta qëndron edhe kjo:”Gjithashtu duhet te gjinden  sa më parë që të jetë e mundur agjitatorë sidomos nga Turqia, për të promovuar dashurinë ndaj Turqisë , duke u bazuar në të kaluarën  ” e përbashkët historike ” dhe në zhvillimin ekonomik  të saj.

“Me kalimin e shekujve, jo veç të huajt, por shqiptarët vetë, gati-gati po besonin se Shqipëria nuk rrethohej më nga vise europiane, siç ishte në të vërtetë, por ishte zhvendosur drejt daljes së kontinentit të vet, në kufi me Azinë. Si e tillë, si hapësirë ndërprerëse a urë kalimi aziatiko-europiane, përftohej ajo që e kishte Azinë rreth një mijë kilometra larg. Ky status gjysmak, ky as-as (as Europë, as Azi), nuk do t’i ndahej Shqipërisë edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane. Nuk ishte metaforë, por gërmadha e projektit makabër për shuarjen e një kombi”(Kadare)

 

“Ka popuj në kufijtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjerësisht, bazuar në fatet, të bëmat dhe cilësitë që shfaqin. “ thuhej për ne . Po kufijtë e botës së qytetruar ku qenkan.? A qenkemi ne ata që po e ndajmë  qytetrërimin nga jo qytetrimi.? Po .

Sipas planeve turko-serbe ashtu duhet të mbetet. Derisa  Erdogani çirret se Kosova është Turqi , të nesërmen dalin serbët se Kosova është Serbi , atëherë automatikisht arrihet të përfundimi : ” Ja një popull që e dëshiron  errësirën, na leni neve se vetëm ne dijmë të menaxhojmë me këto bisha të  historikisht të papërmirësuara”  Deris turku  çirret për të kaluaren e përbashkët , ne e pranojmë si të tillë , Kur serbi thot se Kosova është Serbi ne reagojmë vrullshëm( e që duhet) ,atëherë është kulmi i suksesit  në strategjinë: “ Më mirë turki se serbi”.

Teoria “ më mirë turku se sa serbi “ është bipolare : ” sa më afër turkut , aq më largë Europës ” dhe kjo i shkon përshtati Serbisë në arsyetimet e saja në botë. Europa nuk duron Azi në mbrendinë e saj.. Jo ore , Jo. as Serbi e as Turqi !

Është e ditur që masat e  shqiptarëve muslimanë janë në përgjithësi lehtësisht të influencuara nga feja.Dhe sot a po e kryejnë agjitatorët  e fesë muslimane  këtë influencim , duke na e përzier fenë muslimane me  kombin turk.? Të jesh musliman nuk do të thot të jesh turk.

 “Në këtë luftë maskash, kombi shqiptar humbte çdo stinë e çdo vit. Shfaqeshin çdo stinë shqiptarë me famë dhe pasuri, por, ashtu si në përrallat me kapërcim të ylberit, fill pas kapërcimit, pra matanë ylberit, ata s’ishin më shqiptarë. Rrallëherë në histori kishte qëlluar që fama dhe lavdia vetjake e personazheve, në vend që t’i vinte në ndihmë kombit që i përkisnin, ktheheshin kundër tij. Do të mjaftonte vetëm shembulli i postit të kryeministrit perandorak, që iu dha shqiptarëve, prej të njëjtit shtet që ndalonte me dekret shkrimin e gjuhës shqipe, për të kuptuar se në ç’nyjë tragjike kishte hyrë fati shqiptar (Kadare) . Po sot , e njejta .-

  Populli turk dhe ai i Kosovës e kan të njejtën histori,thot Erdogani duke shtuar se

“ gjuha ,feja ,pupulli mund të jenë të ndryshëm “ por “ që të gjithë jemi fëmijtë e të njetit vend “ i raportonte Tanjug-u botës. Edhe kjo është nga plani i përbashkët turko-serb.

 “Pastaj a më mirë t’i ndjesh njerëzit si të afërm, miq e vëllezër apo si armiq e kundërshtarë? Sa më shumë miq e vëllezër që ka njeriu aq më i fortë do të jetë, kjo nuk do koment. Por unë mendoj se ky frustrim dhe reagim i pakontrolluar emocional që po u bëhet “vëllezërve” është i qëllimtë dhe tendencioz, pra çështja lidhet kryekëput me atë se vëllai në këtë rast është turku, ‘ish-pushtuesi’.(Dr.Shefqeti)”……” Prandaj ne duhet të bëjmë për vete në rradhë të parë klerikët (hoxhë, imam , myftij)) dhe njerëz me influencë, nepërmjet parave  dhe kërcënimeve QË ATO TË NA MBËSHTESIN …..(Çubriloviq).

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Nashtrim i ri, turko-serb

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 951
  • 952
  • 953
  • 954
  • 955
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT