Takimi I dy Qeverive-Kosova e Shqipëria së bashku për burimet energjetike
Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi./
-Stavileci e Gjiknuri nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese/
– Sipas memorandumit, rezervat specifike të secilit vend me burime primare gjeneruese të energjisë elektrike, ku Republika e Shqipërisë mbështetët në burimet energjetike hidro dhe Republika e Kosovës në burimet energjetike termo, si dhe lidhja e të dy vendeve me linjë 400 kV të interkonjeksionit Tiranë – Prishtinë, do të shfrytëzohen maksimalisht me krijimin dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët energjetik/
PRISHTINË, 3 Qershor 2016 Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/
Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri në kuadër të takimit të sotëm të dy Qeverive në Prishtinë nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi.
Ky Memorandum ka objekt bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, nëpërmjet Agjencive përgjegjëse të secilit vend, për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimin e kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta, me synim optimizimin e burimeve energjetike.
Ministri Stavileci tha se pas katër projekteve të fushës së energjisë si; autostrada energjetike Prishtinë-Tiranë, tregu i përbashkët i energjisë, bursa e energjisë dhe gazit, po paraqet edhe një pikë të re Memorandumin për hulumtimit të opsioneve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.
“Ky memorandum mes MIE dhe MZHE-së ka për qëllim thellimin edhe më konkret të bashkëpunimit ndërmjet hisedarëve kyç të sektorit të energjisë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe forcimin e kapaciteteve aktuale gjenerues, me investime të përbashkëta me synim adresimin e sigurisë së furnizimit dhe optimizimi e burimeve energjetike të dy vendeve”, tha ai.
Ndërsa, Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, tha se projekti i fundit për kapacitetet e reja gjeneruese është shumë i rëndësishëm dhe i mundshëm për shkak të burimeve të linjitit që ka Kosova, dhe interesit të partnerëve privatë të shprehura tashmë për tu bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët energjetik.
“Shqipëria dhe Kosova po aplikojnë si një vend i vetëm në Bashkimin Evropian për projektet e fushës së gazit. Janë projekte të pranuara nga BE si projekte prioritare dhe kjo do të hapë mundësinë që jo vetëm Shqipëria të kthehet në një nyje të rëndësishme energjetike por diversifikimi i Kosovës me gaz do të hapë mundësinë e krijimit të unazës energjetike. Kjo do t’i japë rajonit një siguri më të madhe energjetike dhe do të ulë varësinë nga burimet tradicionale të furnizimit”, tha Gjiknuri.
Me këtë Memorandum Bashkëpunimi palët bien dakord se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimi i kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta do të realizohet në Republikën e Kosovës.
Sipas memorandumit, rezervat specifike të secilit vend me burime primare gjeneruese të energjisë elektrike, ku Republika e Shqipërisë mbështetët në burimet energjetike hidro dhe Republika e Kosovës në burimet energjetike termo, si dhe lidhja e të dy vendeve me linjë 400 kV të interkonjeksionit Tiranë – Prishtinë, do të shfrytëzohen maksimalisht me krijimin dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët energjetik.
Palët bien dakord se shfrytëzimi i dy sistemeve komplementare të burimeve të gjenerimit në të dy vendet dhe ndërtimi i burimeve të reja gjeneruese në Republikën e Kosovës, do të optimizojnë shfrytëzimin e burimeve gjeneruese dhe do të rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike të të dy vendeve
Të dy qeveritë bien dakord që drejtpërdrejte ose nëpërmjet Agjencive të tyre zbatuese, do të bashkëpunojnë për sigurimin e fondeve financiare për realizimin e investimeve në burime të reja gjeneruese.
Palët shprehin vullnetin që të marrin masat e arsyeshme në mënyrë që të sigurojnë fondet financiare për realizimin e objektit të këtij Memorandumi nga burimet si më poshtë: nga burime të brendshme financiare, në varësi të mundësisë dhe buxhetit të secilës palë; nga burime të jashtme financiare, ku përfshihen financimet nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare apo nga iniciativa të tjera që do të identifikohen nga palët.
Iniciativat për sigurimin e financimeve nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare do të realizohen në bashkëpunim me njëra tjetrën.
Shqiptarët e Bursës të investojnë në Kosovë
-Ministrja Tahiri: Fizibiliteti për investime ekonomike në Kosovë është pozitiv dhe kjo besoj është garanca më e mirë për ju investitorët/
-Në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të Ballkanit, në mesin e pjesëmarrësve ishin qeveritarë dhe biznesmenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia/
Bursa, 31 maj 2016/ Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, dje mori pjesë në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të Ballkanit, të katërtin me radhë në Bursa – Turqi, të organizuar nga Rumelisiad, organizatë kjo e themeluar nga biznesmenët shqiptarë dhe emigrantët tjerë të ardhur në Turqi nga vendet e Ballkanit. Në mesin e pjesëmarrësve ishin qeveritarë dhe biznesmenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia.
Në fjalën para të pranishmëve, ministrja Tahiri theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi ekonomik mes shteteve të Ballkanit dhe Turqisë dhe kërkoi që investimet e Turqisë të rriten edhe në Kosovë duke u bërë thirrje sidomos shqiptarëve të Bursës që të investojnë në Kosovë duke u kërkuar atyre t’i shtrijnë bizneset në vendlindjen e të parëve. “Ju, biznesmenët shqiptarë që jetoni në Bursa dhe anë e mbanë Turqisë keni dy vendlindje, andaj, ky është një obligim i dyfishtë për ju, sepse ju takon që të investoni në Turqi si vendi ku jetoni, por edhe në Kosovë dhe në mbarë tokat shqiptare prej nga keni ardhur”, tha Tahiri.
“Ashtu siç e keni bërë Bursën një fuqi ekonomike ashtu presim të kontribuoni edhe për Kosovën që ta bëjmë një fuqi ekonomike për të cilën Kosova ka potenciale të mëdha”, tha ajo.
Ministrja Tahiri shtoi se Kosova po zhvillohet çdo ditë e më shumë dhe ka potenciale të mëdha ekonomike dhe burime njerëzore të përgatitura për standardet e ekonomisë së tregut modern, për këtë arsye Kosova është një vend me interes për investime të jashtme. “Fizibiliteti për investime ekonomike në Kosovë është pozitiv dhe kjo besoj është garanca më e mirë për ju investitorët, sepse Kosova ka bërë reforma legjislative në favor të investimeve strategjike dhe ka krijuar mekanizma për garantimin e investimeve. Më shumë se kaq, Kosova tashmë ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në BE, me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave ka nxjerrë qytetarët e Kosovës nga izolimi i padrejtë. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe përkushtimi jonë për të plotësuar standardet e tregut të lirë dhe cilësisë së produkteve janë një garanci e qëndrueshme për investitorët potencial nga jashtë për të investuar në Kosovë”, tha ministrja Tahiri.
Ajo, njëkohësisht, falënderoi shtetin e Turqisë për mbështetjen që i ka bërë shtetit të Kosovës në planin diplomatik dhe të njohjeve duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.Ministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga këshilltarët politik Elona Cecelia dhe Gazmir Raci./b.j/
Bordi i AKP-së në Kosovë diskuton për Trepçën, drejt studimit të fizibilitetit
-U diskutua edhe lidhur me zhvillimet në Ndërmarrjen Shoqërore Pallati i Rinisë në Prishtinë/
PRISHTINË, 30 Maj 2016-B.Jashari/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti mbledhjen e saj të 76, të kryesuar nga Petrit Gashi, ku u informua nga menaxhmenti i Agjencisë me aktivitetet e fundit, ndërsa diskutoi edhe për ndërmarrjen Trepça.Në lidhje me këtë ndërmarrje nën administrimin e AKP-së, Bordi shqyrtoi raportin mujor të punës mbi situatën në këtë ndërmarrje dhe u informua lidhur me tenderin e hapur të prokurimit për Ofruesin e Shërbimeve Profesionale për studimin e fizibilitetit të Trepçës.
Agjencia Kosovare e Privatizimit – Zyra për Marrëdhënie me Publik dhe Media në njoftimin e dërguar sot bën të ditur edhe se, Bordi diskutoi për raportet e Komitetit të Auditimit në lidhje me aktivitetet e auditimit të brendshëm dhe për draft raportin vjetor për vitin 2015 të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.
Gjatë kësaj mbledhje u diskutua edhe lidhur me zhvillimet në Ndërmarrjen Shoqërore Pallati i Rinisë në Prishtinë, në likuidim prej datës 28 prill 2016, për hapat në vazhdim, gjithnjë duke pasur parasysh operimin sa më të mirë të kësaj ndërmarrjeje dhe aktiviteteve kulturore e sportive që zhvillohen në hapësirat e Pallatit. Në mënyrë specifike u potencua kujdesi i veçantë ndaj punëtorëve të kësaj ndërmarrje gjatë procesit pas vendimit për futje në likuidim.
Gjithashtu Bordi u informua lidhur me kërkesën nga New Co Ferronikeli për qasje në një pjesë të hekurudhës përmes një pjese të parcelës të Ndërmarrjes Shoqërore MIM Golesh.
Bordi aprovoi Raportet e Komisionit për Përcaktimin e Statusit të ndërmarrjeve duke e përcaktuar Organizatën Bazë të Punës së Bashkuar Derivate të Naftës në Prishtinë – Ndërmarrje Shoqërore Ina Trgovina-Zagreb, si aset në pronë shoqërore. Bordi poashtu shqyrtoi dhe aprovoi marrëveshjen për transferimin e aseteve të Ndërmarrjes Shoqërore Kosovatrans (njësia në Malishevë) në Ndërmarrjen Publike Stacioni i Autobusëve Malishevë.
Në vazhdën e finalizimit të procedurave të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi aprovoi disa Raporte të shpërndarjes së mjeteve në likuidim, përkatësisht për ndërmarrjet, si në vijim: 1. Kosova Control, 2. Derma Commerce, 3. JugoBanka , 4. Fonderia Emaili, 5. AgroDukagjini, 6. Ramiz Sadiku, 7. EnergoInvest , 8. Mekanizimi, 9. Ingeniering, 10. Koritniku, 11. Prizren Market, dhe 12. “25 maji”. Fondet e miratuara për shpërndarje për këto 12 ndërmarrje janë 4, 199, 489. 21 euro.
Bordi poashtu u informua me raportet finale të Likuidimit të NSH-ve pa asete: KB Vitomirica – Pejë, Shoqata Auto Moto – Prizren, dhe Bibaj – Gjilan, të cilat me automatizëm i paraqiten Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për vendim final për mbyllje të tyre. Bordi poashtu shqyrtoi dhe aprovoi rekomandimet e Komisionit për banesat e NSH-ve që ndërlidhen me 37 banesa në pronësi shoqërore të trajtuara sipas Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.
Bordi miratoi për dhënie me qira disa asete të NSH-ve. Mbledhja e radhës së Bordit të Drejtorëve të AKP-së do të mbahet gjatë muajit qershor. Agjencia Kosovare e Privatizimit Vitin e Ri 2016 e ka nisur me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-ën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 ishte një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.
BE-ja dhe FMN-ja, përkrahje Ballkanit Perëndimor
-BE-ja dhe FMN-ja do të vazhdojnë të përkrahin reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duke fuqizuar qeverisjen ekonomike dhe menaxhimin e financave publike/
Komisioni Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) u takuan me ministrat dhe zyrtarët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia në Qendrën e Shkëlqesisë për Financa në Lubjanë, Slloveni më 26 maj 2016.
Njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thekson se, qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i programit për zhvillimin e kapaciteteve të financuar nga BE-ja “Fuqizimi i qeverisjes ekonomike dhe menaxhimi i financave publike në Evropën Juglindore”, që aktualisht është duke u zbatuar nga FMN-ja në gjashtë shtete. Çështjet specifike që janë diskutuar përfshinë progresin në zbatimin e planit ekzistues të punës, drejtimin strategjik të programit dhe prioritetet që kanë të bëjnë me zhvillimin e kapaciteteve, si dhe planin e punës për vitin vijues.
Në këtë kontekst, pjesëmarrësit në takim diskutuan prioritetet e reformave të identifikuara nga vendet përfituese sipas Programeve të tyre gjegjëse për reforma ekonomike. Theksi i është dhënë mënyrës më të mirë për t’u siguruar se nisma e financuar nga BE FMN për zhvillim të kapaciteteve mund të përkrahë vendet në zbatimin e këtyre reformave përmes fuqizimit si të menaxhimit të financave publike ashtu edhe sistemeve për administrimin e të hyrave. Pjesëmarrësit u pajtuan për nevojën për bashkërendim më të ngushtë me partnerët tjerë që punojnë në rajon, siç janë Banka Botërore dhe OECD-ja, që gjithashtu kanë ndjekur takimin.
Informata për historikun
Përkrahja e institucioneve dhe politikave makroekonomike dhe financiare publike në shtetet anëtare dhe partnere për një kohë të gjatë ka qenë objektivë e FMN-së dhe BE-së. Partneriteti i tyre është intensifikuar gjatë pesë viteve të fundit dhe përfshinë konsultimet e rregullta të niveleve të personelit dhe menaxhmentit. Bashkëpunimet e fundit përfshinë krijimin e objektit për tronditje ekzogjene dhe Veglën për Vlerësimin Diagnostikues të Administratës Tatimore./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 209
- 210
- 211
- 212
- 213
- …
- 229
- Next Page »