• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një javë pas marrëveshjes së brihtë të paqes Izrael-Iran: Misteri mbetet?

July 1, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi /

Ka kaluar një javë që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën të shtyjnë Izraelin dhe Iranin drejt një armëpushimi, duke i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm 12-ditor që rrezikoi të përfshinte në flakë jo vetëm Lindjen e Mesme, por edhe stabilitetin global.

Paqja e brishtë, e ndërmjetësuar nga Uashingtoni menjëherë pasi avionët amerikanë hodhën bomba të rënda prej 30,000 paundësh mbi tri objekte kyçe bërthamore të Iranit, deri tani po mbahet. Por në horizont shfaqen ende shumë pikëpyetje.

Sa pas është çuar Irani në programi i tij bërthamor?

Presidenti amerikan Trump deklaroi se tre objektivat iraniane të goditura nga sulmet amerikane ishin “shkatërruar plotësisht”. Sekretari i tij i mbrojtjes pohoi se ishin “rrënuar”. Por një raport paraprak i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së tregon se edhe pse objektet në Fordo, Natanz dhe Isfahan pësuan dëme të mëdha, ato nuk u asgjësuan tërësisht.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, deklaroi se objektet iraniane për pasurimin, konvertimin dhe trajtimin e uraniumit janë “dëmtuar në një shkallë të rëndësishme”, por shtoi se “diçka ka mbetur ende në këmbë” dhe se “nëse Irani dëshiron, mund t’i rifillojë ato procese”. Vlerësimi i plotë i dëmeve do të varet nga gatishmëria e Teheranit për të lejuar inspektorët ndërkombëtarë të hyjnë në terren.

Si do të jenë marrëdhëniet e ardhshme SHBA-Iran?

Pas marrëveshjes së armëpushimit, Trump foli me tone të zbutura, duke lënë të hapur mundësinë e lehtësimit të sanksioneve të ashpra ndaj Teheranit dhe madje parashikoi që Irani mund të bëhet një “komb i madh tregtar” nëse heq dorë njëherë e përgjithmonë nga programi i tij bërthamor.  

Por kjo fjalë e ëmbël nuk zgjati shumë. Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, në daljen e tij të parë publike pas njoftimit të armëpushimit, tha se Irani i kishte dhënë “një shuplakë fytyrës së Amerikës”. Trump reagoi me cinizëm, duke thënë se Khamenei duhet të pranojë që “Irani u rrah keq”, dhe shtoi se nuk do të shqyrtonte ndonjë heqje të menjëhershme të sanksioneve për shkak të retorikës përçmuese të Khameneit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë konfirmojnë se SHBA dhe Irani janë në kontakt paraprak për të rinisur bisedimet që kishin ngecur kur Izraeli filloi të bombardonte objektiva iraniane. Megjithatë, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi e mohoi se ka një marrëveshje për të rifilluar zyrtarisht negociatat. Është ende e paqartë nëse udhëheqësia iraniane është gati të rikthehet në tryezën e bisedimeve, sidomos nëse Trump ngul këmbë që Irani të heqë dorë madje edhe nga pasurimi i uraniumit për qëllime civile. 

Vetë Trump ka dhënë sinjale kontradiktore, duke thënë në një samit të NATO-s: “Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, por nuk mendoj se është edhe aq e domosdoshme.”

Çfarë roli do të luajë Khamenei në këtë kontekst?

Shëndeti i përkeqësuar dhe paraqitja e zbehtë e Khameneit së fundmi kanë ngritur pikëpyetje mbi shkallën e angazhimit të tij në raportet SHBA-Iran dhe në përgjigjen e Teheranit ndaj sulmeve amerikano-izraelite. Megjithatë, edhe pse javët e fundit u raportua se kishte qëndruar në bunker për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij, nuk ka shenja se ai nuk e kontrollon ende plotësisht aparatin ushtarak dhe shtetëror iranian. 

Khamenei ka sunduar tri herë më gjatë se pararendësi i tij, Ruhollah Khomeini, dhe ka ndikuar ndoshta edhe më thellë në jetën e mbi 90 milionë iranianëve. Ai ka konsoliduar regjimin e “mullahëve”, duke u bërë autoriteti absolut në sytë e krahut radikal, vetëm një shkallë poshtë Zotit. Po ashtu, ai e ka shndërruar Gardën Revolucionare në forcën më të fuqishme të ushtrisë dhe politikës së brendshme të Iranit.

Si mund të hakmerret Irani?

Sulmet raketore të Iranit mbi një bazë amerikane në Katar, të ndërmarra si përgjigje ndaj bombardimeve, u cilësuan nga Uashingtoni si një përpjekje gjysmake për të shpëtuar fytyrën. SHBA ishte paralajmëruar dhe raketat u asgjësuan lehtësisht.  

Por kërcënimi iranian mbetet i madh, sidomos nëpërmjet luftës kibernetike. Hakerë të lidhur me Teheranin kanë shënjestruar tashmë banka amerikane, kontraktorë të mbrojtjes dhe kompani të industrisë së naftës , edhe pse deri tani nuk kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të infrastrukturës jetike. Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA lëshoi javën e kaluar një paralajmërim publik mbi kërcënimet në rritje kibernetike nga Irani, ndërsa Agjencia Amerikane për Sigurinë Kibernetike u bëri thirrje operatorëve të sistemeve të ujit, tubacioneve dhe centraleve elektrike të qëndrojnë në gatishmëri maksimale.

A do të zgjasë ky armëpushim?

Paqja mbetet tepër e brishtë. Menjëherë pas sulmeve, Trump telefonoi Netanyahun dhe i bëri të qartë se SHBA nuk kishte ndërmend të ndërmerrte më aksione të reja ushtarake. Nga ana tjetër, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli do të godasë sërish “nëse dikush në Iran përpiqet të ringjallë këtë projekt”.

Marrëveshja e armëpushimit nuk përfshin ndonjë angazhim nga Irani për çmontimin e programit të tij bërthamor. Khamenei madje tha se sulmet “nuk bënë asgjë të rëndësishme” ndaj këtyre kapaciteteve. Trump u shpreh me besim se “gjëja e fundit që Irani po mendon tani është uraniumi i pasuruar”. Por ai pret që Irani të lejojë inspektorë ndërkombëtarë të konfirmojnë se programi nuk do të rifillojë, qoftë nga IAEA, OKB apo ndonjë organ tjetër që “ne e respektojmë, përfshirë vetveten”.

A do të arrijë Trump të shtyjë Netanyahun drejt një marrëveshjeje për Gazën?

Presidenti amerikan rrezikoi shumë me vendimin e tij për të urdhëruar sulmet ndaj “fortesave bërthamore” të Iranit. Gjatë fushatës ai kishte premtuar se do të përfundonte shpejt luftën brutale të Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin Izrael-Hamas në Gaza, por ende nuk ka gjetur një zgjidhje për asnjërën. Ai gjithashtu kishte premtuar të mbante SHBA larg konflikteve të huaja.

Megjithatë, pas mbështetjes që i dha Izraelit me sulmet kundër Iranit, Trump , në biseda me Netanyahun dhe liderë të tjerë botërorë , ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një marrëveshje së shpejti. “Ne mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë një armëpushim”, tha ai të premten për gazetarët, pa dhënë më shumë detaje.

Ndërkohë, ministri izraelit i Çështjeve Strategjike Ron Dermer do të udhëtojë në Uashington për të diskutuar me zyrtarët e lartë të administratës mbi një armëpushim në Gaza, Iranin dhe çështje të tjera.

Në fund të kësaj jave të parë të “paqes”, bota rri pezull. Shumë pyetje ende nuk kanë përgjigje, ndërsa çdo palë, në Teheran, Tel Aviv apo Uashington, duket se përpiqet të imponojë narrativën e vet. 

E ardhmja e këtij armëpushimi , dhe e gjithë rajonit, mbetet e varur në fije të perit.


Filed Under: Ekonomi

Tri arsye pse shteti shqiptar sot është i ngjashëm me një skemë piramidale

June 30, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Një nga shkrimtarët dhe intelektualët e Perandorisë Osmane të shek.XIX ishte Namik Kemal, i cili përveç origjinës së tij shqiptare njihej gjithashtu si kritik i situatës politike, që kishte përfshirë perandorinë. Një ditë tregohet se dy tre miq i kthehen me shpoti, duke i vënë në dukje se kishte kohë që thonte se shteti po prishej e megjithatë ai vijonte të mbetej në këmbë. Namik beu iu përgjigj se perandoria nuk ishte filan fisteku, që të sëmurej në drekë, të vdiste në mbrëmje dhe të varrosej të nesërmen. Për një shtet qindravjeçar agonia do të zgjaste pesëdhjetëvite. Namik Kemal-i vdiq në vitin 1888, ndërsa shteti osman zyrtarisht në 1923. Prandaj mos u çudisni kur e krahasoj shtetin shqiptar me një skemë piramidale.

Tani le të vijmë te tre arsyet:

1-Korrupsioni

Elitat politike e kanë kthyer korrupsionin në kulturë kombëtare. Ai është kapilar dhe shtrihet nga qendra drejt periferisë. Kryesisht nuk vjedh vetëm ai që nuk ka mundësi ose, që nuk di të vjedhë. Për këtë arsye, shqiptarët ndahen në dy pjesë: një pjesë që vjedh dhe një pjesë që vidhet. Kjo e fundit përbën shumicën dhe konsiderohet e paaftë, defiçente. Korrupsioni shkakton një reaksion zinxhir problemesh ku më kryesori është

2-Braktisja e vendit për një jetë më të mirë

Largimi i qindra mijërave shqiptarëve nuk është rastësi dhe trend për shkak të reklamave që jepte dikur “Italia uno”. Por pasojë e keq qeverisjes, politikave të diskriminimit social, ekonomik dhe politik të partive, të cilat e mbajnë vendin në konflikt permanent. Shqipëria nuk është vend i shanseve të barabarta. Por i lekut dhe i mikut. Ajo që të bën përshtypje është indiferenca e pedagogëve, intelektualëve dhe artistëve (aq sa mund të konsiderohen të tillë) ndaj zbrasjes së vendit nga dita në ditë.

3-Bujqësia, ushqimi dhe siguria ushqimore

Shqipëria ka eksperimentuar të gjitha rrugët për tu kthyer në një vend industrial me mbështetjen e fuqive më të mëdha të kohës-Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Ka dështuar. E vetmja alternativë është bujqësia, blegtoria dhe vitet e fundit turizmi.

Politika është treguar kriminale me perspektivën ekonomike të shtetit shqiptar dhe sigurinë e tij ushqimore. Kur të zhduken 9000 lopë dhe dhjetëra mijëra dele për një vit, i bie që mos të kemi më qumësht, i cili bashkë më mishin përbën mbi 50% të produkteve ushqimore. Kjo reflektohet në çmimet e larta të çdo ushqimi, frutave, zarzavateve etj. Në fund të qershorit psh një kg karrota është mbi 1.5 euro dhe çdo gjë mbi mesataren e çmimeve në shtetet fqinjë anëtare të BE.

Për çfarë turizmi bëhet fjalë kur ti nuk mbulon dot nevojat e brendshme?

Filed Under: Ekonomi

Kriza e Ambasadave…

June 28, 2025 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Në një mjedis toksik dhe refuzues ndaj të vërtetave, të dominuar nga mitet, propaganda dhe shpjegimi i ngjarjeve historike përmes interesit ditor të politikës, si dhe nga portale me individë të paformuar që përmes reklamës padijen e injorancën e shesin si vlerë, detyra e studiuesve është të refuzojnë konformitetin me këtë mjedis, dhe me durim, kurajë, integritet dhe konsistencë të ofrojnë fakte, dokumente, teza dhe qasje analize në kohë e retrospektivë, botime serioze dhe profesionale. Natyrisht ato janë dhe mund të jenë edhe në të ardhmen e afërt pakicë numerike dhe pakicë mendimi në hapësirën publike, në debatin publik, në aksesin për diskutim dhe aksesin për formim, por janë aty, mbeten aty në biblioteka dhe librari; sot, nesër dhe në ditët kur do të vijnë gjenerata të reja, gjithnjë për njerëzit që duan të lexojnë, të kuptojnë, të reflektojnë, të debatojnë dhe të refuzojnë si mitet fiktive ashtu edhe formimin e deformuar përmes turmave dhe keqpërdoruesve të saj. Edhe në Shqipëri me siguri do të ketë një ditë kur idetë, ngjarjet historike, gjetjet dhe tezat do të debatohen midis ekspertëve të fushës. Larg apo afër, është çështje maturimi, formimi dhe kulture, jo çështje kullash, portalesh dhe aftësisë për të pasur akses publik apo për të bërtitur.

Tingëllon moraliste? Imagjinoni të keni në tavolinë gjithçka ju duhet, – të gjitha letrat, burimet, dokumentet, emrat, botimet, arkivat tona e të huaja që lidhen me të një ngjarje të caktuar, dhe pastaj të hapësh TV apo FB dhe të shohësh marrina me shumicë, sesi deformohen ngjarje të tilla; sesi individë të paformuar dhe të painformuar ftohen të bëjnë ekspertin dhe ku në garën e turmës secili ka “të vërtetën e vet“, të cilën tenton me forcë tua imponojë të gjithëve si të vërtetë të vetme; sesi e shkuara lexohet jashtë kohës dhe kontekstit nga komoditeti apo interesi i të sotmes, me sa lehtësi krijohen mite e skenarë imagjinarë, me sa lehtësi ato përsëriten çdo vit duke u pasuruar me imagjinatë të re në marrëzinë dhe padijen e tyre, dhe duke u përsëritur, sa efektiv dhe i rrezikshëm bëhet kultura e dominimit të turmës ashtu si sistemi i deformuar dhe abuziv me ngjarjet, faktet dhe të vërtetat.

Meqenëse jemi në fundin e muajit qershor dhe në prag të 2 korrikut, (1990) për ata pak individë që ende lexojnë dhe që kanë interes më të thelluar në ato ngjarje me siguri botimi im monografik sjell një kontribut modest profesional dhe siç më thonë ata kolegë që e kanë lexuar, nuk do t’ju zhgënjejë. Nuk është reklamë (sepse nuk kam ndonjë përfitim financiar) dhe për autorët leximi i librave të tij është edhe sfidë (ri)vlerësimi, por është respekt ndaj leximit dhe ftesë për kuriozitet, arsye dhe mundësi për ikje nga pushteti i turmave në rrugë, mediat sociale, TV apo nivelet e larta politike.

P.S. Edhe kete pervjetor ambasada gjermane do te organizoje nje debat te hapur mbi korrikun ’90, (ku me kenaqesi kam pranuar te jem pjese e panelit), – gjithashtu edhe ISKK organizon nje tryeze me kete fokus, ku gjithashtu me kenaqesi jam pjese e panelit.

Filed Under: Ekonomi

Plakja dhe shpopullimi i Shqipërisë rreziku më i madh për të ardhmen kombëtare

June 25, 2025 by s p

Shpëtim Axhami/

Plakja dhe shpopullimi i Shqipërisë rreziku më i madh për të ardhmen kombëtare që kërkon veprim urgjent. Shqipëria po përballet me një krizë të heshtur, por të thellë: plakjen e shpejtë të popullsisë dhe boshatisjen sistematike të vendit.

Në çdo cep të vendit tonë, dëgjojmë të njëjtën histori: fshatra të boshatisur, shkolla të mbyllura, spitale pa mjekë dhe rrugë ku mungon zëri i fëmijëve. Shqipëria po zbrazet, bujqësia dhe blektoria Pothuajse degraduar, biznesi nuk po gjenë më krah pune.

Nëse dikur flisnim për emigracion si zgjidhje individuale, sot po përballemi me një shpopullim masiv, që dëmton themelet dhe egzistencën tonë si shtet dhe si komb. Kjo nuk është thjesht një krizë demografike, është një krizë kombëtare.

Shqipëria nuk mund të mbetet vendi i të moshuarve dhe i kujtimeve të largimit. Është koha të veprojmë, përpara se të jetë vonë, Ne kemi nevojë për një ndërgjegjësim dhe reflektim të gjithanshëm dhe të kujtdo në lidhje me parandalimin e kësaj fatkeqësie kombëtare🇦🇱

Filed Under: Ekonomi

Supermacioni i organizmave ndërkombëtarë ndaj sovranitetit relativ të Republikës së Kosovës

June 24, 2025 by s p

Analizë juridiko-politike dhe ndërkombëtare

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

1.Kuptimi i sovranitetit në arenën ndërkombëtare

Koncepti klasik i sovranitetit, i ndërtuar mbi parimin e autoritetit të pakushtëzuar brenda një territori të caktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, është vënë në sprovë të vazhdueshme në epokën moderne të globalizimit, integrimeve ndërkombëtare dhe ndërhyrjeve të legjitimuara në emër të të drejtave të njeriut, sigurisë globale apo stabilitetit rajonal. Rasti i Republikës së Kosovës është ndër më tipikët që dëshmon për zhvillimin e një modeli të ri të sovranitetit – atë të sovranitetit relativ ose të kushtëzuar, ku autoriteti shtetëror bashkëjetohet dhe shpesh sfidohet nga prania, ndikimi dhe kontrolli i organizmave ndërkombëtarë.

2. Zanafilla e sovranitetit të kushtëzuar: Rezoluta 1244 dhe UNMIK-u

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999), e cila sanksionoi ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe vendosjen e administrimit ndërkombëtar mbi Kosovë përmes UNMIK-ut, është pikënisja formale e kufizimit të sovranitetit të Kosovës. Sipas kësaj rezolute:

-Sovraniteti i ish-Federatës së Jugosllavisë mbahej teknikisht në fuqi, por i suspenduar në praktikë;

-Kompetencat ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore i kaluan përkohësisht misionit të OKB-së, duke e përjashtuar autoritetin lokal nga pushteti efektiv.

UNMIK-u, në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, vepronte me autoritet pothuaj të pakufizuar, duke hartuar ligje, emëruar gjykatës, krijuar struktura të përkohshme vetëqeverisëse dhe duke negociuar në emër të Kosovës në forumet ndërkombëtare. Ky ishte një protektorat në kuptimin e plotë juridik dhe funksional.

3. Shpallja e pavarësisë dhe ndërmarrja e sovranitetit nominal (2008)

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, siç konfirmoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin këshillimor të 22 korrikut 2010. Akti i shpalljes së pavarësisë u zhvillua në një ambient ku:

-UNMIK-u nuk ishte larguar zyrtarisht, por kishte filluar të zbriste gradualisht nga përgjegjësitë ekzekutive;

-U vendos misioni EULEX, me mandat të BE-së, për të mbikëqyrur dhe ekzekutuar kompetenca në drejtësi dhe polici;

-U ruajt Prania Ndërkombëtare Civile (ICO) me përfaqësuesin civil ndërkombëtar, i cili kishte të drejtën e vetos ndaj çdo akti të institucioneve të Kosovës.

Prandaj, edhe pas shpalljes së pavarësisë, autoriteti shtetëror i Kosovës ishte i cunguar – një pavarësi e mbikëqyrur me rregulla dhe ndërmjetësime ndërkombëtare.

4. EULEX dhe ndërhyrja në sovranitetin gjyqësor

EULEX-i, si një mision i Bashkimit Evropian, me një kombinim të mandatit ekzekutiv dhe monitorues, përbën një nga institucionet më të rëndësishme në realizimin e supermacisë së faktorit ndërkombëtar ndaj sovranitetit të Kosovës.

-EULEX kishte të drejtën të ngriste aktakuza, të gjykonte raste të ndjeshme, dhe të ndërhynte në hetime të nivelit të lartë.

-Ai funksiononte paralelisht me sistemin gjyqësor të Kosovës, duke krijuar dy juridiksione të ndara: një vendor dhe një ndërkombëtar.

-Në raste të shumta, përfshirë hetimet për korrupsion të nivelit të lartë, krime lufte dhe çështje sensitive politike, vendimmarrja ishte e huaj dhe shpesh pa mundësi reale apelimi në sistemin vendor.

EULEX jo vetëm që ndihmoi në zhvillimin e kapaciteteve vendore, por edhe i ushtroi këto kapacitete vetë, duke u bërë faktor që e pengoi autonominë e plotë të institucioneve.

5. Gjykata Speciale: Legjitimim i kufizimit përmes drejtësisë ndërkombëtare

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për Kosovën, janë produkt i presionit ndërkombëtar mbi Kuvendin e Kosovës që të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për themelimin e kësaj gjykate. Ajo:

-Operon jashtë territorit të Kosovës, në Hagë;

-Zbatohet në bazë të ligjeve të Kosovës, por me juridiksion ndërkombëtar;

-Ka staf të huaj dhe nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes apo kontrollit të institucioneve vendore;

-Gjyqon vetëm pjesëtarë të UÇK-së, duke e bërë karakterin e saj njëetnik dhe të diskutueshëm në aspektin e barazisë para drejtësisë ndërkombëtare.

Kjo gjykatë është shembulli më ekstrem i transferimit të sovranitetit gjyqësor nga një shtet nominalisht i pavarur tek një trupë ndërkombëtare e krijuar për interesa politike dhe stabilitet ndërkombëtar.

6. Marrëveshjet e Brukselit dhe ndërmjetësimi me autoritet të imponuar

Dialogu Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011, ka prodhuar një numër marrëveshjesh politike e teknike, të cilat shpesh:

-Nuk janë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, por konsiderohen si detyrime të brendshme;

-Janë interpretuar nga BE-ja si obligime të parevokueshme, edhe kur bien në kundërshtim me vendime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës;

-Përdoren si instrument presioni për përfitime politike nga Serbia në procesin e integrimit evropian.

Më e diskutueshmja është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila, sipas versioneve të kërkuara nga BE dhe SHBA, përbën një rrezik për integritetin institucional të Kosovës dhe një lloj autonomie territoriale që bie ndesh me parimin e unitaritetit të shtetit.

7. Njohja ndërkombëtare e kufizuar dhe ndikimi në subjektivitetin juridik

Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së dhe nuk njihet nga një numër shtetesh kyçe, përfshirë 5 vende të BE-së dhe dy anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së (Rusia dhe Kina). Kjo gjendje:

-E pengon Kosovën të veprojë si subjekt juridik ndërkombëtar me kapacitet të plotë;

-E bën të varur nga ndërmjetësimi dhe përfaqësimi indirekt nga partnerët perëndimorë në organizata ndërkombëtare;

-Forcon rolin e institucioneve si UNMIK, EULEX, ICO apo të vetë shteteve të fuqishme si SHBA në orientimin dhe mbikëqyrjen e politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës.

8. Teoria e sovranitetit relativ në kontekstin e Republikës së Kosovës

Në shkencat juridike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, koncepti i sovranitetit relativ ose të kushtëzuar lidhet me:

-Shtete që nuk gëzojnë monopolin absolut të vendimmarrjes;

-Shtete që ndajnë kompetencat me organizma ndërkombëtarë, veçanërisht në sektorët kritikë si drejtësia, siguria dhe politika e jashtme;

-Shtete që veprojnë nën prani ndërkombëtare të zgjatur, shpesh pa afat përfundimtar.

Kosova është ilustrimi më i plotë i këtij modeli, ku faktori ndërkombëtar vepron jo vetëm si partner, por shpesh si regjisor i procesit të shtet-ndërtimit.

9. Rreziqet e supermacisë ndërkombëtare dhe perspektiva për sovranitetin e plotë

Ndërhyrjet ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe stabilitetit kanë sjellë edhe pasoja të dëmshme për zhvillimin institucional dhe demokratik të Kosovës:

-Legjitimiteti i brendshëm është dobësuar kur vendimet kryesore nuk burojnë nga vullneti i zgjedhur i popullit;

-Krijohet një elita e varur politike, që vepron më shumë për të kënaqur partnerët ndërkombëtarë sesa për të ndërtuar institucione sovrane e funksionale;

-Dobësohet ndjenja e vetëqeverisjes demokratike, duke shkaktuar apati qytetare dhe mosbesim në sistem.

10.Sfida për barazi sovrane në sistemin ndërkombëtar

Rasti i Kosovës duhet të kuptohet si një ndërthurje komplekse ndërmjet ndërhyrjes ndërkombëtare legjitime dhe kufizimit të autonomisë vendore. Sovraniteti relativ i Kosovës është pasojë e një ndërhyrjeje të jashtëzakonshme, por edhe reflektim i një rendi ndërkombëtar ku fuqia politike, interesa strategjike dhe stabiliteti rajonal shpesh e tejkalojnë të drejtën formale.

Për Kosovën, sfida qëndron në tranzicionin nga një sovranitet i mbikëqyrur në një sovranitet të vetëqeverisur, ku roli i organizmave ndërkombëtarë të shndërrohet nga autoritar në partneritet të vërtetë. Kjo kërkon rritje të kapaciteteve vendore, rritje të legjitimitetit demokratik dhe forcim të pozitës ndërkombëtare përmes njohjes dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Vetëm atëherë, Kosova do të mund të realizojë sovranitetin substancial dhe të barabartë, si çdo shtet tjetër në sistemin ndërkombëtar.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 229
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET
  • Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada
  • LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI
  • Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan
  • Kur harrojmë historinë dhe rrënjët tona, rrezikojmë të humbasim vetveten
  • SHBA-ja dhe Izraeli nisën njё sulm të madh ndaj objektivave në mbarë Iranin
  • “Portret Historik” – Mehdi Frashëri: Një profil mes shtetformimit dhe historiografisë
  • Drejtësia ndërkombëtare, narrativat gjeopolitike dhe kohezioni shqiptar
  • EDITORI I DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ, PERSONALITET I VATRËS E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT