• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në filatelinë jugosllave me prani te kufizuar dhe identitet te mohuar

June 16, 2026 by s p

Besnik Fishta

Një nga aspektet më domethënëse të filatelisë së ish Jugosllavisë Socialiste(1945-1990), është mënyra se si ajo trajtoi Kosovën. Ndërsa republikat federale gjenin vend rregullisht në emetimet postare përmes figurave historike, monumenteve, qyteteve dhe trashëgimisë kulturore, Kosova mbeti dukshëm më pak e përfaqësuar. Kjo pabarazi nuk shfaqej vetëm në numrin e kufizuar të pullave kushtuar Kosovës, por edhe në mënyrën se si paraqiteshin motivet e saj.

Në shumicën e rasteve, elementet që lidhen me Kosovën paraqiteshin pa identifikimin e qartë të karakterit të tyre shqiptar. Kur në pulla shfaqeshin qytete ose peizazhe të Kosovës, zakonisht përmendej vetëm emri gjeografik. Kështu, paraqitja e Prizrenit, Pejës apo Grykës së Rugovës kufizohej në dimensionin e tyre turistik ose natyror, pa asnjë referencë ndaj popullsisë shqiptare që përbënte shumicën dërrmuese të banorëve të këtyre trevave. Për pasojë, shikuesi informohej për ekzistencën e një vendi, por jo për identitetin kulturor të tij.

                                                                                         Kanioni Rugoves 1981

Një dukuri e ngjashme vërehet edhe në paraqitjen e trashëgimisë kulturore. Në emetimet federale gjetën vend relativisht të shpeshtë monumente fetare ortodokse me rëndësi për historinë serbe, si manastiri i Graçanicës apo objekte të tjera të trashëgimisë mesjetare serbe në Kosovë. Këto monumente paraqiteshin si pjesë e trashëgimisë kulturore serbe, duke marrë një dukshmëri të konsiderueshme në raport me elementët e kulturës shqiptare, të cilët mbeteshin pothuajse të padukshëm.

Manastiri Gracanices 1975 

Edhe më domethënës është rasti i kostumeve popullore. Në disa emetime kushtuar folklorit jugosllav u përfshinë veshje tradicionale nga Kosova, por pa theksuar qartë përkatësinë e tyre shqiptare. Në raste të caktuara, motive të njohura të kulturës materiale shqiptare u paraqitën si pjesë e një folklori rajonal ose jugosllav(Mali i Zi) të paidentifikuar etnikisht. Shembulli më i njohur është ai i xhubletës, një prej veshjeve më të lashta të kulturës shqiptare në Ballkan, e cila në paraqitje të tilla humbte lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me traditën shqiptare. Në vend që të njihej autorësia kulturore e komunitetit që e kishte ruajtur ndër shekuj, objekti paraqitej në një kontekst më të përgjithshem.

Kjo nuk do të thotë se në filatelinë jugosllave mungonin plotësisht shembujt e një qasjeje më të balancuar. Një rast interesant përbën zarfi i Ditës së Parë i emetuar me rastin e 10-vjetorit të Universitetit të Prishtinës. I përgatitur në Zagreb-Kroaci, ai e trajtonte Universitetin e Prishtinës si një institucion të rëndësishëm arsimor dhe shkencor të federatës, pa e reduktuar rëndësinë e tij në një kontekst lokal. 

                                                                                            10 vjetori universitetit prishtines emetuar ne Zagreb 1979

Kjo mënyrë përfaqësimi ngre pyetje mbi shkallën e pluralizmit kulturor që reflektonte filatelia federale. Në një shtet që synon të përfaqësojë në mënyrë të barabartë komunitetet dhe identitetet e tij, filatelia do të pritej të pasqyronte me të njëjtën qartësi origjinën historike dhe kulturore të të gjitha traditave që përfshinte. Në këtë kuptim, elementet shqiptare të Kosovës nuk do të duhej të paraqiteshin thjesht si motive rajonale apo si pjesë e një trashëgimie të përgjithshme jugosllave, por edhe me identitetin e tyre kulturor të dallueshëm. Analiza e materialit filatelik sugjeron se kjo nuk ndodhte. Motivet shqiptare integroheshin në një kornizë më të gjerë federale pa u identifikuar qartë, ndërsa monumentet dhe traditat e lidhura me identitetin serb paraqiteshin me referenca më të drejtpërdrejta historike e kulturore. Kjo krijon përshtypjen e një përfaqësimi të pabalancuar të trashëgimisë së popujve dhe komuniteteve që përbënin federatën.

              Prizreni ne artet pamore 1965 

Pikërisht këtu qëndron një nga kontradiktat e filatelisë jugosllave. Ndërsa ideologjia zyrtare fliste për barazinë e popujve dhe të njësive federale, komunikimi vizual i shtetit nuk pasqyronte këtë parim. Kosova ishte plotësisht e munguar nga filatelia federale, dhe shpesh paraqitej në mënyrë të tillë që karakteri shqiptar i saj të mbetej në plan të dytë. Kjo krijoi një formë të përjashtimit simbolik, ku jo vetëm hapësira, por edhe identiteti kulturor i shumicës së popullsisë së saj mbeti i pa preprezentuar.

Filed Under: Ekonomi

Shqiptarët nuk ikin më

June 15, 2026 by s p

Në një shoqëri ku humbet shpresa, njerëzit largohen. Fillimisht fizikisht. Pastaj shpirtërisht. Pastaj politikisht.

Për vite me radhë, Shqipëria është mësuar me largimin. Të rinjtë largohen nga vendi. Qytetarët largohen nga pjesëmarrja. Shumë njerëz janë larguar nga ideja se mund të ndryshojnë diçka. Demokracia është në rrezik kur qytetarët nuk janë vigjilent ndaj vlerave që e mbajnë atë gjallë.

Albert Ajnshtajni thoshte se problemet njerëzore nuk zgjidhen si ekuacionet fizike. Politika është më e vështirë se fizika. Ajo kërkon përgjegjëshmëri të përditshme.

Të marrët flasin për ndikime të jashtme, ndërkohë harrojnë atë që na kanë bërë ata vetë së brendshmi. Në kulmin e protestave, para gazetarëve europianë, doli teoria e komplotit. Në anti-mitingun e turpshëm na kujtoi pemët e mbjella. Janë manovra të vjetra. Kur nuk ke përgjigjen, sulmo pyetjen.

Por pyetja mbetet në shesh. Qytetarët e thirrur nga shoqëria civile protestojnë çdo ditë në Tiranë kundër pushtetit. Pa parti. Pa autobusë partiakë. Pa para nëpër zarfe. Me këmbët e tyre. Me vullnetin e tyre.

Shqiptarët që protestojnë e dinë kuptimin e asimetrisë. Dikush që ka pushtetin ofron dialogun si dhuratë. Dikush që ka të drejtën kërkon vendimin e dorëheqjes si detyrim.

Mandati i katërt. Autoritarizëm i shtuar. Përqendrim monokratik i vendimmarrjes. Fjali të gjata për një të vërtetë të madhe. Këtu një njeri vendos gjithçka. Prandaj, asgjë nuk korrigjohet dot nga brenda.

Dikur Ajnshtanji refuzoi presidencën e Izraelit. Ai tha se nuk di si ti udhëheqë njerëzit. Gjyslykkuqi ynë nuk e ka këtë problem. Ai mendon se di gjithçka.

Por udhëheqja dhe sundimi nuk janë e njëjta gjë. Protestuesit thonë, jemi kundër dy fosileve. Duam një Shqipëri të Re. Kjo është fjalia kyçe. Kjo është risia e vërtetë.

Shqipëria ka protestuar shpesh. Por gjithmonë me flamurin e njërës palë. Gjithmonë me dinosaurin e palës tjetër në krye. Gjithmonë me fjalime pa shpirt.

Këtë herë, s’ka flamur partie. Ka flamuj me flamingo. Ka parulla të mprehta. Ka fjalime të vërteta. Kjo e tremb gjyslykkuqin më shumë se çdo opozitë. Ai opozitën e njeh. E kontrollon. E provokoi. E mposhti. Por qytetarin e lirë, atë që nuk kërkon postin e radhës, atë që nuk pret kontratën e nesërme, atë që fle mirë pa u rreshtuar, pikërisht atë nuk po di si ta trajtojë.

A do të largohet gjyslykkuqi nga kjo protestë? Ai nuk po e gjen dot kuptimin e protestës. Protesta nuk është çështje numrash. Protesta është çështje revolte morale.

Masa është morale, jo numerike. Ajo nuk zhduket me ujë. Nuk shpërbëhet me premtime. Nuk blihet me vende pune.

Ajnshtanji e dinte se ekuacionet e fizikës zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Problemet njerëzore, duhen zgjidhur çdo ditë, nga secili prej nesh.

Flamingot nuk votojnë. Nuk lobojnë. Nuk i shkruajnë letër BE-së. Por janë atje. Tani njerëzit po dalin që t’i mbrojnë. Diçka ka ndryshuar brenda nesh.

Ky është momenti kur njerëzit ndalojnë së ikuri. Ky është momenti që çdo pushtet i frikësohet. Ky është momenti i ndryshimit të madh.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Ekonomi

Njohja Ndërkombëtare e Kosovës dhe Konsolidimi i Sovranitetit të Jashtëm në Mekanizmat Ndërkombëtarë

June 11, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Njohja ndërkombëtare e Kosovës si imperativ strategjik në rendin e ri shumëpolar

Kalimi nga rendi unipolar në një rend shumëpolar të ndërlidhur e vendos Republikën e Kosovës përballë një sfide të re historike: konsolidimin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtar dhe të sovranitetit të saj të jashtëm.

Në kushtet e një bote ku fuqia po shpërndahet ndërmjet disa qendrave vendimmarrëse, njohja ndërkombëtare nuk është thjesht një çështje simbolike, por përbën element thelbësor të ekzistencës dhe të fuqizimit të shtetit në sistemin ndërkombëtar.

Në teorinë moderne të së drejtës ndërkombëtare, shtetësia nuk kufizohet vetëm me ekzistencën e territorit, popullsisë dhe institucioneve shtetërore, por kërkon edhe një shkallë të gjerë të njohjes dhe të pjesëmarrjes aktive në organizatat ndërkombëtare.

Për këtë arsye, njohja e Republikës së Kosovës nuk duhet të trajtohet vetëm si objektiv diplomatik, por si një domosdoshmëri strategjike për përmbylljen e procesit të konsolidimit të shtetësisë.

Sovraniteti i jashtëm dhe rëndësia e tij në të drejtën ndërkombëtare

Në shkencën juridike dhe kushtetuese, sovraniteti përbëhet nga dy dimensione themelore:

1. Sovraniteti i brendshëm

Që nënkupton:ushtrimin efektiv të pushtetit brenda territorit të shtetit;funksionimin e institucioneve demokratike;rendin kushtetues dhe juridik.

2. Sovraniteti i jashtëm

Që nënkupton:njohjen nga shtetet e tjera;të drejtën për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare;anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare;pjesëmarrjen e barabartë në sistemin ndërkombëtar.

Republika e Kosovës ka konsoliduar në masë të madhe sovranitetin e saj të brendshëm, por procesi i konsolidimit të sovranitetit të jashtëm vazhdon ende.

Prandaj, sfida kryesore e dekadës së ardhshme nuk është vetëm ruajtja e shtetësisë, por fuqizimi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë si formë e konsolidimit të sovranitetit të jashtëm

Në të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare përbën një nga treguesit më të fuqishëm të subjektivitetit shtetëror.

Sa më i madh të jetë numri i organizatave ku një shtet është anëtar, aq më i konsoliduar bëhet sovraniteti i tij ndërkombëtar.Për Kosovën, ky proces ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës

Ky anëtarësim do të sillte:forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut;qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut;rritjen e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Anëtarësimi në NATO

Anëtarësimi në NATO do të nënkuptonte:garanci kolektive të sigurisë;konsolidim të pakthyeshëm të shtetësisë;përforcim të pozitës strategjike të Kosovës në Ballkan.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian

Integrimi evropian nuk është vetëm projekt ekonomik dhe politik, por edhe një proces i konsolidimit të sovranitetit ndërkombëtar.

Anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Ky mbetet objektivi më i rëndësishëm strategjik.

Pranimi në OKB do të përfaqësonte:vulën përfundimtare të subjektivitetit juridik ndërkombëtar;afirmimin e plotë të Kosovës si anëtare e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare;mbylljen e debatit mbi statusin shtetëror të saj.

Njohja nga Serbia – çështja kyçe e stabilitetit afatgjatë

Në kontekstin e rendit të ri shumëpolar, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten një ndër çështjet më të ndjeshme të Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht rëndësisë së dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve, çështja qendrore dhe thelbësore mbetet:

Njohja reciproke ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Asnjë marrëveshje teknike dhe asnjë model i normalizimit të pjesshëm nuk mund të zëvendësojë njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

Vetëm njohja reciproke:eliminon konfliktin historik;krijon stabilitet afatgjatë në rajon;hap rrugën e integrimeve euroatlantike për të dy shtetet;kontribuon në paqen dhe sigurinë e Evropës Juglindore.

Diplomacia shumëdimensionale në rendin e ri botëror

Në një botë shumëpolare, Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në diplomacinë klasike.

Ajo duhet të zhvillojë:Diplomacinë strategjike;Diplomacinë ekonomike;Diplomacinë parlamentare;Diplomacinë publike;Diplomacinë kulturore;Diplomacinë akademike;Diplomacinë digjitale;Diplomacinë e diasporës shqiptare.

Diaspora shqiptare në:Shtetet e Bashkuara të Amerikës;Gjermani;Zvicër;Britani të Madhe;Austri;Belgjikë;vendet skandinave;duhet të shndërrohet në një faktor më të organizuar të lobimit për njohje të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Koha e diplomacisë aktive dhe jo e pritjes pasive

Në rendin e ri shumëpolar, askush nuk ua garanton automatikisht shteteve të vogla avancimin e interesave të tyre kombëtare.

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare tregon se:Izraeli;Singapori;Irlanda;Finlanda;Estonia;kanë arritur të rrisin ndikimin e tyre jo për shkak të madhësisë territoriale, por falë diplomacisë aktive, institucioneve të forta dhe vizionit strategjik.

Edhe Republika e Kosovës duhet të kalojë nga një diplomaci reaktive në një diplomaci proaktive, duke e vendosur në qendër të politikës së jashtme:njohjet e reja ndërkombëtare;anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare;konsolidimin e sovranitetit të jashtëm;forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian;rritjen e rolit të saj si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Kalimi nga rendi unipolar në një rend shumëpolar të ndërlidhur përbën një transformim të madh historik të sistemit ndërkombëtar. Për Republikën e Kosovës, ky tranzicion paraqet njëkohësisht sfidë dhe mundësi.

Në këtë arkitekturë të re globale, objektivi madhor kombëtar nuk duhet të jetë vetëm ruajtja e shtetësisë së fituar, por thellimi i njohjes ndërkombëtare dhe konsolidimi i plotë i sovranitetit të jashtëm përmes anëtarësimit në mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare.

Sepse, në fund, forca e një shteti në shekullin XXI nuk matet vetëm me territorin dhe popullsinë, por me shkallën e pranisë së tij në institucionet ndërkombëtare, me aleancat strategjike dhe me aftësinë për të qenë pjesë aktive e rendit të ri botëror.

Për Republikën e Kosovës, rruga drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë kalon përmes tri objektivave madhore:

(1) zgjerimit të njohjeve ndërkombëtare;

(2) anëtarësimit në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë;

(3) arritjes së njohjes reciproke me Serbinë, si gurthemeli i paqes së qëndrueshme dhe i sovranitetit të plotë ndërkombëtar.

Vetëm atëherë sovraniteti i Republikës së Kosovës do të jetë i konsoliduar jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe në ndërgjegjen juridike dhe politike të bashkësisë ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi

Zgjimi qytetar i Shqipërisë: Një vit pas fitores dërrmuese të Ramës, thyhet iluzioni i pathyeshmërisë

June 10, 2026 by s p

Dr. Elez Biberaj/

Një vit pasi Kryeministri Edi Rama fitoi një mandat të katërt radhazi, Shqipëria ndodhet në një realitet thellësisht të ndryshëm nga narrativa triumfaliste që ai kishte projektuar. Qeveria që pretendonte një autoritet të pakrahasueshëm tani përballet me kryengritjen qytetare më të qëndrueshme në dekada. Ajo që nisi si protesta modeste kundër projekteve të investimeve të huaja në Zvërnec dhe Sazan është shndërruar në një ballafaqim mbarëkombëtar me një sistem që shumë shqiptarë e shohin si të papërgjegjshëm, zhvatës dhe thelbësisht të shteruar.

Protestat u nxitën nga shqetësimet mbi kushtet jotransparente të investimeve të profilit të lartë, të lidhura me Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Por demonstratat nuk janë referendum për familjen Trump, as refuzim i kapitalit të huaj. Shqiptarët prej kohësh kanë mirëpritur investime që respektojnë ligjet e vendit, mjedisin dhe interesin publik. Ajo që ata refuzojnë është mënyra se si këto projekte u shtynë përpara: pa transparencë, pa konsultim dhe pa respekt për të drejtat mjedisore apo pronësore. Protestat nuk janë anti-Trump apo anti-amerikane; ato janë kundër kleptokracisë.

Për vite me radhë, Rama qeverisi sikur konkurrenca politike të ishte një bezdi dhe jo një domosdoshmëri demokratike. Pushteti u centralizua gjithnjë e më shumë. Parlamenti funksionoi si formalitet. Ndryshimet në kabinet shpalleshin në mënyrë teatrale, me ministra që mësonin për emërimet e tyre gjatë fjalimeve publike. Jeta e brendshme e partisë në pushtet u ngushtua në besnikëri dhe konformizëm. Opozita, e fragmentuar dhe e demonizuar, u trajtua si bezdi, jo si kundërpeshë.

Ky përqendrim autoriteti krijoi iluzionin e stabilitetit. Por ai prodhoi gjithashtu një sistem të brishtë – një sistem që mund të funksiononte me efikasitet vetëm për sa kohë qytetarët mbeteshin pasivë. Protestat e kanë thyer këtë supozim. Ato kanë nxjerrë në pah kufijtë e një modeli qeverisës të ndërtuar mbi kontrollin dhe korrupsionin, dhe jo mbi pëlqimin dhe llogaridhënien.

Polemika mbi projektet në Zvërnec dhe Sazan nxori në sipërfaqe pakënaqësi më të thella. Shqiptarët kanë parë për vite se si tenderët publikë, kontratat e infrastrukturës dhe asetet strategjike u janë dhuruar rrjeteve të lidhura politikisht. Rastet e profilit të lartë të korrupsionit, si çështja Balluku dhe pasurimi i ministrave, zyrtarëve të lartë dhe familjeve të tyre, kanë përforcuar perceptimin për një elitë qeverisëse të mbrojtur nga llogaridhënia. Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm janë përballur me paga të pandryshuara, kosto në rritje dhe shërbime publike në rënie. Gati një milion shqiptarë kanë emigruar në dy dekadat e fundit, një largim tronditës që pasqyron si vështirësitë ekonomike, ashtu edhe humbjen e besimit në drejtimin e vendit. Protestat janë, pjesërisht, një përgjigje ndaj këtij erozioni të gjatë të besimit.

Në vend që të angazhohej me shqetësimet e protestuesve, Rama ka zgjedhur një strategji përçmimi dhe talljeje. Ai i ka paraqitur demonstratat si anti-investime ose të manipuluara nga agjentë të huaj. Ai është tallur me protestuesit përmes spektakleve – batuta me pelikanë, përqeshje të inskenuara dhe nënkuptime se ata janë të keqinformuar ose jopatriotikë. Ai ka ringjallur spektaklin e tubimeve masive që kremtojnë përvjetorin e partisë së tij, duke evokuar mobilizimet performative të epokës së vonë komuniste. Ky reagim zbulon më shumë sesa mbrojtje politike. Ai pasqyron një stil qeverisës të mësuar me pandëshkueshmërinë dhe që e ka të vështirë ta kuptojë mospajtimin ndryshe veçse si sabotim. Është një përgjigje që e thellon, në vend që ta zgjidhë, krizën e legjitimitetit.

Ajo që e bën këtë kryengritje qytetare të jashtëzakonshme është përbërja e saj. Ajo nuk është e orkestruar nga një parti politike. Nuk drejtohet nga një ideologji e vetme. Është një koalicion studentësh, aktivistësh mjedisorë, pronarësh, punëtorësh, pensionistësh dhe profesionistësh të rinj. Shumë prej tyre ishin shkëputur prej kohësh nga politika, të bindur se pjesëmarrja kishte pak peshë. Tani ata janë në rrugë, të bashkuar nga bindja e përbashkët se Shqipëria nuk mund të vazhdojë në rrugën aktuale. Kërkesat e tyre janë të qarta dhe koherente: dorëheqja e Ramës; një qeveri teknike për të rikthyer besimin; shfuqizimi i ligjeve të miratuara për t’u përshtatur investitorëve pa konsultim publik; llogaridhënie për korrupsionin, përfshirë rastet e nivelit të lartë; dhe një model qeverisjeje i mbështetur në transparencë dhe sundim të ligjit.

Këto nuk janë kërkesa radikale. Ato janë pritshmëritë themelore të një shoqërie demokratike.

Për vite me radhë, jeta politike e Shqipërisë është karakterizuar nga dorëzimi. Qytetarët kanë parë institucionet të dobësohen, korrupsionin të thellohet dhe debatin publik të ngushtohet. Shumë arritën në përfundimin se asgjë nuk mund të ndryshonte. Protestat e kanë përmbysur këtë trajektore psikologjike. Ato i kanë rikthyer ndjenjën e veprimit një shoqërie të cilës për një kohë të gjatë i është thënë se pushteti është i palëvizshëm. Edhe pa një udhëheqës të vetëm apo strukturë formale, lëvizja ka arritur tashmë diçka të thellë: ka thyer magjinë e pathyeshmërisë që rrethonte sundimin e Ramës.

Fitorja dërrmuese e Ramës në vitin 2025 kishte për qëllim të çimentonte dominimin e tij. Në vend të kësaj, ajo përshpejtoi tejkalimin e kufijve të pushtetit, i cili tani ka provokuar rezistencë të gjerë. Mandati i tij, dikur i paraqitur si historik, ngjan gjithnjë e më shumë me një fitore pirrike – një fitore që solli kontroll afatshkurtër me koston e legjitimitetit afatgjatë. Edhe nëse ai i mbijeton krizës së menjëhershme, peizazhi politik ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Qeveria nuk mund të mbështetet më te apatia publike. Opozita, ndonëse ende e fragmentuar, nuk është më kanali i vetëm i mospajtimit. Shoqëria civile, e margjinalizuar për një kohë të gjatë, është rikthyer në skenën kombëtare. Dhe brezi i ri, aq shpesh i përçmuar si i shkëputur, ka treguar se është i gatshëm të veprojë.

Në këtë moment, edhe komuniteti ndërkombëtar përballet me një zgjedhje: të mbetet vëzhgues i largët, apo të mbajë një qëndrim parimor në mbështetje të normave demokratike, integritetit institucional dhe llogaridhënies së vërtetë.

Protestat kanë hapur një derë, por ato ende nuk e kanë përcaktuar rrugën përpara. Shqipërisë i duhet më shumë sesa katarsis. I duhet një strategji gjithëpërfshirëse për ripërtëritje demokratike: rindërtimi i institucioneve të afta t’i rezistojnë presionit politik; rikthimi i kontrollit dhe balancave; garantimi i pavarësisë së gjyqësorit; mbrojtja e lirisë së medias; krijimi i hapësirës për aktorë të rinj politikë; dhe investimi në arsim dhe mundësi, në mënyrë që të rinjtë shqiptarë ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Këto janë detyra afatgjata, por ato tani janë bërë pjesë e bisedës kombëtare në një mënyrë që nuk kishin qenë prej vitesh.

Nëse protestat do të sjellin apo jo ndryshim të menjëhershëm politik, kjo nuk është masa e vetme e rëndësisë së tyre. Shqipëria tashmë ka kaluar një prag. Një shoqëri që ishte bërë cinike ka rigjetur zërin e saj. Një qeveri që e besonte veten të pathyeshme është përballur me kufijtë e saj. Një komb që ndihej i poshtëruar nga korrupsioni ka rimarrë dinjitetin e vet.

Ky është një zgjim qytetar, jo një episod kalimtar.

Shqipëria ka kaluar kapituj të vështirë dhe ka dalë më e fortë. Mund ta bëjë këtë përsëri. Guximi i treguar në rrugët e Tiranës nuk është thjesht refuzim i së tashmes; është pohim i së ardhmes. Protestuesit i kanë kujtuar vendit dhe botës se aspiratat demokratike të Shqipërisë mbeten të gjalla, të qëndrueshme dhe të rrënjosura thellë.

Një popull që rigjen dinjitetin e vet nuk kthehet më në heshtje. Shqipëria ka hyrë në një kapitull të ri, dhe qytetarët e saj po e shkruajnë atë me qartësi, guxim dhe shpresë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Elez Biberaj

“Gjenerali” i fasadave…

June 8, 2026 by s p

Artan Nati/

Le ta themi troç, sepse shqiptarët janë lodhur nga analizat e gjata të ekspertëve të paguar dhe nga panelistët që flasin për katër orë pa thënë asgjë: protesta nuk shpërtheu për Zvernecin. Zverneci ishte vetëm shkrepësja. Bombola e gazit ishte mbushur prej vitesh nga qeveria, opozita, oligarkët, klientët, ortakët, kushërinjtë politikë dhe gjithë kasta që ka marrë peng vendin. Por si gjithmonë, pushteti po përpiqet ta shesë ngjarjen si një problem lokal. Njësoj sikur Titaniku të ishte duke u fundosur dhe kapiteni të dilte në televizor për të sqaruar se problemi ishte vetëm një gërvishtje në anën e djathtë të anijes. Shqiptarët nuk dolën në protestë për një parcelë tokë. Dolën sepse ndihen si qiraxhinj në vendin e tyre. Dolën sepse prona nuk është e sigurt. Sepse drejtësia është llotari. Sepse shteti është kthyer në sportel ndërmjetësimi. Sepse gjithçka funksionon me mik, me telefon, me parti, me favor dhe me “e njoh unë dikë”.

Më komikja ishte kur Taulant Balla, me atë vetëbesimin e një pashai që sapo ka zbritur nga kali, i tha protestuesit se do t’ia zgjidhte ai problemin e hipotekës. Ja ku e keni përmbledhur në një fjali gjithë tragjedinë shqiptare. Qytetari kërkon shtet. Politikani i ofron mik. Qytetari kërkon ligj. Politikani i ofron telefonatë. Qytetari kërkon institucion. Politikani i ofron Taulantin. Sikur të ishte shekulli XVIII dhe fshatari t’i lutej beut për një copë tokë. “Ma sill dosjen mua.” Po pse ta sjellim ty? Kush je ti? Drejtoria e Hipotekës Gjykata? Prokuroria? Apo je aplikacioni kombëtar për zgjidhjen e halleve? Në fakt, pikërisht kundër kësaj protestohet. Nuk duam Taulantin që zgjidh problemet. Duam institucione që nuk kanë nevojë për Taulantin. Sepse kur një problem zgjidhet nga i forti dhe jo nga ligji, atëherë nuk kemi shtet. Kemi feudalizëm me internet dhe konferenca shtypi. Pastaj vjen pjesa më qesharake e shfaqjes. Kur nuk mund të shpjegosh pse njerëzit janë të zemëruar, fillon të kërkosh armiq të jashtëm.

Dhe këtu Taulanti dhe Ardit Bido duket sikur po konkurrojnë për çmimin “Komplotisti i Vitit”. Njëri sheh serbë. Tjetri sheh grekë. Pak më shumë fantazi dhe do të shohin edhe iranianë. Sipas tyre, shqiptari nuk revoltohet vetë. Jo. Ai është aq i lumtur sa nuk del kurrë në protestë. Duhet medoemos një autobus nga Beogradi që ta bindë të zemërohet. Ose një furgon nga Athina që t’i kujtojë faturat, taksat, pronat, korrupsionin dhe pagat. Imagjinoni dialogun: Pse proteston? Nuk protestoj. Po prisja autobusin serb. Po ti? Mua më ka sjellë një komplot grek. Po hallet? Jo, jo. Hallet nuk kanë lidhje fare.

Në këtë pikë, pushteti nuk po ofendon protestuesit. Po ofendon inteligjencën kombëtare. Po na thotë se nuk jemi të aftë të zemërohemi vetë. Se nuk kemi arsye të mjaftueshme. Se pas tridhjetë e pesë vitesh korrupsion, vjedhjesh, klientelizmi dhe mashtrimesh elektorale, shqiptari ende qenka i lumtur, por po manipulohet nga autobusi i radhës. E vërteta është më e thjeshtë. Nuk ka ardhur asnjë autobus nga Serbia. Nuk ka ardhur asnjë autobus nga Greqia. Ka ardhur vetëm fatura e tranzicionit. Dhe ajo ka mbërritur në derën e pushtetit. Për vite me radhë na thanë se opozita ishte problemi. Pastaj na thanë se qeveria ishte problemi. Sot një pjesë e mirë e qytetarëve po thonë diçka shumë më të rrezikshme: “Të dyja janë problemi.” Kjo është arsyeja pse protestuesit nuk duan flamuj partie. Nuk duan liderë partie. Nuk duan deputetë që hipin në podium për të rrëmbyer mikrofonin. Sepse për ta pozita dhe opozita janë si dy ortakë të një restoranti që zihen para klientëve për kamerat, por në fund të natës numërojnë fitimet bashkë. Dhe pikërisht këtu fshihet paniku i vërtetë i klasës politike. Jo te Zverneci. Jo te protestuesit. Jo te serbët imagjinarë. Jo te grekët fantazmë.

Paniku fillon kur qytetarët pushojnë së besuari se shpëtimi do të vijë nga njëra palë kundër tjetrës. Sepse në atë moment fillon të shembet miti më i madh i tranzicionit shqiptar: se ne kemi pasur pluralizëm. Shumë shqiptarë kanë filluar të dyshojnë se për vite me radhë kanë parë të njëjtin monizëm me dy logo të ndryshme. Dhe ky është një mendim që asnjë autobus nuk e sjell. Atë e prodhon vetë realiteti. Dhe nga thellesia e protestës, e zemërimit, poshtërimit del një zë i vetëm:

Rama, largohu! Je bërë gjenerali i ushtrisë së fasadave

Ka ardhur një moment kur edhe propaganda lodhet duke dëgjuar veten. Ka ardhur një moment kur edhe bojës së fasadave i mbaron shkëlqimi dhe nën ngjyrat e ndezura fillojnë të duken plasaritjet e murit. Pikërisht në këtë moment ndodhet sot Edi Rama.

Kryeministri nuk ngjan më me liderin energjik që premtonte Rilindje. Ngjan më shumë me personazhin e një romani absurd që endet mes rrënojave të ushtrisë së vet duke numëruar të rënët politikë.

Është bërë një lloj “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, vetëm se këtë herë nuk kërkon eshtrat e ushtarëve të humbur në luftë. Kërkon ish-ministra, ish-kryetarë bashkish, ish-drejtorë dhe ish-bashkëpunëtorë që dikur i paraqiste si yje të administratës, ndërsa sot i gjen në dosje hetimore, në gjykata apo pas dyerve të burgut. Çdo pak muaj bie një tjetër. Një ministër. Një kryetar bashkie. Një drejtor. Një oligark. Një mik i afërt. Një ushtar besnik. Dhe gjenerali del para kamerave me të njëjtën shprehje habie, sikur sapo ka mësuar se uji është i lagësht. Por ndoshta titulli më i saktë nuk është “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Ndoshta është “Gjenerali i Ushtrisë së Korruptuar”. Sepse kur pothuajse çdo skandal të çon tek njerëzit e tu, kur çdo aferë mban vulën e qeverisë tënde dhe kur çdo hetim prek oborrin tënd politik, problemi nuk është më tek ushtarët. Problemi është tek gjenerali. Në fund të fundit, ushtria nuk e zgjedh vetë komandantin. Komandanti zgjedh ushtrinë. Por Rama është edhe diçka tjetër. Ai është bërë “Gjenerali i Fasadave”. Një njeri që për më shumë se një dekadë ka investuar më shumë energji tek pamja sesa tek përmbajtja. U lyen godinat. U ndriçuan sheshet. U prodhuan slogane. U krijuan animacione. U lëshuan dronë. U ndërtuan spektakle mediatike. Dhe ndërsa fasadat shkëlqenin, spitalet vazhdonin të ankoheshin, shkollat boshatiseshin, fshatrat plakeshin dhe të rinjtë blinin bileta vetëm vajtjeje. Ishte si të lyeje kabinën e Titanikut ndërsa anija vazhdonte të fundosej.

Por mbi të gjitha, Rama është bërë “Gjenerali i Ushtrisë së Servilëve”. Pas kaq vitesh në pushtet, rreth tij nuk kanë mbetur njerëz që thonë të vërtetën. Kanë mbetur vetëm njerëz që thonë atë që ai dëshiron të dëgjojë. Në oborrin e pushtetit nuk ekziston fjala “jo”. Aty çdo ide është gjeniale. Çdo fjalim është historik. Çdo dështim është sukses. Çdo skandal është komplot. Çdo kritik është armik. Dhe çdo humbje është fitore e keqkuptuar. Është laboratori perfekt i vetëmashtrimit politik. Problemi është se jashtë oborrit jeton një popull. Një popull që dëgjon prej vitesh të njëjtat premtime. Një popull që sheh të njëjtat fytyra. Një popull që sheh të njëjtat justifikime. Një popull që po humbet besimin jo vetëm tek qeveria, por tek e gjithë klasa politike. Sepse e vërteta më e hidhur është kjo: shumë shqiptarë nuk besojnë më as tek Rama dhe as tek opozita. Njëra palë ka konsumuar pushtetin. Tjetra ka konsumuar durimin. Njëra premton mrekulli që nuk vijnë. Tjetra premton shpëtim që nuk bind. Dhe qytetari i zakonshëm rri mes tyre si spektator i një seriali të gjatë që ka humbur kuptimin prej kohësh. Prandaj zemërimi nuk është më vetëm politik. Është moral. Është estetik. Është psikologjik. Njerëzit nuk janë vetëm të pakënaqur. Janë të lodhur. Të lodhur nga propaganda. Të lodhur nga mashtrimet.Të lodhur nga arrogantët që u japin leksione. Të lodhur nga politikanët që pasurohen ndërsa flasin për sakrifica. Të lodhur nga premtimet që riciklohen si shishet plastike.

Dhe ndoshta fjalia që dëgjohet më shpesh nëpër kafene, autobusa dhe tavolina familjare nuk është më: “Me kë do votosh?” Por: “A ka mbetur ndonjë për të votuar?” Kjo është tragjedia e vërtetë e tranzicionit shqiptar. Jo vetëm që politikanët kanë humbur besimin e qytetarëve. Kanë arritur të diskreditojnë vetë idenë e besimit. Prandaj, Rama, largohu. Jo sepse e kërkon opozita. Jo sepse e kërkon ndonjë ambasadë. Jo sepse e kërkon moda politike. Por sepse pas kaq vitesh në pushtet ke arritur në pikën ku edhe ata që dikur të besuan, sot të shohin me indiferencë, lodhje ose neveri. Dhe për një politikan nuk ka fund më të keq sesa ky: jo kur njerëzit të urrejnë, por kur nuk të besojnë më asnjë fjalë. Sepse në atë moment nuk je më lider. Je vetëm gjenerali i një ushtrie që vazhdon të marshojë në vend, ndërsa populli ka kohë që është larguar nga parada.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 246
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pranvera Hyseni, vajza nga Kosova që e ngriti ëndrrën drejt yjeve
  • KRISTO FLOQI MBI ATDHEUN NË LIBRIN “NJË PREDIKIM MBI PATRIOTIZËM E NACIONALIZËM”
  • Të drejtat dhe përfaqësimi i shqiptarëve, quo vadis, Mali i Zi?
  • Çështja shqiptare në gjeopolitikën osmane në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX
  • GURËPRERËSI
  • Mbështesim Miss Blair Isufi
  • Shqipëria nuk ka nevojë për shtete fetare brenda shtetit
  • PUSTECI, HIMNI DHE HESHTJA E TIRANES
  • TRANZICIONI I GJATE: HIJA E NJE DIKTATURE 50 VJEÇARE
  • SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONE” PRET KRAHËHAPUR FËMIJËT
  • Ka filluar regjistrimi për vitin e ri akademik!
  • Stefan Cvajg na tregon Balzakun e vërtetë, gjeniun që u hakmor ndaj realitetit me gjenialitetin e talentit
  • Pandemia Digjitale e Përqeshjes
  • FORCA DHE POEZIA E DASHURISË
  • An Evening of Music and Friendship: Honoring the Friendship Between Kosovo, Switzerland, and the United States

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT