• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SUZANNA SHKRELI NISË FUSHATËN PËR NË KONGRESIN AMERIKAN

July 7, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më në fund është zyrtare!  Ndihmës Prokurorja shqiptaro-amerikane në shtetin Miçigan (SHBA), 29-vjeçarja Suzanna Shkreli është kandidatja e re e Partisë Demokrate në rajonin elektoral ose në distriktin numër 8 të Kongresit amerikan.   Ajo zevëndëson kandidaten e parë të Partisë Demokrate, Melissa Gilbert e cila njoftoi kohët e fundit se, për arsye shëndetsore, u tërhoq nga gara për në Kongresin amerikan.  (Për arsye etike, më duhet të rrëfej që nga fillimi se Suzanna është vajza e një kushëririt tim, jo të largët, me të cilin jemi rritur në katundin Amull, afër Ulqinit).

Ndihmës prokurorja shqiptaro-amerikane dhe kandidatja e Partisë Demokrate, në garën e saj për të përfaqësuar votuesit në distriktin numër 8 do të përballet me kandidatin e Partisë Republikane, kongresistin Mike Bishop.  Nuk do të jetë e lehtë gara politike për Suzana Shkrelin      sidomos kur të merret parasyshë fakti se kjo është fushata politike e parë e saj, për një detyrë të lartë, në një proces mjaft të ndërlikuar, ndërkohë që do të zhvillojë një garë ndaj një kundërshtari republikan me përvojë politike.  Duke shpjeguar arsyen se pse ka vendosur t’i përgjigjej ftesës së Partisë Demokrate për të kandiduar për në Kongresin amerikan, Suzana Shkreli thotë në faqen zyrtare të fushatës së saj se: “Si prokurore, unë përballem çdo ditë me sfida serioze dhe në Gjykatë jam dëshmitare e dështimeve dhe mos aftësisë të Kongresit për tu marrë me nevojat bazë të familjeve amerikane, për çështje siç janë krijimi i punëve me paga të mira, shkollimi me kushte të volitshme financimi dhe sigurimi i pensioneve të sigurta për të moshuarit.  Ne përballemi me sfida të forta dhe serioze në shtetin Miçigan dhe si amerikane e brezit të parë me origjinë shqiptare”, theksoi zonjusha Shkreli, “jam përballur vet me shumë sfida e vështirsi në jetën time të përditshme.  Si e tillë, nuk mund të rrijë duarkryq dhe nuk dëshiroj të lejojmë një Kongres të vazhdojë të mos funksionojë si duhet ndërkohë që vazhdon të mos përfilli dhe të mos jetë i interesuar për nevojat bazë të familjeve punëtore të shtetit Miçigan.  Kjo është arsyeja që po kandidoj për në Kongresin amerikan”, nënvijoi shqiptaro-amerikanja, Suzanna Shkreli.  Ajo vazhdoi duke thënë se si, “Prokurore në Sektorin e Mbrojtjes së Fëmijve, të zonës Macomb të shtetit Miçigan, unë çdo ditë përballem me sfida dhe marrje vendimesh për të mbrojtur fëmijtë nga abuzimet seksuale dhe nga dhuna”.  Duke iu referuar kundërshtarit të saj republikan, kandidatja demokrate tha se, “Mike Bishop dhe Kongresi i tanishëm refuzojnë të përballen me këto sfida dhe nuk merren seriozisht me asnjë zgjidhje të problemeve”.

Në deklaratën e saj, duke njoftuar kandidaturën e saj për në Kongresin amerikan, Shkreli u shpreh se prindërit e saj, Zefi dhe Maria, “Janë imigrantë shqiptarë të cilët ç’prej ardhjes së tyre në Amerikë kanë punuar rëndë për të bërë të mundur shkollimin e lartë për mua, për vëllëzërit e mi dhe për motrën time”.  Suzanna vet ka lindur dhe është rritur e shkolluar në Miçigan.  Ajo u jep kredi prindërve të saj për inkurajimin që i kanë dhënë për të siguruar një shkollim të lartë duke u thënë fëmijve të vet vazhdimisht se arsimi i përgjithshëm është jetik për zhvillimin e tyre personal dhe profesional.   Kjo është arsyeja, theksoi ajo, se pse kam vendosur t’ia kushtoj karierën time mbështetjes ndaj brezit të ardhëshëm, për të siguruar që edhe ata të kenë të njëjtat mundësi që kisha unë.”  Për sukseset e saja ajo shprehet se i është mirënjohëse familjes dhe thotë se përveç ndihmesës për familjen e saj, ajo shpreson që t’ia kushtojë gjithë karierën e saj mbështetjes së interesave të publikut.   Suzanna Shkreli është mbrojtëse e fortë e të drejtave të viktimave të krimeve në këtë vend, ndërsa edhe jashtë vendit ka përfqësuar Departmentin Amerikan të Drejtësisë në trajnimin e pjesëtarve të enteve ligjore dhe policore të vendeve të ndryshme për të mbrojtur viktimat e krimit. Kohët e fundit ajo ishte dërguar edhe në Shqipëri nga Ministria Amerikane e Drejtësisë me të njëjtin mision.

Një prej arritjeve të Suzana Shkrelit, jashtë punës së përditshme si prokurore për të cilën ajo ndihet krenare, është roli që ajo ka luajtur në themelimin e Shoqatës së Avoketënve Shqiptaro-Amerikanë të shtetit të Miçiganit (Albanian-American Bar Association of Michigan).   Misioni i kësaj shoqate — e njohur zyrtarisht nga shteti — është që t’i shërbejë komunitetit shqiptar dhe që anëtarët e sajë të ushtrojnë avokatinë si një grup i bashkuar etnik, kulturor dhe profesional, duke u dhënë mundësi shqiptarëve që të punojnë së bashku për përmirësimin e jetesës së tyre dhe për të mirën e komunitetit në përgjithësi.

Duke njoftuar fillimin e fushatës për në Kongresin amerikan, Suzana Shkreli deklaroi se, “Jam gati” për fushatën, e ndërgjegjëshme për punën e rëndë që kërkon një fushatë e tillë politike, shpesh brutale këtu në Amerikë dhe njëkohsisht e vetdijshme për sfidat dhe problemet me të cilat do të përballet në fushatën që e pret, në javët dhe muajt e ardhëshëm.

Fitorja e Suzanna Shkrelit nuk do të jetë e lehtë.  Nuk do të jetë kollaj për Suzanën të fitojë kundrejt një kundërshtari republikan me përvojë, por ky vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara është si asnjë tjetër më parë, me supriza si ato që shohim në nivelin e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.  Çdo gjë e është e mundur.

Fitorja e saj do varet kryesisht nga zhvillimi i një fushate intensive dhe të gjithëanshme nga ana e saj, nga programi që ajo do shpalosë si pjesë e fushatës së saj si dhe nga aftësitë e saja politike për të bindur votuesit e atij distrikti elektoral se ajo është personi më i mire dhe më i përgatitur që duhet t’i përfaqësojë ata dhe të mbrojë interesat e tyre në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.  Për realizimin e fitores, Shkreli ka nevojë mbi të gjitha, që pikësëpari të sigurojë mbështetjen e pa kursyeshme të Partisë Demokratike që ajo përfaqëson, por edhe të mund të llogarit ndihmën dhe përkrahjen e fortë të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

Më në fund, pasi të jenë bërë të gjitha përpjekjet për një fushatë të suksesshme dhe pasi tu jenë komunikuar zgjedhësve të gjitha programet dhe idetë politike të Suzana Shkrelit, për tu abzorbuar nga votuesit para zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor, më në fund fati i kandidaturës së saj është në dorë të zgjedhësve. Votuesit janë sovrani, ata e kanë fjalën e fundit.  Por, cilido që të jetë rezultati përfundimtar, është pozitiv fakti që kandidatura e Suzanna Shkrelit për në Kongresin amerikan ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane, të asaj shqiptaro-amerikane por edhe medias në trojet shqiptare.  Si gjithmonë, është e rëndësishme për komunitetin e vogël shqiptaro-amerikan, në krahasim me grupe më të mëdha etnike në këtë vend, që brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve që përfaqsohet nga persona të nivelit si Suzzana Shkreli, të tregojnë se janë të gatëshëm të sakrifikojnë duke kandiduar për poste të ndryshme politike, nga më të vogëlat në nivele vendore e shtetërore e deri në më të mëdhatë të nivelit federal, duke zhvilluar një fushatë bindëse dhe të ndershme.

Shpresoj që kandidatura e Suzana Shkrelit për tu bërë anëtare e Kongresit amerikan tregon pjekurinë dhe vendosmërinë e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, se ky komunitet është i denjë dhe i gatëshëm të marrë pjesë aktive në procesin politik amerikan, këmbë për këmbë me grupe të tjera.  Kandidatura e Suzanna Shkrelit përbën gjithashtu edhe një zhvillim historik të angazhimit serioz politik të komunitetit shqiptaro-amerikan, pasi mesa dihet, kjo duhet të jetë kandidatura e parë e një femëre shqiptaro-amerikane që synon një post në Kongresin amerikan.  Natyrisht, ne i urojmë sukses në fushatë dhe shpresojmë në fitoren përfundimtare të Suzannës, por cilido qoftë rezultati në nëntor, komuniteti shqiptaro-amerikan është krenar me historitë e deritanishme të suksesit të këtij brezi përfaqsuese e të cilit është edhe Suzana Shkreli.

 Suzanna Shkreli for Congress

 “Congress won’t take on the tough fights. I will.”

 Ne Foto: Suzanna Shkreli, kandidatja e Partisë Demokratike (SHBA) për zonën numër 8 të Kongresit amerikan të shtetit Miçigan.

 

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, FUSHATËN PËR NË, kongresin Amerikan, SUZANNA SHKRELI NISË

Lu, letër deputetëve: Votoni reformën në drejtësi

July 7, 2016 by dgreca

Ambasadori amerikan, Donald Lu u ka dërguar një letër deputetëve për reformën në drejtësi, përmes së cilës u kërkon atyre kërkon miratimin e saj.

“Është koha për të marrë një vendim, udhëheqësit të gjejnë një kompromis që të mbështet nga opozita dhe mazhoranca”, apelohet nga ambasadori Lu në këtë letër.

Duke shtuar se orojekti i 14 qershorit i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi i përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet evropiane.

Diplomati amerikan shpjegon më tej edhe se përse ndërkombëtarët kanë kundërshtuar vendet e rezervuara.

“SHBA dhe BE i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do të etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut si pro qeverisë ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do e minonte këtë besim”, sqaron ai.

Në fund, Lu bën sërish thirrje për negociata në kërkim të kompromisit. Megjithatë e ka një paralajmërim.

“Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën. SHBA besojnë se kjo reformë është jetike për të ardhmen e vendit tuaj. Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro reformës në drejtësi”, konkludon ambasadori amerikan.

Filed Under: Editorial Tagged With: ambasadori amerikan Lu, Leter deputeteve

KUJTESE- 24 VITE TE SHKUARA: NJE LETER E JOSEPH DIOGUARDIT EDITORIT TE GAZETES”THE NEW YORK TIMES”

July 6, 2016 by dgreca

DioGuardi:Ju thoni se se problemi i vetëm është kundërshtimi grek ndaj përdorimit të emrit “Maqedoni” nga vendi i ri.  Ky është relativisht problem i vogël.  Problem shumë më i madh është të bindet Qeveria Sllave e Maqedonisë që të njoh të drejtat e plota civile dhe politike të popullsisë shqiptare të atij vendi.  Kur kjo të arritet, problemi i mbetur i emrit mund të zgjidhet thjesht duke e riemëruar republikën Iliria, emri antik për tokën e shqiptarëve, popullit të parë autoktonë të Ballkanit./….

New York Times  EDITORIALI/LETRAT  E DIEL, 12 PRILL, 1992/

Popullata Shqiptare/

Letër Redaktorit: “Dy Maqedonitë”  (editorial, 5 Prill) shpërfill një çështje kryesore të pazgjidhur në njohjen e një republike të pavarur maqedone, çfarëdo që mund të quhet./

Pothuajse një milion shqiptarë etnik përbëjnë 40 përqind të popullsisë së ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.  Meqë pjesa tjetër prej 60 përqind janë të ndarë në mes të grekëve, bullgarëve, serbëve dhe “muslimanëve,” shqiptarët mund të jenë grupi më i madh etnik në vend.

Ligji i zgjedhjeve i 1990, fatkeqësisht, i ndau zonat zgjedhore në mënyrë që vetëm 23 nga 120 vende në Parlament të jenë për shqiptarët etnikë.  Ata gjithashtu mbajnë vetëm 3 nga 22 portfoliot e qeverisë.

Të frustruar nga kjo politikë e nënpërfaqësimit të qëllimshëm, dy partitë shqiptare të Maqedonisë miratuan një platform të përbashkët në Tetovë me datën 21 të dhjetorit të kaluar.  Platforma i bëri thirrje Komunitetit Evropian që mos ta njihte pavarësinë maqedonase për shkak të dështimit të qeverisë së saj që të përmbush standardet e Komisionit Evropian mbi të drejtat civile dhe njerëzore për njohje.

Diskriminimi politik gjithashtu ka përgaditur regjistrimin e popullsisë së vitit 1991 në mënyrë që ti numëronte më pak shqiptarë se sa numri i plotë i tyre, ka urdhëruar përdorimin e alfabetit cirilik (shqiptarët përdorin alfabetin romak) dhe ka hedhur poshtë një propozim shqiptar pë deklarimin e statusit të barabartë për të gjithë qytetarët.

Me 11-12 janar, shqiptarët votuan me shumicë dërrmuese që të bëhen krahinë autonome vetëqeverisëse brenda Republikë së re të Maqedonisë.  Rezultatet e këtij referendumi janë injoruar nga autoritetet maqedonase.

Ju thoni se se problemi i vetëm është kundërshtimi grek ndaj përdorimit të emrit “Maqedoni” nga vendi i ri.  Ky është relativisht problem i vogël.  Problem shumë më i madh është të bindet Qeveria Sllave e Maqedonisë që të njoh të drejtat e plota civile dhe politike të popullsisë shqiptare të atij vendi.  Kur kjo të arritet, problemi i mbetur i emrit mund të zgjidhet thjesht duke e riemëruar republikën Iliria, emri antik për tokën e shqiptarëve, popullit të parë autoktonë të Ballkanit.

Shkruar nga:

JOSEPH J.  DIOGUARDI, President

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Rye, N.Y., 6 Prill, 1992.

* Letren e dergoi per Diellin te perkthyer ne gjuhen shqipe Luan Mazreku, Missouri, USA

Filed Under: Editorial Tagged With: Joe DioGuardi, Leter Editorit, The New York Times

NDERI DHE IDENTITETI I KOMBIT SHQIPTAR NË SHITJE

July 5, 2016 by dgreca

* Përfaqësuesi i qeverisë së Kryeministrit grek,një i quajtur Makropulos… foli në kongresin e PDIU-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare…. përfaqësuesi i qeverisë greke, ball për ball me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkpuntorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë… Në minimum, sjellja e përfaqsuesit grek, të paktën në një shënjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla…/

* Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtë për drejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe.

Nga Frank Shkreli/

I nderuar lexues, nëqoftse gjëndesh në pushimet verore dhe nuk ke ndjekur lajmet e ditëve të fundit, duhet ta dishë se nderi, identiteti dhe interesi kombëtar janë venë në tallje, mund të thuhet janë venë në shitje, në ankandë, për këdo që paguan më shumë. Kjo, në të vërtetë, nuk është diçka e re – e mbani mend deklaratën e Rexhep Taip Erdoganit se Turqia është Kosovë dhe Kosva është Turqi? Por meriton të përmenden rastet e fundit të këtyre përpjekjeve antishqiptare të cilat denigrojnë historinë dhe identitetin e kombit shqiptar, ndërkohë që përbëjnë edhe një ndërhyrje flagrante në interpretimin e historisë së shqiptarëve. Për më tepër, përfaqsues të këtyre rrymave antishqiptare, kohët e fundit madje lëshuan edhe kërcënimet e rastit. Si gjithmonë, në krye të radhës për të bërë ofertat në ankandë janë të njohur, ata që historikisht nuk ndalen së turruri trojeve shqiptare kurdo që shohin një hapje, në kohë lufte e në kohë paqeje: sllavët, turqit dhe grekët.

Kohët e fundit në Tiranë u mbajt kongresi i Partisë për Bashkimin për të Drejtat e Njeriut (PDIU) ku mori pjesë përfaqësuesi i qeverisë së Kryeministrit grek, një i quajtur Makropulos. Ai foli në kongresin e PDIU-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare. Se pse ftohet një njeri i tillë të marrë pjesë në një takim politik të kësaj natyre është e pakuptueshme, por sidoqoftë, përfaqësuesi i qeverisë greke, ball për ball me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkpuntorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ai citohet nga media vendase të ketë thënë se “Ajo që mua më shkakton problem është vullneti dhe dëshira e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me të gjitha forcat. Si është e mundur që pasardhësit e luftëtarëve kundër Gjermanisë të pranojnë dhe të tolerojnë pranë disa pasardhës të nazistëve.”

Atëherë, përfaqsuesi grek, sikur po u drejtohej me një leksion nxënsve të klasave fillore, u thotë pjesëmarrësve në kongresin e partisë PDIU se “Ju e dini se cilët janë njerëzit për të cilët unë po

flas. Nuk është e mundur që unë të fyej Shqipërinë me ato thënie që ato kanë ngritur, por ata fyejnë Shqipërinë dhe jo Greqinë,historinë e rezistencës së Shqipërisë dhe ky është një problem”, iu drejtua Makropulos, përfaqësuesi i qeverisë greke, Ramës dhe përfaqsuesve të opozitës shqiptare.

Në minimum, sjellja e përfaqsuesit grek, të paktën në një shënjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndonëse dikush mund të thotë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Makropulos nuk u suall si mik i mirë, por si provokues dhe si kërcënues dhe si tillë shkeli mikpritjen shqiptare!

Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtë për drejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe. Pas vizitës në Turqi të Kryeministrit Rama, ku presidenti turk Erdogan shërbeu si shofer i tij, siç duket për të treguar respektin personal dhe miqësinë e ngushtë me kreun e qeverisë shqiptare nga Lezha vjen lajmi se një i ashtuquajtur historian turk me emërin Talha Uğurluel paska vizituar varrin e Skënderbeut. Para se të citoj këtë halldup otoman për ofendimet ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve, ia vlen të theksohet se nuk është një koincidencë se ky na qenka një përfaqësues i shoqatës Tika, organizatë kjo që financohet nga Erdogani e misioni i të cilës është të “zbulojë” rrënjët otomane në Ballkan. Sipas një videoje në youtube ai është shprehur, aty pranë varrit të heroit kombëtar të shqiptarëve në Lezhë se, ”Skenderbeu nuk beri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, femijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK-ja ….” Por, ky farë historiani, i cili siç duket fletë me mbështetjen, me porosinë dhe në emër të autoriteteve të larta në Ankara, nuk e la me kaq. Pas ofendimeve që ndeshën në duartrokitje të pranishmëve, ai madje i kërcënon shqiptarët, aty në shtëpinë e tyre, në vatrën e kombit, në vendin më të shënjtë të historisë dhe të identitetit kombëtar të Arbërit, duke paralajmëruar me autoritetin e tij, se shqiptarët kanë një alternativë që ose të jetojnë “si Mehmet Akif Ersoy, shqiptar por besnik i Osmanëve, ose si Skënderbeu, tradhëtar.”

Në minimum, siç thashë më lartë, sjellja e përfaqsuesit grek në një takim politik në Tiranë, të pakën në një shënjë simbolike, duhej që deklarata e tij të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndërsa, përfaqsuesi i Erdoganit, Talha Uğurluel duhej të dëbohej aty për aty nga Shqipëria si ofendues i nderit, i historisë dhe i simbolit më të shënjtë të shqiptarëve. Dikush mund të thotë, më ngadalë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Për më tepër, miku nuk të kërcënon në shtëpinë tënde, siç bënë këta dy halldupë. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, Makropulosi grek dhe turku Uğurluel nuk u sollën si miqë të mirë por si provokuesë, kërcënuesë dhe mohues të historisë dhe identitetit të shqiptarëve. Si të tillë, të dy këta e shkelën mikpritjen shqiptare!

Si të tillë, ata ishin të pa besë dhe të pa dëshirueshëm në sofrën e shqiptarit. Këta dhunuan mikëpritjen dhe bukën e shqiptarit, por për ata që dinë diçka dhe që duhet të gjykojnë më mirë, në radhë të parë përfaqsuesit e sotëm politikë të kombit shqiptar të cilët duhet të jenë të vetdijshëm se me këtë rast u dhunua diçka më shumë se sa mikpritja shqiptare nga këta dy halldupë. U dhunua historia, identiteti dhe nderi i kombit. Këto, në të vërtetë ishin ato që turku dhe greku, secili sipas interesave të veta, donin të arrinin. Donin që mbi të gjitha të njollosnin dhe të dëmtonin historinë dhe simbolet e kombit shqiptar, para vet shqiptarëve, aty në trojet e veta autoktone shekullore. Ata ia dolën qëllimeve të tyre!

Kombi shqiptar dhe historia e tij vazhdon të njollosët dhe njëkohsisht mbeten të dëmtuar dhe të dhunuar nga deklarata siç është kjo e përfaqsuesit të qeverisë greke në Tiranë dhe të përfaqsuesit të presidentit turk, Erdogan, aty pranë varrit të Skënderbeut në Lezhë. E gjithë kjo ndodhi kur në Prishtinë po celebrohej një meshë në Katedralën Nënë Tereza kushtuar viktimave të terrorit në Turqi dhe në të njëjtën kohë kur vet kryeministri shqiptar po pritej e gostitej nga Erdogani gjatë një vizite në Turqi, vizitë e dokumentuar krenarisht me fotografitë e rastit në facebook-un e kryeminstrit shqiptar. “Something is wrong with this picture!” Diçka nuk është në rregull me këtë situatë!

Fatkeqsisht, kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë e fundit, që jo vetëm përfaqsues të tillë turq e grek, por edhe zyrtarët më të lartë të këtyre dy vendeve kanë bërë, nga koha në kohë, deklarata fyese ndaj historisë së shqiptarëve, madje duke bërë thirrje për rishkimin dhe rishkrimin e saj, sipas epsheve të dobëta të armiqëve historikë të shqiptarëve.

Nuk e di se ç’është me keq: deklaratat ofenduese antishqiptare të këtyre halldupëve, apo heshtja dhe indiferenca ndaj këtyre ofendimeve prej vetë përfaqsuesve të shqiptarëve kudo, nga qeveria e Shqipërisë, nga Kosova ose nga institucionet e tjera të shqiptarëve sidomos ato akademike. Pyetja që duhet bërë është se kush i del sot zot historisë, nderit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, përballë këtyre halldupëve që mbështeten dhe financohen nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore e që përfaqësohen nga njerëz të tillë dhe në emër të cilëve ata flasin. Po kush flet sot në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të historisë së shqiptarëve?

Mos reagimi zyrtar i përfaqsuesve politikë të kombit shqiptar sot ndaj këtyre ofendimeve që fatkeqsisht tashti janë bërë të zakonshme kundër historisë dhe sidomos kundër simbolit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe — nuk është asgjë më pak se një dëshmi që flet për një dobësi morale dhe për një mungesë atdhedashurie të këtij brezi. Mos Zot më keq!

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, NDERI DHE IDENTITETI I KOMBIT, SHQIPTAR NË SHITJE

Populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra

June 27, 2016 by dgreca

Nga Donald Lu*/

Shqiptarët më pyesin shpesh se cilat janë anët më të mira dhe më të këqija të punës sime. Përgjigjja është e lehtë. Ana më e mirë e punës sime është të takohem me studentë të zgjuar. Ana më e keqe e punës sime është të përjetuarit e politikës shqiptare nga afër. Ndoshta studentët mund t’u mësojnë politikanëve diçka. Shumë njerëz inteligjentë kanë punuar për reformën në drejtësi për gati dy vite. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për pothuajse gjithçka përveç një hollësie të fundit: kërkesën e opozitës për vendet e rezervuara. Çfarë do të na sugjeronte një nxënës për zgjidhjen e këtij problemi? Është e thjeshtë. Çdo fëmijë do t’ju thoshte se të dy palët duhet të mos ofendojnë më njëri-tjetrin dhe të mos përdorin më epitete fyese ndaj njëri-tjetrit. Duhet të ulen si të rritur dhe t’i zgjidhin çështjet përmes kompromisit. Është e vërtetë që Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar. Mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Politikanët nuk është e thënë të marrin idetë dhe sugjerimet tona, por ata duhet ta gjejnë kompromisin. Nga ana tjetër, ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur. Çdo udhëheqës politik partiak, çdo deputet i Kuvendit dhe çdo i ri e di se populli i Shqipërisë e mbështet në shumicën dërrmuese reformën në drejtësi. Cilët janë këta udhëheqës partish politike që i thonë popullit shqiptar se nuk mund ta ketë këtë reformë? Unë kam një kërkesë për brezin e ri të shqiptarëve. Ju bëj thirrje të gjithëve që t’u thoni udhëheqësve që ju keni votuar se e doni këtë reformë. Shkruajini një letër. Bëni postime në median sociale. Flisni me miqtë tuaj. Vota e 21 korrikut do të përcaktojë drejtimin e vendit. Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Thuajuni atyre se doni që Shqipëria të jetë një demokraci ku zërat tuaj do dëgjohen dhe ku ju do të trajtoheni në mënyrë të drejtë dhe me respekt.

* Thirrja që ambasadori amerikan Donald Lu i drejtoi brezit te ri per Reformen ne Drejtesi.

Filed Under: Editorial Tagged With: brezit te ri, Donald Lu, Lojrat e politikaneve, Reforma ne Drejtesi, thirrje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT