• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pianistja Elona Muça fton komunitetin Shqiptar ne një Koncert sensibilizues

June 7, 2017 by dgreca

1 elona

Pianistja Elona Muça në vijim të veprimtarive sensibilizuese në SHBA do të organizojë në bashkëpunim me artistë të tjerë koncertin ” Bringing Awareness to Children’s Food Allergies”. Koncerti do të organizohet të Djelën në Datën 18 Qershor, 2017 ora 8 pm në Sallën e Koncerteve Leshowitz ne John Cali School of Music në Universitetin e Montclair-it në Montclair, NJ.

1 Koncert

Pianistja Muça tha për Gazetën “Dielli” se Ideja e këtij koncerti, për të cilin ajo ka biseduar dhe me Konsullen e përgjithshme të Kosovës , zonjën Teuta Sahatçija, ka ardhur pas një ngjarje tragjike: Virtyt Kelmendi, një djalë 15 vjeçar nga Kosova me rezidencë në NJ ndërroi jetë në Qershor, 2015 nga alergjitë e ushqimit dhe prindërit e tij dëshirojnë të paralajmërojnë prindërit dhe fëmijët e të gjithë kombeve, por sidomos ata të Kosovës dhe Shqipërisë, duke ditur që atje nuk ka programe edukimi mbi këtë temë, që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë alergjive të ushqimeve dhe në të ardhmen të ngrihen fonde për këtë qëllim.

Artistja Muça tha për Diellin se në këtë koncert do të jenë të ftuar edhe disa muzikantë të tjerë, mes të cilëve edhe Riad Ymeri- tenor dhe Lekë Salihu- piano. I Ftuari Special do të jetë Dr. Sheremet Gashi, i cili do të flasë mbi temën e alergjive të ushqimeve.

Pianistja Muça fton Komunitetin shqiptar që të bëhet pjesë e këtij organizimi: Ju mirëpres me gjithë familjet dhe shoqërinë tuaj, thot ë

pianistja Elona Muça, organizatore e veprimtarise.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: organizon Koncert, Pianistja Elona Muça, sensibilizues

KUVENDET, SHPREHJE E DEMOKRACISË NË VATËR

June 1, 2017 by dgreca

3 Kuvendet

Në Foto:Nga Kuvendi i vitit 2015 ne Jacksonville, Florida/2 Kuvendet

Ne Foto:Kengetari Frederik Ndoci duke percjelle Hymnet Kombetar te SHBA dhe Shqiptar/3 Kuvendet

NGA DALIP GRECA/                                                                                                               Ne Foto:Kuvendi i vitit 2015 ne Jacksdonville, Florida/

Me 10 Qershor 2017 do të nisë punimet Kuvendi vjetor i Vatrës, i cili krahas analizës së punës mes dy kuvendeve do të ketë edhe karakter zgjedhor.

1 Kuvendi i vatres

Ne Foto:Kuvendi i vitit 2014, Yonkers-New York/

Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, i cili e mori drejtimin e Vatrës më 2010, do të paraqesë raportin në emër të Kryesisë, ndërkohë që do të ketë raporte edhe nga arkëtari Marjan Cubi, presidenti i Fondit të Studentëve Mithat Gashi, Presidenti i Vatra Fondation INC dr. Nexhat Kaliqi, editori i Diellit Dalip Greca, do të ketë raportime nga kryetarët e degëve dhe diskutime të lira. Pjesa e fundit do t’i kushtohet zgjedhjeve të reja.

Kuvendi do të japë një shtysë të re dhe do ta gjallërojë organizatën më të vjetër të Botës Shqiptare dhe do të vendosë piketa të reja për të ardhmen e federatës, kontributi historik i së cilës, është të i pakrahasueshëm me asnjë organizatë tjetër. E krijuar shtatë muaj para shtetit të pavarur shqiptar, Vatra, i parapriu pavarësisë dhe e kreu më së miri edhe rolin e  shtetit të vdekur shqiptar.Kontributi i Vatres është vlerësuar nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë”Urdhëri i Flamurit”, ndërkohë që më parë ishte dekoruar nga Presidenti Bamir Topi me Urdhërin”Nderi i Kombit”.

Përmes Kuvendeve, Vatra, ka përsosur demokracinë e saj të brendshme. Që nga Kuvendi themelues i 28 prillit 1912 (mbledhja themeltare) e në vijim, Vatra i është bindur parimeve demokratike, që burojnë nga demokracia amerikane.

Përvoja tregon se problemet e mëdha Kombëtare dhe ato të brendshme Vatra i ka zgjidhur përmes Kuvendeve. Ka pasur raste, kur brenda vitit janë zhvilluar më shumë se një Kuvend. Në rekordet historike të federatës, janë regjistruar tre kuvende në një vit pas themelimit të saj, më 1913. Madje brenda muajit janë organizuar dy Kuvende, njëri më 4 korrik, tjetri më 20 korrik 1913.Kuvendi i dytë vendosi që Vatra të kishte Kryetar, pasi gjer atëhere nuk kishte Kryetar, detyrën e kryente sekretari i përgjithshëm. Mirëpo me ikjen e sekretarit të përgjithshëm, Faik Konicës në Europë, ky vend kishte mbetur vakant.

Në kuvendin e 20 Korrikut u zgjodh Kryetari Kristo Dako, i cili kryente edhe detyrën e Editorit të gazetës”Dielli”. Mirëpo problemet nuk shkuan mbarë. Kishin lindë mosmarrveshje mes kryetarit Dako me sekretari Loni Kristo e radhitësin e  gazetës Efthim Natsi. Problemet dhe mosmarrëveshjet nuk u zgjidhën as në mbledhjen që thirri kryetari 10 ditë pas Kuvendit të dytë, me 30 korrik, edhe pse sekretari u hoq përkohësisht nga detyra.

Me 24 gusht 1913 u thirr sërish një Kuvend tjetër, i treti në dy muaj. Në kuvend, kryetari Dako nuk gjeti rrugë tjetër që të shmangeshin moskuptimet dhe në këto rrethana e dha dorëheqjen edhe si kryetar Vatre edhe si editor i Diellit. Me pjekuri u zgjidhën mosmarrveshjet dhe u kthye normaliteti. Kryetar i ri u zgjodh Vangjel Gjika, ndërsa Editor i gazetës”Dielli, u zgjodh Dennis Kambury. Loni Kristo u rikthye sërish si sekretar i Vatrës.

Siç ka konstatuar historishkruesi i Vatrës, ish editori Refat Gurrazezi, Kuvende të shpeshta janë bërë si për të shuar konfliktet,për të zgjidhur problemet kombtare, ashtu edhe për shkak të gjetjes së një editori të aftë sepse pas ikjes Konicës, Nolit dhe dorëheqjes të Kristo Dakos, nuk po gjendej një editor i aftë. Kjo i diktoi Vatrës që të thërriste një Kuvend tjetër ende pa u mbushë viti nga tre kuvendet e 1913-tës. Ky Kuvend u thirr me 10 Janar 1914 dhe pati si ceirman Kostaq Lepçishtin. Në Kuvend u vendos që t’u shkruheshin letra për të ardhë në krye të gazetës njerëz të njohur të penës si: Faik Konitza, që aso kohe ishte në Durrës, Milo Duçi në Vlorë, Aleksandër Xhuvani, Midhat Frashëri, Simon Shuteriqi, Abdyl Ypi etj. Faik Konitza nuk u gjet në Durrës pasi ishte larguar, ndërsa personat e tjerë që morën ftesat, u përgjigjën se nuk mundnin të vinin pasi ishin të zënë me punë të tjera.

Ky Kuvend, shënoi edhe një ngjarje që ka mbetur në rekordet e Vatrës:Kryetari Vangjel Gjika dha dorëheqjen dhe Vatra mbeti në dorë të sekretarit Loni Kristo. Në këto kushte krize për Vatrën hapet një dritë shprese:Fan S Noli i shkruan një letër Vatrës dhe shfaq dëshirën që të marrë drejtimin e Diellit. Vatra i pranoi kushtet që vuri Noli dhe i shkroi që të vinte menjëherë, por ai nuk u përgjigj për shumë kohë. Atëherë iu bë një ftesë Kostë Çekrezit, i cili atë kohe ishte me Komisionin Ndërkombëtar të Kufijëve në Shkodër. Çekrezi e pranoi ftesën dhe me 8 nëntor 1914 mbërriti në Boston dhe mori drejtimin e Diellit, duke e kthyer atë në një gazetë të përditshme. Gazeta gjeti ustanë për një kohë, por kuvendet e  Vatrës nuk u normalizuan në ciklin kohor, nuk u kthyen të përvitshëm.

Kuvendi i radhës u mblodh me 4 korrik 1915, ku Noli, që tashmë kishte mbërritur në Boston, vuri kandidaturën për kryetar të Vatrës. Edhe ky Kuvend e gjeti Vatrën pa kryetar.Cairman i këtij kuvendi u zgjodh Lambi Kreshpani dhe sekretar Kolë Rodhja. Kuvendi vendosi me shumicë votash që të ndalohej hyrja e dy kandidatëve për kryetar Vatre, Fan S Nolit dhe Kostë Çekrezit. Për mosprishje qejfi mes dy kandidatëve, kuvendi nuk mori vendim për asnjërin për kryetar, dhe e la gjendjen siç ishte, pa kryetar. Natyrisht nuk mund të vazhdohej gjatë me këtë gjendje.U thirr një Kuvend tjetër  me 17 korrik. Sërish kemi dy kuvende brenda muajit. Ky Kuvend i dytë pati për cairman të komisionit të qendrës Hasan Bitinckën, ndërsa si cairman të Kuvendit Dennis Kambury. Kuvendi i vijoi punimet për dy ditë. Pas debateve u zgjodh kryetar Fan S Noli, ndërsa zyrtarë: Kristo Kirka, Kol Rodhe, Hasan Bitincka, Kostë Çekrezi(Editor i Diellit),Kol Tromara,  dhe Kostë Racka. Ky Komision që drejtoi Vatrën pas atij Kuvendi,  diskutoi edhe një pikë delikate: A mund të kthehej programi i Vatrës në politik? Konsultimi me një avokat të njohur ktheu përgjigje negative:JO!

Kuvendet e Vatrës përshkoheshin nga fryma e debatit, por jo rrallë ngriheshin tonet. Gjithësesi parimet demokratike nuk shkeleshin. Kryetari i Kuvendit mbante rregull, madje duke shfrytëzuar votën e delegatëve, kalonte deri në përjashtimin nga kuvendi të ngatrrestarëve;  dhe nuk lejontë  që të shkeleshin rregullat e përcaktuara. Kur nxeheshin gjakrat merreshin masa ekstreme, madje deri në thirrjen e policise për të nxjerrë jasht shkaktarët. Kështu psh në kuvendin e 2 Korrikut 1916, që u drejtua nga cairman Kostë Issaku dhe Ndreko Stavro sekretar, në sesionin e katër, u ashpërsuan bisedimet dhe delegatët kërkuan që të nxirrej jashtë Kuvendit Kristo Dako dhe të gjithë zyrtarët e Vatrës, me qëllim që të vazhdonte Kuvendi. Tonet e ashpra kishin si burim Nolin dhe Dakon. I nxorën jashtë edhe Dakon e Nolin edhe zyrtarët e Vatrës. Kryetari i Kuvendit vazhdoi punimet e Kuvendit. Më pas i thirrën që të hynin prapë. Pyetën Nolin se çfarë mendonte ai për rregullimin e punëve të Vatrës. Noli tha se nuk kishte nevojë fare për kryetar, që të mos i mbetej qejfi askujt për të qenë në krye dhe se ai mund ta drejtonte Vatrën duke bashkëpunonte me një komision me atdhetarë të njohur.

Pyetën Dakon se çfarë mendonte ai.Dako tha se Vatra duhej të kishte një kryetar të paanshëm dhe vetë ai propozoi Kostë Hotovën, ndërsa për vete tha se do të qëndronte jasht komisionit. Madje ai shtoi që Vatrës t’i shkonin punët mirë, ishte e mira si ai, ashtu dhe Noli, të rrinin jashtë Komisionit drejtues. Mirëpo të nesërmen në sesionin e pestë gjithçka ndryshoi si me magji, Dako propozoi Nolin për zyrtar të Vatrës, ndërsa Noli propozoi Dakon. Kuvendit nuk i mbeti gjë tjetër veçse t’i duartrokiste. Për kryetar konkuruan Kolë Tromara dhe Kostë Hotova. Tromara mori 29 vota, nga 25 që mori Hotova. Editor u zgjodh Bahri Omari, që nuk pati kundërshtar, pasi Rauf Fico që ishte ftuar nuk mundi të vinte nga Elbasani. Ky Kuvend mbahet mend për një vendim të rëndësishëm: Zgjodhi një person që do të paguhej me rrogë nga Vatra për t’u kujdesur për emigrantët që vinin në Ellis Island, të cilët kishin nevojë për ndihmë pasi s’njihnin gjuhën. Për këtë qëllim u zgjodh Kostë Hotova.

U duke se punët do të shkonin mirë, por pesë muaj më pas debatet u ashpërsuan dhe nisi çarja, që shkëputi një pjesë të madhe të vatranëve, që shkuan pas Kristo Dakos që krijoi Partinë Politike.

Kuvendet e Vatrës merrnin vendime të rëndësishme që kishin të bënin me fatet e Shqipërisë. Kështu psh Kuvendi i 1916, mbahet mend se emëroi Mehmet Konicën delegat të Vatrës në Londër, ndërsa ai i Majit 1917 mbahet mend për fushatën e madhe të 3 qershorit, që shpëtoi Shqipërinë, Kuvendi i 1919, që dërgoi delegatë në Konferencën e Paqës e Paqës në Paris, ose Kuvendi i 1920, organizoi huanë Kombëtare, që përmirësoi financat e qeverisë së Kongresit të Lushnjës.

Kuvendi më i gjatë që shënon rekord në historikun e Vatrës është ai 1 Korrikut 1917, i cili ka vazhduar për 12 ditë. Vendimi më i rëndësishëm i atij Kuvendi ishte Memorandumi për Greqinë që të ndaltë shpërnguljen e çamëve nga trojet e tyre, por ky mbahet mend edhe si Kuvendi i përçarjes së parë të Vatrës, që çoi me 27 gusht 1917, lindjen e Partisë politike të Dakos, me qendër në Worcester dhe nisjen e publikimit të gazetës”Albania”, kundërshtare e Diellit.Pas kësaj çarje ndodhën edhe dy çarje të tjera të mëdha të Vatrës, më 1925 dhe 1936.Bashkimi erdhi në kohën e pushtimit të Shqiëprisë prej Italisë fashiste.

Kuvendet ia kanë rritur jetëgjatësinë Vatrës dhe kanë forcuar frymën kombëtare të saj. Nga viti 2013 u rikthyen sërish kuvendet vjetore të Vatrës, ndërkohë që Kuvendi i fundit u organizua më 2015 në Jacksonville , Florida.

Le t’i urojmë punime të mbara kuvendit të 10 qershorit 2017!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Kuvendet, ne Vater, SHPREHJE E DEMOKRACISË

ZOTI KRYEMINISTER, EJA DHE NE HYSGJOKAJ

May 30, 2017 by dgreca

…. nuk jemi nga ata dembelët me të cilet ju talleni shpeherë…Dhe me sa di zoti kryeministër, prodhimet tona, mbulojnë rreth 14% të tregut vendas…. Vecse merr masa, Eskorat mund te behet pis …../

Rrapushi

NGA RRAPUSH SHARKA/Teksa fushata zgjedhore ka nisur, politikanët shqiptarë kanë lënë për pak kohë menajnë “Facebook” dhe Tiranën për t’u “transferuar” në periferi dhe qytetet më të largëta për premtimet e radhës. Do doja t’i bëja një ftesë të thjeshtë kryeministrit, për të na vizituar edhe ne. Përsonalisht më pëlqen kur e ndjek në televizor apo live në rrjetet sociale që ulet këmbëkryq aty tok me njerëzit. Ngre dolli me fshatarët, bën edhe batuta, pi dhe ndonjë gotë raki dhe hera-herë nuk heziton të ngacmojë ndonjë djalë të ri për modelin e flokëve apo për punë skedinash. Të tilla gjëra do dëshiroja t’i ndante edhe me ne. Le t’a zgjedhë vetë zoti kryeministër se në shtëpinë e kujt dëshiron të ndalet, mjafton të na vizitojë, është i mirëpritur. Fshati im i nderuar zoti kryeministër quhet Hysgjokaj, bën pjesë në njësinë administrative nr 5 të qytetit të Lushnjes. Sipas satististikave ( në mos gabohem ) jemi njësia e parë në Shqipëri, për sipërfaqen më të lartë të serave diellore, pra merremi me bujqësi. Dhe me sa di zoti kryeministër, prodhimet tona, mbulojnë rreth 14% të tregut vendas. Pra nuk jemi nga ata dembelët që ju shpeherë talleni dhe mbase mirë e beni. Nëse vendosni të vini, do ishte mirë të merrnit me vete edhe deputetin që ka qenë për njësinë tonë këto 4 vite, që të mund të na e prezantosh, pasi si për ironi nuk e njofim. Më kujtohet që dhe Erion Braçe kur vinte në Lushnje, prisnim se mos rruga na e sillte ndonjëherë tek ne por “fatkeqësisht” as që u bë i gjallë. Pastaj Ministrin e Bujqësisë as që behët fjalë që, e njohim vetëm nga televizioni. E kemi dëgjuar teksa thoshte se “kemi bërë shumë për Lushnjen dhe për bujqësinë “, por për të qenë të sinqertë, ne nuk i kemi asnjë nga ato risi që thotë ai. Mbase as ju nuk i dini! Se siç thoni dhe ju zoti kryeministër ne kemi patur shumë probleme këto 4 vite por që i kaluam, kështuqë mos u shqetësoni. Problemi më i madh që kemi ne është mos kontrollimi i pesticideve. Aq shumë i përdorim këto pesticide saqë edhe ujë të ishin do kishin bërë ndonjë efekt. Fshatarët tanë shkojnë në Greqi i marrin dhe i sjellim këtu dhe sipër çudi na dalin më të mira zoti kryëministër. Gojët e liga thonë që andej ka mallra  të mira. Përveç problemeve të shumta, një tjetër është edhe ai me farërat që mbjellim. Ndryshe ka pasur ngatërrime të tipit; nga farë për kultivim në serë na i kanë dhënë për mbjellje në fushë. Kjo sitiuatë na ka mërzitur jo pak, por thuajse ka kaluar. Atëherë kur u interesonim, aty ku i blinim farërat, justifikoheshin se ashtu u’a sillni nga jashtë dhe se nuk ka kontrolle. Unë nuk besoj që sdo ketë kontrolle po thjesht po transmetoj atë që na thonë. Pa dashur t’iu marr shumë kohë, pasi jeni dhe në kohë fushate, por duhet ta kuptoni se për ne fushatë është ajo e të mbjelljeve dhe të korrave. Mbase ju nuk e dini itenirarin e punëtorëve në fshat, por më lejo t’ua tregoj pakëz. Ne ngrihemi orën 5 të mëngjesit, punojmë deri në 11 në sera, pastaj pasi rritet shumë temperatura brenda, dalim e punojmë jashtë. Pra pak a shumë ashtu sic ju që rrini në diell këto kohë fushate me fshatarë dhe qytetarë të ndryshëm. Vetëm se, ju flisni e ndërsa ne punojmë. Nëse vendosni të vini, lutem që kur kur të shkoni në Lushnje zoti kryeministër për të prezantuar kandidatët, mos kaloni nga lindja, por nga veriu. Në lindje ndodhet tregu fruta-perime që është edhe më i madhi në Shqipëri përsa i përket prodhimit. Ndërsa nga veriu është rrugë një rrugë e zakonshme. Tek ky treg do ketë shumë prodhim të tipit, domate, lakër, kastraveca, të hedhura të gjitha në rrugë pasi nuk shiten dhe fshatarët disa prej tyre të papërgjegjshëm detryrohen t’i hedhin në ambiente që nuk duhen. Mbase e bëjnë edhe nga inati, por çfarë faji ka makina juaj, eskorta shoqëruese të bëhte pis. Në atë treg punojnë edhe bashkëfshatarët e mi, të cilët përpiqen të nxjerin bukën e gojës. Ju këshilloj të mos ndaloni, madje mos guxoni pasi fshatarët janë vërtetë të mërzitur për shkak të problemeve që të citova edhe më lart. Do të të vërsulen duke të fajësuar për situatën në të cilën ndodhen. Natyrisht që ky nuk është qëllimi që njerzit të dalin të mërzitur në ERTV. Me aq sa kam biseduar me tregtarët, kryesisht me ata të Kosvovës e Malit të Zi, më thanë që po të hiqej taksa doganore, do të vinin e merrnin prodhimet tona. Mirëpo ne nuk kemi leverdi me këtë që na shtohet. E si për inatin tonë, ata shkojnë dhe i marrin në Maqedoni a gjetkë, ku e kanë fitimin me pak fjalë. Pasataj tregu vendas mbingarkohet dhe fshatarët i hedhin prodhimet tutje nëpër rrugë apo rrugica. Kur isha në universitet kam dëgjuar për politikat që ndjek shteti si në mbrojtjen e prodhuesit, në krijimin e poltikave drejt një orientimi që prodhuesi mund të marrë. Në krjimin e pikave të grumbullimit e pastaj të shpërndarjes sipas kërkesës nëpër rrethe. Kam dëgjuar gjithashtu, politkat e forta të qeverisëe me sjelljen e investitorëve të huaj në vend e me mënyrën dhe nxitjen e prodhimit për përftimin e sa më shumë qytetarve vendas. Në të vërtetë më janë dukur dhe mendoj se të tilla kanë qenë, thjesht “leksione”. T’iu them të drejtën se mbushem me inat , pasi edhe në vendet më të dobëta kështu veprohet. Nëse qeveria juaj do të kishte afruar disa nga investitorët e huaj, ne mund të bënin fabrika salcash t’i tregtonim jashtë apo turshi që në import të shkruhej “Made in Albania”. Kështu edhe ju do ta promovonit po aq mirë si shumë risi të tjera në profilin tuaj në “Facebook”. Më besoni nëse e bëni diçka të tillë edhe fshatarët do të fotografoheshin duke buzëqeshur.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hysgjokaj, Kryemintrit Rama, Rrapush Sharka

Vështrim në shpirtin shqiptar nga Gazmend Freitag

May 24, 2017 by dgreca

141

Emri i piktorit Gazmend Freitag (48) është bërë tashmë familjar për banoret e distriktit të katërt në Vjenë, kjo falë bashkëpunimit të tij me dy ambasadat të këtij distrikti, atë të Shqipërisë dhe të Kosoves, në kuadër të projektit „Dita e Dyerve të Hapura të Ambasadave“.Vitin e tretë radhazi, ambasada e Shqipërisë në Vjenë ka hapur dyert e veta duke mirëpritur vizitorë të shumtë, banorë të distriktit, për t’i njohur ata me Shqipërine dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërise dhe Austrisë, të dëshmuara thellë ne histori.

Këtij qëllimi i shërbeu edhe shfaqja e videove me pamje nga Shqipëria, prezantimi i Shqipërise nga Ambasadori i Republikës së Shqiperisë në Austri, z. Roland Bimo, si një vend që ofron jo vetëm atraksione të shumta turistike por edhe miqësi të sinqertë dhe mikpritje të veçantë për turistët austriak, si dhe hapja e ekspozitës me piktura dhe fotografi të artistëve shqiptarë që jetojnë në Austri, Gazmend Freitag, Iliriana Ajeti dhe Gjergj Mazi.

Sikurse edhe në vitet e shkuara, grafikat e Gazmend Freitag e marrin shtysen nga historia e shqiptarëve dhe tradita folklorike e kombit të tij. Veprat e ekspozuara nga ai, jo rastësisht në kuq e zi, përbëjnë një mozaik me shumë përmasa kohore, gjeografike, historike dhe etnografike mbi shqiptarët që shtrihen nga Mitrovica në veri dhe zbresin deri në Gjirokastër në jug, nga periudha e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i vleresuar si mbrojtes i krishterimit, deri tek historia e fundit gjatë Luftës së Ftohtë. Një i huaj merr këtu kaq shumë informacione konkrete dhe emocione mbi trevat shqiptare vetëm e vetëm duke soditur veprat e Freitag.

Gjen aty dritëhijet në bardhë e zi të vallës së ashpër të shpatave, një vallë karakteristike e burrave në trevat veriore shqiptare, ëmbëlsinë e dritës në ninullën e nënës për foshnjën që piktori e kthen në muzikë përmes lojës së ngjyrave dhe linjave në grafikat e tij, si dhe shpirtin kalorsiak dhe të butë të shqiptarit në trajtimin e femrës në grafikën „Nusja nga Mitrovica“. Informohesh mbi historinë e hershme të shqiptarëve nën drejtimin e Gjergj Kastriotit që frenoi për 25 vjet agresivitetin e Perandorisë Osmane drejt Evropës në kufijtë e trojeve shqiptare, ndërkohë që  mëson mbi rolin e kishës dhe klerit katolik shqiptar në mbajtjen gjallë të identitetit evropian te popullit shqiptar përmes portretit të iluministit shqiptar të shekullit të shtatëmbëdhjetë, Pjeter Bogdanit, një prift katolik i kohës dhe një ndër autoret e parë  të dokumentuar të letërsisë artistike në gjuhën shqipe.

Me interes paraqitet grafika e avionit në kalanë e Gjirokastrës, një relikë e trishtë dhe e ndryshkur – ngjyrat që përdor autori e përforcojnë aq më tepër këtë ide – e periudhës absurde të Luftës së Ftohtë dhe e izolimit me vite të Shqipërise ish-komuniste, e cila është e vendosur të kapë kohën e humbur dhe të jetë pjesë e rrënjëve të saj të natyrshme evropiane.

Advertisements

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gazmend Freitag, Shpirti shqiptar

Në Suedi u mbajt konferencë pune e mësuesve shqiptarë

May 23, 2017 by dgreca

Në seancë puneNga Hazir MEHMETI-Halmstad/Në përgjithësi në diasporë përqindja e atyre që vijojnë mësimin shqip është shumë e ultë dhe nuk e kalon 2 % , Suedia shembull me vijueshmëri rreth 60%…shtetet tona duhet ta ndihmojnë mësimin amtar,  një detyrim i tyre kombëtar e kushtetues.  Prof. Dr. Agim Vinca: “Ata që donë ta copëtojnë kombin duan ta shkatërrojnë një të arritur epokale siç është Kongresi i Drejtshkrimit” /

1Prof. Dr. Agim VincaU takuam seminareve në vendlindje me përvojat tona profesionale rrethanash të ndryshme të punës e jetës. Nevoja e mësimit nga njëri tjetri na solli në konferencën e organizuar nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare “Iliria” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në  Suedi.  Tema e konferencës ishte “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi”. Seminari ishte gjithëpërfshirës për gjithë mësimdhënësit e të gjitha niveleve shkollore. Drejtues i realizimit të konferencës ishte Murat Koci i rrethuar nga aktivistë të mirënjohur mes tyre nikoqiri, Nuhi Mazreku e Shaban Gashi, mësues e veprimtar. Nga vendlindja morën pjesë z.Nuhi Gashi dhe  Shyhrete Reçica nga MASHT së Kosovës, Prof. Dr. Agim Vinca.  Ligjëratat ishin të larmishme dhe me vlera praktike dhe organizative. Mësimi më efikas bëhet mes të barabartëve, ashtu ishte dhe kësaj radhe.  Në emër të organizatorit përshëndeti mësuesi Murat Koci i cili paralajmëroi programin dyditor, drejtuesit e seancave, referuesit duke shtuar se sa është mësimdhënia nxitëse dhe sfiduese në praktikën tonë, metodologjia e didaktike në rrethanat aktuale sociale e teknologjike.

Referues i parë ishte z.Christer Jönsson, shef njësie në qytetin e Halmstad-it me temën “Mirsevjen në Halmstad, informim aktual për mësimdhënien në gjuhën amtare në Komunën e Halmstad-it”. Eksperte në shumë gjuhësi, Zyrafet Loshaj, shtjelloi rolin e gjuhëve në mësim me theks në mësimin amtar.   Nga Greqia, kryetarja e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë  Anila Velaj shtjelloj temën e saj “Krenari kombëtare apo  ndërgjegje  kombëtare? Roli i mësuesit të gjuhës amtare në  këto dy dimensione”. Një temë hulumtuese nga realiteti në rrethin e fëmijëve dhe prindërve shqiptarë në Greqi. Entela Sörmen Tabaku, ligjëruese në Universitetin e Upsales në Suedi mbajti kumtesën “Dygjuhësia në shërbim të ruajtjes së gjuhës amtare, identitetit kulturor e kombëtar”. Prof. Dr. Agim Vinca nga  Universiteti  Prishtinës u paraqit me temën mjaftë me interes: “Letërsia dhe gjuha shqipe në funksion të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kulturor e kombëtar”. Pas temës u zhvillua një bisedë e frytshme ku dolën paqartësi lidhur me gjuhën e unifikuar shqipe në vitet shtatëdhjeta. Prof.Dr.Agim Vinca mes tjerash tha: “Ata që donë ta copëtojnë kombin duan ta shkatërrojnë një të arritur epokale siç është Kongresi i Drejtshkrimit” Ai dha shembuj të shumtë lidhur me vendimet e marra në atë kohë rreth gjuhës shqipe si thesar i pakrahasueshëm unifikimi me elemente të gegërishtes dhe toskërishtes në gjuhën standarde.  Shyhrete Recica, (MASHTK, inspektor) mbajti ligjëratën e saj “Shkolla shqipe në trojet etnike dhe diasporë (Suedi) dhe mbështetja reciproke”
Pas dreken e ditës së parë u organizua paneli diskutues ku morën pjesë: Prof. Dr. Agim Vinca, Nuhi Gashi, Fatmire Ismaili Bunjaku, Zyrafete Losha, Hazir Mehmeti, Anila Kila, Shyhrete Reçica, Arben Vata dhe Hazbi Lalinca. U shtruan probleme rreth vijueshmërisë, mësimdhënies, rrethanave të ndryshme të mbajtjes së mësimit në diasporë, krahasime gjuhësore. Në përgjithësi në diasporë përqindja e atyre që vijojnë mësimin shqip është shumë e ultë dhe nuk e kalon 2 % , një konstatim nga z.Nuhi Gashi. Në Suedi vijueshmëria është diku rreth 60%  si vend shembull në krijimin e kushteve për mësimin e gjuhëve amtare. Në Austri diku rreth 19% edhe pse kushtet e ofruara janë përafërsisht të njëjta. Në Greqi, Itali, Francë, Zvicër dhe disa vende tjera, mësimi amtar është në nivel shoqatash dhe nuk mbështet nga institucionet vendore.. Furnizimi me tekste është shumë i mirë falë përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe bashkëpunimit te saj me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Zürich –ut , projekt i drejtuar nga Prof. Dr. Dr. Bassil Schader. Nga ky projekt tani kemi 19 tekste sipas standardeve bash kohorë me te cilat mund të mburremi karshi kombeve tjera.  Si konstatim tjetër doli, se shtetet tona duhet ta ndihmojnë mësimin amtar,  një detyrim i tyre kombëtar e kushtetues.
Në ditën e dytë seancat u drejtuan nga Xhevat Isufi dhe Shaban Gashi.  Përfaqësuesi nga Ministria e Arsimit z. Nuhi Gashi  u paraqit me kumtesë “Fenomeni “shacat” shikuar nga perspektiva të shumta dhe në raport me mësimin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare”. Një hulumtim i bazuar në fenomenet në të folurit e përditshëm tek të rinjtë dhe tjerë në Zvicër. Zyrtarja e lartë në Ministrinë e Arsimit në Suedi, Nermina Vikström mbajti kumtesën “ Informata aktuale nga Enti Shkollor në Suedi lidhur me mbështetjen e gjuhës amtare dhe ndihma në studime”. Ishte një temë me interes duke mësuar mbi mundësit e shumta që institucionet përkatëse suedeze ofrojnë për mësimin dhe studimin e gjuhës amtare. Xhevat Isufi, mësues dhe veprimtar i njohur prezantoi një praktikë të re në shfrytëzimin e faqes së internetit në mësimin e gjuhës amtare. Një formë mësimore e së ardhmes e hartuar nga vet autori në faqen Qendra e Gjuhëve – Modesmalalbanska në Komunen e Ängeholmit, ku kanë qasje nxënës e prindër. Një kumtesë të përbashkët nga përvoja profesionale paraqitën së bashku mësueset Fatime Kuçi dhe Bahtije Ratkoceri. Pikë programore ishte prezantimi botimeve të reja nga Prof. Dr. Agim Vinca. Ai lexoi disa poezi nga përmbledhje e tij e fundit me poezi “Nostalgji” të cilat u pritën me interes nga seminaristët. Hazir Mehmeti, prezantoj Abetaren e parë në Austri, tekst mësimor sipas standardeve bash kohore në alfabetimin specifik në diasporë. Pjesëmarrës tjerë ishin: Qerim Raqi, Mihane Hyseni, Xhavid Hasani, Burhan Kuci, Merita Pllana, Fixhrije Syla, Shpresa Selmani, Hava Haliti, Haki Behrami,Isuf Topilla, Arben Vata, Avesta, Mirela Kurtishi, Sadik Kelmendi, Beqe Shala, Sylejman Berisha,  Sherife Kuci Morina, Emine Jashari,  Ntonika Konomi,  Qerime Gurguri,  Marjeta Pepi, Adem Qerimaj, Ymer Gerbeshi, Sanije Selmani, Ardiana Hasani, Valbona Januzi,
Konferenca u karakterizua me dialog të haptë njohës dhe kërkues në rrugëgjetjet e formave të reja të veprimit dhe mësimdhënies në afirmimin e mësimit shqip në diasporë, me theks në Suedi.  Mbrëmja kulturore me këngë shqipe të kënduara nga këngëtarja Afërdita Xani ishte për të mos u harruar, ishte orë muzikore e cila dha shije në shuarjen e mallit mërgimtar.

Halmstad, 18,19 maj 2017

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: e mësuesve shqiptarë, Hazir Mehmeti, ne Suedi, u mbajt konferencë pune

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 179
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT