• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Provokimet ruse dhe perspektiva e zgjerimit të konfliktit: implikimet për sigurinë e Europës dhe Ballkanit Perëndimor

September 23, 2025 by s p

Prof.dr. Muhamet Racaj/

Ky studim analizon fenomenin në rritje të provokimeve ushtarake dhe politike dhe dimensionet e tyre komplekse në vitin 2025, duke përfshirë shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë, Polonisë dhe vendeve aleate. Analiza multidisiplinare përpiqet të zbulojë strategjinë e Kremlinit pas këtyre aktëve, duke evidentuar synimin për të krijuar presion rajonal dhe për të kufizuar zgjerimin e NATO-s. Diskutohen pasojat për sigurinë euro-atlantike dhe Ballkanin, me theks në nevojën për përgatitje ushtarake dhe bashkëpunim strategjik për parandalimin e një konflikti më të gjerë.

Hyrje

Në dekadën e fundit marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit kanë qenë në një vijë të hollë krize, pas krizës së Krimesë në 2014 dhe pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në 2022. Këto ngjarje kanë theksuar dallimin strategjik midis interesave ushtarake dhe politike ruse, që synojnë rivendosjen e ndikimit në hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik dhe pengimin e integrimit euro-atlantik të vendeve të Europës Lindore dhe Ballkanit.
Provokimet në formën e shkeljeve të hapësirës ajrore, përdorimit të dronëve dhe veprimeve të tjera hibride, fuqizojnë narrativën e polarizimit strategjik dhe përforcojnë implementimin e politikave të justifikuara nga Moska si mbrojtje e “interesave të saj” historike³. Kjo periudhë karakterizohet nga një përshkallëzim gradual i tensioneve në kufijtë lindorë të NATO-s, në një mënyrë që përfshin qasje të kontrolluara ruse duke shmangur një konfrontim të hapur me Aleancën¹¹.
Në këtë kontekst komplekse, për studim është e rëndësishme të kuptohet si këto provokime ndikojnë në stabilitetin rajonal, sidomos në atë zonë të ndjeshme si Ballkani Perëndimor, ku ndikimi rus, i ushqyer nga faktorë historikë dhe politikë lokalë, vazhdon të mbetet faktor i rëndësishëm⁸.

Konteksti dhe shkeljet e hapësirës ajrore si provokime ushtarake dhe politike

Në vitin 2025, intensiteti i shkeljeve të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, si Estonia, Polonia dhe Rumania, ka arritur nivele alarmante. Eskalimi i frekuencës dhe agresivitetit të këtyre incidenteve, ku avionë ushtarakë rusë hyjnë pa leje dhe pa paralajmërim në hapësirën ajrore sovrane, tregon për një strategji të mirëplanifikuar nga Moska¹.
Incidenti në Estoni në shtator 2025, ku tre avionë MiG-31 qëndruan të pandaluar për rreth 12 minuta, është një demonstrim i qartë i sfidës së hapur të Rusisë ndaj sovranitetit territorial. Reagimet diplomatike dhe ushtarake ishin të menjëhershme me dërgimin e notës protestë nga autoritetet estoneze dhe aktivizimin e njësive të mbrojtjes ajrore të NATO-s¹¹. Shkelje të ngjashme janë evidentuar në Poloni dhe Rumani, duke përfshirë edhe përdorimin intensiv të dronëve rusë në hapësirat ajrore baltike dhe polake², që shton rrezikun për keqkuptime dhe incidente të paqëllimshme ushtarake.
Përveç aspektit taktik, këto veprime kanë një komponent të fortë psikologjik dhe propagandistik, duke synuar dërgimin e mesazheve kërcënuese ndaj Perëndimit dhe përforcimin e perceptimit të fuqisë ruse në arenën ndërkombëtare³.

Strategjitë ushtarake dhe politike të Rusisë

Rusia ka zbatuar një strategji të shumëanshme që përfshin forcimin ushtarak në Ukrainën Lindore, ndërthurjen e forcës ushtarake me diplomacinë agresive, dhe përdorimin e kërcënimeve bërthamore si instrument presioni⁶. Mobilizimi i mbi 150,000 trupave dhe krijimi i zonave të kontrolluara të influencës në Donbas dhe rajonet përreth sigurojnë një fakt të kryer në terren për të penguar avancimin e NATO-s dhe forcimin e kapaciteteve të aleatëve në këtë hapësirë⁴.
Paralelisht, Rusia ruan një luftë hibride, duke përdorur gjithashtu fushata propagandistike dhe sulme kibernetike për të minuar unitetin dhe stabilitetin e Perëndimit³. Partneriteti strategjik me Kinën është i pranishëm, por ndryshe nga përfytyrimet e fundit, bashkëpunimi nuk ka arritur të përkthehet në një aleancë ushtarake të plotë, duke detyruar Moskën të praktikojë një balancim të kujdesshëm mes agresionit dhe nevojës për minimizimin e rrezikut të përshkallëzimit⁷.

Impaktet dhe përgatitjet në Ballkan dhe Kosovë

Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë një skenë e ndjeshme fatkeqësisht e prekur nga ndikimi rus, kryesisht përmes mbështetjes së Beogradit zyrtar⁸. Rusia përdor strategji të përzier të ndikimit politik, ekonomik dhe ushtarak në rajon për të zgjeruar sferën e saj të influencës dhe për të kundërshtuar integrimin euro-atlantik të Kosovës dhe vendeve të tjera.
Kosova, në këtë kuadër, është një zonë kyçe për stabilitetin rajonal dhe kërkon përgatitje serioze dhe shumëplanëshe për të përballuar rreziqet e destabilizimit apo provokimeve me përkrahje ruse⁹. Masa prioritare janë përforcimi i kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, digjitalizimi dhe modernizimi i sistemit të inteligjencës, dhe bashkëpunimi i ngushtë me NATO-n dhe SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes¹⁰. Deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti për solidaritet me vendet baltike pas provokimeve të vitit 2025 janë shembull i një qasjeje politike që kërkon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar⁹.

Reagimet ndërkombëtare dhe strategjitë e përballjes

Aleancat ndërkombëtare NATO dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sjelljet provokuese të Rusisë dhe kanë forcuar praninë ushtarake në kufijtë lindorë të Aleancës. Interceptimi i avionëve rusë dhe masat parandaluese duke përfshirë rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në vendet baltike, Poloni dhe Rumania janë shenja të gatishmërisë për rezistencë aktive¹¹. Përcaktimi i buxheteve më të mëdha për mbrojtjen dhe rritja e aftësive ushtarake nga këto vende janë shembuj që shtrihen edhe në periferitë europiane¹².
Në nivel global, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një faktor kyç në koordinimin e politikave mbrojtëse dhe në mbështetjen strategjike të vendeve anëtare dhe partnere, duke përforcuar bashkëpunimin në fushat e inteligjencës, trajnimit dhe furnizimit me teknologji ushtarake¹¹.

Përfundime dhe rekomandime

Provokimet ruse në vitin 2025 janë pjesë e një strategjie agresive komplekse që synon të zhvendosë ekuilibrat e fuqisë në Evropë dhe Ballkan, duke krijuar përgatitje për një konflikt më të gjerë. Ndërhyrjet e kontrolluara të Rusisë synojnë të testojnë durimin dhe reagimet e NATO-s, duke përdorur edhe kërcënimet bërthamore si instrumenti presion⁶.
Përballja me këtë sfidë kërkon një shkallë të lartë përgatitjeje ushtarake dhe bashkëpunimi strategjik ndërkombëtar. Rritja e kapaciteteve mbrojtëse në vendet anëtare të NATO-s dhe rajonin e Ballkanit, bashkëpunimi i ngushtë i vendeve të Ballkanit me Aleancën dhe SHBA-në, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i fushatave propagandistike janë hapa esencialë për stabilitetin e mëtejshëm¹⁰.
Rekomandohet gjithashtu një përqendrim i shtuar në inteligjencën dhe sigurinë kibernetike si elemente kyçe të parandalimit, si dhe zhvillimi i mekanizmave të kundërmasave ndaj ndikimeve negative politike dhe ekonomike që vijnë nga Rusia³.
Studime të mëtejshme duhet të theksojnë zbulimin e modeleve të reja të provokimit dhe metodave të avancuara për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit³.

Literatura e shfrytëzuar:

1. “Avionë luftarakë rusë shkelin hapësirën ajrore të Estonisë”, DW, 2025.
2. “NATO dhe reagimet ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore ruse”, NATO Defense College, 2025.
3. Patterson, R., “NATO’s Future Russia Strategy”, NATO Parliamentary Assembly, 2025.
4. Revista Ushtarake, Mars 2025, Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
5. “Strategjia ruse dhe konflikti në Ukrainë”, Institutet e Sigurisë Europiane, 2025.
6. Analiza mbi kërcënimet bërthamore dhe luftën hibride, Revista Ushtarake, 2023.
7. “Roli i Kinës në marrëdhëniet strategjike me Rusinë”, NATO Reports, 2024.
8. “Ekspansioni rus në Ballkan dhe sfidat për Kosovën”, Qendra për Studime Rajonale, 2025.
9. Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe analizat e sigurisë, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, 2025.
10. “Strukturat dhe kapacitetet e forcave të sigurisë rajonale”, Raporti i NATO-s për Ballkanin, 2025.
11. “NATO intercepton fluturimet ruse mbi Estoni”, Top-Channel, 2025.
12. “Rritja e buxheteve ushtarake nga vendet baltike dhe Polonia”, Balkan Security Review, 2025.
Photo by: www.twz.com

Filed Under: Ekonomi

Dëshmia e James Rubin – sinjal për përgjegjësi e transparencë

September 18, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Dëshmia e James Rubin në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është një detaj dytësor në proceset gjyqësore për Kosovën, por një sinjal i qartë mbi mënyrën se si bashkësia ndërkombëtare e sheh raportin midis luftës për liri dhe standardeve të drejtësisë. Rubin, si njëri ndër zërat e njohur të diplomacisë amerikane gjatë viteve të 90-të, përfaqëson kujtesë historike për rolin e SHBA-së në çlirimin e Kosovës, dhe dëshminë që lidh politikën ndërkombëtare me proceset aktuale gjyqësore.

Në këtë kuadër, vlen të theksohet se Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë nënvizoi disa të vërteta të pamohueshme se: akuzat ndaj UÇK-së ishin të fabrikuara nga rusët dhe të sponsorizuara nga serbët; nuk është gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së kanë dashur të ekzekutojnë njerëz; dhe se Hashim Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës.

Këto deklarata jo vetëm që rrëzojnë narrativat e shpifura kundër luftës çlirimtare, por i japin edhe një bazë më të fortë morale-politike mbrojtjes së saj në çdo instancë ndërkombëtare.

Ky akt ka dy mesazhe thelbësore:

1. Për drejtësinë, se çdo proces gjyqësor duhet të jetë transparent, me bazë në prova, dhe jo në narrativat e fabrikuara nga propaganda serbe.

Dëshmitë si ajo e Rubin shërbejnë për ta vendosur kontekstin e drejtë historik: se ndërhyrja e NATO-s dhe rezistenca e UÇK-së ishte përgjigje ndaj një regjimi gjenocidal.

2. Për politikën, se Kosova nuk duhet të lejojë të relativizohet lufta e saj çlirimtare.

Nëse në sallën e Hagës artikulohet e vërteta për spastrimin etnik dhe dhunën sistematike të Serbisë, atëherë detyra e institucioneve të Kosovës është që ta forcojnë këtë të vërtetë edhe në skenën ndërkombëtare, duke mos e lënë të deformohet nga propaganda.

Prandaj, dëshmia e Rubin nuk është thjesht pjesë e një dosjeje gjyqësore, është dëshmi politike e morale.

Është kujtesë se lufta e Kosovës nuk ka qenë konflikt i barabartë palësh, por luftë mes agresorit dhe viktimës. Dhe është obligim i klasës politike të Kosovës që këtë kapital të së vërtetës ta ruajë, ta mbrojë dhe ta shndërrojë në forcë diplomatike.

Filed Under: Ekonomi

“Ndikimi strategjik i pasurisë minerare dhe ujore në sigurinë kombëtare të Kosovës: Rasti i Trepçës dhe Ujmanit”

September 10, 2025 by s p

Prof.dr. Muhamet Racaj/

Veriu i Kosovës është një rajon me rëndësi historike dhe strategjike për shtetin dhe popullsinë e tij. Pasuritë natyrore, si miniera e Trepçës dhe liqeni i Ujmanit, janë burimet kryesore që mbështesin ekonominë, furnizimin me ujë dhe energji, si dhe sigurinë gjeopolitike të Kosovës. Miniera e Trepçës, me rezervat e mëdha minerale si plumbi, zinku, ari dhe mineralet e tjera të rralla, është motori i industrisë nëntokësore dhe furnizuesi kryesor i mineralit strategjik për vendin¹. Ujmani, nga ana tjetër, është rezervuari më i madh i ujit të pijshëm dhe burimi kryesor i energjisë hidroelektrike².
Megjithatë, menaxhimi i këtyre pasurive është i ndikuar nga tensionet politike, mungesat infrastrukturore dhe moskontrolli efektiv, duke rrezikuar furnizimin e qëndrueshëm me ujë e energji, dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Këto probleme kanë pasoja të mëdha për mirëqenien sociale veçanërisht në Veriun e Kosovës³⁻⁴.
Ky studim ka për qëllim të analizojë ndikimin dhe rëndësinë e minierës së Trepçës dhe liqenit Ujmani në zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e burimeve jetike për Kosovën, si dhe të nxjerrë në pah sfidat dhe rekomandimet për menaxhimin e tyre efektiv.
Studimi përforcon analizën e menaxhimit të burimeve natyrore në rajonin me sfida gjeopolitike, duke e lidhur atë me zhvillimin ekonomik, stabilitetin social dhe politikën shtetërore. Ai kontribuon në kuptimin e mënyrës sesi pasuritë duhen inkorporuar në politikëbërjen dhe administrimin kombëtar⁵⁻⁶.

Miniera e Trepçës – Pasuri Minerale Strategjike

Miniera e Trepçës është një nga burimet më të mëdha minerare në Ballkan. Pasuritë minerale përfshijnë plumbin, zinkun, argjendin dhe arin, materialet kyçe për industrinë dhe eksportin⁷. Trepça ka një histori të gjatë që mban mbi një mijë vjet shfrytëzim, ndërsa në periudhën jugosllave dha një kontribut të jashtëzakonshëm në burimet ekonomike dhe punësimin e terit rajonit⁸.
Pas viteve të fundit të shekullit XX dhe fillimit të XXI, Trepça ka përjetuar periudha të vështira për shkak të mungesës së investimeve dhe menaxhimit të paqëndrueshëm, që sollën humbje të mëdha ekonomike⁹. Rifillimi i investimeve dhe menaxhimi transparent paraqesin mundësi për rikthim të fuqishëm të kësaj pasurie në zhvillim industrial dhe ekonomik, me ndikim pozitiv në punësimin dhe mirëqenien sociale⁹¹⁰.
Megjithatë, ndikimet mjedisore nga aktivitetet minerare kërkojnë masa të rrepta për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, për të minimizuar negativitetin e pasojave⁹¹¹.

Liqeni i Ujmanit – Rezervuari Kryesor për Ujin dhe Energjinë

Liqeni i Ujmanit është ndërtuar në lumin Ibër dhe shtrihet në pjesën veriperëndimore të Kosovës, duke ofruar mbi 70% të burimeve të ujit të pijshëm për vendin¹². Ai furnizon ndër të tjera edhe termocentralet Kosova A dhe B me ujë të freskët për ftohje, duke mbështetur kështu furnizimin me energji elektrike, bazë e sigurisë energjetike në Kosovë¹³. Menaxhimi i Ujmanit kërkon koordinim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar, pasi pjesë e tij shtrihet edhe në Serbi, ku mungesa e marrëveshjeve ndëministrative pengon bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe mund të shkaktojë tensione politike¹⁴. Investimet në teknologji moderne, infrastrukura dhe sisteme monitorimi janë thelbësore për menaxhimin e qëndrueshëm të këtij burimi jetik, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë, si dhe në ekonomi¹⁵.

Rëndësia Strategjike dhe Siguria Kombëtare

Në kuadër të sigurisë kombëtare, kontrolli dhe menaxhimi i Trepçës dhe Ujmanit janë elementë kryesorë për stabilitetin ekonomik dhe politik të Kosovës. Këto pasuri janë jo vetëm baza ekonomike, por edhe mjete politike në marrëdhëniet dhe dialogun Kosovë-Serbi¹⁶. Mosmarrëveshjet mbi pronësinë dhe kontrollin e këtyre burimeve kanë rrezikuar stabilitetin rajonal dhe besimin e ndërsjellë.
Përmes menaxhimit transparent, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, dhe zhvillimit të infrastrukturës, Kosovës i jepet mundësia të forcojë sovranitetin dhe të sigurojë burimet për një zhvillim të qëndrueshëm⁵.

Përfundimi dhe Rekomandimet

Trepça dhe Ujmani janë shtylla themelore të sigurisë shtetërore dhe kombëtare të Kosovës. Investimi dhe menaxhimi efektiv i këtyre pasurive janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomiko-social dhe stabilitetin politik. Është e nevojshme të krijohen mekanizma ligjorë, institucione të forta dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar përdorim të drejtë, mbrojtje të mjedisit dhe përfitime afatgjata për popullsinë dhe shtetin.

Literatura:

1. Raport për Gjendjen e Ujërave në Kosovë, AMMK, 2020
2. Wikipedia, Miniera e Trepçës, 2005
3. Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031
4. Raporte dhe studime për menaxhimin e Ujmanit dhe Trepçës
5. Analiza e ndikimit ekonomik të minierës Trepçës, UBT Knowledge Center, 2024
6. Historia dhe ndikimet mjedisore të Trepçës, studime të ndryshme
7. Dokumente strategjike për menaxhimin e burimeve ujore dhe energjetike
8. Raportet mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe menaxhimin e pasurive strategjike

Filed Under: Ekonomi

Republika të miqësisë, ku ligji është vetëm dekor

September 9, 2025 by s p

Artan Nati/

Një miku im, emigrant në USA, kishte një hall me pronën në Shqipëri. Jo, nuk ishte hall me kufij, me gardhe, apo me të afërmit grindavecë, halli ishte ne kadastër. Dhe meqë kadastra jonë është si një kasafortë pa çelës, për t’u hapur të duhet gjithmonë “çelësi nën tavolinë”. Miku im nuk e pranoi këtë. Nuk iu drejtua “mikut të duhur”, nuk pranoi “poshtërimin e radhës” që e shesin si shërbim shtetëror. Në vend të kësaj, ai bëri një gjë të papranueshme për standardin shqiptar, ai i shkroi një letër kryeministrit. Po, një letër, në vend të zarfit. Një akt i thjeshtë qytetar, që tek ne konsiderohet skandal publik. Ky njeri guxoi të denoncojë korrupsionin dhe të mbrojë dinjitetin e vet. Një veprim që ndoshta e trembi, ndoshta e bëri të qeshë, ndoshta as që e trazoi kryeministrin. Por një gjë u bë e qartë: kur një qytetar, sado i vetëm, zgjedh dinjitetin mbi tarafin, atëherë sistemi fillon të duket lakuriq. Forca e një shoqërie matet nga aftësia e saj për t’u mbledhur rreth dinjitetit dhe të drejtës së përbashkët, dy themele mbi të cilat ndërtohen demokracitë e qytetëruara. Por Shqipëria duket se ka zgjedhur një tjetër manual: atë të miqësive të rastit dhe tribalizmit pa fund. Në vend që të pyesim “a është e drejtë?”, shpesh dëgjon “a është mik?”. Në vend që të mbrojmë dinjitetin e njeriut, ne shpallim kampionin e fisit, kushëririn e tretë, ose shokun e gjimnazit të dikujt në pushtet.

Ne shqiptarët shpesh e harrojmë një të vërtetë të thjeshtë, por themelore: të drejtat e çdo njeriu fillojnë të zbehen në çastin kur kërcënohen të drejtat e vetëm një njeriu. Shoqëria nuk është një ishull me individë të veçuar, por një rrjet i brishtë fijesh që lidhen mes tyre. Nëse pritet një fije, gjithë rrjeti fillon të çahet.

Kur heshtim për padrejtësinë ndaj një tjetri, ne në fakt pranojmë që padrejtësia të bëhet pjesë e frymës sonë të përditshme. Sot është radha e atij që nuk ka “mik të madh”, nesër mund të jetë radha jonë. Të drejtat nuk janë privilegje që i caktohen kujtdo sipas qejfit, por një dritë e përbashkët që shuhet në momentin kur lejojmë errësirën të mbulojë qoftë edhe një cep të saj.

Dinjteti nuk është luks i një individi, por është ajri i përbashkët që të gjithë marrim frymë. Nëse ajri helmohet për njërin, helmohet për të gjithë. Dhe në këtë kuptim, heshtja jonë është oksigjeni i padrejtësisë.

Nëse duam të ndërtojmë një Shqipëri qytetare, duhet të mësojmë të shohim tek çdo njeri një pasqyrim të vetvetes. Të kuptojmë se kur dikujt i shkelet e drejta, nuk është thjesht ai që humbet, por të gjithë ne bëhemi më të vegjël, më të varfër, më të pambrojtur.

Kështu, ligji tek ne shpesh duket si një dekor i bukur për t’u varur në mur, ndërsa vendimet merren sipas manualit të vjetër shqiptar: “më thuaj kë njeh, të të them çfarë drejtësie ke”. E quajmë shoqëri moderne, por funksionojmë si një fshat i madh ku kulla e mikut vlen më shumë se institucionet. Madje edhe fjala “dinjitet” tingëllon më shumë si fjalor akademik për diplomacinë, sesa si realitet i përditshëm.

Historia e njerëzimit është e mbushur me momente kur një njeri i vetëm ndez një komb të tërë. Tunizia pati tregtarin Mohamed Bouazizi, i cili me aktin e vetëflijimit ndezi zjarrin e Pranverës Arabe. Në Francë, një filozof si Rousseau dhe më pas një revolucionar si Robespierre, u kthyen në frymëzim për të përmbysur një rend të vjetër e të kalbur. Në Indi, Gandhi, vetëm me trupin e tij të brishtë dhe me fuqinë e mosbindjes, i tregoi botës se edhe perandoria më e madhe mund të mposhtet pa armë. Në Amerikë, Martin Luther King ndezi një popull të tërë me fjalën e tij të thjeshtë, por hyjnore, për ëndrrën e barazisë.

Po Shqipëria? Ku e ka fshehur kurajon qytetare dhe shpirtin e revoltës? A mos vallë ky shpirt është mbytur nën shekuj otomanizmi, nën zinxhirët e komunizmit, dhe sot endet i mpirë mes apatisë dhe indiferencës? Apo thjesht fle thellë, si një fosil që pret dorën e arkeologut për t’u zbuluar nën shtresat e dheut e të harresës? Në Shqipërinë tonë, ku prej 30 vitesh ligji është dekor, ndërsa rregulli i vërtetë është “kush ka mik, ka shtet”.

Nga sulltanati trashëguam beun e shtëpisë, që rri në krye të sofrës e vendos kush pi raki e kush merr tapinë. Nga komunizmi trashëguam burokracinë pa fund, ku gjithçka bëhet me “rekomandim partie”. Rezultati? Një miks kulturash: osmano-komunizëm me shije “demokraci europiane”. Në këtë vend të bekuar, qytetaria nuk është status, por naivitet. Në vend që të jemi qytetarë, mbetemi klientë, në vend që të kemi shtetin ligjor, kemi shtetin “e mikut”. Dhe ky shtet funksionon për mrekulli: punësimi, drejtësia, spitali, madje edhe funerali, të gjitha kalojnë në sitën e famshme: “mos u mërzit, se kam një mik atje”.

Kështu, çdo procedurë ligjore e shkruar me pompozitet në fletoren zyrtare humbet kuptimin sapo hyn në skenë fjalia magjike: “do ta rregulloj unë”. Në vend të barazisë para ligjit kemi barazinë para telefonit. Në vend të gjykatës kemi kafen e lagjes. Në vend të shtetit kemi mikun.

Në fund të ditës, ky ritual i miqësisë nuk është thjesht kulturë kombëtare, por një sistem paralel. Një republikë hijesh ku qytetaria është shpallur e vdekur dhe sundon miqësia e rreme. Ne nuk i besojmë ligjit, por i besojmë mikut. Nuk i besojmë institucioneve, por i besojmë telefonatës. Dhe prandaj krenohemi me sarkazëm të hidhur: “Shqipëria është vend i vogël, këtu të gjithë jemi miq”.

Në të vërtetë, përkthimi i kësaj krenarie është i thjeshtë: këtu askush nuk është qytetar, sepse kur të gjithë jemi “miq”, atëherë nuk ka më shoqëri, ka vetëm klientë në pritje të një nderi. Ne jemi shoqëria e miqve dhe e ndereve, sepse shqiptari jeton për një nder dhe besë. Por kjo besë dhe ky nder duhet të jetë ndaj atdheut apo ndaj mikut në pushtet, të vërtetës apo kryetarit të partisë, ligjit apo Maliqit?

 Shkoni në QSUT. Në teori, aty është kështjella e shëndetësisë publike. Në praktikë, është një hotel ku krevati merret me rekomandim. Nëse nuk ke mik infermierin, shërbimin e merr me vonesë, nëse nuk ke mik mjekun, analizat vonohen, por nëse ke “telefonatë nga lart”, hapet edhe salla e operacionit që ishte “e zënë”. Në fund, nuk është shkenca që të shpëton, por numri i ruajtur te “kontaktet”. Shkoni në Gjykatën e Lartë. Vendimet aty nuk varen nga kodi penal, por nga kodi i miqësisë. Një gjyqtar mund të interpretojë ligjin në 50 mënyra, por vetëm një është e saktë: ajo që i shërben mikut. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit” është slogan për në mur, jo për në sallë. Në sallë vendos kush e ka mik kë.

Shkoni në Polici. Në teori, aty sundon rendi. Në praktikë, është një agjenci shërbimesh private ku gjoba të fshihet nëse “ke mik në komisariat”. Ligji nuk është më i fortë se lidhja e gjakut, shoqërisë ose kafesë së përbashkët. Ky është paradoksi ynë kombëtar: një shtet me parlament, qeveri, gjykata, spitale e universitete, por që funksionon vetëm me një aplikacion të lashtë, më efikas se çdo platformë dixhitale që quhet “mik”. Por ja ku vjen pyetja që na përvëlon: a do të mbetemi përjetësisht robër të kësaj kulture, apo do të bëhemi më në fund qytetarë? A do të vazhdojmë të krenohemi me sarkazëm “këtu të gjithë jemi miq”, kur përkthimi i saj është se askush nuk është qytetar? 

Përgjigjja nuk vjen nga Brukseli, as nga ambasadat, as nga premtimet e partive. Ajo vjen nga ne. Nga guximi për të thënë “jo”. Nga zgjedhja për të mos telefonuar mikun, por për të kërkuar ligjin. Nga vendimi për të mos u tallur më me qytetarinë, por për ta rimarrë atë. Nuk ka reformë më të madhe se kur një shoqëri vendos të kthehet nga klientë në qytetarë. Nuk ka akt më revolucionar se kur një njeri i zakonshëm zgjedh të mos pranojë turpin e radhës. Dhe nuk ka armë më të fuqishme se dinjiteti i qytetarit që refuzon të përkultet para “mikut”.

Sot, Shqipëria ka nevojë për një revoltë paqësore qytetare. Jo për dhunë, por për mosbindje. Jo për zjarr, por për guxim moral. Të refuzojmë zarfet, telefonatat, rekomandimet. Të denoncojmë hapur. Të mbrojmë dinjitetin tonë, sado të vegjël të dukemi. Sepse historia është e mbushur me dëshmi se kur guxon një, zgjohet i gjithë kombi. Duhet të jemi qytetarë, jo klientë,sepse askush nuk mund të të bëjë të ndihesh inferior pa pëlqimin tënd. . Të besojmë te ligji, jo te miku. Të mbrojmë dinjitetin tonë, jo interesin e fisit, sepse marrëdhënia më e fuqishme që do të kemi ndonjëherë është marrëdhënia me veten tonë Të ndërtojmë shtetin tonë, jo rrjetin e miqve. Sepse vetëm kur të kuptojmë se qytetari është më i fortë se fisi dhe ligji më i shenjtë se mikpritja e hallit, Shqipëria do të bëhet Republikë e njerëzve, jo Republikë e miqve. 

Filed Under: Ekonomi

Shqipëria si organizëm me arterie që zbrazen dhe dekadat e humbura e rreziku i mandateve qeverisëse pa vizion!

September 6, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/



Nuk ka shtet pa breza. Kontrata themelore e një kombi nuk shkruhet vetëm në letër; ajo vuloset në maternitete dhe në bankat e shkollave. Arendt e quajti lindshmërinë, aktin themelor të politikës, sepse çdo fëmijë hap një fillim të ri (Arendt 1958). Kur fillimet pakësohen, rendi politik shteron. Shqipëria sot përballet me një padi të ftohtë e të drejtpëdrejtë, me balancë natyrore negative, ikje të brezit aktiv, mosha mesatare në ngjitje. Çdo buletin i INSTAT-it është provë; çdo tabelë e Eurostat-it, ekspertizë; çdo vlerësim i OECD/WHO, akt-konstatim mbi qëndrueshmërinë.

Nëse politika është art i së ardhmes, atëherë mosveprimi demografik është braktisje e së ardhmes. Këtu fillon ky reflektim, po të doni mund ta quajmë edhe si një akt–ekspertizë mbi dështimin e tri mandateve (2013–2025) dhe si një manifest për Doktrinën e Mbijetesës Demografike. Shteti nuk qëndron mbi pllaka, por mbi qarkullimin e jetës. Neni i parë i kushtetutës së pashkruar të çdo kombi është ripërtëritja, lindje që mbajnë gjuhën, familje që e ushqejnë, të rinj që e mbrojnë. Pa këtë nen, të gjitha nenet e tjera rrinë bosh si korniza pa tekst. Shqipëria sot ka korniza të lyera, kartolina që shkëlqejnë për turistin, por brenda tekstit i mungon subjekti, foshnja që vjen në jetë, familja që vendos të rrijë, i riu që e sheh të ardhmen këtu.

Çfarë po shkruaj këtu, nuk është zemëratë, është shqyrtim i hollësishëm nëpërmjet shifrave e fakteve që flasin më fort se vetë analiza ime. Nuk po shkruaj as parullat e fjalimin pompoz politiko – akuzativ, të radhës. Ky është memorandum ndërgjegjeje. Nuk është polemikë partiake; është qëntim i provave. Provat janë të ftohta dhe të pakundërshtueshme. Në vitin 1989, Shqipëria kishte rreth 3.3 milionë banorë, moshë mesatare 26 vjeç dhe fertilitet 3.2 fëmijë për grua (INSTAT 2023; World Bank 1990). Në vitin 2023, rezidentët janë rreth 2.76 milionë, me fertilitet ~1.3 dhe lindje vetëm ~23 mijë, ndërsa vdekjet >31 mijë , bilanc natyror negativ (INSTAT 2023; Eurostat 2022).

Në mes, një eksod i gjatë mbi 1.2 milion njerëzish (World Bank 2022). Këto nuk janë luhatje e as normalitet i kohës; janë ndryshim i natyrës së shtetit. Nëse Hannah Arendt e quajti natalitetin kusht themelor të politikës, sepse çdo fëmijë është një fillim i ri, mungesa e tij është akti themelor i shuarjes. Pa fillime të reja, politika reduktohet në menaxhim fasadash. Dhe kur një qeverisje menaxhon veç pamjen e vetë, të vendit e shoqërisë, dhe harron frymën e vizionin, rrezikon jo humbje zgjedhjesh, por humbjen e shpirtit të kombit e të njerëzve të tij.

Këtu vijojnë katër thagma të thjeshta:

1. Sovraniteti varet nga demografia. Pa moshë aktive nuk ka buxhet, ushtri, rritje, as peshë ndërkombëtare (OECD 2022).

2. Demografia varet nga politika publike. Familja, arsimi, shëndetësia, strehimi, puna e denjë e bëjnë ose e prishin vendimin për të lindur e për të qëndruar (Eurostat 2021; UNESCO 2022; WHO 2022).

3. Krizat e sotme janë të matshme. Ato shihen në raportin punëtor–pensionist <1.5:1, në >500 shkolla të mbyllura në një dekadë, në remitanca >7% PBB që mbajnë konsum por jo jetë (ISSH 2022; MAS 2022; Banka e Shqipërisë 2023).

4. Zgjidhja ekziston, po kërkon vizion, buxhet dhe ligj. Vendet që vepruan (Hungari, Poloni, disa komuna kroate e serbe) panë kthesa të matshme (Eurostat 2021).

Shekulli i ritmit që ngadalësohet, panorama globale. Shekulli XX ishte shekulli i eksplodimit demografik, nga 2.5 mld (1950) në >6 mld (2000) (UN DESA 2022; UN 2023). Fertiliteti global >5 fëmijë/grua në vitet ’60 (World Bank 2021); baby-boom-i mbushi shkollat dhe fabrikat. Shekulli XXI solli kthesë: sot rreth 8.1 mld, por ritmi i rritjes është përgjysmuar; kulm 9.7 – 10 mld rreth 2060-2080, më pas tkurrje (UN DESA 2022). TFR ~2.3 global; në shumë vende të zhvilluara <1.5, në disa aziatike <1.0. Europa plaket: mosha mesatare >44 vjeç (Eurostat 2023). Japonia është maja: mosha mesatare ~49, rënie nga 128 milion (2010) në ~124 milionë (2023) (SBJ 2023). Korea e Jugut është rekordi i ulët: ~0.78 TFR (Statistics Korea 2023). Kina pa për herë të parë tkurrje në 2022 (NBS China 2023).

OECD e përkufizon si “sfidën më të madhe të shekullit XXI për qëndrueshmërinë e shteteve” (OECD 2022), më pak kontribues fiskalë, më shumë barrë sociale, më pak kurajë inovacioni, më pak kapacitet mbrojtës. Me fjalë të thjeshta, pa brez aktiv, shteti humb pushtetin, fuqinë, ndikimin, rolin. Reagimet serioze nuk maten me fjalë, por me veprime të shkruara në ligj dhe të vulosura në buxhet. Franca dhe Gjermania e kanë kuptuar prej kohësh se një komb nuk mbahet vetëm me retorikë; për këtë arsye kanë ngritur sisteme të plota mbështetjeje për familjet: leje prindërore të paguara, çerdhe publike të garantuara, ndihma mujore që e bëjnë fëmijën jo një barrë, por një dhuratë të mundshme për çdo prind.

Hungaria, e dalë nga një tranzicion i ashpër, e kuptoi se politika demografike nuk është luks, por kushtrim mbijetese. Ajo vendosi kredi të falshme për nënat me shumë fëmijë, ulje të ndjeshme taksash për gratë me katër e më shumë lindje, dhe brenda një dekade arriti të ngrejë normën e fertilitetit nga rreth 1.25 në 1.59 (Eurostat 2021). Polonia, me programin “500+”, jo vetëm që u përpoq të stabilizojë lindjet, por uli edhe varfërinë e fëmijëve në mënyrë të ndjeshme, duke treguar se politika demografike nuk është thjesht çështje statistikash, por edhe e drejtësisë sociale. Mësimi është i qartë dhe i pamëshirshëm: aty ku ka vizion, aty ku ka ligj, aty ku ka buxhet të qëndrueshëm, ka kthesë. Procesi është i ngadaltë, rezultatet nuk vijnë brenda natës, por energjia e kombit nis të rigjenerohet. Politika që vë familjen në qendër nuk është vetëm investim financiar, por investim në vetë vazhdimësinë e shtetit. Shqipëria, për fat të keq, hyn në këtë panoramë jo si një rast kurioz, por si një dramë dyfishe pasi ndërkohë që bota perëndimore përballet me plakjen dhe disa vende me emigracionin, ne i bartim të dyja plagët njëherësh.

Popullsia jonë plaket me ritme të shpejta, ndërkohë që rinia largohet pa kthim. Bota vuan një sëmundje; Shqipëria i vuan të gjitha. Kjo e bën krizën tonë jo vetëm më të thellë, por edhe më urgjente. Për ne, çdo vit i humbur nuk është thjesht statistikë, por një brez që shuhet, një fshat që zbrazet, një bankë shkolle që kthehet në muze të heshtjes. Nëse Gjermania, me gjithë fuqinë e saj ekonomike dhe institucionale, e trajton plakjen si rrezik për të ardhmen kombëtare, si mund ta injorojë Shqipëria, e cila nuk ka as luksin e ekonomisë së madhe dhe as stabilitetin e shtetit social? Nëse Hungaria dhe Polonia, me histori të tranzicionit të vështirë, e kanë kuptuar se vetëm politika aktive e shpëton kombin nga zbrazja, pse Shqipëria vazhdon të endet me bonuse simbolike dhe samite retorike?

Për ne nuk ka kohë për eksperimente. Për ne, çdo vit i humbur është një arterie më pak që rreh në trupin e kombit.Për këtë arsye, përgjigjja jonë duhet të jetë dyfish më e fortë, dyfish më e kthjellët, dyfish më e guximshme. Ne nuk kemi luksin e hezitimit. Ne nuk mund të presim. Nëse nuk reagojmë tani me një Doktrinë të Mbijetesës Demografike, atëherë nuk do të jemi thjesht shembulli i një kombi të varfër, por rasti unik i një kombi që zgjodhi vetëshuarjen përballë alternativës së shpëtimit. Shqipëria 1989–2025, anatomia e shterimit. Nga kulmi demografik te tharja. Kulmi ishte viti 1989, Shqipëria kishte arritur 3.3 milion rezidentë, me një moshë mesatare vetëm 26 vjeç dhe një normë fertiliteti prej 3.2 fëmijësh për grua (INSTAT 2023; World Bank 1990). Ishte një shoqëri e re, me energji që pulsonte në çdo fshat dhe qytet, me horizonte që dukej se do të mbusheshin brez pas brezi.

Çarja nisi shpejt. Vetëm në vitet 1990 – 1992, mbi 300 mijë shqiptarë u larguan në një eksod biblik (Eurostat 1995). Brenda tri dekadash, më shumë se 1.2 milion shqiptarë janë bërë emigrantë aktivë (World Bank 2022). Nga një popullsi që rritej me shpejtësi, Shqipëria u kthye në një trup që humb gjakun e vet natyral. Sot, brenda kufijve, kanë mbetur vetëm rreth 2.76 milion rezidentë; fertiliteti ka rënë në rreth 1.3, lindjet janë vetëm 23 mijë në vit kundrejt mbi 31 mijë vdekjeve (INSTAT 2023; Eurostat 2022). Bilanci natyror është bërë negativ, një kthesë dramatike që nuk është më episod, por normë. Struktura e moshës ka ndryshuar si një kockë që thyhet e nuk bashkohet më si më parë. Mosha mesatare është tashmë mbi 38 dhe pritet të kalojë 44 deri në vitin 2050 (Eurostat 2022). Raporti punëtor-pensionist, dikur 7 me 1, ka rënë në më pak se 1.5 me 1 (ISSH 2022). Ky nuk është thjesht problem demografik, është alarm fiskal, kur baza e kontribuesve tkurret, çdo vit rritet barra e subvencioneve, dhe çdo vit ngushtohet hapësira për investime publike.

Një shtet pa bazë kontribuesish bëhet një trup që jeton me borxhe, jo me frymë.

Indet tregojnë plagë të thella.

Brenda një dekade janë mbyllur mbi 500 shkolla (MAS 2022).

Universitetet kanë humbur gjysmën e studentëve krahasuar me vitin 2012 (MAS 2023).

Sistemi shëndetësor mbijeton me një buxhet rreth 5% të PBB-së dhe me mjekë e infermierë që ikin çdo vit drejt jashtë (WHO 2022).

Investimi në kërkim-zhvillim është vetëm 0.19% e PBB-së, më i ulëti në kontinent (Eurostat GBARD 2024).

Në të njëjtën kohë, remitancat e diasporës, që përbëjnë mbi 7% të PBB-së (Banka e Shqipërisë 2023), janë shndërruar në serum që mban gjallë trupin, por nuk gjeneron palcë të re.

Ato zbusin dhimbjen, por nuk e kurojnë sëmundjen.

Kjo nuk është më tranzicion.

Ky është transformim i pakthyeshëm, nga një shoqëri e mbështetur mbi rininë në një strukturë që ruan formën, por humb masën.

Një vend që dikur e kishte sovranitetin demografik, fuqinë për të riprodhuar jetën brenda kufijve të vetë, sot e sheh atë të zbehur.

Sovraniteti politik është iluzion, nëse nuk ka sovranitet demografik.

Një komb që nuk lind dot të ardhmen brenda territorit të vet, e ka deleguar të ardhmen diku tjetër.

2013–2025, dekada e humbur dhe tri mandatet e dështimit…

Bilanci i dekadës së fundit është i ftohtë dhe i pamëshirshëm, lindjet ranë nga 35 mijë në 23 mijë, një rënie prej 34%.

Norma e fertilitetit është tkurrur në rreth 1.32, më e ulëta në Europë. Vdekjet qëndrojnë mbi 30 mijë në vit, me kulmin e dhimbshëm në vitin 2021 kur pandemia i çoi në 41 mijë.

Edhe pas saj, bilanci mbetet negativ.

Më shumë varre hapen sesa foshnja lindin.

Nga ana tjetër, mbi gjysmë milioni shqiptarë aplikuan për azil në BE gjatë viteve 2014 – 2022, ndërsa 60% e rinisë shprehu dëshirën për të ikur (INSTAT 2023; Eurostat 2022 – 2023; Gallup 2018).

Universitetet shqiptare, që dikur mbanin mbi 170 mijë studentë në vitin 2012, kanë rënë në më pak se 90 mijë në vitin 2022 (MAS 2023).

Ky nuk është më një grafik që mund të diskutosh në komisione, është një rrjedhje truri, një boshatisje e heshtur e sallave dhe auditorëve.

Mandati i parë (2013 – 2017) nisi me slogane për “Rilindjen Urbane” dhe u përmbush me fasada të reja e me një bonus ceremonial për bebe, 40, 80, 120 mijë lekë, shifra që nuk mbulojnë as një muaj të parë të jetës së një foshnje.

Nuk pati ligj kornizë për demografinë, nuk pati politika strehimi të përballueshme për çiftet e reja, nuk pati instrumente për kthimin e diasporës.
Ishte mandati i ngjyrave në pllaka, jo i themeleve në të ardhmen.

Mandati i dytë (2017 – 2021) thelloi estetikën urbane, ndërsa largimi i rinisë mori përmasa të reja.

Shqipëria shpenzoi vetëm 3.1% të PBB-së për arsim dhe 5% për shëndetësi (UNESCO 2022; WHO 2022).

Në vend që të hapeshin laboratorë, u zbrazën auditorë.

Në vend që të forcoheshin spitalet, u dha më shumë hapësirë kontratave koncesionare, inceneratorët morën mbi 430 milionë euro (IMF 2022), sterilizimi i pajisjeve kushtoi 53% më shumë se alternativa publike (KLSH 2021), ndërsa check-up-i u pagua me 120 milionë euro për një efekt minimal (BIRN 2022).

Këto ishin shifra të drejtuara drejt kozmetikës buxhetore, jo drejt themeleve të zhvillimit.

Mandati i tretë (2021 – 2025) u gjend përballë pandemisë. Vdekshmëria e tepërt e vitit 2021 mbeti plagë e hapur.

Lindjet nuk u ringritën.

Emigrimi nuk u ndal. Dhe përkundër kësaj krize, Shqipëria hyri në vitin 2025 ende pa një Strategji Demografike Kombëtare, pa një audit demografik të politikave publike, pa një plan të qartë që të lidhte vizionin politik me mbijetesën kombëtare.

Kështu, dekada 2013 – 2025 është dekada e dallimit të thellë midis pamjes dhe substancës.

U ndërtuan rrugë, sheshe e kulla; por nuk u ndërtuan fëmijë, çerdhe e laboratorë.

U investua në fasadën që duket, jo në palcën që mban. Ky dallim midis imazhit dhe jetës, midis betonit dhe gjakut, është thelbi i dështimit.

Standardi krahasues dhe pse të tjerët panë kthesë e ne jo…

Hungaria u përball me të njëjtën dilemë si gjithë Europa Lindore, por zgjodhi të mos heshtë.

Ajo vendosi instrumente konkrete, kredi të falshme për nënat me tre ose më shumë fëmijë, lehtësira tatimore për nënat me katër ose më shumë, subvencione banese për familjet e reja.

Rezultati nuk ishte spektakël retorik, por ndryshim i matshëm: norma e fertilitetit u rrit nga 1.25 në rreth 1.59 (Eurostat 2021). Polonia ndoqi një qasje tjetër, më të drejtpërdrejtë, programi “500+”, një pagesë mujore për çdo fëmijë.

Rezultati?

Ulje e varfërisë fëmijërore dhe stabilizim i lindjeve (World Bank 2020; Eurostat 2021). Serbia dhe Kroacia vendosën shpërblime direkte për lindjet, programe për kthimin e diasporës dhe stimuj lokalë që lidhin familjen me vendin.

Në të gjitha këto raste, një gjë është e përbashkët, shteti e kuptoi se demografia nuk është as çështje private, as luks politik, por themel i mbijetesës.
Dhe për këtë, shteti mobilizoi instrumente financiare, ligjore dhe sociale.

Shifrat lëvizën sepse politika nuk u fsheh pas propagandës, por krijoi kushte reale.

Shqipëria, përballë së njëjtës sfidë, ka ofruar vetëm një pagesë njëherëshe për bebe, 40, 80, 120 mijë lekë nuk mjafton as për muajin e parë të shpenzimeve të një foshnje.

Nuk ka asnjë ligj strategjik për demografinë 2025 – 2050, asnjë objektiv të matshëm për lindjet, asnjë buxhet të dedikuar për familjen.

Nuk ka paketa kthimi për profesionistët, asnjë plan për kthimin e mjekëve, inxhinierëve, mësuesve që ikin.

Arsim dhe shëndetësi janë nën standardet minimale të rajonit, ndërsa shpenzimet për kërkim – zhvillim janë në fund të tabelës së Europës.

Konkluzioni është i qartë dhe i pamëshirshëm, aty ku ekziston vullnet politik, dizajn ligjor dhe financim i qëndrueshëm, shifrat reagojnë.

Aty ku ekziston kozmetikë, propagandë dhe mungesë ligji, shifrat bien.
Ky nuk është fat. Kjo është arsye.
Ky nuk është dënim nga qielli.
Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve politike.

Paralajmërimi për mandatin e katërt, vijë e kuqe historike

Këto ditë Edi Rama nis mandatin e katërt. Tashmë, ky mandat i 4 është edhe vijë ndarëse, ose Shqipëria bën politikë familjare, rinore, arsimore e shëndetësore me peshë kushtetuese, ose e pranon se po bën me vetëdije rrëshqitje drejt shuarjes.

Të hysh në këtë mandat pa Strategji Demografike Kombëtare është njëlloj si të nënshkruash dorëheqjen nga e nesërmja. Qeveria gjykohet jo për fasadat që ngre, por për bankat e shkollës që mbyllen, maternitetet që heshtin, kthimet që nuk ndodhin.

Ky është momenti i një Doktrine të Mbijetesës Demografike, jo si broshurë e zhurmë propagnde, por doktrinë, detyrë patriotike, akt normativ, ligj e strategji.

Shqipëria ka nevojë për një ligj themeltar të jetës. Jo një dokument më shumë në sirtar, por një kontratë morale mes shtetit dhe qytetarëve.

Një akt ku fjala nuk është premtim, por garanci.

Duhet, Doktrina e Mbijetesës Demografike.

Mund të mjaftojnë edhe vetëm pesë nene dhe një objektiv kombëtar.

Shqipëria është në një udhëkryq ku nuk mjaftojnë më retorikat.
Sot na duhet me se s’bën kjo Doktrinë e Mbijetesës Demografike, që të mos jetë premtim politik, por akt themeltar i kombit.

E ritheksoj, duhet të konsiderohet si kontratë morale dhe ligjore, një ligj i jetës, që askush nuk mund ta ndryshojë sipas interesit të radhës, por vetëm me super-shumicë kombëtare.

Ky akt nuk është luks. Është domosdoshmëri historike. Pa të, çdo vit i humbur është një brez më pak, një komb më i tkurrur, një flamur më i rëndë për ta mbajtur.

Neni I, Familja si aktiv strategjik

Familja është themeli i çdo shoqërie dhe i çdo shteti. Pa fëmijë, nuk ka as ekonomi, as ushtri, as kulturë, as të ardhme. Për këtë arsye, Shqipëria duhet të vendosë familjen në qendër të politikës:

• Transfertë mujore e indeksuar për çdo fëmijë deri në 5 vjeç, e lidhur me të ardhurat, për të garantuar drejtësi dhe jo privilegj.

• Strehim i përballueshëm për çiftet e reja: subvencione kredie dhe qiraje në qytetet e mesme dhe fshatra. Pa banesë, nuk ka fëmijë.

• Rrjet kombëtar çerdhesh dhe kopshtesh me standarde të monitorueshme, jo vetëm numër, sepse cilësia e kujdesit të hershëm është themel i barazisë sociale.

• Leje prindërore të paguara për të dy prindërit, me kompensim të plotë për një periudhë të arsyeshme, për të ndarë përgjegjësinë dhe për të hequr barrën nga vetëm një krah.

Neni II, Rinia dhe kthimi i trurit

Rinia shqiptare është kapitali më i madh që sot rrjedh jashtë kufijve. Çdo mjek, mësues, inxhinier i humbur është një boshllëk i përhershëm. Zgjidhja është kthim me kushte reale:

• Lehtësim fiskal 5-vjeçar për profesionistët që kthehen dhe punojnë në rrethe.

• Grante dhe bonuse banese për mjekë e mësues që vendosen në zonat ku mungojnë.

• Njohje diplome brenda 60 ditësh dhe portal kombëtar pune i lidhur me diasporën, me oferta konkrete dhe kontrata të lidhura me qëndrimin.

Neni III, Infrastruktura sovrane

Shqipëria duhet të lërë mënjanë shpenzimet kozmetike dhe të investojë aty ku matet dinjiteti i saj:

• Arsim ≥5% e PBB-së në tre vjet. Çdo klasë e mbyllur është një çarje në murin e kombit.

• Shëndetësi ≥7% e PBB-së në tre vjet. Një vend pa spitale funksionale është një vend i pambrojtur.

• Kërkim – zhvillim ≥1% e PBB-së në pesë vjet. Pa laboratorë, Shqipëria mbetet në prapaskenë të botës.

• Punë fleksibël dhe kujdes ditor i zgjeruar, për të ulur koston e kohës së prindërimit dhe për të bërë jetën e prindërve të rehatshme.

Neni IV, Higjienë fiskale

Pa higjienë fiskale, nuk ka hapësirë për politika familjare. Shqipëria duhet të pastrojë arteriet e saj financiare:

• Moratorium 24-mujor mbi PPP-të jo-kritike, audit i pavarur i kontratave, ridestinim i fondeve drejt familjes, arsimit dhe shëndetësisë.

• Test demografik ligjor për çdo projekt, asnjë ligj, asnjë investim pa vlerësuar ndikimin në lindje, kthim dhe mbajtje të rinisë.

Neni V, Transparenca e pulsit

Një komb nuk jeton me PBB, por me puls.
Për këtë, duhet një Agjenci Demografike e Pavarur që raporton çdo 90 ditë, publikisht:

• lindje,
• vdekje,
• norma fertiliteti,
• migrim neto,
• raport punëtor – pensionist,
• shpenzime arsim/shëndetësi/R&D.

Raportet duhet të lidhen me buxhetet, ministritë me sinjal jeshil marrin fonde shtesë, ato me sinjal kuq sjellin plan korrigjues.

Komunikimi duhet të jetë afirmativ, prindërimi si akt dinjiteti, jo detyrim.
Vetëm kështu shmanget cinizmi i propagandës nataliste.

Objektivi Kombëtar, nga humbja tek rigjenerimi

Kjo doktrinë nuk është abstraksion.

Ajo duhet dhe ka objektiva të qarta, të matshme dhe shkencërisht të verifikueshme:

• Norma e fertilitetit: nga 1.3 në 1.6 brenda 5 vitesh. Ky është realizmi i përvojës europiane (Hungari, Poloni). Jo “boom”, por kthesë modeste e qëndrueshme.

• Bilanci natyror: nga -8 000 në zero brenda 5 – 7 vitesh. Arrihet duke ulur vdekshmërinë e parandalueshme dhe duke mbështetur prindërit me shërbime reale.

• Migrimi neto: drejt neutralitetit në 5 vjet. Ambicioze, por e arritshme vetëm me paga konkurruese, strehim dhe kthime të targetuara.

• Popullsia rezidente: të mbajmë mbi 2.8 milion deri në 2030 dhe të synojmë kthimin drejt 3 milionëve deri në 2040. Ky është horizonti i mundshëm dhe shkencërisht i arritshëm, nëse të gjitha politikat ecin bashkë.

Këto pesë nene dhe këto objektiva nuk janë dëshira. Janë kushtet minimale për të shpëtuar nga tharja.
Pa strehim, nuk ka lindje.
Pa kujdes të hershëm, nuk ka barazi.
Pa arsim e shëndetësi, nuk ka dinjitet.
Pa kthim truri, nuk ka zhvillim.
Pa higjenë fiskale, nuk ka fonde.
Pa transparencë, nuk ka besim.

Kjo është kontrata e re që Shqipëria duhet të nënshkruajë me vetveten. Dhe kjo është kontrata që nuk falet nëse shkelet, sepse çdo vit i humbur nuk është grafik në INSTAT, por një klasë më pak në shkollë, një maternitet më bosh, një fshat më i heshtur.

Rreziku ekzistencial dhe thirrja e fundit

Shifrat e vitit 2023 janë një aktakuzë e ftohtë dhe e pamëshirshme kundër politikave të zbrazura: vetëm rreth 23 mijë lindje, mbi 31 mijë vdekje, një bilanc natyror negativ prej 8 mijë vetësh (INSTAT 2023).

Mosha mesatare e popullsisë ka kaluar tashmë 38 vjeç dhe vijon të ngjitet me shpejtësi drejt 44 deri në mesin e shekullit (Eurostat 2022).

Në qarqe të tëra, popullsia është tkurrur me mbi 20% (INSTAT 2022).

Dhe si të mos mjaftonte, më shumë se 500 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian gjatë periudhës 2014–2022 (Eurostat 2023).

Këto nuk janë numra të thatë.

Janë diagnoza klinike, shenja të qarta të një organizmi kombëtar që po shteron.

Çdo grafik është një dhimbje e shndërruar në statistikë.

Një bankë shkolle e zbrazur nuk është thjesht një institucion pa nxënës, por një kambanë që troket për një brez që nuk erdhi kurrë.

Një maternitet i heshtur nuk është vetëm një ndërtesë pa foshnja, por një shenjë e humbjes së shpresës për të ardhmen.

Një fshat i mbetur me vetëm të moshuar nuk është thjesht një hapësirë e heshtur, por një varrezë e hapur ku humbet gjallëria e brezave.

Kur bilanci i jetës kthehet në bilanc humbjeje, kur shkollat mbyllen më shpejt se hapen, kur maternitetet heshtin më shumë se gëzojnë, kur fshatrat nuk dëgjojnë më zërin e fëmijëve por vetëm trokitjen e shkopinjve të pleqve, atëherë kemi hyrë në fazën e paralajmërimit historik.

Këto shifra nuk janë thjesht tregues; janë aktgjykime.

Janë pasqyra ku kombi sheh fytyrën e tij dhe pyet: a kemi ende të ardhme?

Rreziku nuk është vetëm social e ekonomik; është gjeopolitik.

Në Ballkan, dobësia demografike është ftesë për ndikim.

Pa rini, nuk ka ushtri, ekonomi, kulturë.

Pa rini, sovraniteti bëhet procedurë, jo fuqi.

Tri mandate pa strategji demografike; mandat i katërt pa plan është papërgjegjshmëri historike.

Shqipëria ka nevojë për ligj, jo për spote; për buxhet, jo për vizatime; për maternitete që punojnë, jo për sheshe që shkëlqejnë.

Historia nuk pyet për arsyetime; ajo numëron djepat dhe bankat e shkollës.

Nuk regjistron pllakat e shesheve; regjistron sa fëmijë qeshin në oborr.

Shtete të mëdha janë rrëzuar me ushtri; shtete të vogla janë fikur pa zhurmë, nga heshtja e lindjeve dhe ikja e rinisë.

Shqipëria sot duhet të zgjedhë.

Ose një kontratë të re kombëtare ku familja shpallet aktiv strategjik, rinia qëndron sepse ka arsye, diaspora kthehet sepse ka shtigje, dhe prindërimi mbrohet me ligj dhe mbështetet me buxhet.

Ose një fasadë e gjatë që mbaron në skelet me rroba të varura.

Në këtë udhëkryq, prindërimi është akt sovraniteti; familja është institucioni i parë i sigurisë kombëtare; mësuesi dhe mjeku janë gjenerali dhe inxhinieri i një ushtrie pa armë, por me fuqi të jashtëzakonshme, të ripërtërijë dhe të shërojë.

Ne do të gjykohemi jo për fjalët tona, por për fëmijët tanë. Jo për spote, por për djepat. Jo për fasadat, por për themelet.

Nëse ky vend zgjedh themelet, do të rigjenerohet. Nëse zgjedh pamjen, do të zbehet. Koha është sot.

Puls i ri ose heshtje. Zgjedhja është e jona.

Arian Galdini

Referenca:

• Banka e Shqipërisë (2023) Remittances Report. Tiranë: Banka e Shqipërisë.
• BIRN (2022) Check-up Concessions Analysis. Tiranë: Balkan Investigative Reporting Network.
• Eurostat (1995) Migration Statistics 1990–1995. Brussels: Eurostat.
• Eurostat (2021; 2022; 2023) Fertility Rate Indicators; Population Age Indicators; Asylum Statistics. Brussels: Eurostat.
• Eurostat GBARD (2024) Gross Domestic Expenditure on R&D. Brussels: Eurostat.
• Gallup (2018) World Poll on Migration Aspirations. Washington: Gallup.
• IMF (2022) Albania: Public Investment Management Assessment. Washington: International Monetary Fund.
• INSTAT (2013; 2023) Population and Housing Census; Vital Statistics. Tiranë: INSTAT.
• ISSH (2022) Raporti i Sigurimeve Shoqërore. Tiranë: ISSH.
• KLSH (2021) Raport auditimi – Sterilizimi. Tiranë: KLSH.
• Ministria e Arsimit (2022; 2023) Statistika arsimore. Tiranë: MAS.
• NBS China (2023) Population Report. Beijing: National Bureau of Statistics.
• OECD (2022) Population Ageing and Sustainability. Paris: OECD.
• Statistics Bureau of Japan (2023) Population Estimates. Tokyo: SBJ.
• Statistics Korea (2023) Population and Fertility. Seoul: Statistics Korea.
• UN (2023) World Population Prospects. New York: United Nations.
• UN DESA (2022) World Population Prospects 2022. New York: UN Department of Economic and Social Affairs.
• UNESCO (2022) Education Expenditure Report. Paris: UNESCO.
• WHO (2022) Global Health Expenditure Database. Geneva: World Health Organization.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 229
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET
  • Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada
  • LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI
  • Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan
  • Kur harrojmë historinë dhe rrënjët tona, rrezikojmë të humbasim vetveten
  • SHBA-ja dhe Izraeli nisën njё sulm të madh ndaj objektivave në mbarë Iranin
  • “Portret Historik” – Mehdi Frashëri: Një profil mes shtetformimit dhe historiografisë
  • Drejtësia ndërkombëtare, narrativat gjeopolitike dhe kohezioni shqiptar
  • EDITORI I DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ, PERSONALITET I VATRËS E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT