• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – “Moisiu arbëror”

January 20, 2018 by dgreca

1 Lush Gjergji

Nga Don Lush GJERGJI/

Kaluan 550 vjet pas vdekjes së tij. Shumëçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale. Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime,  deri te kundërshtimi, urrejtja,  keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm  që aktualiteti i tij,  “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pré” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..

Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij,  ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.

Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit,  atë të Venedikut, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos  trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje  aftësia e tij në diplomacinë  e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.

Në këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandërit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.

Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rikuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.

Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.

Ai është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë.

Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftëtarit të pashembullt për popullin tonë ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë gjithëkombëtare me popuj dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

Kështu unë e vlerësoj figurën më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm

 

Filed Under: Editorial Tagged With: – “Moisiu arbëror”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, don Lush Gjergji

Kosova drejt 10 vjetorit të pavarësisë: 115 njohje, 2 në 2017-tën

January 4, 2018 by dgreca

-Gjatë 10 viteve të pavarësisë, 2010-ta ishte me dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: lëgjitimimi i pavarësisë  së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 korrik dhe Rezoluta e 9 shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë/Newborn

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PPRISHTINË, 4 Janar 2018/ Kosova shtet i njohur deri tani nga 115 vende anëtare të OKB-së, nga dy në 2017-tën,  në këtë vit – 2018-tën feston 10 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.“Njohja nga Madagaskari është një ndër arritjet kryesore të Republikës së Kosovës për këtë periudhë 100 ditore”, ka vlerësuar Ministria e Jashtme  në Raportin 100 ditor të punës së qeverisë që mori detyrën në 11 shtator, tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017.

Madagaskari i solli Kosovës njohjen e 15-të në 26 nëntor, që ishte një nga dy njohjet në vitin 2017 pas asaj nga Bangladshi të njoftuar në 27 shkurt.

Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në Bruksel zhvillohet procesi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve,  kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Gjatë 10 viteve të pavarësisë, 2010-ta ishte me dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: lëgjitimimi i pavarësisë  së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 korrik dhe Rezoluta e 9 shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosoves  në seancën e veçantë të datës 23 korrik 2010 ka miratuar solemnisht  një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në tetor të vitit 2008.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jorezidentë në rreth 60 shtete.

Filed Under: Editorial Tagged With: 115 njohje nderkombetare, kosova

Asociacioni, qëllimi kryesor i serbëve për vitin 2018

January 2, 2018 by dgreca

1 asociacioni

Foto: Përfaqësuesit e Listës Serbe, gjatë një takimi në Beograd me përfaqësues të Qeverisë serbe. 9 shtator, 2017/
Formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, do të jetë qëllimi kulmor, të cilin Lista Serbe, do të përpiqet ta realizojë gjatë vitit 2018, deklarojnë zyrtarët e këtij subjekti politik, i cili përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës.Igor Simiq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se komuniteti serb i Kosovës pret që në vitin 2018 të nisë zgjidhja e problemeve, me të cilat ballafaqohet ky komunitet, ndërkaq që problemi që konsiderohet si parësor, sipas tij, mbetet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, sipas tij, formimi i Asociacionit mbetet në duart e Prishtinës zyrtare, e cila ka marrë obligimin për një gjë të tillë, me marrëveshjen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Simiq shpreh mendimin që, në këtë drejtim, Qeveria e tanishme e Kosovës duhet të tregohet më e guximshme në raport me qeveritë e kaluara dhe të fillojë me procesin e formimit të Asociacionit.

“Ka ardhur koha kur duhet të merren vendime të guximshme. Shumë njerëz e parashohin që viti 2018 do të jetë vit, në të cilin do të jetë e nevojshme që të merren vendimet tilla. Kemi, në njërën anë, thirrjet e tilla të bashkësisë ndërkombëtare, si nga Brukseli dhe Uashingtoni, por edhe të atyre që janë në Kosovë. Në anën tjetër, Lista Serbe, si përfaqësuese e popullit serb në Kosovë, absolutisht gjithmonë do ta mbështesë propozimet që çojnë kah formimi i Bashkësisë së komunave serbe, por edhe gjërave tjera që janë me interes për popullit serb”, theksoi Simiq.

Por, javë më parë, Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk konsiderohet çështje urgjente.

“As nuk është urgjente dhe as nuk do të thotë diçka shumë e ngutshme për Qeverinë e Kosovës, sepse së pari duhet të hartohet draft-statuti, e pastaj të rishikohet dhe sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjes së Brukselit, duhet të shkojë sërish për konfirmim në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Matoshi.

Por, Simiq ka hedhur poshtë mundësinë që Lista Serbe do të pranojë që formimi i Asociacionit të bëhet në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, gjë që precizohet në Marrëveshjen së Brukselit, e gushtit të vitit 2015. Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes së vitit 2013, në të cilën ishte arritur pajtimi që të formohet Asociacioni.

“Lista Serbe nuk do të heqë dorë nga ajo që Bashkësia e komunave serbe të formohet, ashtu siç është arritur pajtimi në Bruksel. Marrëveshja e Brukselit, e vitit 2013, e cila e parasheh formimin e Bashkësisë së komunave serbe është ratifikuar nga ana e Kuvendit të Kosovës si dokument ndërkombëtar. Si tillë, juridikisht ka fuqi më të madhe sesa Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese”, tha Simiq.

Por, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, më herët kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se Prishtina zyrtare duhet të tregojë urtësi dhe ta zgjidhë problemin e formimit të Asociacionit. Por, sipas tij, marrëveshja e vitit 2013 është vetëm pajtim në parim, ndërkaq, formimi i Asociacionit duhet të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2015. Në këtë të fundit, siç ka thënë Nojkiq, në mënyrë të qartë thuhet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe formohet sipas ligjeve të Kosovës dhe që Gjykata Kushtetuese është e obliguar të shpallë kushtetutshmërinë. Këmbënguljen e Listës Serbe, ai e quan të kotë.

“Kjo që e kanë nënshkruar në vitin 2015 dhe tash kinse po e kthejmë prapa, nga kjo nuk do të dalë asgjë. Ky tashmë është dokument zyrtar, kështu shkruhet aty dhe ky është rrëfim i përfunduar”, pati thënë Nojkiq.

Sidoqoftë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas zyrtarëve të Listës Serbe, është vetëm një nga tri qëllimet kryesore të këtij subjekti politik për vitin 2018.

Siç ka thënë Simiq, kthimi i të zhvendosurve dhe mbijetesa e serbëve që jetojnë në Kosovë, si dhe arritja e sigurisë ekonomike dhe juridike për ta, mbeten sfidat dhe qëllimet esenciale, të cilat Lista Serbe do të përpiqet t’i realizojë gjatë vitit 2018.(kortezi:Belim Biislimi)

Filed Under: Editorial Tagged With: Asociacioni, për vitin 2018, qëllimi kryesor i serbëve

EUROPË NJIHE VETEN

November 26, 2017 by dgreca

h1 ahn-620x440

NGA PETRO DANGELLIA/1 Flamuri big        Kur vjen z.Josef Han në Shqipëri pritet si ujët e  pakët. Populli shqiptar i zhurritur dhe me një buzëtharrje nga vapa e gjatë e rrugëtimit në shkretëtirën e pafund, në një mission gati të pamundur, pasi mban mbi shpinë mallkimin e kalimit të kësaj shkretëtire me emërin tranziscion, për të shkuar në tokën e premtuar me emrin Europë.

Kështu edhe kësaj rradhe, imazhet ireale që u krijohen shqiptarëve nga zhegu i kësaj shkretëtire të mallkuar, kur ju shfaq z.Han si i dërguar i zotit, i cili ashtu si Mojsiu, do të na udhëhiqte dhe do të na çonte drejt burimeve me ujë të ftohtë të kësaj toke të premtuar, ju duk se shumë afër ndodhej një oaz i mrekullueshëm me  ujë të freskët dhe shumë shpejt pas tij do të dilte bukuroshja Europë, ashtu si Afërdita nga shkuma e detit. Por jo, nuk qe e thënë. Mojsiu vërtet u shfaq, por ai tha, se ju llauzi i shqiptarëve keni akoma shumë rrugë për të bërë për të mbrritur atje ku dëshëroni, duke e çuar realizimin e ëndrrës së shqiptarëve në kalendat greke. Edhe kësaj here shqiptarët u dëshpëruan, por nuk hoqën dorë nga ky mission i pamundur.

Shqiptarët janë ndoshta i vetmi popull në Europë që e do Europën me një dashuri të zjarrtë shekspiriane. Kjo dashuri nuk ka asnjë ndryshim nga dashuria e zjarrtë e Zeusit për bukuroshen Europë, motrën e Feniksit dhe të Kadmit. Në dallim nga vëndet fqinjë që herë pas here lëshojnë mallkime në drejtim të Europës, madje edhe nga ata që bëjnë pjesë në të. Madje, madje ai e do më shumë se edhe vetë popujt që krijuan Bashkimin Europian, të cilët herë pas here mërziten me të dhe duan të divorcohen e të bredhin ergjele.

Ndoshta edhe popujt europianë, duke na parë ne shqiptarët në këtë marri dhe çartje dashurore, na marrin për një popull me cilësi fëminore, si naiviteti, çiltërsia dhe padjallëzia.

Jo, nuk është kështu. Por shqiptari atë që e quan mik e mban për mik. Nëqoftëse kjo cilësi tek shumë popuj ka humbur, tek ne për fat të mirë ekziston akoma. Ne e duam mikun me sinqeritet dhe i japim besën. Por duam që edhe miku të na i kthejë me të njëjtën monedhë.

Por këtu ka edhe një problem. Të dërguarit e Europës takohen vetëm me politikanët shqiptarë, të cilët me thënë të drejtën i ndan një hendek i thellë nga populli i tyre dhe janë të një race tjetër, një racë sharlatanësh të babëzitur, delenxhinj dhe kameleonë. Ky është problemi dhe mallkimi i ynë. Por, populli i ynë është ndryshe nga ata që takoni Ju z.Han. Mos kujtoni se edhe ne jemi si ata. Mos merrni ata për shëmbëlltyrën tonë.

Kush është populli shqiptar? Ju mbase e dini këtë dhe historinë e popullit tonë. Por mos ma merrni për keq, pasi dua edhe unë të them dy fjalë. Origjina e tonë vjen nga mugëtirat e kohrave që nuk mbahen mënd dhe nuk i gjen gjëkundi të shkruara.  Etnogjeneza jonë vjen nëpërmjet legjendave të mitologjisë ashtu si mjegulla në ditët e ftohta të dimrit, që duket dhe zhduket, që tregon dhe fsheh malet, grykat dhe luginat.

Ne, mbajmë për të parët tanë pellazgët. Ata të cilët Omeri tek Iliada i quante hyjnorë dhe të lindur para hënës. Ne mbajmë për të parin tonë Thotin, perëndinë pellazge të diturisë; të cilët grekët e lashtë e quajtën Hermes Trimegjisti (Tri herë i madh). Por ne, më pas kemi pasur edhe Zeusin, të cilin po Omeri e quan “Zeusi Pellazg i Dodonës”, nga i cili kemi marrë disa cilësi të shkëlqyera: Dashurinë për jetën, Besën ndaj mikut dhe mikpritjen, mosbërjen keq ndaj fqinjit, ndëshkimin e së keqes, trimërinë dhe mbrojtjen e vatrës familjare dhe të atdheut deri në vetëmohim, dashurinë dhe nderimin për etërit dhe atdheun që na lanë të parët, dashurinë dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, të paktën që nga Thoti e këndej, prej më shumë se 14.000 vjetësh; pasi origjina e gjuhës tonë shkon deri në lindjen e racës të bardhë me Japetin, prandaj dhe shumë autorë atë e quajnë –Gjuhë Japetike- ose gjuhë e racës së bardhë.

Në këtë kuptim, ne që duam të hyjmë në Europë, jemi vetë Europa, pasi rrënjët e saj shkojnë deri tek të parët tanë. Në këtë kuptim, kur të na fusni në Europë, nuk na bëni nder neve, shqiptarëve; por i bëni nder vetes, pasi pranoni në gjirin Tuaj pasardhësit e të parëve tuaj.

Ju z.Han, kur shkuat në Maqedoni, midis të tjerash, u shprehët pak a shumë, se çështja e gjuhës shqipe në Maqedoni nuk është problem i Bashkimit Europian. Ky është një problem i juaji, sllavë dhe shqiptarë që jini të detyruar të bashkëjetoni nën një kulm, i cili quhet FYROM. Këtë fjalë ne shqiptarët më shumë e kuptojmë si një shtet që mezi merr frymë dhe po jep shpirt, pasi në Jug të Shqipërisë me fjalën Firomë, kuptohet fryma.

Na keni lënduar z.Han! Mbase Juve kështu u kanë thënë në kanceleritë e perandorisë europiane. Por gjuha shqipe është e shënjtë për ne shqiptarët. Jo më kot i thashë disa fjalë aty më lart. Gjuha shqipe është pjesë e identitetit dhe ekzistencës sonë si komb. Pa të ne jemi të humbur. Dhe ta dinë mirë; miqtë dhe armiqtë; Gjuha shqipe nuk ka për t’u tretur dhe nuk është tretur për mijëra vjet, pasi shqipfolësit e kanë mbrojtuar atë me jetën e tyre. Ky është amaneti i të parëve  tanë. Gjuha shqipe nuk ka për t’u tretur në trojet dhe land-inat ku flitet shqip, ku bukës i thonë bukë dhe ujit i thonë ujë. Historia ka vërtetuar se janë tretur ata që kanë dashur ta tresin atë.

Më lejoni t’ju kujtoj se çfarë ka thënë e më e madhja mike e shqiptarëve, Mis Durham: Pushtimet dhe perandoritë kanë kaluar mbi shqiptarët pa lënë asnjë gjurmë, ashtu si kalon uji mbi shpinë të patës (rosës). Ne jemi ata që kemi qënë për mijra vjet dhe kështu do të jemi edhe për mijëra vjet të tjerë.

Më lejoni z.Han t’ju tregoj, se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta të planetit, duke lënë shumë pas gjuhë si: greqishtja e lashtë, latinishtja, sanskritishtja, hebraishtja, vedishtja, tokariania, sllavishtja dhe gjermanishtja e lashtë, lituanishtja etj etj. Motër e saj është keltishtja. Ajo konkuron në kohë ndoshta me gjuhën e actekëve, gjuhën e lashtë egjyptiane dhe gjuhën e lashtë kineze. Por duhet të jetë më e vjetër se edhe këto të fundit.

Për shembull, në mos gaboj, në gjuhën tuaj, patates  thonë kërtofel. Në Lëpushë, Selcë të Vermoshit dhe në Bjeshkët e Namuna, patates i thonë kërtollë. Ka ndonjë ndryshim midis asaj që i thoni Ju dhe asaj që i thonë malësorët tanë?!!!

Në gjuhën tuaj, kur varroset njeri, në mos gaboj i thonë begraben. Në Toskëri përdoret një shprehje si mallkim; do të bëj gropën. Është e njëjta fjalë. Ju përdorni fjalën kaput për vdekjen. Në shqip kur një lule e këput, ajo vdes, ose njeriut kur vdes i  këputet jeta në mes. Ku është ndryshimi?!!

Një poet i yni, Naim Bej Frashëri i kanë pas thënë, është i mejtimit se gjuha shqipe është gjuhë e perëndive. Dhe ka të drejtë; pasi ajo është gjuha e Thotit. Vetë Zeusi ka folur shqip. Shqip ka folur Mojsiu.

-Shqip ka folur Akili dhe Odiseu. Shqip ka folur Aleksandri i madh. Shqip ka folur Pirrua i Epirit. Shqip ka folur Hanibali dhe Jul Qezari.

-Shqip ka folur Kostandini i Madh dardanasi prej Nishit, i cili është një nga figurat botërore që vjen menjëherë pas Jezu Krishtit për veprën që kreu në mbrojtje të krishtërimit, e cila është feja që gëzoni sot Ju europianët.

-Shqip ka folur Justiniani i Madh, dardanasi prej Bederianës, dhuratë prej të cilit ka sor bota e qytetëruar kodet juridike, si dhe mbrojtjen që ai i bëri qytetërimit europian prej dyndjeve barbare sllave.

-Shqip ka folur Gjergj Kastrioti, pa veprën e të cilit dhe të shqiptarëve që luftuan bashkë me të; ndoshta Europa sot do të ishte muhamedane.

-Thonë se shqip ka folur Gjergj Uashingtoni, i cili duan e thonë se gjyshen e ka pasur nga Peja.

-Thonë gjithashtu se shqip ka folur Napoleon Bonaparti  (kalëmiri), i cili për simbol ka pasur shqiponjën, të cilën mund ta shikjoni të gdhendur në shtëpinë e tij në Korsikë. Ai Napoleon që i dha Europës kodet e reja dhe e qytetëroi atë. Dhe nëqoftëse Europa sot është ajo që është, kjo është meritë e këtij arvanitasi me origjinë nga Moreja e Peleponezit.

-Thonë gjithashtu se shqip ka folur Xhuzepe (Zef) Garibaldi (Kalibardhi) me origjinë nga arbëreshët e Italisë. Themeluesi i shtetit modern Italian.

-Shqip ka folur Mehmet Ali, themeluesi i shtetit modern egjiptian.

-Shqip ka folur Mustafa Qemali, themeluesi i shtetit modern turk.

Prandaj, më falni z.Han, por edhe ju duhet ta mësoni gjuhën shqipe, pasi ju nderon dhe shton më tej kulturën Tuaj erudite me një gjuhë, që Robert D’Anzhely e ka quajtur gjuhë të Universit; ndërsa një rilindas i joni i kohëve moderne, Petro Zheji, e ka quajtur gjuhë kozmike. Dhe si një gjuhë e tillë ju europianët duhet ta vendosni në muze atje në Bruksel dhe mirë është, që për erudicion, ta mësojnë  të gjithë politikanët e BE.

Shqipen duhet ta mësojnë edhe historianët dhe gjuhëtarët perëndimorë, pasi kështu kanë për t’i hequr mjegullnajën, mugëtirën dhe patericat politike me ngjyrime shoviniste dhe raciste gjuhësisë dhe historisë botërore, të cilat paskëtaj do të dalin në dritë dhe do të ecin me këmbët e veta.

Në kuptimin me sa u trajtuan më lart edhe UNESKO duhet ta shpallë gjuhën shqipe; gjuhë të njerëzimit dhe ta marrë në mbrojtje.

Në mirëkuptimin Tuaj Z.Han dhe me respekt.

Petro Dangëllia, 25 nëntor 2017.

Filed Under: Editorial Tagged With: Europe, njihe veten, Petro Dangellia

Muri i Berlinit dhe Shqipëria*

November 9, 2017 by dgreca

Jonila-godole-shkrim

Nga Jonila Godole/

Më 26 mars 2013 një fragment i Murit të Berlinit iu dhurua Shqipërisë dhe u vendos në hyrje të ish-Bllokut në Tiranë duke formuar memorialin e parë për kujtesën, së bashku me një bunker si simbol të izolimit dramatik të dramatik dhe disa shtylla betoni të sjella nga galeria e minierës së kampit famëkeq të Spaçit, ku vuajtën dhe humbën jetën mijëra të burgosur dhe kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Të rinjtë që kalojnë aty përditë e njohin Murin e Berlinit, por kur i pyet nuk njohin as kontekstin e vendosjes së tij aty në hyrje të Bllokut, dhe as kuptimin e pjesës „shqiptare“ të memorialit. Dhe pse nuk e njohin? Sepse ne nuk flasim për të shkuarën!

Kur u shemb Muri i Berlinit më 9 nëntor 1989, bashkë me të u vendos edhe e ardhmja e vendit tim. Propaganda zyrare e kohës u përpoq ta mbante sekret këtë lajm. Nuk duhej bërë i njohur, dhe mbi të gjitha duhej trajtuar si një rast i izoluar brenda Gjermanisë. Vërtet që u desh edhe një vit derisa të fillonte lëvizja demokratike në Shqipëri, por ishte shembja e Murit ajo që shënoi fillimin e fundit të komunizmit në Shqipëri. E kam pyetur shpesh veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse Muri i Berlinit nuk do kishte rënë? Me siguri, Gjermania nuk do të ishte kthyer kurrë në Kore të Veriut. Sistemi i kalbur nga brenda do të ishte rrënuar brenda pak muajsh, apo vitesh. Por për Shqipërinë këtë nuk mund ta themi me siguri. Qysh nga ardhja në fuqi e komunistëve 1944 deri më 1991 ky ishte vendi më i mbyllur dhe i izoluar në Europë. Ky izolim, i nxitur qëllimisht nga vetë pushtembajtësit ua bëri më të lehtë instalimin e një aparati shtypës tëpakrahasueshëm me vendet e tjera të Europës Lindore. Në fund të regjimit komunist, më shumë se një e treta e familjeve shqiptare qenë prekur nga persekutimi politik. Në asnjë vend tjetër komunist në Europë, njerëzit nuk mund të bëheshin kaq “lehtë” viktima të persekutimit politik, të burgoseshin ndonjëherë për dekada të tëra vetëm me një akt të thjeshtë administrativ. Praktika e persekutimit drejtohej jo vetëm kundrej individëve të dyshuar “armiq të popullit”, por edhe kundër familjarëve të tyre. Rreth 60 mijë familje u dëbuan në kampe internimi, 34 mijëTërë vendi u shndërrua në një burg të madh: 48 kampe pune dhe internimi; 23 burgje politike; eleminim të elitës politike dhe ekonomike të vendit dhe zëvendësim të saj me vasalë partiakë; priftërinjtë katolikë dhe kleri në përgjithësi u vra, u përndoq, ose u burgos, derisa feja u ndalua përfundimisht në vitin 1967. Ky kapitull i historisë shqiptare ka kaq shumë ndikim në të tashmen tonë, sepse ende dhjetëra mijëra viktima të këtij persekutimi, jetojnë pranë persekutorëve të tyre. Një politikë sistematike që të synonte vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e përndjekjes politike nuk ka pasur. Anna Kaminsky, drejtore e Fondacionit Federal të Trajtimit të diktaturave ka thënë se ballafaqimi me të shkuarën nuk është një sprint, por një maratonë. Por ndërsa ajo shprehet në mënyrë figurative se Gjermania me gjithë punën e saj të palodhur në këtë drejtim sapo ka arritur në kilometrin 15, atëherë ne si shqiptarë i bie të jemi ende në fazën e nxemjes! Në fillim të procesit të transformimit dhe pas zgjedhjeve të para demokratike parlamentare në vitin 1992, ka pasur një fazë shumë të shkurtër, ku kërkesat e ish-të përndjekurve së paku dëgjoheshin. Pagesat e kompensimit për viktimat, të cilat u pezulluan për shumë kohë që nga viti 1997, nuk ishin as të qëndrueshme dhe as të mjaftueshme. Shumë prej tyre injoroheshin përgjithësisht për shkak të pikëpamjeve partiake politike afatshkurtra. Të tjerë provuan në kurriz se kompensimi zakonisht i organizuar me këste, nuk çohej deri në fund. Edhe në kushtet aktuale politike kjo temë luan vetëm një rol margjinal. Janë bërë disa përparime, përfshi Ligjin për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit, miratuar nga Parlamenti Shqiptar në maj 2015 dhe ngritjen një vit më pas të Autoritetit përkatës që do punojë me to. Por mbetet për t’u parë në praktikë nëse ky autoritet do të ofrojë besimin dhe transparencën e nevojshme për personat e përndjekur dhe për gjithë shoqërinë. Kurse nga ana tjetër, kryetari i tanishëm i Parlamentit është ministri i fundit i brendshëm i regjimit komunist, qoftë edhe simbolikisht, kjo tregon qartë mungesën e vullnetit politik për të bërë një mbyllje përfundimtare me të kaluarën. Dhe ky është një dështim! Një dështim edhe më i madh është mungesa e përpjekjeve për të aktivizuar një diskutim shoqëror mbi këtë të kaluar të afërt. As në shkolla, në universitete, as në diskursin publik, kjo çështje nuk ka luajtur rol për një kohë të gjatë. Kuptohet se popujve që kanë përjetuar kaq shumë dhunë dhe terror, u duhet kohë për ta përpunuar atë. Por ndërkohë, gjenerata të tëra po rriten pa kujtesë! Edhe nëse ky diskutim ka nisur para pak vitesh, kjo ka ndodhur vetëm falë mbështetjes së organizatave ndërkombëtare, mbi të gjitha të Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë, OSBE, por edhe institucioneve të tjera gjermane, si Fondacioni Federal për Trajtimin e por edhe për të na treguar se Bashkimi Evropian (ku Shqipëria synon të bëhet anëtare) është mbi të gjitha një bashkësi vlerash. Ne, nga ana jonë, kemi nevojë për këtë mbështetje ndërkombëtare për të thyer dekadat tona të izolimit nga pjesa tjetër e botës. Sepse historia jonë e vuajtjes, e represionit me gjithë pasojat e tij deri më sot, është pjesë e historisë europiane dhe duhet të trajtohet si e tillë. Që Shqipëria të mos mbetet thjesht një nocion gjeografik në hartën burokratike të Europës! Ky artikull është shkëputur nga fjalimi i autores mbajtur në ceremoninë përkujtimore të 28 vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit, në Kapelën e Pajtimit (Versöhnungskapelle), Berlin 9 nëntor 2017.

Filed Under: Editorial Tagged With: Jonila Godole, Muri i berlinit, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT