Nga Reshat Kripa/Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/
Shqipëria sot jeton në botën e çudirave. Përse do të thoni ju, të nderuar lexues? Sepse kushdo, i djathtë apo i majtë, politikan apo i paparti (nuk e di nëse mund te ketë në vendin tonë ndonjë që nuk i përket asnjë partie), analist apo gazetar është përfshirë në vorbullën e kësaj Shqipërie të çuditshme. Sot, në vendin tonë je i lirë të shprehësh çdo lloj mbroçkullash që të do zemra, të çdo lloj ngjyrash të jenë ato dhe turma, si një kope e bindur, beson ato që i vinë më për shtat. Është për të ardhur keq, por sot vendin kryesor e zenë mashtrimet dhe llafollogjia propagandistike e trashëguar nga regjimi i përmbysur dhe kjo fillon që nga kupola drejtuese dhe deri në shtresat më të ulta të popullsisë.
Një sentencë e njohur thotë: “Oh, drejtësi, drejtësi, shumë krime kryhen nën emrin tënd!” A është e vleshme kjo sentencë për vendin tonë? Unë mendoj se po. Përse? Sepse këtu ekziston demagodgjia e premtimeve të pambajtura dhe më e keqja, ata që premtuan, nuk kanë as pikën e turpit për të përgënjeshtruar thëniet e tyre. Kjo është Shqipëria e sotme.
Flitet dhe çfarë nuk flitet. Flitet që rendi në Shqipëri paska qenë për tokë dhe tani e tutje do të gjejë vendin e merituar. Sa do të dëshironim që një gjë e tillë të realizohej! Madje për këtë u shkarkuan edhe qindra kuadro të nomenklaturës së kaluar. Por në të vërtetë ne shohim se për çdo ditë në rrugët e vendit ndodhin vrasje nga më të padëgjuarat ndonjëherë. Është herët shpejt për zgjidhjen e këtij problemi, thonë drejtuesit e shtetit. Edhe unë jam dakord me ta. Do të presim dhe do të shohim. Por, nëqoftëse , me kalimin e kohës, asnjë ndryshim nuk do të ndodhë, çfarë do të thonë zotërinjtë e kupolës drejtuese?
Para disa ditësh pesë të rinj të moshës 17-18 vjeç humbën jetën në një aksident automobilistik. Aksidente të tjera po ndodhin në rrugët e adheut. Të tjerë persona po humbasin jetën. Çfarë po bënë policia rrugore për parandalimin e tyre? Asgjë. Vazhdon e njejta gjendje si në të kaluarën. Atëherë, çfarë shërbyen zëvendësimet e gati njëqind kuadrove të policisë rrugore Koha tregoi se asgjë.
Solla vetëm dy shembuj të jetës së përditshme dhe mund të vazhdoja edhe më tej. Por nuk dua të zgjatem. Dua të përqëndrohem në problemet që i përkasin shresës time, që unë i përkas, shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Çfarë ndryshimi do të sjellë ndërrimi i pushteteve në Shqipëri për këtë shtresë? Gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm bënë shumë premtime. Natyrisht, në rast se do t’i realizojnë këto, kjo do të ishte një tregues se edhe e majta shqiptare është e interesuar për këtë shtresë. Kjo do të tregonte se nuk është vetëm e djathta që i ka përkrahur. Kjo do të ishte një përmbysje e mentalitetit të deri tanishëm dhe kjo do të ishte një gjë e mirë.
Por si paraqitet gjendja reale në vendin tonë? Ne konstatojmë se, në rradhët e të pezulluarve nga puna, një pjesë e mirë e tyre i përkasin pikërisht kësaj shtrese. Unë mund t’i cilësoja me emrat përkatës, por po e le për një herë tjetër, në rast se pala e prekur do e kërkonte një gjë të tillë. Gjithashtu, në rradhët e të emëruarve të rinj në institucionet e ndryshme nuk shohim asnjë të propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë. Drejtuesit e sotëm mund të shpikin lloj-lloj shoqatash inekzistente që, në përbërjen e tyre, kanë vetëm një individ që nuk përfaqëson asgjë përveç emrit të tij të përlyer. Në rast se ekzistojnë të tilla shoqata do t’ju lutesha të na paraqisnin vendimin e gjykatës që i ka miratuar, përbërjen e saj, degët e rretheve, selitë përkatëse dhe elementë të tjerë që vërtetojnë ekzistencën e tyre. Për fat të keq, shoqata të tilla me këto të dhëna janë fare pak, për të mos thënë vetëm një, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, anëtare me të drejta të plota e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin.
I shkruaj këto se gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm krijuan edhe një “grup me të përndjekur politikë” për të hartuar një program për këtë shtresë dhe, në të vërtetë, ky program u hartua dhe u shpallën publikisht shifrat e tij. Më lejoni t’ju paraqes disa pika të këtij programi:
- Ngritja e masës së dëmshpërblimit financiar nga 2000 lekë për ditë dënimi në 25 euro
ose 3500 lekë për ditë dënimi.
- Pagesa në mënyrë të menjëhershme e atyre që kanë mbushur moshën 75 vjeç për burrat
dhe 70 vjeç për gratë.
- Përfundimi i dëmshpërblimit financiar për të përndjekurit politikë në një periudhë prej
dy vjetësh.
Këto ishin tre premtimet kryesore të drejtuesve të sotëm. Deri tani, megjithse kanë kaluar gati dy muaj nga marrja e pushtetit nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, në asnjërën nga konferencat e shumta të zhvilluara prej tyre, për këto çështje. As edhe një premtim të vetëm se çfarë do të bëhet në të ardhmen për këtë shtresë. Kjo na lë një shije të hidhur, na lë përshtypjen se gjithshka ishte një demagogji e shpifur, njëlloj si ato të sistemit të përmbysur që u mundua, më kot, të na diskriminonte dhe të na zhdukte fare nga faqja e dheut, por që nuk mundi t’ia arrinte kurrë. Lidhur me sa më sipër, më vjen keq edhe për ata “ish-të përndjekur politikë” që u përdorën si manekinë në duart e mjeshtërve të mashtrimit dhe që sot nuk e ngrenë më zërin.
Pak më sipër citova tre premtimet e bëra nga drejtuesit e pushtetit të sotëm. Por, kërkesat e të përndjekurve politikë nuk janë vetëm këto, madje unë do të thoja se këto do të ishin të fundit e kërkesave të tyre. Para tyre unë do të rendisja ato më themeloret të sanksionuara në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të miratuar në vitin 2006, pamvarësisht se sundimtarët e sotëm dolën jashtë salle kur miratohej ajo rezolutë. Le t’i rendisim ato:
Dënoni diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit diktatorial komunist në Europën Lindore.
Hapni dosjet e ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.
Akordoni një fond për gjetjen e të rënëve nga diktatura komuniste për arsye politike dhe rivarrosjen e tyre në një varrezë të veçantë, si në vendet e tjera të Europës Lindore, ku të afermit të mund të vendosin një tufë me lule apo të dredhin dy pika lot për kujtim të tyre.
Bëni rishikimin e historisë së Shqipërisë për të paraqitur realitetin e asaj periudhe të manipuluar dhe rishikoni tekstet shkollore të mbushura me propagandën komuniste.
Hapni muzetë në qendrat kryesore të persekutimit politikë dhe ngrini memorialin qëndror të të rënëve nga diktatura për të cilin ka vite që është marrë vendim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundi organizoni konferncën kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist. Sot shohim që zhvillohen konferenca edhe per romët apo për gejt. Nuk e di nëse këta konsiderohen më të rëndësishëm se të përndjekurit politikë.
Në rast se do të bëni këto, ju do të tregoni se jeni me të vërtetë ashtu siç keni premtuar. Në të kundërt do të mbeteni sharlatanë gënjeshtarë të pamoralshëm që atë që premtojnë sot nuk e kanë për turp ta mohojnë nesër.
Ne jemi në pritje.
lary says
prit or miku im dhe mos u merzit.tek prite kaq vite nga PD mos u be I padurushem.cfare kerkon ti nga kjo qeveri.kur je I kenaqur nga qeverisja e PD per 8 vite.prit prit