• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga “Fronti Europian në Frontin Kombëtar”. Çfarë mund të fshihet pas këtijë slogani?

June 23, 2025 by s p

Bekim Adili/

Eksponentë nga BDI artikuluan sloganin për zgjedhjet lokale tetor 2025, nga “Fronti Europian në Frontin Kombëtar”. Emërtim i cili pritet të shifet nëse do jetë thjesht një lojë fjalësh politike apo një mesazh i koduar që do zbërthehet në një program apo platform politike.

Por, çfar mund të fshihet pas këtijë slogani!?

Kjo nisëm mund të shihet si një fillim etape e re nga shqiptarët, jo më vetëm e aspektit integrues, por dhe si një lëvizje vetëvendosëse brenda shtetit !? Ku duke përmendur nocionin “komb” në një slogan politik krijohet hapësirë interpretimi i kërkesave për autonomi politike, federalizim apo kantonizim funksional. Slogan i cili gjithashtu mund të jetë një formë presioni i artikuluar politikisht ndaj partnerëve maqedonas !? Një kod politik nga BDI, e cila duke ndjer peshën e fajit për mos definimin kushtetues për çështjen e legjitimitetit etnik, të përfaqësimit adekuat, të përdorimit të gjuhës, të ndarjes së buxhetit në mënyrë proporcionale apo dhe të decentralizimit të pushtetit lokal. Përmes sloganit nga Fronti Europian në Front Kombëtar, mund të artikulojë kërkesa për rregullimin e mekanizmit mbrojtës ligjor për respektimin e marrëveshjeve nga e kaluara deri tek shtrimi i kushteve të reja për bashkëjetesë. Apo do të jetë një vokabular politik për tërheqen e vëmendjes tek problemet e karakterit etnik, që këto zgjedhje lokale ti paraqesin si një formë referendumi me kërkesa për autonomi lokale !?

Kështu, pyetjet që dalin nga zbërthimi analitik i këtijë slogani, janë nëse kjo moto është një përgatitje për të hyrë në një fazë të re të betejave historike apo një kartë që hapet në një moment kritik të mosmarrëveshjeve politike ndëretnike. Nacionalizma të ushqyera nga VMRO si rrjedhojë e dinamikave të ngjarjeve globale që zhvillohen në drejtim të krijimit të një rendi të ri botëror, të cilat padyshim kanë tendencë për të trazuar edhe rajonin tonë. Ku, në shikim të parë, tingëllon si një kombinim i qëllimeve euro-integruese me motivet kombëtare. Por, cili do qoftë objektivi koha dhe veprimet e mëtejshme do sqarojnë gjithçka. Sikurse konstatojm se edhe pas dy dekadash nga Marrëveshja e Ohrit, shqiptarët janë ende larg përfaqësimit të barabartë në shtet. Ku edhe pse shqiptarët janë shumicë në mbi 15 komuna, kompetencat në pushtetin lokal janë tejmase të kufizuara, e ndërsa qeverisja qëndrore dominohet nga maqedonasit. Kështuqë, parë në këtë kontekst, kërkesa për autonomi politiko-territoriale nga shqiptarët mund të paraqitet jo si kërcënim për shtetin, por si formë e avancuar e vetëqeverisjes demokratike. Që do të thotë, se autonomia nuk nënkupton ndarje nga shteti, por një llojë kantonizimi funksional, siç e njohin shumë shtete evropiane me diversitet etnik. Një model i tillë mund të ngjasojë me Bosnjë-Hercegovinën, Zvicrën, Belgjikën apo Spanjën, ku njësitë etnike kanë pushtet të decentralizuar dhe kompetenca të zgjeruara.

Pra, nëse ky slogan përkthehet në një projekt politik ku për argument ndaj faktorit vendas dhe atij të jashtëm, faktori politik shqiptar, në tavolinë mund të vendosi si krahasim edhe projektin e “Asosacionit”, që sërbët kërkojnë të kenë një autonomi me 3 % të popullatës sa jetojnë në Kosovë. Që nënkupton se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me mbi 30% të popullatës së përgjithëshme, natyrshëm duhet të kërkojnë që komunat të mos jenë më thjesht njësi administrative të dobëta, por njësi vendimmarrëse me kompetenca të zgjeruara. Por, nëse ky slogan është vetëm një retorikë zgjedhore, ai do të harrohet shpejt. E kundërta do të thotë se po hyjmë në një etapë të re të zhvillimeve historike. Sidoqoft, këtë slogan disa do ta quajnë një reagim taktik. Të tjerë, një manifest për vetëvendosje të brendshme. Por e vërteta e madhe është, se ky slogan reflekton një lodhje të akumuluar te qytetarët shqiptar nga politikat e kompromisit të njëanshëm. Andaj nëse do shfaqet synimi për të arritur objektivin e një fillim kontrate të re shqiptaro-maqedonase, mbi baza të qarta, të barabarta dhe të pakthyeshme është një kërkesë reale e kohës. Platformë politike e cila nëse nuk ndodhë aktualisht, do ju mbartet pa të drejtë si një barrë për ta finalizuar gjeneratat pasuese, me shpresë se nesër Shqipëria si anëtare e BE-së, do mund të ndihmojë aspiratat e shqiptarëve këtu duke bllokuar euro-integrimin e vendit. Ku si kusht Maqedonia e Veriut do duhet të respektojë minimalishtë Kartën Europiane të Autonomisë Lokale. Një dokument juridik ndërkombëtar i miratuar nga Këshilli i Evropës, që ka për qëllim të garantojë dhe të forcojë autonominë lokale si një nga themelet e demokracisë në Evropë!

Filed Under: Ekonomi

KORNIZË KONCEPTUALE PËR HISTORINË E RE TË KOSOVËS DHE TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE

June 20, 2025 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

1. Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e jo si ndonjë korrigjim i padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, që janë bërë kundër nesh të kaluarën. Padrejtësi në të kaluarën janë bërë edhe kundër kombeve të tjera në Evropë, fjala vjen, kundërhungarezëve, por ato padrejtësi kanëmbetur të pakorrigjuara.Prandaj, vlerësimi për suksesin e shqiptarëve të Kosovës në bërjen e shtetit, duhet të trajtohet brenda kontekstit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, proces në të cilin Kosova dhe shqiptarët e saj kanë kontribuar realisht, por jo në mënyrë vendimtare, jo aq sa ajo federate të shpërbëhej nga fuqia gjëmësjellëse e shqiptarëve. Shpërbërjen e ish Jugosllavisë e ka provokuar në mënyrë vendimtare nacionalsocializmi serb, me projektin e krijimit të Serbisë së Madhe si modifikim i Jugosllavisësë AVNOJ-it, e cila nga doktrina nacionalsocialiste serbe u konsiderua si padrejtësi e bërë ndaj serbëve. Veprimet e lëvizjeve nacionale sllovene, kroate, shqiptare, boshnjake, maqedonase e malazeze për pavarësi, kanë qenë reaktive ndaj projektit nacionalsocialist serb të Serbisë së Madhe. Në rastin e Kosovës dhe të shqiptarëve, reagimi në vitet tetëdhjetë ka qenë ndaj masave represive, ndaj diskriminimit ndërsa në vitet nëntëdhjetëndaj segregacionit e në fund të tyre edhe ndaj spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Pra, lëvizja dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, kanë qenë reaktive dhe ka qenë mbrojtëse. E ka ruajtur brenda vetes edhe elementin e mëhershëm iredentist, por vetëm në një pjesë shumë të vogël të saj.

Megjithatë, historia e shtetit të Kosovës, këtij shteti që ekziston sot si i tillë, duhet të fillojë nga narracioni mbi shpërbërjen e ish Jugosllavisë, e jo nga ndonjë pretendim megalloman se Kosova u pavarësua falë ndërgjegjes mbi përkatësinë dardane e ilire e madje as të projektit të macionalizmit shqiptar të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Narracionet romantike për të kaluarën heroike të Kosovës, si tokë dardane, si bastion i shqiptarizmës, është mirë të mbahen e të kultivohen në sferën e kulturës e tëarteve, por jo të mendimit shkencor, politik e shtetëror, sepse në atë rast nuk e shprehin të vërtetën. Në anën tjetër me aso narracionesh të pavërteta dhe agresive, mund të krijohet perceptimi për shqiptarët si një popull plangprishës e rebel, të cilit nuk mund t’i zihet besë as nga Bashkimi Evropian dhe as NATO-ja, sepse shqiptarët ditkan të jenë jolojalë dhe të pabesë në situatë krizash, siç qenkëshin treguar jolojalë e të pabesë ndaj ish federates, kur ajo ra në krizë. Prandaj, duhet të dominojë narracioni më modest, sipas të cilit përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për dalje nga okupimi serb kanë qenëtë imponuara, ndonëse edhe sitë tilla, ato ishin të pamjaftueshme për të arritur suksesin, po të mos e fillonte nacionalsocializmi serb procesin e pakthyeshëm tëformimit të Serbisë së Madhe, si zëvendësim për ish federatën jugosllave. Modifikimi i projekteve të shqiptarëve në periudha të ndryshme është dëshmise atyre u janë imponuar reagimet: nga lëvizja iredentiste (bashkimi me Shqipërinë), në vitet 60-80 u kalua në një lëvizje integriste (kërkesa për një republikë në kuadër të ish Jugosllavisë.)

Por, pasi eskaloi kriza në vitet nëntëdhjetë, filloi artikulimi i kërkesës për pavarësi,ndonëse edhe deklarata e 2 korrikut 1990 dhe referendumi i shtatorit 991 ende e parashihnin Kosovën si republikë në federatën/konfederatën jugosllave. Kushtetuta e Kaçanikut e promovoi projektin për Kosovën si shtet i pavarur, por vetëm në letër, ngase Kosova në atë kohë ishte tërësisht e okupuar. Zgjedhjet që u mbajtën (1992 e 1998) proklamoheshin si zgjedhje të një shteti të pavarur, por i cili ishte nën okupim total. Pra, as ato përpjekje e as ato modifikime nuk sollën pavarësimin, sado që e mbajtën të gjallë mobilizimin e popullit në atë kauzë. Raporti i Badenterit, që konstatoi shpërbërjen e ish federatës jugosllave, ndonëse Kosovën e injoroi, de facto e hapi rrugën që edhe Kosova ta ndiqte rrugën legale të pavarësimit, meqë ishte “element konstituiv i federatës”, gjë që më vonë e mori para sysh edhe Gjykata e Drejtësisë, në vlerësimin e pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare.

Pra, shpërbërja e ish federatës jugosllave ka krijuar bazën legale në pavarësimit të Kosovës, meqë Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte bërëelement konstituiv i atij federalizmi.

2. Lufta çlirimtare është dëshmi e avancimit të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, si reagim ndaj segregacionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Ndonëse me elemente pothuajse mitike të sakrificave, ajo luftë çlirimtare, me kapacitetet e saj,nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Krahas brutalitetit të Serbisë ndaj saj, edhe oscilimet ideologjikedhe qëndrimet radikale kundër lëvizjes paqesore, i kanë rrezikuar seriozisht mundësitë edhe ashtu të pakta të saj. Marrëveshja e Hollbrukut e tetorit 1998, e cila mundësoi ardhjen e vëzhguesve, ka qenë e rëndësisë strategjike përmbijetesën e UshtrisëÇirimtare të Kosovës, si organizatë legale, unike dhe kooperuese me faktorët ndërkombëtarë. Intervenimi i NATO-s, 24mars-10 qershor 1999 kundër caqeve ushtarake në ish Jugosllavinë e Zhablakut, me Marrëveshjen e Kumanovës (11 qershor 1999) mundësoi çlirimin e Kosovës, me çka u hap udha edhe për pavarësimin e saj në17 shkurt të vitit 2008. Pra, pavarësia e Kosovës ka ardhur edhe si rezultat i intervenimit të NATO-s dhe i një akordi të gjerë ndërkombëtar, të mishëruar në Planin e emisarit të OKB-së, Marti Ahtisarit,e jo si ndonjë aksion i njëanshëm.

3. Armiqësia me Serbinë nuk është mbyllur dhe nuk ka gjasa që të mbyllet as në të ardhmen, në kuadrin ku po kërkohet mbyllja e armiqësive, në procesin e tashëm tëBrukselit.E vetmja mundësi për të arritur njëmbyllje të tyre është nëse Bashkimi Evropian ofron një pako për pranimin e të dyja vendeve në BE, paralelisht me arritjen e marrëveshjes. Por, pakoja e tillë duhet të përjashtojë çfarëdo mundësie të rishikimit/korrigjimit të kufijve. Ajo mund të akomodojë serbët në veriun e Kosovës, me një zgjidhje me elemente të “rregullimit të rajoneve”e asgjë më shumë. Në këtë aspekt, Kosova nuk ka pse ngutet për ndonjë marrëveshje të pafavorshmeme Serbinë. Kosova ka pozitë më të mirë se sa Serbia në statu quo: e para, ngase Serbia është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian dhe asaj i ngutet të kompletojë procesin, ndërsa Kosova është shumë më larg. E dyta, Kosova tashmë ka në prapavijën e vet tre shtete të reja anëtare të NATO-s, të banuara me shqiptarë, të cilat do të destabilizoheshin nga konflikti eventual Kosovë-Serbi. Prandaj NATO-ja nuk do të lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës, sepse në atë rast kriza do të përfshinte edhe tre shtete anëtare të saj, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kjo rrethanë i jep Kosovës hapësirë më të gjerë manovruese edhe për marrëveshjen finale, sepse Kosova është në anën e NATO-s, ndërsa Serbia nën influencën direkte të Rusisë.

4. Kosova urgjentisht duhet ta fillojë një proces të gjerë e shumëplanësh evropianizimi, që do të përthekonte legjislacionin, qeverisjen, drejtësinë, mediet dhe shoqërinë mbarë. Përfarimi i ligjeve dhe rekomandimeve me ato të Bashkimit Evropian, reforma zgjedhore, çrrënjosja e korrupsionit, shteti i së drejtës, afirmimi i pakicave, mediet e lira dhe shoqëria e lirë, janëpërgjegjësi e shoqërisë dhe e institucioneve të Kosovës. Ata që kujtojnë se duhet të pritet pranimi në BE, qëtë fillojnë reformat, në fakt janë kundër integrimit dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në BE. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për këtë fakt dhe të mos i votojnë politikanët e dhunshëm, të korruptuar, të padijshëm dhe esencialisht antievropianë.Në instancë të fundit, qytetarët e kanë në dorëevropianizimin e vendit.

5. Realiteti brendashqiptar është mjaft kompleks: një komb, dy shtete dhe pjesëtarë të kombit edhe në disa shtete të tjera në rajon. Këto dy shtete dhe fragmentet në shtetet e tjera, duhet tëharmonizohen e të mos lihen të veprojnë spontanisht, sepse në atë rast mund të vijnë në situataqë t’i shkaktojnë dëme njëra tjetrës, ose edhe tëkonfliktualitet tëndërsjellë.Nuk duhet të hapen tema lidhur me “pronësinë” mbi kujtimet e përbashkëta, mbi gjuhën, ose mbi meritat në historinë kombëtare. Kuadri i veprimit dhe diskutimeve të tashme e të ardhshme për të ardhmen e shqiptarëve si komb duhet të vendoset brenda ombrellës atlantike dhe asaj tëBashkimit Evropian, e jo të nacionalromantizmit të shkuar, e aq më pak të ideologjive tëfalimentuara majtiste.

6. Kombi shqiptar është nga të paktat kombe evropiane, që e kanë aritur sintezën e bashkëjetesës harmonike ndërmjet besimeve të ndryshme fetare brenda të njëjtit komb. Kjo harmoni duhet të kultivohet edhe më shumë në të ardhmen dhe mundësisht të shndërrohet në model edhe për kombet e tjera evropiane, me çka imazhi i shqiptarëve, i dëmtuar rëndë nga çmoralizimi komunist, do të mund të përmirësohej. Respektimi i të drejtave dhe lirive fetare duhet të jetë i plotë, në frymën e Amandamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, që nuk lejon as Kongresin të miratojë ligje që e kufizojnë atë liri.

7. Kultivimi pasionant i gjuhës shqipe në administratë, në medie, në arsimin publik e kudo në komunikim, duhet të jetë orientim strategjik kombëtar. Ky orientim mund të jetë më rezultativ, nëse financohet më shumë kultivimi i letërsisë shqipe dhe nëse financohet përkthimi masiv i literaturës universitare e artistike nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe. Rritja e cilësisë së arsimit, me theks te arsimi universitar, është vendimtar për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për ndryshimin e natyrshëm të elitave.

Dekonstruktimi i narracioneve nacional-romantike që e promovojnë izolimin, rebelizmin, cubninë e shqiptarëve, duhet të jetë pjesë e debateve të gjera akademike, intelektuale dhe artistike. Realisht, historia kryesore e neve shqiptarëve është zhvilluar brenda perandorive të mëdha, romake, bizantine, bullgare, osmane, ku edhe janë shënuar kontribute të konsiderueshme për ato histori e qytetërime, nga shumë shqiptarë. Ato kontribute duhet të rivlerësohen dhe të kontekstualizohen, duke u shndërruar në element forcues të identitetit shqiptar dhe në motivues bashkëpunimi e tolerance, në realitetet postmoderniste të tashme dhe të ardhshme, në rajonin dhe në kontinentin tonë.(Ky tekst mund të shërbejë edhe si letër e hapur drejtuesve politikë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët. Botimi premierë në revistën Shenja.)

Filed Under: Ekonomi

Strukturat paralele në veri: Realitet i injoruar me pasoja për sovranitetin e Kosovës

June 19, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Veriu i Kosovës, një rajon që mbetet i ndjeshëm dhe i mbikëqyrur me kujdes, është sot shembulli më i qartë se si strukturat paralele të mbështetura nga Serbia e sfidojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Për më shumë se dy dekada, ky realitet është anashkaluar – herë në emër të paqes, herë në emër të “stabilitetit të përkohshëm” – por pasojat sot janë të thella dhe alarmuese.

Çfarë janë strukturat paralele?

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – Serbia ka mbajtur dhe zhvilluar një rrjet të tërë institucionesh që funksionojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Këto përfshijnë shkolla, spitale, gjykata, polici dhe administratë, të gjitha të kontrolluara nga Beogradi.

Këto struktura nuk janë thjesht një shprehje e lidhjeve kulturore apo ekonomike të komunitetit serb me shtetin serb, por një instrument politik për të ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë dhe për të penguar funksionimin e shtetit të Kosovës në këtë pjesë të territorit të vet.

Kur toleranca bëhet barrikadë

Më 2022 dhe 2023, bota pa disa nga episodet më të rrezikshme që lidhen me këto struktura. Në dhjetor 2022, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, rrugët në veri u bllokuan me barrikada, të organizuara nga grupe lokale të lidhura me strukturat paralele dhe të mbështetura nga elementë të sigurisë serbe.

Ndërkohë, në maj 2023, përpjekja e kryetarëve të rinj të zgjedhur shqiptarë për të hyrë në objektet komunale u përball me dhunë të organizuar dhe me plagosjen e dhjetëra ushtarëve të KFOR-it. Serbia mohoi përfshirjen, por prania e figurave të lidhura me Listën Serbe dhe grupe të armatosura në protestat e dhunshme dëshmoi të kundërtën.

Drejtësia e dyfishtë

Për vite me radhë, në Mitrovicën e Veriut funksionoi një gjykatë serbe e jashtëligjshme, paralelisht me institucionet e Kosovës. Edhe pas marrëveshjeve të Brukselit, implementimi i sistemit unik të drejtësisë është bërë me vështirësi. Gjykatat e Kosovës shpesh nuk gëzojnë autoritet në praktikë, pasi qytetarët serbë vazhdojnë të drejtohen te gjykatat serbe në Rashkë apo në veri të Mitrovicës.

Kjo situatë ka krijuar zona të pasigurta ligjore, ku kontrabanda, krimi i organizuar dhe ndikimi politik operojnë pa ndëshkim.

Sovranitet i sfiduar

Pasojat janë të qarta:-

Autoritet i kufizuar shtetëror, ku një pjesë e territorit të Kosovës nuk kontrollohet nga institucionet legjitime.

-Instrumentalizimi politik nga Serbia, e cila përdor strukturat paralele për të kushtëzuar zhvillimet politike në Kosovë dhe për të ushtruar presion në dialog.

-Kriza ciklike, që shpërthejnë sa herë Kosova përpiqet të zbatojë ligjin në veri – qoftë për targat, zgjedhjet apo sigurinë.

A ka zgjidhje?

Po. Por kërkon vullnet politik të fuqishëm, angazhim të përhershëm ndërkombëtar, dhe një strategji të qartë shtetërore për integrimin e veriut. Kjo nuk bëhet përmes konfrontimit të drejtpërdrejtë, por përmes ndërtimit të besimit, forcimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të kushteve të barabarta për të gjithë qytetarët – përfshirë serbët e Kosovës.

Gjithashtu, bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht BE dhe SHBA, duhet të njohin se stabiliteti nuk mund të ndërtohet mbi tolerimin e ilegalitetit, por mbi shtetin e së drejtës dhe funksionalitetin kushtetues të Kosovës në të gjithë territorin e saj.

Nuk ka kompromis me sovranitetin

Strukturat paralele në veri nuk janë një “çështje lokale”. Ato janë thelbi i një sfide shumë më të madhe: sfidës ndaj pavarësisë dhe funksionalitetit të Republikës së Kosovës. Për sa kohë që ato ekzistojnë dhe tolerohen, çdo përpjekje për integrim të brendshëm, për zhvillim ekonomik apo për njohje të reja ndërkombëtare, do të mbetet e brishtë.

Përballja me këtë realitet nuk është vetëm detyrë e qeverisë, por obligim kombëtar dhe përgjegjësi e përbashkët e gjithë faktorit shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Ashtu siç luftuam për pavarësi, sot duhet të veprojmë për mbrojtjen dhe konsolidimin e saj.

Filed Under: Ekonomi

Parkimi dhe Qarkullimi – Plaga më e Madhe e Rrugëve të Tiranës

June 18, 2025 by s p

Arenc Leka/

Rrugët e ngushta të Tiranës përballen çdo ditë me një krizë të thellë infrastrukturore, të përkeqësuar nga mungesa e zgjidhjeve strukturore për qarkullimin dhe parkimin. Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Duke ndjekur nga afër transformimin urban të lagjeve si Meatpacking District në West Village, New York – nga zona industriale në hapësira të jetueshme, moderne dhe të integruara – më vjen natyrshëm të krahasoj rrugën që po ndjek qyteti i fëmijërisë sime, Tirana.

Ndryshe nga modeli i planifikuar i zhvillimit që ofron New York-u, Tirana sot vazhdon të rrotullohet në një vorbull destruktive të tipit: shkatërro dhe ndërto pa kriter. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi që jetojnë jashtë vendit nuk e njohin më Tiranën. Ajo ka ndryshuar përtej njohjes – me vite shkatërrimi dhe ndërtime të shpejta, shpesh pa menduar për pasojat në qarkullim. Kudo shfaqen ndërtime të reja, disa prej tyre mbresëlënëse, por në të njëjtën kohë rrugët ngushtohen, kthesat bëhen të pakalueshme, dhe trafiku vazhdon të ngecet. Niveli i nervozizmit dhe tensionit mes drejtuesve të automjeteve është çdo ditë në rritje.

Kriza e Parkimit dhe Qarkullimit – Simptomë e Ndërtimit të Pakontrolluar

Ndërtimi pa kufij në një sipërfaqe të vogël, me rrugë të papërshtatshme dhe një rritje të shpejtë të popullsisë, ka sjellë një kaos të vërtetë në qarkullim. Kjo situatë kërkon prioritet absolut në agjendat e planifikimit urban.

Zgjidhjet që munden dhe duhet të zbatohen:

1. Parkime nëntokësore me sipërfaqe të gjelbëruara mbi to, të realizuara në hapësira ndërmjet pallateve ekzistuese. Shembuj të suksesshëm janë zbatuar pranë sheshit “Skënderbej”, Stadiumit, apo ish-stacionit të trenit.

2. Ndërtime shumëkatëshe (nën dhe mbi tokë) që të përdoren ekskluzivisht për parkim.

3. Heqja e makinave nga rrugët, siç kanë vepruar qytete si Montreali (17 km tunele) apo New York City, të cilat kanë spostuar parkimet rrugore në garazhe nëntokësore. Kështu, rrugët mbeten të dedikuara vetëm për lëvizje, jo parkim. Rruga e Durrësit sot është një shembull ku kjo mund të aplikohet më tej.

4. Riorganizimi i qarkullimit për automjetet furnizuese, duke lejuar hyrjen e tyre vetëm nga ora 04:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ose pas orës 20:00 të mbrëmjes – në mënyrë që të mos rëndojnë trafikun gjatë ditës.

5. Zgjidhje infrastrukturore si në Boston, përmes rrugëve tunel dhe urave që lehtësojnë daljet nga qyteti në autostradë në mënyrë të menjëhershme. Tirana mund të përfitojë shumë nga zgjidhje të tilla për pikat problematike si: Diga e Liqenit, Hyrja në autostradën e Durrësit, Kthesa e Kamzës, Rruga e Aeroportit, Hyrja për në Elbasan, Ksamil, Lezhë, etj.

6. Shtimi paralel i infrastrukturës për biçikleta dhe motoçikleta, siç bëjnë me sukses vendet si Danimarka, Holanda, Zvicra, Austria.

Tirana është një qytet energjik, ku gjithnjë e më shumë njerëz përdorin biçikleta elektrike dhe motoçikleta për të shmangur trafikun e ngarkuar, sepse nuk dalin dot me makine.

Një Thirrje për Veprim – Tani!

Nëse Tirana aspiron të bëhet një qytet evropian i standardit të vitit 2030, qarkullimi duhet të jetë i lehtësuar Sot, jo Nesër. Cilësia e ndërtimit të pallateve sot ka arritur nivele shumë të larta – prandaj ndërtuesit duhet të marrin edhe përgjegjësinë për të ndihmuar në zgjidhjen e trafikut, të cilin vetë e kanë shkaktuar me dendësimin e popullsisë në zona me rrugë të ngushta dhe pa infrastrukturë të përshtatshme.

Tirana do të bëhet, por do të duhet kohë për të zhbërë shumë prej gabimeve arkitekturore të dekadës së fundit. Le të fillojmë nga më urgjentja: çlirimi i rrugëve dhe parkimeve.

Shpresoj në një ndryshim të madh dhe të mirë nga bashkitë e qyteteve – veçanërisht tani që sezoni turistik ka filluar dhe bashkë me turistët po hyjnë në vend edhe investimet. Le të lehtësojmë qarkullimin ditor, për një Tiranë më të jetueshme dhe më të denjë për qytetarët e saj!

Filed Under: Ekonomi

Parada e 250 vjetorit të ushtrisë dhe koincidenca që i shqetëson demokratët

June 14, 2025 by s p

Koment nga Rafael Floqi 

Kundërshtarët e administratës së Presidentit Donald Trump do të mblidhen në qindra qytete të shtunën gjatë paradës ushtarake në Uashington për të shënuar 250-vjetorin e Ushtrisë, e cila përkuaka me ditëlindjen e Trump.

Protestat “Pa Mbretër”

Protestat “Pa Mbretër” do të zhvillohen për të kundërshtuar atë që organizatorët thonë se “janë planet e Trump për të ushqyer egon e tij në ditëlindjen e tij të 79-të dhe Ditën e Flamurit. “Pa Mbretër” do të vijë pas disa ditësh protestash mbarëkombëtare kundër bastisjeve federale të imigracionit, përfshirë në Los Angeles, ku vendosja e Gardës Kombëtare nga Trump i acaroi më tej kundërshtarët e tij.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott po ndjek sinjalin e presidentit. Abbott tha të enjten se ka urdhëruar vendosjen e më shumë se 5,000 trupave të Gardës Kombëtare të Teksasit, së bashku me më shumë se 2,000 policë shtetërorë, në përgjigje të demonstratave të vazhdueshme dhe në përgatitje për protestat “Pa Mbretër”.

Festimi i ditëlindjes së Ushtrisë ishte planifikuar tashmë. Por më herët këtë pranverë, Trump njoftoi qëllimin e tij për ta rritur aktivitetin duke përfshirë tanke beteje 60 tonëshe M1 Abrams dhe obusë vetëlëvizëse Paladin që lëvizin nëpër rrugët e qytetit. Ai ka kërkuar prej kohësh një shfaqje të ngjashme të forcës patriotike.  

Tema e lëvizjes  “Pa Mbretër” u orkestrua nga Lëvizja 50501, një lëvizje kombëtare e përbërë nga amerikanë demokratë “me sindromën kundër Trump” që mbështesin “demokracinë” dhe kundër asaj që ata e quajnë veprime autoritare të administratës Trump. Emri 50501 qëndron për 50 shtete, 50 protesta, një lëvizje.

Lëvizja “No King” lindi si një revoltë kundër autoritarizmit, por përfundoi si një klub fansash që e mbante Trump-in në fronin e artë të Twitter-it, ndërsa betoheshin se po luftonin për demokraci. Ata nuk donin mbret, thoshin, por për çudi, vetëm një “biznesmen të ndershëm” që e falte veten para se ta dënonte ndokush tjetër. Në fund, s’kishin më nevojë për kurorë — mjaftonte një kapelë “Make America Great Again” për të sunduar mbi gjithë popullin.

Protestuesit kanë bërë thirrje që Trump të “rrëzohet nga froni” ndërsa i krahasojnë veprimet e tij me ato të një mbreti dhe jo të një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Pse po protestojnë të shtunën?

Dita e Sfidës “Pa Mbretër” është organizuar për të hedhur poshtë autoritarizmin, politikën që vë në plan të parë miliarderët dhe militarizimin e demokracisë së vendit, sipas një deklarate nga organizatorët.  Organizatorët synojnë që protestat të kundërshtojnë festimin e 250-vjetorit të Ushtrisë – të cilin Trump e ka përshpejtuar për të përfshirë një paradë ushtarake të kushtueshme dhe luksoze. Ngjarja do të përfshijë qindra automjete dhe avionë ushtarakë dhe mijëra ushtarë. Gjithashtu, rastësisht është ditëlindja e tij e 79-të dhe Dita e Flamurit.

Një shfaqje të ngjashme të forcës patriotike.  

Ndërkohë Tanket janë vendosur në vend dhe gati për t’u nisur. Gardhet dhe barrierat janë ngritur. Në rrugët e Uashingtonit është vendosur një shtresë mbrojtëse metalike.

Dhe më shumë se 6,000 trupa janë gati të marshojnë pranë Sheshit Kombëtar për të nderuar 250-vjetorin e Ushtrisë të shtunën, që është edhe ditëlindja e 79-të e Presidentit Donald Trump.  Me përgatitjet e kryera mirë, një e panjohur e madhe është moti. Parashikohet shi, kështu që ekziston mundësia që parada të ndërpritet nga stuhitë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha të enjten se me shi apo me diell, parada do të vazhdojë. Por mund të vonohet nëse ka rrufe.

“Sido që të jetë, do të zhvillohet një festë historike e anëtarëve tanë të shërbimit ushtarak!” tha Kelly në një deklaratë.

Festimet njëditore që festojnë Ushtrinë janë planifikuar në Sheshin Kombëtar — me lojtarë të NFL-së, gara fitnesi dhe shfaqje — që kulmojnë me paradën, e cila vlerësohet të kushtojë 25 deri në 45 milionë dollarë. Ushtria pret që deri në 200,000 njerëz të presin. Një zonë e veçantë shqyrtimi po krijohet për presidentin, ku ai do të vëzhgojë çdo formacion ndërsa kalon pranë Shtëpisë së Bardhë. Një total prej 6,169 ushtarësh, si dhe 128 tanke të Ushtrisë, transportues të blinduar personeli dhe artileri do të parakalojnë para presidentit dhe shikuesve, ndërsa 62 avionë do të kalojnë sipër.

Parada do të tregojë historinë e Ushtrisë, duke filluar me Betejën e Lexingtonit – beteja e parë e Luftës Revolucionare – dhe do të vazhdojë deri në ditët e sotme.

Çdo konflikt do të ketë 150 trupa me kostume të periudhës, të ndjekura nga një seksion prej qindra trupash me veshje moderne. Gjatë disa javëve të fundit, planifikuesit e Ushtrisë kanë punuar se si ta caktojnë kohën saktësisht në 90 minuta, tha zëdhënësi i Ushtrisë Steve Warren.   Planifikuesit fillimisht provuan të marshonin trupa pesë përtej dhe 12 deep – por parada zgjati shumë. Për ta arritur kohën e saktë, çdo seksion do të ketë ushtarë që marshojnë shtatë përtej dhe 10 thellë, tha Ëarren. Kjo do të thotë, për shembull, se Lufta Civile zgjat saktësisht tre minuta e 39 sekonda dhe Lufta e Dytë Botërore zgjat 6 minuta e 22 sekonda.

Pastaj janë tanket. Për tifozët, 8 minuta e 23 sekonda në procesion, do të shfaqet tanku i parë Renault i Luftës së Parë Botërore.

Krahasuar me tanket e sotme, Renault-ët janë të vegjël dhe pothuajse duken si një armë robotike nga “Terminatori”. Por ato ishin inovative për kohën e tyre, të lehta dhe mundësonin lëvizjen në luftën vdekjeprurëse të llogoreve të atij konflikti. Avioni i parë do të fluturojë sipër duke filluar nga 13 minuta e 37 sekonda në paradë, duke përfshirë dy bombardues B-25 Mitchell, katër avionë luftarakë P-51 Mustang dhe një C-47 Skytrain. Procesioni do të vazhdojë drejt Luftës së Gjirit, luftës kundër terrorizmit dhe kohës moderne, duke shfaqur tanket M1A2 Abrams të Ushtrisë dhe transportues të tjerë trupash, si Automjeti Taktik i Lehtë i Përbashkët dhe automjeti luftarak Stryker. Do të ketë edhe gjashtë Sisteme Raketash Artilerie me Lëvizshmëri të Lartë, ose HIMARS – lëshuesit e raketave të lëvizshëm që janë vlerësuar shumë nga Ukraina ndërsa është mbrojtur kundër pushtimit të Rusisë.

Një shfaqje masive e fuqisë ajrore të Ushtrisë do të fillojë pas 48 minutash, kur një paradë e gjatë ajrore e helikopterëve UH-60 Black Hawk, AH-64 Apache dhe CH-47 Chinook fluturojnë sipër kokës ndërsa historia e Ushtrisë ndryshon drejt luftës së saj të ardhshme.

Parada pritet të fillojë në orën 6:30 pasdite, dhe organizatorët kanë thënë se do të zgjasë 90 minuta. 

90 minuta paradë njё ditë protesta

Ndërkohë protestuesit do të kënaqin egon e tyre duke thënë : “Flamuri nuk i përket Presidentit Trump. Ai na përket neve”, thotë faqja e internetit “Pa Mbretër”. “Më 14 qershor, ne do të shfaqemi kudo ku ai nuk është – për të thënë, pa frone, pa kurora, pa mbretër.” Por këto përpjekje janë gati qesharake, pasi përvjetori i 250 i ushtrisë më të fuqishme të botës nuk vjen për ditë sado të shqetësuar për koincidencën e kalendarit.

Protesta në gati 2,000 vende janë planifikuar në të gjithë vendin, nga blloqet e qyteteve deri te qytetet e vogla, nga shkallët e gjykatave deri te parqet komunitare. Sado të thërrasin “pa mbret” shumica demokratike ka zgjedhur një president dhe lavdia e këtij përvjetori është e Amerikës dhe jo e Trumpit

Reagimi i pritur i Trumpit

Reagimi i Trump ndaj lëvizjes “No Kings” do të ishte diçka në stilin e tij klasik, si:

“No Kings? Lajm i rremë. Katastrofë totale. Këta njerëz thonë që s’duan mbret, por më luten që të rikandidoj. Besomëni, ata duan një mbret, dhe duan këtë mbret. Lëvizje e jashtëzakonshme, por njerëz shumë të hutuar. Trishtueshëm!”

I pyetur nga një gazetar për mendimet e tij mbi protestat e ardhshme “Pa Mbretër”, Trump u përgjigj: “Nuk ndihem si mbret. Duhet të kaloj nëpër ferr për të marrë miratimin e gjërave.

Lëvizja “Pa Mbretër” — krenarisht pa udhëheqës, por çuditërisht gjithmonë e drejtuar nga dikush me një podcast — ka shpallur me heroizëm luftë ndaj hierarkisë, ndërsa ndërton një hierarki perfekte për të përcaktuar se kush është më anti-hierarki. Të armatosur me slogane si “Poshtë Autoriteti!” dhe me bluza revolucionare të shitura me çmime borgjeze, ata mblidhen çdo javë në kafene artizanale për të denoncuar strukturat e pushtetit duke përdorur smartphone të prodhuar nga perandori korporatash. 

Ëndrra e tyre? Një botë ku askush nuk sundon — përveçse moderatorëve të grupit në WhatsApp.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 229
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET
  • Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada
  • LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI
  • Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan
  • Kur harrojmë historinë dhe rrënjët tona, rrezikojmë të humbasim vetveten
  • SHBA-ja dhe Izraeli nisën njё sulm të madh ndaj objektivave në mbarë Iranin
  • “Portret Historik” – Mehdi Frashëri: Një profil mes shtetformimit dhe historiografisë
  • Drejtësia ndërkombëtare, narrativat gjeopolitike dhe kohezioni shqiptar
  • EDITORI I DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ, PERSONALITET I VATRËS E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT