• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria si organizëm me arterie që zbrazen dhe dekadat e humbura e rreziku i mandateve qeverisëse pa vizion!

September 6, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/



Nuk ka shtet pa breza. Kontrata themelore e një kombi nuk shkruhet vetëm në letër; ajo vuloset në maternitete dhe në bankat e shkollave. Arendt e quajti lindshmërinë, aktin themelor të politikës, sepse çdo fëmijë hap një fillim të ri (Arendt 1958). Kur fillimet pakësohen, rendi politik shteron. Shqipëria sot përballet me një padi të ftohtë e të drejtpëdrejtë, me balancë natyrore negative, ikje të brezit aktiv, mosha mesatare në ngjitje. Çdo buletin i INSTAT-it është provë; çdo tabelë e Eurostat-it, ekspertizë; çdo vlerësim i OECD/WHO, akt-konstatim mbi qëndrueshmërinë.

Nëse politika është art i së ardhmes, atëherë mosveprimi demografik është braktisje e së ardhmes. Këtu fillon ky reflektim, po të doni mund ta quajmë edhe si një akt–ekspertizë mbi dështimin e tri mandateve (2013–2025) dhe si një manifest për Doktrinën e Mbijetesës Demografike. Shteti nuk qëndron mbi pllaka, por mbi qarkullimin e jetës. Neni i parë i kushtetutës së pashkruar të çdo kombi është ripërtëritja, lindje që mbajnë gjuhën, familje që e ushqejnë, të rinj që e mbrojnë. Pa këtë nen, të gjitha nenet e tjera rrinë bosh si korniza pa tekst. Shqipëria sot ka korniza të lyera, kartolina që shkëlqejnë për turistin, por brenda tekstit i mungon subjekti, foshnja që vjen në jetë, familja që vendos të rrijë, i riu që e sheh të ardhmen këtu.

Çfarë po shkruaj këtu, nuk është zemëratë, është shqyrtim i hollësishëm nëpërmjet shifrave e fakteve që flasin më fort se vetë analiza ime. Nuk po shkruaj as parullat e fjalimin pompoz politiko – akuzativ, të radhës. Ky është memorandum ndërgjegjeje. Nuk është polemikë partiake; është qëntim i provave. Provat janë të ftohta dhe të pakundërshtueshme. Në vitin 1989, Shqipëria kishte rreth 3.3 milionë banorë, moshë mesatare 26 vjeç dhe fertilitet 3.2 fëmijë për grua (INSTAT 2023; World Bank 1990). Në vitin 2023, rezidentët janë rreth 2.76 milionë, me fertilitet ~1.3 dhe lindje vetëm ~23 mijë, ndërsa vdekjet >31 mijë , bilanc natyror negativ (INSTAT 2023; Eurostat 2022).

Në mes, një eksod i gjatë mbi 1.2 milion njerëzish (World Bank 2022). Këto nuk janë luhatje e as normalitet i kohës; janë ndryshim i natyrës së shtetit. Nëse Hannah Arendt e quajti natalitetin kusht themelor të politikës, sepse çdo fëmijë është një fillim i ri, mungesa e tij është akti themelor i shuarjes. Pa fillime të reja, politika reduktohet në menaxhim fasadash. Dhe kur një qeverisje menaxhon veç pamjen e vetë, të vendit e shoqërisë, dhe harron frymën e vizionin, rrezikon jo humbje zgjedhjesh, por humbjen e shpirtit të kombit e të njerëzve të tij.

Këtu vijojnë katër thagma të thjeshta:

1. Sovraniteti varet nga demografia. Pa moshë aktive nuk ka buxhet, ushtri, rritje, as peshë ndërkombëtare (OECD 2022).

2. Demografia varet nga politika publike. Familja, arsimi, shëndetësia, strehimi, puna e denjë e bëjnë ose e prishin vendimin për të lindur e për të qëndruar (Eurostat 2021; UNESCO 2022; WHO 2022).

3. Krizat e sotme janë të matshme. Ato shihen në raportin punëtor–pensionist <1.5:1, në >500 shkolla të mbyllura në një dekadë, në remitanca >7% PBB që mbajnë konsum por jo jetë (ISSH 2022; MAS 2022; Banka e Shqipërisë 2023).

4. Zgjidhja ekziston, po kërkon vizion, buxhet dhe ligj. Vendet që vepruan (Hungari, Poloni, disa komuna kroate e serbe) panë kthesa të matshme (Eurostat 2021).

Shekulli i ritmit që ngadalësohet, panorama globale. Shekulli XX ishte shekulli i eksplodimit demografik, nga 2.5 mld (1950) në >6 mld (2000) (UN DESA 2022; UN 2023). Fertiliteti global >5 fëmijë/grua në vitet ’60 (World Bank 2021); baby-boom-i mbushi shkollat dhe fabrikat. Shekulli XXI solli kthesë: sot rreth 8.1 mld, por ritmi i rritjes është përgjysmuar; kulm 9.7 – 10 mld rreth 2060-2080, më pas tkurrje (UN DESA 2022). TFR ~2.3 global; në shumë vende të zhvilluara <1.5, në disa aziatike <1.0. Europa plaket: mosha mesatare >44 vjeç (Eurostat 2023). Japonia është maja: mosha mesatare ~49, rënie nga 128 milion (2010) në ~124 milionë (2023) (SBJ 2023). Korea e Jugut është rekordi i ulët: ~0.78 TFR (Statistics Korea 2023). Kina pa për herë të parë tkurrje në 2022 (NBS China 2023).

OECD e përkufizon si “sfidën më të madhe të shekullit XXI për qëndrueshmërinë e shteteve” (OECD 2022), më pak kontribues fiskalë, më shumë barrë sociale, më pak kurajë inovacioni, më pak kapacitet mbrojtës. Me fjalë të thjeshta, pa brez aktiv, shteti humb pushtetin, fuqinë, ndikimin, rolin. Reagimet serioze nuk maten me fjalë, por me veprime të shkruara në ligj dhe të vulosura në buxhet. Franca dhe Gjermania e kanë kuptuar prej kohësh se një komb nuk mbahet vetëm me retorikë; për këtë arsye kanë ngritur sisteme të plota mbështetjeje për familjet: leje prindërore të paguara, çerdhe publike të garantuara, ndihma mujore që e bëjnë fëmijën jo një barrë, por një dhuratë të mundshme për çdo prind.

Hungaria, e dalë nga një tranzicion i ashpër, e kuptoi se politika demografike nuk është luks, por kushtrim mbijetese. Ajo vendosi kredi të falshme për nënat me shumë fëmijë, ulje të ndjeshme taksash për gratë me katër e më shumë lindje, dhe brenda një dekade arriti të ngrejë normën e fertilitetit nga rreth 1.25 në 1.59 (Eurostat 2021). Polonia, me programin “500+”, jo vetëm që u përpoq të stabilizojë lindjet, por uli edhe varfërinë e fëmijëve në mënyrë të ndjeshme, duke treguar se politika demografike nuk është thjesht çështje statistikash, por edhe e drejtësisë sociale. Mësimi është i qartë dhe i pamëshirshëm: aty ku ka vizion, aty ku ka ligj, aty ku ka buxhet të qëndrueshëm, ka kthesë. Procesi është i ngadaltë, rezultatet nuk vijnë brenda natës, por energjia e kombit nis të rigjenerohet. Politika që vë familjen në qendër nuk është vetëm investim financiar, por investim në vetë vazhdimësinë e shtetit. Shqipëria, për fat të keq, hyn në këtë panoramë jo si një rast kurioz, por si një dramë dyfishe pasi ndërkohë që bota perëndimore përballet me plakjen dhe disa vende me emigracionin, ne i bartim të dyja plagët njëherësh.

Popullsia jonë plaket me ritme të shpejta, ndërkohë që rinia largohet pa kthim. Bota vuan një sëmundje; Shqipëria i vuan të gjitha. Kjo e bën krizën tonë jo vetëm më të thellë, por edhe më urgjente. Për ne, çdo vit i humbur nuk është thjesht statistikë, por një brez që shuhet, një fshat që zbrazet, një bankë shkolle që kthehet në muze të heshtjes. Nëse Gjermania, me gjithë fuqinë e saj ekonomike dhe institucionale, e trajton plakjen si rrezik për të ardhmen kombëtare, si mund ta injorojë Shqipëria, e cila nuk ka as luksin e ekonomisë së madhe dhe as stabilitetin e shtetit social? Nëse Hungaria dhe Polonia, me histori të tranzicionit të vështirë, e kanë kuptuar se vetëm politika aktive e shpëton kombin nga zbrazja, pse Shqipëria vazhdon të endet me bonuse simbolike dhe samite retorike?

Për ne nuk ka kohë për eksperimente. Për ne, çdo vit i humbur është një arterie më pak që rreh në trupin e kombit.Për këtë arsye, përgjigjja jonë duhet të jetë dyfish më e fortë, dyfish më e kthjellët, dyfish më e guximshme. Ne nuk kemi luksin e hezitimit. Ne nuk mund të presim. Nëse nuk reagojmë tani me një Doktrinë të Mbijetesës Demografike, atëherë nuk do të jemi thjesht shembulli i një kombi të varfër, por rasti unik i një kombi që zgjodhi vetëshuarjen përballë alternativës së shpëtimit. Shqipëria 1989–2025, anatomia e shterimit. Nga kulmi demografik te tharja. Kulmi ishte viti 1989, Shqipëria kishte arritur 3.3 milion rezidentë, me një moshë mesatare vetëm 26 vjeç dhe një normë fertiliteti prej 3.2 fëmijësh për grua (INSTAT 2023; World Bank 1990). Ishte një shoqëri e re, me energji që pulsonte në çdo fshat dhe qytet, me horizonte që dukej se do të mbusheshin brez pas brezi.

Çarja nisi shpejt. Vetëm në vitet 1990 – 1992, mbi 300 mijë shqiptarë u larguan në një eksod biblik (Eurostat 1995). Brenda tri dekadash, më shumë se 1.2 milion shqiptarë janë bërë emigrantë aktivë (World Bank 2022). Nga një popullsi që rritej me shpejtësi, Shqipëria u kthye në një trup që humb gjakun e vet natyral. Sot, brenda kufijve, kanë mbetur vetëm rreth 2.76 milion rezidentë; fertiliteti ka rënë në rreth 1.3, lindjet janë vetëm 23 mijë në vit kundrejt mbi 31 mijë vdekjeve (INSTAT 2023; Eurostat 2022). Bilanci natyror është bërë negativ, një kthesë dramatike që nuk është më episod, por normë. Struktura e moshës ka ndryshuar si një kockë që thyhet e nuk bashkohet më si më parë. Mosha mesatare është tashmë mbi 38 dhe pritet të kalojë 44 deri në vitin 2050 (Eurostat 2022). Raporti punëtor-pensionist, dikur 7 me 1, ka rënë në më pak se 1.5 me 1 (ISSH 2022). Ky nuk është thjesht problem demografik, është alarm fiskal, kur baza e kontribuesve tkurret, çdo vit rritet barra e subvencioneve, dhe çdo vit ngushtohet hapësira për investime publike.

Një shtet pa bazë kontribuesish bëhet një trup që jeton me borxhe, jo me frymë.

Indet tregojnë plagë të thella.

Brenda një dekade janë mbyllur mbi 500 shkolla (MAS 2022).

Universitetet kanë humbur gjysmën e studentëve krahasuar me vitin 2012 (MAS 2023).

Sistemi shëndetësor mbijeton me një buxhet rreth 5% të PBB-së dhe me mjekë e infermierë që ikin çdo vit drejt jashtë (WHO 2022).

Investimi në kërkim-zhvillim është vetëm 0.19% e PBB-së, më i ulëti në kontinent (Eurostat GBARD 2024).

Në të njëjtën kohë, remitancat e diasporës, që përbëjnë mbi 7% të PBB-së (Banka e Shqipërisë 2023), janë shndërruar në serum që mban gjallë trupin, por nuk gjeneron palcë të re.

Ato zbusin dhimbjen, por nuk e kurojnë sëmundjen.

Kjo nuk është më tranzicion.

Ky është transformim i pakthyeshëm, nga një shoqëri e mbështetur mbi rininë në një strukturë që ruan formën, por humb masën.

Një vend që dikur e kishte sovranitetin demografik, fuqinë për të riprodhuar jetën brenda kufijve të vetë, sot e sheh atë të zbehur.

Sovraniteti politik është iluzion, nëse nuk ka sovranitet demografik.

Një komb që nuk lind dot të ardhmen brenda territorit të vet, e ka deleguar të ardhmen diku tjetër.

2013–2025, dekada e humbur dhe tri mandatet e dështimit…

Bilanci i dekadës së fundit është i ftohtë dhe i pamëshirshëm, lindjet ranë nga 35 mijë në 23 mijë, një rënie prej 34%.

Norma e fertilitetit është tkurrur në rreth 1.32, më e ulëta në Europë. Vdekjet qëndrojnë mbi 30 mijë në vit, me kulmin e dhimbshëm në vitin 2021 kur pandemia i çoi në 41 mijë.

Edhe pas saj, bilanci mbetet negativ.

Më shumë varre hapen sesa foshnja lindin.

Nga ana tjetër, mbi gjysmë milioni shqiptarë aplikuan për azil në BE gjatë viteve 2014 – 2022, ndërsa 60% e rinisë shprehu dëshirën për të ikur (INSTAT 2023; Eurostat 2022 – 2023; Gallup 2018).

Universitetet shqiptare, që dikur mbanin mbi 170 mijë studentë në vitin 2012, kanë rënë në më pak se 90 mijë në vitin 2022 (MAS 2023).

Ky nuk është më një grafik që mund të diskutosh në komisione, është një rrjedhje truri, një boshatisje e heshtur e sallave dhe auditorëve.

Mandati i parë (2013 – 2017) nisi me slogane për “Rilindjen Urbane” dhe u përmbush me fasada të reja e me një bonus ceremonial për bebe, 40, 80, 120 mijë lekë, shifra që nuk mbulojnë as një muaj të parë të jetës së një foshnje.

Nuk pati ligj kornizë për demografinë, nuk pati politika strehimi të përballueshme për çiftet e reja, nuk pati instrumente për kthimin e diasporës.
Ishte mandati i ngjyrave në pllaka, jo i themeleve në të ardhmen.

Mandati i dytë (2017 – 2021) thelloi estetikën urbane, ndërsa largimi i rinisë mori përmasa të reja.

Shqipëria shpenzoi vetëm 3.1% të PBB-së për arsim dhe 5% për shëndetësi (UNESCO 2022; WHO 2022).

Në vend që të hapeshin laboratorë, u zbrazën auditorë.

Në vend që të forcoheshin spitalet, u dha më shumë hapësirë kontratave koncesionare, inceneratorët morën mbi 430 milionë euro (IMF 2022), sterilizimi i pajisjeve kushtoi 53% më shumë se alternativa publike (KLSH 2021), ndërsa check-up-i u pagua me 120 milionë euro për një efekt minimal (BIRN 2022).

Këto ishin shifra të drejtuara drejt kozmetikës buxhetore, jo drejt themeleve të zhvillimit.

Mandati i tretë (2021 – 2025) u gjend përballë pandemisë. Vdekshmëria e tepërt e vitit 2021 mbeti plagë e hapur.

Lindjet nuk u ringritën.

Emigrimi nuk u ndal. Dhe përkundër kësaj krize, Shqipëria hyri në vitin 2025 ende pa një Strategji Demografike Kombëtare, pa një audit demografik të politikave publike, pa një plan të qartë që të lidhte vizionin politik me mbijetesën kombëtare.

Kështu, dekada 2013 – 2025 është dekada e dallimit të thellë midis pamjes dhe substancës.

U ndërtuan rrugë, sheshe e kulla; por nuk u ndërtuan fëmijë, çerdhe e laboratorë.

U investua në fasadën që duket, jo në palcën që mban. Ky dallim midis imazhit dhe jetës, midis betonit dhe gjakut, është thelbi i dështimit.

Standardi krahasues dhe pse të tjerët panë kthesë e ne jo…

Hungaria u përball me të njëjtën dilemë si gjithë Europa Lindore, por zgjodhi të mos heshtë.

Ajo vendosi instrumente konkrete, kredi të falshme për nënat me tre ose më shumë fëmijë, lehtësira tatimore për nënat me katër ose më shumë, subvencione banese për familjet e reja.

Rezultati nuk ishte spektakël retorik, por ndryshim i matshëm: norma e fertilitetit u rrit nga 1.25 në rreth 1.59 (Eurostat 2021). Polonia ndoqi një qasje tjetër, më të drejtpërdrejtë, programi “500+”, një pagesë mujore për çdo fëmijë.

Rezultati?

Ulje e varfërisë fëmijërore dhe stabilizim i lindjeve (World Bank 2020; Eurostat 2021). Serbia dhe Kroacia vendosën shpërblime direkte për lindjet, programe për kthimin e diasporës dhe stimuj lokalë që lidhin familjen me vendin.

Në të gjitha këto raste, një gjë është e përbashkët, shteti e kuptoi se demografia nuk është as çështje private, as luks politik, por themel i mbijetesës.
Dhe për këtë, shteti mobilizoi instrumente financiare, ligjore dhe sociale.

Shifrat lëvizën sepse politika nuk u fsheh pas propagandës, por krijoi kushte reale.

Shqipëria, përballë së njëjtës sfidë, ka ofruar vetëm një pagesë njëherëshe për bebe, 40, 80, 120 mijë lekë nuk mjafton as për muajin e parë të shpenzimeve të një foshnje.

Nuk ka asnjë ligj strategjik për demografinë 2025 – 2050, asnjë objektiv të matshëm për lindjet, asnjë buxhet të dedikuar për familjen.

Nuk ka paketa kthimi për profesionistët, asnjë plan për kthimin e mjekëve, inxhinierëve, mësuesve që ikin.

Arsim dhe shëndetësi janë nën standardet minimale të rajonit, ndërsa shpenzimet për kërkim – zhvillim janë në fund të tabelës së Europës.

Konkluzioni është i qartë dhe i pamëshirshëm, aty ku ekziston vullnet politik, dizajn ligjor dhe financim i qëndrueshëm, shifrat reagojnë.

Aty ku ekziston kozmetikë, propagandë dhe mungesë ligji, shifrat bien.
Ky nuk është fat. Kjo është arsye.
Ky nuk është dënim nga qielli.
Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve politike.

Paralajmërimi për mandatin e katërt, vijë e kuqe historike

Këto ditë Edi Rama nis mandatin e katërt. Tashmë, ky mandat i 4 është edhe vijë ndarëse, ose Shqipëria bën politikë familjare, rinore, arsimore e shëndetësore me peshë kushtetuese, ose e pranon se po bën me vetëdije rrëshqitje drejt shuarjes.

Të hysh në këtë mandat pa Strategji Demografike Kombëtare është njëlloj si të nënshkruash dorëheqjen nga e nesërmja. Qeveria gjykohet jo për fasadat që ngre, por për bankat e shkollës që mbyllen, maternitetet që heshtin, kthimet që nuk ndodhin.

Ky është momenti i një Doktrine të Mbijetesës Demografike, jo si broshurë e zhurmë propagnde, por doktrinë, detyrë patriotike, akt normativ, ligj e strategji.

Shqipëria ka nevojë për një ligj themeltar të jetës. Jo një dokument më shumë në sirtar, por një kontratë morale mes shtetit dhe qytetarëve.

Një akt ku fjala nuk është premtim, por garanci.

Duhet, Doktrina e Mbijetesës Demografike.

Mund të mjaftojnë edhe vetëm pesë nene dhe një objektiv kombëtar.

Shqipëria është në një udhëkryq ku nuk mjaftojnë më retorikat.
Sot na duhet me se s’bën kjo Doktrinë e Mbijetesës Demografike, që të mos jetë premtim politik, por akt themeltar i kombit.

E ritheksoj, duhet të konsiderohet si kontratë morale dhe ligjore, një ligj i jetës, që askush nuk mund ta ndryshojë sipas interesit të radhës, por vetëm me super-shumicë kombëtare.

Ky akt nuk është luks. Është domosdoshmëri historike. Pa të, çdo vit i humbur është një brez më pak, një komb më i tkurrur, një flamur më i rëndë për ta mbajtur.

Neni I, Familja si aktiv strategjik

Familja është themeli i çdo shoqërie dhe i çdo shteti. Pa fëmijë, nuk ka as ekonomi, as ushtri, as kulturë, as të ardhme. Për këtë arsye, Shqipëria duhet të vendosë familjen në qendër të politikës:

• Transfertë mujore e indeksuar për çdo fëmijë deri në 5 vjeç, e lidhur me të ardhurat, për të garantuar drejtësi dhe jo privilegj.

• Strehim i përballueshëm për çiftet e reja: subvencione kredie dhe qiraje në qytetet e mesme dhe fshatra. Pa banesë, nuk ka fëmijë.

• Rrjet kombëtar çerdhesh dhe kopshtesh me standarde të monitorueshme, jo vetëm numër, sepse cilësia e kujdesit të hershëm është themel i barazisë sociale.

• Leje prindërore të paguara për të dy prindërit, me kompensim të plotë për një periudhë të arsyeshme, për të ndarë përgjegjësinë dhe për të hequr barrën nga vetëm një krah.

Neni II, Rinia dhe kthimi i trurit

Rinia shqiptare është kapitali më i madh që sot rrjedh jashtë kufijve. Çdo mjek, mësues, inxhinier i humbur është një boshllëk i përhershëm. Zgjidhja është kthim me kushte reale:

• Lehtësim fiskal 5-vjeçar për profesionistët që kthehen dhe punojnë në rrethe.

• Grante dhe bonuse banese për mjekë e mësues që vendosen në zonat ku mungojnë.

• Njohje diplome brenda 60 ditësh dhe portal kombëtar pune i lidhur me diasporën, me oferta konkrete dhe kontrata të lidhura me qëndrimin.

Neni III, Infrastruktura sovrane

Shqipëria duhet të lërë mënjanë shpenzimet kozmetike dhe të investojë aty ku matet dinjiteti i saj:

• Arsim ≥5% e PBB-së në tre vjet. Çdo klasë e mbyllur është një çarje në murin e kombit.

• Shëndetësi ≥7% e PBB-së në tre vjet. Një vend pa spitale funksionale është një vend i pambrojtur.

• Kërkim – zhvillim ≥1% e PBB-së në pesë vjet. Pa laboratorë, Shqipëria mbetet në prapaskenë të botës.

• Punë fleksibël dhe kujdes ditor i zgjeruar, për të ulur koston e kohës së prindërimit dhe për të bërë jetën e prindërve të rehatshme.

Neni IV, Higjienë fiskale

Pa higjienë fiskale, nuk ka hapësirë për politika familjare. Shqipëria duhet të pastrojë arteriet e saj financiare:

• Moratorium 24-mujor mbi PPP-të jo-kritike, audit i pavarur i kontratave, ridestinim i fondeve drejt familjes, arsimit dhe shëndetësisë.

• Test demografik ligjor për çdo projekt, asnjë ligj, asnjë investim pa vlerësuar ndikimin në lindje, kthim dhe mbajtje të rinisë.

Neni V, Transparenca e pulsit

Një komb nuk jeton me PBB, por me puls.
Për këtë, duhet një Agjenci Demografike e Pavarur që raporton çdo 90 ditë, publikisht:

• lindje,
• vdekje,
• norma fertiliteti,
• migrim neto,
• raport punëtor – pensionist,
• shpenzime arsim/shëndetësi/R&D.

Raportet duhet të lidhen me buxhetet, ministritë me sinjal jeshil marrin fonde shtesë, ato me sinjal kuq sjellin plan korrigjues.

Komunikimi duhet të jetë afirmativ, prindërimi si akt dinjiteti, jo detyrim.
Vetëm kështu shmanget cinizmi i propagandës nataliste.

Objektivi Kombëtar, nga humbja tek rigjenerimi

Kjo doktrinë nuk është abstraksion.

Ajo duhet dhe ka objektiva të qarta, të matshme dhe shkencërisht të verifikueshme:

• Norma e fertilitetit: nga 1.3 në 1.6 brenda 5 vitesh. Ky është realizmi i përvojës europiane (Hungari, Poloni). Jo “boom”, por kthesë modeste e qëndrueshme.

• Bilanci natyror: nga -8 000 në zero brenda 5 – 7 vitesh. Arrihet duke ulur vdekshmërinë e parandalueshme dhe duke mbështetur prindërit me shërbime reale.

• Migrimi neto: drejt neutralitetit në 5 vjet. Ambicioze, por e arritshme vetëm me paga konkurruese, strehim dhe kthime të targetuara.

• Popullsia rezidente: të mbajmë mbi 2.8 milion deri në 2030 dhe të synojmë kthimin drejt 3 milionëve deri në 2040. Ky është horizonti i mundshëm dhe shkencërisht i arritshëm, nëse të gjitha politikat ecin bashkë.

Këto pesë nene dhe këto objektiva nuk janë dëshira. Janë kushtet minimale për të shpëtuar nga tharja.
Pa strehim, nuk ka lindje.
Pa kujdes të hershëm, nuk ka barazi.
Pa arsim e shëndetësi, nuk ka dinjitet.
Pa kthim truri, nuk ka zhvillim.
Pa higjenë fiskale, nuk ka fonde.
Pa transparencë, nuk ka besim.

Kjo është kontrata e re që Shqipëria duhet të nënshkruajë me vetveten. Dhe kjo është kontrata që nuk falet nëse shkelet, sepse çdo vit i humbur nuk është grafik në INSTAT, por një klasë më pak në shkollë, një maternitet më bosh, një fshat më i heshtur.

Rreziku ekzistencial dhe thirrja e fundit

Shifrat e vitit 2023 janë një aktakuzë e ftohtë dhe e pamëshirshme kundër politikave të zbrazura: vetëm rreth 23 mijë lindje, mbi 31 mijë vdekje, një bilanc natyror negativ prej 8 mijë vetësh (INSTAT 2023).

Mosha mesatare e popullsisë ka kaluar tashmë 38 vjeç dhe vijon të ngjitet me shpejtësi drejt 44 deri në mesin e shekullit (Eurostat 2022).

Në qarqe të tëra, popullsia është tkurrur me mbi 20% (INSTAT 2022).

Dhe si të mos mjaftonte, më shumë se 500 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian gjatë periudhës 2014–2022 (Eurostat 2023).

Këto nuk janë numra të thatë.

Janë diagnoza klinike, shenja të qarta të një organizmi kombëtar që po shteron.

Çdo grafik është një dhimbje e shndërruar në statistikë.

Një bankë shkolle e zbrazur nuk është thjesht një institucion pa nxënës, por një kambanë që troket për një brez që nuk erdhi kurrë.

Një maternitet i heshtur nuk është vetëm një ndërtesë pa foshnja, por një shenjë e humbjes së shpresës për të ardhmen.

Një fshat i mbetur me vetëm të moshuar nuk është thjesht një hapësirë e heshtur, por një varrezë e hapur ku humbet gjallëria e brezave.

Kur bilanci i jetës kthehet në bilanc humbjeje, kur shkollat mbyllen më shpejt se hapen, kur maternitetet heshtin më shumë se gëzojnë, kur fshatrat nuk dëgjojnë më zërin e fëmijëve por vetëm trokitjen e shkopinjve të pleqve, atëherë kemi hyrë në fazën e paralajmërimit historik.

Këto shifra nuk janë thjesht tregues; janë aktgjykime.

Janë pasqyra ku kombi sheh fytyrën e tij dhe pyet: a kemi ende të ardhme?

Rreziku nuk është vetëm social e ekonomik; është gjeopolitik.

Në Ballkan, dobësia demografike është ftesë për ndikim.

Pa rini, nuk ka ushtri, ekonomi, kulturë.

Pa rini, sovraniteti bëhet procedurë, jo fuqi.

Tri mandate pa strategji demografike; mandat i katërt pa plan është papërgjegjshmëri historike.

Shqipëria ka nevojë për ligj, jo për spote; për buxhet, jo për vizatime; për maternitete që punojnë, jo për sheshe që shkëlqejnë.

Historia nuk pyet për arsyetime; ajo numëron djepat dhe bankat e shkollës.

Nuk regjistron pllakat e shesheve; regjistron sa fëmijë qeshin në oborr.

Shtete të mëdha janë rrëzuar me ushtri; shtete të vogla janë fikur pa zhurmë, nga heshtja e lindjeve dhe ikja e rinisë.

Shqipëria sot duhet të zgjedhë.

Ose një kontratë të re kombëtare ku familja shpallet aktiv strategjik, rinia qëndron sepse ka arsye, diaspora kthehet sepse ka shtigje, dhe prindërimi mbrohet me ligj dhe mbështetet me buxhet.

Ose një fasadë e gjatë që mbaron në skelet me rroba të varura.

Në këtë udhëkryq, prindërimi është akt sovraniteti; familja është institucioni i parë i sigurisë kombëtare; mësuesi dhe mjeku janë gjenerali dhe inxhinieri i një ushtrie pa armë, por me fuqi të jashtëzakonshme, të ripërtërijë dhe të shërojë.

Ne do të gjykohemi jo për fjalët tona, por për fëmijët tanë. Jo për spote, por për djepat. Jo për fasadat, por për themelet.

Nëse ky vend zgjedh themelet, do të rigjenerohet. Nëse zgjedh pamjen, do të zbehet. Koha është sot.

Puls i ri ose heshtje. Zgjedhja është e jona.

Arian Galdini

Referenca:

• Banka e Shqipërisë (2023) Remittances Report. Tiranë: Banka e Shqipërisë.
• BIRN (2022) Check-up Concessions Analysis. Tiranë: Balkan Investigative Reporting Network.
• Eurostat (1995) Migration Statistics 1990–1995. Brussels: Eurostat.
• Eurostat (2021; 2022; 2023) Fertility Rate Indicators; Population Age Indicators; Asylum Statistics. Brussels: Eurostat.
• Eurostat GBARD (2024) Gross Domestic Expenditure on R&D. Brussels: Eurostat.
• Gallup (2018) World Poll on Migration Aspirations. Washington: Gallup.
• IMF (2022) Albania: Public Investment Management Assessment. Washington: International Monetary Fund.
• INSTAT (2013; 2023) Population and Housing Census; Vital Statistics. Tiranë: INSTAT.
• ISSH (2022) Raporti i Sigurimeve Shoqërore. Tiranë: ISSH.
• KLSH (2021) Raport auditimi – Sterilizimi. Tiranë: KLSH.
• Ministria e Arsimit (2022; 2023) Statistika arsimore. Tiranë: MAS.
• NBS China (2023) Population Report. Beijing: National Bureau of Statistics.
• OECD (2022) Population Ageing and Sustainability. Paris: OECD.
• Statistics Bureau of Japan (2023) Population Estimates. Tokyo: SBJ.
• Statistics Korea (2023) Population and Fertility. Seoul: Statistics Korea.
• UN (2023) World Population Prospects. New York: United Nations.
• UN DESA (2022) World Population Prospects 2022. New York: UN Department of Economic and Social Affairs.
• UNESCO (2022) Education Expenditure Report. Paris: UNESCO.
• WHO (2022) Global Health Expenditure Database. Geneva: World Health Organization.

Filed Under: Ekonomi

“Rendi i ri gjeopolitik 2025: Rivaliteti global SHBA-BE dhe Rusi-Kinë”

September 5, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Ky studim trajton rivalitetin në rritje midis kampit SHBA-BE dhe boshtit autoritar Rusi-Kinë, duke eksploruar kalimin nga rendi unipolar drejt shumëpolarizmit global. Ngjarjet në Pekin në shtator 2025, përfshirë shfaqjen e fuqisë ushtarake dhe forumet ekonomike, pasqyrojnë forcat dhe dinamikat e reja në arenën ndërkombëtare. Analiza u përqendrua në dimensionet politike, ekonomike dhe ideologjike të këtij rivaliteti, si dhe në ndikimin e tij mbi botën në përgjithësi dhe në vendet e Ballkanit në veçanti, një rajon me histori të gjatë ndikimesh të jashtme. Argumentojmë se në një botë ku nuk ekziston më dominimi absolut, vendet e vogla duhet të ndjekin politika fleksibile dhe shumëdrejtimore për të siguruar stabilitet dhe zhvillim.

Pas Luftës së Ftohtë, bota hyri në një periudhë të dominimit amerikan me një rend demokratik-liberal bazuar në rregulla të përcaktuara, institucione multilaterale dhe bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik krijoi një moment unipolar që dominimi i SHBA-së dukej i pakontestueshëm. Ky dominim u projektua në rol lideri në organizatat kryesore botërore dhe në vendosjen e normave ndërkombëtare, duke përfshirë promovimin e demokracisë, tregtisë së lirë dhe të drejtave universale të njeriut.

Megjithatë, në dekadat në vazhdim, ky rend përjetoi sfida të mëdha. Kina u rrit ekonomikisht dhe ushtarakisht duke krijuar një alternativë komplekse ndaj sistemit perëndimor. Rusia u rikthye si aktor ushtarak dhe energjetik me aftësi për të sfiduar fuqitë perëndimore në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, vetë Perëndimi u përball me brishtësinë e brendshme si pasojë e ndryshimeve politike, ekonomike e sociale, si dhe ndërlikimet që sollën konflikte brenda dhe probleme në bashkëpunim.

Në këtë kontekst, analiza bashkërenditet mbi tre korniza teorike kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare.
1. Realizmi ofensiv i Mearsheimer-it na shpjegon se fuqitë e mëdha janë gjithmonë në kërkim të dominimit dhe balancimit të rivalëve për mbijetesë.
2. Teoria e stabilitetit hegjemonik e Waltz-it tregon se rendi botëror është më i qëndrueshëm nëse një fuqi e vetme është hegjemoni që ofron siguri dhe rregulla.
3. Nga ana tjetër, konstruktivizmi rikthen rëndësinë e ideve dhe narrativave, si “ëndrra kineze” dhe paradigma e botës shumëqendrore, që fuqizojnë apo sfidojnë strukturat ekzistuese⁷.
Këto teori, së bashku me analizën empirike të ngjarjeve të zhvilluara gjatë vitit 2025 dhe kontekstin rajonal në Ballkan, përbëjnë bazën e metodologjisë që na lejon të kuptojmë dinamika globale dhe rajonale në mënyrë të rrjetëzuar dhe të kompleksuar.

Pjesa kryesore

1.Transformimi i Rendit Ndërkombëtar

Periudha e pas Luftës së Ftohtë u karakterizua nga dominimi i SHBA-së si superfuqi absolute me një rëndësi strategjike të pazvogëluar në fushën ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Luftërat në Ballkan, ndërhyrjet në Lindjen e Mesme dhe zgjerimet e NATO-s u panë si konfirmim i këtij dominimi⁸. Megjithatë, kriza financiare globale e 2008 shënoi një moment reflektimi dhe heshtjeje, duke ekspozuar dobësitë strukturore të ekonomisë amerikane dhe pasojat e globalizimit të pakontrolluar⁹.
Ndërkohë, Kina po zhvillohej me një ritëm të shpejtë ekonomik dhe teknologjik, duke investuar në projekte globale, si “Rruga e Mëndafshit” dhe avancimet në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë 5G¹⁰. Rusia, shfrytëzuesja kryesore e burimeve energjetike dhe kapaciteteve ushtarake, rifutet fuqishëm në skenën ndërkombëtare me ndërhyrjet në Ukrainë dhe Siri¹¹.

Shtatori 2025 u bë simbol i hyrjes së botës në një epokë të shumëpolarizmit, ku fuqitë e mëdha operojnë në një sistem kompleks ku asnjë prej tyre nuk dominon aspak. Manifestimet në Pekin me shfaqjen e fuqisë ushtarake, paralelisht me forume të fuqishme ekonomike dhe diplomatikë të multinacionalëve, treguan ndryshimin rrënjësor të ekuilibrave¹².

Kjo epokë e re kërkon një qasje që tejkalon dualizmin tradicional Lindje-Perëndim duke njohur një mozaik interesash dhe aleancash që bashkëjetojnë në mënyrë fleksibile dhe dinamike¹³.
2.Aleanca Rusi-Kinë dhe Strategjitë e Përbashkëta
Aleanca mes Rusisë dhe Kinës, megjithëse jo ideologjikisht uniforme, bazohen në një marrëveshje pragmatike që shfrytëzon fuqitë dhe resurset unike të secilit partner. Rusia ofron burimet energjetike dhe kapacitetet ushtarake tradicionale, ndërsa Kina fuqinë ekonomike dhe teknologjinë¹⁴.

Kjo ndarje përforcon ndërveprimin në fusha strategjike dhe minon dominimin perëndimor duke krijuar një alternativë që paraqitet si rend botëror sovranist, i bazuar në parime të fuqisë dhe pavarësisë kombëtare¹⁵. Samitet e shtatorit 2025, duke përfshirë pjesëmarrjen e vendeve të ndryshme të Jugut Global, e pasqyruan këtë model si një qasje kundër peshës liberale dhe universaliste që karakterizon Perëndimin¹⁶.
Në këtë kuadër, pushteti ekonomik i Kinës u përdor si mjet jo vetëm për avancimin e interesave të saj, por edhe për të ndihmuar aleatët si Rusia dhe vendet e mesme që kërkojnë të fuqizohen përballë presioneve perëndimore¹⁷.

Reagimet dhe Sfida e SHBA-BE-së

Nën drejtimin e Donald Trump, SHBA filloi një linjë më proteksioniste dhe tranzicionale që përqendrohej në “Amerika në radhë të parë”. Kjo solli një politikë më selektive ndaj kinse kundërshtarëve, duke ndikuar në marrëdhëniet me Kinën, Indinë dhe aleatët tradicionalë në Evropë¹⁸. Ndërkohë, Bashkimi Evropian nuk arriti të harmonizojë qasjet e tij politike dhe strategjike, duke u përballur me sfida të brendshme si:

1. Rritja e populizmit,
2. Situata ekonomike pas Brexit dhe
3. Variabiliteti në politikën e jashtmeⁱ⁹.
NATO mbetet struktura kryesore e sigurisë në hemisferën perëndimore, por ajo kërkon transformim për të bërë ballë sfidave moderne, duke përfshirë kërcënimet hibride dhe ato kibernetike²⁰.

Dimensioni Ideologjik dhe Global

Një nga thelbësoret në përplasjen e epokës së re është përballja mes modeleve ideologjike dhe qeverisëse. Perëndimi promovon demokracinë liberale dhe normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndërsa boshti Rusi-Kinë synon rigjallërimin e sovranitetit të fortë dhe kontrollit autoritar si bazë për rendin e ri botëror²¹.

Ky përfshin:
1. Përdorimin e teknologjive të avancuara për mbikëqyrje dhe kontroll të shoqërive,
2. Kontrollin e mediave dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në kurriz të lirisë dhe transparencës²².
Një manifestim i kësaj është politika e “enderrës kineze” dhe mënyra se si ajo përshtatet me politikën globale dhe partnerët e saj²³.

Ballkani në Rrethanat e reja

Rajoni i Ballkanit, historikisht një hapësirë e ndikuar fuqishëm nga interesat dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha, po përballet sot me një kompleksitet edhe më të thellë ngjarjesh dhe përgjigjesh ndaj sfidave globale. Serbia ruan lidhje të ngushta me Rusinë, duke përfituar mbështetje politike, diplomatike dhe burime të rëndësishme energjetike, që ndikojnë në politikën dhe ekonominë rajonale²⁴. Shqipëria dhe Kosova, me një orientim të konsoliduar euroatlantik, përballen me ndikimet gjithnjë në rritje të investimeve kineze, të cilat synojnë të zgjerohen në sektorë infrastrukture, energjie dhe ekonomikë, duke krijuar një peizazh të ri bashkëpunimi por edhe presionesh të jashtme²⁵. Për Kosovën, kjo situatë është veçanërisht sfiduese për shkak të njohjeve të kufizuara ndërkombëtare dhe nevojës për krijimin e aleancave të qëndrueshme që forcojnë pozicionin e saj shtetëror dhe ekonomik ndërkombëtar.

Maqedonia e Veriut është në një tranzicion të përzier institucional dhe politik, ku tensionet etnike dhe presionet rajonale ndikojnë në stabilitetin dhe rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike²⁶. Bosnja dhe Hercegovina mbetet një rast kompleks me fragmentim etnik të theksuar, elementi që e bën atë objektiv të ndikimeve të ndara nga aktorë të ndryshëm të jashtëm, shpesh në kundërshtim me njëri-tjetrin²⁷. Në përgjithësi, vedet e Ballkanit përfitojnë nga diplomacia shumëdrejtimore, e frymëzuar nga modeli indian i balancimit mes fuqive të mëdha, i cili u mundëson atyre të manovrojnë në mënyrë fleksibile dhe pragmatike në një mjedis ndërkombëtar në tension dhe ndryshim²⁸.

Pasojat Globale dhe Rajonale

Kalimi në shumëpolarizëm rrit kompleksitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare me pasoja të thella globale. Dobësimi i institucioneve multilaterale, rritja e garës teknologjike dhe rritja e konfliktualitetit rajonal kërkojnë adaptim dhe bashkëpunim të rinovuar²⁹. Për Ballkanin, kjo përkthehet në presione më të mëdha politike dhe ekonomike por gjithashtu në mundësinë për të luajtur rol unik midis Lindjes dhe Perëndimit³⁰.

Përfundime dhe Rekomandime

Rrjedhimisht, epoka post-unipolare kërkon menaxhim të kujdesshëm të interesave dhe forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Perëndimi duhet të forcojë kohezionin dhe fleksibilitetin në politikë, ndërsa Ballkani duhet të përdorë diplomacinë shumëdrejtimore për të përballuar presionet dhe për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Dialogu multilateral dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për shmangien e përshkallëzimeve dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm gjeopolitik. Vendimet dhe manovrat strategjike të vendeve të vogla do të përcaktojnë stabilitetin në rajonet më të ndjeshme, duke përfshirë Ballkanin.

Rekomandime

• Perëndimi duhet të rishikojë strategjitë e tij të sigurisë dhe diplomacisë, duke shmangur përshkallëzime të rrezikshme.
• Vendet e vogla dhe të mesme duhet të ndërtojnë politika elastike, të ruajnë sovranitetin dhe të përparojnë diplomacinë shumëdrejtimore.
• Ballkani duhet të forcojë integrimin euroatlantik dhe kapacitetet institucionale për të përballuar sfidat e sigurisë hibride dhe kibernetike.
• Komuniteti ndërkombëtar duhet të intensifikojë dialogun multilateral për të parandaluar që përplasjet ideologjike të shndërrohen në konflikte globale¹⁴.

Bibliografia:

1. Waltz, Kenneth (1979). Theory of International Politics. Addison-Wesley.
2. Nye, Joseph (2011). The Future of Power. PublicAffairs.
3. Mearsheimer, John (2001). The Tragedy of Great Power Politics. W.W. Norton & Company.
4. Strand, Morten (2025). “Aleanca e ferrit kinez dhe rendi multipolar autoritar.” Analizë, 04.09.2025.
5. Racaj, Muhamet (2025). “Rendi i ri shumëpolar dhe ndikimet në Ballkan.” Bota Sot, 04.09.2025.
6. Foreign Affairs (2023). Artikuj mbi rivalitetin SHBA-Kinë dhe politikat globale.
7. Journal of Balkan and Near Eastern Studies (2024). Studime rajonale mbi ndikimin ndërkombëtar në Ballkan.
8. Raporte të NATO dhe BE mbi sigurinë rajonale dhe strategjitë 2024–2025.
9. Raporte mediatike dhe zyrtare mbi aktivitetet në Pekin shtator 2025.
10. Instituti për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (2025). Raport mbi sfidat globale dhe rajonale.
11. Raporte të analistëve ushtarakë dhe ekonomistë mbi ndikimin e teknologjive të reja në politikën globale (2024-2025).

Filed Under: Ekonomi

Richard Lukaj “Nderi i Kombit” promovon biznesmenë të suksesshëm në shtëpinë e tij në Greenwich

September 4, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Këtë radhë në shtëpinë e z. Lukaj ose në kuptimim metaforik këtë shtepi e quaj dhe si “Shtëpia e Bardhë” bankieri qe çau “muret” e trasha te Wall Streetit ishin mysafirë pronarë restorantesh, shefa dhe mjeshtra tejet të njohur të kuzhinës pothuajse me gatime shqiptare.

Nuk ka si të ndodh ndryshe pasi këto mund t’i bejë vetëm një sipërmarrës i suksesshëm, multimilionieri si Richard Lukaj që e njeh mirë çdo të thotë sukses, të cilat janë arritur me punë dhe vetëm me punë.

Me një karrierë të shquar në Wall Street, ai ka realizuar qindra transaksione financash korporative me një vlerë totale që tejkalon 100 miliard dollarë në të gjithë botën.

Z.Richard Lukaj është një filantropist i njohur shqiptaro amerikan jo vetëm në Diasporë, por dhe në botë.

Këto aktivitete bamirësie dhe që kanë për qëllim promovimin e sukseseve shqiptare natyrisht nderojnë mikpritësin dhe gjithë Diasporën pasi ato janë në shërbim të Kombit dhe kanë një mission fisnik.  

Ndërsa shikoja me shumë kënaqësi gjithë verërat e ekspozuara në tryezë ndonëse nuk jam shumë e dhënë pas tyre, por vetëm me masë, më ngazëllehej shpirti për emrat që ishin të shkruara në shishet e qelqta, emra autoktonë shqiptar.

Këto emra ishin si: Kallmet, Çobo, Vloshi e kuqja e Beratit, Çobo puls, Duka “Sheshi i Bardhë”, Shesh i Zi, Pulez Roshnik, Papaz, Harmoni, Kinolli “Raki rrushi moskat”, Raki Arre, Isak Delvinë, Shendeverë, Berat, ect. 

Sa përshtypje më bëri shishja me emrin “E Kuqja e Beratit”.  Çfarë frymëzimi kanë marrëpronarët nga pikturat e magjishme të Onufrit dhe sidomos e kuqja e tij e paarritshme, e pagjetur gjer më sot kanë qenë njëfrymëzim jo vetëm për piktorët, por edhe për kantinën Çobo në punën e saj për krijimin e produkteve autentike. 

Vera “E Kuqja e Beratit” është frut i rrushit autokton shqiptar Vlosh, e vjetëruar në fuçi lisi, me karakteristikat e saj të pangjashme në ngjyrë, aromë dhe shije është thjeshte e paarritshme duke e merituar plotësisht këtë emërtim.

Onufri është një ikonograf shumë i famshëm shqiptar, që gdhendi emrin e tij në historinë dhe kulturën tonë, duke krijuar hijet e së kuqes që askush nuk kishte parë deri në atë kohë. Diku midis portokallisë të errët, fuchsia-s, koralit dhe të kuqes, qëndron “e kuqja e Onufrit”, një nga ngjyrat më të papërcaktueshme dhe marramendëse në historinë e artit. 

Onufri pikturonte kisha dhe ikona, figura dhe histori biblike.

Në krye të oxhakut qëndronte sipërmarrësi i suksesshëm z. Bruno Selimaj me bashkëshorten e tij Kumrijen një zonjë fisnike.  Ai është një atdhetar i shquar ku restoranti i tij është kthyer në një Ambasadë Kombëtare.  

Z. Selimaj dallohet si njëri ndër donatorët më të mëdhenj në Amerikë, me mjete financiare, në lobimin për çështjen e Kosovës në Shtepinë e Bardhë dhe në Senat, si dhe për ndihmën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku në Restorantin e tij u mblodhën gati 2. 000 000 dollar.

Z. Selimaj flet pak dhe punon shumë, udhëheq me shembullin e tij të admirueshëm. 

Në këtë mbrëmje të bukur me ngjyrë blu ku Hëna ndrinte me rrezet e saj nga xhamat e dritareve trokëlliteshin gotat dhe flitej për guzhinën dhe gastronominë shqiptare.  Mjeshtri i kuzhinës z. Fejsal Demiraj gatoi darkën e parë në “Shtëpinë e Bardhë” që m’u realizoftë ëndrra vërtetë dhe në Washington.  Të gjithë pronarët si zoti dhe zonja Elio Ahmetaj, Sabrije dhe Ben Celaj, Mira dhe Dorjan Puka, assistant chef Tomas, Nick Zherka nga Valbella restaurant ku solli ushqime të shijshme, Bledar Asllani etj, ranë dakord që dhe ata do të prezantonin të gjitha produktet e tyre shqiptare.  

Sipërmarrësi i mirënjohur z. Fjesal Demiraj është shef kuzhine me çmime botërore.  Ai ka lindur dhe është rritur në Nju Jork.  Prindërit e ushqyen me traditat dhe nuk I harron gatimet si flija dhe qervishi, ku dhe ka gjetur frymëzimin nga të parët e tij.

Suksesi i tij ka qenë në restorantin “Louis XV” në Monako me 3 Yje Michelin; “Brae” në Viktoria, Australi, i shpallur ndër “50 Top Restorantet më të mira Botërore”; dhe “Noma”në Kopenhagë, Danimarkë i përzgjedhur 4 herë si restoranti më i mirë në botë nga “50 Restorantet më të mira Botërore”.

Recetat e tij janë lidhur me shpirtin e tij, me gatimin, të ngrënit, mikpritjen ose përvojën kulinare. 

Një histori suksesi është dhe sipërmarrësja simpatike znj. Ilda Hila e cila ka një platformë globale puro shqiptare, ku ekspozon produktet shqiptare në tregjet ndërkombëtare, te cilat përfaqësojnë cilësinë dhe autenticitetin:

Kur i dëgjoja këta kuzhinierë të famshëm, më kujtoheshin shkrimtarë të ushqimit, filozofë ose njerëz të tjerë që ndajnë mendimet dhe përvojat e tyre rreth artit të gatimit dhe të ngrënit. Ata vërtetë të inspirojnë, motivojnë duke shprehur pasionin për gatimin dhe gastronominë.

Ndërsa flisnin për Gastronominë e cila është studimi i marrëdhënies midis ushqimit dhe kulturës, ata demonstronin bukur artin e përgatitjes dhe servirjes së ushqimit të pasur ose delikat dhe të shijshëm, stileve të gatimit të rajoneve të veçanta dhe shkencës se gjysheve, traditave të ushqimit të mirë.  

Ja psh znj. Ilda Hila kishte një qasje sistemi dhe procesi, të fokusuar në receta, teknika dhe libra gatimi. Recetat e saj ishin te lidhura me ushqimin pijet dhe gjenezën e tyre. Ata sollën duke prezantuar një qasje rigoroze për vlerësimin e temave gastronomike.

Arti i gatimit është poezi më vehte, është talent, mjeshtëri dhe shëndet.  

Të gjitha atoj lloje ushqimesh, shishe verërash të ndryshme të sillnin ndërmend Arkestratin i cili  shkroi një udhëzues për ushqimet e Mesdheut në formën e një poeme të quajtur “Gastronomia”, sipas Chrysippus of Tyana; kanë mbetur vetëm citate fragmentare. Ajo u ringjall, në 1801 si titulli i një poezie nga Joseph Berchoux Brillat-Savarin, në Physiologie du goût (1825) i cili sistemoi studimin e ushqimit dhe gatimit me këtë emër. 

Mjeshtrat e ushqimit sollën njerëzit së bashku sepse kur sukseset i ndan me miqtë ato arrijnë majat dhe natyrshëm ushqimi është më i shijshëm kur je në tryezë me miqtë që u mikpriten ngrohtësisht nga filantropisti Richard Lukaj me bashkëshorten e tij zonjën bujare dhe te bukur Vjosën . 

Të gjithë pjesëmarrësit ndjenë kënaqësitë si në një oaz shijesh dhe traditash, një gamë e gjërë mezesh të shijshme, sekretet e pjateve të këndshme, recetat që kanë shënuar historinë e gastronomisë, ndërsa pronarët u zotuan për më shumë suksese dhe për t’i sjellë botës mbarë tryezën tradicionale dhe kulinare të kuzhinës autentike shqiptare.

3 Shtator, 2025

Greenwich, Connecticut

.

Filed Under: Ekonomi

Iluzioni i dukjes dhe e vërteta e qëndrueshme e pasurisë!

September 3, 2025 by s p

cmp3.14.14.72670860q4 0x01d910a4

Nga Arian Galdini/

Shqipëria është si një shtëpi e lyer rishtas, me bojë të freskët që shkëlqen në dritën e diellit, por me çati të shpuar dhe themele të ngrëna nga uji. Nga jashtë duket e ndritshme, por brenda lagështia ka kapur trarët, muret janë mbushur me myk dhe pluhuri shpërndahet në çdo hap. Ky është ligji i ekonomisë së pamjes, një ndriçim i rremë që mbulon një varfëri funksionale. Një shtëpi nuk qëndron me bojë të re mbi muret e vjetër. Ajo forcohet duke nisur nga çatia që ndalon shiun dhe nga themelet që mbajnë peshën. Shqipëria është e detyruar të bëjë pikërisht këtë gjë, të heqë dorë nga fasadat dhe të investojë në struktura që i rezistojnë kohës. Tatimi 30% mbi mallrat e luksit duhet të ridrejtohet tek kërkimi dhe arsimi. Ky është mekanizmi që i dha Koresë së Jugut një transformim të jashtëzakonshëm, nga një vend i varfër në vitet ’60 në një fuqi teknologjike sot, sepse investoi mbi 4% të PBB-së në R&D (Research and Development – Kërkim Shkencor e Zhvillim).

Finlanda, me reformën e saj të arsimit publik, tregoi se një vend i vogël mund të ngjitet në majat e konkurrueshmërisë globale përmes shkollave dhe universiteteve të forta. Izraeli, nga ana tjetër, është shembull se si lidhja e universiteteve me bizneset gjeneron start-up-e dhe teknologji që eksportohen në të gjithë botën. Shqipëria ka potencial të ngjashëm në bujqësi dhe industri të vogla prodhuese. Ajo duhet të ndjekë modele si Italia e Veriut, ku kooperativat bujqësore dhe industritë e përpunimit kanë krijuar produkte me origjinë të mbrojtur që mbahen si thesare kombëtare dhe eksportohen në mbarë botën. Vetëm duke ecur në këto shtigje substanciale, Shqipëria mund të ndërtojë themelet e qëndrueshme dhe të sigurtë për të ardhmen.

Në Shqipërinë e sotme, krejt në rrenë e iluzion, pasuria po matet gjithnjë e më pak me atë që prodhon dhe gjithnjë e më shumë me atë që shfaq. Një çantë Hermès, një Rolex i shndritshëm, një makinë 100 mijë euro bëhen vula statusi dhe peshojnë më shumë se një doktoraturë, më shumë se një laborator i pajisur, më shumë se një spital që shpëton jetë. Thorstein Veblen e quajti këtë “konsum i dukjes” më shumë se një shekull më parë. Sot, në epokën e Instagramit dhe të rrjeteve sociale, ai është kthyer në regjim të përditshëm, në një epidemi morale që e helmon brez pas brezi.

Trau i thyer

Prej vitesh, mbrojtësit e luksit përsërisin të njëjtën frazë: “Krijon punë, mban mjeshtëri, gjeneron treg dytësor.”. Kjo është bërë si një mantrë e gatshme për të justifikuar çdo shpenzim të tepruar në mallra të shtrenjtë e të panevojshëm. Por kur përballë kësaj retorike vendosen shifrat e ftohta, fasada bie dhe duket qartë se bëhet fjalë për një argument bosh. Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 3.9% në vitin 2024. Në letër kjo shifër tingëllon pozitive, por parashikimi për vitin 2025 është vetëm 3.2%. Ky ritëm i brishtë është i pamjaftueshëm për të mbajtur një vend që ende ka një borxh publik të lartë, një nivel të dobët produktiviteti dhe një varësi të theksuar nga importet. Një ekonomi që ecën me një hap kaq të ngadaltë nuk mund të përballojë shpërdorimin e kapitalit në sende luksi, të cilat nuk gjenerojnë as kapacitete prodhuese, as punësim afatgjatë, as dije.

Situata bëhet edhe më shqetësuese kur shihen të dhënat për kërkim-zhvillimin. Sipas Komisionit Europian dhe Eurostat, Shqipëria ka investuar vetëm 0.19% të PBB-së në R&D gjatë vitit 2024, duke u renditur e parafundit në Europë. Në vitin 2023 ky nivel ishte vetëm 0.08%, ndërsa në 2022 kishte qenë 0.05%, pra një progres minimal, që s’mjafton as për të mbuluar hendekun me fqinjët. Krahasimi me Bashkimin Europian e bën hendekun të dukshëm, pasi mesatarja e BE-së është 2.22% e PBB-së, ndërsa vendet lider si Gjermania dhe Suedia kalojnë mbi 3%.

Ky kontrast është dërrmues.

Shqipëria zgjedh të derdhë para në zbukurime të përkohshme, makina luksoze, orë dhe çanta, ndërkohë që laboratorët mbeten bosh, universitetet pa pajisje dhe industria pa inovacion. Për shembull, një raport i Akademisë së Shkencave thekson se mbi 70% e pajisjeve laboratorike në universitetet publike janë më të vjetra se 20 vjet, çka i bën të papërdorshme për kërkime moderne. Në të njëjtën kohë, eksportet shqiptare përbëhen kryesisht nga produkte bujqësore të papërpunuara dhe lëndë të para, me vlerë të ulët të shtuar. INSTAT raportoi se në 2024 eksportet e mallrave bujqësore ranë me 4.6%, ndërsa importet e produkteve të përpunuara dhe teknologjisë u rritën me mbi 7%. Kjo varësi e skajshme nga importet tregon boshllëkun që lë mungesa e inovacionit dhe investimit në prodhim.

Pa laboratorë modernë, pa qendra kërkimore dhe pa bashkëpunim mes universiteteve dhe industrisë, Shqipëria mbetet peng i ekonomisë së imitimeve dhe jo i krijimit. Çdo euro e derdhur për një makinë luksoze është një euro e humbur për një pajisje laboratorike, një serë moderne apo një fabrikë që mund të hapte vende pune dhe të gjeneronte eksporte. Ky është trau i thyer i shtëpisë sonë ekonomike. Dhe ashtu si në një shtëpi, kur trarët janë të këputur, çdo shi i madh, çdo krizë ndërkombëtare, çdo goditje e jashtme e afron shembjen. Nëse kapitali nuk shkon te themelet, fasadat nuk mjaftojnë për ta mbajtur në këmbë. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme mbi iluzione luksi, ndërsa realiteti i brendshëm shkon drejt kalbjes strukturore.

Çatia që zverdhet

Në pamje të parë, tregu i luksit duket si një ndërtesë e patundshme, i ndritshëm, i qëndrueshëm, gjithmonë në rritje. Për vite me radhë, markat e mëdha ndërtonin mbi idenë se oreksit për luks nuk i vinte kurrë fundi. Por edhe kjo çati po fillon të zverdhet. Raporti Bain-Altagamma 2025 paralajmëron një ngadalësim të dukshëm, rritja e mallrave personale të luksit pritet të jetë vetëm 0–4%. Kjo shifër është më e ulëta e dekadës së fundit, duke treguar se edhe vetë tregu që e ka ushqyer iluzionin e luksit po hyn në një fazë pasigurie. Arsyeja është e qartë, konsumatorët e nivelit të lartë nuk janë më aq të gatshëm të paguajnë vetëm për logon. Vogue Business raporton për një fenomen të ri: “value hacking”, një zhvendosje drejt kërkimit të vlerës reale dhe jo të shenjës së jashtme. Në vend që të shpenzojnë për një çantë që kushton dhjetëfish vetëm sepse mban një etiketë, gjithnjë e më shumë konsumatorë kërkojnë cilësi, funksionalitet dhe qëndrueshmëri.

Për ta, luksi i vërtetë nuk është më logoja që shfaqet në sy të të tjerëve, por aftësia për të blerë diçka që ruan vlerë reale dhe afatgjatë. Shembujt janë të shumtë, psh, në Kinë, që është tregu më i madh i luksit, shitjet ranë me mbi 8% në 2023, për shkak të krizës së pasurive të paluajtshme dhe uljes së fuqisë blerëse të klasës së mesme. Në SHBA, kompanitë e luksit raportuan një tkurrje të kërkesës në tremujorin e parë të 2024, ndërsa konsumatorët elitë po shpenzojnë më shumë për udhëtime dhe eksperienca, e më pak për sende statusi. Edhe në Europë, inflacioni dhe pasiguria ekonomike kanë frenuar konsumin e tepërt, duke e kthyer luksin nga simbol i fuqisë në një barrë të panevojshme. Kur çatia e vetë burimit fillon të zverdhet, kur tregjet globale që dikur ishin garancia e luksit të pakufizuar po lëkunden, çfarë mund të fitojë një ekonomi e vogël imitimi si Shqipëria, që jeton nga hija e modës?

Nëse vendet e pasura po e braktisin dukjen për substancën, çdo investim i tepërt në luks në një vend të varfër nuk është thjesht shpërdorim; është vetëvrasje ekonomike. Çatia që zverdhet është paralajmërim, nëse vetë maja e ndërtesës së luksit po venitet, atëherë çdo kat më poshtë, çdo imitim i vogël, çdo vend që ndjek vetëm modën, është i destinuar të pësojë shembjen shumë më shpejt. Shqipëria, duke u ushqyer me simbole dhe jo me themele, rrezikon të mbetet pa strehë kur bie shiu i parë i krizës globale. Muret që s’mbajnë peshë. Një shtëpi mund të ketë ngjyrë të bukur në fasadë, por nëse muret nuk mbajnë peshë, rrënimi është vetëm çështje kohe. Ky është realiteti ekonomik i Shqipërisë. Shifrat janë të pamëshirshme, sipas INSTAT, importet u rritën me 2.5% në vitin 2024, ndërsa raporti i mbulimit të tyre me eksportet ra nga 50.4% në 2023 në vetëm 41.7% në 2024.

Me fjalë të thjeshta, Shqipëria po blen gjithnjë e më shumë mallra të huaja dhe po shet gjithnjë e më pak vlerë të prodhuar nga vetë duart e saj. Kjo do të thotë se baza jonë prodhuese është e brishtë dhe muret që duhet të mbajnë peshën e ekonomisë janë të dobëta, të çara, të paqëndrueshme. Në vend që kapitali të shkojë në zhvillim të bujqësisë, industrisë apo inovacionit, ai shkon te konsumimi i ornamenteve, makina luksoze, orë të shtrenjta, pajisje teknologjike të importuara. Ndërkohë, eksportet mbeten të kufizuara kryesisht te produkte bujqësore të papërpunuara dhe minerale që shiten me çmime të ulëta, pa i shtuar vlerë ekonomisë.

Pamjet janë të thjeshta, por tronditëse. Një fermer shet tokën për të blerë një orë luksoze, duke braktisur atë që mund të ishte një burim i qëndrueshëm prodhimi. Një student largohet nga vendi sepse laboratorët universitarë janë bosh, pa pajisje moderne, pa mundësi për kërkim e zhvillim. Një mjek operon pa oksigjen të mjaftueshëm dhe pa aparatura bashkëkohore, ndërsa në oborrin e spitalit parkohet një SUV i ri, simbol i statusit të fituar shpesh jo nga puna prodhuese, por nga pasuria e konsumuar. Shembujt nga ekonomia e përditshme e thellojnë këtë tablo. Shqipëria importon çdo vit mbi 70% të produkteve farmaceutike, duke lënë shëndetësinë në varësi të jashtme. Në industrinë ushqimore, importet e produkteve të përpunuara si mielli, qumështi apo mishi i paketuar tejkalojnë shpesh eksportet e produkteve bujqësore vendase. Edhe në sektorin e energjisë, ndonëse vendi prodhon energji hidrike, në dimër detyrohet të importojë me çmime të larta, duke krijuar kosto shtesë për familjet dhe bizneset.

Ndërkohë, eksportet kryesore mbeten mineralet e kromit dhe nafta bruto, pasuri që shiten pa përpunim, pa fabrika moderne, pa zinxhir vlerash. Këto kontraste pasqyrohen qartë në Tiranën urbane. Qyteti është shndërruar në një vitrinë të rreme, ku kullat shumëkatëshe ngrihen njëra pas tjetrës si dekor skenik. Qendrat tregtare mbushen me dyqane luksi, të cilat shesin mallra që pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk i përballon dot. Në rrugë qarkullojnë makina me çmime marramendëse, ndërsa vetëm pak kilometra më larg fshatra të tërë vuajnë mungesën e infrastrukturës bazike, të ujit të pijshëm dhe të shërbimeve shëndetësore. Tirana është bërë një pasqyrë që reflekton ndritjen e përkohshme të pakicës, por nuk ka aftësi të mbajë peshën e një kombi.

Ky nuk është zhvillim.
Ky është një teatër i sipërfaqes, një dekor i bukur mbi një strukturë që po rrëzohet.
Dhe ashtu si në një skenë ku muret janë prej kartoni, me erën e parë të krizës, gjithçka shembet bashkë me dekorin.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi orendi të huazuara dhe fasada të rreme; ajo duhet të forcojë muret e saj me prodhim, dije dhe institucione.
Përndryshe, do të mbetet pa shtëpi në stuhinë e parë globale.

Aseti i vërtetë

Në çdo shoqëri që ka ndërtuar themele të forta, fjala “aset” nuk është lidhur kurrë me sendin e shtrenjtë që shfaqet në dorë apo në rrugë.

Aseti i vërtetë është gjithmonë ai që krijon vlerë të qëndrueshme, që prodhon, që ushqen, që formon, që shëron.

Për Shqipërinë, aset është toka që punon dhe jep fryt, jo ajo që shitet për një kapriço. Aset është fabrika që eksporton mallra të përpunuara, jo ndërtesa luksoze që mbetet gjysmë bosh.

Aset është universiteti që përgatit gjenerata profesionistësh dhe krijon dije të reja, jo diploma të blera pa dije.

Aset është spitali që shpëton jetë me pajisje moderne, jo fasadat e lyera që fshehin mungesat bazike.

Një çantë Hermès apo një makinë 100 mijë euro janë thjesht relike sezoni, të destinuara të zëvendësohen sapo të dalë modeli tjetër.

Vlera e tyre nuk rritet, nuk ushqen ekonominë, nuk ndërton zinxhirë prodhimi.

Janë thërrime të shndritshne të një konsumi që nuk kthehet në mirëqenie kolektive.

Në të kundërt, një hektar tokë i punuar jo vetëm që ushqen një familje, por krijon tepricë për tregun, ul importet dhe rrit eksportet.

Një fabrikë përpunimi jo vetëm që jep vende pune, por rrit vlerën e produkteve vendase dhe i bën konkurruese jashtë vendit.

Një universitet me laboratorë të rinj nuk është thjesht godinë, por truall i së ardhmes, që përgatit inxhinierë, mjekë, shkencëtarë.

Një spital i pajisur me teknologji moderne nuk shërben vetëm për sot, por rrit jetëgjatësinë e qytetarëve dhe forcon sigurinë e shëndetit publik.

Shihni shembujt ndërkombëtarë.
Izraeli, një vend me territor të vogël dhe tokë kryesisht shkretëtirë, ka ndërtuar ekonominë e tij mbi inovacionin teknologjik dhe kërkimin shkencor.

Me investime të qëndrueshme në universitete dhe qendra kërkimore, ai është sot lider në teknologjinë e ujitjes, në “start-up”-et teknologjike dhe në eksportin e dijeve.

Ky është aset i vërtetë, njohuri që kthehet në kapital dhe në fuqi shtetërore.

Holanda, një vend më i vogël se Shqipëria për nga sipërfaqja, është sot ndër eksportuesit më të mëdhenj bujqësorë në botë.

Ajo nuk u mjaftua me tokën që kishte, por krijoi sera moderne, aplikoi teknologji të avancuara dhe e shndërroi bujqësinë në një industri kombëtare.

Të ardhurat që Shqipëria i harxhon për të importuar produkte bazike si gruri apo qumështi, Holanda i shumëfishon duke eksportuar produkte të përpunuara bujqësore në çdo cep të botës.

Edhe Koreja e Jugut është shembull i qartë, nga një vend i shkatërruar pas luftës në vitet ’50, sot është një ndër ekonomitë më të fuqishme të Azisë, sepse investoi në arsim, industri përpunuese dhe teknologji.

Ajo nuk u zhyt në iluzionin e sendeve luksoze, por e ndërtoi luksin e saj të qëndrueshëm mbi fabrikat e makinave, mbi kompanitë teknologjike dhe mbi eksportin e inovacionit.

Këto janë shembuj të aseteve të vërteta. Shqipëria nuk ka nevojë për orë luksoze dhe makina që shiten si status.
Shqipëria ka nevojë për tokë të punuar, për fabrika që shtojnë vlerë, për universitete që krijojnë dije dhe për spitale që mbrojnë jetën. Vetëm kështu ndërtohet pasuria e qëndrueshme.

Politika e pasqyrës

Sëmundja e dukjes nuk ndalet në tregje apo në shijet e konsumatorëve. Ajo ngjitet në arteriet e pushtetit, duke e kthyer politikën në një pasqyrë të zbrazët.
Në vend që të matet me reforma që ndryshojnë jetën e qytetarëve, suksesi matet me inaugurime televizive, me drone propagandistikë, me fjalë që shndrisin si fishekzjarrë dhe fiken pa lënë gjurmë.

Ky është mekanizmi i politikës së pasqyrës, krijon imazhe, jo përmbajtje; mbjell iluzione, jo zgjidhje.

Çdo qeveri që bie pre e kësaj sëmundjeje shndërrohet në një trup që jeton për kamerën.

Ajo sillet si regjisor i një shfaqjeje të pafundme, ku qytetarët mbeten spektatorë të lodhur.
Në vend të institucioneve të forta që garantojnë barazi dhe drejtësi, ofrohen ceremoni të shndritshme.

Rrugë të papërfunduara hapen me prerje shiriti, sheshe të lyera ngjajnë si mrekulli urbane, ndërsa pas kamerave banorët vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit, papunësinë dhe spitalet pa pajisje.

Një shoqëri e lodhur nga problemet reale gjen një qetësi të përkohshme në këto kartolina, por kjo qetësi është mashtrim i rrezikshëm.

Shembujt janë të shumtë. U pre shiriti për “Unazën e Re” në Tiranë, por projekti u mbërthye në kaos gjyqësor e protestash.

U prezantuan me madhështi “Bypass”-et e jugut, por pjesë të tyre mbetën të pazbatueshme për sezonin turistik.

U hapën me fishekzjarrë rrugë nacionale, ndërsa mijëra kilometra rrugë rurale mbeten ende baltë dhe zhavorr.

Madje edhe projektet madhore si inceneratorët u shitën si zgjidhje moderne për mjedisin, ndërsa sot janë kthyer në plagë fiskale me qindra miliona euro borxh për qytetarët.

Besimi publik digjet si karburant për këtë spektakël. Sa herë që premtimet përsëriten dhe realiteti ngec, një pjesë e besimit humbet përgjithmonë.

Qytetari fillon të mos e dallojë më ndryshimin midis fasadës dhe themelit.

Demokracia rrëshqet në një teatër ku aktorët ndërron kostumet, por skena mbetet e njëjtë.

Dhe si një shtëpi e rregulluar vetëm nga jashtë, por me themele të kalbura, edhe shteti duket modern në pamje, por brenda është i brishtë dhe i lëkundshëm.

“Fasada” si metodë, rasti Rama

Në Shqipëri, politika prej kohësh është kthyer në një skenë ku dekorët ndryshojnë, ndërsa drama mbetet e njëjtë.
Me qeverisjen e Edi Ramës, kjo logjikë u ngrit në metodë, skenografia, fasada dhe kartolina nga ajri u shndërruan në instrumente të përditshme pushteti.

Në vend të reformave të thella që ndryshojnë jetën e qytetarëve, u ndërtua një univers imazhesh, ku moderniteti paraqitet me drita, ngjyra dhe projekte të lyer, ndërsa realiteti gri mbetet i pandryshuar.

Në këtë model, kullat shumëkatëshe në Tiranë u shiten qytetarëve si “zhvillim”.

Por çfarë zhvillimi përfaqëson një grumbull betoni luksoz, kur shifrat tregojnë se borxhi publik arrin në 63.8% të PBB-së dhe se mbi 30 kontrata të partneriteteve publike – private, me një vlerë mbi 2.2 miliardë euro, janë cilësuar nga FMN si rrezik i lartë fiskal?

Pasqyra e ndritshme e qelqit fshihet nga hija e borxhit dhe e varësisë financiare.

Sheshet e lyer e të shtruara rishtas, të cilat hapen me ceremoni dhe prerje shiritash, paraqiten si “modernitet urban”.

Por pas fasadës, mjafton të largohesh pak nga kryeqyteti për të parë fshatra pa ujë të pijshëm, rrugë rurale të shkatërruara dhe shkolla që shemben nga mungesa e mirëmbajtjes.

Moderniteti i shesheve është një dritë e rreme, e cila nuk shuan varfërinë strukturore që vazhdon të gërryejë themelin e vendit.

Universitetet publike janë një tjetër shembull i qartë i kontradiktës mes fasadës dhe substancës.

Ndërsa qeveria projekton imazhe të kampuseve “modernë”, brenda tyre laboratorët mbeten me pajisje mbi 20 vjet të vjetra, të papërshtatshme për standardet minimale të kohës.

Rinia e ikur drejt Europës është dëshmia më e fortë se bojërat nuk mjaftojnë, studentët nuk duan fasada, por dije dhe mundësi.

Në sektorin e shëndetësisë, fasada është kthyer në një barrë të rëndë ekonomike.

Kontrata e sterilizimit i kushtoi shtetit rreth 100 milionë euro, me një kosto 53% më të lartë se sikur shërbimi të kryhej nga spitalet me aparaturat ekzistuese, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ndërkohë, shumë spitale të tjera mbetën pa pajisje bazike, duke dëshmuar se paratë shkuan për të ushqyer skenografinë financiare, jo për të shpëtuar jetë.

E njëjta logjikë vlen edhe për koncesionin e check-up-it, i cili për dhjetë vjet shpenzoi mbi 120 milionë euro për vizita rutinë me efekt minimal në shëndetin publik.

Sipas ekspertëve, mjekësia familjare mund t’i kryente këto vizita me një kosto shumë më të ulët, por ajo nuk ofronte shfaqjen që ofronin shifrat e fryra dhe ceremonitë politike.

Ndër skandalet më të rënda janë inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, të cilët kanë marrë mbi 430 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Dy prej tyre funksionojnë pjesërisht, një mbetet i papërfunduar, por pagesat kanë vijuar si të ishin projekte të realizuara.

FMN dhe Banka Botërore i kanë cilësuar shembull klasik të rrezikut fiskal nga PPP-të, duke treguar se pas fasadës së “menaxhimit modern të mbetjeve” fshihet një skemë e rëndë korrupsioni dhe grabitjeje.

Në çdo rast, fasada nuk mbulon dot boshllëkun.
Të gjitha këto projekte, që në pamje të parë shndrisin, në thelb gërryejnë financat publike, ulin cilësinë e shërbimeve dhe shtojnë varësinë ekonomike.

Shqipëria shpenzon për kartolina, por harron të ndërtojë themelet, bujqësinë, industrinë përpunuese, arsimin, kërkimin shkencor.

Moderniteti nuk vjen me fasada të lyer.

Një vend nuk bëhet i fortë me kulla bosh, me sheshe të ndritshme dhe me kontrata të errëta që i kafshojnë të ardhmen. Moderniteti i vërtetë lind nga themelet, nga toka që prodhon, nga industria që eksporton, nga universiteti që krijon dije dhe nga spitali që shëron.

Ky është, në fund, teatri Rama, një skenografi që blen kohë, por shet të ardhmen e vendit.

Dhe historia nuk i fal ata që sakrifikojnë themelin për dekorin. Shqipëria nuk ka më luksin të jetë spektatore në këtë teatër të rrezikshëm, ajo duhet të zgjedhë midis fasadës që shndrit për një çast dhe substancës që mban peshë për breza.

Riparimi, nga çatia te themelet

Një shtëpi nuk mund të qëndrojë vetëm me bojë të re në mure apo me drita që shndrisin nga jashtë.

Ajo riparohet duke filluar nga çatia që nuk lejon shiun të hyjë dhe nga themelet që mbajnë peshën e saj.

Shqipëria është në të njëjtin pozicion: nëse nuk kthehet tek baza e vërtetë e zhvillimit, çdo përpjekje e saj për të ndriçuar në pamje të parë do të jetë e përkohshme, një lyerje që pikon me shiun e parë.

Riparimi i shtëpisë kombëtare kërkon masa të qarta, të guximshme dhe të pakthyeshme. Së pari, tatimi 30% mbi mallrat e luksit dhe të shenjës është një instrument i domosdoshëm.

Çdo qindarkë e mbledhur nga ky tatim duhet të ridrejtohet në kërkim shkencor dhe në arsim.

Sepse një orë Rolex nuk sjell dije, por një laborator i ri universitar prodhon studentë të aftë, profesorë që hulumtojnë, patenta që mund të komercializohen dhe teknologji që rrit produktivitetin.

Shqipëria nuk mund të mbetet vendi me nivelin më të ulët të investimeve në kërkim në Europë, në 0.19% të PBB-së.

Brenda pesë viteve, shpenzimet duhet të shkojnë të paktën në 1% të PBB-së, që do të thotë një buxhet i ri prej qindra milionë eurosh për dije.

Së dyti, duhet ligj i detyrueshëm për lidhjen organike mes universiteteve dhe bizneseve. Dija që mbetet vetëm në letra është një pasuri e humbur.

Nëse universitetet nuk kanë lidhje me industrinë, studentët dalin nga auditorët të papërgatitur për tregun e punës dhe kompanitë mbeten pa fuqi inovative.

Shqipëria duhet të krijojë një sistem të ngjashëm me atë të Gjermanisë, ku universitetet teknike bashkëpunojnë ngushtë me industrinë për të zhvilluar teknologji dhe produkte që eksportohen globalisht.

Së treti, bujqësia dhe industria prodhuese duhet të rikthehen në qendër të ekonomisë.

Një vend që importon pjesën më të madhe të ushqimeve që konsumon është i pambrojtur ndaj krizave globale.

Kapitali duhet të shkojë tek toka që ushqen, tek industria që përpunon produktet vendase dhe i jep atyre vlerë të shtuar.

Shqipëria ka potencial të madh për bujqësi biologjike, për fruta e perime që mund të eksportohen në tregjet e BE-së, por ky potencial shuhet kur fermerët e braktisin tokën sepse shteti i braktis ata.

Së katërti, ndërprerja e projekteve fasadë është një domosdoshmëri.

Sheshe të shtruara për zgjedhje, kulla luksi për klientelë të ngushtë, inceneratorë që marrin miliona euro por nuk funksionojnë, të gjitha këto janë karton i dekorit.

Kapitali duhet të shkojë në rrugë që lidhen me zonat rurale, në ujësjellës që furnizojnë fshatrat, në spitale që kanë pajisje dhe staf të përgatitur, në shkolla që formojnë qytetarë me mendim kritik e aftësi profesionale.

Riparimi nga çatia tek themelet do të thotë kthim tek logjika e qëndrueshmërisë.

Është investim në institucione që i rezistojnë kohës, në arsim që hap horizonte, në shkencë që krijon inovacion, në bujqësi që ushqen popullin dhe në industri që siguron pavarësi ekonomike.

Shqipëria nuk ka nevojë për fasada që ndryshojnë me stinët, por për struktura që rrinë të pathyeshme për breza.

Ky është projekti i themelit: një vizion që zgjedh substancën mbi pamjen, forcën mbi zbukurimin, qëndrueshmërinë mbi shfaqjen.

Çdo rrugë tjetër është iluzion.

Dhe iluzioni, njësoj si bojë që pikon me shiun e parë, zhduket, duke lënë pas një shtëpi më të brishtë se më parë.

Universalja e shtëpive të lyera

Nga Tirana në Lagos, nga Delhi në Meksiko, një fenomen i njëjtë po përshkon botën, iluzioni i pamjes që zëvendëson substancën.

Është një dukuri globale, ku fasadat po kthehen në normë dhe themelet lihen pas dore.

Në shumë vende, qeveritë dhe shoqëritë nuk matin më suksesin me forcën e institucioneve, me cilësinë e arsimit apo me qëndrueshmërinë e ekonomisë, por me pamjen që ofrojnë në ekranet televizive apo në rrjetet sociale.

Fotografia e bukur bëhet më e rëndësishme se reforma reale, droni që kap një shesh të ndritshëm vlen më shumë se investimi në shkolla, një kullë luksoze ka më shumë peshë se një spital i pajisur.

Ky është universaliteti i rremë i “shtëpive të lyera”.

Në Lagos ndërtohen projekte madhështore që shfaqen si simbole moderniteti, ndërsa lagjet e të varfërve nuk kanë as ujë të pijshëm.

Në Delhi ndërtohen stadiume dhe komplekse luksoze për të treguar fuqi, ndërsa mijëra fëmijë studiojnë në klasa të improvizuara nën çati të rrënuara.

Në Meksiko, rrokaqiejt e qelqtë rriten në mes të qyteteve të pasura, ndërsa zonat periferike luhaten mes varfërisë dhe dhunës.

Edhe në Tiranë, e njëjta logjikë funksionon: kulla të reja shumëkatëshe ngrihen si kartolina zhvillimi, ndërsa laboratori universitar dhe fshati bujqësor mbeten jashtë kohe.

Kombet që zgjedhin dritat e skenës përpara mureve mbajtës janë si aktorë që kujdesen për kostumin, por harrojnë tekstin e dramës.

Për pak çaste duken të bukura në fotografi, por brenda janë të brishta, të cenueshme dhe të pambrojtura.

Historia na mëson se lavdia e përkohshme e fasadave zbehet shpejt, ndërsa vetëm themelet e forta, arsimi, drejtësia, puna e ndershme, institucionet, i japin një shoqërie jetëgjatësi.

Prandaj, “shtëpitë e lyera” janë paralajmërim universal.
Nuk është Shqipëria e vetme që tundet mes shkëlqimit të rremë dhe substancës së munguar.
Është një ligj i kohës sonë.

Pyetja është, cilët popuj do të guxojnë të zgjedhin themelet dhe cilët do të mbeten të burgosur në pasqyrën e iluzioneve?

Thirrja e fundit

Shqipëria ka mbërritur në një udhëkryq që nuk mund ta shmangë më.
Përpara saj qëndrojnë dy rrugë të kundërta, njëra është ajo e fasadës së lyer, e qetësimit me vetëshpjegime, e iluzioneve të shkurtra që shiten si modernitet, por që lënë pas varfëri strukturore dhe varësi të përhershme.

Tjetra është rruga e themeleve të forta, e prodhimit, dijes dhe institucioneve që e mbajnë një vend në këmbë edhe kur rrethanat janë të vështira.
Ky është momenti kur historia kërkon një vendim.

Të dhënat nuk lënë vend për iluzione.

Rritja ekonomike 3.9% në 2024 dhe parashikimi i zbritjes në 3.2% në 2025 tregojnë një ritëm të brishtë, i paaftë të përballojë shpenzime të kota në mallra të shenjës.

Investimi në kërkim dhe zhvillim është vetëm 0.19% e PBB-së, duke e vendosur Shqipërinë në fundin e tabelës europiane.

Mesatarja e BE-së është 2.22%, ndërsa Gjermania e Suedia shkojnë mbi 3%.

Çdo vit që kalon në këtë hendek, Shqipëria humb një brez të tërë mundësish.

Kapitali që shkon te substanca është kapital që rrit të ardhmen.

Një euro e investuar në arsim, në kërkim, në bujqësi apo në industri kthehet në shumëfish përmes produktivitetit dhe qëndrueshmërisë.

Një euro e shpenzuar në fasada, në luks apo në projekte boshe, është një euro e humbur që nuk kthehet kurrë.

Kapitali që shkon te pamja rrit vetëm varësinë, duke e mbajtur vendin peng të importit, të borxhit dhe të propagandës.

Historia ofron mësime të qarta.

Civilizimet që mbijetuan nuk e ngritën lavdinë e tyre mbi pasarela dhe logo, por mbi ura që lidhën njerëzit, mbi universitete që formuan breza, mbi shtete funksionale që garantuan drejtësi dhe siguri.

Roma e lashtë nuk u bë e pavdekshme nga arenat e gladiatorëve, por nga rrugët, akueduktet dhe ligjet.

Britania e madhe e shekullit XIX nuk e ndërtoi fuqinë mbi pallatet e zbukuruara, por mbi industrinë dhe shkencën.

Sot, kombet që investojnë te substanca ecin përpara, ndërsa ata që mbështeten te imazhi mbeten prapa.

Shtëpia jonë ende mund të riparohet. Themelet nuk janë zhdukur, por janë lënë pas dore.

Ende kemi tokë pjellore, ende kemi rini me energji, ende kemi mendje të ndritura që kërkojnë mundësi.

Ende kemi mundësi të rikthejmë prodhimin si motor të ekonomisë, arsimin si themel të qytetarisë dhe institucionet si garant të drejtësisë.

Çatia ende mund të ndreqet, trarët mund të forcohen, muret mund të rindërtohen.

Por për këtë nevojitet guxim politik dhe vizion kombëtar, jo dekorime të përkohshme.

Koha, megjithatë, nuk pret. Ajo rrjedh si ujë që gërryen gurin.

Çdo vit që kalon me fasada të pikturuara është një vit i humbur për themelet.

Çdo brez që rritet me iluzione e ka më të vështirë të besojë te substanca. Nëse sot zgjedhim të pikturojmë sipërfaqe, nesër historia do të na pikturojë si brez që shiti themelin për shkëlqimin e rremë. Zgjedhja është sot. Jo nesër, sepse nesër do të jetë vonë. Nesër, themelet mund të jenë aq të kalbura sa të mos mbajnë më. Nesër, koha mund të na ketë kaluar përpara, duke na lënë në margjina. Sot është dita për të zgjedhur substancën mbi pamjen, themelin mbi fasadën, të ardhmen mbi iluzionin. Dhe ky është testimi i madh i Shqipërisë. Nëse e kalojmë, shtëpia jonë do të qëndrojë për breza. Nëse jo, do të mbetemi një imazh i bukur në foto dhe një strukturë e rrënuar në realitet.

Foto: Tirana Times

Filed Under: Ekonomi

Akuzat e Trump ndaj Soros, të rënda, por a janë juridikisht të dënueshme?

September 2, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024 dhe me një klimë politike të polarizuar si kurrë më parë, emri i George Soros-it rikthehet në qendër të debatit politik dhe juridik në Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti Donald Trump, i cili është vetë i përfshirë në disa procese gjyqësore, ka kërkuar që Soros dhe djali i tij Alexander të akuzohen sipas ligjit RICO – Akti Federal për Organizatat e Ndikuara nga Raketarët dhe të Korruptuara. Sipas Trump, Soros ka përdorur pasurinë e tij për të financuar “protesta të dhunshme” dhe për të ndikuar në mënyrë të paligjshme jetën politike e juridike amerikane.

Ky pretendim, që nga njëra anë shihet si pjesë e strategjisë elektorale të Trump për të mobilizuar bazën e tij konservatore, dhe nga ana tjetër si një alarm mbi fuqinë e pakufishme të miliarderëve në politikë, ka hapur një debat të gjerë: a mund të konsiderohen aktivitetet e Soros-it si pjesë e një “organizate kriminale” sipas RICO-s, apo kemi thjesht një përplasje politike ku ligji përdoret si armë? Për ta kuptuar këtë, duhet parë jo vetëm historia e Soros-it dhe ndikimi i tij, por edhe natyra e vetë ligjit RICO dhe aplikimi i tij në raste të tjera.

Donald Trump dhe RICO: një mjet juridik apo një armë politike?

Ligji RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act), i miratuar në vitin 1970, ishte konceptuar fillimisht për të luftuar mafian dhe organizatat kriminale që operonin si struktura të ngjashme me korporata. Ai lejon prokurorët të akuzojnë individë që janë pjesë e një “sipërmarrjeje kriminale të përhershme”, edhe nëse vetë nuk kryejnë çdo akt të paligjshëm, por kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në aktivitetin e saj.

Në dekadat e fundit, RICO është përdorur në mënyrë të zgjeruar, nga proceset kundër bandave të rrugës, deri te kompanitë farmaceutike dhe rrjetet e korrupsionit politik. Pikërisht kjo fleksibilitet e bën atë tërheqës për Trump-in: është një instrument i fuqishëm që mund të përdoret për të ngritur akuza të gjera dhe për të dhënë dënime të rënda.

Në deklaratat e tij, Trump akuzon Soros-in se ka financuar protesta të dhunshme në SHBA (sidomos ato pas vrasjes së George Floyd-it dhe protestat kundër vendimeve të Gjykatës së Lartë), se ka mbështetur prokurorë progresistë që “sabotuan ligjin dhe rendin” dhe se ka ndikuar në politikat e migracionit e të drejtësisë sociale në mënyrë që minojnë “themelin amerikan”. Sipas tij, kjo përbën një “sipërmarrje kriminale” me pasoja të rënda kombëtare.

Por, a mjafton kjo për të justifikuar një proces sipas RICO-s? Për ta parë, duhet të kuptojmë më mirë profilin e Soros-it dhe aktivitetet e tij.

George Soros: filantropi, ideologu, spekulanti financiar

George Soros, miliarder me origjinë hungareze-hebraike, është një nga figurat më të përfolura në politikën botërore. I njohur fillimisht si “njeriu që thyeu Bankën e Anglisë” në vitin 1992 përmes spekulimeve valutore, Soros ka përdorur pasurinë e tij për të financuar një nga rrjetet më të mëdha të fondacioneve filantropike në botë: Open Society Foundations (OSF).

Përkrahësit e shohin si një kampion të demokracisë liberale, të të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile. Ai ka financuar rrëzimin e regjimeve komuniste në Evropën Lindore, ka mbështetur aktivistët kundër aparteidit në Afrikën e Jugut, dhe ka investuar miliarda në arsimin, median e pavarur dhe shëndetësinë në vende të ndryshme të botës.

Kritikët, megjithatë, e akuzojnë për ndërhyrje politike, manipulim të opinionit publik dhe shkatërrim të sovranitetit kombëtar. Në SHBA, ai ka financuar kandidatë progresistë për prokurorë të qarkut, të cilët më pas kanë zbatuar politika më të buta ndaj krimit – duke shkaktuar polemika të forta mbi rritjen e kriminalitetit. Në Evropë, veçanërisht në Hungari, Viktor Orbán e ka përdorur figurën e tij si simbol të “globalizmit” dhe “antivlerave” që minojnë traditën kombëtare.

Në Shqipëri, Soros ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në reformën në drejtësi, përmes fondeve të USAID dhe OSF. Një pjesë e madhe e elitës së re juridike është formuar me bursat e tij, ndërsa struktura si SPAK dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë marrë trajnim dhe mbështetje nga programet e lidhura me fondacionet e tij. Për këtë arsye, kritikat ndaj tij në vend shpesh shoqërohen me akuzën se drejtësia shqiptare është bërë “vegël e Soros-it”.

Akuzat dhe kundër-akuzat

Nga një këndvështrim, akuzat e Trump ndaj Soros-it mund të duken si një vazhdimësi e narrativës populiste: miliarderi progresist, që financon kaosin dhe përmbys vlerat konservatore, është kundërshtari ideal për të mobilizuar bazën republikane. Në këtë logjikë, Trump e kthen Soros-in në një “armik publik numër një”, një figurë të jashtme ndaj popullit amerikan.

Por, në planin juridik, vërtetësia e këtyre akuzave është shumë më komplekse. Për të dënuar dikë sipas RICO-s, duhet të provohet ekzistenca e një sipërmarrjeje kriminale të qëndrueshme dhe një seri veprimesh të paligjshme. Financimi i OJQ-ve apo i fushatave politike nuk është në vetvete i paligjshëm, për sa kohë respektohen ligjet për transparencën dhe financimet.

Mbështetësit e Soros-it e shohin këtë si një sulm politik të rrezikshëm, që synon të kriminalizojë aktivizmin politik dhe filantropinë. Ata paralajmërojnë se, nëse RICO fillon të përdoret kundër financuesve të opozitës politike, atëherë linja ndarëse mes krimit dhe pluralizmit do të bëhet e paqartë.

Rasti shqiptar: Soros, drejtësia dhe politika

Në Shqipëri, debati për Soros-in ka marrë një dimension të veçantë. Kryeministri Edi Rama është konsideruar shpesh si një aleat i afërt i tij. Fondacioni “Shoqëria e Hapur” ka pasur një rol të madh në mbështetjen e reformës në drejtësi, ndërkohë që opozita e ka parë këtë si një “kapje” të sistemit.

SPAK, si strukturë e re e krijuar për të luftuar korrupsionin, shpesh përmendet si “projekti i Soros-it”. Për opozitën, kjo është prova që drejtësia po përdoret politikisht për të goditur kundërshtarët dhe për të mbrojtur pushtetin aktual. Nga ana tjetër, përkrahësit e reformës argumentojnë se, pa këtë mbështetje ndërkombëtare, sistemi gjyqësor shqiptar nuk do të kishte mundur të pastrohej nga korrupsioni i trashëguar.

Analisti politik Ted Wood në kolumnën e tij në “Washington Times” pyet nëse është në rregull që ambasadori amerikan në një vend të huaj të shantazhojë një parti politike në mënyrë që të sigurojë një avantazh për partinë tjetër.

“A është ambasadori amerikan në rregull për të diktuar rrjedhën e politikës në një vend të huaj, dhe në këtë mënyrë të drejtojë kërcënime në formën e pasojave që do të ndjekin ata që nuk do të punojnë sipas diktatit. A është e pranueshme që ambasadori amerikan të zbatojë agjendën e miliarderit hungarezo- amerikan dhe fondacionit të tij, e jo interesat e SHBA, shkruan në “Washington Times”, analisti politik dhe eksperti i sigurisë Ted Wood.

Në këtë skemë transnacionale, Edi Rama, si mik dhe bashkëpunëtor i hapur i Soros-it dhe në raportet e tij diplomatike, dhe afariste edhe me Trump, nuk do të dijë se si do të luajë. Ai mund të shfrytëzojë ndikimin e Soros për të forcuar reformat e drejtësisë dhe legjitimitetin ndërkombëtar, ndërsa lidhjet ekonomike me Trump dhe dhëndrin Kushner, mund të përdoren për të ruajtur një qasje pragmatike ndaj marrëdhënieve amerikane dhe investimeve private. Por kjo balancë e ndjeshme e dëshirueshme mes interesave progresive dhe konservative e vendos Ramën në një pozicion ku nuk do të mundë të ekuilibrojë dot me kujdes ndikimet e jashtme të lidhjeve të njohura me Sorosin, me interesat private të Trumpit, për të forcuar pozicionin e tij politik, por sesa, kjo do të mund të shihet. Tani duket se është më e vështirë një akrobaci qё të ulet në dy karrige.

Në këtë kuptim, rasti i Shqipërisë është një miniaturë e debatit global: a është Soros një garant i demokracisë, apo një manipulator i saj?

Analiza juridike: mundësia e një procesi RICO kundër Soros

Nga pikëpamja juridike, ngritja e një padie RICO ndaj Soros-it do të ishte një sfidë e jashtëzakonshme. Për ta justifikuar, prokurorët do të duhej të provojnë se Soros ka krijuar një strukturë kriminale të përhershme, e cila ka kryer akte të paligjshme të përsëritura (p.sh. pastrim parash, korrupsion, mashtrim). Deri më sot, nuk ka asnjë provë të tillë publike.

Në të kaluarën, RICO është përdorur për të ndjekur figura politike (p.sh. kryetarë bashkish të korruptuar) ose korporata që kanë kryer mashtrime sistematike (si kompania Purdue Pharma në krizën e opioideve). Por nuk ka ndonjë precedent të qartë për aplikimin e tij kundër një filantropi për shkak të financimit të OJQ-ve.

Në këtë aspekt, akuzat e Trump duken më shumë si një presion politik dhe një paralajmërim: nëse ai kthehet në pushtet, nuk do të hezitojë të përdorë mjetet juridike për të goditur kundërshtarët e tij ideologjikë.

Sigurisht, krimi i organizuar, dhuna e bandave dhe terrorizmi janë kërcënime për shoqërinë që qeveritë duhet t’i luftojnë. Por ligjet penale të tepërta bëhen shumë lehtë rrjete trazirash. Një person që vë një bombë dhe dikush që blen ushqime për anëtarët e tjerë të të njëjtit grup, nuk janë ekuivalentë moralë të njëjta pёr dënim, shkruan Matthew Cavedon nga Think Tank-u demokrat Cato. 

Por ai që vepron dhe ai që e paguan këtu është punë tjetër?  Ndoshta qëllimi i Trump para zgjedhjeve afat mesme nuk është është dënimi i Soro-s, por pengimi i donacioneve të tij pёr demokratët.

Implikimet politike dhe ndërkombëtare

Çështja Soros-Trump nuk është thjesht amerikane. Ajo ka pasoja globale. Në Evropë, ku Soros ka qenë i përfshirë për dekada në financimin e shoqërisë civile, një proces RICO ndaj tij do të interpretohej si një mesazh i qartë kundër aktivizmit liberal. Regjimet autoritare do ta përdornin këtë si argument për të mbyllur OJQ-të dhe për të kriminalizuar kundërshtarët.

Në Shqipëri, një akuzë e tillë do të kishte efekte të menjëhershme në perceptimin e reformës në drejtësi dhe në raportet e Ramës me Perëndimin. Një kryeministër që ka ndërtuar imazhin e tij mbi mbështetjen e Soros-it do të gjendej në një pozitë të vështirë nëse ky i fundit do të shpallej “armik publik” në SHBA.

Në vetë SHBA-në, kjo përplasje është pjesë e një lufte më të madhe ideologjike: kush kontrollon drejtësinë, median dhe narrativën publike. Për republikanët, Soros është simboli i “elitës globaliste” që kërkon të shkatërrojë kufijtë kombëtarë; për demokratët, ai është një filantrop që mbron të drejtat dhe liritë.

Përfundim: mes drejtësisë dhe politikës

Debati për Soros-in dhe RICO-n na çon drejt një pyetjeje thelbësore: ku mbaron politika dhe ku fillon drejtësia? Në një sistem demokratik, përdorimi i ligjit për të ndjekur kundërshtarët politikë është një rrezik i madh. Por, nga ana tjetër, nëse pasuria dhe ndikimi i miliarderëve nuk kontrollohen, demokracia mund të kthehet në një lojë të blerë nga më të pasurit.

Donald Trump, me thirrjen e tij për të akuzuar Soros-in sipas RICO-s, ka hapur një betejë që shkon përtej një personi apo një fondacioni. Është një betejë mbi vetë natyrën e demokracisë amerikane: a është ajo një sistem i hapur ku kapitali dhe filantropia mund të formësojnë politikën, apo një rend që duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e fuqive private?

Në këtë debat, Shqipëria mbetet një shembull ilustrues i ndikimit të Soros-it dhe dilemës që ai ngre. Reforma në drejtësi, e mbështetur nga fondacionet e tij, shihet nga njëra anë si shpëtimi i vendit nga korrupsioni, dhe nga ana tjetër si një instrument për të konsoliduar pushtetin e Ramës.

Nëse Soros do të përballej realisht me një proces RICO në SHBA, kjo do të kishte pasoja të thella jo vetëm për të, por për të gjithë arkitekturën e shoqërisë civile ndërkombëtare. Për momentin, duket më shumë si një armë retorike në fushatën e Trump, por precedentët na mësojnë se retorika mund të bëhet realitet. Dhe në atë pikë, miqtë dhe armiqtë e Soros-it, nga Uashingtoni deri në Tiranë, do të duhet të përcaktojnë qartë ku qëndrojnë. 

Presidenti Trump sapo i njollosi Soros-ët si protestues të dhunshëm për veprimet e paspecifikuara të të tjerëve me të cilët ata mund të kenë lidhjet më të largëta, megjithatë thënia amerikane thotë “follow the money”.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 225
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT